• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2014

Me kostum dhe kollare në det – Black Tie Beach 2014

August 28, 2014 by dgreca

BENSONHURST BROOKLYN NYC : Për të pestën her në rradhë – në një nga plazhet më të frekuentuara në Nju Jork, u mbajt aktiviteti vjetor i ashtuquajtur : “Me kostum dhe kollare në det – Black Tie Beach”..
Në këtë akivitet argëtues – kan marrë pjesë qindra pjesëmarrës, të cilët preferuan të kaloin një ditë në plazh me veshjet e tyre të zakonëshme – burrat në veshje me kostume dhe krevatë të zezë, ndërkohë që gratë laheshin në det me fustane nuserie.
Plazhi Coney Island në lagjen Brooklyn të New Yorkut, u mbush dje me grupe të ndryshme të njerëzve të të gjitha moshave e racave që plot gaz u hodhën në det, duke luajtur lojëra, dhe benin not në oqean me veshjet e zakonëshe.
Mirëpo – simabs një tradite të kahershme hebraike disa çifte kan shfrytëzuar këtë aktivitet për të hyrë në det me kostume tuxedos dhe vajzat e reja me fustanet e nusërisë për më shumë fat në jetën dhe dashurinë e tyre.
Ky vit ishte një i përfshirë me një ngjarje të bukur Black Tie Beach, tha njëri prej organizatorëve duke shtuar se ne patëm një pjesëmarrje të madhe dhe shumë herë se më parë. Pasi këtë aktivitet për tre vjet e mbajtëm nëBrighton Beach, këtë vit ne u drejtuam më tej në perëndim për të mbajtur atë në plazhin Coney Island . Mbasi Coney Island ka qenë shumë më i përshtatëshëm në kë sesion për tu mbushur me njerëz, dhe shtuar argëtimin.
Black Tie Beach ndodhur në qytete të tjera në mbarë botën në të njëjtën ditë. Ky akivitet u mbajtë në të njëjtën ditë në disa qytete të tjera në mbarë botën, duke përfshirë edhe qytete amerikane Bostonin dhe Jacksonville në Florida. /Beqir SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: Beach 2014, Beqir Sina, Me kostum dhe kollare në det - Black Tie

Samiti i Berlinit, si shans dhe mundësi

August 28, 2014 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
“Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”./
Woodrow Wilson, 4 korrik 1918/
Kjo deklaratë e ish – presidentit amerikan të vjen vetiu në mendje kur dëshiron t’i kthehesh një teme të rëndësishme si ajo e Samitit të Berlinit, i cili prej dje po vijon punimet nën drejtimin dhe kujdestarinë e kancelares Angela Merkel. Në këtë samit janë mbledhur dhe po diskutojnë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perendimor krerët e shtetit ose të qeverive të shtatë vendeve, përkatësisht, Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Shkurt shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, plus Shqipëria. Kjo formulë e integrimeve euroatllantike është përdorur para një dekade në Europë, por u kumdështua nga disa vende, sidomos Shqipëria, Sllovenia dhe Kroacia, për të shmangur çdo keqinterpretim në përqasjen me federatën jugosllave të kohës së sundimit komunist.
Ka ditë që kjo ngjarje përflitet si një sukses i jashtëzakonshëm i kryeministrit shqiptar, për shkak se Ai, pra zoti Rama, në përfundim të Samitit do të përfaqësojë kolegët e tjerë në konferencën e përbashkët për shtyp. Sigurisht që përzgjedhja e kryeministrit të vendit tonë për pjesmarrje në konferencën e përbashkët për shtyp është një vlerësim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rolin pozicionin e ri që ata kanë fituar në rajonin e Europës Juglindore. Unë e shoh këtë edhe si simbolikë të vlerësimit që Merkel ka për zotin Rama personalisht e njëkohësisht si përpjekje të saj për ta inkurajuar atë në zhvillimin e demokracisë e vendosjen e shtetit ligjor në vendin tonë.
Se Shqipëria ka një rol parësor në integrimet rajonale, kjo tashmë është një fakt i provuar dhe një mendim i konsoliduar me politikat konstruktive të saj përgjatë 23 viteve të shkuara, me kontributet e saj permanente për implementimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe në vatrat e tjera të konfliktit në botë, me politikat e vazhdueshme të integrimeve rajonale dhe zgjidhjes me dialog të problemeve dypalëshe ndërkufitare. Ndërkohë thuajse të gjitha vendet e tjera, përfshirë dhe Greqinë, kanë dëshmuar në vazhdimësi ose herë pas here se i përkasin një epoke tjetër, kur Ballkanin e sundonin periudhat konfliktuale, luftrat shfarosëse, urrejtja, ndjenja e hasmërisë dhe fobi të shumta kundër njëri-tjetrit.
Samiti i Berlinit është i pari Samit që zhvillohet me tematikën e integrimeve europiane e rajonale me iniciativën e një kancelari gjerman. Në këtë kuptim ky Samit ose Konferencë duket të luajë një lloj roli si Samitet e Kartës së Adriatikut, të cilët patën dhe kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në procësin e anëtarësimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit në NATO. Vetëm se Kartën e Adriatikut e ideuan dhe udhëhoqën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi lider i Aleancës së Atlantikut. Iniciator i saj ishte ish- presidenti Xhorxh W. Bush. Ndërkohë që Samiti i sotëm u ideua dhe udhëhiqet nga Gjermania, si vend lider i Bashkimit Europian. Kancelarja Merkel luan të njëjtin rol si presidenti Bush, por tashmë me një objektiv tjetër, integrimin e rajonit në BE.
Konferenca e Berlinit ka domethënien e saj të shumanshme. Kryesimi i saj prej Angela Merkel është garanci se ky samit nuk do të mbetet si një akt formal në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perendimor. Ai do të jetë një takim, në të cilin do të vendosen themelet e të ardhmes auropiane të Ballkanit Perendimor dhe mbi të gjitha një konfirmim i faktit se integrimi në BE do të jetë një proces i pakthyeshëm.
Samiti i Berlinit tërheq vëmendjen në disa aspekte historike dhe aktuale. Ai mbahet një shekull pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Po të kemi parasysh faktin së Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan me vrasjen e princit austriak, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, pra se kjo luftë ishte pasojë e një sherri të madh ballkanik, ku shquhej ambicja e Serbisë për ta sunduar gjithë rajonin, atëherë duhet të themi se Samiti i Berlinit konfirmon një ndryshim rrënjësor në gjeopolitkën dhe sjelljen e shteteve dhe popujve të këtij rajoni. U desh ndërhyrja e NATO-s në Kosovë si dhe angazhimi politik e diplomatik i Uashingtonit dhe Brukselit që të vinim deri te kjo situatë, në të cilën të sundojë tashmë paqja, siguria, stabiliteti dhe harmonia, ndonëse ende në kufijtë e brishtësisë. Pra,edhe një paqe, siguri dhe stabilitet I imponuar nga nevoja e të gjitha këtyre vendeve për një ardhmëri më të mirë për veten e tyre.
Gjermania, duke qenë iniciatore e takimit të gjashtë vendeve ballkanike, duket dëshiron të konfirmojë faktin që pas një shekulli në rajonin tonë është implementuar thuajse identik vizioni I Perandorisë Austro-Hungareze dhe vetë Berlinit për një Ballkan të modelit të asaj që aso kohe e proklamoi presidenti amerikan, Woodrow Wilson, sipas të cilit: “Ajo çfarë ne duam është sundimi i së drejtës, e cila vjen nga qeveritë e legjitimuara dhe mbështetet nga mendimi i organizuar i njerëzimit”. Vjena dhe Berlini erdhën në konfliktin e verës së vitit 1914 për shkak të vizioneve të ndryshme midis Boshtit dhe vendeve të Antantës sa i përket gjeopolitikës së rajonit tonë. Dhe ndonëse në Konferencën e Paqes së Parisit Gjermania dhe Austro-Hungaria u ndëshkuan rëndë, duke anashkaluar për herë të parë që prej 1648-ës parimin e ruajtjes së ekuilibrave të Fuqive të Mëdha, Ëilson në princip mbështeti vizionin e paraLuftës të Fuqive të mundura në Luftën e Parë Botërore. Sot ky vision është realizuar në praktikë, Bosnjë-Hercegovina tashmë është një shtet sovran dhe i pavarur. Eshtë krijuar shteti i Maqedonisë, fatmirësisht pa luftë dhe konflikt të armatosur. Kosova ka shtetësinë e saj dhe shqiptarët kanë rifituar pozitën e tyre gjeopolitike në rajon. Pikërisht ajo çfarë kishte projektuar Austro-Hungaria me mbështetjen e Gjermanisë më 1912-1914. Në këtë kuptim Angela Merkel e rikthen vendin e saj në rolin e një fuqie fituese të Luftës së Parë Botërore, duke rikonfirmuar në këtë samit të së enjtes, se vizioni i vendit të saj dhe aleatit të natyrshëm, Austrisë, tashmë është një realitet i padiskutueshëm. Ndërkohë ajo duket se bën me dije se bota nuk do të hynte në luftë para 100 vjetësh, nëse Fuqitë e Mëdha që fituan luftën për shkak të forcës, por jo të ideve e vizionit për rajonin e Ballkanit Perendimor, do të kishin pranuar projektin Austro-Hungarez dhe gjerman të ndërtimit të hartës politike të Ballkanit. Në këtë rast vetë kombet ballkanike nuk do të kalonin në një kalvar vuajtjesh, si rezultat i konflikteve të pandërprera midis kombeve dhe popujve të rajonit.
Konferenca e Berlinit është një ngjarje, një ngjarje që dallon nga samitet e tjera të BE-së gjatë periudhës mbi 20 vjeçare për shkak të seriozitetit, momentit politik dhe zhvillimeve dramatike në lindje të Europës, ku kam parasysh krizën dhe konfliktin ruso-ukrainas. Gjermania për herë të parë i rikthehet interesimit të saj për rajonin e Europës Juglindore në mënyrë direkte dhe komplementare. Mesa duket ajo e sheh këtë rajon si mundësi për të gjerneruar resurse të mëdha për popujt e shtetet ballkanike, por edhe për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Konflikti në Ukrainë e ka nxitur Gjermaninë dhe kancelaren Merkel që të implementojë një program e projekt zhvillimi të gjithanshëm në rajonin tonë. Në këto projekte bën pjesë ndërtimi i infrastrukturës si dhe investimet kapitale për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe industrisë. Kriza në Ukrainë dhe përpjekjet e Moskës për dominim në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, bëjnë që Gjermania të tërheqë gradualisht një pjesë të kapitalit të saj nga Rusia dhe ta investojë atë në vendet e rajonit tonë.
Shqipëria i ka të gjitha shanset të shfrytëzojë momentin e “artë”, do ta quaja, për të. Ajo duhet të dëshmojë vullnet dhe partneritet të sinqertë me Gjermaninë dhe partnerët e miqtë e saj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, Turqinë dhe vende të tjera. Dy janë elementët themelorë ku duhen adresuar zgjidhjet:
Së pari, politikës dhe diplomacisë shqiptare i nevojitet të punojë me sinqeritet me aleatët e saj strategjikë, të lartpërmendur ose me fqinjët dhe vendet e rajonit, me të cilët synohet ndërtimi i urave të paqes, sigurisë, stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit të ndëersjelltë e të dyfishtë. Kjo do të thotë që shqiptarëve nuk u lejohet të bëjnë politikë e diplomaci të bazuar në ideologji, por në interesat kombëtare. Kjo do të thotë që strategjitë e bashkëpunimit të mos ndikohen nga nevojat elektorale, por nga interesat nacionale. Kjo do të thotë diskutim në tavolinë i të gjitha çeshtjeve që kërkojnë zgjidhje dhe jo vendimmarrje të njëanshme. Kjo do të thotë transparencë në marrëdhëniet me partnerët e aleatët tanë dhe jo qëndrime të dyfishta e të ndikuara nga “armiku i armikut tim”.
Së dyti, lehtësi maksimale për investime publike e private. Gara e krijimit të lehtësive të tilla është garë konkurence midis të gjitha vendeve tona të rajonit. Projektet e mëdha, të cilat prodhojnë punësim, prodhim, eksport, të ardhura e mirëqenie jaën destinacion i të gjitha vendeve të rajonit përfshirë edhe Greqinë dhe Bullgarinë e ndoshta Rumaninë dhe Turqinë, përveçse vendeve tashmë pjësmarrëse në Samitin e Berlinit. Ato i fiton ai vend, i cili krijon mekanizma të qëndrueshëm e bindëse për mbrojtjen e investimeve të huaja. I fiton ai vend, i cili udhëhiqet nga parimet e një demokracie funksionale dhe liberale si dhe parimet e ndërtimit të shtetit ligjor. Retorika e shtetit ligjor mbetet vetëm retorikë, nëse nuk shoqërohet me funksionimin normal të institucioneve qeverisëse të vendit. Për pasojë demokracia nuk funksionon, nëse mungon dialogu i brendshëm, përfshirja e të gjithë faktorëve e grupeve të interesit në vendimmarrje e kështu me radhë. Nuk mjafton të ndërtosh një diskurs pozitiv për sytë e ndërkombëtarëve dhe një diskurs dhe qëndrim të papranueshëm e negative për sytë e opozitës dhe kundërshtarëve politikë. Përkundrazi, nëse qëndrimet për politikat e brendshme merren të shkeputura dhe të veçuara nga qëndrimet dhe partneriteti me ndërkombëtarët, atëherë dështimi është i garantuar. Mund të duket se ka një sukses të pjesshëm e të përkohshëm, por kurrësesi një sukses të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Konkurenca midis kombeve ballkanike për investime ka tashmë përvojat e veta, nëse kemi parasysh investimet miliardëshe të Kinës në portet greke dhe investimet po ashtu miliardëshe të Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi e Beograd.
Konferanca e Berlinit është një shans, madje një shans i barabartë për të gjitha vendet e rajonit pjesmarrëse të saj. Diferencën do ta bëjë implemtnimi i një politike dhe diplomacie të shkathët, të drejtpërdrejtë e transparente, me qëllim që të fitohet besimi i partnerëve dhe aleatëve. Pa besim nuk ka bashkëpunim në asnjë segment te jëtës politiko-shoqërore. Vetëm me anën e besimit mund të garantohet suksesi i lidhjeve të gjithanshme të Shqipërisë me botën. Besimi nuk fitohet me mburrje si në kohën e Titos, Stalinit, Hrushovit e të Mao Ce Dunit, por me qëndrime dhe veprime korrekte. Nuk fitohet as me batuta dhe kritika ndaj partnerëve, shpesh herë pa vend dhe në kohën e gabuar. Ndërtohet me dialog dhe diskutime të sinqerta, me zgjidhjen e problemeve në tavolinë. Dhe probleme Shqipëria ka me disa vende të rajonit. Ka me Greqinë sa i përket çeshtjes çame dhe vendosjes së dëmarkacionit kufitar në ujrat detare të Jugut. Ka me Maqedoninë sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe implementimit të Marrëcveshjes së Ohrit. Ka probleme me Serbinë, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Kosovës si dhe të mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Por ka dhe me vende të tjera për shkak të trajtimit të gabuar të pakicave shqiptare në këto vende. Kohët e fundit flitet për herë të parë që prej kur vendin e drejtonte udhëheqësi komunist, Enver Hoxha, për grindje dhe konflikte midis politikës shqiptare dhe asaj të Turqisë.
Të gjitha këto na bëjnë të besojmë se Samiti i Berlinit është vetëm fillimi i asaj që duhet të ndërtohet në planin politik, integrues, ekonomik, kulturor e në fushën e sigurisë në rajonin tonë. Euforia është dhe mbetet aleati më i keq i qeverisë dhe të gjithë faktorëve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e rajon, sa i përket rolit që duhet të luajmë në implementimin e shpejtë të projeketeve politike, ekonomike e më gjerë, të diskutuara dhe miratuara në Berlinin e datës 28 gusht 2014. Thelbi i gjithë kësaj që thamë mbetet përsëri te ideja e ish-Presidentit amerikan Wilson të cituar në fillimin e këtij shkrimi.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe mundësi, Enver Bytyci, Samiti i Berlinit, si shans

Gazetarit nuk i lejohet te shtrembërojë realitetin

August 28, 2014 by dgreca

“Jam miku i Platonit, por ca më tepër mik i së vërtetës”-Sokrati/
Nga PjetërJaku/
Me datën 23 Gusht 2014, në “The Imperial House” promovohet ACTV, i cili kalon në pronësi të biznesmenit Ndue Ftoni. Më pare kjo vale televizive me një orë program në ditë ishte në pronësi të Armando Shtizes.
Moderatori i këtij takimi, Zef Përgega mbajti fjalen mbi historikun e mediave në Komunitetin Shqiptar të Detroitit.
Nuk i falet gazetarit Pergega të mos di se:
Me Gjon Lulgjurajn dhe Radion “ Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit”, para Kujtim Qafes e Julian Çefës kanë punuar Gjergj Dedivanaj e Nikollë Pashku.
Në shtëpinë e piktorit Ndue Gjelaj, Mark Prelë Gjokaj dhe Rrok Kalaj ( së bashku me Nduen) botuan Revisten “Arbri”, të parën revistë shqiptare ne Michigan.
Në Michigan, për më shumë se dy vjet transmetoi rubrika shumë interesnate dhe cilësore, sidomos konkursin historik, TV “ A-2” me pronar Agustin Shqalsin dhe kryeredaktor të talentuarin Bardhyl Ukcamaj.
Gazeta “Tema Shqiptare” me pronar Adritaik Shekon u publikua po këtu.
Gazeta e njohur Illyria e pati botuesin Ekrem Bardha nga komuniteti ynë dhe në mesin tonë.
Gazeta më e vjetër shqiptare “ Dielli” për dy vjet u botua në Detroit.
Është e pamundur kur flet për mediat të lësh pa përmendur klerikun dhe dashamirësin e letërsisë e historisë shqiptare, Imam Vehbi Ismailin, i cili ribotoi në kushte shumë të vështira, duke i radhitur libra të tërë me makinë shkrimi, vepra nga më të njohurat të Letërsisë Shqipe, që regjimi hoxhian i kishte ndaluar.
Zef Paloken, gazetarin e njohur të Televizionit Shqiptar, i cili ndihmoi në hapjen e televizionit te pare në komunitetin tonë, me parametrat cilësor të kohës, duke realizuar, falë punës së tij “ Miss Shqiptaren në Michigan”, për të vetmen here deri më sot, s’ke si e harron!
Patjetër që ka dhe emra, të cilët duhen nderuar e për të cilët duhet shkruar.
Harresa është tjetër gjë me mospërmendjen e qëllimshme. E rëndësishme është e vërteta! Gazetaria nuk shkruhet me inate. Ngjarjet nuk deformohen, pse ato i priu dikush qe nuk te pëlqen ty. A-ja e gazetarit është e vërteta. Në shumë raste ndodh që historianët t’i referohet një kronike, e si do të shkruhet historia kur kronikat janë të pavërteta? A nuk u mbush historia jonë me të pavërteta, që sot e kësaj dite po na kushtojnë rëndë?!
Kronikanët pushtues dhe vendas i shkruan kronikat, ashtu siç i donin eprorët e tyre, ndaj dhe Shqipëria mbeti e copëtuar kështu siç është. Shumë data i fiksuam gabim, duke i kthyer deri në festa kombëtare, siç është, fjala vjen, dita e mësuesit. Thua se shkolla e pare shqipe të jetë vetëm pak më shumë se 100 vjet më parë, kur shekuj më parë Durrësi kishte universitet!
Gazetari Përgega “ harron” të përmend Revistën “ Kuvendi” të printuar me më shumë se 150 faqe në muaj, në të cilën ishte editor, “funksion” që e shënoi dukshëm në ndonjë kopertinë libri të tij, ose kur i nevojitej.
Kjo nuk përbën asnjë rëndësi për Revisten Kuvendi, u tha apo s’u tha nga Zef Përgega në një takim si ky.
Gazetarët kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, e jo të mos e shkruajn saktësisht një periudhë të caktuar të një komuniteti, në të cilin kanë jetuar.
E, kur “harron veten”, s’ke se si të mos harrosh të tjerët!
Revista Kuvendi u publikua e printuar rregullisht per 12 vjet pa ndërprerje. Në gushtin e vitit 2012 u ndalua sa për të marrë frymë për një nisje të re, por nuk u deklarua e mbyllur asnjëherë, pasi këtë vjeshtë do të rinis prapë me një drejtim tjetër publikimi i saj, për here në vazhdim të atij Kuvendi, me të cilin për më shumë se një dekadë u përcollen aktivitete, jo veç të komunitetit shqiptar në Amerikë, por edhe disa here ngjarjet dhe historinë, kulturen dhe arritjet e shqiptarëve kudo që ishin dhe janë.
Para se të merrte përsipër raportin e mediave, duhet t’i ishte drejtuar , së paku librit arshivë: “Shqiptarët në Detroit”, ose botimeve të tjera të Shoqërisë Botuese “ Kuvendi”, të cilat edhe jashtë deshirës së tij ekzistojnë. “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, – thotë populli.
Ky shënim është vetëm një kujtesë miqësore, jo vetëm për rastin konkret, por të gjitha mediat dhe gazetarët që punojnë për to, të mos harrojnë në punën e tyre të thonë vetëm të vërtetën, ashtu siç ndodh. Në një kronikë gazetari s’ka pse të bëj komente nga vetja.
Me këtë rast, i urojmë pronarit të ri të Televizionit të Komunitetit Shqiptar të Detroitit ( ACTV ), Ndue Ftoni suksese dhe kurajo në pasqyrimin e saktë dhe në kohë të jetës së këtij komuniteti vital.

Filed Under: Featured Tagged With: gazetari, Pjeter Jaku, realiteti, shtremberim, Zef Pergega

“GRACKA” E MERGIMIT

August 27, 2014 by dgreca

DUKE MENDUAR SE JETOJMË PËRKOHËSISHT NË MËRGIM, PADASHJE NE BIEM NË NJË GRACKË QË NUK E KE IDENË SE EKZISTON DHE NUK SHEH NJË KTHIM PRAPA–thotë mësuesja Ermira Morina, që mban mësimin e Gjuhës shqipe në shkollën shqipe në Athinë/
Nga Sokol Demaku/
Duke menduar që jetojmë përkohësisht këtu, padashje bie në një grackë që nuk e ke idenë se ekziston dhe krejt befasisht sheh që as nuk kthehesh dot mbrapa (sepse ke fëmijë), por as nuk ikën dot, se ke humbur shumë nga të dyja anët. Fatkeqësisht shteti grek ofron shumë pak deri asgjë për për të huajt.
Për sa i përket organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në kurset e tjera, bëhet si një aktivitet i disa shoqatave që kanë ndërmarrë këtë nismë në mënyrë private. Kurset hapen pasi merret leje e posaçme nga organet lokale, bashkia apo komunat. Funksionojnë më tepër si kurse të gjuhës shqipe dhe vetëm një herë në javë.
Përsa i përket jetës kulturore të mërgatës sonë këtu, mund të them se organizohen shumë aktivitete, si nga shkollat ashtu edhe nga shoqatat e ndryshme dhe ambasada jonë këtu, në të cilat përpiqem të jem e pranishme.
Kush është Ermira Avdiaj Morina?
Prindërit e mi e filluan jetën në qytetin e Kukësit, pasi babai im punonte si drejtues minierash në Kalimash, Fanë të Mirditës e zona të tjera të veriut. Banuan atje rreth 15 vjet. Atje lindën dy motrat e mia më të rritura dhe unë. Vëllai që është më i vogli, lindi në Bajram Curr. Kur mbusha 5 vjeç u transferuam në Tropojë, ku edhe kreva arsimimin 8-vjeçar e të mesëm. Shkollën e lartë e mbarova në qytetin e Shkodrës dega Cikli i Ulët.
Në fillim të vitit të fundit të Universitetit u fejova. Mbarova shkollën dhe aplikova për punë. Fatkeqësisht nuk kishte asnjë vend të lirë në profesionin tim. Kështuqë fillova të punoj si mësuese histori-gjeografie në fshatin Llugaj. Në pushimet verore të atij viti u martova. Me sa duket martesa më solli fat, pasi po atë vit u emërova në profolin tim në qytetin e B.Currit në shkollën “Asim Vokshi”. Në të njëjtën shkollë ku im shoq jepte lëndën e Kulturës Fizike. Punuam për afër dy vjet në atë shkollë.
Pak trazirat e asaj kohe, pak fakti që po largoheshin të gjithë miqtë tanë, na bënë që të merrnim vendimin të emigronim në Greqi për pak vite. Sa të mblidhnim ndonjë lek për të blerë shtëpi në Tiranë e të ishim afër me njerëzit tanë. Pse në Greqi?- do thoni ju. Në Greqi kishte punuar burri për nja 6 muaj para se të martoheshim. Kështu që ishte më e lehtë. Shumë shpejt u bëra nënë. Sot jam nëna e dy djemve 19 dhe 11 vjeç.
Përsa i përket punës mund të them që jam e shumëpunësuar. Puna bazë nga ku marr dhe sigurimet shoqërore është nënpunëse zyre në një biznes privat ku punoj dy-tre herë në javë. Por, duke qenë se nuk i dilet me kaq, bëj dhe punën e baby sitter, të përkthyeses, kur del dhe të shtunë e të diel punoj si mësuese në Shkollën Shqiptare të Athinës, tetë vitet e fundit. Tash një vit jam dhe drejtuese-administratore e kësaj shkolle.
E lindur në Kukës, rritur në Tropojë, ku keni bërë edhe shkollimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm, cfarë mund të na thoni për këtë kohë të jetës suaj?
Pavarësisht se në adoloshencë, ku nuk mungonte ankthi dhe frika se si do vlerësoheshim dhe në çfarë niveli do arrija, mund të them se janë vitet më të bukura të jetës sime, sidomos vitet e shkollës së mesme. Nga këto vite gjithçka mbaj mend është pozitive. Duke filluar nga shoqëria e pastër dhe e sinqertë e deri tek kujdesi, mbështetja, nxitja e sigurisht dhe kërkesa e llogarisë që kishin mësuesit ndaj nesh, aktivitetet e konkurset e shumta që organizonte shkolla, bukuritë e natyrës, ajri i pastër. Ekskursionet më të bukura i kam bërë në këtë moshë, por më i bukuri ka qënë ai në Luginën e Valbonës e cila është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kam kujtime të bukura nga jeta konviktore, por që nuk më dukej dhe aq si konvikt pasi kisha dhe motrën time në dhomë e në klasë. Kështu që për mua ishte si një familje e madhe. Kam shumë mësues, mësuese, shokë e shoqe me të cilët mbaj kontakt ose kam dhe miqësi të ngushtë deri sot.
Keni studjuar në Universitetin e Shkodrës nëdegën Cikli i Ulët. Çfarë mund të na thoni për kohën e studimeve tuaja atje?
Viti i parë ka qënë shumë i vështirë për shkak të trazirave të asaj kohe (vitet ‘90) Kishim frikë të dilnim në rrugë. Ishte një periudhë tranzicioni në përgjithësi. Asgjë nuk ishte e qartë. Nuk dinim se çfarë do ndodhte të nesërmen, kështu që dy muaj para se të përfundonte shkolla u mbyll dhe vajtëm vetëm për provime. Nuk është nevoja ta analizoj se të gjithë i kemi jetuar ato vite të vështira. Dhe për ne ishin edhe më të vështira pasi ishim larg familjes. Pastaj, në vitin e dytë gjendja ishte më e mire dhe gjithçka rrodhi normalisht. Bëra shoqe të reja. Mund të them që ishin vite të bukura pa kokëçarje, detyrime e rutinë.
Pas studimeve në Shqipëri ju keni punuar mësuese për tri vite më radhë në vendlindje. Çka mund të na thoni për këtë kohë të kaluar në punë?
Më e bukura e atyre vitve ishte njerëzillëku, sinqeriteti, çiltërsia që kishin njerëzit jo vetëm në punë, por edhe në rrugë. Gatishmëria që tregonin kolegët për të të ndihmuar si mësuese e re. Gjithashtu fakti që punoja në të njëjtën shkollë me tim shoq bën që të kem vërtetë kujrime të bukura.
Ka kohë që jetoni në Greqi, nga viti 1995. Çfarë mund të na thoni për jetën këtu, a i ndihmon shteti të huajtë këtu dhe si ndiheni?
Duke menduar që jetojmë përkohësisht këtu, padashje bie në një grackë që nuk e ke idenë se ekziston dhe krejt befasisht sheh që as nuk kthehesh dot mbrapa sepse ke fëmijë, por as nuk ikën dot, se ke humbur shumë nga të dyja anët. Fatkeqësisht shteti grek ofron shumë pak deri asgjë për për të huajt. Shumë nuk kanë dokumente qëndrimi ose rrezikojnë t’i humbasin, vetëm e vetëm se janë të papunë. Në përgjithësi shteti grek ka treguar një mpirje fillimisht, pra ishin fare të papërgatitur për legalizimin e të huajve e më pas një dobësi për të trajtuar e për të marrë masa efikase për integrimin e emigrantëve.
Si e kalon një ditë Ermira në mërgim?
Një ditë e imja këtu do të thosha që dominohet më shumë nga orët e punës, pasi siç thashë edhe më parë bëj dy punë që të mund të ndihmoj familjen. Po kështu edhe bashkëshorti im. Vetëkuptohet që në darkë i përkushtohem plotësisht familjes.
Edhe këtu ju i jeni kthyer profesionit tuaj të çmuar, mësuese e fëmijëve shqiptar në mërgim. Si e keni organizuar punën me fëmijët e mërgimtarëve tanë këtu në shkollën tuaj? A ka interes nga prindërit dhe fëmijët për këtë shkollë? Po në qytetet e tjera të shtetit helen a ka shkolla të tilla, ku fëmijët e emigrantëve shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe?
Unë punoj si mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Shkollën Shqiptare të Athinës këtu e 8 vjet, që është e vetmja shkollë autonome, pasi mësimet zhvillohen në ambiente tepër komode, që deri para 2 vjetësh kanë qenë pjesë edhe e biznesit privat familjar të çiftit Lorenc e Orjeta Koka. Kjo autonomi na ka ndihmuar të mundemi të organizojmë punën pedagogjike në një standart të lartë, në bashkëpunim shumë të mirë edhe me koleget e mia. Kështu që mësimet këtu zhvillohen të shtunë e të djelë dhe mund të zhvillohen edhe në ditë të tjera të javës, nëse ka interes. Gjithashtu kjo autonomi na bën edhe të brishtë, pasi mungon mbështetja financiare, qoftë nga shteti amë, qoftë nga individë të veçantë. E vetmja mbështetje e shkollës sonë është Unioni për Bashkëpunimin Shqiptaro-Grek, nën kujdesin e së cilës funksionon shkolla dhe natyrisht edhe mbështetja e prindërve, që nuk na ka munguar asnjëherë. Duke ditur numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Greqi mund të them që nuk ka interes të madh për të ardhur në shkollë e për të mësuar shqip. Për arsye të krizës dhe për arsye se kthimi mbrapa është një opsion i mundshëm për të gjithë ne, ka bërë që interesi nga prindërit dhe fëmijët të jetë më i madh në krahasim me vitet e tjera.
Për sa i përket organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në kurset e tjera, bëhet si një aktivitet i disa shoqatave që kanë ndërmarrë këtë nismë në mënyrë private. Kurset hapen pasi merret leje e posaçme nga organet lokale, bashkia apo komunat. Funksionojnë më tepër si kurse të gjuhës shqipe dhe vetëm një herë në javë. Kurse të tilla janë hapur pothuajse në të gjithë Greqinë, si në: Athinë, Korinth, Kallabaka, Volos, Lamia, Tinos, Siros, etj. Të gjitha këto kurse funksionojnë nën kujdesin e Lidhjes së Mësueseve Shqiptarë të Greqisë, anëtare e së cilës jam edhe unë.
Si janë kushtet për të jetuar e punuar këtu? A mund të na bëni një krahasim me ato në vendlinje?
Pavarësisht se nuk arrij të ushtroj profesionin tim plotësisht, kushtet e punës e të jetës për mua këtu janë më të mira se në Shqipëri.
A ju merr malli për të afërmit, si e ndjeni veten këtu në një vend të huaj? Sa të shpeshta janë kontaktet e Ermirës me vendlindjen?
Sigurisht që më merr malli për të afërmit. Atje kam prindërit, vëllain me familjen e tij e shumë të afërm të tjerë. Tashmë, me ndihmën e teknologjisë kontaktet e mia me të afërmit e mi janë pothuajse të përditshme. Kurse për të shkuar, shkoj një herë në vit. Detyrimet e shumta nuk i mundësojnë udhëtimet e shpeshta për në vendlindje.
Sa ka arritur Ermira të krijojë shokë apo shoqe në një mes të ri, në një vend me kuturë dhe traditë tjetër nga ajo që ne kemi?
Në fakt nuk do të thosha se ka ndryshime të mëdha mes traditës e kulturës greke dhe asaj shqiptare. Kështu që nuk kam pasur pengesë të madhe për të krijuar shoqëri e miqësi me vendasit. Pengesa më e madhe do të thosha është thjesht ideja se jam nga vend tjetër, pra jam e huaj. Pas kaq vitesh të qëndrimit tim këtu do të thosha se nuk e ndjej më veten aq të huaj.
Sa ka arritur Ermira të përshtatet me klimën dhe në natyrën greke?
Nuk kam pasur asnjë problem të përshtatem me klimën dhe natyrën greke, pasi ndryshimet me vendlindjen janë shumë të vogla.
Një i mërguar kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje të shkurtër.
Përpiqem të qëndroj në kontakt të vazdueshëm me vendlindjen dhe të gjitha zhvillimet që ndodhin atje, qoftë politike, ekonomike, sociale, etj.
Si është nga natyra Ermira?
Jam qetë dhe me karakter të qëndrueshëm. Pastaj veret nga rrethanet që krijohen. Në përgjthësi jam tolerante e madhe,por kur është nevoja jam e rreptë dhe e vendosur.Jam besnike dhe e besës. Logjika është ajo që mbizotëron pothuajse gjithmonë në veprimet e mia.
Ka kohë që jetoni këtu, sa të shpeshta janë kontaktet tuaja me shqiptarët këtu? A keni miq dhe a shoqëroheni dhe si është e organizuar jeta kulturore e mërgatës sonë këtu?
Vetë fakti që ushtroj profesionin e mësueses në një shkollë shqiptare dhe që jam anëtare aktive e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, më ndihmon të jem në kontakte të shpeshta me shqiptarët që jetojnë këtu. Nga natyra nuk bëj lehtë miq. Kam shumë të njohur, por miq kam pak. Siç themi nga anët tona: “Pak e saktë!”.
Përsa i përket jetës kulturore të mërgatës sonë këtu, mund të them se organizohen shumë aktivitete, si nga shkollat ashtu edhe nga shoqatat e ndryshme dhe ambasada jonë këtu, në të cilat përpiqem të jem e pranishme.
Nëse mësuesia nuk do të ishte profesioni juaj, në çfarë profesioni do e gjente veten Ermira?
T’ju them të drejtën, i vetmi profesion ku unë gjej veten është profesioni që kam zgjedhur, mësuesia.
Nëse do te kishe mundësi te jepje ndihmësen tënde në realitetin që jetojmë ne shqiptarët sot, ku mendon se konkretisht duhet ndryshuar diçka ne?
Jo kudo ku ka shqiptarë ka dhe probleme serioze që presin një zgjidhje urgjente, por është realitet që në disa vende problemet që shqetësojnë emigrantët janë tepër serioze dhe pengesë për të arritur gjëra krejt elementare. Kriza globale financiare, disa vende sidomos europiane e ballkanase i ka paralizuar plotësisht dhe ka krijuar një problem të dyfishtë tek emigrantët që jetojnë në këto vende. Besoj se nëse do kishte një Ministri emigracioni që do merrej ekskluzivisht me problemet e emigrantëve do ishte një fillim
i mirë për trajtimin e çështjeve që janë më urgjente.
E lexoni revistën në shqip “Dituria”, që botohet në Skandinavi? Çka mund të na thoni për të?
Mund t’ju them se kjo revistë më ka rënë në duar këto kohët e fundit. Më pëlqen fakti që kjo revistë u drejtohet shumë grupmoshave dhe bashkombësve që jetojnë në mërgim. Me interes më janë dukur temat që kanë të bëjnë me vendlindjen dhe trojet shqiptare.
Planet tuaja për të ardhmen, çka Ermira mendon dhe ka në fokus?
Një shprehje e bukur greke thotë: “Kur njeriu bën plane, Perëndia qesh!”. Siç mund ta kuptoni, nuk planifikoj gjëra të mëdha për të ardhmen, por kjo nuk do të thotë se nuk ëndërroj dhe nuk punoj për diçka më të mirë. Momentalisht përveç detyrimeve personale, fokusoj në mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e mësimdhënies në Shkollën Shqiptare të Athinës. Fakti që jemi autonom na ka siguruar disa favore që nuk i kanë shkolla të tjera, por na ka vendosur në një pozitë të vështirë ekonomike që kur u largua Z. Lorenc me familjen e tij për në Kanada, i cili ishte sponsorizuesi i kësaj shkolle. Gjithë stafi i shkollës punon në këtë drejtim. Në kontekst të kësaj interviste gjej rastin tu bëj thirrje organizatave bamirëse, shoqatave , biznesmenëve e akoma individë që e kanë mundësinë ekonomike për një mbështetje financiare. Dhe për këtë mbështetje do të jemi mirënjohës jo vetëm stafi i shkollës dhe fëmijët që frekuentojnë shkollën tonë, por dhe fëmijët që do munden ta frekuentojnë në të ardhmen.
Çka ju bën të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti?
Si çdo nënë, ajo që më lumturon më së shumti është lumturia e fëmijëve dhe e familjes sime. Në ditët e sotme ajo çka më mundon më së shumti është lehtësia me të cilën disa njerëz përdorin dhunën për të zgjidhur kontraditat e tyre dhe aq më keq kur kjo dhunë përdoret mbi trupat e njomë të fëmijëve.
Si e kalon kohën e lirë?
Fatkeqësisht koha e lirë është shumë e kufizuar. Kur ndodh që të kem kohë, mund të lexoj një libër, të dal shetitje, të shkoj në kinema ose në teatër. Pothuajse gjithmonë me familjen. Por, mund të dal për kafe me shoqe e miq.
Po të kishit mundësinë të zgjidhni, ku do kishit jetuar?
Natyrisht do të më pëlqente shumë të jetoja në Shqipëri, por për hir të së vërtetës, mometnalisht është e pamundur të jetoj atje, pasi jeta ime dhe e familjes sime është e lidhur ngushtë me Greqinë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Ermira Avdiaj Morina, Gracka e Mergimit, Sokol Demaku

Në Çikago vdiq veprimtari i diasporës shqiptare, HIDAI BREGU

August 27, 2014 by dgreca

*Për gjashtë dekada ai ishte një luftëtar i vendosur i Cështjes Shqiptare jashtë Atdheut!
*Shënim i editorit të Diellit per Hidai Bregun si Vatran/
Nga Skënder KARACICA/
Në Çikago vdiq veprimtari i diasporës shqiptare Hidai Bregu,njeriu që për gjashtë dekada qendroi jashtë atdheut në vendet e Evropës dhe në Amerikë.Nëpër këto vite ai ishte në rreshtat e parë të diasporës për zgjidhjen e të drejtës kombëtare shqiptare në Ballkan dhe për lirinë e Kosovës.Ditët e kurbetit,thoshte shpeshherë Hidaiu,janë si muzgu në Çikago.Tashti janë bërë gjashtë dekada në dhe të huaj dhe është e vështirë udha e mërgimit.Mërgimi kjo plagë e rëndë shqiptare,të gërryen nga brenda pak nga pak.Me shihni mua,u thoshte djelmenisë shqiptare,nuk qahem për pasuri,por pasuria nuk e përmbush dot boshëllekun shpirtëror,ndonëse me mungon atdheu im Shqipëria!Hydi që e thërrsinim në shenjë respekti,e thoshte me shpirt:Po jam munduar që të shkoj gjithmonë andej nga shkojnë shqiptarët në trojet tona entike për të mirën e kombit.
Jeta e veprimtarit të diasporës në Amerikë është e mbushur me ngjarje dhe kronikat e kohës.Hidai Bregu ka qenë nxënës i Shkollës Normale në Elbasan.I pati mësues shkolle Aleksandër Xhuvani dhe Simon Shuteriqi,që me diturinë e librit shqip ia trasuan rrugën e jetës me testamentin pedagogjik se si duhet bërë atdheu.Veprimtari nga Çikago ishte protogonist në kohën kur Italia fashiste invadoi në Shqipëri dhe ai bashkë me brezin e të rinjve shqiptarë kërkonin armë për të mbrojtur atdheun,por regjimi i kohës nuk iu dha armët.Po në këto vite ai ishte në rreshtat e parë të demonstratës kundër hordhive fashiste italiane më 28 nëntor 1939 në Elbasan dhe për pak sa nuk pati rënë në duart e internimeve.Mirëpo,kur filloi lufta vëllavrasëse në mes ballistëve e komunsitëve,Hidai Bregu largohet nga atdheu për të marrë në sy udhët e botës deri në Amerikën e largët ku e gjeti vdekja.
Për herë të parë në vitin 1991,veprimtari i diasporës nga Amerika viziton Shqipërinë për të qendruar për pak ditë,por sikur nuk u ngop me mallin dhe dashurinë që kishte për tokën shqiptare.Për herën e dytë shkoi në prag të zgjedhjeve të lira demokratike.E tërë kjo katrahurë jete klonte me ofshamen e tij:Shqipëria,ah Shqipëria jonë…!Në vend që të kishte ecur përpara,ajo ishte kthyer prapa.Për këto orët e jetës shqiptare ai ishte zhgënjyer aq shumë,saqë netë të tëra nuk kishte bërë gjumë në sy.Dëshira e vetme e Hidai Bregut ishte që popullin shqiptar të shohë ne vendin e vet në liri e demokraci dhe të bashkuar në një Shqipëri Etnike dhe të organizuar sa më mirë.E pati gëzuar shumë pavarësia e shtetit të Kosovës që ishte ëndrra shekullore e qindra brezave shqiptarë.
Shënim i editorit të Diellit per Hidai Bregun si Vatran
I ndjeri Hidai Bregu ishte një veprimtar i shquar, një donator bujar, një vatran i dimrit dhe beharit, që deri në castet e fundit të jetës së tij nuk i shkëputi lidhjet me Federatën Vatra dhe Gazetën Dielli. I ndjeri Hidai Bregu e mbështeti Diellin me të gjitha mundësit e tij financiare edhe në pleqërinë e vonë. Kur unë e mora drejtimin e Gazetës DIELLI në vitin 2009 i ndjeri Hidai Bregu më dërgoi një letër të ngrohtë, ku përcillte mesazhin se Dielli, kjo gazetë-kujtesë e historisë shqiptare në SHBA, duhej të jetonte në përjetësi sepse ishte shërbyer si udhërrëfyes për shqiptarët e Amerikës. Ishte regjistri më i vjetër i botës Shqiptare, prandaj duhet të jetë i përjetshëm sepse e përjetshme është raca shqiptare. Letra e ketij memedhetari te eprkushtuar shoqerohej edhe me nej Chgek prej $1,200.00. Kur i kerkova et shkruaja dicka per bujarine e tij, ai refuzoi: Jo, mor djale, s’ka nevoje. Nuk dua te dukem. Dua et ndihmoj se Dielli e meriton!
I ndjeri Hidai Bregu ishte një zë i fuqishëm i cështjes Shqiptare në SHBA. Ai ishte sponsor i kongresmenëve, senatorëve dhe presidentëve që mbështesnin cështjen shqiptare. Emri i tij gjendet shpesh nëpër regjistrat e fushatave elektorale në SHBA.
Faleminderit për c’ka ke bërë për cështjen Shqiptare i nderuar atdhetar!
Të qoftë i lehtë Dheu’ i kësaj toke të bekuar!Shpirti ne Paqe!

Filed Under: Kulture, Vatra Tagged With: dalip greca, Hidai Bregu, nderroi jete ne Cikago, shenim i editorit te Diellit, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT