Nga Edmond BANUSHI/
Pas bojkotit të Kuvendit nga opozita për disa muaj dhe kërkesës së saj për dekriminalizim, më në fund u arrit të bëhej një rezolutë e përbashkët për Dekriminalizimin e Kuvendit, më datë 24 dhjetor 2014. Thelbi i saj ishte “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”. Siҫ shihet qartë asgjë nuk arrihet pa ndërmjetësimin e të huajve.
Por si rrodhën ngjarjet më pas?
Dy muaj më pas kryeministri deklaroi në emisionin “Opinion”, se ai, nuk ishte në dijeni të deputetëve me të shkuar kriminale! Ndonëse të gjithë kishin dëgjuar për disa “të fortë” në radhët e mazhorancës, askush nuk i vuri rëndësi, pasi tek ne gënjeshtra në politikë konsiderohet normale. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se e konsideronte normale që një kriminel, siҫ e quajti më vonë kur akuzoi opozitën si zëdhënëse të tij, të shkojë në zyrën e ministrit të brendshëm, të denoncojë një krim dhe për 6 muaj të mos njoftohet prokuroria. Madje ai dhe ministri i tij e dhanë verdiktin. Dëshmitari është aktor dhe akuzat janë false. Dhe unë ashtu besoj, por do pres së paku të shprehet gjykata për të. Ndërsa ajo që ndodhi pasi Toma e bëri publike akuzën me të cilën do dridhte mazhorancën është akoma më keq. Kryeprokurori u takua me kryeministrin dhe kryetarin e paralamentit, i cili ishte i akuzuari se do të vriste me pagesë dy deputetë dhe me siguri u premtoi “vënien” e drejtësisë në vend. Për më pak se 20 ditë u sqarua gjithҫka Toma, Durimi dhe Marku gënjejnë, kryeparlamentari jo, po ministri e kryeministri nuk penguan drejtësinë, krim edhe ky, që nuk kallëzuan dhe hetuan gjashtë muaj? A do ishte zbuluar gënjeshtra sikur të ishte e tillë, disa muaj më parë? Kaq e thjeshtë qënka të takosh ministrin e brendshëm nëpër shtëpia private e ta gënjesh ministrin e brendshëm në zyrën e shtetit jo për pak gjë por për vrasje të deputetëve?!
Dhe të presësh pas kësaj që njerëzit e thjeshtë të kenë besim tek policia, organi i akuzës dhe drejtësia në përgjithësi!
Kjo tregon sesa të qartë e kanë pushtetarët tanë ndarjen e miqësive personale nga detyra dhe ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve.
Opozita në vazhdim bëri shumë mirë që për të dhënë autorizimin kërkonte prova fajësie për dy deputetët e mazhorancës. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk e kanë bërë formale dhënien e autorizimit, thjesht mund të hetohesh pa të. Dhe është pa kuptim kërkesa e arrestit për një të paakuzuar. Mendoj se duhet të rrinte në seancë dhe të votonte. Deklaratat e menjëhershme të ambasadës amerikane ishin dy asiste për PD-në, si në rastin e përjashtimit të Doshit nga grupi parlamentar, ku në dallim nga kryeministri që tha se u përjashtua ngaqë kritikonte dhe i bënte presion qeverisë, e thanë hapur, pretendohet të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale. Po kështu edhe kur përshëndeti prokurorinë. Largimi nga Kuvendi mund të krijojë përshtypjen e gabuar tek njerëzit, se SHBA-të mendojnë qe dekriminalizimi është detyrë eskluzive e organit të akuzës. Është krejt e kundërta. Vetëm në Amerike avokati mbrojtës dhe prokurori janë në të njëjtin nivel. Nëse do të lëshojë terren politika, disa prokurorë, veҫanërisht ata që kanë dobësi kamerat, do ta kujtojnë veten si mbrojtësit e shenjtë të së drejtës, të moralit publik, duke përfituar nga funksioni do përpiqen të bëjnë “vëzhgimin civil” mbi sjelljet e politikanëve dhe të kushtëzojnë zgjedhjet ose prishin mazhorancat e brishta. Rrëmuja ligjore që mbretëron tek ne, ligje dhe akte nënligjore në kundërthënie, është terreni i duhur për delirantët e zellshem. Do të kishim kështu një (de)kriminalizim alla Putin, që mesa duket mbetet idhulli i disa politikanëve.
Por si arritëm deri këtu?
25 vjet më parë ne jetonim në diktaturë, ku armiku pushkatohej, burgosej dhe në rastin më të mirë i sekuestrohej gjithҫka dhe internohej. Kjo bëri që “Njeriu I ri” të mos kishte një kufi të qartë midis politikës, betejës për fitore dhe hakmarrjes. E megjithatë që në zgjedhjet e para demokratike (në radhët e Partiës Demokratike të paktën) u bë kujdes që të mos kandidoheshin njerëz me të shkuar kriminale, të dënuar për krime ordinere. Dhe kjo ishte vijimësia logjike e 8 dhjetorit. Atë natë të “fortët” dhe hajdutët e batanijeve të Qytetit Studenti u strukën, pasi ata nuk kishin ideale. E pra kjo është politika e mirë, ideali, solidariteti, të bërit vepra në shërbim të komunitetit, administrimi i mirë.
Por Njeriu i ri nuk u zhduk. Ai vuri re se politika ishte burim pasurie dhe u transformua duke hyrë në politikë nëpërmjet të gjitha partive. Nuk është e vështirë t`i dallosh. Sa më shumë ngjiten në pushtet, aq më shumë trashin zërin. E shprehin hapur që për ta kundërshtari është armik dhe kjo justifikon cdo aleancë të pamoralshme. Betejat politike janë raasti më i mirë i dhunës verbale. Është kjo arsyeja që në Kuvendin e Shqipërisë deputeti plagosi simbolin e Lëvizjes Studentore dhe akuzohet sot kryetari i tij për organizim vrasjesh. Sidoqë të shprehet gjykata për ҫeshtjen Doshi, Rilindja dështoi në premtimin e madhe se do ta sillte politikën pranë qytetarit. Ramës nuk ia dha njeri me zor Tomën dhe Markun. Ai i përdori për të fituar vetë dhe tani do paguajnë të gjithë.
Megjithatë ajo që na intereson të gjithëve është pyetja, a mund të bëhet dekriminalizimi i politikës, d.m.th. Kuvendi, pushteti lokal dhe administrata publike të mos jenë streha e kriminelëve?
Së pari duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Me një ligj që ka për qëllim të nxisë besnikërinë ndaj liderit dhe jo llogari-dhënien para qytetarit, deputetët në rastin më të mirë do jenë gënjeshtarë. Ky ligj mund të shërbejë në vendet me demokraci të konsoliduar për të krijuar stabilitet politik dhe gjithëpërfaqësim, por nuk besoj se është rasti ynë. Partitë të mëdha ose jo, i përshtaten dhe pasqyrojnë mjedisin ku lulëzojnë. Sa më afër ky mjedis me parajsën, aq më afër engjëjve do të jenë deputetët, sa më afër ferrit mjedisi, aq më afër djallit ata.
Së dyti mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë një pakt të hekurt, të detajuar dhe të tejdukshëm nën dritën e diellit për të larguar kriminelët, sepse gjithmonë do ketë me të kaluar të tillë, ose të bërë gjatë ushtrimit të detyrës.
Pra mund të bëhet. Problemi është: Kur?
Përgjigja që me vjen në mendje është një pasazh nga Bibla: Rojtari i shenjtorit Isa, atyre që e pyesnin: Kur do agojë? u pergjigjej “Do vijë mëngjesi, por është akoma natë. Nëse dëshironi të pyesni, ejani një herë tjetër.”
Archives for March 2015
Krijuesit vlonjatë dhe roli i tyre në letërsinë shqiptare
nga MSC. Albert HABAZAJ/poet,studiues/
Parë me lentet artistike të shekullit të ri, nëqoftëse letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale, Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër.
Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot.
Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30 – të, tok me Migjenin, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj. I katërti është Fatos Arapi, poeti i Zvërnecit, që i përket letërsisë së pasluftës, të cilit “Neraida”, një nga shtëpitë botuese cilësisht më prestigjoze në Shqipëri, me botues njeriun qytetar të kulturës Jani Malo, i botoi veprën e plotë poetike në katër vëllime. Robert Elsie, historian i njohur i letërsisë shqiptare e cilëson F. Arapin “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.
Në linjën kronologjike, Shquhet publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885 – 1964), politikan, erudit e studiues historie, kulture dhe etnografie. Është ndër shqiptarët e parë me bibliotekë të pasur, që njihet, për kohën, ndër më të dëgjuarat dhe në Ballkan. “Kujtimet” e tij janë një vlerë e rrallë albanologjike.
Një personalitet i njohur është dhe atdhetari demokrat Halim Xhelo (1893 – 1937), ndër themeltarët e zjarrtë e titanikë të publicistikës letrare, ideator dhe frymë e luftës së Vlorës.Halim Xhelo është cilësuar si Abdyl Frashëri i kësaj epopeje, që gremisi perandorinë e pushtimit…
Nga Vlora është dhe i njohuri lirik Nexhat Hakiu (1917 – 1978), autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane, zotërues i vargut me ndjenja të holla romantike e sentimentale, botuar më1939, në tiranë me titullin “Këngët e zambares”. Për lirikat e dashurisë radhitet i dyti pas Ali Asllanit, për atë lloj vjershërimi.
Të tjerë shkrimtarë të angazhuar, por më minorë janë Isuf Luzaj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi dhe Spiro Çomora. Një emër i paharruar për letërsinë është dhe juristi vlonjat Kudret Kokoshi ( -1991), poet i hollë e përkthyes i zot, burgosur edhe nga fashistët, edhe me pas nga komunistët. Dramaturgu i talentuar Minush Jero (1933- ) nga Vlora për dramën “Njolla të murme” fitoi çmim të parë më 1968, në Festivalin Kombëtar të Teatrit, por u burgos për “mungesë të pastërtisë ideologjike”. Në vitet 1970-’80 dalin në skenën letrare shqiptare emra si Fadil Zeqiri, Neshat Tozaj, Shefqet Tigani, Flora Gjondeda, Llambro Ruci, Ruzhdi Gole, Dalan Luzaj, Lefter Çipa, Kastriot Mahilaj, Maro Pasho, Irfan Bregu, Miliano Stefa, Odise Goro e Hiqmet Meçaj, i krahasueshmi në poezi me nivelin artistik të Xhevahir Spahiut, që dhe u inkurajuan si talente të reja të kohës.
Nga autorët vlonjatë janë përfaqësuar në antologjinë e letërsisë bashkëkohore shqiptare: Petro Marko, Shevqet Musaraj, Spiro Çomora, Fatos Arapi e Neshat Tozaj.
Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë: Odhise Grillo -lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para; poeti Tasim Gjokutaj, origjinal në humorin dhe satirën e tij; Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël; Skënder Hasko që i sjell frymëzime të thella botës letrare fëminore;
Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët,ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë.
Një rrymë e re letrare
Gjatë viteve 1985-1995 një rrymë e re letrare lind në Vlorë, e përfaqësuar nga Seit Seitaj,
Xhemil Lato, Albert Habazaj (Abazi) e Qerim Skënderi. Nëqoftëse, deri atëherë njihej në nivel kombëtar Shkolla Vlonjate e Pikturës, po konturohej tashmë denjësisht Shkolla Poetike e Vlorës, (krahas shkollave të tjera, kuptohet). Ndihej, tok me shqetësimin qytetar e intelektual, aroma e së nesërmes dhe vizioni universal i poetëve të rinj, që tashmë s’ishin më të rinj e të pakët, sepse shoqëria letrare e qytetit po rritej dhe njëkohësisht ngrihej cilësisht me individualitete të dalluara për nivel artistik në veprat e tyre. Idajet Jahaj, Enrieta Sina, Eqrem Canaj Anastas Bita,Aleksandër Çipa, Hiqmet Mehmetaj, Elma Rama, Kozma Billa, Gëzim Llojdia, Astrit Xhaferi, Albana Hodo, Avni Varfi, Liljana Zoga, Astrit Hajdini, Laureta Petoshati, Ruzhdi Bajrami, Nertesi Asllani, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Myrteza Mara, Tomor Balla,Sinan Elmazi,Blerina Kotorri, Vangjel Stefa, Luto Memokondi, Leka Skëndaj, Vjollca Staro, Pajtim Xhelo, Vangjel Pici, Pelivan Bajrami, Mynyr Zyka, Kudret Mara, Pali Shtëmbari, Zyba Hysa (Bashmili), Ylli Bora, Petrit Velaj, Enver Qamo, Asqeri Llanaj, Shkëlqim Zotaj, Çlirim Hoxha, Novruz Abilekaj, Pelivan Bajrami, Ideal Muho, Petrit Qejvani, Andi Meçaj, Robert Goro, Besiana Koshena, Valbona Gaçe, Zenepe Luka, Thodhori Babe, Sokrat Habilaj, Idlir Azizi, Kristo Çipa, Neki Dredha, Kristaq Xhaho, Dionis Qirixidhi, Elisabeta Alikaj, Lavdie Çela e të tjerë emra që do të vijojnë, përbëjnë gjethet e degët e gjelbra të pemës së shëndetshme të krijimit letrar në Vlorë.
*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor
ANDRRA E ULQINAKVE PER GJUHEN SHQIPE
*Andrra që keni pasë pamë tash sa`kohë, sot u shfaq me ate gjuhë që ju e ruejtët si prushi në gji./
*Fjala e mbajtur para prindërve dhe qytetarëve Ulqinakë nga Jahja Domnori,Drejtori i shkollës së parë shqipe në Ulqin 1941-42, Jahja Domnori/
Zotni të ndershëm dhe vllazen ulqinakë,
Ma parë ju kërkoj të falun që keni pasë mirësinë me marrë mundimin e me urdhnue deri ktu. Arsyeja e mbledhjes së sotme s’âsht tjetër vetem se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju me qellim që t’u apim edukaten e duhun fëmive tuaj.
Andrra që keni pasë pamë tash sa`kohë, sot u shfaq me ate gjuhë që ju e ruejtët si prushi në gji.
Sot po ju flet nji vlla i përzemërt i jueji. Më kujtohen fjalët e shkrimtarit Francez Builo i cili thote : se nji popull që ruen gjuhen e vet aj ka ruejt çilsin e rrugës së indipendencës. Por kjo gjuhë e ruejtun prej jush si drita e syve duhet punue, e këte punë e ban shkolla.
Prandaj ma parë do t’ju flas për randësinë e shkollës e mandej do të flas marrdhanien që ka shkolla me ju, per me rritë fëmit si duhet.
Shkolla si dihet ka për qellim të mbramë me mësue e me zhvillue inteligen e fëmis. ajo dishron me përpunue përnjiherësh e armonikisht të gjitha vetitë shpirtnore të fëmis. E aj nuk asht vetem nji shpirt, e as vetem nji trup që do t’i jepet edukata, por asht nji njeri.
Shkolla vegon me formue qenie të plotsueme d.m.th. burra e gra me trup te shëndoshë, me zemër trime,me vullnet të fortë,me nji shpirt te drejtë,por edhe njers që të jenë të zotët me mprojtë të drejtat e veta. Prandaj djelmve dhe varzave që do t’u bahet teslime edukata në dorën e tyne,do të jenë fëmit tuej ,fëmi shqiptarësh të shekullit XX.
Shkolla përpiqet me pregaditë qytetar e qytetare të rrespektueshëm ndaj ligjeve,me dashtë tek s’ban Atdheun e tyne e krejtë të gadshëm me ba çdo sakrificë për te.
Nji njeri që s’ka dashtni për atdhe aj s’ka besimin e sigurtë. Për këte arsye shkolla duhet me siguru vemendjen e të gjithë shpirtnave të njomë për nji qellim: Atdheu mbi të gjitha.
Shkolla e sotshme nuk do të japi njohuri të thata, por do të mundohet që me anë të punve të vogla me j’a pregaditë të gjithë ata cilësi shpirtnore që ka prirje fëmija.
Prej c’thame, se shkolla e jonë pregaditë përnjiheresh njeriun në kuptim të vërtetë të fjalës,qytetarin e mëtejshem.
Shkolla e sotme jo vetem që e mpron të drejten fetare të sejcilit, por edhe i ep shkas
e zhvillim të përhapjes se çdo feje tue e lanë të lirë mësimin e ushtrimin.
Âsht shumë i gabueshëm në qoftë se ndokuj i përshkohet nepër mend se shkolla shqiptare përbuz fetë. Kjo mund të jetë vetem nji propagandë e flligët e atyne që dishrojnë me ju ba varrin ju.
Me hi e me folë se ç’randsi kanë fenat, unë nuk jam kompetent për këte punë por di t’ju tham se nji njeri që hjek shpresen prej zotit aj nuk do të ketë shtyllë ku me u pshtetë ose shkop ku me u mbajtë.Të tanë jeta do t’i shkonte si i mbytuni nepër shkumë.
Por faktorët që përbajnë shkollen janë fëmitë e mësuesit e siç do mjeshtër, për me e krye zanatin (mjeshtrine) e tij i duhen veglat e brumi, ashtu edhe na, për me krye misionin e naltë t’tonin duhet të kemi brumin,që jane fëmitë të formuem si duhet.
Ju bie si shembull nji zdukthatar, se sado veglat e mira me i pasë, kur brumi asht i keq nuk mund të krijojë nji gja të përsosun.
Pra e para e punës na dona me pasë fëmit të gatuem deri diku prej nanave ulqinake e mandej na me i vu ne rrugë të mbarë.
Shkolla pra kërkon qi m’i vue fëmitë në marrdhanie me ju në kondita hygjenike si c’e lypë nevoja trupore e shpirtnore e tyne.Duhet ta dini se në pikëpamje të pastërtisë fëmija asht nji pasqyrë e nanës dhe e babës.
Prandaj puna e parë asht që me anë të pastertisë, fëmija munden me e pasë trupin e shendoshë e asht e dijtun se latini kot s’ka thanë: Mendja e shndoshë, ne trup të shndoshë.(Men sana in corpore sana).
Nji fëmi që ka trupin e shendoshë,aj ka edhe mendtë e shndoshtë e asht i gadshëm me i rrokë mësimet si duhen.Familja duhet të ketë kujdes, që femitë me i dërgue të pastër në shkollë.
Tash do te flasi për edukaten e shpisë e mandej të shkollës.
Ma pare se kërkushi, i takon nanës kujdesimi i fëmivet, për arsyet se:
1-Ndërmjet prindve e fëmive,gjindet lidhnije ma e ngushtë,pse fmija din me dashtë ma fort njate që i plotson dishirat e nevojat e tij. Nji fëmis po ju afrue nji i huej menjiherë nisë me u ngërvallë.
2-Ndërmjet prindve e fëmive, në mnyrë të veçantë, frymzimi nanës ka fuqinë ma të madhe,pse nanë e fëmi gjinden ma afër se kërkushi,aq afër sa gadi me u thane nji.
Pestalozi, themelues i edukatës na mësoj me i lshue nanës vendin e parë.
Nanat e edukueme, lindin e rrisin fëmi të edukuem. Këte fuqi të nanës e gjejmë edhe te fjala popullore: Ban nanë se të gjas e dy kambë i rreshqas.
Vepra e prindve ndaj fëmive asht çmos e fuqishme pse pak a shumë prind e fëmi kanë nji gjak e nji natyrë. Fëmija pa dalë mirë prej djepit mundohet me i ndihmue vllazënve të vet ma të dobët,këtu kuptohet edhe veprimi i përbashkët.Aty në shpi mundohet me u marrë parasysh personaliteti i fëmis.
Tue kenë se në familje janë fëmi ma pak,munden me ju plotsue të gjitha nevojat secilit fëmi
Por ktyne të mirave u rrinë përballë edhe këto te kqija :
Janë disa prind që nuk dien a as nuk ju vjen përdoresh edukata.
Disa për shkak të punve të shumta që kanë jashta shpijet,nuk mund t’ua barin kujdesin e as nuk mund t’u vien rreth fëmive.Disa të tjerë, nuk i japin randsien që i përket edukatës.Kto gjana ndodhin edhe nepër familje ku nanës e babës i del koha me rritë fëmit.
Jane disa nana,zoja shpijash,të cilat ja japin vet tamlin e gjiut fëmive.Kjo asht ndera e stolija ma e madhe për nji nanë shqiptare.Ka disa nana të tjera,të cilat për me i dhanë vedit randsi ose për me u dukë se janë shpijash të mira nuk merren aspak me rritjen e fëmivet, edhe tamlin e gjiut nuk ja japin atyne. E ktu vjen edhe rrenimi i familjeve të mëdha. Fëmit e tyne jane lanë ne dorën e disa të rejave, që janë ma fëmi se fëmija.
Prandaj tue marrë për bazë se shteti ynë të gjithë shpresen e ka pshtetë në familje,të cilat sa ma nalt që të jenë, aq ma nalt qendron shteti.
Duhet ta dimë se pasqyra e fëmijve në shkollë asht nana, e pasqyra e konstruktorit të shtetit asht shkolla.
Prej shka thamë deri ktu,kuptohet se shkolla e parë e fëmive asht familja,por edhe shkolla ka të mirat e saj.
Fëmija në shkollë gjindet si nji gjymtyrë e nji shoqnije e kjo gja asht ndër faktorët ma kryesor që e bajnë ate me përfitue ndiesit e rrelacionit shoqnuer. Aty shef se si mundet me i ndihmue nji ma t’vobegtit, nji ma të dobtit fizikisht.
Në shkollë e kqyrin edukatën njers kompetent (që e kane për zanat) të cilët kane mësue po për njate punë e janë të rrahun me çashtje fëminore.
Mësuesi në shkollë i rrin fëmis pa paragjykime e kjo punë i ndihmon fort për me pru nji gjykim të madh mbi sjelljen e mbi të metat e fëmis.
Në shkollë tue punue nxansit krijohet nji fare zelli me ja kalue njeni tjetrit. Kjo punë ka nji njoftje të madhe për fëmi deri sa të ruhet e të mos kalohet kufini.
Në shkollë, fëmija din me njoftë fuqitë e veta mendore e trupore e mos me i besue vetes
ma tepër se sa vlen, pra i zhduket madhështija.
Në shkollë, ku pa ndryshim rrin e mëson si i vobegti si pasaniku, përpjeket e afrohet ma tepër gjaja shoqnore. Ktu fillon pra, me ja diet pasaniku të vobegtit,zengjini fukarasë.
ktu mëson fëmija ç’asht zeqati, sadakaja, buka e shndandout. Sidomos në kohë të sotshme, ku popujt nji palë kane rrezervue kapitale e nji palë të tjerë janë denue me vdekë ûje, për kte shkak po përligjen me lufta e gjaqe.
Dhima për të vobegtin e drejtsia për të gjithë jane bazat esenciale të shkollës së sotshme.
Këtu do t’ju flas pak për edukimin e përbashkët ku do të mesojnë pa ndryshim varzat edhe djelmtë.
Në statistiken që kam në dorë,shof se janë regjistruem 227 djelm e 97 varza.
Kjo gja më ban me dyshue mbi formimin e nanave shqiptare (ulqinake) prej të cilave do të mvaret e ardhshmja e fëmivet.
Ndeja e pandame e djelmve me varza i ban të parët ma të paqët në fjalë.
Kur të dy palët do të edukohen në shkollë do të kenë respekt për njeri tjetrin.
E keqja asht, kur prindja i lanë fëmit, djelm e varza pa shkollë, ku asnji njeri s’merr mbi ta kurrfarë përgjegjsije. Prandaj ju thrras, o vllazen ulqinake që te mos i leni fëmit t’u rrugve, pse ktu në shkollë ecin zbashku djalë e vajzë, si në votër vllau me motër.
Prej shka thamë deri ktu, kuptohet se shpija asht baza e edukatës, ndërsa shkolla i çon përpara me disiplinen e vet.Prandej shkollë e shpi duhet të kenë nji lidhni e krahasueme si njena dore lanë tjetren e te dyja lajnë fytyren.
Femija në shkollë hyen 6 vjetsh, e aj i ka kenë shtrue edukatës se prindve e vazhdon gjithnji nën mbikqyrjen e tyne.
Në qoftë se nji fëmi kalon nji orë në shkollë e shumë orë në shpi ç’do të ngjante në qoftë se familja asht në kundërshtim me shkollen.
Po e xamë se në shkollë ndalohet kumbara,alkooli etj.c’do të ngjante në qoftë se familja i ep letra me luejt për natë ose pjek rakinë vetë .Puna e mësuesit në kte mnyrë shkon kot,në Buen.( në lum)
Pra nji gja që e ndalon mësuesi duhet të jetë e ndalueme edhe prej prindve.
Për kte âsht e domosdoshme me përmbledhe njohuni mbi jeten e fëmive tuej. Nji prind ankohet se djali s’kap libër me dorë.
Mësuesi ankohet se djali vjen vonë në shkollë.
Ka fëmi qe rrinë të mërzitshem në shkollë, mesuesi duhet të dijë në qoftë se ka ndonji hall apo ndonji smundje,e tue dijtë shpirtin e nji fëmije ,din me gjetë edhe shkakun për te.
Ka fëmi që vuejnë me smundje të ndryshme,prindi duhet të bisedojë me mësuesin, e mësuesi ka me kenë i gadshëm me u sjellë me te si i përket.
Shumë fëmi që kanë probleme, vehen në rrugë të mbarë prej nji mësuesi specialist,kur prindi e mësuesi punojnë zbashku. Por nji gja duhet me pasë parasysh,mos me i msue fëmit vetëm me urdhna.
Fëmija e sahati nuk duhen me u ngrehë shpesh por duhen lanë me ecë edhe vetiut.Në daç me e vu fëmin në rrugë të mbarë duhet me i kallxue ate c’ka do të bajnë e jo kurrë gjanë e ndalueme.
Në qoftë se mësojmë nji fëmi me punue vetem me urdhna, ka me mbetë gjallë e ngusht,e kur t’i bien ndonji gja mbi krye s’ka me diet me e plotsue .
Fjala që i thue fëmis duhet me kenë nji mur çeliku,nuk duhet të thyhesh e të bajnë ate që nuk e ke lejue ma parë.
Kurrë mos i fol me gjak të nxetë, e aty ku mundesh me krye punen me nji fjalë t’ambel. Fëmija bindet ma shpejt me fjalë të mira se sa me fjalë të ashpra apo me rrahje.
Fëmija asht tue u formue dhe na duhet ta respektojme ate që edhe ai mandej të na respektojë ne …….
Jahja Domnori Ulqin 1941
Pegatiti:Pertefe Leka
Mësoni gjuhën e bukur shqipe
Nga Pertefe Leka/
Thirrja që u bëri Presidenti Nishani autoriteteve të Komunës së Ulqinit “Të punohet sa më shumë në ruajtjen e gjuhës,traditave dhe identitetit kombëtar,si vlera më e çmuar që kemi” më zgjoj kujtimin e mësuesve shkodranë që vepruan me devotshmëri për përhapjen e gjuhës shqipe në Ulqin e rrethina, 75 vjet më parë .
Shqiptarët jashtë kufijëve po ndihen të përfaqësuar.Vizita e Presidentit Nishani në Cetinjë,Tuz,Ulqin Tivar, u prit ngrohtësisht nga qytetarët autokton.Komunikimi shpresëdhënës se mbrojtja nga shteti amë është evident të mbush me optimizëm për të ardhmen.
Presidenti përballë mediave theksoi :”Të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj,si edhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore për shkollimin në gjuhën shqipe dhe në përdorimin e simboleve kombëtare.”
Ndër të tjera, Presidenti ofroi gatishmërinë e institucionit që përfaqëson duke theksuar: ”Institucioni i Presidentit do të jetë kurdoherë pranë jush, në ndihmë të lidhjeve sa më të mira dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare.”
Kjo vizitë e Presidentit na zgjon shpresën se kjo duhet të ndodhi edhe në Çamëri,që shqiptarët të ndihen të plotësuar. Shqipërinë natyrale askush nuk mund ta tjetërsojë.Ajo ekziston.Shqiptarët nuk e harrojnë historinë.
Kështu veproi ish ministri i Arsimit,Ernest Koliqi, kur dërgoi mësues në trojet shqiptare për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe,në Kosovë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë që kishin mbetur jashtë kufijëve të 1913-tës
Duke shfletuar kujtimet e disa mësuesve shkodranë,të cilët punuan me përkushtim për arsimimin në gjuhën shqipe në Ulqin, mbushesh me krenari sepse këta shembuj duhet të përsëriten.Ata i kërkon koha.Këtë porosi e dha edhe presidenti Nishani, gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.
Ja si vepruan 75 vjet më parë mësuesit shkodranë.Jahja Domnori,Prenkë Jakova,……
Në vitin 1941,Ministria e Arsimit emëroi për zonën e Ulqinit mësuesin Jahja Domnorin i cili ishte i pajisur me një kulturë të gjerë pedagogjike dhe me një përvoje të mirë pune për hapjen e shkollave të reja, si në Dibër,Vlorë,Durrës e në Shkodër. Ai do të kryente detyrën e Drejtorit dhe Inspektorit të zonës në N/prefekturën e Ulqinit.
Duke pasur në varësi të gjitha rrethinat e Ulqinit, kishte nevojë për mësues të devotshëm, pasi njerëzit atje ishin të etur për shkollën shqipe e cila deri atëhere ishte e ndaluar.
Këte detyrë e mori përsipër vetë inspektori i zonës,mësuesi Jahja Domnori,që të zgjidhte mësues nga familje të nderuara intelektuale, duke shfytëzuar njohjet që kishte me ta.
Mësuesi J. Domnori, ishte njohur me babain e Prenkë Jakovës,Kolen, kur ishin bashkë në luftën e Koplikut,me 1920. Kola,me origjinë nga Gjakova, ishte ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijëve kombëtar nga agresioni jugosllav.Dy familjet kishin ruajtur një miqësi të sinqertë.Për këte, trokiti në derën e Gjakovarëve, për të inkuadruar djalin e tyre, Prenkën, në këte detyrë fisnike.
Më mirë e përshkruan vetë Prenka këte lidhje në kujtimet e tij.Ai kishte respektin me te madh për Zotni ,Jahon,(kështu e thërriste Prenka) Ke andje t’i lexosh ato shënime, me një gjuhë të bukur shkodrane, ku Prenka i ka dhënë melodinë e shpirtit te tij.
“Nji ditë, tek po lexojshe diçka në revisten “Hylli I Drites,”në oden e vogël u fut nana Rozë,me duert e saja tanë shkumë sapunit e tanë preokupim, e më thotë se ka ardhe nji mik i shtepisë tonë,Jaho Domnori, që ishte drejtor i shkollës fillore të Ulqinit.Unë tue e njoftë mirë zotni Jahon,lashë librin e dola menjëherë në oborrin tonë të vogël,ku nana Rozë e kishte vendue në nji karrike thuprash .Pasi u falme me njeni tjetrin, ai me propozoj që të shkojshe si mësues në katundin e Katërkollit,në Anë të Malit,se në ate zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodret, si Viktor Kicin,Prenke Shiroken,Shuk Shllakun,Ramadan Millen,Zef Berishen e shumë të tjerë.
Unë si me marifet ja hodha fjalën,për me më marrë në Ulqin,e aj plot deshirë,me premtoj,se do ta realizonte këte deshirë timen,por në të ardhmen.
Me që të gjithë mësuesit, që më përmendi Zotni Jahoja i njifshe mirë,pranova pa ma të voglin hezitim.
Nana tuj i prue nji kafe tarnake, e tuj fluturue prej gzimit e falnderonte zotni Jahon për interesimin e tij. Ajo ju lut edhe për vllaun tem,Çeskun,për me i gjetë nji vend edhe atij,se i pelqente natyra dhe puna si mësues”.(nga kujtimet e P.Jakoves )
Pa urdhëra nga lart,por me një bisedë të hapur e të sinqertë drejtori i shkollës e zgjodhi personelin me mësues që e donin Atdheun dhe përparimin e Kombit.
Eshte historik ,fjalimi që mbajti drejtori i shkollës J.Domnori ditën e hapjes së shkollës shqipe në Ulqin,me prindër,mësues dhe autoritetet vendore.
“Arsyja e mbledhjes sotme s’asht tjetër vetem se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju, me qellim qe t’u japim edukaten e duhun femijve tuaj.
Andrra që keni pasë pamë tash sa kohë, se nji popull që ruen gjuhën e vet ,aj ka ruejt çilsin e rrugës së indipendencës u shfaq sot si drita e syve .Kjo gjuhë e ruejtun prej jush,si prushi në gji duhet punue, e këte punë e ban shkolla…
Shkolla përpiqet me pregadite qytetarë e qytetare të respektueshem ndaj ligjeve, me dashtë tek s’ban Atdheun, e krejtë të gadshëm me ba çdo sakrificë për te.”(nga shenimet e J.Domnorit)
Ky ishte motive kryesor i të gjithë atyre që punuan pa u ndalur për të përhapur dijet me gjuhën e bukur shqipe.
Kështu veproi edhe Prenka,djale i ri.Ai shpesh ndeshej me prindër të cilët ia drejtonin pyetjet pa kuptuar, në gjuhën sllave,por Prenka me dashuri dhe admirim për ata njerëz të mrekullueshem,u thoshte :”O vllazen,kjo asht shkolle shqipe, mos ma permendi ma pjevanjen por me thoni :A..din..me ..këndue ..mirë ..shqip.”
U përurua në Staten Island- Nju Jork, libri “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës”
Daci : “Libri vjen si një mesazh solidariteti në këto ditë të vështira e të trazuara jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë njerëzimin”/
STATEN ISLAND NEW YORK : – Në Klubin e dibranëve – “Dibra” në ishullin Staten Island – New York, dje në mesdrek, pas rrugëtimit të tij – në Tiranë dhe Dibër e Madhe, u përurua libri “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës” i autorit Fatos Mehdi Daci.
Veprimtaria u organizua nga Shoqata Atdhetare “Dibra”, në bashkëpunim me disa veprimtarë të këtij komuniteti. I pranishëm ka qenë edhe vetë protagonisti i këtij libri- ose personazhi kryesorë i romanit , Sakip Veliu, i cili në mungesë të autorit, ka dhuruar për të gjithë pjesëmarrësit nga një libër me autografin e tij, edhe në emër të autorit.
Në këtë veprimtarii ishin të pranishëm, një grup veprimtarësh ,drejtues dhe përfaqësues të shoqatës Atdhetare Dibra, miq, kolegë, dhe dashamirë të autorit dhe personazhit kryesorë të librit,:Ylber Pilku, Arben Rrustja, Lavderim Koxha, Arif Mjeshtri, Imer Rusi, Qamil Çela, Lirim Mashkulli, Rrustem Arapi, Agron Efendia, Selaudin(Dini) Radoveshi, Rrape Ruci, Enver Hasanbelliu, Dr. Adem Harxhi, Prof. Skënder Kodra, Shpend Koleci, Tomë Paloka dhe Hysen Kosovrasti.
Pas hapjes së kësaj veprimtarie kulturore nga drejtuesi i saj – gazetari i komunitetit Beqir Sina, i cili shprehu kënaqësinë që promovimi i këtij libri po nxjerr në pah disa nga vlerat më të spikatura dhe vyrtytet e çmuara tek Dibranët, si historia e tyre kombëtare, bujaria, trimëria, zemërgjerësia, fisnikëria, ka qenë recenzuesi i këtij libri Hysen Kosovrasti, i cili lexoi referatin me titull: “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës” i autorit Fatos Daci – Histori të pazakonta njerëzore nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.
Shkrimtari dhe publicisti, nga Dibra e Madhe, Kosovrasti, foli gjatë referatit të tij, për traumën kosovare, dëbimin e tyre si dhe përkrahjen e dhënë të dëbuarve nga shqiptarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Ai më tej shtoi se familja katëranëtarëshe e Abdyl Bahtirit nga Sibovci i Podujevës, jo vetëm që i gjeti dyert e zemrat e hapura në familjen e Sakip Veliut, pasi ata emigruan në SHBA, ndërsa vogëlushen Fitoren e ritën dhe në moshën shtatë vjeçe arritën t’a bëjnë me bashkim biologjik me familjen. Sakaq, fatmirësisht ajo sot është 16 vjeçe, dhe rritet e shëndetshme dhe e lumtur, tha Kosovrasti.
Më pas rencenzuesi nënvizojë, atë se autori Fatos Daci, në romanin e tij një histori njerëzore e pazakontë vjen me këtë roman me një titull provokativ dhe metaforik “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës”, roman ky që përshkruan në të edhe dëbimet e dibranëve, që u bënë nga serbët pas kryengritjes anti serbe të dibranëve në vitin 1913, luftën e vitit 1999, heroike të UÇK-së dhe ndihmesën e koalicionit të madh të Natos me në krye SHBA kundra forcave ushtarake e policore të ish–Jugosllavisë, së mbetur të asaj kohe e cila me Kosovën shënojë edhe shpërbërjen e saj”.
“Në këtë kontekst, përshkruhet tha në rencezën e tij – Kosovrasti, edhe ardhja e 10 mijë vëllezërve dhe motrave nga Kosova të larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, nga maskrat, dhuna, dhe përndjekja e tyre, nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe, për të gjetur strehim- bujarinë dhe hapjen e zemrës dhe shtëpive të tyre në Dibër e Peshkopi, duke treguar si i gjithë populli shqiptar atë humanizmin e pashoq të treguar në rastin e luftës së Kosovës, i cili është humanizmi ekstrem i shkallës sipërore, mirësia dhe bujaria shqiptare”
Kurse, duke folur për autorin, Kosovrasti, tha se Fatos Daci me këtë libër vë edhe një gurë për atë që pësoi populli i Kosovës Martire, duke thurur ngjarjen në roman me protagonist kryesor një vajzë shtatë vjeçare, e cila edhe nga Amerika e largët ëndërron për vendlindjen, Dibrën, si shumë moshatar të saj, duke kujtuar natyrën e bukur të këtij qyteti, ku ajo ka përjetur momentet më të dashura të jetës së saj, që ndoshta nuk mund t’i hasë as atje ku ajo tani jeton…..”
Më pas përshëndeti të pranishmit shkrimtari Tomë Paloka, i cili shprehu kënaqësinë që promovimi i këtij libri me vlera të veçanta të kombit shqiptarë, bëhet në mesin e një komuniteti të dalluar në Nju Jork, pra si tha ai komunitetit Dibran.
“Dashamirë të fjalës së shkruar Shqipe, tha folësi kryesorë i këtij promovimi – botuesi i Revistës “Trojet Tona” Tomë Paloka, shkrimtar dhe publicist, duke vlersuar pjesmarrjen tuaj në këtë promovim të këtij libri, përkatësisht, romanin “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës”, e shkrimtarit Fatos Daci, ne i bëjmë një nder autorit, dhe personazheve të këtij romani, por edhe vetes tonë, sepse këtu në Amerikë – kurbet pra, ne kemi mundësinë të marrim në dorë një libër në gjuhën shqipe, i cili është edhe një “pikë uji” në liqenin e madh të kulturës sonë kombëtare. Dhe, aqë më tepër kur një libër siç është ky që promovojmë sot, është ai libër që pasqyron jetën tonë, edhe me atë dhimbjen e saj si plagë e kahershme e të gjitha atyre dhimbjeve të mëdha që kaloi kombi ynë, me ato ikjet e vazhdueshme nga trojet e tona, ndër shekuj të detyruar nga pushutuesit e ndryshëm shekullor”.
Më pasë për t’a bër edhe më të larmishëme këtë veprimtari Paloka, recitoi një poezi të publikuar vite më parë në revistën e tij “Trojet Tona” të potetit të ndjerë Qerim Ujkani, poezi e cila i kushtohet baladës me krenare të femrës shqiptare, sidomos atyre që u bën pjesë të eksodit dhe genocidit biblik të luftës në Kosovë në vitin 1999,e shoqëruar me një fotografi të një nëne shqiptare me një fëmijë në dorë duke përjetuar eksodin, fotografi që tha Paloka bëri xhiron e botës në atë kohë.
Promovimin e librit “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës” – Një histori Njerëzore e Pazakontë, e autorit Fatos Daci, u përshëndet edhe nga Kryetari i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave, Prof. dr. Skender Kodra, i cili mes të tjerave ka ngritur lart bujarinë dhe fisnikërinë dibrane. Kurse, në emër të Shoqatës Atdhetare “Dibra”, përshëndeti kryetari i kësaj shoqate zoti Musa Paçuku.
Ky libër u mirëprit dhe u vlerësua edhe nga veprimtarë të dalluar të komunitetit, si professor Esat Ahmeti, Dr. Adem Harxhi, zoti Lavdërim Koxha dhe poeti Shpend Koleci, i cili recitoi edhe një prozë nga libri “Fitorja e Kosovës në duart e Dibrës” –
Sakip Veliu – në emër të tij, dhe autorit të librit falenderoi të pranishmit, dhe panelistët, të ftuarit specialë dhe në veçanti bashkëshorten Bujaren dhe familjen e tij, për motivimin e tyre të vazhdueshëm në këtë histori, e cila është e përshkruar me aq mejshtëri në faqet e këtij libri, nga autori i saj.
Mësimdhënsi nga Dibra e Madhe në pension, Sakip Veliu, më pas duke falënderuar autorin Fatos Daci, gjeti rastin në mënyrë të veçantë, të shpreh një mirënjohje dhe faleminderim edhe për bashkëshorten e tij Bujaren, e cila tha ai për koicidencë si pjesë e kësaj ngjarje të këtij romani, ka edhe emrin sinjikativ të kësaj dashurie dhe fisnikërie të gruas shqiptare – bujarinë dhe dashurinë e nëns për fëmijën. Veliu, drejtojë edhe një faleminderim për fëmijët e tij, për përkrahjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë, atij, duke permendur mes tyre edhe shtypin shqiptar , gazetarët e mrekullueshëm dhe të palodhshëm si gazetarin Rexhep Torte, Nefail Spahiu, në përcjelljen hap pas hapi të kësaj historie, që lidhet me luftën në Kosovë, eksodin biblik të shqiptarëve.
Tek faleminderimet teksa i permendi të gjithë me radhë ai tha se :” Nuk mund të le pa permendur edhe Qendrën Medicinale Dibër, Dr. Lulëzim Mela, Ylber Kokale, stafin e motrave mendicinale, me Bardha Tominja, që për çdo çast u kudesën për shëndetin e Fitores”.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie kulturore drejtuesi i saj – gazetari i komunitetit Beqir Sina, lexoi biografinë e autorit, dhe mesazhin e dërgura prej tij për këtë libër.
“Ky autor paraqitet para publikut shqiptar me këtë vepër të madhe, tha Sina, pasi 45 vjetë me radhë ka shkruar e publikuar shkrime të shumta në shtypin e përditshëm dhe periodik shqiptar si dhe deri tani ka botuar 35 libra, çka i bie përafërsisht “çdo vit një libër”….. Gjatë 10 vjetëve të fundit, Daci ka botuar 11 vepra të tjera letrare e historike, përfshirë veprën madhore “Enciklopedia e Dibrës”, në vitin 2006, duke botuar në të njëjtën periudhë tri gazeta “Dibra”, “Zëri i Lirë” e “Trojet Shqiptare” dhe duke shkruar intensivisht artikuj në më shumë se 12 organe të tjera publicistike të vendit tonë.Deri tani ai ka botuar 7700 faqe libri, ku gjenden 1892 portrete individuale, 20.000 emra dhe mbiemra, të cilët janë të listruara me 2541 fotografi. Fatos M. Daci është fitues e disa çmimve ndërsa Komuna e Lurës e ka nderuar me mirënjohjen “Qytetar Nderi”./Photo credit Esat Ahmeti/
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- …
- 80
- Next Page »