Deklaruan DioGuardi dhe Shirley në TV Ilirët të Çikagos/
Ish kongresisti dhe kryetari i LQSHA-së DioGuardi bashkë me Shirley vizituan TV Ilirët në Çikago dhe në bisedë me redaktorin Gëzim Muhaj kanë biseduar për çështjen shqiptare të pa zgjidhur në Ballkan me theks të veçant për pozitën jashtë kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni.
Në redaksinë TV Ilirët,DioGuardi,shpalosi kujtimet e tij nga rrugëtimi për të senzibilizimin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe të diskriminimit antishqiptar që bëhej në ish Jugosllavi ndaj Kosovës dhe pjesëve tjera etnike si në Maqedoni,Mal të Zi,Preshevë e Medevegjë,Çamëri dhe të ndarjes së Shqipërisë nga regjimi komunist.Në shpalimet e tij arbëreshi shqiptar DioGuardi,theksoj se takimi im me njerëzit e gjakut tim me shqiptaro-amerikanët u bë përmes mikut tim Bill Cassin(një irlandezo-amerikan)që me vonë ishte nismëtari që unë të kadidoja për Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres.Posa hyra në portën e Kongresit në Washington jam afruar shumë me Tom Lantos dhe John Porter dhe tashti në dijeni të plotë për pozitën e vështirë të shqiptarëve në ish Jugosllavi,kam afruar para tyre platformën time konbëtare që për Kongresin dhe Senatin të përgatisim një rezolutë për avansimin e çështjes shqiptare në Ballkan.Kjo u mirëprit nga Tom Lantos,Gilman,Hyde dhe me ato 50 fimosje tjera kongresmenë dhe senatorë.
Po tashti ku jemi,pyeti DioGuardi,duke shtuar se populli shqiptar ende po vuan në Ballkan.Kosova u pavarësua dhe bën rrugën e shtendërtimit e lirë dhe demokratike.Me ndihmën e parezervë të popullit amerikan dhe të Kongresit e të Senatit me Departamentin e Shtetit,Kosova u nda përgjithmonë nga regjimi antishqiptar të Serbisë së Millosheviqit.Në këtë kohë ende po lëvizin skenarët antishqiptar dhe këso kohe duhet të përmendi çështjen e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni.Në këtë vend nuk mund të lejohet që populli shqiptar të anashkalohet dhe ka mbetur anash Kushtetutës si popull(jo pakicë kombëtare)dhe jo element konstituiv(shtetformjues).Klasa politike shqiptare në Maaqedoni ka dështuar dhe tashti ajo ka mbetur vetëm si vëzhgues i ditës se çfarë po ndodh me shqiptarët në trojet e veta.Ne do të reagojmë përmes protestës në Çikago dhe do të çojmë mesazhin e qartë për Nikolla Gruevskin dhe regjimin e tij se populli shqiptar në këto hapësira nuk meriton të vuaj dhe të nëpërkëmbët ashtu si do dikush dhe ashtu si e ka të projektuar në skenarët e njohur për ne.
Diaguradi dhe Shrley theksuan në TV Ilirët se Maqedonia mund të ekzistoj dhe të frymoj në mënyrë demokratike vetëm me demokrazitimin dhe ndryshimet kushtetuese përmes vijave të federalizimit ,ku populli shqiptar në trojet e veta do të avansohet në shkallë kombëtare(shtetformues).Për gjendjen e tashme aktuale në Maqedoni,LQSHA-ja në bashkëpunim me të gjithë shqiptaro-amerikanë dhe në bashkëpunim të ngusht më Kongresin dhe Senatin në Washington,do të kërkojmë që populli shqiptar në Ballkan mos ti mbetët mbi qafë vuajtja dhe trajtat e pabarazisë me popujt tjerë me të ciët jetojnë në Maqedoni,Mal të Zi,Preshvë e Medevegjë si dhe kërkesa për çështjen e Çamërisë së vrarë e të hequr nga harta e vet etnike nga regjimi helen i Greqisë.Për çështjen e pa zgjidhur shqiptare në Maqedoni do të përgatitet rezolutë për Kongresin dhe Senatin dhe për të drejtën e lirisë e të paqes për shqiptaët që ende po vuajnë në Ballkan nuk do të pushojmë nga aktivitetet tona konbëtare.Unë kam gjak shqiptari dhe kërkoj që tërë shqiptaro-amerikanët në Amerikë të afrohen më LQSHA-në dhe të sendertojmë programin se populli shqiptar ende po vuan në Ballkan.Intervista e gjerë e DioGuardit me Shrley do të emitohet në programet e rregullta të TV Ilrët,ndërkaq u kërkua që kjo intervitë të dërgohet për emetim për TV Koha në Tetovë dhe TV Kaltrina në Strugë.Arbëreshin shqiptar DioGuari në TV Ilrët në Çikago e shoqëruan kretari i LDSH-së Xhevat Sherifi dhe drejtori ekezekutiv i SHSHA-së Skënder Karaçica me veprimtarët tjerë.
* E dergoi per Diellin-Skender Karacica-Çikago
Archives for August 2014
NJOFTIM nga Albanian Film Festival- New York
Festivali i Filmit Shqiptar në Nju Jork, hapur për të gjithë/
Festivali i Filmit Shqiptar në Nju Jork njoftoi se ka nisur përzgjedhjet për dy çmime të paprecedentë, për të cilat mund të konkurrojë kushdo. Si në asnjë festival tjetër filmi shqiptar, organizatorët e Albanian Film Festival (AFF) me bazë në Nju Jork të SHBA-së i kanë shtuar listës së çmimeve tradicionale dy kategori për të cilat mund të konkurrohet pa pasur nevojë të kesh realizuar një film.
Bëhet fjalë për konkursin për Skenarin më të Mirë shkruar për film me metrazh të shkurtër, fituesi i të cilit do të sigurojë nga Festivali financim për realizimin e filmit, deri në 20 mijë dollarë. Në konkursin tjetër të veçantë mund të merret pjesë duke realizuar një video amatore deri në 30 sekonda ku të interpretohet një skenë e famshme nga filma shqiptarë në vite. Videot e përzgjedhura do të qarkullojnë në mediat sociale të Albanian Film Festival dhe ajo që do të pëlqehet më shumë do të shpallet fituese e dy ftesave VIP për në Festival ose e një iPad-i.
Themeluesi dhe drejtori artistik i Albanian Film Festival, Ariot Myrtaj, tha në një deklaratë se AFF mirëpret konkurrues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kudo në botë.
“Misioni i Festivalit të Filmit Shqiptar këtu në Nju Jork është të promovojë trashëgiminë dhe kulturën shqiptare tek publiku amerikan e më gjerë. Ne jemi entuziastë të përfshijmë talente të reja në botën e kinematografisë panshqiptare,” tha ai.
Sa i përket procedurës së konkurrimit, AFF shpjegon se skenarët duhet të jenë të përkthyer dhe në anglisht dhe duhet t’i dërgohen Festivalit brenda datës 15 shtator duke u ngarkuar në hapësirën përkatëse të faqes së internetitalbanianfilmfest. Krijuesit e videove me skena nga filmat shqiptarë mund t’i dërgojnë Fesivalit videot e tyre me anë të emailit, nëinfo@albanianfilmfest.com, si dhe në mediat sociale kryesore duke përdorur #myAFFmovie.
Ariot Myrtaj tha për mediat se shpreson që këto dy nisma të veçanta të Festivalit të mund të afrojnë më tepër njerëzit, dhe sidomos të rinjtë, ndaj madhështisë së botës shqiptare të shprehur nëpërmjet kinematografisë.
“Ne synojmë – shtoi ai – që të inkurajojmë krijimtarinë e të gjithë atyre që mendojnë se kanë diçka për t’i ofruar kinemasë me identitet shqiptar, qoftë edhe kur nuk kanë mundësi financiare. Albanian Film Festival, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë në vitin 2012, shfaqi 100 filma në Nju Jork dhe ndërsa ai numër është ulur për të na lejuar të përqëndrohemi më shumë tek konkurrimi, përkushtimi ynë ndaj promovimit të artit shqiptar nuk ka ndryshuar.”
Festivali i Filmit Shqiptar në Nju Jork do të zhvillohet në SVA Theaters në Manhattan nga data 2 deri më 9 tetor 2014. Më pas Albanian Film Festival 2014 do të udhëtojë në Boston, më 11-12 tetor. Festivali AFF organizohet nga Albanian Artists Association me bazë në Nju Jork. Informacione të mëtejshme mund të gjehen në faqen e internetit albanianfilmfest.com.
Shënim për mediat:
Organizatorë të Festivalit, përgjegjës për aspekte të ndryshme të aktivitetit, janë të disponueshëm për intervista televizive (live ose përmes Skype-it), radiofonike apo të shkruara. Për planifikim të intervistave me ta apo me drejtorin artistik Ariot Myrtaj, i cili do të udhëtojë në rajon së shpejti, ju lutemi kontaktoni në adresëninfo@albanianfilmfest.com.
Ju Falemnderit,
Albanian Film Festival
Shqipëria e viteve 80’90’ në aparatin e një fotografi të huaj
Fotografi ku tregohet realiteti i trishtë dhe i varfër, i sistemit komunist në Shqipëri/
NEW YORK : Një fotreportazh – që po qarkullon këto ditë në rrjetin social Youtube – Facebook dhe Twitter, janë marrë nga një fotoreporter francez me 40 vjet eksperiencë, i quajtur Michel Setboun( www.setboun.com ), të cilat paraqesin një pjesë të atij realiteti i trishtë dhe i varfër, maskuar me propogandën e egër të regjimit komunist në Shqipëri
Fotot i përkasin dekadës së fundit – ditëve të fundit të mjerimit, skamjes, frikës dhe diktaturës dhe hsresës së”vdekur” që duken në syt dhe fytyrat e shqiptarëve të mërzitur me propogandë dhe me “barkun bosh”
Këto fotografi mund të duken sikur janë marrë nga periudha e disa vendeve, komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, por në fakt janë bërë vetëm një dekadë më parë në Shqipërinë e “lulëzuar” ‘Fanarin e komunizmit” që ua plasi sytë botës në atë kohë.
Siç shihet në fotografitë e fotografit francez Setboun ato janë bër në prag të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
Video me fotografit është e ndarë në disa pjesë që tregojnë aspekte të ndryshme të jetës në ato vite, dhe mbyllen me eksodin tragjik që kaloi Shqipëria në vitin 1990.
Ndërsa, muzika që shoqëron slide shown është kryesisht me kaba përmetare.
Video mbyllet me një fotografi të viteve ’90 me popullin në gëzim dhe me shpresa për të ardhmen duke u larguar nga “Shqipëria e lulëzuar”.
Ajo tregon rrugët me pluhur, të boshatisuara, parrullat propogandistike, qendrën e Tiranës ku duket vetëm një automjet, karrocat që përodreshin si mjete transporti, biçikletat, punët në koooperativa, raftet bosh të dyqaneve dhe radhët e gjata të njerëzve që prisnin për të marrë ushqime, të cilat ishin të zakonshme në periudhën e fundit, në prag të rrëzimit të sistemit komunist që kishte falimentuar.
I konsideruar si shteti më i fuqishëm në propogandën komuniste – duke e propoganduar edhe në botë sikur Shqipëria të ishte e lulëzuar – duke i kaluar edhe Amerikës në ato vite, për nga mirëqenja sociale, realiteti ishte krejt tjetër brenda Shqipërisë, e zhytyr e tëra në skamje, mjerim dhe frikë nga sigurimi i shtetit dhe policia.
Pamje të tilla, të cilat kanë qenë shumë herë më të rënda dhe dëshpëruese, natyrisht që nuk mund t’i harrojmë, të gjithë ne shqiptarët që i perjetuam ato vite dhe tani ua tregojmë atyre që “nuk duan të na besojnë’./Beqir SINA/
PS:Fotografite shihi ne websit: www.setboun.com
NGA PATRIOTËT MË MENDJE NDRITUR QË KA QITË NDONJËHERË KOMBI SHQIPTAR
Nga Frank Shkreli/
Javën e parë të Korrikut pata nderin të merrja pjesë nëpromovimin e librit, “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807-1957, libër ky i botuar në tre vëllime, i studiuesit Ndriçim Kulla. Është ky një botim shumë i dobishëm dhe i rëndësishëm për brezin e tashëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, sepse vëllimet janë një përmbledhje e mendimeve të nja 75 intelektualëve të kombit shqiptar të periudhës që mbulon sepse shumë prej tyre ishin të ndaluar nga regjimi komunist.Vepra e Zotit Kulla është botuar nga Shtëpia Botuese, “Plejad.Është me rëndësi dhe tepër e dobishme botimi i këtyre vëllimeve në këtë kohë, sepse këta intelektualë patriotë, ndërkohë që Shqipëria siguroi kohët e fundit statusin e kandidatit, pothuaj të gjithë dëshmojnë se shqiptarët e kanë vendin aty, në Europë, shpirtërisht dhe gjeografikisht. Të gjitha shkrimet e tyre në gazeta dhe revista të kohës kur jetonin, i përkasin brezave të shqiptarëve që mund të thuhet se ishin të pafat, dhe të cilët megjithë virtytet e tyre të larta patriotike dhe intelektuale, jetuan dhe vuajtën, ndërkohë që shumë prej tyre e pësuan keq, madje edhe me jetë për qëndrimet e tyre, gjatë periudhave historike të cilat qenë orëzeza për kombin shqiptar, siç ishte regjimi brutal komunist i gjysëm shekullit të kaluar. Shumë prej tyre, fatkeqsisht u zhdukën nga regjimi komunist si përfaqsues të mendimit të pavarur dhe si mbështetës të fjalës së lire.Siç mund të shihet nga mendimet e tyre të përfaqësuara në këto vëllime, dhe ndonëse jetuan dhe vepruan në tallazet më të vështira të historisë kombëtare –ata ishin ndër atdhetarët më të spikatur dhe njëkohësishtata ishin në radhët e disa prej mbrojtësve më të dalluar të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëvetë të gjitha kohërave.Ishin këta të cilët promovuan idealet dhe vlerat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që frymëzimi i të cilëve çoi më në fund edhe në pavarësinë e shqiptarëve. Megjithëse shumë prej tyre jetuan dhe vepruan jashtë atdheut, shpesh të ndjekur e të përbuzur, megjithëkëte ata kurrë nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre në të mirën e kombit shqiptar.
Për t’i nderuar si të tillë,si fëner të dijës kombëtare, si burra dhe largpamës që ishin, në promovimin e kësaj enciklopedie mendimesh shqiptare, mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani, përfshirë ndër të tjerë edhe Zotin Bujar Leskaj, Kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, si dhe një numër personalitetetsh të ndryshme nga jeta kulturore dhe akademike, studiues, gazetarë dhe publicistë.
Në fillim të ceremonisë sëpromovimit, Presidenti Nishani vlerësoi veprën tre-vëllimore të studiesit Ndriçim Kulla, si përfaqsuesi më i lartë i shtetit, duke thënë se botimi është ndër më të rëndësishmet e viteve të fundit, i cili për nga rëndësia, “me siguri shënon një gur kilometrik në rrugën e editorisëshqipe”, duke shtuar se, “për herë të parë, në një përmbledhje të shkëlqyer i jepen lexuesit shqiptar në mënyrë të sintetizuar, fragmente të çmuara të 75 intelektualëve të ndritur në të gjitha fazat e jetës disa shekullore të mendimit të inteligjencës së shqiptarëve.”
Telashet historike të kombit shqiptar nuk e lënë atë kurrë rehat, aty në trojet e veta. Duke folur për këtë dhe për kontributin që kanë dhënë intelektualët shqiptarë në mbijetesën e kombit, si dhe për fatin e keq të këtyre breznive të pa fat, Presidenti Nishani theksoi se fati i keq i gjeopolitikës i përplasi gjithmonë në ballafaqime tragjike me perandoritë dhe barbaritë e kohës dhe shtoi se, “Ata nuk patën luksin që të shijonin intervale të gjata lirie e begatie, por dijtën që të ruanin instinktin e mbijetesës, madje edhe në vitet më të errëta”. “Në këtë panoramë të tentativës së përhershme për eliminim kombëtar, duke filluar aty nga fundi i Mesjetës” tha Zoti Nishani,“nisën të ndriçojnë disa yje të rralla mendimi, të cilat artikuluan për herë të parë në shqip vetëdijen e ekzistencës sonë.Ne duhet t’u jemi përherë në jetë mirënjohës Buzukut, Bogdanit, Budit, e të tjerve, që janë pionerët, me të cilët zë fill potenciali shprehës i mendimit shqip”, përfundoi vlerësimin e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani.
Këto tre vëllime, siç thotë edhe Profesor Ksenofon Krisafi në vlerësimine tij –studiuesi Ndriçim Kulla, këtyre simboleve të shënjta të mendimit shqiptar u ka ndërtuar, sipas tij, një “muze në kuptimin figurativ të fjalës, në formën e një botimi përmbledhës, kishte trokitur ora që ata, të grupuar në eksponentët e një krestomacie, t’i flisnin njëri-tjetrit dhe të komunikonin kronologjikisht, që lexuesi ta shijonte të plotë mozaikun shumëngjyrësh të mendimit shqiptar në çdo etapë, që kur nisi të kultivohej ai”.
Përfaqsuesit e këtyre mendimeve, ose më mirë të themi testamentet e disa prej më të ndriturve të mendimit shqiptar, sipas tre vëllimeve të “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar 1807-1957” të studiuesit Ndriçim Kulla, janë këta: Gjon Gazulli, Marlin Barleti, Engjëll Mashi, Xhuzepe Krispi, Vincenso Dorsa, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, Sami Frashëri, Shahin Kolonja, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Lazër Shantoja, At Ambroz Malaskaj, Visarion Xhuvani, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, I Përndershmi Fan Stilian Noli, Eqërem bej Vlora, Branko Merxhani, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Krist Maloki, At Xhiuseppe (Zef) Valentini, Profesor Ernest Koliqi, Gaetano Petrotta, Karl Gurakuqi, Jorgji Meksi, Vangjel Kola, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Hafiz Ali Kraja, Ismet Toto, Safet Butka, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Zef Mala, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Donat Kurti, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, At Marian Serdani, Filip Fishta, Profesor Eqrem Çabej, Athanas Gegaj, Ilo Mitkë Qafzezi, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Floqi, Mustafa Kruja, Osman Myderizi, Zef Mark Harapi, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Gazulli, At Bernadin Palaj, Dom Gaspër Gurakuqi, Jakov Milaj, Dom Ndoc Suma, Gjon Kasmi, Mitrush Kuteli, At Justin Rrota, Mati Logoreci, Profesor Martin Camaj, Namik Resuli, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani, ndër të tjerë.
Është kjo një listë që të bën të pyetësh vetveten, se cili do të kishte qenë fati i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve po të kishin mbizotëruar mendimet e këtyre patriotëve. Si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre pro-perëndimore? A e humbi luftën ajka e kulturës dhe e mendimit shqiptar që paraqitet në këtë Enciklopedi në krahasim me një ideologji sllavo-aziatike, apo pikëpamjet e tyre janë gjithnjë frymëzuese për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të kombit shqiptar?
Më kujtohet me një rast, kur isha si refugjat në Romë, më 1970, duke biseduar me Profesor Ernest Koliqin mbi humbjen e nacionalizimit shqiptar dhe mbi fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe në Europën Lindore, si dhe për fatin me të cilin u përballuan intelektualët e përndjekur siç ishte ai, si rrjedhim i fitores së komunizmit në kontinentin europian. Profesori i nderuar, i cili radhitet me plot të drejtë në listën e mendimtarëve të Enciklopedisë së përgatitur nga Ndriçim Kulla, dhe i cili njihet përveë tjerash për kontributin e tij në hapjen e shkollave të para shqipe anë e mbanë trojeve të kombit shqiptar, tha me optimizëm: Edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbe humbi mbasi habiti botën me luftën dhe fitoret e tija kundër osmanëve. Megjithëkëtë, vepra e heroit kombëtar, tha Profesor Koliqi, nuk u shua.Përkundrazi, shtoi ai, ajo sot e asaj dite vazhdon të lëshojë rreze dritë gjithnjë e më tepër. Kështu, përfundoi ai, humbjet tona do të jenë të përkohshme, pasi mendimet dhe ideologjia e patriotëve të vëretetë do të këthehen përsëri në dobi të atdheut, jetën dhe veprat e tyre, të cilit ata ia kushtuan.
Ndriçim Kulla
Kështu mendon edhe autori i “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1897-1957”, Zoti Ndriçim Kulla, i cili shprehet se kjo përmbledhje e mendimit shqiptar, duhet të ketë kontribuar edhe në “baticën e mendimit demokratik” të 20-viteve të fundit në Shqipëridhe si e tillë, shprehet autori, duke shërbyer si pararëndsja më e denjë dhe më e përpiktë, do të dijë të marrë mendimet shqiptare të pasqyruara në këto vëllime, “të cilat kanë hedhur filiza të shëndetshëm gjatë këryre viteve, për t’i lartuar ato në pemë të mëdha e të patundura, duke u bazuar në udhëheqjen shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shëmbujve të mëdhej….për të ndërtuar një Shqipëri tjetër…të dijës e të përparimit.”
Ky do të ishte nderimi më i madh ndaj këtyre apostujve të kombit që kanë dalur ndonjëherë nga gjiri i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar.I këtyre mendje ndriturve dhe njëherazi edhe kundërshtarëve më të flakët të atyre që donin të shuanin dhe të mohonin traditat më të shëndosha shqiptare. Ndriçim Kulla ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm në panteonin e mendimit shqiptar duke e përmbledhur në një botim të vetëm pasqyrimin e vërtetë të karakteristikave të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha kohërave, duke na kujtuar se na ishte njëherë Shqipëria e vlerave.
Mithat Frashëri: “Partia ime është Shqipëria”
NGA ANTON ÇEFA*/
Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.
Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.
Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm.
Në ato kohë kur Shqipërisë i mungonte çdo gjë, edhe vetvetja, kur ideja kombëtare në hauzin e errët e kaotik të kohës përpëlitej në dhimbjet e lindjes, kur kultura qe veç djerrinë e asgjë më shumë dhe kur organizmit politik shtetëror i kishte humbur emri prej shekujsh, Zoti i fali asaj, ndër të tjerë, edhe treshen e vëllezërve frashëriotë: Abdylin për t’i vënë themelet shtetit, Samiun për të ravijëzuar platformën ideologjike të lëvizjes kombëtare dhe Naimin për të ndezur flakëzën e qiriut të fjalës, flakëz fjale e flakëz shpirti, dhe për të kultivuar përmes saj farën e edukatës kombëtare.
Mithati qe i vetëm. Duhej të kryente detyrat e të treve. Dhe i kreu. Qe i fundit. Duhej t’i kryente një herë e mirë. Dhe u përpoq tërë jetën pa kursyer asgjë. Me fjalë, si ideator i Shqipërisë së qytetëruar; me vepra, si demiurg i saj. Ai botoi një bibliotekë të tërë shkencore duke na mësuar të lexojmë abetaren e vetes, të kohërave dhe të popujve, shkroi një letërsi të tërë artistike, duke na shpirtësuar me frymën e shenjtë të idealit dhe të dashurisë dhe, kur Shqipëria rrezikohej të humbte në vorbullën tejet të trazuar e tejet të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, i dha asaj alternativën e shpëtimit.
“Partia ime është Shqipëria”. Me këto fjalë mua dhe ju na troket në kujtesë dhe do të na trokasë gjithnjë, ai Mithati, filizi i fundit i trungut frashëriot, atij trungu që i dha aq rrënjë truallit tonë dhe aq e aq degë qiellit tonë. Ndoshta sepse në ato fjalë, më shumë se kudo tjetër, përmblidhet jeta e tij, ideali dhe dashuria, puna dhe veprat.
U lind 125 vjet më parë. Nuk dua t’ia kujtoi vdekjen. Qe e errët. E errët, siç janë vdekjet që vijnë nga duar diktaturash. Jo pak njerëz të ndritshëm kanë vdekje të errëta.
“Partia ime është Shqipëria”. Ky qe ideali i jetës së tij. E lindi dhe e tharmoi që në fëmijëri të hershme, nën ndikimin e baba Abdylit, e urtësoi dhe e pasuroi me porositë e xhaxha Samiut dhe e shpirtësoi e i dha flatra me frymën e xhaxha Naimit. E leçiti me dritë në Manastir për t’i dhënë shkronjat alfabetit të gjuhës dhe abetares së atdhetarizmit, e shpalli me bujë në Vlorë, në atë më të bardhën ditë të 28-ës, përkrah Babait të Kombit dhe e mbrojti gjithnjë e gjithkund. Për hir të tij, iu kundërvu edhe Plakut, kur Janina rrezikohej prej të huajve, ashtu siç u rrezikua. Kështu iu duk, kështu e pleqëroi dhe kështu e veproi.
Dhe, më së fundi, e ngriti si një armë shpëtimtare, kur atdheu ra rishtas nën thundrën e të huajit. E ngriti si alternativën më të ndershme, kur të tjerë, të kulluar a të turbullt, i nënshtroheshin armikut me motivin për t’i shkyer një thelë sado të vogël për atdheun – duke folur për ata të shëndoshët, – a për të xhvatur sa më shumë për vete, a edhe thjesht për lakmira kolltukësh dhe kotësirash; dhe të tjerë, prishanakë të çmendur, që futeshin qorrazi a edhe syhapur në luftë, nën flamurin e turpshëm të ideologjisë së një Internacionaleje pansllaviste, për ta kthyer atë në një kasaphanë vëllavrasëse.
Në atë gjendje të tallazitur udhëkryqi për fatet e Shqipërisë dhe të kombit – sepse ai gjithnjë mendoi e punoi jo vetëm për gjysmështetin, por për shtetin shqiptar të të gjitha trojeve të veta – si një tribun i vërtetë, zgjodhi atë më të ndershmën rrugë, atë të bashkimit kombëtar, larg dasisë, kundër pasioneve egoiste që sjellin vetëm koncepte, qëndrime dhe institucione dasie.
U bë prijës i rinisë, i popullit, pa e lënë për asnjë moment rolin e mësuesit, të edukatorit. Dhe rinia e admiroi dhe i shkoi pas.
I armatosur me kulturat e qytetërimet e Lindjes e të Perëndimit, i rrahur me përvojat e jetës e të punës së dy botëve, në krahë politike dhe diplomacie, dhe i pajisur me një mendje të shëndoshë, me një zemër të madhe dhe me një vullnet të çeliktë, ai, dishepulli i idealeve demokratike, ai demokrati i vërtetë nuk krijoi parti, siç pritej, sado që e njihte aq mirë shkencën e demokracisë dhe gramatikat e partive, por krijoi një organizatë. Paradoks? – Jo, nuk ishte kohë paradoksesh. Ishte shtjellë ideali dhe domosdoshmëri, nevojë e kohës.
Përballë të huajit, populli është e duhet të jetë një. Vetëm një, i bashkuar; prandej ai duhej rreshtuar në një organizatë, siç është rreshtuar gjithnjë, kur në qiellin kombëtar kanë vetëtuar kërcnueshëm flakët kobndjellëse të rrezikut.
E krijoi dhe e drejtoi. Në fillim, në ditët e para të errësirës së huaj, si një rezistencë e gjithmbarshme sabotimesh e protestash dhe, në një fazë të dytë, si një luftë e armatosur çetash e më vonë njësitesh më të mëdha luftarake.
Komunistët hodhën baltë mbi të; po, a mbulohet ari me baltë? E quajtën “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar” 1), etj., etj. Dokrra! Gjykimin e artë e jep historia. Ndërsa ata përfunduan në fëlliqësitë e plehrave, qelbësirat e të cilave po na zënë hundët edhe po na ndotin mushkëritë sot e kësaj dite, e nuk dihet se deri kur, historia e ngriti atë në piedestalin e Heroit Kombëtar. Qoftë i qetë në lavdinë e vet! Atdheu do të ketë nevojë gjithnjë për shpirtin e tij, për fjalën dhe veprën e tij; por atdheu është ende i sëmurë dhe nuk kujtohet se duhet t’i japë dy metër vend për t’i pushuar eshtërat e shenjta.
Pse të mos e themi: pati edhe një “dobësi”: nuk mundi ta ngrejë dorën në luftën vëllavrasëse të imponuar nga komunistët. Kjo “hije” e ndriçon edhe më tepër madhështinë e personalitetit të tij. Si për të vërtetuar atë që thuhet shpesh: “Përjashtimi përforcon rregullin”. Më vjen mbarë këtu t’u kujtoj lexuesve një bisedë mes Hasan Dostit, mikut dhe krahut të djathtë të Mithatit, dhe Mustafa Gjinishit, fill mbas mohimit të Mukjes dhe shndërrimit të luftës çlirimtare në luftë për pushtet nga ana e komunistëve:
“Dosti: kush do të fitojë?
Gjinishi: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.
Dosti: Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t’ju konsiderojmë armiq dhe t’ju luftojmë në mënyrë të paskrupullt ashtu siç na luftoni ju.
Gjinishi: po fituat ju, jam i sigurt se nuk do të më hyjë gjemb në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi bashkë.” 2). Dhe dihet se si shkuan fatet e të dyve.
Natyrisht, në kushtet që po jetojmë, do të ishte paradoksale të pretendonim prej politikanëve dhe diplomatëve tanë të sotëm të bëjnë të tyren thirrjen frashëriote “Partia ime është Shqipëria”, por na vret në shpirt nëse nuk u kërkojmë ose së paku nëse nuk u kujtojmë që në veprimtarinë e tyre të mos nisen nga thirrje te kundërta.
Referenca
1. Akademia e Shkencave e RPSSH: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 1985, f. 289
2. Dashnor Kaloçi: “Hasan Dosti-Historia e vërtetë si u formua Balli Kombëtar”, nga interneti.
* Në përkujtim të 125-vjetorit të lindjes
*BOTUAR NE “DIELLI” VITI 2005, NR. 2
Ne Foto:Mithat Frasheri ne moshen e rinise
- « Previous Page
- 1
- …
- 47
- 48
- 49
- 50
- 51
- …
- 59
- Next Page »