• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

LETERKEMBIMI I NOLIT ME MOTREN SULLTANA

March 16, 2015 by dgreca

*Fan Noli është artist dhe dijetar, burre i shquar dhe perfaqesues i letërsisë shqiptare te pas Rilindjes/
*Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare./
Letrat e Fan Nolit dërguar së motrës Sulltanës gjatë viteve 1923-1960./
Ndihma financiare e vazhdueshme që ai dërgonte nga larg për familjen e saj, e cila kishte probleme ekonomike/
Histori/
Sulltana, motra e vogël me të cilën ndau fëmijërinë e tij në Ibrik Tepe (fshatin e lindjes), do të mbetej gjithë jetën pika e dobët e Fan Nolit. Vajza e cila shfaqet në një foto të vitit 1911 në Sofje, përkrah të vëllait Theofan dhe së ëmës Maria, e veshur me një fustan të zi të gjatë, me flokët e mbledhura pas kokës, qe gjatë gjithë jetës përkrahësja më e madhe e dëshirave të tij, dëgjuesja e heshtur e shqetësimeve dhe e aktivitetit të tij politik e fetar. Kjo foto duke parë shtypin e kohës, shohim që është bërë gjatë kohës që Noli ka qenë në Sofje i ftuar për të meshuar një herë në gjuhën shqipe. Ishte koha kur Noli kishte shkuar në shumë koloni shqiptare ku kish meshuar shqip dhe me këtë mënyrë kisha ortodokse ish futur në rrugën e një kishe autoqefale e po bëhej kisha kombëtare e shqiptarëve. Ndoshta motrat dhe nëna e tij Maria kanë qenë të pranishme në meshën që u mbajt në gjuhën shqipe. Në një shkrim të Polikseni Luarasit, e pranishme në këtë meshë, thuhet: “Si shoqet e mia ashtu dhe unë, duke dëgjuar Fan Nolin të fliste aq bukur, lëshuam lotë mallëngjimi dhe kërkuan të gjitha të mblidheshim rreth kishës kombëtare, të kishim një fe të përbashkët-shqiptarizmin. Fan Noli me të motrën më bënë një vizitë në shtëpinë time, ku u mblodhën dhe shumë shqiptarë të tjerë për t’i uruar…”. Pra Sulltana ka qenë e pranishme në aktivitetin e rëndësishëm të vëllait për çështjen shqiptare në Sofje… Por njohja me Athanasin, martesa, rritja e fëmijëve, luftërat ballkanike, do t’i bënin gjithnjë e më të rralla takimet e saj me të vëllain, derisa për vite të tëra nuk do të shiheshin më. Takimet e tyre do të ishin vetëm përmes letrave… Sulltana ndante çdo gjë që ndodhte me jetën e saj me të vëllain. Mbrëmjeve, pasi kishte vendosur fëmijët në gjumë, ajo ulej e shkruante në tryezën e thjeshtë atë çfarë kishte ndodhur, për ta nisur në adresë të vëllait. Nëse letrat e saj niseshin nga një shtëpi e thjeshtë, ku ajo ndante jetën me të shoqin, përgjatë viteve që ato u shkruan, destinacionet e mbërritjes ishin të ndryshme. Durrës, Tiranë, selia e Kryeministrisë, Berlin, Romë, SHBA… Në të gjitha shtetet ku ndalonte, Fan Noli nuk harronte të lajmëronte të motrën. Ajo duhet ta dinte gjithnjë adresën e tij të saktë…. Në ditët e mbërritjes së tij në Durrës dhe qëndrimit në qytetin bregdetar, Noli e nënshkruan letrën në fund me humor “durrësaku”. Letrat e tij janë të shkurtra, më shumë telegrafike, po përmes tyre mund të shohësh përkushtimin e tij për të ndihmuar të motrën, e cila sipas përgjigjeve të shkruara prej Nolit, duket se po kalon kohë jo të mira financiare. Në çdo letër të dërguar ai e lajmëron për shumën e parave që i ka dërguar…Noli nuk reshti asnjëherë së ndihmuari të motrën edhe atëherë kur drejtonte qeverinë, apo dhe atëherë kur vetë nuk ishte mirë ekonomikisht dhe endej rrugëve të Europës… Letrat e Sulltanës nuk janë të ruajtura, por shkrimi duket se ka qenë një pasion i hershëm i vajzës që do ta linte atë për t’iu përkushtuar rritjes së fëmijëve. Duke lexuar këto letra shohim se ajo është martuar me Athanasin, dhe sipas informacioneve në shtypin e kohës, ajo ka jetuar në Greqi, në qytezën e Feres afër kufirit greko-turk. Në qershor të vitit 1924, Sulltana humb bijën e saj, Marinën. Kjo është një periudhë e trishtë në jetën e saj, të cilën nuk mund të rrijë pa e ndarë me të vëllanë. Ajo i shkruan atij pafundësisht për dhimbjen që ndjen dhe ai nga larg i jep kurajë për ta përballuar këtë dhimbje. Noli është i pranishëm në çdo ngjarje të familjes së Sulltanës. Ai përpiqet ta ndihmojë nga larg, por dhe t’i “japë durim” kur gjendja vjen e përkeqësohet. Në kohën kur dhe vetë Noli nuk është mirë nga financat, ai i shkruan “Tani për tani nuk kam, porse me rastin e parë kur të kem më tepër të holla, do t’ju përkujtoj përsëri patjetër. Sa i përket ndërtimit të shtëpisë suaj, unë e dëshiroj me gjithë zemër, por është e pamundur t’ju ndihmoj, sepse siç e dini nuk jam as i pasur dhe as që kam shpresë se do të pasurohem në vitet e moshuara. Me fat, Viti i Madh dhe përqafime për të gjithë”. Në këto letra shohim dhe shqetësimin e Nolit, për të shkolluar nipërit e tij. Ai është i bindur t’i ndihmojë ata për t’u shkolluar. Letrat e Nolit drejtuar së motrës shtrihen në harkun kohor 1926-1960, pesë vjet para se të largohej nga jeta. Pavarësisht angazhimeve të tij, Noli nuk reshti asnjëherë së shkruari së motrës dhe së kujdesuri për të. Nga llojet e parave që ai shkruan në letër se po i dërgon, mësojmë dhe vendet ku Noli ndodhet në periudha të ndryshme ku janë shkruar këto letra. Më 24 tetor 1924, Noli ka qenë në Amerikë, pasi shkruan në letër “do të dërgoj 20 dollarë për fëmijët e tu”. Më 11 nëntor 1929 ai ndodhet në Gjermani, pasi në letër shkruan “të dërgoj përmes postës 1.000 drahma”. Më 15 mars 1926, ai ndodhet në Itali pasi shkruan “po të dërgoj 15 franga italiane”… Sulltana ka jetuar deri pas moshës 80 vjeçe, në qytezën e Ferës, Greqi. Të afërmit e Nolit, motrat, nipërit, dhe mbesat kanë jetuar dhe jetojnë në Selanik, në Kavallë e qytete të tjera të Greqisë veriore. Al.Ba
Box
letrat
Në Romë, 10 (XI) 1923
E dashura, motër,
Këtu brenda të dërgoj një çek, prej 1.000 frangash italiane për të cilën mendoj se nuk do të kesh vështirësi ta ndërrosh përmes ndonjë personi të njohur. Nesër nisem për në Vlorë dhe Korçë ku do të qëndroj deri në fund të dhjetorit. Përqafime për bashkëshortin tënd dhe fëmijët e tu.
Vëllai yt
Theofanis
Post scriptum. Një çek tjetër prej 1.000 frangash italiane që ua dërgova në korrik a e keni marrë apo jo.
Theofanis
Adresa ime: Monsignor F.S Noli
Presse Legarione Albanese
92. Casso Italia
Roma, Italia.
Vlorë, 12 qershor 1924
E dashura, motër
E mora letrën tënde dhe u trondita shumë për vdekjen e Marinës së vogël, (vajzës së Sulltanës) dhe për sëmundjen që e keni vuajtur. Të shkuara. Këtu brenda të dërgoj një çek me 1.500 franga italiane me qëllim që të mos vuani. Sonte kthehem në Durrës. Shumë përqafime.
Vëllai yt
Theofan Durrësaku
Tiranë, 5/XII 1924
Zyra e kryeministrit
E dashura, motër,
Në zarfë të dërgoj valutën në shumë prej 1.000 frangash italiane për Kërshëndellat dhe për Vitin e Ri. Sot i dërgova nipit tim në Kavallë shpenzimet për udhëtim, për të ardhur këtu së bashku me motrën. Të lutem shumë t’iu krijoni lehtësime për udhëtimin e tyre. Dëshiroj t’i dërgoj që të dy në shkollë.
Përshëndetje Athanasit dhe fëmijëve. Urime për Këshëndella dhe Vitin e Ri.
Vëllai yt
Theofan Durrësaku.
15.3.1926
E dashura motër,
E mora letrën tënde dhe shumë u bezëdisa se vështirë po kaloni dhe se shumë po vuani. Durim. Këtu brenda t’i dërgoj 15 franga italiane. Tani për tani nuk kam, porse me rastin e parë kur të kem më tepër të holla do t’ju përkujtoj përsëri patjetër. Sa i përket ndërtimit të shtëpisë suaj, unë e dëshiroj me gjithë zemër, por është e pamundur t’ju ndihmoj, sepse siç e dini nuk jam as i pasur, dhe as që kam shpresë se do të pasurohem në vitet e moshuara. Me fat Viti i Madh dhe përqafime për të gjithë.
Në shërbim të Zotit
Theofanis.
24.10.1927
E dashura motër
Këtu brenda të dërgoj 20 dollarë për fëmijët e tu. Përqafime prej meje dhe urimet më të mira e të zotit për të gjithë.
Në shërbim të Zotit
Theofanis.
22.6.1929
E dashura ime motër,
Adresa ime pas një jave do të jetë si më poshtë. Përshëndetje për tërë familjen.

Vëllai yt
Theofanis

Adresa: Mgr. F.S Noli
Bei Borshi, Schliessfach 4, Berlin M.9 (Allemagne).
11. XI. 1929
E dashura ime motër
Të dërgoj përmes postës 1.000 drahma. Më vjen keq që nuk mund t’ju ndihmoj rregullisht, meqë edhe unë vetë vuaj nga varfëria. Mirëpo, duhet të jesh e sigurt se nuk do të harroj aq lehtë. Përshëndetje bashkëshortit tënd dhe fëmijëve. Urime për Kërshëndella.

Theofanis
Adresa: Mgr, Fan S. Noli
Poste restante
Hamburg–Allemagne,

22.IV.1930
E dashura motër,
Këtë javë shkoj për në Amerikë ku do të qëndroj 5-6 muaj. Adresa ime do të jetë si më poshtë: Përqafime
Vëllai yt
Theofanis
Adresa: Mgr. Fan S. Noli
Mr. K. Kirka
469 Columbus Avenue
Boston Mss
U.S America
Kryekisha e Shqiptarëvet “Shën Gjergji”. 20 Emerald Street
Boston, Mbas 18 korrik 1930
E dashura motër,
Sot të kam dërguar një letër me vlerë 20 dollarësh Fan Noli është artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare. Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë , te e Kolonjës.
fan
Noli eshte Kryeministri i pare i ndritur Shqipetar
Fan Noli tha një ditë: “Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh bej mund të jetë një fshatar, fshatari një patric; të gjithëve, nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës I barabartë dhe madhështor sa edhe tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të madhit dhe të voglit, midis të fortit dhe të dobëtit, fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë, apo edhe e përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës evropiane dhe asaj aziatike të jetesës, midis koncepteve sociale gjermane dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha reflekset e së kaluarës dhe e së tashmes”. Ky burrë i mençur u bë shtytësi dhe simboli i këtij revolucioni, gjoja shoqëror dhe ekonomik. Fitorja e tij e solli atë në karrigen e kryeministrit (16 qershor 1924). Zgjedhja u bë me short, si në lojërat e fatit. Mëtues për këtë post ishin Sulejman bej Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli, secili kishte miqtë dhe kundërshtarët e vet. Një votim I rregullt parlamentar nuk mund të bëhej, sepse, e para, nuk kishte fare parlament, e dyta, edhe sikur të kishte, deputetët demokratë nuk përbënin shumicën. Atëherë u përdor një sistem special. U hodhën në një shportë tri pusulla me emrat e të tre kandidatëve dhe pastaj u mor një “fëmijë i popullit” (mbase ndonjë arixhofkë e vogël) të nxirrte njërën nga këto pusulla. Fati zgjodhi Fan Nolin dhe ai u bë kryeministër.|
***
Pergatiti: Liliana Pere

Filed Under: ESSE

LUIGJI MARIA UGOLINI, BUTRINTI DHE PARATOKA E TIJ

March 16, 2015 by dgreca

NGA KOZMA TAHO/ Florida/
Për punën e Ekspeditës Arkeologjike dhe drejtusit të saj Prof. L.M.Ugolini është folur e shkruar shumë, në ato mote e deri në ditët e sotme. Ato u vlerësuan edhe nga qeveria Shqiptare , madje më tepër nga ç’duhej. Shumë të pakët janë ata që e kan parë me dyshim punën e kësaj ekspedite dhe konkluzionet përfundimtare të cilat gjithsesi u gatuan në laboratoret dhe zyrat e Akademisë së Kulturës së Romës Fashiste dhe u botuan në emrin e Ugolinit pas vdekjes së tij. Shvendosja e Ekspeditës prej qytetit të lashtë të Foenikës në Butrint ishte më tepër një tërheqje veshi për të mos shkuar me zbulime më tej se orientimet e kërkesat e Romës. Për ti rrealizuar me qetësi dhe mbi “baza shkencore” synimet e tyre , Akademia e Romës do të siguronte së pari një mos mbykqyrje të punimeve nga shteti Shqiptar. Kështu Ekspedita dhe Prof. Ugolini vepruan qetësisht , gërmuan , kërkuan , zbuluan, aty ku dallohej një bashkëqyteterim helen e romak dhe anashkaluam , mbuluan e shkatrruan shtresëzime që mund të tregonin qytetërimet tej helene. Ata anashkaluan plotësisht punimet në dy rrethimet e lashta të qytetit. Me qëllim që ta benin fakt se Butrintin e kishin themeluar kolonet greko –helen të Korinthit e Korkyrës; ata e përfshin Butrintin edhe në axhenten turistike të Korkyrës gjithsesi duke e prezantuar sin një qytet grek. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur ende nuk ishin zbuluar mire shumica e objekteve. I vetmi person që inspektoj kërkim zbulimet e Ekspeditës arkeologjike të Butrintit ishte Drejtori i Muzeut dhe Bibliotekës Kombtare Sotir Kolea . Ndër të tjera ai do të shkruaj :–
“……..Sipas fjalës së z. Ugolini, simjet nuk u çelën shumë varre
të hershëm përveç atyre që u ndodhen gjat rrugës. Ndër këto
varre janë gjetur poçerina dhe vogëlsira të tjera për të cilat z.Ugolini
thotë se nuk kanë vlej të shënuar, ndaj nuk ka vënë dorë ndë varre
të tjerë që kanë mbetur pa u çelur, z. Ugolini i ka mbledhur ndë arka
me kashtë dhe i ka mbyllur e vulosur…..”
Së pari , hapja e varreve bëhet nga një grup specialistësh ku dekumentohen me përgjegjësi , mënyra e varrimit, pozicioni i kufomës si dhe gjith përmbajtja e tij me vogëlsira , enë , armë etj. Nga studimi i tyre përcaktohet pastaj koha e varrimit , përkatësia etnike, lloji e forma e vogëlsirave dhe armëve , vënd prodhimet e tyre , të cilat bëjn të mundur të dallohen edhe mardhëniet me popujt fqinj e më largë etj. Por përse Ugolini i hapi të gjitha varret e lashtë të Butrintit kudo që kërkoj dhe i gjeti ? Përse këto vogëlsira të paketuara nuk përfunduan në muzeun e Tiranës apo edhe në atë të Butrintit ? Përgjigjen për këtë na e jep Mitologjia që gjithsesi është pranuar për greko helene. Në variantet e shumta të saj ajo pranon se në Butrint duhet të jenë varret e tri nga herojve të saj mitiko legjendar . KADMIT – Mbreti mitikolegjendar , themelues i Beotise (Apo Kadmenes). Burimet mitike thonë se ai do tju mesonte Pellazgeve Jonian përpunimin e metalit dhe alfabetin Fenikas apo Foenikas i cili nga Diodori e Plini eshte quajtur Pellazgë. Kronikat e Apolodorit e percjellin për te Enkelejt në pleqerin e tij. Butrinti dhe paratoka e tij janë shumë të lidhura me këtë hero mitkolegjendar. Lumi i Pavllos para se të quhej prej Homerit Selloj, tregojn zbulimet e sotme, është quajtur LUMI I KADMIT. Dy parcela në mesin e fushes së Mursise mbajne edhe sot emrat KANDALE E BUNDO ; ç’ ka mund te lidhen me buall dhe ka me të cilet ai beri rrugën për në Butrint. Një kodër e stërzgjatur midis Butrintit e Xarrës mban emrin BULAR , Shume pran emrit Bullar me të cilin popullsit vëndëse, emërtojnë një gjarpër trup madh ; që konsiderohet i shënjtë e nuk duhet vrarë. Mitologjia thotë se Kadmi e Harmonia u shndruan në gjarpërinj Bolla e u dërguan në fushat Eliziane. MEDEAS – -Bija e mbretit mitik të Kolkidës ETIT (atit), zotruesi i Bashkës së Artë . Ajo sipas mitologjisë ra në dashuri me Jasonin . Ndihmoj në rrembimin e Bashkës së Artë dhe ndoqi ekspeditën deri në ishullin e Feakasve (Korfuzi i sotëm) Me ndërhyrjen e Mbretit Mitiko legjendar të Feakasve ALKINOU, do të martohet këtu me Jasonin.Pas veprave makabre ajo do të vdes këtu e do varroset në Butrint. PIRRO NEOPTOLEMI –I biri i Akilit Legjendar ; një ndër Mbrertërit më të shkëlqyer të Epirit i cili bashkoj trojet e tij prej Fthias e deri tutje Shkumbinit e spas disa burimeve edhe tej Shkodres në Ulqin Tivar e Kotor . Sipas Homerit ,Pionier i Luftës Trojane , parathën se pa pjesmarrjen e tij Troja nuk mund të pushtohej . Kronikat legjendat , gojëdhënat përcjellin shumë qytete ndërtuar prej tij . Sipas Aristotelit gjedhët e dhëntë e Epirit aq të dëgjuara në lashtësi janë merit e tij dhe mbajnë emrin e tij . Kronikat e përcjellin edhe Butrintin një ndër qytetet e ndërtuar prej tij .Ato thonë se është vrarë në tempullin e Delfit. Në ato mote ky tempull nuk ekzistonte. Studiuesit thon se në rrethinat e Delvinës ka qënë një tempull i Delfit (diellit) Në qoftëse nuk gjëndet aty pari , mundësia me e madhe është të jet në Diapor . Ky emër përmban rrenjen Di—Dia __Diau = Diell . Dhe nuk eshte aspak çudi që varri i Neoptolemit të jet në Butrint . Zbulimi i qoftë edhe njërit prej tyre mund të ishte sesacional por i vlefshëm për të permbysur tërë parahistorin e Europës. Pra përfundimisht mendoj se prrishja e boshatisja e varreve nuk ishte e pa qëllimëshme . Por le ti referohemi edhe me tej Z. Sotir Kolea ;—-
“…..I bëmë fjalë për rrashta (eshtra ) krerësh që ngjan me doemos
të ketë gjetur ndë këto varre. Mbi këtë pike mësuam prej tij se gjeti
disa rrashta me nga një vath të rremt, ose verig rrami (hekuri), të
vëna nga ana e mëngjër(prerë se ishin varre me meshkuj) Nder ta gjeti
një rrashtë me ovullën(monedhën ) për lundërtarin e kurundit të ngulur
ndë dhëmb, gjë që fort rrall është gjetur deri më sot. Mbi këtë treguam
gëzim dhe shpresë se Muzeja jonë ka për të patur kështu një lëndë të afert
për shqyrtime kranioskopike dhe mësuam prej tij se mu për këtë qëllim i
ka dërguar ndë Romë . “
Shume qart e mjaft domethënëse . Në Butrint duhej asgjësuar ç’far do gjëje që mund të çonte në tejlashtësinë helenike dhe të përbyste Historirat proto e parahistorirat që fabrikoheshin . Antropologët që kanë studjuar popujt e Epirit janë plotësisht në një mëndje : se këta popuj i përkasin trungut Ilir të Ballkanit perëndimor , pra janë Brakicefal madje hiper brakicefal . Matjet kranioskopike do ta vërtetonin këtë .Prandaj edhe duheshin azgjësuar.
Sotir Kolea iku nga Butrinti dhe do ti dërgoj atë raport të gjatë Ministrit të Arsimit ku edhe do ti rekomandoj :–
“….. Punimet që ben z.Ugolini duhen vëzhguar nga afër. Një i
derguar i ministries duhet ndë vend që ditën e të nisurit të
punimeve, e gjer ne të mbyllur të çdo viti. Ç’ do vogëlsirë që
mund të zhduket leht, duhet të merret shënim me të dalur në
dritë nga toka dhe duhet vënë në ruajtje të një poste te ushtrisë
që ka discipline vetëm urdhrin, ç’do mënyrë tjetër të vepruari
nuk ka për ta mbushur të plotë qëllimin e sigurimit të sendeve
të zbuluara …”
Me qënse jemi këtu ; para pak kohesh nje miku im po me thoshte se kishte par në një nga muzeumet e Londrës një unaz në gurin e së cilës ishte e gdhendur koka e Deas ( Princesha e Butrintit ) Mbaj mënd se para vitit Nëndëdhjet një Fushë Mursiot dorëzoj një unaze për të cilën dhe u shpërblie. Nuk më ka rënë rasti ta takoj për të mësuar hollësira . Por e di fare mirë qe babai i tij pati punuar ne ekspeditën e Butrintit . Ata thonë se edhe ata kanë mundur të fshihnin vogelsira , madje shtojn se në shume raste i hidhnin në karroca opo vagona e ndodhte që nuk i rigjenin përsëri .
Autori i librit “Shqiptaret “ Edwin Jascques i cili i pat ndjekur me interes punimet e kesaj Ekspedite shkruan : —
“…..Edhe pse tradita e lashtë ua njeh Trojaneve të mundur
themelimin e Butrintit aty rreth vitit 1000 p.e.s., arkeologët
nuk janë ne nje mendje me këtë Misioni Italian që punoj aty
prej vitit1928 deri në Luftën e Dytë Botërore, zbuloj gjurmë
njeriu që i perkasin viteve 5000 p.e.s. Ugolini mblodhi materiale
prehistorike të tilla si SOPATA E DISA KAMA PREJ KOCKE TË
LËMUAR , SENDE TË EPOKËS SË GURIT, SI DHE NJË LARMI TOKËZASH
TË EPOKËS SË BRONZIT…..” ( Shqiptaret fq 5)
Kështu pra edhe në Butrint Ugolini gjeti e publikoj vegla të Epokes se Gurit. Unë nuk e di se ku i gjeti ai këto vegla . Llogjika të çon se ato mund të jenë gjetur në gërmimet për rindërtimin e Kështjellës Veneciane dhe muzeut që zën një sipërfaqe të konsiderushme te Akropolit të Lashtë . Por pse i publikoj Ugolini këto gjetje të cilat gjithsesi rrëzonin tezën e themelimit greko helen të Butrintit?Përgjigjen për këtë e marrim nga datimi i tyre. Këto vegla që në mënyrë të pa diskutushme i përkasin Epokës së Gurit u datuan si prodhime të Epokes se Bronzit , madje te Bronzit të Vonë , për të mos thënë të prag fillimit të Epokes se Hekurit rreth shek XIIp.e.s. , kohë që përkonte me të supozuarën Luftë Trojane. Nëpërmjet këtyre datimeve Ugolini do te krijonte hapsirën për të pranuar një kalim të trojanëve në Butrint si dhe pranimin si real histori te “Eneidës “ se Virgjilit , aq të pëlqyer prej Perandorëve Romak, në paraqitjen e tyre me prejardhje hyjnore. Dhe çfar bëri “ arkeologu i madh e i shquar deri ne prof Arkeologjie Ugolin “? E varrosi tërë këtë pjesë të Akropolit të lashtë nën themelet e Kështjellës Veneciane dhe Muzeut. Në veprimtarin kërkuse arkeologjike ky veprim përbën një krim arkeologjik dhe është i dënushëm. Por fati e deshte që barbarët e rinj romak me tituj tashmë shkencor ,dhe në emër të shkencës së arkeologjisë , të mos e shkatrronin Akropolin e Butrintit, për tja lënë nxjerrjen në dritë të tij stërnipërve të atyre që hapën themelet e tij .
Para toka e Butrintit Përshkohet nga lumi i Pavllos rrjedha e të cilit sipas burimeve historiko- mitologjike ishte njëherësh edhe vija kufitare midis grup popujve më të shquar të Epirit , Kaonëve, Thesprotëve dhe Mollosëve. Ugolini vizitoj edhe Kalivuan, po ashtu dhe qytetin e Çukës se Ajtoit të cilin e parapëlqeu ta quante Pergamin e Prasaibëve . Sigurisht , ose u gabua ose e bëri në mënyrë të qëllimshëm këtë emërtim . Çuka e Ajtoit nuk bën pjesë në trojet e Prasaibëve Kaon por në trojet e Kestrinëve Thesprot dhe ashtu siç tregojnë edhe muret e tij ishte i baraz lashte dhe më i madh se Butrinti sikurse edhe vëndbanimi i Kalivoit për të cilin na thone se ka qënë një stan i Buthrotasve .Thua të mos dinte gjë Akademia e Romës dhe Profesori isaj i arkeologjisë Luigji Maria Ugolini ? Të mos e kenë lexuar ata Stefan Bizantinin ? Ugolini e pa madje edhe e gërvishi këtë qytet të stërlashtë të Kestrinëve Thesprot, por ai nuk gjeti asnjë gjurmë romake në trojet e tij . Dhe s’kishte se si të gjënte . Çuka e Ajtoit ishte një qendër e banuar me një akropol të paktën gjashtë herë më të madh se sa ai i Butrintit; por që i takonte Kestrinëve Thesprot qytetet e të cilëve barbaria romake e Pol Emilit i dogji e i rafshoj me tokën , ndërsa popullsit i skllaveroj e i çoj në Romë.Kestrinët ishin po aq të qytetëruar e kulturuar sa edhe Buthrotasit dhe jam i sigurt se edhe këtu do të gjëndet nje qender kulturore sikurse edhe ajo e Butrintit . Akademisë së Romës dhe Ugolinit nuk i interesonte kjo, ndaj i qëndroj large. Interesant është edhe fakti që popullsia rrënjëse e Fushë Mursisë nuk na e ka përcjell emrin e tij. Me gjithë këtë ajo na ka percjell emrin e burimeve të ujit pran tij, të cilët edhe sot quhen BURIMET E KAMARES rrjedhur nga KAMMANIA E KAMMANOJVE sikurse na e saktëson Stefan Bizantini në shënimet e tij. Në këto qendra të banuara janë gjetur materiale arkeologjike të periudhes se neolitit e deri të paleolitit të mesëm sikurse ato të Kodër -Kroit të Xarrës , për të cilën arkeologët thonë se është banuar nga njeriu qysh njëqindëmijë vjet më parë. Për qeramikat e Butrintit do tja lë fjalen Prof. M. Korkutit i cili punoj para pak vitesh në Shpellën e Konispolit , e të njëjtës trevë . Ai thotë se qeramikat e këtushme ishin të njëjta me ato të Cakranit të Fierit, Dunavecit e Maliqit të Korçes , dhe Kloshit të Kukësit . Ugolini zbuloj gjithashtu në Butrint nje korpus të tërë mbishkrimesh në alfabetin grek , të cilat i shfrytëzoj në mbështetje të tezës së themelimit greko helen të Butrintit , pamvarsisht se ato i përkisnin një periudhe 300 –400 vjeçare më të vonëshme . Në një shkrim tjetër do të shikojme se këto mbishkrime hedhin poshtë tezën e themelimit greko helen të Butrintit edhe pse janë në alfabrtin grek. Këto janë përgjithësisht ato që askush nuk na i ka thënë për punën e Ekspeditës Italiane dhe Prof .Ugolinit në Butrint.
Kozma Taho
Clearwater , Florida Mars 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Butrinti, DHE PARATOKA E TIJ, Kozma Taho, LUIGJI MARIA UGOLINI

FJALIMI QË DO TË KISHTE SUKSES….Aspiroj të jem deputet

March 16, 2015 by dgreca

ROBERTO ARLT (Argjentinë, 1900 – 1942)/
Ja teksti i fjalimit:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi ku e kanë zhytur paraardhësit, bashkëpunëtorët e mi të pacipë; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.
Perktheu nga Spanjishtja:BAJRAM KARABOLLI

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bajram Karabolli, Fjalimi, Robert Alt, sukses

24 VJET NGA RIVENDOSJA E MARRDHENIEVE SHBA-SHQIPERI

March 16, 2015 by dgreca

Historia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA/
TIRANE, 16 Mars/ – Marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë zgjeruar 24 vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke u shtrirë në të gjitha fushat, në interes të të dy vendeve e popujve, në interes të paqes, sigurisë e zhvillimit të rajonit e më gjerë.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 28 korrik 1922.
Në një vështrim të përgjithshëm, marrëdhëniet midis vendeve fillojnë me vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Uillson, i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.
Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të rëndësisë parësore dhe strategjike për Shqipërinë. SHBA-të, janë aleati i pazëvëndësuëshëm i demokracisë dhe i shtetit shqiptar.
Bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve është i orientuar në drejtim të forcimit të stabilitetit, paqes dhe zhvillimit rajonal; konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë; thellimit të reformave dhe të zbatimit të ligjit në Shqipëri; të ekonomisë, tregtisë dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut; të drejtat e njeriut, lufta kundër terrorizmit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, etj.
Këto marrëdhënie të bashkëpunimit të gjerë dhe partneritetit të ngushtë, janë një bazë e sigurt që ato të përparojnë më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë, në interes të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit tonë e më gjerë.
– Bashkëpunimi ekonomik –
Duke vlerësuar edhe njëherë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, ekziston dëshira dhe vullneti i dyanshëm që edhe marrëdhëniet ekonomike të arrijnë në të njëjtin nivel. Aktualisht, në Shqipëri, janë të pranishme rreth 180 biznese amerikane të të gjitha përmasave dhe nga një spektër i gjerë i ekonomisë.
Janë krijuar të gjitha kushtet tashmë për një prani shumë më të dukshme të kapitaleve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë sonë. Mbështetja substanciale që Qeveria amerikane i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë, nëpërmjet agjensive të saj, për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, krijon kushtet për rritjen e investimeve të drejtpërdrejta amerikane.
Në kuadër të bashkëpunimit me agjensitë apo institucionet amerikane mund të përmendim: USAID, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj. Ndërsa si biznese private të pranishme në Shqipëri, apo pjesëmarrje në projekte mund të përmendim: Lockheed Martin, Bechtel, EximBank, etj, si dhe prania në projekte me partnerë të tjerë si ASG Power, Airport Partners, etj.
– Marrëveshjet Shqipëri-SHBA –
Ka rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-ve në fusha të ndryshme ku do të veçojmë, traktate në fushën e drejtësisë dhe policisë, ekonomisë, transportit, sigurisë dhe mbrojtjes, dhe fushës së kulturës.(Anila Struga-ATSH)

Filed Under: Rajon Tagged With: 24 VJET, NGA RIVENDOSJA E MARRDHENIEVE, SHBA-SHQIPERI

PSE NOLI DENONCOI MARËVESHJEN MIDIS JUGOSLLAVISE DHE ITALISË

March 16, 2015 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
Gazeta “Dielli”e Boston 3 shkurt 1925 shkruan:Në një faqe tjetër të gazetës këndonjësit do të shohin një intervistë me rëndësi që Imzot Noli i ka dhënë një korrespodenti të gazetës amerikane:”Boston Herald” në Viene. Që ekziston një marrëveshje midis Italisë dhe Jugosllavisë përmi Shqipërinë,kjo gjë është folur disa herë nëpër gazeta. Po qëllimi i caktuar i kësaj marrëveshje midis të dy fqinjëve të mëdhenj të Shqipërisë për neve ka qenë një mister që kemi dashur ta zbulojmë.
Të gjithë mund të japin gjykimet tona dhe duke gjykuar nga e shkuara që të gjithëve na mbushet mëndja se qëllimi marrëveshjes nuk munt të ketë qene në shërbim të interesave të Shqipërisë.
Imzot Noli ka thënë:Jam i bindur plotësisht se ekziston një marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Italisë për ta copëtuar Shqipërinë në rastin e parë me një cpërblim mbase dhe për Greqinë. Me fjalën copëtim nuk duhet kuptuar me doemos një copëtim tokësor i Shqipërisë. Ka copëtime dhe copëtime.
Një copëtim është që ta ndash një vent në dy ose tri pjesa dhe një pjesë ta marrë njeri dhe një pjesë tjetri,kjo do të qe vdekja e Shqipërisë si komb më vete. Një copëtim tjetër është ta ndash një vend me marrëveshje politike të fshehta dhe të nëndheshme,në disa pjesë të caktuara,në të cilat kombet e interesuara të kenë siguruar privilegje politike ose një liri veprimi ekonomik. Në të tjera fjalë siç e kanë quajtur fuqitë e mëdha ndarje në sfera influencash. Në këtë soj ndarjesh populli është indipendent, po indipendeca është një emër vetëm. Në punë populli bëhet skllav i kapitalistëve të kombeve të interesuara. Që fqinjët tanë kanë një qëllim të fshehtë për copëtimin e Shqipërisë,ose në kuptimin e parë të fjalës ose në kuptimin e dytë ,për këtë gjë nuk duhet të dyshojmë. E keqja është që politikanët e Shqipërisë në vent të përpiqen ta largojnë një rrezik të tillë,ata vete e afrojmë më tepër. Duke u kompromentuar me një fuqi,duke u kompromentuar me tjetrën,duke kërkuar sot përkrahjen e kësaj ane për inat të tjetrës. Vetëm një politike thjeshtën kombëtare,një politikë e paanshme kundrejt të gjithëve munt të na shpjerë shpëtim. Fqinjët tanë ua do interesi ,që ne të jemi të dobët,të hahemi në mes tonë, dhe kurdoherë do të jenë gati që të lozin përmi të metat tona,të na vënë të zihemi,duke pritur për rastin e duhur,që të përparojnë qëllimin e duhur. Në rast se vazhdojmë në këtë mënyrë dhe ahere në qafë e pacin vendin politikanët,të cilët për gjera personale të vogla nuk hezituan ti vënë zjarrin brenda Shqipërisë, thotë Imzot Noli në këtë intervistë.

Filed Under: Analiza Tagged With: DENONCOI, DHE ITALISË, Gezim Llojdia, MARËVESHJEN MIDIS JUGOSLLAVISE, PSE NOLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT