• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

“IK O QAR, SE KAM ZARAR!?”

March 15, 2015 by dgreca

Shkruan:Fadil LUSHI*/
Thonë se “modestia është virtyt për aq kohë sa njeriu nuk e proklamon si të tillë”. Ngandonjëherë modestia e tepruar lëre që kalon në banalitet, por edhe keqpërdoret, saqë edhe “di të ta hajë kokën”, të të bëjë budalla a të marrë dhe, në instancë të fundit, shpesh “di edhe të të bëjë njeri pa sherr”. Ç’është e vërteta, disa ditë më parë ca njerëz “vdekatarë”, që hiqen më të ditur se ne e që nuk duan të dinë për modestinë, me a pa qëllim për pak sa nuk “na i hoqën kokat”. Mësuesit korçarë e kanë shumë për qejf ta lakojnë atë proverbin e vjetër shqiptar, ku thuhet se më mirë është të kesh një armik të mençur, sesa një mik budalla a bastard. Kështu, disa ditë më parë, armiku im që është më i mençur se unë, më parashtroi disa pyetje lakonike rreth 7 Marsit. Pyetja e tij e parë ishte: “Deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që hodhën farën e dijes, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni njerëzit që ndërtuan atë kështjellën e pamposhtur të shkollës suaj…, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni me pietet dishepujt dhe shërbëtorët e popullit dhe vatanit tuaj…, deri kur ju shqiptarët myslimanë dhe bektashinj do ta rikujtoni Pandeli Sotirin, atë ortodoksin nga Korça i cili e humanizoi shkollën e parë në gjuhën shqipe, deri kur ju shqiptarët katolikë dhe ortodoksë do t’i rikujtoni vëllezërit nga Frashri i Përmetit, deri kur ju shqiptarët do t’i rikujtoni rilindësit tuaj dhe të tjerë të tillë si ata”. Ia ktheva se ne shqiptarët myslimanë do ta kujtojmë Pandeliun ortodoks nga Korça për aq kohë sa do të ekzistojnë shqiptarët, do ta rikujtojmë e do ta nderojmë për aq kohë sa do të frymojë harmonia fetare ndër shqiptarë, do ta nderojmë për aq kohë sa do të jetojë ajo shprehja filozofike dhe unike e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Ndonëse pyetjet e armikut tim të mençur ishin lakonike, në esencë mbeten altruiste, emancipuese dhe humaniste…, në krahasim me “mikun tim që është më budalla” se unë, i cili në vigjilje të çdo manifestimi kulturor kushtuar datave të shenjta të shqiptarëve, nuk heziton të më parashtrojë pyetje idiotike, duke më thënë: “Deri kur ti dhe të tjerët të tillë si ti do na bezdisni me këto “telenovela” për 7 marsin, 22 nëntorin, 28 nëntorin e të tjera data të sajuara(!?)”… Nuk ia ktheva përgjigjen, jo se më mungonte, por pse nuk desha ta “trash muhabetin“, që mbase edhe nuk ishte kushedi se çfarë “muhabeti”. Vendosa të hesht duke shpresuar se një ditë do të marr atë lajm që llafos konvertimin e tij nga shqiptari në sllav a në kaur…, nga gjysmë shqiptari në lesh arapi…, nga njeriu në viç provincialisti (!?).
Këtë vështrim nuk e kemi ndërmend t’ia dedikojmë armikut tonë të mençur, aq më pak “mikut tonë bastard”, këtë të fundit do e heqim mënjanë, sepse nëse ky do të zinte vend në këtë opinion, atëherë nga kjo do të dilte pilaf me kos dhe tarator për rakixhinjtë. Para se të vazhdojmë ndërtimin e opinionit në fjalë, do t’i referohemi një paragrafi të Faik Konicës, i cili në revistën e tij mujore “Albania” (që botohej në Bruksel), më 15 shtator të motit 1901, një të riut i kishte shkruar a kishte përcjellë ca këshilla pasonjëse…, në lidhje me një gazetë shqip që asokohe duhej të botohet në Misir (Egjipt). (Ne që shkruajmë këtë opinion, duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se s’është korrekte hiç fare që shkrimin ta “ushqejmë” me mendime të huaja, në rastin tonë me ato të Faik Konicës). Meqenëse, edhe sot e kësaj dite të Perëndisë, ajo thënia e tij mbetet aktuale dhe pse jo edhe unikale, një thënie që reflekton gjithë filozofinë e inatit homerik ndër shqiptarët, një inat që ka zënë vend në përditshmërinë e tyre, andaj edhe përkundër rregullave të gazetarisë “besojmë se do të na lejohet” ta parafrazojmë pikë për pikë.
“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”…
Disa ditë më parë, unë dhe disa miq të mi, nuk deshëm të “… bëjmë gazetë me fletë të mëdha, as me fletë të vogla, as me letra të holla e as të trasha…, as shkrojtëm toskërisht e as gegnisht…, nuk shkrojtëm as për politikën e as për Padishahun, as për Vezirin e as për Turqinë…, nuk shkrojtëm e nuk shajtëm shqiptarët muhamedanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj…,” ne nuk deshëm të themi se ky manifestim dedikuar mësuesit është më i miri…, këtë ua lamë ta vlerësojnë dashamirësit e shkollës shqipe…, përkundrazi organizuam akademi solemne kushtuar ditës më të shenjtë të shqiptarëve, 7 Marsit, gjegjësisht Ditës së Mësuesit…, atë akademi nuk ua kushtuam as politikanëve e as akademikëve, as ministrave, as biznesmenëve, as megalomanëve, as sherrxhinjve, as “mikut tonë” bastard, as njerëzve që mendja u është bërë “havale”, as njerëzve me paragjykime, thjeshtë (e bëmë aq sa mundëm) deshëm t’ia dedikojmë… mësuesit të vërtetë…, atij mësuesi i cili asnjëherë “nuk kërkoi asgjë në këmbim…,” atij mësuesi me shëndet të brishtë, atij mësuesi me një mal dashurie të çiltër për nxënësit të tij…, atij humanisti që është familjarizuar me gjithsecilin prej nesh…, atij iluministi dhe mallit të tij. Ua dedikuam “të gjithë mësuesve të vërtetë…, atyre heronjve të heshtur të dashurisë sonë fëmijërore, udhërrëfyesve të jetës sonë, bartësve të filozofisë së jetës, Mësuesit”, siç do të thotë Lindita Nikolla. Me gjithë sakrificat, me gjithë mundin që dhamë për këtë akademi solemne…, ca njerëzve e gjithë kjo nuk u pëlqeu fare, sidomos atyre që kërkojnë ta gjejnë gjilpërën në thesin me kashtë!? Ngandonjëherë të marrit nuk i duhet koka…, po mbase herë-herë edhe të mençurit nuk i duhet kryet, sepse do ta “përdorë si lavatriçe të vetëlavdërimit dhe mendjemadhësisë së tij”(!?). Modestia e tepruar dhe ajo përulja jo e merituar ndaj njerëzve të paragjykuar, mund të të sjellë “telashe”, sidomos me njerëzit me të cilët nuk ke gjë të përbashkët. Andaj, është mirë të jesh modest, por ama, gjithsesi “me karar dhe pa zarar” Sa shumë kishte pasur të drejtë Konica kur ia kishte përcjellë ato këshilla pasonjëse atij të riut që mëtonte të botonte një gazetë.
*Bashkepunetor i Diellin-Tetove

Filed Under: ESSE Tagged With: “IK O QAR, Fadil Lushi, SE KAM ZARAR!?”

Nëntoka ,ne dhe historia e vjedhur

March 15, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
”Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër. Megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. Doemos, edhe shoqëria shqiptare të pastron plehrat nga kopshti vet, të krijojë strukturë dhe institucione të mirëfillta, të përhershme, që i sigurojnë asaj qëndrueshmëri.” (Aurel Dasareti).
Çfarë është çmenduri dhe çfarë është normalitet? Pyetje me shumë përgjegje e sidomos atëherë kur dikush mendon se është e vetja edhe pse nuk është aspak. ironia më e madhe kishte me qenë sikur spanjollët dhe portugezët si pushtues që ishin ,sot t`ashtuquajtures Amerika Latine , të thonin dhe të “dokumentonin” se janë “ trashëgimtarët”e vëtem dhe të vërtetë të Actekëve, Inkasve dhe Majasve, Thjeshtë bota do ta quante Çmenduri !
Dihet mirë se spanjollët kur shkuan , si shkuan, vendin e kujt e zunë , kë e asimiluan ( jo 100%) dhe se sot andej pari flitet spanishtja( jo 100 % ) . Ky është normalitet !
Por në këtë Ballkanin , gjithmonë të trazuar gjërat shkojnë ndryshe. Këtu nuk ka nromalitet , ka vetëm çmenduri.
Jo shumë largë në kohë , shqiptarët me dhunë u barten nga Serbia e sotme u ndërrua konfiguracioni demografik i atyre viseve dhe nga pushtuesit po harrohet që nëntoka e çet në pah të vërtetën. Ajo që gjendet nën tokë pa marrë para syshë se sa e vjetër është, ajo nuk duron spekulime, ndërrim datash e prodhuesish ; nëntoka e flat vetë të vërtetën.
Ne duhet të jemi sinqertë. Ka grupe në shoqërinë tonë që kanë një kokë bosh, gojë të madhe dhe një zë të lartë,- thot Aurel Dasareti dhe shton: Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër, megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. .
’’Lokaliteti Belica afër Jagodinës ( Serbi) vendi i shenjt më i vjetër në Europë . e vërtetuan specialistet e Institutit Gjeologjik të Hajdelbergut dh ata të Universitetit të Tybingenit ( Gjermani). Në një vendbanim të kohës së neolitit u gjet thesari mëi madh i artefakteve parahistorike në botë me rreth 100 figura njerzish nga guri. ashti dhe argjila. që janë të vjetra mbi 8 000 vjet. .Ky ishte rezultati i hulumtimeve të specialistëveserb dhe gjerman në një lokalitet i cili u zbulua në vitin 2002 nga doktor Milorad Stojić nga Instituti arkeologjik e akademisë serbe SANU “ (Arheološki lokalitet Belica kod Jagodine najstarije je svetilište Evrope, potvrdili su ugledni njemački Geološki institut u Hajdelbergu i Univerzitet u Tibingenu. U naselju iz ranog neolita nađena je najveća riznica praistorijskih umjetnina na svijetu sa oko 100 čovjekolikih figura od kamena, kosti i gline, starih oko 8.000 godina.
Ovo je rezultat istraživanja koje su zajedno obavili njemački i srpski stručnjaci prošlog ljeta na lokalitetu koji je 2002. godine otkrio profesor doktor Milorad Stojić iz Arheološkog instituta Srpske akademije nauka i umetnosti /SANU/, pišu beogradske “Večernje novosti”.)
( E he ! paska hala institute e akademi që kërojnë vjetersina në nëntokë; se kat shqiptarët e kanë harruar “ zanatin” , janë ‘akomoduar’ dhe “ arreduar “ nëpër zyre; xgjate zot , kësi moti! !! )

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe historia, e vjedhur, Fahri Xharra, në, Nëntoka

ORA E RËNJES SË PRANGAVE

March 15, 2015 by dgreca

(Skllavët nuk shkruajnë)/
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.“Lirinë keni ju, ne hekrat kemi”, u thoshte Ndre Mjeda të bekuarëve amerikanë, pasi kishte shkruar poemthin “Liria”, këtë odë që këndonin zemrat shqiptare. I përhihej, e kapte dhe i zhdukej shpejtësisht, imazhi i atdheut të lirë…
Dhe, njëmend, një popull i ndrydhur gjatë, mbijeton me trupin, por terron, poaq, me frymën. Në vrragët e tij nuk ka asgjë të shkruar…Sepse, thjeshtë, skllavët nuk shkruajnë! Dija apo e drejta e mendimit, ndaj, si një privilegj i të “epërmve të virtytshëm”, ishte rezervuar për aristokratët apo, madje, në viset e kolonive që i banonin popuj “natyrorë”, veçohej për metropolitanë dhe mëkëmbës të tyre të përgjakur.
A nuk ishte pokështu dhe ndër vëndet e arbërit? Qytetninë shqiptare e tjerrnin kryesisht ngulimet mërgimtare, kurse vendësit e përvuajtur gëzonin vetëm rrezet e shpresës së diellit të largët “alegorik”. Dhe në kishte letrari, ajo e tëra rrëmbehej ose pengmerrej nga programi i lirisë. “Kur më pyesin jashtë, keni poetë në Gjermani?, pohonte Niçe me ironi, “u them pa ngurrim: Po, Bizmarkun!” Ndonëse, pra, kishin përbashkuesin e madh, dhe bashkëkohësit e tij, do të jenë përfshirë në letërsinë e misionit politik…A nuk rëndon ende sot zymtor ky makth dhe përpjekja për këthjellim që, e denjë e flijuese, shndërrohet në religjion? Në religjionin e lirisë? Për të thuren më të bukurat ëndrra a farkohen më të ligjshmet ide…
2.Meditimi për fillin e krijimit, filozofinë kosmogonike a kuptimsinë e jetës, pastaj për pushtetin e vdekjes a shpresën e transcendencës – ishte prore i lartë, eterik dhe i pakapshëm si yjet! Të palirët e të shtypurit, nuk vuanin asnjëherë këtë brëngë: mjeshtërinë e mendimit. Vegjetonin në kënaqësinë e vakët të lodhjes dhe instinkteve që i mbanin larg njohjes mundimtare. “Dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në këtë botë, nëntë i kanë pirë robërit dhe një të vetme të mbetur, e gjithë bota tjetër, predikon Talmudi shejtnor. Që këtej, metafizika e Mbinjeriut antikrisht dhe Fausti i mjegullnajave të Bohemisë apo Romeo e Beatriçja e dritareve të ndaluara të dashurisë, duhej të prisnin orën e tyre. Orën e rënjes së prangave…Ç’është e vërteta, letraria, kudo e përherë, është pronë e elitave. “Krijimtaria e masave” nga motet bolshevike ishte zvetnim i saj. Por, megjithatë, elitat e kombeve të lirë qarkullojnë e alternohen, poashtu, lirshëm e paprerë dhe mbi askënd nuk bie mallkimi fatal i Rendit të shpallur përfundimtar apo i Prijësit të cilësuar hyjnor.
“Ai ç’prej vjetësh tremijë
S’mësoj dot gjë për veten
I tretur mbetet në errësi
Nga dita në ditë të shtyjë jetën…”

Kështu shkruante Gëte, ky Patriark i letrave të Europës, e rrjedhimisht, prandaj, pas shekujsh të ndaluar të së drejtës dhe magjisë së shkrimtarisë, shqiptarët ndjejnë, vjershërojnë, mendojnë e shkruajnë! Ç’tjetër mund të pritej nga një popull që ka 2000 vjet gojëkyçur, pa hedhur një të vetme fjalë në letër për bukurinë a dhimbjen e jetës? Shpërthim më të përligjur nuk njeh liria e kësaj bote!

3.Porse mendjecektët fragmentarë, pijnoj të përbuzurish poashtu, (“kam parë njerëz të lidhur të varfër, që i shoqëronin dhunshëm njerëz të armatosur të varfër”, thotë një varg i madh) e përceptojnë gjendjen si krejtësisht natyrale, madje, një tabelë të predestinuar vlerash e popujsh! Kjo qenkësh, sipas llumit moçalor, një prima causa, një shtysë parake e vetë Rruzullimit…Ndonjë prej tyre, ndaj, do të shfrynte: ah, përse shkruajnë kaq shumë shqiptarët? Pyetja, ashtu si intonacioni i saj, sikur ndryn në vete pohimin obskur e të errtë, në formën e klithmës së fshehtë dëshirake: përse nuk mbajnë ende sharrë në supe udhëve të braktisura me thirrjen e thekshme “dru me pre”?! Veçse dilemë-pyetja e njëmendtë fundore do të ishte: si shpjegohet, vallë, ky zhgënjim me kah të kundërt e krejt dëshpërues: jo keqardhje e trishtim për mugëtirën e disfatën – por, përkundrazi, për dritën e ngadhnjimin!
Dhe s’është, ashtu, pos një nostalgji patogjene për kohët e lumura të skllavërisë, kur njerëzia s’kish pse të vriste mëndjen e ndërgjegjen, a mbase, mos o Zot, të “shpirtëzonte kundërshtinë” ndanë statusit robnor! Një letargji e qetë, e pabujë, e paemër dhe e njëjtësuar me fatin përjetësor, si të zbritur qiejsh! Ata thuase bëjnë anglezin imperial, që si më ka rënë të lexoj, i kishte ngarkuar Radios së BBC-së punën e vështirë për të evokuar ditët e paqme të popujve të posamëvetësuar, nën kurorën e dikurshme viktoriane. Apo, ndoshta, duke qenë larg, ah sa larg shkëlqimit të britëve, mallëngjimi i tyre ngjan më real e përafrues: mallin për shkronjëtarë zyrtarë, gjithësesi mediokër e provincialë, në shërbim të despotit lokal ose të sundtarit të huaj.
Tirania e njëshit, hazjajinit politik dhe i kostumprerësit letrar, ka ikur, tashmë, në harresë. E kjo, me sa duket, është votra e pikëllimit të tyre. Po nëse ka vetëm një diell që shkëndijon gjithësinë – në yllin Tokë, diejt e dijes e shkrimit janë të shumtë si lulet, fluturat, cicërimat, lotët, muzgjet, buzëqeshjet…Dhunti e tyre vjen udhësh të padukshme e të pandalshme prej hiresh të shpirtit të ultë njerëzor!
Kur mbreti serbian Aleksandër, gjatë një vizite ekspeditore, kishte zbritur në Fushë Kosovë, i tmerruar nga prania e gjithëkundshme shqiptare, i thotë adjutantit të tij: “ Sa shumë plisbardhë paskëshin mbuluar dhèun”! Mirëpo ai, urtësisht e pa vonuar, ia kthen: “Madhëri, të tillë janë më të mirë, ç’do të bëjmë kur ti heqin ato”! Pikërisht, pra! Adjutanti kishte të drejtë: krijimi intelektiv a thithja e nektarit të tij, iluminojnë mëndjen dhe rimojnë ëndrrën njerëzore…
Sepse, skllavët, mjerisht, nuk shkruajnë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ora e renies, Rexhep Kasumaj

Një femër për të gjithë…një nga ato që aprovon Kryeministri

March 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Na gjeni një femër të mirë? Një femër pjellore? Një femër me sharm? Si ato nga podiumet e holleve ku partitë bëjnë deklaratat për shtyp. Na gjeni një femër që të na sigurojë fitoren. Një femër me klas. Një nga ato që shpon heshtjen e korridorit me majat e takave. Një femër që të bën të mbash frymën. Një femër që të flasi anglisht, frëngjisht, italisht, kinezçe, vetëm pasi ta miratojë kryeministri. 
Nga ana tjetër ka edhe deklarata të tilla, habitore…, femër? Pse jo… do ta shikojmë edhe këtë variant. Po një femër, burrë ama. Që di të shahet. Që të ketë luk femre, por frymë burri. Një femër të fortë. 
Një femër si ajo në Kosovë. Jo presidentja, por gazetarja. Ajo që edhe pse merr nga shtatë kërcënime në ditë. Se do ta vrasin, se do ta hedhin në erë me makinë, se do ta bëjnë prostitute etj, prapë shkruan me guxim. Një femër që i ngjan trëndafilit të vetëm. Ku? Në një varrezë gri makinash nga e gjithë bota. Një femër, por jo si ajo e doganave të Shqipërisë, që na la në mes të rrugës. Kishim një ritëm të mire me të ardhurat e tremujorëve. Ndofta po të vazhdohej ashtu, kushedi se ku do të shkonim në fund të vitit. Nga debitorë, mund të bëheshim rentierë. Ndërsa vetë shtetarët rrogëtarë. Kushedi? 
Por prapë, na duhet një femër. Erdhën zgjedhjet.
Në fakt është retorikë e dalë bojë. Një femër, një mashkull. Në këtë botë nuk ka gra, zonja, nëna. Nuk ka as burra, zotërinjë, as baballarë? Botë femrash dhe meshkujsh. 
Në fakt këto janë rezultatet e dialogut konfliktual të përjetshëm. 
Përqark e gjitha i ngjan vetëm një ferme blegtorie. Me meshkuj dhe femra. 
Cila është strategjia? Këtë e dëshmon barsaleta më poshtë.
Na ishte një here një tufë mëzatësh, tufë e madhe. Midis kishte edhe të vjetër në moshë. Pra dema të rinj e dema të vjetër. Ushqeheshin për qejf. Aq sa nuk ia vinin veshin misrit në arën përbri. Megjithëse i ndante edhe një gardh i lart. Dikur aty u shfaq një mëshqerrë e bukur. Mëzatët e rinj u shtynë, drejt arës duke marrë me vete gardhishte por edhe mëzatët e vjetër. Mirë këta të rinjtë, po ne të vjetrit, çfarë dreqin duam. Na morën frymën. Po na shtypin çunat. I thoshte demi i vjetër shokut të vetë. Dhe tjetri ia ktheu. Të përfitojmë nga situata, të hamë ndonjë misër të njomë.
Kaq është kismeti jonë o vëlla. 
Një femër? Që të fitojmë zgjedhjet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, nje femer, për të Gjithë

Lule per Ty Lindita!

March 15, 2015 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Gëzuar ditëlindjen e dashur Lindita!
Desha të të këndoja në telefon “Happy Birthday”, por zëri im përballë nje artisteje të madhe duket sikur përplaset dhe thyhet midis tingullit tënd të magjishëm… Është më mirë të të uroj poetikisht, që është dhe dashuria ime e hershme deri në frymën e fundit. Mirësia e shpirtit tënd, zëri hyjnor dhe bukuria fizike mbyten në sytë e tu blu si deti në Vlorë, ku je lindur dhe rritur, valëzat e bardha të të cilit të kanë ledhatuar mijëra herë, por Andrea me veglën muzikore “Oboe” që ka luajtur mjeshtërisht nëpër skena e frymon dhe i nxjerrë xhevahiret nga deti në hapësirat pafund, atje ku e kanë vendin kjo racë artistësh. Ç’perla ka oqeani, dhe ç’yje ka qielli, por mjerisht vetëm shteti shqiptar është pa polumbar dhe pa astronom…
Pasi dhe disa koncerte në Operën Kombëtare, Ju u larguat si dy artistë, në vitet 90-të, ikët për ëndrrat tuaja, u larguat në vendin me të afërt në Greqi…
Greqia si gjithmonë që di t’i rrëmbejë të bukurit e Artit ndër kohëra dhe hapësirë, të pranoi ne TV-n kryesore të saj me konkurs të rreptë, ku ti ja dole mbanë dhe i magjepse si Hyjneshë, parardhëset e tua Hyjneshat greke, nëpër skenat greke dhe në Europë.
Erdhe në Amerikë pa mbështetjen e askujt arrite të mbaroje Master në Mannes College of Master of Music in Voice from Mannes College of Music at New School University dhe për një vit vazhdove “Professional Studies Program at Mannes College of Music”. Në bazë të kësaj merite sot po punon si mësuese muzike e liçensuar në shtetin e Nju Xhersit. Doje të mbijetoje, iu fute studimit, por koha po fluturonte për të qenë ne skenat e botës…
Në se do të kishje mbështetje nga shteti shqiptar si artiste me një karierë të shkëlqyeshme, dhe shteti yne do i shikonte të gjithë artistët dhe të talentuarit pa preferenca partiake, me syrin e nënës, me siguri do të ishje shumë, shumë më e dëgjuar se shumë të përkëdhelurit në breza…
Ti mbijetove edhe pse me babain në burg… Sot ai të bekon nga qielli që ti po e nderon kudo.
Je e vetmja shqiptare që ke dhënë koncert në Carnegie Hall në New York, por mjerisht shumë media në Shqipëri ju bëjnë jehonë ahengjeve dhe muzikës tallava…
Ke bashkëpunuar ngushtë me artistë ndërkombëtarë. Ke kontribuar për Diasporën si dhe në programin artistik të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe koncertin klasik që u organizua në Manhattan që hapi siparin në 100 Vjetorin e Pavarësise, në Diaspore, organizuar nga TV “Alba Life” dhe nje grup artistësh me udhëheqës pianistin e talentuar, artistin Petrika Melo.
Si pjesë e Diasporës ke dhënë disa koncerte në disa festa të organizuara si nga gazeta e mirënjohur “Illyria”, Motrat Qiriazi, Vatra, New York, Mass Besa dhe Holy Trinity Albanian Church në Boston. Je një mbështetëse krenare për populllin e Kosovës për të cilin dhënë koncert në Kombet e Bashkuara për të sensibilizuar njerëzit.
Herën e fundit ke qenë për Shoqatën “Ana e Malit” në 100 vjetorin e Pavarësisë, por jo e fundit siç te thanë organizatorët në Ditën e 7-8 Marsit ku more çmimin e lartë të mirënjohjes nga kjo organizatë frytdhënëse dhe atdhetare.
Ti ece udhëve të artit dhe të dijes me guxim dhe ndershmëri, herë si mjellmë e herë si Zanë Mali, dhe ja arrite, ja arrite aq bukur sa një ditë kori botëror i specializuar shpresoj të të dhurojë në skenë lule me mbishkrimin: “LULE PËR TY LINDITA! LULE PER TY ARTISTE VLONJATE SHQIPTARE, AROMË GRUAJE”!

12 Mars, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, Lule per Ty Lindita!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT