• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

FOTOGRAFËT ATDHETARË TË SHKODRES …

August 22, 2014 by dgreca

Studio Marubi Shkoder,1932-Dr. Avokat PAULIN PALI (1914 – 1948) I mbytun në hetuesi të Shkodres, kur ishte 34 vjeç…
“Ëndrra ime ishte nji Kosovë e Lirë…” (Dosja 1333, Arkivi i Minstrisë së Mbrendshme Tiranë 1998)./
Nga Fritz RADOVANI*/
Qyteti i Shkodres asht djepi i kulturës dhe i artit Atdhetar Shqiptar.Krahas hapjes së shkollave fillestare private Shqipe dhe atyne të mesme të Jezuitëve dhe Françeskanëve në shek. XIX, në Shkoder, në djepin e artit të Saj u perkund edhe fotografia e parë e ardhun me Studio Marubi, në Trojet tona që në vitin 1850 – 1858.
Pietro Marubi iku nga Italia dhe i mbështetun tek Kleri Katolik Shqiptar e Ai Jezuit në Shkoder, mujti me u vendosë dhe me punue si fotograf në këte qytet, që ishte “syni i principatës”…
Asnjë nga “meritat’ e Klerit Katolik kjoftë Shqiptar apo i “huej” i vendosun që në She. XII në Shqipninë e Veriut, tue fillue nga shkollat Amtare e deri tek muzika, fotografia, muzeumet, sporti, stacioni meteorologjik, kinema, teatri, letersia ynë kombtare e Atdhetare, shtypshkronjat dhe librat apo të përditshmet që lulzuen në Shkoder, endè vazhdojnë mos me u zanë me gojë bashkë me gjenialitetet tona të papersëritshem…që, çdo veper të vet ua dedikuen Atdheut.
Fotografi Pietro Marubi (1834 – 1903) nuk ishte vetem mjeshter i fotografisë, po ishte artist dhe Mik i madh i yni, gja të cilen e verteton ndryshimi i Emnit në Gjuhë Shqipe: “Pjeter Marubi”.
Lidhja miqsore me familjen Shqiptare Kodheli, krijon mundsinë e trashigimit të profesionit dhe gjithë pasunisë së Pjeter Marubit, tek Mati Kodheli dhe trashigimtarët e Tij, të cilët, i trashiguen edhe emnin e Perjetshem të Tij, në “Studjo Marubi” Shkoder, deri tek i fundit Gegë Marubi.
“Studio Marubi” ishte çerdhe edukimi Atdhetar e Rinisë Shkodrane…
Shtëpia plot dritë e Atelies së Parë të fotografisë, shumë shpejtë kthehet në një nga çerdhet ma të besueshme të Atdhetarëve tanë, tue fillue nga Hamz Kazazi, Mati Logoreci, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Frano Ndoja, At Shtjefen Gjeçovi, Don Ndre Mjedja, At Anton Xaxoni, Kolë Idromeno e deri tek “nxanësi” i talentuem Shan (Mark) Pici, mbasardhës i denjë i asaj Studjo, që u edukue me të gjitha tiparet e një artisti dhe mjeshtri të madh të fotografisë së natyrës Shqiptare, kostumeve tona kombtare nder Malet e Bjeshkëve të Nemuna, zakoneve dhe dokeve të Shqiptarit, e deri tek një nga skutat “antishqiptare” të Malit të Zi, në pallatin e Krajl Nikollës apo të Ahmet Zogollit, e ma vonë të Enver Hoxhës, SOT janë dokumentët dhe faktet e Pakundershtueshme të Historisë së Vertetë të Trojeve të Shqipnisë Etnike.
Në moshë fare të re, 11 vjeç e ma vonë, pata fatin me njohë brezin e talentuem të fotografëve të Shkodres nga Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjeter Rraboshta, Angjelin Nenshati, Ndoc Kodheli, Luigjina Perdoda, Augustin Kiçi, etj., ma të rijë, per të cilët ruej kujtime të veçanta…
Nga viti 1970, mbas një vizite në shtëpinë e fotografit Shan Pici, me të cilin më lidhte një hallkë e vjeter nga paraardhësit tanë, me ftesen e Tij, kam shkue një javë në studio dhe kam pa ma shumë se 4000 filma të vegjel, nder zarfa të veçantë të kostumeve kombtare të Shkodres dhe të Malësive, të pejsazheve malore ku shenohej emni i vendit, naltësia dhe prej nga asht ba foto nga mjeshtri Shan Pici. Kur kam pa portretet e Burrave të Malësisë, të nuseve të atyne krahinave apo të stajanicave dhe fëmijëve me fëtyra të vranta nga vorfnia… jam mahnitë me arritjet “bardh’ e zi” të Atij Artisti aq të madh e aq të thjeshtë që kisha fatin me pasë perballë meje: Një gjeni!
Nuk dijshe me kuptue si ka mërrijtë me fotografue në fillim të shek. XX, vajza e nuse malësore, dhoma fjetje të atyne krahinave të mbylluna shekullore, gra që kanë lindë fëmijë dhe porsa kanë “hy nder uratë”, pra, mbas pak ditësh bajnë zakonin fetar dhe fillojnë daljen nga shtëpia, apo vargun e vajzave të bukura që shkojnë tek kroni me buljera… kur vetem me të shkue mendja me i folë rrugës të “ka krisë pushka mu në lule të ballit”, Artisti Shan Pici, i perjetson nder filma!
Pyeta mesen e Tij zj. Vera Zadrima (Kiçi), me të cilen kemi punue në fabriken e Pelhurave, dhe
Veronika, më ka shpjegue se shumë nga fotot e vështira të asaj kohë, madje, edhe të pamujtuna me u mendue me u ba atëherë, Shani i ka krye me anën e miqësisë që kishte formue me priftnit dhe mësuesit e atyne krahinave. Këta dy figura në fshat nderoheshin dhe respektohëshin pa u diskutue fjala e tyne. Ata i siguronin fshatarët se kjo foto nuk ka asnjë qëllim të keq dhe, se, Shani, asht nga ata burra të ndershëm që nuk e shpërdoron besimin e tyne.
Mbas marrjës së këtij thesari nga shteti komunist, Shanit i patne prishë edhe shtëpinë ku banonte, gjoja se i ra plani, kështu, Ai nuk bani ma ditë të mirë. Edhe ky ma shumë plasi, se vdiq!

Lexoj nder shumë shkrime sesi fotografët e Nderuem të Shkodres… Ua “dhuruen” të gjithë ato thesare të kulturës dhe artit që ishte mundi dhe djersa e Tyne shtetit komunist! Të shkruhej atëherë kur fshatarët hynin nder të famëshmet kooperativa bujqësore me “dëshiren” e tyne, edhe mund të pranohej, se nuk mund të thohej e shkruhej ndryshej… Po, me e thanë sot, nuk dij kush mund ta besojë! Një nga pinjollet e Familjes Gegë Marubit asht edhe zj. Tereza Marubi, që e ka tregue vetvetën me 2 Prill 1991. Ajo shpjegon: “Në vitin 1972 me një leter personale të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror Enver Hoxha, Gega ia dorëzon shtetit arkivin e gjithë Marubëve. “Ishte diçka që im atë e beri me dhimbje”… Besoj asht thanë gjithshka! Edhe kjo asht një e vertetë, që “shvlerson” thanjen se, “fotografët i dhuruen arkivat e Tyne shtetit”…
Pak ditë mbasi ia morën edhe fotografit Shan Pici arkivin e Tij, e takova në rrugë e me gjysëgoje i shpreha keqardhjen time per plaçkitjen… Jo, më tha, kanë ba shumë mirë që na hoqne nga shtëpia një telashe të madhe… Sa arrestohej një njeri, mbas dy orësh e shpesh edhe në mesnatë na trokiste dera. Ne ishim të parët që merrshim vesht çdo arrestim në Shkoder e Malësi. Vinin oficerët e sigurimit dhe na kerkonin fotot e tyne nder martesa apo raste të tjera, per me krijue lidhjet e të arrestuemit me miqtë dhe të njohunit e tyne nder foto. Të pakten, tashti flejmë rahat dhe nuk na troket dera ma naten nga ata që vetem mendojnë me ba keq, tash gati 30 vjetë…

***
Një kuriozitet…
Në vitin 1956 nuk ishe mirë me shëndet. Në vitin 1957 bana një foto per dokumentin e maturës. Shkova një ditë mbasdreke bashkë me vllaun e madh Alfonsin, tek studjo “Jakova”. Ai kishte bisedue perpara dhe caktue edhe oren kur do të shkonim. Porsa hyme mbrendë, aty ishte një nga mësuesit e mij të muzikës…në vitin 1951 në shkollen 7 vjeçare “Vasil Shanto”, kompozitori i madh Prenkë Jakova, vllau i fotografit Dedë Jakova. Prenka na ftoi mbrendë në studio dhe më vendosi perballë aparatit fotografik. Rregulloi dritat, pozicionin tim dhe mbas pak minutash Ai shkrepi aparatin… E persëriti edhe një tjeter per siguri, dhe na tregoi kur asht foto gati…
Kur dolëm jashtë me vllaun tim, Ai më shpjegoi se Kompozitori Prenkë Jakova, ishte nder ma të mirët mjeshtra të fotografisë në Shkoder dhe se, fotot ma të bukura në vitrinen e Foto Jakovës, i ka ba dhe retushue vetë Kompozitori Prenkë Jakova. Foto e ime siper asht ajo e vitit 1957…
Një kujtim nga një Burrë… nder ma të mëdhejtë Atdhetarë të Shqipnisë!
Vazhdon Pjesa e tretë…
Melbourne, 2014.
* Pjesa e II

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: FOTOGRAFËT ATDHETARË, Fritz radovani, TË SHKODRES ...

Takimi i shoqatës së ish të burgosurve politik me artistin, poetin dhe veprimtarin Sylë Muja!

August 22, 2014 by dgreca

Reportazh nga Rugova e Pejës,gusht 2014/
Ne Foto: Takim i tre ish të burgosurve në burgun e Nishit Muhamet Rugova,Sylë Muja dhe Asllan Dibrani në Atelienë e Sylë Mujes në Pejë./
Nga Asllan Dibrani/
Lëvizjet e kësaj vere dhe pushimet e gushtit nuk i la të zvetënuar edhe “Shoqatën e ish të burgosurve politik të Kosovës. Ata zgjodhën pikërisht Pejën t’ja mësyjnë të shoku ynë dhe krijuesi Sylë Muja. Fillimisht pikëtakimi ishte në Atelienë e Sylë në qytetin e bukur të Pejës.
Bukurinë e tij e zbukurojnë vargmalet e bjeshkëve të Grykës së Rugovës. Gurgullima e ujit të kthjellet dhe të ftohtë , është një inspirim për piktorët , krijuesit dhe artistët që të përfitojnë një pasion në krijimtarinë e tyre! Ky takim ishte me ish të burgosurin politik, pjesëmarrësit i demonstratave studentore ne vitin 1981 dhe çmallja , rikujtimet e asaj kohe dhe sfidave që kishim për ardhmërinë e Kosovës për tu çliruar nga çizmja e sllavo-Serbisë!. Me rastin e takimit me Syle Mujaj, ish të burgosurin politik, veprimtarin e kauzës kombëtare, njeriun me vlera të larta atdhetarie,kulturore dhe artistike. Një takim i tillë ishte një plotësim i një boshllëku të viteve pa u parë në mes veti, njerëzit që i paraprimë rrënimit të ish Jugosllavisë cariste.
Ateleu i Syle Mujes në Peje në lagjen që u bë rezidenca e rinisë studenteve dhe profesorëve të këtij qyteti kundër barbarisë serbe . Atelieu, arti ishte që mahniti pjesëmarrësit në ketë takim ane kënd e mbushur me punim artistike . U kënaqen që në atë atelie janë publikuar veprat e Syle Mujes nga të gjitha motivet të realizuara në dru . Të skalitura dhe të përpunuara me fshehtësitë e artit në stilin e realizmit. Po në muret e kësaj atelieje shihe edhe veprat e realizuara në vaj.
Në këtë promovim pikërisht në muajin e pushimeve nën organizimin e Shoqatës së të burgosurve politik janë të ftuar të gjithë miqtë e artistit Sylë Mujaj, ku edhe ju nda një mirënjohje në shenjë respekti për punën dhe aktivitetin e tij si krijues dhe veprimtar nga Shoqata e ish të burgosurve politik.
Pikëtakimi nuk la pa i kushtuar edhe një debat mbi të kaluarën e sfidimit nga pushtuesit serbo-sllav. Këta burra dhe patriotë qe i dolën zot atdheut me veprimtari revolucionare antijugosllave, ishin të paret në Evropë që thyen akullin dhe pushtimin barbar të hekurt të ish Jugosllavisë mbi shqiptaret e Kosovës. Takimi i dha një prioritet ti përkushtohet edhe një debati edhe periudhës së lavdishme në kohën e luftës së Kosovës që prapë ish të burgosurit politik ishin protagonistet kryesor që sakrifikuan të kalavaren e vet për të tashmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar, që të jetë i barabartë në familjet e Evropës.
Në këtë takim nuk mbeten pa u prek edhe ngjarjet e fundit qe e kanë kapluar Kosovën tonë të shumë vuajtur, nga terrorizmi si pjellë e huaj në mesin e të rinjve shqiptar, duke i arrestuar si terrorist te ekstremit islamik me ç’rast u gjykuan si akte antikombëtare dhe të dëmshme për Kosovën.
Ata bënë një zëri thirrje që të bashkohemi të gjithë ish të burgosurit politik duke e shprehur revoltën e vet që të ruhet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, nga kush do që të jetë në krye të vendit . Për ta nxjerr Kosovën nga Këneta, duhet që këto forca të prira me ekstremizëmi ,si vegla të huaja si vehabiste të paraqitur si intelektual fallco, të eliminohen nga veprimet e mëtutjeshme të dirigjuar nga Beogradi Moska dhe Athina u tha nder të tjera.

Në këtë ngjarje të rastit ishin të gjithë miqtë e fatit të njëjtë të artistit, të cilët gjetën mundësinë dhe kohën për ta nderuar mikun dhe shokun e idealit të përbashkët. U pasqyruan edhe të metat e shoqërisë kosovare qoftë institucionale apo qeveritare qe i anashkaluan vlerat tona për çka mbajtëm burgjet dhe u sakrifikuam. Luftuam për një liri të mirëfilltë të popullit e jo për anarki , korrupsion , hajnin dhe kriminalitet qe mbizotëron në vendin tonë, me një fjalë një politikë jo produktive në trendin kombëtar. Pas përfundimit në Peje rruga gjarpërore na shpie për Gryken e Rugovës, bukurive natyrore të Rugovës me një aromë nga peizazhet e bukura të natyrës se thepisur me shkëmbinjtë qe flasin vet. Vargmalet posa kishin filluar të marrin shumë ngjireshin e vjeshtës me nuancat e tyre shkëlqyese. -Udhëtimi me pamje piktoreske të Rugovës na shpinte në thellësinë dhe brendësinë e kësaj krahine , aq shumë na shoqëronte freskia , ajri i pastër , aroma e mire e luleve sa qe vështirë është të përshkruhen me anën e penës. Kudo qe shkelem cicërima e zogjve na shoqëronte,dëfilimi i shtazëve të egra e tërhiqte syrin dhe kureshtjen që ti kemi sa ma afër veti etj. Zemrat tona i pushtonte mrekullia e kësaj ane që shumë kush e ka lakmi ta shijoj atë bukuri , atë vlerë që perëndia diti tu falë shqiptarëve ,por as një periudhë qeveritare nuk diti ta shfrytëzoj këtë kapital për turizëm kosovar si të tillë ne interesin edhe të vet Kosovës.
Festë artistike u përjetuar në fshatin Dukaivë të Rugovës!
Pjesëmarrës ishte pos ansamblit Rugova edhe një ansambël nga Shqipëria nga të cilat jehoj kënga dhe vallja .U recituan vargje, nga poetet e mëdhenj po edh nga vet krijuesit dhe bijtë e kësaj ane Sylë Mujaj dhe Ali Lajqi. Kënduan atë qe buronte nga zemra e shpirti i tyre artistik sikur burrat e kënaçeve dhe të besës shqiptare.
U përshëndetëm si miq të vjetër, shkundëm kujtimet e të se kaluarës me ngjasonte tubimi në kuvendimet qe i kishim edhe në burgun e Nishit. Një mollë është ndarë edhe ne 3 e 4 veta ,apo një pako cigare është ndarë edhe ne 22 shokë, për ata që e kanë pirë duhanin. Ka kohë që se kishim parë njeri tjetrin pas sa vitesh.
U mblodhën të gjithë ata që kishin sakrifikuar jetën e rininë për shijimin e lirisë se këtyre trojeve shqiptare nga pushtuesve dhe zaptuesve, pikërisht për vlerat qe i kanë kto troje të shtrenjta për ne shqiptarët! Zëri i këtyre krijuesve si Syle Mujaj , Hydaje Hyseni, Muhemet Rogova , Ali Lajqi , Selatin Novosella , Meriman Braha dhe Agim Sahiti dhe Asllan Dibranit në takimin paraprak etj .-Këta sikur i kurorëzuan zërat me zanën e malit siç u shpreh edhe Syle Muja “Gëzimi ishte i madh, kur në Dukaivë ishte Zana e Malit, e cila më dha kurajën që ta mundi pushtuesin serbo-sllav, ta mundi burgun, ta mundi edhe (sëmurjen e keqe), e te ndihem mire, tha i mallëngjyer Sylë Muja.

Biografia e artistit dhe veprimtarit Sylë Mujaj :

-Sylë Mujaj, u lind në vitin 1958, në fshatin Dukaivë te Rugovës. Shkollën fillore e të mesmen i kreu në vendlindjen e tij. Studimet e larta i ndoqi në Prishtinë si inxhinier i agronomisë.
Para se të mbaronte studimet, arrestohet nga policia, serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore në vitin 1981 me ç’rast dënohet me 10 vjet burg. Në fillim qëndroj në burgun e Prishtinës dhe në nëntorin e 1981, transferohet në burgun famëkeq “Hekur e beton” të Nishit – në Serbi. Në këtë kamp qëndron deri në vitin 1990. Shtatë vite e dy muaj i kalon në të ashtuquajturin “grupa pojaqanih nadzora”, (izolim të rënd).
Me ndihmën e Amnesty internacional dhe Komitetit te Helsinkit lirohet nga burgu.

Pas daljes nga burgu ,Sylë Mujes si rrugë e veprimtarisë i mbeti emigrimi drejt Zvicrës,ku jeton edhe aktualisht së bashku me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët. Aty pos pikturës ai ju rek edhe poezisë me vargjet e mallit për atdheun. Krijoj vargje tronditin paraqiti si në poezi ashtu edhe në pikturë, nxirrte peshën e prangave, vuajtjeve dhe padrejtësive për shqiptarët nën regjimin jugosllav!. Po edhe portretet e ndryshme për shokët e burgut, familje , peizazheve flasin vet me një gërshetim artistik.
I mbyllur në mes betonit dhe hekurit, bashkoj dhimbjen dhe shpresën, herë me poezi e herë më pikturë, nëpërmjet artit të tij realist, të nxjerrura nga burgu i Nishit .
-Sylë Mujaj ka ekspozuar punimet e tij në katër ekspozita personale të hapura dy në Zvicër, një në Itali dhe Kosovë. Është pjesëmarrës i themelimit të shume shoqatave , i dekoruar disa here .Po ashtu i ka dal me përmbledhje veprash të veta duke u vlerësuar shumë deri me ndarjen e çmimeve etj.
Familja Mujaj në Dugaivë Rugovë
– U ndamë së bashku duke uruar që të takohemi sërish në ndonjë takim . Marrim udhën për në Prishtinë me mbresat më të mira për takimin .Lëmes këtyre mbetet që të vlerësohet mërgata shqiptare dhe krijuesit e saj të shpërndarë nëpër botë. Le të mbetet ky takim si mesazh i ruajtjes së vlerave ndaj ish të burgosurve politik edhe si krijues që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në jetën dhe ngjarjet moderne shqiptare në art po edhe në Politikë si brenda në Kosovë edhe jashtë saj , që përmes artit dhe kulturës ti arrijmë objektivat tonë . Faleminderit poeti Syle Muaja , faleminderit të pranishëm dhe bashkëveprimtarët e mi qe ditët dhe guxuat t’i dilni zot atdheut atëherë kur ishim burgosur ,tash dhe në të ardhmen e atdheut tonë të shtrenjtë. Nuk është keq të bëhen takime tradicionale në të ardhmen në poezi, pikturë dhe krijimtari tjetër në të ardhmen .
Reportazh nga Rugova e Pejës,gusht 2014

Filed Under: Reportazh

Njohuri mbi shenjtorët Flori dhe Lauri

August 22, 2014 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Zhurma e bërë për kishën e gjetur në Kosovë ku deklarata e shefit të arkeologëve turku Haluk Cetinkay deklaroj se “Një pjesë e Kishës u zbulua më 2013, sivjet e kemi zbuluar të tërën. Është ndër më të vjetrat ndonjëherë të zbuluara. Jam i bindur, sipas testeve shkencore, kjo faltore u kushtohet dy shenjtëreshave Flora dhe Laura që e kanë prejardhjen nga Konstandinopoja, pra Stambolli i tashëm”, tha Cetinkaya. Pra, nga deklarat mësojmë se emrat janë të gjinisë femërore, por zhurma e madhe nëpër forumet në internet dhe media të tjera thonë se bëhet fjalë për Shenjtorët Flori dhe Lauri, martirë të krishterimit në shek.2.
Kush janë Shën Flori dhe Lauri
Shënjtorët Flori dhe Lauri sipas legjendës ishin binjakë dhe punonin gurëgdhëndës. Ata ishin me origjinë nga Konstandinopoja, por ishin vendosur në Ulpianë, Dardani, (sot Kosovë) që i përkiste Ilirisë. Flori dhe Lauri zanatin e gurëgdhëndësit e kishin mësuar nga dy ustallarë Maksimus dhe Proculus, të cilët ishin të krishterë.
Sipas legjendës, Likaion, prefekti i Ilirisë i punësoj dy vëllezërit në ndërtimin e një Tempulli pagan. Pasi mbaruan punën të hollat që fituan Flori dhe Lauri ua dhanë të varfërve. Pas disa kohësh plagoset djali i priftit të qytetit i quajtur Mamertin nga një gurë që i ra nga Tempulli që ndërtuan Flori dhe Lauri. Të dy vëllezër e shëruar djalin e priftit dhe pas kësaj prifti pagan me familje e tij u konvertuan në të Krishterë. Gjatë viteve në Tempullin që ndërtuan Flori dhe Lauri vini shumë të krishterë të cilët prishën të gjitha statujat pagane duke vendosur mbi Tempull një kryq gjigantë. Si pasojë i këtij veprimi të dhunshëm nga ana e rreth 300 të krishterëve me në krye Flori dhe Lauri, autoritetet vendore dogjën priftin pagan i cili ishte kthyer në i krishterë bashkë me djalin e tij. Ndërsa Flori dhe Lauri u hodhën në një pus të thatë dhe u mbuluan me dhe.
Më tej legjenda thotë se në gërmadhat e pusit janë gjetur relikat e vëllezërve Flori dhe Lauri e më tej një shoqatë e martirëve i dërgoj me kuaj në Konstandinopojë. Për ekziston e këtyre relikave ka dëshmuar në vitin 1200 një pelegrin i quajtur Antonio. Ndërsa Stephen Novgorod i ka parë kokat e dy martirëve më 1350 në Manastirin e Pantokrator.
Shën Flori dhe Lauri respektohen në Rusi të treguar në ikona të hipur në një kalë. Në ditën e e tyre të festës fshatarët rus nuk i dërgojnë kuajt në punë nga frika e mallkimit, por i dërgojnë në kishë për ti bekuar prifti për shërimin e plagëve nëse kanë.
Në Kiev gjendet Manastiri Florovsky që i kushtohet martirëve binjak Shën Flori dhe Lauri.
Kush janë shenjtoret Flora dhe Laura
Ashtu siç e thamë më lartë shefit të arkeologëve turku Haluk Cetinkay deklaroj se bëhet fjalë për dy shenjtëreshave Flora dhe Laura. Pra, gjinia femërore. Shën Laura u vra nga osmanët më 1453, kur ra Konstandinopoja. Shën Laura lindi në Greqi në një familje Fisnike latine, babai i saj ishte kalorës i quajtur Michael Trasci-Trashi dhe nëna e saj ishte shqiptare nga Pulati i Shkodrës. Emri i saj i vërtetë ishte THEODOLINDA – ZOTI DO LINDË. Ajo u bë e para murgeshë në një Manastir abaci. Më 29 Maj 1453, otomanët dogjën Laurën bashkë me 52 motra të tjera murgesha të Manastirit. Dita e 29 Majit është festa e Shën Laurës. Shën Laura respektohet dhe festohet shumë në Spanjë.
Shën Flora është një murgeshë që ka lindur në Francë më 1309. Ajo u bë murgeshë më 1324 dhe u dërgua me shërbim në Jeruzalem ku edhe vdiq. Thuhet se në varrin e saj kanë ndodhur shumë mrekullia. Shën Flora ska të bëj fare me kishat në Kosovë.
Përfundimi
Prandaj mendoj se kisha e gjetur nga arkeologët turq në Kosovë ka të bëj me dy vëllezërit binjak Shën Flori dhe Lauri, besoj se gjatë intervistë do të jetë bërë ndonjë gabim në shprehje për Shën Flora dhe Laura. Megjithatë si do që të jetë kemi të bëjmë me fakte të pamohueshme se Kosova është një vend i pazbuluar nga arkeologët.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Flori dhe Lauri, Njohuri mbi shenjtorët

KU U GABUA?

August 22, 2014 by dgreca

I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, nga zhvillimi ekonomik, niveli i edukimit apo arritjet shkencore, qytetërimi islam, dikur i fuqishëm, sot ka mbetur shumë prapa. Mjaft njerëz në Lindjen e Mesme ia hedhin fajin faktorëve të jashtëm. Por problemet e botës muslimane përgjithësisht kanë në bazën e tyre një arësye të thjeshtë: mungesën e lirisë./
NGA BERNARD LEWIS/*
Gjatë shekullit të 20, u bë e qartë se në Lindjen e Mesme, në fakt në të gjitha vendet ku sundon Islami, gjërat kishin shkuar shumë keq. Krahasuar me Krishtërimin, rivalin e tij qindravjeçar, bota e Islamit ishte dobësuar, kishte rënë në varfëri dhe injorancë. Perëndimi kishte dalë në vend të parë dhe dominimi i tij ishte i dukshëm. Ai ishte shtrirë në çdo aspekt të jetës publike të muslimanëve, madje çka ishte më e dhimbshme, kishte hyrë edhe në jetën e tyre private.
Ithtarët e modernizimit me reformë apo me revolucion të botës islame i përqendruan përpjekjet në tre aspekte: ushtarake, ekonomike dhe politike. Por rezultati ishte zhgënjyes, për të thënë më të paktën.Përpjekjet për të arritur fitore me ushtri moderne sollën një sërë disfatash të hidhura.Edhe përpjekjet për zhvillim ekonomik nuk patën sukses.Në disa vende ato çuan në ekonomi të varfëra dhe të korruptuara, që vareshin te ndihmat e huaja.Në disa vende të tjera sollën varësinë te nafta si burimi i tyre i vetëm.Madje edhe nafta e tyre nxirrej me anë të shkencës perëndimore dhe shfrytëzohej nga industria perëndimore. Herët a vonë, ajo është e destinuar të shterrojë ose ndoshta të anashkalohet nga përdoruesit e energjisë, tani që komuniteti ndërkombëtar po e kupton gjithnjë e më tepër ndotjen që ajo i sjell tokës, detit dhe ajrit gjatë përdorimit ose transportit, po e kupton se nafta e lë ekonominë botërore në mëshirë të një klike autokratësh kapriçozë. Më e keqja e të gjithave janë rezultatet politike: përpjekjet e gjata për liri kanë lënë në Lindjen e Mesme një sërë tiranish mjerane, duke filluar nga autokracitë tradicionale e deri te diktaturat, të cilat janë moderne vetëm në aparatin e tyre të shtypjes dhe të indoktrinimit.
Për shërimin e gjendjes u provuan formula të ndryshme: armatime dhe uzina, shkolla dhe parlamente, por asnjëra nuk dha rezultatin e dëshiruar. Aty-këtu ato çuan në ndonjë zbutje të problemeve dhe për disa elementë të kufizuar të popullatës sollën ndonjë përfitim.Por ato nuk e ndreqën, madje as që e frenuan disbalancën në rritje mes Islamit dhe botës perëndimore.
Dhe kjo nuk ishte e gjitha.Muslimanët ndiheshin keq që, pas shumë shekujsh pasurie dhe fuqie, ishin bërë të varfër e të dobët, që kishin humbur pozitën udhëheqëse, të cilën e konsideronin si të drejtën e tyre dhe që kishin përfunduar në rolin e ndjekësve të Perëndimit. Por shekulli i 20, sidomos gjysma e tij e dytë, u solli një poshtërim të mëtejshëm, kur ata e kuptuan se nuk ishin më as në radhët e para të këtyre ndjekësve, por po mbeteshin prapa në sërën e gjatë të vendeve që po modernizoheshin sipas shembullit të Perëndimit, sidomos atyre në Azinë Lindore. Ngritja e Japonisë ishte një inkurajim por edhe një qortim.Ngritja e mëvonshme e fuqive të tjera ekonomike aziatike solli vetëm qortim.Trashëgimtarët krenarë të qytetërimeve të lashta ishin mësuar tashmë të paguanin firma perëndimore për të realizuar gjëra që teknikët dhe kontraktorët e tyre nuk i bënin dot.Sundimtarët dhe biznesmenët e Lindjes së Mesme e panë tani të udhës të ftonin kontraktorë dhe teknikë nga Koreja, e cila vetëm pak dekada më parë kishte dalë nga sundimi kolonial japonez. Nuk është mirë të ndjekësh dikë nga pas, por është shumë më keq kur e ndjek duke çaluar. I parë nga të gjitha standardet e botës moderne, siç janë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës, niveli i shkollimit, arritjet në edukim dhe shkencë, liria politike dhe respekti për të drejtat e njeriut, ky qytetërim dikur i fuqishëm, tani ka rënë mjaft poshtë.
“Kush na e bëri këtë?” është reagimi më i natyrshëm i njerëzve kur punët nuk shkojnë mirë.Këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë shumë njerëz në Lindjen e Mesme.Zakonisht është më e lehtë t’ua hedhësh fajin të tjerëve për hallet e tua.Për një kohë të gjatë, fajtorët më të zakonshëm ishin mongolët. Pushtimeve mongole të shekullit të 13 u hidhej faji për shkatërrimin e fuqisë dhe të qytetërimit islam si dhe për dobësinë dhe stanjacionin që pasoi. Por pas një farë kohe, historianët, muslimanët dhe të tjerët kuptuan se ky argument kishte dy të meta: Së pari, disa nga arritjet më të mëdha kulturore të Islamit, sidomos në Iran, erdhën pas dhe jo para pushtimeve mongole. Së dyti, një fakt më i vështirë për t’u pranuar, por i pamohueshëm ishte se mongolët përmbysën një perandori, e cila tashmë ishte e dobësuar për vdekje; përndryshe është e vështirë të kuptosh se si perandoria dikur e fuqishme e kalifëve mund të kapitullonte përpara një hordhie kalorësish endacakë që vinin nga stepat e Azisë Lindore.
Rritja e nacionalizmit, që në vetvete ishte importuar nga Europa, solli perceptime të reja.Arabët mund t’ua hidhnin fajin për problemet e tyre turqve, që i kishin mbajtur nën sundim prej shekujsh. Nga ana e tyre, turqit mund t’ua hidhnin fajin për stanjacionin e qytetërimit të tyre peshës së vdekur të së kaluarës arabe, në të cilën kishin mbetur të paralizuara energjitë krijuese të popullit turk. Persët mund t’ia hidhnin fajin për humbjen e lavdisë së tyre të lashtë arabëve, turqve dhe pjesërisht mongolëve.
Në shekujt e 19 dhe 20, dominimi britanik dhe francez në një pjesë të mirë të botës arabe solli një element të ri dhe të pëlqyeshëm ku mund të kërkohej faji: imperializmin perëndimor. Në Lindjen e Mesme ka patur mjaft arsye ku mund të bazohej një akuzë e tillë. Dominimi politik perëndimor, depërtimi ekonomik i Perëndimit dhe sidomos ndikimi i tij kulturor, që ishte më i gjatë, më i thellë dhe më tinzar se gjithçka tjetër, ia ndryshuan faqen rajonit dhe transformuan jetën e popujve të tij. Ky element u solli atyre drejtime të reja, zgjoi shpresa dhe shqetësime të reja, krijoi rreziqe dhe pritshmëri të reja, të papara në të kaluarën e tyre kulturore.
Por dominimi anglo-francez ishte relativisht i shkurtër dhe mori fund gjysmë shekulli më parë, ndërkohë që tatëpjeta e Islamit kishte filluar shumë kohë më parë dhe vazhdoi parreshtur pas kësaj.Në mënyrë të pashmangshme, roli prej fajtori që u atribuohej britanikëve dhe francezëve u zëvendësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas aspekteve të tjera të lidershipit perëndimor.Përpjekja për ta transferuar fajin tek Amerika ka fituar mbështetje të konsiderueshme, por, për arsye të ngjashme, nuk është bindëse edhe sot e kësaj dite. Sundimi anglo-francez dhe ndikimi amerikan, ashtu si edhe pushtimet mongole, ishin pasojë dhe jo shkak i dobësive të brendshme të shteteve dhe shoqërive të Lindjes së Mesme. Disa vëzhgues, brenda dhe jashtë rajonit, kanë vënë në dukje se ka patur diferenca në zhvillimin post-kolonial të ish zotërimeve britanike, për shembull mes Adenit në Lindjen e Mesme dhe Singaporit apo Hong Kongut, ose mes viseve të ndryshme që dikur ishin pjesë e Perandorisë Britanike në Indi.
Një tjetër element europian në këtë debat është anti-semitizmi dhe hedhja e fajit hebrejve për të gjitha problemet. Hebrejtë, në shoqëritë islamike tradicionale kanë provuar kufizimet normale dhe rreziqet e herëpashershme që sjell statusi i të qenit pakicë. Para lindjes dhe përhapjes së tolerancës perëndimore në shekujt e 17 dhe 18, ata jetonin më mirë nën regjimet muslimane se në ato të krishtera, në aspektet më të rëndësishme. Me përjashtime të rralla, aty ku në traditën islame ekzistonin paragjykime armiqësore ndaj hebrejve, përgjithësisht shoqëritë islame ushqenin më tepër përbuzje dhe mospërfillje se sa dyshime apo fiksime kundër tyre. Prandaj, ngjarjet e vitit 1948, dështimi i përpjekjeve për të penguar krijimin e shtetit të Izraelit, u pritën me tronditje. Siç vinin në dukje disa autorë të asaj kohe, të mundeshe nga fuqitë e mëdha imperialiste të Perëndimit ishte poshtëruese; të pësoje të njëjtin fat në duart e një bande të përbuzur hebrejsh ishte e padurueshme. Anti-semitizmi dhe imazhi i tij për hebrejtë si një monstër e ligë që thur vazhdimisht plane të fshehta, u kthyen në një antidotë për të qetësuar dhembjen.
Deklaratat e para anti-semite në Lindjen e Mesme u bënë nga pakicat e krishtera dhe u ngjanin atyre që e kishin zanafillën në Europë.Ndikimi i tyre ishte i kufizuar.Për shembull, gjatë gjykimit të çështjes Dreyfus në Francë, kur një oficer hebre u akuzua padrejtësisht dhe u dënua nga një gjykatë që u tregua armiqësore ndaj tij, komentet e muslimanëve zakonisht ishin në favor të hebreut dhe kundër përndjekësve të tij të krishterë.Por helmi vazhdoi të përhapet dhe, duke filluar nga viti 1933, Gjermania naziste bashkë me agjenturat e saj, ndërmorën një fushatë të orkestruar dhe përgjithësisht mjaft të suksesshme për të nxitur anti-semitizmin e stilit europian në botën arabe. Lufta për Palestinën e lehtësoi mjaft pranimin e interpretimit anti-semit të historisë, duke i bërë disa njerëz t’ia atribuonin çdo të keqe në Lindjen e Mesme, madje në të gjithë botën, komploteve të fshehta të hebrejve. Ky interpretim ka mbizotëruar një pjesë të mirë të diskursit publik në rajon dhe kjo pasqyrohet mes të tjerash në arsim, në media madje edhe në botën e argëtimit.
Një argument që përdoret herë pas here është se shkaku i ndryshimit të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit nuk qëndron te rënia e Lindjes së Mesme por te ngritja e Perëndimit, te zbulimet dhe revolucionet shkencore, teknologjike, industriale dhe politike që e transformuan Perëndimit dhe e shtuan mjaft pasurinë dhe fuqinë e tij. Mirëpo, një argument i tillë të shtyn ta shtrosh pyetjen ndryshe: Përse atëherë zbuluesit e Amerikës u nisën nga Spanja dhe jo nga ndonjë port musliman i Atlantikut, nga të cilët për hir të së vërtetës ka patur përpjekje në kohë më të hershme? Përse zbulimet e mëdha shkencore ndodhën në Europë dhe jo, siç mund të pritej, në botën më të pasur, më të përparuar dhe në disa aspekte më të iluminuar të Islamit?
Një formë më e sofistikuar e lojës së fajit i gjen fajtorët brenda dhe jo jashtë shoqërisë islame. Një fajtor i tillë është feja, madje për disa, është vetë Islami.Por, t’ia hedhësh fajin Islamit është zakonisht e rrezikshme dhe përpjekje të tilla nuk bëhen shpesh, nuk është as shumë bindëse si arsye.Gjatë pjesës më të madhe të Mesjetës, qendrat kryesore të qytetërimit dhe përparimit nuk ishin as kulturat e vjetra të Lindjes dhe as ato të reja të Perëndimit, por ishte bota e Islamit.Atje u rigjallëruan e u zhvilluan shkencat e vjetra dhe u krijuan të reja; atje lindën industri të reja, prodhimi dhe tregtia u përhapën në nivele të papara.Atje qeveritë dhe shoqëritë fituan një liri të tillë mendimi dhe shprehjeje që i bëri hebrejtë e përndjekur madje edhe disidentët e krishterë të iknin nga Krishterimi për të kërkuar strehë në Islam. Në krahasim me idealet moderne, madje edhe me praktikën moderne në demokracitë më të përparuara, bota mesjetare islamike ofronte liri të kufizuar, por kjo ishte shumë më tepër se sa ofronte çdo paraardhës i saj, shoqëritë e tjera të kohës apo shumica e atyre që do ta pasonin.
Shpesh bëhet pyetja: Nëse Islami është pengesë për lirinë, për shkencën dhe për zhvillimin ekonomik, atëherë si ka mundësi që shoqëria islame në të kaluarën ka qenë pioniere në të treja këto fusha dhe kjo kur muslimanët ishin shumë më afër në kohë nga burimet dhe frymëzimi i besimit të tyre se sa janë tani? Disa e kanë formuluar pyetjen ndryshe; jo “Çfarë u ka bërë Islami muslimanëve?”, por “Çfarë i kanë bërë muslimanët Islamit?” dhe janë përgjigjur duke ua hedhur fajin dijetarëve, doktrinave dhe grupeve konkrete.
Për ata që sot njihen si islamistë dhe fondamentalistë, dështimet dhe mangësitë e vendeve moderne islamike kanë ardhur për shkak se ato kanë përqafuar nocione dhe praktika të huaja.Ato u shkëputën nga Islami i vërtetë dhe kështu e humbën madhështinë e dikurshme. Ata që njihen si modernistë apo reformatorë kanë pikëpamjen e kundërt dhe e shikojnë shkakun e kësaj humbjeje jo tek braktisja, por tek ruajtja e mënyrave të vjetra e sidomos tek qëndrimet e palakueshme të klerit islamik. Sipas tyre, kleri i gjithëpranishëm islamik është përgjegjës për vazhdimin me këmbëngulje të besimeve dhe praktikave që mund të ishin krijuese dhe përparimtare njëmijë vjet më parë, por nuk janë më të tilla.Taktika e zakonshme e modernistëve është të mos e dënojnë fenë, aq më tepër Islamin, por ta drejtojnë kritikën te fanatizmi.Sipas tyre, është fanatizmi dhe sidomos autoritetet fanatike fetare, që i kanë zënë frymën lëvizjes shkencore islamike, dikur madhështore, dhe përgjithësisht lirisë së mendimit e të fjalës.
Një mënyrë më e zakonshme e trajtimit të kësaj teme ka qenë ajo e diskutimit të një problemi konkret: vendi i fesë dhe i eksponentëve të saj në rendin politik. Në këtë pikëpamje, një shkak kryesor i përparimit të Perëndimit është ndarja e fesë nga shteti dhe krijimi i një shoqërie civile që funksionon me ligje shekullare (laike). Një pikëpamje tjetër e gjen fajtorin kryesor te pozita e ulët që i jepet gruas në shoqërinë muslimane, gjë që e privon botën islame nga talentet dhe energjitë e gjysmës së popullatës dhe ia beson edukimin e gjysmës tjetër nënave analfabete dhe të nëpërkëmbura. Bëhet fjalë për formimin në vitet e para të rritjes, që është me rëndësi vendimtare.Produktet e një edukimi të tillë, thuhet, kanë prirjen të bëhen ose arrogantë ose të nënshtruar, pra të papërshtatshëm për një shoqëri të lirë e të hapur. Pavarësisht se si mund të gjykohen pikëpamjet e shekullaristëve dhe të feministëve, suksesi ose dështimi i tyre do të jetë një faktor kryesor që do të ndikojë mbi të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Disa zgjidhje, që dikur mbështeteshin me pasion, sot janë harruar.Dy lëvizjet mbizotëruese në shekullin e 20 ishin socializmi dhe nacionalizmi. Që të dy janë diskredituar, i pari nga vetë dështimi i tij, i dyti nga suksesi dhe më pas ekspozimi që iu bë si i paefektshëm. Liria, e interpretuar në kuptimin e pavarësisë kombëtare, u pa si hajmalia e madhe që do të sillte të gjitha përfitimet e tjera. Shumica dërrmuese e muslimanëve sot jetojnë në shtete të pavarura, por kjo nuk ka sjellë zgjidhjen e problemeve të tyre.Nacional-socializmi, shartimi i të dyja ideologjive, vazhdon të bëjë ligjin në disa shtete që kanë ruajtur stilin nazifashist të qeverisjes diktatoriale dhe të indoktrinimit përmes një aparati të gjerë sigurimi dhe të sundimit të një partie të vetme.Këto qeveri kanë dështuar në çdo drejtim, me përjashtim të mbijetesës, dhe nuk kanë sjellë asnjë nga përfitimet e premtuara. Madje, infrastrukturat e tyre janë më të vjetëruara se sa ato të shteteve të tjera muslimane, ndërsa forcat e tyre të armatosura kanë si qëllim kryesor terrorin and shtypjen.
Sot për sot, dy përgjigje për pyetjen “Çfarë nuk shkon?”, secila me diagnozën dhe recetën e saj, gëzojnë mbështetje të gjerë në Lindjen e Mesme. Njëra ia atribuon çdo të keqe braktisjes së trashëgimisë së shenjtë të Islamit dhe kërkon kthimin tek e kaluara, reale apo imagjinare. Kjo është rruga e revolucionit iranian dhe e të ashtuquajturave lëvizje apo regjime fondamentaliste në vende të ndryshme muslimane. Tjetra dënon të kaluarën dhe është për demokracinë shekullare, të mishëruar më së miri në Republikën Turke, që u shpall në vitin 1923 nga Qemal Ataturku.
Për qeveritë shtypëse dhe të paefektëshme që sundojnë në një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme, gjetja e arsyeve për të shkarkuar fajin i shërben një qëllimi të dobishëm, madje thelbësor, sepse kështu ato shpjegojnë varfërinë që nuk kanë mundur ta zbusin dot dhe përligjin tiraninë që kanë vendosur. Ato përpiqen ta devijojnë zemërimin në rritje të qytetarëve të tyre drejt elementëve të tjerë, të jashtëm.
Por njerëzit në Lindjen e Mesme gjithnjë e më shumë po përqafojnë një qëndrim më autokritik.Pyetja “Kush na e bëri këtë?” ka çuar veçse në fantazira prej të marrësh dhe në teori komploti. Ndërsa pyetja “Çfarë bëmë gabim?” natyrshëm ka shtruar pyetjen tjetër: “Si mund ta përmirësojmë gjendjen?”. Pikërisht te kjo pyetje dhe te përgjigjet e ndryshme që do të gjenden, qëndrojnë edhe shpresat për të ardhmen.
Për një vëzhgues perëndimor, që është shkolluar në frymën e teorisë dhe praktikës së lirisë perëndimore, është pikërisht mungesa e lirisë – liria e mendjes nga detyrimi dhe indoktrinimi, liria për të shtruar pyetje dhe për t’u shprehur; liria e ekonomisë nga korrupsioni dhe keqdrejtimi; liria e gruas nga shtypja e burrit; liria e qytetarëve nga tirania – që përbëjnë bazën e shumë problemeve të botës muslimane. Por rruga drejt demokracisë, siç e tregon qartë përvoja perëndimore, është e gjatë dhe e vështirë, është plot kurthe dhe pengesa.
Nëse popujt e Lindjes së Mesme vazhdojnë në rrugën e tanishme, kamikazet mund të bëhen një metaforë për krejt rajonin dhe nuk do të ketë shpëtim nga spirali i urrejtjes dhe inatit, i zemërimit dhe i vetëkeqardhjes, i varfërisë dhe i shtypjes.Herët a vonë kjo mund të kulmojë me një tjetër sundim të huaj, ndoshta nga një Europë e re që i kthehet zakoneve të vjetra, ndoshta një një Rusi që kërkon shpagim, apo nga ndonjë superfuqi në Lindje që kërkon zgjerim.Por nëse ata lenë mënjanë grindjet dhe viktimizimin, zgjidhin mosmarrëveshjet dhe bashkojnë talentet, energjitë dhe burimet në një përpjekje krijuese me pjesëmarrjen e të gjithëve, ata mund ta bëjnë përsëri Lindjen e Mesme ashtu sikurse ishte në lashtësi dhe në Mesjetë, një qendër madhështore të qytetërimit.Sot për sot zgjidhja është në dorën e tyre.
* REVISTA THE ATLANTIC-Janar 2002

Filed Under: Analiza Tagged With: Bernard Lewis, Islami, KU U GABUA?

ARDIAN KYCYKU “QYTETAR NDERI I POGRADECIT”

August 22, 2014 by dgreca

Nga Novruz Xh Shehu/
Në kuadrin e 45 vjetorit të lindjes, në Pogradec, në 23 gusht, nga Bashkia e atij qyteti, nën kujdesin personal te zotit Artan Shkëmbi, ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” shkrimtarit të shquar Ardian – Christian Kycyku.
Shkrues sa në gjuhën rumune, po aq në gjuhën shqipe (16 romane shqip e po aq rumanisht), botues i revistes letrare e kulturore Haemus, rektori i një prej universiteteve më prestigjioze të Bukureshtit, Ardiani është i njohur në jo vetëm në hartat rumanisht e shqipfolëse por, i përkthyer në 12 gjuhë, ai ka arritur të bëhet ndjeshëm i proferuar nga lexuesit elitar në tërë kontinentin europian.
Një nga arsyet e kthimit të vëmëndjes nga ky shkrimtar me talent të pazakontë, është fakti se ai po shkruan në një stil pothuaj krejt të ri, me të njëjtën përgjegjesi në shqip e rumanisht, duke vendosur në arkitekturën e veprave kulturën, historinë, frazeologjinë, psikologjinë e temperamentin e peroonazheve sipas vëndeve përkatës.Këtë nuk mund ta bëj vetëm thjesht një krijues pa qenë studjues e personalitet më horizont të gjerë kulturor.
Simbolika, esseja, filozofia, humori deri në ironi therëse, janë tipare dalluese të prozës së autorit.
Në Rumani është vlerësuar nga kritika, ndër tre shkrimtarët më të mirë të atij vendi, ndërsa në Shqipëri, në vitin 2013, u vlerësua nga Ministria e Kulturës me cmimin “Penda e argjendët”.
Salla në Bashkinë e Pogradecit ish tejet e mbushur me personalitete të letërsisë , artit, kulturës si dhe familjarët e autorit. Vajza e tij Julia është me talent mjaft premtues në prozë e në fotografinë artistike.U pritën me interes fjala e z.Raqi Margeri, Skender Demolli, Novruz Xh Shehu etj.Zoti Shehu e Ferdin Licaj erdhën posacërisht nga Tirana për këtë aktivitet.
Fotot e bëra tek Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli ishin jo vetëm thjesht një nderim ndaj këtyre personalitteve të shquar por edhe për faktin se i përkasin një pemeje të njëjtë gjenealogjike, me rrënjë qindra vjet më parë në Mokër.

Filed Under: Kulture Tagged With: ARDIAN KYCYKU, I POGRADECIT”, Novruz Xh. Shehu, qytetar Nderi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT