• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2014

“MONSTRA” DHE…LOGJIKA E NJË “MESELEJE”

July 23, 2014 by dgreca

Rasti “Monstra” si paralele me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta, gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968/
Nga Fadil LUSHI/ Tetovë/
Secili prej nesh, që do të bëjë përpjekje ta anashkalojë paralelizmin logjik mes protestave paqësore që u organizuan në Shkup e gjetiu (po edhe me ato që do organizohen edhe në të ardhmen.., si “kundërpërgjigje gjykimit të montuar” ku gjashtë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”), me atë vakinë a meselenë politike (shqiptare) të viteve gjashtëdhjeta gjegjësisht me demonstratat e Tetovës të motit 1968, besojmë se që në fillim do të zhgënjehet dhe do të gabohet. Jo pse do t’i mungojnë provat, jo pse do i mungojë kujtesa pamore a edhe ajo dëgjimore, jo pse që në fillim do ngatërroj folkpatriotizmin me nocionin e atdhetarisë, jo pse do ngatërroj kohën e tashme me atë të kaluarën, por pse do “ngaterrohet” me patetizmin dhe subjektivizmin e tij.., pavarësisht se protestat paqësore në Shkup dhe gjetiu (sikur) që në fillim nisën paksa së prapthi.., me një “skenografi” që pak fare kishte të përbashkët me shqiptarë.., me pankarta të shkruara në alfabetin arab, me flamuj të shteteve të huaja, me ato brohoritjet.., me pjesëmarrjen e ca njerëzve të dyshimtë e tjerë. Parashtrohet pyetja, pse fillimisht, protestat nuk kishin Këshill Organizativ Koordinues dhe as kryesues.., pse që në fillim nuk i kishin të definuar qartë kërkesat e tyre, pse që në fillim nuk u akuzuan drejtëpërdrejtë individë a parti politike shqiptare po edhe maqedonase. Pse dikush, me aq “vonesë, deshi t’u dal zot” këtyre protestave sa humane, ligjore po aq edhe emancipuese.., pse filozofisë dhe moralit të këtyre protestave (mbase nuk ishin protesta mëhallash) që në fillim i’u vu kleçka, a mos vallë kjo u bë qëllimisht.., dhe atë për një “palë opinga allafrënga e të fëlliqura!?”. Me vazhdimin e protestave, do punë do fillojnë të “sqarohen dhe definohen paksa më ndryshe”, me çka edhe do të formohet Këshilli organizativ me kryesues. Ky këshill organizativ koordinues (me të drejtë) do të paraqes këto kërkesa:
1. “Shpallja e të dënuarve të “Monstrës” për të pafajshëm dhe lirimi i menjëhershëm i tyre..,
2. Shkarkimi i menjëhershëm i prokurores dhe gjykatës përgjegjëse për rastin “Mo-stra” dhe ndjekja e tyre për keqpërdorim të detyrës..,
3. Dorëheqja e ministres së punëve të brendshme për shkak të..,dhe,
4. Lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve në protestat në Shkup dhe Tetovë.., derisa nuk plotësohen këto kërkesa protestat nuk do ndërpriten deklaruan organizatorët”. Në këto “kërkesa” çuditërisht nuk do të përmenden dhe nuk do të akuzohen lidershipët e as partitë politike shqiptare, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Për ç’arsye nuk u “përgojuan” ne këtë nuk e dijmë!?
Meqenëse kanë kaluar shumë vite nga meseleja, e cila për kryefjalë kishte demonstra-tat e Tetovës të vitit 1968, nuk mund të përjashtohet mundësia karshi ndërtimit të një paralelizmi logjik me protestat e Shkupit. Ne besojmë, se në këtë paralelizëm ka arsye, pavarësisht se ato në aspekt të organizimit ndodhën në periudha të ndryshme kohore. E para do të ndodhë në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe e dyta në ato të Republikës a shtetit të Maqedonisë. Demonstratat e Tetovës, me 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968 (me plotë të drejtë), do të karakterizohen me tre palë histori.
me atë të lavdatës
Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj.., nga kryeorganizatori i këtyre demonstratave gjegjësisht nga studenti nga Beogradi, Faik Mustafa (i cili, do të dënohet me 5 vjet heqje lirie). Mandej do të dënohen edhe këta atdhetarë: Memetriza Gega, Beqir Berisha, Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze, Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi “Kiril Pejcinoviq”: Islam Beqiri, Rafi Halili (i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie), Hamit Saliu, viti i tretë, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe Fadil Lushi.

me atë të akuzës
Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim politik të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Përkundrazi, demonst-ratat e Tetovës të vitit 1968, ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin.

c) me atë të harresës..,

Kjo do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë a një kaptinë e veçantë e trashëgimisë sonë kombëtare. Është një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike.
Që të jemi korrekt deri në fund ndaj të vërtetës të të dënuarve shqiptarë (dënime këto që dolën nga proceset në fjalë, ku u dënuan më shumë se 100 demonstrantë), do na duhet të themi se asnjëri prej këtyre të dënuarve të lartëpërmendur, asnjëherë nuk ëndërroi karrierën politike, po as që përfitoi dot gjë në aspekt social.., në aspekt material as që bëhej fjalë. Në vend të këtij “përfitimi ata hëngrën kokat e tyre?”. Kemi përshtypjen, se edhe protestat paqësore të Shkupit po edhe demonstratat e Tetovës të vitit 1968, gjithësesi se kanë një të përbashkët, atë kërkimin e lirisë së vonuar, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kanë pjesën e errët të tyre, ku njerëz të sëmurë për karrierë politike do t’u vardisen dhe ashtu pamëshirshëm do ua denigrojnë moralin dhe filozofinë e së vërtetës kolektive. Nëse do të na lejohet, ne në fund të këtij vështrimi gazete, do të parashtrojmë një “pyetje hipotetike”: A mos vallë në këtë verë përvëluese a edhe në një të ardhme të afërt, protestat e Shkupit (nuk) do t’i harrojmë (si ato demonstratat e Tetovës), a mos vallë (nuk) do t’i keqpërdorim(n), a mos vallë, nga ato (nuk) do të “prodhojm(n)ë” ndonjë parti të re politike shqiptare, këtu në Shkup, në Tetovë dhe rreth e rrotull saj!? Ku ta dijë njeri, po mbase ka njerëz që janë në dijeni të kësaj. Mendimtari grek, Pitagora, dikur kishte thënë: “Lojrat olimpike, zakonisht frekuentohen nga tre lloj njerëz: nga garues, nga spektatorë dhe nga tregtarë” flamurësh.., hajt, mos të themi edhe nga profiterë politikë!?

Filed Under: Opinion Tagged With: ...LOGJIKA, E NJË “MESELEJE”, Fadil Lushi, Monstra

A VLEN MORALI NË POLITIKË ?

July 23, 2014 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/Itali/
Në panoramën tepër të trazuar të ngjarjeve ndërkombëtare të këtyre ditëve, kur temperatura politike rrezikon të arrijë pikën e vlimit në zonat nevralgjike të Lindjes së Mesme, lajmi që befason më shumë e që të detyron të përsiatësh gjatë, për të veçantën e tij, edhe pse nuk përmban jetë njerëzore të asgjësuara barbarisht, është njoftimi për shtypin, i datës 10 korrik, i zëdhënësit të Kancelares gjermane, Stefen Seibert, mbi kërkesën drejtuar shefit të CIA-s në Berlin, për t’u larguar nga territori i shtetit gjerman. “Kërkesa është paraqitur – tha ai – në dritën e hetimit në vazhdim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të çështjeve të ngritura prej muajsh në lidhje me veprimtarinë e Shërbimeve të fshehta amerikane në Gjermani.”
Njoftimi na kthen mbrapa në kohë, kur Evropa ishte e ndarë në Lindje e Perëndim, kur të tillë ishin lajme të zakonshme, të cilët nuk përbënin më as lajm. Është e para herë në historinë e Evropës së mbas luftës së dytë botërore, që një dukuri e këtillë shfaqet ndërmjet dy Vendeve kryesore të NATO-s. Njoftimi, më shumë se një rrufe në qiell të kthjellët, ishte një ripohim i një proçesi sa të habitshëm aq dhe shqetësues në marredhëniet mes aleatëve perëndimorë, ndërmjet dy më të rëndësishmëve të tyre. Habia rrjedh nga fakti se përballohemi me një fakt, deri para më pak se një viti të padëgjuar, atë të përgjimeve të shërbimeve të fshehta në vetë NATO-n, ndërmjet Vendeve të saj.
Kur në tetor 2013 u bë e njohur se edhe telefoni vetiak i Kancelares gjermane, Angela Merkel, ishte nën kontrollin e shërbimeve të fshehta amerikane, goditja psikologjike për cilindo që i ka besuar vlerave të botës perëndimore, sidomos për ata shumë milionë që jetonin në anën tjetër të “perdes së hekurt” ishte me të vërtetë e madhe. Atëherë Presidenti Obama u mundua t’a mbulojë me një tis parëndësie dukurinë skandaloze, duke premtuar solemnisht se ajo ishte një “incident i rastit”, që nuk kishte peshë në marredhëniet mes dy Vendeve e që nuk do të përsëritej më. Kanë kaluar vetëm dhjetë muaj e në Gjermani arrestohen dy vetë që punojnë në shërbimet e fshehta gjermane e që paditen se kanë dhënë dokumenta atyre amerikane. Pra çështja vazhdon të ketë zhvillimet e veta, ashtu siç ndodhte më shumë se njëzet vite më parë ndërmjet BS dhe Vendeve të NATO-s.
A është praktikë normale e punës së shërbimeve të fshehta veprimtaria e tyre ndërmjet aleatëve ? Fakti se në dhjetë muaj nuk u bë asgjë për të shmangur dukuri të tilla në marredhëniet mes SHBA dhe Gjermanisë, vërteton se konsiderohet e tillë, së paku nga ana amerikane. Më e pakta që mund të thuhet në lidhje me këtë dukuri të pazakontë është se ajo mbjell farën e mosbesimit ndërmjet aleatëve, me një dëm shumë të madh, jo vetëm për funksionimin e Aleancës, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne, por edhe për pasojat që do të ketë në rrëzimin e disa bindjeve, të ngulitura thellë mbi etikën dhe moralin e politikës.

A mos vallë mosbesimi ndaj disa aspekteve të politikës gjermane, si kundërshtimi ndaj ndërhyrjeve në Irak apo në Libi e një lloj përparësie marredhënieve gjermano-ruse kanë krijuar tek Administrata amerikane idenë se aleati evropian nuk është më i besueshëm ? Nëse ishte kështu a nuk mund të diskutoheshin këto probleme ndërmjet drejtuesve të shteteve, në frymën e mirëkuptimit e të besimit të ndërsjelltë, pa vënë nën kontroll telefonin e Kancelares gjermane e pa rekrutuar si agjentë punonjësit e shërbimit të fshehtë t’atij Vendi ?
Thuhet se në Uashington janë tepër të habitur e të zemëruar me veprimtarinë e shërbimeve të fshehta. “Është gjëja më e marrë e kryer nga një agjensi spiunazhi, prej budallenjsh të vërtetë” shkruhet në artikullin kryesor të Washington Post. Por nuk kuptohet mirë nëse zemërimi i Shtëpisë së Bardhë rrjedh nga dështimi dhe zbulimi i operacionit, apo nga zbatimi në mënyrë të pavarur nga organet e CIA-s. Në të dy rastet Presidenti Obama dhe vartësit e tij nuk bëjnë një figurë të bukur në opinionin publik botëror, kryesisht n’atë gjerman.
Nëse e vërteta është se shërbimet kanë vazhduar praktikën në kokën e tyre (gjë vështirësisht e besueshme), faji nuk kalon thjesht tek ndonjë shef që mund të largohet nga shërbimi, por përgjegjësia bie drejt për së drejti mbi organet e larta drejtuese, pa përjashtuar as Presidentin që duhej të ishte treguar shumë herë më i vëmëndshëm mbas skandalit të tetorit 2013 me celularin e Merkel-it. Nëse, në të kundërt, nuk bëhet fjalë për “pakujdesi”, por për një vijë politike që mëton t’i verë Shtetet e Bashkuara në një pozitë mbizotërimi, deri në fyerje, kundrejt aleatëve, megjithë meritat e mëdha e të padiskutueshme të tyre në mbrojtjen e botës së lirë e në zhvillimin e saj gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, mendoj se gjindemi para një sinjali tepër shqetësues, jo vetëm për Aleancën atllantike, por për gjithë njerëzimin.
Edhe duke mbajtur parasysh të veçantën e 11 shtatorit 2011, mbas të cilit “bota nuk do të ishte më ajo e para”, pra ndikimin tejet të fuqishëm në mendësinë, zgjedhjet politike e strategjinë globale të SHBA-ës, shfaqja e arrogancës kundrejt aleatëve, në çfarëdo forme nuk mund të përligjet. Lufta kundër terrorizmit, në të gjitha shfaqjet e tij, është një detyrë e gjithë botës së qytetëruar dhe aleatët e Amerikës, prej vitesh, po qëndrojnë në të njëjtën llogore me të në Afganistan, por fakti që “kryetari” i sotëm i “Kalifatit” siro – iraken, ka qenë për katër vjet në burgjet e CIA-s në Irak dhe është lënë i lirë, tregon mangësi në vetë sistemin amerikan.
Nuk kuptohet përse Shtëpia e Bardhë ka bërë veshin e shurdhër, gjatë gjithë këtyre muajve, kundrejt kërkesës gjermane për të nënëshkruar një “pakt për mos spiunim të ndërsjelltë”, pakt të cilin SHBA e kanë nënëshkruar vetëm me Australinë, Britaninë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Si duket, Evropa vazhdon të shihet me dylbitë e gjysmës së parë të shekullit XX nga Administrata amerikane.
“Besimi ynë në Shtetet e Bashkuara del thellësisht i tronditur nga kjo çështje” u shpreh Ministreja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, sepse agjentët amerikanë duhet të kuptojnë “se jo çdo gjë që është e mundur është politikisht e pranueshme”. Besoj se është një sintezë mjaft e goditur e thelbit të problemit deklarata e ministres gjermane. Politika me hipokrizinë e saj do të gjejë mënyrën për t’i vënë kapakun atij e me ndonjë sakrificë të ndonjë “koke turku” do të arrijë t’a mbyllë. Problemet e botës janë kaq të shumta e të mprehta, bashkëpunimi mes SHBA dhe Gjermanisë është kaq i domosdoshëm sa që përpjekjet e të dy palëve për normalizim zyrtar do të jenë të dukshme, por rikthimi i besimit të ndërsjelltë do të jetë një proçes i gjatë e i vështirë.
Po ashtu, e vështirë do të jetë edhe për vëzhguesin e thjeshtë, sidomos për atë që vjen nga përvoja e shoqërive komuniste, që gjatë gjithë jetës ka krijuar në mëndje një klishe për Amerikën, atë të një Vendi të madh, i cili jo vetëm ka shpëtuar botën nga rreziku nazifashist, por ka qenë edhe mburoja më e sigurtë e lirisë dhe demokracisë në përballjen me të keqen e shekullit të shkuar, komunizmin. Në këtë klishe Vendi simbol i demokracisë ishte dhe “zëdhënësi” i Ungjillit të ri të shoqërisë njerëzore bashkëkohore.
Ngjarja për të cilën fola ndihmon fuqimisht në fashitjen e përfytyresës idealiste mbi sistemin e vlerave t’asaj shoqërie, në shëmbjen e iluzioneve me të cilët kemi jetuar gati një gjysëm qindvjeti. Ajo na kthen në një realitet të zymtë, në të cilin një pjesë e tabuve të krijuara në një jetë të mbyllur e që shërbenin për të ushqyer shpresat e mbijetesës, janë të prirura për t’u braktisur. Ky fakt mund të ketë vlerën e tij, sepse na kthen në banorë të tokës nga ëndërrimtarë të qiellit. Më mirë vonë se kurrë.
Korrik 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: A VLEN MORALI NË POLITIKË ?, Eugjen Merlika

Në Los Angeles hapet dyqani i “ilaçit jeshil” Marihuanës

July 23, 2014 by dgreca

LOS ANGELES : Kultivuesit e marihuanës në disa shtete në SHBA, tashmë lidhen drejtpërdrejt me konsumatorët e saj nëpërmjet marketit të ri të hapur qëllimisht për tregtimin e kanabisit, në Los Angeles, Kaliforni. Dyqani është i pari i llojit të tij në Kaliforni dhe ka kopjuar modelin e ngjashëm që funksionon prej vitesh në Uashington dhe Kolorado, dhe disa vende të Europës, ku është lejuar përdorimi i saj.
Drejtuesja e këtij dyqani, që luan më tepër rolin e një farmacie bimore, shprehet se arsyeja e hapjes së tij ishte për të krijuar një eksperiencë më personale të blerjes se marihuanës dhe për të pasur çmime më të ulëta, për të gjithë personat të cilët kanë nevoja mjekësore në përdorimin e saj.
Por, natyrisht kjo duket si anormale krahasuar me përvojën që është krijuar në Shqipëri me këtë produkt, ndërkohë që në shumë vende të botës – tashmë i ashtuquajturi “Ilaçi jeshil” Kanabis Stativa ose Marihuana është e legalizuar dhe përdoret si trajtim mjekësor për disa lloj sëmundjesh, duke e konsumuar atë nëpërmjet pirjes së tij si çaj ose edhe si cigare duhani simbas rekomandimeve të mjekëve.
Duke e parë në këtë këndëvështrim duket se fenomeni Lazarati në Shqipëri – u shfrytëzua nga pushtetarët e sotëm për të bërë një “show” të madh politik, pikërisht në prag të marrjes së statutusit të kandididatit të BE-së nga Shqipëria.
Në një kohë që shumë vende të Europës e kan të legalizuar atë dhe në SHBA çdo ditë po shtohen shtetet që po e legalizojnë, ndodh që në Shqipëri, të bëhet “luftë” kundra marihuanës e cila tashmë konsiderohet një nga bimët mjekësore, nga më të nevojshmet për kurimin e sëmundejeve kanceroze.
Në SHBA një prej tregtuesve të marihuanës thotë se fakti që të gjithë prodhuesit e saj janë mbledhur në një dyqan nga qindra kultivues të zonave të ndryshme e bën këtë eksperiencë shumë më të lehtë dhe praktike, si për blerësit ashtu dhe për shitësit.
Ky treg kontrollohet nga Programi Mjekësor i Marihuanës dhe përdor një sistem regjistrimi nëpërmjet kartave të identitetit, ku bazuar në rekomandimet e mjekut, çdo kush që figuron në atë listë mund të marrë dhe të konsumojë sasi të caktuara kanabisi në bazë të recetës së përcaktuar./Beqir SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: hapet dyqani, i "ilaçit jeshil", Marihuanës, ne Los Angeles

Nënë Tereza në Republika Srpska

July 23, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/New York/
“Të gjithë sa ishim të ulur në karriget e teatrit të Banja Llukës- boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë- brofëm në këmbë dhe filluam të duartrokasim të ngazëllyer. Sikur të kishe qenë me ne, do ta kishe provuar atmosferën e mrekullueshme vetë miku im i dashur. Një sukses i madh i Nënë Terezës!”— po më thoshte ambasadori shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashi, përmes Viber-it; unë në New York, e, ai në Sarajevë.
Ambasadori Gashi, një diplomat yni i klasit të parë, e kishte fjalën për shfaqjen “Majka Tereza- Svetica Tame” (Nënë Tereza- Shenjtëresha e Errësirës), e cila pas një premiere të jashtëzakonshme në Teatrin Popullor të Sarajevës me 19 qershor, ishte ftuar të paraqitej edhe para publikut të kryeqytetit të Republika Srpska me 15 korrik 2014. Drama e frymëzuar nga jeta e bamirëses me famë është një produksion i Shoqërisë Kulturore “Napredak” me regji të kroatit nga Bosnja Gradimir Gojer, bazohet në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski dhe në të interpretojnë aktorë nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova. Rolin e Nënë Terezës e luan Kostadinka Velkovska, artiste e njohur e teatrit Kerempuh në Zagreb, ndërkaq ekipi realizues një rol i ka dhënë edhe aktorit shqiptar nga Prishtina Ilir Tafa. Projekti multinacional, multikonfesional dhe multikulturor prej nisjes së tij është mbështetur nga ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bosnje- Hercegovinë. Të dyja premierat, si në Sarajevë ashtu edhe në Banja Llukë, janë parë nga personalitete kulturore, diplomatike dhe intelektuale. Pritet që pjesa teatrore për fituesen shqiptare të Nobelit për Paqe do të nisë së shpejti një turne ballkanik dhe mbase do të inskenohet edhenë Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në tetor të vitit 2011 në teatrin beogradas Bitef u dha performansa postmoderne “Patriotic Hypermarket”, një pjesë teatrale e përbashkët e artistëve ballkanas nga Beogradi, Prishtina, Shkupi dhe Tirana. Brenda dhe jashtë ndërtesës ishin të pranishme forca të shumta policore të cilat u desh të siguronin trupën teatrore nga sulme të mundshme prej radikalëve nacionalistë serb. Në fakt, në dy raste — me 2008, gjatë ekspozitës së veprave të artistit shqiptar Dren Maliqi, dhe— me 2013, gjatë ekspozitës së dëshmive të vrasjeve të familjes Bogujevci nga paramilitarët serb “Škorpioni”në Podujevë me 1999, policia u detyrua të ndërhynte për të zbythur egërshanët dhe vandalët. Në ekspozitën e Maliqit ata shqyen një punim ku portretizohej Adem Jashari, kurse në ekspozitën që rrëfen vizualisht masakrimin e 14anëtarëve të familjes Bogujevci nga perspektiva e përjetimeve të pesë të mbijetuarve, shovinistët provuan ta digjnin godinën.
Fatmirësisht shfaqjet apo prurjet kulturore serbe apo tjera ballkanike që janë paraqitur para publikut shqiptar, (kudo në trojet tona), nuk janë pritur me kanosje dhune. Shumica e tyre kanë arritur dhe vajtur pa marrë vëmendjen e merituar dhe tek-tuk iu është hedhur ndonjë sharje nacionaliste primitive. Duke e pas përjetuar pushtimin serb dhe diskriminimin e disa popujve sllav që na kanë bërë shqiptarëve me dekada, e kuptoj shumë mirë hezitimin dhe zemëratën e bashkëkombësve tonë kur vjen puna te shkëmbimet dhe qarkullimet e vlerave me popujt joshqiptar në gadishullin tonë, e posaçërisht me serbët. Kjo u pa sidomos me rastin e paraqitjes së një muzikanti serb në një televizion të Tiranës para ca muajsh, paraqitje kjo redaktoriale e dështuar ndërsa u vendos që serbi të këndonte në një emision dedikuar melosit shqiptar, mirëpo, në anën tjetër, prezantimi i artistit serb është plotësisht i arsyetueshëm nga aspekti i njohjes kulturore të tjetrit. Si shpesh herë, disa hamulitës shqiptarë nuk elanë pa e shfrytëzuar precedentin dhe bile tentuan të nxisnin urrejtje duke përhapur gënjeshtra mbi gjoja dallimet e shkallës së patriotizmit midis Tiranës dhe Prishtinës. Padrejtësitë që na janë bërë shumicës dërmuese nga ne duhet të dritësohen duke ndjekur rrugët legale dhe duke kërkuar shpagim financiar për dëmet materiale dhe humbjet e dhimbshme njerëzore, ama ndërshkëmbimet me kombet tjera nuk duhet të ndalen.
Ka mjaft radikalë edhe në popullin tonë të cilët dëshirojnë dhe barabar punojnë që të mbyllemi nga marrje- dhënia me popujt tjerë. Veçimin ata e arsyetojnë zakonisht ose me argumentin e ruajtjes së “pastërtisë” së kulturës dhe civilizimit shqiptar, ose me argumentin se popujt tjerë ballkanik nuk na i duan vlerat tona sa ne të tyret dhe së këndejmi, sy për sy e dhëmb për dhëmb, edhe ne duhet t’i refuzojmë të tyret.
Kjo mënyrë e të rezonuarit është edhe e paleverdishme edhe shenjë inferioriteti pikësëpari për kombin i cili vendos ta praktikoj atë. Pjesëtaret e një kombi të ditur duhet të orvaten të jenë prodhues të sa më shumë vlerave, siç duhet të jenë kërkimtarë të jenë edhe konsumues të vlerave të veta dhe të të tjerëve. Duke qenë edhe krijues edhe nevojtarë të vlerave, kombet e zgjuara e dinë që vlera fisnikërohet kur vihet në ballafaqim me vlerat më inferiore apo superiore të të tjerëve. Kombet moderne bashkëpunojnë me të tjerët sepse ashtu e ngritin cilësinë e vlerave të tyre ndërsa konsumojnë madje edhe vlerat, që, për arsye të përparësive krahasuese apo çfarë do qofshin arsyet, nuk i kanë apo nuk mundi krijojnë. Dikush mund të thotë, po, ja filan kombit ballkanik nuk i interesojnë vlerat tona. Mirëpo humbja është e atyre që nuk interesohen, ngase ti ja njeh avantazhet dhe disavantazhet tjetrit dhe gjithsesi do të përfitosh nga kjo njohje, kurse ai nuk i njeh tuat. Nuk duhet ndier i frikësuar e as inferior për t’u hedhur në logun e vlerave dhe dallimeve rajonale dhe globale. Secili komb ka diçka të shkëlqyeshme për të ofruar dhe secili komb ka nevojë për të marrë diçka të shkëlqyeshme nga të tjerët. Dallimi se ku gjendet një komb në rangimin e arritjes përcaktohet shumë nga pranimi i këtij ligji të pashkruar lidhur me dobinë e shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive…, e deri gjenetike.
Para 86 vitesh, që të kthehemi te fillimi, me 1928, një vajzë e ndruajtur 18 vjeçare e quajtur Agnes Gonxhe Bojaxhiu vendos të lëshojë Shkupin e saj, të lë prapa nënën e ve dhe të niset për Irlandë në Misionin e Motrave Loretto për të mësuar mbi jetën. Një vit më vonë ajo shkon për herë të parë për të shërbyer në Darjeeling të Indisë ku nis përkushtimin e saj të devotshëm për t’i ndihmuar të varfrit e botës dhe fillon të njihet si Nëna Tereze. Brenda 68 vitesh, bija e brishtë shqiptare e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut shndërrohet në simbol planetar i të tashmes dhe ardhmes njerëzore. Ndonëse tërë jetën përballë errësirës, Nënë Tereza kishte hapur shpirtin dhe mendjen kundrejt njerëzve tjerë dhe duke shkëmbyer vlerat e saj me të tjerëve, ajo mbërriti t’i jepte kombit shqiptar një vlerë universale të përhershme. Prandaj, “Majka Tereza- Svetica Tame”, me 15 korrik natyrisht që do të ngriste në këmbë së bashku boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republika Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta, e jo paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë është e mundshme të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta,një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare.

Filed Under: ESSE Tagged With: në Republika Srpska, Nene Tereza, Uk Lushi

300 Ditet e Suksesshme te Qeverisjes Rama? Mendohu prape!

July 23, 2014 by dgreca

Nevrus P. Nazarko/
Midis frazave te shumta te kumtuara vrenjtur nga kryeministri Rama gjate analizes se 300 diteve te kalerimit ne pushtet bejne pershtyje dy tre aspekte te cilat nenvizojne probleme te shfaqura jo pak ne keto vite te post diktatures.Observimi i pare, dhe si risi e re e ketij kryeministri eshte “guri kilometrik” i 300 diteve te para dhe tjetri ka te beje me tendencen per te permendur arritjet dhe anashkaluar deshtimet gjate periudhes ne fjale.
Cila eshte simbolika e 300 diteve te qeverisjes?
Le te mos permendim per nje cast faktin qe nje analize 300 diteshe eshte e panjohur ne literaturen politike te qeverive demokratike dhe jo-demokratike, por te fokusohemi tek nocioni “300 ditesh”.
Nje shfaqje pompoze nga ana e kryeministrit i cili ishte perpjekur deri ne detaj se ku si uleshin anetaret e kabinetit dhe cfare shkruhej ne bezen permbas kraheve te ben te mendosh edhe me shume per simboliken qe sjell 300 diteshi. Ne fakt, eshte disi normale (kjo me se shumti e shtyre nga mediat) qe behet nje analize paraprake e 100 diteve te para, dhe kjo jo per sukseset pasi 100 dite jane mjaft pak, por me teper per t’u siguruar qe tranzicioni ishte i rregullt, vendet vakante jane plotesuar apo jane ne proces e siper, dhe per t’u njohur me mire publiku me qeverisjen e re, perberjen, objektivat etj. Po ashtu nje analize vjetore merr persiper te beje nje bilanc te vitit te pare qeverises, qe zakonisht eshte nje indikacion se sa shpejt apo ngadale do levizin gjerat ne kete qeverisje dhe cilat jane objektivat e 3 viteve ne vazhdim.
Pervoja e vendeve me nje kulture te pasur demokratike tregon se ne dy vitet e para pasqyrohet fytyra e vertete e nje qeverije pasi gjysma e dyte fokusohet ne zgjedhjet e pritshme dhe shpeshhere qeverite dalin nga shinat per te plotesuar orekse e interesa qe jo pak here demtojne dhe shkojne ndesh me interesat afatgjata ekonomike te vendit. Shembuj per kete ka mjaft, qysh nga rritja e pabazuar e ndihmave sociale e pensioneve dhe deri tek investimet jo fizible ne infrastrukture. Cfare “analize” do te na ofroje kryeministri ne fund te vitit qeverises, i cili eshte ne fillim te shtatorit, dhe sipas gjasave me parlamentin e shperndare deri ne fillim te shtatorit e me qeverine e nepunesit neper plazhet e botes diferenca midis 300 diteve dhe 365 diteve eshte minimale per te mos thene zero. Ndaj mos prisni per nje analize serioze ne mbyllje te vitit te pare te qeverisjes “rilindase”.
Vetem suksese, asnje deshtim ne 300 dite
Eshte jo pak interesante qe disa zakone “vdesin” me veshtiresi ne politike. Si nje reminishence e frikshme e qeverisjes 50 vjecare komuniste shfaqet tendenca per te krahasuar me “vitin zero” ose me vitin me te keq te paraardhesve. Ne vitin 1984 gjate zgjedhjeve presidenciale ne SHBA, ish presidenti Regan gjate fushates elektorale me rivalin e tij Mondale, jo pak here shtroi pyetjen retorike tek zgjedhesit: “A jeni ju me mire sot se kater vjet me pare”?Ne se pergjigja juaj eshte “po” atehere me votoni mua ne se pergjigja eshte “jo” atehere votoni rivalin tim. Pra, se pari kemi te bejme me nje retorike elektorale dhe qe krahason gjendjen e pergjithshme dhe individuale para fushates. Ne kohen qe verdikti i votes ka vendosur se kush eshte ne pshtet per 4 vitet e ardheshme kjo retorike mbyllet dhe fillon puna per realizimin e premtimeve elektorale. Kemi gati nej vit qeverisje roze dhe jane bere bajate statistikat qe krahasojne cdo gje me gjashtemujorin e pare te vitit 2013 (qe ishte dhe 6 mujori i fundit i qeverisjes Berisha). Rreken ministrat dhe nepunesit gjithefarellojesh te krahasojne gjithcka me ate periudhe, duke filluar nga krimet, te ardhurat ne buxhet e deri tek aksidentet automobilistike!! Kjo eshte identike me metoden e Enver Hoxhes i cili krahasonte cdo vit dhe cdo plan pesevjecar me vitin 1939, vit i pushtimit nga Italia fashiste. Tani ose keta rilindasit e 1 milion shuplakave jane idiote dhe arrogante, ose na kujtojne neve votuesve (perfshire edhe 1 millionshin roze) budallenj. Ne se do vija bast se ciles kategorie i perket kryeministri yne, pergjigja do ishte diku ne mes te dy opsioneve te mesiperme.
Ne cdo fjale te analizes veren eufori dhe retorike boshe, asgje te prekshme e konkrete nga premtimet e tij elektorale. Me qe sukseset i rreshtoi vete kryeministri, me rradhe ashtu si delet e urta te kabinetit te tij, le te permendim disa jo-suksese te ketyre “300 diteve”.
Se pari, aksioni i bujshem dhe i frikshem i 6000 policeve te cilet rrethuan dyqanet e lojerave te fatit vetem per t’i hapur ato pas disa diteve ashtu si me pare. Opinioni eshte se gjithe ai “aksion” me kosto mijera eurosh u be per te ndryshuar drejtimin e derdhjes se fitimit, nga ai i para 23 qershorit tek financuesit e fitimtareve te zgjedhjeve.
Se dyti, situata e frikshme e sigurise dhe rritja e kriminalitetit ne vend. Ne se statistikat jane te panevojshe ndonjehere, kjo eshte fusha ku nuk ndjehet nevoja e shifrave. Ato shfaqen cdo nate ne ekranet e dhe faqet pacensorizuara te mediave te ndryshme ku paraqitet nje realitet gati i papare ne keto vite po te heqim rebelimin e 1997’s. Ato fillojne me arratisje spektakolare nga burgu e me te burgosur perjete qe vriten kur dalin me leje e deri ne rrahjet e deputeteve ne hollet e parlamentit. Kjo e fundit edhe pse ka ndodhur me pare si fenomen, merr permasa te tjera kur agresori eshte nje ligjvenes i denuar per shitje femrash. Nje “risi” e re kjo e rilindjes qe do bente me turp edhe diktatorin me te famshem, le pastaj nje parlament “demoratik”.
Se treti, situata ne infrastrukture dhe mungesa e planeve afatshkurtra dhe afatgjata. Kush ka kaluar ne rrugen Tirane –Korce e ka te lehte ta marre vesh ku eshte fjala, por edhe me gjere, le te thote kryeministri se sa jane investimet ne infrastrukture ne 300 ditet e qeverisjes se tij? Cilat jane veprat kombetare te vazhduara nga qeverisja e meparshme ne qeverisjen e tij apo te lancuara gjate ketyre 300 diteve. Mire do te ishte t’i referoheshim programit elektoral te PS-se por druhem se egziston nje i tille.
Se katerti, mendjelehtesia me te cilen po merret hua nga kalemxhinjte e rinj te qeverisjes roze. Me perjashtim te vitit 2007 me huan per te financuar rrugen e kombit, nuk ka asnje vit tjeter qysh nga 1990 kur shteti ka marre hua (ose eshte ne tratativa) rreth 1 miliard dollare per 300 dite. Po ta marresh kete statistike ne agregat me mungesen e investimeve serioze ne infrastrukture nga nje krah dhe rritjen 25 perqind te te ardhurave ne tatime dhe dogana (te pakten keshtu po na paraqitet) eshte vertet gjendje alarmante. Dy jane shpjegimet e mundshme, ose rritja e te ardhurave eshte nje genjeshter e madhe ose qeveria po vjedh ose fsheh ne menyre te paprecedente. Nuk mund te bashke-egsistojne te dyja variantet, pra edeh rritje e borxhit, edhe rritje e te ardhurave e mungese investimesh. Me perjashtim te rritjes se kriminalitetit ne vend, ky eshte deshtimi me i qarte i qeverisjes se 300 diteve.
Se pesti, fiaskoja me ceshtjen e pranimit dhe demontimit te armeve kimike prej Sirise nen mbikqyrjen e SHBA-ve. Ne se 4 “mos-sukseset” e mesiperme ne nej qeverisje normale mund t’ju vishen edhe anetareve te tjere te kabinetit qeveritar, kjo e fundit eshte katerciperisht deshtim personal i kryeministrit, dhe jo vetem kaq, por nje deshtim qe potencialisht i ka kushtuar vendit shume si nga ana politike ashtu edhe nga ana ekonomike. Pa u futur ne analizen pro apo kunder ketij aksioni, menyra se si e trajtoi kryeministri kete ceshtje duke anashkaluar te gjithe aktoret politike dhe qeverises ne vend, te le nje shije te hidhur dhe demonstron nje mentalitet te rrezikshem per koherat qe kalojme e me pasoja afatgjata per nej popull i cili nuk e ka komoditetin te humbase shanse te tjera te tipit Foto Cami ne te ardhmen. Do te ishte nje pike me shume ne resumene e tij politike ne se ne “analizen” 300 diteshe kryeministri do te bente nje mea-kulpa te rastit te shumeperfolur te armeve kimike. Eseja e tij ne tetorin e 2013’s nuk bind askend as ministren e mbrojtjes pa le ata te mjedisit e financave jo e jo.
Ne vend te mbylljes
Ne nje ekip i cili pretendon te sjelle nje model te ri qeverises eshte normale qe te kete suksese, deshtime dhe devijime nga premtimet elektorale. Kjo pasi rruga e pushtetit kushtezohet nga faktore te cilet ne shume raste jane jashte kontrollit te maxhorancave qeverisese. Te tilla jane pushtetet e tjera kushtetuese (gjykatat, prokuroria, presidenca, opozita etj) por edhe faktore te ndryshem ekonmike globale e rajonale. Rradhet e mesiperme marrin shkas nga tentativat arrogantete modelit Rama per t’u marre me fasaden e qeverisjes (pak a shume si lyerja e pallateve ne kohen e bashkise) dhe te anashkaloje thelbin e problemeve apo ate per te cilen eshte zgjedhur te permbushe. Modeli i llangosjes se fasadave dha efekt pozitiv ne nje Shqiperi te mbytur nga kioskat por nuk mund te dublikohet ne nje qeverisje serioze dhe me nje popull te gjezdisur tashme. Nje fjale e urte thote, uji nuk rrjedh dy here nen te njejten ure.

Filed Under: Analiza Tagged With: 300 ditet e Rames, Nevruz P Naqzarko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT