TIRANE, 19 Tetor/ Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç kanë ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor.
-Njoftimi i plotë për mediat nga zyra e Kryeministrisë –
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, patën këtë pasdite një bisedë telefonike.
Ata ranë dakord se incidentet që shoqëruan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri ishin tejet të padëshiruara. Mes dy kryeministrave mbeten mosmarrëveshje të qarta lidhur me gjithë sa ndodhi, por ata ranë dakord që nuk duhet dhe nuk do ta humbin mundësinë për t’u takuar e për të punuar së bashku në funksion të stabilitetit rajonal, si edhe për të çelur një faqe të re në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Prandaj, ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë.
Për sa më sipër, dy kryeministrat ranë dakord që takimi i planifikuar midis tyre të mbahet në Beograd më 10 nëntor./a.gegvata-ATSH
Archives for October 2014
Shkrimtarët e rinj nga Shqipëria, në Festivalin e Letërsisë “ në Zagreb
Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo dhe personeli i Ambasadës në Zagreb, pritën në mjediset e ambasadës një grup shkrimtarësh të rinj nga Shqipëria.
Shkrimtarët e rinj, Eljan Tanini, Lisjana Demiraj, Lindita Komani, Gresa Hasa, Arti Lushi dhe Sabina Veizaj, morën pjesë në Festivalin e Letërsisë “Revia e letërsive të vogla”, e cila zhvillohet çdo vit në Zagreb nga Klubi i Shkrimtarëve BOOKSA.
Ambasadori Melo përgëzoi të rinjtë për aktivitetin e tyre dhe i nxiti për suksese të mëtejshme, si edhe për takime të shpeshta të tilla në Zagreb, për të zhvilluar edhe më tej kontaktet ndërmjet të rinjve të të dy vendeve, me qëllim promovimin e kulturës bashkëkohore shqiptare dhe vlerat e popullit tonë.
Grupi i të rinjve u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të mëtejshëm me shoqata kroate dhe për të qenë të pranishëm sërish në Zagreb. Të rinjtë i dhuruan disa kopje të librit të antologjisë së letërsisë së krijuar prej tyre, të përkthyer në gjuhën kroate.( Gjergji Mima/)
Ne foto: Ambasadori i Shqipërisë në Koraci, Ilir Melo dhe personeli i Ambasadës në Zagreb pritën në mjediset e ambasadës një grup shkrimtarësh të rinj nga Shqipëria
“Qendra Muzeale e Mjedës”-Bëhet realitet “Andërra e jetës” e Mjedës…
Në të gjithë Shqipërinë, sikurse edhe trevat shqipfolëse, Ndre Mjeda njihet si poet, rilindas, filozof, klerik, studiues por gjithë këtë veprimtari, ai e zhvilloi në një shtëpi e cila ndodhet në një fshat midis Shkodrës dhe Lezhës, i quajtur Kukël. Këtë shtëpi, Mjeda e ndërtoi në vitin 1907, ndërsa kishën në vitin 1913, me një stil neoklasik të projektuar nga vetë ai.
Ne vitet ’90 kjo shtëpi ishte në gjendje të mjerueshme dhe e braktisur, deri në ardhjen e Dom Nikë Ukgjini i cili u kujdes që kjo ndërtese të rikonstruktohej.
Falë përpjekjeve të gjata dhe në saj të një bashkëpunimit të gjerë nga aktorë të ndryshëm, si shqiptarë ashtu edhe të huaj, shtëpisë së poetit Mjeda i është kthyer identiteti.
Me një ceremoni të veçantë është përuruar një ditë më parë në Kukël, “Qendra Muzeale e Mjedës”, me pjesëmarjen e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, zëvëndësministrit Zef Çuni, e personazhe të tjerë të njohur të jetës politike e shoqërore.
“Ndaluni në Kukël, vetëm 40 minuta larg Tiranës. Mos ia hiqni vetes kënaqësinë e peizazhit të këngës së “Bylbylit” në kompleksin muzeal “Ndre Mjeda” që inauguruam”, apelon ministrja Kumbaro.
Me restaurimin e shtëpisë muze dhe sistemin e objekteve muzeale, Qendra ka marr formën e vet të duhur, duke u shndërruar ne një vend shtegtimi, në fushën kulturore e të turizmit gjithëkombëtar
. “Puna e arritur është fryte i dashamirësisë, të njerëzve vullnet mire shqiptar dhe të huaj, të cilët kontribuuan në mënyra të ndryshme qe të shndërrohet në realitet ëndrra e jetës se poeti Mjeda, njëherit dhe e imja. Mjedologu Mentor Quku, deri tani ka botuar 12 vëllime studimore për Mjedën, dhe shprehej se “po të kisha edhe një jetë, do botoja po aq vëllime të tjera për poetin Mjeda”, u shpreh Dom Nikë Ukgjini, gjatë ceremonisë së përurimit.
Ai bën të ditur se ”puna për rikonstruksionin e kësaj Qendre të rëndësishme, e zhvilluar në etape të ndryshme kohore, është fryt i disa aktorëve, të heshtur apo të zëshëm, nga jashtë dhe brenda vendit tonë. Për shkak të rëndësisë qe ka Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, emrat e tyre të merituar janë të vulosur tashme në librin, me të ri Mjedologji”.
Kisha ku punoi Dom Ndre Mjeda u ndërtua në vitin 1913, kushtuar Shën Shtjefnit, martir i shekullit të parë, ndërsa qela u ndërtua në vitin 1906. Kisha ndodhet në fshatin Kukël, në komunën e Bushatit, në afërsi të Gjadrit dhe i takon stilit neoklasik, ndërsa banesa është e stilit austro-hungarez e gërshetuar më stilin neoklasik. Projekti i kishës dhe qelës u ideuan nga vetë Ndre Mjeda, po ashtu edhe muret të cilat janë zbukuruar me figura që i ka gdhendur vetë ai.
Ata paraqesin episode të mitologjisë ilire e kishtare. Në ballinën e shtëpisë është koka e kurorëzuar e Bachtusit, martirit sirian të shek. IV, ndërsa në të majtë të ndërtesës është Labeatia (basoreliev i emblemës së një prej fiseve ilire). Këto dy skulptura, Mjeda i ka gdhendur në allçi e pastaj i ka gdhendur në çimento. Në vitin 1967, Kisha e Kuklit u mbyll duke u kthyer menjëherë në një depo armësh. Banesa u kthye fillimisht në shkollë, e më pas u adaptua në shtëpi banimi.
Kati i dytë i ndërtesës, më 25 nëntor të vitit 1982 u kthye në shtëpi muze kushtuar poetit të madh Ndre Mjeda. Aty ishin të sistemuara botimet e Mjedës, objekte të ndryshme të përdorura prej tij si shtrati, tavolina e punës, pena e shkrimit etj. Në vitin 1991 ky muze u mbyll dhe inventari i tij me pajisjet, një pjesë u tjetërsua, ndërsa pjesa tjetër iu dorëzuan Muzeut Historik në Shkodër.(Kortezi: Almarina Gegvataj-ATSH)
Shqiptarët në Turqi mbështesin kombëtaren shqiptare
Kryetari Halil Metin: ‘Ne e dënojmë këtë akt të dhunës ndaj shqiptarëve dhe ftojmë median e Turqisë që të mbështesë Shqipërinë dhe dënojmë dhe çdo shkrim që është publikuar në Turqi kundër skuadrës shqiptare’ tha për median./
Shoqata ‘Vllazëria Shqiptaro-Turke’ e themeluar në vitin 1952 me qëndër në Stamboll në një deklaratë për median mbështet skuadrën e Futbollit të Shqipërisë. Kryetari I Shoqatës ‘Vllazëria Shqiptaro-Turke’ Halil Metin shprehu shqetesimin e tim për dhunën e ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë. Metin, në komunikatën për media shprehu se është e papranueshme dhe shprehim shqetesimin tonë që u ushtrua dhunë ndaj lojtarëve shqiptarë sepse ende nuk dihet se kush e dërgoi helikopteri me telekomandë me flamurin e Shqiperisë. Metin, ‘Ne e dënojmë këtë akt të dhunës ndaj shqiptarëve dhe ftojmë median e Turqisë që të mbështesë Shqipërinë dhe dënojmë dhe çdo shkrim që është publikuar në Turqi kundër skuadrës shqiptare’ tha për median.(Per Diellin- Ervin Shkulaku)-Ne Foto: Shoqata Shqiptaro-Turke
Ekzistencë si hije e pakuptimtë
Shkruan: Dr. Ilir Muharremi/
Nga e si mund të them që njoh veten: gjakun, muskujt, egon, të gjitha që më shtyjnë të mendoj apo t’i zhvesh ngadalë. Ato që mund t’i pohoj e argumentoj janë momenti i vdekjes, ombrellat e përjetësisë. Këtu lind shumimi dhe krijohet diçka për të vazhduar. Në esencë këtë diçka prapë e kap me mëdyshje, sepse mendja, inteligjenca, vetëdija zhvillohen me kohën, ose koha nuk mund t’i zërë të zgjedhurit. Nuk dua t’i ik vetes, nuk jam hije e vetes, nuk më kërcënojnë hijet, të cilat si ofshama me dihatje puqen mbi mua. Shushunja është kërcënim për individin egoist, i cili nuk ndikohet nga kënaqësitë e instinktit. Unë jam instinkti im, ndjenja ime, egoja, peneli i shpirtit, por prapë dyshoj në atë që më kërcënon. Ato që ma bëjnë më të lehtë për të jetuar janë e mira dhe dashuria, por jo dhimbja, e cila kërcënon lartësitë. E vështira për të ngritur gurin në majë sprovon ekzistencën time absolute, që vështrohet nga absurdi. Unë dhe bota, unë dhe fryma lirshëm aterojmë. U zgjidhëm, ngaqë kështu dëshiruam. Po për çfarë? Askush nuk gjen përgjigjen. Vërtitet si një palaço, bën skena, teatër fjalësh e shprehjesh, por prapë pyetje, enigmë, pa përgjigje. Dhe çka ndodh? Pyetje nga të cilat lind pafundësia dhe krijohet ngjyra mbi përjetësinë, e cila nuk ka faj ndaj asaj që e kërcënon. Përse duhet të lindim ne? Përse duhet të luajmë në jetë? Përse nuk ishim? Por, ndodhemi tash. Aksidentalisht. Ndoshta si pasojë, por jo si kënaqësi. Apo si kënaqësi që viktimizohet e aspak nuk shërohet. Ne jemi këta, shfrytëzojmë frymën, ushqejmë trupin, urinojmë, e kthejmë atë që hamë, prapë duhet të kthehemi, aty nga kemi ardhur, ose humbasim rastësisht. Por, po të ishim rastësisht, do të jetonim rastësisht në këtë univers enigmatik, i cili në shpirt ka zinxhirin e vlerave që nuk mund ta këpusësh. Shprehje budallenjsh, filozofësh, të cilët përpiqen të ikin, por prapë janë shembje e vlerave ideale. Vdekja. Ajo është armiku, perandoria e pakohë, që nuk ka shpartallim. E, në momentin kur u përcaktova, edhe vdekja ngriti dolli me jetën time si një figurë a imazh, që jeton diku thellë në kokën time. Çdo gjë mbaj me vete, por nuk ia di arsyen. Por, kuptim do të kishin të gjitha vlerat sikur të dinim se çfarë janë. Kjo është ajo që na obligon të jetojmë në oazën e përjetësisë enigmatike. Dhimbje, enigmë, përjetësi. Asgjë dhe gjithçka, por prapë pyetje. Lehtësisht shkruaj, por prapë nuk e paraqes atë që e ndjej në thellësi, sepse diçka tjetër është ajo që thellë dhe zbehtë del në letër e pëlhurë, apo në ndonjë material tjetër arti. Unë shndërrohem në një viktimë, në një skllav të ndjenjave, të shpirtit e të trupit. Diçka tjetër isha dje, diçka tjetër jam sot, por prapë jam ky i njëjtë që shkruaj, nuk ndryshoj për asgjë në thellësi. Ajo kujdeset për veten. Jeton qetësisht. Jeta është një faqe e historisë, e shkurtër për ta jetuar gjatë, e pamenduar për të ardhur, ose asgjë momentalisht, predikim për të menduar, gjykim për t’u përballuar, ose piun i dirigjimit të përjetësisë. Përjetësisë egoiste, individuale, që ec dhe prapë ec mbi atë ose nën atë që duhet, por duhet. Çfarë ndodh duhet të ndodhë, ndoshta ka ndodhur, do të ndodhë, sërish do të ndodhë, andaj unë interpretoj vetveten, ekzistencën ndoshta absurde, postmodernen, shërimin e vetes. Shërimi nuk ndodh nga përvoja apo nga ndonjë terapi, por kuptimi dhe zëvendësimi i asaj që kërcënon. Ajo shtypet e pafuqishme e sërish jeton. Sido që të jetë, prapë jeta ec, e ajo, vdekja merr në mënyrë procedurale. Ne dergjemi si kufoma të gjalla mbi jetën. E dimë vdekjen dhe frikësohemi, sepse më e bukur, më pragmatike na duket fryma, pra jeta. Prapë jemi të huaj, vetmitarë dhe hije për jetën tonë. E duam të përjetshme, por nuk dimë kuptimin e gjakut, të zemrës, të frymës e të trupit, të cilat na shoqërojnë. Mbase edhe ato nuk kërkojnë përgjigje. Përgjigja më e kthjellët është lozja me atë që na vjen, ngaqë duhet të vijë ose nëse nuk vjen, duhet ta ndryshojmë. Po sikur ta ndryshojmë, nuk do ta zotërojmë dhe prapë do të jemi viktima të aksidentit që duhet të jetojmë si sakrificë e jetës për të ardhur në finalen vdekje. A mund të konstatojmë se jetuam dikur dhe jetojmë prapë, ishim dhe më nuk jemi, me një shenjë libri, pikture, poezie, e cila jeton me emrin tonë. Po ne ku ikëm?! Pse erdhëm për të ikur?! Pse nuk qëndruam absolutisht mbi absoluten, por u shpikëm si relativë, asimetrikë ndaj simetrisë, e cila është reale. Jemi simetrikë, për të shpikur asimetrinë. Ndoshta e tëra duhet të ndodhë. Edhe ky shkrim është planifikuar të vazhdojë, apo të vë pikën e fundit për të më lexuar dikush. Të vulos ekzistencën time për të cilën edhe pas vdekjes do të kërkoj shpjegime. Por prapë nuk do ta di se për çfarë isha në këtë tokë. Nuk do ta quaj lavire, e cila vazhdon të prodhojë fëmijë pa arsye, vetëm për të vazhduar dhe për të na shfrytëzuar neve si materie, qenie të gjalla, që kanë humbur kujtimin e lindjes. Ndoshta asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë realitet për t’u kujtuar tashmë. Çdo gjë fillon nga fillimi, por edhe ai fillim nuk është fillim. Zemra ime nuk rreh për herë të parë në lindjen time. Jam hije, i panjohur, i huaj për zemrën, trupin, vlerën, ekzistencën time në tërësi, e cila qëndron e bashkuar me të gjitha forcat lëvizëse. Nga mendja nuk mund ta nxjerr të pamundurën, sepse e mundura është në këtë botë. Ajo është vijëzuar në kokën time të kthjellët. Dhe kështu jemi egoistë, të ditur, të vendosur ndaj vetes, por prapë pa ndonjë përgjigje për veten. Nuk na duhet fama, sepse ajo shkatërron individualitetin tonë. Të mëdhenjtë nuk janë të famshëm për veten, edhe pse prodhojnë mendime të ëmbla sikurse fiku që bie nga pema. Unë do të jem gjithnjë akull i ftohët, qetësisht i zhytur në qenien time, e cila nuk më tregon asgjë për të vazhduar. Përpiqem, përpiqem ta hulumtoj atë thesarin që e posedon gjithkush, ngaqë jemi familje në këtë univers të brishtë, të paarsyeshëm, të palogjikshëm ndaj logjikës, të paarsyeshëm ndaj arsyes, të etur ndaj etjes, të ftohtë ndaj nxehtësisë, të zinj ndaj të bardhës. Pra, gjithnjë e kundërta për t’u relaksuar dhe për të krijuar atë që nuk mund ta krijojmë, por vetëm ta kuptojmë. Jemi ujëra të zeza në ujërat pa ngjyrë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 22
- 23
- 24
- 25
- 26
- …
- 54
- Next Page »