• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

Ne as kemi qënë ndonjëherë dhe as jemi si gjithë të tjerët

May 4, 2015 by dgreca

– Replikë me z. Henri Çili/
nga Andon Dede, Nju York/
Duke lexuar një kronikë nga promovimi i librit të Prof. Servet Pëllumbit, “Përmbysja e komunizmit”, më tërhoqi vëmendjen fjala e Henri Çilit ku ai hedh disa teza, pak konfuze, por mbi të gjitha të pasakta, madje tepër të gabuara. Sikur nuk më besohej se si mund të dilnin pohime të tillë nga goja apo dhe pena e tij, me që ka shkruar dhe parathënien e librit. ( Me librin nuk po merrem se as nuk e kam lexuar dhe as nuk ishte ky qëllimi i këtyre rreshtave). Aq përshtypje më bënë pohimet e tij, sa e lexova disa herë kronikën e mësipërme dhe kur u binda se ç’kish dashur të thoshte, vendosa të jap mendimin tim. Për të qënë sa më i saktë, po i riprodhoj më poshtë pohimet e tij, sipas kronikës së botuar në disa gazeta:
“Përmbysja e komunizmit është një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore. Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën. Pak a shumë, përmbysja e komunizmit në Shqipëri ishte mbi të gjitha, dhe kjo është teza themelore e profesor Pëllumbit, derivat i zhvillimeve në Europën Qendrore, Lindore dhe në ish- Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë zhvillimet në Shqipëri janë një derivat i kulturës ndërkombëtare dhe jo më kot kështu ka qenë shumë herë dhe vërtetohet dhe këtë radhë, se nuk mund të ketë zhvillime shqiptare jashtë një konteksti të madh të zhvillimit të perandorive apo gjeopolitikës së madhe. Nuk mund të kishte zhvillime të hapësirës së trojeve shqiptare jashtë kontekstit të Perandorisë Otomane, nuk mund të kishte të themi zhvillime të Shqipërisë apo versione të përmbysjes më para të komunizmit sepse nuk mund të flitej për sukses të diversantëve apo të sabotimit të komunizmit në Shqipëri jashtë Paktit të Jaltës, e kështu me radhë. Kjo i jep fund një herë e mirë sindromit tonë për të qenë një “rast i veçantë” apo një ‘rast sui-generis”.

Siç shihet, në këto pak rreshta ai hedh disa ide. Së pari, është e vërtetë se përmbysja e komunizmit apo më saktë, dikaturës tek ne,(se ai nuk qe komunizëm, siç e pohon dhe profesori në librin e vet), ishte “një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore.”. Por më poshtë ai bën një kapërcim pindarik që s’ka si të mos të të habisë: “Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën.”. Të thuash se përmbysja e komunizmit na bën europianë më duket jo vetëm e pasaktë, por tepër e gabuar. Ne gjeografikisht kemi qënë europianë, që në zanafillën tonë, por sot ky status “europian” shihet pak më ndryshe, si antar i BE-së etj. apo dhe më gjerë: që t’i përgjigjesh standarteve europiane në ekonomi, infrastrukturë, institucione, politikë, kulturë, nivel jetese, sjellje,etj.etj.. Siç dihet dhe pohoet nga të gjithë ne apo dhe nga të huajt që na njohin, ne jemi aq larg këtyre standarteve europiane. Zhvillimet e këtyre 25 vjetëve të fundit kanë treguar bindshëm se do të na duhet dhe shumë kohë që të europianizohemi, por kjo është një temë tjetër që del jashtë asaj që duam të trajtojmë këtu.
Është po ashtu e vërtetë se zhvillimet në Shqipëri janë derivat i zhvillimeve ndërkombëtare, por kjo nuk e përjashton specifikën e zhvillimeve tek ne. Le ta nisim me perandorinë otomane, që e përmend kalimthi edhe autori i parathënies. Mos vallë rastësisht ne ishim të fundit që fituam pavarësinë e u shkëputëm nga ajo perandori, ndonëse kishim ndihmuar Greqinë e ndonjë shtet tjetër për t’u shkëputur prej saj? Mos vallë qe rastësi që shqiptarët kishin marrë gjithë ato poste të larta në hierarkinë shtetërore të asaj perandorije apo që jeniçerët, trupat më besnike të Sulltanit, në pjesën më të madhe, ishin shqiptarë?
Për të mos u zgjatur, vimë në shekullin e njëzetë, zhvillimet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku ndalet dhe zoti Çili. Përsëri ne kemi qënë të veçantë. Për fatin tragjik tonin, në krye të PK Shqiptare e më pas dhe të Frontit Nacional Çlirimtar, doli Enver Hoxha që kishte si qëllim parësor marrjen e pushetit dhe jo çlirimin e vendit e më pas vendosjen e një shteti demokratik, në shërbim të popullit. Ai u tregua krejt ndryshe nga udhëheqësiit e tjerë. Mjafton të lexoni “Diktatorët e Ballkanit”, të B.Fisherit. Si i zbatonte direktivat e Internacionales “Enveri ynë” dhe Titoja? Ky i fundit shihte thjesht interesat e popujve të Jugosllavisë dhe nuk e çante shumë kokën për direktivat që i vinin nga lart. Këtë pozicion ai e ndoqi edhe pas Luftës, deri sa u shkëput e iu kundërvu Kominternit e Stalinit. Po “Enveri ynë”? Ai u tregua më Stalin se vetë Stalini në vendosjen e diktaturës, një nga më të egrat e kampit socialist apo dhe më gjerë. Mjafton të kujtoni kolektivizmin që e bëri me ritme aq të shpejta e me dhunë, sa që e kritikoi edhe vetë Stalini në bisedat që pati me të. (Lexoni librin “Me Stalinin”).
Sa për çështjen e diversantëve, që z. Çili e lëshon si pa të keq, problemi nuk është aq i thjeshtë. Nuk është vendi këtu ta shtjellojmë hollësisht këtë temë, por fakt ishte se SHBA dhe Perëndimi kishin vendosur që të eksperimentonin përmbysjen me dhunë të sistemeve komuniste dhe ia filluan me Shqipërinë. Këtu hyn sabotimi që i bëri kësaj ndërhyrjeje i shumëpërfoluri Kim Filbi, por dhe kjo është një histori më vete. Ne e kishim fjalën se dhe në këtë fakt ne patëm një zhvillim të veçantë, paçka se pa sukses, gjë që iu kushtoi jetën tërë atyre djemve të rinj, nga të dy palët, që me apo pa vetëdije, e dhanë jetën duke menduar se po luftonin për të mirën e atdheut e të popullit.
Shkojmë më tej. Gjithë zhvillimet tek ne gjatë Diktaturës, kanë vulën e tyre të veçantë, krejt ndryshe nga të tjerët. Mjafton të përmendim vetëm një fakt, ndalimin e Fesë? Ose, cili shtet tjetër ka kaluar nga pro-jugosllav në pro-sovjetik e më pas pro-kinez, përveçse ne?! Po varfëria jonë biblike, me kë mund të krahasohet? A mund të përfytyrohet një vend tjetër me dyqanet krejtësisht bosh, si tek ne? Për të mos u zgjatur , po tregoj vetëm një detal të përjetuar nga unë personalisht.
Sapo m’u dha mundësia, pas ’90-ës, bëra një vizitë tek një miku im në Çekosllovaki, me që s’kisha dalë asnjëherë e të “mos vdisja pa parë qoftë edhe një herë botën me sy”. Po ç’të them për atë vizitë? Tregjet çeke qenë plot. Po ku kishte pika krahasimi me varfërinë tonë?
Së fundi, edhe me zhvillimet post-diktatoriale, ne jemi shumë larg të tjerëve, në çdo aspekt. Kjo falë klasës tonë politike që nuk ndryshoi shumë nga ajo e mëparshmja, duke iu përshatur kushteve të reja të pluralizmit.(jo demikracisë, se jemi akoma tepër larg asaj).
Përfundimisht, ne as kemi qënë dhe as jemi si gjithë të tjerët, por “sui generis”, dhe as që e vlen të zgjatemi më tej. Kjo nuk është një sindromë e tejkaluar, siç thotë z. Çili, por një realitet.
Gjithë sa më sipër, nuk është thjesht një kënaqje kurioziteti, por një çështje shumë e rëndësishme: pa diagnoza të sakta, nuk shërohet i sëmuri. Dhe ne, po nuk u vetëdijësuam se ku jemi e qysh jemi, as që kemi për të bitisur gjë, ashtu si edhe deri tani.

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, me Henri Cili, Replike

Çështja e tre vëllezërve Bytyçi, në Kongresin Amerikan!!!

May 4, 2015 by dgreca

Nga Washington DC Beqir SINA,/
…Roharbacher” Çfarë ka bër Serbia me çështjen Bytyci, atë të tre amerikanëve të vrare para 16 vjetë më parë – A mos duhet të presim edhe 16 vjet të tjera që Serbia të gjej vrarësit dhe të dënojë ata ?’/
Komitetit i Punëve të Jashtme të Kongresit, dhe Nënkomiteti mbi Evropën i Dhomës së Përfaqësuesve, mbajti këtë fillimjavë një seancë të posaçme dëgjimore, ku në rendin e ditës ishte progresi dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor, arritja e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, 20 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit.
Kjo, seancë dëgjimore, e cila u kryesua nga Kryetari i Komitetit për Marrdhënijet Ndërkombëtare, të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresiti Republikan , i Kalifornisë, Dana Rohabacher, dhe anëtarët e këtij Nënkomiteti, kongresistët Gregory W. Meeks dhe Albio Sires repubilkan nga Nju Xhersi, u shoqërau me një debat të gjerë të problemeve ballkanike siç i quajtën folësit.
Një debat i shkurtër u zhvillua lidhur me të ashtuqujturën progresi i Serbisë simbas DioGuardit, dhe oponentit të tij profesorit Ivan Vejvoda. Pas panelit të parë që u mbajt për të njëjtin qëllim ishte edhe paneli i dytë, ku dëshmuan në dy komitetet e jashtme të Kongresit edhe ish kongresisti republikan i Nju Jorkut Joseph DioGuardi kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, dhe profesori Ivan Vejvoda zëvendes President i Fondit Gjerman Marshall në SHBA.
Kjo, seancë dëgjimore e cila u kryesua nga Kryetari i Komitetit për Marrdhënijet Ndërkombëtare, të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresiti Republikan , i Kalifornisë, Dana Rohabacher, u shoqërua me një replike të fort rreth çështjes së vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanve të vrarë brutalisht nga forcat policore sërbe në vitin 1999, disa ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë
Profesori Ivan Vejvoda zëvendes Prisdent i Fondit Gjerman Marshall në SHBA, ‘illustroi” në dëshmin e tij, ndryshimet në politikën e Serbisë, sidomos simbas tij në qasjen që ka Serbia sot ndaj Kosovës. Ai permendi si shumë domethënse bisedimet në mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe disa argumenta të tjera sipas tij të cilat tregonin progresin e Serbisë. Andaj si konkluzion profesori Vejvoda tha ” me gjithe se ka shumë për të bër, por Serbia meriton më shumë për të qenë në BE.
Ky ka qenë një moment, mjat diskutabil I cili pati edhe ndërhyjen e kryetarit të seancës degjimore, kongresistit republikan Roharbacher, i cili duke e ndërprer profesorin Vejvoda, ka pyetur atë së çfarë ka bër Serbia me çështjen Bytyci, atë të tre amerikanëve të vrare para 16 vjetë më parë – A mos duhet të presim edhe 16 vjet të tjera ?” pyeti Rohrabacher që Serbia të gjej vrarësit dhe të dënojë ata?

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bytyci, ne Kongresin amerikan, Tre velelzerit

BABA KAMBER PRISHTA

May 4, 2015 by dgreca

Nga Uran Butka/
Baba Kamber Prishta është një figurë e shquar e atdhetarizmit dhe e bektashizmit.
U lind në vitin 1873 në fshatin Pagri të Përmetit. Paraardhësit e baba Kamberit kanë ardhur nga fshati fqinjë Hotovë dhe janë vendosur në Pagri, aty nga fillimi i shekullit 19-të. Ata kanë qenë atdhetarë dhe besimtarë të mirë. Një xhaxha i gjyshit të tij i quajtur Meço, ka qenë çuedar i Ali pashë Tepelenës dhe besnik i tij në luftën kundër Turqisë, deri sa pashait u iu pre koka. Meçoja u arratis për disa vjet për t’u shpëtuar ndjekjeve, por u vra në pritë. Gjyshi dhe gjyshja e baba Kamberit ishin besimtarë bektashinj dhe u bënë myhypë në Teqenë e Frashërit, qysh me themelimin e saj nga i shenjti Nasib Tahir babaj. Tre nga djemtë e tyre, përfshirë edhe të atin e Kamberit, u bënë dervishë në teqenë e Frashërit. Por me qenë se familja kishte nevojë për punët e bujqësisë, babai i tij, Mehmeti, u emërua dervish nderi dhe u lejua të martohej. Edhe xhaxhallarët shërbyen si dervishë në teqenë e Frashërit. Më i njohuri prej tyre, dervish Kaso, pati fatin të shërbente në kohën e Baba Alushit, i cili e ktheu teqenë e Frashërit në një vatër të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ku organizoheshin mbledhje dhe veprimtari të rëndësishme. Baba Alushi priste e përcillte liderin e Lidhjes, Abdyl Frashërin dhe veprimtarë të rëndësishëm të saj në jug të Shqipërisë. Me këto mësime të Rilindjes Kombëtare dhe të bektashizmit mëmëdhetar, u ushqye dhe u mbrujt dervish Kamberi. Mbas vdekjes së atit të tij shpirtëror, dervish Kasos, dervish Kamberi u përpoq t’i përtëritte traditat e teqesë së Frashërit dhe të bektashizmit. Në vitin 1910 shoqëroi për në Haxhi Bektash të Turqisë baba Ahmet Turanin dhe baba Sulejmanin e teqesë së Gjirokastrës, që u dorëzuan gjyshër nga kryegjyshi botëror Fejzi Dedej, i cili ishte shqiptar. Në takimet me kryegjyshin, baballarët dhe personalitetet shqiptare të Turqisë, si edhe nga vizita në Siri dhe Liban, dervish Kamberi përfitoi mjaft përvojë.
Në vitin 1911 dervish Kamberi u kthye në atdhe, ku kishin shpërthyer kryengritjet për liri në gjithë hapësirën shqiptare. Teqeja e Frashërit u bë sërish vatra e lëvizjes për liri e pavarësi. Në teqenë e Frashërit, në qershor 1912 u organizua një tubim i çetave të Shqipërisë jug-lindore dhe u ngrit komiteti kryengritës me në krye Tajar Tetovën dhe Sali Butkën. Dervish Kamberi e priti me gëzim shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Bashkë me klerikët e tjerë bektashinj, ia nisi punës për ringjalljen e bektashizmit në Shqipëri, por kjo lëvizje nuk arriti të kurorëzohej, sepse Shqipëria u pushtua nga ushtritë greke e serbe, mandej nisi edhe Lufta e Parë Botërore. Shqipëria e jugut, veçanërisht Kolonja, Përmeti, Gjirokastra, Skrapari etj u dogjën e u masakruan nga ushtria greke e andartët dhe popullsia e këtyre trevave u shpërngul për në Vlorë. Edhe familja e madhe e Kamber Meços. Në Vlorë, ai u angazhua në ndihmën e emigrantëëve në nevojë, të çfarëdo feje e krahine qofshin. Baba Ahmeti i Turanit, organizoi gjithë punën për të ndihmuar mijëra të shpërngulurit në ullishtat e Vlorës, madje ngriti një kazan të madh, që gatuante për familjet në skamje e mjerim. Por mungesa e kushteve higjenike, bëri që të shpërthente kolera, e cila çoi në varr me qindra njerëz dhe sidomos fëmijë. Nga familja e madhe e Meçove humbën 13 frymë, midis tyre edhe i ati, motra dhe niper e mbesa të dervish Kamberit, i cili u prek edhe vetë nga kjo sëmundje dhe mezi mundi të shpëtonte falë kujdesit të vëllait të tij, Hasanit dhe të baba Ahmetit.
Në fund të Luftës I Botërore, dervish Kamberi shkoi në SHBA për të mbledhur ndihma nga bashkëkombasit për ringritjen e teqeve të shkatërruara nga lufta . Atje u prit mirë nga bashkatdhetarët, në mënyrë të veçantë nga Federata “Vatra” dhe drejtuesit e saj Konica e Noli. Në vitin 1920 ai u takua në Amerikë edhe me patriotin e tij, Mid’hat Frashërin, i cili bënte një vizitë atje për të siguruar mbështetje politike për Shqipërinë dhe për një ndihmë për shtetin e ri shqiptar. Ndërsa Mid’hati u nis për në Paris, si kryetar i delegacionit në Konferencën e Paqes, dervish Kamberi u kthye në Shqipëri ( 1921 ). Krerët e bektashizmit në Shqipëri bënë përpjekje për organizimin e institucioneve të fesë bektashiane dhe pavarësimit të tyre tashmë që shteti shqiptar merrte në mbrojtje e garantonte besimet fetare, sipas statusit të Kongresit të Lushnjës. Në këtë lëvizje të rëndëshishme fetare dhe kombëtare, ka ndihmësuar edhe baba Kamberi. Ai mori pjesë aktive në organizimin e Kongresit të Parë të bektashizmit, që u mbajt më 17.01.1921 në teqenë e Prishtës në Skrapar. Në këtë kongres, dervish Kamberi u emërua baba dhe gjysh i teqesë së Prishtës nga baba Ahmet Turani, i cili drejtonte kongresin. Këshilla Atnore, si organi më i lartë i klerir bektashian, hartoi Statutin bektashian, që u miratua edhe nga parlamenti.
Në teqenë e Prishtës, baba Kamberi u shqua si një simbol, por edhe një misionar i bektashizmit. Teqeja e Prishtës u bë një qendër e rëndësishme jo vetëm e bektashizmit, por edhe e patriotizmit dhe e njerzillëkut. Baba Kamberi ndihmonte gjithë ata nevojtarë që e vizitonin teqenë, por edhe të varfërit e të vuajturit, pavarësisht nga përkatësia fetare apo krahinore. Prandaj edhe ai u mbiquajt Prishta. Po ashtu, ai u shqua edhe për administrimin e teqesë së Sukës, një nga më të njohurat në vend, me një pasuri prej 222 ha tokë, shumë bagëti e pendë qedh. Baba Kamberi udhëhiqej nga mësimet e Naim Frashërit, edhe ai bektashi i shquar: “Bektashinjtë janë vëllezër jo vetëm midis tyre, por edhe me krejt njerëzimin. Ata duan me gjithë shpirt myslimanët e tjerë dhe të krishterët dhe shkojnë mirë me të gjithë njerëzit. Por mbi çdo gjë, ata dashurojnë atdheun dhe bashkatdhetarët e tyre dhe ky është më i madhi i gjithë virtyteve”
Baba Kamber Prishta ndihmësoi në organizimin e drejtimin e kongreseve të tjerë të bektashizmit në Shqipëri, si në atë të Gjirokastrës më 8 korrik 1924 dhe në kongresin e tretë në teqenë e Turanit të Korçës, më 26 shtator 1929. Ky kongres, më i rëndësishmi në historinë e bektashizmit, u dominua nga fryma kombëtare dhe ajo e institucionalizmit të bektashiznmit shqiptar. Kongresi u zhvillua nën kryesinë e baba Kamber Prishtës, që luajti një rol të rëndësishëm si në vendimet themelore për bektashizmin, ashtu edhe në hartimin e miratimin e statusit të bektashizmit, që përcaktohej qartë si sekt i fesë myslimane. Në statut, veç të tjerash theksohej se klerikët bektashianë duhet të jenë shtetas të Shqipërisë me gjuhë e gjak shqiptari. Në art.3 thuhet se gjuha zyrtare dhe fetare e sektit është shqipja. Në art. 58, sanksionoheshin qendrat titulluar të gjyshërive dhe gjyshërit përkatës. Gjithashtu, në statut theksohej shprehimisht: ”Deri sa të zgjidhet kryegjyshi, në konformitet me dispozitat e art.27, zgjedh zëvendëskryegjysh, hirësinë e tij, gjysh Kamber Ali Prishtën.” Por një nga arritjet kryesore të këtij kongresi dhe një nga meritat e mëdha të zv.kryegjyshit, Kamber Prishtës, ishte vendimi për të krijuar kryegjyshatën bektashiane me qendër në Shqipëri si edhe zgjedhja dhe thirrja nga ana e Këshillit Gjyshnor të Sali Njazi Dedejt, si kryegjysh botëror. Siç dihet, në vitin 1923 ishte ndaluar në Turqi Urdhëri Bektashian dhe ishin mbyllur teqetë bektashiane . Kështu që kryegjyshi botëror Sali Njazi Dedej, me ftesë të gjyshërve e baballarëve të Shqipërisë, u largua nga qendra botërore e bektashizmit në Turqi dhe u kthye në atdhe. Erdhi, siç thuhet, me rrobat e trupit, por me idenë për ta vendosur qendrën botërore në Shqipëri. Qendra e saj u vendos në teqenë e Turanit dhe në fund të vitit 1930 ajo u zhvendos në teqenë e Melçanit, Korçë. Këshilli i Ministrave të mbretërisë miratoi statutin ( rregulloren) e dalë nga kongresi III, duke i dhënë fuqinë ligjore të shtetit shqiptar. Në mars 1930, mbreti Zog I dekretoi emërimin e hirësisë së tij, Sali Njazi Dede kryegjysh të Sektit Bektashian Shqiptar dhe e ftoi ta ngrinte selinë e shenjtë në Tiranë. Dede Saliu e bleu këtë vend që e ka bekuar Zoti dhe ndërtoi kryegjyshatën, duke u bërë themeluesi i saj.
Në kohën e Mbretërisë, bektashizmi shënoi përparime të mëdha, jo vetëm në Shqipëri,por edhe në trevat shqiptare të shkëputura nga trungu shqiptar, veçanërisht në Kosovë ( Gjakove ,Tetovë, Kërçovë), por edhe më gjerë, si në Turqi, Egjypt, Irak, Greqi etj. Por qendra e Bektashizmit botëror ishte në Shqipëri, nga drejtohej e gjithë veprimtaria bektashiane botërore, me në krye Sali Njazi Dedenë. Rol të rëndësishëm ka luajtur baba Kamberi, i cili u dekorua nga Mbreti Zog me “Urdhërin e Skënderbeut”. Një goditje mori bektashizmi në kohën e pushtimit fashist. Akti më i rëndë ishte vrasja e kryegjyshit Sali Njazi Dedej nga italianët ditën e shenjtë të 28 nëntorit1941. Arësyeja ishte se kryegjyshi nuk u bë vegël e pushtuesve, nuk pranoi subvencionet e Italisë dhe e mbajti ndezur flakën e patriotizmit e të bektashizmit. Fakti që kryegjyshata u bë qendra e manifestimeve të 28 nëntorit 1939, ku demostruesit antifashistë bashkë me kryegjyshin u betuan mbi varrin e Naim Frashërit, fakti tjetër që Dede Saliu shpalli ditë zije ditën e vrasjes nga italianët të baba Abazit të teqesë së Rabijes me shtatë dervishë (viti 1940) me fjalët: “Sot është ditë zije. Duhen 24 orë lutje e falje për këta herronj të rrugës sonë”; fakti tjetër që kryegjyshi refuzoi të firmoste një mesazh të komuniteteve fetare drejtuar Musolinit në tetor të vitit 1941, që e kishin firmosur kryetarët e komuniteteve të tjera, por që i ishte përgjigjur prerë Jakomonit, një muaj para se ta vrisnin ”Unë kam një këshill gjyshnor”, pra këto fakte e të tjera ishin të mjaftueshëm që fashistët ta eliminonin fizikisht kryegjyshin atdhetar Sali dedej, siç vërtetohet nga dokumentet arkivore.
Por goditjen më të madhe e mori bektashizmi dhe të gjitha fetë në Shqipëri në kohën e komunizmit. Madje qysh gjatë luftës civile që e provokoi PKSH dhe e bekuan jugosllavët. Komunistët e përçanë dhe e goditën klerin bektashian. Disa krerë të tij u bashkuan me komunizmin, morën pjesë në luftë dhe morën poste të larta dhe grada ushtarake, (kolonelë) në kundërshtim me statusin e sektit bektashian. Përpjekja e tyre ishte t’ia përshtasnin bektashizmin komunizmit dhe ta vinin klerin bektashian në shërbim të regjimit komunist. Ata që nuk iu nënshtruan kësaj politike, u vranë si baba Zylfoja, që u therr në teqenë e Turanit në vitin 1943, baba Murat Frashëri, po më 1943, baba Qamil Gllava, u pushkatua më 1945, baba Ali Tomorri, baba Bedri Cakrani, baba Shefqet Koshtani u pushkatuan më 1948 dhe dhjetra të tjerë që vdiqën burgjeve e internimeve. U ndalua feja, umbyllën teqetë e tyrbet, u sekuestruan pronat e tyre, u persekutuan klerikët, por edhe besimtarët. Po ç’ndodhi me baba Kamber Prishtën? Ai qëndroi besnik i fesë bektashiane dhe i atdheut, njëherësh edhe kundërshtar i kolerës së komunizmit. Ai nuk pranoi të ikte nga Shqipëria si mjaft të tjerë, për t’i shpëtuar gijotinës komuniste. Kur erdhi baba Rexhepi në Kryegjyshatë në tetor 1944, dhe i kërkoi dede Kamberit të bashkohej me të për në mërgatën politike, “sepse komunistët nuk e duan Zotin dhe njerëzit e Zotit”, kryegjyshi nuk pranoi. Të dy kishin të drejtë. Baba Rexhepi, kishte luftuar kundër komunistëve dhe ata e kërkonin kokën e tij. Ndërsa baba Kamberi ishte kryegjysh botëror dhe s’mund ta braktiste kryegjyshatën dhe besimtarët. Edhe kur iu lut baba Mustafai, miku i tij i ngushtë : “Të ikim me të tjerët se do ta pësojmë”, dede Kamberi iu përgjigj: “Deri këtu ishim bashkë, tani ndahemi dhe hejbet merri me vete se unë s’dua ndonjë send se mehybet e mi kanë ardhur mbas meje e teje dhe ne s’mund të lemë vatanin e të ikim në Evropë, si politikanët. Ne kemi qenë myrshid e rehber dhe unë nuk mund të bëhem edhe i braktisur nga atdheu. Mos e dhëntë Zoti!” Dhe nuk e braktisën. Të dy baballarët qëndruan. Por panë me sytë e tyre çfarë tragjedie ndodhi me bektashizmin, me popullin dhe me atdheun e tyre. Baba Kamberin e arrestuan më 28 prill 1945, po ashtu edhe baba Mustafa Canaj, menjëherë sapo komunistët morën pushtetin. Pesë muaj në hetusi, tortura dhe poshtërim nga Sigurimi i shtetit. Më 3 shtator 1945, gjykata ushtarake e Gjirokastrës e dënoi në moshën 72 vjeçare me 15 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtave qytetare e politike, si edhe sekuestrimin e pasurisë me akuzën: “Deklarohet fajtor për krimin se ka qenë pjestar koshient në organizimin dhe forcimin e organizatës tradhtare t Ballit Kombëtar, bashkëpuntor i ngushtë i eksponentit Ali Këlcyra. Ka bërë propagandë në dëm të Lëvizjes NÇ. Ka transferuar në çerdhe tradhtarësh e armiqsh teqen e Prishtës dhe të Sukës”
Në burg, siç dëshmojnë bashkëvuajtësit, mbajti një qëndrim dinjitoz, të palëkundshëm dhe të përshpirtshëm prej fetari. Siç rrëfen bashkëvuajtësi Beqir Ajazi, Baba Kamberi i kishte kaluar të tetëdhjetat, por dukej shumë më i vjetër. Ishte një burrë i gndoshta deri në dy metra, por duke qenë dhe shumë i trashë, gjatësia e tij nuk binte në sy… Kokën e kishte të madhe. Me atë taç prej shajaku të trashë dhe me pëlhurën jeshile, që e rrethonte. Të tëra këto e bënin baba Kamberin një gjë të frikshme. Sytë e tij të zes e të mëdhenj, si sy kau, nuk arrije t’i shikoje plotësisht, sepse vetullat e tij të trasha, si shtëllunga leshi, i vareshin teposhtë. Mjekrra e tij e bardhë, që niste që nga tëmthat, ia mbulonte faqet e veshët, pastaj ajo varrej poshtë e dendur e kaçurele dhe, duke iu bashkuar me mustaqet, shkonte deri tek brezi i meshintë, ku qëndronin dikur teslimet. Me këtë pamje, baba Kamberi të trembte në takimin e parë, por kjo trembje, shumë shpejt kthehej në simpati dhe admirim, që s’e kuptoje nga vinte..
Baba Kamberi refuzoi që të dorëzonte taçin, me argumentin se feja ishte një gjë dhe politika një gjë tjetër. Kështu që, nëse babalarët e burgosur ishin kundër komunizmit, kjo nuk do të thoshte aspak se këta ishin edhe kunder atdheut, aq më tepër kundër bektashizmit. Kur në burgun e Tiranës erdhën Baba Faja dhe Baba Fejzua, për t’i marrë taçin baba Kamberit, ky kundërshtoi duke thënë se atë taç të hazret Aliut e kishte mbajtur gjashtëdhjetë vjet në kokë dhe nuk e jepte kurrën e kurrës. Pas disa javësh ata erdhën sërish, këtë herë të vendosur për t’ia marrë dhunshëm. Baba Kamberi i tha baba Fajës: ”Unë kokën e jap, po taçin jo. Por në qoftë puna me dhunë, në kokë e kam dhe, po qe se e ke ndarë mendjen, lësho dorën dhe mere, Veç, ama, dije se përgjegjësinë dhe gjynahun e ke për vete”. Baba Faja kishte lëshuar dorën dhe kishte rrëmbyer nga koka e baba Kambërit taçin që plaku i nderuar bektashi e kishte mbajtur me një barrë nder. Mandej i rruan edhe mjekrrën. Për babain kjo ishte më e keqe se vdekja. Por nuk kaloi shumë kohë, kur altoparlanti i burgut dha lajmin tronditës se baba Faja dhe baba Fejzua ishin vrarë nga dora e kryegjyshit Dede Abazi, që ishte vetëvrarë. Kryegjyshata ishte mbytur në gjak. Shkak ishte shkelja e statutit dhe kodit bektashian, që sanksiononte mosmartesën e klerikëve të këtij sekti.
Kur vizitoi një herë Mehmet Shehu burgun, hyri në kaushin ku dergjeshin plot 42 të dënuar, midis tyre edhe baba Kamberi. E pyeti për emrin. – Baba Kamberi i Prishtës, ejvallah, i tha babaj. – Ç’baba e ç’dede i Prishtës je more? Ti je një kriminel i rrezikshëm që ke vrarë shokun tonë, Riza Cerovën! – iu hakërrua Mehmeti. – Ç’është ajo fjalë, ejvallah? Meazallah, qoftëlarg dhe përtej detit që një baba të vrasë njerëz! Ne bektashinjtë nuk vrasim dot njeri, ejvallah. Prandaj, e ke jangllësh zotrote!
Bashkëvuajtësi tjetër, Tomorr Aliko, thotë se bekimi i baba Kamberit dhe fjalët e tij profetike më bënë që rezistova edhe 13 vjet të tjera në ferrin e burgut, gjersa u lirova. “Ishte viti 1950,. Hera e dytë që shtrohesha në dhomën e vdekjes në spitalin e burgut. Sollën me barelë baba Kamberin. Ai ishte në agoni, gjoksi i rrihte fort nga frymëmarrja e vështirë. E lashë të qetësohej. Pas pak hapi sytë. I shkova pranë, i fërkova duart e këmbët. E mbuloi një djersë e madhe. Më tha: “Tomorr, o bir, na kanë thënë se ke vdekur, shyqyr që Zoti vuri dorë! Kurajo, bir, ki besim te Zoti.. Ti do të shpëtosh, do vuash, por ke për të dalë nga burgu., do të bashkohesh me nënën, babanë dhe njerëzit e tu. Do të jetosh gjatë dhe do shohësh dynja me sy. Se koha do të ndryshojë. ..Merre këtë feste dhe çoje në kryegjyshatë” Ishte festja, me të cilën kishte zëvendësuar taçin në burg… Ditën e dhjetë të agonisë, baba Kamberi ndërroi jetë… Baba Mustafai, që vuante dënimin në burgun e Burrelit, sapo e mori vesh, dha shpirt edhe ai. Por e habitshme ishte kurajoja dhe devotshmëria e kryegjyshit botëror të asaj kohe, Ahmet Myftar Dede, i cili e varrosi trupin e baba Kamberit, “armikut të popullit”, në kryegjyshatë. Natyrisht, edhe për këtë gjest dhe nderim të lartë, në kundërshtim me regjimin komunist, Dede Ahmeti, bashkë me dervishin besnik Reshat Bardhin dhe Ibrahim Hasnajnë, u internuan më pas në Drizar të Mallakastrës. Mandej eshtrat e Baba kamberit u zhvarrosën nga Kryegjyshata me urdhër të Enver Hoxhës dhe u varrosën në fshehtësi nga Esat Pagria në varrin e Bamit e mandej në Tufinë. Për Baba kamberin u fol dhe u shkrua si një armik e kriminel, ndonëse në shpirtin e popullit ai jetonte s i shenjtor. Tomorr Meço, bir nga kjo familje, të cilit ia ka vënë emrin vetë baba Kamberi, kujton: “Ne të familjes e morën vesh vdekjen e tij, por nuk u bë asnjë ceremoni dhe askush nuk fliste hapur për të. E mbanim në shpirt dhimbjen dhe imazhin. Në verë të vitit 1950 u hodhën me aeroplan në Përmet, Dangëlli e Skrapar fletushka të hartuara nga Komiteti Shqipëria e Lirë”, ku flitej për vdekjen e baba Kamberit, këtij maritiri të kombit dhe të bektashizmit. E kam parasysh si tani fotografinë e baba Kamberit në ato fletushka, që i mblodhi me ngut Sigurimi i Shtetit, që të mos i lexonte populli”
Vetëm me ardhjen e demokracisë, në vitin 1993, me kujdesjen e Tomorr Meços dhe të Tomorr Alikos dhe përkushtimin kryegjyshor të Dede Reshat Bardhit, eshtrat e tij u rivarosën me nderime të mëdha në tyrben e Kryegjyshatës, përkrah kryegjyshëve të tjerë.
Dhe , më në fund, si një homazh i kësaj kohe, erdhi vlerësimi i kryegjyshit botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit: “Dede Kamber Prishta, së bashku me baba Mustafa Canaj, shpalosën shpirtin e madh të patriotit dhe të klerikut bektashian. Ata nuk u përkulën për asnjë çast, sepse besonin që flaka e qiririt të Haxhi Bektash Veliut nuk mund të fikej asnjëherë. Së bashku me mijëra klerikë dhe besimtarë të tjerë bektashianë, ata mbajtën të gjallë në shpirt besimin tek Zoti e tek Atdheu dhe u sakrifikuan për besimin e shenjtë. Brezat e sotmë dhe të nesërm do të përkulen kurdoherë me respekt pranë mezareve të tyre”.

Filed Under: ESSE Tagged With: BABA KAMBER PRISHTA, Uran Butka

NDERI I KOMBIT, RRUSTEM GECAJ, KULLË NË LËVIZJE…

May 4, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Shpesh, për njerëz të vlerave e nderave si Rrustem Gecaj, kur vjen fjala për mirënjohje ndaj tyre, i ndie ka thonë: Ia din’ Zoti! Po, kësaj here, në kit’ fund prilli 2015, ia diti dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tue e nderue me meritë me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. E ka për kryefjalë motivacioni: “Në shenjë vlerësimi të lartë e respekti të thellë për veprimtarinë e tij…”. Epo dihet: nderi të nderon. Aq ma tepër kur flitet e veprohet për shembëllime si Rrustem Gecaj që rri “në hije”, në heshtje, e punët e mira i ka në dritë të diellit, të jehonshme. Ky, kaherë, ende pa mbrri në kapërcyell të dekadës së gjashtë të jetës së tij, ishte në lartësi të nderit të kombit, por kur i vlerësojmë njikështu njerëzit emblemë e ditës atëherit jemi tue e pa në sy e tue e prek ma mirë e ma shpejt në vizione e në hapa të ardhmen tonë kombëtare. Ne, si shoqëri shqiptare, veçmas pas diktaturave sllavo-komuniste Enver-Tito-Millosheviç, në kushtet e sotme të Rendit të Ri Botëror, në misionet tona kombëtare të bashkimit, integrimit e progresit, kemi nevojë kombëtare për njerëz të tillë si biznesmeni veprimtar Rrustem Gecaj, për dekorata të tilla elitare si “Nderi i Kombit”. Në udhët tona të sotme e të nesërme na duhen simbolet kombëtare me dekrete presidenciale të ditës e me fytyrë të kohës, në pasqyrë e në ballë, ashtu sikurse vet elementët kimik në Tabelën e Mendelejevit.

“Nderi i Kombit”, Rrustem Gecaj, është rrënjas nga Lluka e Ulët e Deçanit të Kosovës dardane, djalë i mirë e burrë i fortë i kullës-kala të Gecajve, një kullë etno-historike – sa e traditës dhe moderne, për nga arkitektura nga ma të veçantat ndër trojet etnike shqiptare në Ballkan, të cilën shpesh e dogjën shkijet e Serbisë për qëndresën e trimat e saj dhe gjithmonë mbeti në kambë, monumentale. Edhe ky, Rrustem Gecaj, më përngjet me kit’ kullë me gene e lartësi shqiptare. E thanun ndryshe: ai është vet kjo “kullë në lëvizje”… për Kombin. Qyshce në lindjen e tij. Në çdo qelizë të tij. Në hapat e tij. Si atëherit kur 25 vjeçar (viti ’72) e kapërceu Atlantikun i detyruar, si shumkush, nga përndjekjet e persekutimet kundërshqiptare deri në genocid të kryera në pafundësi me urrejtje e gjakderdhje nga sllavët. Edhe deri më sot, që ka hy’ në gjysmë shekull jetë në Amerikë, në vendin e lirive e mundësive të mëdha. Ai, thonë se shkon shpesh në vendlindje, tek kulla e tij në Deçanin e legjendave të vendbetejave të Eposit të Kreshnikëve, të kryetrimave historik Sylejman Vokshi (Lokaj), Isa Boletini (Maksutaj), Ramush Haradinaj… E, tashti, po e di sekretin e rrugëtimit të Rrustemit si “Kullë Gecaj (Deçani) në lëvizje”: ai marrka “karburant” (energji) e lartësi në rrënjët genetike të kullës së tij të madhe, në visin e tij të Deçanit historik në analet kombëtare shqiptare.

Biznesmeni Rrustem Gecaj, sëbashku me nipin e tij, Harry Bajraktari, qyshse në vitet ’80 ka ndihmue minatorët e grevës së urisë të Stari Tergut, ku iu gjendën pranë me fonde për disa vite 20 familjeve minatore me 186 veta. Edhe kur Serbia ia ndërpreu fondet Radio Televizionit të Kosovës, këta të dy, dajë e nip, ishin ndër donatorët aktiv për mbajtjen e tij, për të folur shqip e shqiptarisht.
Në vitin 1991, te dy, me prijtar nipin e tij, Harry (Hajdari) e themeluan e mbajtën deri vonë tue e financue me qindra mijë dollarë amerikanë të parën gazetë dygjuhëshe shqip-anglisht në Amerikë, gazetën “Illyria”, që ishte e mbetet një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Amerikë (Uashington, Nju Jork, etj.), në selinë e OKB-së në Nju Jork, në Ballkan.
Rrustem Gecaj për shumë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, etj është treguar bajemirë me fonde, tue i sjellë për mjekim në Amerikë, tue i ndihmue në nismat e tyre, në vështirësitë e tyre, etj. Rrustem Gecaj ndihmoi dhe në Mitrovicë, kur në nëntor 2008 nisi aksionin i madh humanitar për donacione për ndërtimin e shtëpive të rrënuara nga lufta të shqiptarëve në përballje me terrorin serb tue lëshue vet i pari çekun me mijëra dollarë amerikanë për shtëpinë e Ali Kadriut e të tjerëve.
Rrustem Gecaj është nga investitorët më të fuqishëm në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane. Njëherash një nga mikpritësit e ndër zëdhënsit e saj në Amerikë, si për Ibrahim Rugovën, Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, etj. Sikurse dhe për ish presidentin e ish-kryeministrin e Shqipërisë, dr. Sali Berisha. Po, tashti, Rrustem Gecaj ka investime startore dhe në Shqipërinë Londineze, dhe në vite e dekada ka qënë lobues e kontribues për demokratizimin e progresin e saj.

Rrustem Gecajn, kurrnjiherë se kam takue, po unë e kam njoft ende pa lind e kam me e njoft edhe kur të mos jem, se ai e ka njoft vetëveten, atë e ka njoft Koha Shqiptare në dy anët e Atlantikut, atij i kanë dhanë vlerësime dy presidentët Nishani e Jahjaga të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Ai u rrit me dashurinë për Kosovën e për Kombin dhe e rriti dashuria për Kosovën e për Kombin.

Ay, si e thotë Presidenti Nishani në motivacionin e dekoratës: me “veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur…” e ka vendin e rolin e vet në konstelacionin e yjeve shqiptarë në qiellin e historisë shqiptare, pa i hy’ në hise kurrkujt, pa iu xhelozue asnjanit, pasi qielli ka vend plotpërplot për yje në hapisrën e vet dhe për sytë tanë. E mue, edhe këta të dekoruemit me Urdhërin “Nderi i Kombit”, më ngjajnë si yje në qiellin shqiptar, për breznitë shqiptare.

Kjo Kulla e Gecajve në Deçan ka shumë yje. E njof nga larg dhe një tjetër, njanin prej tyre. Hysen Gecaj i thonë atij. Edhe ky – veprimtar kombëtar e biznesmen. Rrinë tek rranjët, tek trolli i vet, ma së shumti Anadrinit e në Luginën e Rahovecit – tek fabrika e venës “Stone Castle”. E kam pa në foto në Tuzin shqiptar në Mal të Zi tue vendos tufa me lule tek shtatorja e Nanë Terezës dhe në Prekaz tek varri i Adem Jasharit e në Prishtinë tek varri i Ibrahim Rugovës, në Tiranë tek shtatorja e Hasan Prishtinës. E sy-pashë nga larg në qytetin e Bajram Currit më 17 prill 2015 teksa kishte ardhë në ceremoni e veprimtaritë solemne e festive të dekorimit nga Tropoja të dr. Islam Lauka, ish-ambasador i Kosovës, me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.
Syni i njeriut në këto kohë të vështira të globit kërkon me pa njerëz kaq të mirë të tokës e historisë së vet shqiptare.

Në kështjellën Rambuje në Paris, në Kuvendin vendimtar për lirinë e Kosovës, mbajtur më 6 shkurt-18 mars 1999, ndodhi ndryshe nga 1919-ta e Kështjellës së Versajës, pasi kësaj here, miqtë e mirë të Shqiptarëve në Ballkan iu gjenden pranë Kombit Shqiptar, fateve të Kosovës. Aty ishte dhe “zonja e hekurt”, Madelene Ollbrajt, Sekretare e Shtetit Amerikan. Ne, Shqiptarët jena pa vllazen në kit’ botë, po Amerikën e kena “probatime”(vëllame), pasi kena “pi gjak gishti” e shpirtnim ndërveti qyshce herët, nga Uillsoni tek Klintonët e Bushët. Aty, në Rambuje, erdhën dhe kongresmenët amerikanë Eliot Engël e Sue Kelly, në shoqëri të fisme të atdhetarëve shqiptaro-amerikanë Rrustem Gecaj e Harry (Hajdar) Bajraktari. Në kështjellë erdhën nga përtej Atlantikut dhe këta dy trima shqiptar nga Amerika. Në kuvend ishin ndihmatarë dhe këta dy burra të Kosovës. Këta janë ilake ndërveti, me gene gjaku e hapa pragu. Geci është daja e Bajraktari është nipi. Të të njëjtit profil. Në të njëten udhë, krahpërkrah e ballas. Asht e palcë nderveti, vlera të përhershme e ndera të shpeshta për të tjerët. Te dy në lartësi të kohës, me kontribute për Kombin. Te dy të dekorurar “Nderi i Kombit”. Ashtu si jena mësue ta shohim Shqipen me Dy Krena edhe ata që i njohin këta të dy atdhetarë nuk mund t’i shohin e konceptojnë ndryshe veçse kësisoj, sëbashku, unitar, shembëlltar. Asnjë çek me dollarë nuk i ka prishë ndërveti dajë e nip në biznese, udhë e lartësime.
Këta të dy, si rrallkush, shpesh në bashkari dhe me elitarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, e kanë faktorizue Kosovën në institucionet e larta të Amerikës, kanë qenë avokat të Kombit të vet shqiptar, e kanë mbështetë dy herë rradhazi zgjedhjen e Presidentit Amerikan Bill Klinton, të senatorëve Hillary Klinton, Bob Dole, Joe Liberman, John McCain, Alfonse Marcello D’Amato, të kongresmenëve Eliot Engël, Sue Kelly, e të tjerë. Kanë pasë njohje e lidhje të mira me presidentë demokratë e republikanë të Amerikës, me personalitete të larta amerikane. Kjo ka pasë dhe interes e mirësi kombëtare shqiptare.
Këta të dy janë ndër përfaqësuesit elitarë të komunitetit shqiptaro-amerikanë, si në struktura drejtuese të organizatave e organizmave shqiptare në Amerikë si të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të DioGuardit, të LDK-së të Ibrahim Rugovës, të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Federatës PanShqiptare “Vatra”. Vet Rrustem Gecaj, me nismen e tij, kohët e fundit investoi mijëra dollarë amerikanë për rikonstruksionin e godinës trekatëshe të Vatrës, etj.
Si përmbyllje po e cekim motivimin e dhënies të dekoratës “Nderi i Kombit” për veprimtarin kombëtar, biznesmenin shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, ku tekstualisht jepet vlerësimi e nderimi ndaj tij “… për shërbim, mbrojtje e mbështetje të çështjes kombëtare, si dhe për lartësimin e emrit dhe vlerave të rralla të bashkësisë shqiptaro-amerikane”. Pra, për të gjitha këto, Nderi i Kombit, Rrustem Gecaj, është një Kullë Deçani në lëvizje përditësore e lartësore për kombin e vet.

Filed Under: ESSE Tagged With: KULLË NË LËVIZJE..., Nderi i Kombit, Rrustem Gecaj

PËRSEKUCIONI DHE PËRSEKUTORËT…

May 4, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
DOSJA Nr. 1./
1944 – 1991■HAPNI DOSJET ! KËTA ISHIN KANALET E ZEZA TË SHTETIT SHQIPTAR, QË BURONIN NGA BYROJA POLITIKE E K.Q. TË PKSH (PPSh)!
■Shqiptarët përgjithsisht kanë kalue disa nga këta përsekucione:
Përsekucioni i Familjes… Përsekucioni shtetnor i shoqnisë… Përsekucioni krahinor…
Përsekucioni fetar… Përsekucioni ideologjik… Përsekucioni kulturor personal…
Përsekucioni i trashiguem… Përsekucioni imoral… Persekucioni karrierist…
■Qellimi i këtij shkrimi nuk asht me shpjegue përsekucionin po, përsekutorët!
■ÇDO EMEN VRASËSI DUHET DIJTË NGA POPULLI SHQIPTAR !
■Përsekutorët janë terroristët vrasës, gjaksorë, masakrues, torturues, antishqiptarë, të pashpirtë, të pamoral, të pafe, të paatdhe, të pafamilje, të pafëtyrë, hipokritë, gënjeshtarë e shpifës, fanatikë, asgjesues, anonim, aventurierë, antinjerzorë, hajdutë, antiligjorë dhe kriminelë frikacakë, të lindun me etje per gjak, karrierizem dhe krime të shemtueme…
■Të gjitha këta cilësi Enver Hoxha i ka tregue me qendrimin e tij ndaj familjes Kokalari të Gjinokastres, pa kenë nevoja fare me ia hapë “Dosjen” e pafund të krimeve barbare e gjysëshekullore të tij dhe pasuesëve apo bashkpuntorëve të pandreqëshem antishqiptarë.
■Krahasimi që i bahet të masakruemëve nga Enver Hoxha, me Nelson Mandelen asht vetem një fyemje dhe asgja tjeter… Përsekucioni i Shqiptarëve asht i pakrahasueshëm! Asht i pakrahasueshëm se vetë përsekutorët tanë janë perbindsh të pashoq në Botë!
■HAPNI DOSJET: Kush janë përsekutorët tanë tiranë të Popullit Shqiptar?
■Sekretari i parë i Komitetit Qendror të PKSh (PPSh), Enver Hoxha dhe Ramiz Alia me
Anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PKSh (PPSh), dhe kandidatët e saj janë ideatorët, projektuesit, organizatorët, urdhnuesit, zbatuesit dhe aprovuesit e të gjitha krimeve.
Anëtarët e kandidatët e KQ të PKSh (PPSh). Shefat e agjitacionit e propagandës KQ.
Sekretarët e PKSh (PPSh) të institucioneve që vareshin direkt nga KQ i PKSh (PPSh).
Sekretarët e Parë të Komiteteve të PPSh së qarqeve e rretheve të Republikës, sekretarët e organizatave bazë të PKSh (PPSh), të të gjitha institucioneve shtetnore të Shqipnisë.
Sekretarët e Komiteteve të PKSh (PPSh), që kishin në varësi Degat e Mbrendshme të Rretheve, ase seksionet e mbrendshme, repartet e ndjekjes së popullit dhe të kufinit.
■Kryeministrat e RPSSh, zv. kryeministrat, ministrat e mbrendshem dhe të mbrojtjes, shefat e Shtabit të Pergjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, të gjithë shefat e kuadrit të Kryeministrisë, ministrisë së mbrendshme, të mbrojtjes, të drejtësisë, industrisë së randë dhe reparteve ushtarake të kufinit, ku kuadrohen edhe komandantët e komisarët e tyne.
■Dosjet e hartuesëve dhe aprovuesëve të ligjit per interrnimin e fëmijëve nën 18 vjeç.
Shefat e Arkivave të të gjitha institucioneve shtetnore, ushtarake, civile, kulturore etj…
■Antarët e qeverisë shqiptare që nga Berati, Permeti dhe Tirana në Nandor 1944.
■Drejtuesit e brigadave të Ndjekjes dhe të mbrojtjes popullore nder qytete e fshatra.
■Komisarët politik dhe operativët e mbrojtjes së popullit. Ekzekutorët e vendimeve.
■Kryetarët e Frontit Demokratik, mbrenda të cilit mëshefej PKSh.
■Gjykatat ushtarake dhe civile të qarqeve, rretheve dhe të Tiranës, ku perfshihet edhe gjykata speciale, të formueme nga gjykata e naltë, e cila drejtohej dhe kontrollohej nga komandanti i pergjithshem Gjen. Kol. Enver Hoxha, si dhe nenshkruesit e zbatimit të vendimeve të ekzekutimit, dhe brigadat e pushkatimit. Mjekët ligjor ndër pushkatime.
■Hetues dhe prokurorë të Ministrisë së Mbrendshme, dhe degëve të rretheve.
Operativët e degave ushtarake që merreshin me rekrutimet në sigurimin e shtetit.
■Shefat e seksionit katolik të Degës së Mbrendshme të Shkodres.
■Hetuesit e çeshtjeve ordinere, ku vriteshin njerëzit per motive politike.
■Dosjet e asistentëve të huej ndër hetuesitë tona dhe porositë e tyne të dokumentueme.
Dosjet e drejtorëve të burgjeve dhe operativëve nder qytete dhe kampe shfarosje.
Mjekët asistentë nder hetuesi, tortura dhe proceset fallco të tyne.
■Dosjet e Sekretarëve të Parë të PKSh (PPSh) dhe shefave të kuadrit të komiteteve, të cilët jepnin urdhna per pushkatime sekrete, per njerëz të dënuem me burgosje… këta gjoja i transferonin nder burgje tjera dhe gjatë udhtimit i vrisnin, me urdhen nga naltë.
■Komandantët e Reparteve Ushtarake, komisarët, operativët që kanë vra ushtarë nder sherbime ushtarake dhe i kanë fallsifikue vrasjet politike me “vetvrasje” deri në 1991.
■Këtu duhen publikue vrasësit e Rinisë nder piramidat kufitare në vitet 1989 – 1991.
■Dosjet e institucioneve arsimore e kulturore, që vareshin nga Komiteti Qendror i PKSh, e deri tek Akademia e Shkencave, Lidhja e Artistave, Teatri Popullor, Arkivi i Shtetit, Kinostudio, Radio etj. që jepnin motivacione e kerkesa per pushkatime deri në vitin 1991.
■Dosjet e instruktorëve të Komiteteve të PPSh, zyreve sekrete, sekretarëve e zv. të tyne mbas 1967, kur Degat e Mbrendshme të Rretheve vareshin nga Komitetet e PPSh.
■Dosjet e kuadrove të nalta në të gjitha institucionet, ku para diplomimit studentët kanë nenshkrue bashkpunimin dhe sherbimin e tyne me Sigurimin e Shtetit.
■Dosjet e Presidentëve të Kuvendit Popullor, sekretarëve dhe komisjoneve që aprovonin ekzekutimet e propozueme nga gjykatat ase institucionet tjera të mëshefta.
■Dosjet e të gjithë personave që kanë nenshkrue kjoftë dhe një pushkatim në Kuvendin Popullor ose institucionin ku kanë sherbye, ose ligjët e arrestimeve dhe interrnimeve.
■Dosjet e të gjithë ambasadorëve e nëpunësve të zyrave sekrete të ambasadave e OKB…
Dosjet e kryetarëve dhe operativëve të lagjeve, që informonin në degat ushtarake.
Dosjet e kryetarëve apo drejtuesëve të organizatave shoqnore, front, rini, bashkime profesionale, grue, kooperativa bujqësore, zona kufitare etj… kryesisht mbas vitit 1967.
■Dosjet e shefave të kuadrit të Komiteteve PPSh e Ekzekutiv, si dhe institucioneve të rendsishme nder rrethe e Kryeqytet, si Arkiva, muzeume dhe Institute, ku përfshihet Politeknikumi 7 nandori edhe shkolla e PPSh në Tiranë.
Shefat e kuadrit në Ministri të ndryshme dhe të sektorëve kryesor të kryeministrisë…
■Dosjet e mjekëve të pranishem në zhdukje njerzish nder manikomjo etj.
■Dosjet e studjuesëve të “Dosjeve” të Min Mbrendshme, projektues të krimit.
Dosjet e agjentave të sigurimit në Gjimnaze, shkolla të mesme, teknikume e Universitet, shkolla arti, shkolla partie, juridik, të gjuhëve të hueja, histori, mjeksi, financa, etj.
■Dosjet e të persekutuemëve politik që janë angazhue me sigurimin pa u arrestue fare.
Të dënuemit që me akuza fallco kanë ndikue në ekzekutime të personave të pafajshem…
■Emnat e të arratisunve që i kanë sherbye sigurimit të shtetit deri në vrasje të disa prej Atdhetarëve, tue veprue nder male me pabesi si rasti i Gjergj Vatës, etj…Kush i sillte këta dhe me cilat qendra agjenturore kishin lidhje, per me asgjesue rezistencën nder male.
■Sigurisht, kjo listë nuk mund të mendohet se asht e plotë, po besoj, vlenë me percaktue disa nga labirintet e krimit të organizuem në 47 vitet e diktaturës komuniste të pashoqe të PKSh ase PPSh, në Republiken Popullore Socialiste të Shqipnisë.
Melbourne, Maji 2015.
* Ne vijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…Pjesa XIV

Filed Under: Analiza Tagged With: e përmbytjes, Fritz Radovanai, Në 70 vjetorin, pjesa XIV

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT