Ese nga Rrustem Geci, Dortmund-Gjermani/
Nëse dimë ta shkruajmë në letër jetën dhe historinë tonë, populli ynë kurrë më s´mund të kërcënohet nga fqinjët pushtues, dhe as nga fuqitë e mëdha. Ne kurrë s´bën t´i ndahemi aleatit tonë shpirtëror dhe strategjik SHBA-së, dhe shteteve që na u gjendën në ditët më të vështira. Historia, letërsia, arti dhe shkenca shqiptare, në shkrimet e tyre bartin tërë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë. Në Roganë pylli kurrë s´e ka fshehur diellin. Këtë e dëshmojnë koha dhe historia!..
Rogana është e moçme sa fjalët e gjuhës shqipe; tokë, ajër, bukë, ujë, diell, nënë, vëlla, motër, dashuri, liri dhe atdhe. Duke bërë këtë shkrim për jetën dhe veprimtarinë e prindërve të mi, Limon Gecit dhe Naxhije Gecit, jo rrallë dora më dridhej, dhe zemra më kullonte gjak, nga ato kujtime plotë vuajtje, mundime dhe beteja. Jeta nën sundimin serb, ishte jetë e të shtypurit, jetë e të burgosurit, jetë e krenarisë së plagosur. Veprimtaria e Limon Gecit, po edhe e patriotëve të tjerë të fshatit, ishte me ndikim. Babai im kishte mësuar shumë nga Zymer Rrudhani, një ish ushtar në oborrin e Sulltanit turk. Zymeri ishte edhe luftëtar edhe i ditur.
Popujt e vegjël s´ shuhen nga lufta, por nga heshtja, kam lexuar diku. Abetarja është gjithçka në jetën tonë. Udha drej lirisë nuk bëhet pa gjak, kështu i pat thënë gjyshi prindit tim, në një mëngjes tek po pinin kafenë. Luftat pa të shkruara janë lufta të harruara. Naxhije, shkronjat ma kanë marr gjumin. E ndiej veten të palumtur nga plagët, nga dhimbjet, nga detyrat e pakryera. Natën kur të gjithë flejnë, i thoshte nënës, unë bëj luftën time, luftën e pasosur të kraharorit. Kjo luftë i thoshte nënës sime babai, nuk di s´e ku na shpie. Kur vajta në Shkodër të bleja Abetaret për fëmijët, libërshitësi i Shkodrës më pat thënë; Shtatë shkronja në Abetare janë vetimë dhe kushtrim, ndërsa shkronjat e tjera,bashkëtingëlloret janë bubullima të tërësisë.
Nuk ishte e lehtë rrëfente im At, ta bëje dorën grusht, ose t´ia ngresh këmbëzën qarkut të pushkës kundër armikut. Rreth 30 mijë kilometra katror të tokës shqiptare ende i kemi qiell të copëtuar dhe të ndarë. Limon Geci ishte një njeri me formim kombëtar. Pemët që i kemi në kopsht thoshte im At, kurrë s´flejnë, ato s´i lë të bëjnë gjumë rrënja, uji i thellësive, erërat, agimet plotë diell, dhe shirat.
Njerëzit punëmëdhenj prindërit e mi i përkrahnin shumë. Kjo tokë e përjetshme thoshte im At, është fati ynë. Kësaj toke duhet t´i dalim zot. Në luftën për liri shprehej im At, është e tmerrshme, kur historia i rrëmben armët për vete. Atë çast, shkopin ma të rëndë që mund ta pëson një popull mund ta ketë nga historia e armatosur, nga raporti i forcave të kohës, dhe nga marrëdhëniet me fuqitë e mëdha. Që të mos na ndalin hovin prangat e duarve dhe muret e mendjes, duhet të bëjmë më shumë arsim, zhvillim ekonomik, dhe të lëvizim përpara. Kosova kurrë s´ka qenë pa burra të mençur, dhe trima kryengritës. Limon Geci dhe Naxhije Geci ishin një shembull bashkëshortësh të dashuruar në epikë e tokës së tyre.
Patrioti dhe veprimtari, Limon Geci lindi më 03. 04. 1911, në Roganë të Dardanës. Limon Geci shkollë fillore nuk kreu, por e ndjeki një kurs për shkrim-këndim, dhe Matematikë. Kjo pak shkollë prindit tim i ndihmoi shumë në jetën e tij. Falë atij pak shkollimi, Limoni Geci e mësoi shkrim leximin, matematikën, dhe historinë, dhe u aftësua ta lexojë e kuptojë për së mbari shkollën e jetës. Rogana dhe historia kryengritëse e Roganës qenë frymëzim për qytetari, dhe veprimtari patriotike. Im At, dhe ime Mëmë, ishin të dashuruar të tokës së tyre. Babit tim i pëlqente shumë stina e mbjelljeve, ndërsa mamit stina e bukur e pjekjeve.
Naxhije Geci, ( bashkëshortja e Limonit ) u lindu, me 25. O3. 1917, në fshatin Breznicë, të Krahinës të Mollës së Kuqe, Naxhija ishte intelegjente. Ajo pa ditë shkrim-lexim, i kishte mësuar nga fëmijët e saj 9 poezi të rilindasve, dhe i recitonte bukur në pauza punësh, ( veçmas kur thurte me krrabëz ) dhe nëpër dasma grash. Naxhije Geci këndonte shumë bukur. Ajo kishte krijuar edhe disa poezi të saj, por unë e kujtoj këtë poezi; O zog që këndon në pemë / Udhën mos e humb kah shtëpia / sigurisht edhe t´i ke motra e vëllëzër / që të duan dhe janë të përmalluar!..
Në ato vite të pushtimit të egër serb, Serbia ia kishte vu thonjtë në fyt Kosovës , dhe donte ta mbyste me burgje, varfëri, analfabetizëm dhe gjakmarrje. Lufta për të mbijetuar herë-herë, ishte e pashpresë. Por, i mbijetuari i ka çastet e tij heroike. Në ato vite të rënda nën pushtim jo njëherë, por disa herë, në këmbë kam udhëtuar, Roganë-Prishtinë-Gjakovë, dhe Gjakovë-Prishtinë-Roganë, për të siguruar, kripë, shtof dhe libra. Ne e dinim thoshte im At, s´e dielli nuk digjet, as ajri, as qielli, as toka. Ne duhet të lëvizim vetë përpara, dhe t´ia shtojmë detyrat vetes. Vetëm i shkolluar, dhe me arsim të mirëfilltë, hap pas hapi, betejë pas beteje, Kosova do bëhet me ëndërrën ma të bukur të saj.
Liria jonë shprehej Limon Geci, nuk është larg, dhe as s´mund të jetë larg, por, kalimin duhet ta bëjmë nëpër udhë të vështira, nëpër ngushtica betejash. Njohja e historisë, thoshte im At, është mësim i domosdoshëm, mjësim i së ardhmes. Prindërit e mi, Naxhija, dhe Limoni, ishin prindër të zgjuar. Ata i lindën shtatë fëmijë, 5 djem dhe 2 vajza; Shabanin, Bajramin, Kadriun, Hajrien, Hysnien, Rrustemin dhe Azemin. Limon Geci ishte patriot i flakët, arsimdashës i dëshmuar, dhe njeri me autoritet në fashat. Djali i tij Shaban Geci, ishte profesor letërsie, mjek, dhe doktor i shkencave të mjekësisë. Limoni në Roganë, ishte i afërt me të gjithë fshatarët. Në kohën e Rinisë së tij, ai bashkëvepronte me Balë Gecin, Hamdi Behën, Metush Krasniqin, Mon Qehajën, Shefki e Haki Kallabën, Rasim Rrudhanin dhe kryengritës nga fshatrat përrreth.
Limon Gecit nuk i pëlqenin mitet e rreme, dhe mashtrimet që i bënte armiku popullit. Ai ishte i drejtpërdrejtë. Betejat kundër telallëve të pushtetit, im At i fshikullonte. Limon Geci dhe Metush Krasniqi njiheshin shumë mirë. Metushi e kishte një motër te Gecët e Roganës, po edhe Gecët, vëllai i Limonit, Ahmet, e kishte vajzën për nipin e Metushit, Ramiz Krasniqin, mësues historie. Im At dhe Metush Krasniqi pajtoheshin për një lëvizje këndër pushtimit serb. Brezi ynë shprehej Metush Krasniqi, ( rrëfim i Limon Gecit ) ka fuqinë e këngës, dhe çdo i aftë që di të këndojë, është i aftë të bëjë çlirimtarin. Patrioti Metush Krasniqi, edhepse ishte shumë më ri se babai im, ai nderohej dhe respektohej, për idetë dhe aktivitetet e tij çlirimtare.
Në Aksionin famëkeq të armëve, popullata shqiptare në Kosovë, po edhe ajo në Roganë u rraf dhe u ndëshkua me shkopin e xhelatit, nga Udbashët e Rankoviqit. Gjëma e aksionit të armëve në Roganë, por, edhe gjithandej Kosovës ishte tmerruese. UDB-ja po ndëshkonte me shkop në dorë krenarinë e burrave të Roganës, dhe krenarinë e popullit për liri. Kemi shumë detyra për të bërë thoshte Metush Krasniqi. Plotë burgjet janë me ne. Kosova na thërret t´i dalim zot këtij vendi, etj e tjerë. Im At i mbante në mend ato ngjarje të përjetuara në kurrizin e tij. Ngrirja e nënës së Metush Krasniqit në borë ( në kohën e Aksionit të armëve ) dhe e një gruaje tjetër me të, e kishte zemëruar së tepërmi popullatën shqiptare. Metushi ishte i mençur, ne do të luftojmë, dhe do të fitojmë, por, jo në çastin kur do armiku.
Në një mbrëmje dimëri, në një debat familjar mamaja ime i bëri një pyetje të fortë babait; O Limon, kështu e thërriste ajo babain, a bëhet historia e lirë ndonjëherë, që të vjen edhe ajo në katundin tonë dhe të shoh për së afërmi, s´e çka po vuan ky populli ynë. Motra ime e madhe Hajria ju hodh në krah mamasë dhe e përqafoi fortë për atë debat të fortë me babanë. Naxhije, u përgjigj babai, historia është këtu, por fëmijët tanë atë duhet ta gëzojnë e ta shkruajnë. Që ti arrijmë qëllimet tona, u shpreh im At, është e domosdoshme mëkambja ekonomike, arsimimi i popullatës, dhe lufta e pakompromis kundër armikut.
Veprimtari Limon Geci kryesisht merrej me bujqësi dhe tregëti. Ekonomikisht qëndronte mirë. Im At, kryesisht merrej me tregëti, dhe jo rrallë shkonte në Shkup, Shkodër dhe Tiranë. Në çdo vajtje-ardhje Limon Geci sillte në shtëpi për 3 djemtë e tij, dhe 3 djemtë e vëllait të tij, libra nga historia, gjeografia, matematika, dhe monografi nga lashtësia. Kam qenë në klasen e katërt të fillores, kur babai im e merrte bashkë me farën e të mbjellave, në duçi, edhe librin e Barlecit, “Skënderbeu”. Ai lexonte në çdo pushim të lavrës, dhe jetonte hyjnueshëm me kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në këtë jetë, ofshante babai, ka shumë pyetje, por, si të merren përgjigjja.
Eshtë interesant të thuhet se, Limon Geci, në arkivin e Ushtrisë Jugosllave, në dosjen e tij, figuronte i vrarë si ballist, nga forcat serbe të sigurimit. Me këtë dënim të fshehtë, Limon Geci, jetoi 3o vjet, “ si ballist” i vrarë nga sigurimi serb. Njëzet vjet pa vdekë, babait tim, këtë ia kumtoi një shok i tij i fëminisë, Bejtë Teneqexhiu, nga fshati Roganë. Bejta i kishte tregue, se Shërbimi sekret i Ushtrisë Jugosllave, ishte interesuar shumë për Limon Gecin, duke u thënë oficerëve rezervë në Roganë, se Limon Geci, është i vrarë, nga forcat e sigurimit, dhe mos u habitni, nëse atë së shpejti e vrasim.
Bejtë Teneqexhiu kishte reaguar menjëherë, po dhe të tjerët, se Limon Geci është njeriu simbol në fshat. Majori i sigurimit kishte heshtur për një çast, dhe duke e parë reagimin e tyre, u kishte thënë, ndoshta do e shtymë vrasjen e tij. Sepse dënimi i Limonit me dënim kapital, ka të bëjë me të kaluarën e familjes Geci. Të gjithë ishin shtangur nga habia i kishte thënë Bejta, reagimi ynë qe i ashpër, dhe kundërshtues. Oficeri heshti, dhe tha se ka mundësi që ta shtyjmë vrasjen e Limonit.
Shërbimi i UDB-së, u gjente punë spiunëve. E mbaj mend, se në çdo festë kombëtare, shtëpia jonë, ishte e rrethuar, dhe në vëzhgim të përhershëm nga spiunët e fshatit, dhe të qendrës. Më duhet të them se shtëpia jonë ishte plotë libra, revista dhe gazeta, që ishte gjë e rrallë në atë kohë. Vëllai im Shaban Geci, studjonte Allbanalogjinë në Beograd, dhe për nevoja të studimeve, Ambasada e Shqipërisë në Beograd, u kishte dhënë libra, nga se ai studionte letërsinë shqipe.
Më duhet ta them se, shtëpia jonë mbrëmjeve ishte si shkollë. Meqenëse ne ishim 7 fëmijë, plus dhe 8 fëmijët të xhahxhait, bëheshim 15-të, dhe jo rrallë, bënim gara me njëri tjerin, cili po lexon ma shumë libra, dhe cili po reciton dhe këndon ma bukur. Motrat e mia Hysnia dhe dhe Hajria, po dhe kushërira jonë Makfirja, këndonin jashtëzakonisht bukur. Ato shpërndanin këngë patriotike, nëpër dasma, dhe “promovime” nusesh. Edhepse dukjet ishin të vogla, Kosova lëvizte përpara. Në shkollë kishte atmosferë garash. Nxënësit e shkëlqyeshëm respektoheshin shumë nga fshatarët. Këtë terr shprehej babai im, ne vetë duhet ta mbysim.
Nëna ime Naxhije Geci, kishte plotë elan për punë, dhe nuk ia shkonte kush as në punët e kuzhinës, as në punët e fushës, dhe ishte një krah i fortë për bababin. Në atë kohe gruri korrej me drapër. Jeta e Limon Geci, ishte e veçantë. Ai ishte rritur jetim, pa njërin prind. Limon Gecit, babait tim, prindi ju kishte vra ushtar në Suboticë, në Luftën e parë botërore. Ndërsa, tre vëllëzërit e gjyshit të tij, Rrustem Geci , dhe Azem Geci, qenë pushkatuar ma vonë nga Rexhimi i Krajlit, njëri në Burgun e Prishtinës, dhe Azemi në pusi nga Çetnikët serb të Krajlit, ndërsa Ramë Geci, mbeti përjetë i pagjetur i familjes sonë.
Duhet të theksoj s´e Azem Geci, bashkë me Murat Kryeziun, ishin Organizator të kryengritjeve, për Anamoravën e Hogoshtit, dhe të Karadakut. Azem Geci, dhe Murat Kryeziu, njiheshin mirë me Bajram Currin. Ata u njohën në Luftën e Shkupit. Nga Rogana në atë luftë, mbetën të vrarë 18 luftëtarë. Në Shkup, Azemi dhe Murati marrin detyra të reja, nga vet Bajram Curri. Rogana në historinë e saj 100 vjeçare, Lirisë së Kosovës i dha 75 luftëtarë betejash. Në Masakren e serbëve në Gjilan, nga Rogana u pushkatuan 25 burra, kryengritës të lirisë.
Im At në moshën 3 vjeçare mbetet pa prindin e tij, Bajramin. Sipas rrëfimeve të tij ai nuk e mbante në mend prindin e vet. Hanife Geci, ( një nënë luaneshë ) diti t´i rris fëmijët e saj, Limonin dhe Metushin, duke mos lënë të thahet pema e gjakut të burrit të saj. Nëna Nifë siç i thoshim ne gjyshes sonë, 15 vjet i qëndroi pretendentëve të fshatit, derisa u burrëruan, Limoni dhe Metushi. Dramat familjare të plagëve të luftës, janë të pashpirt. Ato gërryejnë dhe groposin pjesët më të lumtura të jetës. Rruga drejt historia nuk ecën pa gjak. Popujt e vegjël thoshte babai im, nuk shuhen nga lufta, por nga heshtja dhe mosbërja gjë.
Rogana në vitin 2015 ka rreth 3 mijë banor, 210 biznese, shkollën nëntë vjeçare, dhe shkollën e mesme, me rreth 1 mijë nxënës, dhe 70 mësues, arsimtarë dhe profesorë, që dijesojnë nxënësit e tyre. Për 70 vjet të punës të shkollës shqipe në Roganë, Rogana është shembull për të mirë në Anamoravën e Hogoshtit, të Vitisë dhe të Gjilanit. Rogana deri në 2015-ten, arsimit, shkencës dhe letërsisë shqipe në Kosovë i ka dhënë, 6 doktor shkencash, 15 mgjistra, 13 shhkrimtarë dhe poetë, kompozitor, piktor, regjisor, dhe mbi 100 profesorë të profesioneve të ndryshme. Rogana në vitin 2015, shquhet për Klubin e Alpinistëve dhe të Atletikës. Klub ky i cili Roganën dhe Kosovën e nderoi në garat e Kosovës, në garat Ballkanike dhe ato ndërkombëtare, me çmim kampioni, dhe me çmime medalesh. Ardhja e Abetares nga Tirana e Shkodra në Roganë, ishte një ngjarje e madhe tregonte im At, po dhe bashkëkohanikët e tij. Fara e Abetares ishte bima e dijeve të këtij fshati qytet. Po e përsëris se në Roganë, pylli kurrë s´e ka fshehur diellin! Eseja vazhdon…(Ne Foto: Prinderit e Rustemit)
Rustem Geci – Dortmund, 2015
Archives for January 2015
PËRSE NUK E MBROJTI SHTETI FRANCEZ CHARLIE HEBDO
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Publikimi i dytë që po shitet masivisht në Francë pas nr. 1178 të Charlie Hebdo është vepra e Voltaire Traité sur la tolérance – Traktat mbi tolerancën. Voltaire ka definuar domosdoshmërinë e lirisë së fjalës përmes thënies së tij universale „Unë nuk jam dakord me atë që ti thua, por unë do ta mbroj deri në vdekje të drejtën që ti ta thuash“.
Me këtë definicion të Voltaire identifikohet vetë republika franceze. Franca volteriane është djepi i demokracisë Perëndimore, djepi i kulturës dhe i tolerancës. Voltaire është njëri prej atyre titanëve që e ka krijuar fondamentin e Francës moderne dhe Evropës moderne. Është detyrë e shtetit, bazuar në kushtetutën franceze, të garantojë sovranitetin, lirinë e fjalës dhe rendin e sigurinë e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.
Kush më përgjigjet a është e garantuar sot liria e fjalës në Francë?
Unë them jo, për deri sa shteti nuk ishte në lartësinë e duhur ndaj aktit terrorist kundër gazetarëve të Charlie Hebdo. Në atë masë sa nuk e kreu detyrimin ndaj shtetasve të tij. Ata miliona që protestuan në Paris, Francë, Europë dhe botë u solidarizuan me gazetarët e vrarë në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe lirive të tyre dhe assesi jo në mbështetje të atyre që nuk treguan aftësi për të ndaluar aktin terrorist. Sepse thelbi i Francës është Voltaire. Jo Holland.
Kur nuk është e garantuar liria e fjalës në Francë, mendoni si mund të jetë në Ballkan, për shembull! Ku agresiviteti i pushtetit politik ushtron vetëm censurë duke detyruar autocensurën. Prej 1999 në Kosovë janë vrarë disa gazetarë dhe dosjet e tyre janë të mbuluar nga pluhuri, ndërsa dhjetëra të tjerë janë të kërcënuar ose mbetur pa punë rrugëve në mëshirë të fatit.
Shteti francez në fillim e kishte marrë në mbrojtje me sukses Charlie Hebdo, kur kjo revistë javore kishte publikuar në vitin 2006 disa nga karikaturat e të përditshmes daneze Jyllands-Posten për Profetin Muhamet, të cilat më pas shkaktuan një valë protestash në botën islame. Prej tyre mori shkak edhe reagimi i dymbëdhjetë firmave të shquara, midis tyre Bernard-Henri Lévy, Salman Rushdie që të botonin në marsin e 2006 po në Charlie Hebdo një apel të njohur me emrin si Manifesti i të Dymbëdhjetëve, ku islami konsiderohej sistemi i ri totalitarist pas stalinizmit, fashizmit dhe nazizmit.
Nuk jam dakord me këtë apel dhe nuk jam assesi dakord që feja islame është totalitarizëm, por çdo kush që vret në emër të fesë është terrorist dhe përbën rrezik që duhet të ndalet. Nuk diskutohet që Kalifati i ISIS është një shtet terrorist dhe përbën rrezik për gjithë botën, por ai u krijua nën hundët e Perëndimit, sepse Perëndimi nuk ndërhyu për ta ndalur.
Po të shohësh edhe viktimat e ISIS, ato janë gazetarët, të cilëve ua presin kokën në sytë e gjithë botës, sepse ata janë të parët që u kanë rënë kambanave të alarmit duke i denoncuar.
Ata që vrasin në emër të fesë janë të rrezikshëm për vendet ku jetojnë, por duke përfituar nga globalizmi i botës, tani ata rrezikojnë Europën e vlerave.
Tani të gjithë pyesin si mund të shmanget ky lloj terrori. Demokracitë Perëndimore e dinë më mirë se të gjithë të tjerët se si. Sepse Europa ka provuar inkuizicionin, absolutizmin, nazizmin dhe stalinizmin.
Së pari, duke dhënë ndihmën dhe mbështetjen për të demokratizuar vendet ku e ka burimin terrorizmi me pretekst fetar, ku kusht i parë në çdo demokraci apo shtet është laiciteti e sekularizmi. Feja është pushtet shpirtëror, assesi jo pushtet politik. Gazetarët kanë „armë“ lapsin, feja ka „armë“ lutjen dhe kurrësesi jo kallashnikovët dhe thikat.
Së dyti, duke neutralizuar diferencat në vendet europiane ku jetojnë myslimanët dhe popullsitë me rrënjë nga emigracioni, ashtu si thuhet de jure edhe në çdo Kushtetutë të vendeve Perëndimore. Ekskomunikimi, izolimi, banlieue-të, periferitë krijojnë lagera, diferanca dhe revoltë. Rrezik për njerëzimin nuk është islami, por mungesa e demokracisë. Varfëria, mjerimi dhe kaosi prodhojnë profiterë dhe viktima.
Së treti, burim për terrorizmin janë edhe vendet në Ballkan, të cilat drejtohen nga regjime të korruptuara. Është e papranushme që shqiptarët, pa marrë parasysh se janë populli me tolerancë fetare kampion në gjithë botën, të futen në shenjestër si popull mysliman dhe të demonizohen si të tillë, ndërsa, nga ana tjetër, Europa mbyll sytë dhe toleron korrupsionin dhe mafien e regjimeve në këto vende, të cilët, si tha Papa Francesku, meritojnë vetëm një shqelm bythëve.
Detyra kryesore e Francës dhe Europës është që, për hir të rrezikut të terrorizmit, të mos të heqë dorë nga vlerat e saj, përkundrazi t’i mbrojë ato. Liria e fjalës është vlerë e Perëndimit, që Evropa dhe Franca duhet ta mbrojë. Gjë që nuk e bëri me Charlie Hebdon. Franca nuk e mbrojti Charlie Hebdon.
Për Charlie Hebdon kishim dëgjuar që në 2006. U gjendëm në Paris në nëntorin e vitit 2011, disa ditë më vonë pasi selia e revistës ishte sulmuar me bombë dhe një kolegu ynë shqiptar na tregonte me indinjatë rreth asaj ngjarjeje. Por karikaturat e Charlie Hebdos i pashë vetëm pas sulmit terrorist. Mund të mos jem dakord me disa prej tyre, por unë e kam kredo thënien e Voltairit. Ata profesionistë të shkëlqyer dhe artistë guximtarë i kanë thyer tabutë dhe kanë kritikuar atje ku pushteti të ndalon. Por kjo është barrierë që pushtetarët e ngrenë duke shpërdorur pushtetin e tyre. Sepse detyra e gazetarit është të tregojë gjithçka që ai e mendon se nuk është si duhet, të kritikojë, të denoncojë. Një gazetë që thur lëvdata është llustraxhie këpucësh.
Prandaj Franca duhej ta merrte në mbrojtje Charlie Hebdon. Ashtu si kishte vepruar edhe pas bombës së vendosur në nëntorin e 2011 në selinë e gazetës. Po të kërkosh në google foto të asaj kohe, do të shohësh se pranë selisë të Charlie Hebdos qëndronte një makinë e xhandarmërisë franceze, e cila po të ishte aty në 7 janarin e vitit 2015 do ta kishte shmangur tragjedinë kombëtare të Francës dhe të gjithë botës.
Përse nuk ishte ai furgon i policisë franceze aty më 7 janar? Ishte aq e lehtë të ishte. Që shteti të merrte në mbrojtje një territor aq të vogël të Francës, sa ishte selia e Charlie Hebdos dhe ekipi i saj.
Dhe për çudi, askush nuk dha dorëheqjen në Francë pas këtij akti terrorist. U fajësuan vetëm dy vëllezërit që kryen aktin terrorist dhe u anatemuan gazetarët që blasfemokan, por shteti nuk mori asnjë përgjegjshmëri.
Në numrin e ri të Charlie Hebdo u shkruajt se gazetarët që botojnë atë revistë janë të papërgjegjshëm, por në fakt ata janë njerëzit më të përgjegjshëm. Sepse ata heqin dorë nga konformimi me vesin. Dhe kur them gazetarë nuk e kam fjalën për ata tipa që mbulojnë partitë dhe gazetat e mëdha të financuara nga gurutë e partive politike, por e kam fjalën për gazetarinë e pavarur, atë të cilën e mbron Voltaire, njëri prej Etërve të Francës dhe demokracisë Perëndimore.
Kredoja dhe filozofia e Voltaire përkon vërtetë me „Je suis Charlie“ që e kanë shqiptuar miliona e miliona francezë, europianë dhe qytetarë të globit që duan lirinë e fjalës dhe demokracinë. Ndërsa ata që dështuan dhe nuk e mbrojtën pjesën më të madhe të ekipit të Charlie Hebdos tingëllojnë hipokritë, sepse i kishin të gjitha mundësitë që Cabu, Charb, Tignous, Wolinski, Honore dhe të 17 viktimat sot të ishin gjallë midis nesh, duke mprehur lapsat dhe duke u frymëzuar nga ky realitet gri
Aqif Blyta – 70 Vjet nga vrasja
Janari është muaji që na bënë ti hedhim një sy të kaluarës, për të parë nga erdhëm, ku jemi dhe kah po shkojmë, çfarë rruge kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Por, janari, gjithashtu, për ne shqiptarët është shumë i veçantë. Eshtë muaj i dhimbjeve dhe i krenarisë, poashtu edhe i vendimeve historike. Në shenjë të përkujtimit të shumë vdekjeve jo të natyrshme që i kryen armiqtë e kombit tonë, është pa mëdyshje edhe Aqif Blyta me bashkëpunëtorë, për të cilin do të orvatemi t’i shkruajmë disa rreshta në shenjë përkujtimi.
Nga Ismet Azizi/
Aqif Blyta është nipi i Haxhi Bulës, i cili 60 vjet më parë kishte shkuar në Pazarin e Ri që të merrej me tregti. Më vonë me vete kishte marrë edhe familjen. Në vitin 1894, djalit të tij të vogël, Eminit, i kishte lindë një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Aqif.
Emini, babai i Aqifit, u kujdes qysh herët që i biri të vazhdojë mësimet në ndonjë shkollë, ngase shihte tek ai një lloj pjekurie e talenti të veçantë, një lloj ngazëllimi të madh përpara librave. Por, Pazarit të Ri gjatë viteve 1902-1903, i mungonin shkollat dhe sidomos ato shqipe. Është kjo arsyeja që Emin Blyta i jep disa mësime privatisht të birit duke e përgatitur për të vazhduar tutje shkollimin, larg shtëpisë. Aqifi dhjetëvjeçar u përball me një qytet të madh siç ishte Izmiri i Turqisë. Në Seneixhe të Izmirit ai vazhdoi shkollimin në Gjimnaz. I ngazëllyer me shqiptarët e shumtë që komandonin në ushtrinë turke, u regjistrua në shkollën ushtarake në Stamboll, mandej në Manastir, ku morri gradën nëntoger.
Në vitet 1915-1918, Aqif Blyta komandoi disa reparte të ushtrisë turke. Lufta e Parë Botërore do të sillte pështjellime të mëdha jo vetëm për Ballkanin por edhe për Evropën, andaj formacionet luftarake osmane do të përballeshin me situata e detyra të vështira taktike e strategjike. Aqifi, tashmë me gradën e kapedanit,do të udhëhiqte disa luftime të reparteve të tij duke u bërë shembull i trimërisë dhe pjekurisë në marrjen e vendimeve luftarake.
Pranvera e vitit 1919, solli ndryshime të mëdha në jetën e Aqif Blutës. I plagosur dy herë në luftë, i graduar dhe i propozuar për të marrë gradime të reja, Aqif Bluta e kupton se rruga e tij tani ishte vetëm ajo që po e çonte në Pazarin e Ri. Miqve të vet në prag të kthimit ju thotë ;
“Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue,ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku natë me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona “.
Me tu kthyer në verën e viti 1919 te prindërit në Pazarin e Ri, menjëherë u martua me Mahijen të bijën e Halit Komanit nga Gjakova.
Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Duhet theksuar se që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Jusuf Popllata nga Pazari i Ri, i cili më vonë qe shpërngulur në Turqi, ngjarjen e ekzekutimit e përshkruan në këtë menyrë:
“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të ekzekutohet Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medo Rozhajën. Trashësia e borës kishte arritur deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotshëm. Dikur aty ka qenë një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qene të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha urdhri që të bëhet ekzekutimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha urdhrin që të kryhet ekzekutimi. U dëgjuan refalet dhe që të dyve iu lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë dhe i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori hoqi pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi në kokë Ahmet Dacën. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapët e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk dinim”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momente të caktuara nga e kaluara me njeriun më të çmuar të kësaj treve. Përveç të moshuarve, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Aqif Blyta dhe bashkshortja Mahijen nuk kanë lënë pasardhës. Megjithatë, ata birësuan dy fëmijë jetim që i sollën nga Gjakova, Qamilin dhe Mejremen. Përndryshe i vetmi pasardhës i gjallë ende është mbesa e tij nga motra.
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, poashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therrur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arrinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga rradhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës.
KRYEMINISTER, LARGOJE JABLLANOVICIN NGA QEVERIA!
Në Prishtinë dhe Ferizaj protesta për largimin e Jabllanoviçit dhe kthimin e Trepçës/
Një numër i madh i studentëve protestuan sot në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë për shkarkimin e Ministrit për komunitete dhe Kthim Aleksandër Jabllanoviç dhe për lënien e ndërmarrjes Trepça në duart e AKP-së.
Studentë të shumtë i ishin përgjigjur ftesës për protestën me moton “Kryeministër Shkarkoje”.
Ndërkohë që edhe në qytetin e Ferizajt qyetarët protestuan sot në lidhje me këto dy kërkesa.
Siç raporton gazetari i KosovaPress-it, në këtë tubim janë mbledhur rreth 1500 qytetarë.
Protesta është organizuar nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal të Ferizajt dhe këngëtari Labinot Tahiri.
FESTIVALI KOMBETAR I GJIROKASTRES, NISIN TAKIMET PERGATITORE
Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të gjithë vendin, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.
Grupet e specialistëve të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike kanë organizuar takime me grupet e punës në të gjitha qarqet, kanë bërë vlerësime për ecurinë e fazës së parë të përgatitjeve dhe kanë dhënë orientime për përmbylljen e fazës së dytë që lidhet me përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëve folklorike më të mira.
“Faza e parë përgatitore ka gjetur vlerësimin maksimal nga administrata e qarqeve, qendrat kulturore të komunave dhe bashkive, grupet folklorike dhe shoqatat kulturore. Gjatë kësaj faze, krahas ngritjes së grupeve të punës në strukturat e qeverisjes vendore, komunë, bashki dhe qark me specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë dhe etnomuzikologë, janë bërë ekspedita përzgjedhëse të repertorit të mundshëm muzikor, poetik, koreografik dhe ritualeve dhe në shumë zona kanë nisur provat dhe koncertet e para selektuese”, është shprehur Meri Kumbe, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.
Sidomos muajt e fundit të vitit 2014 dhe javët e para të vitit 2015 janë shoqëruar me një varg veprimtarish folklorike të iniciuara nga vetë strukturat e qeverisjes vendore, qendrat kulturore dhe shoqatat kulturore artistike, veprimtari të cilat kanë nxitur interesin e bartësve të folklorit dhe i kanë vënë ato në lëvizje për një përgatitje dinjitoze për të shkuar me gjetje të reja në ngjarjen më të madhe të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.
Në këtë kuadër janë zhvilluar me shumë sukses disa festivale tipologjike dhe burimore si Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Fëmijëve në Tiranë, Takimi i Polifonisë në Vranisht të Vlorës, Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare në Elbasan, Festivali Folklorik “Sofra Tironse”, Festivali Folklorik Ballkanik në Gjirokastër, festivali “Oda Dibrane” në Peshkopi, Festivali i Këngës Epike në Burrel, etj.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi, thotë se përgatitjet kanë qenë të gjithanshme dhe tre grupe pune me ekspertë të njohur të folklorit në Has, Tropojë dhe Kukës kanë përzgjedhur grupet më të mira dhe pas koncerteve prezantuese në shkallë rrethi me grupet më të mira dhe të përzgjedhura do të organizohet një koncert i përbashkët, ku ekspertët do të vazhdojnë përzgjedhjen sipas kritereve shkencore për të përcaktuar përfundimisht grupin e përfaqësimit.
Puna përgatitore në fazën e parë të saj nxori në pah shumë vlera folklorike të thesarit të trashëgimisë kulturore të përcjellë me dashuri e respekt nga njëri brez te tjetri, vlera të cilat ekspertët e folklorit i mbajnë sekret për të befasuar dhe për të konkurruar fort në skenën e madhe të kalasë së Gjirokastrës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 30
- 31
- 32
- 33
- 34
- …
- 68
- Next Page »