Hetuesi që është marrë me pretendimet për korrupsion në procesin që i ka dhënë të drejtë Rusisë dhe Katarit për të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit më 2018 dhe 2022, ka thënë se gjetjet e tij janë duke u shtrembëruar nga Federata Botërore e Futbollit, FIFA.
Hetuesi i FIFA-s, Michael Garcia, thotë se përmbledhja prej 42 faqesh nga hetimet dy vjeçare, e publikuar më 13 nëntor nga gjykatësi i FIFA-s, Joachim Eckert, përmban disa gabime dhe “interpretime të shtrembëruara të fakteve dhe konkludimeve”.
Raporti i plotë i Garcias prej 430 faqesh do të mbetet i pazbuluar për publikun.
Gjykatësi Eckert thotë se hetimet e Garcias e kanë shfajësuar Rusinë dhe Katarin nga dyshimet për blerje votash të udhëheqësve të FIFA-s dhe se gjetjet e zotit Garcia nuk ndikojnë në integritetin e votimeve të Dhjetorit të vitit 2010 nga komiteti ekzekutiv i FIFA-s.
Për Rusinë, gjykatësi Eckert thotë në përmbledhjen e tij se komiteti Rus ka bërë ofertën për të organizuar Botërorin 2018 me “një numër të kufizuar dokumentesh për shqyrtim”.
Por, sipas tij, rusët e kanë shpjeguar këtë kufizim “me faktin se kompjuterët prej nga janë dërguar dokumentet janë dhënë me qera dhe pastaj janë shkatërruar”.
Për Katarin, zoti Eckert thotë se “sipas raportit, sjellja e dy individëve në rolin e këshilltarëve për ofertën e Katarit ka ngritur shqetësime” dhe se angazhimi i tyre jashtë kornizave të komitetit zyrtar të Katarit ka pasqyruar vetëm “mungesë transparence nga ana e komitetit”.
Gjykatësi pranon se komiteti i Katarit “ka bërë disa pagesa të dyshimta”, të cilat nuk kanë qenë “të ndërlidhura me organizimin e Botërorit 2022”, por me procesin e “votimit të vitit 2011 për zgjedhjen e presidentit të FIFA-s”.
Zoti Garcia ndërkaq, hetuesi i FIFA-s, është duke bërë thirrje që hetimi i tij i plotë të publikohet.
Një thirrje e këtillë ka nxitur përplasje me presidentin e FIFA-s, Sep Blatter, i cili ka ndihmuar në mbrojtjen e privatësisë së kolegëve të tij, të cilët kanë qenë të ndërlidhur me kërkimin e favoreve në këmbim të votave.
Garcia nga ana tjetër mund të përballet me pezullim nga funksioni që ka në FIFA nëse publikon detaje të këtij rasti dhe mund të shkarkohet fare nga ky institucion, gjatë takimit të 209 anëtarëve të FIFA-s më 29 maj të vitit të ardhshëm.
Pikërisht në këtë ditë, Blatter protet të fitojë mandatin e pestë si president i FIFA-s.a
Archives for November 2014
Vepra e plotë e De Radës në gjashtë vëllime
Në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së poetit Jeronim De Rada dhe vitit DeRadian, Ministria e Kulturës ka përuruar së fundmni në Akademinë e Shkencave veprën e plotë të tij në gjashtë vellime.
Duke ruajtur fytyrën autentike të veprës, vepra e mbështetur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Ministria e Kulturës e Kosovës, Universiteti i Kalabrisë dhe Fondacioni “Francesco Solano”, është përgatitur nën drejtimin e prof. Francesco Altimarit e prof. Matteo Mandala, me bashkëpunimin e Vincenzo Belmontes dhe Fiorela de Rosa.
Prof. Jorgo Bulo në fjalën e hapjes e ka quajtur këtë botim një ngjarje të vërtetë kulturore. “Me këtë botim, De Rada “kthehet” te dheu mëmë, jo me një monument prej bronzi, që për fat të keq na mungon edhe sot, por me veprën monumentale poetike të këtij rapsodi gjenial të kombit, që me këtë vepër vuri themelet e letërsisë kombëtare të shqiptarëve” u shpreh Bulo.
“Ministria e Kulturës botoi në 200 vjetorin e lindjes së autorit të Milosaos tirazhin e plotë të veprave letrare, që do t’u dhurohen bibliotekave shkencore dhe universitare të vendit, për lexuesit e të gjitha moshave. Ky projekt i përbashkët me Ministrinë e Kulturës së Kosovës do të vazhdojë edhe në Prishtinë si gjerdan i vyer i kombit”, u shpreh Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Nga ana e tij, Francesco Altimari vlerësoi mbështetjen e Ministres së Kulturës, Kumbaro, të cilës i njohu meritën e mbështetjes së nismave të shumta që u zhvilluan gjatë këtij viti jubilar.
Në fund të aktivitetit Kumbaro i dhuroi veprën e plotë të De Radës përfaqësueses së Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Floresha Dado dhe për Bibliotekën e Fakultetit Histori- Filologji, Shefes së Katedrës, Dhurata Shehri.
Ambasadori i Hungarisë vendosi trëndafila të bardhë në kujtim të Mbretëreshës Geraldine
“Trendafili i Bardhë” i Budapestit,” – Mbretëresha Geraldinë – Mbretëreshë e Shqiptarve 1938 – 2002/
Beqir SINA, New York/
Tirane- “Në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore Shqiptare, sot u vendos një buqet me trandafila të bardhë nga Ambasadori i Hungarise, Sh.Tij. Antal Heizer në kujtim të Mbretëreshës Geraldine, e njohur si Trendafili i Bardhë i Budapestit,” shkruan në një postim të Tij, në rrjetin social facebook, Princi Leka.
Në fotografinë e postuar prej Tij – duket Ambasadori i Hungarise, Sh.Tij. Antal Heizer – L.T.M. Princi Leka, zonjusha Elia Zaharia, e fejuara e Princit Leka,
Në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Pallatin e Brigadave më vendimin e Qeverisë së Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 12 nëntor 2012 u varrosën eshtrat e Mbretit Zog – e Nënës Mbretëreshë, Sadije, Mbretëreshës Geraldine, Mbretit Leka, Mbretëreshës Susan dhe të anëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore Shqiptare.
Mbretëresha Geraldinë – Mbretëreshë e Shqiptarve 1938 – 2002
Simbas Wikipedia – Mbretëresha Geraldinë më vonë Nëna Mbretëreshë Geraldinë ose Kontesha Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony formalisht Madhëria e Saj Mbretëresha Geraldinë e Shqiptarve (lindi më 6 gusht 1916 në Gjenevë të Zvicrës, në shtëpinë e gjyshes së Saj. Vdiq në Tiranë në moshën 86 vjeçare, më 22 tetor 2002) ishte mbretëresha e shqiptarve dhe bashkëshortja e Mbretit Zogu I dhe nëna e Leka Zogut I.
Origjina
Mbretëresha Geraldinë rrjedh nga një familje shumë e njohur Hungareze. Origjina dhe pedigreja e Familjes së Saj daton e dokumentuar qysh nga periudha e Mesjetës, kur Hungaria u pushtua nga Arpadët në vitin 894, dhe kjo familje ishte pjesëmarrëse në krijimin e monarkisë hungareze, nën dinastinë Arpadiane. Në historinë mijëravjeçare të Hungarisë, nuk ka ngjarje të rëndësishme ku familja Apponyi të mos ketë luajtur rol tejet të rëndësishëm. Në periudhën e fundit të dinastisë Arpadine, në 1280, u shfaq emri Chevalier d’Apponyi për herë të parë, si zotërues i një ferme shumë të madhe, për të cilën konfirmohet me dokumente arkivore se mbante emrin “Nagy Apponyi”, e që ishte dhe mbeti deri vonë pronë e kësaj familjeje. Të gjithë paraardhësit e Familjes Appony kanë pasur karrierë shumë të suksesshme politike dhe kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet shtetërore në Perandorinë Austriake, në të cilën kanë gëzuar tituj të rëndësishëm fisnikërie, sikundër: baron, kont, etj..
Kushriri i pare te Mbretëreshës Geraldinë, Konti Albert Appony, kryesoi delegacionin Hungarez në Konferencën e Paqes së Versajës dhe më pas përfaqësoi Hungarinë në Lidhjen e Kombeve. Ndërsa gjyshi i Saj, Konti Lajosh Appony, mbajti funksionet më të larta honorifike të Perandorisë Austriake: si Këshilltar intim dhe shambellan i perandorit Franc Jozef dhe Mareshal i Madh i Oborrit të Perandorit Franc Jozef. Gjyshja e Saj ishte një aristokrate prusiane dhe njëkohësisht edhe vajza e Kontit Herman Roger dë Seherr Tos, pasardhës i Princit Ernest – Joakim d’ Anhalt, prej të cilit kanë rrjedhur shumica e dinastive mbretërore evropiane, çka më pas u bë shkas për të marrë nofkën e merituar Babai i mbretërve”. Atdheu i tyre, Hungaria, u copëtua dhe në bazë të Traktatit të Trianonit të vitit 1919, një pjesë e madhe e territorit hungarez, krahas 3.5 milonë hungarezëve, mbetën jashtë kufijve shtetërorë dhe së bashku me to edhe pronat e familjes Apponyi, të cilët u përfshinë nën administrimin e Sllovakisë. Familja Appony ka lidhje gjaku me të gjitha mbretëritë e Europës. Gjyshi nga nëna i Mbretëreshës Geraldinë ishte Xhon Herri Stewart, i cili rridhte nga një familje fisnikësh skocezë, të emigruar në SHBA në shekullin XVII, dhe ishte diplomat i suksesshëm. Ndërsa gjyshja e Saj nga nëna ishte pinjolle e Familjes Hardingun, pronarë të mëdhenj tokash në Karolinën e Veriut. Ajo ishte e bija e kontit Gyula Appony dhe e konteshës Glayds Virginia Stewart, e cila ishte një shtetase amerikane shumë e pasur nga shteti i Marylendit, babai i së cilës ka qenë emëruar si Konsull i Përgjithshëm i Amerikës në Hollandë. Përveç vajzës së madhe Geraldinë, çifti Appony kishte edhe një vajzë tjetër të quajtur Virxhinia, si dhe një djalë të quajtur Xhula.
Pas vdekjes së gjyshes së tyre, për Geraldinën dhe motrën e saj Virxhinia u kujdes e motra e babait të tyre, kontesha Fanny Karolyi, e cila zotëronte një nga kështjellat më të famshme dhe më te bukura të Hungarisë në Zebegeny. Vajzat që kalonin verën në kështjellën e Zebegeny-it, kishin marrë nga një emër luleje. Për shkak të bukurisë së Saj dhe bardhësisë natyrale të lëkurës dhe veshjes me rroba po të të njëjtës ngjyrë, Geraldina u quajt meritueshëm “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”. Geraldina tashmë e rritur, na shfaqet si një europiane autentike që kish trashëguar shumë virtyte dhe vlera morale nga jeta intensive e brendshme e Seher Tesëve, nga bujaria dhe kultura e rafinuar e Aponyve, nga dinamizmi i Stewartëve, nga sensi i përshtatjes dhe i kurajës përballë fatkeqësive prej Hardingëve.
Ceremonia martesore me Mbretin Zogu I në Tiranë
Edukimi
E mbetur jetime qysh në moshë të vogël, nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, Kontesha Geraldinë u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës. Më pas gjyshërit e Saj Aponny, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës në Austri, ku mbaroi fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Kontesha Geraldinë iu përkushtua me gjithë shpirt stenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj.. Një ndihmesë në edukimin e Saj jepte edhe biblioteka e familjes, e cila ishte shumë e pasur, me rreth 30.000 libra. Për shumë kohë Kontesha Geraldinë, për shkak të zotërimit të dijeve enciklopedike dhe gjuhëve të huaja të shumta, mbuloi detyrën e kryecicerones pranë Muzeut Kombëtar të Hungarisë.
Aktiviteti
Mbreti Zogu I me Mbretëreshën Geraldinë
Mbretëresha e Shqiptarëve Geraldinë, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. MSM kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. MSM u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. MSM punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria, mjekë shumë të mirë për drejtimin e Spitalit Ushtarak. MSM nxiti ngritjen dhe më pas themeloi Maternitetin e parë shqiptar, në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar. Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik, në Radio Tirana.
Prioritet i punës së Saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë. Përveç përkushtimit të Saj në të mirë të popullit shqiptar, MSM Geraldinë gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e Familjes së Saj, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror.
Mbretëresha Geraldinë – Mbretëreshë e Shqiptarve 1938 – 2002
Emri: Geraldinë
Mbiemri: Zogu, Apponyi de Nagyappony
Lindi më: 6 gusht 1916
Vendlindja: Gjenevë të Zvicrës
Vdiq më: 22 tetor 2002
Vdiq në: Tiranë, Shqipëri
Cilët janë rrënjët politike të Flora Brovinës që po e mbanë të kindapuar shtetin e Kosovës!
Opinion nga Mr.sc.Nue Oroshi/
Sa i përket ngërçit politik dhe duke parë se janë krijuar dy taborre politike në Kosovë, unë personalisht në bazë të përvojës time në politikën Gjermane, më 27 Qershor 2014, kam shpërndarë në mjetet e informimit shqiptar: në gazeta, faqe interneti dhe mjete tjera të informimit, projekt-propozimin tim me titull, „Kosova pas 8 Qershorit, dhe propozimi im për të dalë nga ngërçi politik. Ky shkrim tek shumica e popullatës shqiptare, e, që e sheh Kosovën si shtet ku duhet të ndërtohet Demokracia dhe të ecë përpara në të gjitha drejtimet që ta mbërrin hapin me shtetet demokratike perëndimore u prit shumë mirë. Por nuk u prit mirë nga një pjesë e politikanëve në Kosovë! Më vjen mirë që, pas disa muajsh tani më ky projekt-propozim i imi është e vetmja alternativë për të dalë nga ky ngërç politik që e ka kapluar Kosovën. Partitë e Bllokut pas disa muajshë e pranuan këtë projekt-propozim timin. Unë në atë shkrim ju pata dhënë një variant të politikës Gjermane.
Duke u bazuar në faktin se, PDK-ja ka dalë partia më e madhe në Kosovë pas zgjedhjeve, i takon që ta marrë postin e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, dhe renditja e partive me poste në Parlament të bëhet në bazë të fuqisë politike që kanë fituar në zgjedhjet e 8 Qershorit 2014. -Por Qeverisja i takon Bllokut të Partive që kanë bërë koalicion paszgjedhor. Meqenëse partitë e Bllokut paszgjedhor e pranuan realitetin politik, kjo ende nuk ka ndodhur tek Partitë e koalicionit parazgjedhor, që, si bosht kryesor e kanë PDK-ën.
Kësaj radhe do i them disa fjalë, gjithnjë duke u bazuar në fakte shkencore për rrënjët politike të deputetës Flora Brovina, e cila me vepriminë e saj prej një adoleshente politike, po e mbanë të kindapuar jo Parlamentin e Kosovës por Shtetin e Kosovës! Pasiqë kjo sharllatane politike po e mbanë të kindapuar shtetin e Kosovës të krijuar me gjak e mund, dhe përkrahje ndërkombëtare, unë do ti them disa fjalë për rrënjët politike se nga rrjedhë komunistja Flora Brovina.
Flora Brovina është mbesa e komunistit Qamil Brovinës,ku siç na dëshmon në shkrimin e tij atdhetari dhe studiuesi, tani i ndjerë, Hajriz Demaku, në shkrimin me titull „Kujtime nga lufta e Drenicës e vitit 1945“, ku ai vet kishte qenë në krahun e atdhetarit Shaban Polluzha, thot: …Ndër kohë, për ta zbrazur sa më parë Kosovën,komunistët e formuan brigadën e VII-të më të madhen, sa 5 tjerat, që Kosova me numër të ushtarëve ish 13000, duke e vënë në krye të saj si Komandant major Shaban Haxhin (Pacin) nga Luma e Komesar Qamil Brovina. Pra Qamil Brovina ishte komesar i një brigade famëkeqe jugosllave, që vrau shumë atdhetarë shqiptarë, që e luftonin me pushkë në dorë ripushtimin jugosllavë të Kosovës.
Ai nuk u kënaq me kaq, por ishte edhe njëri ndër gjykatësit kryesor i shumë gjygjeve të mbajtura në Kosovë, ku me denim me vdekje pushkatim u dënuan shumë atdhetarë shqiptarë. Kësaj radhe po i jap faktet vetëm për gjygjin e mbajtur me datën 20-27 shtator 1945, në Prizren. -Ku atdhetarët Tahir Deda, Halim Spahia dhe shumë të tjerë, dënoheshin me pushkatim për këto qështje, „Janë fajtorë se kanë themeluar Komitetin Nacional Demokratik dhe si anëtarë dhe udhëheqës qëndrorë të Komitetit për Kosovë i kanë krijuar komitetet e rrethit,ku janë lidhë dhe i kanë bërë riorganizimet te rretheve të Ballit duke iu nënshtruar udhëheqjes së tyre e kanë bër një propagandë të rrejshme mbi padrejtësitë që ju bëhen shqiptarëve në Jugosllavinë federative, dhe kështu kanë krijuar një bazë për kryengritje të armatosur kundër pushtetit popullor dhe rregullit shtetëror,duke mbledhë shënime mbi ndëshkimin e kriminelëve të luftës, dhe armiqëve të popullit, me qëllim që këto ti dërgojnë jashtë për përhapjen e një propaganda mbi gjendjen në Kosovë“.
Dhe këtu Qamil Brovina me shokë ju jepte denime kapitale atdhetarëve shqiptarë në emër të popullit jugosllav, ku thuhet, Gjykata Popullore Krahinore në Prizrenë duke qenë e formuar prej Kryetarit të Gjyqit Hivzi Sulejmani dhe prej Gjygjqtarëve të Popullit Qamil Brovinës e Kolë Shirokës, me sekretarin Mustafa Biqakun, në qështje penale kundër të Akuzuarve Halim Spahisë dhe të tjerëve nga Prizreni, dhe sipasPretencës së Prokrurorit publik të Kosovës dhe Metohisë Ali Shukriu Nr.P 99/45 të datës 11 Shtator të vitit 1945, merr këtë vendim, ku gjykon të akuzuarit Halim Spahinë, Tahir Dedën, Rifat Krasniqin, Sefedin Ahmetin, Rexhep Kabashin dhe Kajtaz Ramadanin i dënon me vdekje me pushkatim, dhe denim e humbjes së përhershme te të gjitha të drejtave politike dhe qytetare, dhe dënim me konfiskimin e tërë pasurisë së tyre. Pra, përveç që i vritinin atdhetarët shqiptarë, Qamil Brovina me shokë iu konfiskonin edhe pasurinë për t‘i mbytur edhe të gjallët, dhe për t‘ju vështirësuar edhe mbijetesën familjeve atdhetare shqiptare. Kurse të akuzuarve të tjerë: Ahmet Derguti, Kadri Minushi, Xhemil Fluku, Maliq Bali Gashi,Avdyl Rexhepi, Kadri Ramadani,Fehmi Ibrahimi, Bastri Sallku, Vahid Mustafa, Abdulla Hajrullahi, Abdulla Hamza,Sadik Mehmeti, Qamil Jemini dhe shumë të tjerë, ju dha një denim prej 4 deri me 20 vjet.
Më ka mbetë në kujtesë gjithmonë një intervistë që unë dhe miku im Enver Sulaj e zhvilluam me të ndjerin atdhetarin Mulla Maliq Bali Gashi, me 16 Gusht 1993, në shtëpinë e Maliq Bali Gashit, tani e 21 vite më parë. Mulla Malën në këtë proces gjygjësor komunistët e denuan me 17 vjet burgim.Dhe kur e pyetëm për atdhetarin Tahir Deda, Mulla Mala u përgjigj: – Tahiri ka qenë nga Gjakova. Ishte djalë i zoti sa të duash. Edhe sot kur më kujtohen fjalët e tij në gjygj e ndjej vetën krenar që kisha mik të idealeve një njeri të tillë. Në mes të tjerave Tahiri bëri këtë dialog në gjygj.Tahir, i thanë, ti kurrë su bëre rehat. Tahir, ti në kohën e ish Jugosllavisë po ashtu nuk u rehatove,edhe në kohën e okupimit i atillë mbete. E tani çka po do Tahir? E Tahir Deda përgjigjej: A ende nuk e ditkeni se çka po dua, ju drejtua atëherë Tahiri dhe vazhdoi:- Qka kam dashur atëherë edhe sot atë e dua. E dua Kosovën të bashkuar me Shqipërinë. Pas këtyre fjalëve të Tahirit, thashë me vete, edhe nëse na vrasin s‘më dhimset aspak jeta… -harrova tju themë se Tahiri këto fjalë i tha në sallën e Gjygjit, të mbushur përplotë udhëheqës të lart komunist, që kishin ardhur ta përcillnin gjykimin tonë.
Shteti i Kosovës nuk guxon të mbahet i kindapuar. Politikanët në Kosovë duhet ta dinë faktin se qeveritarët apo pushtetarët qoft në nivelin legjislativ qoft në atë egzekutiv janë vetëm menagjerë apo drejtues të përkohshëm ndërsa institucioni është i përhershëm. Prandaj këtë dallim duhet ta bëj edhe Flora Brovina e cila rastësishtë ka qëlluar të jetë me e vjetra në Parlamentin e Kosovës, ta thërrasë sa më shpejtë seancën konstituive , të zgjidhet kryesia e Parlamentit në bazë të fuqisë politike që posedojnë partitë politike në Kosovë, dhe më pas të themelohet edhe Qeveria e Kosovës konfrom fuqisë politike të kaoalicioneve që janë krijuar pas zgjedhjeve të 8 Qershorit. Çdo vonesë që e bën Flora Brovina për shkak të interesave të ngushta të partisë që i takon, e merr përgjegjësinë për kindnapimin e Shtetit të Kosovës, të krijuar me gjak, mund e sakrifica shekullore, si dhe, me përkrahjen e miqëve tanë ndërkombtarë, pa të cilët Kosovën vetëm se do ta shihnim në ëndërr.
DY SHKRIME DHE NJE KRONIKE NGA PANAIRI I 17-të I LIBRIT
Ky panair do të ketë çmimin e madh “Jeronim de Rada”, që do të jetë edhe kurorëzimi i veprimtarive/
Në Panairin e 17 të Librit shtëpia botuese “ArgetA-LMG”, më dinjitozja/
Shkruan:Albert Z. ZHOLI/
Më së fundi Panairi i librit “Tirana 2014” ka çelur sot tiparin në ambientet e pallatit të Kongreseve në edicionin e 17-të. Ky Panair aq i diskutueshëm do të qëndrojë i hapur për të gjithë dashamirësit e librit deri në më 16 nëntor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 22:00.
Në fjalën e tij të hapjes Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri e cilësoi këtë Panair si “një kontribut të njerëzve qe merren me letrat shqipe”, Panairi i sivjetmë ka gjetur mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Amerikane. Për më tej kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti ka theksuar se, “këtë vit vijnë edhe tituj librash nga kjo akademi, ku ka veçuar kontributin për librat që do të shoqërojnë 200-vjetorin e De Radës dhe festën kombëtare të çlirimit të Shqipërisë”. Në Panairin e 17 të Librit marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe është Panairi i 17 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Për herë të parë ky aktivitet madhor është zhvilluar në vitin 1998. Risi e këtij Panairi është se do t’i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada. Për këtë qëllim tek hyrja e Pallatit të Kongreseve, është vendosur një portret i De Radës, por edhe te aktivitetet e shumta që u zhvilluan ditën e parë të Panairit, në shumë stenda ishte portreti i tij. Ky Panair do të ketë Çmimin e madh Jeronim de Rada, që do të jetë edhe kurorëzimi i veprimtarive për De Radën.
Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG”, më dinjitozja
Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG” vjen në panairin e 17-të të librit me kryeveprat e letërsisë botërore si: “Panairi i kotësive” i Ulliam Theker, botim i plotë i “Novela” të Stefan Cvajg, botim i plotë “Novela & Tregime” të Anton Çehovit , “Lirika & Poema” të Sergej Eseninit , “Kostandinopoja” me autor Edmondo De Amiçis dhe një botim enkas për Panairin e Librit “Femrat” e Çarles Bukovskit.
Nga autor shqiptarë në këtë panair prezantohet me tre botimet e tij të librave të shahut, nga mjeshtri i shahut Edmond Bushi. Një tjetër autor shqiptarë vjen me dy botime enkas për panairin e librit, Nuri Plaku me titujt “Ekologjia e Kulturës” dhe ” Bibla e udhëve të mia”. Që në ditën e parë pranë stendës së saj u panë me qindra vizitorë. Pranë kësaj stende vizitorët panë, larmishmëri titujsh, korrektësi shërbimi, komunikim qytetar, reklamë të veçantë. Me këtë shtëpi botuese mund të kontaktoni për librat e dëshiruar në cel: 069 2096 205 dhe e-mail- argetalmg@yahoo.com
*********************************************
PLAÇI SE NA PLASËT
– Rreth panairit të librit-
Nga DRITA LUSHI
Të kërkoj ndjesë Zoti im, që përdor këtë fjalë qysh në krye të shkrimit. Shpresoj të më kuptosh Ti të paktën; Madje jo vetëm të më kuptosh, por madje dua të më ndihmosh në hallin që kam.
Halli që kam, është më i vogli për njerëzit dhe botën, por për mua është i madh. Le që nuk dua ta quaj hall, jo! Po e quaj problem, e problemet janë më të këqija akoma, se ato i krijojnë njerëzit. Kisha vendosur me gëzimin që më karakterizon të shkoja në Panairin e Librit që bëhet në Tiranë, të merrja ca para në portofol se s’mund të kaloja përpara autorëve miq dhe jo miq, pa i begenisur , pa një përshëndetje e pa u blerë librin. Se që thua ti Zoti im, këtu tek ne, shpirti mendja dhe koha po falen ose po ngelen rrugëve. E kam fjalën për librat, pra. Por gëzimi ishte më i madh se do paraqisja dhe librat e mi të fundit,në këtë panair. Është i vetmi vend ku edhe nëse nuk i blen njeri librat, të paktën nuk shkulen, të paktën shihen… Por do Ti, që shtëpinë botuese “ADA”, ku kam botuar librat unë dhe shumë autorë të tjerë, e krijuar qysh në vitin 1999, s’e pranuan në këtë panair, me gjithë të drejtën e pamohueshme për të qenë dhe ajo pjesëmarrëse ashtu si simotrat apo sivëllezërit e saj? Unë e di fort mirë se nuk i pasuron autorët shitja e 10,20,30, a më shumë librave, e di. E shumta do shtynin një muaj të mirë me ato para(flas për ata që s’punojnë) dhe ata që punojnë ca fundjava të bukura për frymëzime të reja.
Eh mor Zoti im!
Se qasën atë shtëpi botuese Brenda mureve te paepura të panairit, a thua se ajo s’kishte libra, e ne që botojmë aty s’jemi njerëz, nuk shkruajmë, nuk lëndohemi dhe nuk zhgënjehemi. Te lutem të më kuptosh ti të paktën, se rrokopujë që ndodh këtu nuk besoj të shkokolepset lehtë. Dheeeee e di Zot? Nuk është e para herë, që ndodh kjo. Si unë ka dhe shumë autorë të tjerë që kishin shpresuar shumë tek ky panair libri që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin tonë të dashur që i thonë Tiranë. Për çfarë? Thjesht që të paraqiteshin me librat e tyre; Por jetojmë aty ku ca, kanë dy nëna, e ca, janë jetimë. Kush do i zgjidhë këto padrejtësi Zot, e nëse jo robtë e njerëzit kush tjetër? Tek kush të shpresojmë Zot që të mos na vrasin shpirtin,kohën dhe zemrën që kemi vënë në ato libra, nga ca njerëz meskinë, të allishverisheve dhe të padrejtësive? E, nuk besoj se është një emër i përveçëm që luan me ne. E, nuk është hera e parë që ndodh. E, nuk jam e vetme që ndihem kështu. Pra më kuptove pse përdora atë fjalë mallkuese? Është e vetmja barrierë që mund të përmbajë duhmën e zemërimit që vjen nga një shpirt i zhgënjyer. Është hera e parë Zot që e përdor një fjalë mallkuese, por më vjen keq se duhet të të them se nuk ta jap fjalën, që do jetë e fundit. Zotërinj organizues të këtij panairi, s’më mbetet veç t’ju them: Plaçi se na plasët!
KRONIKE
Prej orës 09:00 të së mërkurës në Tiranë ka hapur dyert Panairi i 17-të i Librit “Tirana 2014”. Në stendat e vendosura në Pallatin e Kongreseve paraqiten me botimet e tyre të autorëve shqiptarë dhe të huaj rreth 100 shtëpi botuese.
Në përkujtim të 200-vjetorit të lindjes së autorit arbëresh, Jeronim De Rada sivjet çmimi kryesor që do të ndahet për autorin më të mirë do të jetë pikërisht “Çmimi Jeronim De Rada”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 36
- 37
- 38
- 39
- 40
- …
- 69
- Next Page »