• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

DAÇIÇ JEP DORËHEQJEN

October 15, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Daçiç jep dorëheqjen sepse ti po e le Serbinë të mbetet peng i së shkuarës.
Ti je përgjegjës që nuk krijove kushte që ndeshja e futbollit midis shqiptarëve dhe serbëve të luhej normalisht e të lejonte mbushjen e stadiumit gjysëm për gjysëm me tifozë shqiptarë e serbë si për të treguar se ishte tejkaluar një barrierë e historisë, për të hapur një kapitull të ri në të mirën e përbashkët, sepse jemi dy vende fqinj.
Ti ke qenë kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë e tash je ministër i Jashtëm dhe deklarata jote ishte skandaloze, sepse i fajësoje shqiptarët se sollën vetëm një flamur përballë atyre mijra e mijra flamujve të Serbisë që valviteshin aty.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse vazhdon t’i shohësh shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit, çka shkaktoi konfliktin e fundit në ish-Jugosllavi, duke u ndaluar, siç bëre më 14 tetor 2014, një nga gjërat më normale dhe të bukura të botës, të vinë e të shohin një ndeshje futbolli.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse ti i prite futbollistët e Shqipërisë sikur midis dy vendeve të ishte gjendje lufte.
Ti nuk lejove që ndeshja në Beograd të ishte një takim sportiv midis dy shteteve, ku tifozët gëzohen apo trishtohen për humbjen apo fitoren e vendit të tyre, ashtu si ndodh kudo në çdo shtet të Europës.
Ti lejove që stadiumi të përfshihej nga histeria ku bëheshin thirrje për vrasjen e shqiptarëve, duke krijuar një klimë të tmerrshme psikologjike për lojtarët shqiptarë, të cilët detyroheshin të luanin në kushte terrorri psikologjik.
Ti lejove që në stadium të merrnin pjesë elementë të dënuar nga drejtësia si shkaktarë të dhunës në ndeshjen midis Italisë dhe Serbisë në stadiumin Marassi.
Ti ke qenë kryetari i delegacionit të Serbisë me kryeministrin e Kosovës dhe ke zhvilluar për vite të tëra bisedime për dialog midis dy popujve dhe ja rezultati që ke arritur, të na risjellësh në stadiumet e Serbisë dhe Europës Ivanin e Tmerrshëm.
Ty të ka ngelur ora e historisë në shekullin e përgjakshëm që lamë pas, por harron se gjeneratat e reja nuk janë as pjesmarrëse dhe as fajtorë të saj tragjedie që ndodhi në Ballkan dhe duan ta jetojnë jetën normalisht, duke lëvizur të lirë në çdo qytet të Ballkanit dhe të Europës.
Ti vendose Perden e Hekurt në kohën e integrimeve, kur Serbia pretendon të jetë anëtare e BE-së.
Ti deklaron në mënyrë skandaloze se nuk është Serbia përgjegjëse për atë që ngjau në Beograd, ku ju ishit i gjithë shteti, ndërsa shqiptarë ishin vetëm skuadra e lojtarëve dhe delegacioni shoqërues.
Ti justifikove arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë me akuza fallco, duke shkaktuar një incident diplomatik, sepse një aparat fotografik t’u duk si një telekomandë e avionit të vogël që solli në stadium të vetmin flamur midis mijra e mijrave flamujve të Serbisë.
Ti akuzove kryeministrin e Shqipërisë, duke shkaktuar prapë incident diplomatik, se në rrjetet sociale përshëndeti futbollistët shqiptarë dhe dënoi atë turp që ngjau në stadiumin tuaj, në vend që t’i kërkoje ndjesë për atë skandal që e la gjithë botën e qytetëruar pa frymë. Pse, sipas teje, çfarë të bënte!
Ti duhet të japësh dorëheqjen dhe qeveria e Serbisë t‘iu kërkojë ndjesë shqiptarëve për atë që ngjau më 14 tetor, duke e konsideruar si një ëndërr e keqe të një kapitulli që duhet të ishte i mbyllur në fund të shekullit që lamë pas.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, jep doreheqjen

Futbollistët e kombëtares inkurajojnë mbështetësit nga Beogradi

October 14, 2014 by dgreca

Lorik Cana: Do të bëjmë maksimumin për një rezultat pozitiv në Beograd/
Futbollistët e kombëtares shqiptare pak orë para zhvillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, kanë shfrytëzuar kohën e lirë për të pirë një kafe dhe për të bërë një selfie.
Në rrjetin social facebook, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, kosovari Mërgim Mavraj ka publikuar një foto në një kafe në Beograd.
Futbollistët e kombëtares së Shqipërisë kanë arritur dje në Beograd, ndërsa forca të shumta të rendit përkujdesen për ekipin e Shqipërisë.
Ndeshja do të zhvillohet pa praninë e tifozëve shqiptarë, sikurse do të ndodhë edhe në ndeshjen e kthimit. Shqipëria përballet sot në orën 20. 45 me Serbinë në stadiumin e Beogradit, në kuadër të eliminatorëve të EURO 2016

Lorik Cana: Do të bëjmë maksimumin për një rezultat pozitiv në Beograd

Kapiteni i kombëtares shqiptar, Lorik Cana, beson se kuqezinjtë mund të arrijnë një rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Serbisë, në Beograd.
Numri pesë i kuqezinjve ka thënë se do të bëjnë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.
Sipas Kosovapress, kapiteni i kombëtares shqiptare ka thënë se lojtarët do të japin shpirtin në fushë dhe do t’i bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Ai ka vlerësuar edhe kundërshtarin duke thënë se janë vërtet të fortë, por kjo gjë i motivon akoma më shumë.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe premtojnë se do të bëjmë të gjithë shqiptarët të ndihen krenarë për ne”, u shpreh Cana.
Mbiemri Cana nuk është i panjohur në Serbi. Vite më parë, i ati i kapitenit të kombëtares shqiptare Lorik Canës, ka shënuar një gol pikërisht në Beograd.
“Babai im ka luajtur në Beograd ndaj Crvena Zvezdës me Prishtinën e madhe. Ai shënoi gol, ndërsa ekipi i asaj kohe fitoi ndeshjen në kampionatin jugosllav. Shpresojmë të përsërisim atë sukses për të kënaqur një komb të tërë”, tha Cana.
Ai që është simboli i sakrificës, dëshirës për të fituar dhe i përkushtimit maksimal ka premtuar se lojtarët e kombëtares janë të motivuar aq shumë sa duan të bëjnë historinë.
“Kjo ndeshje është me shumë vlerë. Jemi në një moment të mirë dhe duam të shkruajmë historinë. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sepse kemi përballë një ekip të fortë, por ne jemi Shqipëria dhe hyjmë në fushën e lojës për të fituar në çdo stadium. Do kërkojmë ta godasim kundërshtarin dhe të luajmë në grup siç bëjmë gjithmonë. Forca e grupit, sakrifica dhe ndihma për njëri-tjetrin është sekreti ynë. Do t’ia dalim dhe kemi shumë besim”, ka përfunduar Cana.

Filed Under: Sport Tagged With: Kombetarja ne Beograd, Lorik Cana

BARAZIA GJINORE SI NJË ÇËSHTJE NDËRKOMBËTARE

October 14, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
“Të drejtat e femërave janë të drejtat e njeriut”. Kështu kishte deklaruar Hillary Klinton në fjalimin e saj të famëshëm më 1995 në konferencën ndërkombëtare mbi të drejtat e grave në Pekin të Kinës, pothuaj një çerek shekulli më parë.
Ishte ky një fjalim i guximshëm i cili gjithnjë konsiderohet se hapi rrugë të reja dhe sensibilizoi botën mbi nevojën për veprime në favor të të drejtave të grave anë e mbanë botës dhe zbatimit të tyre sidomos në vendet në zhvillim e sipër. Interesimi dhe përpjekjet ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të femërave anë e mbanë botës është shtuar shumë ç’prej kohës kur Hillary Clinton mbajti fjalimin e saj pothuaj një çerek shekulli më parë. Duket sikurë të drejtat e grave kanë tërhequr vëmendjen e organizatave ndërkombëtare, siç është OKB-ja por edhe interesimin e qeverive dhe parlamenteve anë e mbanë botës. Kohët e fundit ky interesim në mbështetje të të drejtave të grave, ka tërhequr një vëmendje më të ngutshëme botërore, përballIë masave arbitrare të grupeve terroriste ISIS në Irak dhe Siri dhe Boko Haram në Nigeri kundër vajzave dhe grave. Siç dihet, këto grupe terroriste kanë rrëmbyer gratë dhe vajzat në zonat ku veprojnë, për t’i dhunuar ato seksualisht dhe për t’i detyruar ato të martohen kundër dëshirës së tyre.
Edhe organizata Nobel, sikur të donte të nënvijonte të drejtat e vajzave dhe të grave anë e mbanë botës, për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj këtij problemi, dekoroi si bashkfituese të Çmimit Nobel për Paqë, Malala Yousafzai, vajzën e re pakistaneze e cila ka guxuar të sfidonte talebanët duke mbrojtur të drejtën e vet dhe të shoqeve të saja për tu edukuar si dhe për promovimin që ajo u bën të drejtave për miliona vajza dhe fëmijë anë e mbanë botës. Gjithashtu këtë javë, në Gjenevë të Zvicrës po mbahet sesioni i 131-të i Unionit Botëror Ndërparlamentar ku po marrin pjesë delegacione nga e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, për të biseduar mbi barazinë gjinore dhe mbi përpjekjet për të gjetur mënyrat për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave anë e mbanë botës.
Gjithashtu, fund javën që kaloi u shënua edhe Dita Ndërkombëtare e Vajzës (International Day of the Girl) e propozuar nga Kanadaja dhe e shpallur dhe e miratuar si e tillë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) më 11 tetor, 2012, ditë kjo që shënohet për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj sfidave dhe problemeve përball të cilave gjënden femërat anë e mbanë botës, përfshirë diskriminimin e bazuar në gjini, në fusha të ndryshme siç janë punësimi, edukimi, të drejtat ligjore, përkujdesja shëndetsore, e tjera.Por mbi të gjitha, kjo ditë është caktuar nga OKB-eja për t’i kujtuar botës dhunën fizikeqë ushtrohet ndaj grave dhe me të cilën përballen femërat në mbarë botën. Qëllimi i OKB-ës për të shënuar këtë ditë është që të vihen në dukje diskriminimet ndaj grave në përgjithësi dhe në veçanti të theksohen shqetsimet mbi shkeljen e të drejtave më themelore të njeriut ndaj femërave, sidomos në vendet në zhvillim e sipër, përfshirë dhunën dhe abuzimet që ushtrohen ndaj grave mbrenda shtëpisë së tyre nga të afërmit e tyre, aty ku jetojnë e punojnë, e ku duhej që të pakën t’a ndjenin veten më të sigurta nga dhuna dhe abuzimi, se kudo tjetër. Sipas OKB-ës, 11 tetori shënohet gjithashtu edhe si “një përgjigje ndaj një problemi urgjent me të cilin përballet bota sot, e që është braktisja dhe mos përfillja e të drejtave të vajzave anë e mbanë botës.” Tema e kësaj dite ndërkombëtare sivjet ishte përpjekja për t’i dhënë fund ciklit të dhunës kundër femërave kudo, jo vetëm në shtëpi dhe në shoqëri por edhe në zona konflikti dhe rajone të prekura nga turbullira të ndryshme.
Më rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzës, fund javën që kaloi Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-ës, Ban Ki Moon, deklaroi se, “Anë e mbanë botës, një numër alarmist vajzash të reja sulmohen, abuzohen, dhunohen e madje edhe vriten.Kërcënimi me dhunë kundër tyre nga anëtarët e familjes, bashkshortorët e tyre etj., dhunon barbarisht të drejtat e tyre, zhdukë fuqinë e tyre dhe njëkohsisht shtypë egerësisht potencialin që kanë vajzat si individe”, për të kontribuar për familjen, për shoqërinë dhe shtetin ku jetojnë, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. Ban Ki Moon foli për një kulturë mos ndëshkimi që mbizotëron kudo ndaj dhunuesve dhe abuzuesve të femërave duke shtuar se dhuna, abuzimet dhe shfrytëzimi i femërave për qëllime të ndryshme, përkeqsohen edhe më shumë në zonat e prekura nga “konfliktet si dhe nga krizat humanitare”, anë e mbanë botës.
Me këtë rast, udhëheqsi i OKB-së u bëri thirrje “qeverive të botës që të marrin masa të menjëhershme për t’u dhënë fund të gjitha formave të dhunës kundër vajzave kudo në botë, me qëllim” siç tha ai, “që së bashku të krijojmë një botë ku dhuna ndaj femërave nuk do guxohet të tolerohet kurrë, dhe ku vajzat do të kenë gjithmonë mundësinë që të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të japin kontributin e nevojshëm në shoqërinë ku jetojnë.”
Ndërsa, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, në deklaratën që bëri me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzës, fund javën që kaloi,tha në mbështetje të barazisë gjinore se, “Shtetet e Bashkuara besojnë se kur një vajzë nuk lejohet të zhvillojë potencialin e saj të plotë, atëherë kjo nuk është një humbje vetëm për atë si person, por edhe për familjen e saj, për komunitetin dhe për vendin ku jeton.” Kryediplomati amerikan tha se “ne e dimë që mënyra më e mirë, që një shoqëri të përparojë është atëherë kur vajzave u jepet mundësia të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë, ndërkohë që ato mbahen larg dhunës dhe abuzimeve dhe njëkohsisht, kur vajzave të reja u jepet mundësia të shkollohen dhe të edukohen. Zoti Kerry përmendi guximin dhe kurajon e vajzës së re pakistaneze Malala Yousafzai — e cila javën e kaluar u njoftua se fitoi Çmimin Nobel për Paqë — si një shembull që sfidon të gjithë ne, tha ai, që të na bëjë më të vendosur për të “mbështetur përpjekjet kundër brutalitetit, injorancës dhe dhunës”. Kryediplomati amerikan pohoigjithashtu se ajo “frymëzon me shpresë, miliona njerëz dhe njëkohësisht personifikon angazhimin tonë ndaj zbatimit të të drejtave të njeriut dhe të edukimit”, të vajzave kudo. “Qeveritë”, theksoi John Kerry, “duhet të bëjnë të bindinqytetarët e vet mbi përfitimet që i vijnë shoqërisë nga investimi në programet për edukimin e vajzave” dhe njëkohsisht u bëri thirrje qeverive anë e mbanë botës që të ndëshkojnë personat ose grupet që janë përgjegjës për akte dhune dhe masa shtypjejeje ndaj femërave. “Duke punuar së bashku si komunitet shtetesh”, përfundoi Z. Kerry mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzës, “Ne mund të ndërtojmë një botë në të cilën vajzat nuk trajtohen më si pronë ose si plaçkë lufte, por si individë me zërin e tyre, me talentet dhe me të drejtat dhe liritë e tyre për të realizuar potencialin e vet, duke kontribuar kështu për të mirën e përbashkët të njerëzimit.”
Të drejtat e grave dhe çështjet për të cilat janë të interesuara gratë në përgjithësi, duket se janë bërë tani çështje për të cilat interesohet bota. Ndihet një vetdije,madje edhe në radhët e vendeve historikisht patriarkale, se pjesmarrja e plotë e femërave në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore është jetike për paqën, për zhvillimin e demokracisë së vëretetë dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Si mund të përjashtohet gjysma e popullësisë nga pjesmarrja në zhvillimet shoqërore duke u mohuar femërave të drejtat bazët të njeriut, e për më keq, duke I dhunuar dhe duke I abuzuar ato.
Është e vërtetë se të drejtat e grave dhe të vajzavekudo janë bërë çështje të një interesimi botëror, siç venë në dukje edhe konferencat ndërkombëtare dhe deklaratat e aktivistëve të ndryshëm anë e mbanë botës në mbështetje të barazisë gjinore. Ndonëse është shënuar përparim në disa fusha të të drejtave të grave përfshirë edhe barazinë gjinore, mbetet ende shumë për tu bërë në këtë fushë për të realizuar një barazi të vërtetë midis meshkujve dhe femërave anë e mbanë botës. Mungesa e përparimit të duhur ndihet në fushë të ndryshme të aktivitetit shoqëror, përfshirë politikën dhe jo vetëm në vendet në zhvillim e sipër, por edhe në vendet që konsiderohen të zhvilluara.

Megjithë deklaratat mbështetse, mbetet i pabesueshëm fakti që vendet e rajonit dhe bota mbarë po bëjnë shumë pak ose asgjë për të ndaluar terrorin që po ushtrohet nga grupi terrorist ISIS ndaj grave dhe vajzave në Siri dhe në Irak. Çnjerëzimi i këtyre femërave duket se është bërë pjesë kryesore e kësaj fushate brutale terrori.Prandaj,për derisa bota nuk do të angazhohet seriozisht kundër këtij grupi terrorist dhe veçanërisht kundër fushatës së tij brutale ndaj dhunës kundër femërave të atij rajoni – gratë dhe vajzat kudoqofshin në botë, nuk do të gëzojnë të drejtat e tyre dhe barazinë gjinore, ashtu siç bëhet thirrje nga organizata dhe udhëheqës botërorë nepër konferenca të ndryshme. Prandaj,për derisa vazahdon ky brutalitet çnjerëzor i grupit terrorist ISIS kundër grave dhe vajzave, femërat kudo qofshin ato, nuk do të ndihen as të lira as të barabarta, dhe as të sigurta për veten e tyre, duke u bërë drejtë për drejtë ose tërthorazi, subjekt dhe viktima të kësaj fushate brutale.Është thënë se mohimi i të drejtave të njeriut në një vend ose në një rajon të botës është mohimi i këtyre të drejtave kudo tjetër në botë. Është e qartë tani se brutaliteti i grupit terrorist ISIL përbën një kërcënim serioz, jo vetëm ndaj të drejtave të femërave, por edhe ndaj të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe për të gjithë, pa marrë parasyshë gjininë. Është ky një kërcënim ndaj popujve të rajonit, ndaj paqës në botë dhe ndaj interesave të lirisë dhe demokracisë kudo. Përballë një situate të tillë, është e nevojshme që bota dhe sidomos vendet për rreth Irakut dhe Sirisë të angazhohen pa vonesë në luftën kundër terroristëve ISIS. Ky ishte edhe mesazhi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili tha në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-ës muajin që kaloi, “Se ka ardhur koha që bota – e veçanërisht komunitetet myslimane – të refuzojnë në mënyrë të qartë, të vendosur dhe të vazhdueshme,duke hedhur poshtë ideologjinë brutale të këtyre grupeve.” Ky do ishte mesazhi dhe angazhimi më serioz se bota më në fund është me të vërtetë e interesuar të mbështesë të drejtat themelore të grave dhe vajzave, përfshirë barazinë gjinore dhe njëkohsisht t’i mbrojë ato nga dhuna dhe nga abuzimet, qoftë në rrethin familjar, qoftë në zona konflikti dhe në fronte lufte.

Filed Under: Editorial Tagged With: BARAZIA GJINORE SI NJË ÇËSHTJE, Frank shkreli, nderkombetare

PER HERE TE PARE, SHKOLLE SHQIPE NE MANHATTAN

October 14, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Manhattan nxënësit shqiptaro-amerikanë u ulën në bangat e shkollës për të mësuar SHQIP, në mjediset e shkollës publike amerikane Ps 173, Fort Washington Avenue, me leje nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut.
Pas përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit pedagogjik për t’ju mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën Shqipe më në fund i gjithë mundi i organizatorëve dhe mësueses me përvojë në gjithë jetën e saj znj. Liza Pllumbit u kurorëzua me sukses me hapjen e shkollës shqipe për herë të parë në Manhattan.
Është emocionante dhe ndjehesh krenare tek udhëton në fundjavë nga Staten Island së bashku me mësuesen e dashur Ditën, babain e saj z.Delaj nga Kelmendi, i cili shprehte mirënjohjen dhe falënderonte “Alba Life” që vajzën e tij e kishim pjesë të stafit të punës, me Brian, Dean dy nxënës shqiptarë dhe të shkosh përballë një shkolle të re shqiptare ku të takohesh me nxënës të rinj, prindër dhe mësues. Duke trokitur në derën kryesore të shkollës, nxënësit rendnin me vrap kush e kush mundohej të hapte derën i pari. Ata na përqafonin sikur të kishim kohë që ishim takuar dhe me magjinë e moshës së tyre miqësoheshin shumë shpejt dhe me njeri-tjetrin. Është një botë krejtësisht e veçantë një botë që më mban të gëzuar, gjallë, plot jetë, por sidomos më sjellë pranë Shqiperinë tonë aq të munguar.
Mundet që hapja e kësaj shkolle në Manhattan të jetë një pikë uji në Diasporen tonë, por me siguri në se mblidhemi së bashku në një tryezë të rrumbullakët për të hedhur idetë dhe pastaj ato të vihen në zbatim sidomos kjo e fundit është tejet e rëndësishme, ndryshe idetë vdesin si peshku në rërë, atëhere pika e ujit kthehet një oqean i gjuhës shqipe nga e cila fillon identiteti ynë. Asgjë s’është e pamundur, çdo gjë e bukur është e mundur sidomos kur është fjala për isntitucionalizmin e shkollave shqipe për të shkuar nxënësit cdo ditë ashtu sic i kanë hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët e shumë komunitete të tjera që mjerisht në këtë pikë ne jemi mbrapa…
Por kjo përbën një temë tjetër që ha shumë diskutim dhe punë altruiste nga Diaspora që nuk mungojnë në shumë anëtarë të saj. Ja pikërisht disa nga anëtarët e Diasporës që kanë vite që jetojnë në Amerikë vjen një ditë dhe me përvojën e tyre si mësimdhënës të Gjuhës Shqipe i afrohen programit mësimor të Gjuhës Shqipe dhe e ushtrojnë pranë fëmijëve të Diasporës lindur dhe rritur në Amerikë, por që prindërit e kanë ëndërr që fëmijët e tyre mos ta harrojnë kurrë gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të tyre.
Themeluesi i shkollave Shqipe z.Qemal Zylo iu ka uruar nxënësve, prindërve, mësuesëve mirëseardhjen dhe punë të mbarë për mësimin e Gjuhës Shqipe. Një falënderim të veçantë i ka dhënë mësuese Liza Pllumbit me të cilën bashkëpunoi një kohë të gjatë për të realizuar hapjen e një shkolle shqipe në Manhattan. Po ashtu me plot dashamirësi ka falënderuar dhe prindin Nora Nilaj për kontributin e saj në këtë mision fisnik.
Në fjalën e tij të shkurtër ftoi të gjithë prindërit dhe mësuesit ta përhapin këtë lajm të bukur dhe shpresoj që të kemi sa më shumë nxënës në këtë shkollë, ne kemi një përvojë shumë vjeçare në mësimin e gjuhës shqipe, pasi kemi dhe dy shkolla të tjera shqipe në Staten Island dhe në Brooklyn, shkolla që kanë disa vite të hapura.
Më pas me lot në sy përshëndeti mësuesja e shkollës shqipe në Manhattan znj.Liza Pllumbi e cila me emocion iu uroi gjithë nxënësve punë të mbarë. Ajo i shprehu mirënjohjen e pakufishme “Alba Life” qe i bëri të mundur të realizojë ëndrrën dhe të ushtrojë profesionin e saj si mësimdhënëse në Manhattan. Së bashku vazhdoi mësuesja do të mesojmë gjuhën shqipe që kurrë mos të harrojme rrënjet e të parëve tanë. Më vonë z.Zylo u shpërndau librat e shenjta të abetares të unifikuara dhe fletoret e punës të cilat nxënësit shqiptarë i merrnin dhe i hapnin me kujdes të posaçëm për të shuar paksa kuriozitetin e tyre për momentin. Ora e mësimit u mirëprit me duartrokitje kur mësuese Liza së bashku me mësuese Ditën i mblodhën nxënësit në klasë dhe filluan mësimin shqip. Mësuese Liza i ka pyetur nxënësit se para se të fillojmë të mësojmë abetaren kush do të vijë të na recitojë në shqip për të parë njëkohësisht se sa ata e njihnin shqipen e folur. Ja në këtë kërkesë të mësuese Lizës nuk ngurroi të dilte përpara klasës nxënësja Nora Hysaj e cila recitoi vargjet nga Gjuha Shqipe e Fishtës si: “Porsi kanga e zogut t’verës/ qi vallzon n’blerim të prilli/ porsi i ambli fllad i erës/ qi lmon gjit e drandofillit/ porsi vala e bregut t’detit/ porsi gjáma e rrfès zhgjetare/ porsi ushtima e nji tërmetit/ ngjashtu á’ gjuha e jonë shqyptare/”.
Pas saj u ngrit Dea e cila recitoi vargje nga Gjuha Shqipe e Naim Frashërit si: “Gjuha Shqipe sa e mirë/ sa e ëmbël sa e gjerë/ sa e lehtë sa e lirë/ sa e bukur sa e vlerë/”!
Pas përshëndetjes me dy poezitë nga më populloret dhe të mirënjohura të shkruajtura nga shkrimtarët aq të dashur për popullin shqiptar Fishta dhe Frashëri, të cilët dukeshin sikur bekonin që nga froni i Perëndive ku kanë vendin, nxënësit shqiptare për mësimin e Abetares, mesuesja ka vazhduar normalisht mësimin midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në Manhattan, shkollë shqipe që hapet për herë të parë në kryeqytetin e botës.

11 tetor, 2014
Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo, Shkolle shqipe ne Manhattan

DEMIRE XHYDOLLARI-DUROLLARI, NËNËMADHJA QË JETOI KOMBËTARISHT PËR TË GJITHË SHQIPTARËT

October 14, 2014 by dgreca

Shkruan: Dukagjin HATA/
Disa kohë më parë, shkrimtari dhe publicist i njohur Ramiz Lushaj më foli për një libër që kishte në dorë dhe që i kushtohej një nëne të veçantë, jo vetëm nga pesha e viteve që mbajti mbi supe, por mbi të gjitha nga mesazhet që përcjell jeta e saj. Bëhej fjalë për nënën e Guri Durollarit, një nga figurat më të njohura të monarkisë në diasporën shqiptare, në SHBA.
Tani që kam mbledhur shumë informacion mbi jetën e saj dhe kam në dorë shënimet e mikut tim dhe të disa autorëve të tjerë për këtë ikonë të vlerave atdhetare, e kuptoj se një libër kushtuar kësaj figure është jo vetëm i mundshëm, por dhe i nevojshëm.
Në biografinë e një njeriu ka një moment që spikat dhe e veçon atë si inidivid, duke e bërë jo vetëm të dallueshëm nga të tjerët, por mbi të gjitha bartës e përcjellës të një mesazhi që vlen për të tjerët, jo vetëm për kohën e tij dhe bashkëkohësit, por edhe për brezat që do të vijnë. Këtë çast, Stefan Cvajku, njëri nga shkrimtarët dhe biografët më të mëdhenj të planetit tonë, e quan “shkrepëtimë hyjnore” dhe ka të bëjë me vetëdijen e njeriut për atë se çfarë përfaqëson ai në këtë botë, nga vjen, çfarë është dhe ku do të shkojë.
Këto përsiatje po më përsilleshin në mendje, teksa me mikun tim të vjetër Ramiz Lushaj po flisnim për një personazhe reale të librit të tij më të fundit, një atdhetare me trashëgimi gjenetike, një ikonë e alternativës mbretërore, një grua jeta e së cilës kaloi duke cekur tre shekujt e fundit, pasi lindi më 14 shtator 1895 dhe ndërroi jetë më 26 prill 2011, plot 115 vjeç.
Mjafton vetëm ky fakt që ajo ta meritojë këtë libër. Por ky nuk është fakti kryesor. Kryesore janë bëmat e saj, ajo qëndresë e pabujë kundër të keqes, duke mbjellë në çdo hap të jetës mirësi e dashuri.
Quhej Demire Xhudollari-Durollari dhe ishte nga fshati Hudënisht i rrethit të Pogradecit, bijë e një familje të pasur, që në kohët e trazuara të shqiptarisë pati dhënë kontribute për komb e atdhe.
Kjo histori e kësaj dere të madhe fisnikësh njohu kulmet e saj gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, ku pinjollët e saj qenë miq të përbetuar e bashkëluftëtarë të Abdyl Frashërit, përkrahës e mbështetës të Qeverisë së Vlorës, bashkëluftëtarë me ikona të mendimit e veprimit kombëtar, si Themistokli Gërmenji, Sali Butka, Kahreman Vinçani e të tjerë.
Bëmat e tyre i njohu Korça, kur në vitet e errëta të urdisë shoviniste, e çliruan këtë djep të shqiptarizmës nga vandalët grekë dhe ngritën me madhështi në sheshin e qytetit flamurin me shqipen dykrenare.
Nanëmadhja Demire Durollari i përkiste një geni fisnik, një race të pastër shqiptare, një soj aristokratik me zemër e shpirt mbretnor; ishte një qëndrestare në jetën e saj të gjatë, që rrodhi mes lumenjsh të rrëmbyer të një jete të pazakontë.
Ajo nuk jetoi thjesht për veten, për familjen, për bijtë e saj, nipërit, mbesat, stërnipërit e stërmbesat, për bashkëkombasit e saj në tokën e re, që e donin sikur ta kishin nënë e shkuar nënës. Ajo jetoi, mbi të gjitha, për të dëshmuar se kombi ishte mbi gjithçka, edhe mbi shtresimet klasore e shoqërore, edhe mbi politikën dhe ideologjinë; flamuri ishte përbetimi dhe kauza rreth të cilës vorbulloi jeta e saj e pasur në mbresa dhe emocione.
Ajo mbante mend dhe përlotej nga mallëngjimi, kur kujtonte se si në shtëpinë e saj, gjatë Luftës Antifashiste u zhvillua Kongresi i Dunicës, Kongres i Lëvizjes Monarkiste, se si morën rrugë aksionet e nacionalistëve kundër pushtuesit të huaj dhe u hodhën themelet e një Shqipërie të re demokratike, themele që u minuan që në krye të herës nga pushtuesit e brendshëm komunistë, të cilët e kthyen vendin në një kasaphanë të luftës vëllëvrasëse midis shqiptarëve.

Gjithë ky makth, ky kalvar zezan që do ta ndiqte si një mallkim këtë grua të hekurt dhe familjen e saj të re, nuk e përkuli këtë viganeshë, që kudo shkeli përçolli frymën e atdhedashurisë dhe besatimin e lirisë së munguar.
Diktatura nisi marrshimin e saj funebër duke shkelur me çizmet e përgjakura mbi pronat dhe pasuritë e familjeve të mëdha shqiptare, siç ishte familja Durollari, të cilën e shpalli “kulakë” dhe nisi ora e “gjuetisë së shtrigave”.
Ky rreth që po shtrëngohej gjithnjë e më shumë e detyroi Nanëmadhen Demire Durollari (Hudenishti) të arratiset për në Maqedoni me fëmijët e saj, atë mot të largët, në mes të gushtit 1949.
Në Maqedoni, djali i saj i vetëm, Guri Durollari, burgoset në burgun e Idrizovës nga sllavo-maqedonasit, për shkak të pikëpamjve të tij nacionaliste, për faktin se pati shfaqur ide të hapura monarkiste dhe se në bibliotekën e shkollës ku mësonte pati vizatuar Flamurin Kombëtar Shqiptar.
Pas një endje biblike në tokën e huaj, ku erërat e pansllavizmit sillnin herë-herë rrebeshe mbi fatin e kësaj gruaje zemërçelik dhe të familjarëve të saj, rasti dhe fati të mpleksura bashkë e sollën që familja Durollari të përfundonte në SHBA, në tokën e lirisë dhe të demokracisë së përbotshme.
Nisi një erë e re në jetën e kësaj Nëne të madhe, e cila nuk ishte vetëm nëna e Guri Durollarit, por nëna e gjithë monarkistëve, nëna e gjithë shqiptarëve që kishin lënë trojet e tyre etnike dhe jetonin me lot në sy e mall në zemër në SHBA.
Në cdo odë burrash e kafene, sallë mbledhje e podium ku mblidheshin shqiptarët, ajo do të ishte aty, e pranishme jo vetëm fizikisht e shpirtërisht, por dhe me fjalën dhe ndihmën e saj të pakursyer.
Nanëmadhja Demire Durollari, ishte ndër të parët prej emigrantëve politikë që erdhi në Shqipëri, së bashku me djalin e saj Dr. Guri Durollari, një monarkist i devotshëm, që e mbarti dhe vazhdon ta mbart kauzën mbretërore, këtë kauzë të mohuar arbitrarisht nga një klasë politike renegate, si një testament që ia la nëna e tij fisnike dhe ai ua lë bijve të tij si kod trashëgimie.
Asaj iu përlotën sytë nga plagët e vendit të saj, të kalvarizuar në një kauzë absurde, që nuk e çoi popullin askund, përveçse në prag të theqafjes ekzistenciale. Trupi i therte nga plagët, shpirti nga dhimbjet, por ajo nuk rënkoi, as mallkoi, as kërkoi hakmarrje.
Ajo kishte në shpirt një ëngjëll paqeje që i thërriste për falje, pasi e dinte se nga falja vjen pendimi e nga pendimi- kthesa e ajo grua gjigande, ajo nënë titanike, e donte vendin e saj të shndërruar në erën e re të lirisë dhe demokracisë.
Ajo shkeli në çdo gur ku pati shkelur dikur këmba e saj, u çmall me çdo pllajë e rrugë, duke bërë një përpjekje sizifiane për t’u ngritur mbi plagët e një kohe të pakohë, mbi hakmarrjen, për ndëshkimet kriminale që komunizmi kishte bërë ndaj njerëzve të saj.
E rreshtuar në grupimet e atyre që kërkonin Mbretëri Kushtetuese, ajo ju bëri thirrje popullit shqiptar nga podiumet e kongreseve dhe në televizione shqiptare e të huaja për pajtim-vëllazërim, për drejtësi e paqe, në një shtet ku të sundonte ligji dhe e drejta dhe të merrte fund njëherë e përgjithmonë barbaria dhe babëzia.
E mbushur plot me brengë e dëshirë për ta parë vendin e saj të ndryshuar realisht dhe jo vetëm si fasadë, me t’u kthye nga Shqipëria, shumë e preokupuar për hallet e vendit të saj, u lidh me një korespondencë me presidentin e SHBA-së, Xhorxh W. Bush, të cilit i kërkoi përkushtim të veçantë për çështje të demokracisë e ekonomisë në Shqipëri, si vendi më i varfër në Europë.
Pa kaluar një muaj, më 27 gusht 2004, në derën e kësaj nëne shpirtflori troket postieri dhe i sjellë një zarf, dërguar nga Presidenti i SHBA-së. Në një foto-kartolinë, ku kishte dalë me bashkëshorten e tij, Laurën, Presidenti Bushi i shkruante, ndër të tjera, se “Shqipëria do të ecë në rrugë të mbarë”, duke i premtuar se Ai dhe SHBA do të ishin në krah të saj.
Dhe nuk do të zgjaste shumë e vendi i shqipeve do të anëtarësohjej në NATO, Kosova do të fitonte lirinë e mohuar gjatë një shekulli barbar, vetë presidenti gjenial do të vizitonte Shqipërinë e do të mrekullohej nga mikpritja shqiptare. Ndërsa nëna me shpirt hyjnor, Demire Xhudollari-Durollari, do të prehej e qetë në varrezat publike në Nju Xhersi të SHBA-së, me gjurmët e lëna pas që do të enden si kujtim e baltim dashurie mbarëshqiptare në përjetësi…

Filed Under: ESSE Tagged With: Demire Xhydollari, Dukagjin Hata, Nenemadhja Durollari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT