• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2014

Kryetari i komunës së Ferizajt,Muharrem Sfarqa nga Gjermania, sjell kulturën evropiane!

May 20, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/
Shiu i këtyre ditëve ishte gëzim për gjithë Kosovën që e theu thatësinë e shumë muajve . Një pas dite të datës 23 .04 .2014 e ndamë kohën që ta vizitojmë Ferizajn qytetin që udhëheq Muharrem Sfarqa , një burrë mesa shtat, por me një edukatë dhe një qytetërim evropian.
Muharrem Sfarqa, i cili erdhi nga Gjermania dhe u zgjodh kryetar komune lenë përshtypjen që nga diaspora ka sjellë kulturën evropiane të qeverisjes dhe menaxhimit. Ai deklarohet i gatshëm që të ballafaqohet me të metat e trashëguara në Kosovë, të trashëguara nga e kaluara e hidhur e pushtuesve të huaj. Veprimtari Muharrem Sfarqa si një kuadër i dalluar i LDK-së në Gjermani, ishte sekretar i nëndegës së LDK-së së NRW-së dhe në ballë të çdo aktiviteti atdhetar e partiak dha ndihmën e tij si intelektual dhe veprimtar i pa mposhtur . Ai ka disa vite qe ishte një mik i yni bashkëveprimtar në Gjermani, po dhe anëtar i “Lidhjes së shkrimtarëve artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani” gjë qe sa ishte në Gjermani la gjurmë veprimi për Kosovën . U morr me shkrime , reportazhe dhe intervista gjë që të gjitha ishin si pjesë përbërëse në ndërtimin e tij me një bagazh universal të kullures së tij që personalitetin e tij e unifikoj edhe në segmentin politik me çka edhe fitoj kandidaturën për kryetar të Komunës së Ferizajt nga një anëtar i kryesisë se Partisë se tij të LDK -së në Gjermani.Edhe se ishte një qytetar i pajisur me shtetësinë gjermane e la për interesin shoqëroro që të jenë në shërbimin e shoqërisë në Kosovë. Shtetësia gjermane e tij u bë debat publik disa herë nga disa injorant dhe kundërshtar politik duke u përpjekur që ta qesin në peshojë shtetësinë e tij gjë që është për t’a gjykuar, kur nuk dinë, as nuk janë të informuar sa e si duhet!?. Gjermania njeh dy e tri shtetësi, por kur është në pyetje Kosova nuk ka bërë ma shumë se sa tu merret kjo e drejtë qytetareve tanë . Dhe duhet ta kenë të qartë se disa republika në Gjermani e njohin këtë të drejtë të pa kontestueshme që shumë qytetar kosovar edhe sot e gëzojnë këtë të drejtë të dy shtetësisë . Ndryshe, në zgjedhjet e sivjetme lokale që u mbajtën me 3 nëntor dhe në balotazhin e 1 dhjetorit, kanë marrë pjesë dy përfaqësues nga diaspora, Muharrem Sfarqa në Ferizaj dhe Agim Bahtiri në Mitrovicë. Që të dy kanë fituar dhe sot menaxhohen këto dy komuna nga këta dy kryetar. Zgjedhja e këtyre dy personaliteteve në krye të komunave është mesazh i mirë për të ardhmen e Kosovës nga se që në fillim, po shihet se ka një ndryshim në politikën menaxhuese që Kosova ka nevojë për dijen dhe kapitalin e bashkatdhetarëve të vet në mërgim. Ata sjellin këtu kulturën , artin shkencën po edhe teknologjinë e barometrave në Evropë dhe në Botë. Për shumë politikaj kosovar mund të jetë vetëm ëndërr , apo një imagjinatë shterpë nga se shumë nga ta kanë mbetur me qëndrime komuniste apo të një oportunizmi ideologjik, pa ndryshime, pa vizion me një politikë të stërvjetëruar që ma edhe populli po bie viktimë e tyre deri në shkallëzim ekstrem varfëri,skamje, demoralizim dhe vetëvrasje të pa numërua. Takimi ynë ishte shumë transparent . Modestia e tij u pa qysh në fillim, në zyren e tij pak minuta zumë vend . Dalja në qytet ishte një gjiro që dëshmoj, veprimtarinë e tij me ndryshime të mëdha në infrastrukturën e qytetit. Shëtitja në bulevardin e qytetit ishte edhe rrëfimi i tij në dhënien e një pamje tjetër qytetit , duke e shndërruar Ferizajn në një qytet lulesh dhe gjelbërimi. –Infrastrukturën e ka ndryshuar ,rrugët dhe parqet e qytetit u përngjajnë atyre evropiane!.
Zoti Muharem Sfarqa thekson ma tutje se ka ndërmend që ta bëjë një qytet me një bulevard ma modern në interesin e qytetarëve të tij. Përshtypja më mbresëlënëse ishte se gjatë shëtitjes në qendrën e qytetit , qytetarët e thjeshtë disa herë na ndalen duke e përshëndetur edhe dorë me dorë. Komunikimi i tij ishte shumë modest i thjesht , po me vlera duke dhënë dëshmi se zoti Muharremi, posedon një kulturë të lartë qytetare. Në ato momente e ndiente veten shumë të barabartë me qytetarin e thjesht , nxënësit apo edhe me mirëmbajtësin e parkut që aty për aty e këshilloj në mbarëvajtjen e rritjes së infrastruktures edhe ma të mirë qe ma, i kishte hedhur në skicë me projekte moderne dhe të kohës.
-Kureshtjen e pyetjes sonë se çka ka vepruar në administratë lidhur me rregullimin e dokumenteve të ndryshme për qytetarët?.
– Ai u shpreh se atë sëmundje të komunizmit për një dokument apo edhe certifikatë të lindjes me prit me javë e muaj që mbretëronte deri para disa muajsh në këtë qytet, e kam ndryshuar rrënjësisht. Tash ditët e humbura për një certifikate apo një dokument të qytetarëve e kamë shndërruar me një shërbim administrativ disa minutëshe!

Pastaj motivimi i një pyetje tjetër ishte që qyteti i Ferizajt qe disa kohë po ndihet rehat nga bixhosgjinjtë , kumorgjinjtë dhe hajnat e lojërave të fatit si mashtrues dhe manipulues me varfërinë e Kosovës ?
Zoti Sfarqa na u përgjigj se edhe këtu kam vepruar . Qyteti i “Ferizajit tash është qytet i vdekur për kazinotë dhe lojërat e fatit”. Këto lokale do të mbesin nën dry përgjithmonë sepse asnjëri prej tyre nuk i plotësojnë kushtet me ligj për veprimtari të tilla . Pronarët e këtyre lokaleve mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre duke respektuar ligjin për një distancë së paku 500 metra larg institucioneve lokale, shkollave, çerdheve apo qendrave të tjera komunale. Ky është një rezultat i zotit Sfarqa qe ka dhënë shenjat e një qytetërimi , që duhet t’a kenë edhe qytete tjera .Zoti Sfarqa i shantazhuar nga një politikë verbale e qeverisëse të Kosovës karshi interesave të huaja në Kosovë qe nxisin ekstremizmin fetar islamik në Kosovë , që përmes tij mori imazhi të keq në arenën ndërkombëtare me nxitjen e te rinjve që të vdesin në vendet e huaja siç është rasti i Sirisë qe morri jetën e dhjetëra e dhjetëra shqiptareve . Edhe këtu zoti Sfarqa nuk ka ndenjur si spektator , siç po vepron politika kosovare, po ka reaguar dhe i ka gjykuar. Ai u prononcuar publikisht kundër këtij fenomeni të vrazhdë , naiv po edhe antikombëtar duke ju bërë thirrje të rinjve që të distancohen nga një rruge e gabuar të ekstremizmit islamik në Kosovë me pretendime antishqiptare”! Duke ju sugjeruar shkollimin , punën shkencën kulturën dhe artin,ai u zotuar që do të ngehim imazhin e këtij populli po edhe shpresës . Zoti Sfarqa ka bërë edhe një progres në zhvillimin , emancipimin dhe kulturën e emancipimit e femrës shqiptare që falë kontributit të tij , sot femra shqiptare në këtë qytet gjendet aktive ma shume se në çdo qytet tjetër kosovar. Ai thekson se politika e tij është që t’i ndërpres korrupsionin që gjendjen e ka gjetur shumë alarmante qe me kalimin e kohës edhe vet qytetarët janë duke e kuptuar nevojën e një ndryshimi në këtë komunë po edhe në nivel të vendit. Zoti Muharrem ma tutje thekson se synimet e tij janë që të hapin edhe vende të reja pune. Lidhur me mediat, ai tha se as pak nuk është i kënaqur,pasi sot edhe politika ditore po ndikon ne mediat e ndryshme me çka bien ndesh me normat e një shteti demokratik. Me një kryeneçësi u prononcuar edhe kundër gangsterëve të ndryshëm te cilët sillen si pronar të së drejtës së qytetareve në struktura të ndryshme .Ata kanë krijuar një paqartësi në ligjet rregullat dhe vlerat e një shteti për të cilin kanë luftuar shqiptarët. Nga zoti Muharrem Sfarqa u ndamë me një përshtypje shumë mbresëlënëse të një politikani , një krijueses , një intelektuali , një njeriu me kulture qe po lenë gjurmë edhe jashtë qytetit të Ferizajt. Ai duhet të merret si model i një politikani për menaxhimin e qytetit si në ekonomi , kulture apo në teknologji. Zoti Sfarqa për zgjedhjet nacionale që janë në prag theksoj se ato shpresojmë se do të jenë demokratike , parlamentare dhe të rregullta duke aluduar se Partia e Lidhjes Demokratike do te jetë, ajo që do ta qeverisë vendin në të ardhmen.

Ne Foto: Muharrem Sfarqa dhe Asllan Dibrani gjatë intervistës në qytetin e Ferizajt.

Filed Under: Interviste Tagged With: asllan dibrani, Ferizaj, Muharrem Sfarqa

“MARATONA” E MUNGUAR SHQIPTARE?

May 20, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Këtij shkrimi (që ndoshta më shumë i shkon a i përshtatet pesimistit, sesa optimistit) do t’ia bashkangjesim një paragraf që llafos “vakinë a meselen” e Sizifit. Thonë se “… hyjnitë antike e kishin dënuar Sizifin të përsëriste veprimet e veta, gjegjësisht të ngjiste pa pushim një shkëmb në majë të një mali, nga ku guri rrokullisej vetvetiu. Ato kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë. Po t’i besojmë Homerit, Sizifi është njeriu më i ditur dhe më i kujdesshëm midis të vdekshmëve. Opnionet janë të ndryshme për shkaqet përse u dënua të bënte në ferr punë të padobishme. Para së gjithash e qortuan për mendjelehtësi në sjelljet me perënditë greke. Nuk i ruajti sekretet e tyre!” Do t’i shtojmë edhe një paragraf që pasqyron historinë e ushtarakut grek (antik) Filipidis, i cili vrapoi nga fusha e Maratonës deri në Athinë (ai marathonomaku i F.Nolit) për të sjellë a për të shpallur lajmin e fitores së ushtrisë greke ndaj persianëve! Ne do të bëjmë përpjekje që titulli të mos jetë i “gjymtuar”, brendia të mos duket e zbehtë, ndërkaq përfundimi të mos reflektojë mesazhe të paqarta, të mos duket një vështrim i stërngarkuar me atë vokacionin e patriotizmit të tejshprehur…, me qëllim që të mos na mbetet në ajër a të mos i mungojnë shtyllat e të menduarit ndryshe…, thjesht për ta çliruar nga çdo lloj paragjykimi. Nga ky vështrim nuk duam të nxjerrim falltari. Që kjo të mbetet ashtu siç e duam ne dhe që të jemi të sinqertë me lexuesin, do të bëjmë përpjekje që fillimisht të jemi të sinqertë dhe të qartë me vetveten dhe me të vërtetën, po njëkohësisht dhe fjalës së denigruar nuk do t’i vëmë emër human, emancipues a madje jomeritor.
Parashtrohet pyetja se a mos vallë në këtë shkrim ka hapësirë ose edhe logjikë për të bërë krahasime a paralelizma me “hyjnitë antike, me Sizifin, me Homerin, me vakinë e Filipidisit si dhe me “sizifat” politikë a edhe me shqiptarët e ditur e të kujdesshëm këtej kufirit administrativ!? (Po gjithesesi se ka vend). Mandej me ata shqiptarë që mëtojnë a bëjnë përpjekje që me “një frymë” ta (ri)marrin a ta (ri)zaptojnë pushtetin, edhe ashtu të sakatosur, qoftë ai pushtet i merituar apo i pamerituar. Ne nuk kemi të drejtë të themi se politikanët gjegjësisht ish-lidershipët shqiptarë (përfshi këtu Nevzat Halilin, Abdurahman Alitin, Ymer Ymerin, Arben Xhaferin e disa të tjerë) dikur bënë “punë Sizifi”, respektivisht bënë “punë të padobishme dhe të pashpresë, nuk kemi të drejtë t’i paragjykojmë dhe t’i qortojmë për megalomani a mendjelehtësi në sjelljet e tyre me trupin votues dhe me votën deliberative të gjithësecilit shqiptar, nuk kemi të drejtë t’i fajësojmë pse nuk lëvizën deri në “fund” shkëmbin a gurin për ta ngjitur majë mali(!?) …, nuk do t’i fajësojmë pse individualisht vrapuan “maratonën politike” shqiptare…, pse shpallën “fitoret vetanake e jo ato kolektive”!? Mbase ishin “kohëra të tjera”!
Dhe, sot e gjithë ditën e Perëndisë, lidershipët shqiptarë: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Rufi Osmani dhe të tjerë politikanë mendjendritur, assesi nuk kanë të drejtë që maratonën politike ta vazhdojnë së prapthi, nuk kanë të drejtë që “maratonën e Filipidisit” ta “vrapojnë” individualisht, nuk kanë të drejtë që atë ta bëjnë ndaras, nëse e bëjnë ndaras, atëherë do të lodhen shpejt dhe do të heqin dorë nga gara, pasi caku i kësaj maratone është goxha larg dhe, për këtë dhe njëmijë arsye të tjera, ata detyrohen ta “rimbledhim” mendjen, po mbase edhe kujtesën tonë kolektive, qoftë ajo pamore a dëgjimore, sa për të thënë se: historia e shovinizmit dhe nacionalizmit katundaresk të fqinjve tanë nuk mbyllet dhe aq më pak nuk shembet me një sharje, me thashetheme, me zhurmë shurdhuese që, lëre që nuk artikullohet tamam politikisht, por edhe nuk përcjellin ndonjë porosi të qartë dhe të caktuar. Lidershipët e moderuar dhe në detyrë duhet të kenë parasysh se “historia shoviniste, po edhe nacionaliste” e fqinjve tanë për “kryegjysh” ka njeriun apo politikanin i cili që sa herë do të ngazëllohet prej “çallëmit” dhe sa herë që do të ndodhet në momente a gjendje të rraskapitjes shpirtërore a dëshpërimit, aq herë do të bërtasë duke thënë: “… o ju qaramanë shqiptarë, mos më bezdisni se unë tani kam në dorë edhe gurin edhe arrën, apo kam në mbretërim pushtetin absolut, po qoftë të jetë ai edhe makijavelist!” Kësaj thënie të këtij politikani, historianët, rilindësit, vizionarët dhe patriotët e moderuar shqiptarë (jo ndaras) fillimisht do të duhet t’i thonë: “Ti, i nderuar, e ke gurin, por jo edhe arrën, e ke shumicën, por jo edhe pakicën, e ke gojën, por jo edhe gjuhën, e ke kambanën, por jo edhe kishën, e ke tokën, por jo edhe emrin, e ke oborrin, por jo edhe portën, e ke pyetjen, por jo edhe përgjigjen…, e ke fytyrën, por nuk e ke buzëqeshjen, qoftë ajo e djallëzuar, e ke historinë, por nuk e ke lexuesin, e ke përrallën, për kalamanjtë e fukarasë që për kryefjalë ka heronjtë e antikitetit, ke rrugën, por nuk i ke gjeneralët kalorësiakë!”
Sikur politikanët shqiptarë të kishin qëndrim a sjellje korrekte mes vete, kryeplakut të politikës maqedonase do të duhej t’i thoshin edhe këtë: “… i nderuar, mos vallë (nuk) e di pse i ke të tërë. I ke për arsye se ne shqiptarët kemi inatet tona homerike, mbase edhe histerike, inate që janë shndërruar në “bythë e brekë”, neve na mungon toleranca ndërshqiptare, na mungon varësia a veprimi i ndërsjellë mes nesh, na mungon fjala a mendimi ndryshe, na mungon vetëdemaskimi, na mungon parimi dhe vetëvendosja…, ne gënjejmë vetveten, ne përsërisim vetveten, ne jemi të dashuruar me vetveten, ne nuk i parashtrojmë kërkesa vetvetes dhe së fundi na mbetet të grindemi mes vete për inat dhe për mustaqet e Çelos”, siç thonë mirditasit.
Nëse ne shqiptarët këtej kufijve administrativë do të vendosim më në fund ta “vrapojmë maratonën tonë të vonuar politike, po edhe diplomatike” nuk duhet ta bëjmë atë me “një frymë”, nuk duhet që gjatë vrapimit ta kthejmë mendjen dhe shikimin herë nga e majta e herë nga e djathta, e herë-herë mënjanë.
Besojmë se ky vështrim i radhës nuk meriton t’i bëhet zhurmë, po as edhe prej tij të çohet pluhur që do të verbonte sytë e lexuesit dhe do të lodhte mendjen e tyre në (mos)marrjen e mesazhit që përcjell. Nëse “kështjella e kësaj historie shoviniste” nuk do të rrënohet, atëherë të mbetet të mbyllësh gojën dhe të heshtësh, ndryshe nuk bën. Nga ana tjetër, nëse nuk pajtohesh a nuk vetëdijësohesh me këtë, atëherë nuk ke të drejtë të paragjykosh e të thuash se “më mirë se kaq nuk bëhet, ose më keq se kaq nuk bëhet!?”

Filed Under: Opinion Tagged With: “MARATONA”, E MUNGUAR, Fadil Lushi, shqiptare

MORALI I POLITIKANËVE QË NDËRROJNË PARTITË SIPAS INTERESIT PERSONAL

May 20, 2014 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Tani kur është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 8 qershor, partitë politike në Kosovë, në prag të kësaj fushate, zhvilluan një luftë të pakompromis për të sjellë sa më shumë anëtarë të rinj e të vjetër brenda tyre, në mënyrë që t’ i forcojnë pozitat për të dalë fitues në këto zgjedhje. Këtu s’ ka asgjë të keqe, sepse, sipas ligjeve të natyrës, çdo gjë ka nevojë për përtëritje, prandaj edhe partitë e shumta në Kosovë, më të shumta sesa në vendet shumëmilionshe, janë nisur furishëm drejt piramidës së pushtetit, duke u përpjekur që t’ i bindin votuesit, shpeshherë të padisponuar e të dëshpruar, se janë duke punuar për interesin e qytetarëve dhe për një shtet stabil, me një ekonomi të qëndrueshme e demokraci evropiane. Atë që kemi parë deri sot tek partië politike që kanë qenë në pushtet dhe tek ato të cilat presin ta marrin këtë, bien në sy premtimet e shumta, jo reale, shpeshherë të pabesueshme. Shumëkush e di se pjesa më e madhe e këtyre premtimeve nuk mund të gjejnë realizimin praktik. Këtë e dinë edhe vetë “kreatorët” partiakë. Hapin më të rëndësishëm që do të duhej ta bënin partitë politike në këtë kohë është krijimi i vetëdijes për shtetin. Pa këtë vetëdije dhe pa një synim të tillë nuk mund të ketë stabilitet, nuk mund të ndalën aferat korruptive, oligarkike, klanore, rajonale dhe fisnore. Nuk është problemi te Kushtetuta, apo te ligjet, por tek kuptimi i vetëdijes për zbatimin e tyre që, për fat të keq, ende s’ po mund të gjendet një rrugë e drejtë. Se partitë politike shikojnë interesat e tyre të ngushta, tregon fakti se ligji për reformën zgjedhore që u gjend disa herë në tryezë, përfundoi pa marrëveshje ngaqë një gjë që i pëlqen njërës , s’ i pëlqen tjetrës .
Ajo që më nxiti të bëj këtë shkrim është morali dhe karakteri i luhuatshëm i disa politikanëve tanë që nuk marrin parasysh parimet, programet e partive në të cilat vetë kanë aderuar në to, strategjinë e zhvillimit ekonomik, përparimin e demokracisë dhe nuk i shikojnë ato a janë të djathta, të majta apo parti të ndonjë profilili tjetër. Me rëndësi për ta është përfitimi personal. Këto ditë po ndjek situatën parazgjedhore në Kosovë dhe për mua, ta them të vërtetën, është diçka e pa shpjegueshme, ndoshta se jam mësuar me një ambient tjetër politik. Pashë disa politikanë të partive të ndryshme në Kosovë, të cilët bënin transferin në mënyrë tejet spektakulare nga një parti në tjetrën, ose më mirë të themi, u krijua një treg publik, ku ata mund të kalonin tek ato parti që u ofronin më shumë kushte: ndonjë pozitë, vend ministror, vend deputeti, apo ndonjë post tjetër. Këta politikanë, që nga përfundimi i luftës e këndej, kanë ndërruar partitë sipas interesave të tyre personal, e jo sipas asaj se çka do të mund të kontribuonin për qytetarët tanë, të cilët presin një jetë më të mirë, një vend pune ku do t’ i siguronin ekzistencën e familjes, një luftë të pakompromis kundër veprimeve jashtëligjore, një të ardhme të sigurisë sociale dhe perspektivë evropiane. Jemi dëshmitarë se disa nga këta politikanë të papërgjegjshëm, me një integritet të luhatshëm, të mos them dyfytyrësi, kanë kaluar nga një parti në tjetrën, madje disa prej tyre i kanë provuar të gjitha partitë dhe pas shumë bredhjeve, disa nga ta janë kthyer tek partia e parë, aty ku shumë kohë më parë filluan karierën, për të vazhduar të njëjtin ciklus. Politikanët e tillë të paintegritet nuk u duhen partive politike, parlamentit të Kosovës, e aq më pak shoqërisë sonë ngaqë u mungon vullneti dhe vetëdija për të kontribuar në ngritjen e shtetit. Liderët e partive duke bërë prezentimin e tyre para mediave të shumta në Kosovë, s’ harrojnë t’ u thurrin biografi të sukseseve, edhe pse atyre u kanë munguar ato, atje ku kanë qenë, përkatësisht në partinë ku ata kanë vepruar. Shpesherë nuk mjafton vetëm emri: duhet punë dhe integritet moral, stabilitet politik e njerëzor. Një numër i këtyre politikanëve transferues (shetitës) s’ ka lënë gjë të keqe pa thënë për programin, liderin dhe partinë e tjetrit, por shpejt i ka gëlltitur të gjitha këto dhe i është kthyer pikërisht aty. Këto raste i pamë tash. Kanë ndodhur edhe më parë. Çka t’ i thuhet kësaj? Si t’ u besohet këtyre njerëzve me dyfytyrësi publike?!
Politika dhe pushteti po keqpërdoret nga këta njerëz dhe nga shumë të tjerë që udhëheqin. Në politikë hyhet për të bërë diferencën, për t’ i krijuar popullit mirëqenje, lumturi dhe dinjitet, duke lënë pas shpine interesat personale, lakminë materiale, gruporet klanore etj. Kjo ende nuk po ndodh! Në partitë tona kemi shumë improvizime dhe këto rrezikojnë gjënë më thelbësore, kreativitetin, si kusht kryesor i stabilitetit dhe i qeverisjes së suksesshme. Mendoj se pa një demokraci të mirëfilltë brenda vetë partive politike, nuk mund të ketë demokraci në nivele të tjera shtetërore, sepse këtu fillon beteja.
Në këtë fushatë parazgjedhore, një gjë pozitive më ra në sy. Fjala është për aderime të njerëzve të rinj në të gjitha partitë politike, dikund më shumë e dikund më pak, nga të të cilët mund të pritet një ndryshim pozitiv në formimin e legjistraturës së ardhshme, pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Këtu bëjnë pjesë edhe emra të njohur të shoqërive civile, ku mund të inkuadrohen me sukses në politikë, në parlament, në qeveri dhe në profile të tjera shtetërore. Këta të rinj duhet të jenë prijës të zhvillimeve pozitive. Krijimi i listave për parlamentarë nga partitë politike, edhe kësaj radhe tregoi se brenda për brenda partive, veprojnë klane dhe grupe.
Në këto zgjedhje populli duhet të mendojë më shumë për të ardhshmen e tij, ku vota e shumicës të bëjë diferencën se kur Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e proceseve të tjera zhvillimore. Në të kundërtën, një pjesëmarrje e ulët në zgjedhje, nuk paraqet vullnetin e shumicës. Për këtë arsye qytetarët duhet t’ u përgjigjen masovisht kutive të votimit. Jo pastaj të kërkojnë një gjë, për të cilën nuk kanë votuar.
Secili votues, duhet të niset nga një parim që vota e tij të mos shkojë huq. Ajo çka është tejet imperative vota e tij duhet të shkojë aty ku ai e ka përcaktuar, të mos manipulohet dhe të mos tjetërsohet. Vetëm vota e pa prekur ka kuptim në demokraci. Në të kundërtën do të ketë manipulim, jo stabilitet, degradim të demokracisë dhe të ardhme të pasigurt për qytetarët e Kosovës.
Kosovës i duhet një qeveri stabile, e pa korruptuar me vizion të qartë për zhvillimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në proceset evropiane, i duhet një parlament më dinamik, më motivues, e jo një parlament, ku disa deputetë për katër vjet në legjistraturën e kaluar nuk qenë në gjendje të thonë një fjalë të vetëm. Kjo votë është e humbur. Votat e tilla s’ duhet të përsëritën për këta deputetë.
**Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, MORALI I POLITIKANËVE, PARTITË, PERSONAL, QË NDËRROJNË, SIPAS INTERESIT

Bisedë me dhe për teleshikuesit e mi në ditëlindjen e ALBTVUSA

May 20, 2014 by dgreca

Nga Rafael Floqi/Kryeredaktor i TV te shqiptarëve të Amerikës/
Gëzuar miq ditëlindjen tonë të përbashkët!/
TV Shqiptarëve të Amerikës, me 20 maj 2014 mbushi 14 vjet në transmetim, duke hyrë kështu në vitin e 15-të. Këto janë vite përpjekjesh, suksesesh, vështirësish, netësh pa gjumë, por edhe mirënjohjeje e vlerësimi për punën që ALBTVUSA ka bërë në shërbim të komunitetit të shqiptarëve në Amerikë në Miçigan e më gjerë.
TV i Shqiptarëve të Amerikës u hap në një kohë kur ekzistonte një hapësirë mediatike për të mbuluar në komunitetin e emigranteve dhe ndihej nevoja për media që të pasqyronin më gjerësisht dhe më nga afër jetën e komunitetit shqiptar. Ne synuam që të bëheshim të tillë guxuam, dhe më duket se ia kemi arritur asaj. Falë këmbënguljes, përkushtimit, talentit, guximit , si të drejtorit Gani Vila, por ashtu edhe te gjithë stafit të gazetarëve, redaktorëve, kameramanëve e teknikëve si: Gjovalin Kacorri, Valentina Vila, Astrit Kallabaqi, Ilir Myftari, Manol Xhafa , etj. dhe të korrespondentëve të shumtë në SHBA, Shqipëri dhe në trojet shqiptare.
I lançuar si TV i Shqiptarëve të Miçiganit, në fillim ai e gjeti rrugën e vet në vite me vështirësi që vinin nga mungesa e një përvoje në fushën e medias dhe te teknologjisë televizive, dhe tok me kapërcimin e vështirësive, u zgjerua dhe përvoja dhe puna në këtë, TV, ku unë punoj prej 10 vjetësh. Pjesë e strategjisë së suksesshme të rritjes sonë është dhe mbajtja e lidhjeve të drejtpërdrejta me publikun, ku telefoni i ynë është I hapur për këdo, për vërejtje dhe sugjerime, dhe ju sigurojmë se ato konstruktivet gjithmonë i kemi marrë parasysh.
Nuk është vetëm krenari por edhe realitet që TV shqiptareve te Amerikës është Televizioni i parë dhe i vetmi me këtë kohë dhe shtrirje transmetimi, jo vetëm ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës por në gjithë boten shqiptare në emigracion. Ne kemi dy orë transmetim në ditë ne Prime time në rrjetin e mirënjohur kabllor, Comcast në të gjithë shtetin e Miçiganit, dhe 24 ore live në mbarë boten me platformat TV over IP në paketat ShqipTV, dhe TV ALB te cilat transmetohen 24 ore rresht edhe si video stream edhe ne websajtin tonë www.ALBTVUSA.com. Gjithashtu ne kemi një kanal mjaft të ndjekur me disa qindra video në Youtube.
Vitet qe kaluam përbënin një hop të zhvillimeve të mëdha teknike televizive dhe ne kemi ecur gjithnjë me teknikën pararojë duke kemi kaluar nga kaseta tek prodhimet ne High Definition, nga montazhi me video tek mixerët moderne, nga filmimet nw natyrw, tek një studio moderne mjaft produktive me pre dhe post produktion dhe live broadcasting.
TV i ynë është në shërbim të të gjithë shqiptarëve, pa dallime politike fetare e krahinore ne gjuhën tone të ëmbël shqipe, prandaj edhe ne e ndjemë të nevojshme që t’ia ndërronim emrin në TV e Shqiptarëve të Amerikës, pasi jemi gjithëpërfshirës, apolitik dhe mbarëkombëtar. Në ndryshim nga mediat në Shqipëri që i shërbejnë partive politike dhe interesave te bizneseve te caktuara, partia e TV të Shqiptarëve të Amerikës është Atdheu, i plotë, natyror, etnik, quheni si te doni, ndaj jo më kot i kemi hequr nga sigla jonë fundore edhe kufijtë që na i imponuan të tjerët. Shqiptaret vetëm në hartë kanë kufij dhe aq më tepër, diaspora që është gjitha e shkrirë në një. Ne ruajmë raporte të ngushta me përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me institucionet e shtetit shqiptar dhe të Kosovës.
TV i ynë edhe pse tani për tani vetëm 2 ore në rrjetin e shtrenjtë kabllor, Comcast në orar të përzgjedhur dhe më të shtrenjtë (Prime Time 8-10), ka një strukture të plotë programore. Në programin tone gjejnë vend sa interesat e të moshuarve aq dhe të rinjve, sa të gjyshërve aq dhe fëmijëve, sa të studentëve aq edhe të grave, me traget dhe me programe te posaçme për ta me gjithë limitimin e shtrirjes kohore.
Ne jemi te kudondodhur me ju për ju, duke paraqitur çdo veprimtari te komunitetit aq sa jemi bere pjese e pandare e tij sepse komuniteti ynë është sa aktori aq dhe spektatori i programeve tona. Ne ruajmë marrëdhënie shumë të mira dhe te drejtpërdrejta me publikun, ç’ ka e bën këtë një TV të veçantë ne llojin e vet.
Ruajtja e lidhjeve me komunitetin lidhet dhe me marrëdhëniet e sinqerta me institucionet Ne i kemi shërbyer të gjithave komuniteteve fetare falas e pa dallim qe kur jemi krijuar duke filluar nga kisha Ortodokse e Shën Thomait, Xhamia e Qendrës Islamike, Teqeja bektashiane të Baba Rexhepit, Kisha katolike të Zojës Pajtore dhe ajo e Shën Palit. Për këtë dhe për shumë veprimtari ndiejmë se jemi të besueshëm dhe njerëzit na duan, duke na besuar madje, deri bamirësinë e tyre. Rastet e shumta kur jemi bërë zëdhënës dhe dorëzanë të ndihmës ndaj njerëzve në nevojë kemi arritur të mbledhim edhe 50 mijë dollarë për të shpëtuar jetën e një djaloshi të sëmurë me dializë në Shqipëri. Fryma e bamirësisë buron nga vetë identifikimi me modelin e nënës së madhe, Nënës Terezë, një pikturë origjinale të së cilës e kemi në studio.
Ne teorinë e gazetarisë thuhet, se nuk përbën lajm kur një qen kafshon një njeri, por anasjelltas. Për TV tonë sensacioni nuk është kryesorja , por pozitivja e mira arritjet e vetë komunitetit. Mund të duket më pak tërheqëse por i shërben më mirë komunitetit dhe rolit dhe rëndësisë së mediave të komunitetit .
Mund ta shpjegojmë më në hollësi këtë dukuri. Kur kompania Comcast bleu AT & T Broadband në vitin 2002 , ajo mori kontrollin edhe mbi një e tretës të rrjetit kabllor ( më shumë se 21 milion shtëpi ) . Gati dy herë madhësinë e rivales së saj Time Warner Cable. Comcast Corporation është rritur tani nga një sistem të vetëm kabllor në një nga kompanitë më të mëdha në botë të komunikimit dhe sot është e fokusuar në shërbimet kabllore broadband , marketing dhe natyrisht, në përmbajtje . Por çfarë është modeli i ” qasjes publike ” të TV ? Ideja filloi në vitet 70-të , si një lëvizje kombëtare, si kompensim i pjesshëm për komunitetin për përdorimin e mediave në mënyrë të drejtë – e – publike . Ky kompensim është projektuar për të siguruar qasje në media për të gjithë popullsinë , jo vetëm ato të cilat shfrytëzojnë mediat në pronësi të kompanive kabllore .
Në një numër të mërsit të Huffington Post , Tracy Rosenberg shkruante dhe e shpjegonte kështu rëndësinë e mediave komunitetit : ” Qeshë një natë duke ndërruar kanalet me një mikeshë vonë një natë . Kur papritur ajo bërtiti ” kjo është flokëndreqësja ime ” . Doli flokndreqësja e saj ishte një aktiviste kundër pesticideve dhe në kohën e saj të lirë dhe organizonte një program mbi rreziqet e produkteve të zakonshme shtëpiake . Ne nuk ishim në kërkim të informacioneve mbi helmet në kozmetikë . Ne filluam ta shikonim, sepse ne e njihnim këtë person . Dhe ne qëndruam duke shikuar , sepse mësuam diçka : rreth subjektit dhe për dikë që banonte në lagjen tonë . Kjo është rëndësia e mediave komunitetit : afërsia që sjell çështjet dhe njerëzit së bashku që ndoshta kurrë zakonisht mund të përplasen në njëri-tjetrin edhe pse ata jetojnë krah për krah . Sa herë që kjo ndodh, është një mrekulli e vogël. “
Sa e vërtetë është kjo për një komunitet aq më i rëndësishëm është për një bashkësi nacionale. Një koleg i im amerikan, në kompaninë e kompjuterëve. HP ku punoj, (TV është punë part time, si çdo emigrant që kam fat që e kam që më i shërben sa mua si me profesion gazetar të plotësoj nevojën time për të qenë në media), duke bërë zipping më kishte parë mua në kanalin 90-të në Comcast kishte bërtitur” ky është ai burri që punon me mua” dhe e kishte ndjekur gjithë emisionin edhe pse nuk dinte asnjë fjalë shqip, dhe të nesërmen gati sa më kërkoi autograf, ndërsa mua me vinte për të qeshur.
Por a është ekzistenca e një televizion kombëtar në diasporë e rrezikuar nga integrimi, tani gjallon pasi diaspora shqiptare është e re. Rreziku ekziston, një berber im italian i moshuar më thoshte, jo pa dhimbje, kur mësoi që punoja për një TV lokal shqiptar, “dhe ne kishim një emision të tillë dikur, por tani pleqtë po ikin, dhe të rinjtë nuk çajnë kokën për të.” Mos qoftë e thënë… Rruga që një diasporë të mos humbasë në kushtet e integrimit është të jetë aktive në ruajtjen e identitetit duke e konsideruar edhe integrimin dhe konservimin vlerë. Kjo është strategjia fituese edhe për punën, me një televizion të tillë si ky i yni, që me intuitën e tij ka ditur ta kultivojë dhe zhvillojë drejtori i TV tonë Gani Vila.
Sot falë teknologjive të reja ju mund të shihni në shtëpitë tuaja kanalet shqiptare, ato sjellin tek ju vendlindjen, por atë që s’mund ta gjeni në ato TV edhe shumë me te pasura e të mëdha është fytyra e vërtetë e diasporës, Ne krahas ngjarjeve në Shqipëri, Kosovë Maqedoni e në Malësi e me gjerë, por ne ju sjellim atë që se gjeni askund, portretin, jetën dhe vitalitetin e komunitetit.
Sidomos në edicionet e lajmeve me të cilat merrem veçanërisht , përcaktimi i cakut të interesave dhe i mbulimit është i ndryshëm nga çdo edicion informativ kombëtar, pasi zbatohet parimi i rretheve koncentrikë në mbulim nga sa më afër deri sa më larg. Pra komuniteti vjen i pari pastaj lajmet e rëndësishme nga trojet tona , duke mos harruar Malësinë, pasi përqendrimi i shqiptarëve nga Mali i Zi është i konsiderueshëm në Michigan.
Dëshmi e rritjes sonë është jo vetëm cilësia, sasia por edhe larmia e prodhimeve tona, nga intervistat, tek talk show, nga edicionet e lajmeve,(R.Floqi, V.Vila” tek “Argument”(R.Floqi) nga “Thank You” e “Dhimbje lot e shpresë” (G.Vila) nga “Debat” ,tek ”Univers” Gj.Kacorri, nga Kombi Ynë tek “Këndi i emigrantit (R.Floqi), nga Rubrika Speciale (R.Floqi, Gj Kacorri) deri tek Emisionet sportive (A. Kallabaqi)e gjer tek Hitparada, duke krijuar kështu fizionominë tonë të veçantë, për aq sa ta lejon mundësia ekonomike edhe vetë jeta në emigracion. E gjithë kjo punë me një staf të vogël, pasi kaq janë mundësitë. Gjatë një dite pune mua më takon të bëj intervista, të shkruaj një skenar dhe të rregulloj kompjuterët e të përgatis reklamat , Ganiut, dhe pse drejtor, të menaxhojë, të intervistojë, të shkruajë dhe madje te editojë vetë videot, Valentina te editojë dhe të lexojë lajmet, Gjovalini të japë mendime dhe te drejtoje emisione, Iliri te merret sa me editimin, grafikë, sigla, reklama aq me kamera, Manoli të editojë dhe të xhirojë etj, etj ….
“Jo me larg se të dielën në 60 -vjetorin e Teqesë te Baba Rexhepit një bashkatdhetar nga Saranda T. Bazaj më fliste me përkushtim, duke e quajtur jo pa të drejtë punën e televizionit tonë një kontribut patriotik, pasi e kish ndjekur TV tonë në Youtube. Ai e kuptonte ,se çfarë rëndësie kishte informacioni për ruajtjen e fizionomisë së komunitetit, kur bënte krahasime edhe me jetën e emigracionit shqiptar në Greqi.
Kjo frymë përkushtimi na ka bërë të ecim dhe avancojmë në të gjithë punën tonë duke krijuar dokumentarë origjinalë për personalitete të diasporës e deri tek ciklet e plota dokumentare si “ Malësia pëllëmbë e thesar “,që përbën trajtimin me te gjere dhe te plotë të bërë ndonjëherë për atë trevë. Atë që e bëmë me krahinën e Malësisë do të synojmë të bëjmë me zona te tjera shqiptare, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë.
Por ne për arsyet që përmendëm më sipër më shumë do të ngulmojmë në paraqitjen e jetës së vetë komunitetit. Deri tani kemi arritur që të mbulojmë të gjithë aktivitete e komunitetit brenda Miçiganit dhe me kryesoret ne New York. Do të synojmë edhe duke u bazuar në teknologjitë e reja të komunikimit në masë që të mbulojmë edhe eventet dhe aktivitetet e shqiptarëve në shtete te tjera, kjo nëpërmjet shfrytëzimit të rrjeteve sociale dhe te korrespondentëve vullnetare. Duke përdorur Facebook-un, You tube edhe Skype. Në mirëpresim çdo person që na ofrohet në këtë drejtim.
Duke i shërbyer te gjithë shqiptarëve, ne i shërbejmë komunitetit edhe në një drejtim tjetër. Me reklamat e biznesit shqiptar ALBTVUSA.com ne i japim frymëmarrje atij dhe i zgjerojmë klientelën, ndaj edhe bizneset edhe sot vazhdojnë e reklamojnë, pasi kjo është rruga më e sigurt për te pasur një biznes më të mirë në komunitet. Ne biznes ka rendësi të jesh gjithnjë i pranishëm, televizioni ynë ua ka krijuar 0 këtë mundësi të gjithëve pa dallim. Për rëndësinë e reklamës flet kjo thënie e njohur e Henry Fordit , “si pula dhe rosa bëjnë vezë mjaft të shijshme, por me që pula bën zhurmë e kakaris, vezët e saj parapëlqehen”.
Për të kuptuar se zhvillimi i TV shqiptar te Amerikës me qendër ne Miçigan është dëshmi sa e pasionit dhe punës mjafton ta krahasoni atë me TV simotra te diasporës. Ne iu urojmë sukses të gjithëve dhe i ftojmë nëse kanë dëshirë të krijojmë një network të të gjitha TV shqiptare të diasporës, që do të mbulonte më mirë ngjarjet në të gjithë Amerikën. Ne megjithatë më shumë na bën krenarë si dëshmi me te mire për punën e bere sa kur vetë ju telespektatorë na falënderoni dhe thoni “ Na kënaqët”.
Vitin e kaluar ne patëm edhe një vështirësi qe na erdhi nga moti, pasi një tubacion i ujit që plasi nga të ftohtët dëmtoi studion dhe pajisjet dhe na krijoi vështirësi teknike. Por çdo e keqe ka dhe një të mirë Ajo na hapi edhe mundësi për t’u rinovuar me vështirësi ekonomike por gjithnjë me suportin e bizneseve shqiptare, të cilat gjejnë tek TV ynë, një mundësi për të qenë afër klientëve të tyre që në radhë të parë jeni ju telespektatorët tonë. Kështu falë edhe ndihmës bujare të komunitetit që asnjëherë nuk ka munguar ne patëm mundësi t’i rikuperojmë humbjet e ta rindërtojmë studion dhe të investojmë në drejtim te avancimit teknik. Së shpejti do të transmetojmë drejtpërdrejt në Comcast qe do te beje te kemi emisione të drejtpërdrejta.
TV shqiptar i Amerikës hyn në vitin e 15 -të dhe ne së bashku me ju me gjithë arritjet dhe mangësitë shohim gjithnjë para, pasi vete jete ecën para, vetë komuniteti ecën para dhe ne e ndiejmë se duhet ta paraprijmë atë. TV shqiptar i Amerikës ka vizion dhe platforme te qarte kombëtare dhe ne ruajmë dhe sjellim dashuri mirënjohje, bashkëpunim, mirëkuptim e bashkim vlerash dhe energji dhe pune në dobi të çështjes kombëtare, duke zbatuar porosinë e presidentit J.F Kenedi,”Mos pyetni çka ka bërë atdheu për ju, por ju për Atdheun:
Gëzuar 14 vjetorin miq, gëzuar së bashku, pasi ne e dimë se jeni ju pa jemi dhe ne.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bisede, e ALBTVUSA, me dhe për teleshikuesit e mi në ditëlindjen, Rafael Floqi

Koncerti i madh Pranveror në Kanada: sukses i jashtëzakonëshëm – publik madhështor!

May 19, 2014 by dgreca

Intervistë e gazetarit Beqir Sina me krijuesin dhe organizatorin e Koncertit, z Tonin Ndoja/
TORONTO – KANADA : Koncerti i madh Pranveror në Kanada, ka mbërritur javën e kaluar në edicionin e 5 të, të tij. Dhe, për të pestin, vit me rradhë, ky koncert i suksesshëm mban “vulën” e krijuesit dhe organizatorit të saj, Z. Tonin Ndoja, një emigruar nga Mirdita, dhe që tani jeton së bashku me familjen e tij në Oakville, Ontario – Kanada.
Gjithçka rrëfen ai është bërë e mundur në sajë të pasionit dhe dëshirës së “zjarrtë” për artin, teksa ai vetë e merr për sipër për të organizuar jetën kulturore artistike të shqiptarëve në Kanada, së bashku me kolegët e tij dhe artistët e këtij komuniteti në Amerikën e Veriut.
Deri tani z. Ndoja, ka realizuar 5 Koncerte të mëdha Pranverore në Kanada, spektaklet me një pjesmarrje të një publiku shqiptarë jashtëzakonisht të madhë, e cila, ka ardhur duke u rritur në çdo vit dhe çdo koncert.
Këto ditë ai po merret me suksesin e Koncertit të Madh të Pranverës 2014, dhe është duke “pjestuar” gëzimin e suksesit, të Konceritit të V-të Pranveror, së bashku me artistët pjesëmarrës, stafin e tij organizator dhe publikun e mrekullueshëm shqiptarë në Amerikën e Veriut.
Mbasi si thotë edhe vetë ai “I gjithë ky realizim madhështor vjen edhe si rezultat i një bashkëpunimi të përkryer me bashkëpuntorët dhe partnerët tanë, publikun e mrekullueshëm shqiptar artëdashës”.
Dhe, shton se “bashkëpunimi i përkryer me dy konferencierët: Edlira Cini dhe Taulant Dedja, bashkëpunimi me sponsorët dhe së fundi një grup artistësh me një harmoni të paparë, që do të mbetet në memorien e të gjithëve për shumë kohë”, tha z. Ndoja.
Gjatë një interviste të posaçme për gazetën tonë, duke folur me gazetarin tonë në SHBA, Beqir SINA, zoti Ndoja, u shpreh se :” Dashuria për artin, përvoja tashmë disavjeçare dhe këmbëngulja janë disa elementë të gërshetuar me njëri-tjetrin dhe bashkëpunimi me elementët, që e duan artin është ajo që të çon drejt suksesit”.
Zoti Ndoja, ditët e fundit, shqiptarët e Kanadasë patën mundësinë të “riktheheshin” në atdhe, përmes muzikës tradicionale shqiptare dhe asaj të lehtë. Ashtu si vitet paraardhëse, Koncerti i Madh i Pranverës bëri bashkë të gjithë shqiptarët me banim në Kanada. Ku u mbajt ai?
Koncerti i Madh i Pranverës u mbajt në Oakville On, më datë 10 maj 2014.
Kush është organizatori i këtij eventi?
Koncerti i Madh i Pranverës, një event tashmë i kthyer në traditë, organizohet nga Albanian Canadian Events dhe ishte i pesti radhas.
Me sa interes u prit dhe si ishte pjesëmarrja?
Pjesëmarrja ishte madhështore, si asnjëherë tjetër. Salla mblodhi shqiptarë nga të gjitha rrethinat: Toronto, London, Kitchener, Woodbridge, Mississauga, Oakville. Nuk e shoh të nevojshme të jap shifra, por interesi i shqiptarëve për këtë koncert duhet thënë se ishte shumë i madh.
Një aktivitet i tillë kërkon muaj të tërë përgatitjesh dhe një staf të koordinuar mirë. Si u përzgjodhën artistët pjesëmarrës dhe cili ishte repertori i tyre?
Ishte një aktivitet i miroganizuar, pasi ne si organizatorë ishim përgatitur për muaj të tërë. Përzgjedhja e artistëve u bë duke pasur parasysh kërkesat e publikut shqiptar artdashës. Repertori ishte i përzgjedhur nga të gjitha trevat, gjë që përcolli mesazhin e unitetit mes shqiptarëve në Kanada. Ajo që duhet theksuar ishte fakti që publiku nuk reshti së duartrokituri për tri orë dhe ovacionet pasuan të gjitha këngët e bukura shqiptare.
Çfarë e bëri më të plotë dhe të arrirë këtë koncert?
Si gjithmonë, muzika live me një orkestër profesioniste.
Kush ishin të ftuarit e këtij viti dhe nga cilat vise shqipfolëse vinin?
Nga Shqipëria kishim të ftuar këngëtarët Kastriot Tusha, Ylli Baka, Irma Libohova dhe Vida Kunora. Nga Struga ishte mysafir Pajazit Myrtishi.
A pati pjesëmarrje të artistëve të komunitetit shqiptaro-kanadez të Torontos dhe Amerikës?
Sigurisht, ishte e pranishme këngëtarja Merita Halili, e cila shoqërohej nga orkestrantët Raif Hyseni, Mirgjen Darova dhe Savim Umer, të cilët iu bashkuan orkestrës bashkë me Tom Lleshajn, Përparim Mefajn dhe Erind Emirin. Nga komuniteti kishim të ftuar grupin “Tingujt” dhe sopranon e mirënjohur Mirela Tafaj.
Organizator i këtij koncerti është Albanian Canadian Events, të cilin e drejtoni ju. Si president, si ju lindi ideja e organizimit të një koncerti kaq të madh në Amerikën e Veriut? Cilat ishin vështirësitë e një sipërmarrjeje të tillë?
Siç edhe e shpreha më lart, kjo është një 5-vjeçare kompanisë që unë drejtoj. Fillimisht ideja lindi duke njohur mirë komunitetin, të cilit i kishte munguar një organizim i tillë që shpalos artin dhe kulturën tonë. Ne jemi dashamirës të artit dhe po mundohemi të kontribojmë maksimalisht për arritur standardet që kërkojmë. Vështirësitë sigurisht që ekzistojnë, ambiciet dhe xhelozitë ndonjëherë i kalojnë limitet dhe në vend që të kontribuojne, që është në të mirën e secilit, shkojnë nga njëherë në kahun e kundërt. Ky fenomen është i pavend, por me këmbëngulje dhe përkushtim në misionin që kemi marrë përsipër, ne shpresojmë t’i kemi kapërcyer dhe këto barriera antishoqërore apo antishqiptare.
Ku e mbështetni suksesin e këtyre koncerteve muzikore në Amerikën e Veriut? Cila është pika juaj e fortë?
Dashuria për artin, përvoja tashmë disavjeçare dhe këmbëngulja janë disa elementë të gërshetuar me njëri-tjetrin dhe bashkëpunimi me elementë që e duan artin. Kjo të çon drejt suksesit.
A pati të ftuar specialë në Koncertin Pranveror? A ishin të pranishëm përfaqësuesit e shtetit shqiptar, përfaqësuesit e Bashkisë së qytetit të Oakvillit, liderë të komunitetit shqiptar-kanadez dhe medias, personalitete të njohura shqiptaro-amerikane?
Ky është një ndër elementët që ne i kemi trajtuar me kujdes. U kemi dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesve që ju përmendët, sigurisht jo të gjithë iu përgjigjën ftesës për arsyet e tyre, por pjesëmarrja ishte e kanqshme. Në event ishin të ftuar përfaqësues të Shoqatës Shqiptaro- Kanadeze, televizioni shqiptar në Toronto, Ambasada Shqiptare në Ottaëa, Konsulli i Nderit ne Toronto, Konsulli i Nderit në Michigan e të tjerë.
Në mbrëmje morën pjesë Konsulli i Nderit, Genc Tirana, i cili përshëndeti në emër të qeverisë së Shqipërisë edhe ambasadës shqiptare. Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, Shani Pnishi, njëkohësisht kryeredaktor i gazetës “Flas Shqip”, Professor Saimir Lolja etj.
Ky aktivitet u nderua me një certifikatë mirënjohjeje, e cila na u dorëzua në emër të Kryeministrit të Ontarios.
Sipas jush, cila ishte risia e këtij viti? Çfarë e dalloi këtë kconcert nga ata të mëparshmit?
Niveli gjithnjë e në rritje, por dhe salla e koncerteve tashmë na ofron një garanci më të madhe. Dhe kur suksesi është i madh, edhe motivimi është i tillë. Ne që sot kemi filluar punën për koncertin e madh të pranverës 2015, që do mbahet më 9 maj në të njëjtën sallë.
Duke parë suksesin që ju ka shoqëruar vit pas viti, çfarë synoni të sillni të re në të ardhmen? Cilat janë planet tuaja të afërta?
Një koncert i madh udhëtues, në formë turneu nëpër Amerikë e Kanada, qendrat ku shqiptarët punojnë e jetojnë. Kjo do ishte fantastike dhe unë jam i hapur për bashkëpunim. Duhen gjetur dashamirës të artit të gërshetuar me biznesin dhe muaji maj mund të kthehet në pranverën mbarëshqiptare në Amerikën e Veriut. Koncerti i madh udhëtues do të përshkojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Zoti Ndoja, megjithëse ky nuk ishte një festival, pyetja ime është: Cilat ishin këngët dhe këngëtarët me të duartroktiur, më të pëlqyerat në të gjitha pikëpamjet?
Publiku ynë besnik, i cili na ndjek prej 5 vjetësh në koncerte të tilla e admiron muzikën. Unë dua të veçoj këngëtarin Kastriot Tusha. Ai vjen për të tretën herë në bashkëpunim me Albanian Canadian Events dhe publiku që e ndjek është i pandryshuar. Janë fansae e tij besnikë që e admirojnë sa herë që ai vjen. Aktori Pajazit Myrtyshi u prit shumë mirë dhe publiku u ngrit disa herë me duartrokitje të fuqishme. Këngëtari më i ri i koncertit ishte Luigj Ndoja, i cili në tri koncertet e fundit ka sjellë tri këngë të reja. Kënga e fundit ishte me tekst dhe muzikë të kantautorit Pirro Çako. Kënga titullohet “Ti je nëna për mua” dhe i është dedikuar vendlindjes.
Dhe në fund diçka për stafin, ata që dolën në skenë dhe ata që punuan pas perdes. Si ishte bashkëpunimi mes jush? Kush janë ata që e bënë Koncertin Pranveror 2014 në Kanada një event madhështor?
Bashkëpunimi i përkryer me dy konferencierët: Edlira Cini dheTaulant Dedja. Bashkëpunimi me sponsorët dhe së fundi një grup artistësh me një harmoni të paparë, që do të mbetet në memorien e të gjithëve për shumë kohë.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 73
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT