• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

Anëtar…

February 28, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Shumë forca politike janë këto ditë në tensionin e zgjedhjeve të emrave për kandidatët në pushtetin lokal. Kryetarin e Bashkisë. Shoh vlime dhe fryerje erërash. Shoh gjithfarësoj komentesh e mendësish. Shoh ide vlerash dhe antivlerash. Shoh ide meritash dhe frymën e pritjes. Atë të shpërblimit. Idenë e lutjes. Dëshirën e glorifikuar të atij që e pret ta thërrasin. T’i thonë, froni yt baba. Shoh se si po fyen në masë, duart e thjeshta, të anëtarit të thjesht, të votuesit të thjesht. Të numrit që plotëson kuadratin e rregjistrave të anëtarëve të partisë. Shoh se ngrihen barriera klanesh, që përmendin dekoratat. Meritat. Dhe presin nga tarraca e hardhive, me projektin gati, për pronën e tyre. Jo shoqërinë e hapur. Për njerëzit. Çfarë nuk po shoh?!
Le të sqarojmë disa mendje. Duke filluar për së pari nga kryetarët. E deri tek anëtari më i thjesht. Ai që tashmë e quajnë militant. Dhe jo anëtar. Pra rikujtim.
Çdo anëtar i një force politike, ka të drejtën njerëzore të ëndërroj. Të zgjidhet dhe të zgjedhi. Deri sa ia kërkoni votën, ka të drejtën e balancës ta kërkojë edhe ai votën tënde nga ty?
Çdo anëtar i një force politike, është anëtar. Jo vlerë apo antivlerë. Ata që mendojnë se janë vlerat e kësaj force, duke i cilësuar plehra anëtarët. Janë ata, më pavlerat. Janë ato milingonat që futen si të tilla dhe ikin si voza me rrota. Nga partia.
Çdo anëtar i një force politike, qoftë ky, qytetar, fshatar, është anëtar. Ata që mendojnë se kanë të drejtën e zgjedhjes vetëm qytetarët, janë ata fshatarët. Janë këta njerëzit që kanë, edhe kthyer në formën përkeqësuese kuptimin e emrit fshatar.
Çdo anëtar i force politike, është anëtar. Qoftë femër apo mashkull, i ri apo e re. E ardhmja e partisë. Ka të drejtë të zgjidhet. Jo të përbuzet. Kush rri në shtëpi, në tarracën e verandës në një pallat të ri. Diku në një qytet tjetër. Dhe pret që ta thërrasin si vlerë, si historia e partisë. Eshtë pa vlera, është antihistoria.
Çdo anëtar i një force politike, është anëtar. Qoftë ky i zi, i kuq, i bardhë. Ka të drejtë të zgjidhet. Ata që i përdhosin e i quajnë plehra. Ka domethënien që këta, me një fjalë përdhosësit, janë bërë tashmë të tilla. Dhe normale që plehrat nxirren nga shtëpia.
Çdo anëtar i një force politike është anëtar i përjeshtëm. Jo pushtetar i përjetshëm.
Çdo parti, është parti. Si e tillë është e anëtarëve. Nuk ka fshatarë, qytetarë, fise, apo koloni fisesh, meritash, vlerash.
Diku në një vilë fshati, faqeve të kodrave, në verandë. Duke parë perëndimin e diellit në det. Një burrë i gufosur nga shëndeti, edhe pse ka vite që nuk e shikon zyrën e partisë. Pret të shkojnë e ta thërrasin. T’i marrin dorën. Pasi mendon se është historia, vlera etj.
Ndërkohë një e re, plot diell. Një i ri plot energji. Një tjetër njeri cilidoqoftë. Me teserën anëtar. Eshtë i priviar nga e drejta për tu zgjedhur. Pasi është i dënuar vetëm të votojë.

Filed Under: ESSE Tagged With: anetar, Ilir Levonja

MOTIVET E ISIS

February 28, 2015 by dgreca

Cilat janë motivet e udhëheqjes së Shtetit Islamik? I cili vazhdon të kryejë masakra në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe duket se ka ambicje globale. Disa analistë në rajon thonë se interpretimi që ISIS i bën Kuranit, i kombinuar me bindjen se po afron fundi i botës, janë faktorët që i japin formë strategjisë dhe sjelljes barbare të këtij grupi. Shteti Islamik vazhdon të trondisë botën. Aktet e këtij grupi si ekzekutimi i të krishterëve egjiptianë, djegia e pilotit jordanez, apo skllavërimi i grave jazidi, janë shembuj të një sjelljeje jashtë çdo kufiri të tolerancës njerëzore. Ata vazhdojnë të përhapin video ku mburren me dhunën që kryejnë. Analistët thonë se ekstremistët bazohen tek një interpretim i “Kuranit” si dhe tek profeci të shekullit të 7-të. Peter Bergen, është analist për çështje të sigurisë për rrjetin CNN dhe nënpresident i Fondacionit Amerika e Re. Ai thotë se udhëheqësit e ISIS besojnë në një interpretim të “Kuranit” që bazohet tek lufta. “Po të nisesh nga logjika, nuk ke interes të futesh në luftë me Amerikën dhe 60 vende të tjera, të tërë botën arabe me Jordani, Egjipt, etj. Por ata nuk mendojnë me logjikë, por nisen nga bindja se po afron fundi i botës”. Zoti Bergen thotë se udhëheqësit e ISIS besojnë se bota do të marrë fund së shpejti dhe se beteja përfundimtare do të zhvillohet në qytetin Dabiq në Sirinë veriore. Kjo profeci shoqërohet me interpretime të zbukuruara nga rekrutët e ISIS, të cilët besojnë se ata që konsiderohen si luftëtarë të krishtërimit, apo të pafetë do të munden nga luftëtarët e Islamit. Shumë analistë thonë se ky grup ekstremist është i interesuar që Perëndimi të pushtojë Sirinë, pasi kjo do të konfirmonte parashikimet e tyre. Profesor John Horgan është drejtor i Qendrës për Studimet mbi Terrorizmin dhe Sigurinë në Universitetin e Masaçusetsit në Lowell. “Shteti Islamik do që ne të besojmë se kjo është luftë për besimin, se kjo është një përplasje civilizimesh që do të sjellë një betejë të drejtpërdrejtë mes palëve kundërshtare”. Disa ekspertë në rajon thonë se udhëheqja e ISIS është e bindur se përfaqëson vijën e frontit në një luftë fetare, madje kozmike mes së mirës dhe së keqes. Analistë si Peter Bergen thonë se është e nevojshme që ISIS të dënohet nga një numër klerikësh myslimanë si dhe figura të tjera. “Ata besojnë vërtetë në pikëpamjen salafiste, ekstremiste të botës dhe kundërvënia e vetme ndaj kësaj pikëpamjeje është një përgjigje ideologjike. Të vetmit individë që janë të aftë ta bëjnë këtë si duhet janë udhëheqësit dhe dijetarët myslimanë, të cilët mund të argumentojnë se si kjo sjellje është një shtrembërim i shëmtuar i fesë islame” Analistë të tjerë thonë se shumë luftëtarë të huaj janë bashkuar me ekstremistët pasi ndjehen të papërmbushur në shoqëritë e tyre dhe përpiqen të gjejnë një mision për jetën duke u përfshirë në luftra jashtë vendit. Disa prej tyre janë xhihadistë të betuar, por ndryshe nga udhëheqja ata nuk nxiten nga besimi, thotë profesor John Horgan: “Ngazëllimi i aventurës, kënaqësia që të sjell shoqëria me njerëz që kanë të njëjtin botëkuptim, të gjitha këto janë faktorë të fuqishëm nxitës. Pikërisht këto elementë ISIS ka arritur t’i përcjellë me shumë sukses përmes medias sociale”. Analistët rajonalë thonë se mënyra për të mundur ISIS është të eliminohet udhëheqja dhe të rimerret territori që është zaptuar nga ky grup. Zyrtarët amerikanë thonë se 30% e territorit që kontrollonte ky grup në Irak tani është përsëri në duart e autoriteteve irakiane. Sipas analistëve, me zvogëlimin e terrenit që kontrollon ISIS do të bjerë edhe fuqia e mesazhit të tyre për afrimin e fundit të botës.
Marrë nga VOA, 27 shkurt 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Motivet e ISIS

“Mos harroni Ruandan – Armë për Ukrainën”

February 28, 2015 by dgreca

Gjenerali amerikan i pensionuar,: “Putini, mund të hakmerret diku tjetër, me një luftë më të gjerë, ose të ndërpresë bashkëpunimin në bisedimet e armëve bërthamore të Iranit.” -“Është koha për të marrë ato mësime dhe tani(SHBA) të veprojnë në Ukrainë”/
Nga Beqir SINA New York/
WASHINGTON D.C : Gjenerali në pension Wesley K. Clark, ish-Komandant Suprem i NATO-s,, për të udhëhequr forcat ushtarake të aleancës në luftën e Kosovës, i cili, 16 vjet më parë, udhëhoqi bombardimet më të suksesshme në historinë e NATO-s – bombardimet ajrore 78 ditore kundër ish Jugosllavisë, ka shkruar dje një editorial në gazetën ” Washington Post”, gazetën më të madhe të kryeqytetit të SHBA,- me titull “Mos harroni Ruandan – Armë për Ukrainën”, ku ai jep “rekomandime”, duke marrë si shembull ndërhyrjen ushtarake të Natos në kryesimin e SHBA – në ndaljen e luftës në Ish Jugosllavi – Bosnje dhe Kosovë.
Ai e fillon shkrimin e tij duke kujtuar ngjarjet e post-Luftës së Ftohtë, SHBA, të cilat kan mësuar në rrugën e vështirë, se kur ne mund të bëjmë një ndryshim, që na duhet, thotë Clark. Në Ruandë, kujton ai ne nuk, ndërhym në kohë dhe 800.000 njerëz vdiqën. Në Bosnjë, qëndruam, dhe më shumë se duhej dhe 100,000 njerëz ishin të vdekur dhe 2 milion ishin zhvendosur, nga shtëpitë e tyre, para se ne të kishim vepruar.
Andaj shkruan Gjenerali amerikan i pensionuar,: “Është koha për të marrë ato mësime dhe tani(SHBA) të veprojmë në Ukrainë”.
Në Ballkan në fillim në vitin 1991, ne i lamë europianët me diplomacinë e tyre, për të ndalur agresionin serb të maskuar si konflikt etnik. Diplomacia, kishte dështuar. Ne kishim përkrahur europianët, kur ata pyetën për paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, nga Britania, Franca, Suedia dhe madje edhe Bangladeshi. Që gjithashtu dështuan. Vetëm kur SHBA morën epërsinë dhe aplikuan pushtetin ushtarak për të përforcuar diplomacinë, e kemi ndalur konfliktin. Dhe, ne kemi pasur sukses në të, duke i dhënë fund konfliketeve me shpenzime minimale dhe pa humbur as edhe një ushtar të vetëm.
Në këtë shkrim Gjenerali Clark, ndër të tjera, sugjeron se SHBA, duhet të marrë rolin udhëheqës tani, siç bëmë në Ballkan. Marrëveshja Minsk II simabs tij është një pikënisje, por, thotë ai Rusia ka nevojë të njohë kufijtë e të gjithë teritorit të Ukrainës, duke përfshirë Krimen.
Gjenerali amerikan i pensionuar, i cili, 16 vjet më parë, udhëhoqi bombardimet më të suksesshme në historinë e NATO-s – bombardimet ajrore 78 ditore kundër ish Jugosllavisë, Wesley Clark, ka siguruar burime të besueshme të cilat thonë se “Putini, mund të hakmerret diku tjetër, me një luftë më të gjerë, ose të ndërpresë bashkëpunimin në bisedimet e armëve bërthamore të Iranit.” Por, mendon Clark, në qoftë se Putin kërkon një luftë më të gjerë, është shumë më mirë për të “ndalur” atë qysh – tani, sesa kur ai ta “ketë “shkatërruar” Ukrainën dhe është duke hyrë në kufijtë e NATO-s.
Wesley Clark, në këtë shkrim editorial pohon në fund se si një oficer i lartë, i cili ka punuar me Richard Holbrooke në marrëveshjet e paqes të Dejtonit, dhe më vonë si komandant i NATO-s për zbatimin e paqes, “Unë, gjej të gjitha argumentet në lidhje me atë çka po ndodh sot në Ukrainë”, dhe shtonë: “Çka është e re është ngurrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të kuptuar dhe të përmbushë rolin e saj udhëheqës si garantues i paqes dhe sigurisë në Evropë”.
Në konkluzioni i këtij shkrimi marrë nga gazeta Washington Post dhe të përgaditur në këto rreshta në shqip, është dhe përfundimi i shkrimit të tij, ku ai thotë :” Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, SHBA ka mbetur thellësisht e angazhuar në sigurinë evropiane. Ne e kemi ditur se siguria jonë varej në një Europë të lirë, demokratike dhe paqësore. Gjatë Luftës së Ftohtë, ne kishim 400.000 trupa ushtarake të dislokuara nëEuropë, për të penguar Bashkimin Sovjetik. Në Luftën e Ftohtë, ne kemi vepruar për të sjellë paqen në Bosnjë dhe të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Sot, sfida jonë është agresioni rus në Ukrainë, i cili ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke kërcënuar stabilitetin në Europë. Ne nuk mund të krijosh prosperitet amerikan, përmirësuar pabarazinë e të ardhurave, “strumbullar” për Azinë, ose merren me terrorizmin ndërkombëtar – pa stabilitet dhe mbështetje nga Europa. Durimi strategjik do të dështojë në qoftë se ne nuk e “frenojmë” agresionin rus në Ukrainë. Është koha për Amerikën për të udhëhequr” shkruan në editorialin me titull :”Mos harroni Ruandan – Armë për Ukrainën” në gazetën Washington Post, Gjenerali në pension Wesley K. Clark, ish-Komandant Suprem i NATO-s,, për të udhëhequr forcat ushtarake të aleancës në luftën e Kosovës.a

Filed Under: Rajon Tagged With: Arme per Ukrainen, Beqir Sina, Ruanda, Wesly Clark

MYSAFIRË NË SHTËPINË E VATRËS

February 28, 2015 by dgreca

Të premten në mbrëmjen e 27 Shkurtit në Shtëpinë e Vatrës ishin për vizitë dy intelektualë të nderuar, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu dhe Dr. Elmie Mara. Mysafirët u pritën nga kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi, antërët e Këshillit Zef Përndocaj, Idriz Lamaj dhe Muhamet Omari, editori i Diellit, anetar i kryesise se Vatres, Dalip Greca. Prof. Dezhgiu shoqërohej nga bashkëshortja, ndërsa Dr. Elmia Mara nga dr. Elton Mara, anëtar i Këshillit të Vatrës.
Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, u uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe i informoi shurtazi për veprimtaritë e Vatrës, ndërsa mysafirët falenderuan Vatrën për aktivitetin e saj Kombëtar dhe kontributin historik për cështjen kombëtare.
Pas takimit në Vatër, për mysafirët u shtrua një darkë në restorantin e presidentit të Bashkimit Kombëtar, z. Gjergj Dedvukaj. Gjatë darkës biseda u përqëndrua në cështjen Kombëtare dhe në rishkrimine historisë të Kombit Shqiptar..
Darka u sponsorizua nga vatrani veteran Zef Përndocaj.

Filed Under: Vatra Tagged With: e Vatres, Mysafire, ne Shtepine

MOMENT HISTORIK NE WASHINGTON PER VAJZEN NGA KAVAJA

February 28, 2015 by dgreca

ERMIRA BABAMUSTA:Vlerësimet nga Kongresi Amerikan dhe Presidenti Obama, momente historike të jetës sime./
INTERVISTOI: FADIL SHEHU-FLORIDA/
Ndjehem shumë i kënaqur që këtë intervistë po e zhvilloj me ju Ermira Babamusta. Ju jeni angazhuar në aktivitete diplomatike-politike, eksperte e punëve të jashtme dhe shkrimtare. Nëse do të ktheheshit në retrospektiv, si do i kujtonit vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës në qytetin e Kavajës, ku ju jeni lindur?
Faleminderit për këtë mundësi, Fadil. Nga fëmijëria ruaj kujtime shumë të bukura, që nga çerdhja, ku kam patur mamin edukatore, deri në momentet e shkollës fillore“24 Maji”, tani “Rilindja”. Falenderoj përkushtimin e mësuesve të talentuar,Besnike Dollia, Nazmie Dimri,Tafik Biturku,Ismail Biturku, Ramazan Hushi, drejtorët e shkollës Xhavit Bygjymi dhe Xhavit Hylviu. Falë përkushtmit të mësuesve, Lëndina Dollia dhe Fatbardh Kanapari, kam marrë pjesë në shumë konkurse në bazë qyteti në matematikë dhe letërsi, ku jam vlerësuar me disa çmime. Mbarova shkëlqyeshëm tetëvjeçaren, me nota 10-ta. Më pas vazhdova studimet në shkollën e mesme të gjuhëve të huja dega anglisht“Asim Vokshi” në Tiranë.
Ndërkohë, kur ju vazhdonit shkollën, muarët vendimin për tu larguar në SH.B.A. Ishte kjo një zgjidhje e duhur për ju dhe familjen tuaj?
Në vitin e tretë më doli e drejta e studimit për në Amerikë.Vitin e katërt të shkollës së mesme e mbarova në Amerikë me notat më të lartë, GPA 4.00, ku kam fituar shumë medalje në shkallë kombëtare për matematikë,spanjisht,literaturë,fituese e Eagletoun Highschool Quiz Bowl, fituese e kampionatit, etj. Kisha fatin të marrë shkollimin në një sistem edukativ kaq të lartë dhe të zhvilluar si ai amerikan, falë punës dhe mundimit tim, prindërve të mi të dashur, dhe mësuesve të mi në Shqipëri dhe Amerikë.Çmoj vlerën shqiptare, që zhvillon shumë herët tek fëmija aftësitë për njohuri, ambicie, konfidencë me anë të konkurimeve dhe aktiviteteve dhe e përgatit nxënësin për të qenë sa më i mirë në të gjitha fushat që të ofron jeta.Vlen të theksohet që në Shqipëri mësimi i gjuhës së huaj inkurajohet që në fillore, gjë që nxit zhvillimin dhe inteligjencën e fëmijës, që në moshë të vogël. Sistemi shqiptar dhe amerikan i edukojnë nxënësit të jenë të aftë, konfidentë, konkurues dhe të synojnë të jenë më të mirët.
Ju nisët studimet në universitetin më prestigjioz në botë, Harvard. Si ndiheshit si studente shqiptare para pedagogëve, disa prej të cilëve të njohur në nivele të diplomacisë amerikane?
Më vjen shumë mirë që përfaqësova Shqipërinë dhe Kosovën si dhe universitetin tim WVU, në programin e Harvardit. Në gusht 2013 aplikova për programin e çertifikatës për kursin, Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan, që ofrohet nga shkolla e qeverisë Kenedi në Harvard. Ky program u zhvillua nga dy universitetet më të mira në botë, Harvadi dhe MIT i Maseçusets, ku studiuan studentë të ndryshëm nga bota. Nga mijëra konkurentë, unë isha zgjedhur si një nga 500 fitueset që u pranuan të jenë pjesë e këtij programi, shumë kërkues dhe i një niveli shumë të lartë. Madje nga 500 persona që fituan, vetëm 290 arritën ta përfundojnë atë me sukses, bashkë me mua.Ne, na u akordua çertifikata e mjeshtërisë në Sigurim Kombëtar dhe Strategji. Këtë program e kryeva njëkohësisht kur po kandidoja për doktoraturë në Shkenca Politike tek universiteti WVU në Uest Virxhinia. Pata shansin të jem pjesë e programit dhe të punoj me të njohurin, Profesor Graham Allison,drejtor i qëndrës për shkenca dhe punë të jashtme “Belfer Center”. Ka punuar si këshilltar special për sekretarin e mbrojtjes gjatë presidentit Regan, dhe asistent sekretar i mbrojtjes për politikë dhe plane për presidentin Klinton. Ka fituar çmimin e lartë civil nga departamenti i mbrojtjes dhe ka publikuar shumë libra shkencor në lidhje me politikën si “Esenca e Vendimeve”, etj. Ndërsa profesor David Sanger, korespondent kryesor i Uashingtonit për “Nju Jork Tajms”, fitues i çmimit “Pulitzer”, ka botuar disa libra dhe jep mësim në “Harvard” për politikë publike. Ndërkohë Prof. Dr. Derek Reveron është drejtor i Strategjive të Sigurimit dhe Drejtori i Kolegjit “US Naval War College” në Nju Port. Secili prej tyre ka dhënë një kontribut të madh në mësim, duke na mësuar nga përvojat e tyre në politik.
Keni përfunduar studimet shkëlqyeshëm, madje keni kryer me sukses master për shkencat politike“Administrim publik”,studimin e avancuar për “Diplomaci OKB” dhe doktoraturën në Shkenca Politike. Pretendoni se tashmë keni arritur gjithçka?
Universitetin e lartë e bëra në Ualdorf Kollege, me arritje të dalluara dhe isha në listën e studentëve të nderuar në “Dean’s honor roll”. Fitova çmimin Hanson Award, si dhe bursën e paqes “Ponberg për Shkenca Politike dhe Histori”. Kur përfundova universitetin pata nderin të punoj në Uashington DC. për Senatorin, Tom Harkin në sektorin politikë ndërkombëtare, për të cilin kam respekt të veçantë. Kam kryer dy mastera. Masterin e parë e përfundova në degën “Administrim Publik” nga universtieti MSU në Minesota dhe fitova bursin e paqes në shkenca politike,“Dr. John Scherzer Scholarship” nga Uashington DC, si studente e dalluar me aspirata për lidere dhe kontribut ndërkombëtar; si dhe bursën e plotë të shkollimit nga Instituti i Paqes “Kesel Peace Institute”, që më akordoi më vonë si “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos”. Pata sërish nderin të rikthehem në Kongresin Amerikan, duke punuar për Kongresmenin e nderuar Mark Kenedi, në zyrën e tij në Uashington DC. Ndërsa në universitin LIU në Nju Jork, kam kryer dy programe universitare: Masterin e dytë në shkenca politike si dhe programin e avancuar të nivelit “graduate” për diplomaci të OKB-së.. Kam jetuar në Nju Jork që nga 2006, ku kam punuar në departamentin e paqes dhe logjistikës të OKB-së në Manhatan, krahas shkollimit. Pasi përfundova punën në fushatën e parë elektorale të presidentit Obama, aplikova dhe fitova të drejtën e studimit me burse, në universitetin WVU në Uest Virginia, për të kandiduar për doktoraturë në shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Në verë të 2010 përfundova studimin në programin e Strasburgut,Francë në degën “Ligji Europian dhe Institucionet e BE-së”. Gjatë studimeve të masterit dhe doktoraturës kam zgjedhur si temë çështjen e Kosovës, hulumtim që e kam nisur që në vitin 2007 dhe vazhdoj ta ndjek nga afër për zhvillimet më të fundit në vend. Përveç edukimit kam kryer dhe trajnime të tjera në punë, për t’u bërë një kandidate e fortë në karrierën time, si dhe kam kryer shërbime vullnetare për t’i shërbyer komunitetit shqiptaro-amerikan, popullit amerikan dhe Amerikës.Më kujtohen shumë mirë fjalët e presidenti Obama, gjatë fjalimit që dha kur pranoi kandidaturën për president në Konventën Demokratike mbajtur në Denver, Kolorado në 2008. Në atë kohë, unë isha zgjedhur si organizatore e Konventës, dhe drejtuese duke sjellë me vete ekipin tim nga Florida, ku punuam së bashku gjatë fushatës. Gjatë fjalimit Presidenti tha se premtimi amerikan, është premtimi që secili nga ne, ka lirinë për jetën, por dhe obligimin për ta trajtuar njëri tjetrin me dinjitet dhe respekt.
Krahas punës suaj në politikë dhe diplomaci keni themeluar “Peace Action Fondacion”, Fondacioni Aksioni për Paqe. Si do e vlerësonit funksionimin e këtij fondacioni?
Fondacioni Aksioni për Paqe, ishte një inisiativë dhe projekt i imi, në mënyrë vullnetare, për të cilin u angazhova dhe e kam drejtuar për dy vjet që në 2013. Kjo nismë ishte tribut i ngjarjeve të 11 shtatorit, për të kujtuar dhe vlerësuar veprimet heroike të atyre që luftojnë për lirinë dhe të drejtat tona sot. Qëllimi i organizatës bamirëse ishte i natyrës së aksionit, veprimit dhe shërbimit publik, dhe jo monetar. Pra, të sillnim ndryshim në komunitetin tonë për të krijuar një shoqëri sa më demokratike, të drejtë dhe humanitare, duke i shërbyer shoqërisë. I jam mirënjohës të gjithë anëtarëve që vullnetarisht janë përfshirë në këtë projekt. Falenderoj drejtuesit e ekipit, që kanë dhënë ndihmë humanitare për të rritur rëndësinë e çështjeve sociale dhe përballuar sfidat globale si, Egzon Bunjaku,drejtues i ekipit “Cycle for Nature Team” nga Prishtina; Halil Gashi, Drejtues i Ekipit “Health Auarenes Team” në Gjermani; Michael Moloi, Rachel Bergsieker dhe Katelyn Hughes në Londër.Në vitin 2013 Aksioni për Paqe, ka qenë një nga përkrahësit dhe bashkëpunesit e Tour De Culture, i cili organizohet çdo vit në Kosovë.
Sa kanë ndikuar prindërit, në edukimin dhe formimin tuaj si qytetare dhe diplomate shqiptare-amerikane?
Falë përkujdesjes, mbështetjes dhe dashurisë nga familja, kam fituar shumë vlera në vetëvete. Mbaj mend që babi, si mësues letërsie dhe historie me jepte për detyrë, për të lexuar librat e Frashërit, Kadaresë, Shekspirit, Tolstoit, etj, për t’u njohur me letërsinë shqiptare dhe atë të huaj. Kam filluar të shkruaj poezi që kur isha e vogël dhe më pëlqen të shkruaj në përgjithësi. Po ashtu në tetëvjeçare, babi, më kërkonte të mësoja 30 fjalë të reja çdo ditë nga fjalori i anglishtes dhe t’i recitoja poezitë e Fishtës. Të dy prindërit e mi, kanë treguar interes të madh në përgatitjen time mësimore,duke dhënë një sakrificë të madhe, që unë të kem një të ardhme më të mirë. Kjo bëri që unë të kultivoj shumë herët në jetë përgjegjësi, disiplinë dhe ambicie dhe të përballoj vetëm jetesën larg familjes dhe vendlindjes. Në Amerikë suksesi është një mundësi e barabartë për të gjithë, për atë që punon shumë, i dedikohet punës dhe përgatitet mirë për të arritur synimet në jetë. Kjo e drejtë demokratike më ka dhënë vizion, që një studente si unë, të ketë synime të larta. Pra,pa ndihmën e dikujt, kam arritur vetë, sepse shoqëria amerikane vlerëson atë që punon. Në aspektin politik kam mësuar direkt nga vetë institucionet që bëjnë politikë, Senati dhe Kongresi Amerikan, gjatë punës me kongresmenët e nderuar Tom Harkin dhe Mark Kenedi në Uashington DC, departamenti i paqes i OKB-së në Nju Jork, si dhe puna për zgjedhjen elektorale të presidentit Barak Obama në 2008, Florida dhe në 2012, në Pensilvania, WV dhe Ohajo. Aty mësova nga afër se si funksionon demokracia dhe diplomacia, në sistemin elektoral. Është ky lloj i të menduarit që zhvillon qeverinë bashkë me shoqërinë. Kur mbarova me sukses praktikën tek zyra e senatorit Tom Harkin, në fjalimin e tij para presidentit amerikan me 22 korrik 2003, përmendi emrin tim, duke vlerësuar punën dhe kontributin tim në proçesin dhe sistemin demokratik.
Në vitet 2008 dhe 2012, ju keni punar në administratën e presidentit Obama, në fushatën e tij për president, në shtetet e Floridas, Filadelfias dhe Pesilvanisë. Sa e vlerësuat ju këtë përkushtim dhe si u cilësua puna juaj nga kjo administratë?
Vlerësoj dhe respektoj punën e madhe të presidentit Obama dhe lidershipit të tij, të popullit amerikan. Kam patur një eksperincë të jashtëzakonshme gjatë punës sime në fushatat presidenciale.Në 2008 dhe 2012,kam punuar për administratën e presidentit Obama, si drejtoreshë gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, nëpër shtete të ndryshme, duke punuar në shtete kyçe gjatë fushatës si Florida,Ohajo, Pensilvania, Kolorado, etj. Gjithashtu u zgjodha një nga drejtueset që organizova kuvendin nacional të Partisë Demokratike në Kolorado, në 2008. Këtu ishin të pranishëm mbi 75000 pjesëmarrës, ku senatori Barak Obama, pranoi nominim e partisë demokratike për president. Falë punës time dhe eksperiencës, më ftuan sërish të punoj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, në Filadelfia, ku dolëm me sukses. Pata nderin të marrë ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Uashington DC, për të qenë e pranishme në inagurimin e president Obamës me rastin e fitores. Ishin momente historike të paharuara, që do i kujtoj përjetë. Mbi të gjitha vlerësoj lidershipin e presidentit Obama. puna e tij ka patur një transparencë të jashtëzkonshme dhe një lidhje të drejtëpërdrejtë me publikun. Gjatë punës në dy fushatat, kam marrë telefonata përgëzimi nga presidenti, për të uruar punën tonë të ekipit dhe për të na dhënë kurajo për të punuar më shumë. Mbas punës në zgjedhje, në mënyrë vullnetare kam marrë pjesë në organizim për aksion, që ka për synim përparimin e agjendës së presidentit, diplomacisë dhe politikës amerikane.Dhe këtu, Presidenti ka qenë shumë i lidhur me popullin. Kemi patur lidhje video-konferenca të drejtëpërdrejta, telefonata si dhe korespondenca me Shtëpinë e Bardhë. Është kjo lloj politike transparente e Amerikës, në shërbim të popullit, që çon përpara interesin dhe zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit amerikan.
Sa të pranishëm e konsideroni presidentin Obama dhe Amerikën, për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Besoj se Shqipëria dhe Kosova në rradhë të parë duhet të forcohen vetë si shtet, nga ana ekonomike dhe ushtarake, për t’i shërbyer më së miri vendit të tyre, si dhe familjes europiane, për të cilën synojnë. Në këtë drejtim duhet vazhduar për të punuar shumë, për të plotësuar kushtet dhe rritur standartet në vend. Kontribut të madh si në drejtimin e zhvillimit të demokracisë, pavarësisë, juridikut, sigurimit, etj, ka dhënë Amerika bashkë me aleatë të tjerë të popullit shqiptar si Anglia, Gjermania, etj. Të gjithë shqiptarët i janë shumë mirënjohës aleates së fuqishme Amerikës, për miqësinë e fortë, besnikërinë dhe përkrahjen e jashtëzakonshme për shqiptarët.Vlen të theksohet që politika e jashtme amerikane pak a shumë është e njëjtë, homogjene, pra nuk ndryshon me ndërimin e presidentëve apo partive në vend. Presidenti Obama bashkë me paraardhësit e tij, i kanë qëndruar shumë afër popullit shqiptar dhe Kosovës, duke i mbrojtur ato në momentet më kulminante të egzistencës të tij. Për këtë, shqiptarët i janë shumë mirënjohës Amerikës.Gjatë misionit tim të dytë hulumtues diplomatik-kulturor në Kosovë, në 2012, dita e falenderimeve, e kthyer në një festë të madhe, mbushi sheshin “Skënderbej” me flamuj amerikan, si shenjë respekti dhe mirënjohëje ndaj Amerikës. Po ashtu dhe gjatë vizitave të liderëve amerikanë në Shqipëri. Ne jemi i vetmi popull, që i pret amerikanët me shumë miqësi, dashamirësi dhe mikpritje të paparë, gjë që në shtete të tjera, amerikanët nuk i gëzojnë këtë popullaritet madhështor. Me këtë rast përgëzoj dhe vlerësoj punën e përkryer të presidentëve, George Bush, Bill Klinton, Barak Obama, Zv. presidentit Joe Biden, sekretarët e shtetit Hillary Klinton dhe Xhon Kerry, ambasadorët Jackobson dhe Arvizu dhe shumë senatorë e kongresmenë të tjerë që kanë përkrahur shqiptarët. Përgëzoj dhe ambasadorin e ri amerikan, Donald Lu për pozitën e re, dhe i uroj suksese në punën e tij në Shqipëri.
Të parët e prindërve tuaj janë të njohur për vlerat e tyre patriotike, duke ndihmuar direkt figura të shquara të kombit tonë. Cilat janë disa nga aktivitetet e tyre?
Që në kohën për shpalljen e pavarësisë të Shqipërisë në 1912, gjyshi im Beqir Babamusta, me të parët e fisit, pritën një natë në shtëpi Ismail Qemalin, bashkë me shoqëruesit e tij me 25 nëntor 1912. Të nesërmen i dhanë Ismail Qemalit dhe shoqëruesve, ushqime, shoqërues me kuaj, para dhe dy çeta për të siguruar rrugëtimin për në Vlorë. Këtë punë në shërbim të kombit, familja ime e vazhdoi dhe me themelimin e Shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani”, themeluar nga babai im, Neki Babamusta dhe shokët e tij në 1991 në Kavajë. Shoqata kreu aktivitete deri në vitin 2003. Me 15 mars 1992 Shoqata “Bajram Xhani” priti me madhështi në Kavajë ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri, Uilliam Rajerson, me 20,000 pjesëmarrës. Shoqata përkrahu të persekutuarit politik dhe vlerat patriotike të tyre lënë në harresë. Punoi për të njohur botërisht luftën heroike të popullit të Kosovës, kundër militarizimit serb të Millosheviçit. Ndihmoi të strehojë të persekutuarit e popullit të Kosovës në qytetin e Kavajës, afro 8,000 persona. Për lirinë e Kosovës Ramazan Cani ,gjyshi i mamit tim, bashkëpunëtor i Bajram Currit, Isa Boletinit, vëllëzërit Myslim dhe Shyqyri Peza, luftoi kundër serbëve me çetën e tij, ndërsa gjyshi im Beqir Babamusta, u plagos, dy kushërinjtë e mi u vranë. Nga dy fiset Bababamusta dhe Cani, janë burgosur dhe vrarë afro 20 anëtarë të familjes. Për këtë kontribut të veçantë Kongresmeni Mark Kenedi, në vitin 2004 nderoi, “Heroi i Popullit”, Kastriot Cani ,gjyshin tim, si dhe familjen e tij, si bashkëpunëtor me Amerikën për vendosjen e demokracisë, babain tim, Neki Babamusta, për forcimin e lidhjeve diplomatike Europë-ShBA dhe mua, për shërbimin tim, ndaj Kongresit dhe diplomacisë Amerikane.
Jeni angazhuar me diasporën dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane për shumë kohë. Po ashtu, pozicioni i punës tuaj ju ka dhënë privilegjin e bashkëpunimit me disa prej personaliteteve të njohura politike të kongresit Amerikan. Sa frutdhënës do e vlerësonit këtë bashkëpunim?
Kam shumë vite që jam angazhuar për të zhvilluar komunitetin në Amerikë dhe forcuar bashkëpunimin me diasporën shqiptare. Prioritet ka patur çështja për të drejtat e shqiptarëve, promovimi i kulturës, si dhe lidhjet shqiptaro-amerikane-angleze, që fisi im Babamusta-Cani, ka kultivuar për afro 100 vjet. Ky bashkëpunim ka forcuar më tepër lidhjet dhe miqësinë e fortë midis vendeve tona. Në qershor 1999, unë me familjen, vazhduam punën në Amerikë për mbrojtjen e shqiptarëve, ku nëpërmjet Radios shqiptaro-amerikane“Alba”,me qendër në Miçigan, përhapëm vlerat demokratike të kombit shqiptar, duke i bërë të njohur popullit Amerikan, krimet e luftës të Millosheviçit në Kosovë. Kjo radio transmetoi këto programe në shumë shtete të Amerikës. Këtë punë e kemi bërë dhe vazhdojmë edhe sot në takime me ambasadorë anglez dhe amerikanë, ku kemi kërkuar njohjen e shpejtë të Pavarësisë së kosovës.Vlen të përmendet takimi me ish-sekretarin e shtetit Amerikan, Kolin Pouell, senatorin Tom Harkin, për të cilin kam punuar në zyrën e tij në Uashington DC, me kongresmenin,Mark Kenedi, si dhe gjatë punës time në OKB-ë, në takimin me sekretarin e përgjithshëm Kofi Anan. Këtë punë e vazhdova dhe me diplomacinë publike, nëpërmjet gazetës time që themelova në 2008, “Prishtina Press”, e cila për dy vjet ka botuar mbi 3000 printime në Prishtinë. Aktiviteti i gazetës vazhdoi online deri në 2013. Gazeta kishte për qëllim përkrahjen e diplomacisë shqiptaro-amerikane, përhapjen e vlerave kulturore dhe demokratike shqiptaro-amerikane.
Vitin e kaluar ju Ermira, keni drejtuar një peticion liderëve dhe institucioneve më të njohura në botë. Përse e keni bërë këtë peticion?
Është më se e vërtetë, që ky peticion, gjatë vitit të kaluar, bëri bujë të madhe ndërkombëtare, duke iu drejtuar liderëve dhe institucioneve, OKB-së, BE-së, Shtëpisë së Bardhë, NATO-s, Senatit Amerikan dhe Uefa-s, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Ky peticion ishte një inisiativë e imja, që e kam shkruar vetë, si rezultat i keqtrajtimit të lojtarëve shqiptar në ndeshjen Serbi-Shqipëri, i cili me pas morri përmasa për barazi dhe të drejta për shqiptarët në përgjithësi. Më pas iu drejtova organizatës “Rrënjët Shqiptare”, me të cilën bashkëpunova që ky peticion të nënshkruhej nga sa më shumë njerëz. Këtë nismë timen peticioni, e shndëruam në një platformë, me propozim të Besmir Buranaj Hoxha dhe mbështetje nga Marko Kepi, bashkë me anëtarët e Albanian Roots, për të sensibilizuar të gjithë botën për mbrojtje dhe barazi për shqiptarët. Peticoni drejtuar Shtëpisë së Bardhë u firmos dhe u mbështet nga tre milion shqiptarë në mbarë botën. Shprehja e lirë, lëvizja e lirë, e drejta për edukim, dhe të drejta të tjera të njeriut, janë akoma të cënuara edhe sot, për shumë shqiptarë në trojet e tyre si në Preshevë, Kosovë, Mal të Zi, Çamëri, Maqedoni dhe Serbi. Sot shqiptarët kanë shumë nevojë për përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Duke biseduar për Kosovën, këto ditë po ndodh një fenomen shumë tronditës, me mijëra familje po braktisin vendin e tyre duke u drejtuar dyerve të Evropës, ikin s’di se ku ? Si do e komentonit këtë hemoragji, e cila si metastaz po shtrihet në mbarë trupin e Kosovës?
Është trishtuese që Kosova po përjeton një eksod tjetër në përmasat e luftës së 98-tës. Inkurajoj popullin e Kosovës të mos largohet nga vendi, sepse nuk është kjo zgjidhja. Uroj që lidershipi dhe qeveria e Kosovës të veprojnë sa më pare, për të krijuar mundësi që qytetarët të kenë vende pune, të jetojnë, të hapin biznese dhe të kenë një jetë të siguruar në vend. Investimet e huaja ndihmojnë, por edhe ato nuk janë zgjidhja. Duhet zhvilluar ekonomia e Kosovës dhe politika e brendshme e saj, duhen zhvilluar industritë në vend, që Kosova të kthehet në vend prodhues si dikur dhe jo të mbahet nga importi me grurë e miser, kur Kosova mund t’i rrisi vetë këto produkte. Duhet të krijohen plane aktuale afat-gjate për zhvillimin e ekonomisë. Deri tani prioritet ka patur pavarësia. Ka ardhur koha që politika e brendshme të ketë prioritet dhe Kosova të ngrejë standartet e jetesës në vend. Nëse nuk merren masat e duhura sa më shpejt, vendi rrezikohet nga trazira dhe pasiguri të tjera.
Prindërit tuaj njihen si mbështetës të popullsisë hebrenje në Shqipëri dhe rritjes së vlerave demokratike në Kosovë. Sa krenare ju bën përkushtimi dhe humanizmi i tyre?
Paqa, toleranca dhe dashuria për njerëzimin, janë vlera që familja ime i çmon, po ashtu si i tërë kombi shqiptar dhe ai amerikan. Më vjen mirë që familja ime, fisi im, Kavaja dhe shumë qytete të tjera shqiptare, treguan akte humane duke shpëtuar hebrenj gjatë luftës së dytë botërore.Në tetor 1943 në shtëpinë e gjyshit tim, Beqir dhe Rabihane Babamusta, ka qëndruar për tre muaj të fshehur një familje izraelite. Në shtëpinë e tyre janë strehuar edhe gjashtë ushtarë italinë dezertorë të luftës, në 1943. Familja izraelite kishte katër pjesëtarë me dy fëmijë të vegjël. Shtëpia e gjyshit ka patur kontrollime të shpeshta nga gestapoja gjermane dhe për fat të mirë familja izraelite nuk është zbuluar. Babai im ishte 8 vjeç në atë kohë dhe më tregon kujtimet që ka patur nga ky përjetim. Pas strehimit tre mujor kjo familje izraelite u shoqërua për në Itali, ku në fillim u vendos në fshatin Spillej, për një javë tek miqtë e familjes Babamusta, tek Sel dhe Dyl Zyba. Për sigurimin e familjes ka ndihmuar Beqir Babamusta dhe Spirro Pello, ndërsa Qamil Babamusta ka shoqëruar deri në Bari të Italisë familjen izraelite, duke e besuar atë tek miqtë e Babamustave në Itali, me të cilët bënin tregëti në atë kohë, tek miku Italian.Manaxheri i tregtisë Itali-Shqipëri, Mehmet Babamusta i pajisi me dokumenta. Përveç kësaj familje, nëpërmjet familjes Babamustës dhe Kavajës, kanë shpëtuar 178 çifutë (Arkiva e Shteti). Për shpëtimin e tyre dhe sjelljen nga Vlora në Kavajë kanë marrë pjesë, Mehmet Babamusta, ish-sekretar i gjygjit, në bashkëpunim me vëllain e tij, Isuf Babamusta, punonjës në gjykatën e qytetit Kavajë, Mihal Lajkatarin, përmbarues i dokumentave në gjykatën e Kavajës.Së bashku, kanë pajisur 178 hebrenj me pashaporta shqiptare. Pas strehimit në Kavajë, hebrenjtë dërgoheshin në qytete të tjera, Kosovë, ose kalonin për në Itali, Europe dhe Amerikë. Sjellja e familjeve çifute nga Vlora për në Kavajë, kordinohej nga vëllezërit Mehmet dhe Isuf Babamusta, bashkë me nipërit e Beqir Babamustës, Halit Babamusta, Ragip Babamusta dhe Ibrahim Babamusta. Në maj të 1954, babai shërbente si mësues në fshatin Gjysulkonaj, ishte vetëm 17 vjeç, dhe shpëtoi gjakderdhjen midis 35 familjeve nga vëllavrasja. Në shtëpinë e tij më pas, bëri pajtimin midis grupeve ku u bë falja e gjakrave. Ka shpëtuar mbi 80 jetë njerëzish.Një nga vlerat që dallon popullin shqiptar është Besa Shqiptare. Besa, mikpritja dhe toleranca fetare, janë tradita shqiptare që na bëjnë krenarë para botës.
Jeni vlerësuar me disa çmime, për kontributin tuaj nga kongresi amerikan, si ambasadore e kulturës dhe diplomacisë amerkane, “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare” dhe së fundi në ditët e para të shkurtit të këtij viti 2015, jeni nderuar nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Obama. Çdo të thotë për ju ky vlerësim?
Falenderoj Kongresin Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin Amerikan, për vlerësimin që më dhanë. Ndjehem tepër krenare për vlerësimin e dhënë nga drejtuesi i maxhorancës, Senatori Harry Reid, me vlerësimin “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare” dhe babait tim, Neki Babamusta si “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë”. Do vazhdoj të jap kontributin tim në shërbim të Amerikës, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, vlerave humanitare, forcimit të Amerikës dhe shqiptarëve dhe përkrah diplomacinë amerikane. Po ashtu, vlerësoj tepër, nderin e madh dhënë nga presidenti Obama, me çmimin për shërbim kombëtar “President’s Volunter Service Award”. I jam shumë mirënjohës Shtëpisë së Bardhë dhe qeverisë amerikane për këtë vlerësim të lartë. Vlerësoj dhe punën e projektit Borgen, ku kam shërbyer si vullnetare në funksionin drejtoreshë rajonale. Për të patur një botë paqësore, duhet të bëjmë më shumë për njëri-tjetrin, jo vetëm për kombin, po dhe për të gjithë njerëzimin.
Mesazhi juaj për shqiptarët kudo që ndodhen.
Doni dhe respektoni veten si dhe njëri-tjetrin.Uroj që të arrini suksesin dhe ëndërrat e juaja dhe të jepni kontributin tuaj, në të mirë të komunitetit ku jetoni dhe vendit amë që përfaqësoni. Shpresoj që një ditë, të gjithë shqiptarët dhe trojet të jenë të bashkuar, dhe drejt zhvillimit europian, me arritje dhe suksese në botë.
Faleminderit Znj. Ermira, për këtë intervistë eskluzive dhe interesante, që zhvilluam së bashku. Suksese.
Të falenderoj Fadil, për përkushtimin dhe kontributin tuaj, ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan. Të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen i uroj gjithë të mirat. .

Intervistoi: FADIL SHEHU
Florida, SH.B.A. Shkurt 2015

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermira Babamusta, Fadil Shehu, Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT