• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin

September 24, 2015 by dgreca

Federata “VATRA” dhe Gazeta “Dielli” urojnë të gjithë besimtarët myslimanë, në Diasporë dhe Vendlindje, me fat Kurban Bajrami!

Besimtarët shqiptarë, dhe ata në të gjithë botën, sot (e enjte) po festojnë Kurban Bajramin. Për nder të kësaj festë, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët. Besimtarët në Shqipëri janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit, ndërsa në Kosovë, manifestimi qendror për këtë festë po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Për nder të kësaj feste, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, duke thënë se “në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”. Me një urim për këtë festë, të gjithë besimtarëve myslimanë, iu është drejtuar edhe kreu i bektashinjve, Baba Mondi. “Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit”, uroi ai. Ndërkohë, edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se, vlerat e mirëfillta të kësaj feste manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanizmit.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Besimtaret myslimane, Gazeta Dielli, kremtojnë Kurban Bajramin, Vatra

Jahjaga viziton Bashkësinë Islame të Kosovës:GEZUAR KURBAN BAJRAMI!

September 24, 2015 by dgreca

 PRISHTINË, 24 Shtator 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ajo u prit nga Myftiu Naim Tërnava dhe udhëheqës të tjerë të kësaj bashkësie, të cilët i uroi për festën e Kurban Bajramit. “Dëshiroj që t’iu uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të besimit mysliman për festën e Kurban Bajramit, me urimin që këtë festë ta kalojmë në mirëqenie, mirëkuptim në harmoni dhe me shtrirjen e dorës së ndihmës ndaj njëri-tjetrit”, tha Presidentja Jahjaga.“Uroj për këtë festë të gjitha familjet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe që në mesin e të gjitha familjeve tona të mbizotërojë shëndeti, mirëqenia dhe gëzimi”,u shpreh ajo.

***Kosovë- Festa e Bajramit me porosinë e mirëqenies dhe paqes mbarë njerëzore

-Festë me urime të gjithë vëllezërve e motrave, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, kudo që  gjenden nëpër botë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Shtator 2015/ Urimet për festën e Kurban-Bajramit “të gjithë vëllezërve e motrave, brenda dhe jashtë trojeve tona, kudo që ata gjenden nëpër botë” i ka drejtuar sot kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, nga manifestimi qëndror në Xhaminë e Madhe në kryeqytetin kosovar, duke theksuar edhe mesazhet “për unitet dhe vëllazëri mes gjithë njerëzve”.

 “Vlerat e mirëfillta të Kurban Bajramit manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanitetit, duke bartur me vete porosinë e mirëqenies dhe paqes mbarë njerëzore”, është shprehur myftiu Tërnava në urimin e festës.

Kanë uruar edhe drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës, të cilët në këtë ditë të festës së Bajramit edhe vizitojnë e përgëzojnë Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Republika e Kosovës është përcaktuar për ndërtimin e  të ardhmes euroatlantike, si pjesë e familjes së shteteve të lira dhe demokratike ku respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar pa dallim. Kjo festë e Kurban Bajramit, të na shërbejë si një mundësi për të reflektuar për punën dhe sukseset që kemi arritur si individë dhe si shoqëri në realizimin e këtij synimi”, thekson në urim presidentja Atifete Jahjaga.

 “Me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan që ne sot të jemi pjesë e popujve të lirë”, shprehet presidentja e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uron “që edhe kjo festë të jetë festë e unitetit, e arsyes, që ne bashkërisht të zgjidhim problemet e këtij vendi, ta ndërtojmë Kosovën vend të mirëqenies, vend të zhvillimit dhe vend ku çdo qytetar do ta ndjente veten mirë”.

 “Dëshiroj që të gjithë njerëzit në Kosovë dhe më gjerë, ta ndjejnë veten mirë në këtë festë që simbolizon sakrificën, solidaritetin, tolerancën dhe besimin”, thkson kryeministri Mustafa.

 “Të gjithë besimtarëve islam në Republikën e Kosovës, gëzuar festa e Kurban Bajramit”, ka uruar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Mesazhi i kësaj feste është një vlerë e përhershme, sepse na përcjell idenë madhështore se adhurimi i Zotit, mbi të gjitha, nënkupton dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet mes njerëzve. Kjo është festa që bashkon besimin fetar me kauzën e humanizmit”, shprehet kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit, duke u shprehur se gjithmonë ka një ditë, kur besimtarët ndjehen më afër njëri tjetrit dhe më afër krijuesit të tyre.

“E tillë është edhe dita e sakrificës, që ndryshe njihet si festa Kurban Bajramit. Sakrifica për të mirën e përgjithshmë është pjësë e qenjës sonë, prandaj në këtë Kurban Bajram, t’i kujtojmë edhe një herë, të gjithë ata që me sakrificën e solidaritetin e tyre, bënë që të jemi të lirë edhe në manifestimin e besimt tonë”, thekson Haradinaj.

Manifestimi qendror në Kosovë i Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë nisi në ora 05:45 me faljen e namazit të sabahut,  ndërsa vazhdoi me ligjëratën tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora. Faljes së namazi të Kurban  Bajramit i priu Resul Rexhepi, ndërsa Hytben – mesazhin, e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

***

Kosovë-Mustafa: Bashkërisht t’i zhvillojmë proceset shumë të rëndësishme për ne

-Kryeministri Isa Mustafa vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e Festës së Bajramit-

 PRISHTINË, 24 Shtator 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Kurban Bajramit, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe udhëheqësit tjerë të bashkësisë.

 Në vizitë ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

  “Jemi sot këtu në Bashkësinë Islame, t’i urojmë Myftiut dhe të gjithë besimtarëve islamë me fat Festën e Kurban Bajramit. Gëzohemi për një festë të përbashkët e cila ndërlidhet me paqen,  me sakrificën, me besimin që t’i ndihmojmë njëri- tjetrit, që të punojmë bashkërisht, t’i zhvillojmë këto procese që janë shumë të rëndësishme për ne, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon edhe në botë”, u shpreh Mustafa.

 “Po ashtu, t’i falënderojmë njerëzit që po i kontribuojnë paqes, po i kontribuojnë stabilitetit, po i kontribuojnë sigurisë së vendit dhe sigurisë së rajonit”, përfundoi kryeministri i Kosovës./b.j/

***

CELEBRATION OF EID AL-ADHA (BAJRAM DAY)

 Pristina, 24 September 2015. General Guglielmo Luigi Miglietta, KFOR Commander, on the occasion of Eid al-Adha (Bajram Day) extends his sincere congratulations to the Islamic Community of Kosovo.General Miglietta, stressing the importance of cultural and religious heritage, wishes the Islamic Community to celebrate the holy day in an atmosphere of peace, harmony and solidarity.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Jahjaga viziton Bashkësinë Islame të Kosovës:GEZUAR, kurban Bajrami

Ahmet Zogu sipas Blendi Fevziut dhe Kristo Frashërit

September 24, 2015 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA-New York/

Gjatë vitit 2015 u botuan dy biografi të Ahmet Zogut. Duket se kjo figurë politike vazhdon të tërheqë vëmendjen e shqiptarëve, madje më shumë se më parë. Njëra biografi u shkrua nga gazetari Blendi Fevziu dhe tjetra nga historiani Kristo Frashëri.

Nga përvoja, kam parë se, po e shkruan historinë gazetarët, do përqendrohen në kuriozitete dhe sensacione pa ose me pak vlerë, mjafton që ato të bëjnë bujë, mjafton që ato të lënë përshtypje te lexuesit, duke lënë mënjanë pjesë me vlera që duan punë e studime më serioze, ndërsa, po e shkruan historinë historianët e politizuar, edhe pse mund të jenë me përvojë profesionale, duke qenë robër të doktrinës së tyre, duke mos pasur ndershmëri profesionale, duke mos pasur respekt për të vërtetën, madje, shpesh, edhe duke mos e dalluar atë, nuk mund të shkruajnë histori të paanshme, pra të besueshme. Këta lloj historianësh, që sot nuk janë pak, si rregull, ia përshtatin veprën që shkruajnë doktrinës së tyre. Të dy librat në fjalë janë vërtetim shtesë i përvojës sime. Libri i Fevziut për Zogun është i mbushur me kuriozitete të tipit të një personazhi të revistave “Play Boy”, ndërsa ai i Frashërit i shtrembëron aq shumë të vërtetat, saqë herë-herë përfundimet që jep, janë në kundërshtim edhe me dokumentet që paraqet vetë.

Ahmet Zogu është një personalitet politik shumë i veçantë shqiptar por, në të njëjtën kohë, aq i sulmuar dhe aq i denigruar, sa është transformuar në një figurë vërtet tragjike. Fillimisht Zogu u kritikua dhe u sulmua nga Nolistët për qëllime pushteti dhe, meqenëse Fan Noli ishte ndër personalitetet më të larta kulturore të vendit, kritikat e tij zunë vend atëherë dhe zënë vend edhe sot, sidomos në mjedise intelektuale; më pas, Zogu u kritikua dhe u sulmua nga kleri katolik, për shkak të shtypjes që i bëri ai kryengritjes seperatiste fetare të Dukagjinit dhe të mbylljes të shkollave fetare private në kuadrin e krijimit të shkollës shtetërore kombëtare shqiptare; më tej, Zogu u kritikua dhe u sulmua nga Italia fashiste dhe nga njerëzit e saj në Shqipëri; në vazhdim, Zogu u kritikua dhe u sulmua nga Balli Kombëtar, si parti republikane dhe antimonarkiste dhe, në fund, kritikat më të forta dhe sulmet më të ashpra e më të pabaza Zogut ia bënë komunistët e djeshëm dhe të sotëm të Enver Hoxhës. Mund të shtoj këtu edhe kritikat dhe sulmet e demokratëve të fillimit të viteve nëntëdhjetë.

Nga propaganda antizogiste, e bërë pa ndërprerje për afro 100 vjet, edhe sot, në mendjen e shumë shqiptarëve, Zogu njihet si injorant, si i prapambetur, si anadollak, si dinak, si intrigant, si i pabesë, si kusar, si gënjeshtar, si vrasës, si njeri që e prunë në fuqi jugosllavët, si njeri që bëri një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin jugosllav Pashiç për t’ia nënshtruar Shqipërinë Jugosllavisë, si njeri që i fali pjesë të Shqipërisë Jugosllavisë si shpërblim për ndihmën që i dha ajo për të rimarrë pushtetin, si njeri që e la Shqipërinë të prapambetur, si vrasës që vrau njerëz të zakonshëm dhe atdhetarë të mëdhenj, si diktator që nuk lejoi pluralizmin politik, si njeri që ia shiti Shqipërinë Italisë, si përgjegjës për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, si hajdut që vodhi thesarin e shtetit, si frikacak që tradhtoi vendin dhe u largua nga lufta etj., etj. Në qoftë se studiuesi i Zogut nuk merret seriozisht me këto probleme, t’i vërtetojë apo t’i hedhe poshtë këto dhe të tjera të ngjashme me to, në bazë dokumentesh autentike, arsyetimesh logjike, dhe krahasimesh me persona dhe regjime të tjera shqiptare (sepse gjërat janë relative), ai kot shkruan për të. Jeta e tij, në vija të përgjithshme, dihet, për kuriozitete shtesë kanë nevojë ata që nuk kanë ndonjë interes për histori serioze, apo që duan thjesht të zbaviten.

Nuk them se në një biografi nuk duhet të zënë vend kuriozitete nga jeta e atij për të cilin shkruhet biografia, edhe kur ato nuk janë të rëndësishme, por Fevziu më duket se e tepron me hollësira të panevojshme si, për shembull, me veshjet e Geraldinës dhe të Zogut, me ngjyrat e veshjeve, me llojet dhe ngjyrat e bizhuterive, me emrat e firmave ku bliheshin rrobat dhe bizhuteritë, me dashnoret e Zogut, me kujtimet e Geraldinës dhe të biografes së saj që nuk i shtojnë pothuaj asgjë personalitetit dhe punës së Zogut. Në libër vihen re në disa raste arsyetime të Fevziut që mua më duken të gabuara, të pa bazuara mbi fakte, apo që hedhin poshtë faktet që jep ai vetë. Disa prej tyre po i shtjelloj më poshtë.

Thotë Fevziu: “Zogu iu mbijetoi shumë atentateve, zbuloi shumë tentativa për atentat, por edhe organizoi dhe urdhëroi shumë të tilla”. Fevzi, cilat atentate organizoi dhe urdhëroi Zogu? Jep, qoftë, një shembull të vërtetuar.

Përsëri, Fevziu: “Raporti me Nolin është nga shembujt tipikë të raporteve që Zogu vendosi gjatë gjithë jetës me kundërshtarët. Ai ishte një qenie tipike orientale që, për të neutralizuar apo vënë në shërbim kundërshtarët, përdorte joshjen, tundimin, ryshfetin ashtu edhe eliminimin fizik”. Fevziu jo vetëm që nuk jep ndonjë shembull të eliminimit fizik të kundërshtarëve, por këtë e thotë kur pak më parë ka shkruar: “Në vitin 1936, pas largimit të Mehdi Frashërit, Mbreti Zog e ftoi Fan Nolin të merrte drejtimin e qeverisë Shqiptare, por ky refuzoi me pretendimin se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore. Po ashtu refuzoi në vitin 1938 që të merrte pjesë në dasmën e Zogut ose që të kthehej në Shqipëri për të themeluar universitetin shqiptar që Zogu kishte ndërmend ta hapte brenda pak vjetësh”. Ku duket këtu sjellja orientale e Zogut? Mos vallë politika shumë e butë dhe afruese ndaj kundërshtarëve është sjellje orientale, domethënë e dënueshme? Ku duket përdorimi i ryshfetit apo i eliminimit fizik? Përse, për shembull, nuk bëri të njëjtën gjë edhe Enver Hoxha me Mitat Frashërin e ta “joshte” me propozime të ngjashme?

Thotë përsëri Fevziu: “Më 25 qershor ai thirri në fushën e Shallvarit një tjetër dërgatë prej 3500 burrash. Gjatë ceremonisë shpalli faljen e të arratisurve politikë dhe kërkoi rikthimin e tyre normal në vend”. A ka këtu ndonjë tentativë për eliminimin e kundërshtarëve? Përse nuk bëri edhe Enver Hoxha një veprim të ngjashëm, por shkoi i ndoqi e i vrau kundërshtarët e tij edhe jashtë Shqipërisë?

Gjatë kohës që Faik Konica ishte ambasador i Zogut në Amerikë, në një mesazh që i dha njeriut të besuar të Zogut, Abdurrahman Krosit, për t’ia përcjellë Zogut, i tha: “Do të vazhdoj t’i shërbej me besnikëri dhe me zemër, sepse jam përfaqësues i tij dhe ai është koka e shtetit shqiptar. Por personalisht unë ndiej përbuzjen më të madhe për karakterin e tij”. Zogu, pra, mbante pranë dhe i vendoste në poste të larta shtetërore edhe njerëz jo lajkatarë, madje njerëz me mendime shumë të këqija ndaj tij dhe që ato mendime pa droje i shprehnin hapur. A mund të mendohej që, për shembull, Enver Hoxha të mbante pranë njerëz të tillë, njerëz që t’i shprehnin Sulo Gradecit ndonjë pakënaqësi ndaj tij? Duket sikur Nelson Mandela ka pasur parasysh sjelljet e Zogut dhe i ka zbatuar ato kur thoshte: “Miqtë mbajini pranë, armiqtë edhe më pranë.”

Çështja e kalimit të Jugosllavisë të Vermoshit dhe Shën Naumit është një nga pikat më kritike e më të debatueshme të politikës së Zogut. Mjerisht, në këtë libër për të flitet vetëm në një paragraf me 8 rreshta, ndërsa për çështjen e dashnores hipotetike të Zogut, Tanja Visarova, dhe dashnoreve të tjera, flitet në një kapitull me 9 faqe!

Largimi i Zogut nga Shqipëria pas pushtimit italian dhe marrja prej tij e një sasie ari nga banka e shtetit, është një tjetër pikë shumë e debatueshme e sjelljes së Zogut e cila kërkon njëfarë shtjellimi. Fevziu thotë se Zogu mori prej arkës së shtetit 178kg. flori, pa sqaruar se i kujt ishte ai flori, apo ç’pjesë e atij floriri ishte e tij.

Shumë nuk e dinë se çdo të thotë 178kg. flori dhe mendojnë se me të, Shqipëria mund t’ia kalonte Zvicrës për nga pasuria. Vetëm tregtarit Alfons Dovana, nga Durrësi, komunistët i gjetën dhe i sekuestruan 516kg. flori! 178 kg. flori që mori Zogu, me kursin e sotëm, do të thotë rreth 6 milionë euro, shumë që është më pak se sa gjyma e pasurisë së Tom Doshit, apo më pak se 1 për qind e pasurisë së Samir Manes. Një njeriu me pasuri mbreti në Shqipëri që ikte me qeverinë e tij dhe me mbi 1000 pasues, i cili do të vazhdonte në mërgim aktivitetin e tij për Shqipërinë, natyrisht i duhej një sasi paraje. Ashtu siç veproi Zogu, vepruan edhe monarki të tjera ballkanike dhe evropiane. Floririn e thesarit të tyre ato u munduan të mos ua linin pushtuesve dhe pushtuesit u munduan me çdo mënyrë të futnin në dorë thesarin e shteteve që pushtonin. Floriri në kohë lufte, përveç të tjerave, është armë, është forcë. Ashtu siç veproi Zogu në vitin 1939 kur iku, veproi edhe Fan Noli në vitin 1924 kur iku, por, ndërsa Zogu u quajt hajdut, Fan Noli jo. Nuk mund të ketë dy standarde.

Nuk di se përse Fevziu nuk i referohet raportit të Komisionit Parlamentar të ngritur në vitin 1991 për të verifikuar gjendjen e thesarit të shtetit nga viti 1939 deri në vitin 1990 i cili ka nxjerrë se Mbreti Zog, kur ka ikur, ka marrë me firmë 181kg. flori si të ardhura personale të Oborrit dhe nuk ka marrë thesarin e bankës, ashtu siç akuzohet, i cili gjendej në Romë. Në qoftë se Zogu do të kishte marrë thesarin, si do të gjendeshin në Romë 2574 kg. flori shqiptar i cili më vonë u mor nga gjermanët dhe përfundoi pas lufte në Angli. Vonë, pas përmbysjes së komunizmit, Anglia pranoi të kthente floririn shqiptar në Shqipëri, me kusht që të mbante rreth 1000 kg flori si dëmshpërblimin për aniet e saj të mbytura në Kanalin e Korfuzit si dhe për të kompensuar pronarët amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, pasuritë e të cilëve u konfiskuan nga komunistët. Si përfundim, Shqipëria mori 1574 kg. flori, afro 10 herë më shumë nga ç’mori Zogu, të cilat një Zot e di se ç’i bëri dhe, as ka njeri që të japë llogari, dhe as ka njeri që të pyesë se ç’u bë ai flori.

Fevziu bën herë pas here disa krahasime dhe paralelizma krejt pa vend si, për shembull, ky këtu: “Më 17 maj të 1925-ës u zhvilluan zgjedhjet e para. Ato s’kishin asnjë krahasim me zgjedhjet e prillit të 1921-it apo dhjetor të 1923-it. Në Shqipëri filloi epoka e zgjedhjeve të kontrolluara, që do të merrnin fund, plot 66 vjet më pas, më 31 mars të vitit 1991”. Mos vallë Fevziu nuk e di se pikërisht në vitin 1991 filluan të zhvilloheshin zgjedhjet më të parregullta në historinë e shtetit shqiptar, duke përjashtuar, natyrisht, ato të periudhës komuniste që nuk ishin fare zgjedhje?

Në përfundim nuk mund të lë pa shtuar se libri ka pasur nevojë për një korrektim të kujdesshëm letrar i cili nuk është bërë. Libri është i mbushur me gabime gjuhësore e me pasaktësi emrash të cilat ia ulin në mënyrë të dukshme vlerën. Ndonëse për shumë ato mund të kalojnë pa u vënë re, Fevziu duhet të jetë kërkues ndaj vetes. Gabimet gjuhësore fillojnë që me ballinën e librit dhe pastaj hasen kudo në brendësinë e tij.

***

Kristo Frashëri thotë se e ka shkruar biografinë e Zogut edhe për të përgënjeshtruar “lajkatarët” dhe “apologjetët” e tij, domethënë të gjithë ata që kanë thënë ndonjë fjalë të mirë të pa dokumentuar për Zogun. Dhe mirë bën që nuk pranon asgjë të pa dokumentuar. Por, e keqja me të është se edhe ai pranon ato që i interesojnë edhe kur nuk janë të dokumentuara dhe nuk pranon ato që nuk i interesojnë, kur janë të dokumentuara. Që të qe i besueshëm, Frashëri do të duhej të përgënjeshtronte jo vetëm “apologjetët” dashamirës të Zogut, por edhe “kritizerët” dashakeqës të tij.

Historinë reale të Ahmet Zogut, Frashëri e nis me pesë kapituj që kanë lidhje me çështjen e Vermoshit dhe Shën Naumit. Ndoshta është studimi më i hollësishëm i bërë për këtë çështje, çështje e cila ka qenë dhe mbetet nga më të diskutueshmet për veprimtarinë e Zogut. Pasi tregon me hollësi se si lindi dhe si u zhvillua ajo çështje, Frashëri jep raportin e zyrtar të tetorit të vitit 1925 për zgjidhjen e saj, ku thuhet: “Të dy dhomat legjislative… miratuan njëzëri marrëveshjen e bamun midis qeverisë sonë dhe asaj të Jugosllavisë … e cila asht plotësisht në favorin e Republikës sonë. Veç ndërtesës së Manastirit të Shën Naumit dhe përroi Voçopotok, qeveria shqiptare as Vermoshin, as Velipojën, as një pëllëmbë toke nuk humbet por, përkundrazi, kundrejt ndërtesës së Shën Naumit, merr katundin Peshkopi, fushën e Çërravës, kishën e Ajazmës dhe kodrat strategjike të Shën Naumit… dhe fiton një tokë prej 22 kilometrash katrore duke larguar kufirin dhe duke siguruar rrugën Pogradec-Korçë. Në Vermosh kundrejt përroit Voçopotok, merr kullotën e Libovicës, dy shtëpi të katundit Grenca, udhën e Lumrajës, Majën e Vogël me gjithë liqenet, Kurrizin e Velipojës… dhe gjithë vargun e malit, duke zgjeruar kufirin 25 kilometra,” Me gjithë këtë, megjithëse kemi një dokument zyrtar që vërteton se nuk kemi të bëjmë me falje territoresh, por me shkëmbime, madje me leverdi për Shqipërinë, Kristo Frashëri vazhdon e thotë: “Lëshimi i Manastirit të Shën Naumit dhe i Velipojës në favor të Jugosllavisë nuk ishte një shkëmbim territoresh… lëshimi i tyre qe thjesht një dhuratë që A. Zogu ia jepte Jugosllavisë kundrejt ndihmave që mori nga Beogradi për shtypjen e Qeverisë shqiptare të Qershorit”. Për Frashërin dokumenti zyrtar i zgjidhjes së problemit të Vermoshit dhe Shën Naumit nuk ka asnjë vlerë. Për të ka vlerë akuza e pabazë që është bërë dhe është përsëritur për 90 vjet rresht kundër Zogut për shitje apo falje të pjesëve të Shqipërisë për interesa të veta. Madje, Frashëri zëmërohet edhe me biografin amerikan të Zogut, Bernd Fisher, i cili nuk e trajton atë çështje ashtu siç do ai, pra si tradhti.

Një çështje tjetër shumë e diskutueshme është ajo e ashtuquajtur “marrëveshje” me 16 pika e lidhur midis Zogut dhe kryeministrit jugosllav Pashiç. Siç thuhet, pasi Zogu do të rimerrte pushtetin me ndihmën jugosllave, ai do të zbatonte marrëveshjen në fjalë e cila do t’i hiqte krejtësisht sovranitetin Shqipërisë. Kristo Frashëri nuk jep asnjë dokument zyrtar që të vërtetojë “marrëveshjen” dhe nuk jep, sepse nuk ekziston asnjë dokument i tillë. Dokumenti “zyrtar” që jep Frashëri është thjesht një botim propagandistik i një gazete italiane për qëllime politike të kohës, pa asnjë rëndësi zyrtare historike. Përveç kësaj, vërtetësinë e “marrëveshjes” e hedh poshtë moszbatimi i asnjë pike të saj nga Zogu dhe mospasja e asnjë reagimi jugosllav për të. Biografi i Zogut Xheison Tomes, as që e përmend fare këtë marrëveshje.

Thotë Frashëri: “Një nga kundërshtarët më aktivë ishte Hasan Prishtina i cili kishte siguruar mbështetjen e Romës. Pikërisht në këto rrethana, Zogu organizoi vrasjen me atentat të Hasan Prishtinës në Selanik”. Pa asnjë lloj dokumenti, vrasjen e Hasan Prishtinës Frashëri ia vesh Zogut, ashtu siç kanë bërë edhe shumë para tij.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës në vitin 2014, stërnipi i Hasan Prishtinës, Hasan Prishtina, thotë: “Për mua është fatkeqësi që Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu nuk kanë shkuar mirë. Ahmet Zogu akuzohet se ka vrarë Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Hasan Prishtinën, por… sot… duhet të kërkohen dokumente dhe akuzat të bëhen me fakte, sepse pa fakte s’mund të bëhen akuza”.

Zogu është quajtur vrasës. Përveç vrasjeve hipotetike të Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e Avni Rustemit, atij i vishen edhe vrasje të tjera. M’u desh para ca kohësh të bëja një shkrim për të krahasuar, ndërmjet të tjerave, vrasjet që janë kryer në kohën e Zogut dhe ato që u kryen në kohën e Hoxhës. Nga të dhënat që munda të mblidhja, më dilte se, ndërsa në kohën e Hoxhës shifrat gjysmëzyrtare flasin për mbi 6000 veta të vrarë, në kohën e Zogut më dilnin vetëm 18, të gjithë të dënuar pas 4 kryengritjeve të armatosura kundër qeverisë, dënime që do t’i jepte çdo qeveri e Evropës së asaj kohe, kur dënimi me vdekje nuk ishte nxjerrë ende jashtë ligjit. E si mund të quajnë komunistët vrasës Ahmet Zogun që vrau 18 veta me gjyqe të rregullta, madje nuk vrau e as dënoi Beqir Valterin që i bëri atentat, por e fali, kur i pari i tyre vrau mijëra, duke përfshirë edhe gra e shokë e shoqe të tij komuniste, prej atyre që nuk e kërcënonin aspak?

Në bazë të doktrinës së Enver Hoxhës që marrja e kredive nga jashtë është tradhti, Kristo Frashëri është i bindur se Ahmet Zogu e përgatiti pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, sepse kishte marrë prej saj kredi dhe nuk ia shlyente dot. Nuk ka gjykim më fëminor se ky! Duket se, sikur Zogu të mos kishte marrë kredi nga Italia, apo t’ia kishte shlyer ato, Shqipëria nuk do të pushtohej dhe lufta do të qe shmangur! Vetë Italia gjatë agresionit të saj, nuk i ka përmendur kurrë kreditë që i kishte dhënë Shqipërisë.

Në lidhje me veprimet e Zogut në prag të agresionit fashist italian, Frashëri thotë se Zogu duhej t’i shpallte luftë Italisë dhe të vepronte ashtu siç veproi presidenti i Çekosllovakisë, Eduard Benes, i cili iu përgjigj agresionit nazist me shpalljen e gjendjes së luftës. Këtu profesori, nga zelli i madh që ka për të diskredituar Zogun, gabon dy herë: herën e parë gabon se Presidenti i Çekosllovakisë në atë kohë nuk ishte Eduard Benes, por Emil Hacha dhe herën e dytë gabon se ushtria çekosllovake u urdhërua nga presidenti i saj të mos luftonte. Hitleri e thirri presidentin çekosllovak në Berlin dhe nën kërcënimin se do të bombardonte Pragën, e detyroi atë të urdhëronte ushtrinë e fuqishme Çekosllovake të mos i paraqiste asnjë rezistencë ushtrive të Hitlerit. Çekosllovakia u pushtua pa shkrepur asnjë pushkë.

Ambasadori amerikan në Tiranë në atë kohë, Hju Grant, tregon takimin që pati më 6 prill të vitit 1939, një ditë para pushtimit të Shqipërisë, me mbretin Zog. Ai thotë: “Në përgjigje të pyetjes sime kategorike nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italiane… mbreti u përgjigj se kishte urdhëruar mobilizim e përgjithshëm dhe evakuimin e popullsisë civile nga Durrësi. Madhëria e tij tha se Shqipëria  nuk kishte shumë ushtarë, vetëm 373, dhe se ai kishte qenë në gjendje të dërgonte vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësitë e tjera tha ai  ishin vendosur në pozicione strategjike… Mbreti tregoi se nuk do të ishte e mundur për ushtrinë e tij t’i  rezistonte shumë gjatë ushtrisë së fuqishme e të pajisur mirë italiane. Ai tha se rezistenca shqiptare do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim për botën, se shqiptarët nuk do të vdesin pa bërë luftë… Sjellja e përgjithshme e mbretit ishte e qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë ai manifestoi emocione të forta, sidomos kur deklaroi se agresioni italian nuk do të përmbushej në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur në Çekosllovaki. Ai tha se në asnjë rrethanë nuk do të binte dakord  të nënshkruante dorëzimin e vendit të vet, siç kishte bërë Presidenti i Republikës Çekosllovake”.

Blendi Fevziu në librin e tij përmend një rast kur Zogun, pasi italianët e joshën me një jaht, deshën ta çonin në Itali me gjithë familjen dhe aty, nën kërcënim, ta detyronin të pranonte kushtet italiane për pushtimin e Shqipërisë, njëlloj siç do të bënin gjermanët pak më pas me presidentin çekosllovak. Zogu u nis për në Itali me jaht, por e kuptoi kurthin dhe nën pretendimin se po i zinte deti, u kthye mbrapsht e nuk u ra në dorë italianëve.

Ikja e Zogut gjatë agresionit fashist italian është e diskutueshme, sidomos për mentalitetin shqiptar i cili e konsideron luftën e armatosur si të vetmen luftë të mundshme dhe është quajtur tradhti, ndërsa tradhtitë e të tjerëve, të atyre që bënë vërtet tradhti nuk përmenden fare. Xheison Tomes, biograf i Zogut, thotë se nuk dihet nëse tradhtoi Zogu, apo Zogun e tradhtuan. Siç bëri Zogu, do të bënin më pas edhe të gjithë mbretërit e vendeve evropiane sapo u pushtuan nga nazistët, por asnjë prej tyre nuk u quajt tradhtar.

Dështimi i përpjekjeve të Zogut për ta ndihmuar fuqitë kryesore evropiane të kthehej përsëri në fron, nuk ka lidhje me personalitetin dhe politikën e tij, ashtu siç pretendon Frashëri, por me njohjen e pushtimit italian të Shqipërisë nga ato fuqi, me ndërhyrjen e grekëve pranë qeverisë britanike kundër tij, tek i cili shihnin kundërshtarin më të fortë të synimeve të tyre helenizuese në Shqipëri dhe me mosqenien e kurorës mbretërore shqiptare të lidhur me kurorat mbretërore të vendeve të tjera evropiane.

Për të treguar se ryshfeti ishte një nga tiparet kryesore të regjimit zogist, Frashëri tregon këtë ndodhi: “Në një takim të fshehtë që agjenti i njohur italian Giovani Giro organizoi… në shkurt të vitit 1939, me dy krerë dibranë Murat Kaloshin dhe Miftar Kaloshin u dha 5000 napolona ar ryshfet me qëllim që ata të vrisnin mbretin Zog. Të dy krerët dibranë… shkuan te mbreti Zog… Murat Kaloshi i paraqiti Mbretit Zog 5000 napolonat duke i deklaruar se ua kishte dhënë G. Giro për ta vrarë. Mbreti qeshi dhe u tha: “Ju merrni paratë dhe ju bëfshin mirë. Mos besoni fare në këto propaganda se qeveria i ka marrë masat kundër Giros dhe të tjerëve.” A ka këtu përdorim ryshfeti nga regjimi zogist dhe a duket lakmia e Zogut për pasuri? Nuk duken, as njëra as tjetra.

Zogu kritikohet se nuk lejoi pluralizëm partiak. Por, a e dini se përse nuk e lejoi? Në modë në kohën e Zogut kishte vetëm dy ideologji: fashiste dhe komuniste. Zogu preferoi të kishte vetëm një ideologji: ideologjinë kombëtare shqiptare dhe në saj të edukimit të popullit shqiptar me atë ideologji, populli u ngrit në këmbë për të protestuar dhe luftuar kundër agresionit italian. Mendoni se ç’do të bënin shqiptarët në vitin 1990, të edukuar me ideologjinë komuniste, po të vinte në Shqipëri një fuqi pushtuese italiane!

Profesori e mbyll kështu librin e tij: “Si përfundim, nga sundimi i Zogut… vendi pati shumë pak përfitime, madje mund të thuhet se Shqipëria humbi shansin që nën një udhëheqje më patriotike, më të kulturuar, më të ndershme, më largpamëse, t’i afrohej më tepër qytetërimit evropian. Për këtë kohë të humbur përgjegjësinë kryesore e ka, për shkak të vetive personale, vetë Ahmet Zogu. ” Asnjë nuk mund të kundërshtojë në parim që, nën një udhëheqje më të mirë (sepse e mira nuk ka fund), Shqipëria do të ecte më mirë e më shpejt, por, a s’na thua, Profesor, cila do të ishte kjo udhëheqje më e mirë? Ali Këlmendi me shokë?

 

Nju Jork, shtator, 2015                                         Ilir Hashorva

 

Filed Under: Analiza Tagged With: BEKTASHIANE, fati i teqeve, Gjergji F. Angoni, objektet e kultit

BLETET, MJALTI, ARIU DHE NJERIU

September 24, 2015 by dgreca

Tregim nga Agim Xh. Dëshnica/

Lart  në krahun e majtë  të rrugës me pisha e plepa, që merr përpjetë për në Parkun e madh të Tiranës, në një sop nga  duket liqeni  dhe kodrat përballë, në dy stola të drunjtë rrinin ulur tre burra të thinjur, Lani, Nasi dhe Rudi. I pari  tregoi gjatë e gjerë  rreth  trimërive të tij kundër italianëve, kurse i dyti për heroizmat e veta kundër  gjermanëve. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me vëmendje, habitej e buzëqeshte me ato ndodhi, sa të rrezikshme aq, edhe të pabesueshme. Papritur,  mbi kokat e tyre kaloi duke zukatur një grenxë e verdhë. Rudi e pa tek ndaloi mbi një gur.

-Ky insekt  kriminel – tha- të pickon, edhe pa e trazuar e s‘e gjen gjë. Në ato çaste iu kujtuan bletët  fisnike e punëtore, ndaj vijoi:- ndryshe nga grenxa bleta të thumbon, kur mbron zgjoin, por pas pak, humb jetën!-  Rudi mandej nisi të  fliste  për  mjaltin, për ariun e njeriun: – Dikur  bletët jetonin në pyje me mare plot me lule. Zgjojet i ndërtonin nën tokë si milingonat ose në humnera si shqiponja! Këto soj bletësh trupin e kishin. më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pat shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë.  E kam parë me sytë e mi, kur bridhja vetëm pyjeve me çifte në dorë. Pas ariut u mësua edhe njeriu, por ky më i zgjuar se ariu i zbuti dhe i strehoi në zgjoje pranë shtëpisë.

-Si shumë guximtar paske qenë!– tha Lani i habitur.-. Deri më sot  s’më ka qëlluar të shoh ari, duke ngrënë mjaltë.

-Vertet, çuditem edhe unë!- shtoi  Nasi –  Dhe jo vetëm kaq, por kohet e fundit  ti,  sikur shumë i ditur po na del. Në çfarë librash apo gazetash,  i ke lexuar histori të tilla, aman?

-A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shënavlash të Elbasanit?

– Elbasan? Unë njoh vetëm Shënavlashin e Durrësit- tha Lani.

-Edhe unë!- vijoi Nasi.

-Mjalti si mjalti-thonë në atë fshat malor.  A keni nuhatur erën e luleve të mareve? Po  kokrat  e kuqe ai keni shijuar?  Po rakinë prej tyre?

-Maret po,  ndërsa  rakinë jo! – u përgjegjën njeri pas tjetrit dy miqtë e tij.

-Nëse kthen një gotë  raki mare, përvëlohesh, hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll dhe shërohesh.- Rudi  hapi  revistën “Flaka”, të mbështjellë tub e pyeti-  Për të mësuar më shumë, a doni një tregim nga shkrimtari Isuf Kodra, botuar në këtë rrevistë.

-Përrallë?- pyeti Lani.

-Ç’ne!  Eshtë ngjarje e vërtetë!

– Mirë, lexoje, por me zë burrash që  ta dëgjojmë mirë, sepse jo vetëm sytë, por edhe  veshët po na lënë-  tha  Nasi duke qeshur.

Para se të fillonte Rudi, morri frymë thellë:“Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një Pertef. Ky Përtefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pat mbushur  edhe dymbëdhjetë vjetë,  i pëlqente mbi të gjitha, mjalti i bletëve.  Në atë kohë lufte, ai me shokë ruante dhitë e fshatit në pyjet me mare. Herë pas here nëpër livadh pikasnin papritur  tek brofnin e fluturonin lart bletët e egra. Rrëmonin me kujdes  e gjenin nën tokë foletë e tyre e kënaqeshin me mjaltë. Pastaj i mbulonin për vitin e ardhshëm.

Pas luftës, Pertefi u rrit e na u bë drejtues i rinisë. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë e supë me grosh e pak bukë. Mjaltë asgjëkundi! Në mëngjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin  tjetër. I pat rënë në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se, siç thoshnin,  syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po ndërgjegjja? Kjo ia shtonte më tepër mërinë ndaj  kulakëve .

Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur,  në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan  pëpara një poçe me mjaltë dhe pak bukë. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me lugë druri, saqë bukën e harroi. Djali i vogël i shtëpisë, ulur shesh përballë, e vështronte syshqyer tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte me gjuhë e kënaqej  me atë mjaltë bletësh të egra.

Kur mjalti  në poçe po mbarohej, Pertefi pyeti.

-Or çun- sa mjaltë keni marrë këtë mot?

-Tre qypa, dy me mjaltë bletësh nga zgjojet, një të vogël me mjaltin e brumbujve.

-Vërtet?

-Po, po!  Në qypin e vogël babi gjeti dje në mëngjes një mi të ngordhur.

Pertefi sa s’ulurti. I zemëruar sa s’ka, lugën e flaku tej, ndërsa poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte  për të vjellë.

Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur:

-O babi! O babi! Ai miku e theu poçen e këlyshit!“

* * *

Rudi e mbylli revistën:-Me kaq tregimi  i shkrimtarit tonë mbaroi, veçse unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulurinte natën, linte pyllin e sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë kur ai i gjorë ose kaloi kufirin ose u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, ARIU DHE NJERIU, BLETET, MJALTI

Dekriminalizimi dhe të përndjekurit politikë

September 24, 2015 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Ndoqa me vëmendje seancën e Komisionit te dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë. Dëgjoja ligjëratat e të dy palëve që theksin e vinin në përfshirjen ose jo në akte kriminale të ndonjë personaliteti, vetëm në periudhën pas përmbysjes së sistemit totalitar. Kur bisedova për këtë çështje me një mikun tim me të cilin kam qenë në burg, ai m’u përgjigj me shprehjen e njohur të Shekspirit:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

U ktheva në shtëpi dhe fillova të analizoj fjalët e mikut tim. Çuditërisht ato tingëllonin ende në veshët e mi dhe aty për aty mendova se ai kishte të drejtë. Para syve më dilnin diskutimet e deputetëve tyë majtë dhe për çudi vura re se të gjithë i binin fyellit në të njëjtën birë. Nga të gjithë dëgjohej i njëjti avaz. M’u kujtua një propozim i shoqatës sonë, drejtuar komisioneve te dekriminalizimit dhe atij të reformes ne drejtësi, propozim që iu dërgua , për dijeni, edhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Në këtë propozim theksohej nevoja urgjente e përjashtimit nga pjesmarrja në organet e drejtësisë të ish gjykatësve, prokurorve, hetuesave, drejtuesve të organeve të Ministrisë së Brendëshme dhe Sigurimit të Shtetit në kohën e sundimit diktatorial, që mbajnë në ndërgjegjen e tyre vendimet makabre që çuan në marrjen e jetës apo burgosjen dhe internimin në kampet çfarrosëse të mijra vetëve dhe që edhe sot i shohim në krye të organeve të drejtësisë dhe atyre legjislativë. Pa përjashtimin e tyre nuk mund të ketë reformë të drejtë në drejtësi, nuk mund të ketë dekriminalizim. Për fat të keq, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ky propozim, asnjë organ nuk ka denjuar të kthejë të paktën një përgjigje, madje nuk kemi dëgjuar asnjëherë që ky propozim të diskutohet në debatet e ndryshme midis deputetëve.

Përse kjo heshtje? Mos mendoni se duke heshtur do ta kaloni këtë çështje në kalendat greke, për ta çregjistruar fare nga historia e kombit tonë? A thua se njëzet e pesë vjetët që kanë kaluar që nga shembja e madhe nuk kanë mjaftuar për të nxjerrë kuadro të reja, qofshin socialist apo demokratë, që të zëvendësojnë mbeturinat e komunizmit?

Para syve më dalin figurat e disa liderve të tyre, që dikur mbanin poste ministrash apo gjykatësish të institucioneve më të larta të sistemit të përmbysur. Më dalin figurat e disa “ekspertëve“, që çuan në plumb njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe poetë të dëgjuar.

Si nuk keni turp! Si nuk keni moral! Vetëm disa ditë më parë ju pamë të organizonit farsën qesharake të Pezës, duke himnizuar figurën e diktatorit? A nuk jeni ju që në faqet e gazetave dhe televizioneve na shfaqni lloj-lloj heroizmash të diktatorëve dhe sot paturpësisht lëpini ato që keni pështyrë duke u hequr si shenjtorë?Ju ligjëroni mirë e bukur, po ne që i hoqëm mbi shpatullat tona tmerret e atij sistemi a nuk duhet të flasim? Apo duhet të rrimë dhe t’ju dëgjojmë juve që deri më dje ligjëronit sipas shkopit të dirigjentit diktator dhe që në një mënyrë apo tjetër e ndihmuat diktatorin të qëndronte në fuqi për një kohë aq të gjatë? Dëgjoni si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi,  as nga komunizmi, por  nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Të hapen dosjet, thërrisni ju, dhe vini në krye të komisionit për verifikimin e tyre, njeriun që hija e dosjes e ka ndjekur në çdo hap të jetës së tij. Po zotërinj edhe ne jemi dakord që të hapen dosjet të gjitha pa përjashtim. Por më parë duhet të hapen dosjet e sigurimit të shtetit, të komiteteve të partisë, të gjykatave dhe prokurorive, të shefave të kuadrit dhe sekretarëve të partisë në ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore, të shtypit, televizionit, artit dhe kulturës, si dhe çdo mjeti tjetër të shpikur nga diktatura. Ju vetë me gojën tuaj pranoni se ish spiunët sot janë ish ministra, zëvendësministra, ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë, shefa zyrash apo në nivelet më të larta të hierarkive partike dhe administratës shtetërore . Pse nuk i përmendni emrat e tyre? Për një gjë të tillë do t’ju falënderonim se në këtë mënyrë do pastrohej administrata shtetërore nga mbeturina të tilla, qofshin këta të djathtë apo të majtë. Por ju nuk guxoni se jeni vetë të përlyer. Hidhni një shashkë, e cila nuk dihet se ku do të përfundojë. Arsyen e vërtetë e dini ju më mirë se kushdo. Ju nuk mund të shkëputeni nga demagogjia komuniste, nga mentaliteti totalitar.

Ndaj të përndjekurit politikë janë ngritur në protestë kundër ringjalljes së sistemit komunist, nëpërmjet ndërtimit të një bunkeri pranë Ministrisë së Punëve të Brendëshme, apo veprime të tjera të ngjashme me të. Por kjo nuk mjafton. Ndaj, së bashku me shëmbjen e këtij bunkeri ata duhet të ngrenë zërin deri në kupë të qiellit për realizimin e gjithë kërkesave të tyre. Më lejoni t’i paraqes këto kërkesa:

  1. Zbatimin sa më parë   të   Rezolutës së Kuvendit të Shqipëris “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në vendin tonë”.
  2. Dënimin nga Kuvendi i Shqipërisë të diktatorit të urryer Enver Hoxha, si shkaktarin kryesor të krimeve të kryera dhe heqjen e titujve dhe dekoratave akorduaratij nga kuvendi i periudhës komuniste
  3. Dhënia e kompetencave të plota Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit për të shqyrtuar arshivat sekrete të shtetit mbi krimet e rregjimit komunist në Shqipëri, në mënyrë që t’i analizojë dhe t’i publikojë ato.
  4. Rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
  5. Hapjen e dosjeve të të gjitha niveleve, duke filluar pikë së pari nga ish-organet e diktaturës
  6. Largimin   nga   administrata   shtetërore   e   të gjitha   niveleve të   ish- sigurimsave, hetuesve, prokurorëve, dhe gjykatësve të implikuar në proçese gjyqësore të improvizuara
  7. Rishikimin   e   teksteve   shkollore,   për   t’i zhveshur ato nga fryma komuniste që mbizotëron..
  8. Rivlerësimin   e   figurave   të   shquara     të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e monumenteve përkujtimore për ngjarje të shënuara të kësaj rezistence.
  9. Hapjen   e   muzeve   në   vendet     ku   është   ushtruar më shumë dhuna politike.
  10. Caktimin e një date përkujtimore në kujtim të viktimave të këtij genocidi.
  11. Gjetjen dhe rivarrosjen e eshtrave të të rënëve dhe caktimin e një varreze të veçantë për ta, jashtë verrezave ku mbizotëron ylli i komunizmit që vrau trupat e tyre
  12. Përfundimin sa më parë   të   ligjit   mbi   dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë dhe zgjidhjen e problemit të letrave me vlerë.
  13. Barazimin e statusit të të përndjekurve me atë të veteranëve të luftës.

Por për t’ia arritur qëllimit të plotësimit të këtyre kërkesave, të përndjekurit politikë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë spektrit të djathtë të politikës shqiptare. Të përndjekurit politikë nuk janë vetëm për mbështetje në rast fushatash elektorale. Ata duan që edhe atëhere kur ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre, t’ju kenë juve të krah. Bashkimi bën fuqinë thotë që fjalë e urtë popullore. Le ta realizojmë këtë bashkim. Pa zgjidhjen e këtyre kërkesave, çdo zgjidhje tjetër do të ishte demagogji dhe llafe pa fund. Komunizmi nuk mund të luftohet, pa rehabilitimin e plotë të atyre që e pësuan më tepër nga ai sistem. Rehabilitimi do të kryhet vetëm nëse plotësohen kërkesat e mësipërme

Të përndjekurit deri më sot janë lodhur mjaft me fjalë boshe. Jo më kot miku im më tha:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Ne nuk duam vetëm fjalë. Duam sinqeritet dhe pastërti, duam vullnet politik dhe jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Në të kundërt do të jemi gjithmonë në krye të revoltave për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Sa për ish-komunistët ekstremistë, ata meritojnë t’iu drejtohemi me vargjet e paharruara të poetit, ish-i burgosur politikë, Pirro Kuqi:

 

Ju që në shpirt na derdhët vrerin,

                        Ç’kërkoni ju në mesin tonë?

                   Ju natën qani për Enverin,

                        Kameleonë!

 *  Kryetar i Shoqatës Antikomuniste  të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekriminalizimi dhe të, përndjekurit politikë, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT