• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

Përkujtohet 70 vjetori i gjyqit special të vitit 1945

April 16, 2015 by dgreca

Shoqata e ish të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste dhe Instituti për studimin e krimeve të komunizmit përkujtoi më datën 15 prill, 70 vjetorin e Gjyqit Special të vitit 1945. Në atë gjyq komunistët shqiptarë dënuan qysh në javët e para të pushtetit të tyre 65 intelektualë shqiptarë në emër të “bashkëpunimit të tyre me pushtuesit”. Gjykata speciale joprofesionale dhe jolegjitime, tepër politike kishte për kryetar një hekurpunues, i cili me urdhër të Partisë Komuniste dënoi me pushkatim 17 persona dhe pjesën tjetër me burgime të gjata. Ky gjyq ishte i pari në vargun shumëvjecar të gjyqeve ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, që zgjati gati gjysmë shekulli. Ndërsa 70 vjetori i këtij gjyqi vjen ndërkohë që në qarqet politike të Tiranës u kthye sërish debati për dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe për dekriminalizimin e institucioneve. “Unë mendoj se Shqipëria ende nuk është distancuar nga diktatura. Së pari duhet bërë de-komunistizimi dhe më pas de-kriminalizimi do të jetë më i lehtë” – tha Simon Miraka, drejtues i shoqatës së të përndjekurve politikë të regjimit komunist. Ndërkohë, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare po zhvillon një cikël ligjëratash me ekspertë nga shtetet e Europës Qendrore e Lindore ish-komuniste mbi mënyrën se si e kanë trajtuar ata marrëdhëniet me të kaluarën komuniste. Studiues nga Çekia sollën përvojën e vendit të tyre, ndërsa Instituti i Studimeve Ndërkombëtare po sjell studiues edhe nga Polonia e Gjermania për të shpjeguar në Shqipëri disa shembuj para se të vendosë zgjidhjen e saj mbi dosjet e shërbimit sekret. Drejtuesi i këtij Instituti Albert Rakipi, thotë se raportet e shtetit demokratik me të kaluarën nuk duhen ngushtuar vetëm në çështjen e dosjeve sekrete, sepse kjo është një temë e gjerë që prek gjithë shoqërinë. “Kjo është një çështje që lidhet me dosjet dhe lustracionin, por është edhe çështje kulturore; se si do t’ua tregojmë brezave të ardhshëm krimet e diktaturës, çfarë do t’u themi atyre për të shkuarën, që të ketë vlerë për të ardhmen” – tha zoti Rakipi. Edhe sot 70 vjet pas instalimit të diktaturës komuniste dhe afro 25 vjet nga rrëzimi i saj, Shqipëria ende ka një marrëdhënie të paqartë me atë regjim tejet të dhunshëm. Shoqëria dhe institucionet luhaten prej vitesh midis nostalgjive dhe etjes për drejtësi ndaj viktimave. Ndërkohë Parlamenti shqiptar po diskuton dy variante të një ligji të ri për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, por në 20 vjet, pohojnë studiuesit, së pari ky institucion dhe partitë që e përbëjnë atë, nuk kanë patur vullnetin për ta zgjidhur këtë çështje.
Sh.K

Filed Under: Kronike Tagged With: 70 vjetori i gjyqit special, perkujtohet, Sh Kercelli, të vitit 1945

Kohë eksodesh në një përvjetor eksodi

April 16, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
1)Sot është16 prilli, dita e eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk e di sa po përkujtohet në Shqipëri a Kosovë? Viti i mbrapsht 1999. Një eksod që filloi nga marsi e përfundoi në qershor. Rreth tetëqind mijë njerëz u afruan tokës së ëndërruar. Atdheut të mohuar. Në një karvan njerëzor, mjetesh e pajimesh. Një ushtri e lodhur luftrash, përbuzjesh, reprezaljesh. Serbisë nuk i kishte mjaftuar disfata në Kroaci dhe Bosnje. U duhej edhe kjo me shqiptarët. Edhe pse problem shpërbërje federate, kjo e shqiptarëve trajtohet si toka e shenjtë. Aq sa edhe sot kësaj dite serbi më i thjesht beson verbërisht në ekzistencën e një Jerusalemi sllav.
2)Atij viti kam drejtuar qëndrën kulturore të qytetit tim. Jam thirrur urgjent në mes të natës. Dhe ashtu në agun e një dite të re pranverore, kemi hapur dyert e kinoteatrit Vaçe Zela. Ne u bëm një grup njerëzish, kryesisht drejtues zyrash. Duke formuar kështu një këshill emergjencash sociale. Për herë të parë vumë re se sa të pa përgatirur ishim si qeveri lokale për raste të tilla. Ndërkohë të ardhurit shtoheshin. Salla jo vetëm që u tejmbush, por edhe hollet, kthinat, studiot etj.
Shqetësimit tonë i dha rrugë prania e qytetarëve. Në fillim sollën arka me ujë, termusë me kafe, byrekë të ngrohtë . Specialiteti myzeqar. Më pas shpejt venduan se ajo nuk ishte zgjidhje. Të ardhurit veç trembjes kishin nevojë të shplodheshin, të ndiheshin disi në shtëpi. Kështu nisën kërkesat e para. Derisa nga pasditja salla zuri të ndihej se po zbrazej. Megjithatë, ai kinotear mbeti për javë të tëra si stacioni i parë. Sheshi përpara tij u pritësi edhe i mjeteve të rënda…, të atyre që vazhdonin të vinin.
3)Shumë prej nesh lidhëm miqësi në atë periudhë eksodi. Në atë jetë të përbashkët. Madje pati edhe krushqi të reja. Premtime për vizita të ndërsjella. U lidhën miqësi që vazhdojnë edhe sot.
Unë u njoha me një mësues. Hysri Rrahmanin. Me këtë mbiemër Kosova, letërsia shqipe në përgjithësi, kishte një penë të zot. Po Rrahman kishte shumë. Dhe përkimi i mbiemrave është thjesht një sadisfaksion. Megjithatë ishte një detaj që na çonte tek letërsia. Darkave pinim kafen bashkë. E humbën dikur njëri-tjetrin. Tani e rigjetën sërish këtu në fejsbuk.
4)Mirëpo e çuditshme është se pikërisht këtë periudhë, këto muaj. U shpik sërish një eksod. Tashmë jo përmes shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë. Apo e shqiptarëve në drejtim të Kosovës. Por e shtetarëve shqiptarë në dy shtetet e tyre drejt botës së madhe.
A thua tashmë kemi një armik të përbashkët, jo me tanke, jo me aeroplanë…, por me keq’qeverisje. ? Besoj se po. Fatkeqësisht.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, kohe eksodesh

SHSHA NË ÇIKAGO PËRKUJTON DITËN E HOLOKAUSTIT

April 16, 2015 by dgreca

Nga Skënder Karaçica/
SHSHA në Çikago përkujton Ditën e Holokaustit,këtë ngjarje të rëndë për orët vrastare dhe të shfarosjes së popullit hebreikë dhe të njerëzimit që ka ndodhur në shekullin XX.Me këtë rast përfaqësuesit e këtij asociacioni politiko-kombëtar i dorëzuan sot Daniel Shure,kryetarit të Lobit Hebrej në Çikago një seri të shkimeve historike si dhe disa fotografi nga Memoriali Përkujtimor në Tauk Bashqe të Prishtinës,ku rrefet koha e historisë së errët e Nazi-Fashizimit dhe hyzmetqarëve kur pushkatuan hebrejtë dhe shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.Seri të matrialeve historike me temën strehimi dhe shpetimi i hebrejve në Kosovë e Shqipëri,SHSHA-ja i ka dërguar në sirtarët e Muzeut Holokaust në Skokie të Çikago,thuhet në këtë njoftim për opinion.(INA)
Skënder Karaçica
Executive Director
Albanian-American Association
of Intellectuals Businessmen and Activists

Filed Under: Komunitet Tagged With: Karacica, PËRKUJTON DITËN E HOLOKAUSTIT, SHSHA ne Cikago

Vangjel Dule, njeriu i Mitropolitit të Konicës

April 16, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Vangjel Dule në fillim të viteve 1990, kishte kontakte të rregullta me Mitropolitin e Konicës, Sebastianin, një antishqiptar i tërbuar dhe themeluesi i organizatës ekstremiste SFEVA Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit, dhe PASIVA.
Dule ka patur takime edhe me kryetarin degës të SFEVA-Selanik, Grigori Drigoja, i cili ishte një ekstremistë që nxiste grupet e studentëve për aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Fotografia që po paraqesim është bërë në vitin 1992, dhe ka shumë mundësi të jetë bërë në Selanik, por për saktësi duhet të deklarohet nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë z.Vangjel Dule dhe për pozicionin e tij në organizatën SFEVA.

Filed Under: Komente Tagged With: metropoliti, Vangjel Dule

MADHËSHTIA DHE POROSIA UNIVERSALE E 777 HAIKUT TË POETIT XHEMIL BYTYÇI

April 16, 2015 by dgreca

ESSE NGA MAZLLUM SANEJA-Varshavë/*
Poeti ndeshet ne jetë me shumë fjalë. Poeti i vërtetë pareshtur komunikon me fjalë. Me fjalët që dëgjuaka në rrugë, në tramvaj, ngado, ku vetëm njerëzit thonë diçka, shprehin diçka dhe, ato fjalë që ndeshur ka në tekstet e moçme, në veprat shkencore. Kjo, asgjë e re, po vlen të përkujtoj se, fjala është burim kryesor dhe parimor i frymëzimit në krijimtarinë poetike.
Dhe fjala ne poetikën e Xhemilit Bytyçit ka peshën e vet, ka fuqinë domethënëse, shijen dhe saktësinë. Duke qenë i rafinuar dhe i kursyer ne fjalë,poeti ynë me sukses lëron me aq pasion dhe zell Haikun japonez, po duke e mveshur me permbajtje dhe rekuizita të tjera shqiptare, duke e bërë autentike dhe autoktone të nënqiellit tonë.
Libri me i ri i Xhemil Bytyçit ‘777 Haiku’ sjell me vete një vëllim voluminoz, i ngërthyer me motive dhe tema të nduarnduarshme, duke filluar me motive dashurie, pastaj atdhetare, refleksive, sociale, me motive peizazhi dhe duke perfunduar me përkushtime.
Libri “ 777 Haiku” hapet me të drejtë me ciklin “Motive Dashurie” ku poeti si nje artist i vërtetë do t’ i këndoj dashurisë, kësaj tematike të përjetshme të frymëzimit të poetëve. Le të lexojmë shpirtin e poetit :
2.

* * *
Në shtetin pa kufij,
Në lirinë pa kufij
Dashuria azil kërkon
Apo:
* * *
Urrejtja vdiq
Dashuria lindi
Drejt parajsës shkonim

Dhe kjo botë që e rrethon poetin është nganjëherë false, e pabesë, hipokrite dhe e pamëshirë në gjykimet e veta, e verbër dhe e shurdhër në padrejtësitë gjithëfarëshe, dhe me siguri ky imazh e tmerron poetin e ndjeshëm, po vetëm dashuria dhe besnikëria e gruas (e cila është si krijese e shenjtë për poetin) së dashur i lejon atij të mbijetoj çastet më të vështira në jetë. Ndaj, gjurmët e kësaj dashurie të thellë janë të dukshme:
* * *
Në sytë e tu magjepsës
Harrova se ishe
Muza ime në gjumë

3.Me fuqinë dhe saktësinë e fjalës poetike Xhemil Bytyçi na përkujton poetin e madh Rabindranath Tagoren. Duke lexuar më një vëmendje të veçant poezitë Haiku të këtij cikli, gjithsesi më duhet të them se simbolika e Gruas si një krijesë tejet e ndjeshme dhe subtile a nuk është për poetin një engjëll mbrojtës në përditshmërinë monotone, që / Krahët e thyer ia shëron/ poetit tonë. Lirisht mund të themi se, poeti duke i kënduar dashurisë – kësaj ndjenje sublime fisnike aludon në botën e sotme marramendëse të konsumit ku vendin e dashurise si dimension njerëzor e ka zëvendësuar pushteti i parasë dhe sferat e interesit dhe të pazarllëqeve të llojllojshme.
Ndërkaq, në ciklin vijues ‘Motive Atdhetare’ poeti i këndon lirisë së fituar me gjakun e derdhur të bijve më të vetëdishëm të kombit, se si po harrohen eksodet dhe luftërat, nëpër të cilat kaloi ky popull i shumëvuajtur, e që poeti gjithnjë më zëshëm kërkon shoqëri të pastër e dinjitoze. Sepse poeti ynë, i cili e do atdheun, Kosovën, painteres, vetveten e krahason me gurin:
* * *
Gur jam vetë
Kërkoj edhe një gur
Për qëndresë
që shpreh qëndresën dhe rezistencën e poetit, pathyeshmërinë e shpirtit të paepur të poetit të pa kompromis, i cili nuk mund të qëndrojë indiferent karshi një realiteti brutal dhe finok:

Servilët sillen rrotull
Zuzarët ishin të parët
Të gjithë marrin nga një rol

1.
2.
3. Dhe nuk ka se si të mos e ngashërej e shqetësoj lexuesin e vëmendshëm kur merr dhe lexon këto vargje eliptike, që janë si një alarm për shoqërinë tonë të korruptuar:

Ofshamjet ende s’ pushojnë
Për të zhdukurit të pagjeturit
Plagë e rëndë për Atdheun…

ashtu siç është e rëndë plaga e hapur e Çamërisë , e që shpirtin e ndjeshëm të poetit tonë gjithnjë e përpëlisin këto drama tronditëse si një gjëmë e madhe.
Pajtohem me poetin, me dëshpërimin e tij karshi realitetit që e rrethon, që është edhe dëshpërimi im si një revoltë:

Si të jetohet
Nëse ndër pllaja e yje
Mungon liria

Derisa në ‘Motive Refleksive’, poeti Xhemil Bytyçi si një vëzhgues analitik dhe kritik gjithnjë nuk pajtohet asessi me shoqërinë e korruptuar dhe çoroditëse:

Gjumi nuk blihet
As turpi nuk thuret
Arka e kohës çdo gjë ruan

Apo:

Nga betimi i Hipokratit
Shumë mjekë sot
Në hipokritë u shndërruan
5. A thua nuk është ky zë si një akuzë kundruall realitetit brutal, kundruall një shoqërie çfarë është shoqëria jonë si një hapësirë e shthurur, ku fare nuk njihen vlerat me sublime njerëzore, ku gjithnjë më shumë po fundoset sistemi i vlerave njerëzore. Dhe poeti ynë, (i cili përkah profesioni është mjek – urolog me zulmë në tërë hapësirën shqiptare)i cili mëkot kërkon një shoqëri të pastër dhe dinjitoze, i cili gjithnjë me ngulm dëshiron të vë dialog me të Mirën, me të Bukurën, me Njerëzoren si një diskurs njerëzor dhe poetik. Dhe, më në fund e justifikoj me të drejtë dëshpërimin e poetit dhe të mjekut humanist Xhemil Bytyçi, i cili si një mjek me një ndjeshmëri dhe empati të madhe njerëzore është i ndjeshëm karshi vlimit më të prekshëm njerëzor :

***
Elegji dimri
Bardhësi e ftohtë
Qirinjtë me lot të ngrirë
Poeti ynë Xhemil Bytyçi, i cili shquhet në mënyrë të veçant për mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë në raport me botën që e rrethon, ai asnjëherë nuk qëndron indiferent karshi botës se të varfërve dhe skamnorëve të pastrehë:

***
Jam njeri i lirë
Jam njeri i varfër
Çka të bëj me këtë liri

(Cikli: Motive Sociale)
1.
2. Duke lexuar me vëmendje këtë vjershë më përkujton poetin tonë të madh, Fatos Arapin dhe poezinë e tij emblematike
3. ‘S’ ia vlen të trishtosh zemrën tënd’ kur shkruan për vëllain e tij të vrarë Vllasin.
Ai vargu i tij ‘Pastaj ç’do të bëjmë me lirinë?’, lirinë e nëpërkëmbur të njeriut të ndershëm. Sa bukur njëjtësohen të dy poetët tanë Arapi dhe Bytyçi, kur këndojnë për vegjëlinë e shkelur nga sistemi i ashtuquajtur shoqëror, i pa superstrukturë shoqërore. Ajme për ne!
Ndërkaq, në ‘Motive Peizazhi’ shfaqet ai shpirti lirik dhe subtil i poetit, i cili gjithnje anon kah harmonia:

* * *
Era me puhizë
Vizatonte portretin
Bukuri e paskajshme

Apo:
* * *
Hënëzo, moj hënëzo
Gjithçka në natyrë zbukuro
Gjumë të ëmbël na dhuro
Këtu shihet ajo kredoja e poetit humanist që në botë të mbretërojë dashuria dhe harmonia mes popujve, mesazh ky aq i rëndësishëm dhe me vlerë kur na vjen nga një poet, që është një mjek i njohur sui generis gjithandej në botë.
Dhe kapitulli i fundit i kësaj vepre të shkëlqyer me ‘777 Haiku’
pason me ‘Përkushtime’ që iu bën figurave të ndritshme të Kombit tonë çfarë janë Nënë Tereza, Mic Sokoli, Bekim Fehmiu, Martirëve te UÇK-së, Fehmi Aganit, Triumf Rizës, Trungut të vet familjar, e duke mos harruar edhe Ewa Lipsken, të cilën e krahason me /flutur kohe/me valë jete/dritë shkëlqesie/.
7.

Dhe, në fund poeti Xhemil Bytyçi i kushton një cikël të veçant bardit tonë kombëtar, Ali Podrimjes, të cilit do t’i ngre një himn panegjirik, duke e krahasuar herë me Prometeun e herë me Homerin, po megjithatë bardi ynë i mbeti besnik Atdheut :

* * *

Ishe luleshqerre, luleguri
I shkëmbinjve të Kosovës
Atdheut shpirtin ia dhurove
Sepse:
* * *

Në maje të Shkëlzenit atje lart
Emrin tënd natyra shkroi
Zot o Zot sa lart fati të çoi

Si përfundim mund të theksojmë libri më i ri ‘777 Haiku’ i poetit Xhemil Bytyçi sjell një intonacion dhe ndjeshmëri të fuqishme në të shkruarit e Haiku-t , duke i dhënë një ngjyrë dhe dritë të re, në udhëtimin e tij poetik. Dhe, zatën ky lloj i veçant poezie eliptike e begaton dhe e shpie mëtej poezinë moderne shqipe.
Varshavë,
Prill 2015
*( Xhemil Bytyçi: ‘777 HAIKU – Shtigjeve të Shpirtit’
Ars Albanica, Prishtinë,2014 ).

Filed Under: ESSE Tagged With: 777 Haiku, Mazllem Seneja, Xhemil Bytyci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT