• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

Shërbimi sekret i bllokut rusë fitimtar në betejën e Kumanovës!

May 24, 2015 by dgreca

Cili gazë do ngrohë Evropën? Gazi Rusë, apo Azerbajxhanas!/
Nga Ramiz Selimi/
Rusia dhe Turqia partnere në furnizimin e BE-s me gazin Rusë! Ky gaz ka një çmim më të lartë se sa ai Azerbajxhanas. Të gjithë treguesit thonë se lufta e Kumanovës ishte lufte e shërbimeve sekrete.
Maqedonia me sa duket evoluon në një vend të ri për luftën e energjisë mes SHBA-ve dhe Rusisë. Sipas të gjithë ekspertëve ekonomik dhe politik në Maqedoni fuqitë e mëdha po luftojnë për të fituar Tregun Energjetik me gaz. Për shkak të problemeve të pazgjidhura etnike në këto hapësira, këtë vend fuqitë e mëdha e shohin si çelës për depërtimin e gazit të tyre në Evropë.
Pushteti aktual në Maqedoni është luajal dhe thellë i lidhur me Rusinë. Jo vetëm për Kremlinin, por edhe për shumë vende tjera është e qartë se SHBA-ja dëshiron ta përmbysë qeverinë e tanishme në mënyrë që të krijojë një qeveri pro-perëndimore.
Turqia në këtë treg me gaz luan rrol të rëndësishëm, pasi ajo ka arritur marrëveshje me Rusinë, që gazi rusë përmes tubacionit të rrjedhës turke ta furnizojë Evropën. Prandaj Turqia është jashtëzakonisht e përmbajtur kur janë në pyetje problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Rusia me gazin e saj dhe Turqia me tubacionin e saj janë në anën e Gruevskit dhe ato duan që projekti i tyre të realizohet.
Në fakt, kryeministri Nikolla Gruevski është konsideruar politikan nacionalist dhe pro-rus i cili kryesisht mbështet ndërtimin e tubacionit turk në vendin e tij. Gazi Rusë është planifikuar të kalojë përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë në Evropën Qendrore.
Por, Amerikanët duan medoemos ta pengojnë realizimin e këtij plani Rusë. SHBA-t dëshirojnë të ndërtojnë tubacionin e tyre të gazit që quhet Trans Adriatik (TAP), ku do të furnizonte Evropën me gaz nga Azerbajxhani. Atëherë SHBA-ja do të kishte një ndikim të madh kontrollues mbi furnizimet me gaz mbi tërë Evropën, sepse Azerbajxhani politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht konsiderohet si aleat i ngushtë SHBA-s dhe i cili bashkëpunon me NATO-n. Qëllimi përfundimtar i SHBA-ve është të largojë kompanitë ruse të energjisë nga tregu Evropianë.

Shërbimi sekret i bllokut rusë fitimtarë në betejën e Kumanovës!

Pasi qeveria aktuale nga Maqedonia është pro Ruse, SHBA-t dhe Perëndimi të vetmen shpresë për të bërë ndryshime në ketë shtet e kanë të Zaevi dhe Shqiptarët. Interesi i tyre është që Maqedonia të ndryshojë kurs për 180°! Grupi i luftëtarëve nga Kosova me përvojë luftarake ishin të vetmit që mund e destabilizonin Maqedoninë, pasi ata këtë e kanë vërtetuar në vitin 2001.
Amerikanët përmes njerëzve të tyre në Kosovë ishin të sigurt se çdo gjë e kanë ndër kontroll, por në realitet ata gabuan pasi partneri i tyre kosovarë, besonte se çdo gjë është si në vitin 2001. Shumë nga luftëtarët e 2001-s në Maqedoni kishin ndryshuar mendim dhe kurs, kurse luftëtarët e idealit nga Kosova nuk e kanë kalkuluar këtë mundësi.
Nuk është se grupi i armatosur i shqiptarëve në Kumanovë është organizuar në mënyrë spontane. Djemtë më të mirë nga luftërat e fundit, morën sinjale edhe nga shërbimet sekrete perëndimore, për një organizim të mundshëm kundër pushtetit të Gruevskit. Organizatori nga Kosova është treguar amator, të cilit i ka humbur rruga në oborr. Ai jo vetëm që nuk ka verifikuar kandidatët dhe situatën në Maqedoni, por më shumë ka qenë i interesuar për përfitime të cilës do formë të jenë ato, i dërgojë djemtë në vdekje të sigurt.
Njëkohësisht edhe shërbimet sekrete të bllokut Rusë, si shërbimi sekret i Maqedonisë dhe ai i Serbisë u aktivizuan 24 orë për të ju kundërvu qëllimeve amerikane dhe në anën tjetër për të përfituar nga ndonjë konflikt i mundshëm etnik në realizimin e qëllimeve të tyre territoriale. Ata u futen edhe me thellë duke depërtuar në radhët e luftëtarëve të vitit 2001. Sa do i mirë që të ketë qenë qëllimi i luftëtarëve kosovarë, shërbimi sekret i bllokut rusë doli fitimtarë nga beteja e Kumanovës. Së pari u eliminuan luftëtarët më të mirë të shqiptarëve, që është një humbje e madhe edhe në anën morale! Arritën që një pjesë të maqedonasve të pavendosur ta bëjnë për vete dhe kundër shqiptarëve e perëndimit, si dhe paraqiten Kosovën si de stabilizuese të rajonit, sidomos ky bllok rusë po i fryn shumë teorisë së “Shqipërisë së Madhe”. Pozitive nga këndi i shqiptarëve është se lufta e Kumanovës tregoj se sa e lehtë është të ndezët një luftë në Ballkan, në një vend ku nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe i tregoj qartë faktorit ndërkombëtar se marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: gazjelllsi, Kumanova, sherbimi sekret rus

Elhaida dhe fryma e entuziazmit

May 24, 2015 by dgreca

…Sukses është t’i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh. 
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq./
Shkruan:Ilir Levonja/
Në gjithë këto ditë webi i Eurovisionit thuajse u bombardua nga entuziazmi i shqiptarëve. Kurse nga mbrëmë në darkë, sot e në vazhdim, britma ka një fytyrë. Kërkesa e llogarisë. Ku është vota ime? Politikë, jo festival. Euroracizëm etj.
1)Në fund vitin që iku Elhaida fitoi në festivalin tradicional të Shqipërisë. Me të mirat dhe të këqijat. Me historinë e minuseve dhe pluseve, ai është. Ai të çon në Eurovision song. Apo në festivalin e këngës europiane. Një festival që e organizon radiotelevizioni shqiptar. Ai që në një përthyerje gjinie, në historinë e Shqipërisë, i ngjan një gruaje që të gjithë i thërrasin kurvë. Dhe në një vit apo një tjetër martohen me ‘të. Ndofta me qëllimin e mire që t’ia heqin këtë nam. Por që shpejt kurvëzohen më keq se kjo grua e përçudnuar. Dhe a e dini pse. Sepse aty vlon vetëm tarafi i mikut. Dhe ne jemi kampionët e zëvendësimit të aftësisë me miqësinë. Me marifete të tilla.
Kështu mbaj mend se u përfol edhe atëhere. Kënga fituese. Elhaida vet… Kështu është përfolur çdo vit, fituesi aty. Pasi ne, për rrjedhojë të kësaj fryme, nuk mësuam kurrë të urojmë. Por forcuam përfoljen.
Madje nisur nga parajsa e kësaj fryme, pati edhe aq shumë insinuata, denigrime. Sa cilado qoftë arsyeja e tërheqjes së këngës fituese nga autori, për mospjesëmarrje në festivalin europian, është rezultat i kësaj zallamahie. 
Pra rrugëtimi i Elhaidës për në Europë nisi me një ekuivok të tipit shqiptar. Elhaida shkoi aty jo me këngën fituese, por një tjetër këngë. Edhe sikur kriteret të mos jenë cënuar aspak. Eshtë cënuar morali eterik i suksesit. Tradita apo historiku i një një institucioni të cilin veç ne shqiptarët dimë si ta shtypim, shtrydhim, përdorim, shesim, vjedhim, burgosim etj.
2)Në mes të kësaj fushate fyerjesh në murin e festivalit nuk mungon as Italia, Greqia etj. Votat e Maqedonisë po përfliten si të dyshimta. Gjithsesi. Vetëm ne shqiptarët nuk kemi të drejtë t’i vërsulemi me mosmirënjohje, të paktën Italisë. Nuk kemi përse habitemi nga zeroja e pikëve prej Italisë. Asesi Elhaida. Italia është vendi promotor i yni. Na dha skenën më prestigjoze të saj. Na dha suportin e vyer të emrave që janë koha e artë e kulturës së saj. Ne kurrë nuk e bëm këtë. Edhe pse duket sikur po japim shenja në festkëngësh si ai Klanit, X factor Albania. Prapë nuk kemi vullnetin e artistëve italianë. Do i themi bravo pjesëmarrësve, por fituesin do e nxjerrim nga vetja. Nga miku, nga miqësia. Ne jemi atdheu artistik i miqve. I institucioneve të miqve. Jo i adhuruesve, shikuesve, tregut etj. Ne dhe epokat, dhe zhanret artistike i shpikim për hatër të miqve. Jo të kohës, me kohën, apo të suksesit të një individi. Suksesi tek ne kalon nëpër egon miqësi.
Po kështu nuk ndodh në Itali. Ndaj dhe rezultati i pikëve qe zero.
3)Nga janari ne pamë të gjithë se si Elhaida, i preu entuziazmin e dy gishtave ish krytares së kuvendit, zonjës Topalli. Më pas deklaroi se unë jam këngëtare dhe nuk dua që politika të përzihet në suksesin tim. Shumë mire bëri. Megjithëse ia kaloi, frymës së politikës, entuziazmit elektoral politik shqiptar. Karshi realitetit të mjerë.
Si artiste, derisa krijuesi i këngës u tërhoq, duhej të ishte tërhequr edhe interpretuesja. Nuk e bëri. Veproi më keq se një politikane.
Kësisoj la veten të përdorej edhe nga sektorët politikë të pushtetit, bashkë me tepërtinë e përdorimit të frymës së nacionalizmit. Kur është koha e globalizmit.
4)Shqiptarëve. Me dashamirësi. Duhet të mësohemi se suksesi nuk është domosdoshmërisht vendi i pare. Eshtë edhe pjesëmarrja. Ndaj quhet festival. Pasi aty shkojnë më të mirët. Dhe midis më të mirëve nuk arrihet suksesi me entuziazëm. Me simbolet e Shqiponjës, me Shqipërinë e madhe. Me atë flamurin e zi si nga Pakistani. Që po ia marrim shpirtin edhe bacës Isa, edhe Ismailit duke e pretenduar si flamurin e Shqipërisë së madhe. Flamuri i ynë është thjesht i kuq. Dhe Shqipëria është Shqipëri atje ku gjithkush ndihet shqiptar. Nuk kapet suksesi me akuza për rracizëm ndaj atyre vendeve që u kemi thyer dyert. Që na kanë strehuar. Po na japin punë, edukim etj. 
Me platformat e miqësisë shqiptare. Të miqve virtualë në kafenetë pranë radiotelevizionit. Jo miqve artistikë të tipit sukses. Të atyre që mbushin stadiumet, Që ngren skena këngësh në sheshet e kryqyteteve të botës.
Jo në fushata elektorale etj.
Dhe e gjykuar më thjesht kënga nuk ishte ndonjë wow siç thonë edhe të rinjtë sot. Ishte thjesht një këngë e interpretuar normal. Nuk ishte një prurje wow. 
Sukses është t’i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh. 
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elhaida dhe fryma e, entuziazmit, Ilir Levonja

OSCAR ROMERO (1917 – 1980), Martir i lirisë dhe demokracisë

May 24, 2015 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/
“Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”-(Mt 5, 11-12)/
“Nuk është e përndjekur Kisha, por populli. Meqë është Kisha në anën e popullit, edhe populli në anën e Kishës, ajo është pjesë e përndjekur me popull… Unë e di se lufta e popullit tonë është puna e së vërtetës dhe drejtësisë, edhe pse më urrejnë shumë në vendin tim për shkak se i mbroj të varfëritë dhe nëpërkëmburit… Pozita ime baritore më detyron të jem solidar me të gjithë ata që vuajnë, të mbështes çdo përpjekje drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor… Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa jeta njerëzor… Pashkët janë thirrje e fitores. Askush nuk do të mund të shuajë atë jetë të cilën e ringjalli Krishti, dhe se askurrë nuk do të mund të ngadhënjejnë vdekja dhe urrejtja: Krishti është ngadhënjimtar!”
Oscar Romero/
Oscar Arnulfo Romero u lind më 15 gusht 1917 në Ciudad Barrios, vend i vogël në Salvador, afër kufirit me Hondurasin. Familja e tij ishte e varfër dhe jetonte nga puna modeste e të atit; pranë shtëpisë së tyre të vogël kishin pakë tokë dhe bagëti. Me siguri se edhe Oscar do të vazhdonte traditën familjare, mirëpo ishte me shëndet të lig, i paralizuar qysh kur kishte vetëm shtatë muaj. I ati ishte telegrafist, kurse e ëma amvise. Osckari i vogël gati se në gjithçka trashëgoi të atin e vet në punë, mësoi të shkrim-leximin, të luante me flaut, ishte i mahnitur pas teknologjisë telefonike.
Nuk dihet pse dhe si hyri në seminar. Disa thonë se për këtë vendosën bashkëvendësit e tij, për të pasur mundësi ai të bëhet meshtar i tyre vendor. Të tjerët thonë se pranë dëshirës së prindërve dhe vendasve, edhe ai vet dëshironte të bëhej meshtar, gjithsesi i shtyrë edhe nga rrethanat e jetës dhe sëmundja… Një gjë është e sigurt: Zoti është shërbye me këto apo rrethana të ngjashme dhe e solli që t’i shërbejë. Shpenzimet e seminarit ishin të mëdha, kurse i ati nuk ishte në gjendje këto t’i paguajë. Për këtë Oscar ishte i detyruar të braktisë seminarin pas një kohe të caktuar, e të punoj si minator, me këtë t’i ndihmojë familjes, por edhe vetvetes. Puna e minatorit ishte shumë e rëndë dhe mjaft e rrezikshme. I riu Oscar, mendonte gjithnjë dhe e ëndërronte seminarin, mësimin, lutjen, meditimin dhe pikërisht shkaku i kësaj ishte mjaft i lënduar, pak edhe i dëshpëruar në jetë. Koha kalonte dalngadal dhe në monotoni…
Edhe kjo gjendje fatbardhësisht përfundoi mirë. Rektori i seminarit San Migueli kishte mirëkuptim dhe mëshirë ndaj familjes Romero, kështu që lejoi kthimin e Oscarit në seminar edhe atë pa pagesë. I riu ishte i lumtur me këtë shenjë të mirësisë, dashurisë dhe bamirësisë. Që të kthente disi këtë dashamirësi, ishte i angazhuar thellësisht në jetën e përshpirtërisë, në lutje, në mësim dhe ndryshim të sjelljes, në gjithçka. Ishte i gjithanshëm: luante në piano, shkruante poezi, lexonte, mësonte, organizonte jetën kulturore, ishte shumë i gjallë dhe i lumtur. Më në fund gjeti veten dhe thirrjen e tij të vërtetë!
Pikërisht kjo gjallëri intelektuale, sjellja e mirë shpirtërore dhe materiale në seminar, ishin “vizë” për studime në Romë. Banoi në institutin Latino-amerikan të cilin e drejtonin etërit jezuitë, kurse studionte në Gregorian. Roma do t’ia hapë edhe më tepër mendjen dhe zemrën dhe do t’i ofrojë përvojën e jetesës së përditshme të katolicizmit. Studenti i ri i teologjisë Oscar ishte tejet i lumtur, i dhënë pas studimeve dhe jetës shpirtërore, me plot përgjegjësi, thuajse gati edhe më tepër se moshatarët e tij. Në veçanti ishte i mahnitur me studimin e historisë së Kishës së San Salvadorit dhe i dashuruar në një mënyrë në thirrjen meshtarake.

“UNË JAM MESHTAR PËR VUAJTJE DHE
PARAQITJE”

Lufta e Dytë Botërore nuk e kurseu as Romën. Gjatë Luftës më 4 gusht 1942 Oscar Romero realizon ëndrrën jetësore, bëhet meshtar i Kishës së Krishtit. Ja si e mendoi meshtarinë i riu, Don Oscar Romero: “Të jesh meshtar do të thotë para të gjithave të ndash kryqin e Krishtit dhe vuajtjen me popullin e Zotit… Vuajtja është sikur hija e duarve të Zotit e cila bekon dhe falë. Për këtë dhembja bashkon, i bënë njerëzit mes veti solidarë dhe i afron te Zoti… Unë jam meshtar për vuajtje dhe paraqitjen e jetës sime Zotit, Kishës, popullit, të gjithëve, edhe atë me dashuri…”
Me plotë zell apostolike, me njohurive dhe përgatitje të mirë filozofiko-teologjike, por edhe më tepër i pasuruar shpirtërisht, Don Oscar Romero kthehet në atdheun e vet. Gjendja në Salvador ishte shumë e ndërlikuar dhe tendosur me regjimin diktatorial të Fulgencie Batisste-s. Në vend të mirëseardhjes, Don Romero dhe një mik i tij po ashtu meshtar me të cilin udhëtoi, qenë të burgosur si kinse spiunë, dhe vetëm pas shumë mundimeve, nënçmimeve dhe ndërmjetësive qenë liruar. Ndeshja e parë me realitetin e atdheut ishte shumë e mundimshme dhe e rëndë. Kryqi nuk do t’i mungojë asnjëherë.
Don Romero u emërua shpirtëror ndihmës dhe sekretar personal i ipeshkvit, derisa miku i tij u emërua vikar gjeneral i ipeshkvisë. Me jetën dhe fjalët e tij publike, zemrën e tij të madhe dhe bujare, shumë shpejt fiton besimin e ipeshkvit, të klerit, të popullit, në një mënyrë bëhet apostull i të përvuajturve, të varfërve, mik dhe vëlla i të vuajturve.
Gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit, Don Oscar Romero është emëruar monsinjor dhe sekretar i Konferencës Ipeshkvore të Salvadorit. Kjo emërim e detyroi ta braktiste San Miguelin, ipeshkvin e tij, punën pastorale, në veçanti me rini dhe me familje. Më nuk ishte i ri, kishte 50 vjet, me plotë përvoja, por shëndet jo të mirë, megjithatë duke mos u kursyer asnjëherë. Në rrethin dhe detyrën e re erdhi në shprehje saktësia e tij në punë, këmbëngulësia në ndërmarrje katekistiko-pastorale, idetë e thella në mësimdhënie, përzemërsia dhe sinqeriteti i komunikimit me të gjithë.
Pas tre vjet pune (1970) është emëruar edhe Sekretar Gjeneral i Konferencës Ipeshkvore të Amerikës së Mesme, një obligim dhe detyrë e rëndësishme dhe e lartë. Mirëpo, ai edhe me këtë emërim nuk e “humbë kokën”, porse edhe më tutje mbeti krejt i thjeshtë, përvuajtur, i bindur se është i ftuar të shërbente në dashuri dhe nga dashuria në kërkim të së mirës së përgjithshme.

LUFTËRAT SHOQËRORE

Kush është në të vërtetë Oscar Arnulfo Romero? Çfarë në të vërtet do të thoshte për te të jesh ipeshkëv dhe bari i Kishës Katolike në Salvador, pas Koncilit të Dytë të Vatikanit, atje ku mbretëronte varfëria, padrejtësia, diskriminimi, diktatura, vrasjet dhe shfrytëzimi i popullatës. Përse dhe kush e vrau në altar? Çfarë na mbetet sot nga jeta, mësimi dhe martirizimi i tij? Pse fliste, besoi dhe mësoi: “Vuajtja e skamnorëve është vuajtja e vet Krishtit”? Përse ishte në anën e të vegjëlve, të shtypurve, të shkelurve, edhe pse e dinte se kjo është shumë e rrezikshme?
Përzgjedhja dhe përcaktimi i tij ishin të pashmangshme, çështje ndërgjegjeje, edhe më tepër pyetje e fesë, bindjes, jetës, dëshmisë së krishterë. Ky përcaktimi i guximshëm do e sjell deri te martirizimi, do e bëjë bashkëpjesëmarrës të vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit.
Selia e Shenjt njeh në mons. Oscar Romero-n njeriun e vlefshëm të Kishës dhe për këtë e emëron ipeshkëv ndihmës të San Salvadorit. Rrethanat shoqëroro-politike janë tepër të komplikuara dhe rrezikshme, ato kishtare të pasigurta, të ndara në dy rryma apo drejtime: njëra pro-shtetërore, tjetra popullore, me këtë anti-shtetërore.
Ipeshkvi i ri, është ende i pavendosur, mendon, mediton, lutet, do të dëshironte të këshillohej me të gjithë, të njohë sa më mirë realitetin, për të pasur mundësi që më mirë dhe lehtë të përcaktohet për qëndrim të drejtë dhe ungjillor. Disa shohin rrezik vetëm nga e majta, nga komunizmi, kurse të tjerët vetëm nga e djathta – diktatura e pasanikëve, të cilët e konsideronin veten të krishterë, mirëpo, fatkeqësisht nuk ishin të tillë edhe me jetë.
Në vitin 1974 Mons. Romero është emëruar ipeshkëv rezidencial në Santiago de Maria, qytet dhe ipeshkvi në periferi. Menjëherë filloi me vizita baritore, që për së afërmi dhe për së drejti të njihet me nevojat e popullit, me botën e varfër, me mungesën e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, drejtësisë, shkollimit, kulturës, me të gjitha. Shpeshherë thoshte: “Kjo qeveri nuk ka asgjë të mirë, përpos vuajtjes dhe durimit, besimit për një të ardhme më të mirë.”
Kleri në pjesën më të madhe është me popullin dhe për këtë përjeton përndjekje të rënda diktatoriale. Përndjekjet dhe vrasjet janë gjithnjë e më të shpeshta. Pesë besimtarë janë të prerë nga grupet ushtarako-policore kombëtare në njërën nga famullitë e tij. Mons. Romero proteston ashpër kundër kësaj vepre të tmerrshme, kërkon drejtësi për të gjithë; ai nuk u ndal me kaq, por bëri edhe një hap më tutje, sulmoi dhe fajësoi regjimin totalitar i cili ngufatë lirinë e popullit. Edhe më shpesh vizitonte famullitë e tija, kremtonte me popull eukaristinë, predikonte fjalën e Hyjit, kërkonte dhe lutej vazhdimisht për liri, trimëronte popullin…

ARQIPESHKËV I MADH PËR SAN SALVADORIN

Në vitin 1977 Vatikani e emëron arqipeshkëv të kryeqytetit San Salvador, në befasi të të gjithëve, e në veçanti të pushtetit. Përgjegjësia ishte e madhe, shkaku i gjendjes politike e cila u krijua me vite të tëra. Dora e fortë dhe e rëndë diktaturiale nuk e kursente më askënd, po as njerëzit kishtarë e institucionet. Arqipeshkvi tashmë ishte në anën e popullit, me ta ndanë fatin.
Policia së shpejti reagoi dhe e “demaskoi vetveten” me vrasjen e atë Rutili Grande, mikun dhe bashkëpunëtorin shumëvjeçar të mons. Romero-s. Atë Rutili ishte njëri ndër meshtarët më aktiv dhe i dhënë në pastoralin e të rinjve dhe në mbrojtje të lirive të të varfërve. Ishte përcaktuar për parimet ungjillore: të jesh me Krishtin dhe popullin e Zotit deri në vdekje!
Mons. Romero, ishte i goditur thellë, i pikëlluar, i shqetësuar, ndjehej i provokuar të ndërmerrte diçka. Menjëherë protestoi kundër kësaj vepre të keqe dhe kriminale, kërkoi vendosmërisht zbardhjen deri në fund të këtij rasti, i përjashtoi nga Kisha Katolike vrastarët, caktoi tri ditë pikëllimi dhe urate për argijpeshkvinë e tij, udhëhoqi personalisht ceremonitë e varrimit, vendosi për ndërprerje të të gjitha marrëdhënieve me pushtetin deri sa mos të zbulohet dhe dënohet vrastari dhe vrastarët!
Mirëpo, edhe qeveria zyrtare kishte marrë qëndrim të fortë, edhe më tepër përndjekje Kishën, kërcënonte dhe paralajmëronte hakmarrje të reja…
Mons. Oscar Romero udhëton për në Romë dhe paraqet në hollësi gjendjen e rëndë të Kishës në San Salvador. Papa Pali VI e inkurajoi që të vazhdojë rrugën e nisur në mbrojtje të lirisë, derisa institucionet tjera vatikanase ishin pakë më të rezervuara, të shqetësuara për jetën e arqipeshkvit, si dhe për shkak të qëndrimit të ngarkuar dhe të “egër” mes Kishës dhe shteti, kështu që e këshillonin për kujdes më të madh dhe maturi.
Pas një kohe të shkurtër vritet edhe një meshtar dioqezian, Don Alfonso Navaro, në moshë 35 vjeçare, mik dhe mbrojtës i të varfërve. Vdiq si martir i madh i krishterimit, duke iu falur dhe lutur për vrastarët e tij.
Në homilinë e varrimit Mons. Romero ndër të tjera tha: “Ne këtu jemi Kishë e gjallë e cila sjell shpëtimin e njeriut jo vetëm pas vdekjes, por edhe këtu në këtë tokë… Duhet të luftojmë për një shoqëri më humane, kundër dhunës, kundër të këqijave…”
Në angazhimet baritore ai ishte gjithnjë e më i guximshëm, ungjillor, i themeluar në të vërtetën dhe dashurinë, në shërbim. Ja dëshmia e tij mbi Kishën: “Kisha nuk është e lidhur për ndonjë parti apo organizata tjera politike… Pikërisht për atë se është e interesuar për të mira e përgjithshme e njeriut, publikon vlerësimin e gjendjes së vendit, dhe për këtë kërkon mbrojtjen e të drejtave të njeriut… Kisha është renditur në anën e atyre që vuajnë, sepse dëshiron t’ju shërbejë të gjithëve, kështu që nga historia e tyre të arrijnë te historia e shëlbimi… Kjo nuk është marrja me politikë, por ndërtimi i Kishës, përmbushja e detyrave kishtare me fuqinë e identitetit saj… Kisha lufton kundër mëkatit dhe kjo shoqëri duhet dëgjuar mësimin e saj dhe të kthehet për të pasur mundësi të jetë e atillë çfarë kërkon Hyji. Kisha në Salvador është e përkushtuar në mbrojtje të varfërve dhe krenohet me atë që ‘përziu’ gjakun e meshtarëve, katehistëve dhe bashkësive të saj me gjakun e popullit të masakruar, dhe krenohet që ishte gjithmonë e përndjekur: dhe pikërisht për këtë ajo pengon dhe atë e diskreditojnë, nuk dëgjohet zëri i saj i cili qorton kundër padrejtësive…”

ME POPULLIN DREJT LIRISË

Mons. Oscar Romero gjithë e më shumë bashkohet dhe identifikohet me popullin, apo siç kishte dëshirë të thoshte, “me njerëzit e mi”, që t’i udhëhiqte drejt lirisë së vërtetë. E keqja, pushteti, pasuria, dhuna ishin shumë mirë të organizuara dhe të institucionalizuara sikur pushtet apo shtet, një grusht njerëzish që doemos dëshironin për çdo çmim të zotërojnë mbi të gjithë. Ai së bashku me Mons. Rivera Damas-in botërisht e kundërshton pushtetin dhe mundohet të shpëtonte atë që ende mund të shpëtohet. Në vitin 1978 në gjashtë pikë prezanton politikën e cila do të ishte më tepër në shërbim të qytetarëve: pluralizmi politik, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe të lira, nderimi i të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërprerja e urrejtjes dhe persekutimin nga ana e diktaturës, amnistinë për të gjithë të burgosurit politik.
Në ndërkohë, pas vdekjes së befasishme të papës Gjon Palit I ishte zgjedhur papa i ri Gjon Pali II, kardinal nga Polonia komuniste.
Mons. Romero pak ishte i shqetësuar, por prapë pati besim në zgjidhjen e Shpirtit Shenjt. Salvadori, dhe gati se e gjithë Amerika Jugore, atëherë jetonin në kushte mjaft specifike, në frikë nga diktaturat e majta, kumunizmi, derisa në të vërtetë ishin nën diktaturat e rrepta të djathtistëve, të cilat me fjalë paraqiteshin si të krishtera, por me jetë dhe qëndrime ishin tërësisht tjetër. Papa Sllav i njehte shumë mirë dhe personalisht rreziqet nga komunizmi dhe ateizmi shtetëror, mirëpo do duhej të kishte njohuri edhe për varfërinë dhe shfrytëzimin e popullit nga ana e djathtistëve. Pas disa ditëve Mons. Romero i shkroi një letër të gjatë dhe konfidenciale Papës Gjon Palit II mbi gjendjen e Kishës dhe popullit në Salvador.
Papa Gjon Pali II i jep mbështetje të plotë pranisë së Kishës në Amerikën Latine. Në Pueblo më 27 janar 1979 kryeson Konferencën Gjenerale Ipeshkvore të Amerikës Latine, si vazhdimësi e Medellinë-s, por edhe si risi dhe angazhim i Kishës rreth pyetjeve shoqërore.
Martirizimi i Kishës dhe popullit në Salvador vazhdonte. Mons. Romero në paraqitjen publike para Papës dhe ipeshkvijve të Amerikës Latine, para gjithë botës, ashpër dënoi diktaturën ushtarake dhe veprat e këqijat të saja.
Në një rast tha: “Kush e di pse, mirëpo fatkeqësisht është ashtu: fati im është të mbledh ‘frytet’ e dhunës, trupat e vdekur. Fat i tmershëm, të bartësh në supe barrën e tërë popullit, për çdo ditë të shikosh-jetosh-dëgjosh vetëm rrëfime mbi dhunën, vrasjet, vetëm të ngushëllosh, në pamundësi që të ndërrosh e përmirësosh asgjë!”
Ja dëshmia e çmuar e Mons. Romeros: “Krishterimi është Person i cili më do aq shumë dhe kërkon edhe dashurinë time. Krishterimi është Krishti… Dashuria është përmbledhja e të gjitha ligjeve. Dashuria plotëson të gjitha detyrimet e njeriut…unë e di që ka shumë njerëz që në momentin e tundimit janë frikacakë dhe ikin. Edhe unë frikohem, por jo prej vdekjes, persekutimit, por kam frikë mos ta tradhtojë fenë time, dërgimin tim, Kishën time, popullin tim, mos të dështoj fundi i fundit Zotin dhe dashurinë e tij të madhe… Çdo meshtar që është vrarë, i cili ka vdekur me vdekje martire, gjithmonë është i pranishëm në mendjen, në zemrën time, e në veçanti gjatë kremtimit të Eukaristisë. Ata janë inkurajim, sepse ditën të vdesin pa patur frikë… Ajo e cila nuk kalon askurrë, është dashuria… Në fund të jetës sate do të gjykohesh në saje të dashurisë…”

“TË GJITHA I LËSHOJ NË DUAR TË ZOTIT”

Arqipeshkvi Oscar Romero gjithë e më shumë ishte i vetmuar dhe braktisur nga të tjerët, mirëpo ka qenë në “shoqëri të mirë” me Jezusin i cili vuan dhe vdes në kryq. Në këto kushte udhëton për në Romë, në Louvain, pastaj në Bruksel, në Paris…Dëshironte të fliste edhe njëherë, t’ju dëshmonte të gjithëve vuajtjen e Krishtit në popullin e tij. Gjithkund ishte i pranuar me nderime dhe popullaritet. Kjo vetëm sa ia shtonte dhembjen e tij që “gati askush nuk po bënë asgjë për 5 milionë salvadorianë, që të kenë mundësi disi të dalin nga ky ferr i padrejtësisë…”.
Në një predikim disa ditë para vdekjes ai ndër të tjera tha: “I krishteri gjithmonë duhet të besojë, e të besosh në të vërtetë do të thotë të shpresosh. Ne kemi bërë disa përpjekje që të përmirësohet shoqëria, që të largohen padrejtësisë… Me siguri se Zoti do të shpërblen çdo përpjekje në këtë drejtimi. Ka ende shumë punë. Të gjitha i lëshoj në duar të Zotit!”
Në prag të festës së Lajmërimit, më 24 mars 1980 arqipeshkvi Oscar Romero u përgatiste për kremtimin eukaristike në kapelën e spitalit. Ishte lutja e Mbrëmsorjes dhe mesha private, ku vijnë aty këtu ndonjë besimtar nga populli. Arqipeshkvi mbajti një predikim të shkurtër, ku ndër të tjera tha edhe këtë: “Askush nuk është përjetësisht i fuqishëm… Sipas besimit katolik e dimë se këtë moment buka do të shndërrohet në Trupin e Zotit tonë, i cili paraqitet për shëlbimin e botës, dhe vera në këtë kelk në Gjakune Tij, i cili qe çmim i shpëtimit tonë…”
Me flijen e Krishtit ka bashkuar edhe ai jetën dhe vdekjen e tij. Nga dora armiqësore arriti plumbi i cili e goditi dhe rrëzoi për toke, të mbuluar në gjak, pranë altarit, gjatë meshës. Ishte ky akti i fundit i dashurisë për Martirin e Amshuar – Jezusin, për Kishën e tij, për popullin e Zotit, për shërbim në dashuri, për falje dhe drejtësi.
U ndal së rrahuri zemra e tij, mbylli sytë, gojën, veshët, u ftoh dhe iu ngurtësuan duart, këmbët… Mirëpo, gjaku i derdhur, jeta e flijuar gjithnjë flasin dhe dëshmojnë edhe më fortë, paralajmërojnë , thërrasin, inkurajojnë dhe presin përgjigjen tonë…
Mons. Romero thoshte kështu: “Unë nuk dëshiroj të jam as ‘për’ e as ‘kundër’: thjeshtë dëshiroj të jam ndërtues i kësaj të vërtete të madhe, të vërtetës se Zoti na do dhe dëshiron të na shpëtojë… Nuk mund të ketë dashuri aty ku sundo rrena. Mesit tonë i mungon e vërteta, e kur të thuhet e vërteta, njerëzit ofendohen… Zërat të cilët flasin të vërtetën, heshtin… Sa njerëz do të ishte më mirë të mos thoshin se janë të krishterë, sepse nuk kanë fe. Më tepër i besojnë parave të tyre pasurisë, se sa në Zotin i cili ka krijuar edhe paranë edhe pasurinë… Detyra e jonë primare, thelbësore, është të ndezim dritën e Ungjillit në bashkësinë tonë…”
Zoti “vonon”, por nuk harron… Pas viteve të tëra të hulumtimeve, dëshmive, dokumentimeve, së fundi Kisha Katolike në krye me Papën Françesku, nga Amerika Latine, si edhe i Lumi Oscar Romero, më 23 maj 2015, natën e Rrëshajëve, shpallet i Lum, për t’u lutur dhe nderuar në Kishë dhe në botë. Ai ishte dhe mbetet Martiri i lirisë dhe demokracisë, shembull i qartë flijimi dhe dhurimi, guximi, që i vinte nga feja – Jezu Krishti, dhe dashuri – frymëzimi, që e merrte nga prania e Shpirtit Shenjt.

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Martir i Lirise, Oscar Romero

Zbulohen fytyrat e mbuluar që provokuan Shqipërinë më 2014

May 24, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Nga fundi i vitit 2014, një grup paraushtarakësh bënë një fotografi ku deklaronin se do çlirojnë Vorio Epirit-aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Por kush janë fytyrë mbuluarit? Pas shumë kërkimesh gjetëm se kush mund të jenë këta paraushtarak. Këta janë paraushtarak grek që i përkasin organizatës Jero Loxos 2012-Kompania Paraushtarake e Shenjtë 2012.
Jero Loxos 2012-Kompania Paraushtarake e Shenjtë 2012, është një nga organizatat e shumta paraushtarake greke e cila që nga themelimi i saj punon për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Lëvizjet e para për të njohur terrenin në Shqipërisë kjo organizatë i ka bërë në jug të shoqëruar nga Vangjel Papakristo, cili është publicistë dhe shkrimtar i njohur i minoritetit grek. Jero Loxos 2012, është organizatë e njohur ligjërisht nga shteti grek dhe në të bëjnë pjesë ushtar dhe oficerë të trupave speciale paraushtarake greke. Kjo organizatë ka lidhje të ngushta me shumë organizata të minoritetit grek dhe ndihmojnë materialisht në çdo aspekt shoqatat ekstremiste që propagandojnë aneksimin e jugut të Shqipërisë. Partneri kryesorë i Jero Loxos 2012, është organizata SFEVA, e themeluar nga Mitropolitit i Konicës, Sebastiano, anëtar i së cilës është edhe kryetari i OMONIA-s, Leonidha Papas. Në zonën kufitare të Devollit dhe Korçës paraushtarakët e Jero Logos 2012, janë shoqëruar në Korrik 2013 nga Naum Disho, Lefter Prifti dhe Stavros Gjinos (këta dy të fundit janë me dy shtetësi). Gjatë ndeshjes të ekipit të Skënderbeut që u zhvillua më 20 Korrik 2013, me ekipin e Apoel Limassol të Qipros paraushtarakët e Jero Loxos 2012, ishin të pranishëm dhe provokuar rëndë shqiptarët duke hedhur parrulla për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Atë ditë nuk u vërejt se këta “tifozë” nuk ishin qipriot të ardhur për të përkrahur ekipin e tyre të futbollit, por ishin trupa paraushtarake të Greqisë që kishin ardhur për të provokuar shqiptarët. Nga mungesa e njohurive rreth kësaj organizate nga mediat shqiptare nuk u vërejt se të gjithë “tifozët” ishin veshur me bluza paraushtarake ku pasqyrohej edhe flamuri i Autonomisë së Vorio Epirit.
Por çfarë bëjnë ne? Kjo pyetje më ka shqetësuar gjithnjë, në bazë të fakteve institucionet shtetërore të Shqipërisë bazuar në ligjet e Kushtetutës kanë të drejtë që të paktën shtetasit shqiptar me kombësi greke që ushqejnë ndjenjat raciste me synim për aneksimin e jugut të Shqipërisë mundi ti dërgoj në burg. Këtë ende se kemi bërë dhe avazi vazhdon me provokime çdo vit të cilat shtohen. Nëse nuk merren masat e duhura gjatë zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit këta organizata paraushtarake si Agmi i Artë Jeros Loxos 2012, Lidhja Nacionaliste Greke, etj., do të provokojnë rëndë në bashkinë e Himarës dhe të Konispolit. Ku kandidatët e PBDNJ-OMONIA, Anastas Gudas dhe Fredi Beleris para se të filloj fushata kanë patur takime me gjeneral të ushtrisë greke. Qëllimi i tyre është shtyrja e kufirit grek brenda territorit shqiptar në mënyrë politike, pra gjoja binjakëzim të zonave kufitare. Nëse bashkinë e Konispolit dhe të Himarës e fitojnë kandidatët grek të PBDNJ, Anastas Gudas dhe Freqi Beleri, kufiri gjeografik do të arrijë deri në Vlorë.(A LL)

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, zbulohen fytyrat e mbuluara

GJAKU I DËSHMORËVE U BËFTË DRITË PËR MBARË SHQIPTARI NË!

May 24, 2015 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/
Vetëm edhe disa ditë na ndajnë nga manifestimi përkujtimor i 31 majit që do të mbahet në Gorozhup të Hasit.. Po bëhen, 16 vjet nga rënia heroike e mbinjerëzore, e 15 dëshmorëve të Kombit Shqiptar: Bafti Nexhip Haxhiu, Flurim Rrahman Rushiti, Salih Halim Zenuni, Astrit Hekuran Suli, Alirizan Selman Selmani, Sali Islam Saramati, Selver Bajram Maçkaj, Shpend Sefer Berisha, Gani Hamdi Saramati, . Beran Muhamet Gashi, Ejup Tafil Kosumi, Safet Zeqir Peci, Xhelal Behlul Sopi, Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj, Zejnullah Rrahim Zena. 
Gjaku i derdhur për atdhe i dëshmorëve të rënë në Frontin e luftës të Operacionit SHIGJETA në Gorozhupin e Pashtrikun e përflakur, të Organizuar nga SHP I UÇK-së, OPERACIONI ‘’SHIGJETA’’ DT-2 : Ku morën pjesë në operacionet luftarake, TF 0, TF 1, TF 2, TF 3, Brig 128, B.ATLANTIKU, KOMPANIA E DEDIKIMIT TË VEÇANT, P U, MJEKSIA, na tregoi rrugën e lirisë, kjo rrugë e ndritshme na ndezi shpresën për të ardhmën dhe urrejtjen për pushtuesin gjakatar dhe shtypësit.
Unë me zemër të plagosur, ng padrejtësia që po u shkaktohet juve dëshmorë të shnjtëruar, invalid, veteran, pjestar e pjesëmarrës në luftrat e lavdishme të UÇK-së, i paknaqur dhe tejet i revoltuar që statusine UÇK-së e kanë marrë disa të pamerituar, e kështu ata janë barazuar me ju me ne, të merituarit, e kam të vështir të pajtohem me manipuluesit.
Eh! Çka të shkruaj, me zemrën time të plasur. Si t’ja filloj këtë përshëndetje për ju dëshmor të nderuar, këtë mesazhi urtësie për ju të përjetshmit, dëshmorë të kombit shqiptar. 

Është mbase e kotë e gjitha shoku im, prindër, vëlla e motra ime e idealeve të përbashkëta atdhetare, vëllau e motra ime familje heronjësh e dëshmorësh, ju invalidë, veteranë, shokë e shoqe e jona bashkëluftëtarë të tri luftrave çlirimtare UÇK-së, UÇPMB-së, UÇ Kombëtare.
E kotë për ju heronjë e heroina, dëshmor e dëshmore që rate në altarin e lirisë për Bashkimin e Trojeve Shqiptare me shtetin amë Shqipërinë, sepse ju këtë shkrim mesazh urtësie nuk do të mund ta lexoni. 

Të gjithë BASHKËOMBASIT E MI SHQIPTAR KUDO NDODHEN, të gjithë invalidët dhe veteranët e tri luftrave çlirimtare mbase do ta lexojnë. Veç JU të përjetshmit jo. Nuk do ta dinit se sa shumë e ndjejë dhe e ndjejmë mungesën Tuaj. Përse e gjithë kjo? A, thua sherbejnë vetëm për të më ndihmuar që mos të harroj, që mos të harrojmë, buzëqeshjet TUAJA, mirësinë TUAJ, mirëkuptimin TUAJ, që patët për të gjithë ne shqiptarinë…! Si luftëtarë e luftëtare të lirisë shqiptare gjithmonë do të jeni me ne… Sepse s’ka vend për harresën…!

Përshëndetja ime e këtij shkrim, mesazhi… Ufffff ikët nga kjo botë e padrejtë duke na lënë përjetë në pikëllim… Ikët nga kjo botë dhe shkuat atje tek komandanti legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Mujë Krasniqi, Tahir Sinani… Remzi Ademaj, Ridvan Qazimi, Nijazi Azemi, Ismet Jashari… të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë gjatë të gjitha luftërave çlirimtare… Ikët nga kjo botë e çorroditur duke na thënë: “Luftën e bëjnë heronjtë… qeverisin maskarenjtë… përfitojnë horrat…” Do të mbetëni në kujtimet tona përjetësisht, si vëllezër e motra, që dhatë më të shternjtën jetën TUAJ në luftërta çlirimtare… U çoftë i lehtë dheu i SHQIPËRISË…!

Këta trimat e trimëreshat e lirisë të cilët me ditë të tëra mbetën ndonjëherë pa ngrënë, e pa fjetur, në mes të zjarrit dhe vdekjes! Po, po kështu e ka lufta për liri e Atdhe! 
Por në fund ata dhe ne fituam mbi vdekjen! 

Prandaj gjunjëzohem me nderim të lartë para LAPIDARIT TË DËSHMORËVE NË GOROZHUP, dhe gjithë atyre heronjëve e heroinave shqiptare që ranë për Atdhe. Heronjtë e heroinat shqiptare rrojnë! Kënga e luftës do të buçasë fort do të përmend përjetësisht se Ju dëshmorë të lirisë, popullit ua çelet sytë dhe rrugën për jetën e lirë.

Nderim e respekt, ju puth sytë largëshikues dhe dorën tuaj prej luftëtari që na sollët LIRINË!
Gorozhup 24 Maj 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdi Ibrahimi, gjaku i deshmoreve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT