Shkruan: Gavrosh Levonja/New York/
Pavarësisht nga fakti sa mund të jetë i justifikueshëm juridikisht vendimi për të vënë nën pranga deputetët Doshi e Frroku, pas hetimit të dosjes mbi “vrasjen” e pretenduar nga Tom Doshi, për të cilën deputeti pretendon te ketë prova se ideator i saj është kreu I parlamentit, Ilir Meta, shpejtësia me të cilën prokuroria operoi në këtë rast është për tu admiruar. Nga ana tjetër bazuar nga të dhënat e procëesit hetimor, të publikuara pothuajse në të gjitha mediat shqiptare, rezultonte qartë se “atentati” I pretenduar nga Doshi nuk qëndronte. Me të vërtetë, të gjithë personat e implikuar në telenovelën të cilës ndoshta mund t’I shkonte një titull fjala vjen “Atentati”, mohuan kategorikisht të kishin ndonjë lidhje me atentatin kundër deputetit të Shkodrës, madje, në deponimet e tyre ata deklaruan se e kishin marrë vesh implikimin e tyre në këtë aferë, vetëm nëpërmjet mediave, të cilat kishin publikuar edhe rolet e tyre në gjithë historinë e hedhur në tregun mediatik nga deputeti Doshi. Mirëpo, të mbyllësh një proces të tillë hetimor pa u thelluar më së pari në gjetjen e shkaqeve që e kanë shtyrë Doshin të prishë “martesën” me Ramën e Metën, duke i shantazhuar që para se të hidhte në treguna mediatik legjendën e “atentatit” apo pa ezauruar ndonjë pistë tjetër, si fjala vjen mundësinë që “telenovela” për vrasjen e tij të ketë qenë një kurth I përgatitur me qëllim diskreditimin e Tom Doshitj për t’u cliruar nga detyrimet që Rama e Meta mund të kenë pasur ndaj tij në shkëmbim të mbështetjes së pakufishme në betejën elektorale me Berishën e partinë e tij. Nga ana tjetër, dosja “Doshi” nuk mund të mbyllej duke u mjaftuar me lëshimin e një mandati arresti për deputetët Doshi e Frroku, pa hedhur dritë plotësisht mbi atentatet kundër të implikuarve Durim Bami e Fatjon Skënderi apo “Toni I kombinatit’ dhe lidhjet e hershme që mund të kenë pasur me ta protagonistët e kësaj cështjeje. Nëse do të dihej se kush ishin ideatorët e organizatorët e atentateve kundër këtyre të dyve si dhe arsyet pse duheshin “hequr qafe” apo ndofta dhe vëtëm për t’i paralajmëriuar a kërcënuar, ka shumë mundësi që hetimet të orientoheshin edhe në pista të tjera. Mundet që Tom Doshi, I sinjalizuar nga Mark Frroku, për t’I shpëtuar atentatit , mund të ketë gjetur si zgjidhje eliminimin e atyre që kishin marrë përsipër vrasjen e tij. Por një hipotezë e tillë bie për disa arsye. Së pari, deputeti I kërcënuar, nisur dhe nga fakti që nuk kishte pasur asnjë njohje me Bamin e Skënderin e jo më ndonjë motiv me karakter personal që këta të ishin të interesuar për ta vrarë, ishte tejet I ndërgjegjshëm se “lepuri” flinte diku tjetër. Pra, në këtë aspekt Doshi jo vetëm nuk ishte i interesuar për një gjë të tillë, por, në të kundërt, ishte i prirur të garantonte paprekshmërinë e tyre në mënyrë që të shkonte tek të interesuarit e vërtetë të eliminimit të tij. Blerja nga ana e Doshit të një veture të blinduar për Durim Bamin si dhe video e publikuar prej asgjësojnë plotësisht hipotezën e një implikimi të deputetit të Shkodrës në atentatet kundër tyre. Nuk përjashtohet dhe versioni sipas të cilit, njerëz të tretë, pa asnjë lidhje me politikën mund të kenë pasur hesape të pashlyera me ata të dy, por ama, do të ishte gabim I madh përjashtimi i mundësisë për një lidhje nga radhët e politikës me atentatet ndaj Bamit e Skënderit. Për më tepër kur, në hollësitë e publikuara mësohet se përsa I takon Fatjon Skënderi nuk mungonte ndonjë lidhje me botën e politikës.
Akuza kryesore mbi të cilën prokuroria kërkoi arrestimin e Doshit apo dhe Frrokut kishte të bëntë me inskenimin e atentatit kundër Doshit duke e konsideruar këtë si një mashtrim për të goditur figura të rëndësishme të politikës, konkretisht kreun e parlamentit. Por edhe për logjikën e një individi të rëndomtë një akuzë e tillë ndaj deputetit Doshi është disi e papërtypshme. Si ka mundësi që Doshi t’I hynte një aventure të tillë duke angazhuar individë me të cilët nuk kishte asnjë farë njohjeje, individë të cilët do ta “shisnin” që në momentin më të parë, ashtu sic edhe ndodhi? Njeriu, i cili kishte qenë në gjendje të dërgonte një ushtri votuesish drejt PS-së besoj se nuk do ta kishte aspak të vështirë të “peshkonte” nja tre katër individë, të cilët mund ta merrnin, madje dhe me dëshirë cfardo roli në një telenovelë të sajuar prej tij. Gjithsesi, nga mënyra si u zhvilluan ngjarjet, sidomos me vendimin e prokurorisë dhe ngutjen e parlamentit për të zhveshur Tom Doshin nga imuniteti, të krijojnë bindjen se individë ta caktuar nga politika, mund të kenë projektuar gjithë skenarin dhe për t’I a servirur Doshit, si një bllof për ta diskredituar e bërë qesharak duke mos kursyer as ndjekjen penale në rast nevoje. Në këtë kuadër Mark Frroku i shantazhuar nëpërmjet të vëllait të akuzuar për vrasjen e një ish komisari policie ka pranuar të bëhet pjesë e lojës duke I future në vesh Doshit, idenë e “vrasjes” së tij për ta njohur më pas dhe me Bamin, duke e lënë pastaj në baltë sapo cështja të hynte në ingranazhet e shtetit zyrtarisht. Shtoji këtyre dhe gatishmërinë e minsitrit të brendshëm për të takuar me Bamin me ndërmjetësinë e Doshit, moshetimin e Bamit që në fillim, për ta “ndaluar” në kufi sapo Tom Doshi plasi “bombën”. Nuk di sa përshtypje mund t’u ketë bërë hetuesve edhe ndryshimi “target-it” të telenovelës së tij duke kaluar nga Berisha tek Meta. Ndoshta, dikush mund të kishte qenë i interesuar për të goditur Berishën, por më vonë e ka gjykuar të udhës përdorimin e saj për “të shpëtuar” nga Meta. Ditët e fundit lexova një analizë të argumentuar në të gjitha aspektet të Prec Zogajt ku me një logjikë brilante rrëzohej jo vetëm vendimi por edhe mënyra e të hetuarit nga ana e prokurorisë. Vërejtja e vetme që kam lidhur me analizën e zotit Zogaj ka të bëjë me titullin. “Rënia e prokurorisë” them se nuk i përgjigjet realitetit; prokuroria në Shqipëri nuk ka qenë për asnjë moment në ndonjë farë lartësie që të bësh fjalë për rënie të saj. Prokuroria gjithmonë, gjatë gjithë këtyre 25 viteve nuk ka arritur asnjëherë të dalë jashtë kornizave të prokurorisë së kohës së komunizmit duke qenë vazhdimisht një instrument në shërbim të klaneve politike në qeveri a pushtete të tjerë.
Archives for March 2015
“Zoti President, Malësia don Komunë”
PRESIDENTI BUJAR NISHANI VIZITOI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI/
Nga Frank Shkreli/
Në fillim të kësaj jave, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë shtetërore në Republikën e Malit të Zi. Gjatë vizitës dy ditore në shtetin fqinj,Kreu i shtetit shqiptar u takua me udhëheqsit më të lartë të Podgoricës, përfshirë homologun e tij, Presidentin malazez Filip Vujanoviq dhe Kryeministrin Milo Gjukanoviq. Zyra e Presidentit Nishani njofton në portalin e saj se gjatë këtyre takimeve dypalëshe me homologun e tij dhe me zyrtarë të tjerë malazez u biseduan çështje të interesit të përbashkët, por thuhet gjithashtu se ata shkëmbyen edhe mendime mbi gjëndjen rajonale, europiane dhe globale.
Presidenti Nishani gjatë vizitës së tij në Mal të Zi dhe gjatë bisedimeve me udhheqsit më të lartë malazez u kushtoi një vëmendje të veçantë të drejtave të pakicave kombëtare. Në takimin me Presidentin malazez, Vujanoviq, Presidenti Nishani theksoi se kishin trajtuar edhe çështjen e pakicave kombëtare, të cilat sipas tij, luajnë një rol shumë të rëndësishëm si ura lidhëse miqësie midis dy vendeve. Ai nënvijoi rëndësinë e dialogut mbi pakicat kombëtare duke shtuar se, “pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendeve tona, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në këtë kontekst”, nënvijoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, “Dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen mirë të përfaqësuar, duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike.” Presidenti Nishani përmendi edhe disa probleme aktuale me të cilat po përballen shqiptarët në Ulqin, (siç është rasti i uzurpimit të pronës private nga shteti i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit) dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në fuhsën e arsimit dhe të përdorimit të simboleve kombëtare. Në lidhje me këto probleme që vazhdojnë të ndjekin shqiptarët edhe pas pavarësisë së Malit të Zi, Presidenti Nishani, gjatë vizitës së tij në Podgoricë, bëri thirrje që shqiptarëve tu, “Respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore të shkollimit në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare”, u shpreh Kreu i shtetit shqiptar.
Në lidhje me kërkesat e malësorëve për Komunën e Tuzit, një problem ky që me të drejtë tashti ka marrë përmasa ndërkombëtare, si një çështje e përfaqësimit demokratik që po u mohohet shqiptarëve të Malësisë në nivel vendor, Presidenti Nishani sugjeroi se, “Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.” Në përputhje me standardet e konventave ndërkombëtare mbi pakicat, si edhe me ligjet dhe kushtetutën e Malit të Zi, Z. Nishani tha se, “Dëshirojmë dhe jemi shumë të interesuar që, konform këtyre standardeve, pakicat të kenë të gjitha të drejtat dhe hapësirat e nevojshme për ruajtjen dhe trashëgiminë e identitetit historik e kulturor kombëtar.” Njoftohet se edhe në takimin e tij me Kryeministrin malazez Gjukanoviq, Presidenti Nishani ritheksoi të njëjtat tema dhe probleme përsa i përket të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Pas takimeve zyrtare midis delegacioneve të dy vendeve, gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Presidenti Nishani kishte rezervuar një agjendë të ngjeshur për takime të veçanta me komunitetin shqiptar atje — autokton në trojet veta — si dhe me përfaqsuesit e tij politikë dhe fetarë.
Kreu i shtetit shqiptar filloi takimet e tija me shqiptarët në Tuz, Ulqin e Tivar, ndërkohë që zhvilloi edhe një takim të veçantë me përfaqsuesit politikë nën ombrellën e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi. Kreu i shtetit amë u prit ngrohtë nga malësorët në Tuz, përfshirë mësues dhe nxënës të një shkolle lokale, ku u takua me përfaqësues të partive politike dhe me të zgjedhurit vendorë të kësaj komune. Sipas medias vendore, ra në sy pankarta në tubimin e pritjes në të cilën shprehej dëshira e popullësisë shqiptare të atyre anëve: “Zoti President, Malësia don Komunë”. Zyra e Presidentit Nishani njofton se, “Në takimin me përfaqësuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të komunës urbane të Tuzit, Presidenti i Republikës i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella”, dhe se “Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe do ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.”
Gjatë udhtimit nga Tuzi për në Ulqin, Presidenti Nishani zhvilloi një vizitë në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit ku u prit nga Kryeipeshkvi, Imzot Zef Gashi dhe Kryekancelari i Ipeshkvnisë dhe Famullitar i Kishës së Tuzit, At Pashko Gojçaj. Kryeipeshkvënia Arbërore e Tivarit ka një histori të lashtë dhe të lavdishme prej pothuaj 1000-vjetësh si qëndër e katolicizmit shqiptar në atë troje, e cila sipas disa historianëve, konsiderohet si vazhduese e Kishës së Ilirikut Lindor, themeluar në Shkup prej Justinianit të Madh në shekullin e VI. Në atë vend të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, njoftohet se “Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për vizitën në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit duke vlerësuar institucionet fetare si një ndihmesë e madhe për ruajtjen e vlerave, traditave, identitetit kombëtar dhe gjuhës sonë, tek të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës apo në diasporë”, u shpreh presidenti Nishani gjatë pritjes së tij në Kryeipeshkvëninë Arbërore të Tivarit.
Ndërsa, Kryeipeshkvi Imzot Zef Gashi falënderoi Presidentin Nishani për këtë vizitë në një objekt kulti shqiptar në Mal të Zi, që vitin e kaluar ka festuar 925-vjetorin e ekzistencës së vet. Imzot Gashi e siguroi Presdientin Nishani duke theksuar se “institucionet tona fetare do të jenë në shërbim të përjetshëm të fesë dhe të kombit, ashtu siç kanë vepruar edhe para-ardhësit tanë që i kanë drejtuar këto institucione”, pohoi Imzot Zef Gashi.
Kreu i shtetit shqiptar e përfundoi vizitën e tij në trojet shqiptare në Mal të Zi me arritjen e tij në qytetin e lashtë bregdetar shqiptar të Ulqinit ku u prit nga Kryetari i Komunës, Fatmir Gjeka dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Ulqinit. Presidenti Nishani u bëri thirrje udhëheqsve vendorë të Ulqinit, ndërkohë që kufijtë janë të hapur dhe munëdsitë janë të mëdha për shkëmbime në të gjitha nivelet, “duhet të shfrytëzojmë maksimalisht hapësirat që krijon liria dhe demokracia, të shkëmbejmë sa më shumë eksperiencë, dije, investime dhe të jemi më afër se asnjëherë tjetër me njëri-tjetrin.” Ndërsa Kryetari i Komunës së Ulqinit, komunë e cila gëzon një shumicë shqiptare prej 85%, sipas burimeve, e informoi Kreun e shtetit amë, mbi zhvillimet ekonomike, kulturore dhe të fushave të tjera të asaj zone dhe e falënderoi atë për interesimin e tij për fatin e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ndërsa, thuhet se Presidenti Nishani u bëri thirje autoriteteve të komunës së Ulqinit që të punohet sa më shumë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar, si vlera më e shquar që kemi si komb, ka thënë Z. Nishani. “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare”, u premtoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë të pranishëmve, gjatë vizitës së tij në Ulqin në fillim të kësaj jave.
Vizita e Presidentin Nishani në trojet autoktone shqiptare nën Mal të Zi është një gjest më se i mirëpritur. Ndonëse mbeten për tu parë rezultatet eventuale të kësaj vizite dhe nëse kjo vizitë do të ndihmojë në përmirësimin e gjëndjes së shqiptarëve atje, besoj se të pakën mbrenda një të ardhme të afërt, vizita e Kreut shqiptar në Mal të Zi, në mos asgjë tjetër, do të ndihmojë, në sensibilizimin e mëtejshëm të opinionit zyrtar dhe publik shqiptar mbi gjëndjen aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi. Ta quajmë këtë vizitën e Presidentit Nishani si fillimi i “shqiptarizimit” të çështjes shqiptare në atë vend. Por do tu tregojë edhe udhëheqsve malazez se shteti amë kujdeset për fatin e shqiptarëve në atë vend. Ka rëndësi fakti që Kreu i shtetit amë gjatë një vizite zyrtare në Podgoricë – në kuadër të marrëdhënjeve të mira midis dy shteteve fqinje dhe në bazë të standardeve europiane dhe ndërkombëtare – fletë për çështjet dhe problemet me të cilat përballen sot shqiptarët në Mal të Zi. Ato janë të shumëta dhe përfshijnë shumë fushë, mbi të gjitha në arenën e përfaqësimit politik, në fushën arsimore dhe kombëtaro- kulturore, por edhe në fushën ekonomike. Është me rendësi gjithashtu angazhimi i Presidentit Nishani se nga pikëpamja e Kreut të shtetit shqiptar, “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare.” Ky është një angazhim që duhet ta bëjë edhe Prishtina zyrtare ndaj shqiptaëve në Mal të Zi. Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone në Mal të Zi, nuk meritojnë as më pak as më shumë të drejta se sa ato që i janë akorduar pakicave serbe dhe malazeze në Republikën e Kosovës.
Por ama, pa marrë parasyshë interesimin e Tiranës dhe të Prishtinës për fatin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe megjithë sfidat dhe problemet e shumëta që paraqet Podgorica zyrtare ndaj zhvillimit të jetës normale politike, kombëtare dhe ekonomike për komunitetet shqiptare në Mal të Zi, përgjëgjësia më e madhe për përmirësimin e jetës dhe për fatin e mirë në përgjithësi të shqiptarëve në atë vend, bie mbi shpatullat e të zgjedhurve dhe përfaqsuesve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi. Përçarjet dhe mosmarrveshjet politike midis tyre janë tanimë të njohura mirë, për të mos thënë legjendare. Por, janë ata që para të gjithëve duhet të tregojnë përgjegjësi të lartë politike, morale dhe kombëtare dhe të dëgjojnë thirrjet, pikëspari nga zgjedhsit e vet, por edhe nga të tjerët, për një bashkim të forcave politike atje me qëllim të përmirësimit të përgjithshëm të jetës së shqiptarëve në të gjitha fushat dhe aktivitetet e tyre në Mal të Zi.
Enigma ”Shtegu i pashkelur i Nolit”
Shkruan:Petro Luarasi/
Në përkujtimin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të kolosit të kombit shqiptar, Imzot Fan S. Noli, media Digitalb i ofroi publikut filmin dokumentar “Shtegu i pashkelur i Nolit”. Shfaqja u dha në sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar ditën e martë, 24 mars, ora 18.30.
Edhe unë, ithtar fanolist me rrënjë e degë, i etur për dije dhe informacion, kurnac për kohën dhe mëdyshës për aktivitetet e mirëfillta, munda të mësoj se dokumentari me autore të mirënjohurën Beti Njuma ‘’trajton figurën shumë komplekse të Fan Nolit, njeriut, politikanit, artistit, publicistit dhe klerikut që në historinë e Shqipërisë mbeti i skalitur si kryepersonazh i Revolucionit të Qershorit dhe pjesë e debatit nëse ai ishte revolucion apo grusht shteti.’’
Titulli: “Shtegu i pashkelur i Nolit” dhe shënimi: ‘’kryepersonazh i Revolucionit të Qershorit dhe pjesë e debatit nëse ai ishte revolucion apo grusht shteti.’’ më kujtoi veprën që pata lexuar vite më parë, ‘’Shtegu i pashkelur i Fan Nolit: demokracia Shqiptare në vitet 1920 –1924’’, me autor Robert C. Austin (e përkthyer nga Lindita Bubësi, me redaktor historianin Nasho Jorgaqi). Por nuk besoja as-sesi të ishte përsëritje e veprës së Austinit në një përvjetor e përkujtim ku duhej të evidentoheshin kontributet dhe vlerat madhore Noliane ( personaliteti vigan i kombit, themeluesi dhe udhëheqësi i kishës ortodokse autoqefale shqiptare dhe Vatrës, veprimtari popullor e misionari politik, studjuesi, poeti, përkthyesi, kompozitori, oratori, dijetari,etj ) dhe jo të metat terciale të tij (p.sh. si politikan).
Me nderim për Imzot Fan Nolin, për përkushtimin e medias Digitalb dhe autores Beti Njuma (spikere, gazetare, përkthyese, studjuese dhe dashamirëse e artit, kulturës e historisë) mezi prita orën të rend me një frymë që të zë vendin e lakmuar për të ndjekur shfaqjen. Nga nxitimi iu shmanga edhe protokollit, të përshëndetesha me mikpritësit e MHKSH apo përfaqësuesin e KOASH-it. Por… nxitova më kot pasi salla kishte vende plot. Ndër të paktit si unë, në rradhët e para, pashë deputetin Namik Dokle, kritikun Erion Kristo , më pas edhe deputetin Fatmir Toçi me të shoqen, dhe mbi të gjitha, para meje u ul vetë autorja plot sharm Beti Njuma, që nuk pata kurajo e fat ta uroja paraprakisht sit ë tjerët.
Në orën 18.30 njerëzia e kulturuar e mbushi paksa mjedisin dhe shfaqja filloi. Përfytyrimet dhe njohuritë e mia fanoliane, të rrënjohura me opinione dhe dëshmi të paraardhësve të mi, miq e bashkëpunëtorë me Nolin e Madh, po ballafaqoheshin me sekuencat filmike dhe opinionet e një gazetari dhe disa studjuesve. Që në krye e kuptova përse gjindja mezi ishte çapitur në shfaqje, por durova të shihja fundin.
Ndryshe e përfytyroja një dokumentar cilësor ku të përmblidheshin dokumenta, dëshmi e komente mbi jetën, veprën dhe vlerat tërësore të Fan Stilian Mavlomatit-Nolit, gjenezën shqiptare dhe vetëdijën shqiptare për mbijetesë, arsimimin dhe edukatën e tij, talentin e sakrificat, përballjen me vështirësitë dhe jetesën e thjeshtë, madje të skamur, vetëm për të mbetur deri në fund i Njeri i ndershëm, i pakorruptuar, besnik deri në vdekje i idealit të tij atdhetar dhe social-demokrat. Por dokumentari, u bazua çuditërisht kryekëput tek tematika e libri të Austinit ‘’Shtegu i pashkelur i Fan Nolit: demokracia Shqiptare në vitet 1920 – 1924’’ me disa komente historianësh e gazetarësh dhe aspak, sikurse pretendohej nga reklama, në vlerat e gjithanshme madhore të Fan Nolit ‘’njeriut, politikanit, artistit, publicistit dhe klerikut’’!
Enigma e dokumentarit nisi e bitisi me paradokset e ‘’vulosura’’ prej ithtarit zogist antikomunist Blendi Fevziu, i cili me logjikën e emisioneve ‘’Opinion’’ ia nisi kronikës duke i mballosur veprimtarisë dhe vlerave fanoliane atentatin ndaj Zogut në vitin 1924! Dhe rrjedha logjike të çonte menjëherë tek ‘’puçi’’, revolucioni ‘’komunist’’ dhe gabimet e Nolit. Për pasojë argumentohet kthimi triumfal i Zog- ‘’shpëtimtarit’’ dhe shtegu pa kthim në kurbet i Fan Nol-‘’mëkatarit’’. Për ‘’kompromis historik’’ serviret edhe ‘’mirëkuptimi atdhetar’’ mes Zogut e Nolit , ku i pari ‘’e fal’’ të dytin, madje i ofron ofiqe dhe bamirësinë financiare. Përballë Ahmet Zogut, veprimtarisë dhe vlerave të tij , sipas formatit botëkuptimor , optikës dhe dekorit të opinionistit Fevziu, vërtiteshin edhe argumentet e historianëve P.Milo, N.Jorgaqi, J.Bejko madje edhe të studjuesit amerikan B.Fisher, që analizonin dhe rrekeshin të justifikonin gabimet e Fan Nolit dhe qeverisë së tij ?!
Pra Blendi Fevziu bombardonte me predhat zogiste ndërsa historianët përpiqeshin të shfajësonin Fan Nolin për pasojat që ato shkaktuan?! Troç: burri i shtetit, realisti Ahmet Zogu me sejmenë, vriste e grabiste dhe shiste interesat kombëtare ‘’në mënyrë të ligjshme’’ , ndërsa ‘’aventurieri’’ romantik Fan Noli me shokë kritikohen përse e përmbysën me revolucion ‘’ të paligjshëm’’. (Ky standart i dyfishtë vlerësimi ‘’shkencor’’ serviret edhe në ditët e sotme, mjafton të kujtojmë revolucionet portokalli apo Pranverën Arabe , që sipas shijes etiketohen përparimtare apo reaksionare, të ligjshme apo të paligjshme! Apo veprimi me arkën e shtetit: Kur po mërgohej Noli thirri ne Vlorë R.Ficon dhe i tha: “Pranoni ju lutem Arkën e Shtetit dhe dorëzojani qeverisë që do të na zëvendësojë”, ndërsa Naltmadhnia e Tij Zogu I veproi ndryshe…)
Subjekti ‘’historikisht kuptimplotë ‘’ i dokumentarit nuk e justifikon përkujtimin e Fan Nolit kur naltësohet madhështia e Zogut si ‘’viktima e pafajshme’’ e Revolucionit të Qershorit! Mikpritësit, organizatorët e shfaqjes dhe investitori e bënë si duhet detyrën e tyre, e përhapën kudo lajmin, ofruan mikpritjen e duhur, shpenzuan mund e para por…nuk ia vlejti barra qeranë, as për vendin e kohën dhe as për mesazhin e vlerave që duheshin vlerësuar e nderuar.
Për mendimin tim do të qe më mirë të ishin përdorur paratë më me efektivitet, t’i besohej autorësia e dokumentarit një historiani, edhe për vlera, edhe për imazh më të paqmë.
Meqë u bë, u bë… por të paktën ta kishin shfaqur dokumentarin një herë tjetër, jo në këtë përvjetor të Nolit të Madh, por kur të kujtohej Ahmet Zogu dhe pasuesit e tij të kishin material të kritikonin Revolucionin ‘’famëkeq’’ të Qershorit! Në këtë përvjetor të Fan Nolit, Kolosit me vlera të gjithanshme të Kombit Shqiptar, meritonin të permendeshin shumë e më shumë merita, por jo duke u përqëndruar vetëm tek dobësitë e tij si politikan! Po përse nuk u bë një dokumentar për të qenë? Përse edhe në këtë përvjetor Fan Noli nuk meritoi një përmendore, veprimtari madhore akademike dhe nderim shtetëror ku pasardhësve të tij t’u jepej ‘’Urdhëri Nderi i Kombit’’? Përse edhe KOASH-i nuk i bëri nderimet që meritonte si themelues, me një meshë të kryesuar nga vetë kreu, Fortlumturia Janullatos, në Katedralen e Tiranës-kryeqytet ?
Një nga këto ‘’përse?” enigmatike qe edhe dokumentari ”Shtegu i pashkelur i Nolit”.
Mamica motra e Skënderbeut bashkëpunëtore e afërt e e tij
Shkruan:Liliana Pere/
Mamica ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet e kohës. Ajo ishte një grua e mençur dhe u shqua edhe si bashkëpunëtore e afërt e Skënderbeut. “Mendja e ndritur e kësaj gruaje, shkruan Barleti, mund të admirohet sidomos për faktin që Skënderbeu e përdori atë shpesh si shoqe, me të cilën këshillohej për punët e veta Mamica ishte motra e vogël e Skënderbeut. Barleti e përmend atë për herë të parë, kur flet për Gjon Kastriotin, zotërimet dhe familjen e tij.
Mamica ka qenë një grua e bukur dhe e fortë. Ajo u shqua si një zonjë e rëndë në drejtimin e zotërimit të saj. Mamica, sipas Barletit, “tregoi një maturi dhe shkathtësi të atillë qeverimi me përzemërsi të popullit, sa zor se ka qënë dikur më i madh në atë vend bashkimi i qytetarëve, bindja e turmës së papërmbledhur. Sipas Barletit, një sjellje e tillë nga zotërinjtë “ndodh shumë rrallë Bukuria është një pamje e veçantë e gravet, dhe hijeshia e fytyrës dhe e trupit, ishte në harmoni dhe përshtatje të plotë me stolitë e tjetra të shpirtit
Këtë bashkëpunim midis Skënderbeut dhe Mamicës e përmend edhe Frangu, por ky e quan të motrën e Skënderbeut jo Mamica por Mariza Mamica “kishte qëndruar vazhdimisht virgjëreshë dhe e pamartuar për hir të vëllait, që po i kthehej fitimtar; ai e martoi pastaj dhe i vuri përsëri në vend nderin e dikurshëm
“Pas rifitimit të Mbretërisë nga Skënderbeu … (Mamica) … u martua me Muzak Topinë.”
Martesa e Mamicës, të cilën e tregon vetëm Biemmi, është një histori më vete. Martesa u bë më 26 janar 1445 në “Musachiana” një vend që ndodhej, sipas Nolit, midis Durrësit dhe Krujës Në dasmë ishin ftuar të gjithë “princërit” dhe krerët e vendit. Midis të ftuarve, ndodheshin Lekë Dukagjini dhe Zaharia Altisfero, (Lekë Zaharia), zot i Danjës.
“Zonja e pestë Mamica pati për burrë Muzak Topinë, sepse zoti Skënderbe e ndau nga gruaja e parë, që quhej zonja Zanfina ose Suina Muzaka, dhe i dha zonjës së thënë Mamica, motrës së tij” Në fund të kujtimeve mbi gjenealogjinë e familjes Gjon Muzaka shkruan se me Muzak Topinë u martua motra e Skënderbeut “Yella” Në këtë pikë ai kundërshtohet edhe nga Barleti, që shënon si burrë të Mamicës Muzak Topinë. Mamica pati me Muzak Topinë katër djem dhe dy vajza
Nga këta fëmijë, njohim vetëm njërën vajzë, me emrin Jellë, Kjo u martua me zotin Andrea Muzaka
.Djemtë e Mamicës, sipas Gjon Muzakës, u bënë “turq Martesën e Mamicës me Muzak Topinë e përmend edhe Gjon Muzaka, një fisnik i vjetër nga familja e Muzakajve dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ai e përmend atë në “Gjenealogjinë e familjes së tij ”, të cilën e shkruajti në vitin 1510 në Napoli, ku gjendej i mërguar Gjon Muzaka e përmend këtë martesë disa herë dhe këtë e bën për një arsye të rëndësishme:
Muzak Topia ishte i martuar. Gruaja e tij quhej “sinjora Zanfina ose Suina Ai kishte me të dy fëmijë. Nga këto të dhëna, kuptohet se martesa e Mamicës me Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë kryesorë të vendit. Prishja e martesës së Zanfinës me Muzak Topinë bëri përshtypje të madhe. Gjon Muzaka që tregon këtë ngjarje, shkruan se Skënderbeu e prishi këtë martesë, duke mos marrë parasysh “as Zotin dhe as gjë tjetër dhe as fëmijët që ata kishin
Pas ndarjes, Zanfina u martua me Moisi Golemin (Moise Comino Aranitj
Muzak Topia pati një fund tragjik në luftë.
Ai mori pjesë me Skënderbeun në fushatën për pushtimin e Beratit 1455.
Tre ditë pas fillimit të fushatës, turqit kërkuan “një muaj kohë armëpushim” për të dorëzuar kështjellënSkënderbeu kërkoi ta dorëzonin për pesëmbëdhjetë ditë Pas kësaj, Skënderbeu la, në fushën përreth kështjellës, si komandant Muzak Topinë dhe Tanushin, si dhe “vendosi 25 ushtarë “mbi një farë mali jo larg” për të vrojtuar armikunPër të rregulluar vendosjen e ushtrisë në vapën e atij viti, ai me një pjesë të ushtrisë (3000 mijë kalorës dhe 1000 këmbësorë) zuri “malin pranë” afër qytetit Skënderbeu porositi Muzakën dhe Tanushin “që ta zhvendosnin kampin dhe ushtrinë që mbeti në fushë
Turqit njoftuan sulltanin dhe kërkuan ndihmë. Ushtria që u dërgua nga sulltani, bëri kërdi mbi shqiptarët e zënë në befasi, Skënderbeu – vuri re se në radhët e saj kish dy mijë kalorës dhe treqind këmbësorë të masakruar, shumica të ardhur nga Apulia, me Muzakën, kushëririn e tij Në betejën e Beratit turqit kryen një masakër të rëndë mbi shqiptarët. “ Gjëja më e fëlliqur dhe më e shëmtuar” shkruan Barleti ishte kur ata filluan “t’i rripnin dhe t’i mbanin vetëm lëkurën” ushtarëve të cilëve i këputnin kokën të gjallë Këtë fat pësoi edhe Muzak Topia
“Kastrioti ishte shumë largFrangu shënon se kjo betejë mund të kishte shkuar shumë më keq për shqiptarët, po të mos kishte ardhur më pas Skënderbeu dhe të dëbonte turqit. Sipas tij, Skënderbeu, mundi kështu “të shpëtonte popullin nga kthetrat e vdekjes
Tragjedia e Beratit tronditi vendin.
“Zija dhe kuja e kësaj beteje, shkruan Barleti, jepnin e merrnin kudo: zonjat ishin veshur me të zeza dhe shtëpitë ishin zhytur me lot e trishtim, duke pritur me të vajtuar kufomat e të vetëve për varrim Shqiptarët në mesjetë u bënin nderime të vdekurve. Kjo ishte një traditë e vjetër e vendit. Ata e kishin zakon që “gjatë vajtimit, të përmendeshin jo vetëm trimëria dhe veprat e shquara të të ndjerit, por edhe trimëritë e etërve dhe gjithë kujtimet stërgjyshore dhe lavdet e lashta të familjes Këtë gjë bëri Mamica.
“Mamica, shkruan Barleti, pasi thirri, sipas zakonit të gjindjes, shumë zonja, e nderoi varrimin e burrit për një kohë të gjatë me zi e lotë që s’pushonin as ditë as natë
Barleti dhe Frangu njoftojnë edhe një rast konkret të këtij bashkëpunimi kur Skënderbeu ndodhej në luftë me Ballaban pashën në vitet 1465-1467. Skënderbeu atëhere kishte korrur një fitore ndaj tij, por ndërkohë turqit kishin nisur “fshehurazi” në Shqipëri Jakup Arnautin. Arnauti ishte me origjinë shqiptare. Ai ishte i biri i Teodor Muzakës, i cili kishte qenë zot i Beratit dhe i principatës së Muzakajve. Mamica ndodhej atëherë në Petrelë “bashkë me kohortën dhe familjen e vet Ndërkohë ushtarët e saj kapën një ushtar të Jakup Arnautit dhe e morën në pyetje. Pas kësaj, Mamica njoftoi Skëndebeun “me një letër me të cilën i bënte të ditur se turqit kishin nisur kundër tij një ushtri prej gjashtëmbëdhjetë mijë ushtarësh me në krye Jakup Arnautin Arnauti kishte hyrë në Shqipëri (apo Epir – siç e quan Barleti) “përmes rrugës së Beratit dhe i kishte ngulur çadrat në Tiranën e Vogël pranë lumit të Erzenit
Pas vdekjes së Skënderbeut (17 janar 1468) për shqiptarët erdhën ditë të vështira. Shumë zotërinj të vendit kishin rënë tashmë në luftë. “Të rënit në luftë” të zotërinjve shqiptarë kishte filluar në fakt që nga fundi i shek XIV kur turqit filluan sulmet e tyre për pushtimin e vendit. Kur erdhi Skënderbeu më 1443 , shkruan më 1510 në kujtimet e tij Gjon Muzaka “zotërinjtë e rinj të Shqipërisë ishin të gjithë thuajse të rënë Atëherë kishin mbetur të gjallë zotërinjt e vjetër “Gjergj Araniti (Aranit Komneni), Koiko Balsha, Nikollë Dukagjini dhe Pal Dukagjini, Gjin Muzaka, Andrea Topia, Pjetër Spani”. Shumë nga këta, si Gjergj Araniti, Andrea Topia etj., kishin udhëhequr kryengritje të mëdha antiosmane në rininë e tyre. Rrjedhimisht kur erdhi Skënderbeu dhe mori Krujën, këta zotërinj, siç njofton Gjon Muzaka, “u gëzuan shumë
Në Kuvendin e Lezhës (të organizuar nga Skëndebeu), këta zotërinj e përkrahën Skënderbeun me të gjithë forcat e tyre por me kohë edhe këta zotërinj vdiqën njëri pas tjetrit. Sipas Gjon Muzakës, ata vdiqën të gjithë zëmërplasur për shkak të mjerimit dhe pasigurisë që kishte sjellë kudo në Shqipëri lufta e pasosur kundër pushtuesve osmanë
Vdekja e Skënderbeut, e shkaktuar nga ethet në Lezhë, shkaktoi një tronditje të thellë brenda dhe jashtë vendit. Duke shprehur këtë, Gjon Muzaka shkruan:
“Mund të imagjinoni se si mbeti ky vend pasi humbi një kapedan të tillë “Pak zotërinj të rinj kishin mbetur tashmë që nuk kishin vdekur në këto luftra të gjata dhe të pamëshirshme
Pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët humbën çdo shpresë për t’i bërë ballë armikut. Shumë prej tyre, shkruan Gjon Muzaka, kaluan jashtë shtetit, në mërgim, bashkë me familjet e tyre. Në Shqipëri mbetën pak zotërinj për të vijuar qëndresën Midis këtyre që qëndruan për disa vite më pas, ishte Gjon Muzaka Stres Balshaetj. Pas vdekjes së Skënderbeut, kur gjithçka në vend “kishte mbaruar keq u krijua një situatë e vështirë për të shoqen e Skënderbeut, Donikën, që kishte pranë vetes edhe djalin e vogël, Gjon Kastriotin.
Sinjoria u lajmërua për vdekjen e Skënderbeut nga bajli i Durrësit. Ai i bënte të ditur Sinjorisë tronditjen e thellë në të cilin kishte rënë vendi (in magno tumultu et trepidatione) pas vdekjes së burrit “të madhërishëm Skënderbeut
Më 13 shkurt 1468 Sinjoria dërgoi pranë Donikës kryepeshkopin e Durrësit, Pal Engjëllin. Pali kishte qenë një mik i veçantë, i besuar i Skënderbeut. Ai i kishte shërbyer Skënderbeut, vite me radhë, si këshilltar dhe ambasador i tij Pal Engjelli u porosit ta këshillonte Donikën të mbronte Krujën bashkë me Sinjorinë. Sinjoria dërgoi tek Donika edhe ushtarakun e lartë Françesk Kapellon. Ai ishte nisur si provisor në Shqipëri. Pas ndërhyrjes së Pal Engjëllit tek Donika, Kapello duhej të merrte Krujën dhe ta mbronte atë në emër të të birit të Skënderbeut
Lajmi i vdekjes së Skënderbeut mbërriti edhe në Mbretërinë e Napolit. Mbreti, Ferdinandi, aleati i ngushtë i Skënderbeut, dërgoi tek Donika, njeriun e vet, Jeronim Karvinin për t’i shprehur ngushëllimet e thella për humbjen e të shoqit, të cilin ai e konsideronte lart po aq sa edhe të atin Karvini u urdhërua nga Ferdinandi ta ftonte zonjën të kalonte në Mbretërinë e Napolit
Donika Kastrioti e cila thirrej edhe me emrin e të shoqit “Skënderbegia”, (Scanderbega kaloi në Mbretërinë e Napolit bashkë me të birin, Gjon Kastriotin Ajo shkoi në Napoli si një zonjë e rëndë. Bashkë më të birin ajo mori me vete edhe disa zonja, burrat e të cilave kishin rënë në luftë. Njëra nga këto ishte “zonja Mariee cila ishte gruaja e nipit të Skënderbeut, “Muzakut të Angjelinës”. Zonja tjetër ishte Donna Helena, gruaja e Gjergj Karlit (Giorgio CarlesKëto zonja, Maria dhe Helena, ishin motra të Gjon Muzakës. Këto morën me vete edhe vajzat e tyre. Maria mori vajzën “Donna Porfida Grande”, ndërsa Donna Helena mori vajzën “Donna VisavaBashkë me to tek Mbreti i Napolit shkuan edhe “zonja të tjera” të cilat ai i priti të gjitha mire
Donika Kastrioti e cila thirrej edhe me emrin e të shoqit “Skënderbegia”, (Scanderbega kaloi në Mbretërinë e Napolit bashkë me të birin, Gjon KastriotinAjo shkoi në Napoli si një zonjë e rëndë. Bashkë më të birin ajo mori me vete edhe disa zonja, burrat e të cilave kishin rënë në luftë. Njëra nga këto ishte “zonja Marie e cila ishte gruaja e nipit të Skënderbeut, “Muzakut të Angjelinës”. Zonja tjetër ishte Donna Helena, gruaja e Gjergj Karlit (Giorgio Carles Këto zonja, Maria dhe Helena, ishin motra të Gjon Muzakës. Këto morën me vete edhe vajzat e tyre. Maria mori vajzën “Donna Porfida Grande”, ndërsa Donna Helena mori vajzën “Donna Visava . Bashkë me to tek Mbreti i Napolit shkuan edhe “zonja të tjera” të cilat ai i priti të gjitha mirë
Ndryshe nga këto zonja të mëdha, Mamica qëndroi në Shqipëri. Burimet njoftojnë më 2 qershor të vitit 1469 se ajo banonte në qytetin e Durrësit Situata në këtë kohë në Shqipëri ishte mjaft e rëndë për shkak të turqve. Dogja i Venedikut, Kristofor Mauro, nisi në Shqipëri si proveditor Josafat Barbaron. Barbaro mori shumë urdhëra për t’u kujdesur për mbrojtjen e Shkodrës. Mauro i bëri atij të ditur qëndrimin e mirë që mbanin ndaj Sinjorisë Gjon Stresi dhe zotërinj të tjerë shqiptarë Mauro e porositi atë t’i ruante këto marrëdhënie. Mauro e vinte në dijeni Barbaron edhe për Lekë Dukagjinin. Leka kishte në Shkodër pasuri të shumta të cilat kërkonte t’i nxirrte prej këtij qyteti. Mauro e urdhëronte nëpunësin e tij të mos lejonte Lekën t’ia arrinte kësaj sepse dyshonte se, pas kësaj, ai mund të kalonte nga ana e turqve.
Një porosi të veçantë Mauro jepte edhe për Mamicën.
Ajo jetonte aty me të birin. Burimet, për fat të keq, nuk japin emrin e tij. Prania e Mamicës, motrës së Skënderbeut, në Durrës, kishte mjaft peshë. Zonja kishte njohje dhe lidhje të shumta personale me shumë njerëz me peshë. Nga porositë që dogja i dha Barbaros, rezulton se marrëdhëniet e Venedikut me Mamicën dhe, sidomos me djalin e saj, nuk ishin të mira. “Në rast se do të arrish të tërheqësh nga ana jonë djalin e Muzakës dhe të zonjës Mamica, shkruante dogja, ne do ta kemi shumë të nderuarPër të bërë këtë djalë për vete, dogja e porosiste Barbaron se mund t’i ofronte atij diçka pa lejën e Sinjorisë “Nëse djalin e të ndjerit Muzak dhe të zonjës Mamicë do të arrish ta kthesh në bindjen tonë, kjo do të na pëlqente shumë (gratissimum habituri sumus). Për këtë, do të përdorësh me të më shumë zell, edhe dicka pa lejën tonë”
Dhe meqënëse zonja Mamicë, nëna e tij, banon në Durrës, duam që nëse ty, dhe rektorit tonë të Durrësit do t’i dukej shtëpia e saj në atë qytet e dyshimtë, atëherë ta largoni atë nga ai qytet, duke përdorur ato fjalë dhe ato mënyra që do të shihni me vend, me qëllim që djali i saj të mos mundet nëpërmejt asaj të kurdisë ndonjë gjë kundër shtetit tonë”
Dogja i kujton Barbaros edhe qëndrimin që duhej të mbante me Mamicën. Sinjoria nuk shpresonte të kishte marrëdhënie të mira me të. Barbaro bashkë me bajlin e Durrësit, duhej të gjenin një mënyrë për ta larguar atë nga Durrësi. Kjo duhej bërë me shumë kujdes dhe pa u kuptuar. Për këtë dogja porosite të shikohej “shtëpia” ku ishte vendosur Mamica. Në rast se kjo shtëpi do t’i dukej Barbaros dhe bajlit të Durrësit si e “dyshimtë”, d.m.th. si shtëpi që rrezikohej prej turqve, dhe sulmeve të tyre, atëherë ata duhet të këshillonin Mamicën të largohej nga Durrësi. Largimi i Mamicës nga Durrësi, sipas dogjës, duhej të bëhej me qëllim që biri të mos mund të realizonte diçka kundër shtetit venedikas .
Vështrim rreth shfaqjes “Vrasja e Maratit”
Teatër brenda teatrit/
Shkruan: Dr. Ilir Muharremi/
Në vitin 1793 përfundojnë kohërat e revoltës, fillojnë ato të revolucionit dhe shumica e revolucioneve marrin origjinalitetin e tyre në vrasje. Në një aspekt, të gjitha pothuajse kanë qenë vrasëse të njeriut. Disa nga këto kanë praktikuar vrasjen e mbretit apo të Zotit. Origjina e të gjitha revolucioneve ka në thelb “Lirinë”, këtë emër të tmerrshëm të shkruar në karrocën e stuhive. “Vjen një ditë, kur drejtësia kërkon me ngulm suspendimin e lirisë”, shkruan Kamy. Atëherë, nga kjo na del se terrori i madh qoftë edhe i vogël kurorëzon revolucionin. Revolta reflekton nostalgjinë e pafajësisë dhe bënë thirrje përmes qenies. Edhe para 1793 janë vrarë shumë mbretër dhe revolucioni francez hap dyert e kohës moderne njëkohësisht me moralin formal. Autori gjerman Peter Weiss kishte shkruar dramën “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit”, në vitin ’64. Skena e ngjarjeve është revolucioni Frëng, në ditët e korrikut 1793. Shfaqja u krijua në regji të Arben Kumbaros dhe u dha në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Personazhi i Maratit llogaritet si figurë më gjakatare e Revolucionit francez, njëkohësisht edhe orator i shkëlqyeshëm, mik i popullit mbrojtës i interesave të vegjëlisë, kështu fliste ai për veten. Kripa e këtij teksti është ky personazh. Monologët origjinalë të tij jo vetëm se janë shkurtuar, por edhe pjesët e vërteta të traktateve në të cilat është bazuar autori, transformoheshin në debate të thara, aktuale politike të ndikuara nga koha momentale. Aktori në raport me personazhin përpiqet të kap në fluturim ndërgjegjen e tij. Ai e di që ndërgjegjja ecën shpejt dhe mblidhet. Nuk mund ta rrokë në fluturim e sipër. Këtij aktori nuk i intereson asgjë më shumë se vetja. Hervin Çuli (Marati) është tejet radikal me një gjuhë pamflektike ngaqë shfaq në distancë të sëmurin paranojak, apo shtiret mbi imazhin e tij sepse arrin të kap vetëm hijen. Ndoshta është i ngushtë kufiri që i jepet për të krijuar personazhin, atëherë nevoja është te talenti. Personazhi në raport me jetën e tij reale, shprehë të kundërtën dhe forca e transformimit që bartet nëpërmjet gjesteve dhe brenda trupit, apo nëpërmjet zërit që i përket edhe shpirtit edhe trupit, mbetet e tija reale. Nga një vaskë me ujë të ftohtë ai flet për revolucionin, shkruan edhe fjalime për përmbysje të mëdha, një rol që konkretizohet nga kapërcimet e mëdha, veçanërisht në fjalime para turmës, që e do sforcimin e fjalisë dhënien e grimit dhe ngjyrës, patetizimin, për t’i bindur të çmenduritë. Fjala, nuk vjen natyrshëm, dhe kërkon përsëritje të vargjeve, me plotësim të emocionit për bindje të turmës. Ose fjala në teatër e do ekzagjerimin me qëllim të natyralizohet në një hapësirë prej pesëdhjetë metra katrorë skenë. Rol që kërkon shumë energji dhe frymëmarrje të gjatë nga thellësia e diafragmës. E tëra mbetet vetëm në muskujt e jashtëm. Kostumi dhe makijazhi e thjeshtëzojnë, por edhe e ekzagjerojnë nuk shkojnë më tutje se koha e ngjarjes. Kostumi i qëndron për mrekulli, por qëndrimi nuk është në raport me kostumin dhe kohën. Këmbët për asnjëherë nuk i vendos në pozicionin e tretë gjë që është veçanti e kësaj periudhe kohore. Këmbët i mbanë të hapura si një ushtarak modern dhe pjesën e përparme të trupit e kthen ka publiku. Kjo periudhë nuk e duron qëndrimin drejt ka publiku, por aktorit duhet të kthejë pjesën e krahut ka publiku. Apo nëse mbanë qëndrimin në drejt të publikut këmbët pozicionohen në pozicionin e tretë. Ky univers është i dukjes dhe për syrin.
E tërë drama ka një subjekt historik e ndërtuar me një stil aspak tradicional. Ky revolucion po e quaj i Maratit si përballje e njeriut të veprimit markezin de Sad (Viktor Zhusti), njeriun e imagjinatës. I mbyllur në çmendinën Sharënton, Sadi vë në skenë me të sëmurët mendorë përndjekjen apo vrasjen e Maratit. Problemi lind këtu, përpjekja për të ndërtuar teatër brenda teatrit apo siç e quan ai “Revolucion brenda revolucionit”. Jo, zotëri, sëpari është revoltë, me vdekjen e saj lind revolucioni. Në fillim kjo ndjenjë e revoltës është jetëshkurtër. Revolucioni fillon duke u nisur nga ideja. Ndërfutje e idesë në përvojën historike, ndërsa revolta është vetëm një ndjenjë nga përvoja individuale e lindur në ide. Revolta shpesh i vret njerëzit, ndërsa revolucioni i shkatërron njerëzit dhe parimet. Në histori ende nuk ka ndodh një gjë e tillë, një i tillë nëse ndodh atëherë është revolucion definitiv. Këtë nuk e gjejmë në këtë shfaqje.
Markezi De Sad na del kundër çdo norme dhe morali, është cinik dhe individualist. Me një tatuazh në gjoks dhe këmishën e zbërthyer e vëthë në vesh, Zhusti krijon portretin e një horri që nuk sakrifikohet fare për kombin. Loja e tij deri këtu besohet. Do t’i duhet më shumë potencë, pasi ai është regjisor në këtë teatër të “brendshëm”. Ai mundohet politikisht ta përballon këtë figurë, por nuk bënë politikë me të. Kur lëvizë në skenë de Sad, i kthehet lëvizjes së Zhustit, nuk e kundërshton vetveten për të përfituar nga roli. Trupi e mendja bashkohen, por jo nën shpirtin e de Sad-it. Ai nuk heq zinxhirët e këtij shpirti për t’u lëshuar pasionet vrullshëm mbi skenë. Nuk mund të flasin nëpërmjet të gjitha gjesteve. Këpucët bojë kafe të larta shpërqendrojnë kohën në të cilën luhet shfaqja, na kthejnë tre shekuj më pas sepse mu në atë kohë përdoreshin me take. Por, këto këpucë janë të po këtij viti 2015 e që luhatin karakterin ndërmjet përcaktimit të saktë kohor. Revolta shpesh kërcënohet me një mundësi për t’u bërë e kotë dhe revolucionare. Figura e Sharlote Kordei (Luli Bitri) qëndron përballë sfidës dhe ndërmjetësimit të përzgjedhjes së paqëlluar. Monologët valëvitin imazhe të përgjakura të Parisit, kjo aktore i interpreton me një zë të ulët, pa ngjyrë, nuk mund të mbush fjalinë, në shumë situata humb edhe rëndësinë. Tema folëse shkapërderdhet ana kuptimore dhe konteksti i materialit është i vakët. Sipas Grotovskit nuk ekziston vetëm një mënyrë e diksionit, por mënyra të panumërta. Lëvizjet skenike pothuajse janë të kurdisura artificiale, por jo monotone. Vërehet mizanskena dhe në shumë raste ndalon nën urdhrin regjisorial duke pozicionuar trupin pa kurdisje të tekstit. Trupi vepron i pari, pastaj zëri, reaksioni fizik që vepron nën ne. Pastaj, fjala shkrihet me lëvizjen, sepse ky është teatër i fjalës dhe i lëvizjes, të dyja tok hedhin vallen. Ajo vuan nga depresioni dhe është gjithnjë nën ndikim të qetësuesve. Ajo është si një armë me pavetëdije në raport me mision që ka marrë: vrasjen e Maratit. Ajo pati veçse dy situata të sakta të shkurtra dhe jepte aksente logjike të pasakta të fjalive, e që ndërronin kuptimin. Regjisori ia vë maskën e zezë këtij personazhi si simbol i vrasjes duke krijuar montazh të jashtëm të influencuar nga vrasjet e militantëve në ekranet televizive. Dypere (Indrit Çobani) , personazh i çuditshëm surreal, as shpend, as gjarpër e as njeri, kundërrevolucionar, maniak seksual me një vokal të zhvendosur dhe mbjellë dyshimin se a duhet Marati të udhëheq më atë tufë hajdutësh që ka nga pas. Është i vetmi personazh që këmba këmbës ndjek shpirtrat. Ai njësohet me jetën e personazhit dhe në disa raste tepron të folurën, tejkalon teatrin, dhe kjo i shkon për shtati këtij personazhi. Pacientët të vendosur në një kafaz të hekurt, çmendinë-burg, mbyllin shpirtin dhe kufizojnë revoltën, Zoti i tyre ka vdekur, duhet ndryshuar botën, organizuar nga forcat e njeriut-Maratit. Ata në këtë burg ndjejnë lirinë, kjo për shkak gjendjes së tyre. Arritja e ndërtimit të roleve është sfumato, nganjëherë teprimi i ekzagjerimit të fytyrës, pozitave që krijojnë figura-filmike, tallin personazhin dhe nuk jetojnë besueshëm në imagjinatën-fiksionin, por e shfaqin vetëm nga pjesa e jashtme. Skena me këta është mjerim dhe jo më kot regjisori zhvendos narratorin sa në sallë, sa në ballkon për të zgjeruar hapësirën, për t’i dhënë frymëmarrje. Aktorët-këngëtarë: Kukuru (Erand Sojli), Polposh (Egzona Ademi), Kokol (Mateus Frroku), Rozinjol (Flaura Kureta), me zërat e tyre i dhanë estetikë shfaqjes duke plasuar zërin me melodinë, veprimin dhe vallëzimin nën ritmin. Mjuzikli përcjellë shfaqjen, por nuk bëhet pjesë kryesore.
Nga regjisori vepra përpiqej të dukej art e jo pamflet politik, por monologët ishin pamflet politik në formë të aranzhuar. Kjo nuk është negative. Qeveritë revolucionare janë të obliguara të jenë të luftës, dhe shtrirja e revolucionit rrit rëndësinë e investimit që supozon ajo luftë. Kjo shoqëri e asaj kohe luftoj për njeriun dhe Evropën, ndërsa ajo që lindi më 1917 luftoj për dominimin. Ky revolucion lufton për sundim të botës dhe ndoshta fshehtësia e Maratit qëndroj këtu. Vullneti për fuqi.
- « Previous Page
- 1
- …
- 14
- 15
- 16
- 17
- 18
- …
- 80
- Next Page »