PRISHTINË, 24 Janar /- Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta deri në këto momente është duke u zhvilluar e qetë, ndërsa njësitet policore janë duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.Por me pas ajo doli nga kontrolli dhe pat shume deme. Qeveria akuzoi sherbimet sekrete serbe per zgjatjen e dores ne proteste.
Sipas KosovaPress, policia njofton se, fillimisht protestuesit janë tubuar tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar më pastaj në drejtim të sheshit tek Teatri Kombëtar, ku për lëvizjen e lirë të protestuesve dhe qytetarëve, duke përfshirë edhe ridrejtimin e trafikut po kujdesen njësitet policore.
“Vlen të theksohet se protesta deri në këto momente është e qetë dhe plani policor në aspektin e sigurisë është duke u zbatuar ashtu siç është parashikuar, pa përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Policia e Kosovës vazhdon të besoj në kulturën e lartë të qytetarëve dhe shpreson se kjo protestë do të kaloj e qetë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë sipas KosovaPress, protestuesit e mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë kanë gjuajtur me gurë në drejtim të selisë së qeverisë kosovare duke thyer xhamat e ndërtesës.
Nystrete Kumnova në emër të nënave gjakovare ka thënë para protestuesve se, “është turp për qeverinë tonë që lejon të fyhen nënat tona nga ata që vranë mbi 12 mijë qytetarë”. “Kërkojmë nga kryeministri Mustafa që urgjentisht ta shkarkojë Jabllanoviqin”, ka thënë ajo.
Driton Qaushi, organizator i protestave në Gjakovë, para protestuesve i ka kërkuar kryeministrit Isa Mustafa, që të shkarkojë këtë ministër pasi nuk do të tolerojnë më shkeljen e dinjitetit tonë.
“Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit tonë dhe ne nuk do të ndalemi. Kjo është koha e fundit që ju duhet ta shkarkoni ministrin Jabllanoviq”, ka thënë ai.
Ai tha se jehona e protestave të Gjakovës u përhap në gjithë Kosovën, sepse qytetarët dolën në mbrojtje të vlerave të veta.
Protestuesit u zhvendosën nga oborri i Bibliotekës Kombëtare, ku dhe u mblodhën fillimisht, në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”, ku ndodhen edhe institucionet e Kosovës. Ata po mbajnë në duar pankarta ku thuhet “Jabllanoviq jashtë”, “Isa argat i Serbisë”, “Trepça është e jona”, etj.
Protesta u paralajmërua si një ndër më të mëdhatë që nga paslufta dhe është organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, por në të marrin pjesë edhe shumë parti politike dhe organizata jo qeveritare.
Përveç se kundër ministrit Jabllanoviqit, ata po protestojnë edhe në përkrahje të gjigantit metalurgjik “Trepça”, për të cilën minatorët e këtij gjiganti bënë grevë tri ditëshe./
Archives for January 2015
KUSH I TRADHËTOI KËTA BURRA ?
Nga Fritz RADOVANI/
JANAR 1945…
Kam pasë fatin e madh me i pa me sy e me shkelë ndër ata male madhështore! Askush pa e kerkue buken e kakinit të gatueme nder magje nga stajanicat burrnesha e pa e shoqnue ate me djathin e atyne shekeve shekullore, tue i mbyllë urimet “u lumshin duertë e u ardhëshim për të mirë” mbas mazës së çapres, nuk e di se çka bulojnë ata lisa!
Rriten e rriten sa të duket sikur majat e tyne shpojnë qiellin e vrantë!
Beja e Tyne porsa fillojnë me marrë mend asht “per Qiell e Dhé!”…
E, për këte Bé, e bajnë vdekjen si me lé!
Me 29 nandor 1944, nga Qielli ra një rrëfé e Dheu plasi… Vetem gjarpijë e kobra me yje në ballë ua mësyne Atyne Maleve! Dora e pabesë e Esad Pashë Toptanit të rij, me 8 nandor 1941, ua kishte shitë edhe njëherë ata Troje shovenistëve sllavo komunistë ashtusi në vitin 1913, kur Flamurin e Gjergj Kastriotit… deshën me e zbritë me topa… Po, Burri i Madh i Shqipnisë, që u tha: “Gjuenje, Flamuri ynë e ka per nder me u gjuejtë me topa!”, nuk ishte ma! Po, Beja e Tij ishte Betim i Atyne Bjeshkëve të Nêmuna. Burrat e Dheut të mberthyem nder çakçir dhe armët e Lirisë nuk pranuen “lavdinë e tradhëtisë”!
“Faji bjen mbi ju, se ju u lidhët me armikun tonë shekullor serbin!” E, shpellat u mbushën plot e përplot me djelmë të Maleve e të fushave, ku gjaku shkonte rrëkajë që n’ atë ditë të zezë kur Shqipnisë i ishte mohue Liria e Atdheut edhe nga Fuqitë e Mëdha.
Horrat e vagabondat do të qeverisin Shqipninë, e mbasi ta vjedhin e lajnë me gjak Nanat Shqiptare me futa mbi kokë do t’ ua shtrojnë sofrat laperave kriminelë, e kujt, bash atyne që u kanë masakrue djelmët e ua kanë dhunue nuset si mos ma keq nder kampe shfarosje e interrnimi…e djelmëve prej gjiut, ata u kanë dhanë me pij helmin e jetës, edukaten komuniste, paburrninë e tradhëtarit dhe pafëtyrsinë e antishqiptarit!
E këte dhunë e marre nuk e pranonin asnjeni nga Ata dy Burra!
Dedë Coku… nga Kelmendi e Prekë Cali, Prijës Bajraku, vendosën me vdekë!
Një fjalë goje…”Me vdekë”…
Me kohë e dinte kush janë Ata Male edhe Austro – Hungaria… Miss Durham, ua pat shpjegue mirë anglezëve dashuninë e Saj per Ata Male, po “këshilltarët e tyne” pranë Mugoshës dhe Enver Hoxhës, preferuen “gënjeshtren”… U lidhën me Titon. Ata, jo vetëm na shitën, po edhe na tradhëtuen: “Qendroni, se do këthehemi shpejtë!”
Këta rreshta që po shkruej janë një ofshamje e vertetë per Ata Burra që nuk i njoha, po njoha pinjollë të Tyne…E, edhe sot nuk mund të harroj Sytë e skuqun të një Shqipes së Selcës së Kelmendit kur doli nga kinema “Republika”, i lidhun me pranga dhe mes xhullinjëve, tue shikue mes rrypave të drrasave të një kamjoni zis, porsa i kishin komunikue dënimin me vdekje…Ishte Don Dedë Malaj! Pak kohë ma parë i kishe shterngue dorën e Tij prej burri e të Shugurueme… Ishte një mbasardhës i denjë i Atyne Bjeshkëve, ishte i daltuem bash prej Atyne Gurëve të lamë me gjakun e 118 Malësorëve, që u prenë në besë nga disa kriminelë që i rrethuen bashkë me forcat jugosllave, ku drejtonte antishqiptari i njohun krimineli Mehmet Shehu, kur llomi i atyne Malësive pat tradhëtue Prekë Calin, i cili u pushkatue tek Muri i Rrëmajit, me 25 Mars 1945.
Janë plot 70 vjetë, që në janarin e vitit 1945 disa tradhëtarë tjerë, të cilët, simbas porosisë së Beogradit, gjoja per marrveshje, mësyen Derën e njohun të Kelmendasit tjeter trim e Atdhetar, Cok Preku i njohun në kryengritjet antiturke per Pavarësi, dhe i kënduem edhe në “Lahuten e Malcis” bashkë me dy djelmët Gjeto e Dedë Coku, gja kjo, që e bante ma të “pelqyeshme” edhe zhdukjen e djelmëve të Tij Gjetos e Dedës, të ramë nder krahinat e Bregut të Matës, ku vrasjet dhe zhdukjet e komunistëve pa gjyqe dhe me terror ndaj malësorëve trima ishin të përditëshme dhe në çdo cep të atij vendi.
Pikrisht, qendrimi i Tyne Atdhetarë, i njohun që nga 1911 me Dedë Gjo’ Lulin, e në vazhdim kunder pushtuesëve shovenistë sllavë der tek Tito, gja për të cilën sherbëtori i tij anadollak Enver Hoxha, ishte i gatshem dhe me andjen e një terroristi e dinte mirë se po kryente tre sherbime: Zhdukte antiturqit, antisllavët dhe siguronte kolltukun e vet personal edhe “mbas vdekjes”… Ashtu u veprue kudo u shkeli kamba në Malet e Veriut, në Dukagjin, në Pukë, në Mirditë, në Zadrimë, në Mal të Kolaj, në Velipojë dhe kudo ku Atdhetarët Shqiptarë të Alpeve tona ishin në ballin e luftës per Liri.
Pra, piksynimi ishte perdhosja, dhunimi dhe shburrnimi i Atyne Bjeshkëve!
Ndoshta, ishte njê profetësi epiteti Bjeshkët e “Nêmuna”!
Në mbyllje të këtyne pak rreshtave Perkujtimor të vrasjes së Atdhetarit të Madh Dedë Coku, me daten 26 Janar 1945, kur në Shkoder pëballë Bashkisë po fliste Arif Gjyli, shoku i tij i armëve Qamil Gavoçi shkrepi armën mbas kokë tek Shaban Elezi, Dedë Shabani, Kol Sokoli, Mark Pikolini, Selim Qorri dhe Xhemal Mlika, të cilët, gati edhe po harrohen… Dedë Cokun e veçuen nga ky grup dhe e nisën per Lezhë, ku në hymje të saj pa mërrijtë tek Ura e Lezhës, edhe Deden mbasi e masakruen e pushkatuen.
Në dosjen e Dedë Cokut asht edhe një shenim: “Dedë Cokut lejen e armës ia ka lëshue vetë Kolë Radovani… dhe Deda shton: Po, se Kolë Radovanin, e kam pasë mik..”
Në shenjë Nderimi dhe respekti per Dedë Cokun, Mikun e Babës sim…
Këta pak rreshta në këte 70 vjetor të vrasjes së Tij Burrnore…Autori.
Melbourne, Janar 2015.
NE FOTO:Dede Coku, skulpture nga Vasil Rakaj
ASHTUQË SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT TË JENË MIRË…
99-VJETË MË PARË U VRA ISA BOLETINI/
Nga Frank Shkreli/
99 vjetë më parë u vra nga xhandarët serbo-malazezë, Isa Boletini, njëri prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut. Isa Boletini posedonte vlerat më të mira të kombit shqiptar, vlerat fisnore të tij, nderin dhe burrërinë — por mbi të gjitha atdhedashurinë — të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe herojve të kombit shqiptar si Isa Boletini.
Isa Boletini ishte në krye të përpjekjeve luftarake dhe diplomatike të shqiptarëve për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut të tyre. Kur ai nuk ishte duke lobuar në zyrat kryesore të diplomacisë evropiane — ku përpiqej të bindëte të bindëte fuqitë europiane të kohës që të heqnin dorë nga ndarja e tokave autoktone shqiptare, ai gjëndej në mal, në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave turke dhe serbo-malazeze. Mesazhi i Isa Boletinit, në zyrat e diplomacisë europiane të kohës, por edhe në fushën e betejës, ishte se “Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim. Në qoftse Europa nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr, dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të çlirohemi.’’ Isa Boletini nuk i ishte futur kësaj pune për interesa personale, për ndonjë karrigë, për ndonjë interes që sot mund të konsiderohej si interes partiak ose ekonomiko-financiar, por ai ka thënë se ishte në krye të këtyre përpjekjeve duke pohuar se, “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!”
Kur njeriu lexon sot lajmet e prëditëshme në mediat dhe portalet e internetit anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, besoj se Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij, kam drojën se sot do të thonte se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu siç do t’i dëshironteai dhe bashkohasit e tij rilindas. Nuk besoj se ai do konsideronte se shqiptarët sot, “lënë një përshtypje të shkëlqyer” në botë, siç kishte lënë ai me shokët e tij në Angli, fillim shekullin e kaluar. Fatkeqsisht, po t’i hidhte një sy botës shqiptare, Isa Boletini do të lexonte sot mbi protestat anë e mbanë trojeve shqiptare, kryesisht kundër vetvetes; do të lexonte për bojkote dhe përçarje midis partive dhe në radhët e klasës politike në mbarë autoktoninë shqiptare, pa dallim. Do të lexonte për mosmarrveshje politike dhe për sharje midis përfaqsuesve politikë të shqiptarëve dhe jo vetëm midis tyre — një diskurs politik që do të turpëronte atë dhe të gjithë rilindasit dhe bashkohasit e Isa Boletinit.
Ndonëse me dy shtete shqiptare të pavarura, do të lexonte për atë që disa media shqiptare e cilësojnë si falimentim shteti, kryesisht falë klasës politike dhe jo aq shumë për arsye të ndërhyrjes së Europës ose fqinjve që historikisht nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, e të cilët i luftonte dikurë Isa Boletini. Isa Boletini do lexonte mbi akuzat dhe kundërakuzat e ndërsjellta për korrupsion dhe për tregti me droga, si dhe mbi lidhjet e përfaqsuesve të popullit me botën e krimit. Do të lexonte fatkeqsisht, se ndonëse në liri e demokraci, pas shumë vuajtjesh e sakrificash në një diktaturë të egër, shumica e shqiptarëve kudo në trojet autoktone, se po të kishin mundësinë do të largoheshin nga trojet e veta — dhe ata që e gjejnë mundësinë largohen çdo ditë me autobusa drejtë Europës.
Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij do të thoshte se megjithë përparimet e bëra, Shqipënia, Kosova dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu si do t’i dëshironte ai. Dhe si rrjedhim ai do të thoshte se as ai vet nuk është mirë dhe nuk besoj se do mburrej me gjëndjen e krijuar sot në tokat autoktone shqiptare.
Përball kësaj situate, besoj se Isa Boletini do të ishte në krye të përpjekjeve për të ndryshuar për më miër gjëndjen në trojet shqiptare duke bërë thirrje me Gjon Kamsin (Scodrensis), “Zgjonju Shqiptarë”, do të bënte thirrje — sipas një artikulli të tij të shkruar gjatë viteve 1930, për krijimin e një organizate të madhe “Bijtë e Shqipnisë”, do të thoshte se “Jam për nji bashkim me nji mendje e me nji zemër, nën nji flàmur të vetëm, ai i kombit, që bashkon dhe vëllaznon popuj të nji gjaku e të njij fisi.” Isa Boletini do të këshillonte se, “Shqiptari, thotë historia, kje i fortë gjithë sa herë kje i bashkuem”, dhe se “Flàmuri i ynë, i kuq, âsht shêjë dashnije dhe jo ndasije…..Shqipja dykrenëshe e flàmurit tonë, mban në kthetra fjalën e të parëve tonë: Besa-Besën….Të lidhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnisë”, duhet t’ecin me flàmurin e kuq me shqipe para, shêj i kombit dhe i nderit tonë.”
Isa Boletini do të pajtohej me Gjon Kamsin i cili shkruante në fillim të shekullit të kaluar se “Kështu na pat folë Apostulli i jonë, deshmori kombtar: Luigj Gurakuqi; kështu na flasin shokët e tij lufte e lirije….Duhet të gjemë vetvehten, por si Nietzsche, kur gjet ligjen e evolucjonit të vet, là të shkruem: “banu ai që ti jé”, që për né do me thanë, të bahemi shqiptarë me at kuptim që kjo fjalë pat për të parët tonë e që e kemi trashigue për me ia kalue pa njollë pasardhësve tonë. E për me u bâ ata qi jemi, duhet t’i hapim luftë të gjithë atyne qi po mbyllin me rrasen e mohimit dhe të zhvleftsimit, vepren e deshmorëvet tonë, të luftarëve të lirís sonë.”
Për të përmirësuar gjëndjen e sotme të shqiptarëve në torjte autoktone, Isa Boletini do të shpallte, “Luftë, pra, kundra anmiqëve të kombit, luftë kundra shkatrrimit, luftë kundra zíshartuesve, luftë rreziqeve qi po i kërcnohen kombit dhe fisit, luftë kusarëve të pasunísë kombëtare, të pares së popullit, luftë të gjithë atyne që, edhè pse të huej i nderuem me êmnin shqiptar e na trathtuen në bukë e kripë:muhaxhirët.
Luftë dokeve të mbrapshta, njerzëve të natës e të turpit, klikave dhe shoqënive të mshehta. Luftë fjalëve të mëdhaja dhe rrence, diletantizmit dhe reklamit. Ketë misjon duhet ta kryejnë sot të mbledhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnise”, sidomos bijt e atyne që punuen, luftuen dhe vdiqen për Atme e lirí.” (Marrë nga artikulli i Gjon Kamsit (Scodrensis) botuar në vitet 1930 e ribotuar në revistën Phoenix, ne. 1-2, 2000)
Besoj se Isa Boletini do të pajtohej me përmbajtjen e shkrimit të Gjon Kamsit, ndonëse i shkruar pothuaj një shekull më parë, nuk është shumë larg realitetit të sotëm. Kështuqë, ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për të arritur objekivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat Isa Boletini luftoi dhe sakrifikoi veten dhe familjen e tij dhe që në këtë 99-vjetor të vrasjes së si — me plot bindje të ketë mundësi të pohojë nga ajo jetë se më në fund, ai është mirë sepse është mirë Shqipëria dhe shqiptarët!
SHUHET ME PENGUN E MADH NE ZEMER
Shuhet Dedë Gjomarkaj(1921-2015) me pengun e madh në zemer të jetëve të këputura të familjarëve të tij që vepruan për atdheun e roberuar./
Nga Leonora Laçi- Shkodër./
Deda kujtonte-“ Dy gjana i kemi pa nëper burgje dhe kampe të përqendrimit se sa poshtë bjen karakteri i njeriut dhe se sa lartë ngritet karakteri i njeriut. Unë kam pa një qen që kishte kap një zorrë te qejve që i prenin, ku në një anë e ka kap zorrën qeni ndërsa ne anën tjeter i burgosuri, se kush ta merr i pari zorrën e lopës me hanger.”
Në Kullën e Qendresës në Shkodren heroike, jep frymen e fundit, sot me 23 janar 2015 , në moshën 94 vjeçare pinjolli i parafundit i familjes së njohur të Derës së Gjomarkajve që njihen ndër shekuj si Kapidanet e Mirditës.
Ky lajm hidhëroj sëtepërmi Nikollën që është djali i fundit i Gjon Marka Gjonit. Në Orosh të Mirditës në Derën e Kapidanit Gjon Marka Gjoni u lindën fëmijët : Marku, Ndoja, Lleshi, Deda e Nikolla si dhe Dava, Gjela, Marta , Dila dhe më e vogla Bardha.
Dedë Gjomarkaj i lindur mes shkrepave të Oroshit në Mirditës, që su mposht as nga torturat e regjimit komunisit, duke bëri 46 vite burg dhe interrnime.
U burgos që në moshën 22 vjeçare, duke e denuar me pesë vjet heqje lirie për shkak gjoja të lidhjes së tij me të arratisurit e nëntorit të 1944. Pasi kreu dënimin u pengua të shoh familjen e tij pasi ri-arrestohet duke e mbajtur për tre vjet të izoluar nga Sigurimi i Shtetit.
Në periudhen kur emigracioni politik Shqiptarë me mbështetje nga perendimi po bënte tentativa për destabilizimin e regjimit të Hoxhës, i bëhet presion që ti shkruante letër babait (që ishte arratisur në 1944) pasi donin ta bënin vegël të sigurimit, për ta dërguar me aktivitet, për diversion në rradhët e diasporës. Sigurimi përdori çdo mjet të torturës për ta detyruar Kapidan Dedën të bëhet vegël e sigurimit. Meqë nuk ja arritën e nxorrën para gjygjit duke e dënuar dhe me 7 vjet të tjera me motivin se kishte tentuar të arratisej, tashmë ndodhej në burgun e Gjirokastres. Pothuajse gjatë gjithë sundimit të regjimit Komunsit i kaloi këto vite sa në një burg në tjetrin si Burgun e Vlorës, Shkodrës, Tiranës, Gjirokastrës e Burrelit. Duke provuar të gjitha punët e rëndomta, jo vetëm ai por dhe e gjithë elita shqiptare antikomuniste e pro-perendimore që nuk e dëshironte regjimin e instaluar. Jeta e Dedës, që na paraqitet përmes fakteve tashmë të botuara në vepra nga Studiuesja e njohur Fatbardha Saraçi-Mulleti, është shëmbull i sakrificës, është dëshmi e gjallë e saj çfarë komunizmi Stalinist bëri mbi një popull të tërë. Ku ndërtoi socializmin duke skllaveruar një popull të tërë, e mbi eshtrat e gjakun e tyre ngriti Shtetin. Ku shqiptarët jetuan luftën më të egër të klasave, ku shtypja e torturat ishin të ndërthurura e që hodhën themelet e atij regjimi diktatorial. Kapidani Deda që u kalit që në rinin e hershme nëpër burgje, do kthehej në shtëpi në moshën 67 vjeçare, tashmë i lodhur, i drobitur, e i plakur, e pa formuar familje duke ngrysur vitet e fundit të jetës në Kullën e famshme ku burrat e mëdhenjë të Shqipërisë vendosen për fatet e vendit. Prof. Ernest Koliqi i ka kushtuar një këngë Kapidanit të Mirditës Dr. Mark Gjon Markut, nga poezia e gjatë e tij po shkëpus disa rreshta-
“ Bri votrave n’Mirditën thepa thepa
shka pershperisin nanat përmbi djepa?
Fjalen e fundit qi me za t’thekun
la kapedani para se me dekun:
– Ju shtegtar’: kushdo qofshi, qi kërkoni
rrugët e botës, Plakut t’em m’i thoni,
për n’m’ a takofshi kund nder dhena t’hueja:
Vul’ gjaku u vuna porosive t’tueja:
dathë ase mbathë e ngran’pa ngranë un ngjitas
t’ mirën e t’keqen dava me Mirditas,
vuejta me ta, dhe vdiqa kur erdh dita
e Derën e Kanunit s’ta korita.”
(marr nga Libri i Tomë Mirjaj-t“Marie Shllaku- Bijë e Shkodres martire e Kosovës”, NY 2004) Publicisti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit në SHBA Z. Tomë Mrijaj u shpreh-“ Atë që nuk mundi ta bëj për 500 vjet pushtimi Otoman, për turpin e madh u përpjekën ta shfarosin historinë 500- vjeçare të derës së Kapidanëve të Mirditës, vet vllezërit e një gjaku.
-Jo Dera e Kapedaneve nuk do shuhet kurrë, se është vetë historia e popullit Shqiptar.
Gazetari i mirënjohur Shqiptaro-Amerikan Beqir Sina, që ka provuar mbi kurriz përsekutimin e egër komunist shprehet për Kapidan Dedën se -“Ky ka qene nje ndër ata burrat e shumte qe me plot kuptimin e fjalës i thon zotni dhe fisnik, te kampeve te interrnimit – simbol i familjeve te medha deres se madhe te Kapedanit te Mirdites, i cil ka ndrruar jet sot . Deda ishte nje njeri i urte, fjalë but dhe shpirt njeriu ai transmetonte tek ne, te presekutuarit vetem vlera humane, atdhetarie dhe patriotizmi, Ai eshte nga ata te presekutuar egersisht nga regjimi diktatorial qe ndoshta kurre nuk beri thirrje per hakmarrje, perkundere vuajtjeve te tmershme qe kishte perjetuare ne burgjete e komunizmit ai dhe familja e Kapedenati te Mirdites -Mbetet vetem ti Shprehim Ngushllimet me te Sinqerta Familjes se Kapedanit te Mirdites, miqve te afremeve dhe dashamirve te Tij – Shokeve te burgut dhe Perjetuesve te tij.
Zoti e Ndrit Shpirtin e Tij ne Pariz dhe nderoft Qendresen e tij, Zoti e Bekoft Shqiperin dhe familjen e Kapedanit te Mirdites. I perjetshem qofte kujtimi i Tij – i mikut te shtrejte te familjes time Ded Markagjoni”. Ndërsa parashutisti antikomunist Zef Luka nga Shkodra qw i shpëtoj kthetrave të komunizmit, i cili i kaloi 50-vite në mërgim, me tu kthyer në atdhe pas shëmbjes së Murit të Berlinit , takohet me Kapidan Ded Gjomarkut, në kullën e Kapidan Markagjonit në Shkoder ku e përshëndet Dedën me këto fjalë – “A je burr i forte? – ku Deda i përgjigjet- Burrat e fortë janë në Zallin e Kirit. Ndërsa Fatbardha Saraçi e kujton Dedën me këto fjalë-“ Ishte njëri me zemër të madhe, që vuajti shumë, por shpirti i tij mbeti përherë i lirë. E gjithë qenia e tij, rrezatonte, një ngrohtësi, dashuri, qetësi, që dine ta dhurojnë njerëzit me shpirt të madh, heronjë që i mbijetuan torturave të sistemit socialist-komunist të Shqipërisë”. I paharrueshem qoftë kujtimi i tij.
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- …
- 68
- Next Page »