• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

FITORE MBI FASHIZMIN APO PËRMBYTJE NËN KOMUNIZËM

May 11, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë u shënua 70-vjetori i fitores në kontinentin europian dhe mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Me këtë rast, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, në fjalimin e tij të përjavëshëm të shtunën drejtuar kombit, kujtoi fitoren e aleatëve në Europë, duke sjellur në kujtesë njoftimin e thjeshtë të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Europë, Gjeneralit Dwight Eisenhower, i cili 70-vjetë më parë njoftoi kombin e vet dhe botën se me fitoren kundër nacizmit, “Misjoni i kësaj Force Aleate, u krye.”
Presidenti amerikan theksoi me këtë rast se “Kjo është një ditë për të kujtuar burra dhe gra, të cilët dekada më parë shërbyen dhe sakrifikuan për kauzën e lirisë”. Ai vazhdoi duke thënë se me sakrificën e tyre për t’i dhënë fund luftës, mund të thuhet se ata shpëtuan botën, dhe vendosën themelet për paqë.Në fjalimin e tij fund javën që kaloi,Presidenti Obama u kërkoi amerikanëve, që përveç kujtimit të këtij përvjetori të rëndësishëm historik, ata gjithashtu “të nderojmë burrat dhe gratë që sot shërbejnë në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe njëkohësisht të riangazhohemi”, theksoi presidenti amerikan, “ndaj mbrojtjes së vlerave, të cilat ne i ndajmë me aleatët tanë në Europë dhe mëtej, vlera këto që përfshijnë: lirinë, sigurinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit anë e mbanë botës”, tha presidenti amerikan në fjalimin e tij kushtuar 70-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Obama vzahdoi duke thënë se “Ne do tu jemi përgjithmonë mirënjohës këtyre burrave edhe grave të jashtzakonshëm për veprën dhe për altruizmin e tyre që ata treguan në njërën prej periudhave më të errëta të historisë. Por, ndërsa shënojmë këtë 70-vjetor”, shtoi ai, “le të mos jetë ky vetëm një kujtim i një historie të kaluar, por le të përdorim këtë përvjetor si një rast i mirë që të “dedikohemi rishtas në mbështetje të lirisë, për të cilën luftuan ata dhe humbën jetën.”
Siç duket në një referencë të tërthortë ndaj gjëndjes së sotëme në Europë, të krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, Presidenti amerikan përfundoi fjalimin e tij kushtuar 70-vjetorit të Fitores në Europë mbi fashizmin, duke theksuar angazhimin e tij për të qenë të, “Bashkuar me aleatët tanë në Europë dhe më gjërë, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta: lirisë, sigurisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit anë e mbanë botës – dhe njëkohësisht të jemi të bashkuar kundër urrejtjes në të gjitha format dhe pamjet e sajë, për t’i dhënë kuptimin domethënës, zotimit: “Kurrë mos harro. Kurrë më”, një betim ky që ka për qëllim që kjo histori të mos përsëritet më, në çfardo forme ose ideologjie qoftë.
Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një vizite në Francë, shënoi këtë përvjetor duke vendosur lule tek baza e Arc d’Triomphe, në një shënjë simbolike për të nderuar miliona veta të guximshëm nga të gjitha vendet aleatetë cilët me sakrificat e tyre bënë të mundur arritjen e fitores. Sekretari Kerry, tha se me këtë gjest, ai “Kujtoi të gjithë të humburit nga të gjitha palët në atë luftë, dhe me dhimbje ishte atje për të kujtuar miliona viktima të agresionit nazist.” Duke thënë se lufta na prekë të gjithëve, kryedipolamti amerikan theksoi në deklaratën e tij se, “Është me rëndësi, që në këtë ditë, të mos harrojmë arsyen se pse u bë kjo luftë dhe si u arrijtë fitorja. Kjo luftë u bë”, tha ai, sepse “agresioni, fanaticizmi dhe urrjetja, nuk u kundërshtuan në kohhë dhe si rrjedhim ato zunë rrënjë edhe më të thella.Lufta u fitua”, shtoi ai, “sepse popuj të ndershëm anë e mbanë botës u bashkuan për një kauzë të përbashkët, para se të ishte tepër vonë.” Nga kjo luftë, tha John Kerry, doli një angazhim i ri në mbështetje të të drejtave të nejriut, begatisë së përbashkët dhe paqës. Në deklaratën e tij me rastin e 70-vjetorit të Fitores në Europë, Sekretari Amerikan i Shtetit pohoi se nga kjo luftë doli gjithashtu edhe një vendosmëri e përbashkët për të qenë vigjilentë kundër kujdo qoftë që do të abuzonte me pushtetin, me qëllim për të zhdukur kundërshtarët duke përdorur dhunë kundër tyre, për arritjen e objektivave politike dhe ideologjike. John Kerry përfundoi deklaratën e tij duke theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara se, “Ndërsa kujtojmë të kaluarën, ne pranojmë përgjegjësinë për të mbajtur fjalën për angazhimin tonë në mbështetje të drejtësisë, ndaj zbatimit të ligjit, si dhe për të bashkpunuar me Aleatët dhe me miqtë tanë në mbrojtje të të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor për secilin personkudo.Këtë, ne ua kemi borxh atyre të cilët sakrifikuan aq shumë për kauzën e lirisë”, përfundoi John Kerry deklaratën e tij me rastin e 70-vjetorit të mbarimit të Luftës së dytë Botërore në Europë.
Por,akademikë, analistë komentatorë dhe autorë — në të kaluarën dhe tani me rastin e 70-vjetorit — kanë shkruar dhe kanë komentuarpër hir të së vërtetës historike, nëse fitorja mbi nacizmin me të vërtetë solli lirinë dhe demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut anë e mabnë Europës, apo siç kanë argumentuar shumë prej tyre,kjo fitore mbi nacizmin, u shëndrrua në të vërtetë në një fitore për komunizmin duke mbytur lirinë dhe demokracinë në pjesën më të madhe të Europës, nga një sistem aq brutal dhe pamëshirëshëm sa ishte edhe nacizmi.Aishte fitorja mbi nacizmin, mbarimi i një lufte për të siguruar lirinë dhe dinjitetin e secilit person kudo, e sidomos popujve të Europës, a por ishte zëvëndësimi i një dikakture të egër me një tjetër? Për më tepër — për të parafrazuar fjalët e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, nëse pas kësaj fitoreje mbi nacizmin — a u tregua vigjilenca e nevojshme nga Perëndimi kryesisht, por edhe nga forcat demokratike anë e mbanë Europës,kundër atyre që përfaqësoninsistemin komunist të pas luftës, i ciliu vendos në pushtet anë e mbanë Europës duke abuzuar me pushtetin dhe duke zhdukur kundërshtarëtme dhunë, duke i zhdukur ata fizikisht dhe duke i dërguar në kampet e përqendrimit, ndërkohë që nëdrmorën lloj-lloj krimesh të tjera kundër njerëzimit për të arritur objektivat e tyre politike dhe ideologjike?
Dihet se pas fitores mbi fashizmin në Europë, një murtajë tjetër e zezë mbuloi pjesën më të madhe të kontinentit të vjetër. Ishte kulshedra e sllavo-komunizmit që pushtoi dhe robëroi popujt e atij kontinenti dhe më gjërë –jo për 4-5 vjetë — por për pothuaj një gjysëm shekulli.Historianë, autorë, ekspertë dhe analistë të ndryshëm konsiderojnë se humbja e fashizmit u zëvëndsua fatkeqsisht me fitoren e komunizmit, duke zëvendësuar kështu tiraninë nacizste me një tirani tjetër, atë komuniste. Njëri prej tyre këtyre historianëve, Norman Davies një historian britanik dhe autor i më shumë se një dyzinë librashi cili ka shkruar shumë për periudhën e Luftës së dytë Botërore, përfshirë edhe librin: “Europa në Luftë, 1939-1945 –Jo një Fitore e Thjeshtë”, është shprehur se Lufta e Dytë Botërore nuk ishte, ajo “lufta e mirë”, ashtu siç konsiderohet dhe festohet, por ishte sipas tij,një luftë në Europën Lindore dhe Qëndrore e cila vuri një tirani kundër një tjetre, një tirani e cila më në fund, megjithë fitoren mbi nacizmin, robëroi popujt dhe mbyti demokracinë në pjesën më të madhe të Europës për dekada që pasuan fitoren mbi nacizmin. Në një fjalim kohë më parë, Profesor Davies në mbështetje të qëndrimit të tij aivuri në dukje përvojën e babait të bashkshortes së tij — një biologu polak– fati personal i të cilit, thotë ai, është i krahasueshëm me atë që ka ndodhur në Europën Lindore gjatë dhe pas luftës. Babai i gruas së tij, ka thënë ai, ishte arrestuar nga gjermanët më 1939, një muaj pas shpërthimit të luftës dhe ishte burgosur nga nacistët në Dachau dhe në Matthausen vetëm e vetëm sepse ai i përkiste elitës akademike polake. Pasi mbijetoi luftën në një kamp përqëndrimi gjerman, ai u lirua për t’u arrestuar menjëherënga sovjetikët komunistë sepse kishte mbijetuar në kampet gjermane. Sipas Profesorit Davies, babai i të shoqes së tij u torturua nga Gestapo më 1939 dhe pastaj më 1945, përsëri u torturua nga policia sekrete sovjetike. Në të dy rastet, ka pohuar Profesori, ai u torturua “mbi të njëjtën tavolinë dhe në të njëjtën qëndër policie”, në vendlindjen e tij. Kjo përvojë e dyfishtë e babait të bashkshortes së tij,ka thënë Profesori Davies, është thelbi i asaj që ka ndodhur gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, dmth, lufta ka thënë ai, ishte një përplasje në Europën Lindore, “midis dy regjimeve vrasëse të cilat zhdukën miliona njerëz pa asnjë arsye të logjikshme.”
Ndërsa autorja dhe komentatorja e njohur amerikane Anne Applebaum me librin e saj të fundit, Iron Curtain: The Crushing of Eastern Europe, 1944-1956, (Perdja e Hekurt: Shtypja e Europë Lindore, 1944-1956) përshkruan imponimin me forcë të sllavo-komunizmittotalitarstalinist, në vendet e Europës Qëndrore.Është kjo një vepër që kritikët e kanë cilësuar si një libëri cili kërkonnjë përballim historik dhe moral me ngjarjet e pas luftës në Europë.Autorja e njohur amerikane shkruan në librin e saj se ndonëse popujt e Europës Qëndrore dhe Lindore pritshin që të ringjalleshin shpirtërisht dhe ekonomikisht pas humbjes së regjimit nazist, ato tani ishin pushtuar nga një tirani tjetër e cila i përngjante shumë tiranisë nga e cila sapo kishin shpëtuar. Anne Applebaum shkruan në hollësi se si komunizmi iu imponua vendeve të Europës. Ajo përshkruan mënyrat se si regjimet komuniste zhdukën menjëherë partitë politike kundërshtare, kishat, median, organizatat e rinisë dhe të gjitha organizatat e shoqërisë civile, në të gjitha nivelet e shoqërisë.Komentatorja e shquar amerikane, duke përdorur materiale arkivore të pa njohura deri tani, përshkruan taktikat komuniste se si ata erdhën në fuqi duke kërcënuar dhe duke zhdukur të gjitha ata që i kundërshtonin.Ajo përmend edhe raste individësh për të dokumentuar se si njerëzit, përball këtyre taktikave të egëra komuniste, detyroheshin të luftonin, të arratiseshin ose të bashkpunonin me komunistët.Ajo shkruan se mbrenda një periudhe jashtzakonisht të shkurtë Europa Lindore ishte stalinizuar në mënyrën më brutale që ishte e mundur.
Fund javën që kaloi pati komente dhe shkrime edhe në median amerikane në përkujtim të 70-vjetorit të mbarimit të luftës në Europë. Një nga komentet ishte edhe ai që më rekomandoi miku i im Profesor Sami Repishti, një shkrimme titull: “Si Rusët e Humbën Luftën”, i novelistit dhe autorit të njohur rus Mikhail Shishkin, botuar fund javën që kaloi në gazetën New York Times. Është një koment që do të meritonte të përkëthehej në terësi, por për qëllimet e këtij shkrimi, po sjelll thelbin e asaj që ai dëshironte t’u thoshte lexuesve të tij me rastin e 70-vjetorit të mbarimit të luftës në Europë. Në atë koment, autori rus që tani jeton në Zvicër, shkruan se, “Babai i im luftoi të keqën e fashizmit, por ai u keqpërdor dhe u abuzua nga një e keqe tjetër. Ai dhe miliona të tjerë ushtarësh sovjetikë….i sollën botës jo lirinë, por një skllavëri tjetër. Njerëzit sakrifikuan çdo gjë për fitoren, por frutat e kësaj fitoreje ishin, më pak liri dhe më shumë varfëri.”Ai vazhdon komentin e tij me rastin e 70-vjetorit të fitores kundër nacizmit duke shkruar se, “Sot, Dita e Fitores nuk ka të bëjë aspak me fitoren epopullit as me atë të babait tim. Kjo nuk është një ditë paqeje dhe kujtese për viktimat”, shkruan ai. Duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë, ai thotë se “Kjo është një ditë që të kujton vrigëllimën e shpatave, një ditë për arkivole prej zinku, një ditë agresioni dhe një ditë hipokrizie të madhe”.
“Është e pamundur”, shkruan autori rus Mikhail Shishkin, “të marrësh frymë në një vend ku ajri është i ndotur nga urrjejtja. Historikisht, urrejtja është pasuar gjithmonë me shumë gjakderdhje. Çfarë e pret vendin tim”, pyet ai, dhe komenton duke thënë se: “Edhe njlherë, diktatura po u bën thirrje subjekteve të saj të mbrojnë atdheun, duke shfrytëzuar pamëshirshëm ndjenjat atdhetare të popullit rus dhe Luftën e Madhe Patriotike. ”Udhëheqsit rus”, përfundon novelisti Shishkin, “kanë vjedhur vajin e popullit, kanë vjedhur votën e popullit dhe kanë plaçkitur vendin”. Dhe më në fund shkruan ai, “Ata kanë vjedhur edhe fitoren, duke përfunduar komentin me titullin me të cilin e kishte filluar shkrimin duke I drejtuar babait të tij të vdekur pjesëëmarrës në luftën kundër nacizmit: “Baba, ne e kemi humbur luftën.”
Jam i mendimit se në këtë përvjetor shumë veta i bashkohen zhgënjimeve historike dhe të tanishme të autorit rus — i cili në shkrimin e tij ai kujton sakrificën e babait të vetdhe të bashkluftëtarve të tij– duke kujtuar gjithashtu miliona veta të zhdukur anë e mbanë Europës dhe ish Bashkimit Sovjetik, të cilët u vranë, u torturuan dhe u shtypën në emër tëdiktaturave komuniste dhe naziste. Prandaj në këtë 70-vjetor të mbarimit të Luftës së dytë Botërore, jo vetëm historianë dhe komentues, por dhe njërëz të thjeshtë konsiderojnë se fitorja mbi fashizmin 70-vjetë më parë, në të vërtetë,nuk solli lirinë për të cilën aq shumë veta sakrifikuan jetën, por solli përmbytjen e Europës nën diktaturën e komunizmit gjysëm shekullor, pasojat e të cilit shihen ende kudo, madje edhe pas një çerek shekulli nga shëmbja e komunizmit në Europë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fitorja, Frank shkreli, mbi fashizmin, NËN KOMUNIZËM

KUMANOVË, KALLXOMË NË BESË TË ZOTIT..

May 11, 2015 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/
1./
Kumanovë dardane e shqiptarit rrënjas,/
Leka i Madh:/
Sot a linde Adem Jasharë…?/
Apo i kie në genet e gjakut,/
Në istikame brigjeve të Vardarit./
Në Lagjen e Trimave,/
Në kokrrën e shkreptimave…/

Kumanovë, kallxomë në Besë të Zotit,/
Kush u kallë në flakë/
Kush mori plagë/
Në kit’ 9 maj, në ditë të sodit?!/
Europa e Bashkuar…?!/
Marrëveshja e Ohrit…?/
Andrra Shqiptare e Bashkimit…?!/
Rrgallja e Maqedonisë drejt shkatërrrimit…?!

2.
Kumanova dardane e Gjergj Kastriotit:
Nuk po të shoh nga tymi i barotit
Nga pika e lotit.

E bana fjalën time shigjetë e hark’për sllavët
A të duhet me të derdh gjak në prag…
Me i mbrojt tokat, djepet, plagët, varret…
Vij aty, si dikur të parët e mi:
Në Shtimje, Slivovë, Karadak.

Sot po i flas në gjunjë lutjeje,
Me fjalë gjaku…
Ashtit të trollit,
Palcës së kombit,
Mos ia ktheni Kumanovës shpinën
Si ,dikur, në Shkupin kryengritës, Hasan Prishtinës.

Vlora e Flamurit Kombëtar Shqiptar,
Pa Kumanovë, Preshevë, Podgoricë, Rrozhajë…
Gjithnji do të ketë 2015,
Gjithnji do të ketë 9 Maj…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: KALLXOMË, Kumanove, NË BESË TË ZOTIT, Ramiz Lushaj

Festa e bukur e Nënave në Nju Jork

May 11, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/
Me rastin e Ditës së Nënave Amerikane Assamblyman Z. Mark Gjonaj organizoi një festë të bukur dhe mjaft interesante për nënat në Bronx, e pranishme në këtë takim ishte edhe Senatorja Amerikane Znj. Ruth Hasell Thompson, e cila ka punuar shumë e ka ngritur zërin për të drejtat e gruas në Senatin Amerikan, duke hartur ligje në mbrojtje të të drejtave të grave.
Festa e Ditës së Nënave i ka fillimet e saj në vitin 1914, për nder të Anna Javers, vajzës së përkushtuar dashurisë së nënës e cila e humbi atë nga një sëmundje në vitin 1908, me këtë rast ajo i drejtohet me një letër kërkesë presidentit amerikan të asaj kohe që dita e nënave të ligjërohej si festë kombëtare. Presidenti i miratoi kërkesën e saj dhe e ligjëroi si Festën e Nënave Amerikane. Si fillim së pari kjo festë nisi për të uruar nënat në mjedise familjjre, më pas mori një hapje të madhe në SHBA, në disa vende të botës.
Edhe Z. Mark Gjonaj megjithëse i ri në këtë funksion të lartë politk ka bërë shumë për të drejtat e gruas në Asamblenë e New Yorkut, ku idetë e tij kane gjetur mbështjen e duhur nga politika amerikane.
Muzikë nga Frank Sinatra dhe këngëtarë të njohur të muzikës jazz e rock shoqëruan drekë festive mes nenave shqiptare dhe atyre amerikane në Bronx. Z. Mark Gjonaj tregon kujdes të veçantë për të dërguar urimet e rastit dhe festuar çdo festë zyrtare shqiptare dhe amerikane me qytetarët në Bronx, çfarë e bën atë më të afërt e më popullor me të gjithë banorët e Distriktit Nr. 80 në Bronx e më gjerë. Fjalët më të mira flasin qytetarët e kësaj zone elektorale për Assamblyman Mark Gjonaj, ata janë të kënaqur nga puna e tij tre vjeçare në këtë post të rëndësishëm e thonë se nuk ndihen të zhgënjyer që i kanë dhënë votën për dy mandate rradhazi.
Assamblyman Z. Gjonaj në Restoranitn “Sanz” në Bronx, përveç të tjerave organizoi edhe sfilatën e modës për të pranishmet ku fitueset morën dhuratat e rastit si, Gruaja për kapelen më të bukur. Gruaja me veshjen më të bukur.
Edhe Senatorja Thompson pasi uroi gratë për festën e nënave, vlerësoi veshjet e tyre për rëndësinë që i kishin dhënë këtij eventi mbarë kombëtar. “Nuk e dija tha ajo se sot këtu do të zhvillohej edhe konkursi për kapelen më te bukur, se edhe unë do të vija këtu me një kapele të bukur që e kam në garderobën time”.
Ajo gjithashtu tha se vitin e ardhshëm do ta lerë funksion politik si Senatore për të konkuruar si Kryetare Bashkie në Mt. Vernon. Por shtoi ajo: “E di, që do të më mungojë shumë Bronxi dhe qytetarët e saj, ku kam kujtime të shumta, pasi së bashku kemi bërë punë të mëdha për mirëqënien e jetës së popullatës në Bronx.
Festa kaloi gëzueshëm, me këngë e muzikë e me humorin e këndshëm e paqësor të Assamblyman Z. Mark Gjonaj.
New York, Maj 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: festa e nenave, Mimoza Dajci

DIASPORA DHE INVESTIMET NE VENDLINDJE

May 11, 2015 by dgreca

*Investimet e organizuara nga diaspora – zhvillojnë fuqishëm Kosovën dhe Shqipërinë – Duke hapur vende të reja pune dhe të ndalojnë ikjen e shqiptarëve/
* Bisedë me Dr. Naim Dedushaj – Drejtor për Investime të Diasporës Ministria e Diasporës, ideator i themelimit te Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës në Botë ” Unioni i Bizneseve të Diasporës Shqiptare”, Kryetari i Unionit të Rrjeteve të Biznesit të Diasporës për Amerikën e Veriut dhe Kanada, zoti Elmi Berisha dhe nën kryetarin Besim Malota/
Nga Beqir SINA/
NEW YORK CITY : Rrjeti i Bizneseve të Diasporës në SHBA, fund – muajin e kaluar, para takimit vjetor të Unionit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, që do mbahet 10 ditëshin e fundit të muajit Maj, në formë krejt të veçantë në Shkup – Prishtinë – Tiranë, ka mbajtur disa takime me antarët e ri, afaristët dhe biznesment shqiptarë në Amerikë, që po i bashkohen dita ditës kësaj ideje .
Tre anëtar të këtyre takimeve, Naim Deduashaj, Elmi Berisha dhe Besim Malota duke folur për gazetën tonë, thanë se qëllimi i këtyre takimeve kësaj radhe në SHBA , gjegjësisht, në Dallas Teksas dhe më pas në metropolin e botës New York si dhe New Jersey me rrethe , ishte funksionalizimi i rrjeteve të bizneseve në Shtetet e Bashkuara, të themeluara një vit më parë. Gjithashtu, thanë ata këto takime i paraprinë dhe përgaditjes së një Platforme të Unionit të Bizneseve të Diasporës gjithëshqiptare.
Deduashaj, Berisha dhe Malota, zgjodhën me këtë rast “shtëpin” e kryetarit të këtij unionin në SHBA, Dallasin – Teksas, për mbajtjen e këtyre takimeve, të cilat më pas ndoqën një tur mjaft intenziv në zonën e Tri-Shtetshit
Ata thanë se zgjodhën Dallasin dhe më pas Nju Jorkun – kësaj radhe, ngaqë edhe Kryetari i Përgjithshëm i Unionit Global i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, biznesmeni i njohur dhe mjaft i suksesshëm z. Nazar Mehmeti, është po nga Dallasi – gjithashtu si edhe Sekretari i Përgjithshëm i këtij unioni në SHBA, është nga ky shtet . Por, njëkohësisht, duhet cekur se në Dallas -Teksas, RRBSHA, ka shumë afarist dhe biznesmen të sukseshëm shqiptar, ndërkohë, që edhe komuniteti shqiptar në Dallas, sipas tyre është i veçantë për nga organizimi i mirë dhe shembull i mirë për të gjithë mërgatën në SHBA .
Në këto takime morën pjesë edhe personalitete dhe biznesmenët e dalluara – shumë prej atyre që ishin të interesuara, që bizneset me origjinë nga Kosova, dhe viset shqiptare në Amerikë, për të invistuar në Kosovë.
Biznesmen , humanist, filantropist, dhe veprimtar e patriot shqiptar të dëshmuar në shumë raste për çështjen kombëtare dhe për investime, në vendorigjinën e tyre, ka më shumë në Teksas – Dallas, thanë me të kthyer në Nju Jork, Dedushaj, Berisha dhe Malota. Në përgjethësi, u shprehen ata në SHBA , ne kemi investitor të till shqiptar në Amerikë, duke filluar nga Presidenti z. Nazar Mehmeti , i cili njëherëshit është edhe Krytari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Amerikë, dhe shumë të tjerë të cilët vazhdimisht me veprimtarinë e tyre kan treguar se Amerika, është pjesë e veçantë dhe e dalluar e mërgatës shqiptare. Shqiptarët e Amerikës, shprehen ata janë shembulli ma i mirë i bashkimit kombëtar , ndërshqiptar , duke filluar nga bizneset , organizimet e shoqatave e organizatave dhe bashkëpunimi mes të gjithë shqiptarëve, pa marr parasyshë se kush është dhe nga cila pjesë e shqiptarisë vjen !
Nese shtetet tona Kosova , Shqiperia , Maqedonia e viset tjera shqiptare deshirojnë të marrin një model të bashkëpunimit apo bashkimit, atëhere duhet të marrin Diasporën tonë në SHBA e cila qe 100 vite me radhë po punon bashk për Shqiptari !
Dedushaj , Berisha dhe Malota, sqarojnë se për sa i përket çështjes së investimeve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, biznesmenët shqiptar nga Amerika , janë të interesuar të investojnë, por duhet të krijohen kushtet të veçanta më të favorshme edhe nga shtetet tona për diasporën shqiptare, kudo që është, sepse, deri me tani nuk ka patur siguri dhe kushte të favorshme për të investuar Diaspora në vendorigjinën e tyre !
Gjithashtu, duhet përmendur fakti, thonë ata se shumë afarist e biznesmen shqiptarë nga SHBA, kanë shkuar dhe kanë investuar në Kosovë , Shqipëri , Maqedoni( viset shqiptare) , Plavë e Guci dhe kanë shprehur gadishmërinë që të investojnë në Shqipëri, Kosovë e tjerë. Aqsa disa prej tyre kanë Investuar deri në miliona euro – deri me tani, siç janë: z. Hajdar Bajraktari, z. Elmi Berisha, z. Rrustem Geci, z. Ismet Smajli, z.Florin Krasniqi , e shumë të tjerë ,të cilët kanë investuar dhe po bëjnë plane për të investuar edhe më tutje , bile z. Krasniqi, thuhet se ka filluar të investoj edhe në Mal të Zi( zonat shqiptare) . Dedushaj – i cili i ka ndjekur këto investime prej nga fillimi i tyre, shprehet :” Do e kisha veçuar një familje nga Plavë e Gucia nga Hoti, familja Mehaj z. Sadri Mehaj me vëllezër , një kontribues i madh i çështjes kombëtare në Amerikë, i cili ka filluar të investojë, disa miliona euro në Komunën e Gucisë, edhe pse ka hasur në shumë pengesa nga shteti malazez. Aqsa ky shembull i mirë, duhet të ndjeket edhe nga të tjerët nga kjo pjesë e shqiptarisë, sepse shpërngulja është e madhe dhe pothuajse vendi ka mbetur i zbrazët dhe vetëm me investime konkrete mund ta mbajmë gjallë këtë pjesë të banuar me shqiptar”, pra, thotë Dedushaj, ky ndoshta është momenti i fundit ta shpëtojmë këtë pjesë të shqiptarisë.
Meqënse Kosova, ka më shumë nevojë për investime, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës në SHBA, e shikon si fondamentale, atë që të angazhohet më shumë për investime në Kosovë Mbasi, ky ka qenë edhe një ndër qëllimiet kryesore të themelimit të Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, kudo ata jetojnë, duke pas si strumbullar të këtyre investimeve, bizneset e shqiptarëve në SHBA, ku edhe bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve për investime, dhe qarkullimi e kapitalit së bashku ( të berit biznes së bashku ) është model se si mund të bëhet biznes dhe të investohet në Kosovë, duke i bashkuar forcat që të investojnë së bashku , së pari në vendin ku jetojnë (SHBA) , pastaj pse jo edhe në viset tona shqiptare. Me të vetmin qëllimi shprehen bashkëbiseduesit që projektet që vinë nga Diaspora, të vinë si kërkesa të organizuara, pra në emër të Unionit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare , sepse në shumë raste kërkesat individuale kanë dështuar , pra për mos me i lënë të deshtojnë , simbas tyre është dasht të organizohen edhe ne në këtë formë, pra si “një opozitë pozitve për të ndihmuar zhvillimet e vendeve tona ” Dedushaj, Berisha dhe Malota, thonë se kjo është një formë e re, dhe, një ndër më të mirat e mundshme të organizimit të bizneseve të Diaspores shqiptare, e cila pas një viti funksionimi ka me mijëra pjesëtar të biznesve të diasporës shqiptare , duke përfshirë në udhëheqjen e saj, kryesore afaristët më të fuqishëm të diaspores shqiptare nga gjitha viset, siç janë disa nga ata: z. Lazim Destani , Ecolog Group , që ka më mijëra punëtor nëpër 40 vende të botës. Nazar Mehmeti , Elmi Berisha , Hajdar Bajraktari ,Rrustem Geci, Besim Malota, Ismet Smajli , Vëllezërit Viçaj , vëllezërit Nuha , Ejup Berisha , Mustafë Abazi, Zamir Mane , Yll Blakaj, Argëtim Hani, Fehmi Fetahu , Aziz Vardar , Ismet Mehmeti, Bujar Marevci , Amet Gjanaj ,Omer Nura , Tim Dardania ,Ferid Osmani, e shumë të tjerë, që me biznesin e tyre në botë ( Amerikë, Europë , Australi,) kanë bër emër në botën e Biznesit. Pra, vetë fakti, se këta afarist i kanë besuar këtij organizimi dhe janë pjesë e këtij rrjeti, tregon se sa serioze është ky organizim dhe sa e suksesshme po bëhet kjo ide e jona, e cila u përkrah edhe nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës.
Megjithatë, Dedushaj, Berisha dhe Malota, pohojnë se :” Neve politika shpesh apo gjithenjë na ka nda si në diasporë ashtu edhe në vendlindje, gjëja e vetme që ne kemi menduar se na bashkon dhe kurr nuk na ndan, është përveç veprimtarive të tjera edhe Biznesi , i cili na bashkon, bile edhe më shumë ngaqë, ky lloj organizimi nuk është politik, por është ekonomik dhe është gjithëshqiptar , gjithëpërfshirës, dhe, është organizimi i parë biznesmeneve shqiptarë në Diasporë. I cili, ka dëshmuar dhe ka treguar deri tani se ne shqiptarët mund të punojmë bashkë dhe mund të investojmë së bashku” ,
Gjatë këty takimeve të këtyre ditëve në Dallas, Nju Jork, dhe Nju Xhersi, bëhet e ditur se në këto takime nga RRBSHA, është folur për strategjin e re, që ata kan zgjedhur për të punuar qysh tani me riorganizmin e ri që ata kan bërë.
Duke pranuar se ata jan në fazën e funksionalizimit të Rrjeteve të bizneseve të Diasporës shqiptare , dhe jan simbas tyre në fazën e krijimit të disa rrjeteve në disa vende, ku jeton diaspora jonë me shumicë të cilat ende, thonë ata si kemi themelua. Por, u shprehen ata “Ne jemi në pergaditje të “Platformës së Unionit të Biznesve , Statutit , Rregulloreve të Punës”, të cilat do aprovohen në takimin e radhës ne fund muajin Maj 2015″. Ndërsa, ata kan përfunduar logon dhe Portalin informativ, i cili kur të kompletohet do hapet për publikun mbarë shqiptarë online, janë mjaft optimist se strategjia e re, dhe vendimet dhe forma e organizimit më tutje do vendosen në takimin e radhës në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, duke besuar në atë se “do të gjejnë format më të mira të mundshme të bashkëpunimit, shkëmbimit të ideve , dhe bashkimit të kapitalit shqiptar, kudo në diasporë dhe investimeve të tyre në Kosovë, Shqipëri dhe viset shqiptare” . Dedushaj, Berisha dhe Malota, me këtë rast mendojnë se edhe:” Ambasadat tona jasht nga Shqipëria , Kosova dhe Maqedona ( aty ku janë përfaqësit diplomatike shqiptare ) mund të luajn një rol shumë pozitiv në bashkëpunim me bizneset e diasporës shqiptare, nëpër botë, duke i mbështuar me kërkesat e tyre për investime në vendlindjen e tyre. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, thanë ata aty ka më së shumti shqiptar, dhe ku është e përqendruar diaspora, së paku duhet të ofrojn ˆinformata më shumë dhe të shërbejnë edhe me këtë rast si urëlidhëse në mes atyre që dëshirojnë të investojnë dhe në vendlindjen e tyre. Njëkohesisht, simbas neve thonë ata, se Ambasadat tona dhe zyrat konsullore, në vendet përkatëse, mund të luajn rol pozitiv edhe në pengesat që hasin biznesmenët e diasporës në shtetet tona, për të investuar duke luajtur rolin e ndërmjetsuesit, për të kryer punët sa më shpejt dhe më efikas, duke intervenuar të ministritë përkatese. Pra, në këtë mënyrë që të luftohet korrupcioni apo burokracinë e zyrtarëve të cilët nuk kryejn punën si duhet , për të ju dhënë mbështetje afaristëve të diasporës, që të hapin rrugë për investime të reja dhe hapjen e vendeve të reja të punës”
Në fund të kësaj bisede , Dedushaj, Berisha dhe Malota, treguan se çfarë impakti, kan pasur takimet e tyre në prag të forumit mbarëkombëtar të biznesve nga Unioni i Bisznesve Shqiptare në Botë, që do të mbahet javën e fundit të muajit Maj – në Kosovë, Tiranë, dhe Shkup.
Me shumë besim ata shprehen se :”Këto takime kishin një rëndësi të veçantë, sepse, ne punuam në planin për funksionalizimin e rrjeteve të biznesve të diasporës, thanë ata, kudo në botë dhe në veçanti ketu në SHBA. Punuam në të ashtuquajturën ” Platforma e Uninoit të Bizneseve” dhe bëmë harmonizimin e saj me Europën dhe Amerikën. Pastaj punuam në agjendën për muajin Maj dhe detyrat në të ardhmen , pra një përgaditje e mirë e mbajtjes së takimve në Shkup-Prishtinë-Tiranë, që mund të deklarojmë se është e veçantë sivjet , sepse, vetë fakti se mbahet në këto tre kryeqytete shqiptare, tregon një mesazh të fuqishëm se Kosova, Shqipëria , Maqedonia dhe Mali i Zi, dhe viset tjera shqipetare, në Ballkan, nuk mund të zhvillohen pa diasporën. Andaj sa më shpejt që të kuptojnë qeverit tona këtë, aq më shpejt do të zhvillojmë vendet tona , dhe do i ruajm ato vise tona shqiptare të cilat janë të rreziukara nga shperngulja masive.
“Ka ardhur koha që dy Qeveritë tona , në dy shtetet shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, të zgjohen nga gjumi dhe të fillojm së bashku një epokë të re, që është zhvillimi ekonomik i vendeve tona , pra punësimi i të rinjëve dhe të rejave dhe mos të bredhin rrugëve të botës, por të jetojnë në vendin e tyre, shtëpitë e tyre” konkludojnë z. Naim Dedushaj, z. Elmi Berisha dhe z. Besim Malota, duke shtuar se kjo tani mund të bëhet me këtë organizim të ri, qe ka emrin Rrjetet e Bizneseve të Diasporës – gjithëshqiptare , duke patur mbështetjen e qeverive të dy Shtetetve tona.

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, DHE INVESTIMET, diaspora, Naim dedushaj, NE VENDLINDJE

Maqedonia është muzeu i fundit i internacionales komuniste në territorin evropian

May 11, 2015 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
1.Stacionet televizive lokale treguan pamje me video që treguan tym i zi në rritje nga shtëpitë në Kumanovë perëndimore dhe shumë civilë të largohen nga zona,raportuan Tv perëndimor një ditë më parë , më pas u raportuan kadavra,përmes një terri informimi. E vërteta, njihet është tymi i Gruevskit,që krijoi një diktaturë në demokraci shenjat e të cilës u dhanë kohë më parë kur opozita ju turr parlamentit. Gjendja në Komanovë ka arsye që të shqyrtohet se: Përleshjet e së shtunës treguan se Maqedonia po ndeshet me krizën e saj më të thellë politike që nga pavarësia e saj nga ish- Jugosllavia në vitin 1991. Qeveria dhe opozita kanë akuzuar njëra-tjetrën për planifikim për të destabilizuar vendin për të marrë ose të ruajtur pushtetin,dhe disa analistë kanë frikë ngase udhëheqësit në të dy anët janë të gatshëm për të provokuar përplasje etnike thonë mediumet. Ky shtet me këtë lloj diktatori shkon drejt një tatëpjete. Gjorge Ivanov çuditërisht morri udhën drejt Rusisë në javën e dytë të majit, ndërsa shumë homologë perëndimorë nuk ju përgjigjën kësaj ftese ruse, mirëpo ai do të kthehej urgjentisht ngase tymi i zi i Grueskit kishte dalë ndërkaq, në Kumanovë.
2.B.Dimitrov, historian dhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në një intervistë për Agjencinë e lajmeve FOKUS në lidhje me ngjarjet e fundit në Maqedoni pas një përleshje sot në Kumanovë ai mes të tjerat thotë:”Problemi tjetër i Maqedonisë është se ajo nuk është një shtet dhe komb i rregullt. Ajo nuk ka të kaluarën historike; ky është një vend i shpikur në vitin 1944. Maqedonia është Muzeu i fundit i Internacionales Komuniste në territorin evropian. Ne duhet të dimë se çfarë të bëjmë në çdo situatë.
Ivo Vajgl tha:”Përleshjet e përgjakshme e sotme në Kumanovë, me viktima njerëzore, tregojnë se kriza politike në Maqedoni arritur një pikë kritike [me pasoja] për të ardhmen e vendit”, raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, eurodeputeti slloven është pjesë e një ekipi evropian të ndërmjetësit mes qeverisë maqedonase dhe opozitës me qëllim për të gjetur një zgjidhje për krizën e zgjatur politike të vendit.
Reagimet erdhën nga fqinj Shqipërinë dhe Kosovën si. Ministria e Jashtme shqiptare tha se “përshkallëzimi i situatës duhet të vijë në një fund, sepse nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetin e Maqedonisë.”
3.Kumanovë ndodhet në pjesën verilindore të Maqedonisë, në afërsi të kryeqytetit të Shkupit. 40 kilometra (25 milje) në verilindje të kryeqytetit të Shkupit, në afërsi të kufirit me Kosovën dhe Serbinë.
Koordinatat e qytetit janë afërsisht 42 ° 05’N dhe 21 ° 40’E. Kumanova shtrihet 340 metra (1115 feet) mbi nivelin e detit. Kumanovë ka një klimë të butë. Aeroporti i Shkupit gjithashtu shërben Kumanovës. Kumanova është një qytet etnikisht i përzier mes maqedonas, shqiptar, rom, serb, turk, të tjerët, përbërja fetare e qytetit ishte si në vijim:të krishterët ortodoksë të Lindjes, 46.766 (66,0%)Muslimanët, 22.483 (31.7%)të tjerët, 1593 (2.3%).
4.Ku humbën trimat shkruan Haxhi Muhaxheri:Na e paten zënë frymën trimat me bateria dhe patriotët që edhe enderrat i shihnin kuq e zi, që e vënin plisin e bardhë në kokë veç sa për të bërë ndonjë foto dhe qe i jepnin gojës pa kararë. Flisnin e ç’nuk flisnin, shkruanin e ç’nuk shkruanin trimat dhe patriotet e Facebookut, portaleve dhe të gazetave. Soji i tyre na shfaqeshin më trima se Skenderbeu dhe Adem Jashari, më te ditur se Hasan Prishtina dhe Ibrahim Rugova. Ata na tregonin se si duhet dashur atdheu, na tregonin se si nuk ishte quar ne vend amaneti i të parëve, na tregonin se si duhej bërë patjetër bashkimi kombëtarë dhe na thonin se edhe fryme duhet te merrnin vetëm shqip! Po ka dy ditë që atyre nuk u dëgjohet më zeri. Ka dy ditë që ata janë zhdukur sikur kurrë te mos kishin ekzituar. Ka dy ditë që kemi mbetur pa trima dhe patriotë, sepse askush nuk e din se ku dreqin e kanë future kokën ata.
Dje në Kumanovë shqiptarët u përballen me një sulm barbarë të bërë nga forcat sllavomaqedone. Dje ishte dita dhe momenti më i duhur qe të degjohej zeri i trimave dhe i patrioteve. Dje ishte rasti që ata ta dëshmonin vetën me veprime konkrete dhe të na tregonin se sa vërtetë e donin shqiptarinë. Por ata dje nuk u duken fare. Heshten dje dhe sot si t’ua kish marre zoti gojen! Nuk u duken as në Facebook, as në portale dhe as në gazeta., sikur ti kishte kapur ndonje semundje e rende! Dje dhe sot, soji i këtyre trimave nuk i zbrazën armet apo ndoshta kishin harruar ti merrnin ato me vete. Dje dhe sot, patriotëve zhurmagjinj u ishin zbrazur bateritë. Dje dhe sot, surrati i trimave dhe patrioteve të rrëm nuk u pa fare. Ata nuk u bënë te gjalle. Ata edhe njeher treguan se leheni vetëm kur nuk duhet lehur!
Sekëndejmi, edhe intelektualët dhe poletikanët qe kanë zënë të mbajnë në goje bashkimin kombëtarë, nuk marrin guxim që te shprehen dhe ta japin mendimin e vetë lidhur me situatën e krijuar në Kumanovë. Po ashtu, edhe shoqatat e shumëta shqipatre e atdhetare, brenda dhe jashte vendit, sikur kanë harruar te reagojnë për atë që po ndodhë në Kumanovë. Është për tu çuditur se nuk e pane te arsyeshme për të reaguar lidhur me këtë rast as shoqatat e shumëta që veprojnë në diasporë. Kësaj radhe zgjodhën të heshtin shoqatat kulturore, zgjodhën të heshtin shoqatat atdhetare, vendosën te heshtin shoqatat e krijuesve te artit., duke harruar kesisoj se janë të obliguar moralisht që së paku ta bëjnë një protestë me shkrim, që së pasku me shkrim ta dënojnë dhunën e ushtruar të policisë sllavomaqedone apo që mundësisht të organizojnë aty ku jetojnë një protestë kundër asaj që po ndodhë në Kumanovë.
.Në Kumanovë u sulmuan brutalisht shtëpitë e shqiptarëve. Në Kumanovë u ushtrua barbarisht dhunë ndaj familjeve shqiptare. Në Kumanovë u provua të mbrohet nderi dhe krenaria shqiptare. Por Kumanova u la e vetme qe të përballet me agresorin. Kësaj radhe mungoj gatishmëria e shqiptarëve për ti dalur në ndihmë njëri tjetrit, në rast rreziku. Kësaj radhe nuk u dëshmua se të gjithë shqiptarët “janë Mic Sokola”!
.Duke pasur parasysh ato që u thanë, më bëhet sikur vetvetiu dëgjoj thirrjën:
Po ku jeni trima ?!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Llojdia, internacionalist, Maqedonia, muzeu i fundit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT