• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

Pa kthye pronën tek i zoti, lufta kundër korrupsionit ashtë vetëm slogan politik

November 25, 2014 by dgreca

Nga Loro Stajka/
Kujtesë, drejtu Kryeministrit z. Rama, deputetëve, gazetarëve, analistëve të politikës dhe shqiptarëve patriotë: Kontribuoni për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë në Shqipëri
Shqetësimi im për këtë kërkesë publike fokusohet tek politikat negative ndaj pronarëve që ka realizu PD/PS, pas vitit 1991 e deri sot. Kjo politikë që shkatërron themelet e demokracisë dhe të ardhmen e popullit shqiptar, po vazhdon prej 23 vjetësh për shkak të mungesës së vullnetit politik për kthimin e pronës tek i zoti, duke mos zbatue Kushtetutën e vendit. Kur popullit i mohohet prona e trashigueme, ai zhytet në mizerje, në konflikte dhe kjo ashtë skllavëri e maskueme. Burimi i të keqes është anarkia e pronës dhe sistemi në Shqipni nuk ashtë demokratik, por pseudodemokratik…
Unë, nuk mund ta paragjykoj se çka do mund të thotë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, zoti Aleksandër Arvizu, për këtë problem, por damet e kësaj politike, me mbi 8000 të vramë, konflikte pa fund dhe korrupsion në sistemin e drejtësisë, tejkaloi ato të çdo pushtimi që ka kalue Shqipnia dhe ato të periudhës së randë sllavo-komuniste që kaloi populli shqiptar. Pronarët u mashtruen nga Berisha/Nano, por shumica druhen të shprehen publikisht, pasi do të përballen në konflikte me mafien që u ka grabit pronat dhe po ashtu edhe me pushtetin që mund t’i largojë nga puna. Duke shkrue me sinqeritet këtë letër publike për problemin e pazgjidhun të anarkisë së pronës, ndjej se realizoj një detyrim moral dhe patriotik ndaj atdheut tim. Theksoj se për këtë problem themelor të të drejtave të njeriut, shumë nga bashkëpatriotët e mi që jetojnë në Shqipni e kanë humbun besimin tek politika, tek drejtësia dhe presin
nga ndërkombëtarët, por problemet duhet t’i zgjidhin politikanët shqiptarë.
Nuk vlen “fitorja” e Beogradit nëse nuk zbaton Kushtetutën në vendin tand
Më datën 15/2/2014 gazeta “Telegraf” ka botuar një letër që unë ju kam adresue publikisht ju dhe zotit Lulzim Basha, po për këtë problem, për të cilën ju me siguri jeni në dijeni. Ju drejtohem përsëri për të njëjtin problem pasi janë momentet decizive që të reflektoni dhe të veproni për të mos u zhytur më tej në rrugën e politikave antishqiptare. Unë personalisht, si një nga shqiptarët, që prej dekadash kam emigrue dhe jetoj në SHBA, por me dashurinë për atdheu tem, u ndjeva shumë i kënaqun për qëndrimin tuaj objektiv në takimin me Daçiç në Beograd. Por, sa para bën kur në Shqipni, edhe pas 23 vjetësh demokraci e shpallur me Kushtetutë, pronat akoma nuk u janë kthye pronarëve, por mbizotënon kleptokracia. Në këto 23 vjet në administratën shtetënore dhe në sistemin e drejtësisë, nuk zbatohet ligji në përputhje me Kushtetutën, por korrupsioni dhe interesat vulgare. Ndërkombëtarët relatojnë
se në Shqipni, janë të shumta rastet kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave të vendit dhe ato të Gjykatës së Strasburgut, por si mund të deklarohet nga ju, apo dhe nga ndërkombëtarët se funksionon shteti ligjor dhe sistemi i drejtësisë? A ka pasun probleme të tilla shqiptari në kohën e pushtimit otoman, pas Pavarësisë në 1912, apo edhe në kohën më të keqe të diktaturës? Në këtë 23 vjet nga klanet PD/PS ashtë lejue pandëshkueshmëria, edhe në rastet kur shkelja e ligjeve dhe përvetësimi e pronës së tjetrit ashtë i qartë, prandaj dhe korrupsioni dhe e keqja ashtë zhvillue nga lart poshtë. ashtë klasa politike e pas vitit 1991 ajo që ka lejue këtë situatë që ka shkaktue mbajtjen peng të pronave të pronarëve të ligjshëm, të grabitun nga diktatura sllavo-komuniste, për të pronësue në ato prona pronarë, të fabrikuem nga klanet e politikës dhe të korrupsionit dhe po kultivon vëllavrasje. Pa kthim të
pronës tek i zoti, fjala demokraci është politikë antishqiptare ose në rastin me të mirë iluzion. Prandaj, pa kthye pronën tek i zoti, deklarimi se në luftën kundër korrupsionit nuk ka kthim prapa, është vetëm slogan politik.
Anarkia e pronës dhe djalli sllavo-komunist
Situata e anarkisë së pronës ashtë tregues i mbijetesës së sllavo-komunizmit që ashtë përshtatun në kushtet e pluralizmit. Djalli i sllavo-komunizmit nuk ashtë çrrënjosun, por ashtë përshtatun dhe po mbijeton dhe gabimet vazhdojnë të thellohen, për vetë faktin se pavarësisht nga fjalët dhe premtimet, maxhoranca gjatë këtij viti ka ecun në të njëjtin drejtim antikushtetues siç eci Sali Berisha, Fatos Nano dhe kryeministrat e tjerë pas vitit 1991. Për rrugën e gabueme me pronat, në periudhën e pas vitit 1991, mjafton fakti që z. Sali Berisha, ish President dhe ish Kryeministër, e ka pranue publikisht, prandaj nuk ka pse përsërit më të njëjtat gjana. Kjo është korniza e Katovicës dhe e Ramiz Alisë. Shqiptarët tradicionalisht e kanë respektue pronën e tjetrit, kurse tani ligjet i justifikojnë të përvetësojnë ose të vjedhin pronat e njëri-tjetrit. Kushdo e ka të qartë se kjo politikë favorizon
helenizimin e Shqipërisë së Jugut, fut konfliktin permanent midis shqiptarëve, i mban larg investimet e huaja. Unë kam qenë dhe jam me bindje të djathta, sepse ishte diktatura komuniste që më bani jetën të padurueshme dhe më detyroi të rrezikoj jetën, të kaloj kufinin dhe të largohesha nga vendi im. Nëse pronën që Enver Hoxha e konfiskoi, ju do vazhdoni ta konsideroni pronë të shtetit, ose më saktë të maxhorancës në pushtet siç e ka trajtue oligarkia politike e derisotme PD/PS, unë jua them shqip dhe me sinqeritetin ma të madh se: Me apo pa koshiencë, edhe ju jeni vazhdimësi e sllavo-komunizmit të maskuem me frazeologjinë demokratike. Nëse ju, si kryetar i maxhorancës, i konsideroni pronat e konfiskueme nga diktatura si pronë që duhet t’ju kthehet të zotëve, konform detyrimeve kushtetuese të vitit 1991 dhe Kushtetutës aktuale, atëherë për këtë problem unë jam me të njëjtën mendje me ju. Heshtja e
pajustifikueshme e kryetarit të PD z. Lulzim Basha, për të drejtën e pronës së trashëgueme më deziluzionon, pasi tregon mungesën e opozitës konstruktive.
Z. Rama, zgjidhja ashtë në dorën tuaj!
Megjithatë, zgjidhja apo moszgjidhja e këtij problemi themelor sot ashtë ne vullnetin tuaj, pasi jeni kryetar i maxhorancës. Ju i keni të gjitha mundësitë, ta impononi pushtetin të zbatojë Kushtetutën, ose të miratoni me ligj detyrimin e Shtetit për të zbatue Kushtetutën. Kjo kërkesë këtu në SHBA tingëllon qesharake ose pa kuptim. Pronat e konfiskueme nga sllavo-komunizmi nuk janë prona të pushtetit dhe as të shtetit dhe nëse doni sukses dhe demokraci, lufta kudër korrupsionit duhet të fillojë pa humbun kohë me kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe korrigjimin e veprimeve të gabueme të bame pas vitit 1991. Meqenëse gabimi ka marrë përmasa të mëdha dhe ashtë sistematik, me ligj të Parlamentit duhet të korrigjohen ato akte, ku shteti pronën nuk ia ktheu familjes së shpronësueme, por bani ligje që ato prona t’i përvetësojë oligarkia politike. Berisha u kufizua vetëm me legalizimet. Legalizimi mund të bahet
vetëm në prona që juridikisht i përkasin qeverisë apo shtetit, por jo mbi tokat dhe pronat e konfiskueme nga diktatura. Një vendim të ndryshëm nuk mund ta marrë askush, as edhe me ligj Parlamenti, përveç rastit kur toka është për nevojë publike dhe pronari i tokës zhdëmtohet paraprakisht e jo me mashtrime, duke kompensue vetëm për 200 metër katrorë. Nëse ju nuk do të veproni me efektivitet për të korrigjue gabimet Berisha/Nano me prona, por do vazhdoni po nё atë rrugë, korrupsioni do të prevalojë, degradimi moral i politikanëve do të thellohet dhe zgjerohet. Oligarkia politike do fitojë para ma shumë, por Shqipnia dhe demokracia do dëmtohen. Ky ashtë problem i ndërgjegjes tuaj kombëtare, detyrim i çdo politikani, deputeti, gazetari apo analisti të politikës. Kjo thirrje është për çdo njeri të ndershëm që të kontribuojë për vendosjen e shtetit ligjor dhe të drejtësisë, pasi “de fakto” për
popullin shqiptar nuk ka demokraci për sa kohë shteti shkel Kushtetutën. Prandaj, ju lutem, në radhë të parë Ju, zoti Kryeministër, të shprehni në media qëndrimin tuaj ndaj këtij problemi, që i intereson jo vetëm shqiptarve e Shqipnisё, por edhe mijëra të tjerëve që kanë emigrue dhe nuk jetojnë në Shqipni.
Situata e anarkisë së pronës ashtë tregues i mbijetesës së sllavo-komunizmit që ashtë përshtatun në kushtet e pluralizmit. Djalli i sllavo-komunizmit nuk ashtë çrrënjosun, por ashtë përshtatun dhe po mbijeton dhe gabimet vazhdojnë të thellohen, për vetë faktin se pavarësisht nga fjalët dhe premtimet, maxhoranca gjatë këtij viti ka ecun në të njëjtin drejtim antikushtetues siç eci Sali Berisha, Fatos Nano dhe kryeministrat e tjerë pas vitit 1991

Filed Under: Opinion Tagged With: ashtë vetëm, Loro Stajka, lufta kundër korrupsionit, Pa kthye pronën tek i zoti, slogan politik

Pas vdekjes së Michael Brown në Ferguson kthehet kaosi

November 25, 2014 by dgreca

*Cilat janë disa nga prej ngjarjeve kyçe pas të shtënave fatale të policisë që sollën vdekjen e 18-vjeçarit Michael Brown në Ferguson të cilat u bënë shkak i protestave të dhunëshme që sollën një kaos të pa parë./
* Kronologjia e ngjarjeve pas vdekjes së Michael Brown në Ferguson/
* Komisioni gjitheracor i ngritur nga Guvernatori i shtetit të Missouri, Nixon, dhe Vendimi i Jurise se madhe per te mos e denuar të paditurin Wilson/
Nga Beqir SINA New York/
Ferguson, St Louis – Missouri :- Kaosi u kthye në rrugët e Fergusonit, dje pas një juri të madhe pranoi të akuzojë një oficer të policisë i bardhë – në vdekjen e Michael Brown – një vendim që zëmëroi protestuesit që i vunë zjarrin ndërtesave dhe makinave duke plaçkitur edhe bizneset në zonë.
Qyteti i Fergusonit në Missouri u përfshi mbrëmë nga trazirat më të mëdha të cilat kan nisur tash në disa muaj, Ato u ri-kthyen dje pasi një juri vendosi të mos ngrejë akuza ndaj një polici të bardhë, i cili qëlloi dhe vrau një adoleshent zezak të paarmatosur.
Protesta të dhunshme shpërthyen të hënën vonë, pasi zyrtarët njoftuan vendimin e jurisë për mos ngritjen e akuzave kundër oficerit Darren Wilson për vrasjen e 18-vjeçarit Michael Brown në muajin gusht.
Shkatërrimet e natës së hënë simbas shtypit amerikan, sot, duket të jenë shumë më keq se protestat pas të shtënave që ndodhën në shtator – tetor. Kësaj rradhe njoftimet thonë se me më shumë se një numër i bizneseve private janë dëmtuara rëndë ose pronat e tyre janë të shkatërruara. Autoritetet njoftuan se gjatë natës janë dëgjuar edhe qindra të shtëna armësh, të cilat për një kohë të gjatë kan penguar edhe ekipet e luftës kundra zjarrit (zjarrfiksat) për të shuar flakët të cilat përfshinë automjetet për rreth edhe disa prona private në Ferguson.
Jon Belmar, shefi i policisë së St Louis County, tha se nga Qarku i tij mund të ken ardhur mbrëm forca shtesë pra 10.000 oficerë policie .
Shefi i Policisë në distriktin e St. Louis-it Jon Belmar tha se të paktën dhjetëra ndërtesave u është vënë zjarri dhe shumica e tyre janë shkatërruar. Ai tha se nuk ka patur njoftime për viktima. Të paktën 29 persona janë arrestuar.
Më parë gjatë natës, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve i vunë zjarrin makinave të policisë dhe hodhën objekte të forta ndaj policisë. Të shtëna sporadike më armë zjarri janë dëgjuar në disa lagje të Fergusonit.
Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera në mbarë Amerikën. Në shehin Times Square në Nju Jork, protestuesit mbajtën parulla që dënonin “tiraninë e policisë” dhe hidhnin slogane “Duart Lartë, Mos Qëlloni”, që është bërë një veprim popullor në protestat kundër dhunës policore.
Në Oakland dhe Çikago, protestuesit vërshuan në autostrada, duke bllokuar makinat dhe duke eccur me duart lartë. Një turmë e vogël e protestuesve u mblodh jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Të gjitha këtë simbas shtypit ndodhën nga vendimi i jurisë dje kur u tha se oficieri i policisë Darren Wilson, i cili është i bardhë, dhe i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçarit Michael Brown në Ferguson nuk do të akuzohet për vrasje. Ky vendim thuhet se është bërë shkak i protestave të dhunëshme që sollën një kaos të paparë. Mbasi i akuzuari tani nuk do të përballet më me akuza penale për vrasjen e Brown, megjithse vdekja e të cilit ka krijuar tensione të thella racore, shkruan shtypi amerikan ” ato ndërmjet popullsisë të shumtë të zinjëve amerikanë dhe policisë së këtij shteti federal – Missourit” .
– Kronologjia e ngjarjeve pas vdekjes së Michael Brown në Ferguson
Gusht 9 – Brown dhe një shok, të dy zezakë, janë parë duke u konfrontuar me një oficer policie i patrullës, duke dalë nga një dyqan ku mendohej se ata kishin vjedhur diçka. Megjithë thirrjen për të ndalur të oficerit ata ecin përsëri duke u drejtuar për në shtëpinë e Brown-it. Kamerat e sigurisë tregojnë se Brown dhe oficeri, i cili është e bardhë, janë të përfshirë në një përleshje verbale, e ndjekur nga të shtëna armësh. Brown vdes në vendin e ngjarjes, dhe trupi i tij mbetet në rrugë për katër orë në të mes të nxehtit e verës. Fqinjët më vonë pasi dëgjuan krismat kan dal jashtë në terren, duke thënë se një patroll tjetër policie e cila erdhi në ndihmë të oficerit kishte keqtrajtuar trupin e Brown.
Gusht 10 – Pas një vigjilje me qirinj, në kujtim të Brown – të zinjët banorët e lagjes ku jetonte viktima – e kthyen vigjiljen në protesta të dhunëshme në shenjë zemërimi duke thyher xhamat e dyqaneve dhe të makinave për rreth më pas ata kan plaçkitur mallra nga dyqanet, për rreth vend ngjarjes. Protestat e dhunëshme zgjatën disa netë , plaçkitësit janë parë duke vprapuar jashtë me çantat e ushqimit, paketa cigaresh, veshje, letër higjienike dhe shishet alkoolit. Disa protestues u panë të qëndrojnë në majë të makinave të policisë dhe të ofendonin oficerët të cilët kishin marrë urdhër të mos bënin asnjë lloj ndërhyrje.
Gusht 11 – FBI hap një hetim për vdekjen e Brown-it, dhe dy burra të zinjë të cilët thanë se panë të shtënat u thanë gazetarëve se Brown sipas tyre “i kishte ngritur duart e tij lart – kur oficeri afrua me armën e tij dhe qëlloi në mënyrë të përsëritur mbi trupin e Brown”. Atë natë, më datën 11 gusht – policia në protestë policia ka shtënë në ajër me armë zjarri ndërsa ka goditur turmat me gaz lotsjellës dhe plumba gome në përpjekje për të shpërndarë një turmë, e cila sa vinte e rritej.
Gusht 12 – Shefi i Policisë Ferguson Thomas Jackson anullon planet për lirimin e oficerit i cili mbahej në burg, pa dhënë emrin e tij – pra emrin e oficerit i cili qëlloi Brown, duke përmendur se ka pasur kërcënime anonime për vdekje ndaj oficerit të departamentit të policisë dhe zyrtarve të City Hall.
Gusht 14 – Missouri Highway Patrol merr kontrollin e sigurisë në Ferguson, dhe zonës St Louis County duke marrë ndihmë nga forcat e policisë lokale dhe të autoritetit të zbatimit të ligjit pas katër ditëve të dhunës. Në ndihmë thuhet simbas pamjeve filmike vjen pas imazheve të dhunëshme nga protestat edhe garda e SHBA – shumë oficerë duken se janë të pajisur me veshje të stilit ushtarak, kamufllazh, duke përfshirë edhe automjete të blinduara, forca të blinduara dhe armët e sulmit. Në rezultatet e fotografive që qarkullojnë në internet, zyrtarët janë parë duke vënë armët e tyre – kundra demonstruesve.
Gusht 15 – Policia deklarojë se ka vendosur të bëjë të ditur emrin oficerit i cili qëlloi mbi Brown si Darren Wilson, 28 vjeçarë. Gjithashtu, policia i dha medias për transmetim një video që pretendon të tregojë se Brown kur u konfrontua me oficerin e policisë ishte duke kryer vjedhjen e një dyqani sende të cilat pothuajse kishin vlerën e 50 dollarëve kryesishtë duken cigare puro.
Gusht 16 – Guvernatori i Missourit Jay Nixon shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe imponon një “shtetrrethim” në Ferguson.
Gusht 17- Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder jep urdhër që një insitut federal mjekësore për të kryer një tjetër autopsinë në çështjen Brown.
Gusht 18 – Guvernatori Nixon dërgon Gardën Kombëtare në Ferguson për të ndihmuar në rivendosjen e rendit dhe heq shtetrrethimin.
Gusht 19 – Nixon thotë se ai nuk do të kërkojë shkarkimin e prokurorit St Louis County Bob McCulloch nga hetimi për vdekjen Brown. Disa udhëheqës të shtetit Missouri, zyrtar të lart me ngjyrë thanë se kanë vënë në pikëpyetje “atë nëse ka lidhje të thella mes prokurorit dhe të familjes të policit e cila do të ndikojë në hetimin dhe gjykimin e tij për të qenë i paanshëm. Babai i McCulloch ishte një polic i cili u vra në krye të detyrës kur McCulloch ishte fëmijë, dhe ai ka shumë të afërmit të cilët punojnë tani në trupat e zbatimit të ligjit, thonë zyrtarët e zinjë.
Gusht 20 – Kryeprokuri i SHBA, Eric Holder kryen vizitën e parë si i dërguar personalisht nga Presidenti Obama në Ferguson për të ofruar garanci në lidhje me hetimin për vdekjen Brown dhe për t’u takuar me hetuesit dhe familjen Brown. Në Clayton aty pranë, një juri e madhe fillon dëgjimin e provave për të përcaktuar nëse Wilson duhet të ngarkohet me faj apo jo.
Gusht 21 – Nikson urdhëron Gardës Kombëtare për të filluar tërheqjen nga Ferguson.
Shtator 25- Kryeprokurori i SHBA Eric Holder njofton dorëheqjen e tij, por thotë se ai ka në plan të qëndrojë në zyrë derisa pasardhësi i tij ende nuk është konfirmuar nga Presidenti Obama.
Shtator 25- Shefi i Policisë së Ferguson Tom Jackson kërkon një falje të regjistruara në video për familjen Brown dhe bënë përpjekjet e tij për të marshuar në solidaritet me protestuesit, .Tetor 10 – Protestuesit nga i gjithë vendi zbresin në rajonin e St Louis për të protestuar masivisht në atë që ata e quajtën “Çështja Ferguson” duke mbajtur katër ditët të protestave të koordinuara dhe spontane. Ndërsa një marshim proteste në fundjavë dhe një grumbullim në qendër të qytetit St Louis tërheq disa mijëra pjesëmarrës thekson media amerikane.
Tetor 13 – Mes një shiu të furishëm, një grup ndërfetar i klerit (kryesisht me ngjyrë) kalojnë një barrikadë të policisë në ditën e fundit të protestave në Ferguson duke e quajtur atë si pjesë e një ngjarje të quajtur “Morali i së hënës.” Protestat shtrihen përtej Fergusonit .
Tetor 21 – Guvernatori i shtetit të Missouri zoti Nixon zotohet që të krijojë një komision të pavarur për të shqyrtuar “Çështjen Brown” lidhur atë me marrëdhëniet racore, dështimin e e saj në shkolla dhe çështje të tjera më të gjera sociale dhe ekonomike si pasojë e vdekjes Brown.
Nëntor 17 – Guvernatori Nixon i cili është nga partia Demokratike – e Presidentit Obama – deklaron gjendjen e jashtëzakonshme dhe aktivizon Gardës Kombëtare përsëri përpara se të merret një vendimi nga një juri e madhe, e ngritur posaçërisht për “Çështjen Brown”. Ai e vendos se Departamentin e Policisë në St.Luis duhet të jetë përgjegjës për sigurinë në Ferguson, dhe jep urdhër të punojnë si një komandë të unifikuar me policinë e qytetit St Louis dhe Misuri Highway Patrol.
Nëntor 18 – Guvernatori Nixon zgjedh emrat e 16 njerëzve në Komisionin Ferguson, një grup të racave të ndryshme që përfshin pronarin e kompanisë ndërtimore-furnizimit, dy pastorë, dy avokatët, një profesor universiteti, një aktivist 20-vjeçar të komunitetit dhe një detektiv i policisë. Nëntë nga anëtarët e kësaj Jurie janë të zezë. Kruse shtatë prej tyre janë të bardhë.
Nëntor 24 – Prokuroria e Përgjithshme e SHBA njofton se juria e madhe nuk vendos për të paditurin Wilson. Policia deklaroi se gjatë protestave që pasuan, të paktën një numër i ndërtesave publike dhe qeveritare dhe makina të shumta të policisë janë djegur, oficerë janë goditur me gurë e baterive dhe ka pasur raporte për përdorimin e armëve të zjarri në ajër në St Louis- nga forcat e ruajtjes së rendit për të detyruar protestuesit e dhunshëm për tu terhequr

Filed Under: Kronike Tagged With: e Fergusonit, në Ferguson kthehet kaosi, në rrugët, pas vdekjes, së Michael Brown

VATRANËT,VIKTIMAT E DIKTATURËS,LANË AMERIKËN PËR ATDHEUN

November 24, 2014 by dgreca

Nga Gjon BUCAJ*/
I nderuem z. President,
Kemi ardhë nji grup i ngushtë vatranësh për të qenë të pranishëm këtu, në këtë ditë historike kur ju, në emën të kombit, nderoni disa viktima të pafajshme të komunizmit.
Këta patriotë, të cilët ju po i dekoroni sot pas vdekjes, vepruen me përkushtim e dashuni për dobinë e atdheut sa ishin në Shtetet e Bashkueme,u këthyen në vendlindje dhe vazhduen t’i shërbejnë atdheut, gjithnji me përkushtim e dashuni derisa,me dhunë të përgjakshme, erdhi në pushtet regjimi i diktaturës fsllavokomuniste dhe ua këputi mizorisht fijen e jetës,“në emën të popullit” dhe të “drejtësisë” së diktaturës së proletariatit.
Janë zhdukë pa faj edhe mija të tjerë, por meqenë se për nji periudhë të jetës këta ishin pjestarë të Federatës “VATRA”,e ndjemë për detyrë t’ju propozonim dekorimin e tyne për merita patriotike dhe për padrejtësinë që ata pësuen, si dhe për kalvarin të cilin e vuejtën të afërmit e tyne gjatë nji gjysmë shekulli. U zhdukën mizorisht jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe ushtarakë të karrierës, shtetarë e profesionista të fushave të ndryshme dhe përsonalitete të traditës, me qellim për të konsolidue fitoren e luftës civile për pushtet dhe për të përmbushë e tejkalue porositë e anmiqvet tanë shekullorë, synimi i të cilëvet ishte, si gjithmonë, zhdukja e vlerave të identitetit tonë dhe dobësimi i strukturave të kombit shqiptar.
Mbas ramjes dejure të diktaturës, familjarët e martirëve, tue ruejtë fisnikinë e trashigueme, nuk lypen hakmarrje, por lypen drejtësi dhe drejtësinë e presin ende: kurrëkush nuk u ka kërkue falje, krimet dhe kriminelët e komunizmit nuk janë dënue, as ligjisht as moralisht.
Nderimi që u bahet sot këtyne martirëve, asht nji akt drejtësije kundër padrejtësisë dhe nji hap me randësi drejt larjes së boxhit të cilin dhuna e ideologjisë se huej ia ngarkoi ndërgjegjes së kombit tonë të lashtë.
Jemi mirënjohës për vlersimin pozitiv të propozimit tonë, për të dekorue ato viktima të pafajshme dhe për të lehtësue, sado pak, ankthin e familjarëve të tyne. Por me këtë veprim, ju, President Nishani, nderoni edhe vetën tuej, nderoni Institucionin e lartë që përfaqësoni. Përgëzime pra, qofshit gjithmonë i nderuem!
Ju keni dekorue “Vatrën” si organizatë për shërbimet historike që i ka ba kombit, keni dekorue dhe disa nga ne udhëheqësit e sotëm të saj, gja që ia rritë vlerësimin dhe jemi miënjohës, por, çdo meritë që na mund të kemi si individa, u dedikohet paraardhësave, në mënyëtë veçantë të gjithë atyne që dhanë edhe jetën për shqiptarizëm, për
idealet e lirisë, të drejtësisë dhe të demokracisë. Ata na frymëzojnë sot dhe do vazhdojnë të frymëzojnë edhe breznitë e ardhëshme.
*Përshëndetja e Kryetarit të VATRËS, dr. Gjon Bucaj, në ceremoninë e dekorimit të martirëve të VATRËS.
Tiranë, 24 nandor 2014.

Filed Under: Vatra Tagged With: Fjala, Hjon Bucaj, ne ceremoni

Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson veprimtarë të shquar të Federatës Pan-shqiptare “VATRA”

November 24, 2014 by dgreca

TIRANE-24 nëntor 2014/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi sot pasdite gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, veprimtarë të shquar të Federatës Pan-shqiptare në Amerikë “VATRA”./
Kreu i Shtetit nderoi veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare me Dekoratën “Nderi i Kombit” për zotin Agim Rexhaj, ndërsa (pas vdekjes) u dekoruan vatranët dhe gazetarë të “Diellit”, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste: Aqif Përmeti; Bahri Omari; Kolë Tromara; Kristo Kirka; Kostaq Kota; Aqile Tasi; Kristo Floqi dhe Andon Frashëri.
Presidenti Nishani çmoi gjithashtu (pas vdekjes) veprimtarët e spikatur për lirinë dhe çështjen shqiptare si dhe në homazh të heroizmit dhe sakrificës për idealet atdhetare me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”: Faslli Frashërin; Ali Kuçin; Kolë Rrodhen dhe Halit Qytezën.
Në fjalën e Tij të mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shpreh mes të tjerash: “Kjo veprimtari u kushtohet tërësisht atyre burrave të shquar të këtij kombi, të cilët ndonëse larg trojeve shqiptare, ndonëse pa mbështetje të madhe ndërkombëtare, ndonëse në një vend ku iu hapën dyert e mikpritjes dhe miqësisë, nuk kishin infrastrukturën e nevojshme, por ditën të marrin përsipër përgjegjësitë që koha u kërkonte. Këta burrave të mëdhenj ditën jo vetëm të ngrinin zërin për Shqipërinë, për kombin, për pavarësinë, për dinjitetin, por edhe të hidhnin themelet e një projekti: e një projekti të një Shqipërie të pavarur, të lirë, e cila duhet të shkonte drejt prosperitetit. Nuk është një koincidencë që këta burra gjetën pikërisht vatrën e përshtatshme për të ngritur, mbrojtur dhe ushqyer çështjen kombëtare në Amerikë, sepse ata patën të gjithë gatishmërinë e burrave të mëdhenj të atij kombi në atë kohë, por njëkohësisht patën mundësinë për të mbledhur të gjithë shqiptarët rreth asaj ideje të madhe që çoi drejt pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas në ruajtjen e dinjitetit dhe idealit kombëtar për shqiptarët.”
Duke vijuar më tej, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi: “Federata Pan-shqiptare ‘VATRA’ tashmë është pjesë e ndritur e historisë së Shqipërisë. VATRA u kthye vërtet në një vatër reale të idealeve kombëtare, u kthye në një vatër të mikpritjes, të ushqimit, të idealit dhe parimeve kombëtare për çdo shqiptar në Amerikë, por njëkohësisht edhe në një rreze shprese për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodheshin, në Shqipëri, dhe në të gjitha trojet e tjera të copëtuara shqiptare.”
“Është një detyrë e institucioneve shqiptare dhe një përgjegjësi, e cila do të mbetet e përjetshme, që jo vetëm të mos i harrojmë e t’i kujtojmë, t’i nderojmë, por t’i kemi edhe si pikë referimi, si vizion reflektimi për të gjithë brezat që vijnë mendimin, filozofinë, punën, kontributin dhe atë çka arritën burrat e mëdhenj, të cilët krijuan, e rritën, e mbajtën gjallë dhe e trashëguan Federatën Pan-shqiptare ‘VATRA’” – vuri në dukje Presidenti.
“Unë sot ndihem i privilegjuar që në këtë prag 28 Nëntori, me nismën e drejtuesve dhe anëtarëve të ‘VATRA-s’ sot të kujtojmë kontributin e paçmuar dhe patriotik të atyre vatranëve, të cilët mes shumë e shumë bashkëpunëtorëve të tyre, kontribuuesve të tjerë, mbështetësve në Amerikë, por edhe në Shqipëri, bënë aq shumë për kombin shqiptar në kohë që ishin shumë herë më të vështira se sa sot, kur detyrimet tona janë dhjetë herë më të mëdha për t’i nderuar ata, por edhe për të ruajtur atë ideal dhe gjithçka që ata arritën dhe për të promovuar më tej atë që ata mendonin.
Njëkohësisht dëshiroj që sot përmes kësaj ceremonie t’u kërkoj të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Preshevë e Bujanovc, në diasporë, deri në Amerikën e largët, të përkulen me nderim të thellë e të kujtojnë për një çast të vetëm se sa shumë e deshën ata njerëz Shqipërinë, se sa shumë ata njerëz e respektuan idealin kombëtar, dhe se sa shumë kontribuuan ata pikërisht për këto ditë që ne dhe brezi ynë i sotëm jeton dhe që natyrisht i ka të gjitha mundësitë për të përfituar, por edhe për të çuar më përpara kontributin dhe atë që këta burra të mëdhenj me veprën e tyre i lanë Shqipërisë si trashëgim.” – nënvizoi Presidenti Nishani.
“Sot jam i bindur që shpirtrat e tyre, sepse tashmë ata nuk i kemi më midis nesh, ndihen më të lirë, më të lehtësuar, më të arrirë nga ky nderim, të cilin ne si detyrim sot i ofrojmë kujtimit dhe kontributit të tyre! Koha do të ecë përpara, brezat do të zëvendësojnë njëri-tjetrin, por historia mbetet dhe kontributet nuk harrohen. Ndaj le t’i nderojmë edhe njëherë sot dhe përmes këtij vlerësimi t’u konfirmojnë se parimet, idealet dhe kontributet e tyre janë pjesë e arritjeve që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot kudo ku ndodhen. Përmes këtij nderimi le të konfirmojmë edhe njëherë se mbetemi të obliguar, të angazhuar që pikërisht ato vlera të mëdha, të cilat vatranët i lindën, i ushqyen dhe i rritën duke i lënë trashëgim, janë vlera me të cilat shqiptarët krenohen dhe duhet të krenohen porsa kohë shqiptarët ekzistojnë mbi dhé. Jam i bindur që nga kjo sallë ne përçojmë anembanë Shqipërisë, deri në Amerikën e largët, tek çdo zemër dhe vatër shqiptare flakën e pashuar të dashurisë për Shqipërinë, që vatranët dhe ‘VATRA’ na e lanë amanet.” – përfundoi fjalën e tij Kreu i Shtetit shqiptar.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, Dekorohen vatarnet, ndërsa (pas vdekjes) u dekoruan vatranët dhe gazetarë të “Diellit”

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA” KRIJON DEGËN E KATËRT NË FLORIDA

November 24, 2014 by dgreca

*Festa e Pavarsisë në Tampa kremtohet me krijimin e degës ” Vatra”/
* Florida tash ka thirrë në garë vatranët nga shtetet e tjerë, ajo i bëri katër degë! U lumtë vatranëve të Floridas!/
NGA GJERGJ LACUKU/
Simbolika e fjalës Vatër, po merr gjthë nji e ma tepër kuptimin e mirëfilltë për Shqiptarët e Diasporës e sidomos për Diasporën tonë në Shtetin Rrezeartë të Floridës. E ku kishte ma bukur se sa sot këtu në Tampa, festimi i Pavarsisë , përveç kënaqësisë dhe krenarisë Kombëtare, na dhuroj edhe degën ma të re të Vatrës; “Vatra” Tampa, Florida.
Ky zgjerim i Vatrës, e ka zanafillën pikërisht në jubileun madhështor të 100 vjetorit të Vatrës që u mbajt në New-York para dy vjetësh ku morën pjesë personalitetet të randësishme të jetës dhe politikës Shqiptare dhe miq të kombit tonë. Ishte ajo mbrëmje , ku z.Adriatik Spahiu, duke marrë shembull nga vlerat e këtij jubileu, në fjalimin e tij, premtoj se Vatra do të ketë edhe degën e saj në Jacksonville , Florida.E tashmë, pas dy vjetësh, zgjerimi i Vatrës asht nji Realiet i pakthyeshëm e ky realitet pasqyrohet ma së miri nëpërmjet degës “Vatra” Orlando, dhe degës së sapo krijuar “Vatra” Tampa. Respekti për vlerat tona kombëtare, por edhe përgjegjësia qytetare , ishte motoja kryesore e iniciativës së marrë nga Z. Florisiana Ahmetaj, kryetare e degës së Orlandos dhe Z. Adriatik Spahiu, kryetar i degës së Jacksonville , për të ndihmuar në zgjerimin e Vatrës edhe në Tampa, Florida, ku jeton nji komunitet i madh Shqiptarësh.
Rrugës së mundimshme të historisë sonë, tashmë i ka ardhë fundi dhe kombi jonë po ndërton mbi gërmadhat e së kaluarës perspektivat e së ardhmes. Fillimi i 100 vjetorit të dytë të Pavarsisë, i 100 vjetorit të dytë të Vatrës, fillimi i shekullit të ri, me sa duket i ka dhanë nji shtysë vetëdijes Kombëtare dhe këto kushte të favorshme duhet t’i shfrytëzojmë për të mirën e përbashkët. Pavarsia e Kosovës asht treguesi ma i mirë se Koha asht në anën tonë, duke na kthy dinjitetin e duhur , respektin e merituar dhe epërsinë psikologjine ndaj armiqve tanë.Aleatët tonë të shtrejtë, Amerika dhe Vatikani, e nji pjesë e mirë e demokracive Perëndimore, e kanë kuptuar se shqiptarët nuk po kërkojnë asgja ma shumë se nga ajo që është e tyre , që është në të drejtën hyjnore e legjitime. Ndaj edhe zgjerimi i Vatrës , është çështje themelore, sepse nëpërmjet lobimit të Vatrës, që asht po aq e vjetër sa Pavarsia jonë, mund të arrijmë objektiva te mëdha Kombëtare.
Shembulli i Floridës thërret në garë të gjitha degët, në të gjithë shtetet e Amerikës, që të shtojnë anëtarësitë dhe të krijojnë degë të reja nëpër qyteza, ashtu sic bënë dikur themeluesit e VATRËS, në dekadën e dytë të shekullit të shkuar, që krijuan më shumë se 80 degë nëpër të gjithë Amerikën dhe Kanada. Përgjumja dhe qëndrimi në vend vetëm me anëtarësinë themeluse,sic ka ndodhë nëpër disa degë, nuk i shkon për shtat VATRËS!

Filed Under: Vatra Tagged With: DEGËN E KATËRT, e Amerikes, FEDERATA PANSHQIPTARE, KRIJON, ne Florida, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT