Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje përmes një rezolute Kongresit që të autorizojë përdorimin e forcës kundër Shtetit Islamik.
Autorizimi, që nuk përmban kufizime gjeografike, ka afat prej tre vjetësh, dhe mundësinë e ripërtëritjes.
“Rezoluta që kemi dërguar nuk bën thirrje për zbarkim të trupave tokësorë të Shteteve të Bashkuara në Irak apo në Siri. Nuk është autorizim për një tjetër luftë në terren, sikur që ishte në Afganistan apo Irak”, ka thënë Obama, në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
“Njëkohësisht, kjo rezolutë mundëson një balans të domosdoshëm, duke na thënë fleksibilitetin që na duhet për rrethana të paparashikueshme. Për shembull, nëse do të kishim informacione nga inteligjenca për një tubim të liderëve të Shtetit Islamik, dhe nëse partnerët tanë nuk do të kishin kapacitet për ta trajtuar këtë informacion, unë do të isha i gatshëm të urdhëroj forcat tona speciale për të vepruar, sepse nuk do të lejoj që këta terroristë të kenë vend-strehim të sigurtë”, ka thënë Obama.
Forcat ushtarake amerikane, në përbërje të një koalicioni më të gjerë, janë duke sulmuar nga ajri caqet e Shtetit Islamik në Irak që nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe ato në Siri, që nga shtatori.
Derisa shumë ligjvënës mirëpritën vendimin e zotit Obama për të dërguar një kërkesë për autorizim disa muaj pas nisjes së sulmeve ajrore, disa të tjerë kërkonin më shumë qartësi nga Shtëpia e Bardhë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, republikan nga Ohio, tha se plani i zotit Obama do të mund të pësojë ndryshime, duke shprehur dyshimet e tij nëse plani aktual mund të përmbushë objektivat e presidentit.
Senatori republikan nga Tennessee, Bob Corker, i cili është kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, tha në një deklaratë se mirëpret autorizimin e dërguar nga presidenti dhe shpreson në miratimin e tij.
Corker ka paralajmëruar nisjen e seancave dëgjimore “rigoroze, për t’i dhënë mundësi administratës që t’i ofrojë Kongresit dhe popullit amerikan më shumë qartësi mbi strategjinë e Shteteve të Bashkuara për ta adresuar çështjen e Shtetit Islamik, veçanërisht në Siri”.
Senatori demokrat, Tim Kaine, nga Virginia, i cili ka kritikuar për një periudhë të gjatë presidentin për mos-dërgimin e autorizimit më herët, tha në një deklaratë se mirëpret vendimin e administratës për ta bërë një gjë të tillë, porse “ka shqetësime për mungesën e qartësisë në fjalorin që bën fjalë për trupat tokësore”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka mbrojtur këtë “mungesë qartësie” në fjalorin e autorizimit.
“Ajo çfarë Obama nuk ka në plan është çfarëdo angazhimi afat-gjatë i trupave tokësore siç ka qenë rasti më herët me Irakun dhe Afganistanin. Por, ajo çfarë ai dëshiron të ruajë si mundësi është reagimi ndaj situatave të paparashikueshme, dhe në disa raste, reagimi i shpejtë ndaj situatave që kërkojnë urdhër për aksion ushtarak, për të cilin do të ishin të domosdoshme trupat tokësore”, ka thënë zoti Earnest.
Vetë presidenti Obama ndërkaq është optimist se “koalicioni kundër Shtetit Islamik është në ofensivë, Shteti islamik është në defansivë dhe do ta humbë këtë betejë”.
Ndryshe, autorizimi i propozuar do të shfuqizojë masën e vitit 2002 që ka autorizuar luftën në Irak, por mban në fuqi një autorizim të vitit 2001 që u miratua pak pas sulmeve të 11 shtatorit për një fushatë kundër al-Qaedas dhe degëve të saj
Archives for February 2015
Arrihet marrëveshja për armëpushim në Ukrainë
Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës, kanë rënë dakord për një marrëveshje të paqes në Ukrainë, pas 16 orë bisedimesh në Minsk të Bjellorusisë.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë thënë se marrëveshja parasheh që më 15 shkurt të nisë armëpushimi, të tërhiqen armët e rënda dhe të krijohet një zonë e sigurisë.
“Jemi pajtuar për shumë gjëra. Kryesorja, jemi pajtuar për armëpushim, që do të jetë efektiv nga 15 shkurti”, ka thënë Putin.
Konflikti midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, i cili ka marrë mbi 5,400 jetë njerëzish, ka nisur qysh në prill të vitit 2014.
Raportohet se marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe liderët e vetëshpallur të separatsitëve në rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut.
Poroshenko ka thënë se dokumenti nuk ofron autonomi për rajonet që kontrollohen nga rebelët dhe gjithashtu parashikon që Ukraina të rivendosë kontrollin mbi kufijtë e saj deri në fund të vitit 2015.
Poroshenko ka dhënë edhe detaje të tjera të marrëveshjes:
“Tërheqja e të gjitha trupave të huaja, të gjithë mercenarëve, nga territori i Ukrainës. Ata do të tërhiqen në një të ardhme të afërt”, ka thënë Poroshenko.
Por, sipas tij, marrëveshja bën thirrje edhe për lirimin e të gjithë njerëzve që mbahen peng nga të dyja palët, brenda tri javësh.
Presidenti i Francës, Franocis Hollande, i cili së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel ka negociuar me Poroshenkon dhe Putinin, ka falënderuar liderin rus për “trysninë” mbi udhëheqësit e rebelëve.
Ai ka thënë se samiti i Misnkut ka sjellë një zgjidhje politike globale të krizës në Ukrainë dhe se kjo është “lehtësim për Evropën” dhe “shpresë për Ukrainën”.
Kancelarja Merkel është shprehur më e matur, duke thënë se ka një “fije shprese për Ukrainën”, porse mbetet “shumë, shumë punë për t’u bërë”. Ajo ka thënë se presidenti Poroshenko ka bërë gjithçka të mundur për të ndaluar gjakderdhjen në Ukrainë.
Rusia kundërshton akuzat e Ukrainës dhe të fuqive perëndimore se furnizon me armë dhe personel ushtarak rebelët, të cilët kërkojnë pavarësi për zonat që kontrollojnë.
Njëri nga liderët e separatistëve pro-rusë, Aleksandr Zakharchenko, ka thënë se trupat e tij do të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Minsk.
“Përgjegjësia për çdo shkelje apo dështim të zbatimit të marrëveshjes bie drejtpërdrejt mbi (presidentin e Ukrainës) Petro Poroshenkon. Të gjitha pikat, për të cilat është rënë dakord në samit, kanë nevojë për koordinim shtesë. Bisedimet vazhdojnë. Kështu që çdo shkelje apo dështim për t’i respektuar këto pika do të thoë se nuk do të ketë kurrë më memorandum”, ka thënë Zakharchenko.
Konflikti në lindje të Ukrainës ka shpërthyer pasi Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë, në mars të vitit të kaluar. Ky veprim ka pasuar rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, pas disa muajsh protesta kundër regjimit të tij.
Kievi dhe qeveritë perëndimore besojnë se Rusia do që të dobësojë Ukrainën dhe ta mbajë atë jashtë NATO-s, duke mbajtur “konflikt të ngrirë” në lindje gjatë viteve që vijnë.
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të dërgojnë armë mbrojtëse për Ukrainën, nëse diplomacia dështon.(Përgatiti: Valona Tela)
Ismail Kadare: Largimet nga Kosova, një ligshtim moral i trishtueshëm
NGA ILIR IKONOMI/
Shkrimtari Ismail Kadare ishte para disa ditësh në Izrael, ku iu dorëzua Çmimi i Jeruzalemit për veprat që shprehin më mirë idenë e lirisë së individit në shoqëri. Ky çmim jepet në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, ngjarja më e madhe letrare e Izraelit. Në ceremoninë e së dielës ishte edhe Presidenti izraelit. Në një intervistë me telefon nga Parisi me kolegun tonë Ilir Ikonomi, shkrimtari i shquar foli në fillim mbi përshtypjet nga vizita në Izrael.
ISMAIL KADARE: Unë kam qenë edhe herë tjetër në Izrael. Më bëri si gjithmonë përshtypje serioziteti i organizimeve të tilla. Ne ndonjëherë na bën përshtypje kjo, ndoshta ngaqë edhe nuk jemi mësuar me një qasje të tillë.
ZËRI I AMERIKËS: Në ceremoninë e çmimit ju zgjodhët të flisnit mes të tjerash për raportet e shkrimtarit me lirinë. Por do të dëshiroja t’ju pyesja për diçka tjetër që gjithashtu lidhet me lirinë. Shqiptarët e Kosovës e fituan lirinë jo shumë kohë më parë. Dhe, në vitet e para pati kthime në masë të njerëzve për të ndihmuar vendin e tyre të ri. Ndërsa tani shikojmë të kundërtën. Njerëzit po ikin. Si e shpjegoni ju gjithë këtë zhgënjim ndonëse në liri?
ISMAIL KADARE: Që të jem i sinqertë, unë nuk jam në gjendje ta shpjegoj plotësisht. Problemet që ka Kosova janë sigurisht probleme reale, të rënda disa herë. Kemi të njëjtat probleme pak a shumë edhe ne, pak a shumë Ballkani, pak a shumë një pjesë e Europës. Por ikja nga vendi nuk është zgjidhje, as ka qenë dhe as do të jetë zgjidhje. Kjo është jo ikje, por një lloj shpërngulje. Mësova me një trishtim të jashtëzakonshëm që midis të ikurve këto kohët e fundit janë gjashtë mijë fëmijë shqiptarë të shkollave. Kjo quhet, pra, jo ikje. Ajo nuk justifikohet, nuk përligjet vetëm nga arsyet ekonomike. Kjo është një lloj psikoze, një ligshtim moral shumë, shumë, shumë i trishtueshëm. Shpërngulja është një nga format më të rënda gjenocidale, nga format e shfarosjes së një kombi. Ajo çka i detyron ata duhet gjendur, mendoj. Nuk mund të ngrihen duart përpjetë nga askush, duke filluar nga njerëzit që drejtojnë Kosovën, tek ne të tjerët të gjithë. Kur them të gjithë, e kam fjalën te Shqipëria vetë, si shoqëri dhe si komb, te Shqipëria si shtet dhe si opinion publik, dhe këtu përfshij edhe veten time.
ZËRI I AMERIKËS: Ju flisni shpesh për Evropën, si shtëpia e madhe ku shqiptarët kanë vendin e tyre të natyrshëm. E megjithatë, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të vuajnë mjaft nga probleme të tilla si korrupsioni, varfëria ekonomike, politika e egër, mosfunksionimi i drejtësisë, prania në parlament e njerëzve të inkriminuar. A janë këto për ju një pengesë serioze për t’u integruar në Evropë, apo i shihni si pjesë të zhvillimit?
ISMAIL KADARE: Të gjitha këto që përmendët ju janë të vërteta, nuk janë të tepruara, por asnjëra prej këtyre arsyeve nuk është e tillë bindëse që të lëkundë qëndrimin shqiptar, strategjinë shqiptare ndaj Evropës. Mendoj se kjo duhet të jetë e padiskutueshme. Jo sepse Evropa është një lloj feje apo besimi fetar, por sepse është mundësia e vetme që na ka dhënë historia, natyra dhe fati ynë, siç thuhet shkurt. Të gjitha ato incidente që ndodhin dhe do të ndodhin në rrugën e popujve evropianë, ballkanikë, në rrugën e popullit shqiptar, nuk janë justifikim për zgjidhje të tilla radikale siç është dorëzimi përpara së keqes. Përkundrazi.
ZËRI I AMERIKËS: Ju përmendët në Jeruzalem çështjen e hapjes së dosjeve në Shqipëri, që e quajtët pjesë të shqyrtimit të ndërgjegjes. Kohët e fundit në Shqipëri përsëri po flitet për këtë temë. Çfarë duhet të ndodhë në politikën shqiptare që ky proces vërtet t’i shërbejë shqyrtimit të ndërgjegjes dhe të mos kthehet në një shfaqje politike?
ISMAIL KADARE: Ka shumë njerëz që nuk duan që dosjet të hapen, nuk duan që arkivat të hapen. Disa nuk duan me arsye, disa pa arsye. Për shumë njerëz do të ndodhë diçka e madhe, do të detyrohen të struken në këndet e padukshme të shoqërisë. Por le të bëjmë një pyetje: A është e mirë kjo gjë, apo është e keqe? A është e mirë që njerëzit, të cilët kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë për një diktaturë të egër, që kanë qenë masha e saj, duart e saj të përgjakura, ose duart e saj të errëta, të tërhiqen në qoshe dhe të mos përzihen në jetën shqiptare? Unë mendoj se nuk ka asnjë të keqe në këtë gjë. Nga hapja e dosjeve vendi nuk humbet gjë. Gjermania e bëri këtë proces me një forcë shumë të madhe, sepse përmasat e së keqes ishin tepër të mëdha, të tmerrshme. E bëri dhe nuk humbi asgjë. Përkundrazi, një nga sekretet, shpjegimet, misteret e zhvillimit të jashtëzakonshëm gjerman sot në Evropë është pikërisht ky guxim për të shqyrtuar ndërgjegjen e vet dhe nuk ndodh ndonjë gjëmë, siç thuhet poshtë e përpjetë, me hapjen e këtyre dosjeve. Do të ndodhë vetëm një strukje e së keqes dhe kjo do t’i bëjë mirë kombit shqiptar.
Shpërngulja masive , plan konspirativ apo rastësi?
Kjo është një lloj psikoze, një ligshtim moral shumë, shumë, shumë i trishtueshëm. Shpërngulja është një nga format më të rënda gjenocidale, nga format e shfarosjes së një kombi.(Ismail Kadare)
Shkruan: Fahri XHARRA/
Shpërngulja i shqiptarëve a mos është një vepër e inskenuar per destabilizim, deri në demotivimin e shqiptarëve për mbrojtjen e integritetit dhe teresisë territoriale?! Sepse ndodh që ndërkombëtarët merren vesh me politikën, por politika kërkon të sigurohet së nuk delë nga skena pas zbatimit të skenareve të tillë. Dhe për këtë është punuar më kohë per t’ia ngushtuar lakun qytetarëve të Kosovës, deri në atë masë sa të harrojnë atdheun e vendlindjën në këmbim të mbijetesës!!!
Historiani i njohur nga Kosova Haki Bajrami konsideron se ikja masive e shqiptarëve nga Kosova vije nga një prapaskenë e parapërgatitur dhe e sofistikuar. Sipas tij, gjeneza e kësaj mund të jetë përgatitur, organizuar dhe sponsorizuar në ‘kuzhinat’ e Beogradit.
“Serbia gjithmonë ka qenë e interesuar dhe është angazhuar për zbrazjen e Kosovës për aq sa mundet nga shqiptarët.” Kjo Akademi dhe ketë Akademik konsideronin se shqiptarët nuk do të mund t’i rezistonin varfërisë, prandaj kërkonin masa që punësimi, shkollimi dhe avancimi i shqiptarëve të ndalej dhe kjo sipas akademikëve serbë do t’i hapte rrugën shpërnguljes se shqiptarëve”-ka potencuar mes tjerash Bajrami.
Në komunat veriore ku ka edhe banorë serb si Leposaviq, Zubin Potok, Mitr. Veriore janë duke u shënuar me shumicë popullata serbe e cila nuk jeton aty, derisa ne po e zbrazim jugun. Do të behet ribalancim i perqindjës së popullatës, ku ata kur e mberrijnë 10 % shin bëhën me status te shteteformuesve pasi që na zbresim për 10%. E këte është duke e zirë një kuzhinë e cila na ka punu gjithmonë për tëkeq së bashku me shpiunet tonë ….( I kam te dhenat per regjistrimin e popullatës serbe në ato komuna prej njerëzve që punojnë atje! ,( nga nje mik )
Vlerësimin e saktë të akademikut tonë të nderuar,Hakif Bajrami shqiptarët nuk po e kuptojnë,nuk po e kuptojnë shabllonin shekullor të Serbisë kundër kombit tonë,ndaj këtë ikjen e popullatës,po e shohin thjesht si një dalje në shëtitje,pa i kuptuar prapaskenat e armikut ë jashtëm në bashkëpunim me të brendshmin.Është qeveria kryesore që e ndihmoi kët zbrazje,ndaj dhe e ka përgjegjësinë kryesore,qoftë para gjyqit të popullit,qoftë para Historisë,që nuk falin kurrë.
Ka të vertetë nga “Plani B” i Akademisë Serbe , shikoni shpërgulja ku fillon Mitrovicë,Vushtri,Lipjan, Ferizaj, Kaçanik, dmth, pergjat hekurudhës, shperngulj e 200 mijë shqiptarëve dhe rikthim i150 mije serbe prite zot.Formimi i brezit te ndarjës mes Kosovës dhe Dugagjinit “Metohise” siq thot Jabllanoviqi. Këtij plani i kontribon kasta e udheheqjes klepktokratike e pas Luftes gjatë 15 viteve. Politikanet Serbe e thone haptas po punojmë per rikthimin e Kosoves nëse duhet edhe për 100vjetët e ardhshëm “ (N.Nushi).
Edhe “përgatitja “ fetare e 6-7 vjetëve të fundit ishte më e suksesshme në regjionin që u përmend më parë. Jo rastësisht!
Kosova, aq e dashur për serbët dhe shtetin e tyre,nga kohë më të e hershme,njësoj si sot e gjithë ditën,zbrazet pikërisht nga shqiptarët, mu ashtu si kishin paraparë akademikët serbë dhe Kisha e tyre ortodokse. Për ta nuk është aq e dashur Kosova, për shkak të kishave dhe manastireve më të vjetra/ato ishin ilire e më pas abërore-shqiptare/ dhe të njohura, dhe të njohura si pjesë e kulturës evropiane e botërore, e as si djep e serbëve, por për shkakun kryesor: të pasurisë së saj nën tokë.Kosova “flenë” në gjumë të rëndë mbi shumë minerale, të qymyrit, të arit, te ferro-nikelit, e kështu më radhë. Kosova, po ashtu, dhimbshëm e kalon kohën, foshnjat rritën në djep me ninulla të varfërisë, të mungesës së dritës elektrike,të ujit të pijshëm, të kujdesit të përgjithshëm, të mbrojtjes shëndetësore, të edukim-arsimit jo cilësor, dhe shumë të tjera kushteve për një jetë, pak a shumë, të ngjashme me atë në Evropë.Ari i Kosovës edhe sot shfrytëzohet nga Serbia,thëngjillin-pak kush e di, pse nuk nxirret nga toka për energji elektrike.Karaçica përmend se çfarë kishte thënë Ali Sukrija, dhëndër i Shaliqëve lidhur zbrazjen e maxhes së, shqiptarëve, kishte thënë shqiptarëve vrisni fëmijët, e të tjera. As akademikët e as kleri i tyre, nuk kanë nevojë të thonë se pas 25 apo 50 vjetësh serbët do të jenë pakicë në krahasim me shqiptarët e Kosovës.Kështu kishin paraparë para 20 vjetësh,por ndërkohë e kishin parë, se kanë gabuar në parashikime, dhe ja tash, po bëhet kjo dyndje masive e shqiptarëve, për fat të keq, jo vetëm e atyre nga Kosova, por edhe Shqipëria.Është ky një fenomen i projektuar më herët, për të penguar shtimin e popullsisë shqiptare në Ballkan, deri në shkallën e dominimit e faktorizimit të saj të plotë si potencial njerëzor dhe forcë për të pasur në vëzhgim tërë situatën e sigurisë dhe të stabilitetit të rajonit.( Dedë Mirdita).
Para disa ditësh e postova Pse jo edhe Gjakova? Çdo ikje e ka një shkas . aty është shti`si dhe bër`si . Këtyre ikjeve të fundit nuk po iu dijmë shti`sin . e bër`sit po i shofim . Të panumërt! Asnjë shifër nuk është e saktë .Po ikin ata që kan` por edhe ata që nuk kanë . Po ikin edhe iphona në duer , por edhe pa telefona hiq.Po ikin ata që kanë punë e që sa do pak fitojnë por po ikin edhe ta me 1-2 euro në ditë t`ardhura ditore për familje. Po ikin ! Por për qudi asnjë nga parlamentarët apo ish parlamentarët , nuk ikin. As ata me 4-5 vende të punës. Ikja nuk është krejt pasojë e varfërisë por nuk e po e dij se pse … se me e dijt e kisha thënë !
Por deshta të bëj një lidhje me ikjen në kohën së Rankoviqit ( vitet e 50 -ta) për në Turqi.
Arsye kishte , dhunë kishte por kishte edhe mashtrim ! Nejse qoft e kaluar. Po pse sot?
Pse atëherë për në Turqi nuk iknin masovikisht edhe nga Gjakova sikur iknin nga veriu i Kosovës ? Edhe sot e njejta ! (fxh) E Shqipëria në shërbim të kujt është? a po mos edhe ajo është pjesëmarrëse në këtë strategji konspirative ?
Fahri Xharra,12.02.15
Gjakovë
Po harrohen Kadri Roshi, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka dhe Violeta Manushi
Flet Kliti Roshi, djali i “Artistit të Popullit” Kadri Roshi: Më mirë vonë se kurrë, media po bën punën e vet/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Para disa ditësh, me rastin e 8 vjetorit të vdekjes së aktorit të madh Kadri Roshi, i biri i tij, Kliti Roshi, ishte ftuar në një emision televiziv ku midis të tjerave theksoi: Po harrohen korifenjtë e aktrimit shqiptar. Shteti asnjë përkujtim, asnjë aktivitet, asnjë takim me familjarët. Thjeshtë ata i kanë dhënë Shqipërisë dhe tani pushojnë në heshtjen e tyre të madhërishme. Këto ditë kanë pasur përvjetorët e ndarjes nga jeta shumë aktorë dhe këngëtarë të mëdhenj dhe askush nuk është kujtuar, sikur ata të ishin të rastësishëm në këtë jetë.
Ju në një televizion shprehët hapur indinjatën për harresën e figurave të artit shqiptar, sa e vërtetë është kjo dhe a është kujtuar Kadri Roshi në këto 8 vjet të ndarjes nga jeta?
Kadri Roshi vdiq më 6 shkurt 2007 në Tiranë, dhe të gjithë e dinë se çfarë nderesh i bëri populli shqiptar. Pra në një jetë të tërë në skenë, Kadriu solli pranë popullit të vet figurat historike, hallet dhe problemet e këtij populli të shumë vuajtur. Ai punoi dhe solli në art, më të mirën, më të dukshmen, atë që kudo bota e aktrimit e nderon. Kadriu nuk punoi për vete por për popullin shqiptar, për artin shqiptare dhe e ngriti në piedestal aktrimin shqiptar. Dua të jem korrekt, nuk them se është më i miri, por ishte dhe mbetet një ndër më të mirët, që jetën e tij e lidhi me skenën dhe sheshet e xhirimit.
Përkrah Kadri Roshit, cilin emër tjetër të aktrimit shqiptare do të vendosje?
Unë e theksova, që Kadriu nuk ishte artisti i vetëm që e lartësoi artin shqiptar. Ai këtë e ka theksuar dhe vetë, pasi ishte shumë tolerant dhe modest. Sa herë ai ishte pjesë e studiove televizive e theksonte se Shqipëria ka aktorë të kalibrit botëror. Dhe unë nën mësimet e tij dua të përmend se si Kadriu, po aq sa ai, ishin dhe Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Sandër Prosi e shumë të tjerë.
Ju theksuat se edhe ndaj tyre nuk është treguar asnjë kujdes, asnjë përkujtim.
Asnjë! E njëjta gjë. Askush nuk kujtohet për ta dhe pse ata me artin e tyre, me rolet e tyre, me interpretimin e tyre e kanë çuar vite më parë Shqipërinë në BE. Ata mbeten yje të aktrimit shqiptar, që dhe në kushte ekonomike të vështira kanë bërë art special, kanë përcjellë mesazhe të fuqishme atdhedashurie. Kjo është forca e artit, magjia e tij. Unë atë që përcolla në televizion e them të argumentuar. Çfarë është bërë për këta figura në këtë 5 vjeçar të fundit? Kush i ka kujtuar këta emra të rrallë të aktrimit shqiptar? Pse heshtet ndaj tyre? Kujt i intereson heshtja ndaj tyre? Unë nuk flas vetëm për babanë tim, por për gjithë atë plejadë aktorësh që e ngritën në vendin e merituar dramën, filmin dhe komedinë shqiptare.
Çfarë mund të bëhej në këtë rast?
Asgjë më shumë se një përkujtimore e thjeshtë. Kur këta korifenj të aktrimit kanë përvjetorë, është më minimalja që të organizohet në TK, ku ata kanë luajtur më shumë se 40 vjet, të mbahet një fjalë rasti dhe të ftohen mediat. Kjo do jetë në nderin e çdo qeverie, Ministrie Kulture apo të Teatrit Kombëtar. Duke i kujtuar ata, kujtohet historia e Teatrit, komedisë dhe filmit shqiptar. Në përkujtime të tilla arti shqiptar vetëm fitime do të ketë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 39
- 40
- 41
- 42
- 43
- …
- 70
- Next Page »