• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

TROJET SHQIPETARE NE EKSOD

April 21, 2015 by dgreca

Nga Asllan Bushati-Nenkryetar i Vatres/
Para pak muajsh Kosova ishte ne gerryerje masive nga eksodi, kurse keto dite Shqiperia.Pyetja e pare qe te vjen ndermend eshte:cfare po ndodh keshtu me kombin tone? Kujtesa dhe kronikat te kujtojne vitet 1991-92 ku pamjet shokuan Europen dhe boten me ikjen masive. Iknin nga Shqiperia ,vendi me i izoluar i kontinentit te vjeter,por atehere kishte nje shpiegim madhor se njerezit kerkonin lirine. Fenomeni gjeti nje fare zgjidhje, ose si te themi nje fare ekuilibri, kur u bashkuan familjet shqipetare dhe kur u hoq rregjimi i vizave.Po sot cpo ndodh, ku po shkojne shqipetaret, pse po zbrazen trojet tone? Me pare ishte kryesisht ikje e te rinjeve, kurse tani ikje masive e familjeve, madje disa kane shitur gjithcka kane patur vetem per tu larguar nga trojet shqipetare.Si pergjigje e shpejte po me vjen ne mendje vetem nje fjali rrenqethese :kjo eshte tragjedi kombetare.
Ne vorbullen e kesaj dhimbjeje kombetare u degju edhe nje deklarate fashiste e nje deputeteje italiane, e cila per te ndaluar eksodet nga veriu i Afrikes propozoi te perdoren aeroplanet dhe mjetet detare te luftes ,per mbytjen ne dete te emigranteve qe tentojne Italine ,duke sjelle si shembull, sic kemi vepruar me shqipetaret.Pra,mbytja e Katerit te Rades se distriktit detar te Vlores ka qene e qellimeshme nga autoritetet italiane. E temerreshme kur e degjon te thene nga nje deputete e nje vendi demokratik, e tmerreshme kur e mendon se cpo ndodh me kombin tone dhe me heshtjen e qeverise.
Media jep te dhena se largimi masiv prek shifra te tilla si: vetem ne muajn mars 2015 ka kerkesa per azil ne Gjermani 3200 vete dhe kampet e refugjateve jane plot me shqipetare te pa regjistruar akome.Afersisht ne keto shifra situate eshte edhe ne Britani,Belgjike, Zvicer,Islane,Holande etj.Zyrtaret thone se ne gjashte vite kane emigruar pa kethim 363 mije shqipetare ne vendet e BE-se.Krahu i ri i punes ne Shqiperi eshte rreth 45-55 mije ne vit,ne Kosove30-35 ne trojet shqipetare ne Maqedoni 20-25. Ky krah i ri pune pothuaj cdo vit emigron .Tragjedi e vertete kombetare.
Nga Qeveria dhe autoritet pergjegjese nuk ka nje analize dhe nje shpiegim per kete fenomen rrenqethes. Kontrollet policore ne pikat kufitare,jane perpjekje e varfer shpesh dhe qesharake per ti thene Europes se ne po merremi seriozisht me emigracionin, por ne fakt ato nuk jane as problemi dhe as zgjidhja.Kjo eshte vetem reagim nga frika e anullimit te regjimit vizave me krejt vendet e Shengenit ose me kryesoret e tyre.Eksodi dhe aplikimet per azil kane brendine e tyre .Madje qeveria heziton ta pranoje hapur se eshte gjendje emergjente, por perpiqet te argumentoje se kjo gjendje keshtu ka qene edhe me pare.Nuk kemi pare ndonje mbledhje te posacme te Qeverise,te komisioneve te parlamentit,ministrive perkatese ose segmenteve pergjegjese per te shpalosur hapsira dhe politika perspective. Edhe arrestimi i disa grupeve mafioze qe merreshin me emigracionin nuk ka cuar ne uljen e numrit te emigranteve. Atehere cili eshte burimi i ketij fenomeni? Dhe pse nuk emigrojne politikanet dhe te pasurit?A ka pergjegjesi kjo qeveri qe drejton sot Shqiperine?
Ne gjykimin tim ky realitet i hidhur ekziston.Brendija eshte skamja, mjerimi dhe varferia ne thellim.Por jo vetem kaq, ka arbitraritet dhe arrogance te theksuar shtetrore,pasiguri te jetes se qytetareve, trotil e ndiellje frike kudo, paqartesi te politikave te zhvillimit, polarizim i tejskajshem i posedimit te pasurise kombetare,krijimi i monopoleve ne disa sektore jetik te vendit,mungese ne investime, ngritje taksash, vendosje barierash artificiale qe pengojne prodhimin vendas, keqperdorimi i fondeve publike , marrje kredishe per shpenzimet qeveritare dhe jo per hapje te vendeve te reja te punes etj.Pra shumica e arsyeve vijne nga keq qeverisja, nga mashtrimi i fushates zgjedhore te 2013 ku nuk u premtu vetem parajse se te gjitha te tjerat u premtuam me buje te madhe.
E ashtu quajtura rilindje paska qene mashtrim, zhgenjim, hipokrizi dhe talje e madhe me pefytyrimin e se ardhmes se shqipetareve. Zoti Rama eshte i detyruar tu thote shqipetareve se cu be me 300 mijet e vendeve te reja te punes te premtuara, me mjekesi falas, me ulje te cmimit te energjise elektrike, me uljen e pagesave te studeteve, me rritjen e rrogave dhe te pensioneve?Po ashtu tu shpiegoje shqipetareve ku shkuan 600 miljonet e investimeve publike te vitit te kaluar dhe sa u punesuan me keto para? Pse investimet e huaja kane rene me 30 perqind? Po ashtu ka nevoje tu shpiegoje shqipetareve cfare kapacitetesh ka vendi yne ne industri, bujqesi,tregeti, turizem,administrate (arsim e shendetesi). Cilat jane politikat e zhvillimit per shtimin e kapacitetit te prodhimit te brendeshem dhe cfare ka bere qeveria e tij per kete? Pse papunesia po thellohet?
Eshte kallaj te mburresh, te premtosh dhe te rrahesh gjoksin sic beri qeveria e rilindasve dhe te mbushesh ekranet e gazetat me parrulla, por nuk eshte e lehte sot ti pergjigjesh atyre qe po lene vendin me familje e farefis, qe po trokasin ne dyert e Europes per nje cope buke, per mbijetese, per siguri me te mire, per shkollim te femijeve te tyre per nje te ardhme me te mire ,sepese qeveria dhe vendi i tyre nuk po ben asgje per to. Qeverite zgjidhen per ta cuar vendin perpara e jo prapa, per ta integruar me kombet e perparuar dhe jo per ta izoluar nga kontinenti, per ta prosperuar e jo per te ndalur zhvillimin. Ne se qeverite nuk jane ne gjendje te gjenerojne energji , te rrisin ekonomine ,sigurine dhe te ardhme ato duhet te largohen sa me pare nga drejtimi. Ne se nuk e bejne eshte e drejta e popullit qe me mjete demokratike ta beje nje gje te tille.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, NE EKSOD, TROJET SHQIPETARE

VATRANET E MICHIGANIT ORGANIZUAN ME SUKSES KUVENDIN

April 20, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca/
Të Shtunën me 18 prill 2015, në Balkan American Community Center në Michigan u organizua Kuvendi i degës së Vatrës.
KRONIKA:
Kuvendin e hapi anëtari i Këshillit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Kujtim Qafa, i cili pasi u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe të ftuarëve, paraqiti drejtuesin e Kuvendit, vatranin , z. Julian Cefa, i anëtarësuar në Vatër që më 1968.
Në panelin e drejtimit të Kuvendit zunë vend : Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Michigan, z. Ekrem Bardha, nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra z. Agim Rexhaj, famullitari i Kishës së Shën Palit don Fran Kolaj, zonja Enita Hajdari dhe Luan Kuçi, i biri Ali Kuçit, vatranit të viteve ’20 të shekullit të shkuar, që udhëhoqi fushatën e Vatrës “Për Shpëtimin e Shqipërisë” duke shënuar rekordin e dhuruesve.
I ardhur nga Florida, këngëtari i talentuar Frederik Ndoci, ka përcjellë Hymnet Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Shqipërisë.
Në fjalën e tij të hapjes, z. Julian Cefa u uroi mirëseradhjen të pranishmëve. Ai tha se është krenari që të jesh anëtar i Federatës Vatra; është patriotizëm të mbash amanetin e themeluesve te kësaj Federate dhe t’ia trashëgosh brezit te ri , qe Vatra dhe Dielli të mos shuhen kurrë për sa të jetë jeta në mesin e vatranëve në vazhdim.
Dielli i shqiptarëve të Amerikes, tha z. Cefa, për më shumë se një shekull ngroh zemrat e mergimtarëve shqiptarë, duke mbajt gjalle ndjenjat kombëtare, dashurinë per atdhe dhe për gjuhën amtare. Me plot të drejtë mund të themi që Federata Pan-Shqiptare Vatra është e vetmja bashkësi shqiptare e trashëgueme nga periudha e Rilindjes , që nëpërmjet gazetës Dielli ka mbrojt dhe vazhdon të mbrojë me vendosmëri të drejtat e popullit shqiptar kudo që jeton .
Duke treguar synimet e këtij Kuvendi, z. Cefa tha se :”Në këtë Kuvend do të shqyrtojmë punën tri vjeçare të Degës së Vatrës në Michigan dhe rezultatet mbrrituna gjatë kësaj periudhe . Dishroj të baj të kjart që Dega e Michigant nuk asht krijue tri vjet ma parë, ajo asht riorganizue tri vjet ma parë . Unë jam anëtar i kësaj dege qysh prej vitit 1968 , dhe kjo degë ka ekzistue shumë vite ma parë .”
Drejtuesi i Kuvendit, z. Cefa, ftoi ftoi kryetarin e degës së Vatrës, intelektualin Alfons Grishaj, pishtar i Demokracisë, për të mbajtur fjalën kryesore.
Kryetari Grishaj, në fjalën e tij përcolli mesazhin e bashkimit Kombëtar, që tashmë është i sanksionuar në Kushtetutën e Vatrës me propozim të degës së Vatrës në Michigan në Kuvendin e vitit të shkuar. Përçarësit dhe thashethemexhinjtë, tha ai nuk kanë vend në Vatër.
Mondi Rakaj, sekretari i degës së Vatrës, mbajti një raport të detajuar rreth veprimtarisë 3-vjeçare të degës, ku evidentoi rolin në rritje, që ka luajtur dega e Vatërs në komunitetin shqiptar të Michiganit.
Ai informoi se dega, tri muaj pas themelimit, ishte shumë aktive në festimet e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Vatra; siguroi 60 donatorë për të ndihmuar festimet në qendër, të cilët dhuruan rreth 22 mijë dollarë.
Dega e Vatrës është bërë promotore e komunitetit shqiptar në Michigan duke i dhënë tonin shumë veprimtarive. Kjo degë me 22 Shtator 2012 propozoi dekorimin e qendrave fetare dhe individëve të dalluar për kontribute në komunitet , shërbime për çështjen kombëtare, ruajtjen e traditave dhe gjuhës kombëtare në mërgim. Vatranët e Michiganit kanë dhënë kontribut jo vetëm në Michigan, por edhe në shtete të tjerë. Sekretari idegës Mondi Rakaj, se bashku me Vatranët Gjeto Ivezaj, Valentin Lumaj dhe Pal Rakaj, përfaqësuan degën në Ohio- Cleveland për përurimin e bustit të Nënë Terezës, ku ishte ftuar Presidenti i Shqipërisë Z. Bujar Nishani. Në atë takim Sekretari i Vatrës i dorëzoj dosjen e propozimeve për dekorim Ambasadorit Shqiptar në USA Z, Gilbert Galanxhi.
Dhe një vit më vonë erdhi lajmi që qendrat fetare do të dekoroheshin. Ishte një arritje e madhe, dhe Vatra , në bashkëpunim me Kishën e Shën Palit dhe Konsullin e Nderit Ekrem Bardha , përgatitën darkën madhështore në hotelin Marriot në Troy, ku pjesëmarrja ishte shumë e madhe.
Ndër kontributet e degës së Vatrës përmendet edhe ndihma që ka dhënë për organizimin dhe mbështetejen në çdo fund muaji Tetor, për 3 vite radhazi, të veprimtarisë të revistës KUVENDI -“Ditët e Letërsisë“. Vatranët ndihmuan jo vetëm me të holla, por edhe duke pritë e përcjellë mysafirët. Vatra e Miciganit kontribuoi me shumat e kosiderueshme ,duke mbuluar të gjitha shpenzimet.
Ndër kontributet e tjera të degës së Vatrës, sekretari i degës radhiti edhe:
-Në Gusht të vitit 2012 ,Vatra Michigan sponsorizoi “Albanian Exelence” me shumën 1700 dollarë.
– Dega e Vatrës në bashkëpunim me Kosullin e Nderit Ekrem Bardha, me qendrat fetare dhe shoqatat që kanë aktivitet kombëtar,festuan me madhështi 100 Vjetorin e Pavarësisë në dy qendrat fetare.Nisja e këtij festimi filloi në “Kishën Zoja Pajtore “ dhe përfundoi me takimin madhështor në “Kishën e Shën Palit”,ku kongresmeni Geri Piters ,mbajti një fjalim historik…
-Më 14 Nëntor 2012, Dega e Vatrës në Michigan ndihmoi Ambasadën e Shqipërisë Washington për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë me shumën 8,700.00 dollarë.
-Më 25 Janar të te vitit 2013 ,dega e Vatrës ndihmoi me shumën 4750 dollarë ,qytetarin shqiptar nga Kosova,Leonard Bardheci, qe ishte në gjendje kritike për jetën.
-Me datën 23 Mars 2013 ,dega e Michiganit ndihmoi Kishën “San Lucia” Durrës me shumën 4300 dollarë.
-Me datën 6 Qershor 2013, kryesia e kësaj dege, dërgoi një përfaqësi në Toronto për të ndihmuar ngritjen e degës së Vatrës atje. Në këtë përfaqësi të degës bënin pjesë: kryetari Alfons Grishaj,nënkryetari Pjeter Jaku dhe sekretari Mondi Rakaj .
-Me datën 12 Qershor të vitit 2013 , dega në bashkpunim me z.Ekrem Bardha, mblodhi shumën prej 11,000 dollarë për një student në NY.
-Me datën 4 Korrik 2013, dega mblodhi shumën prej 4500 dollarë ,për të stimuluar Shkrimtaren e re nga Atalanta Ashley Wood ,që me përkushtim po shkruan memuaret e Shqipatarëve…
– Dega në Michigan,me datën 6 Gusht 2013, në bashkëpunim me Kosullin Ekrem Bardha, famullitarin Don Fran Kola dhe disa dashamirës ,mblodhi shumën 38,000 dollarë për suportimin e kantidaturës për Senator të Geri Piters. Dega e Michiganit nuk u mjaftua me kaq , por punoi deri në fitoren e plotë, duke vazhduar ta nihmonte me të holla kantidaturën e mikut të madh të shqiptarëve.
-Me datën 8 shkurt 2014 ,dega promovoi librin e studiuesit Nusret Pllana “Terrori i Sebisë Pushtuese mbi Kosovën” ,duke mbuluar shpenzimin e këtij takimi me shumën 1400 dollarë.
– Dega e Vatrës në Mars të vitit 2014 ,sponsorizoi librin e Elinda Markut me shumën 1000 dollarë.
-Në Maj të vitit 2014 u sponsorizua nga dega e Vatrës libri i Gjon Kaçaj me titull “Fal po mos Harro” me shumën 700 dollarë.
-Me datën 29 Shtator 2014, disa vatranë morën pjesë në takimin me Presidentin Nishani , i ftuar nga Universiteti Ann Arbor Michigan.
-Me datën 15 Dhjetor 2014 ,Sekretari idegës Michigan në bashkpunim me anëtarin e Vatrës Lush Popaj , i cili është dhe pronari 1-2-3 Albania, ndihmuan Shtëpinë e Fëmijës Shkodër , me dhurata në festën e fundvitit.
-Në shtëpinë e z. Ekrem Bardha, vatranët festuan fitoren e senatorit Geri Piters, mik i shqiptarëve. Grupi pjesmarrës përbëhej nga Alfons Grishaj,Mond Rakaj, Kujtim Qafa, Petrit Doda(përfaqësuesi i Kishës së “ Shën Palit “ në mungesë të Don Fran Kola),Donika Bardha dhe Gani dhe Ilir Bardha .Merrnin pjesë dhe Av. Zhozef Ded Vuka dhe biznesmeni Agim Lumani.Senatori Piters shoqërohej dhe nga Hy Safran. Piters , premtoi se do të jetë një zë i fuqishëm për shqiptarët në
Senatin Amerikan. Vatra ka përfaqësuesin e saj pranë senatorit Peters, ç’ka përbën një mundësi më shumë për t’i shërbyer komunitetit shqiptar.
Z. Agim Rexhaj, nënkryetar i Federatës Vatra ka përshëndetur Kuvendin. Ai solli përshëndetjet e kryetarit Gjon Buçaj dhe të kryesisë së Vatrës. vlerësoi veprimtarinë e degës së Michiganit dhe bëri apel për të shtuar anëtarësinë. Z. Rexhaj evidentoi bashkëpunimin e vatranëve të Michiganit me komunitetin. Ai përgëzoi komunitetin e Michiganit për kontributin e madh që kanë dhënë për lirinë e Kosovës, për pjesmarrjen masive në demonstrata në Washington Ohio,etj, për pjesmarrjen në demokratizimin e Shqipërisë etj.
Nënkryetari i Vatrës, z. Rexhaj porositi që të rritet bashkëpunimi me të gjitha institucionet fetare, duke ruajtur traditën 103 vjeçare të Vatrës, që e ka të shenjtë harmoninë ndërfetare.
Cfarë ka bërë Vatra për Kombin në të shkuarën mbetet një pikë referimi për të sotmen. Parë me syrin e sotëm, Vatra e djeshme e ka kryer detyrën para Kombit; e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm me ndërhyrjen pranë Presidentit Wilson, me fushatat e mëdha për Shpëtimin e Shqipërisë, me Huanë Kombëtare, tha z. Rexhaj.
Duke folë për shtimin e anëtarësimeve, z. Rexhaj tregoi përvojën personale si dhe pse u anëtarësua ai në Vatër 30 vite të shkuara, kur disa nga bashkavendasit e tij të Kosoëvs e shihnin me sy jo të mirë. Në Vatër kam gjetë atdhetarë të kulluar, tha aid he shtoi se në Vatër njeriu nuk shkon për të fituar, por për të dhënë,mbi të gjitha kontribut për çështjen kombëtare.
Z. Rexhaj foli dhe për kuvendin e 2 majit, që organizon Vatra në Jacksonville –Florida.
Në mesazhin e tij famullitari i Kishës së Shën Palit, don Fran Kolaj, u ndal në bashkimin kombëtar. Ai shtroi pyetjen: Ku më mirë se në Vatër mund të luftohet për bashkimin e trojeve kombëtare? Vatra ,me më shumë se një shekull jetë me plot histori ,ka luftuar për Kombin dhe i takon asaj që ta ngrejë fuqishëm zërin për bashkimin kombëtar. Nuk kemi pse frikemi nga zërat kundër, bashkimi mbetet i shenjtë. Le ta shfrytëzojmë rastin që kemi një mik të madh , siç është Amerika, vendi ku jetojmë, që na është ndodhur pranë në çastet më të vështira, veçanërisht në kohën e presidentëve Wilson, Klinton dhe Bush.
Konsulli i nderit i shqipërisë në Michigan, biznesmeni i suksesshëm dhe veprimtar i shquar i çështjes Kombëtare, përshëndeti Kuvendin e degës së Vatrës. Dega juaj, tha z. Bardha, duhej ta kishte numrin 33, sepse aq e ka pasë numrin dega historike e Vatrës në Michigan, ku Selman Zagari, vjehrri im ishte sekretar. Me Vatrën më lidh edhe babai im, Sulo, që ishte pjesë e saj në kohën e mërgimit. Vatra ishte kombëtare, dhe jo tradhtërae siç e quante diktatori Hoxha. Vatra i dha Shqipërisë gjithçka, para, kulturë, kontribute vatranësh, fatjkeqsisht edhe jetët e tyre, diktatura u mori jetën vatranëve që shkuan t’i shërbenin Atdheut.
Vatra duhet të japë kontributin e saj edhe në shkrimin e historisë dhe të ngrejë zërin e protestës për historianët e diktaturës që vazhdojën ta shkruajnë historinë me të njëtën metodë.
Më pas z.Bardha tha se Vatra duhet të vazhdojë të vlerësojë figurat që kanë dhënë kontribut të veçantë, siç është rasti editorit të Diellit Xhevat Kallajxhiu.
Konsulli i Nderit ka vlerësuar kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë, duke veçuar kontributin e presidentëve Wilson, Klinton dhe Bush. Konsulli i Nderit vlerësoi rolin e madh që dha Ushtria Clirimtare e Kosovës për çlirimin e vendit, duke pasur edhe ndihmën e NATO-s.
Po ashtu z.Bardha vlerësoi rolin e presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova .
Editori i Diellit ka përshëndetur Kuvendin dhe ka përgëzuar degën për kontributin që ka dhënë në mbështetjen e Gazetës, së Vatrës,më e moçmja ndër gazetat shqiptare, vazhduese e shtypit të Rilindjes Kombtërae, gazeta që ka për ditëlindje 15 shkurtin e vitit 1909, dhe që vazhdon të luaj rolin e saj si regjistër i jetës së shqiptarëve në ShBA. Editori informoi për gjendjen sot të Diellit, për bashkëpunimin me degët, për rolin që po luan botimi i përditshëm në online dhe për nevojëne mbështetjes nga degët, jo vetëm nga ana financiare por edhe me shkrime.
Ai foli për kontributin historik që kanë luajtur për gjatë 103 viteve të Vatrës vatranët e Michiganit. Këtu ishte një ndër rekordmenët e Huasë Kombëtare, Fazlli Panariti, këtu jetoi për një kohë të gjatë Refat Gurrazezi, editor i Diellit. Këtu në Teqenë e Baba Rexhepit vinte e qetësohej editori i Diellit Xhevat Kallajxhiu. Sot , tha editori, kemi një degë luftarake , që vazhdon traditat dhe është një zë i fuqishëm në komunitet edhe pse ka vetëm 3 vite që është riorganizuar.
Edhe anëtari i Kryesisë së Vatrës, arkëtari i saj z. Marjan Cubi, përshëndeti Kuvendin. Ai i përgëzoi komunitetin e Michiganit për kontributin që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, për pjesmarrjen në demonstrata dhe në fushata të shumta që janë organizuar e mbështetur për dekada. Në mbrojtje të çështjes së Kosovës. Z. Cubi i uroi punime të mbara Kuvendit të degës dhe përshëndeti rianëtarsimin e dr. Gjek Gjelaj në degën e Vatrës.
Luan Kuçi, i biri vatranit martir Ali Kuçi, me emocione ka përshëndetur Kuvendin e vatarnëve të Miciganit. Ai foli me krenari për babanë e tij, të ndjerin Ali Kuçi, i cili ishte një nga vatranët e motçëm. Ali Kuçi ishte ndër ata vatranë që i peshonte fjala. Mbahet mend në historinë e Vatrës si ndërmjetsi i pajtimit të dy rrymave në Vatër si dhe i përfaqësuesit të Partisë Popullore dhe atij të Vatrës në nënshkrimin e përbashkët të një rezolute për Konferencën e Paqës. Ishte po ai Ali Kuçi, që udhëhoqi fushatën për Shpëtimin e Shqipërisë.
Mirëpo diktatura që mbiu në Shqipëri e akuzoi atdhetarin për tradhëtar! Ai që kishte luftuar për shpëtimin e Shqipërisë akuzohej se e kishte tradhëtuar. Në fakt ai la Amerikën dhe shkoi në Shqipëri që të kontribuonte dhe për ta ringajllë Shqipërinë. Ngriti fermën e tipit amerikan, punësoi shqiptarë dhe ndihmoi sa mundi. Shpërblimi? Tortura çnjerëzore, vdekje e tmerrshme në qelitë e hetuesisë së Beratit!
I biri, Luani, ka sjellë me vete kopje të gazetës Dielli, ku janë botuar shkrime për Ali Kuçin, si dhe një fotografi në kornizë me portretin e burrit të hijshëm, që i dha aq shumë Shqipërisë, por që nuk mori dot as 2 metra tokë për varr, s’dihet se ku I treten eshtrat.
Z. Luan Kuçi falenderoi Vatrën për propozimin që i dërgoi presidentit të Shqiëprisë, i cili e nderoi Ali Kuçin me Dekoratën e Artë të Shqiponjës. Rrëfimi i të birit u duartrokit në shenjë nderimi për vatranin e moçëm atdhetar.
Dr. Gjek Gjelaj në përshëndetjen e tij tha se ndjehej mirë për vazhdimësinë e Vatrës. Ai vetë është vatran i hershëm dhe kërkoi që të vlerësohen drejtësisht vatranët e hershëm që dhanë gjithçka për Kombin përmes Vatrës. Nuk mund të mos flitet për Xhevat Kalljaxhiun dhe të tjerët vatranë. Nuk mund të lihet në heshtje kontributi i madh dhe devocioni për Vatrën i Dom Prekë Ndrevashaj , që ishte jo vetëm misionar i Zotit, por dhe misionar i Kombit, nuk mund të lihet mënjanë as kontributi i Baba Rexhepit. Ata kanë punuar fort dhe e kanë mbështetë fort Vatrën. Ata kanë shkuar shumë me njeri tjetrin. Kombi shqiptar do të mbijetojë vetëm përmes bashkëjetesës. Dr. Gjelaj kërkoi me ngulm që të mos keqshkruhet historia e Vatrës, por të jetë besnike e ngjarjeve, ashtu siç kanë ndodhë. Të vlerësohen ata që e meritojnë. Vatra është e shenjtë, tha ai. Vatra është aty ku bashkohet familja. Kjo simbolikë duhet ta karakterizojë Vatrën.
Një përshëndetje të veçantë i ka drejtuar Vatrës edhe kampioni shqiptar i mundjes Ndue Njemza, që ëshët ëbrë anëtar i Vatrës.Në mënyrë simbolike ai u shpreh për Vatrën. A e dini ç’është Vatra në mendjen time? Një krah i asaj shqiponje aty në Flamur!
Vatrani i moçëm Vasel Ujka ka emocionuar të pranishmit me përshëndetjen e tij. Ai ka ardhë direkt e nga puna aty në kuvend.
ALBTV USA, me pronar z. Gani Vila, shfaqi dokumentarin per Historine 103 vjecare te vatres dhe historikun e deges se riorganizuar te Vatres ne Michigan.
Një përshëndetje të veçantë ka dërguar për Kuvendin kryetari I degës së Vatrës në Fort Lauderdale, Florida.
Pas përshëndetjeve, komisioni i zgjedhjeve shpërndau fletët e votimit dhe u kalua në votim.
Kryesia e re drejtohet nga Kryetari i rizgjedhur Alfons Grishaj, zv/kryetari Mondi Rakaj, sekretarja Enita Hajdari, arkëtari Julian Cefa.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Kuvendi, vatranet e Michiganit

VATRA DHE KOHA

April 20, 2015 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ*/
Koha është diktuesi i nevojës së ndryshimit të rregullave të lojës dhe mënyrës së të sjellurit në organizata, parti të ndryshme dhe në të tjera grupime shoqërore. Por sa më tepër që e kërkojmë përsosmërinë aq më e largët duket ajo, kur transportin modern e zëvendësojmë me qerret e luftrave të Trojës.
Nga inercia nostalgjike ndodh që shumë gjëra ne nuk i konceptojmë në momentin e duhur. Kështu zhvillimi ndalon dhe degradimi në regres bëhet i paevitueshëm. Për fat të mirë, një grusht patriotësh Vatranë me në krye Dr.Gjon Buçaj,Agim Rexhaj,Naum Prifti etj, e kuptuan imperativin e kohës për ndryshim. Me një strategji sa klasike aq dhe moderne hapen portat e rimëkëmbjes duke ringritur disa degë në Amerikë dhe duke rikuperuar kohën e humbur, prestigjin dhe emrin tradicional. Një nga degët e ringritura në këtë frymë është dhe e Michiganit. Sëbashku me miqtë e mi e ringritëm këtë degë, jo për ta bërë bishtin më të rëndë se sopata, por për të kontribuar në ato vlera që prindërit tanë na i mëkuan që në fëmijëri.
E kam thënë dhe më parë, shoqëria e Vatrës, është një shoqëri elitare dhe si e tillë, ajo duhet t’ u paraprijë zhvillimeve dhe përgjegjësisë shoqërore e kombëtare. Emigracioni e lindi Vatrën me synime historike të qarta: t’ i jepte shoqërisë shqiptare lidershipin e munguar që të prezantonte çështjen kombëtare shqiptare në botë, kur nuk ekzistonte ende qeveri shqiptare apo dhe kur autoriteti i saj ishte i papërfillur në arenën ndërkombëtare. Historia e vendosi Vatrën në piedestalin e kohës, duke kaluar me sukses etapa të ndryshme.
Ruajtja e këtij misioni ka qenë i vështirë. Edhe sot e kësaj dite nuk është e lehtë të mbahesh në lartësitë e sfidave të kohës. Kërkesat e shekullit XXI ndaj Vatrës dhe Vatranëve janë më të mëdha se kurrë. Ndër më seriozet, për shkak të vetë natyrës sonë shqiptare që karakterizohet nga pasioni pas polemikave iracionale, është ruajtja e imazhit ikonik që Vatra ka gëzuar historikisht. Në prurjet e shumta që ka diaspora këtu në Sh.B.A, natyrisht që ka dhe individë apo grupe individësh, të cilëve nuk u vjen për mbarë prestigji i Vatrës. Por nuk duhet kërkuar tek Vatra shkaku i mosmarrëveshjeve që ndodhin nganjëherë në mjediset shqiptare. Sepse Vatra nuk ka qëllim rivalitetin për lidership në diasporë, ka vetëm çështjen kombëtare. Nëse prestigji i emrit të saj ngjet me një eklips historik, historia është histori dhe nuk zhbëhet e as injorohet, përkundrazi mësohet dhe respektohet si pasuri, përvojë dhe model. Kjo përvojë na bën të jemi të vëmendshëm ndaj farës së përçarjes që hedh urrejtja armiqësore e duarve të njohura. Është ende e freskët koha kur armiqtë e Shqipërisë e shihnin Vatrën si rrezikun më të madh për ta. Është e trishtë, por ato duar janë ende aktive.
Sot kemi dy qeveri brenda një shteti të ndarë padrejtësisht. Në zgjidhjen e kësaj çështjeje konsiston kontributi aktual i Vatrës. Në dukje, për çdo organizim nacionalist, anagazhimi në këtë çështje ngjan një punë luksi, por është një sipërmarrje e vështirë, e cila nuk ka të bëjë dhe aq me jehonën propagandistike të retorikës nacionaliste, sa me vetë rolin shekullor tëVatrës.
Në traditën e vet demokratike Vatra ka respektuar çdo kritikë të arsyeshme që ka ardhur në adresë të saj, veçmas kur kritika ka shenjuar një alternativë bindëse për një çështje të caktuar. Askush prej nesh nuk i ka parë autorët e këtyre kritikave si armiqtë tanë, përkundrazi janë konsideruar miq me sinqeritet të plotë. Por nuk mund të tolerojmë askënd nëse shan,fyen, shpif kundrejt personaliteteve të Vatrës, sepse këto jo vetëm që nuk përbëjnë alternativë por hedhin në erë debatin mbi demokracinë brenda komunitetit shqiptar. Ne e dimë që në kompleksin e inferioritetit arsyeja nuk funksionon kurrë mjaftueshëm, prandaj dhe kërkon të kompensohet me anë të shpifjes, fyerjes apo cënimit të dinjitetit të tjetrit që ka zgjedhur të qendrojë mbi një realitet vulgar e meskin. Akoma më të patolerueshëm janë ata që mbjellin “teza lokaliste dhe krahinoriste”. Këta përbëjnë dhe precedentin më të rrezikshëm, sepse i ndajnë shqiptarët në: “shqiptarët e Shqipërisë” dhe “shqiptarët e …”.Vatra u duket një pengesë serioze për punën e tyre. Po pse? Patriotët e vërtetë nga të gjitha trevat e Shqipërisë e dinë fare mirë çfarë ka bërë Vatra për Shqipërinë, gjakprishurit jo! Që të mos bëhet epidemi, sëmundja vjetër e krahinorizmit duhet luftuar me antidotën e unitetit kombëtar. Duhet dënuar mendësia e atyre njerëzve që artikulojnë diskriminim, sipas të cilëve, “Shqiptarët e Shqipërisë” nuk kanë të drejtë të flasin për komb, nuk kanë të drejtë përparimi, nuk kanë të drejtë të hapin gojën kur u bëhet e padrejtë, nuk kanë të drejtë të shkojnë në ndërmarrjet ku punojnë ata, të shkojnë në qendrat e kultit ku shkojnë ata, në kafenetë që frekuentojnë ata, absolutisht, as në VC ku përmjerrin ata! Është sigurisht injorancë të ngatërrosh vetëdijen krahinore me vetëdijen kombëtare, por është edhe një rrezik shumë i madh për unitetin kombëtar në diasporë dhe për vetë identitetin kulturor të shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë në çdo cep të globit.
Vatra ka një vetëdije dhe filozofi gjithpërfshirëse kombëtare e moral të pastër, si e tillë, nuk mund të pranojë shkapërcime logjike në dëm të çështjes së madhe, as njerëz të papërgjegjëshëm në gjirin e saj, sidomos ata që shpifin për të tjerët, mbjellin ngatërresa e përçarje, apo të tjerë që përdorin internetin për qëllime denigruese. Për këtë, unë kam shkruar artikullin “Krimbat e Internetit!”. Disa prej tyre u vetpaditen, duke e gjetur vet veten në rrjetën e kritikës sime. Megjithatë nuk dua të zgjatem, por dua vetëm të ripërsëris: morali ynë nuk ka asgjë të përbashkët me atë moral që cënon jo vetëm dinjitetin e personaliteteve tona, por dhe unitetin tonë kombëtar dhe kohezionin tonë shoqëror. Ne jemi të qartë në punën tonë dhe askush nuk do mund të na pengojë në misionin e shenjtë që koha na ka dhënë.
Vatra ka detyra të rëndësishme dhe më e rëndësishsmja është: lobimi për bashkimin kombëtar në një shtet të vetëm. Kuvendin e shkuar, pikën e bashkimit kombëtar e propozoi Dega e Vatrës Michigan, duke u ripërsëritur nga editori i Diellit, Dalip Greca dhe mbështetur nga Dr.Gjon Buçaj. Ky propozim u bekua unanimisht nga Kuvendi.
Të tjera detyra të përhershme mbeten: ruajtja dhe konsolidimi i vlerave të identitetit kombëtar, si gjuha, kultura, dhe nxitja e ndjenjës së patriotizmit tek brezi i ri i emigrantëve. Pa harruar që ne nuk mund të vemë në jetë ato plane madhore nëse nuk marrim nga shteti ynë të drejtën e votës këtu ku jemi bashkë me të drejtën për t’u zgjedhur, dhe sigurisht me këtë kuptohet që diaspora të ketë deputët e saj në Parlamentin Shqiptar. Gjithçka çfarë ishte tradicionale më parë për Vatrën, duhet t’i rikthehet pa ekuivok, politikanët që gjoja bëjnë politikë duhet ta dinë mirë këtë.
Nuk ka të drejtë askush të luajë me fatet e kombit sipas qefit. Lufta e klaneve e pushtetarëve për pasuri duhet dënuar ashpër nga Vatra. Ne nuk duhet të mbajmë asnjë krah, vetëm ata të cilët punojnë për prosperitetin e vendit duhet të respektohen dhe përkrahen. Politika nacionale dhe kombi janë boshti i Vatrës. Ne, nuk duhet të reshtim së lufuari për ato të drejta për të cilat u krijua Vatra. Puna jonë duhet të bazohet në traditën, duke u mbështetur tek institucionet fetare dhe tek shoqatat me themele kombëtare, të cilat zhvillojnë dhe mbajnë të gjalla vlerat e kombit. Vatra nuk do të bashkëpunojë me bajraktarizma dhe njerëz të verbër, të cilët rrahin gjoksin pa bërë asnjë punë kombëtare.
Ne do të bashkëpunojmë me ata njerëz që rrezatojnë vlera patriotike dhe intelektuale.
Rruga jonë është e gjatë, shumë e gjatë, për sa kohë që alemi të ekzistojë.
Vatranë e Vatrane ku do që të jeni, mos u friksoni nga armiqtë tanë!
Ju falemnderoj nga zemra të gjithëve ju që jeni këtu të pranishem, veçanerisht bashkpuntorët e mi dhe ndihmësit e Vatres ketu në Miçigan , Don Fran Kola, Kujtim Qafa, Ekrem Bardha , Mond Rakaj, Nevruz Nazarko, Dritan Mishto, Donika Bardha , Petrit Doda, Enita Hajdari, Julian Cefa , Pjeter Jaku, Gani Vila, Arben Dervishi, Valentin Lumaj , Helidon Pashaj , Imam Shuajb Gerguri, Dom Ndue Gjergji, Sele Celaj, Franz Grishaj ,Gjon Kaçaj, Everest Haxhi, Gjeto Ivezaj, Lush Popaj, Ilir Myftiu , Luvigj Sterbyci, Lulash Palushaj ,Luigj Gjokaj , Gjergj Ivezaj , Menyr Nazifi , Sotir Laço , Elisa Malile , Alma Rexha , Taulant Kadia , Vasel Ujka , Agostin Cupi , Sokol Kalaj ,Nikoll Vneshta, Gjevalin Gega, Nikoll Hysa , Pal Rakaj , Astrit Dibra, Gjergj Krasniqi, Nikoll Pepa , Zhozef Ded Vukaj , Dode Qafa , Nikoll Qafa Gjergj Filipi, Bujar Shehu , Arben Martini , Luan Kuçi e shumë të tjerë qe i dua dhe i respektoj.
Falenderoj të dy televizionet , me pronar Gani Vila dhe Ndue Ftoni.
Një nderim të veçantë për nacionalistet klasikë të Miçiganit qe nuk jetojnë më, Imam Vehbi Ismaili, Baba Rexhepi, Mark Martini, Zef Rusti, Petrit Butka, Njazi Bardha, Tajar Shasko, Din Toptani, Refat Gurazezi etj, të cilet Vatra do ti rikoujtoje e nderojë përjetë.
Ju faleminderit!
*Fjala e mbajtur ne KUVENDIN e deges se Vatres ne Michigan me 18 prill 2015-04-20

Filed Under: Vatra Tagged With: alfons Grishaj, Vatra dhe Koha

LAMTUMIRE LIRI KUPI, QENDRESTARE E KAMPEVE TE INTERNIMEVE

April 20, 2015 by dgreca

*FAMILJA, BASHKEVUAJTESI DHE KOMUNITETI SHQIPTAR PERCOLLEN ME NDERIME LIRI KUPIN/
* Në kujtim të Liri Kupit – 8 Shkurt, 1933 – 15 Prill, 2015/
Nga Beqir SINA – Queens New York/
QUEENS NYC: Të mërkurën, 15 Prill 2015, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë në Nju Jork, në moshën 82 vjeçare, e ndjera Liri Kupi, bashkëshortja e Fatbardh Kupit, duke i lënë në pikëllim të thellë, burrin fëmijët, dhe familjarët e saj të dashur dhe të gjithë rrethin miqësor e të njohurit.
E ndjera ndërroi jetë në spital në Kuins, pas një sëmundjeje të rëndë.
Shërbimet funerale nisën ditën e Premte, më 17 Prill 2015, dhe vazhduan edhe të shtunën në Shtëpinë Mortore -(Funeralin): Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel, në Queens Blvd lagjia Forest Hills – Kuins. Te Shtunë me 8 Prill 2015 u përcoll me të gjitha nderimet për në banesën e fundit me pjesëmarrjen e dhjetra vetëve, anëtarëve të familjes, miqve dhe dashamirëve të saj, ish bashkëvuajtësit nga kampet e interrnimit, nga Grabiani, Gradishtë, Gjazë, Savër, Pluk, Shtyllas e Lubonjë, dhe emigrantëve të vjetër.
Lamtumira e fundit për në jetën e amnueshme me një ceremoni mortore u zhvillua në kompleksin e varrezave qytetare në Kuins – Kew Gardens Cemetery, aty ku prehen eshtrat e heroit të 7 prillit, Abaz Kupi.
Bashkëvuajtësi i saj – mik i ngushtë, i familjes Kupi, zoti Lekë Mirakaj, duke i dhënë lamtumirën e fundit, u shpreh se nga emocionet e pa fund – ashtu si çdo njeri e kishte shumë vështirë të thoshte të gjitha për këtë njeri që po e përcjellin për në jetën e amnueshme, mes dashurisë, lotëve dhe kujtimeve
Ai tha se : “Kjo grua fisnike, trime, burrnesh e thjeshte dhe e ndershme, kjo Nanë e madhe, që rriti me sakrifica dhe krenari katër fëmijë si pllumat, e cila mori rrugën e kalvarit të vujatjeve të pa fund të regjimit diktatorial, fare e re, nga qyteti deri tek kasollet me kashtë në kodrat e Grabianit, në një kohë që fare lehtë mund të kishte zgjedhur një rrugë tjetër për të ardhmen e saj në atë kohë-zgjodhi dashurinë e saj për Bardh Kupin. Dhe këtë zgjedhje në atë kohë të vështirë ajo nuk bëri se Bardhi ishte djali i Abaz Kupit, por se tek ky djalë në atë kohë ajo shikonte njeriun e saj me të cilin do të lidhte jetën. Pra, burrin dhe shokun e pandarë të jetës me të cilin krijojë një familje të mrekullueshme, teksa e ndoqi dhe nuk iu nda atij duke qendruar së bashku me hallet e vuajtjet, e asaj kohe, deri sa më në fund pa disa ditë të bukura me rënjen e komunizmit”.
Duke folur për jetën e saj prej qendrestarjeje,me lot në sy Mirakaj – kujtoi se :”Liria qysh në atë moment, që mori përsipër – pra hyri në atë kasolle interrnimi – duke e hijeshuar dhe ndriçuar atë si nuse e re e bukur dhe fisnike,në vend të fustanit të bardhë të nusërisë, hodhi mbi trupin e saj, atë “fustanin me vellon” e pasojave, atyre vujatjeve dhe sakrificave, që regjimi i dha asaj dhe familjes Kupi në atë kohë. Liria, këtë nuk bëri ngaqë Bardhi ishte djali i Abaz Kupit, për të marrë përsipër nderin e përvilegjin që të jepte emri i asaj familje, por ngaqë ajo e dinte se me dinjitet, do të nderonte veten dhe familjen e saj”, tha Lekë Mirakaj në fjalën e lamtumirës.Po ashtu Mirakaj solli edhe mesazhin ngushellues te kryetarit te Shoqates te ish perndjekurve politik demokrat te Shqiperise, z. Simon Mirakaj dhe te gjithe familjes Mirakaj.Ai percolli edhe ngushellimet e vellezerve, Esat, Bedri dhe Caush Coku, bashkevuajtes te Fatbardh Kupit.
Liria – për të gjithë ata që e njohën do të kujtohet gjatë si një ndër qëndrestaret e kampeve të internimit, ku ajo nuk iu nda të shoqit gjatë sagës së vuajtjeve, edhe kur ai ishte nëpër burgje dhe internimet gjysëmshekullore të diktaturës komuniste.
Për Lirien (Lirie Kupi) sot në liri – mund të shkruhen romane, me personazhe të tillë për se si vajzë e re qytetare, dhe e familjeve të perviligjuara të asaj kohe, të arrijë të dashurohet me një internuar, ish të burgosur politik, dhe të martohet me të në kampin e internimit në Gradishtë, pikërishtë me të birin e Abaz Kupit, Fatbardhin, deri sa me atë martohet dhe krijon një familje të shëndoshë, me katër fëmijë si engjej.
Ajo është nga ato vajza të pakta, të diktaturës enveriane, që i përkiste një familjeje jo të persekutuar, të atij regjimi dhe që jetonte në qytetin e Lushnjes, mes pervilegjeve të asaj kohës. Por, nga dashuria e madhe me djaloshin e internuar Fatbardh Kupin, të birin e “armikut” e “tradhëtarit” të popullit, si e damkosi diktatori Enver Hoxha, atë dhe familejn Kupi, Liria, ashtu fare e re dhe një vajzë e bukur me origjinë permetare, por që banonte në Lushnje, gjimnaziste, zgjodhi jetën e vuajtjeve, dhe sakrificave, pranë burrit të saj, që i kaloi gjithë jeta nëpër burgje dhe internime, deri sa erdhi demokracia dhe ata erdhën në Amerikë.

Familja e Abaz Kupit, pjesëtare e së cilës ishte edhe e ndjera Lirie Kupi ka bërë, dhjetra vjet burg si dhe ka bërë 51 vjet internim 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.
Në librin e shënimeve Organizata e Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe”, shkuante se me dhimbje të thellë ato shprehinin ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të heroines e patriotes shqiptare, si e kan quajtur ato Liri Kupin
“Kësaj gruaje vitale, të guximtshme që kurrë së përkulen vuajtjet e jetës, hallet e së shkuarës pa shkak nga diktatura komuniste në Shqipëri. Liri Kupi ishte një intelektuale e mirëfilltë, krijuese e heshtur përsa i përket fushës së letërsisë.Ajo shkruante libra, e poezi. Ishte një pasionate e madhe e librit. Ruajmë të paharuar me të ndjerën kujtimet më të mira. Ngushëllojmë me këtë rast bashkëshortin z. Bardh Kupi dhe fëmijët. I paharuar qoftë kujtimi dhe jeta e saj! shkruan MImoza Dajci presidente e Organizatës së Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe”, në Nju Jork.
Luan Haxhi Gashi një anëtarë e një familje të njohur nga Kuksi, arratisur vite më parë nga Shqipëria, shkruan në librin e shënimeve se : “Ngushllimet ma të ndjeshme Familjes Kupi për këtë humbje të pazëvendësueshme. Pushoftë në paqe shpirti i të ndjemës, e cila ndriti veten, familjen, bashkëshortin dhe fëmijtë e saj, në kohën e diktaturës komuniste. Vuajtjet,sakrificat e saj janë pjesë e historisë që ajo mjerisht ajo dhe bashkëshorti i saj i kaloj në kampet e interrnimit duke qenë shembull i një Nane fisnike”.
Professor Sami Repishti një shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar, i cili i ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim. Një ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste dhe në ish -Jugosllavinë sllavo-komuniste ndërsa shpreh ngushëllimet e tij, ma të thella, për bashkëvuajtësin e tij, z., Bardh Kupi dhe të gjithë familjes Kupi, për këtë humbje të dhimbeshme të Zonjës Liri Kupi, thotë :” Pushoftë në paqe shpirti i saj, shpirti që mbajti të gjallë nji trup të shumë vuejtun të njënës nga viktimat e dërmueme nga terrori komunist. Qendresa e saj do të mbetet shëmbull për të gjithë ata që kërkojnë heroizëm në rezistencën anti-komuniste të demokrateve shqiptare”
Biri i vetëm i Kristo Kirkës (autoritet i kohës së vetë, vdekur në burgun e Burrelit më 1955), Niko Kirka, i cili ishte një ndër bashkëvuajtësit me familjen Kupi, i cili edhe vetë vuajti burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar, për 8 vjet rresht, i ndjekur këmba – këmbës, nga fantazmat ish- Sigurimit të Shtetit , në atë kohë shprehet në librin e ngushëllimeve duke thënë :” Ngushullime më të thella, për humbjen e bashkëshortes dhe bashkëluftëtarës në luftën tënde shumë të gjatë në mbrojte të dinjitetit njerëzor. Ngushullime fëmijëve për humbjen e Nënës së tyre të madhe. Ngushullime gjithë familjes Kupi për humbjen e një nga shtyllave më të forta të saja. U prehtë shpirti saj në paqen e përjetëshme “- Familja Niko Kirka

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Lamtumire, LIRI KUPI

ROMANI I AMBASADORIT VISAR ZHITIT PERUROHET NE ROME

April 20, 2015 by dgreca

Romani “Perendia mbrapsht dhe e dashura”, i ambasadorit te Shqiperise ne Vatikan, Visar Zhititi perkthyer italisht me titullin “Il visionario alato e la donna proibita” (“Vegimtari me flatra dhe gruaja e ndaluar”), perurohet ne Rome ne 22 Prill 2015, ne Librarine e njohur “Fandango”, prane Parlamentit italian,
Per kete veper kane shkruar gazetat e medha italiane si “Corriere della Sera” e “Avenire” – media e lidhur me Vatikanin, duke e konsideruar kete roman nje elegji dashurie, pasqyra me e mire e vuatjes se grave shqiptare nen diktature, ne kampe internimi dhe burgje politike, njekohesisht eshte dhe romani alucinant per endrren europiane te shqiptareve, nje udhetim ne kohe e hapesire, ku ndjehet dhe lufta e Kosoves…
I pranishem ne perurimin e romanit do te jete dhe autori. Te ftuar jane personalitete te kultures italiane, kritike arti, shkrimtare, studente, lexues te tij, etj.
Organizatore te veprimtarise jane asosacioni “Occhio blu” me president ambasadorin Mario Bova si dhe botuesi “Rubbettino” me drejtor Luigi Franco. Pas fjales se tyre, do te diskutojne dhe kritikja Anna Cenerini Bova, gazetari, shkrimtari dhe kritiku i njohur letrar Renato Minore, perkthyesi i vepres, studiuesi dhe drejtori i katedres se albanalogjise ne Universitetin “La Sapienza” Elio Miracco si dhe profesori Mauro Geracci, etj.
Kjo eshte nje arritje tjeter e autorit, shkrimet e te cilit nga burgjet dalin metropolet e kultures ne Europe e me tej, por dhe sukses i letersise shqipe neper bote, ku jepet nje imazh tjeter i kultures tone bashkekohore ne kushtet e lirise.

Filed Under: LETERSI Tagged With: promovohet ne Rome, romani, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT