• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

Flamuri amerikan do të valëvitet mbi Kongres për shkrimtarin Kadare

April 21, 2015 by dgreca

Me kërkesën dhe mbështetjen e Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në New York dhe ndërhyrjes së kongresistit Engel, shkrimtari i shquar shqiptar do të nderohet në Washington/
Nga Ruben Avxhiu*/
Ka mbetur tashmë të caktohet vetëm data, kur mbi Capitol Hill, ndërtesën e famshme të Kongresit amerikan në Washington, të valëvitet një flamur për nder të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare.
Gjesti i bukur simbolik është siguruar nga kongresisti Eliot Engel me nismën dhe propozimin e Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New York.
Engel është prej një çerekshekulli tashmë një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres dhe bashkëpunimi i tij me zotin Bajrami është i gjatë.
Me propozimin dhe mbështetjen e botuesit Bajrami, kongresisti Engel bëri edhe një përshëndetje publike dhe zyrtare në Kongresin Amerikan për shkrimtarin Kadare si dhe për vlerësimin e tij të fundit me Çmimin prestigjioz të Jeruzalemit 2015 në Letërsi.
Ndonëse ngritja e flamurit është një praktikë e rregullt për kongresistë dhe senatorë për të vlerësuar dhe përmendur njerëzit e distrikteve të tyre përkatëse, kësaj here ceremonia do të jetë e veçantë për shkak se do të nderohet një personalitet i një vendi tjetër.
“Më vjen shumë mirë për këtë nderim që po i bën Kongresi shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave”, tha Vehbi Bajrami.
“Kadareja është sot letërnjoftimi i shqiptarëve në botë, më i madhi personalitet i gjallë i botës shqiptare, një fakt ky që shpesh shqiptarët vetë e harrojnë”.
“I nderuar zoti kryetar, ngrihem sot për të nderuar Ismail Kadarenë!” /
Kongresisti Engel e nderoi këto ditë shkrimtarin e njohur edhe nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.
“Zoti Kryetar, ngrihem sot për të nderuar Ismail Kadarenë”, e filloi kongresisti fjalën e tij, e cila tashmë është futur në analet e Kongresit, fjalë e cila e vlerëson Kadarenë si “një romancier dhe poet që ka shkruar për historinë dhe popullin shqiptar, por duke depërtuar në thellësi të temave universale të lirisë dhe të të drejtave të njeriut”.
Kongresisti citon Jurinë e Çmimit të Izraelit që e përshkruan shkrimtarin Kadare si “tregimtar i historive mbresëlënëse, të shkruara me nënkuptime dhe në mënyrë të tërthortë. Ai shkruan për ndjenjën kolektive të fajit dhe veçanërisht për përpjekjet e dështuara të së vërtetës për të depërtuar në të.
Ndërsa fsheh gjurmët nëpër shtresa mitesh dhe metaforash, ai njëkohësisht përpiqet të nxjerrë në pah pyetje për të cilat nuk ka përgjigje dhe krime për të cilat nuk mund të ketë falje.
Ndonëse subjektet dhe protagonistët e veprave të tij janë lokalë, kuptimi dhe rëndësia e tyre janë pa asnjë dyshim, universalë”.
Kongresisti Engel citoi me radhë disa nga nderimet e mëdha që i janë bërë shkrimtarit Kadare për krijimtarinë e tij letrare, si anëtarësimi i përjetshëm në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike Franceze, Çmimi botëror “Cino Del Duca” në 1992, “Man Booker International” në 2005, Çmimi i Princit të Asturias për Letërsi si dhe Grada Shkencore e Nderit në Komunikimin Social dhe Institucional nga Universiteti i Palermos në 2009.
“Si dëshmi e pranimit universal të letërsisë së tij, romanet e zotit Kadare janë përkthyer në shumë gjuhë dhe kanë lexueshmëri që shtrihet në të gjithë globin”, tha Engel në Kongresin Amerikan. “Kadare jo vetëm që i meriton këto vlerësime dhe nderime, po figura e tij është shumë më e thellë kur mendon përkushtimin e tij të admirueshëm ndaj vlerave të shenjta të demokracisë, pavarësisht nga rrethanat ku është ndodhur”.
“Në mbarë veprat e tij letrare, z. Kadare ka zgjedhur me kujdes protagonistët dhe narrativën figurative si një mjet komunikues dhe frymëzues për ata që ndodhen në mënyrë të ngjashme nën zgjedhën e regjimeve shtypëse”, tha kongresisti amerikan.”Në këtë mënyrë, përkushtimi i z. Kadare për t’u ngritur mbi presionin qeveritar për të frymëzuar shprehjen në harmoni të lirive të individit është me të vërtetë i admirueshëm”.
“Dua t’i shpreh pra urimet më të përzemërta Ismail Kadaresë [për çmimin e fundit] si dhe kënaqësinë time personale që kam rastin ta nderoj këtu, sot një individ të tillë”, mbylli fjalën e tij kongresisti Engel.
Botuesi Bajrami që i përcolli zyrës së kongresistit lajmin e dhënies së çmimit dhe sugjerimin për ta nderuar mbeti shumë i kënaqur nga fjala e kongresistit dhe nderimit vijues me valëvitjen e flamurit.
“Do të ishte bukur që nderime të tilla t’ia bëjmë edhe në atdhe shkrimtarit tonë”, tha ai. “Nganjëherë duket sikur harrojmë se çfarë vlere e jashtëzakonshme është ai për kombin tonë. E kur e nderon bota, nderohemi të gjithë ne bashkë me të”.(Botoi:Gazeta Illyria)

Filed Under: Kronike Tagged With: do të valëvitet mbi Kongres, Flamuri amerikan, Kadare, për shkrimtarin

«Famous Famiglia Pizza», biznesi me «principatën» amerikane

April 21, 2015 by dgreca

Një nga familjet më të suksesshme shqiptare në emigracion – familja e vëllezërve Kolaj nga Budislaci – Kosovë, kujton sot 45-vjetorin e ardhjes në Amerikë, duke postuar në rrjetin shoqëror Facebook një fotografi të rrallë nga ato fotografi që thuhet se flasin më «shumë se njëmijë fjalë», me urimin «Zoti e bekoftë Amerikën!» dhe «Zoti i bekoftë nënat!».
Ne Foto: Jetime pa babe ne rruget e mergimit. Ja si e nisi familja Kolaj/
Nga Beqir SINA, New York/
Njëri prej vëllezërve Kolaj, shou-biznesmeni Giorgio Kolaj, i njohur në komunitet si aktivist dhe veprimtar i dalluar, e ka postuar një fotografi të vjetër bardhezi, duke shkruar poshtë saj :«Kjo foto e veçantë është marrë pikërisht 45 vjet më parë, si sot, në kampin e emigrantëve në Frosinone, Itali. Ajo është marrë në momentet e para së familjes time, kur ne u drejtuam për në aeroport, dhe mbërritëm në Amerikë».
Ai kujton se 7 muaj para kësaj fotografie, babai i tij kishte ndërruar jetë, dhe qe varrosur në këtë fshat italian, pra në Frosinone, duke e lënë pas vetes nënën e tij të vejë me katër djem dhe një vajzë. Gjithashtu, në kujtesën e tij duket se ka mbetur dhe shtëpia, pikërisht aty ku ai ka lindur në katin e lartë të shtëpisë, që duket prapa krahëve të tyre në sfondin e fotografisë.
Mirëpo, ajo që e ka kthyer në mendjen e tij, nostalgjinë, e njërit prej katër vëllezërve, Giorgios, duket se është kjo foto e veçantë për tërë familjen Kolaj. Për shumë arsye, tregon Giorgio, por mbi të gjitha, sepse është moment kur ne e «gjetëm Amerikën», vendin e ëndrrave të miliona emigrantëve nga kryq e tërthor botës. «Kur ne Kolajt, shkruan ai, e kemi filluar udhëtimin tonë për këtë vend të madh», ngaqë «unë nuk mund ta imagjinoj se çfarë po ndodhte thellë në zemër dhe në mendjen e nënës sime në kohën e kësaj fotografie».
Ky imazh, sipas tij, e tregon atë madhështinë e asaj që ne e quajmë «American Dream». «Ku një jetë tjetër do ta presë njeriun, ashtu siç e priti Nanën time, një grua e huaj, e veje dhe e paarsimuar, me pesë fëmijët e saj, të jetë e mirëpritur me krahë hapur në këtë vend të madh, që u bë shtëpia e dytë e të gjithë shqiptarëve».
Andaj, shkruan Giorgio Kolaj me këtë rast, dua të shpreh atë se ne të gjithë «i jemi përgjithmonë borxh në këtij vend të madh. Një borxh ky që, për mendimin tim, nuk mund të shlyhet, sa të jetë jeta».
Giorgio, duke e postuar këtë fotografi, nuk e fsheh dot faktin se ai gjithmonë është i habitur nga nostalgjia dhe madhështia me të cilën personazhet e kanë ilustruar pamjen e saj, me përzierjen e të gjitha elementeve karakteristike të njerëzimit.
Fotografia e 45 vjetëve më parë shfaqet «nëpërmjet dobësisë, forcës, nëpërmjet dëshpërimit, respektit, nëpërmjet përulësisë, nderit e krenarisë që ne i jemi përgjithmonë mirënjohës Nënës sime që na solli në këtë vend – mua, motrën dhe vëllezërit e mi, duke na e dhënë privilegjin që të bëhemi amerikanë. Vetëm me anë të hirit të Perëndisë. Zoti e bekoftë Amerikën. Dhe, Zoti i bekoftë nënat!». shkruan Giorgio Kolaj.
Familja Kolaj, nga Kosova, me biznese në tri kontinente
Në njërin prej kanaleve televizive më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FoxNews, në zonën e Nju-Jorkut, e përreth tij, në programin «FoxBusiness», kanali V, në Mahattan, të ftuar në studion e tij kanë qenë kohë më parë tre nga katër vëllezërit Kolaj – Paulini, Gjoni dhe Gjergji, për të rrëfyer «si arritën të bëhen kaq të suksesshëm në Amerikë. Vëllezërit Kolaj – nga Kosova duket «se e kanë gjetur Amerikën».
Si shumë të suksesshëm ata ishin mysafirët e radhës të drejtuesit të këtij emisioni David Assman, gazetar i njohur politik dhe i programeve të biznesit. Tre vëllezërit Kolaj, të cilët mendohet se e kanë kapur ëndrrën amerikane, me biznesin e tyre të famshëm dhe të suksesshëm «Famous Famiglia Pizza», janë bërë shpeshherë protagonistët e faqeve të shtypit amerikan, gazetave dhe revistave më të mëdha amerikane.
Ndonjëherë, edhe anembanë botës, për suksesin e tyre në industrinë e biznesit «pica – restorant»
Biznesi i tyre me pica, të firmës «Famous Famiglia Pizza», 7 vjet më parë (2008) arriti deri në zonën tregtare të Hong-Kong International Airport. Ndërsa, para lojërave olimpike «Pekini 2008», biznesi i tyre e «pushtoi» edhe zonën tregtare në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit. Dy bizneset më të fundit të tyre janë hapur muajin e fundit në aeroportin ndërkombëtar të Torntos – Kanada dhe në aeroportin Ndërkombëtar të qytetit Meksikos – Meksikë, duke i bërë biznesmenët shqiptarë, vëllezërit Kolaj, me afro 100 lokale «Faoums Famiglia Pizza» nëpër botë, biznese zyrtare këto që gjenden në hartën e tri kontinenteve – SHBA (në 25 shtete), në Evropë dhe Azi.
Industria e këtij lloj biznesi, të quajtur Franchising – «disa restorante të njëjtës firmë», është nga më popullorët dhe model biznesi në SHBA. «Famous Famiglia Pizza», që njihet si biznesi zyrtar i vëllezërve Kolaj, nga Kosova, është fitues i dhjetëra medaljeve dhe titujve nga më prestigjiozët në Amerikë për restorantet. Biznesi i tyre është sponsori i disa filmave të njohur amerikanë, i fushatave elektorale dhe fushatave humanitare.
Biznesmenët e suksesshëm nga Kosova,janë bijtë e një emigranti patriot dhe i ikur nga sundimi sllavo-komunist. Ata tërë jetën e vet ia kanë dedikuar familjes së tyre, në radhë të parë, dhe shqiptarëve. Ata me aftësitë e tyre, ia arritën në SHBA, në vendin e mundësive të mëdha, ta krijojnë «principatën» e tyre të biznesit – me 80 lokale «Famous Famiglia Pizza». Duke ia ndezur «dritën jeshile» prosperitetit personal e familjar, dhe në fund të kontribuojnë aq shumë duke bërë diçka, atë çfarë edhe mund të bënin ata si biznesmenë për Kosovën e për çështjen shqiptare. Vëllezërit Kolaj kanë hyrë në rrugën e suksesit e tyre, e këtë e kanë arritur dhe vazhdojnë ta realizojnë në tokën e lirisë dhe kampionen e demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vëllezërit nga Kosova – Kolaj e kanë një biznes të suksesshëm, kryejnë vepra bamirësie dhe janë amerikanë të vërtetë
Gjithashtu duhet cekur se «Famous Famiglia Pizza» ka dhënë një kontribut të veçantë nëpërmjet vëllezërve Kolaj në çështjen e Kosovës, këtu në SHBA. Ata e kanë përkrahur e mbështetur me mjete financiare çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe shumë veprimtari e aktivitete të tjera të komunitetit shqiptar. Vëllezërit Kolaj i kanë thënë medies shqiptare se duan që suksesi i tyre të jetë afatgjatë, dhe se filozofia e tyre nuk është vetëm të rrisin bizneset, por edhe t}i ndihmojnë të tjerët dhe t’i japin komunitetit shqiptar. Në fakt, ata e kanë bërë traditë tashmë që të ndajnë një pjesë të të ardhurave të tyre, shoqatave bamirëse dhe të ndihmojnë në raste fatkeqësish të mëdha.
Nuk janë shumë të bujshëm dhe thonë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë për komunitetin shqiptar është që ta kenë një emër të mirë, duke përhapur kështu një emër të mirë edhe për shqiptarët e tjerë, e t}u tregojnë atyre se si mund të bësh biznes.
Familja Kolaj nga Kosova – Familja Piza në SHBA, pasi bëri disa vjet jetë emigrantësh në Frosinone – Itali, mamaja e tyre Roza dhe pesë fëmijët mbërritën në vendin e ëndrrave, ndoshta duke menduar ta realizojnë njërën prej ëndrrave të tyre, biznesin e suksesshëm në Amerikë. «Këtë biznes e kemi filluar më 1986, që prej 19 vjetësh të shkuara, thotë njeri prej tyre, Georgio, si thirret këtu. Jemi katër vëllezër, thotë ai, dhe së bashku kemi pasur sukses të mirë. Kemi pasur mundësi ta rritim biznesin me punëtorë dhe partnerë të mirë. Sot kemi më shumë se 60 lokale, vetëm në 20 shtete të Amerikës. Nëpër botë, lokalet më të fundit janë hapur në Evropë dhe Azi (Hong-Kong, Kinë, Meksiko dhe Kanada, së fundi)».
Duke folur për gazetarët amerikanë Paulin Kolaj, që njihet edhe si president i kompanisë, thotë se, «jemi të kënaqur dhe shpresojmë të hapim edhe më shumë lokale në Amerikë, e nëpër botë»
Ai tregon se kur mendon sesi e kanë filluar aktivitetin, është mirënjohës që kanë arritur kaq shumë: «Ky vend (SHBA) të jep shanse të vërteta për çdo lloj race dhe kombësie. Amerika është vend emigrantësh. Jam i kënaqur se babai ynë ka pasur dëshirë të na sjellë në këtë vend për shans të vërtetë. Babai ynë na ka vdekur kur ishim të vegjël, ishte i ri», ka rrëfyer Paulini, «dhe nuk ka pasur mundësi të vijë këtu, por shyqyr Zotit ne patëm mundësi të bëjmë diçka me jetën tonë dhe për ta respektuar emrin e babait tonë, për ta nderuar nënën tonë, sepse është grua e mirë dhe kjo është një nxitje e madhe».
Vëllezërit Kolaj, Ndoi, Paulini, Gjoni dhe Gjergji, dhe motra e tyre, Zoja, kanë lindur në Budisalc të Kosovës, por ëndrra e të atit, Pashk Kolaj, ishte që të vinin në Amerikë. Ai, së bashku me gruan, Rozën, shkuan në fillim në Itali, ku i ati fatkeqësisht vdiq pa e parë Amerikën. Roza me vështirësi i mbajti fëmijët dhe, më në fund, i solli në Amerikë, në vitin 1970.
Gjon Kolaj thotë se për suksesin e falënderon Zotin dhe të atin, i cili e sakrifikoi jetën e tij që ata ta bënin një jetë më të mirë. «Nëna ime është prova që çdo gjë është e mundur. Kur ajo erdhi këtu ishte në të tridhjetat me pesë fëmijë, nga të cilët më i vogli vetëm disa muajsh. Dhe, kjo tregon se nëse dëshiron diçka me gjithë shpirt, nëse punon me gjithë përpjekjet e tua, mund ta arrish. Dhe, jeta jonë është prova për një gjë të tillë. Dhe, ne duam të arrijmë akoma më shumë».
Gjon Kolaj është i lumtur për suksesin e deritanishëm dhe shpreson që kompania të zgjerohet edhe më shumë: «Jam vërtet i lumtur, sepse ka qenë një rrugë e gjatë për ne që nga Kosova, në një kamp në Itali, të arrijmë më në fund në vendin ku realizohen të gjitha ëndrrat e botës. Pra, ne treguam se jemi kompani e fuqishme dhe vitin tjetër do të zgjerohemi edhe në vende të tjera». Planet për zgjerim për këtë kompani me qarkullim 35 milionë dollarë në vit përfshijnë dhjetëra pika të mundshme shitjeje në vende nga më të rëndësishmet e qyteteve më të mëdha në Amerikë. Kryesisht nëpër aeroportet ndërkombëtare nga Nju-Jorku e deri në Hong-Kong e në Pekin. Por, treg tërheqës për ata është Evropa dhe është e natyrshme që, në këtë kuadër të mendojnë për Shqipërinë dhe Kosovën ndoshta në të ardhmen: «Ne e kemi ndërmend të shtrihemi edhe në Evropë, pse jo po të na krijohen mundësitë edhe në Shqipëri, ose në Kosovë, se, fundi i fundit, ne nga Kosova jemi. Një gjë e tillë do na jepte kënaqësi familjare», thonë ata.
Kjo, pra, është historia e suksesit të Paulinit, Gjonit dhe Gjergjit, të njohur si «Vëllezërit Kolaj», që donin ta çonin në vend ëndrrën e babait të tyre. Ata janë katër vëllezër, por tre prej tyre janë më së shumti edhe mysafirët e televizioneve amerikane programeve të biznesit. Dhe, duket se ia kanë arritur qëllimit, ka thënë gazetari i emisionit FoxBuisness, David Asman, teksa i kishte të ftuar vite më parë në emisionin e tij dhe u fliste amerikanëve për familjen shqiptare nga Kosova, pronare të restoranteve «Famous Famiglia Pizza», që ka biznes në shumë shtete të Amerikës, shtetet dhe vendet më të mëdha.

Filed Under: Mergata Tagged With: «Famous Famiglia Pizza», biznesi, me «principatën» amerikane

INTERVISTË ME HISTORIANIN E MIRENJOHUR DR. ATHANAS GEGAJ

April 21, 2015 by dgreca

NGA VOICE OF AMERICA/*
(Me rastin e 500-vjetorit te vdekjes se Skenderbeu – Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968)/
Përgatiti : Gjekë Gjonlekaj/
Zoti Gegaj,kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skëndërbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skenderbenë ishte më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare.Përsa kohë punuat per këtë vepër dhe kur e mbaruat?
Gegaj : I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për lavdërimin që shprehi për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të “At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërise. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra që i interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai çmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb.
Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dëndur dy vjetë. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp, por duke qenë thezë doktorale ,m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia.
Libri u gjet interesnat dhe autoritetet e Universitetit aprovuan bitimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.
Ku i bëtë kërkimet dhe, në qoftë se i mbani mënt nën cilët profesorë?
Gegaj : Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj, ku veçanarishtë në “Biblitheque Nacionale”të qytetit gjeta shumë materiale të dorës së parë. Kurijoziteti im u ngjallë veçanarishtë kur për kombinacion,më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesorit rumun, Constantin Marinesco, i shkruar në frengjisht:”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”,botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923.Libër i vogël po por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve me Shqipërisë dhe mbretërisë së Aragonës e të Napolit.
Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firenze dhe në Venedik,duke u ndalua për ca kohë dhe në Milan. Në arshivat dhe në biblotekat e këtyre qyteteve gjeta materiale të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprvovimin e tij për botim,ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit të Louvain.
Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbenë?
Gegaj : Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroj i kombit tonë dhe një figurë ndërkombëtare, që mbizotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është një personalitet që ka nderuar dhe nderon në çdo kohë popullin shqiptar.
Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanarishtë kur arriti nga Amerika “Historia e Skenderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër enthuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjetë e më në fund më shtyti të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtëme Skënderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në atë se sa ishte e mundur figura e tij gjigante në legjendat e historisë.
Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?.
Gegaj : Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u çveshja nga çdo simpathi e ndenjeë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skenderbeun. Ky qe një problem i rënde, sepse Skenderbeu, si ishte në çdo zemër shqiptare, ashtu edhe tek mua, mbetej përherë heroj i kombit, që asgjësend nuk mund t’a shëndrrojë ftytyrën e tij!
Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vertetë me botime të panumrta mbi Skenderbeun. Këtu m’u desht të luftoj për të paraqitur një Skenderbe sipas thënjeve historike, po në të njëjtën kohë kërkova ,me çdo kusht dhe me çdo mjet,që Skenderbeu të mbetej ai, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova,por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.
Cilat janë disa nga gjërat e reja, që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?
Gegaj: Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skenderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skenderebeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike,kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve,duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndamjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skenderebeut. Për këtë gjë burimet e arshivave dhe aktetet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vertetë e Skenderebeut.
Ç’është rëndësia e këtyre zbulimve?
Gegaj : Rëndësia këtyre zbulimve për reth historisë se Skenderebeut është kryesorja në methodën e re e kritkike që përdora për të paraqitur Skenderebeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skenderebeu të mbetej ai që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skenderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër,por historia e kritika,gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë,nuk e vogëlsojnë figurën e tij si luftar, si strateg,si hero i një kohe dhe i një kombi.
Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohën e sotme?
Gegaj : Jeta e veprat e Skenderbeut janë nje shëmbull i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftrat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujëve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij.
Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim te gjithe shqiptarëve,mbi lirinë e vendit nga i huaji,mbi të drejtat e barabarta te çdo qytetari,mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare.
Për më tepër Skenderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend per t’i ardhur në ndihmë nje shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashkët shqiptar,ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dinjitet e në bashkim,ashtu siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve.Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrficë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdes shqiptari për liri, pa u bër skllav i huaj, pa u perulur në karakterin burrëror të popullit shqiptar.
Cili është shkaku që Skenderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e Turqëve?
Gegaj : Shkaku kryesor që Skenderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare,qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thellë e fuqisë Ottomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati të përballej me ushtritë e sulltanëve,që po marshonin ngadhenjyese në të gjitha anët.
Shqipëria ishte ndarë në principata,pothuajse të gjitha nën influencen e huaj, Turke ose Veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij,që nuk pati perkrahje, dhe sa herë ngriti krye,qe përulë nga ushtritë e sulltanëve. Me gjithë këto Skenderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se nje fuqi e re,Hungaria po luftonte në brigje të Danubit,atëherë Skenderbeu gjeti kohën e volittëshme, dhe ,u kthye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Ottomane.
Vendimi i Skenderebeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë ottomane është një nga vendimet më me pergjegjësi të historisë. Vetëm një Skëndërbe mund të merrte një vendim të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.
Cilët kanë qënë faktorët që Skenderbeu, me një fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëvë të Turqisë?
Gegaj : Faktorët kryesorë që Skenderbeu me një ushtëri të vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë,sipas mendimit tim,janë këto:Skenderbeu ishte strateg i përsosur,një komandant, që nuk dinte çka është frika,një njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skëndërbeu nuk e la kurrë armikun që t’i imponojë në planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skenderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ku linte përherë një reservë dhe shtegun të hapur,që te mos rrethohej nga armiku. Për më tepër Skëndërbeu qe ai që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Aj perballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skëndërbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kerkonte të bëjë atë gjë që bënte Skëndërbeu!
Më në fund Skëndërbeu dhe kapetanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë . Për këtë gjë Skëndërbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të Shekullit të XV. Kjo është epopeia më e bukur e çdo kohe.
Skëndërbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishtërimin dhe qytetërimin e Evropës nga sulmet e Turqëve. Pra përse disa vende të Evopës,sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?
Gegaj : Nuk ka dyshim se Skëndërbeu mbrojti qytetërimin Europian dhe ua thej hovin fuqive ottomane që ishin gati të marrshojnë në Itali dhe në Europën qëndrore.Skëndërbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit,si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun ottoman. Sa për Venedikun, sadoqë ishte një fuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregëtare kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë;dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të Napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skenderbeun,por qe tepër vonë.
Pas “Lidhjes së Kapedanëve”që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skëndërbenë, ç’farë forma administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?
Gegaj : Sipas Lidhjes së Lezhës,Skëndërbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë ai arriti të gjithë të i bashkoi për rreth vehtes së tij, duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre. Këto principata ishin shumë të kifizuara e shpesh të okupuara nga Turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skëndërbeut përkrahjen me ushtarë,por shpenzimet e luftës i përballote Skenderbeu, shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons,papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës.Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku.Forma administrative në Shqipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë,duke mos harruar se deri tek qyteti i Krujës ishte qytet i lirë,prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.
Sipas mendimit tuaj,ç’farë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërise sikur Skëndërbeu të kishte jetuar më gjatë?
Gegaj : Po të kishte jetuar më gjatë Skëndërbeu ,sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërise do të ndryshonin. Ai me 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i suguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive Shqiptare – Veneciane. Për më tepër Skëndërbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin,kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërise lirinë dhe indipendencën, këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skëndërbeun , a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skëndërbeut?
Gegaj : Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skëndërbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta, këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë.Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te”Fondazionit Cini”,që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujëve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skenderebut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë decisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë Kombëtar./FUND/
Shënojmë se 500-vjetori i vdekjes së Skëndërbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi. Në këtë pervjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria ne krye me Profesor Aleks Buda.Ky akademik i përmendur në kumtesën e tij për Skëndërbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën ne Prishtinë filmin “Skenderbeu” dhe disa relike te tij.Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale per Skëndërbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzëmërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se itervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u dëgjua me shumë vemendje sidomos nga familjaret e tij në Malësi të Madhe në Mal të Zi. Trieshi që është edhe vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posaçme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes,duke i dhënë shkollës tetevjeçare emerin Gjergj Kastriot-Skenderbeu që e mban me guxim e respekt për gati një gjysme shekulli,pavarësisht kërcënimeve të mundshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi ,mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagezuan shkollen e tyre Gjergj Kastriot-Skenderebu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombetare në trojet e tyre pushtuara nga sllavët e Ballkanit.(Përgatiti : Gjekë Gjonlekaj)
* Athanas Gegaj ishte Editor i gazetes DIELLI nga viti 1963 deri ne tetor 1971/

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. ATHANAS GEGAJ, E MIRENJOHUR, Interviste, ME HISTORIANIN

ATJON ZHITI: AKT EVOLUCIONI: PO I LARGOHET A PO I AFROHET VETES NJERIU?

April 21, 2015 by dgreca

Një nga shkrimet e pakta që na la Atjon V. Zhiti, studenti i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano.Sërisht spikat mendimi rinor, i veshur me ndjenjë, pasioni për t’u endur në kohë, nga lashtësitë deri në çastin kur shkruan, shqetësimi i “individit për individin” dhe universin që e rrethon, e gjitha me origjinalitet dhe freski plot dritë.Me dashuri, në nderim dhe përkujtim të ëndrrës së Atjonit, teksa po e vazhdon në qiell…/
AKT EVOLUCIONI: PO I LARGOHET A PO I AFROHET VETES NJERIU?
– ese nga Atjon ZHITI -/
Konflikti i individit me botën sociale, ku ai jeton, në vetvete është një akt evolucioni që fillon nga teo-gjeneza deri në fundin e pafundmë të kohërave. Individi gjithnjë është munduar të përshtatet me botën, të përkufizohet, pra të humbë liri natyrale të vetes dhe të përshtasë botën, pra të shtojë liri sociale të intelektit të vetes.
Ky është një udhëtim, që:Duhet ditur nga vjen dhe më shumë duhet ditur se ku shkon…
Aristoteli e konsideronte indidvidin një kafshë politike, i destinuar jetës humanitare, ndërsa romakët në kundëpozicion me “homologët” e tyre, me Ciceronin, kishin konceptin e “individium” & “dividium”/ i vecantë, i veçuar, i ndarë, kurse Seneka supozonte që individ mund të quhet çfardo lloj objekti, sendi, gjallësí, entitet që është i pa ndashëm dhe i pa kuptimtë në mos-bashkimin e tij.
Me kalimin e kohës, me zhvillimet bashkë me njeriun, empiristët në fakt mendonin se individi ishte një “tabula rasa”, ku përpunohej si argjili nga eksperienca & edukata që merr, fati kolektiv, do të shtoja unë.
Hegeli theksonte faktin se individi në të vërtetë është një qenie me ndërgjegje e moral të lartë që tejkalon barrierat e kënaqësive të vogla.
Ekzistencializmi me Kierkegardin & Nietzsche e konsideronin individin dhe njeriun një qenie pa-Zot, e cila e kishte krijuar atë në sajë të interesit vetjak dhe individi në të vërtetë duhej të plotësonte dëshirat e tij tokësore me pasion, epsh, etj.
Si të thuash të qenit zot pa Zot.
Gjithë këto ide e mendime për individin (kupto: njeriun) parashtrojnë konfliktin gjithmonë-ekzistues midis individit dhe botës sociale ku ai jeton, pra ku është dhe tjetri, dhe të tjerë, njerëzit – me ata që kanë qenë, që sjellin krahas harresës edhe përvojën e përgjithshme dhe me ata që do të vijnë, që kërkojnë përgjegjësitë e të tanishmes e na bëjnë të krijojmë ëndrrën e së ardhmes, që meqënëse duket sikur bota nuk është e përshtshme për njeriun, por njeriu duhet t’i pështatet asaj, duhet të punojmë me jetën. Dhe jo vetëm.
Individi,pra njeriu arsyeton pa ekziston dhe ky kushtëzim i jetesës dhe i mbijetesës që na qenka në bazë të mendimit, automatikisht sjell konfikt midis individit, sepse gjithsecili mendon ndryshe, ashtu si tjetri, por si vetja më shumë, sipas asaj që intereson, aq sa është arritur të thuhet se njeriu mendon me stomak (Hegel).Konflikti nuk do të shuhet kurrë & nëqoftëse do të shuhej do të sillte shkatërrimin e njerëzimit, por duhet shtuar, si të thuash armët, mjetet, pëveç stomakut, të futet truri dhe zemra, intelekti dhe shpirti.
Njeriu është një qenie që me botëkuptimin e tij është i aftë të prodhojë histori dhe prodhimi i histories është një pjesë shumë e rëndësishme e ermeneutikës së tij. Ky “konflikt” është një indeks zhvillimi dhe evolucioni, sepse nëqoftëse ne vërejmë, gjithmonë problemet & shqetësimet bënë që njeriu të arsyetojë e të mendojë për to, për të gjetur rrugëzgjidhje, gjetja e saj ka rëndësi jetike dhe mosgjetja ka dyfish rëndësi për të tashmen e njeriut, sepse bën që të jetojë dhe bashkëjetojë me problemin & shqetësimin, pra me projektet, jo vetëm të tij, por më gjerë, deri dhe të gjithë njerëzimit dhe si rrjedhojë kalohet në prodhimet e konflikteve shpirtërore, që kanë si qëllim dhe lëndë përkryerjen, përsosjen.
Pra, çdo konflikt transformohet në shpirtëror, duke u bërë, siç kanë qenë përherë, motor zhvillimi për njeriun.
Njeriu duhet të mësojë që nuk janë objektet që kushtëzojnë shqisat, por janë shqisat që kushtëzojnë. Mosbota humane bashkë me atë humane pëzihen dhe socializohen dhe… Dhe?
Shqisat e njeriut, sufiçente në krahasim me të tjera qënie e dukuri dhe insufiçente në krahasim me po ato qenie e dukuri e të tjera që nuk i dimë, por nuk do të thotë që s’do t’i dimë, përbëjnë një thelb jetësie, mundësi dijesh, një konflikt të saj, pra të vetes dhe të vetëve, të jetës sociale, ku jemi ne mes të tjerëve, tjetri tek uni, gjithmonë mes njerëzimit dhe gjërave dhe dukurive e imazheve të tyre, që kohët modern i kanë shndërruar në objekte, po aq të forta, në mos më shumë se origjinalet e tyre, që sa më kundër të bëhen, aq më vështirë për indvidin dhe sa më kundër të jetë individi ndaj tyre, aq më i vështirë vetë-organizimi, i përkryer dhe ende me mistere në lëndën, materien, në mikrobotën ashtu si në makrobotën.
Me mister kuptoj atë që ne ende nuk e dimë.
Po i largohet a po i afrohet vetes njeriu?
Do bëjmë shkencë apo do na bëjë shkenca?
Konflikti nuk mbaron, do bashkëjetojmë me të, gjetja e ekuilibrave që të kujton akrobatin që ecën mbi tel në lartësi me atë stekën ndër duar e ne ngremë kryet e shohim me ankth, do të bjerë apo jo? Në fakt jemi ne që ecim brenda vetes, ne telin e jetës sociale. Të ulim kokën dhe të shohim brenda vetes, është njëlloj me ngritjen e kokës. Ta tregojmë sa të zotë jemi. Në fakt ne bëjmë vetvetet, për veten dhe tjetrin, që jeta sociale të jetë sa më pak tëhuazuese. Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…

Filed Under: ESSE Tagged With: A PO I AFROHET VETES, AKT EVOLUCIONI:, Atjon Zhiti, njeriu, PO I LARGOHET

Komunitet: 85 mijë dollarë për Shtëpinë Mortore në Vuksanlekaj

April 21, 2015 by dgreca

Malësorët në New York, mblodhën mbi 85 mijë dollarë për Shtëpinë Mortore në vendlindje/
Shtëpia mortore në fjalë do të punohet për nevojat e gjithë trevës së Malësisë, për të gjithë malësorët që në këtë objekt duan të mbajnë shërbimet funerale, pa dallime fisnore, krahinore, fetare, politike e marrëzira tjera, që nuk mungojnë!
YONKERS NY : Të dielën më 19 Prill 2015, në një nga lokalet e Royal Regency Hotel në Yonkers, NY, nën organizimin e Shoqatës Malësia e Madhe, shoqatë kjo me seli në New York, u mbajt një tubim i gjërë fondmbledhes për financimin e ndërtimit të shtëpisë mortore – funerale, në vendlindje, me lokacion në fshatin Vuksanlekaj- Tuz, Malësi e Madhe, shkruan në faqen e tij të facebookut, Gjokë Gojçaj, i cili kujton se një tubim i ngjajshëm me këtë u mbajtë para disa ditësh edhe në Detroit, ku malësorët e komunitetit të atjeshëm grumbulluan mbi 60 mijë dollarë, akcion ky që mbetet i hapur edhe më tej, shkruan Gojçaj.
Duke folur më tej për tubimin e së dielës , ai shkruan se Malësorët e Nju Jorkut (ata që morën pjesë…), brenda tri orësh grumbulluan mbi 85 mijë dollarë, ndonëse ky numër ka gjasa të rritet, mbase në këtë tubim nuk morën pjesë (për shkaqe të ndryshme) edhe një numër i konsideruar familjesh dhe disa emra donatorësh që kanë histori kontributesh me numra (nominalisht) të mëdhenjë, të cilët besohet se në ditët që vijojnë mund t’u bashkangjiten bashkëvendasve të vet, edhe nga fakti se ky akcion mbetet i hapur. Poashtu edhe një komision përkatës është në veprim për t’i kontaktuar të gjithë malsorët, që kjo vepër të fitojë kuptimn e vet, sa ma të plotë dhe sa më përfaqësues për gjithë trevën e Malësisë, shkruan Gjokë Gojçaj në rrjetin social facebook duke informuar për këtë aktivitet.
Gojçaj më tej ka bërë edhe një sqarim ku ai shkruan se njohësit e komunitetit dhe rrethanave që e shoqërojnë atë këtu në SHBA, e sidomos atje në vendlindje, nuk mundet t’i shpëtojë pa perceptuar edhe një fenomen i lig, të cilit i ka kontribuar më së shumti pushteti i atjeshëm malazez, me ndihmën e, pak a shumë edhe të disa lidereve të politikës lokale. Një ndarje jonatyrore dhe “me vizore” të bie në sy në këtë tubim, që vetëm për naivin mund të duket koincidencë e rastësishme. Por, edhe kjo do të kalojë, sepse njerëzit nuk kanë ku të shkojnë, por të vetëdijsohen përdite dhe të kuptojnë se të ardhmen tonë sikur shqipëtarë e malesorë që jemi, ose vetëm sikur njerëz, duhet t’a menaxhojmë na vetë dhe të bashkuar! Alternative nuk ka, thotë Gojçaj.
Shtëpia mortore në fjalë do të punohet për nevojat e gjithë trevës së Malësisë, për të gjithë malësorët që në këtë objekt duan të mbajnë shërbimet funerale, pa dallime fisnore, krahinore, fetare, politike e marrëzira tjera, që nuk mungojnë!
Objekti do të jetë objekt neutral pa karakteristika religjioze dhe frika se mund ti jepen atribute fetare, nuk ka vend, aspak!
Kohërat për të mbajtur të vdekurit nëpër shtëpia , shkruan Gojçaj në kët sqarim duke pirë duhan, raki e kafe gjithë natën, e nganjëherë edhe duke “çarë drrasa” (varësisht nga rasti)… kanë mbaruar. Shekulli i sotëm nuk i duron këto më. Kohërat për të nxjerrur kufomën në livadh, në arë, në zabel e ambiente të hapura, nën qiellin herë me shi e here me borë, e në baltë deri në gju, ose herë me erë e stuhi, ose diellin si pisha…., kanë marrë fund përgjithëmonë. I mbeten të kaluerës dhe mesjetës. Atëhere nuk është mundë ndryshe. Por, sot duhet patjetër të mundet ndryshe. Dinjiteti është gjeja më e kushtuar në këtë botë. I vdekuri duhet të përcillet në mënyrë dinjitoze dhe pikë.
Në fund të kësaj replike – sqaruese Gojçaj – shkruan se për këtë objekt kemi nevojë të gjithë. Për këtë objekt ka nevoje gjithë Malësia, sepse, është i pari i kësaj natyre. Për këtë objekt kanë nevojë të krishterët, myslimanët, fetarët e jofetarët. Të gjithë lindim dhe vdesin dhe të gjithë meritojnë të përcillen në mënyrë dinjitoze. Uroj që në të ardhmen e shpejtë jo vetëm të kryejmë shërbesat funerale në të njëjtin objekt, por edhe të varrosemi në të njëjtat vorreza. JEMI NJË./B.S/

Filed Under: Komunitet Tagged With: 85 mijë dollarë, Malesia, në Vuksanlekaj, për Shtëpinë Mortore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT