• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Dibranët, në SHBA, bëjnë me shtëpi të re një familje dibrane

August 21, 2014 by dgreca

“Meka dibranëve është Dibra, e cila po qe se nuk do të u kishte detyruar të largoheshit nga politikat që u ndoqën në Dibër gjatë sistemeve të ndryshme – nuk do të ishin larguar kurrë – Dibranët janë një popull që flasim me punë, trimëri, patriotizëm përkushtim dhe ndjenja dhe krenari”/
Nga BEQIR SINA, New York/
DIBER E MADHE – Dibranët në Amerikë dhe Europë, krahas mbështetjes që i japin realizimit të projekteve të ndryshme në vendlindjen e tyre, një ndihmë të madhe janë duke dhënë edhe për sigurimin e kulmit mbi kokë të familjeve të bashkëfshatarëve të tyre, të cilët janë në gjendje të rëndë sociale. Falë mjeteve të grumbulluara në diasporë, mërgimtarët e dibranë në SHBA dhe Europë, kanë siguruar ndërtimin dhe paisjen me të gjitha komoditetet për familjen Karameti, e cila jetonte me gjendje të varfër.
Duhet theksuar se kontributi i mërgimtarëve Dibranë nga SHBA është i pazëvendësueshëm për vendlindjen e tyre. Edhe pse larg vendlindjes, ata nuk kanë pushuar asnjëherë të ndihmojnë, familjet e tyre, që mbahen prej vitesh nga njerëzit e tyre në mërgim, por edhe Dibrën sa herë që ka pas nevojë për realizimin e projekteve të ndryshme.
Këtë e ka theksuar në këtë reportazh edhe autori i kësaj video-reportazhi kur thotë se mërgimtarët janë të gatshëm të mbështesin edhe projektet kapitale të nevojshme për bashkëqytetarët e tyre, si ndërtimin e shtëpive të tjera dhe nevojat tjera për familjet skamore në Komunën e Dibrës së Madhe.
Aksion humanitar – Shtëpi për Gëzim Karametin”- e ka titulluar Dr. Xhemal Çupi telereportazhin e tij përgatitur për “Vizioni Dibran” (https://www.youtube.com/channel/UCd6EBovPb3ar6RkMlmIGczg)
Ai thotë se Fondacioni “Dibra” Projekti “Shtëpi për një shtëpi “, ka bërë blerjen e shtëpisë për Gëzim Karametin, duke theksuar se “Ky është një organizim qytetar me qëllime humanitare e organizuar kryesisht nga dibranet e Shteteve të Bashkuara – por jo vetëm, mbasi është ndihmuar edhe nga qytetarët dibran dhe dibranët në Europë”.
Një familje shtatë anëtarshe dibrane – jeton me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë për ta, thekson ai. Ajo është një familje e kryefamiljarit Gëzim Karameti, që nuk ka pasur asnjëherë shtëpi dhe kulmë mbi kokë, por me ndihmën e dibranëve në Amerikë, ajo u bë me shtëpi të re dhe të mobliuar mirë.
Simbas këtij reportazhi të televizionit lokal ” Vizioni Dibran”, njëri prej folësve, me emrin Skënder – thotë se inisiativa për ndërtimin e kësaj shtëpie, u bë nxitja e TV “Zhupa”, prej gazetares Vjollca Sadiku – e cila me kolegen e saj të MTV – Rina Turkeshi, sensabilizuan qytetarët anemban vendit deri përtej oqeanit në SHBA.
Ai tha se idenë për të grumbulluar ndihma financiare nga SHBA, menjëherë mbas reportazhit të dhënë në MTV- e dha Edmont Ymeri, dibrani që jeton prej vitesh në Staten Island – Nju Jork, së bashku me bashkëqytetarët e tij – Bekim Paçuku, Fation Mashkulli, bashkëngjitur me shumë dibranë të tjerë.
Edmondi, vetë thotë se i faleminderohet me këtë rast të gjithë dibranëve në Amerikë( rreth 40 donatorë), të cilët, me bujarinë e tyre tradicionale, dibrane, edhe kësaj radhe ditën t’a tregojnë vet-veten në raste të tilla. “Por, duhen faleminderuar, theksoi ai edhe shumë të tjerë, shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, e viset e tjera, madje edhe jo shqiptar, të cilët, iu bashkëgjintën fushatës tonë, për mbledhjen e ndihmave për ndërtimin e kësja shtëpie – Së fundi faleminderojmë Zotin që na ka dhënë mundësin të ndihmojmë njëri tjetrin në atë vend të bekuar, ku ne jetojmë e punojmë prej vitesh” tha ai.
Inisiatiav tregon për televizionin lokal “Vizioni Dibran”, bashkëatdhetari ynë, Bekim Paçuku, u morë nga dibrani në SHBA, Edmond Ymeri, nëpërmjet rrjetit social facebook. Ajo ishte një ide e thjeshtë që më të vërtet preku shumë zemëra anembanë vendit. Paçuku, u shpreh se :” Kjo ndihmë e dibranëve, nuk ka lidhje dhe as duhet të indetifikohet me ndonjë parti politike, cilado qoftë ajo, simbas tij. Mbasi ndihma e dibranëve në Amerikë, është e vetë dibranëve, që u dhimbset vendlindja e tyre”.
Ai shton se kan idenë që duke bashkëpunuar me Komunën e Dibrës, ata duan të gjejnë një tokë shtetrore për ndërtimin e katër a pesë shtëpive të tjera ( community house )”, ndërsa premtojë se “nuk do të ndalen me kaq – por dotë vazhdojnë të ndihmojnë familjet më në nevojë në Komunën e Dibrës”
Njëri prej folësve, gjatë këtij reportazhi 20 minutësh një predikues fetar, i cili mori pjesë në dorëzimin e çelsave të shtëpisë së re, duke e bekuar të, tha se kjo ndihmë ka treguar edhe një herë atë humanizmin e pastër njerëzorë, dhe shpirtëror të dibranëve, që i ka dhënë gjithmon kombit tonë. Ai tha se “Meka dibranëve është Dibra, e cila po qe se nuk do të u kishtë detyruar të largoheshit – nuk do të ishit larguar kurrë – Ne jemi një popull që flasim me punë, trimëri, patriotizëm përkushtim dhe ndjenja dhe krenari” tha ai.
Imami vlerësojë me këtë rastë edhe ndihmën që i kan dhënë shqiptarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i quajtur ato si vendin më mikëdashës dhe më mikë-pritës dhe më përkrahës i shqiptarëve prej nga pavarësia e Shqipërisë, demokratizimi i saj – dhe çlirimi e pavarësia e Kosovës – Zoti i bekofë shqiptarët dhe SHBA.

Filed Under: Komunitet Tagged With: bëjnë, Beqir Sina, dibranet, me shtëpi të re, ne SHBA, një familje dibrane

PD pas Konferences RAMES: 13 pyetjet që KRYEMINISTRI nuk u dha përgjigje

August 21, 2014 by dgreca

Partia Demokratike reagoi përmes deputetit Genc Pollo në lidhje me deklarimet e dhëna nga Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për mediat. Pollo tha se megjithëse Rama foli për më shumë se dy orë, ai nuk dha përgjigje për 11 cështjet e ditës, të cilat deputeti i PD-së i renditi në deklaratën e dhënë sot për mediat .
“Edi Rama i vuri një maskë komunikimit publik sot, me një konferencë të sajuar. Komunikim do të thotë të përgjigjesh pyetjeve e të sqarosh gjerat, por kryeminstri megjithëse qëndroi live e on-line për më shumë se dy orë, nuk dha asnjë shpjegim për cështjet më të mprehta të kësaj kohe; për ceshtje që shqetësojnë opozitën, por nëse zoti Rama – e ka të vështirë te respektojë opozitën, për shkak të mendësisë së tij, pritej sëpaku të respektonte opinionin publik. Edhe në këtë rast, injorim pati”, theksoi Pollo.
Në vijim deputeti demokrat shtoi “Edi Rama nuk sqaroi, nuk dha llogari se;
1-Përse hesht prej 42 ditësh, kur botërisht është parë me prova e me fakte se ai ka inkriminuar parlamentin duke bërë deputet, pasi dëboi dhunshëm dy gra kandidate nga lista, një person të dënuar për trafik Prostitucioni dhe Rrëmbim Personi? Kush ka më shumë vlerë, një dëshmi penaliteti false, apo vendimi i Gjykatës së Romës?
2-Përse i dha CEZ-it në dorë 95 milionë euro që do ti paguajnë shqiptarët, përmes faturave ndërkohë që kompania ka 3 miliardë dollarë detyrime ndaj shtetit?
3-Përse kërkon me insistim numrin unik të telefonave të shqiptarëve, IMEI,që mundëson përgjim masiv pa kufi kur kjo është e papranueshme në Europën ku Rama pretendon të na integrojë.
4-Përse nuk u konsultove me ekspertë, me aktorë, me partnerët ndërkombëtarë për reformën e drejtësisë, kur të gjithë e kërkuan këtë, SHBA, BE, OSBE, juristët, shoqëria civile dhe opozita?
5-Si mund të bësh një hartë të re të territorit në vend, pa pyetur qoftë edhe një banor, qoftë edhe një shqiptarët të vetëm? Pa marrë zyrtarisht pëlqimin komuniteteve vendore, sic e kërkon shprehimisht kushtetuta.
6-Si shpjegohet që pas një viti në detyrë, nuk ka ende një investim publik, një kantier ndërtimi, një vend të ri pune?
7-Pse nuk mban asnjë përgjegjësi dhe nuk thua asnjë fjalë për bilancin më tragjik të minierave, ku për një vit kanë humbur jetën më shumë se 13 punëtorë?
8-Përse është inkriminuar administrata me trafikantë e rrëmbyes fëmijësh, nga drejtoritë e rretheve e deri tek Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës?
9-Përse pas një viti në pushtet, asnjë legalizim nuk është bërë falas, shëndetësia është më e shtrenjtë, të gjithë treguesit e rendit janë përkeqësuar, dhe janë humbur mijëra vende pune nga rritja e taksave?
10-Përse nuk zbatoni vendimet e gjykatave të vendit, dhe të Gjykatës Kushtetuese?
11-Përse lan e lyen zyrat e Punësimit, kur në fakt punësimi bëhet në zyrat e deputetëve të PS ku ndodhin këmbime e pazare të turpshme ?”.

Filed Under: Politike Tagged With: nuk u dha përgjigje, PD pas Konferences, që KRYEMINISTRI, RAMES: 13 pyetjet

KRYEMINISTRI RAMA SHPALOS”SUKSESET” E QEVERISJES… FULLANI NUK VARET NGA QEVERIA

August 21, 2014 by dgreca

“Nuk do bëj asnjë bilanc imagjinar. Por as nuk do të shmang problematikat. Do tregoj se qeveria po mban angazhimet një e nga një dhe se do përpiqet të rrisë cilësinë në cdo aspekt të jetës së shqiptarëve”. Këto ishin disa nga fjalitë e kryeministrit Edi Rama në konferencën e paralajmëruar për shtyp ku premtoi se do u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i janë bërë online. Kryeministrit Rama ka nisur konferencën e tij njëherësh në TV, Twitter&Facebook.
Vijoi fjala me fusha si Ekonomia, Punesimi, Arsimi, Shendetesia, qëndrimi për Presidentin, BSH, opozitën, kryetarin e Bashkisë.
Një përgjigje e kryeministrit erdhi dhe për situatën në Bankën e Shqipërisë pas vjedhjes së thesarit. Sipas kryeministrit, nëse qeveria do të ndërhynte në situatën e BSH do të bënte një faj të madh sepse do të ndërhynte në punët e një institucioni të pavarur, pjesë integrale siç tha ai, e organizmave ndërkombëtare. Nëse kryeministri do kërkonte shkarkimin e Fullanit nga Guvernator, kjo do ishte një kërkesë në boshllëk, njësoj si t’ja kërkonte Presidentit të Reublikës, gjë që sërisht Rama tha se është e pamundur. Kryeministri shtoi se vëmendja mbi situatën në BSH është maksimale dhe është një sfidë për qeveriën dhe Kuvedin.

BSH-FULLANI
Rama: BSH e pavarur, t’i kërkoj dorëheqjen Fullanit, njësoj si t’ja kërkoja Presidentit
Pyetjes nga paneli i gazetarëve, lidhur me vjedhjen në Bankën e Shqipërisë dhe nëse si kryeministër a do i kërkonte dorëheqjen guvernatorit Ardian Fullani, Rama u përgjigj se Banka e Shqipërisë është një institucion apolitik, tërësisht i pavarur si Presidenca, Gjykata Kushtetuese etj. Ja pergjigja e plote:
“Sa i përket Bankës së Shqipërisë ne nuk kemi heshtur, por nga ana tjetër, ka një ndryshim të rëndësishëm mes qeverisë dhe shoqërisë civile në këtë rast se rolet janë të ndryshme dhe përgjegjësitë janë të ndryshme. Qeveria ka një rol dhe përgjegjësi të posaçme në këtë rast. Kush është ne e kemi thënë qartë dhe prerë në prononcimin e Këshillit të Ministrave se për ne, ky është një akt kriminal i rëndë që përbën një sfidë të trefishtë, sfidë e madhe për prokurorinë që ti shkojë hetimit deri në fund dhe jo në rrugën tradicionale të atyre hetimeve që nuk përfundojnë asnjëherë, por hetim gjithëpërfshirës dhe të nxjerrë nga pikëpamja e vet çdo përgjegjësi. Është në sfidë e madhe padyshim për autoritetin e Bankës dhe për sigurinë e bankës që dua t’jua them qartë dhe prerë është një institucion i pavarur.
Pse s’më pyesni pse nuk i kërkon dorëheqjen kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, asaj së Gjykatës së lartë, të Apelit e me radhë. Mund të kem shumë arsye ndonjërit apo tjetrit, do i marr si shembull për ti kërkuar dorëheqjen, por çfarë do të thotë kjo. Si kryeministër s’mund ti kërkoj dorëheqjen kryetarit të një institucioni të pavarur. E para, por nga ana tjetër është një sfidë e madhe për Kuvendin e qeverinë. E kemi thënë qartë në cfarë kemi shkruar e zeza në të bardhë në prononcimin e Këshillit të Ministrave që do të thotë se Kuvendi e qeveria do analizojë, po ndjekim ditë pas dite zhvillimin e asaj situate deri në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare se BSH është pjesë e institucioneve integrale ndërkombëtare që të dalim në konluzionet e duhura. Kjo është një përgjigje që nuk do gëzojë shumëkënd se donte të thoja, që Guvernatori të japë dorëheqjen, por duhet ta kuptojë së kjo do ishte një thirrje në boshllëk.
Pse s’më thoni, a duhet të japë dorëheqjen Presidenti i Republikës?
Për më tepër është e rëndësishme të kuptoni një gjë, ne e kemi të domosdoshme të godasim në shenjë dhe plotësisht në shenjë duke nxjerrë konkluzion të saktë dhe në mënyrë që të mos hyjmë në luftë politike me BSH. E përsëris që është institucion tërësisht i pavarur. Eksperienca me banka të tjera në botë ka treguar që janë eksperienca tërësisht të hidhura për politikën dhe shoqërinë. Nuk i heq asnjë presje shqetësimit tuaj, legjitimitetit të shoqërisë civile dhe gjithë këtij shqetësimi që është krijuar nga një ngjarje absolutisht e rëndë që duhet trajtuar nga ne me vëmendje maksimale dhe kujdes maksimal. Në fund më lejoni tju them që duket shpesh që gabimisht sikur, qeveria duhet të flasë e para, qeveria duhet të flasë e fundit kur është fjala për raste të kësaj natyre se ndryshe mund të bëjë gabim shumë të madh për të ndrequr një gabim të madh, mund të bëjë një faj shumë të madh për të ndrequr një faj të madh”.
Kurse pyetjes se, nëse keni ndonjë opsionin për të ndryshuar kupolën drejtuese të BSH sipas gjykimit tuaj, Rama u pergjigj: Pavarësia në letër të mos bëhet shkak për pandëshkueshmëri
E kam përsëritur deri në mërzi dhe tani jeni familjarë me qasjen, se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet por sistemet që korruptojnë njerëzit. Të konkludojmë në sistemet më të mira, të ndërhyjmë te kjo, në mënyrë që sistemi të garantojë se njerëzit janë nën kontroll. Ne nuk kemi asnjë arsye, pse të tutemi dhe të ngurrojmë. Parafytyroheni sikur të kishim ndërhyrë, jo shoqëria por institucionet të reagojnë në të njëjtën formë dhe të shkojnë në të njëjtin drejtim do kishin më shumë drejtësi, shoqëri më të mirë, apo do kishim nxjerrë sytë për të vënë vetullat dhe unë gjithmonë kam besuar dhe jam detyruar ti qëndroj këtij besimi se nuk vjen një e mirë duke bërë një gabim, nis një gabim mundohemi ta korrigjojmë më një tjetër, Një shkelje ligji mundohemi ta korigjojmë me një shkelje tjetër ligji. Nëse ne përdorim sot forcën e kartonit për të bërë një goditje që është e paligjshme atëhere ku është problemi? Te ligji në radhë të parë. Ku, cfarë duhet të ndryshojmë në këtë ligj, cfarë duhet të ndryshojmë në sistem dhe pjesë e sistemit është Këshilli Mbikqyrës i BSH. Dhe të shohin cfarë nuk ka funksionuar dhe cfarë duhet të funksionojë ndryshe dhe të bëjmë gjthcka.
Nuk kam arsye të thënë e të pathënë që thonë se duhet të japë dorëheqjen Guvernatori, por nga pozita e Kuvendit e Qeverisë duhet që të hedhim cdo hap në funksion të konsolidimit të mekanizmave të BSH, që pavarësia në letër të mos bëhet shkak për pandëshkueshmëri dhe që pavarësia të jetë e garantuar dhe që jo cdo qeveri të bëjë cfarë të dojë me BSH, kjo do ishte katastrofë
DEKRETET E PRESIDENTIT
Rama: Dekretet do kthehen mbrapsht
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve sa i takon rrëzimit të tre dekreteve nga Presidentit i Republikës. Sipas Ramës, Presidenti përfaqëson zërin e Partisë Demokratike, pasi nxjerr po të njëjtat argumenta. “Nuk e besova dje që Presidenti kishte mbledhur të zgjedhurit vendor për ligjin e ndarjes së re administrative. Ndaj pata përshtypje se zyra e Kryeministrisë kishte patur ndonjë gabim teknik në printim dhe pse mu duk absurde se Presidenti takon të zgjedhur dhe i thotë sesi ju duket kjo gjë.
Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, por ta dijë se do i kthehet mbrapsht çdo dekret, menjëherë pa humbur kohë, me argumentet e PD që vijnë nga goja e tij. Qoftë ligji për Policinë e Shtetit, për KLD-në, për Magjistraturën, ishin të gjithë argumentat e PD. Kjo është e ripërsëritur dhe për ta ardhur keq. Koha që nga kjo godinë hidheshin gjyle balte mbi presidentin dhe institucionin kanë vdekur bashkë me qeverinë që iku në 23 qershor. Ne nuk sulmojmë Presidentin e Republikës, pasi ai është i pari që sulmon qeverinë në këto 23 vite. Tani kemi president që sulmon qeverinë, dekretet do kthehen menjëherë”
SKANDALI NË SARANDË
Rama: Turp, por rast individual
Skandali në Sarandë, Rama: Turp, por rast individual. Por dhe Noka e Topalli ndërhynin për punësimTIRANE- Kryeministri i vendit, Edi Rama e ka cilësuar një akt të turpshëm skandalin e zbuluar nga News24 e BalkanWeb në zyrat e punës në qytetin e Sarandës, ku sekretari i deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhimës, Argon Cana, i kërkoi favore seksuale një gruaje dhe vajzës së saj të mitur, në këmbim të një vendi pune. Sipas Ramës, ky është një rast individual, dhe se nuk duhet të gjykohet qeveria në lidhje me këtë skandal. Më tej ai shtoi se qëndrimi i qeverisë ka qenë i qartë dhe i menjëhershëm, siç ishte arrestimi i Canës, heqja e tij nga zyrat e Punës, madje dhe largimi nga strukturat e PS-së.
“Nuk ka turp më të madh sesa turpi që pamë, por nuk ka po ashtu dhe turp më të madh për gjithë ata që shohin sesa ta ripërtypin atë turp ta përtypin se i bëjnë opozitë qeverisë, apo duke u përpjekur që rastin ta përgjithësojnë. Është një përgjegjësi konkrete dhe njësoj si në rastin e parë që folëm, qeveria nuk gjykohet se nga çfarë ndodh individualisht me një person në territor apo qeveri, që në përgjegjësi individuale shkel normat ligjore apo ato etike të bashkëjetesës. Qeveria gjykohet se si reagon ndaj rastit. Reagim i ynë ishte i qartë dhe i prerë si asnjë herë më parë. S’dua të hyj në këtë temë, pasi është e neveritshme.”-tha Rama.
Më tej Rama risolli në vëmendjen e të gjithëve, një rast të ngjashëm që ka ndodhur në Shqipëri, ku në qendër të skandalit ishte Ylli Pango, ish-ministër i Kulturës asokohe. “Të gjithë e kujtoni se si u abuzua me një detyrë shumë më të lartë, për një vend pune dhe abuzuesi u mbrojt denoncuesit konkretisht media qe e denoncoi u sulmua dhe u çua deri përpara detyrimit për të pagur gjobë. Dhe abuzuesi u kthye shtatlartë në një detyrë të lartë. Ndërkohë, rasti për të cilin flasim është krejt i qartë për të bërë diferencës, policia e arrestoi, zyra e deputetit u distancua dhe e dënoi aktin dhe PS e përjashtoi nga radhët e anëtarëve të vetë. Ne nuk jemi të ndarë në engjëj dhe djaj. Kjo është një ndarje që mund të jetë në kokën e atyre që vinë dhe janë ende nëpër këmbët tona. Ne jemi të gjithë shqiptar, në të gjitha. Dallimin me ta e kemi parë, pasi besojmë në vlera dhe parime, të cilat janë ato që duhen për të ecur para. Ndaj ne jemi alternativa më e mirë.”-shtoi Rama.
Më tej Rama theksoi se nuk është e habitshme që një deputet në Shqipëri, apo dhe në gjithë vendet e tjera të rajonit të ndërhyjë në forma të ndryshme për të mundësuar punësimin e atyre që kërkojnë punë. Rama solli në vëmendje rastin e emërimeve që bëheshin gjatë qeverisë së kaluar, duke përmendur kështu deputetet Jozefina Topalli, apo dhe Flamur Nokën, sipas të cilit emërimet për punë i bënin me shkresa partie.
“Çdo deputet duhet të ketë zyrë. Në zyrën e çdo deputeti duhet të priten njerëz që ankohen dhe bëjnë kërkesa. Dhe unë e kam një zyrë në Vlorë, por se kam me aq persona, pasi skam mundësi financiare. Nëse nevoja është e madhe, atëherë duhet. Kush nga ju në këtë vend, nuk mund të më thotë se dikush shkon në zyrën e deputetit për punë. Pro ama dhe këtu gjykimi është se kush i bën punësimet, deputetet apo administrata. Deputetet kanë ndërhyrë dhe do ndërhyjnë për të ndihmuar njerëz apo ndërmjetësuar. E rëndësishme është që sa kjo mbetet në kufirin e detyrimit politik dhe sa e kalon kufirin. Kalimi i kufirit është i paarsyetueshëm. Ka pasur deputeti si Jozefina, Noka, që çonin shkresa për emërime. Ku janë këta?! Ranë nga qielli?! Ja pra, janë ata që flasin sot. kemi pasur disa debate me disa degë të PS, të cilat thoshin që këtë do e çojmë këtu, e këtë aty. I kemi thënë se kjo nuk është detyra juaj. Ne do gjykohemi në fund të 4 viteve, dhe jo kur nuk është bërë asnjë vit ende. Duhet ti ndajmë gjërat. Unë besoj, se siç meriton neveri rasti konkret, meritojnë neveri për rastin konkret, për ata që thonë se po na diskriminojmë për të”-përfundoi Rama.
OPOZITA
Rama: Opozita më llafazanë në këto 23 vite
Kjo është opozita më llafazane e këtyre 23 viteve në Parlament. Kështu e komentoi Rama marrëdhënien e qeverisë me opozitën, duke sqaruar dhe heshtjen e tij.
“Besoj se rastet e ushtrimit të dhunës verbale apo fizike, si kulminacion në Parlament nuk meritojnë asgjë tjetër përveç dënimit. Unë dhe ne i kemi dënuar moralisht, por dhe sipas rregullores së parlamentit, pa parë majtas-djathtas të gjithë ata që janë përfshirë në rastet e dhunës dhe në sjellje që nuk i bëjnë asnjë nder Kuvendit dhe popullit shqiptar. Do dëshiroja që raste të tilla të mos përsëriten, por ku ndodhin përgjegjësia është individuale, dhe ajo që i takon shumicës është të sillet me këtë përgjegjësi individuale të sillet me përgjegjësi. Opozitë me llafazane se kjo dhe më prezente me llafe në gjithçka që përfshihet ky popull thashetheme nuk ka, dhe përpjekje për ti mbyllur gojën nuk ka. Opozita është futur në një proces vetëposhtërimi, dhe i mungon një strategji pa platformë dhe pa projekt. Kjo opozitë nuk ka asnjë projekt politikë, dhe vjen e xhiron në boshllëk duke akuzuar. Është një opozitë në hall të madh, dhe halli nuk jemi ne. Mjafton të merrni librin e protokollit të parlamentit, ajo opozitë ka më shumë minutash llafesh me shumë se ndonjë opozitë tjetër.

TURIZMI
Kryeministri e hapi konferencen me temen per turizmin. Sipas tij, numri i turisteve eshte rritur me 14% krahasuar me nje vit me pare.
“Dëshiroj ta filloj nga besoj sektori më i rëndëssihëm në këtë fazë që është turizmi. Nuk do bëj bilanc imagjinar dhe as të bazuar në hyrje e daljet në Shqipëri. Por duke iu referuar vetëm numrit të vizitorëve të huaj, jo rezidentë në Shqipëri, kemi deri tani një rritje të turistëve me 14%, krahasuar me një vit më parë dhe jorezidentë me 1 milionë e 300 mijë, shifër e konsiderueshme, duke pasur parasysh se vendin e preku moti i keq në muajin korrik apo dhe më specifikinë e muajit të Ramazanit. Nuk dua të fsheh problematika të fshehura e të trashëguara, këtë sezon arritëm të kemi plazhe të pastra krahasuar me një vit më parë duke angazhuar një sërë forcash, Forcat e Armatosura që dhe ministrja i kushtoi kohën e vet, tek institucionet publike dhe një numër i vyer vullnetarësh nga Shqipëria e Kosova”.
Sipas Ramës, qeveritë e mëparshme nuk mori përsipër të luante asnjë rol udhëheqës dhe koordinues, duke lejuar që pisllëku dhe ujërat e zeza të bashkëjetojnë me gjithë ata që jetojnë në vijën bregdetare dhe ata që vinë për pushime. “Ka disa muaj që po përgatitet një program i posaçëm, me burime financiare të huaja për të kuruar plagën e madhe të ujërave të zeza në vijën bregdetare, siç është Durrësi apo Himara, e cila përbën një nga pikat më të forta të Jonit. Praktikisht gjendja është alarmante, pasi nuk kemi kanalizime të ujërave të zeza. Po ashtu problem i rëndë është dhe problemi i ujit të pijshëm në zonat bregdetare. Qeveria e kaluar jo vetëm nuk e zgjidhi, por e rëndoi këtë problem edhe më keq.
Nga ana tjetër, ne kemi pasur plazhe shumë të pastra, por nuk kemi zgjidhur problemin e mbetjeve. Ky është një problem që është i trashëguar për shumë vite, dhe nuk mund të zgjidhet brenda 300 ditëve. Ndaj kemi vënë në punë, hartimin e një plani për grumbullimin e mbetjeve. Vazhdojmë të jemi përballë krimit mjedisor, vazhdojmë të shohim që ky është një krim që nuk është vënë ende në kontroll. Ligji i ri që kemi kaluar për Policinë e Shtetit, përfshi dhe policinë e shtetit në këtë aktivitet, do vazhdojmë të shtrëngojmë masat të reja. Në protokollin e Policinë së Shtetit, lidhur me krimin mjedisor do jetë gati në shtator një plan. Sot, jemi përballë një bilanci barbarie vendore të pashembullt dhe të pakrahësuar me vendet e Evropës. Kjo është barbaria e një sistemi vendor, ku ka sunduar korrupsioni dhe barbaria ndaj interesave të territorit.”-tha Rama.
Problem Rruga në hyrje të Pogradecit
Megjithatë kryeministri nënvizoi problematikat në këtë sezon turistik dhe sic theksoi ai, këto janë trashëguar nga qeveria paarardhëse.
“Agjencia Kombëtare e Bregdetit ëshë vënë e tëra në shërbim dhe pse me një numër të vogël njerëzish për rehabilitim zonash. Pamja e përgjithshme është pozitive, por nuk lë vend për asnjë lloj triumfalizmi dhe nuk na shtyn në bilance imagjinare. Problematikat janë ende aty, një e rëndë është një sërë aksesh kombëtare që vazhdojnë të jenë të hapura, puna për të cilat vazhdon me ritme të ulëta sepse jemi në gjendjen kur duhet të mbushim gropën e madhe të borxheve që vendosën kompanitë në situatë të vështirë. Kam parasysh rrugën e Pogradecit, si një rrugë tipike të asaj që na la pas qeveria e deridjeshme përbëjnë një arsye të fortë për të mos qenë tërësisht të kënaqur. Ky është një problem i madh financiar që po e trajtojmë qoftë me FMN, qoftë me BB sepse mungon në buxhetin tonë masa e parave që të mbyllim këto rrugë, për shkak që qeveria paaradhëse i celi me orgjinë e financave pa marrë parasysh fondet që kishte në dispozicion”.
RENDI
Një ndër pikat që kryeministri Rama u ndal gjatë konferencës së tij, padyshim është dhe rendi në vend. Sipas Ramës, gjatë periudhës së verës, Policia e Shtetit bëri të mundur mbarëvajtjen e sezonit turistik me të gjitha mjetet e mundshme.
“Pika e dytë nuk mund të mos jetë rendi. Në muajt e verës rendi rëndohet. U angazhuan 2388 punonjës policie, 201 automjete, 17 mjete lundruese dhe 1 helikopter, për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Në këtë shërbim që u pilotua dhe do jetë i strukturuar vitin e ardhshme, u angazhuan 100 efektiv nëpër vijën bregdetare. U siguria një monitorim nga ajri me anë të helikopterit i akseve rrugore, për rritjen e sigurisë dhe garantimin e trafikut. Ra në mënyrë drastike kontrolli në kufi. Puna ne policisë u struktura në mënyrë të tillë që mos të pengohej kalimi në kufi.”-shtoi Rama.
Shifrat e vrasjeve
Duke u ndalur tek situata e rendit në vend, kryeministri Edi Rama theksoi se numri i vrasjeve, duke e krahasuar me vitin e kaluar ka qenë më i ulët. Sipas Ramës, edhe numri i aksidenteve rrugore ka pësuar një ulje me 23 për qind.
“Nuk dua të flasin për shifra sa i takon vrasjeve. Kemi 30 për qind më pak vrasje se në të njëjtën periudhë të 2013, të cilën do ta përmirësojmë akoma më shumë. Tregon se ka një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt, siç ka një përmirësim të ndjeshëm të vjedhjeve me dhunë apo me armë në zonat turistike që janë rreth 75 për qind më pak se vitin e kaluar. Krahasuar me vitin e kaluar kemi 23 për qind aksidente me pak, 29 viktima më pak, dhe 39 për qind më pak të lënduar nga aksidentet. Kjo lidhet fort me punën e Policisë së Shtetit, sesa lidhet me gjendjen e trashëguar të akseve rrugore.”-bëri me dije kryeministri Rama.
Më tej Rama shtoi se: “Numri i mjeteve të ardhura nga jashtë ka një rritje të qenësishme, krahasuar me një vit më parë. Pushuesit mund të pohojnë dhe vetë se ka një qetësi publike dhe gangrenat e muzikës në këto ambiente janë hequr. Jo se është arritur maksimumi, por është ulur numri i subjekteve që kanë prishur qetësinë e pushuesve pas orarit të caktuar. Problematika vazhdon të jetë e qartë, kemi një polici që është me nivelin më të ulët arsimor në rajon. Kjo sjell si rezultat dhe një nivel sjellje, sado i përmirësuar lë ende për të dëshiruar. Por, jemi besimplotë se puna e bërë në fazën e parë të qeverisjes me anë të rekrutimit të 1 mijë punonjësve që po kalojnë në dy faza në Akademinë e Rendit, do na jap rezultateve jashtëzakonisht të tjera, kur vjen puna tek komunikimi dhe standardet. Problem vazhdon të ngelet numri i policive të angazhuar në territor. Shtimi i numrit është i kushtëzuar për shkak të shpenzimeve tona financiare. Do vazhdojmë të mbështesim transformimin e Policisë së Shtetit.”.
Teknologjia
Kryeministri Rama theksoi se shumë shpejt do të konkretizohet një projekt, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme. Me anë të këtij projekti do të forcohet bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.
“Një çështje tjetër është teknologjia. Jemi afër një konkretizimi të një teknologjie nga ana e Ministrisë së Brendshme që të fusim në funksion një projekt të ri, që do transformojë marrëdhëniet mes policisë dhe qytetarit. Monitorimi me kamera do vihet në Tiranë dhe pas shumë vitesh do shpëtojmë nga figura e policit në semaforë.”-tha Rama.
Energjia
Ndërprerja e energjisë elektrike vijon të jetë problematike në zonat turistike dhe jo vetëm. Ky fakt u konfirmua dhe nga vetë kreu i Ekzekutivit, Rama.
“Ka qenë një vit i vështirë, trashëgimia është e tmerrshme. Ndërprerjet e energjisë kanë shoqëruar çdo vit sezonin turistik. Janë kryer remonte në gjithë zonën bregdetare, i cili ka qenë 100 për qind më i lartë sesa vitin e kaluar. Gatishmëria teknike ka qenë e plotë, ka pasur raste ndërprerje energjie, por skuadra speciale në ndihmë të pushuesve ka arritur të ndërhyjë në kohë. Problematika është ajo që dimë, vazhdojmë të kemi vjedhje të energjisë elektrike”-tha kryeministri Rama.
EKONOMIA
Sipas kryeministrit Rama niveli i investimeve të huaja është rritur për shkak të politikave qetësuese të qeverisë. “Janë rritur nivelet e zhvillimit ekonomik dhe investimet e huaja. Qeveria është e përgatitur të zbatojë politika qetësuese, siç ishte sektori i manifakturës apo ai i bujqësisë. Programi do shtjellohet në muajin shtator. Një rol të rëndësishëm luan aspekti i rritjes së sigurisë, përmes indikatorëve. Ka rritje të besimit të konsumatorit tek ekonomia. Kemi një rritje të konsiderueshme të eksporteve, e cila dëshmon rritje të besimit.”-shtoi Rama.
Kemi pasur 100 milionë dollarë më shumë të mbledhura. Dhe 12 Gushti ku Mood’s nxorri raportin tjetër konfirmoi rezultatin si mbi masat e marra nga qeveria si dhe nismës për të paguar të gjitha borxhet ndaj biznesit. Po i qëndrojmë një për një të gjitha angazhimeve tona.
Problematika vijon ende për ne, për të lehtësuar më shumë sipërmarrjen dhe rrugën e bërjes biznes në Shqipëri dhe burokracia, mbetet problem serioz i trashëguar. Do bëjmë ndërhyrje të reja në ligjin për administratën publike. Nuk do ketë më nga ato raste ku unë iki në kafe dhe ligji nuk më prek se jam i paprekshëm.
Punësimi
Vijmë të punësimi, temë e debatuar se dhe këtu shifrat janë të limituara se janë në llogaritë e shtetit. Ka llogari tatimore ku janë shifrat dhe zyrat e shumë anatemuara të punës dhe deri më sot kanë ndërmjetësuar e siguruar punësimin e 10 359 persona të papunë. Bëhet fjalë për ata që kanë hyrë në zyrat e punë në punë, por ka të tjerë që kanë hyrë në punë jo përmes zyrave të punës.
Financimi për programin e punësimit do rritet. Lufta ndaj ilegalitetit në punë po vijon intensivisht dhe vetën për qershorin tatimet kanë regjistruar mbi 1 mijë punonjës që mbaheshin ilegalisht në punë.
Problematika është e qartë dhe aty. Administrata përbën një pengesë serioze në rrugën e zhvillimit, por dhe se ende nuk kemi kritere për performancën e punonjësve në punë. Të gjithë punonjësve të tatimeve e doganave do i nënshtrohen provimeve dhe nga ana tjetër do investojmë në mënyrë intensive në rritjen e rrogës kundrejt meritës.
Te financat jemi shumë më lart në mbledhjen e të ardhurave dhe shumë më lart në kontrollin e shtetit mbi aktivitetin financiar dhe kemi kërkuar dhe do kërkojmë me këmbëngulje që prokuroria të luftojë të gjitha punat e evazionit dhe posacërisht evazionin me skemat e TVSH. Është arrestuar një grup i tërë personash që përdornin skema mashtruese me TVSH. Sigurisht ka ende shumë për të bërë. Burimet e reja të rritjes janë dhe burimet ku duhet të shkojnë paratë.

ARSIMI
Sipas kryeministrit Edi Rama për here të parë këtë vit mbi 24 mijë maturantë plotësuan formularin A2, dhe për herë të parë kishin të qartë institucionin ku mund te vijonin studimet, jo si me parë ku shkonin pas ‘berihajit nëpër gropat e zeza që qelbnin vendin dhe për të cilat askush nuk bënte asgjë’.
Rama sqaroi se debati i kuotave është i fryrë, pasi janë respektuar kërkesat e universiteteve, duke ulur me 2800 kuota është e bazuar në kritere shumë objektive, lidhur nga numri shumë i vogël i studenteve në disa programe dhe mesatarja qesharake e studenteve në to. Sipas Ramës, mbyllja e disa universiteteve ishte domosdoshmëri për shkak se nuk plotësonin kriteret më minimale. “Për të dal nga gropa duhet të mos e diskutojmë që jemi në gropë. Gjatë analizës se pse janë reduktuar kuotat e studimit, kanë dal se 25 programe kanë më pak se 10 student. 14 programe kanë student me notë mesatare 5.5. ndaj ulja me 2800 kuota mes kërkesës dhe asaj që ka propozuar MAS është shumë e menduar.”-tha Rama.

Investimet
Duke u ndalur tek investimet në sektorin e infrastrukturës, Rama theksoi se gropa financiare e trashëguar nga qeveria e kaluar nuk lë hapësira për investime strategjike, siç është Korridori i Kaltër, aks i cili do lidh Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, përmes Mesdheut.
“Kam dëgjuar shpesh herë se pse nuk bëhen rrugë të reja. ajo politika rrugë rrugë, jo vetëm ja humbi rrugën Shqipërisë, por dhe e la rrugëve. Kjo ka lidhje me paratë, ka lidhje me gropën që kanë në çdo rrugë ata që ishin më përpara, se nuk i mbuluan rrugët me financim. Ne duhet të gjejmë burimin e financimit. Fondet që kemi në dispozicion qoftë nga FMN dhe donatorë të tjerë, do i vëmë në dispozicion të qeverisë së re, duke nisur nga qendrat që rrisin dhe cilësitë e jetës së periferive. Në3se qeveria e mëparshme hodhi para për të investime për fushata, ne po investojmë për herë të parë në zemrat e zonave ekonomike, në qytetëset dhe aty ku janë komuna që3 janë burimi kryesor i rritjes ekonomike.
Kjo nuk do të thotë se përjashtojmë të tjerët, por stimulojmë zhvillimin. Po investojmë për Elbasanin, Durrësin, Beratin, Burrelin. Investimet që kanë nisur në Elbasan janë të një niveli me më shumë se 20 vite bashkë. Lushnja, vite të tëra pa asnjë investim të rëndësishëm. Po punojmë për disa projekte strategjike, dhe jemi pranë për një marrëveshje për rrugën e Arbrit, dhe shpresojmë që kjo rrugë të përfundoj me sukses për financimin. Projekti tjetër që është një projekt më shumë sesa investim, është Korridori i Kaltër është praktikisht aksi që do të përfshijë pjesën jugore të Kroacisë, Malin e Zi, dhe Shqipërinë në aksin turistik mesdhetar. Këto segmente të ngelura bëjnë bashkë një segment. Ky është plani i madh që nuk realizohet me buxhet, pasi nuk jemi aq të marrë.”-tha Rama.

Pyetje te tjera nga gazetarët

Nuk përmendet shëndetësinë. A do të ndodh e njëjta gjë dhe për spitalet siç u bë dhe për universitetet?
Gjatë sezonit turistik, një rol të rëndësishme luajti dhe sistemi shëndetësor, duke vënë dhe qendra shëndetësore afër pushuesve. Jam i vetëdijshëm që ka ende shumë për tu bërë. Shëndetësia është një sektor me shumë probleme, por gjerat kanë nisur në drejtimin e duhur, siç është QSUT. Ndërkohë, angazhimi ynë është i qartë, pasi do kalojmë në një sistem shëndetësor, jo sipas xhepit, por sipas nevojës do japim shërbimin tonë. Në këtë sektor, nuk është kaq e thjesht dhe e shtruar rruga e eksperiencës dhe e mundësive të mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare. Padyshim që në shëndetësi kemi një problem serioz të trashëguar, që është ryshfeti. Dhe për këtë arsye, ky sesioni i ri ku kryefjala do jetë antikorrupsioni në të gjithë sektorët, përmes goditjeve të fenomenin dhe goditjeve të personave të përfshirë në korrupsion, do ketë një proces që do nis dhe do përfshijë të gjithë qytetarët të luftojnë korrupsionin.
Nga radhët e Partisë Socialiste është kërkuar dorëheqja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. A e ka një emër konkret kryeministri, për këtë post? Jemi përballë një fakti të thjesht dhe të qartë. Kryetarin e Bashkisë e ka zgjedhur gjykata. Kryetari është angazhuar se do ishte në shërbim të qytetarëve, dhe ndërkohë, jo vetëm merret vetëm me politikë e ka lënë Tiranën në rënie të lirë. Dhe rasti që diskutohet këto ditë është rasti spektakolar i një dyfytyrësie; dëgjoni çfarë them unë mos bëni ç’bëj unë
Çfarë prisni nga Konferenca e Berlinit?
Ne jemi në vitin e parë të një Ballkani ku nuk ka asnjë konflikt të hapur dhe jemi në 100 vjetorin e Luftës së Dytë Botërore dhe është një hapësirë e re për zhvillim. Gjëja që është kuptuar nga të gjithë është se kemi një,horizont mundësish. Kemi një rrugë të vështirë, pasi njerëzit në Shqipëri nuk kanë mundësi të presin pafundësisht dhe nuk mund të ushqehen me kapitujt e integrimit,. Duhet të jemi pjesë e Evropës, ndaj dhe ftesa e Kancelares vjen si bazë e kësaj situate. Rajoni si i tërë nuk pret, siç është Korridori i Kaltër, duhet të ketë mbështetje financiare. Kjo është ajo çka jemi përpjekur të themi gjatë gjithë kohës. Dhe kursi i politikës sonë të jashtme ka qenë kjo kryefjala. Jemi në një stacion ku duhet të jemi të gëzuar, por duhet të hapim një proces të ri të marrëdhënieve të reja me BE.
Nëse NATO do ndërhyjë kundër ISIS në Afganistan, a do të marrin pjesë dhe forcat e qeverisë shqiptare?
Ne do të bëjmë gjithçka që na takon, pasi ne jemi një pjesë e NATO dhe nuk jemi prapashtesë e rastit, Dhe do marrim përsipër gjithçka, Do ndihmojmë dhe do marrim pjesë, por se si kjo është një çështje që do varët nga mundësitë tona.
A ka trafikantë e kriminelë në Parlament?
Të flas për grupin parlamentar të PS para se të përpilonim listën kemi kërkuar dëshmi penaliteti. Dhe dëshmi penaliteti janë ato që kush sot ka bërë cfarë dhe kush është i pastër apo i papastër në drejtësi. Kush është i gatshëm të shtojë të tjera, unë nuk kam arsye të besoj asgjë nga ato broçkulla që thotë opozita.
Kompleksi te Liqeni, cfare mendoni per projektin e kullave 17 kate te Bashkise se Tiranes?
Ai nuk është parku te liqeni por vendi ku u betua kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës që tha se do jetë një fushë ku të luajnë fëmijët, të rinjtë e madje dhe pleqtë.(Kortezi: news 24, BalkanWeb)

Filed Under: Politike Tagged With: FULLANI NUK VARET, kryeministri Rama, NGA QEVERIA, SHPALOS SUKSESET...

EDI RAMA DUHET TA ÇRRËNJOSË KUPOLËN FEUDALE-TRIBALE TË DIKTATURËS 23 VJEÇARE

August 21, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
kandalet e fundit në Shqipëri janë ai i Bankës të Shtetit dhe sekretarit të punësimit të deputetit Kokëdhima. Këto skandale flasin qartë për degradimin e sistemit në Shqipëri, si pasojë e abuzimit me pushtetin përmes mitmarrjes, klientelizmit dhe nepotizimit.
Në Bankën e Shtetit, për shembull, janë të punësuar njerëzit e afërt të majës së Piramidës shtetërore të ndërtuar këta 23 vjet tranzicion. Të PD, PS dhe LSI. Prandaj palët heshtin.
I keni dëgjuar boritë e kooperativës folkorike të deputetëve të PD-së kundër ish-sekretarit të Kokëdhimës? Po përse heshtin për skandalin e Guvernatorit Fullani. Heshti edhe kryeministri Rama kur u bë me dije se bashkëshorti i Ministres Gjermeni është në një pozicion kyç në Bankën e Shtetit. Ky zotëri rezulton të jetë punësuar këtu prej 2001. Por pyetja është, a kemi këtu konflikt interesi?
Pyetja tjetër është, a kemi shpërdorim të pushtetit nga ana e zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, të cilët i kanë punësuar bijtë e të afërmit e tyre në BSH?
Pyetja tjetër është se kush do t’i dënojë këta zyrtarë të lartë për shkelje të Kushtetutës, kur drejtësia është e pushtuar nga njerëz me lidhje familjare apo politike si gruaja e Fullanit and Co!
Prandaj themi se shteti është i kapur dhe sistemi ka rënë! Sepse në një sistem demokratik kemi shtetin e së drejtës, ku pushtetet janë të pavarura.
Le t’i kthehemi skandalit të ish-sekretarit të deputetit Kokëdhima në Sarandë, i cili u shoqërua me një fushatë linçuese të gazetës Shekulli kundër gruas që denoncoi tentativën për krim ndaj bijës së saj të mitur. Nga njëra anë deputeti Kokëdhima me të drejtë denonconte sekretarin e tij si pervers, nga ana tjetër gazeta Shekulli, botuesi i së cilës ka qenë Kokëdhima, e linçonte zonjën në fjalë, duke e nxjerrë të pafajshëm perversin. A kemi moral këtu?
Por personi që linçonte gruan trime tek Shekulli, i cili është pronari i hotelit ku ajo kishte punuar, nxjerr në pah „sekretin“ se si funksionon klientelizmi politik, i cili ka kalbur jo vetëm administratën publike, por edhe sektorin privat, duke ia marrë frymën tregut të lirë, pa të cilin nuk mund të ekzistojë kapitalizmi.
Në intervistën e dhënë tek gazeta e Kokëdhimës midis të tjerave ai thotë se „E. (Elvirën – shënimi im) ma pruri partia tek një mbledhje që kemi bërë me deputetin tek restorant hotel “Nertili”. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në linkun që e kam publikuar http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=53803&kat=100)
Partia dhe deputeti që përmend i intervistuari nga Shekulli janë PS dhe deputeti Kokëdhima. Dhe prej këtej del se deputetët e partisë janë të plotfuqishëm. Ata kanë lidhje me biznesmenë, të cilët janë të detyruar të punësojnë njerëzit e deputetëve.
Kështu funksionon sistemi klientelisto-nepotik i krijuar nga trioja PD, PS e LSI. Prandaj shteti është i krimbur. Sepse kjo kalbje është e gjithë kupolës. Në një intervistë tek Zëri i Amerikës zonja Mirela Arqimandriti, drejtuese e Aleancës Gjinore për Zhvillim thotë se ngjarja e Sarandës nuk është një rast i izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut të një morie ngjarjesh të tilla. “Kërkohet o para o seks në këmbim të një vendi pune, në këmbim të një të mire materiale në një vend të caktuar. Kjo është masive, kudo kërkohet o para o favore seksuale si në rastin e kësaj zonje.” Pra sekretarë si ai i Kokëdhimës ka plot, dmth kanë edhe deputetët e PD e LSI-së apo sekserët e tyre.Në emisionin e mëngjezit sot tek Koha për t’u zgjuar në News24, një qytetar denoncoi deputetin e PD Igli Cara i cili, sipas tij, kishte punësuar njerëz të vetët me diploma fallco marrë tek Kristal.
Denoncimi i këtij qytetari mund të jetë edhe hakmarrje e pastër, sepse Igli Cara është nga të vetmit deputetë të PD që ka kërkuar,dy ditë më parë, dorëheqjen e Guvernatorit Fullani.
Por gangrena mbetet. Shqiptarët janë të detyruar nga politika të votojnë jo për më të mirët, por për ata të cilët u premtojnë punë, si favor dhe jo si e drejtë thenelore e njeriut në një shoqëri të lirë. Punëdhënësit e tyre janë abuzues të pushtetit të popullit. Sepse deputeti votohet jo t’i shërbejë një pakice të privilegjuar, por gjithë komunitetit. Nga ana tjetër, edhe të punësuarit janë profiterë. Kesisoj kemi edhe degradimin e shoqërisë shqiptare. „Moraliteti ka marrë fund në Shqipëri, i tha Zërit të Amerikës zonja Arqimandriti“.
Nga ana e tij, Erion Veliaj, ministër i punës në kabinetin Rama, reagoi ndaj metodës Kokëdhima – e cila aplikohet si një metodë masive nga politika – duke thënë që të papunët të shkojnë në zyrat e punës dhe jo të deputetëve.
Por me një fjalë goje nuk ndryshon ai pisllëk që është ngritur për 23 vite rresht. Sepse këtë mekanizëm degradant e mbajnë në fuqi PD, PS dhe LSI. Prandaj zgjedhjet janë si fushëbetejash. Sepse riciklohet pushteti në dëm të shtetit ligjor. Partitë në Shqipëri funksionojnë si feude, ndërsa deputetët si feudalë me një pushtet të pakufizuar.
Edi Rama ka premtuar se do të luftojë plagët e tranzicionit. Të cilat i dalin si fantazma çdo ditë para syve. Po mbushet viti që ka ardhur në pushtet. Edi Rama nuk e ka të vështirë. Pasi ka me vete votat e 1 milionë shqiptarëve dhe do të ketë me vete edhe gjithë opinionin mbarë . Aq më tepër kur feudalët e tranzicionit janë prej kartoni, pa asnjë lloj legjitimiteti. Ata largohen me një të rënë të lapsit. Ashtu si u veprua në Lazarat, e cila dukej një kështjellë e pamposhtur e kupolës të krimit. Por duhet të veprojë tani.
21 Gusht 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: diktatura 23 vjecare, Edi Rama, Elida Bucpaj

70 Vjetori në Shqip i Zerit të Amerikës në një Broshurë

August 21, 2014 by dgreca

Faleminderit Dr.Elez Biberaj!/
Faleminderit Dr.Elez Biberaj për broshurën që na dërguat rreth 70 Vjetorit të Zërit të Amerikës në shqip që u organizua vjet në mjediset e zyrave të saj në Washington DC.
E lexova dhe i shfletova faqet dhe fotot me vëmendje dhe emocion për shumë arsye…, por edhe pse ishja e ftuar atje si TV Alba Life në New York, çka më kujton thënien e presidentit të Amerikës dhe mikut të shqiptarëve që shpëtoi coptimin e Shqipërisë i cili thotë: Unë kurrë nuk e lexoj një liber në qoftë se ka qenë e mundur të bisedojë një gjysmë ore me autorin qe e shkruajti atë. Dhe ishte kënaqësi që ju intervistova ju dhe shumë gazetarë të tjerë të Zërit të Amerikës që punuan dhe punojnë me devotshmëri dhe kulturë për Atdheun tonë të shumëvuajtur.
…Zëri i Amerikës është një nga mediet më kryesore dhe që ka realizuar një nga misionet më fisnike për të frymëzuar popujt që jetonin nën diktaturë që të çliroheshin nga ajo dhe të fitonin Lirinë e mohuar. Për rrjedhojë kurrë shqiptarët nuk do ta harrojnë emisionin: “Ju flet Zëri i Amerikës” veçanërisht në luftën dhe përpjekjet e përmbysjes së sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Zëri i ikonës së gazetarisë Dr.Elez Biberaj u bë një nga zërat më të dashur dhe më besues se shumë politikanë të tjerë që morën frenat e drejtimit pas përmbysjes së diktaturës… ( pjesë e shkëputur nga reportazhi: Zëri i Amerikës 70 vjet në shërbimin shqip K.Zylo)
Kozeta Zylo
Staten Island, New York
Gusht, 2014
Shënimi ynë : Kjo broshurë ka shkuar tek të gjithë pjesmarrësit në festimet e 70 vjetorit të Zërit të Amerikës. Një kopje e tillë ka ardhë edhe në Vatër.Faleminderit!

Filed Under: Komente Tagged With: 70 Vjetori në Shqip, i zerit te Amerikes, në një Broshurë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT