• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

SHTATORJA E ADEM JASHARIT, NGA TORONTO U VENDOS NË PREKAZ-KOSOVË

August 26, 2014 by dgreca

Para pak kohësh, një nga gazetat e përditëshme të Tiranës njoftonte se “Shtatorja e Adem Jasharit, udhëton nga Toronto në Prekaz. Kosovë”. Një lajm i bukur dhe mjaft domethënës, kur mësojmë se kjo vepër arti, punuar nga skulptori shqiptar Hytbi Tarelli, banues në Kanada, i dhurohet muzeut të familjes Jashari, në nderim të heroizmit të Adem Jasharit dhe familjes së tij, të cilët dhanë jetën, duke u bërë frymëzim dhe gurr themeli në lirinë e Kosovës.
Shumë kush habitet, kur disa ngjarje bëhen gërshet mes tyre në mënyrë të çuditëshme. Rrethanat e dëtyrojnë autorin e veprës, që pas aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, si fillim të qëndrojë në Shkodër, ditën tjetër të udhëtojë drejt Prizrenit, pas një nate drejt Prishtinës e më pas në Prekaz. Ndoshta, para se të shkonte e të vendosej në atë vend të shenjtë, mos vallë u desh marrë bekimi i kalasë së Rozafës, si legjendë e qëndresës, më pas bekimi i “Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, me ata burra të fisëm, trima e të kuvendit, më tej bekimi i Ibrahim Rrugovës, burrit të mençur që bëri aq shumë për Kosovën? Nuk di pse mëndoj kështu, mbase është frymëzimi, ndoshta më shumë besimi, dëshira dhe fati, që i lidh dhe i bashkon kështu ngjarjet krejt të rastësishme, por që përkojnë bukur.
Duket si një aventurë çmendurie ky veprim, kur gjykoj shpenzimet që u përballuan tërësisht nga vetë autori, pa përmendur peripecitë e një udhëtimi kaq të gjatë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skulpturë me përmasa jo të vogla, rreth një metër e lartë, duke filluar që nga ambalazhimi e kujdesi për të mos u dëmtuar. Kemi parasysh si hidhen e priten valixhet dhe pakot nëpër aeroporte, por që frika vazhdon më tej, sepse udhëtohet nëpër makina të rastit, shtojmë edhe merakun, se duhesh ngjitur edhe nëpër shkallët e hoteleve. Fatmirësisht asgjë e keqe nuk ndodhi. Shtatorja e heroit legjendar Adem Jashari u sos për bukuri aty ku e deshte vendi, në “Mekën e shqiptarëve”, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë.
Lëvizja nëpër Kosovë ishte programuar për bukuri nga dy vëllezërit prizërenas, Z. Naser Berisha me banim në Kanada, kryetar i shoqatës “Iliria”, njëkohësisht kryetar i “Aleanca e Bizneseve Shqiptaro – Kanadeze”, që ishte dhe ideatori e organizatori kryesor i kësaj veprimtari, së bashku me mjekun Dok. Nexhip Berisha, drejtor i qendrës shëndetësore të Prizrenit, të cilët u treguan bujarë në mikpritje, të gatshëm në ndihmë, njëkohësisht të kujdesshëm e të papërtuar gjatë gjithë kohës.
Çdo gjë e llogaritur deri në imtësi. Data 26 Korrik 2014, ora 12.00 në Prekaz. Një kurorë me lule në varrin e Adem Jasharit, në nderim të gjithë të rënëve. Më pas në muzeun e familjes Jashari, ku u pritëm aq ngrohtë e miqësisht nga z. Rifat Jashari, vëllai i heroit, një plak i pashëm, i mençur e fisnik, që i peshonte fjala, me portret tipik të racës burrnore shqiptare. Ai pati mirësinë dhe nderin të marë në dorë shtatoren e heroit. Çaste të paharruara, të mbushura me shumë emocione të përjetuara aq njerëzisht nga të gjithë të pranishmit. Fjalët sado të zgjedhura e të bukura qofshin, nuk e mbajnë dot peshën e ndjesive që provon çdo njeri i ndodhur përballë ndodhive të tilla, që rrallë ndeshen në jetë.
Baca Rifat, i cili mban të gjallë kujtimin e legjendarit Adem dhe të gjithë familjes që u sakrifikua në emër të lirisë së Kosovës, shprehu falënderim e mirënjohje zemre për autorin e veprës, që e solli në Prekaz, në shtëpinë e tij Adem Jasharin. Përqafim dhe shtrëngim duarsh, kur mësoi se Hytbi Tarelli është shqiptar i lindur në Devoll, në qarkun e Korçës, por që prej disa vitesh banon e punon në Kanada. Në atmosferën e emocioneve të mëdha, të gjithë të pranishmit përshëndetën dhe uruan autorin e kësaj vepre që përjetëson heroin, njëkohësisht edhe për idealizmin dhe gjestin atdhetar të tij, duke e sjellë që nga aq larg, për ta vendosur pikërisht në vendin ku ai luftoi dhe ra, në dheun e Kosovës së lirë, ku u bë martir e mbeti legjendë në ndërgjegjen dhe historinë e kombit. Më pëlqen ta përsëris shpesh një aforizëm të Halim Hasanit: “Rrënjët e lirisë i ujit gjaku i dëshmorëve”! Fjalë që u përkasin të gjithë popujve, e më së shumti ne shqiptarëve, kur lufta për çlirim e bashkim kombëtar, ka shekuj që ka nisur e akoma nuk ka bitisur.
Duke biseduar me z. Hydbi, lidhur me idenë dhe mundimin për të ardhur deri në Kosovë, ai shprehet:
Kam një jetë që merrem me pikturë e skulpturë, duke filluar që nga vizatimet me thëngjij zjarri e figurina balte të pjekura në fabrikat e punishtet e tullave, e deri tek vepra arti nëpër ekspozita e konkurse kombtare e ndërkombtare. Më tërheq më shumë skulptura. Në krijimtarinë time të gjithë këtyre viteve, janë me dhjetra punë të ndryshme, disa janë akoma në studio, shumë të tjera të shpërndara nëpër institucione dhe galeri arti, një pjesë edhe nëpër mjedise familjare, si në Shkodër, Lezhë, Tuz (Mali i Zi), Tiranë, Durrës, Lushnjë, Korçë e Bilisht, pjesa më e madhe në Kanada e më përtej akoma, larg deri në Dubai, në Arabi. Para dy vjetësh, isha në Tiranë dhe mora pjesë në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e Pavarësisë. Ishte një bashkëpunim artistik me artitektin hungarez Laszio Kerekes, i cili jeton e punon po në Kanada.
Tani që jam larg Shqipërisë i kuptoj dhe i besoj fjalët e të madhit Faik Konica, i cili shkruante: “Duhet të jesh jashtë Shqipërisë e të jesh larg për të kuptuar se ç`bukuri të ëmbël ka për veshët, fjala mëmëdhe”. S`besoj se jam unë i vetmi që, duke qënë në dhe të huaj, më rrëmben frymëzimi për t`i`u kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditëshme që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Ndaj më ngacmon tematika kombëtare, sidomos e personaliteteve dhe heronjëve që kanë bërë histori, me të cilët mburremi dhe na njeh bota. Në studion time gjen Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Qemalin, Ded Gjon Lulin, Isa Boltinin dhe të tjerë, mes tyre edhe Adem Jasharin, të cilin sapo e çova dhe e vendosa këto dit në Kosovë.
E di që do më pyesni, si lindi kjo ide? Po ju kursej kohën, duke u përgjigjur:
– Para ca kohësh në studion time, mes shumë e shumë vizitorëve erdhi Naser Berisha, mërgimtar edhe ai si unë. I hodhi një sy punëve me radhë. Më përgëzoi për bustin e Skënderbeut të larë në flori, për portretin e Nënë terezës, por sytë i mbetën tek shtatorja e Adem Jasharit. E vështroi gjatë, e m`u kthye:
– Ky monument s`është për këtu në studio. Vendi dhe nderi i tij është në Kosovë, aty ku lindi, ku luftoi dhe ra së bashku me shumë anëtarë të familjes së tij të madhe. – Kaq u tha dhe të tjerat rrodhën vetiu. Si fillim ngurrova nga kjo kërkesë e papritur, por edhe më erdhi mirë, pasi goditi në shenjë, në dëshirën time të pashprehur. Kur e nisa punën një zë i brendshëm më thoshte: Shtatorja e Adem Jasharit e këtij simboli të trimërisë dhe heroizmit shqiptar, i përket Prekazit, Skënderajt, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Vërtet pati shumë mundim dhe shpenzim, por tani që u mbarua puna them se kam bërë një vepër që e vlen. Nuk e kam fjalën për vlerat artistike, pasi ato i gjykon publiku dhe kritiku, por për një premtim timin. Jam i lumtur që e përmbusha amanetin që i kisha bërë vetes. S`jam as i pari e as i fundit që përjetësoj këtë figurë me përmasa të jashtëzakonshme. Sa më tepër kohë të kalojë, aq më e madhe do të jetë shtysa për vepra kushtuar këtij heroi që krijoi legjendë e do mbetet në legjendë. Kjo që bëra, mendoj se është shumë pak ndaj asaj, që ai dhe famija e tij dhanë e bënë për Kosovën, për këtë copë shqipërie, që të jetë e lirë. Heronjtë e tillë, kurdoherë do të frymëzojnë penën e poetit dhe shkrimtarit, penelin e piktorit, daltën e skulptorit, notat në pentagramin e kompozitorit, fjalën e aktorit në skenë dhe lahutën e rapsodit. Ata madhështohen e përjetësohen në lavdi, sepse meritojnë dhe kanë mirënjohjen e nderimin e kombit.
Shpirtërisht, dëshiroj edhe një herë të falenderoj nga zemra: baca Rifat Jasharin, për pritjen e ngrohtë dhe shumë emocionuese, z. Naser Berisha, ideatorin e udhëtimit dhe organizatorin energjik të ceremonisë. Falenderoj historianin Prof. Dok. Nusret Pllana, mjekun dok. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, sekretar i shoqatës “Atdheu” në Zvicër, z. Valmir Hylenaj nga Skënderaj, z. Endrit Thaçi nga Llapushniki, njëkohësisht miqtë e mi z. Tahir Veliu, stërnip i Hasan Prishtrinës, biznesmen, veprimtar i çështjes kombëtare, që jeton në qytetin Alberta në Kanada, z. Arsim Sejdini mësues në Prishtinë, si dhe të gjithë pjesmarrësit e tjerë, pa të cilët do ta kisha të pamundur ta çoja deri në fund premtimin tim.
U jam mirënjohës! Kjo ishte dhe do të mbetet një nga ditët më të veçanta e më të bukura të jetës sime.

Përgatiti: Kadri Tarelli- Durrës më 24. 08. 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Hytbi Tarelli, Kadri Tarelli, shtatorja e Adem jasharirit

(ËSHTË KOHA) TË VËMË KUFIRIN TE “THANA”?

August 26, 2014 by dgreca

Paçka se pazari i Tiranës është i ri, paçka se Tetova ka pazar të gjalpit e Shkupi “Bit Pazarin” dhe…,/
Nga Fadil LUSHI/*
Dikush tha: Tirana paskësh “Pazar të Ri!?”…, tjetri tha: Ana e majtë e Shkupit, ka “Bit Pazarin” (“Pazarin e morrit”), ca të tjerë thonë: Tetova ka “Pazarin e gjalpit”, Gostivari paskësh “Pazarin e ditës së martë” e tjera pazare. Një “shehërli i moshuar” tha: Qyteti im ka orkestër frymore. Një tjetër njeri që hiqet si i gjithëditur tha: Edhe fshati im ka fakultet. Po, ashtu, thanë e ç’nuk thanë.
“Paçka se pazari i Tiranës është i ri, paçka se Tetova ka pazar të gjalpit e Shkupi “Bit Pazarin” dhe…,
kur dihet se ato përgjithmonë mbeten vetëm pazare, që të kujtojnë një hapësirë ku shihen a duken lloj-lloj frekuentuesish, pra e vetmja hapësirë ku frymojnë lirshëm dhe vullnetshëm thashethemexhinjtë dhe thashethemnajat e tyre, është një vend ku trashet muhabeti…, aty mund të shohësh fshatarë, shehërlinj, fukarenj, pasanikë, “aristokratë bllokmenësh”, tyxharë, kontrabandistë, sekserë, të cilët toptan bëjnë pazare, toptan gënjejnë; se toptan ia fusin njëri-tjetrit (“drejt a kryq”) s’është e rëndësishme, aty shiten dhe blihen mallra me afat të shkurtër…, ai që nuk “di të bëjë pazar”, rrezikohet që t’i priten duart deri në bërryl dhe, kur e pëson kësisoj, nuk del më në Pazar, po qoftë ai të jetë i “ri, i gjalpit, i morrit” e tjerë. Aty mund të gjesh çdo gjë, siç mund t’i gjesh në “Kapali çarshinë e Stambollit!?”. “Çuditërisht”, këtyre pazareve lëre që u mungojnë ato shiritat e verdhë evropianë (ato zakonisht vihen para sporteleve), por fatkeqësisht u mungojnë edhe ato “vijat e kuqe” dhe shumë shenja të tjera treguese!? Evropa i dallon shiritat e verdhë dhe vijën e kuqe, siç i dallojnë amerikanët dollarët e tyre me bojë jeshile…, shqiptarëve ndoshta nuk u hyjnë në punë këto shirita dhe vija të kuqe, sepse komunikojnë me “isharete dhe nuk dalin dot nga istikamet!?”.
Një “nostalgjik”, që kishte ardhur në treg për të bërë “pazare me porosi”, ashtu “instiktivisht” bërtiti duke thënë se…, të keqes sonë urgjentisht duhet vënë kufirin te “thana” (shkoi pak si larg, ai kufi duhet të vihet para hundës, megjithatë, fjala e tij ishte e guximshme, humane, e urtë, kuptimplotë dhe me shumë porosi ). Skeptiku dhe dembeli që u duk atypari, e pyeti: Ç‘të duhet kufiri…, kurse ai tha: Më duhet ta di se deri ku mund të “ma fusin armiqtë…, deri te dera apo deri te thana!?”
Kjo e thënë e mësipërme nuk është vetëm një proverb a urtësi popullore, përkundrazi është një reflektim juridik, si dhe një filozofi politike (gjithsesi si diçka e domosdoshme për rrethanat tona)…, dhe jo rastësisht kjo shprehje sot e kësaj dite, lakohet nëpër fshatrat tona malore, po edhe në fjalorin e intelektualit, patriotit, prozatorit, politikanit, gjuhëtarit e tjerë. Kjo thënie ka një “gjymtim”, nuk i “shkon” qytetit, sepse thana, rrjedhimisht, nuk kultivohet në qytet dhe sikur të bëhet nuk “është në natyrën e tij”.
Parashtrohet pyetja – deri ku shtrihen kufijtë e marrëzisë sonë, deri ku shtrihen kufijtë e krimit të organizuar, ku janë kufijtë e nepotizmit, ku janë kufijtë e talljes dhe joseriozitetit tonë provincial, po pse jo edhe kolektiv…, pse vallë nuk na hyjnë në punë “shiritat e verdhë evropianë”, pse këta shirita nuk i hyjnë në punë atij “kapadaiut” (specie në zhdukje e sipër), i cili shpesh (me e pa arsye) e vë kësulën me strehë mbi sy a mënjanë sa për t’u treguar fukarenjve se si i ka punët në terezi dhe me tamam (pavarësisht se ato, i ka si “tërkuza në thes apo si dardha që e ka bishtin prapa!?”)…, një njeri që nuk ndërgjegjësohet për të vërtetën se moti i ka “firuar fiqiri”. Në këto pazare nuk ka mallra dhe prodhime që mund të shiten jashtë vendit. Se deri ku shtrihen kufijtë e së keqes në kulturë, në arsim, në politikë, në ekonomi dhe në veprimtari të tjera shoqërore, unë nuk e di.
“Paçka se shehërliu dhe shehri i tij paskan orkestër frymore?” kur…,
në këtë “Pazar të ri” po qoftë ai të jetë i vjetër…, i Tiranës, i Tetovës a i Shkupit, me kësisoj kufij të papërcaktuar, do të hetohet analfabetizmi muzikor, do të bastardohet kënga e vjetër qytetare ose ajo popullore. Në mungesë të kritereve dhe standardeve do të lindë muzika “tallava” e cila, lëre që nuk është pjesë a pjellë e folklorit (gojor) shqiptar, por na doli një kopje a riprodhim (i zbehtë dhe banal) i orientalizmit dhe provincializmit aziatik. E gjithë kjo rrëmujë e madhe si duket kundërshtimin, shqetësimin dhe heshtjen tonë prej varri e ka shtrirë “përfundi”. Lëre që kjo muzikë jona, dita-ditës gangrenizohet, por edhe rrezikohet që t’i zbehet edhe ai pak tharm identitar a kombëtar që i ka mbetur. E keqja e kësaj është se tekstet e këtyre këngëve, në vijimësi po shkruhen nga “bejtexhinnjtë” si ata të fshatrave të Indisë!? Mbase këto tekste do tu dedikohen këngëtareve anonime dhe gjysmëlakuriqe të dala nga “ahuret publike”, të cilat nuk e kanë për “gajle t’i këndojnë buzës, flokëve, belit, zogut dhe pse jo edhe prapanicës së çupëzës apo edhe çunit?”. Dhe kur profesionistët do të bëjnë përpjekje ta flakin këtë mut muzikë “tallava” rrezikohen të linçohen publikisht nga matrapazët, sidomos nga ata që “gatuajnë petulla me ujë”.

“Paçka se fshatari në fshatin e tij ka fakultet“…,

Këtë vështrim a opinion po e vazhdojmë duke iu referuar një lajmi, sa human po aq edhe fisnik, që disa ditë më parë erdhi nga një qytet shqiptar dhe që i dedikohet arsimit të lartë universitar. Ky “haber i mirë” lakohet kësisoj: “Qeveria ka vendosur të mbyllë disa universitete dhe shkolla në Shqipëri të cilat nuk i plotësonin kriteret. Vendimi është publikuar gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm vetë kryeministri dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, dhe ku u prezantua Raporti i verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në Institucionet e Arsimit të Lartë, publike e private në vend. Kryeministri…, nga ana e tij duke i cilësuar këto institucione si ‘skema piramidale’ shprehu keqardhjen për investimin e familjeve për fëmijët e tyre në këto shkolla”. Një burrë shteti i tha ndal “sallamadisë”, papërgjegjësisë, ndal injorancës, hipokrizisë, arrogancës dhe së fundi “tyxharit”, i cili ”blen dhe shet padijen”, i tha shporru këtej!?
Ka një proverb francez që tingëllon pak a shumë kështu:”NËSE DO TË HEQËSH QAFE NJË QEN, THUAJ QË ISHTE I TËRBUAR DHE ASKUSH S’DO TË THOTË GJË”. Sot, askush nuk ka të drejtë ta monopolizojë atdhedashurinë, ta monopolizojë historinë, politikën, kulturën… etj. Të gjithë kanë të drejtë të prodhojnë vlera.
* Bashkepunetor i DIELLIT ne Tetove

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, pazari i ri Tiranesm Tetova, Shkupi

Rrahje e deputetëve shqiptar për inatet e Njerkës në Maqedoni

August 26, 2014 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Opinioni në Maqedoni tashmë është dëshmitarë të rrahjeve të politikanëve shqiptarë midis tyre. Nuk është hera e parë që shqiptari vret apo rreh shqiptarin në sy të botës për interesat e huaja. Ky zakon tashmë është bërë pjesë e kulturës fatkeqe të shqiptarëve që vjen nga thellësia e historisë sonë kombëtare, që i ka rrënjët në vetëdije dhe në nënvetëdije, në mentalitet dhe dëshirat e shqiptarit për pushtet. Ky zakon lindi qëkur lindi BESA e shqiptarit dhe PABESIA e shqiptarit.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të jenë të kujdesshme kur thirren në emër të patriotizmit, kur rrihen në emër të shqiptarisë, opinioni i gjerë shqiptar e dinë fare mirë se në të vërtetë ata rrihen e çirren nga etjen për pushtet, etjen për të mbrojtur interesat e huaj. Politikanët shqiptar duhet ta dinë se askush nuk e ka ekskluzivitetin të çirret, të rrahin vëllanë e tij në emër të mbrojtjes së çështjes kombëtare. Tashmë populli shqiptar në Maqedoni ka vërtetuar se nuk ka më parti politike që mbron në të vërtetë çështjen e kulturës, arsimit kombëtar, por kemi politikanë që mbrojnë interesat e tyre për pushtet dhe interesat e huaj.
Çdo ish-ushtar i UÇK asnjëherë nuk ka dashur të ngrejë dorë kundër vëllait të tij shqiptar për interesat e huaja. Meqenëse historia shkruhet dhe regjistrohet në mendjen e popullit çdo tentativë dashakeqëse që bëhet në emër të shqiptarisë do ti humbi shpejtë vlerat e saja. Shqiptarët në Maqedoni janë të vetëdijshëm që asnjë parti politike e dalë nga gjiri i saj nuk mund ti mbrojnë më interesat kombëtare me rrahje dhe vrasje midis shqiptarëve. Shqiptarët që lanë kostumin e luftës dhe tashmë kanë veshur kostumin e politikës duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk i kanë më ato vlera të 2001, sepse kur hynë në profesionin e politikës duhet të jesh i kujdesshëm sepse kur gabojnë njerëzit që thirren në vlerat e luftës gabimet janë shumëfishë më të rënda dhe faji është shumë më i madh.
Unë jam i vetëdijshëm se pas çdo shkrimi kritik shkoj në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kam marrë parasysh të gjitha dhe gjënë më të keqe…!
E ndjeva detyrë morale si shqiptar, publicist, historian për ti thënë dy rreshta në lidhje për ngjarjet e fundit të shëmtuara që ndodhën midis politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Ngjarje që nuk duhet të ndodhin në të ardhme midis nesh, por përkundrazi duhet të bëhen mësim dhe tu shtrijmë dorën njëri-tjetrit për pajtim sepse nuk është turp, por Turp është të kemi Turp.

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, njerka Maqedoni, rrahja e deputeteve shqiptare

5 gratë më të pasura në SHBA

August 26, 2014 by dgreca

Shumica e grave, anembanë botës nuk janë bërë më të pasura se këto pesë gra, që janë në krye të të revistës Forbes, por në vend të shtimit të pasurisë ato kan trashëguar paratë e tyre, të mëparshme/
NGA BEQIR SINA, New York/
Syracuse New York : Çdo vit Revista Forbes publikon listat e nxjerra nga kjo revistë të njerëzve më të pasur në botë dhe grave. Në rastin e grave, shumë prej tyre kan mbetur në të njëjtat pozicione si kur ato ishin futur në listat e vitit 2011, duke përfshirë faktin se shumica e grave, anembanë botës nuk janë bërë më të pasura se këto pesë gra që janë në krye të të revistës Forbes, por në vend të shtimit të pasurisë ato kan trashëguar paratë e tyre, të mëparshme. Revista Forbes konstaton se shumë nga gratë më të pasura në botë janë amerikane.
Ndërkohë kjo është një listë e femrave më të pasura në SHBA:
Christy Walton 25.3 miliard dollar
Christy Walton është e veja e John Walton, i themeluesit të supermarketit amerikan Sam Walton Walmart. Pasi burri i saj John Walton vdiq në një aksident ajror në vitin 2006, Christy ka trashëguar pasurinë e tij duke përfshirë edhe atë të aksioneve të mjaftueshme për të bërë më shumë se 220.000.000 dollar në dividende të ndryshme në vetëm gjashtë muaj. Me vlerësimin e çmimeve të aksioneve të fundit Super marketi më i madh në SHBA Sam Walton Walmart, i cili është pasuria e familjes Walton ka vazhduar të rritet.
Alice Walton 23.3 miliard dollar
Alice Walton është bija e themeluesit Sam Walton Walmart dhe trashëgimtare në një pjesë të fatit të pasurisë së John Walton. Ajo kohët e fundit hapi një muze arti duke u shfaqur disa nga Super marketet gjigande anemabnë amerikës nga pasuria Walton. Edhe pse ajo është e përfshirë në mënyrë aktive në organizata të shumta bamirëse, reputacioni i saj ka qenë i turbulluar nga një serie arrestimesh të DUI-së.
Jacqueline Mars 13.8 miliard dollar
Jacqueline Mars bërë paratë e saj nga kompania e njohur M & Ms, Snickers, ushqimet e qenve dhe maceve dhe shumë prej produkteve të tjera, për njerëzit në përdorim të përditëshëm. Kompania Marsi aktualisht ka të ardhura prej 30 miliard dollar në vit dhe është kompania më e madhe në botë e ëmbëlsirave. Jacqueline Marsi është brezi i tretë i familjes Mars pas gjyshi i saj, Frank Marsi, i cili ka themeluar kompaninë në vitin 1911 vdiq shekullin e kaluar.

Anne Cox Chambers 12.5 miliard dollar

Anne Cox është bija e James Cox, themelues i Ndërmarrjeve më të mëdha Mediatike në në SHBA e quajtur Cox Enterprises. James Cox ka punuar fillimisht si mësues në një shkollë deri sa ka arritur për të bler një gazetë lokale në vitin 1898 e cila shkaktoi bum në biznesin mediatik amerikan që përfshin 17 gazeta, 15 stacione televizive dhe 86 stacione radio.
Abigail Johnson 10 3 miliard dollar
Babai Abigail Johnson, Edward Crosby “Ned” Johnson, kontrollon kompaninë mutuale Fidelity Investments e cila është kompania më e madhe në fondin e përbashkët në Shtetet e Bashkuara. Ajo është tashmë një nga drejtuesit më të lartë në këtë kompani, por nuk është një plan i përfolur suksesion në vend. Abigail Johnson filloi të punojë në Fidelity në vitin 1988 si një analiste dhe ajo ka marrë një Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Harvardit.
Ne Foto: Cristy Walton

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, me te pasura, pese grate, SHBA

Xhudistja Majlinda Kelmendi, e artë edhe në Botërorin në Rusi.

August 26, 2014 by dgreca

Shqiptarja nga qyteti i Pejës në Kosovë, Majlinda Kelmendi, sot ka mbrojtur titullin e kampiones së botës në Xhudo. Xhudistja pejane ka shkëlqyer në Botërorin që po mbahet në Rusi.
“Sot është një ditë kampionësh. Majlinda konfirmoi edhe në mes të Rusisë se është më e forta në botë dhe ylli ynë më i ndritshëm kosovar në sport. Urime Majlindës, trajnerit dhe gjithë ekipit kosovar”, shprehet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pak më parë.
Ndërsa media kosovare raporton se, Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë duke mundur rumunen Andrea Chitu.
Xhudistja jonë jo vetëm në sfidën finale, por edhe në të gjitha ndeshjet e zhvilluar në këtë eveniment të madh, ka treguar performancë të shkëlqyer, duke mahnitur gjithë pjesëmarrësit dhe tifozët e shumtë rusë, të cilët ishin në sallë.
Majlinda, në rrethin e parë fitoi pa “betejë”, ndërsa në rrethin e dytë e mposhti venezuelianen Vanessa Cortesia, në ndeshjen e tretë mundi Bundmaa Munkhbaatar, ndërsa, në gjysmëfinale gjunjëzoi rusen Natalia Kuziutinan, të cilën e kishte mposhtur edhe vitin e kaluar.
Aspak më mirë se sportistja ruse nuk kaloi as rumunia Andrea Chitu, e cila nuk ishte rivale e denjë për xhudisten tone që në mënyrën më të mirë të mundshme e përfaqësoi vendin tonë në Botërorin në Rusi.
Përfundimisht Majlinda Kelmendi lëshon tapetin e “nxehtë” të Rusisë kokë lartë me medaljen e artë, duke i bërë krenarë gjithë shqiptarët ku do që janë, thekson media.(B.Jashari)

Filed Under: Sport Tagged With: Kampione e Botes, Majlinda Kelmendi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT