• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Mësuesit Beqir Haçi,vizionar për të ardhmen e Kombit Shqiptar

March 4, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Atdhetari i zjarrte ,Beqir Haçi, njihej nga studentët dhe bashkëkombasit me titullin, Profesor, të cilin ia kishin mohuar persekutorët e tij.
Sot figura e Prof.Haçit është bërë shumë e njohur për publikun shqiptar në shumë fusha: ate të pedagogjisë,psikologjisë,letërsisë,publicistikës dhe folklorit.
Si bir i nderuar i Borshit, ku ravijëzohet e bukura e dheut, trashëgonte në mendje kthjelltësinë e Jonit,pasurinë shpirtërore të tokës frutore nën ujëvare,forcën e karakterit të kalasë shekullore të Sopotit dhe shpirtin artistik, që ia kishte skalitur vala lozanjare e detit.
Ai ishte vazhdues i paraardhësve të atij vendi që nxori një numër të madh intelektualësh të cilët patën interesim të veçantë,për kulturën dhe për shkollimin e djemëve dhe të vajzave brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Fillimet e studimeve në shkollat shqiptare e më pas në shkollën teknike shqiptaro-amerikane e ngritën të riun B.Haçi,në nivelin e elitës intelektuale të kohës.
Pa mbaruar shkollën teknike, duke qenë më i miri në mësimin e gjuhës angleze,mësuesi i lëndës C.Hollingsed e emëroi “assistant teacher”.
Kjo i përkiste moshës së tij 15-vjeçare,kur ai u përkthente shokëve të tij të klasës duke shkruar në dërrasen e zezë ato çka spjegonte profesori amerikan.
Si mbaroi arësimin e lartë në Firencë,u ngarkua me shumë detyra pedagogjike, si drejtor dhe inspektor arsimi e profesor në disa gjimnaze të Shqipërisë.
Kudo që punoi zbatoi me devotshmëri projekte të reja arsimore për edukimin e brezit të ri dhe ndihmoi në kualifikimin e mësuesve kur kryente detyrën e inspektorit .
Si dishepull i Rusoit,që synonte ta bënte njeriun të arsyeshëm, prof. Haçi pasoi edhe iluministët shqiptarë të Rilindjës, të cilët e shihnin rritjen e ndërgjegjës kombëtare në përhapjen e arsimit dhe kulturës.Ja si e shkruan Prof.Haçi
“Vetëm arsimi mund të ndërrojë botën”,
Vetëm arsimi na e mbron lirinë.
Vetëm arsimi e zhdukë tiraninë,
Vetëm arsimi mbron moralin,
Vetëm arsimi e mban idealin.”
Kur ishte inspektor i qarkut te Dibrës së Madhe, mbajti një fjalim të zjarrtë
në festën e 5 Prillit 1942.Fjala e tij ngriti në këmbë të madh e të vogël,pasi mbrojti haptaz idetë e tij për Shqipërinë etnike duke theksuar se viset shqiptare janë e do të mbetën shqiptare.
Për këte guxim qytetar autoritetet italiane e arrestuan, por nuk mund të burgosnin
Himnin “Kënga e Dibrës së Madhe “,e cila jashtë hekurave zëvendësoi prezencen
e mësuesit revolucionare me thirrjet për bashkim .
“Cou se t’erdh dita e lirisë ,
Ditë e shenjtë që ke pritë ,
Dibr’ e Madhe e Shqipërisë”
Të shkëlqesh si yll e dritë”
Kënga në unison afroi zemrat dhe ngjalli shpresat në betimin për ditën e Lirisë.
Prof. Haçi si studiues i filozofëve përparimtarë të botës përforcoi idenë , se arsimi është mjeti për të zhvilluar një botë të re .
Kështu ai punoi me pasion për të botuar sa më shumë në drejtim të kësaj edukate.
Me energji të pashtershme ai shfaqi aftësinë e një edukatori të vërtetë ,në të gjjtha botimet për t’i shërbyer shkollës shqiptare në ardhmëri.
Numërohen me qindra artikuj në të gjitha revistat e gazetat e kohës, po ashtu edhe një serë librash që i quajti libra popullorë, si “Mendime të arta”,”Proverba”,dedikuar Thimi Mitkos dhe S.Dines.
Librin unikal “Udhëheqës i mirësjelljes”,e punoi posaçërisht për rininë shqiptare,ndërsa “Thërrime filozofike” ia dedikoi N.Frasherit “.
Librin “Mësuesi punëtor,idealist i shoqërisë” ia kushtoi mësuesve shqiptarë, të cilët u përkisnin viteve 1930 -1937.
Me këto ai plotësoi albumin e botimeve pedagogjike dhe njihet si mësues e publicist .
Lënda e përfshire në to kishte karakter të theksuar edukativ-didaktik,patriotik e kulturor.
Periudha e gjatë e diktaturës komuniste, nuk e përfilli emrin dhe vepren e profesor Beqir Haçit ,vetëm e vetëm pse Ai qe nxënës i Shkollës Teknike të Tiranës
E burgosën, e keqtrajtuan,per t’ia nxirë jetën,por Ai mbijetoi, duke ruajtur nderin, dinjitetin e tij si pedagog ashtu siç shkruante në një poezi te tij .
Skeleti im,qendro,dëgjon
Armikut thuaji:
Këtu s’kalon!,
S’e mund dot kurrë, ti shpirtin tim…”.

Pas burgut, profesori nuk mund të botonte më. I pajisur me një karakter të fortë,diti të punojë në kushtet e sistemit totalitar.
Shpirti i paepur rezistoi për t’i transmetuar brezave mesazhe madhore.
“Shtëpizën”,siç e quante në një poezi e ktheu në çerdhe pune për studime.
Atje veç të tjerave u mësoi të rinjëve gjuhën angleze, të cilën e zotëronte mjeshtërisht.
Shumë intelektualë dhe studentë të asaj kohe ,sot janë në pozita të larta shtetërore,kanë marrë mësime në atë shtëpi-shkollë duke ruajtur nderimin më të madh për profesorin erudit
Me punën e tijë të pandërprerë, shtoheshin veprat dhe mbusheshin me krijime qe e pasuronin laboratorin e tij të punës, për t’u hapur një ditë.
Kam pasur fatin ta njoh prof. Haçin dhe ta vizitoj laboratorin e punës së tij me dosje,libra dhe citate të zgjedhura , te marrura nga urtësia botërore dhe shqiptare.Shume shprehje të urta ishin të vendosura në vende të dukshme për t’u lexuar. Ishin këshilla filozofike për brezat: të duan punën,shkollën ,Atdheun, familjen,jetën dhe të ruajnë nderin në çdo situatë.
Sot nje pjesë e veprave të prof.Haçit e kanë parë dritën e botimit nën kujdesin e te birit Dr.Sopot Haçit,i cili botoi dy libra me poezi,me titull “Këngë të pëshpëritura”por nuk arriti t’i çonte deri në fund botimet e tjera për të cilat ai thoshte janë mijëra faqe.Filli i jetës iu këput në kulmin e punëve që kishte nisur të bënte,në nderim të babait të tij të devotshëm.

Sot pedagogjia shqiptare ka nevojë për mësimet e një edukatori të madh si siç ishte Prof.Haçi.
Librat shkollorë kanë nevojë për poezinë didaktike të një mësuesi të talentuar.
Shoqëria shqiptare për mendimet e një idealisti modern, i cili thoshte :”Vdekja të më marrë, kur të më gjejë pa punë”.
Titujt që iu akorduan Prof.Haçit ne periudhën e Demokracisë :”Urdhëri Naim Frashëri” “ Pishtar i Demokracisë “,titulli i lartë “Mësues i Popullit” kanë vlerë morale për brezat që t’i referohen mësimeve të urta të një mësuesi virtuoz.
Mesazhi qe ia transmeton gjeneratave përmblidhet në këto vargje.

Gjendjen që shkoi-e pamë
Gjendjen që kemi-e shohim
Ku kemi qenë e ku ramë
Tani të gjithë e njohim

Atë që dje nuk e bëmë,
Po e paguajmë sot,
Atë që sot po e lëmë
Do ta paguajmë mot!

Filed Under: ESSE Tagged With: Mësuesit Beqir Haçi, Pertefe Leka, vizionar

VIKTIMAT E PARA TË KOMUNIZMIT SHQIPTAR

March 4, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Marsi i vitit 1945 ishte fillimi i një kalvari të vërtetë vuajtjesh, vrasjesh, burgosjesh dhe internimesh për klerin katolik shqiptar. Është ky një 70-vjetor që na detyron të kujtojmë viktimat e para të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilët dhanë jetën si heronjë të kombit shqiptar, në mbrojtje të idealeve më të larta njerzore të dashurisë për Perëndinë dhe për lirinë e Atdheut të tyre, dhe në mbështetje të nderit e burrënisë, të dinjitetit njerëzor dhe të vlerave bazë universale për veten dhe për të gjithë bashkkombasit e vet. Këta ranë viktima të një regjimi diktatorial të pa besë e të pa fe dhe të një ideologjie të huaj sllavo-aziatike për shqiptarët, të një regjimi që ndërmori shtypjet dhe mizoritë më të egëra kundër të gjithë besimtarëve shqiptarë pa dallim, por në veçanti kundër klerit katolik.
Ajo që e bën edhe më të trishtueshme këtë histori viktimizimi të bijve ndër më të mirë të kombit, është fakti se ishte vetë dora e shqiptarit që shkaktoi vrasjen mizore të këtyre viktimave të pafajshme. Është kjo një njollë e zezë mbi kombin shqiptar. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, i shtyrë nga armiqtë e kombit shqiptar, rusët dhe serbët, dhe i bindur nga vetvetja, filloi si masë të parë të regjimit të tij në Mars të vitit 1945, eliminimin e Kishës Katolike Shqiptare duke pushkatuar klerikët më të njohur të saj, duke krijuar kështu një boshllëk të madh jo vetëm në radhët e Kishës, por edhe në fushën e kulturës, gjuhës dhe letërsisë kombëtare. Enver Hoxha dhe regjimi i tij — të shtyrë nga pasione dhe interesa të huaja që nuk kishin aspak të bënin me interesat e kombit të vet — pushkatoi e burgosi ndër më të mirët e kombit duke krijuar në boshllëk dhe varfëri kulturore të paparë në historinë shqiptare.
Andaj, në këtë përvjetor që shënon viktimat e para të regjimit enverist në luftëne tij kundër Kishës Katolike dhe klerit të saj, ndaj klerikëve të feve të tjera dhe jo vetëm këtyre, por të gjithë atyre që u viktimizuan në pafajsi, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me regjimin komunist – është ndoshta një rast i mirë që të reflektohet, më në fund, mbi faktin se si në të vërtetë është e mundur që një regjim i përbërë nga individ të të njëjtit gjak, mund të vriste e të priste pa kurrfarë dhimbjeje bashatdhetarët e vet, vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe dhe nuk pajtoheshin me një ideologji të huaj. Për më tepër, ndoshta duhet të reflektohet nëse mungesa e përballimit serioz me atë histori të përgjakshme mund të ketë gjithnjë pasoja edhe për aktualitetin e jetës politike dhe shoqërore të kombit shqiptar, madje edhe pas një çerek shekulli të shembjes së regjimit komunist. Përballimi me këtë histori nuk duhet të bëhet për qëllim të hakmarrjes, jo. Dhe jo se nuk duhet ta duam drejtësinë dhe jo se nuk duam të kujtojmë kujtimin e viktimave të komunizmit barbar të Enver Hoxhës, por siç ka shkruar me një rast i famëshmi albanolog At Zef Valentini, përballimi me atë histori të përgjakshme, sidomos kundër klerit katolik shqiptar, është më shumë i nevojshëm — nga pikëpamja e tij fetare – “për me shlyer kujtimin e mëkatit të tjerëve nga faqet e historisë së kombit”. Një gjë e tillë, që sipas tij të çonte në vend amanetin e këtyre viktimave të komunizmit, që Shqipëria dhe shqiptarët të vazhdojnë në rrugën e ngadalshme, të vështirë e shpesh të kundërshtuar, por kurrë të ndërprerë në rrugën drejtë qytetërimit të kombeve si motra, bazuar në kulturën dhe traditat më të shëndosha të qytetërimit të vërtetë të një prej kombeve më të vjetër të kësaj bote, kombit të vjetër shqiptar.
Marsi i vitit 1945 shënon fillimin e viktimizimit të gjatë dhe barbar të klerit katolik shqiptar, me vrasjen e Dom Lazër Shantojës dhe Dom Ndre Zadejës, klerikut, dramaturgut, poetit e prozatorit. Isha në të vërtetë duke lexuar një libër poezishë nga Xhevat Kallajxhiu, një ish-koleg i imi në Zërin e Amerikës, gjatë viteve 1970 dhe po kërkoja një vjershë të tij, kushtuar njërit prej këtyre viktimave të para të regjimit enverist, Dom Ndre Zadejës klerikut dhe shkrimtarit i cili u pushkatua në Shkodër në mars të vitit 1945, i akuzuar si “fashist, armik i popullit dhe tradhëtar”.
Ja poezia që Xhevat Kallajxhiu i kishte kushtuar mikut të tij, “Kryeheroit të patriotizmit dhe të virtyteve tradcionale shqiptare”, dhe njërit prej viktimave të para të regjimit komunist, vrarë në Shkodër Marsin e vitit 1945 dhe që i përshtatet këtij përvjetori:
DOM NDRE ZADEJA
Ndalu dorë mizore! Si guxon t’ qëllosh Dom Zadenë!
Priftin patriot shumë të shquem që ka lind Shqipnia?
Që gjithë jetën e kushtoi për të shërbye Atdhenë,
Dhe për ‘Të gjithçka ishte Zoti e Shqiptarija!

“Fashist”! e qojte pa turp atë që me guxim kumtoi:
“Adries m’i thuej krenare –Valona ashtë tokë shqiptare”!
Që në gjithë jetën e Tij as u ndal as nuk ngurroi
Me lartësue Çerdhen Ilire, me qenë krenare!

“Armik”! e qojte atë që burrënisht Shkjaun njoftoi:
“Çka ka liqeni e Buna që po lajmërojnë poterë”,
(Kur Rozafa maj’n e Taraboshit e kqyr me droj’)
T’a dijë jugosllavi se Shkodra vdes me nder.”
Me Ty o misjonar i Krishtit dhe i Mëmëdheut,
Të tjerë misjonarë të shquem jetën e tretën.
Besnikë të traditave të Tokës së Skënderbeut,
Me gzim jetën falën për Liri, Fe dhe të Vërtetën.

Të përunjem, Dom Zadeja, krenaria e këtij Fisit të Ilirisë!
Lavdi Kombit që të lindi, o bir i denjë e me vlerë!
Lavdi Ty, që gjakun pa kursim e fale Shqipënisë!
N’faqe të historis’ do të përmendesh me adhurim përherë!
1945
Le të jetë ky përvjetor i kujtimit të viktimave të para të regjimit komunist 70-vjetë më parë, jo si një ngjarje që ngjallë dhe nxitë hakmarrje, pasi këto viktima të komunzmit, këto “rreze qytetnije të fikuna”, nuk do të kërkonin një gjë të tillë, përkundrazi do të ishin kundër. Por, ata do të këmbëngulnin që sakrifica e tyre të mos harrohet dhe që vdekja e tyre të përkujtohej dhe që të shërbente sot për të nxitë një përtëritje të Shqipërisë, që të çojë në një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për kombin shqiptar.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, KOMUNIZMIT SHQIPTAR, VIKTIMAT E PARA TË

Ernest Koliqi dikur dhe arsimi sot!

March 4, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“ Dorën në zemër, vërtet më ka marrë malli për mësuesit e Ernest Koliqit, e jo këto të sotshmit të Ministrisë Arsimit e partive politike, që kurrë nuk kanë kapur ditar në dorë. E sot emërohen drejtorë shkolle e ministra të arsimit. Mësuesë të politizuar deri në palcë me trumbetime partiake dhe me pak aftësi arsimore – edukative, plot patetikë patriotike. Partizanë, që ditarin e arsimit e kanë shndërruar në libreza partiake. (K.Çeliku)”
Sa keq ! në shtetin e vet , të pa përgjegjshëm ,aspak , as për fëmijt e tyre.
. Edhe ato pak libra, që na mbetën nga “Shqipëria e Madhe”, ministrit arsimit të asaj kohe -Ernest Koliqi, na i rrëmbenin nga duart dhe na rrasnin në burg si “nacionalistë e irredentistë”. Megjithatë, ne perësëri gjenim ndonjë libër për ta lexuar kokë më kokë nën hijen e Lisit midis Livadhit. Ishin Librat e këndimit të asaj kohe plot poezi të Rilindasëve tanë me shokë: Naimi, Çajupi, Gjergj Fishta, Asdreni, Vaso Pashë Shkodrani, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Hil Mosi, Ali Asllani e Prej Shkëndisë. Pseudonim letrar i asaj kohe, që edhe sot e kësaj dite nuk e di se, kush ishte autori i atyre poezive të zjarrta mes faqeve të Librit të këndimit- tregon miku Kalosh Çeliku
Është për qudi që sot në shtetet tona kemi më pak mësim se sa në kohën e qeverisë
“kolaboracioniste” dhe “tradhëtare “ të viteve 1942-1945. E ajo qeveri hapi shkolla shqipe në Kosovë , sepse ajo e shkreta kishte nevojë shumë të madhe pert to. Analfabetizmi kishte çelur morra. Fëmijtë , nga friga se na “ bëheshin serb “ nuk i dërgonim në shkolla. Këte na e këshillonin “patriotët” e xhamijave , të këshilluar nga vetë serbët..
Edhe sot hudhet vrer mbi Mustafa Krujen ( kryeminister) e Ernest Koliqin (ministër i arsimit) sepse si ” tradhëtar” që ishin na kishin hapur shkolla shqipe. Po te kishin qenë kaq anti shqiptare, Kruja e Koliqi do te kishin hapur shkolla italiane në Kosovë e jo shkolla shqipe . Por , sidoqoftë gjuha është nga tuli .
Ministria e Arsimit e drejtuar nga Koliqi, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ shtytës nxitës i tërë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohsisht duke funksionuar si asnjëherë më parë, edhe si organ largpamës administrativ. (Giuseppe Valentini, Ernesto, Spechio d’umano transito, Shejzat, numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit, fq 23.) ((Romeo Gurakuqi )
Ernest Koliqi qëndroi për dy vjet ministër i arsimit, më pak se dy vite në kryesi të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe më pak se gjysëm viti në presidencë të Dhomës së Deputetëve. Ernest Koliqi ministër i arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqiptar) dhe së bashku me to filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm në pikëpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare. Ku ti marrim sot ata patriotë shqiptarë që do t`a bënin punën
e Ernest Koliqit ?
Nën kujdesin e Koliqit një komision i përbërë nga Aleksander Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi, përpiloi lëndën e të parës antologji që u botuamë 1943 me titullin “Bota Shqiptare”.
Shqipërisë i duheshin kuadro .Për procesin e përpilimit të teksteve ministria e arsimit thirri nga Piana degli Albanesi Profesorin arbëresh Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha nji hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. Po, sot ?
Profesor Koliqi shprehej mbi ardhmërinë madhështore të popullit shqiptar, sepse besonte në cilësitë pozitive dhe të jashtëzakonshme të shqiptarit. Ai besonte se breznitë e ardhshme do t’ia njihnin ndoshta ma tepër se bashkëkohësit, thelbin e koncepteve të tij. Për të mbrojtur tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike, Koliqi fliste me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes (Romeo Gurakuqi)
Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenien e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari në funksion të çështjes nacionale.Po sot ku jemi ? Po sot ku është arsimi në Kosovë dhe në Maqedoni? Mësuesë të politizuar deri në palcë me trumbetime partiake dhe me pak aftësi arsimore – edukative, plot patetikë patriotike. Partizanë, që ditarin e arsimit e kanë shndërruar në libreza partiake.
Ernest Koliqi ministër i arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqiptar) dhe së bashku me to filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm në pikëpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare.
Zakonisht , neve shqiptarëve kurrë nuk na bie “tamam” , Edhe Koliqi shahej : “….Të shamet e belbacukëvet të gjuhës shqipe nëpër radjo të Tiranës e të Londrës (me më shi mue janë dakord) e shkrimet epileptike të mistrecave qi qohen në maje të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikanta serioza, nuk më bajnë mu as të xet as të ftohtë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. …..
Kryetarë të komunave shqiptare ( në Maqedoni fxh), që ato pak mjete materiale në disponim i shpenzojnë për dalldisje partiake, në vend t’i shpenzojnë për lektyra shkollore e revista për fëmijë. Aftësi “heroike” kanë për propogandë partiake, sesa për mbajtjen e orës së mësimit në klasë para nxënësve. (K.Ç)
Ishte si ç`na ishte , dhe është si ç`është !
Fahri Xharra , 04.03.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: arsimi Sot, dikur, Ernest Koliqi, Fahri Xharra

ME VATRANET NE TAMPA- NJE GJUHE, NJE FLAMUR, NJE KOMB

March 3, 2015 by dgreca

Vatranët në Tampa Bay & Clearwater bashkuan komunitetin me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/
* Bashke me shqiptaret festuan edhe Gjenerali ushtrise amerikane(sot ne pension) Z. Brian Witeof, cili gjate luftes ne Kosove drejtonte e komandonte operacionet ajrore te ushtrise se NATO-s per bombardimin e ushtrise Milloshevicit,njekohesisht dhe deshimtar actual i gjenocidit serb mbi popullsin shqiptare te Kosoves. Mes shqiptareve ieshte e ftuar edhe zonja Amanda Murphy si Represantive – district 36 /
Nga Arian Kushta/
Clearwater Fl/
Dita e pavarësisë së Kosovës është festuar në mënyrë dinjitoze nga Federata PanShqiptare VATRA dega Tampa bay ne daten 21 shkurt 2015 dite e shtune ne darke në Clearëater Florida .
Në këtë aktivitet morën pjesë qindra vetë, veprimtarë e përfaqësues të komunitetit shqiptar. 7-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua me moton: “Gezuar Pavarasinë Kosovë – Një Gjuhë, Një Flamur, Një Komb!!!!”
Darka u hap nga Sekretarja e shoqates per degen , Znj Zamira Rubjeka e cila pershendeti te pranishmet ne kete darke dhe kerkoi te mbahej nje minute heshtje per te nderuar kujtimin e te reneve per lirine dhe pavaresine e Kosoves dhe te Shqiperise .Mbas ezekutimit te himnit kombetar te Shteteve te Bashkuara te Amerikes dhe atij Shqiptar fjalen e rastit e mori Kryetari I vatres per Degen Tampa bay Z Tasim Ruko .
Ne fjalen e rastit z.Ruko vuri ne dukje “Majat me te larta ne historine e kombit shqipetar mbas asaj te qendreses nen udheheqjen e heroit kombetar Skenderbeut. Me te spikatutra jane lidhja e prizerenit, shpallja e pavarsise ne vlore ne 1912 dhe ajo qe ne po festojme sot , eshte shpallja ne 17 shkurt 2008 e pamvarsise se Kosoves. “
Ai gjithashtu theksoi “Nuk mund te harrohet ndihma humanitare e Amerikes dhe e Kanadas qe priten refugjatet shqiptare te ikur nga lufta.Krimet e makines cfarrosese te Milloshevicit ishin nga me te tmerrshmet qe kishte provuar populli I kosoves. UCK Ushtria clirimtare e kosoves luftoi me heroizem dhe la ne fushen e nderit me qindra luftetar.Ajo shkroi akte heroizmi dhe lavdie ne historine e kosoves martire. U vrane e u masakruan ne mase , femije, gra e te moshuar dhe kushdo qe gjendej perpara ketyre njerzeve te pa shpirt .Ushkatrruan fshatra dhe qytete te tera.Ajo qe miloshevici kishte planizuar, ishte cpopullimi I kosoves nga shqiptaret per ti zhdukur simbas tij perfundimisht. Ai detyroi te medhenj dhe te vegjel,te semur dhe te pa mundur per te levizur qe te linin trojet e tyre. Kush kundershtoi . me urdherin e Milloshevicit u ezekutua para syve te familjes se tyre.Me dhjetra te tjere nene nje gjenocid te paster u ekzekutuan dhe u groposen ne varret massive.Shume nga te humburit qe akoma su dihet fati. Akoma edhe sot gjenden rastesisht varre massive. Milloshevici nisi drejt shqiperise zyrtare permbi 500 000 vete.populli shqiptar hapi dyert e cdo shtepie dhe I priti ashtu sic prêt vellai simbas shprehjes “ buk e krip e zemer” ky gjest fisnik habiti gjithe boten.Ne ate kohe shqiptaret ne 1999 ishin ne nje skamje nen nivelin e varferis. Kjo situate u perballua me shume sakrifica por edhe me dinjitet.Asaj gjendje I dha fund bombardimet e Natos dhe diktatori I Ballakanit Slobodan Milloshevici u detyrua te terhiqet me turp nga Kosova” .
Mbas fjales se rastit z. Tasim Ruko dhe Znj Zamira Rubjeka presantouan dhe falenderouan miqte e ftuar ne kete mbermje festive Gjenerali ushtrise amerikane (sot ne pension) Z. Brian Witeof I cili ishte ai qe drejtonte e komandonte operacionet ajrore te ushtrise se Natos per bombardimin e ushtrise Milloshevicit,njekohesisht dhe deshimtar actual I gjenocidit serb mbi popullsin shqiptare te Kosoves si dhe zonjen Amanda Murphy si Represantive – district 36 zone kjo ku jeton nje numur I madh familjesh nga Kosova .
Miqte e ftuar moren fjalen ku z Brian Witeof risolli edhe nje here kujtimet e atyre ngjarjve dhe theksoi se sot ndihet i gezuar qe mori pjese ne kete lufte te drejte ne ndihme te popullit te Kosoves. Znj Amanda Murphy pershendeti pjesemarresit ne kete darke dhe theksoi se ajo ndjehej shume e gezuar dhe krenare qe ndodhej ne kete darke si pjese e komunitetit qe ajo perfaqeson.
Mbas kesaj darka kaloi ne nje atmosfere te shkelqyer nen pranine e Kengetares Entela Iliriani dhe tingujve te instrumentistit te talentuar Igli Tuga e Hermes Alb .
Gjate gjith darkes u be nje prezantim me pamje te mrekullueshme te Shqiperise , Kosoves dhe qyteteve shqiptate te Maqedonise dhe Malit Te zi, figurave historike te kombit dhe te bijve qe luftuan per clirimin e Kosoves.

Filed Under: Vatra Tagged With: Arian Kushta, Clearwater, Dega e Vatres ne Tmpa, festoi, Pavaresine

Speciale – Aty fle, historia e paprekur shqiptare!

March 3, 2015 by dgreca

*Mrekullia e nëntokës shqiptare zbulon qytetërimin e hershëm ilir, dhe mashtrimin serb!/
*Janë gjetur mbishkrime, gur antikiteti, simbole dardane – rozeta, simboli i ringjalljes, kryqe, rruzare, manuskripte, libra të moçëm, të cilët kërkohet që sa më shpejt të shpëtohen./
*Në bazë të mendimeve preliminare të arkeologëve vendës, Kosovë-Shqipëri, por edhe të huaj si atyre nga Kroacia, Bullgaria, Italia, mendojnë se lashtësia e kishës së parë, është e periudhës romake, të shekullit 4 apo 5-të, përkatësisht periudha e sundimit të Konstandinit të Madh ilir ose e Justinianit Ilir, shekulli 5-6.
Shkruan: Idriz Morina/
Çfarë do të na dhurojë nëntoka shqiptare? Çfarë sekretesh arkeologjike fsheh, po a jemi të gatshëm të fillojmë ti nxjerrim ne ato? Këto dhe shumë dilema të tjera vazhdojnë të mbesin pa përgjigje zyrtare.
Ndërkohë, në një prej qendrave që përherë është cilësuar si më e lashta në Kosovë, në Prizrenin e bukur, dikush po përpiqet të bëjë më shumë për ti dhënë përgjigje çështjeve që kemi shtruar më sipër.
Për më shumë se 100 vjet të shtetit shqiptar arkeologjia jonë është në fillime të saja, madje ende nuk e ka ndërtuar identitetin e vet, ajo ende hulumton sipas kornizave të përcaktuara nga arkeologjia progreke dhe proromake, dhe në interes të serbëve.
Në Kosovë ajo është në gjendje edhe më të keqe, ajo ishte ndërtuar në mbrojtje kryesisht të tezave sllave dhe ortodokse.
Por, në një pjesë të Kosovës, tek qyteti i konsideruar babai i atdhesisë, në Prizren, një prift shqiptar i ritit katolik, po përpiqet të bëjë të pamundurën, që të sigurojë fondet e nevojshme, për të dëshmuar vijimësinë e qytetërimit shqiptar, nga ilirët e deri më sot.
Ai ndjen se ka një mision brenda vetes, ta nxjerrë para botës të vërtetën e nëntokës shqiptare, ashtu siç bëri për shumë vite Atë Shtjefën Gjeqovi.
Dr.Don Shan Zefi, i doktoruar në teologji, dhe njohës i shkëlqyer i krishterimit, islamizimit të shqiptarëve dhe laramanisë, shpjegon shtresat e qytetërimit që vazhdojnë të zbulohen në katedralen katolike në Prizren, ku beson se ndodhet një qytet i tërë arkeologjik, sipas informacioneve dhe vlerësimeve të nxjerra nga ai nëpërmjet profesionistëve.

Fshehtësitë iliro-shqiptare nën themelet e katedrales

Dëshmia më e mirë, se populli shqiptar, ka një trashëgimi kulturore, nëpër shekuj – në vazhdimësi nga antikiteti i hershëm, duket të jetë zona ku ndodhet katedralja katolike e Prizrenit.
Ndërkohë, që një jehonë të veçantë në botën kristiane dhe në trashëgiminë tonë kulturore shqiptare e ka zbulimi i kishës paleokristiane e ndërtuar në shekullin 3-4, në Ulpianë, e zbuluar vitin që shkoi, e që dëshmon se shqiptarët kanë një trashëgimi kishtare të jashtëzakonshme, dhe se ajo serbe është vetëm një përvetësim i trashëgimisë shqiptare, dhe po ashtu se ajo serbe është tepër e vonë dhe e pakët.
Por, trashëgimia në Prizren duket krejt me një fat tjetër, por edhe me një vazhdimësi të jashtëzakonshme.
Kisha e zbuluar së fundi është e lidhur me dy kisha të hershme që janë zbuluar gjatë restaurimit të kryer të komplet të katedrales në vitin 2013, që kishte filluar në mars të vitit 2012.
Në bazë të mendimeve preliminare të arkeologëve vendës, Kosovë-Shqipëri, por edhe të huaj si atyre nga Kroacia, Bullgaria, Italia, mendojnë se lashtësia e kishës së parë, është e periudhës romake, të shekullit 4 apo 5-të, përkatësisht periudha e sundimit të Konstandinit të Madh ilir ose e Justinianit Ilir, shekulli 5-6.
Zbulimet na i prezanton me dashuri dhe patos, murgu hijerëndë, Don Shan Zefi, një burrë i përkushtuar po aq sa etërit e dikurshëm të kristianizmit shqiptar, nga Pal Engjëlli, bashkëluftëtar i Skënderbeut, Pjetër Bogdani, dijetari i jashtëzakonshëm evropian, e deri tek patër Gjergj Fishta dhe Atë Shtjefën Gjeqovi.
Një ekspeditë me arkeologë eminent
Me informacionet e arkeologëve, sikur një ciceron profesionist Don Shan Zefi, na i shpjegon një për një të gjitha zbulimet që duket se do të sjellin mrekulli për arkeologjinë dhe më tej trashëgiminë shqiptare.
Gjurmët arkeologjike të kishës së parë, muret, harku i aniatës laterale, muri i së cilës arrin në gjerësinë 2.5 m, ndërsa lartësia ende nuk është verifikuar, pasi nga 4 metra të gjurmuara nën tokë, ende nuk është arritur në dysheme dhe mendohet se po aq duhet të gërmohet që të arrihet në fund, thotë Don Zefi.
Verifikimi i supozimit të thellësisë, mbetet të zbulohet nga një ekspeditë më serioze arkeologjike, gjë që për këtë po bëhen përpjekje që me ekspert arkeologjik të bëhet skenimi nëntokësor, me sonda.
“Gjithashtu vlen të theksohet se jemi në formim të një ekspedite të arkeologëve vendës dhe të huaj, eminent, të lëmive përkatëse, të studimeve të atyre kohërave, ku pritet finalizimi apo përcaktimi zyrtar shkencor – i vjetërsisë së kishës së vjetër paleokristiane”, thotë Don Zefi.
Ndërsa, shëtisim më tej në brendësinë e katedrales, Don Zefi na shpjegon se në të njëjtën ombrellë, “katedrale” ruhet tek altari sakristia, gjithashtu kisha e dytë e një periudhe që mendohet të jetë e mëvonshme, e shekullit 8 apo 9, e njohur në histori si periudha bizantine.
Në muret e zbuluara deri më tani të kësaj kishe të dytë, ruhen gjurmët e afreskave si dhe guri i dyshemesë në nivelin minus dy metra, rrëfen Don Zefi, për ato fakte që kanë zbuluar arkeologët, gjithë shpresë e vullnet se zbulimet do të sjellin dëshmi të fuqishme dhe akoma më tej, do të krijojnë qëndrueshmëri për teoritë shqiptare kristiane dhe ato të trashëgimisë ilire.
Brenda në kishën e dytë shihen edhe eshtrat e paprekura, që gjenden në një thellësi prej gjysmë metre afërsisht, ku janë lënë të shihen aty deri në zbulimet përfundimtare, që do ti bëjnë arkeologët në funksion të vërtetësisë së zbulimeve, për të mos lejuar dyshime, për ti konkretizuar tezat në mënyrë që të mos ketë asnjë argument edhe nga dyshuesit më të mëdhenj.
Aty fle, historia e paprekur shqiptare.
Ndërsa, jashtë katedrales shihen qartë muret e dy kishave në fjalë, pjesë të trupit të të cilave shtrihen edhe në brendësi të katedrales, gjë që pritet të hulumtohen deri në nivelin e dyshemesë, dhe që lidhen edhe me murin rrethues, që kalon suazat e kompleksit hapësinor, oborrit të katedrales.

Artefaktet e gjetura

Don Zefi ka krijuar një muze të vogël në hapësirën përcjellëse të katedrales. Artefaktet e gjetura, me shumë skrupulozitet ruhen në ish rezidencën e arqipeshkvit të famshëm Lazër Mjedës vëllait të poetit të shquar lirik, Ndre Mjeda.
“Nga artefaktet vlen të përmendet një mori e madhe e eshtrave, të gjetura gjatë gërmimeve brenda dhe jashtë Katedrales. Pritet gjithashtu të vlerësohen nga pikëpamja e medicinës legale, ADN-së, kur dihet se historikisht deri në periudhën e sundimit të perandorisë osmane, më 1832, vendi i shenjtë brenda katedrales dhe oborrit të saj, ka qenë varrezë katolike, ku në të njëjtin vend ka patur edhe ekzekutime, të besimtarëve katolikë”, thotë Don Zefi.
Janë gjetur mbishkrime, gur antikiteti, simbole dardane – rozeta, simboli i ringjalljes, kryqe, rruzare, manuskripte, libra, të cilët kërkohet që sa më shpejt të shpëtohen dhe të skanohen e të deshifrohen përmbajtjet e tyre.

A kishte katakombe ilire në Prizren?

Brenda shtyllave – mureve të katedrales, tek altari janë gjetur edhe pesë relikte të eshtrave të martirëve të hershme të krishterimit, që datojnë madje nga shekulli i parë, nga viti 62 e këndej, thotë Don Zefi.
Janë gjetur po ashtu në oborrin e Katedrales edhe 5-6 pllaka masive, gurë varresh, nga 1.8 – 2 metra, që dëshmojnë një mënyrë tjetër se si janë varrosur apo nderuar shqiptarët e hershëm.

Renovimi

Aktualisht është punuar edhe në restaurimin e tërësishëm të katedrales, i cili bëhet për herë të parë në historinë e saj. Është bërë nga përforcimi i shtyllave nëntokësore, e deri tek kulmet (që janë tre), kambanorja dhe për herë të parë i kthehet fizionomia e vërtetë një objekti sakral. Me përkushtim, admirim, profesionalizëm, falë njohurive historike, i ka udhëhequr ato z. Don Shan Zefi. Ndërsa, punimet i ka ekzekutuar një firmë e njohur nga Shqipëria, AdStar.
Punimet janë kryer me përkushtimin më të madh, pasi ishte i bindur se katedralja është ndërtuar mbi kishat paleokristiane dhe një kishe të vjetër.
Të gjitha punimet mund të përmbyllen këtë vit nga një ekip i arkeologëve ndërkombëtarë, të cilët pritet ti rregullojnë zbulimet e vjetra me xham, ku do të jenë edhe mbishkrimet për të gjeturat brenda katedrales, si pjesë monumentale.
“Shpresojmë më në fund, që të fillojmë me fazën e dytë të restaurimit, të funksionalizimit, të kishës deri tek restaurimi i pikturave të vlefshme, për të cilat kërkohen mjete të veçanta, gjatë periudhës së njëjtë të formimit të Lidhjes së Prizrenit”, thotë Don Zefi.
Ai thotë se brenda hapësirës së Kishës katolike do të jetë muzeu etnologjik, etnografik, arkivi dhe biblioteka. “Një muze multikompleks”, thotë ai teksa na kujton se po bëhen përpjekje të argumentohet se shqiptarët kishin shkolla më parë se hapja e shkollës shqipe në Korçë. “Po bëhen përpjekje që në shenjë të shkollës më të vjetër gjithë shqiptare, pas gjetjes së një guri me mbishkrim latin të vitit 1856, që është vit i restaurimit të shkollës, sepse dihet që më 1836 ka ekzistuar shkolla nëse jo edhe më parë, siç flasin relacionet me Romën, në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të”, thotë Don Shan Zefi, duke e çuar kështu të paktën edhe 51 vjet më parë datën e krijimit të shkollës shqipe, që historia e shënon si datë vitin 1887.
Të gjitha këto zbulime e bëjnë këtë zonë kompleks më vete arkeologjik, duke argumentuar se këtu gjendet një qytet arkeologjik më vete.
Në kompleksin e katedrales aktuale, mund të zbulohen shumë fshehtësi apo mistere të pazbuluara si katakombet ilire, kriptet.

Pagëzimorja

Para Kërshëndellave të vitit 2014, në Prizren janë gjetur shenjat edhe të një pagëzimoreje babtistere, ku sipas Don Shanit, që e njeh më së miri këtë lëmi (të krishterimit gjithëshqiptarë) ruhet një kishë tjetër me gjasë paleokristiane e shekullit 4 ku në thellësi të saj duhet të ruhen mozaiku dhe shtyllat e saj.
Ajo gjendet disa qindra metra poshtë Katedrales, dhe shumë afër kompleksit të Lidhjes së Prizrenit.
I pyetur se si do të veprohet për zbulimin e mëtutjeshëm të saj, pasi kompleksi i Lidhjes së Prizrenit është i dominuar me vendbanime, dhe prek shumë çështje të ndërlikuara qoftë ndërtimesh, qoftë besimesh, urbanistike, ekonomike, biznesi etj, ai thotë se vendimi i takon autoriteteve dhe shoqërisë.
“Sa i përket gjurmimeve arkeologjike kompetente është ministria e kulturës, Instituti arkeologjik i Kosovës, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, dhe ai i Prizrenit”, thotë ai.
Si mund të arrihet tek gjurmimi, nxjerrja e dëshmive? Për këtë ai thotë se duke pasur përvojën arkeologjike me katedralen, janë në formim të një grupi ekspertësh dhe arkeologësh, “sugjeroj, që mund ti kryejë punimet, ndërsa kontributi im, nuk do të mungojë as për këtë vend, nëse është nevoja”.
Ai shton se ka edhe zona të tjera arkeologjike në Prizren, që duhet të zbulohen si edhe në gjithë Kosovën.
Duke folur për pagëzimoren, ai thotë se mendohet të jetë aty kisha paleokristiane, ku ritet liturgjike dhe mesha e shenjtë janë kremtuar deri më 1455, ndërsa një shekull më vonë, diku rreth vitit 1572 kanë filluar mbi themelet e saj, të ndërtohet një xhami e vogël, minareja e së cilës ruhet edhe sot, ashtu siç ishte paraparë edhe në planin urbanistik të viteve të ’60-ta të qytetit të Prizrenit.
“Është interesant se si këtu gërshetohen ndërtime të ndryshme mbi këtë vend të shenjtë, si monumenti më i madh i ideologjisë komuniste, ndërtesa, hoteli, banka ashtu që të mbulohet njëherë e përgjithmonë e kaluara e krishtere shqiptare, katolike”, thotë Don Shan Zefi, duke iu referuar përpjekjeve serbe për falsifikimin e historisë.

*Falenderojme autirin qe e dergoi artikullin edhe per lexuesit e Diellit. Faleminderit z. Morina!

Filed Under: Histori Tagged With: e paprekur shqiptare!, historia, Idriz Morina, Speciale - Aty fle

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT