• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2015

KURBINI, KALLEZIM PENAL PER ZGJEDHJET

June 29, 2015 by dgreca

NGA AHMET ZANI/

Bashkia Kurbin dhe klasa politike e saj kishte qëndruar në heshtje përgjatë zgjedhjeve vendore si shkak  i tërheqjes së kandidatit të djathtv Altin Biba. Konfliktet ndërmjet Partisë Demokratike dhe isntitucioneve të drejtësisë si dhe KQZ-së, arriten që kjo bashki të kishte heshtje politike parazgjedhore dhe tashmë pas përfundimit të këtij proçesi zgjedhor kandidati i majtë Artur Bardhi rezulton fitues. Por kjo nuk është në interes të kundwshtarit pasi këto zgjedhje rezultojnë të manipuluara dhe si rezultat i mospjesmarrjes të komisionerëve të djathtë

Deputeti i PD-së Mhill Fufi në një dalje në konferencë për shtyp ka theksuar se nuk mund të pranohet një version zgjedhjesh tërësisht të parrgullta. Në tërë ZAZ dhe KZAZ numër 15 përfaqësuesit ishin nga kualicioni i majtë nën pretekstin e vendosjes nga Shoqëria Civile. Për këtë qëllim është depozituar kallzim penal në prokurorinë e Kurbinit. Njëkohësisht jemi drejtuar dhe ambasadws amerikanw në Tiranë si dhe disa përfaqësive të tjera diplomatike si rrjedhojë është tërësisht e papranueshme pranimi i kësaj farse zgjedhjesh, a thua  jemi në kohën e sistemit njëpartiak.

Drejtuesit e PD-sw në Kurbin kanë deklaruar gjithashtu se një hap tjetër për rikthimin e proçesit zgjedhor janë dhe protestat masive të qytetarëve nw Kurbin si akt demokratik dhe qytetar.

Filed Under: Politike Tagged With: Ahmet Zani, kallzim ne prokurori, Kurbini, zgjedhjet

Kosova në Panairin e Ushqimit në Nju Jork-“Summer Fancy Food Show”

June 29, 2015 by dgreca

Nga: Behlul Jashari/

Kosova dhe produktet ushqimore të saj po prezantohen për herë të parë në panairin më të madh të ushqimit “Summer Fancy Food Show” që mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 28 deri më 30 qershor. Gjashtë kompani prodhuese kosovare (Fluidi, Frutomania, Pestova, Korporata Rugove, Liri dhe Fungo) me rreth 100 lloje të produkteve cilësore janë në mesin e 2500 prodhuesve nga mbi 40 shtete të botës në një ngjarje të përmasave ndërkombëtare që gjatë tre ditëve pritet të tërheqë mbi 25000 vizitorë të regjistruar.

“Ky panair paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve kosovare përtej oqeanit dhe anembanë botës, ndërsa vetë pjesëmarrja e shtetit më të ri në botë në këtë panair ka zgjuar kërshërinë e vizitorëve të shumtë, të cilët kanë pasur vlerësime pozitive për cilësinë e produkteve kosovare”, deklaroi sot Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Prezantimi i Kosovës në panair po bëhet nën organizimin e Oda Ekonomike Amerikane dhe me mbështetje të Ministrisë kosovare të Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht të Agjencisë për Përkrahjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, New York, panair ushqimor

Valter Dauti ne kerkim te nektarit poetik dhe parajses

June 29, 2015 by dgreca

INTERVISTË  ME POETIN,PROZATORIN  dhe GAZETARIN –Valter DAUTI/

Valter Dauti u lind në Luaras të rrethit të Kolonjës në 12 tetor 1962.Pas mbarimit të shkollës tetë vjeçare në vendlindje,vazhdoi gjimnazin “Petro Nini Luarasi”në qytetin e Ersekës.I prirur drejt letërsisë dhe nën ndikimin e poetit të mirënjohur Dhori Qiriazi,njëkohësisht edhe mësues letërsie në gjimnaz,botoi në organet e shtypit të kohës;Gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”,organe këto të Lidhjes së Shkrimtarëvë dhe Artistëve të Shqipërisë. Pas përfundimit të gjimnazit,pas dy vjetësh stazh,vazhdon Universitetin e Tiranës,dega gjuhë letërsi,me ndikimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,e cila i akordoi të drejtën e studimit në degën që kërkonte.

Periudha e viteve 1984-1989 është një periudhë kur autori u afirmua qartë në organet e shtypit të kohës,duke marrë pjesë gjallërisht në jetën kulturore,sidomos në jetën e fakultetit ku studionte.Bashkëkohësit e kësaj periudhe,Robert Goro,Roland Gjoza,Thoma Gëllçi,Nikollë Lesi e Irma Kurti,shprehen se Valter Dauti ishte një student i palodhur dhe organizues i shumë aktiviteteve në Universitetin e Tiranës, aktivist i përhershëm në botimin e gazetës “Studenti”.

Përfundimi i Universitetit,përkoi me konkursin e shpallur nga gazeta “Zëri i popullit”,gazetë qëndrore e asj kohe,e cila kërkonte gazetarë terreni,të porsa diplomuar.”Ishte zhgënjim i madh për mua që pas përfundimit dhe shpalljes si fitues në konkurs,nuk munda të filloj punë atje ku mund të punoja më mirë-shprehet autori në gazetën lokale”Gramozi”.Ishte një përjetim negativ që më mbylli përkohësisht në vetvete.Arsyeja ishte e thjeshtë:Erseka kishte nevojë për punonjës në gazetën lokale dhe si kuadër i porsa dalë,unë duhet t’i shërbeja asaj.”

I emëruar në vendlindje e më vonë,pas viteve ’90,si mësues në Zgjanë të Lushnjës,Kosovë,Gorre,Savër dhe Lushnjë,pasqyroi artistikisht,gjithmonë problemet sociale të shoqërisë shqiptare,duke u prezantuar si një penë e rreptë dhe e vecantë në radhën e krijuesve shqiptarë.

Ka botuar në prozë dhe poezi vëllimet:

-Pak nektar-poezi-1988.

-Parajsa nuk është e virgjër-poezi-2000.

-Rënkimet e bregut tjetër-tregime e novela-2000.

-Moshë e cmendur-poezi-2011.

-Gruaja që zbukuronte të gjitha moshat-tregime e novela-2013.

Aktualisht,punon si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë në gjimnazin “Vath Koreshi”,në qytetin e Lushnjës.

  Bisedoi:Raimonda MOISIU    

-Disa  vëllime me prozë dhe poezi; romane dhe tregime, që dëshmojnë gjithnjë e më shumë se jeni ndër autorët e mirënjohur,  tashmë në atdhe dhe më tej. A ka dicka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë shkrimtar?

-Padyshim që jo vetëm fëmijëria,por e gjithë jeta e një shkrimtari është shumë e rëndësishme në atë që quhet proces krijues.Rruga nis të ravijëzohet, duke u tretur në një të vetme rrugicat e çiltra dhe çamarroke të fëmijërisë.po të shikosh me kujdes tek çdo artist, i madh apo i zakonshëm qoftë(Për mendimin tim nuk mund të përdoret termi artist i vogël, sepse bie ndesh me fisnikërinë e kulluar të estetikës artistike,)fëmijërinë e ka përherë të pranishme në veprën e tij,sigurisht të transformuar artistikisht dhe në funksion të mesazhit.Mund të them që kjo prani i jep edhe autorit edhe lexuesit një katarsis,një aromëz që zbut dhe legjitimon të ashprën e pranishme.Në fëmijërinë time unë kam lexuar gjithçka që më binte në dorë.Kopjoja mënyrën e të lexuarit të heronjve të letërsisë,tërhiqesha në një cep të vetmuar dhe lexoja,lexoja pa një ide të qartë se përse lexoja.Sigurisht kështu krijohej një bagazh i çrregullt,dhe kështu do të ndodhte duke lexuar që në moshën 13 vjecare ‘’E kuqja dhe e zeza’’pas ‘’Taras Bulba’’ apo ‘’Ujërat pranverore’’.Nga më të rriturit në familje,lexues të rregullt por edhe nxitës për mua,më ra në dorë Esenini.E kam lexuar disa herë i mrekulluar.E recitoja nën zë dhe mahnitesha.Pëlqeja Lasgushin e mrekullueshëm,por më dukej i largët hera-herës,i ftohtë.Kështu do të ndodhte.Lasgushi kërkon një lexues tepër të kualifikuar për ta kuptuar.Vetëm pas gjimnazit,në universitet,nisa të mrekullohem me Lasgushin e madh.Shtysë tjetër në formimin tim ishin këngët popullore.Ne kemi këngë të mrekullueshme.Si të mos më bënte për vete,madje ta këndoja edhe vetë, aq sa dija të këndoja, strofën e mrekullueshme:’’Se ç’ta ndjeva zërin,ç’t’i dëgjova çapet\natën tek më vije,zbathur në çorapet…’’?Kështu nisa të shkruaja vjershëzat e para dhe t’ia jepja me ndrojtje të madhit Dhori Qiriazi,asokohe mësues letërsie në rrethinat e qytetit të Ersekës.Dhori,po dihet.Me zemrën më të madhe se e gjithë pllaja e Kolonjës,duke futur brenda edhe malin e Gramozit,kënaqej duke lexuar dhe qortonte kujdesshëm për të mos lënduar.Sot tek ripërtërij një pjesë të bisedave me poetin Dhori Qiriazi,e kuptoj shumë mirë se poeti me një mënyrë të mrekullueshme,më shumë më ka qortuar se sa më ka lavdëruar.I goditur vetë nga sistemi,siç duket,ai e dinte fare mirë se ç’ishte një plagë arti.

 -A ju kujtohet kur ju së pari keni shkruar  një poezi, tregim apo ndonjë gjini tjetër dhe i keni thënë vetes: Ja dola! Kam krijuar diçka  që është me të vërtetë krijimi im. Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?

Është shumë fëmijërore, por gjithsesi po e them.Dashuroja një vajzë.Më mirë të them më pëlqente dhe e mbylla brenda shpirtit.S’mund të lejoja askënd që ta prekte,gjithmonë duke ëndërruar i vetëm,mesazhi i vetëm që mund t’i kem dhënë është vetëm ndonjë drithërimë shpirti,belbëzim të hutuar,i bindur se ajo e dinte ç’ndieja unë.Por jeta është shumë më e gjerë se sa hapësira e shpirtit të një njeriu.Vajza iku,u transferua në një qytet tjetër me prindrit.Unë mbeta aty duke shkruar një poemë,nën ndikimin e Gëtes-‘’Vuajtjet e djaloshit Valter’’.Isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç.E kam mbajtur atë krijesë me vete edhe kur shkova në universitet si një balsam për plagën e hershme.Më pas,dihet,jeta lind dashuri të reja dhe të bukura që kanë brenda edhe pafajsinë edhe pjekuritë e moshave.Para se të vija në universitet kam botuar te ‘’Drita’’ dhe te ‘’Nëntori’’ poezi jo të dobëta.Madje para se të shkoja në universitet,me rekomandimin e Lidhjes së atëhershme të Shkrimtarëve,kisha gati për botim librin tim të parë që s’doli kurrë,për arsye të një grindjeje me redaktorin e librit,në “Naim Frashëri’’E them me bindje se në rast se nuk do të kishte ndërhyrë Dritëroi në Ersekë,duke nisur një të drejtë studimi nga Lidhja e Shkrimtarëve,do të isha ngrysur veteriner.E kam takuar vetë Dritëroin në zyrë,sapo kisha mbaruar gjimnazin e Ersekës,më kishin qethur kokën zero, sepse isha në moshë për të kryer ushtrinë.Ende rrënqethem nga dora e Dritëroit mbi flokët e mi të qethur zero dhe fjalisë së tij:’’Mundohu të mos ikësh ushtar,shpjeri një dash atij kryetarit të degës,se në shtator do vish në shkollë, këtu në Tiranë…’’

-Në tërësi ju jeni një autor i shëndetshëm, profilik, me besimin solid për jetën; megjithatë herë herë vihen re doza melankolie të ndjeshme, Si bashkëjetojnë optimizmi me pesimizmin te ju?

Kjo bashkëjetesë,herë duke mbizotëruar njëri dhe herë tjetri,pa gjetur asnjëherë mirëkuptim të plotë, është e domosdoshme sepse nuk e le njeriun të qetë,të jesh i qetë do të thotë që të jesh në gjysmëmgjumë.Të jesh në gjysmëgjumë do të thotë të mos kërkosh dot diçka më tepër.Dhe nëse kërkon,edhe mund të dështosh përkohësisht.Nëse dështon melankolia dhe pesimizmi nuk të ndahen,kjo do të thotë që duhet të ngresh sërish furtunë shpirtërore, për të arritur aty ku deshe.Melankolia,pesimizmi janë bashkudhëtarë të optimizmit në jetë.Jeta i kërkon dhe i do të gjitha.Pastaj,pëlqimi i një krijimi artistik dhe mospëlqimi i një tjetri është subjektiv,është subjektiv në kuptim më të gjerë kohor,koha herë pëlqen optimizmin dhe herë melankolinë.Krijuesi duhet ti shprehë në art këto ashtu siç janë.Krijuesi asnjëherë s’mund të jetë plotësisht i shëndetshëm dhe solid,edhe pse vetë është gjallesë,edhe pse shkruan për gjallesat, të cilat janë shumëformëshe nga shpirti .

-Libri tuaj me tregime e novela “-Rënkimet e bregut tjetër”, dallohet për strukturën narrative dhe imagjinatën letraro-artistike, mes tradicionales, modernes dhe post-modernes. Prozë që nuk është  fantazi, por është bota e brendshme njerëzore, e cila dëshmon më së mirë edhe penën tuaj të prozatorit. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?

Ky libër ka brenda një periudhë kohore të gjatë,për shkak të pamundësisë ekonomike të botimit.Kjo do të thotë që aty janë përfshirë turbulenca shpirtërore të ndryshimeve jetësore personale dhe më tej.Ndaj edhe ka një kraharor të gjerë dhe mendoj se frymëmarrja nuk ia thyen brinjët.Aty ka fantazi artistike,ka personazhe reale që janë skalitur në funksion të ideve,ka pak realizëm magjik e pak romantizëm, të domosdoshme për tematikat që bart.Njeriu është edhe i mirë edhe i keq,edhe mendon,edhe priret instiktivisht,sepse vetë jeta është e bukur por edhe e vështirë,vetë jeta të ndjell të ecësh por edhe të zvarrisesh.Kështuqë,misioni i të shkruarit nuk është i lehtë. E rëndësishme është që njeriu të jetë i mirë,dhe po s’është i tillë,të bëhet.Mendoj që më shumë se letërsia, këtë gjë nuk mund ta bëjë dot asnjë lloj tjetër forme.

-Unë  vecanërisht, do të përmendja librin tuaj   më të fundit , “Gruaja që zbukuronte të gjitha moshat” me tregime e novela, por që pati jehonë në letrat shqipe, por dhe mjaft i  vlerësuar nga kritika e kohës. Cfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë libër me prozë? Përse ky titull? Si kini arritur ta realizoni botimin e tij?

‘’Gruaja që zbukuronte të gjitha moshat’’ u nis dhe përfundoi me idenë e strukturuar të një romani,roman të cilin unë s’guxova ta quaja kështu as në kopertinë.Shumë dashamirës e kanë quajtur roman,një roman që po ta krasitësh pak tematikisht radhitet në krijimtarinë time më të mirë.I prirur drejt idesë se mëmësia e jetës është produkti më i rëndësishëm në planetin tonë në drejtim të ruajtjes dhe përtëritjes ekzistenciale dhe jo vetëm kaq,por është burimi i mirësisë,kënaqësisë,i brishtësisë,madje edhe i diplomacisë dhe urtësisë,jam munduar të prek në gjirin e shoqërisë njerëzore.Edhe nepërka lind të vegjël me anë të vezëve,lind nepërka të vogla që edhe pse të vogla, emrin e kanë nepërka.Le t’i lemë gjallesat e tjera të ndërtojnë jetën e tyre,ashtu siç duhet të ndihmojmë femrën,t’i lejojmë asaj të përtërijë jetën pa e fyer,pa e anashkaluar; njeriu është produkt i saj; ajo e rrit në trup,ai është një pjesë nga trupi i saj që e shkëput me dhimbje për t’i dhënë jetës jetë.Është paradoksale,që të dish se në jetë të ka sjellë një femër dhe të kërkosh të dominosh.Gruaja është e bukur kur është çupkë e dashuruar,është e ndjeshme dhe e mençur kur lind dhe rrit fëmijë,është simbol i urtësisë kur bëhet gjyshe.Më thuaj,kam të drejtë apo jo kur përgjithësoj dhe them se gruaja i zbukuron të gjitha moshat?Për botimin e tij,dhe jo vetëm të tij, por të gjithë krijimtarisë më kanë ndihmuar miqtë.Unë kam shumë miq.Nuk kam arsye pse të mos kem miq.Gjithë shoqëria njerëzore funksionon normalisht vetëm mbi parimin e miqësisë së ndërsjelltë.

– Ju shkruani poezi. Biles keni botuar disa vëllime me poezi; “Pak nektar”, 1988, “Parajsa nuk është e virgjër”, 2000, “Moshë e çmendur”, 2011. Cila ka qenë poezia e parë, kur dhe si lindi ajo?

Mendoj se krijimtaria fillimisht nis me poezinë tek çdo autor.Edhe nëse mund të ketë prozatorë që s’kanë shkruar asnjë varg,shkëndija e parë në ndërgjegje është dhënë nga poezia.Kjo sepse ajo është më fine,më lajkatare,më ngacmuese përsa i përket procesit të krijimit.Proza vjen atëherë kur ke jo vetëm shumë për të thënë dhe kërkon t’i thuash, por kur ke akumuluar në palimpsestin personal shumë përvojë.Poezia është fluide,kërkon më shumë mund dhe djersë për ta shkruar,por është edhe kryeneçe,pa qenë i pranishëm frymëzimi ajo lind bastarde,çasti ka shumë rëndësi për të,nëse ai çast nuk kapet,shkëndija vdes,transformohet në një shkëndijëz tjetër por kurrë si e para.Poezia kërkon shije fine, si në të shkruar edhe në të lexuar,shijimi i poezisë është process i gjatë i formimit estetik te njeriu,prandaj edhe masa e lexuesve të poezisë është më e tkurrur se lexuesit e prozës.Krahasuar të dyja, proza është më e ashpër, është më e çlirshme,ka më pak rregulla,kërkon më pak zjarr prodhues dhe më shumë kohë të qetë,poezia shprehet në ndezje e sipër të vetëdijes,një ndezje që mund të jetë fare e shkurtër.Do të thosha se proza vjen nëpërmjet rrugës së poezisë,e ka çelur ajo e para shtegun.Më pas ajo bëhet preferencë.Ata që shkruajnë prozë ‘’kanë dështuar’’ në poezi.Kur ke prodhim në poezi,mundohesh të klasifikosh cilësinë e këtij prodhimi.Unë nuk e mbaj mend cila ka qenë poezia ime e parë.Besoj se nuk do të ketë qenë e bukur.Besoj se ndërgjegja ime do ta ketë klasifikuar si thjesht një provë.

— Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

Poezia nuk është e rastësishme si pjellë,motivi fle dhe zgjohet papritur,shkëndijon dhe ky është çasti kur duhet hedhur në letër,ashtu bruto.Ka pasur raste që unë kam thurur poezi në gjumë e sipër.I jam rikthyer për ta latuar dhe për t’i dhënë formën përfundimtare, po në gjumë.Të nesërmen ajo është kthyer në një krijesë të vagullt,të cunguar,sado që jam munduar t’i jap frymën e ëndrrës,kur u krijua,ka qenë e pamundur.Vendi më i preferuar për të shkruar poezi gjendet nga vetë poezia.Ndërsa me prozën është ndryshe.Ajo kërkon domosdoshmërisht pak komoditet,detyrimisht edhe kohë më të gjatë.

-Ju shkruani lirika dashurie, që me vargjet tuaja ilustroni dashurinë njerëzore.Çfarë ju ka shtyrë për të shkruar lirika të tilla?

E gjithë jeta duhet të jetë një lirikë e bukur,një lirikë që të fytyrëzohet me brumin e dashurisë njerëzore.Jo vetëm pse jeta është shumë e shkurtër,por edhe sepse ajo duhet zbukuruar me fisnikëri,duhet përsosur.Pastaj,kur shkruan lirika ndjehesh shumë më mirë shpirtërisht,më i mirë dhe më  lirë.Dhe njeriu kur ndihet i tillë duket sikur ka jetuar dy jetë.Nga ana tjetër,kjo lidhet edhe me temperamentin.Unë jam një sanguine i pastër që nuk le dot dy gurë bashkë.Edhe kur në krijim kam nota melankolie do të thotë që s’rri dot rehat as me veten time,e qortoj,e shaj,i kërkoj asaj më shumë,sepse koha rrjedh pamëshirshëm.

Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

Muza është bërthamë gjenetike që aftësohet me punë duke e kulturuar vetveten estetikisht,duke e fisnikëruar shpirtin për të prodhuar pastaj art të bukur.Muza fle dhe zgjohet gjithmonë te poezia.

-Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?

Njeriu lind dhe rritet në një qytetërim të caktuar që edhe e zgjedh vetë,por edhe ia zgjedhin.Gradualisht,duke e ndierë veten edhe pjesë, edhe jo pjesë e këtij qytetërimi,merr përsipër rolin e zëdhënësit intelektual,për të ndryshuar atë që është ndërtuar keq.Këtë rol nuk e kryen duke dalë në tribunë,por zgjedh mënyrën më të lehtë dhe më të përshtatshme për të-artin.Toni qytetar i ngjizur artistikisht ndikon më shpejt dhe më butë tek ajo që duhet rikuperuar.Prandaj edhe poetët janë në pararojë të lirisë dhe dhe përparimit.Ata janë të prirur gjenetikisht të jenë në krye,madje aq në krye sa ndonjëherë ndodh edhe të krijojnë keqkuptime rastësore.

 -Letërsi artistike, poezi, publicistikë,  dhe eseist. Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë, apo nga proza në vargje?

Ju thashë pak më lart se proza të lejon të thuash shumë,por kërkon kohë të gjatë.Poezia është më e drejtpërdrejtë dhe ndikon më shpejt estetikisht.Kështuqë,sipas kohës në dispozicion të lexuesuit,artisti duhet të japë mesazhet te njeriu me të gjitha format e mundshme.Të mos harrojmë se koha në jetën e njeriut është e shenjtë dhe e shtrenjtë.Poezia komunikon më drejtpërdrejt në kohë,është më telegrafike,ka vetinë të prekë më lehtë dhe më shpejt.Proza është më e ngadaltë në ndikim,për vetë natyrën e saj të përpunuar gjatë.Sigurisht të dyja kërkojnë talent dhe përkushtim,poezia do mjeshtëri dhe përqëndrim estetik,proza kërkon kohën e saj në kompozim,nuk mund të jetë aq telegrafike sa poezia.Jo më kot sot,duket një gërshetim i gjuhës së të dyjave.Kjo ndodh që përjetimi estetik i lexuesit të jetë më i plotë,ndonëse ato asnjëherë nuk mund të zëvendësojnë plotesisht njëra-tjetrën.

 -Z.Valter, ç’do të thotë për ju të merresh me art dhe letërsi?

Të shkruash poezi,për mua do të thotë që hera-herës të qëndrosh larg njerëzve të përditshëm,të qëndrosh larg jo sepse nuk je pjesë e së tërës,por sepse ke mundësinë që të perceptosh detaje nga një këndvështrim tjetër,këndvështrim ky që e ka të domosdoshme largësinë.Ndërsa të shkruash prozë,duhet të jesh gjithmonë tërësi me njerëzit,brenda asaj që vlon apo që e shqetëson shoqërinë njerëzore.

-Mos po thoni që nuk është e njëjta gjë,si të shkruash poezi dhe si të shkruash prozë?

-Pikërisht këtë po them.Pavarësisht se të dy llojet kanë më shumë të përbashkëta se sa të veçanta,përdorin gjuhë të figurshme,kanë të domosdoshëm frymëzimin,edukojnë dhe kënaqin estetikisht lexuesin si funksion artistik,kanë edhe veçoritë e tyre që i dallojnë nga njëra-tjetra fare qartë.

-Atëherë,me qenë se ekziston një ndryshim i tillë sipas estetikës suaj,mund të specifikoni diçka më të qartë  në këtë drejtim?

-Po,mendoj se dallimi thelbësor është te baza e krijimit.Të shkruash një poezi,ngacmimin e merr nga çasti,nga detaji dhe e ke të domosdoshme që ta hedhësh në letër,pasi frymëzimi tretet,humbet përqindjen e momentit,kthehet në diçka të zakonshme në se nuk i jep pulsin që kërkon.Të shkruash një tregim,novelë e për më tepër një roman është më tjetër.Ngacmimin mund ta marrësh nga momenti,ama e përpunon pa e hedhur në letër fle dhe zgjohesh me subjektin riparon;shton dhe heq linja, kohë e personazhe.Koha që kërkon proza është e gjatë,përjetimi është më i klasifikuar në marrëdhënien me lexuesin.Poezia ka përjetim më të kualifikuar.Si të them,edhe pse një autor mund të shkruajë prozë dhe poezi njëkohësisht,aty janë dy njerëz,të ndryshëm nga njëri-tjetri përsa i përket përjetimit.

–A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

Pasi kalon një kohë jo e shkurtër në procesin e krijimtarisë,shkrimtarit, komunikimi artistik i kthehet në profesion.E ndjen veten të detyruar të komunikojë me lexuesin,në rast se hesht,i duket se nuk po jeton atë që duhet të jetojë.Ky komunikin kthehet në një detyrim pse jo,edhe reciprok.Lexuesi ka të drejtën të pyesë:’’Kohët e fundit sikur s’po na shkruan më…’’!Është pikërisht ky detyrim që krijon një marrëveshje të heshtur dhe kur arrihet kjo pikë,mund të themi që artisti le në ndërgjegjen e bashkëqytetarëvetë vet gjurmë të cilat kanë ndikimin e tyre.Ky mision është mirë që të realizohet me atë zhanër tek I cili shkrimtari e ndien veten komod në komunikim.Ky komoditet pasqyrohet nëpërmjet qëndrimit të lexuesit dhe kritikës.Me që ra fjala për kritikën,ajo sot pothuajse ka shterur,është manipuluar,nuk zbërthen vlerat e vërteta,është kthyer në një ombrellë të klanizuar.Libra të tërë, të botuar privatisht pa ndonjë kriter artistik,me vlera dhe pa vlera,trumbetohen si kryevepra botërore nga kritikë të porositur enkas,thua se letërsi mund të shkruajë kushdo.Kjo çorbë-letërsi –kritikë,ka ndikimin e vet jo vetëm në zhvillimin e mediokritetit që s’lejon përsosmëri kur e dobëta quhet e shëndetshme,por edhe në nivelimin e vlerave.Të vjen mirë kur gazeta lokale e kombëtare i përkushtojnë pak vend letërsisë në faqet e tyre,por të tmerron fakti kur shikon që përkrah Lasgushit botohet një cikël apo një tregim i dobët,pa vlera artistike,botohet thjesht nxitur nga marrëdhëniet shoqërore midis botuesve dhe autorëve.Ana tjetër e medaljes-shkrimi i kritikave të porositura-e çorienton dhe e shpie drejt shkërrmoqjes kritikën në tërësi.Ka pak ose aspak kritikë të mirëfilltë sot.

-Pas disa librave shumë  të suksesshëm për të shkruar prozë dhe poezi , me shkrim të qartë e gramatikisht korrekt, cila është lidhja midis veprave tuaja?

Poezinë tanimë e shikoj me një sy më të kujdesshëm.Tek iu rikthhem librave të mi,vë re se kam pasur mundësi për të punuar më bukur.Poezia është tekanjoze, kërkon shumë frymë dhe shumë punë,një fjalë e vetme e vendosur aty ku s’duhet,i humbet vlerën,ia shëmton fytyrën.Poezia është krijesë e gjallë,ka nevojë për gjithçka që ka nevojë një krijesë,ashtu siç do formën e përkryer,tingëllimin,zërin e jashtëm dhe të brendshëm,ashtu kërkon edhe ledha, edhe kozmetikë,edhe shpirt,edhe hare,edhe trishtim.Në prozën time të fundit jam përpjekur jo pak që të fut elemente të poezisë,sigurisht jo aq sa të shfytyrohet zhanri,sepse pastaj shfytyrohet vetë vlera.Në vargjet dhe prozën time është e pranishme jeta,fëmijëria,e sotmja dhe e nesërmja.

– A keni përjetuar fëmijëri të lumtur? Kush është poeti e prozatori Valter Dauti për audiencën e lexuesve?

-Aktualisht unë jap mësim në gjimnaz,në qytetin e Lushnjës.Aktiviteti i përditshëm mes nxënësish,miqsh që shkruajnë dhe nuk shkruajnë por që janë dashamirës,krijon gradualisht një audiencë dashamirëse.Janë një sërë shkrimtarësh në qytetin tim që komunikojnë artistikisht me njëri-tjetrin.Përmend këtu shkrimtarët Faslli Haliti,Fatbardh Rustemi,Kozma Gjini, Elmaz Qerreti dhe shumë të tjerë që krijojnë një vatër të ngrohtë artistike me promovime vlerash të vërteta artistike dhe botime të shpeshta në shtypin periodik.Ndihem shumë mirë mes miqsh të tillë.

-Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare?

Kush shkruan shumë ka edhe huqe shumë.Unë kam familje,kam dy vajza të mrekullueshme studente, që krenohen hapur me babain.Bashkëshortja është e vetëdijshme dhe e kënaqur me ato që mund të quhen huqe.Kështuqë gradualisht, krijohet një lloj statusi i ligjëruar në familje.Kjo është mbështetje e domosdoshme për një shkrimtar.Nga ana tjetër,lexuesi im që u afrua ngadalë në krijimtarinë time,i kujdesshëm për atë që i pëlqen dhe për atë që s’i pëlqen,të ndjek hap pas hapi dhe reagon edhe atëherë, kur ty të duket se ka heshtur.Ky lloj reagimi është mbështetje shpirtërore dhe gjykim,nxitje për të kërkuar të bukurën dhe kujdes për moszhgënnjim.Çdo shkrimtar e ka të domosdoshëm publicitetin e veprës së tij te lexuesi,në të kundërt fillon të heshtë dhe të tkurret brenda guaskës personale;ajo ç’ka do të shkruajë më pas i ngjan një bime të rritur në hije,pa diell dhe dritë.Atje ku mungon drita,gjithçka projektohet gri pastaj.

Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?

Kam një vëllim poetik të përfunduar dhe një në prozë.Besoj se së shpejti lexuesi do t’i ketë në dorë.Nuk ju thashë  se, më është bërë si zakon, që prodhimet ti publikoj të binjakëzuara.Katër librat e fundit kështu janë prezantuar,dy e nga dy.Kam në proces krijimi një roman,gati në përfundim,megjithëse nuk e di ende nëse do të kem guximin ta botoj.Jo se nuk jam i guximshëm,por një roman ose është i realizuar artistikisht më mirë se krijimtaria jote deri para tij,ose është dështim.Nëse një vëllim poetik mund t’i ketë të tri nivelet artistike brenda,nëse një vëllim me tregime mund t’i ketë të tri nivelet,një roman mban brenda vetëm një nivel.Nëse mjalti që ke shpërndarë më parë,tani nuk arrin në esencën e qumështit të bletës,ajo ç’ke arritur deri në çast,rrënohet dhe e humbet shkëlqimin artistik.Këtë do t’iu sugjeroja edhe talenteve të reja.Procesi i të krijuarit është i vështirë,kërkon sakrifica,netë pa gjumë,nuk është profesion si të tjerët,të krijon vuajtje, sepse nuk t’i jep frutet lehtë.Sot shtypi duket sikur është tejet i lirë,të krijon mundësi prezantimi,por kjo nuk është gjithçka.Përfitimet e klaneve që menaxhojnë,organizatat shoqërore, politike dhe ekonomike çoroditin nivelet artistike dhe i barazojnë padrejtësisht.Talentet e reja,duke botuar krijime pa nivel,përkrah një krijimi me nivel,nivelojnë edhe vlerat.Kjo nuk dëmton lexuesin,sigurisht,por vetë talentin tek i cili krijohet një ego barasvlere.

Ju faleminderit!

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: bregu tjeter, nektari, parajsa, Valter Dauti

A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?

June 29, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/

Pushtetarët tanë po qajnë hallin e krizës greke. Në të vërtetë populli grek e ka një barrë të rëndë dhe kjo barrë e rëndë është kasta politike që ka mbajtur mbi supe, e cila, e papërgjegjshme, e solli Greqinë në fatin e perandorisë romake, që e zhytur në qejfe e la popullin në mjerim e fundi dihet. Perandoria me shkëlqimin më të madh në histori, që kishte vënë botën nën vete, shtrirë në tre kontinente, u shkërmoq, humbi si të mos kishte qenë kurrë. Greqia nuk është në ato përmasa, dhe ngrehina greke aq shumë e stimuluar dhe përkëdhelur nga Fuqitë e Mëdha në orekse të mëdha,  nuk besoj se do të shkaktojë atë efekt që solli shembja e perandorisë romake, e cila solli  si pasojë futjen e kontinentit në errësirën shumë shekullore. Errësirë që do të vazhdonte deri me shfaqjen e madhërishme të Rilindjes së ndritur Europiane. Më së shumti kriza ekonomike greke do të shkatërrojë imazhin e një Greqie të lumtur, të një llastice ballkanike, vend ku europianët e kishin si një parajsë ku mund të kalonin pushimet dimër verë, nën diell e pranë detit, mund të bënin qejfe të shfrenuara në ekzotikën e buzuqeve e të pjatave që thyheshin me zhurmë nën avuj uzoje e vere mesdhetare. Në Greqinë  ku paraja shkonte lumë e ku taksat nuk paguheshin së pari nga qeveritarët e korruptuar, pasurinë e të cilëve e gjeje me shumicë në bankat e Zvicrës, kishin jahte të padeklaruara, shtëpi të shumta madje të implikuar në këto afera edhe ministrat e deputetët grekë. E që të mos harrojmë, Greqia gjatë gjithë ekzistencës së saj si shtet ka qenë e përkëdhelura e Europës. A mund të gjeni një shtet që brenda kufirit të 80 vjetëve të dyfishojë territorin e vet, duke gllabëruar troje e popullsi të kombeve të tjera e duke i tjetërsuar ato me dhunë deri në kufijtë e gjenocidit mbi banorët e kombësive të tjera. Sepse pas gjenocidit turk mbi armenët kemi gjenocidin grek mbi shqiptarët e Çamërisë, ndërkohë që Europa heshtte. 

Sot Greqia ka një shtet me sipërfaqe 131 mijë e 940 kilometra katrorë, ku pothuaj një e treta i janë rrëmbuer shqiptarëve, ajo që grekët e quajnë Epir grek janë të gjitha toka arbërore, e megjithatë orekset e të përkëdhelurës së Fuqive të mëdha evropiane nuk i mungon oreksi me shpikjen e shpifur “Vorio Epiri ine eleniki”.  Greqia ka mbi 11 milion banorë, nga të cilët, një e treta janë shqiptarë apo dhe arvanitë, pra shqiptarë të hershëm, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë, mohohen, nuk u njihet gjuha e tyre, kultura arvanite arbërore është përvetësuar. Sot dalin çolejt me veshjet kombëtare të shqiptarëve si roje në parlamentin grek dhe evropianët ngazëllehen prej traditave të vjedhura, kinse nuk i dinë shkrimet e konkluzionet e Jakob Philipp Fallmerayer, se revolucioni grek ishte “purely Shqiptarian Albanian, not a Hellenic Revolution”. Pra një revolucion i shqiptarëve dhe jo i grekëve dhe kjo e shkruar pikërisht në vitin 1833, vetëm 3 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë. Po sot, pas një shekulli e gjysmë ku janë shqiptarët që bënë revolucionin grek, është fjala për pasardhësit e heronjve arvanitas, që nuk kanë asnjë të drejtë etnike në shtetin e ri që formuan vetë me gjakun e sakrificat e tyre.

Pra kjo Greqi e përkëdhelur nga fuqitë evropiane, në sajë të së cilës ka mbijetuar, është e natyrshme që do të mbijetojë  sërish, do të gjendet një mënyrë që të mos bjerë në gjendjen shkatërrimtare të ekonomisë, sepse nuk janë interesat e Europës ta shkërmoqin si fuqi në Mesdhe përballë vendeve arabe. Aq më tepër se territori grek ka shërbyer gjithherë si një urë kalimi të emigrantëve nga Lindja e Mesme  për në Europë. Nëse Greqia do të dalë nga sfera financiare e euros është e natyrshme që duke qenë jashtë kontrollit evropian, ajo për të thithur para do t’i hapë portat e Europa do të shohë një vërshim të ri e të paparë të emigracionit arab në drejtim të saj. Me gjithë ashpërsinë në dukje, europianët e bashkimit do ta përkëdhelin e ledhatojnë edhe më tej  Greqinë.  Nuk ia vlen barra qeranë ta humbë, por ama sa më shumë që e ndihmon Europa, aq më shumë orekset greke shtohen. Duhet patur parasysh se sasinë më të madhe të parave të marra nga Bashkimi Europian ajo i ka kaluar në furnizimin e ushtrisë me armatime. Si mund të konsiderohesh në krizë, kur shpenzon marramendshëm për armatime supermoderne, tej e përtej programit të NATO-s për anëtarët e aleancës? 

Le t’i referohemi shifrave. Në vitin 2008, Greqia ka shpenzuar për ushtrinë rreth 9.3 biliard dollarë dhe është konsideruar importuesi më i madh i armëve konvencionale në Europë. Si mund një vend në krizë që për vitin 2013 të shpenzojë 3 biliard Euro e të mbajë një personel ushtarak prej 108 mijë e 874 vetë. Si mund të konsiderohesh në krizë kur sjell ushtrinë në kufirin me Shqipërinë, sikur të jemi në gjendje lufte, në një kohë që financon pensionet e shqiptarëve, që për interesa ekonomike e mohojnë kombësinë e vet, vetëquhen grekë e marrin pension rreth 380 euro në muaj, pra sa dyfishi i një pensionisti mesatar në Shqipëri, i cili ka punuar tërë jetën dhe jeton mjerueshëm. Ndërsa pensioni mesatar i një pensionisti grek është 700 euro, ku e ku me gjendjen katastrofike të pensionistëve shqiptarë.

Zërat qaramanë të shtetarëve e politikanëve shqiptarë që po lotojnë për krizën greke e kanë një shkak sigurisht, i druhen faktit se mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë të mbetur pa punë e mjete jetese do të kqyrin të kthehen në shtëpitë e veta, në Atdhe, e do të bëhen një forcë e lirë pune që do të shtojë varfërinë e krisjet sociale në Shqipëri. Pra thënë shul shqip, qeveritarët kanë hallin e vet edhe ata, duan të mos kenë kokçarje, të vazhdojnë të notojnë në luks e të mos u prishet rehati prej revoltave popullore. Gjithsesi, problemi i emigrantëve shqiptarë në Greqi qëndron, janë në zgrip, kriza së pari do të kalojë mbi ata, por ne jemi shqiptarë që anipse në fat të keq historik, lodhjet, vuajtjet e mundimet na kanë bërë të rezistueshëm. Bëjmë çdo punë, përballojmë vështirësitë dhe mbijetojmë. Dhe besoj se emigrantët shqiptarë do të mbijetojnë edhe në këtë situatë të vështirë sepse pakësohen punët, falimentojnë firmat dhe qytetarët grekë bëhen më dorështrënguar.

E parë në një plan tjetër, do të pyesja këta qeverisës apo deputetë që po shqetësohen aq shumë për krizën greke, se sa i ka të ardhurat një pensionist grek dhe sa e ka një shqiptar, flasim për kushte profesionesh të njëjta. I ballafaqoni e do të shihni se sa poshtë është niveli i jetesës së shqiptarëve, e pastaj përrallisni nëpër  gazeta se kriza greke po bën hatanë tek fqinji i jugut dhe ne qenkërkemi bukur mirë, pa krizë. Kur s’na thonë dhe në lumturi! Kur në të vërtetë ne jemi nën nivelin e detit dhe nuk ka sesi t’i ndjejmë dallgët e krizave. I qajmë hallin kalorësit se i varen këmbët e vetë jemi zhyt mbyt…në fund të detit të krizave.

A keni gjë të thoni për situatën ku ndodhemi të nderuar shtetarë e deputetë, ministra e ofiqarë? A keni gjë të thoni se si mund të jetohet me 100 euro në muaj që ju shtetarë e deputetë nëpër restorante klasi i lini bakshish? A e dini ju që qeverisni se shteti grek që ka afro tre-katërfishin e popullsisë në raport me Shqipërinë dhe pesë fishin e sipërfaqes, ka një qeveri me 16 ministra, ndërkohë që qeveria jonë që është në një vend të vogël fare, me 28 mijë kilometra katrorë sipërfaqe dhe popullsi 2 milion e 800 mijë banorë, ka një qeveri të rëndë me 20 ministra, ndërkohë që kabineti i presidentit amerikan përbëhet nga 15  ministri. Si është e mundur që populli i varfër shqiptar të mbajë mbi supe gjithë këtë barrë të rëndë?  Kujt i hyn në punë se çfarë bën gjithë ditën, ta zëmë, Ministria fantazmë për marrëdhëniet me parlamentin. Parlamenti me Qeverinë janë veç njëmijë hapa larg njëri-tjetrit, e në vend të një postieri vëmë një ministër me një aparat ku rregullojnë taraf e miqësi. Ka një ministri të Mjedisit krejt kot, se nuk ka mbetur ta mbrojë mjedisin një ministri që pushton trotuarin në rrugën “Mihail Duri” në Tiranë dhe qytetarët detyrohen të kalojnë në mes të rrugës, nën rrezikun e ndonjë përplasje që mund t’u kushtojë jetën. Kujt i duhet ministria e Inovacionit e Administratës Publike, një sajesë sa për t’i gjetur vendin një zonje me lidhje e miqësi familjare? Çfarë dreqin bën ministri i shtetit të Qeverisjes vendore? Qeverisja vendore tashmë realizohet nga 61 kryebashkiakë, thuaj të gjithë të partisë në pushtet. Kryeministri dashka një ministër të veçantë për të komunikuar me kryebashkiakët e partisë së tij? Veç kur e thua se kemi pesë ministri më shumë se shteti amerikan me 380 milionë banorë dhe ekonominë më të fuqishme në botë, më të vërtetë ndjehemi rehat, sepse nuk ka krizë që mund t’i bëjë gjë këtij vendi të vogël  me qeverisje të madhe dhe me korrupsion gjigant, me të madhin në Ballkan, bashkë në këtë meritë me vëllezërit tanë në Kosovë. Po le t’i kthehemi Greqisë për të cilën qajnë me lotë e me bot politikanët e shtetarët tanë nën ison e vajtojcave të parlamentit shqiptar.

A keni gjë të thoni cili është standarti i jetesës në Greqi dhe cili është në Shqipëri? Se thirrje për të pasur dhimbje se Greqia po fundoset nuk kanë efektin e duhur tek ata që janë vetë të mbytur. Grekët morën aq shumë para nga Europa e tani nuk kanë si t’i paguajnë. Le të mos i paguajnë. Kush kishte dha. A nuk bëri dhe ish Jugosllavia kështu? Asnjë para nuk u ktheu kreditorëve. Qeveritarët tanë të papërgjegjshëm, që notojnë në luks, që bredhin nëpër Europë e botë, që e kanë bërë Parisin si shtëpi e dytë, që na i vënë edhe fotot e udhëtimeve të veta nëpër faqet e e mediave sociale elektronike, duke u mburrur se hanë e pinë me paratë e shqiptarëve, duhet të dinë këta,  më shumë se të përkëdhelur të fatit – anëtarë të klanit, se jemi ne për të qarë e qeshur, e jo grekët. 

Ju që jeni në krye, që gëzoni privilegje kur populli juaj vuan, qani hallet e popullit shqiptar se për atë ju paguan aq shtrenjtë. Se për grekët mendon Gjermania, Franca, Anglia, Rusia, Serbia dhe tërë miqtë e saj që historikisht e kanë përkëdhelur kur ne na i vinin hanxharët  në trup të Atdheut,  për të ushqyer oreksin e pangopur të saj me tokat shqiptare. Ne nuk gëzojmë kur tjetri vuan, qoftë ky dhe fqinji ynë që na ka vjedhur vatanin, por vuajtjet tona nuk paskan një të ngjashëm në këtë Europën tonë ku jetojmë që kur janë shfaqur qeniet e para njerëzore mbi tokë,  por mjerisht e tragjikisht jemi të përjashtuar.

Fillimi e fundi i fjalës: A keni ndonjë pikë loti për popullin tuaj?! 

28 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini, Kriza greke, lot, populli, pushtetaret

JOZI,Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e Lulzim Bashes

June 28, 2015 by dgreca

*Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote,Voltana Ademit , atëherit po, i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit./
*JOZEFINA, Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij…/
Ne Foto:Voltana Ademi, fituesja e Shkodres/
Opinion nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Jozi, edhe kësaj here, pothuaj nga gjithkush e gjithkund, paradihej se në Shkodër do të fitonte për të shtatën herë PD. Veç dy gjana nuk diheshin kaq fort: fitorja e Voltana Ademit me pesë shifra dhe vetmburrja e jote bio-politike me frymë ezopike e imazh prej hijene, tue nxjerrë brirët e djallit nga kulisat e politikës së kaherit e të ditës. Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote atëherit po i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit.
 Ju si politikane kariere keni pasë fat që keni lind e jeni rritë në Shkodrën e demokracisë, po çfatkeqësi kena ne të tjerët me t’i ndie deri në masmedia orakull e profeci politike tuajat si një veterane e demokracisë. Ndërkohë, mendoj se duhet t’i leni brezin e ri të kontribuojnë jo vetëm me idealizëm në fushata, por edhe në drejtimin vizionar të PD… 
Ju, Jozi (Zhozi) ato mend që kishit në politikë dhe për politikën i dhatë deri në kulmime si nënkryetare e PD e nënkryetare e mbasandejna kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ato që të kanë mbetë mbaji ma fort për veten tande për me i shpreh në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyren e duhur. 
E, përndryshe: mbaje veten burrneshë!
 2.Jozi, sa mirë të kanë urue deri në pasmesnatë të rinj e të reja të Shkodrës të demokracisë e të qytetërimit antik e modern, po qysh nuk gjete një fjalë, nuk pate pak kohë, me i gjend nga afër apo larg në krah fushate Grida Dumes në Durrës. Se mos ishin shumë. Dy kandidate, në këto dy bashki të mëdha: njana në Shkodër e tjetra në Durrës.
 3.Sivjet, në Vendoret 2015, PD në opozitë, mori 14.310 vota ma pak se në Vendoret 2011 kur PD ishte fuqishëm në pushtet dhe asokohe kur Basha u zgjodh kryebashkiak i metropolit shqiptar – Tiranës.
 Në vitin 2015, krahasue me Vendoret 2007, PD mori 44.935 vota ma shumë. Një përllogaritje e shpejt: mbi tre herë ma shumë vota se në Vendoret 2011. Nuk janë pak, tue ditur se kësokohe PD ishte në kulmin e forcave e energjive të veta në shekullin e ri, XXI.
Pra, nuk është nevoja të ballafaqohemi me vitin pluralist 1991, kur kemi shembuj krahasues ma të afërt: më 2007 e më 2011.
 4.Jozi, pa shkue në vitin 1991 ndalu pak në Vendoret 1996 kur PD në pushtet  mori 741.682 vota gjithsej. Një lartësi elektorale. Pikërisht në këtë vit ju u zgjodhët deputete e PD në rrethin e Shkodrës. Menjëherë, më 1997, u zgjodhët dhe nënkryetare e PD e, njëherash, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. 
 Në Zgjedhjet Vendore 2011 PD mori 330.950 vota gjithsejt. Në 15 vite u përgjysmue vota e PD. Një rënie e thellë. E pazakontë. E papërseritshme.
Kjo më përnget me atë historinë e “e plakës në mulli”, e cila “i poqi tre kuleçë në hi”.
 Ju, Jozi, ishit përseri nënkryetare e PD e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndaj kjo rënie ishte e mbetet dhe përgjegjësi e juaja. Sikurse dhe e nënkryetarit tjetër: Topit bajekeq ndaj partisë së tij. Sikurse dhe e  Bodes si sekretar i Përgjithshëm i PD.
 Kjo përgjegjësi elektorale mbetet edhe e kësaj treshes tuaj në krye të PD, sepse i mbajtët këto poste në opozitë e pozitë, në mbi 10-15 vite. Thue se ishit Angela Merkel apo Helmut Kohl?! 
 Si thoni ju, Jozi: a mundej Lulzim Basha ta ringrinte në fitore Partinë Demokratike në harkun kohor të dy viteve të zgjedhjes së tij kryetar i ri i PD?! Ai arriti mjaft: nuk e thelloi humbjen e vitit 2011, pasi sivjet, në Vendoret 2015, PD nuk ra nën 300 mijë votues. 
 Sigurisht, këto Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.
Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij.
 5.
Jozi, të flasësh për fitore të PD e të Djathtës në Shkodër është si të thuash se dallandyshet, lulet…njoftojnë stinën e pranverës. 
 
Kjo për faktin e njohur: ndër të gjitha bashkitë e mëdha në qendra të 12 qarqeve të Shqipërisë (sipas një studimi politolog të Afrim Krasniqit) Shkodra është e vetmja që ka fituar shtatë herë në elektoriadat lokale. 
Ndryshe ka ndodh në qendrat e qarqeve të tjera. PD ka fituar vetëm tre herë në Tiranë (pas një dekade me humbje fitoi dhe Basha 2011-2015), nga tre herë në Elbasan e në Korçë,nga dy herë në Durrës e në Vlorë, etj. 
Vërtet Shkodra është një shembull i veçantë në Shqipëri, model për PD, po nuk është i vetëm. Nuk mbetet i vetmi. PD ka fituar dhe në Kamëz (bashkia e katërt në vend), në Lezhë e në Vorë, në Pogradec e në Kukës, në Përmet e Mat, në Tropojë e Selenicë, etj. 
 
Ju, Jozi, në disa mandate ish nënkryetare e PD, ish nënkryetare e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si e deleguar (ngarkuar) e përhershme e PD në Shkodër e Qarkun e saj, nuk mund të flitni vetëm për fitoren në bashkinë e re të qytetit të Shkodres me dhjetë ish-komuna përrreth, po dhe për fitoren e PD (kryebashkiak e këshill bashkiak) në Vaun e Dejës. Sado pak mund të ndjeni përgjegjësi dhe për humbjen e PD në bashkitë e reja Pukë, Malësi e Madhe e Fushë-Arrëz. 
 
Në përmbyllje, fitorja meritore e madhore e Shkodrës, si për kryebashkiak e për këshill bashkiak, si gjithçka tjetër, i përket vet Shkodrës, vet Demokracisë Shqiptare.
Kjo fitore e mirëpritur e dinjitare nuk ka sepse të pronësohet dhe as të fronëzohet nga askush. Aq ma tepër të hyjnizohet. Aq ma keq me këtë fitore të shtantazhohet politikisht brenda në parti apo në opinionin publik shqiptar.
 
 Natyrisht, kjo nuk duhet të ndodhin as nga ju, Jozi me kontribute e atribute në demokracine shqiptare. E themi këtë, pasi akte e veprime të tilla Jozi të çojnë drejt asaj që t’i ngjasësh një grifshe politike…
 
 
 
Ramiz LUSHAJ
 
 
Tiranë, 28 qershor 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Jozefia Topalli, Ramiz Lushaj, shkodra, zgjedhjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 79
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT