• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Anton Çetta, mirë se vjen në Gjakovë ! Kur ?

June 21, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

“Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar…”.(Anton Çetta)

“Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” “… në fshatin Sellagrazhdë, famullia Velezhës, komuna e Prizrenit “. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “turbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.

Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

•           Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!  (vr. ime).

•           Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;

•           E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin në dallime.”

Përkujtojmë sot më 3 janar prof. Anton Çetën, gjakovarin e madh, intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin e njohur e pajtuesin e palodhur të gjaqeve, në përvjetorin e lindjes.- thoshte Don Lush Gjergji.

Po sot si ta kujtojmë ? Me një Shatore të madhe në qendër të Gjaokovës. Kur?Gjakovari  Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë.Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.

Gjakovarit  Prof. Anton Çeta me një shtaore në Gjakovë.Krenaria e Gjakovës dhe e mbarë shqiptarisë.

“Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të paprintueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme.- shkruan Don Lush Gjergji “

Anton Çeta ndoshta më mirë se akush prej nesh e njihte fare mirë dhe për së afërmi dhe në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes, e cila nuk ishte asgjë tjetër përpos vëllavrasje dhe përfundimisht vetëvrasje – bashkëpunim me sundimtarët e huaj. Shi për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thoja edhe më tepër, providenciale.

Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.

Pranvera e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, Luftën kund Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist, Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues, Prof. Anton Çetën, një qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali, LIRISË DHE PAMVARËSISË.

Atë kohë ishim më shumë se sot!

Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdha…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105).

Gjakmarrja , një e keqe e ardhur  dhe e futur në gjakun tonë nga turqit !-thot Kadareja

Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë….

Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mira, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfat dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.

Ja si e përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, fq. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 25-80).

“Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.Unë iu përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!”.Ai si në hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur… A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?”.Dhe u mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë, në një skaj tjetër, diku afro një ore.  Pas këtij pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime edhe për ndonjë ditë dhe natë… Ja, kështu është puna me popull dhe për popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë… Këtë e kemi sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve… Motivimi dhe dashuria bëjnë mrekulli!…”.

Shtatorja e gjakovarit  Anton Çetta në Gjakovë , nderë ,obligim ,shpirtbardhësi dhe falënderim për Anton Çettën.   Lavdi !

Fahri Xharra, 20.06.15 Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cetta, mirese vjen

Ushtarakët amerikanë në ndihmë të komunitetit civil në Shqipëri

June 20, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

Gjatë këtyre 25 viteve të bashkëpunimit intensiv midis Ushtrisë së SHBA dhe asaj shqiptare, krahas programeve të mirëfillta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të vendit tonë, janë realizuar dhe mjaft projekte e ndihma për komunitetin civil anembanë Shqipërisë. Kështu Komanda e Korpusit Amerikan në Evropë nëpërmjet strukturave të saj, Komanda dhe ekuipazhe të anijeve të ndryshme që kanë vizituar Shqipërinë dhe portet e saj, kanë ndërtuar, rikonstruktuar dhe shpërndarë ndihma në spitale të ndryshme civile, vec spitalit ushtarak, në shkolla të niveleve të ndryshme, shtëpi të moshuarish, kopështe e qëndra fëmijësh me aftësi të kufizuara, nga Saranda në Shkodër, nga Vlora në Korcë, nga Elbasani në Lezhë, nga Tirana në Kukës, etj. Në këto projekte humanitare janë përfshirë dhjetra ushtarakë amerikanë së bashku me specialistët dhe vullnetarët e korpusit të Paqes në Shqipëri. Për konkretizimin e tyre është bashkëpunuar me organet e qeverisjes vendore, strukturat përkatëse të arësimit, shëndetsisë apo organizatave joqeveritare. Menaxhimi, drejtimi dhe shpërndarja e këtij aktiviteti të rëndësishëm në Shqipëri është bërë nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes,(ODS) dhe zyra e Atasheut ushtarak Amerikan në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Rasti më i fundit dhe sinjifikativ i kësaj ndihme të cmuar për popullin tonë ishte rikonstruksioni i plotë i shkollës “28 nëntori” në Kucovë, e cila është ndërtuar në vitin 1964 dhe nuk ishte riparuar asnjëherë. Rinovimi i saj përfshiu të gjithë ambientet, klasat, laboratorët, bazën didaktike, paisjet e saj, duke e bërë atë një shkollë moderne tashmë. Projekti prej 575,000 dollarësh u financua nga programi për ndihma humanitare i Korpusit Amerikan në Evropë. Ndërsa realizimi i punimeve u bë nga Distrikti i inxhinjerëve, strukturë e këtij Korpusi. Në ceremoninë e rihapjes së Shkollës javën e kaluar, vec 600 fëmijëve të moshës 6 deri 15 vjec, që studjojnë cdo ditë në të, morën pjesë qytetarë të Kucovës, personeli mësimdhënës i shkollës, përfqasues të pushtetit lokal, medias, etj. Në fjalën përshëndetëse kryetari i Bashkisë Kucovë, zoti Bardhyl Gjyzeli dhe Drejtore e Shkollës, zonja Mjaftoni Dhimitri, falenderuan ushtarakët amerikanë dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë për këtë ndihmë të cmuar për fëmijët dhe qytetarët e Kucovës. Këta fëmijë që mbushin klasat sot, krahas mësimit do kenë kurdoherë në mendje dhe zemër ushtarakët amerikanë që ja rikthyen shkollën më të bukur se kurrë. Ndërsa atasheu ushtarak amerikan, zoti Ralph Shield, përshëndeti të pranishmit dhe në emër të ambasadorit Lu, i uroi suksese në realizimin e programit mësimor personelit mësues-nxënës të shkollës “28 nëntori”, Kucovë. Projekte të tilla që i vijnë në ndihmë  komunitetit  të cdo moshe ne do realizojmë dhe në të ardhmen, duke bashkëpunuar ngushtësisht me autoritetet vendore, theksoi N/kolonel Shield. Ndërkohë krahas urimit nga nxënësit që po vazhdojnë këtë vit mësimor, dhjetra ishnxënës të kësaj shkolle falenderuan përzëmërsisht ushtarakët amerikane dhe përfaqsuesit e ambasadës për riparimin kapital të shkollës së tyre, e cila i shërben direkt arësimimit të fëmijëve në qytetin e Kucovës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ndihme komunitet, Shefqet Kercelli, shqiptar, ushtaraket amerikane

AMERIKA DHE LIRIMI I SHPEJTE I RAMUSH HARADINAJ

June 20, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA /
Uashington – Odiseadës së padrejtë të Ramush Haradinajt në Slloveni, duket t’i ketë dhënë fund, prerë dhe qartë, vetë një ndërhyrje përtej Atlantikut. Raportohet se zyrtarë amerikanë i kanë kërkuar sqarime ambasadorit slloven në Uashington, për ndalimin e pakuptimtë të Haradinajt, bëjnë të ditur burime të afërta me gazetën tonë nga Uashingtoni.

Ka qenë pikërishtë një ditë më parë lirimit kongresisti Eliot L. Engel, demokrati më i lartë në Komitetin e Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili i bëri thirrje qeverisë së Sllovenisë të lirojë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Simbas një burimi të mirë besuar nga Uashingtoni, zoti Engel ka bërë dje në mbrëmje, një telefonatë në Departamentin e Shtetit, ku ai ka kërkuar që Ambasadori slloven në Uashington, ekselenca e tij Božo Cerar, të japë sqarime lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kurse, themeluesi dhe botues i gazetës, për shtatë vjet, i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, Harry Bajraktari, veprimtar dhe biznesmen i suksesshëm, mik shumë i afërt me kongresitin Eliot Engel, qëndron pas “kuintave” të kësaj lëvizjeje nga Washingtoni – SHBA, – për lirimin e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj .

Kongresisti amerikan, demokrati më i lartë në Komitetin e Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, deklaroi dje lirimin dhe fshirjen nga “Karta e Kuqe”, të gjithë shqiptarëve, prej nga koha e luftës, duke thënë se :“Që të sigurohemi që gabime të tilla të mos përsëriten më kurrë, Beogradi duhet të tërheqë “Kartat e Kuqe” nga Interpoli, të cilat janë edhe rrënja e problemit. Veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me synimet e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinë”.

Ndërkaq, Harry Bajrkatari, duke i uruar lirimin Haradinajt nga Lubjana, tha sot për gazetën tonë se të gjithë shqiptarët e Amerikës janë shumë të gëzuar ashtu si gjithë populli i Kosovës dhe mbarë shqiptarët kudo që janë.

Sipas, tij, është me rëndësi që pastërtia e luftës së z. Haradinaj u dëshmua për të tretën herë. “Z. Haradinaj, i cili dy herë u shpall i pafajshëm nga Gjyqi i Hagës, duke dëshmuar se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i tregoi edhe një herë komunitetit ndërkombëtar dhe Beogradit, se sa e drejtë ka qenë lufta për liri e pavarësi e Kosovës, në këtë kohë që Serbia kërkon t’a njollosë atë”.

Filed Under: Featured Tagged With: Eliot Engel, Ramush Haradinaj, SHBA

DR. OMER NISHANI, QË ISHTE DHE 8 VJET PRESIDENT

June 20, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi,
Dr. Omer Nishani, në vitet e fundit të jetës, ishte gati 8 vjet, (nga viti 1946 deri në vitin 1954) Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, por thuajse, e gjithë veprimtaria jetësore e tij ishte në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, me prirje nacionaliste, demokratike e deri fetare dhe në përpjekje për një Shqipëri të civilizuar e të kulturuar me kahje perëndimore. Ai ishte bashkëqytetar dhe mik i kahershëm me babain tim dhe si myhib bektashi, ishin zgjedhur në forumin superior, si anëtarë të Këshillit Botëror Drejtues të Komunitet Bektashian.
Omer Nishani lindi në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës në vitin 1887 në një familje të hershme qytetare. Ai mbaroi shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe studimet e larta për mjekësi në Stamboll. 
Në vitin 1922 u emërua internist në Spitalin e Tiranës, që aso kohe ishte në mjediset e “Hotel Elbasanit”, ndërtesë me dy kate e 50 shtretër, përbri sahatit, ku drejtor ishte miku i tij deri në çastet e fundit, doktor Osman Jonuzi. 
Nga viti 1923 deri 1924 punoi mjek dermatolog në qytetin e Durrësit. 
Në vitin 1924 mori pjesë në revolucionin demokratiko-borgjez, nën drejtimin e Theofan Nolit. 
Pas riardhjes së Ahmet Zogut, me ndihmën e bajonetave Serbe, Fan Noli me 300 përkrahës ku bënte pjesë dhe Omer Nishani, braktisën Tiranën. Ishte Isuf Hamzari nga Borshi, që i hipi ata në anijen italiane “MOLFETA”, për t’i çuar në Vlorë, e meqë aty nuk gjetën strehë, shkuan në Itali. 
 Të larguarit u ndanë në dy grupe, ku grupi i parë i përbërë nga Qamil Çela, Haki Stёrmilli, Selim Shpuza, Reshit Daci, Naum Prifti, Demir Godelli, Ferhat Ekmekçiu, Rexhep Filati Çami dhe të tjerë, morën rrugën për Francë.
 Noli vajti fillimisht në Vjenё, ku organizoi Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) dhe u lidhë me lëvizjet ndёrkombёtare revolucionare. Nё atё grup mori pjesё dhe Dr. Omer Nishani, i cili jetoi në emigracion për 15 vjet, ku zhvilloi një veprimtari të dendur anti zogiste, për çka u dënua me vdekje në mërgim.
Gjatë kohës që qëndroi në Austri, doktor Nishani u dashurua dhe u martua me shtetasen austriake Rozvita fon Woler (1896-1971). Së bashku me të shoqen u kthyen në Shqipëri, kur u lejuan,  pas largimit të Ahmet Zogut, më 9 prill 1939.
 Në atë kohë e pati të vështirë të sistemohej në punë, por ju ndodh përsëri pranë Isuf Hamzari, që i gjeti vendin e punës. Omer Nishani shumë shpejt u bë Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian. Isuf Hamzari si ish komandanti i parë i Marinës Shqiptare dhe Kapiten i Portit të Durrësit nga viti 1924 deri më vitin 1934, ngeli ndër miqtë dhe përkrahësit e afërt të doktorit.
Në verën e 1943 Omer Nishani, revolucionar dhe antifashist i hershëm, braktisi detyrën te italianët dhe mori pjesë në radhët partizane të Frontit Nacional Çlirimtar. 
Në Konferencën e Dytë në Labinot (1943) dr. Omer Nishani, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai zëvendësoi Kryetarin e Frontit, Kamber Qafmollën, duke u kthyer kështu në figurën më të rëndësishme qendrore, pas Enver Hoxhës. 
Në Kongresin e Përmetit në 24-28 maj 1944, u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i përbërë nga 11 veta, ku dr. Omer Nishani u zgjodh kryetar, me funksion të një kryetari të pashpallur shteti, kurse në mbledhjen e II.- të KANÇ-it në Berat, më 20-23 tetor 1944, me vendimin Nr. 14 të Kryesisë, Komiteti u kthye në “Qeveri Demokratike” me po ata persona dhe me po ato funksione, me këtë renditje: Enver Hoxha, Kryeministër, Ministër për Luftën e Komandën dhe Ministër i Punëve të Brendshme; Omer Nishani, ministër i Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroj deri më 12 janar 1946; Medar Shtylla, ministër i Ekonomisë; Bedri Spahiu, Ministër i Rindërtimit; Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë; Ramadan Çitaku, Ministër i Financave; Sejfulla Malëshova, Ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore; Gjergj Kokoshi, Ministër i Arsimit; Spiro Koleka, Ministër i Punëve Botore; Ymer Dishnica, Ministër i Drejtësisë.
 Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Omer Nishani, mori mandatin e deputet të Gjirokastrës, të cilën e fitoi për të dytën herë më 28 maj 1950.
 Më 12 janar 1946,  Dr. Omer Nishani, u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, post që e mbajti deri në vitin 1953.
Do të theksoja, me këtë rast, disa detaj të rëndësishëm nga jeta e Dr. Omer Nishanit, që sipas vrojtuesve të vëmendshëm, ndikuan në “rrokullimën” drejt shkatërrimit të këtij burri të shquar:
Në vitin 1944 erdhi në Shqipëri Llazar Papapostoli, i quajtur Lori Post, si oficer i Ushtrisë Amerikane. Ai kishte mbaruar Shkollën Teknike të Harri Fulcit në Tiranë, së bashku me Mehmet Shehun dhe më pas shkoi në SHBA, për të vazhduar studimet e larta. Atje u njoh edhe Fan Nolin. Më pas u dërgua me mision në Shqipëri, duke u hedhur me parashutë si anëtar i Komandës Anglo-Amerikane, që në atë kohë kishte zbarkuar në Itali dhe mbulonte Shtabin Operativ për Ballkanin. Në Shqipëri ai u bashkua me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë N.Çl. Në vitin 1945 kur u rifut në Shqipëri Misioni i UNRA-s, Llazari u caktua Shef i Misionit për Durrësin. Në një pritje në Hotel “Dajti”  ishte me të afërtit e saj dhe e bija e Isuf Hamzarit, mikut të Dr. Omer Nishanit, e quajtur Hënza, 21 vjeçare dhe mjaft e bukur. Llazari u dashurua me Hënzën qysh me shikimin e parë dhe pas disa javësh, ata u martuan zyrtarisht. U vendosën në një apartament në Durrës dhe aty kaluan edhe muajin e mjaltit.
Organet e Mbrojtjes se Popullit e arrestuan Llazarin për veprimtari armiqësore dhe e burgosën. Hënza, tashma e njohur si gruaja e tij, për disa muaj shkoi e mori rrogën e të shoqit në Misionin Amerikan. Kjo u gjet si shkak për “shkelje ligjore” dhe për këtë edhe ajo u arrestua dhe u burgos.
Isufi, i ati, shkoi tek miku i tij i hershëm, Omer Nishani, tani Kryetar i Kuvendit Popullor dhe i tha:    
  -Omer, të kam shpëtuar dy herë kokën: Herën e parë kur donte të të arrestonte Ahmet Zogu, isha unë që të hipa në vapor dhe të çova në Itali. Ti emigrove në Austri dhe atje u martove me një austriake.  Herën e dytë, në kohën e Italisë, u ktheve në Shqipëri dhe u bëre Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian. Isha unë që të rekomandova, të hapa organikën dhe të caktova rrogën për të ushqyer familjen. Tani, më ndihmo e ma nxirr vajzën nga burgu. Ma shpërble të mirën me të mirë! Omer Nishani pasi u mendua një copë herë, iu përgjigj:
 – Të ndahet! Rrugë tjetër nuk ka. Isufi, tashmë i thyer në moshë, shkoi në burg dhe i tha të bijës të bënte ndarjen që të shpëtonte nga skëterra ku e kishin futur. Ajo pasi e dëgjoi të atin, iu përgjigj:
 – Baba unë e dua burrin tim. Me atë nuk jam martuar për përfitime të çastit.
Ato fjalë asaj i kushtuan 4 vjet qeli të errët, lagështi, sëmundje, izolim e përbuzje. Për pasojë, familja patriote e Isuf Hamzarit, u nxor forcërisht nga shtëpia dhe u çua të banonte për dy vjet në një stallë lopësh, diku nga fundi i Rrugës së Kavajës. Më pas, duke parë vuajtjet e prindërve dhe të vëllait, ajo u detyrua të bënte divorcin dhe u internua në Shkodër pasi në Tiranë konsiderohej njeri i padëshirueshëm. I shoqi, Llazari, bëri 10 vjet burg dhe më vonë u internua dhe ai në Levan të Fierit. 
Thonë se kjo ngjarje e hodhi në dëshpërim doktorin, që dallohej për besë dhe karakter të fortë. Detaji i dytë nga jeta interesante e Dr. Omerit: Në tetor 1947, gjermania Lote Pilku, kishte shkuar të takonte mikeshën e saj, Rozvitën (gruan austriake të doktorit), të cilës i kishte kërkuar të ndërhynte te i shoqi që t’i falte jetën bashkëshortit të saj, Njazi Pilkut. Lotja ishte njohur me Njazi Pilkun (Jazon), në vitin 1922, kur ai ishte student në Gjermani. Ai, mik i doktorit, vite të tëra punoi pranë Ministrisë Bujqësisë dhe Ushqimit dhe më pas u pushkatua si sabotator. Lotja tani e ve, në moshë 48 vjeçare, filloi punë si pastruese te Omer Nishani. Edhe kjo ngjarje, thonë se e uli besimin absolut ndaj doktorit.
Një tjetër detaj: Më 1 tetor 1952 Omer Nishanit i arrestojnë të vëllain, Besim (Beso) Nishanin, me akuzën moskallëzim për arratisje të shokut të tij Bektash Halitit. Deri më 1 mars 1951 Besim Nishani kishte punuar ekonomist në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. 62 vjeçari ishte marrë i pandehur së bashku me shokun e tij, duke u akuzuar se kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi. Prokurori kishte dhënë pretencën për ta dënuar Beson me 2 vjet burg, por trupi gjykues e liroi sepse Besoja “nuk kishte dijeni për bisedat armiqësore të shokut të tij”. Megjithatë, vëllai i presidentit qëndroi 8 muaj në paraburgim. Arrestimi i të vëllait, ishte një kërcënim e tronditje tjetër, për Omer Nishanin.
 Pikërisht atë vit, Rozvita fon Woler ose Trëndafile, “u ftoh’’ në marrëdhënie me të shoqin dhe e braktisi atë duke shkuar të banonte në një shtëpi tjetër.
Në këto kushte e rrethana dëshpërimi e pasigurie, në kuadër të riorganizimit të përgjithshëm shtetëror në vitin 1953, Enver Hoxha e detyroi Omer Nishanin të jepte dorëheqjen. 
Më 23 korrik 1953 në mbledhjen e Byrosë Politike, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, u miratua struktura e re e Këshillit të Ministrave dhe po në këtë mbledhje u rekomandua dorëheqja e Presidentit Omer Nishani dhe zëvendësimin e tij nga veterani tjetr nacionalist, Haxhi Lleshi.
 Më 1 gusht 1953 Omer Nishani i paraqiti Kuvendit Popullor dorëheqjen e tij me shkrim. U përpoqën ta justifikonin largimin e tij me sëmundjet që kishte, tuberkulozin e mushkërive, që në ato vite ishte një sëmundje mjaft e përhapur në vendin tonë.
Pra doktori rra në dëshpërim të thellë edhe pse, herë pas here, shkonin dhe e takonin miqtë e tij të pa ndarë si dr. Osman Jonuzi, dr. Ymer Dishnica, dr. Janko Theodhosi, dr. Besim Zyma, dr. Fejzi Hoxha, Dhimitër Evangjeli, Koço Tashko, Shemsi Totozani, Medar Shtylla, Skënder Luarasi, Sami Baholli e deri Kostë Boshnjaku etj.

Me sa duket kishte ardhur fundi… Në ora 23.00 të datës 25 maj 1954, dy ditë përpara zgjedhjeve për në Kuvendin Popullor, Omer Nishani, u gjet i vrarë në vilën e tij, si pasojë e dy të shtënave afër zemrës me një pistoletë të markës gjermane me kalibër 7.65 m/m, që ishte armë personale e tija. Gazetat zyrtare “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” më 27 maj 1954 njoftuan shkurt se 67 vjeçari, vdiq “pas një sëmundje të rëndë”.
 
 Vlorë, më 20.06.2015

Filed Under: Histori Tagged With: 8 vjet, Omer Nishani, president

Skenderbeu dhe “shqipëtarët”

June 20, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.Nje mesazh per  “shqiptarët “ e Skënderbeut  se  historiografia serbe çka shkruen “

|”Ових дана десио се интересантан догађај у Албанији, у музеју Скендербега у Круји.

Кустос музеја је објашњавао ко је био Скендербег, ово, оно, а један од присутних посетилаца га пита:

– «А где су сахрањени Скендербегов рођени брат и отац?»

А овај прогута кнедлу па каже:

– «У српском мансатиру Хиландар».

А овај опет пита:

– «А зашто тамо?»

А кустос каже:

-«Па знате, Скендербег и његова породица су били велики државници, па су имали добре односе са другим народима».

А људи у групи, било је ту и Швајцараца и Немаца и «Црногораца», слушају и чуде се шта прича кустос, па питају човека који је поставио питање:

– «Како ти да су они сахрањени у српском манастиру?»

E shkruar per dëshirë të lubonjave, shmitave, resulbegoviqëve , dhe myftive : “Skenderbeu ishte serb dhe pravosllav ! Ortodoks po , musliman mandej e  pastaj katolik , por kryesorja shqiptar.  I mjeri Skenderbe ,ne e “ gjuajm” , serbet e duan !

-Skënderbeu ka pasur një informacion shumë të saktë mbi lashtësinë e kombit
– Mbajtja dhe përdorimi i simbolikës pellazgjike ka qenë e vetëdijshme nga ana e tij e për pasojë i qëllimshëm gjë që na e bëjnë të qartë edhe pas 300 vjetësh Rilindasit tanë me moton “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Në mars të 2007 një dashamirës dhe njeri me interesa kulturore A.M. na çon në Qytetin e Lezhës për të na treguar një dyshim të tij mbi rrënojat e Kishës ku u mbajt “Besë-Lidhja e Lezhës”.

Ai dyshonte fort se kishte të bënte me portat e Trojës së Lashtë:Themelet e kishës nuk ishin aspak themele me gurë bashkëkohor (shek. XV) as të periudhës së perandorisë Romake (si në fig. 2) apo të periudhës helene (shek.V para Krishit) por, të periudhës pellazgjike (para 3 mijë vitesh) ku madhësia e brinjëve të gurëve të gdhendur e kalojnë 1.2 metër, ngjyra e tyre, zbukurimi dhe forma me bazë funksionale, fliste ballasi për një prani të një periu-dhe zhvillimi ekonomik dhe kulturor brilant. Po kjo në fakt nuk do të thotë se është Troja. Që kështu du-hej vazhduar më tej në hulumtim.
Lezha  kishte qenë i mbushur me statuja të mrekullueshme mermeri të tempujve të shenjtë të qyteteve të lashta. (Vini re, pushtuesi otoman ka zhvilluar një luftë të madhe ndaj zbulimeve arkeologjike tek ne e për pasojë dhe shkatëruese të atyre që kanë qënë mbi sipër-faqe duke kuptuar kështu se vetëdijen e Skënderbeut për identietin tonë ata kanë dashur ta shuajnë me çdo kusht dhe kjo ka vazhduar pastër të realizohet deri në ditët e sotme).
Dhe vërtet ndërsa lufta e Skënderbeut u krye tek Ilirët e Mirfilltë dhe me ta, përkrenarja e tij dhe emër-tesa që përdorte “epirote” i takonte trevës jugore të ilirve, duke njësuar kështu faktin (veriun) me moralin (jugun) pra duke realizuar Besë-Lidhjen në atë që do të përcillet realisht me emërtesën e një-suar “shqiptar” pa ndonjë vendim gjykate apo supremi por me vendim të rregullave që i disponon edhe sot Etno-psikika e këtij populli “Shqiptari për një nder rron”.

Alarm, duhet të bjenë këmbanat, rrezik i vjetër “filozofia e robërisë,, troket ! – thotë I.Kadare në qindra intervista, shkrime e publikime që bën ai për çështje themelore të kombit shqiptar. Atë që Perandoria Otomane nuk e bëri dot për shekuj me radhë, fshirjen e gjuhës shqipe nga gojët e shqiptarëve , kërkojnë ta bëjnë sot  Otomanët e rinj turkoerdoglu, kinse  shqiptarët janë zbutur tashmë e ndoshta kanë ,,mall për Anadoll”, apo debulesë për  gjuhën e robëruesëve të dikurshëm të tyre. (Kadare)

Shqipja dhe Skënderbeu  e kanë fituar  betejën me kohë, tani ështe ora e shqiptarëve  evropiane , premtimi tyre ndaj vetes . Edhe sikur kurrë për jetë t’mos  bëhen shqiptarët, turkogluve të sotëm duhet t `iu bëhet e qartë, prerë e pa rezerva , se shqiptarët nuk bëjnë dashuri me ishdhunuesit e tyre. Boll fqinjë masakruesa të poshtër kanë shqiptarët, ama tersin më të madh në jetë të jetëve  kanë atë turko-osman. Tha mirë një gazetare e Kosovës, K.Berisha, se më mire i bie turqve të mësojnë shqip në Turqi, pasi aty kanë katër, ndoshta më shumë, milione shqiptarë, atyre të cilëve nuk iu  lejojnë as edhe një shkollë të vetme shqipe. Pse nuk duam të çajmë kokën ne për këtë nëpërkëmbje? Por ne, shqiptarët, i detyrohemi gjuhës shqipe shumë herë më shumë, sepse është ajo që na mban bashkë, që na ka pagëzuar me  emrin shqiptar. ( topkadare.com)

Подсетник за многе Србе ( përkujtues për shumë serbë ) e unë them pekujtues për shumë shqiptar “
Без обзира то што на идеолошку затуцаност србских комуниста и њихових следбеника (сада жестоких промотера глобализма) и све бестидне лажи арбанашких и квази-историчара, Ђорђе (Ђурађ) Кастриот (Кастриотић) или Скендер-бег, био је и остао једино велики србски вођ и јунак!!!

Свакако та чињеница, није непозната незаобилазним, по нас Србе, ( Gjergj Kastrioti ishte serb )

Po e  përfundoj me këte per inat të serbëve dhe myftive shqiptar të cilët flasin në stilin serb : За многе србске нараштаје, образоване у комунистичком режиму, где историја почиње од 1941. године, знања о Ђорђу (Ђурађу) Кастриоту (Кастриотићу) – Скендер-бегу се своде на чињеницу да је он ,,највећи национални јунак Албаније” (  Brezave te rinj serb, kështu fliste komunizmi që nga viti 1941 ,se Skenderbeu ishte . heroi madh i Shqipërisë !
Rrnofshi ju, që i shkoni serbëve pas , pa e ditur se pse !

Fahri Xharra, 19.06.15 , Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fhri Xharra, serbet, shqiptaret, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT