Në të gjithë Shqipërinë, sikurse edhe trevat shqipfolëse, Ndre Mjeda njihet si poet, rilindas, filozof, klerik, studiues por gjithë këtë veprimtari, ai e zhvilloi në një shtëpi e cila ndodhet në një fshat midis Shkodrës dhe Lezhës, i quajtur Kukël. Këtë shtëpi, Mjeda e ndërtoi në vitin 1907, ndërsa kishën në vitin 1913, me një stil neoklasik të projektuar nga vetë ai.
Ne vitet ’90 kjo shtëpi ishte në gjendje të mjerueshme dhe e braktisur, deri në ardhjen e Dom Nikë Ukgjini i cili u kujdes që kjo ndërtese të rikonstruktohej.
Falë përpjekjeve të gjata dhe në saj të një bashkëpunimit të gjerë nga aktorë të ndryshëm, si shqiptarë ashtu edhe të huaj, shtëpisë së poetit Mjeda i është kthyer identiteti.
Me një ceremoni të veçantë është përuruar një ditë më parë në Kukël, “Qendra Muzeale e Mjedës”, me pjesëmarjen e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, zëvëndësministrit Zef Çuni, e personazhe të tjerë të njohur të jetës politike e shoqërore.
“Ndaluni në Kukël, vetëm 40 minuta larg Tiranës. Mos ia hiqni vetes kënaqësinë e peizazhit të këngës së “Bylbylit” në kompleksin muzeal “Ndre Mjeda” që inauguruam”, apelon ministrja Kumbaro.
Me restaurimin e shtëpisë muze dhe sistemin e objekteve muzeale, Qendra ka marr formën e vet të duhur, duke u shndërruar ne një vend shtegtimi, në fushën kulturore e të turizmit gjithëkombëtar
. “Puna e arritur është fryte i dashamirësisë, të njerëzve vullnet mire shqiptar dhe të huaj, të cilët kontribuuan në mënyra të ndryshme qe të shndërrohet në realitet ëndrra e jetës se poeti Mjeda, njëherit dhe e imja. Mjedologu Mentor Quku, deri tani ka botuar 12 vëllime studimore për Mjedën, dhe shprehej se “po të kisha edhe një jetë, do botoja po aq vëllime të tjera për poetin Mjeda”, u shpreh Dom Nikë Ukgjini, gjatë ceremonisë së përurimit.
Ai bën të ditur se ”puna për rikonstruksionin e kësaj Qendre të rëndësishme, e zhvilluar në etape të ndryshme kohore, është fryt i disa aktorëve, të heshtur apo të zëshëm, nga jashtë dhe brenda vendit tonë. Për shkak të rëndësisë qe ka Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, emrat e tyre të merituar janë të vulosur tashme në librin, me të ri Mjedologji”.
Kisha ku punoi Dom Ndre Mjeda u ndërtua në vitin 1913, kushtuar Shën Shtjefnit, martir i shekullit të parë, ndërsa qela u ndërtua në vitin 1906. Kisha ndodhet në fshatin Kukël, në komunën e Bushatit, në afërsi të Gjadrit dhe i takon stilit neoklasik, ndërsa banesa është e stilit austro-hungarez e gërshetuar më stilin neoklasik. Projekti i kishës dhe qelës u ideuan nga vetë Ndre Mjeda, po ashtu edhe muret të cilat janë zbukuruar me figura që i ka gdhendur vetë ai.
Ata paraqesin episode të mitologjisë ilire e kishtare. Në ballinën e shtëpisë është koka e kurorëzuar e Bachtusit, martirit sirian të shek. IV, ndërsa në të majtë të ndërtesës është Labeatia (basoreliev i emblemës së një prej fiseve ilire). Këto dy skulptura, Mjeda i ka gdhendur në allçi e pastaj i ka gdhendur në çimento. Në vitin 1967, Kisha e Kuklit u mbyll duke u kthyer menjëherë në një depo armësh. Banesa u kthye fillimisht në shkollë, e më pas u adaptua në shtëpi banimi.
Kati i dytë i ndërtesës, më 25 nëntor të vitit 1982 u kthye në shtëpi muze kushtuar poetit të madh Ndre Mjeda. Aty ishin të sistemuara botimet e Mjedës, objekte të ndryshme të përdorura prej tij si shtrati, tavolina e punës, pena e shkrimit etj. Në vitin 1991 ky muze u mbyll dhe inventari i tij me pajisjet, një pjesë u tjetërsua, ndërsa pjesa tjetër iu dorëzuan Muzeut Historik në Shkodër.(Kortezi: Almarina Gegvataj-ATSH)