• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

Ja Pse Ankesat e Kandidatit te PBDNJ ne Konispol, Anastas Gudës, janë të pa baza

June 11, 2015 by dgreca

Kandidati i PBDNJ-OMONIA për bashkinë e Konispolit, Anastas Gudas vazhdon të qurravitet tek autoritetet greke për pamundësinë e fitores në Konispol/
Shkruan: Arben LLALLA/
Kandidati për kryetar të bashkisë së Konispolit i PBDNJ-OMONIA, Anastas Gudas është ankuar tek OSCBE dhe ODIHR se shkrimet që kemi botuar në media qenkan larg realitetit. Stafi dhe vetë Anastas Gudas përfolën në ankesat e tyre disa media shqiptare dhe një deputet se gjoja ushtrojnë presione ndaj votuesve të Konispolit, Xarrës, Mursio, etj. Por ne ia përplasim përsëri në fytyrë me fakte Anastas Gudës takimet që ai ka bërë e bënë gjatë kësaj fushatës me gjeneral e ushtrisë greke. Anastas Gudas, më 17 Maj, 2015, u takua me ish-shefin e shtabit të ushtrisë greke, Frangos Frangulis, zëvendësministri i shtetit, Terenz Kuik, sekretari i përgjithshëm i ministrisë së punëve të brendshme të Greqisë, Angjelos Sirigos, ku diskutuan rreth strategjisë për fitim e bashkisë së Konispolit nga PBDNJ dhe OMONIA.
Pyetja ime për Anastas Gudës është se çfarë e lidh atë me gjeneralët e ushtrisë greke në këtë periudhë të ftohtë që po njohin marrëdhëniet greko-shqiptare? Përse ka shfaqur kaq shqetësim Gudas për shkrimet e mia dhe na qenka ankuar tek “nëna” Greqi? Nëse kandidati i PBDNJ-OMONIA, Anastas Gudas vlerëson se në shkrimet e mia ka shpifje apo diçka të rrezikshme, ai mund të ankohet lirisht vetëm në institucionet e Republikës së Shqipërisë, shtetas i cili jam unë. Me ankesat e vazhdueshme tek institucionet e Greqisë, Gudas vërteton ato që kam denoncuar se kandidati në fjalë e ka kokën në Greqi dhe jo tek votuesit e Konispolit.
Këto ditë Anastas Gudas i shoqëruar nga Thoma Miço ka bërë takime të tjera me gjeneral-lejtmanët e ushtrisë greke. Përse nuk i tregon votuesve se çfarë biseduan me atë ish- komandantin e Fregatës të ushtrisë greke “SALAMIS”?
Më 1 Qershor, pikërisht në festën e fëmijëve, Anastas Gudas u shpërndau fëmijëve bluza ku propagandohet kandidimi i tij për bashkinë e Konispolit. Këta fëmijë nuk ua veshën bluzat në shtëpi, por në kafene ku zhvillohej takimi i kandidatit të PBDNJ-OMONIA me votuesit. Më tej personalisht Anastas Gudas u shpërndau portaleve sociale fotot e këtyre fëmijëve duke mos u fshehur fytyrën. Përse Anastas Gudasm keqpërdor fëmijët gjatë fushatës së tij elektorale? Ky akt bie ndesh me kodin zgjedhor për keqpërdorin të fëmijëve, por edhe me të drejtat e tyre.
Si inxhinier rrugësh Anastas Gudas duhet ta dijë se rruga e kandidimit për kryetar bashkie është e vështirë, kandidimi i tij nën logon e PBDNJ-OMONIA, është e gabuar sepse programi praktik i këtyre dy subjekteve është aneksimi i jugut të Shqipërisë, pra Autonomia e Vorio-Epirit. Veprimet e Anastas Gudës këtë periudhë treguan karakterin e tij të brendshëm për të realizuar projektet antishqiptare të SFEVA-s. Ato vijnë nga brendësia e historisë së tij njerëzore dhe etnike për të dalë në sipërfaqe në periudhën e fushatës gjatë takimeve që ai bëri në Athinë e Korfuz me gjeneralët e ushtrisë greke.

Filed Under: Analiza Tagged With: ankesat, arben llalla, e Anastas Gudes, Konispol

Festivali i dytë i shkollave shqipe në Amerikë, një ngjarje e madhe kulturore edukative

June 11, 2015 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/Në shtetin e Nju Xhersit në auditoriumin e shkollës së mesme publike amerikane “Wayne Hills” disa qindra shqiptarë erdhën për të parë Festivalin e Shkollave Shqipe, mbeshtetur nga Konsullata e Kosovës, si dhe Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut z.Mark Gjonaj. Festivali i shkollave shqipe udhëhiqet nga artistë të tille si soprano Lindita Mezini Lole, Dëshira Ahmeti Kërliu, të cilat kanë dhënë koncerte në Europë dhe në Amerikë, drejtori i shkollës së muzikës “La Scuola” në Manhattan, pianisti Petrika Melo, Albina Zajmi, mësuese e muzikës në New York. Udhëheqës artistik i festivalit ishte aktori dhe regjisori z.Xhevat Limanin.Prezantues të Festivalit ishte Brunilda Myrtaj e mbështetur nga Melinda Djinoviç, Velerda Bekteshi, Aleina Kaba, Eva Junçaj, Vesa Qosaj. Artisti Xhevat Limani ka ftuar në skenë organizatorin dhe mikpritësin e këtij Festivali z.Nebi Kaba, i cili pasi ka përshëndetur të pranishmit, Konsullin e Republikës së Kosovës, z.Korab Mushkolaj, Ansambleistin e shtetit të Nju Jorkut, z.Mark Gjonaj, tha: kam kënaqësinë të deklaroj para jush se ky Festival është simbol i flakës së ndezur të shqiptarizmës që dëshmon se mërgata e shqiptarëve të Amerikës ka qenë, është dhe do të mbetet pjesa më ballëndritur e Kombit shqiptar. Duke mësuar shkronjat e bukura shqipe nxënësit mbajnë amanetin e të parëve të tyre: Një Komb, një Gjuhë, një shtet dhe një flamur, që Shqipëria të mos bjerë kurre. Mendjendrituri Sami Frashëri na ka porositur: “Në se do të mbillni për çdo vit do të korrni misër e grurë, e në se doni të korrni për tërë jetën investoni tek fëmijët tuaj Arsim dhe kulturë”.

Prezantuesja e programit zonjusha Myrtaj ka lexuar përshëndetjen e ish Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës z.Bekim Sejdiu i cili ka qenë një ndër organizatorët e këtij Festivali ndërsa me largimin e tij me punë në Kosovë ai u zgjodh Kryetar Nderi i Festivalit. Ndër të tjera ai shkruan: “Puna juaj është e shenjtë. Vepra juaj tejkalon përmasat e një aktiviteti kulturor. Shkollat Shqipe janë zjarr i pashuar i identitetit dhe kulturës shqiptare në Amerikë. Duke kultivuar dhe shfaqur identitetin dhe vlerat tona etnike dhe kulturore, ju vini një gur të fortë në marrëdhëniet në mes të kombit shqiptar dhe kombit amerikan, mikut tonë të madh…Përulem me respekt para punës dhe përkushtimit të të gjithë atyre që kontribuojnë për shkollën shqipe në SHBA.

Prezantuesja Myrtaj ka ftuar në skenë të gjithë nxënësit e Shkollave Shqipe të cilët e kanë hapur festivalin me këngën “Gjuha Shqipe gjuha jonë” me tekst: Kozeta Zylo, Muzika: Petrika Melo, orkestroi: Tom Lleshaj dhe këndoi artistja Kristina Melo e shoqëruar nga kori i shkollës shqipe “Alba life”. Prezantuesja tjetër Velerda dha një falenderim dhe duartrokitje për të gjithë ata prindër që ndajnë kohë nga puna e tyre e çmuar në përkujdesjen e familjes duke ëndërruar dhe punuar për një jetë më të mirë. Eva dha përshëndetje dhe duartrokitje edhe për të gjithë mësuesit dhe përgjegjësit e shkollave shqipe këtu në SHBA, që nuk kursehen në favor të çështjes shqiptare. Edhe regjisori i festivalit Limani përshëndeti publikun.

Prezantuesja e programi të shkollës shqipe “Alba Life” ka paraqitur para publikut programin e shkollës dhe i ka ftuar në skenë nxënësit. Programi është hapur me këngen e Mësueses, kënduar nga Dea Kërliu dhe Dea Watkins, shoqëruar nga Kori i Shkollës Shqipe “Alba life” Staten Island. Nxënësit e shkollës shqipe në Manhattan me mësuese Luiza Pllumbin vallëzuan “Jam Shqiponja- teksti e muzika: Fran Kodra, këndoi: Anisa Bacja, shoqëroi kori i shkollës Vallëzuan: Nora Hysaj dhe Ervans Mullalli të shkollës shqipe Alba life në Manhattan. 3. Një qershori, muzika dhe teksti: Shpëtim Mezini, këndoi Kristina Melo, shoqëroi kori i shkollës. Ka vazhduar Shkolla Shqipe në Brooklyn me programin: “Një lahutë dhe një Flamur”, Muzika: Zef Çoba, teksti: Alfred Çapaliku, Këndoi Eda Kulla, shoqëroi Kori i shkollës, vallëzuan grupi i valleve të shkollës “Alba life”, Brooklyn koreografe, Afërdita Kacupaj. 5. “Na afro një dritë” kënduan: Sabrina Lulanaj dhe Eda Kulla Shoqëroi Kori i shkollës shqipe “Alba Life”. Konferencierët: Velerda Bekteshi dhe Aleina Kaba prezantuan Shkollën shqipe “Hasan Prishtina” nga Waterbury në Conecticut me këtë program: 1.Unë jam shqiptar- recitoi Aktori i ardhshëm Leon RAMADANI 2. “Rreth Flamurit” Valle e përpunuar, koreograf: Lulzim Kica, Solist Ilir Shaqiri 3.”Pse” Valle e përpunuar patriotike me këngë të Ilir Shaqirit, koreograf Lulzim Kica, Luajti grupi i valleve Vesa Qosaj dhe Eva Junçaj prezantuan Shkollën shqipe “ Qendra kulturore-Bronx“me këtë program: 1. Valle instrumentale, Ansambli. 2.”Fryn Murrlani”- këndoi Grupi i shkollës 3. “Popullore”, luajti në violinë: Sibora Sadriaj, përgatitur nga Albina Zajmi, mësuese muzike. 4. “Nina-Nana”- kompozuar nga Pjetër Gaci, Luajti në flautë Lerart Dedushi, Përgatiti mësuesja e muzikës Albina Zajmi, shoqëroi në piano Albina ZAJMI. 5.”V a l s “ kompozuar nga Tonin Harapi, luajti në piano: Erind Rugova, përgatitur nga Albina Zajmi, mësuese muzike pranë shkollës në Bronx. 6. “Të pandarë Jug e Veri” Këndoi: Ëngjëll Junçaj Eleana Malo, Emir Gjoka dhe Brunilda Myrtaj prezantuan, Shkollën Shqipe “Qendra kulturore shqiptare “ nga Clifton 1. Vallja me motive të Tiranës Koreografia: Arian Shani Cela. 2. Kur bie fyelli çiftelia, Muzika: Pjetër Gaci, orkestrimi: Fadil Sahatçiu, drejtoi Faton Krasniqi, kënduan Diellza Zendeli dhe Eleana Malo shoqëruar nga Kori 3. “O sa mirë që jam shqiptar” Teksti dhe muzika: Gëzim Nika, Muzika: Fadil Sahatçiu dhe Onur Edipi, Drejtues (dirigjent) Faton Krasniqi, këndoi, kori i qendrës kulturore shqiptare 4.“Vendi im”, Orkestrimi: Fadil Sahatçiu dhe Omer Edipi, drejtues Faton Krasniqi, shoqëroi Kori i Qendrës kulturore. Kënduan: Blendi Arifi, Diellza Zendeli, Emir Gjoka, Eleana Malo, Eliza Kabashi dhe Driton Zendeli. 4. “Vallja e Rugovës”, koreograf: Arian Shani Cela. Brunilda Myrtaj, Velerda Bekteshi dhe Aleina Kaba prezantuan shkollën shqipe “Fondi i përbashkët shqiptar” në Paterson Nju Xhersi me këtë program: 1.”Suitë kosovare-rrënjët tona-valle”, koreograf Xhemal Bekteshi. 2.”Të pandarë Jug e Veri” kënduan Adem Kaliqi dhe Ardita Ibrahimi. 3. Rugova”, valle për fëmijë. 4.”Këngë moj” nga Besnik Krajku, këndoi grupi 5. Kolazh-valle e përpunuar, koreograf Xhemal Bekteshi 6. Vallja përmbyllëse “Drenica-“ koreograf , Xhemal Bekteshi. Programin e ka përshëndetur artisti Pajazit Murtishi i cili interpretoi poemën Kosovar nga Mitrush Kuteli.

Pas përfundimit të programit, juria e përbërë nga Lindita Mezini Lole, Albina Zajmi, Mustaf Qosja, Myzafer Hoxha, Argëtim Ferati dhe Faton Krasniqi ndanë shpërblimet dhe trofetë. Medaljonet dhe trofetë i dhuroi gratis artisti qeramisti, dhe grafik dizajnuesi: Jens Bujar Zajmi. Pas përfundimit të programit në skenë u ngjit organizatori i festivalit Nebi KABA, i cili shprehu mirënjohjen për të gjitha shkollat në Festival dhe e shpalli të mbyllur Festivalin e shkollave shqipe, duke i ftuar të gjithë pjesëmarrësit për t’u bërë pjesë në Festivalin e tretë,ku organizatore do të jetë Shkolla Shqipe Alba Life. Ansambleisti Mark Gjonaj ndau çmimin e mirënjohjes për shkollat pjesëmarrëse të Festivalit të dytë Z.Mark Gjonaj ka vlerësuar Festivalin e dytë të shkollave shqipe dhe punën e e palodhur të mësuesve. Ndër të tjera, ai tha : “Bekuar qofshin prindërit, mësuesit, nxënësit që marrin pjesë në programin e shkollave shqipe dhe mësojnë fëmijët si të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën shqipe. Sa më të bashkuar të jemi aq më shumë do të ecim dhe do të mbrojmë çështjen kombëtare. Ju jetoni në Amerikë, në vendin më demokratik të botës, dhe ajo na jep mundësira pafund, prandaj këto shanse duhet t’i shfrytëzojmë me nder si qytetarë të denjë..”. Çertifikatat e mirënjohjes nga z.Mark Gjonaj dhe në emër të tij u ndanë nga Konsulli i Kosovës z.Korab Mushkolaj i cili ka përshëndetur Festivalin e dytë të shkollave shqipe dhe në emër të shtetit të Kosovës, Konusullatës së Kosovës në New York iu uroi atyre punë të mbarë dhe vazhdimësi në perjetësi të këtij aktiviteti nga më të rëndësishmet në Diasporë. Z.Mark Gjonaj, Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut vlerësoi me çertifikata mirënjohje shkollat shqipe si: Shkollën Shqipe “Alba Life”, Shkollën shqipe “Hasan Prishtina” nga Waterbury në Conecticut, Shkollen shqipe “ Qendra kulturore-Bronx“,Shkollën Shqipe “Qendra kulturore shqiptare “, Clifton, shkollën shqipe “Fondi i përbashkët shqiptar” në Paterson Nju Xhersi me çmimin e mirënjohjes.

31 Maj, 2015
New Yersey

Filed Under: Komunitet Tagged With: Festivali i dytë, i Shkollave Shqipe, Keze Kozeta Zylo

SHKURTORE DREJT PUSHTETIT OSE REVOLUCIONI I CUBAVE

June 11, 2015 by dgreca

Nga Sulejman Dida/*
Në qershorin e vitit 2014, ndërsa ndodhesha në panairin e librit shqip në Prishtinë për një reportazh për TVSH, më bëri përshtypje dyndja e njerëzve në rradhë bukur të gjatë në pavionin e entit botues “Koha”. Rradhë si ato të qumëshit dikurë në qytetet tona (në Shqipëri). Çfarë shitet këtu, nuk e marr vesh përse shtyheni, pyeta dikë në rradhë. Libri i Vetonit shitet, libri “Kambët e Gjarpnit”, por duhet me hy në rradhë sepse nuk ka për të gjithë, tha. Këtu ka dhjetra mijë tituj librash e nuk e kuptoj pse u dashka me ble vetëm “Këmbët…”, thashë, si vetmevete dhe futa dikë si mik të ma siguronte një kopje. Ka shkrue të vërtetën, mor zotni, ka shkrue të vërtetën për Kosovën, kjo më duhet, nuk më duhen shkresurina që na mashtrojnë, tha një zë tjetër nga “radha”.
Më në fund del dikush që i thotë gjërat hapur në mënyrën krijuese dhe shkencore, në mënyrën më elitare të mundëshme. Ka prekur tabutë të cilat ndër shqiptarë nuk është se preken shumë lehtë qysh mbas Faik Konicës. Ka marrë në analizë ish kryeministrin Hashim Thaçi dhe disa nga shokët e tij duke i shikuar nga aspekti i formimit dhe predispozicionit të shfaqur, por mbi të gjithë duke i vlerësuar mbi atë se si kanë vepruar drejt pushtetit dhe me pushtetin. Zoti Surroi merret me emra konkretë por aq thellë e analizon objektin sa, mendoj se përbën një traktat mbi dukurinë e gjithmonëshme të aksidentalizmit që na karakterizon. Duke mos qenë shumë të pasur në arritje ushtarake, aq më pak në rrezistencë apo, larg qoftë në ekspansion, është në tiparin tonë gati biologjik të ngremë tabu, siç ishte edhe rasti i UÇK-s, (ngjashëm me partizanët shqiptarë të luftës së Dytë Botërore) me anatominë e të cilës nuk guxon të merret askush. Por zoti Surroi merret me të, madje merret me objektivizëm të admirueshëm, glorifikon sigurisht përpjekjet e djemve që vunë jetën në shërbim të çlirimit por nuk bie në foklorizëm, e madje është demontues i propagandës grandomane. Surroi merret me persona tabu por edhe me tema tabu. Me përpjekjet për ndërtimin e ushtrisë nën komandën supreme të Rugovës dhe me shkatërrimin e saj prej moskonseguencës së vetë shqiptarëve. Merret me flamurin e shtetit të Kosovës, medemek imitim i flamurit të BE-së, por që siç thotë Surroi, del në të vërtetë një kompozim joestetik, një rrenë me bisht edhe në aspektin simbolik që përfaqëson komunitetet përbërëse të Kosovës. Sepse nuk janë themelorë në numër pesë nacionalitete në Kosovë. Himni i flamurit, himni i Kosovës, të le pa fjalë. Një himn që shpreh shpirtin memec, shpirtin e pafjalë.
Aksidentalizmi si vetvrasje. Duket se shqiptarët i ka shoqëruar, në të paktën dymijë vitet e fundit, dukuria fatale e aksidentalizmit. Mundet që kjo dukuri ndodh te popujt me tipare dominuese të spontanitetit dhe individualizmit, që siç thonë studiuesit, janë karakteristika tonat. Surroi argumenton se periudha “gjatë dhe pas luftës së Kosovës” u karakterizua pikërisht nga aksidentalizmi ku njerëz pa histori, e ndoshta pa ideale të formuluara politike, morën pushtetin në mënyrë aksidentale dhe po ashtu e drejtuan atë duke shkelur apo kapërcyer etapat evolucioniste që shqiptarët kishin krijuar me shumë përpjekje.
Ashtu si komunistët e Shqipërisë (1944) të cilët sapo erdhën në pushtet fshinë çdo arritje të deriatëhershme në përvojën shtetndërtuese, edhe drejtuesit e rinj të Kosovës zgjodhën udhën e shkurtër, një shkurtore siç thotë Surroi, dhe fshinë çdo arritje të shënuar gjatë perudhës së funksionimit të shtetit paralel që ndërtuan shqiptarët e Kosovës me Rugovën në vitet 90 ku, gjithsesi u mbajt gjallë arsimi edhe pse në ambjente jo shumnë të mira, u mbajt gjallë shëndetësia etj. Ishte një periudhë kur shqiptarët konsumuan para botës, por edhe para vetvetes opcionin e joluftës, vendimtar në njohjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare. Dhe ndoshta ishte nga arritjet më të mira dhe konkrete që kanë shënuar shqiptarët ndonjëherë. Lufta dhe jolufta janë nocione të diskutueshme edhe sot e kësaj dite sepse qeveritarët që pretendojnë se e çliruan Kosovën, në të vërtetë nuk u futën në Kosovë si të tillë, pra si çlirimtarë sepse nuk qenë ata që e mundën Serbinë (ajo nuk u mund asnjëherë), që e larguan prej Kosove, pra nuk qenë vendimmarrës, ndonëse ishin faktor shumë i rëndësishëm. Mirëpo me instalimin e pushtetit dhe rrjetit të shërbimit, me uzurpimin e kanaleve të informimit publik ndodh fabrikimi i ndodhive. Autori Surroi konstaton se “nuk është edhe gjithaq me rëndësi se çka ndodhi por ajo çka flitet e shkruhet se ndodhi”, (f.25). A nuk e falsifikoi edhe Enver Hoxha historinë e luftës së Dytë Botërore, e cila për ironi të fatit tonë quhej edhe Nacional-Çlirimtare, pra çlirimi i kombit? A nuk hiqej pikërisht ai, pra Hoxha si themelues i PKSH-s kur as kishte qenë të paktën i pranishëm? A nuk hiqej si luftëtar i frontit të luftës kur nuk kishte marrë pjesë asnjë ditë? Shqiptarët e kanë mësuar në tekstet e historisë se qenë brigadat partizane që e përzunë gjermanin, edhe pse patën rrol në këtë, kur në të vërtetë gjermanin e mundi Boshti? Njëjtë, majtistët pretenduan se qenë ata që e çliruan Kosovën, ku pa dyshim që kishin rrol, por çlirimi erdhi nga NATO. Menjëherë mbas luftës Dytë Botërore komunistët në Shqipëri iu vunë zhbërjes së çdo arritjeje të deriatëhershme, shtetëzimit të pasurive private dhe të gjithçkaje tjetër, ngjashëm vepruan majtistët në Kosovë, me ndryshimet që sugjeron epoka e sotme pa dyshim, synuan menjëherë pronat publike, shitën lirë, siç argumenton autori Surroi, asetet-pasurinë e përbashkët, dhe, përkitazi me shprehjen e njohur sipas të cilës politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, e ndërtuan më miri atë, jo për shtetin por, siç tregon me kurrajë autori, për klanet e caktuara.
Uzurpuesit e pushtetit fabrikojnë ngjarjet e luftës, ribëjnë në mënyrën më amatore “historinë”, sepse kështu legjitimohet demolimi i demokracisë dhe instalimi i elitave aksidentale në krye të shtetit. Dhe arrijnë të ndërtojnë një hajni profesionale, por nga ana tjetër një poltikë amatore që vazhdimisht del humbëse në çdo ballafaqim negociator.
Kastat e ndryshme apo klane të fuqishëm të formuar kohët e fundit, me qasje të rralla i ndihmojnë zhvillimit të vendit, ndonëse të tillë siç janë këta, koha ka me i lanë prapa. Por fatkeqësisht një kohë edhe më e keqe se kjo e sotmja, sepse idealistët, të diturit dhe intelektualët po shtypen me nevojën e mbijetesës dhe asnjë program shpëtimi nuk duket në horizont.
Hajdutët e pasurive publike nuk mund të formulojnë qëllime fisnike. Hajdutët, edhe nëse e futin krejt botën në dorë, mendojnë prapë për zaptime të radhës. Demokracia? Nëse kjo është diçka e zaptueshme atëherë është një gjë e mirë. Dhe në të vërtetë e arrijnë, e arrijnë duke injoruar çdo element të së drejtës dhe duke mos përfillur asnjë parim moral. Kështu kastat apo klanet e ndryshëm kanë ndërtuar sistemin e pacënueshmërisë mbi mohimin total të barazisë para ligjit, mbi mohimin total të aspiratës së ngritur me shumë breza, mbi mohimin total të çdo arritje njerzore e natyrore.
Vulgarët e fuqishëm tashmë nuk janë anonimë apo ilegalë, por pjesë e shtetit. Ata i paraqesin qëllimet e tyre specifike si aspirata të përgjithshme, dhe konkurrojnë, mbasi e kanë siguruar blerjen e fitores. Ata të cilët, në vend që të dërgoheshin në burg për vepra kriminale, zënë karriget e paramentit e madje bëhen edhe ministra.
Si mund të mbështeten persona të tillë që, duke u ndodhur në krye të shtetit nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë lakminë e ulët për pasuri, që nuk janë të gatshëm madje të sakrifikojnë edhe jetën e tyre në favor të interesave superiore nacionale?
Në vitin ’99, por edhe një vit më herët si dhe pas vitit ’99, kuptohet, persona egoistë dhe pa histori të mjaftueshme po se po, iu dorëzuan tundimit për dominim personal dhe bënë përpjekje përtej çdo morali për të maksimalizuar pozitën individuale duke u kamufluar me qëllimet e natyrshme të kombit, kur në të vërtetë e dëmtuan këtë të fundit në aspektet më sublime.
Nuk qëndron fakti që shqiptarët fituan luftën me Serbinë. Fitorja do të përmbante tjetër prestigj. Fituesi vendos kompetencat supreme ndërsa i munduri dorëzohet pa kushte. Ashtu si në jetën e egër, kombi shqiptar ishte kafshuar dhe po jepte shpirt, por u shpëtua, dhe ashtu shumë i lënduar vijon të përpëlitet për tu ngritë në këmbë. Serbia, edhe po të shporrej prej Kosove duke u mundur nga ushtria e Kosovës, serbët thjesht do të ktheheshin në shtëpinë e tyre, por pa humbje, sepse nuk është ndonjë humbje dramatike të mos jesh pushtues i një kombi tjetër. Populli do të thoshte, Serbia iku prej Kosove, e theu qafën, por kjo nuk do të thoshte se Serbia u mund, sepse edhe ashtu ajo ende mban shumë territore shqiptare.
Mosfunksionimi i Shqipërisë dhe i Kosovës ka pa dyshim edhe arsye objektive. Si mund të funksionojë një shtet i cunguar? Ashtu si një organizëm i gjallë i cili nuk mund të funksionojë normal përveçse i plotë e jo i copëtuar, ashtu edhe kombet lëngojnë nëse ata i përshkon gërshëra duke ia pre arteriet kryesore që duhej ti jepnin energji gjithë njësisë.
Ne vetë nuk jemi për ne. Në vitin ’99 Tirana zyrtare kërkoi vendosjen e trupave të NATO-s në kufirin Shqipëri-Kosovë, gjë që po të ndodhte, do të ishte futja në thertore e gjysmës së kombit. Fillimisht futja në geto, por me kalimin e kohës në thertore për asgjësim. Nuk është e vështirë të kuptohet se pas likujdimit të njërës, Serbia shumë lehtë do ta kishte me gjysmën tjetër, ashtu si prralla Dy Qetë dhe Ujku (së pari i përçau e pastaj i kullufiti njërin pas tjetrit).
Atë që bënë nazistët me bashkimin e trojeve shqiptare, e shpërbënë vetë shqiptarët duke rënë në kurthin që, midis dy të këqiave të zgjedhin të keqen më të madhe. Pra zgjodhën të qëndronin me serbët, nën pushtim pjesërisht dhe nën diktat teresisht.
Mbas luftës së Dytë Botërore nuk bëhej fjalë më për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, por mund të punohej, siç edhe ndodhi, për ndërtimin e projektit të shtetit të Kosovës, ve në dukje autori Surroi.
Por me arritjen e një caku politik, të dhemb fakti se në vend që të instalohej demokracia, ajo thjesht u përdor. Në demokracinë shqiptare, dmth, në Kosovë dhe në Shqpëri, ka ndodhur përdorimi i krejt sistemit demokratik, përdorimi i shtetit në funksion të pasurimit dhe fuqizimit personal. Në platformat e deklamuara që në krye të herës, po të shohim me vëmendje, janë pikërisht qëllimet personale që na janë shitur si qëllime tonat, si qëllime të shoqërisë shqiptare. Liderët tanë të fabrikuar jo vetëm që kanë krijuar distancë me masat, me njerëzit që vunë besimin e sinqertë për ti bërë liderë të shtetit, por i sfidojnë e i ofendojnë ato me arrogancën e një banditi pushtues duke ecur nëpër mjedise publike me suita të armatosura.
Në faqen 118 të librit “Këmbët e Gjarprit”, lexojmë: “Qeverisja e Hashim Thaçit, i quajtur Gjarpëri, nuk ka të bëjë gjë as me të majtën socialdemokrate as me të djathtën konservatore eurpiane, as me komunistët – ka të bëjë me cubat. Cubat e ndalin kalimtarin, qerren me mall, çobanin me bagëti dhe kërkojnë një pjesë të pronës si shpërblim për leje kalimi”.
Përpjekja për të ndërtuar një komb kosovar, është një përpjekje që e bën të pjestueshëm njësinë kombëtare shqiptare duke e thjeshtëzuar deri në zerim, pra deri në zhbërje. Ligjvënësit e sotëm, qeveritarët, megjithë mungesën problematike të informimit, ndjehen prapëseprapë kompetentë. Taborret e sistemit të drejtësisë ngërthehen imponues në motivimin e krimit të përmbushur prej tyre. Dhe vjen konstatimi i drejtë se ne kemi një drejtësi të dështuar, sepse nuk është se u përpoç dikush ta ndërtojë atë. Nëse do të kishim përpjekje për ta ndërtuar ngrehinën e drejtësisë, ku janë martirët e këtij misoni? Në të vërtetë ka ndodhur ngritja e truprojës së krimit, taborre që marrin në mbrojtje grabitësist e pasurisë kombëtare, vrasësist e shumfishtë dhe përdhuneusit. Absolutizmi i kësaj kaste nuk mbështetet në rregulla apo në ligje, por në forcën e errët, në parimet e frikshme të bandave.
Kur u lirua Kosova, shqiptarët u hutuan dhe e lanë Mitrovicën jashtë vëmendjes. Sepse u hutuan nga liria. Edhe UÇK-ja u hutua, nëse ka qenë ndonjëherë e kthjellët. Shqiptarët u hutuan edhe kur bënë flamurin, kur bënë bisedimet me Beogradin për Mitrovicën e kështu me rradhë, ashtu siç pat ndodhë në vitet e luftës së Dytë Botërore. Surroi thotë se nga të paktat gjana që i kemi, hutimi do të ket qenë autokton (f.62).
Prandaj lindin pyetje që dhembin fort: nuk u besuan profesionistëve në luftë, sepse u hutuan?, e votuan Gjykatën Speciale sepse nuk e dinin se çka ishte, sepse ishin të hutuar?! A ishte një ushtri UÇK-ja? Nëse po, përse u la në baltë Adem Jasharri? Ky i fundit a ishte vërtetë komandant, pra a kishte një ushtri që e komandonte dhe, a ishte vërtetë komandant legjendar?! Cila ishte ushtria me të cilën ai e mbajti frontin, shtëpinë e vet disa ditë përveç fëmijëve të tij?! Dhe përse ai i sakrifikoi fëmijët e vet, kush ka të drejtë ta bëjë një gjë të ngjashme?!
Kombet që synojnë prosperitetin e jo thjesht mbijetesën synojnë të përfqësohen me maksimumin në raportet me të tjerët dhe për këtë bien dakrot të gjitha palët, i gjithë faktori i brendshëm. Por me ne ndodh e kundërta, ne jemi përfaqësuar gati gjithmonë nga joprofesionistët. Në politikën e sotme mungesa e profesionalizmit duket pothuajse në çdo aspket. Le të marrin rastin e politikës së jashtme. Njohja e Republikës ë Kosovës është edhe sot e kësaj dite në rend të ditës, pra një shqetësim që rri në sirtar. Në librin “Këmbët e gjarpërit” Surroi thotë se lobimi që shtetet arabe ta njohin Kosovën iu la Izraelit. Dhe njohjet nuk ndodhin. Gjithkush që ka informacion të përgjithshëm mbi atë se çfarë raportesh mospajtimi kanë mes tyre izraelitët dhe arabët, e kupton se këtu kemi të bëjmë me veprim joprofesional në mos kundërshqiptar.
Në e dëgjojmë shpesh në media termin klasë politike. Por shqiptarët, si në Tiranë, si në Prishtinë apo Shkup nuk kanë klasë politike, ndonëse nuk mungojnë politikanët. E si mund të quhen si pjesë e “klasës politike” njerëz që, kur shkarkohen apo u mbaron mandati i një funksioni në qeveri si ministër etj. emërohen në detyra drejtuese në digastere për të cilat nuk kanë informacion se ekziston? Surroi thotë në libër se qeveritarët nuk e dinë se çka don me thanë politikë, dhe nuk e dinë se ka edhe të jashtme.
Të ndodhur në kushte inferiore dhe në rrezik zhbërje, shqiptarët kanë pranuar gati gjithmonë rekomandimet e huaja, thelbi i të cilave ka qenë, Demokracia apo Stabiliteti. Sepse gati gjithnjë shqiptarët vetsakrifikohen në emër të medemek stabilitetit. Po përse të sakrifkohet demokracia kur mund të ndërtohen që të dyja, pra demokracia por edhe stabiliteti?! Përse të huajt vijnë me ogur të keq për demokracinë kur vjen puna për shqiptarët? A nuk rrezikohet stabiliteti pikërisht edhe për faktin se trojet shqiptare nuk janë bashkë? Sepse kështu po rrezikohet diçka e shenjtë dhe madhore, por jo stabiliteti. Po rrezikohet rraca shqiptare. Sepse nuk kemi një platformë mbijetese. Lexoni elaboratin e nobelistit serb nga Bosnja Ivo Andriç, për zhdukjen e shqiptarëve (The Voice of Truth, dhjetor 2014, NJ USA), lexoni platformat e Çubrilloviqit për shpërnguljet e shqiptarëve (libri Vaso Çubrilloviq“Shërngulja e shqiptarëve”, T.2015)… pra të tjerët kanë platforma asgjësimi për ne, po ne a kemi platforma mbijetese?! Sigurisht që jo, madje ne, çdo përpjkje idealistësh për çështje sublime të mbijetesës si komb e sabotojmë duke llapur me të tjerët. Këtej, del në dritë edhe një rrenë e madhe që e kemi ndërtuar vetë: që ne jemi popull miqsor. Ishim vërtetë miqësorë me të tjerët dhe vijojmë me qenë të tillë, apo ishim dhe jemi të dobët në raport me to?! Kjo rrenë po na nxjerr të zbuluar.
Ne jëmi bërë të pandjeshëm. Masakrohet një pjesë e fisit ndërsa pjesët e tjera dehen me birrë sikur të mos ket ndodhur asgjë. Siç e cekëm pak më sipër, jemi bërë si ai organizmi me nerva jofunksionalë që, nëse e pret diku në një pjesë të trupit, pjesa tjetër nuk e ndjen fare.
Nuk është vetëm Mitrovica. Janë plot territore dhe komunitete etnike tonat që masakrohen, siç ndodhi pak ditë më parë në Kumanovë. Por le të marrim si shembull Mitrovicën. A ishte në thelb të dokumentit, më saktë të hatrit të Ahtisarit që serbët të kenë një garanci, por jo garanci territoriale? A po shihni si po ndodh sot në terren? Shihni pak mbarapa çka thotë Ahtisari dhe sa lëshime kanë bërë shqiptarët mbas tij.
Shqiptarët, duke pranuar në krye të shtetit njerëzit më pak profesionistë, asnjëherë nuk kanë qenë kompetentë për të vendosur kushte. Kompetenca buron edhe nga informacioni. Dokumenta të rëndësishëm ndërkombëtar i kanë nënshkruar pa e ditur se çka përmban. (f.165) Shqiptarët ashtu vepruan gjatë luftës së Dytë Botërore. Nënshkruan marrveshje humbëse me jugosllavët, u bashkuan me serbët pa e ditur se çfarë genocidi do të pësonin banorët shqiptarë prej serbëve që në mënyrë fatale u quajtën miq, madje më keq akoma, vëllezër. Sepse shqiptarët menduan se u rrjeshtuan me fituesit, madje edhe sot ashtu mendojnë, me fituesit e luftës po, por pa ndonjë fitore, përkundrazi me humbjen më të madhe në krejt historinë e tyre. Në të vërtetë të gjithë të tjerët mund të ishin fitues, por shqiptarët dolën humbësit tragjikë, e ndoshta tragjikomikë sepse ndihmuan në theqafjen e vet duke u rrjeshtuar me fituesit ndaj të cilëve shpalli armiqësinë shumë shpejt. Pra në mënyrë tragjikomike Republika e Shqipërisë, jo Shqipëria (me Kosovën etj), u rrjeshtua në anën e fituesve armiq. Nga ajo luftë shqiptarët dolën plotësisht të dështuar, megjithë propagandën se u rrjeshtua me fituesit, propagandë që për fat të keq vazhdon edhe sot. Sepse as atëherë e as sot nuk ka një vetëdijë të formuar.
Në librin e vet Surroi parashikoi sjelljen e ardhëshme të parlamentit të Kosovës, kuptohet që më herët edhe të qeverisë lidhur me Gjykatën e krimeve të luftës, pra atë që quhet speciale. Sepse për fat të keq nuk është në pyetje emri apo emrat e personave, por është në pyetje dinjiteti i popullit shqiptar, prestigji i shtetit të ri. Sepse nëpër botë do të shkruhet: si ta njohim një shtet të ngritur nga njerëz të inkriminuar? Udhëheqësit e sotëm, të ndodhur në siklet e ndoshta në kolizion, u bëjnë thirrje shqiptarëve: ‘blini këtë mall sepse është jashtëzakonisht i keq për ju’. (f.162) Nga ana tjetër, shumë njerëz mendojnë se kjo është një zgjidhje që e ka sjellë zoti në momentet kur një klasë jo prefesioniste po ngrihet me shpatë kundër cilitdo zë kundërshtues, edhe pse mund të ket të drejtë. Një trupë sikur të kishte zbritur nga qielli ‘për të gjykuar ata që janë bërë të paprekshëm nga gjykatat vendore’. (f.164)
Një nga aspektet më trishtuese për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë etj. është përceptimi depresiv i udhës tonë, i të ardhmes. Zoti Surroi nënvizon jo pa dhimbje se për shumkë perspektiva e afërt është e paqartë por shpresdhënëse, për shumë të tjerë është jo vetëm e paqartë por edhe e pashpresë. Për autorin Surroi është krejt e qartë hipoteka aspak dinjitoze e së ardhmes. Ai si njohës i thellë i udhës së Kosovës në dy-tri dekadat e fundit ku ka qenë edhe protagonist, e parashikon me saktësi atë që do të ndodhë ose atë që nuk do të ndodhë. Profecia ka nisë të vërtetohet qysh me zhagitjen gjashtmujore të rotacionit politik mbas zgjedhje të fundit në Kosovë.
Veton Surroi, ndoshta pa e patur qëllim në vetvete, ka bërë skanerin e situatës dëshpëruese shqiptare, kësaj lëngate të gjatë. Eshtë një traktat me shtrirje të gjithanëshme sepse ka dëshmuar shkaqet përse në shqiptarët jemi humbës. Ai ka analizuar Kosovën por gjendja është e njëjtë në mjediset shqiptare kudo, pra, përse ne shqiptarët jemi humbës, madje humbës të mëdhenj në raport me kombet fqinjë. Ka treguar se ne jemi sjellë me politikën vazhdimisht si amatorë dhe gati asnjëherë nuk kemi ndjekur evolucionin por kemi përmbysur vlera me revolucion.
Arritja e epokës së Rugovës ishte rezultat evolutiv. Por cubat nuk presin evolucionin, ata preferojnë revolucionin, e, duke mos qenë të aftë për të, aplikojnë pritën dhe plaçkën, zaptimin dhe pritën njiohësisht, prenë dhe jo produktin e mundimit me djersë.
UÇK-ja, praktikisht organizatat majtiste shfrytëzuan arritjen e Rugovës, që ishte njohja ndërkombëtare e problemit shqiptar. Politka e Rugovës ishte pjekur, ishte një autostradë e shtruar tashmë ku në vend të parakalimeve me bukë dhe me parrulla duhej të marshonte një ushtri që tregon dhëmbët. Por kjo nuk ndodhi. Kështu del në skenë grupimi i majtë dhe korr frutat, por nuk bëri edhe luftën, thjesht korri frutat.
Kur shtetet drejtohen nga joprofesionistët, viktima e parë është sistemi demokratik. Sepse hajdutëve, psh, nuk u intereson demokracia por pushteti. Ndër shqiptarët tashmë ka vdekur idealizmi. Zyrtarët veprojnë me kanune cubash, jo me ligje.
E shfrytëzova librin”Këmbët e gjarpërit”, botim i cili përbën një cak civilizues në tërësi dhe në kurrajon intelektuale në veçanti, për të folur edhe për situatën politike etj. në Republikën e Shqipërisë, madje jo vetëm kaq por edhe për udhën e mundimëshme të saj në shekullin XX dhe në vazhdim. Sepse ky libër, nëpërmjet përshkrimit të metodave të marrjes së pushtetit të një grupi drejtuesish konkretë në Kosovë, vlen të perifrazohet edhe për Shqipërinë. Sepse ajo që po ndodh në Kosovë është pak a shumë, rezultat i pafuqisë apo i pakompetencës, i neglizhencës së vetë kësaj Shqipërie. Një nga qëndrimet fatale, vetvrasëse ka qenë dhe mbetet konsiderimi i Kosovës si një problem thjesht kosovar dhe jo si problem shqiptar. Kombet e tjerë, sigurisht që nuk e shohin këtë si qëndrim civilizues, por si ligësi. Me qëndrime të tilla është e sigurtë që nuk bëjmë miq, e sa për armiqtë, edhe ashtu nuk na mungojnë.
Por shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë dhe kudo nuk duhet ti humbin shpresat sepse në mesin tonë ka programatorë të mëdhenj, terapeutistë të politikës që japin të vërtetën. Madje as u bëhet vonë se kush dhe çfarë pëlqen, por japin të vertetën, shtrojnë pltaforma dhe dëshmojnë shpirtin kohës. E ky pra është Veton Surroi me shënimet heretike “Këmbët e Gjarprit”.
*(Për librin “Këmbët e gjarprit” të autorit Veton Surroi)
Kukës, 10 qershor 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: shkurtore drejt pushtetit, Sulejman Dida, Veton Suroi

NË TREGUN E PIREUT

June 11, 2015 by dgreca

…(Thuhet se aty ku u varën trembëdhjetë Bilbilejtë çdo vit bien rrufetë)…/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Kushdo që ka shkuar në Pire është mrekulluar. Një vend me histori e me bukuri të madhe. Edhe pse është një lagje e Athinës, me shumë lagje, Pireun grekët e veçojnë dhe e mbajnë për qytet më vete. “Parajsa e zhytur në det” thonë për Pireun.
Historikisht Pireu ka qenë nga portet më të vjetër të Mesdheut e të botës. Historia e luftrave të Greqisë së Lashtë nuk mund të diskutohet pa të. Tashmë limanet e vjetër kanë mbetur me nga një pllakë historie në gjoks, për t’u treguar brezave se pa histori nuk ka zhvillim, nuk ka modernizëm.
Sa zbret nga vagonat e trenit elektrik përballesh me pamjen gjigande të portit, ku çdo ditë nisen dhjetra vaporë të mëdhenj për gjithë skajet e botës-lundruese. Në Pire ndodhen me dhjtera banka, me qindra dyqane të gjithëllojeve. Por në këto dekadat e fundit Pireu ka bërë emër edhe për tregun e famshëm të së dielave. Ky treg është i vetmi në Greqi (pas mbylljes së Manastiraqit më 1994) dhe në Europë. Kjo mbase lidhet dhe me traditën dhe nivelin ekonomik të Greqisë. Me njhë gjatësi prej 1,5km., Tregu i Pireut mban brenda mijëra klientë nga e gjithë Greqia, turistë, kurreshtarë, pa llogaritur pastaj emigrantët, ku në gjithë orët flitet më shumë shqip. Në tetë orët e jetës së tregut nëpër të kalojnë mbi njëmilion vizitorë: blerës-shitës-shikues. Shqiptarët-tregëtarë janë si ndihmës të pronarëve grekë, por edhe tregëtarë të pavarur.
Të dielën e dytë të korrikut hyra në Tregun e Pireut për të blerë disa kaseta filmash shqiptarë. Edhe pse dielli të digjte, si në Athinë, tregu ishte plot e vetëm plot sa nuk mund të ecësh dot pa u kthyer brinjazën. Me një gazette “Labëria” në duar kaloja bango më bango. Befas dëgjova tingujt e një kënge:
“Bilbilejtë trembëdhjetë,
Vanë në litare vetë…”.
Ishte kënga e Bilbil Shakos, që e vuri vetë litarin tek rrapi i Janinës, pa pritur dorën e dridhur të vrastarëve turq. (Thuhet se aty ku u varën trembëdhjetë Bilbilejtë çdo vit bien rrufetë). Sa mbaroi kënga u gjenda përballë dy të rinjve që tregëtonin kaseta me këngë labe.

-Nga jeni?-i pyes duke buzëqeshur.
-Nga Tepelena-më thotë më i madhi në moshë.
-Nxirrni gjë me këto kaseta?
-Sa të nxjerrim, po njerëzit nuk i kursejnë njëmijë dhrahmi për të kënaqur veten.
-Edhe unë e dua një kasetë me Bilbilejtë.
-Pse ka gazetë “Labëria”?-pyeti i gëzuar djaloshi tepelenas duke më parë gazetën “Labëria” në dorë.
-Të lutem të të dhuroj “Bilbilejtë” do më dhurosh “Labërinë”. Më ka marrë malli të lexoj për Labërinë time.
-Gazetën do të ta dhuroj, por kasetën do e blej se kushton shumë.
-Lëri llafet, atë e di unë-foli i kënaqur tepelenasi.
U largova shumë i emocionuar. Ata edhe fitonin edhe mbanin gjallë dashurinë për vendlindjen, për këngën shqipe.
“Kënga është shpirti i kombit. Ajo këndohet në lindje, në dasma, por edhe në vdekje, kush harron këngët e tij s’ka më atdhè!”.-më thoshte një shoku im poet nga Lunxhëria.

Dhe më recitonte disa nga vargjet e tij:
Kënga kur ka lindur,
Ç’thotë për të zemra?
Një ditëlindje kanë
Shqiptari dhe kënga…”

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Z. Xholi, Kenga e bibilenjeve, Tregu i Pireut

Virusi osman i ndërsyer nga sllavët

June 11, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
A jemi të infektuar nga virusi osman? Po . Këtë e vërtetoi historia e jonë e këtyre 110 viteve të fundit.
Virusi është një agjent biolologjik i cili riprodhohet në mbrendinë e qelizave të gjalla të organizmit tonë.Ju kujtohen “”fshikat e etheve ”, fshikat e herpesit ,një virus që jeton në trupin tonë ,dhe shafaqet gjithëmonë atëherë kur bie imuniteti i organizmit. Deri me tani janë të zbuluara mbi 500 lloje te virusëve biologjik, por mbrojtja nga këto “ egersira “ është punë e institucioneve shkencore të botës.
Ne as “ aciklovirin” kundër fshikave të etheve nuk dime ta prodhojmë.
Virusi për të cilin ne do të flasim nuk është biologjik ( mikro trupëz ) por është një virus psiqik i cili kurrësesi të largohet nga mendja e jonë . Edhe ky virus shfaqet dhe rishfaqet sa here që bie imuniteti i ynë kombëtar ( Një të infektuar , gjithmonë në rrezik) Virusi osman është një nga x virusat që i kanosen trupit tonë të madh kombëtar.
“Pas Kongresit të parë të Manastirit më 1908 shkrimi dhe shkolla shqipe mori hov të madh. Ideologët e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar se problemi i arsimit kombëtar ishte i lidhur shumë ngushtë me bashkimin dhe forcimin e shqiptareve pa dallim feje e krahine. Kongresi i parë i Manastirit, pas Lidhjes së Prizrenit, ishte ngjarja më e madhe e popullit shqiptar, që u hapi rrugën jo vetëm të kërkesave legjitime të shqiptarëve, por që edhe ato kërkesa të realizohen në mënyrë legale dhe të jenë të lejuara nga qeveria e Sulltanit përmes rrugës parlamentare. “ (Avzi Mustafa )
Xhonturqit, “gjoja” të interesuar për ca liri politike të shqiptarëve dhe të maskuar nën maskën e parlamentare, kërkonin që gjithçka që ka të bëjë me kërkesat e shqiptarëve të drejtohen nga një qendër që do ta kishte selinë në Stambolli. Mirëpo, patriotët shqiptarë, të deleguar nga gjitha klubet e shoqëritë, njëzëri vendosën që të gjitha atributet, e sidomos ato të përhapjes së shkrim-leximit, t’i jepeshin klubit “Bashkimi” të Manastirit, e jo Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe qeverisë osmane.
Diçka e ngjajshme edhe sot me lakmitarët e erdoganizmit.
Pas prillit të 1909 pushteti xhonturk e zbuloi fytyrën e tij – doli haptazi dhe me të ngut kërkojnë filloi të kërkojë të zbatohen dekretet perandorake të të ashtuquajturit Hatti-Humaiun, që mbi atë ta organizojnë rrjetin shkollor shtetëror në gjithë territorin e Perandorisë Osmane, me qëllim të mos lejojnë të hapen shkolla në gjuhën amtare, por të japë leje që gjuha shqipe të mësohet vetëm si lëndë mësimore në shkollat turke.
Kryeministriturk Ibrahim Hakki Pasha, pa drojë pati deklaruar: “Se çështja e alfabetit shqiptar ka karakter politik dhe kombëtar dhe qeveria nuk do të lejojë të ndahet Shqipëria nga shteti Osman“. (Avzi Mustafa: 2012:12). E ngjajshme me kërkesën e ndërrimit të historisë !
Manovrat e xhonturqve nuk kishin të ndalur për përçarjen e shqiptarëve. Ata dërguan emisarë për të nxitur klerikët fanatikë, hoxhallarë e myftinj, agjentë të veshur si dervishë, por edhe priftërinj ortodoksë, për mallkim e gjuhës e të shkronjave shqipe, që kështu shqiptarët të heqin dorë. Megjithatë emisarët nuk gjetën përkrahje nga shqiptarët. Në një dokument që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 17 frorit (shkurtit) 1910) kuptojmë se “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë një protestë kundër shkronjave latine të arnautve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër, atje janë mbledhur 3000 frymë”. (Arkivi i Maqedonisë, dokum. I.19.173/207-208).(A.M)
”. Ata kërkonin t’i vënë në shërbim fanatikët fetarë, merimangat dhe satrapët e ndryshëm shqiptarë që ashtu të pengonin çdo gjë që ishte shqiptare. Xhonturqit dëshironin që shqiptarët nëpërmjet fesë ta përçajnë kombin. Çdo gjë që ishte shqiptare dhe e ruajtur ndër shekuj ata mundoheshin ta zhduknin dhe ta zëvendësonin me të huajën. Këtë e shohim menjëherë pas 7 muajve kur filloi fushata e egër kundër alfabetit të përbashkët të aprovuar në Manastir. Siç e dimë, alfabeti e shpejtoi hapjen e shkollave shqipe që dita-ditës po hapeshin si në qytete, ashtu edhe nëpër fshatra.
Ministri xhonturk i Punëve të Brendshme të Perandorisë, deklaronte “Shqipëri nuk ka! Ka vetëm provincë turke”. Viti 1909
Të bindur se nëpërmjet xhemijetit shqiptarët e besimit mysliman duan dhe do t’i mbrojnë shkronjat turke-arabe, në përvjetorin e parë të shpalljes së Kushtetutës Turke, përkatësisht më 23 korrik pikërisht më 23-29 korrik 1909, nën patronazhin e Klubit të Dibrës “Bashkimi” u organizua Kongresi i Dibrës.
Kongresi i Dibrës, siç dihet, u organizua nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” me një qëllim se gjoja shqiptarët e besimit mysliman nuk janë dakord me vendimet e marra në Kongresin e Manastirit. Një nga veprimet për ta penguar përhapjen e shkollës shqipe pas Kongresit të abe-së ishte propaganda e përdorimit të shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin turko-arab. Pas propagandës që e përdorën kudo si nëpër xhami e tubime, ashtu edhe me frikësime duke përdor lloj-lloj metodash, ata kërkonin të organizojnë një lëvizje të madhe që do ta luftonte shkrimin, shkollën shqipe dhe çlirimin kombëtar. Nga njëra anë kërkonte të thellohej përçarja ndërmjet shqiptarëve, kurse nga ana tjetër synonte që këtë ta paraqesin para opinion botëror si shprehje të pajtimit të shqiptarëve me Komitetin e Xhonturqve.
Po sot? Te na paraqesin 100 % proturk,
Nga historia : Polemikat dhe diskutimet rreth përdorimit të alfabeteve shqiptarët i ndanë në dy taborë. Në njërin tabor rrinte Riza Beu, Shaqir be Jegjeni, Sybi Efendii, Bedri Efendi, Haxhi Ali Elbasani, Haxhi Muhamed Vlora etj., që kërkonin që gjuha shqipe të shkruhet me shkronja turke-arabe dhe këtë e justifikonin duke thënë se Gegnija shkronjat latinisht nuk i pranon, kurse Riza beu nga Shkodra pohonte: ”se nuk ka nevojë të mësohet shqipja, neve na mjafton turqishtja. Në shkolla vetëm turqisht lexohet.” Ose, siç u prononcua Shaqir be Jegjeni:” Në Dibër nuk është kush që do shkolla shqipe, edhe në pas ndonjë, edhe ai do me shkronja arabe”. Në taborin tjetër me plot krenari qëndronin: Qenan Manastiri, Gani Frashëri, Abdyl Ypi, Seid Aga, Murat Agë Gjakova, Isuf beu, Ibrahim Daci e tjerë..
Një pyetje që është aktuale edhe sot ,është ajo e Gani Frashërit: “Me alfabetin arab shkruhet në Afganistan, Sumatra etj. A e di Bedri Efendiu se në çfarë shkalle kulturore ndodhet popullsia e këtyre vendeve“. Qudi , ne ende sot dëshirojmë të mbesim në nivelin e Afganistanit, Sumatrës. Jemenit !
Por fatbardhësisht ndodhi diçka tjetër në rrjedhat turke “ Kemal Ataturku Bëri reforma civilizuese :Reformat politike: E shformoi Sulltanatin ( 1.11.1922 ) ( ne krijuam sultanate partiake ); e hjeki kalifatin (3.03 1924 ) ( ne rrezikohemi nga sulltanët e rinj).I anulojë gjykatat fetare . ( ne filluam ta propagojmë sheriatin); E futi ligjin sekular gjithëkombëtar . ( ne e sulmojmë sekularizmin tonë ) . E shliroi gruan turke duke i dhënë të drejta politike dhe sociale (1926) ( ne po ia sjellim shaminë , ferexhën , largimin nga shkolla ) . E unifikoi edukimin . I mbylli medresetë dhe i hapi shkollat bashkëkohore sipas nevojave civilizuese të kombit ( Ne po hapim medrese dhe shkolla nëpër xhamija)
E futi Alfabetin Turk me shkronja latine dhe e filloi pastrimin e gjuhës turke nga fjalët e huaja (1 .11.1928 ) ( Ne nuk e pranojmë gjuhën e bashkuar dhe krijojmë gjuhë lokale, e kërkojmë alfabetin osman )
E shohim se fatbardhësisht virusi osman do të “ zhduket “ me ndërrimet politike në Turqi. Por “Ethet e verës” , vazhdimisht do të na i shqetësojnë buzët e kuqe e të shëndosha të kombit.
Fahri Xharra . 11.06.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, sllavet, Virusi Osman

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT