• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

Kadare, nderi i madh i kombit

February 10, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“Është edhe i suedezëve”- me tha ajo me një buzëqeshje të lehtë duke me lënë kuptoj se Ismail Kadare tashmë është shkrimtar shqiptar i gjithë botës. (Qerim Kryeziu , Sweden ).
Tregimtar, temë analizues dhe poet, Kadare perfaqëson piken më të lartë te literaturës Shqiptare dhe i cili, pa i harruar rrënjet e tij, i ka kaluar kufijtë për t’u ngritur si një zë universal kundër regjimit totalitar. Ai vleresohet si një ndër shkrimtarët dhe intelektualet më të medhënj të Europës të shekullit 20-të dhe veprat e tij jan’ përkthyer në permbi dyzet (40) gjuhë të huaja (v.k) Dhe mbi 40 popuj flasin shqip ; dhe mbi dyzet gjuhë shkruajnë shqip.Mrekulli kombëtare, dhe krenari kreshtare e një populli të vjetër.
“Shqipëria, udhëkryq dhe pike neuralgjike në mes të Lindjes dhe Perëndimit ishte gjithmonë e pranishme në Europë dhe rreth saj, me një gjallëri dhe identitet original të tij.
Të gjitha fytyrat e dashura historike të këtij populli , të gjitha paraqesin madhështinë morale e njrezore , paraqesin gjallërinë dhe stoicizmin e tij si popull- që nga Skënderbeu e deri tek Nënë Tereza , që nga heronjt arvanit e epirot të revolucionit grek ,të udhëhequra nga shqiptari Marko Boqari e deri tek Kadareja’ që nga të parët e Maqedonisë e deri tek jeniqerët dhe 23 vezirët e Imperatorisë Otomane , – e përbëjnë deshminë shpërthyese të pjesëdhënjës shqiptare në historinë e Ballkanit dhe të Europës.
( Livre d’Or d’auteurs français sur les Albanais ), Populli shqiptar , është një popull që me xhelozinë më të madhe është i lidhur me lirinë e tij dhe si i tillë është një faktor i domosdoshëm për baraspeshën ballkanike dhe ate europiane
Gjallëria , identiteti dhe individualiteti i shqiptarit të djeshëm dhe të sotëm , pranohet nga të gjithë miqt tanë.. Nga i buron zëri dhe shpirti i tij që sillet si një forcë centrifugale . për të dhënë me mish e me shpirt si për të tjerët ashtu edhe për vete.
Shqiptari shkon largë na vetja e tij sepse duke e urrejtur shtypjen dhe duke e pasur në zemrën e tij lirinë , në mbijetesë e tij si prometheane ashtu edhe sizifiane. ka qenë i detyruar të shperngulët dhe dhe të shpërthen kufinjt e robërisë duke e dhënë kështu jetën e tij për të arrijtur atë pak që e ka sot/
Dhe nga ky popull lindi Ismail Kadare , , i cili me penën e tij i përshkroi virtytet e larta të shqiptarëve gjatë shekujve ,dinjitetin , krenarinë dhe shpirtbardhësinë e shpirtit të tij e në të njejtën kohë duke i dhënë vend edhe mjerimit të tij dhe dhimbjen në tragjikën e përjetuar . Jehona e historisë , barbaritë e kohërave dhe ethet e mbijetesës ndjehen dhe përjetohen në shkrimet e Kadares, ku nga aty shkëlqen me të gjithë forcën e tij shpirti flakërues e plotë zjarrë dhe i pa lëkundur i një populli më të vjetër të Europës.
Kadareja ndër të tjera për shtypin izraelit, thotë: “Të dyja vendet tona sidoqoftë, vazhdimisht përballen me rrezikun e shfarosjes. Ato jetojnë me rrezikun, me ankthin nga shfarosja.”
“Both countries, however, always face the “threat of disappearing,” he said. “They live with the threat, the anguish, of disappearing.” http://www.timesofisrael.com/albanian-author-of-muslim-origin-wins-book-fair-award

Fahri Xharra, 09.02.15 , Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, i Kombit, Kadare, nderi i madh

PROJEKT – LIGJI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT

February 10, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
Mbas shumë vitesh përpjekjesh për të miratuar një ligj mbi trasparencën në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit na paraqitet nga Qeveria aktuale një projekt-ligj “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Në relacionin mbi projekt-ligjin, të datës 6 janar 2015, thuhet : “Nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti shumë të madh bashkëpuntorësh dhe të përdorimit të metodave antiligjore dhe antinjerëzore, Sigurimi i Shtetit ka mundur të terrorizojë, të manipulojë, të dekurajojë, të torturojë, të dënojë, të internojë, të ekzekutojë, të shtypë dhe të dhunojë të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve shqiptarë.”
Është një pohim shumë i rëndësishëm, mbasi sjell një të vërtetë të pakundërshtueshme mbi natyrën dhe karakterin e regjimit komunist shqiptar, si një regjim terrorist i cili, nëpërmjet organit të tij më shprehës, Sigurimit të Shtetit, e ktheu Shqipërinë në një kamp të stërmadh, ku nuk ekzistonte asnjë liri individi apo e drejtë njerëzore e ku viktimat e dhunës, për frymë poullsie, kalonin shifrat e secilit Vënd të Lindjes komuniste evropiane. Duke mbajtur parasysh se Sigurimi i Shtetit nuk ishte një organizëm i huaj në Shtetin komunist, por “dora besnike” dhe “syri vigjilent” i saj, gjithmonë nën drejtimin epror të partisë komuniste e drejtuesve të saj me Enver Hoxhën në krye, përfundimi logjik është se ajo parti mbeti, deri në fundin e saj, e njëjta parti terroriste, e themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, besnike e përjetëshme e parimeve diktatoriale të komunizmit primitiv të markës staliniane.
Historia e përpjekjeve për t’i dhënë shqiptarëve një ligj që duhej t’i jepte mundësi hyrjeje atyre në sekretin e dosjeve të ish-Sigurimit, është e pasur në dështime, sa që sot jemi i vetmi Vend ish komunist, krahas Rusisë, që nuk e kemi. Shpjegimi duhet kërkuar në një farë strategjie, që i ka shërbyer klasës politike pas komuniste për të ruajtur kontrollin e plotë mbi jetën administrative e politike të Vendit, kryesisht në shmangien e pjesëmarrjes në to të elementëve të padëshiruar, të cilët mund të frenoheshin nëpërmjet vendimesh që buronin nga “fshehtësia e dosjeve”, para të cilave qytetari ishte krejtësisht i pafuqishëm të mbrohej e të nxirrte në dritë të vërtetën e tij.
Duke mbajtur parasysh këto konsiderata mendoj se projekt-ligji qeveritar, nëse kthehet në ligj, është një hap i madh përpara, në drejtim të trasparencës, qoftë përsa i përket mundësisë që i jep viktimave të dhunës së ish Sigurimit të njohin bashkëpuntorët e tij në fatkeqësinë e tyre, ashtu sikurse i shërben edhe imazhit të Vendit, që do të rradhitej, edhe se i fundit, në shtetet e tjera të Evropës ish socialiste. Gjatë gjithë këtyre viteve është përkrahur nga nismëtarë të ndryshëm mendimi se ky lloj ligji duhej të ishte një mbiligj, i cili duhej të përfshinte brënda të gjithë krimin komunist, të personifikuar në ish Sigurimin e Shtetit, zbardhjen e tij e njëkohësisht edhe masat e penalizimit që duhej të rridhnin nga trasparenca mbi të, në drejtim të Shtetit, institucioneve dhe personelit të tyre. Trasparenca dhe lustracioni duhet të shkriheshin në një ligj të vetëm i cili, për arsye të ndryshme, nuk arriti kurrë të shohë dritën. Këmbëngulja për të vazhduar përsëri me atë kërkesë, pa vënë në dyshim vullnetin e mirë të mbështetësve, nuk më duket se tregon realizëm politik, mbasi siç ndodhi në 2008, përsëri mund të pësojë të njëjtin fat, duke u hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përkrahur nga Komisioni i Venecias. Një gjë e tillë nuk i shërben ish të dënuarve të diktaturës, për të cilët ka më shumë rëndësi të mësojnë se cilët kanë qenë ata që i kanë “shitur” tek ish Sigurimi, duke ndihmuar në përcaktimin e fatkeqësisë së tyre dhe të familjeve, se sa nëse X apo Y janë në ndonjë funksion shtetëror.
Lustracioni, aq shumë i lakuar në këta vite duhet të ishte realizuar, së pari, mbi ish kadro të lartë të fazës së fundit kamaleontike të regjimit komunist të cilët, në projektin e kalesës ramiziane, u caktuan në role drejtuese në partitë e ndryshme. Emrat e funksionet e tyre janë të njohur për të gjithë, nga ish ministra tek ish kryetarë gjykatash, nga ish diplomatë tek ish funksionarë të Sigurimit, por nuk mbaj mënd ndonjë protestë të veçantë për raste të tilla. A kishte nevojë për të parë dosjet e paqena të tyre për të kërkuar largimin e tyre nga politika ?
Projekt-ligji qeveritar e shkëput lustracionin nga trasparenca. I parë në këndvështrimin e mësipërm është një ligj gjysmak, i ngjan gotës së ujit përgjysëm, që për dikë është plot e për dikë bosh. Si ish i dënuar i ndërgjegjes, pa dashur të përfaqësoj askend, veç vetes, mendoj se plotëson kërkesën kryesore që është : “të gjithë qytetarët e prekur të njihen me përmbajtjen e dokumentave të krijuara rreth tyre nga ish Sigurimi i Shtetit.”, thuhet në relacionin shoqërues. Në të njëjtin relacion, në lidhje me mundësinë e punësimit në funksione drejtuese të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit thuhet shprehimisht : “ Në ndryshim nga ligjet e mëparëshme me këtë objekt, ndërsa e zbardh të gjithë veprimtarinë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit për një kategori të gjërë personalitetesh të politikës dhe administratës shtetërore, ligji nuk sanksionon në mënyrë esplicite papajtueshmërinë e ish bashkëpuntorëve me funksionet aktuale përkatëse që ata mund të mbajnë në administratë. Kjo nuk do të thotë se ligji e lejon ushtrimin e funksioneve publike nga ish bashkëpuntorët, por ai e le këtë çështje në juridiksion të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.”
“ Duke iu shmangur dispozitave ndaluese, ligji e le në dorë të institucioneve përgjegjëse që të hartojnë legjislacion apo akte të tjera rregulluese, në të cilat të përcaktohen ndalesa eventuale për ushtrimin e funksioneve publike nga bashkëpuntorët e ish-Sigurimit të Shtetit.”
Ky problem mbetet për t’u zgjidhur nga një tjetër ligj dhe aktet nënligjore pasuese. A ekziston tek ligjvënësi vullnet për të përballuar problemin ? Askush nuk mund të japë siguri në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë të mos pranohet ligji i parë, duke i vënë kusht sine qua non ligjin e dytë. Edhe në rastin më të keq, mbas miratimit të projekt-ligjit në fjalë mund të vazhdojë beteja për ligjin e dytë, atë të lustracionit.
“Zgjidhja e parë radikale do të ishte që dosjet e Sigurimit të hapen në tërësinë e tyre pa asnjë përjashtim, që do të thotë se qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë arritur moshën madhore t’i gjejnë diku këto dosje dhe t’i lexojnë lirisht dhe falas, ashtu siç lexohen librat në një bibliotekë publike.” Hasa një pohim të tillë të çuditshëm në një shkrim të ditëve të fundit. Mos e dhëntë Zoti të sendërtohet një mundësi e tillë që përfytyrohet nga autori i shkrimit. Ata dokumenta nuk janë romane për të argëtuar lexuesit, por dëshmi dramash e tragjedish të shumë mijra njerëzish. Si të tilla nuk mund të jenë objekte panairi në shitje për këdo. Mbi to duhet të ruhet privatësia, siç e parashikon projekt-ligji. Secili duhet të jetë në zotërim të së fshehtës së tij, të cilën vendos ai me ndërgjegje të plotë nëse don t’a bëjë të njohur.
Por projekt-ligji a ka nevojë për ndryshime ? Në të gjej dy nene të cilët mendoj se duhen rishikuar. Neni 3, pika 4, gërma “c” konsideron bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit cilindo që “ka deklaruar gatishmërinë për të dhënë informacione ish Sigurimit të Shtetit”. Në këtë kategori, të formuluar në këtë nen, hyjnë të gjithë ata që kanë firmosur një deklaratë të pregatitur nga oficerët e ish Sigurimit. Ligjvënësi duhet të mbajë parasysh terrorin fizik e psikologjik të jashtzakonshëm që është ushtruar mbi t’ashtuquajturit “armiq të klasës”, apo dhe të tjerëve qytetarë shqiptarë për të rekrutuar njerëz në shërbim. Nëse ajo deklaratë nuk pasohet nga një veprimtari e ndërgjegjëshme në dhënie informacioni, por mbetet vetëm një copë letër e firmosur kush e di se në çfarë kushtesh, nuk duhet të përbëjë n’asnjë mënyrë akuzë bashkëpunimi. Në këtë drejtim mendoj se ajo pikë duhet të riformulohet.
Neni 22, që trajton “E drejta për informimin e t’afërmëve të të vdekurve apo të zhdukurve, në pikën 5 thotë : “Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.” Më duket e pamundur që një njeri, para ekzekutimit, të kujtohej të linte me shkrim një pohim të tillë. Edhe se mund të ketë pasur ndonjë rast të tillë, përgjithësimi në ligj më duket se le shteg për spekullime, prandaj mendoj se duhet të rishikohet edhe kjo pikë e këtij neni.
Këto ishin dy vërejtje që më ranë në sy në leximin e projekt-ligjit, miratimi i të cilit do të plotësonte një zbrazëti në legjislacionin tonë pas diktatorial e do të ngushtonte, sado pak, hendekun ndërmjet klasës politike e qytetarëve, sidomos viktimave të dhunës komuniste. Projekt ligji parashikon informimin e plotë me emër e mbiemër të bashkëpuntorëve. Nëse ligji do të ndryshohej, në dobi të pseudonimeve apo inicialeve, do të ishte një tjetër mashtrim i madh, një tallje e papranueshme. Nëse Kuvendi i ynë do të merrte përsipër një turp të këtillë, do të dëshmonte paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit të klasës politike për të vepruar në dobi të një zhvillimi qytetërues të shoqërisë sonë, duke dekretuar dështimin e saj të plotë e vazhdimësinë me mendësinë e diktaturës.
Shkurt 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: E INFORMIMIT, Eugjen Merlika, PËR TË DREJTËN, PROJEKT – LIGJI

4 – 11 SHKURT 1945- JALTA DHE “PËRANDORIA E SË KEQES”

February 10, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
70 VJET NGA JALTA…/
“Ju jeni të rijë dhe njëditë keni me mërrijtë me pa se shka u ba me Shqipninë ato ditë të zeza të Shkurtit të vitit 1945, në Jalta…Ku, Rusvelti, Stalini dhe Çërçilli, firmosën robninë e Shtetit Shqiptar nën Jugosllavinë komuniste të Titos, me pelqimin e Enver Hoxhës…”
Këto ishin fjalët e njerzëve të dijtun, që mërrijtën me e kuptue robninë e ré mbas vitit 1944, kur në gjithë Europën popujt e shpartalluem nga Lufta e Dytë Botnore andrronin paqen dhe shtetin e lirë demokratik… Po, kurrë…, fshimjen nga harta e Europës!
Ishte PKSH që luftoi, punoi dhe krijoi kushtet që Shteti Shqiptar të fshihej nga Jalta!
Robninë sllavokomuniste të Titos, Partia Komuniste Shqiptare, me 29 nandor 1944 e quejti “çlirim” i Shqipnisë! Partizanët “çlirimtarë” me yllin e kuq në ballë, zhigatën edhe Flamurin e Gjergj Kastriotit me atë “yll të zi”, tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”
Oficerët anglezë dhe ata amerikanë që ndihmonin forcat partizane në Shqipni, vetem premtonin se do të këthehemi… E ajo ditë që nuk erdhi kurrma, lidhej me stinën kur të “fillonte me dalë gjethi i fikut…” Por, dimni bolshevik, thau edhe barin e fushave…
U vertetuen të gjitha parashikimet…Të Parët tanë vdiqën tue ba “Punën e Pendimit”, që kishin lindë fëmijë në këte Tokë të “mallkueme”, ku provohej vetëm fjala “robni”…
Presidenti i Madh Amerikan Ronald Reagan, e quejti “Përandoria e së keqes” krejt atë pjesë të Europës fatzezë që vazhdonte që në vitin 1944 – 45, me kenë nën robni e dhunen e pamëshirshme të diktaturës komuniste staliniste, ku bante pjesë edhe Shqipnia!
E po, mos ta shpartallonte Presidenti Reagan me Papen Gjon Pali II, robnia vazhdonte…
Vendimet e konferencave të Teheranit (1943) dhe ata të Jaltës (1945), u dyllosen permbi 40 vjetë, dhe as nuk u botuen asnjëherë, jo per arsye sekreti, as frike, nga ana e vetë shteteve nënshkruese, po vetem, per arsye “turpi” të vendimëve robnuese që kishin nenshkrue në emnin e Fuqive ma të mëdha të Botës, Amerikës, Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik. Konferenca e Jaltës i “dhuroi” diktatorit sovjetik Stalinit, disa miljon skllavë!
Per me kuptue ma kjartë kush ishte Rusvelti, do të Ju paraqes një thanje të tij: “Mendoj se ai (Stalini shen. im) është përfaqësues i vërtetë i zemrës dhe shpirtit të Rusisë; dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtetë shumë mirë.” (H. Kissinger, Diplomacia, faqe 413.) Besoj, nuk ka nevojë për koment!
Çërçillit i dukej vetja në Kongresin e Berlinit kur fliste per Ballkanin… Dinte se aty asht edhe Greqia!! Per tjerat vendosnin Rusvelti e Stalini, dy “miqtë e mëdhej” të Jaltës…
Mendimet e tyne per shtetet që po dilnin nga lufta bazoheshin vetem nder premtime për zgjedhje të lira, qeveri demokratike në Europen Lindore përveç Jugosllavisë e Shqipnisë.
Mbas plot 20 vjetësh në krye të shtetit diktatorial komunist në Bashkimin Sovjetik, nga viti 1924 e deri në Shkurt 1945, kur Stalinin e njihte gjithë Bota, përveç Rusveltit dhe Fan Nolit (që e vizitoi dy herë Rusinë bolshevike – 1927dhe 1930), mbas Konferencës së Jaltës që u zhvillue në një ndertesë përballë Detit të Zi, “ngjyra e zezë” e Detit, siduket, errësoi trunin dhe pamjen e Presidentit Rusvelt deri aty, sa ai tha për Stalinin: “Ai kishte diçka tjetër përbrenda, përveç asaj revolucionares dhe bolshevikes…Mendoj se diçka futej në natyren e tij, lidhur me mënyrën si duhet të sillej një fisnik i krishterë.” (Diplomacia, fq. 417) Asht kenë perdorë në Shkoder një shprehje nga të vjetrit: “Shyqyr që nuk kam vdekë mbramë, pa e lexue edhe këte marri!” Na ruej Zot, nga truni sifilitik!
Stalini ka shkelë përditë marveshjet e Jaltës, futet ku i shkon mendja…Pushton Poloninë, vret, masakron ke dyshon…Shfarosë pa frikë mija e mija polakë, çekë, letonezë apo estonezë… dhe Çërçilli, i shkruen një letër “mikut tim Stalin”, ndërsa Rusvelti, deri diten që vdiq i shkruente “I dashur shoku Stalin!”…Stalini, i përgjegjët atyne pa pikë turpi: “Në qeverinë polake duhet të sillen vetem ata përsona, që kanë shprehur aktivisht një qendrim miqësor ndaj Bashkimit Sovjetik dhe që janë të gatshëm, ndershmërisht dhe sinqerisht për të bashkëpunuar me shtetin sovjetik.” Ky ishte kriteri i vendosjes së qeverive në të gjitha shtetet satelite të sovjetikëve të tiranit Stalini i “math”, mbas Luftës së Dytë Botnore. Ndersa, mbas Jaltës Stalini, me plot gojë shfaroste njerzit si mushkajat!
Vetem tradhëtarët e Atdheut që pranonin robninë sllavokomuniste bolshevike, vdisnin tue thirrë: “Rroftë babai Stalin!”. P.K.Shqiptare e themelueme nga jugosllavët e Titos me 8 nandor 1941 në Tiranën e Haxhi Qamilit, ashtusi Enver Hoxha, i plotsonte të gjitha kerkesat e Stalinit per qeverisje: “gatishmëninë, ndershmërinë dhe sinqeritetin per të bashkëpunuar me shtetin sovjetik”!! Ik një e eja tjetri ma tradhëtarë se pararendësi!
Enver Hoxha plotsonte të gjitha kushtet per fshimjen e Shtetit Shqiptar nga Harta!
***
Që në vitin 1920 kishte lanë një porosi Poeti ynë Kombtar At Gjergj Fishta, të cilën e këndonte Rinia Shkodrane, derisa në vitin 1945 filloi me mbushë 26 burgjet komuniste:
O Perëndi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lanë pa Atdhé,
E Ti rri e gjuen me rrëfé
Lisat n’ për male kot…
O Zot i Madh i Ushtrive!
Shueje ket tokë barbare,
Qi kaq nji frotë tradhëtare
Rritka n’ ketë t’ mbramin mot.
Këtu kafshata e bakëqijvet
Kenka i drejti. Tradhëtari
Po, mund’ u lëkundka n’ ari
Pa drashtë as njeri, as Zot!
(At Gj. Fishta O.F.M. “Juda Makabe” fq. 28)
Melbourne, Shkurt 2015.
* Ne vijim te rubrikes:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: 4 – 11 SHKURT 1945- JALTA, DHE “PËRANDORIA, E SË KEQES”, Fritz radovani

I DASHUR AT I SHENJTË, JU LUTEM NJIHENI PAVARËSINË E KOSOVËS…

February 10, 2015 by dgreca

…. DHE PRANONI VISAR ZHITIN AMBASADOR NË VATIKAN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
I dashur Papa Françesk,/
Po ju drejtohem me një lutje të dyfishtë sepse kam besim tek Ju Ati i Shenjtë. Besimin që na e ka shuar politika, na e keni ringjallur Ju. Ju keni sjellë në botë një erë të re shprese. Pavarësisht se cilit besim i përkisni, pavarësisht se cilit besim i përkasim, se cilës race i takojmë, të çfarëdo etnie apo religjioni qofshim, Ju na keni ringjallur shpresën për drejtësi, pasi njeriu dhe njerëzimi nuk mund të ekzistojnë pa të drejtat e tyre legjitime, ndërsa ne të gjithë jemi bijtë e Zotit.
1.Për ne Shqiptarët Ju At i Shenjtë jeni vijues i rrugës së Paqes që hapi e përshkoi Papa Gjon Pali II, i cili mori pjesë aktive në ndryshimin e historisë në favor të lirisë e njeriut, siç ishte përmbysja e sistemit komunist që mbështetej në terrorin e diktaturës dhe shkeljen e të drejtave njerëzore, duke shkaktuar miliona e miliona viktima, njëjtaz si nazizmi. Papa Vojtila ishte shumë i afërt me Nënë Terezën, Nënën shqiptare të gjithë të përvuajturve të botës, e bekuar nga Kisha Katolike në pritje të Shejtërimit të saj.
Ju jeni vijues i Papa Vojtilës, i cili pavarësisht se shqiptarët e Kosovës ishin me shumicë myslimane, Papa Gjon Pali II u lut për shqiptarët dhe kërkoi ndaljen e kasaphanës së fundit të ish-Jugosllavisë.
Ju Ati i Shenjtë në qershor, ju qoftë udha e mbarë, do të vizitoni një tjetër vend mysliman, Bosnjen që ka përjetuar një tragjedi të paparë prej indiferencës njerëzore.
Shën Françesko i Assisit thotë: „Filloni dhe bëni çfarë është e nevojshme, pastaj çfarë është e mundshme dhe papritmas ju do të bëni të pamundurën.” Pra Zoti i ka dhënë mundësi njeriut të bëjë të pamundurën për të ndalur vuajtjen dhe njeriu nuk po e bën këtë detyrë të vetën. E Ju Ati i Shenjtë po i tregoni rrugën njeriut, që e ka humbur, sepse synon të pasurohet, pa iu bërë vonë se në çdo sekondë një fëmijë vdes, ngaqë nëna që e sjell në jetë nuk ka me se ta ushqejë, ndërsa tonelata e tonelata me ushqime që mund të ngopnin me miliona e miliona barqe të uritur përfundojnë në plehra!
Në konfliktin e 1998-1999, Perëndimi arriti të ndalte spastrimin etnik dhe vrasjet masive e kështu banorët e Kosovës patën mundësi të rikthehen në vatrat e tyre, me shpresë për të mjekuar plagët e trupit e shpirtit dhe për të rifilluar jetën.
Megjithatë, pas çlirimit, Kosova e njohur nga 109 shtete të mbarë botës dhe nga pothuaj të gjitha anëtaret e BE, nuk është njohur ende si shtet i pavarur nga Vatikani. Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Sepse shqiptarët kanë patur historikisht marrëdhënie të shkëlqyera me Vatikanin. Mjaftojmë të kujtojmë Skënderbeun, Atletin e Krishtit dhe mbrojtësin e Krishtërimit.
Një lidhje të pazgjidhëshme mes Vatikanit dhe Shqiptarëve ka krijuar – mjafton këtu të përmendim – Perandori Konstandini i Madh i njohur si Shën Konstandini (Flavius Valerius Aurelius Constantinus Augustus 272 AD – 22 May 337 AD), me origjinë ilire, i cili e ka njohur i pari krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake.
Pastaj, Shqipëria e Kosova janë shtete europiane dhe me Vatikanin janë larg vetëm 1 orë me avion.
Mosnjohja e Kosovës po shkakton një dramë të re për këtë shtet të ri, që për nga mosha është më i riu në Europë, që do të thotë se ajo është e populluar më së shumti nga rinia, ky është bekim i Zotit, por që nuk ka me se t’i ushqejë ëndërrat dhe shpresat, sepse aty papunësia shkon në 70% e për rrjedhojë të kësaj gjendjeje dramatike, nga Kosova ka filluar një valë e re eksodi, kësaj here jo nga Milosheviçi, por nga diktatura e frikës prej varfërisë.

Sot Kosova është një Geto në zemër të Europës dhe njohja e pavarësisë nga Vatikani, do të ishte shumë e rëndësishme për fatin e popullit të Kosovës. Andaj Ju lutem At i Shejtë që ta kryeni këtë akt shtetëror, njerëzor e Hyjnor.

Po të ishte gjallë Papa Vojtila, ai do ta kishte njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Dhe Ju jeni vijues i udhës së Tij të ndritur nga Zoti.
Kjo njohje do të ishte në të mirë të Paqes dhe të drejtave njerëzore.
2.I dashur At i Shejtë,
Ashtu si Ju e dini, Shqipëria është vendi që gjatë Luftës të Ftohtë ka përjetuar një diktaturë mizore dhe shqiptarët janë martirë të persekutuar edhe për arsye të ideve të tyre, edhe për arsye të besimit të tyre.
Gati 22 vjet më parë, në homazh të vuajtjeve të shqiptarëve dhe tolerancës fetare, më 25 prill 1993 Shqipërinë e vizitoi Papa Gjon Pali II, ashtu si do ta na nderonit edhe Ju At i Shenjtë me vizitën Tuaj më 21 shtatorin e vitit 2014.
Të dyja vizitat janë historike, jo si një akt formal, por si një lidhje midis shtetit tuaj, Vatikanit dhe shtetit tonë, Shqipërisë.

Nga ana tjetër, midis Shqipërisë dhe Vatikanit po mbushen 25 vjet nga dita e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa riorganizimi i Kishës Katolike në Shqipëri rifilloi më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së Tij në Shqipëri i dhuroi Kishës Katolike të martirizuar nga diktatura hierarkinë e re të pasdiktaturës që niste me katër ipeshkvij të rinj shqiptarë, ish-të burgosur në burgjet e diktaturës. Ata ishin Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni që sot nuk jetojnë më, dhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Shqipërisë, ndërsa më 26 nëntor 1994 Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II emëroi Kardinalin e parë shqiptar Mikel Koliqin, po ashtu i mbijetuar i burgjeve dhe torturave komuniste. Edhe Kardinal Koliqi ka kaluar në Amshim.
Më 2006 Papa Benedicti XVI, pas vdekjes të Ipeshkvijëve shqiptarë, duke vijuar me riorganizimin e hierarkisë të Kishës Katolike në Shqipëri emëroi katër ipeshkvij të rinj. Ata ishin: Imzot Dodë Gjergjin, Imzot Ottavio Vitale, Imzot Cristoforo Palmieri dhe Imzot George Anthony Frendo. Nga dhjetë Ipeshkvij që ka sot Shqipëria, vetëm katër janë shqiptarë, tre prej të cilëve janë emëruar nga Papa Vojtila. Emërimet e Ipeshkvijve shqiptarë nga Papa Vojtila, janë bërë në homazh dhe nderim të katolicizmit shqiptar. Por me ikjen në Amshim të tyre, ipeshkvijtë shqiptarë janë zëvendësuar me Ipeshkvij jo shqiptarë.
Unë mendoj se katolicizmi shqiptar gjithmonë është dalluar për nga vlerat dhe përkushtimi ndaj Zotit, Atit të Shenjtë dhe popullit, prandaj e meriton hierarkinë e lartë.
3.I dashur Papa Françesk,
Nëse Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni dhe Kardinal Mikel Koliqi sot do të ishin gjallë, ata njerëz të përndritur do t’i tregonin Shenjtërisë Tuaj se kishin qenë në burgjet e diktaturës bashkë me poetin, shkrimtarin dhe diplomatin Visar Zhiti, kandidatura e të cilit si Ambasador në Vatikan, sipas shtypit shqiptar, që citon Imzot George Frendon të ketë thënë se Vatikani „do një Ambasador katolik jo mysliman“, nuk ka qenë e mirëpritur.
Ky lajm ka shkaktuar trishtim në opinionin shqiptar, për faktin se marrëdhëniet mes dy shteteve tona nuk janë fetare, pasi, siç dihet, Shqipëria është një shtet laik, që respekton shtetin e Vatikanit, katolicizmin dhe çdo besim fetar prandaj Ju At i Shenjtë gjatë vizitë Tuaj në Shqipëri na thatë me të drejtë se “Populli fisnik shqiptar meriton respekt dhe admirimin sepse është shembull i tolerancës fetare”.
Dhe kjo është e vërteta si drita e diellit. Ne e kemi tolerancën në gjak, por shtetin e kemi sekular, pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është katolik dhe katolikët përbëjnë 10% të popullsisë. Katolikë i kemi patur dy Kryetarë të Kuvendit të Shqipërisë, njëri martir i lirisë dhe Mandela i Europës, z. Pjetër Arbnori dhe tjetra zonja Jozefina Topalli.
Prandaj, ju lutem i Përndrituri At i Shenjtë pranojeni Visar Zhitin, poetin e burgosur nga diktatura, i cili ka përkthyer aq mjeshtërisht poezitë e Papa Vojtilës, që të ketë nderin e të jetë Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, sepse e meriton këtë nder. Ju lutem gjithshtu që ta mbani gjithmonë derën e hapur për çdo shtetas shqiptar, i cilit do besim qoftë, pasi çdo qytetar shqiptar e vlerëson Vatikanin dhe rolin Tuaj.
Sepse përndryshe toleranca fetare si do të kuptohej.
4.I dashur At i Shejtë,
Në marsin e vitit 1993, bashkë me bashkshortin tim dhe dy kolegë, të katër gazetarë myslimanë nga Shqipëria na priti në Vatikan në audiencë dhe na dha bekimin Papa Gjon Pali II. Ky bekim më shoqëron në jetën time si njeri dhe gazetare, më ndriçon rrugën dhe më kujton gjithmonë atë sentencën tjetër të Shën Françeskut që thotë se: „Nëse Zoti mund të veprojë përmes meje, Zoti mund të veprojë përmes çdokujt!“.
Me vete mbaj gjithmonë një Shën Mëri që ma ka dhuruar Nënë Tereza, edhe ajo më ka bekuar dhe më ka treguar rrugën për të shkuar tek e vërteta.
Të qënit myslimane, paçka se nuk jam praktikante, s’më pengon kurrë t’i lutem Zotit në Kishën Katolike që e kam pranë banesës time, s’më krijon asnjë pengesë që t’Ju besoj Ju me gjithë shpirt se do të vijoni rrugën e Papa Gjon Palit II, në të mirën e përbashkët të gjithë Njerëzimit, sepse ne na bashkon të gjithëve i njëjti Qiell dhe njëjti Zot.
Po kështu, të qënit myslimane ma forcon dëshirën që një ditë të bekuar t’Ju takoj i dashur Ati i Shejtë, si i dërguar i Zotit në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, për të ndihmuar Njerëzimin që ndodhet në ditë të vështira.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, I DASHUR AT I SHENJTË, JU LUTEM NJIHENI, pavaresine e Kosoves

Kadare në Jerusalem: Nuk është mëkat të bësh letërsi edhe në kohë të mbrapshta

February 9, 2015 by dgreca

Ismail Kadare ka marrë sot çmimin më prestigjioz për letërsi në Izrael “Jeruzalem Prize”. Çmimi, shkrimtarit më të njohur shqiptar i është dorëzuar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Librit që po mbahet atje.
Më poshtë po e sjellim të plotë fjalimin e Kadaresë.
Është bërë pothuajse zakon që shkrimtari ose artisti, kur merr një çmim prestigjioz, në fillim të fjalës së rastit, në qoftë se të tillë do të ketë, të thotë diçka për çastin e parë kur e mori vesh lajmin.
Mendoj se nuk ka ndonjë arsye të veçantë për këtë. Thjesht është gjithmonë më e lehtë të fillosh në këtë mënyrë një fjalim. Dhe kështu ndodh që fituesi, duke nisur nga befasimi përfundon te modestia, shpesh e panevojshme. Kam përshtypjen se shkrimtari mund të befasohet ngaqë merr një çmim, po aq sa ç’mund të befasohet tjetri që nuk e merr.
Megjithatë, pa kërkuar të tregohem origjinal, po e pohoj sinqerisht se, kur më lajmëruan për çmimin “Jerusalem”, ndjesia e parë pas kënaqësisë, ka qenë ajo e surprizës. Befasimi lidhej me motivin e lirisë, që e kushtëzonte, si temë kryesore, këtë çmim. E dinin vallë zotërinjtë e jurisë që shkrimtari i laureuar, më saktë, vepra e tij, kishte një problem me lirinë?
Më duhet të pranoj se pyetja tingëllonte më shumë se naive. Unë isha shkrimtar, pra një murg i letërsisë, ndaj ishte e natyrshme të kisha një lidhje pozitive, harmonioze me lirinë. Problemi ishte thjesht i natyrës së rrokshme, bazike: po merrja një çmim të madh për lirinë në letërsi, në kohën që gjysma e veprës sime nuk ishte shkruar në liri, por në robëri (non liberté).
Pas rënies së komunizmit, për ne shkrimtarët që kishim jetuar në kohën e tij e tani po kalonim në një kohë tjetër, pyetjet dramatike tingëllonin shpesh naive, dhe e kundërta, naivet, ktheheshin në dramatike.
E tillë do të ishte, për shembull, pyetja se si do të quhej letërsia e kohës së totalitarizmit? Do të quhej ashtu siç ishte bërë zakon: letërsi e realizmit socialist, apo do të gjendej një tjetër emërtim? Dhe kryesorja: si do të vlerësohej ajo? Si diçka që kishte rënë bashkë me diktaturën? Si diçka e panevojshme, njëfarë nënletërsie, që do të kujtohej vetëm si kureshti?
Rrjedhimisht, pyetje të ngjashme do të shtroheshin për ne, shkrimtarët që kishim bërë letërsi në atë kohë të gabuar. Gjatë kohës së regjimit totalitar nuk besoj se ka pasur ndonjë shkrimtar që nuk ka bërë, qoftë dhe një herë të vetme, hamendësimin se si do të shkruante në qoftë se do të jetonte në liri? Hamendjet ishin të larmishme. Nga ata që ishin të sigurt se po të ishin të lirë do të shkruanin perla, gjer te shumica, e cila, duke mos shkuar gjer te perlat, mendonte se, sido që të vinte puna, diçka më të mirë do të bënin.
Ne nuk besonim se komunizmi do të binte në gjalljen tonë.
Dhe ja, mrekullia ndodhi. Komunizmi ra. Dhe ne u gjendëm në kohën tjetër. Një specie e veçantë shkrimtarësh, e huaj, e frikshme, ndoshta e panevojshme.
Tërheqja nga skena ishte mendimi i parë që vjen në kësi rastesh.
Kur një diktaturë bie, të shumtë janë ata që, duke bërë të habiturin, turren të shpjegojnë se si erdhi puna që kjo diktaturë e frikshme u vendos. Dhe kush ishin fajtorët për këtë.
Shkrimtarët shqiptarë u gjendën nën një stuhi qortimesh të llojit: më mirë të kishit heshtur se të shkruanit. Ose, të kishit rënë në burg. Për të mos thënë më të keqen: më mirë të kishit vdekur.
Më kot ngriheshin zërat për të sqaruar se një diktaturë nuk e sjellin dhe as nuk e rrëzojnë romanet dhe vjershat. Se të bësh letërsi nuk është mëkat. Se nuk është mëkat në asnjë vend. Dhe në asnjë kohë, sado e mbrapshtë të jetë ajo.
Bota perëndimore, e cila herë pas here ndiqte zhvillimet në Shqipëri, sidomos pas shkëputjes së saj groteske nga kampi socialist, kishte dhënë qartësisht shenjat se letërsia dhe artet shqiptare, ndonëse të rralla e të pakta, ishin i vetmi prodhim pak a shumë normal dhe pozitiv që jepte ky vend. Megjithatë, vlerësimi i asaj që quhej “botë e lirë” nuk luajti rolin që duhej në Shqipëri. Mendimi se letërsia shqipe e kohës së komunizmit duhej fshirë nga historia, zotëronte. Paralelisht me të zotëronte shpresa se tani, falë lirisë, do të krijohej vetvetiu një letërsi e paparë ndonjëherë. Për çudi, vetë shkrimtarët u përfshinë nga ky iluzion, nga kjo pritje e mrekullisë.
Por mrekullia vononte.
Gjersa një ditë ndodhi zbulimi i madh. Mrekullia po ndodhte në sytë tanë, por ne ishim të paaftë ta kapnim.
Mrekullia ishte vetë fakti që mrekullia e pritur nuk po ndodhte.
Që letërsia vazhdonte t’iu bindej ligjeve të saj. Që ajo ishte shpërfillëse ndaj kohës.
Që robëria nuk kishte fuqi ta prishte. Madje vetë liria, gjëja më sublime në botë, ishte e aftë të përmirësonte gjithçka, me përjashtim të letërsisë.
Shkurt, letërsia ishte e pavarur. Ajo mund të gjykohej vetëm sipas ligjeve të saj. Sipas këtyre ligjeve, përgjegjësinë për fatin e letërsisë e mbajnë shkrimtarët vetë. Ata nuk mund të justifikohen se bënë letërsi të keqe, ngaqë koha ishte e keqe. Ata nuk kanë alibi.
Në këtë pikë diskursi ngjitet vetvetiu në një nivel më të lartë. S’them ndonjë gjë të re po të kujtoj se kjo mospërputhje e ligjeve të shoqërisë njerëzore me ligjet e artit e ka zanafillën e saj qysh në fillimet e antikitetit, më saktë, të teatrit antik grek.
Sipas një përfytyrimi disi të thjeshtuar, viti i njeriut antik ndahej në tri periudha: E para, koha e veprimtarisë jetësore, ndërtuese. E dyta, koha e luftës. E treta, stina teatrale. Thënë shkurt, njerëzit, pasi ndërtonin e pastaj shkatërronin sa mundnin, ndienin nevojën të shkonin në teatër, për të parë atë që luhej në skenë.
Pyetja se çfarë kërkonin të shikonin spektatorët në teatër lidhej me thelbin e artit dhe arsyen e të qenit të tij. Për të gjetur përgjigjen, së pari duhet të kemi parasysh se qytetet antike ishin tepër të vogla, kurse teatrot tepër të mëdhenj. Rrjedhimisht, spektatorët përbënin një pjesë të madhe të popullsisë. Ata ishin njëherësh qytetarë, ushtarë, zyrtarë, zgjedhës, opinion publik. Ata i njihnin pamjet e jetës, ashtu siç njihnin ato të luftës. Por në skenë ata kërkonin diçka tjetër: pjesën e padukshme të botës, atë që ndodhte jo në sheshet e zhurmshme, por në thellësi të shpirtit njerëzor.
S’është e rastit që tragjedia fitoi qysh në krye vendin e zgjedhur, duke u kthyer në kurorë të artit antik. Ishte ajo e para që zbuloi atë që ngjante e pazbulueshme: shqyrtimin, vrasjen e ndërgjegjes.
Qytetërimi niste pikërisht aty.
Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë. Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim, Shqipërinë.
S’është e rastit që kur shkojmë në Yad Vashem, këtu në Jerusalem, ne përpiqemi të kapim përmasat e një tmerri që gjuha njerëzore, duke pranuar kufizimet e saj, e ka përcaktuar si “të papërfytyrueshëm”.
Letërsia, siç u tha, ka nisur si një kërkim i madh ndjese për një krim të madh të kohës: shfarosjen e një populli. Si e tillë, qysh në rreshtat e parë të saj, ajo ka kërkuar ndalimin e këtij tmerri.
Për fat të keq, kjo ende s’po ndodh. Thirrjet për shfarosje popujsh, që ju i njihni më frikshëm se kushdo, ende vazhdojnë. Megjithatë ne duhet të shpresojmë. Ndonëse jetojmë në një botë të ashpër, s’mund të themi se, midis mjegullës së saj, nuk kemi vënë re raste mirëkuptimi të madh. I tillë është pakti i popujve që, ndonëse e kanë aq lehtë të grinden për tokat, naftën, apo për një ishull të humbur, nuk grinden kurrë për vlerat shpirtërore, letërsinë dhe artet. Në ndryshim nga gjithçka tjetër, çdo popull i krijon këto vlera për veten e njëherësh për të tjerët. Asnjë shtet, sado i fortë të jetë, nuk ngre ushtrinë a flotën, se po i marrin Shekspirin a Moxartin. Dhe kjo histori ka nisur që nga Roma e Virgjilit, për të ardhur gjer te Rusia e sotme, që kacafytet për ca kufij në Ukrainë, pa u bërë merak se qyshkur ia kanë marrë e vazhdojnë t’ia marrin Tolstoin.
Ky zakon befasues dëshmon se njerëzimi, sa ç’është i aftë për keqkuptime, po aq e ka të mundur mirëkuptimin.
Më lejoni të zgjatem me një shembull nga Gadishulli Ballkanik, të cilit i përkas. Ky rajon i Europës është shquar gjithmonë për grindje dhe acarim. Shqiptarët, ashtu si të tjerët, janë gjendur në qendër të një rivaliteti dhe mosmarrëveshjeje për gjithçka.
Ndërkaq, ka kohë që në Ballkan është shfaqur një rivalitet i ri, që lidhet me hebrenjtë. Më saktë, me mbrojtjen e hebrenjve gjatë luftës.
Prej shumë kohësh shqiptarët ngulin këmbë se është vërtetuar që në mbarim të luftës, ndërsa në gjithë Europën hebrenjtë ishin rralluar krejt, si pasojë e gjenocidit, në Shqipëri përkundrazi, ishin shtuar dukshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë: hebrenjtë, që nga dita e parë e luftës gjer në të fundit ishin të mbrojtur në Shqipëri.
Popuj të tjerë në Ballkan dëshmojnë gjithashtu mbrojtjen e hebrenjve prej tyre. Është krejtësisht e huaj për mua ideja që, duke përfituar nga prania në këtë sallë, të bëhem pjesë e këtij të ashtuquajturi rivalitet. Dëshiroj vetëm të them me përgjegjësi të plotë morale, se mëtimi (pretendimi) i kahershëm shqiptar është krejtësisht i drejtë. Por kjo s’do të thotë aspak se kam rezervën më të vogël për mëtimin e të tjerëve.
Jo vetëm kaq. Duke njohur natyrën e vështirë të popujve ballkanas, brezat më të rinj, që hyjnë në jetë në gadishull, ëndërrojnë natyrshëm të sjellin një frymë të re, të ndryshme dhe pajtuese.
Në këtë kah (sens), sa herë që bie fjala për të krahasuar aktet e popujve tanë, mungesat dhe meritat, vetvetiu krijohet një atmosferë e rënduar, ku xhelozia dhe rivaliteti sundojnë mbi gjithçka.
Do të ishte një gjë e rrallë që mbrojtja e hebrenjve, për të cilën u fol më lart, të bëhej shkas për një vizion të ri, afrues e pozitiv.
Bota ka nevojë për këtë vizion. Popujt kanë gjithmonë nevojë të mbrohen. Duke mbrojtur të tjerët, ata mbrojnë veten.
Do të doja që me një urim të tillë ta mbyllja këtë diskurs për lirinë, këtu në Jerusalem.
ISMAIL KADARE

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadare në Jerusalem:, në kohë, Nuk është mëkat, të bësh letërsi edhe, të mbrapshta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT