• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

GREQI – SYRIZA e Aleksis Ciprasit fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare

September 20, 2015 by dgreca

ATHINE, 20 shtator /– Sipas të dhënave të para zyrtare nga Ministria e Brendshme greke, SYRIZA, partia e ish-kryeministrit Aleksis Cipras fitoi sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pas numërimit të rreth 10 për qind të votive, SYRIZA ka marre 35,35 për qind të votive, ndërkohë që konservatorët e ‘’Demokracisë së re’’ të Vangjelis Mimaraqis kanë arritur në 28,2 për qind.Në vend të tretë ndodhet ‘’Agimi i artë’’ i ekstremistëve të djathtë.Pjesëmarrja në zgjedhje është më e ulëta historike me 51,75 për qind

Filed Under: Rajon Tagged With: Cipras, fiton zgjedhjet, Greqi, Syriza

Miss Universe 2015- Shqipëria përfaqësohet me modelen Megi Luka

September 20, 2015 by dgreca

TIRANË, 20 Shtator/- Kompeticioni i bukurisë i zhvilluar mbrëmjen e djeshme në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, zgjodhi mes shumë bukurosheve, vajzën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Miss Universe 2015.

Paneli i jurisë ku bënin pjesë Bleona Qereti, Gabriel Garko, Armina Mevlani dhe Heidi Lushtaku, zgjodhën si më të bukurën modelen Megi Luka, lindur në Fushë-Krujë dhe banuese në Tiranë.

I ftuar special në këtë mbrëmje ishte aktori italian Gabriel Garko, ndërkohë që performuan edhe emra të njohur të skenës shqiptare si Era Istrefi, Çiljeta, Noizy etj.

Filed Under: Kulture Tagged With: Megi Luka, Miss Universe

“FJALORi FRAZEOLOGJIK RUSISHT-SHQIP”

September 20, 2015 by dgreca

“FJALORi FRAZEOLOGJIK RUSISHT-SHQIP” i prof. Eshref Ymerit vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe/

Shkruan:Prof. Hajri Shehu/

Këto ditë doli nga shtypi “Fjalor frazeologjik rusisht-shqip”. Fjalori është vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe (leksikografia është teoria dhe praktika e hartimit të fjalorëve) edhe për nga vëllimi, edhe për nga përmbajtja, edhe për nga ndërtimi e barasvlerësia (ekuivalenca) shqipe. Ai është rezultat i një pune të madhe shumëvjeçare të autorit dhe i një përvoje të gjatë si hartues e redaktor fjalorësh, si përkthyes me shkrim nga gjuha ruse në gjuhën shqipe e nga gjuha shqipe në gjuhën ruse, si pedagog i gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës dhe si hartues tekstesh mësimore universitare të gjuhës ruse. Kësisoj, profesor Eshref Ymeri e njeh me rrënjë e me degë gjuhën ruse. Gjithë këtë përvojë e gjithë këtë njohje ai e ka vënë në shërbim të Fjalorit. Këtë e tregon çdo faqe e Fjalorit e çdo artikull i Fjalorit.

Fjalori përfshin 25160 shprehje frazeologjike, fjalë të urta e proverba të gjuhës ruse. Barasvlerësit në shtyllën e gjuhës shqipe e tejkalojnë shumë këtë numër sepse autori ka dhënë shumë sinonime frazeologjike. Në parantezë: Ato mund të jenë një lëndë thuajse e gatshme dhe e sigurt për një fjalor frazeologjik sinonimik të gjuhës shqipe.

Ky është fjalori i parë frazeologjik dygjuhësh me gjuhën shqipe me këto përmasa e me këtë lëndë. Fjalori paraprihet nga një “Hyrje” e autorit, e cila është një studim i mirëfilltë shkencor në fushën e frazeologjisë e të pasqyrimit të saj në fjalorë. Ajo është ilustruar me shembuj për çdo rubrikë a çështje, çka e bën atë edhe një udhërrëfyes shumë të këndshëm për përdoruesin e fjalorit.

Nga një konsultim që çdo hartues fjalori mund ta bëjë me fjalorët e përgjithshëm shpjegues e frazeologjikë të rusishtes, del se në Fjalorin e prof. Eshref Ymerit, frazeologjia e gjuhës ruse standarde është dhënë në sistem e me të gjitha vlerat e saj. Nga lënda që pasqyrohet në Fjalor, shihet shumë qartë se autori ka qëmtuar e ka vjelë shkencërisht gjithë fondin frazeologjik të gjuhës ruse standarde dhe të gjuhës shqipe standarde. Më shumë se kaq, shihet qartë se autori ka qëmtuar e ka mbledhur shprehje frazeologjike të shqipes, siç mbledh bleta nektarin e luleve. Jo gjithkush mund ta bëjë këtë për një fjalor dygjuhësh, me shqipen si gjuhë përkthimore. Ky është mielli i situr në sitë mëndafshi. Domosdo, buka do të dilte shumë e mirë.

Fjalorët bëhen edhe për të diturit, edhe për më pak të diturit. Dhe autori e ka pasur parasysh këtë. Prandaj struktura e Fjalorit të tij është e thjeshtë e për këtë arsye, edhe udhërrëfyese: Jepet fjala që është vatër e frazeologjisë. Vihet një katror i vogël si shenjë ndarëse. Pas tij vijnë shprehja frazeologjike, fjala e urtë a proverbi, përkthimi i drejtpërdrejtë në thonjëza, barasvlerësi në gjuhën shqipe dhe ndonjë e dhënë enciklopedike për motivimin a historikun e njësisë. Kur ka disa a shumë frazeologji që kanë një vatër kuptimore (a janë edhe sinonime), renditja bëhet alfabetikisht sipas fjalës së parë. Frazeologjia jepet vetëm një herë, siç u tha, te vatra kuptimore. Përkthimi i drejtpërdrejtë fill pas frazeologjisë ruse përafërson njësinë e huaj, strukturën e gramatikën e shprehjes etj. Mbase, është dhe një mënyrë për t’i thënë përdoruesit se si mund ta futë në përdorim. Në fund të fundit, është një ndihmë për përdoruesin e Fjalorit, sepse është njëherësh edhe përkthim i fjalëve të rusishtes, që përbëjnë frazeologjinë, fjalën e urtë a proverbin. Shpjegimet enciklopedike për historikun e kësaj a të asaj shprehjeje frazeologjike, fjale të urtë a proverbi janë, vërtet një informacion i gjerë kulturor. Fjalorët janë libra referimi. Por ky Fjalor është shumë më shumë se kaq. Ai mund të lexohet, madje, me shumë ëndje. Edhe për këto shpjegime enciklopedike.

Në teorinë dhe praktikën e hartimit të fjalorëve dygjuhësh gjithnjë bëhet fjalë për përkthim, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga gjuha burimore në gjuhën përkthimore.  Një ndër rrugët e përkthimit dhe më kryesorja është gjetja e barasvlerësit frazeologjik. Është punë e vështirë. Edhe për fjalët ka vështirësi gjetja e barasvlerësit e jo më për frazeologjitë. Vështirësia vjen sepse ka një lidhje të ngushtë midis gjuhës dhe kulturës dhe frazeologjitë janë simbole të kulturës (p.sh., frazeologjia djesjatnaja vina vinovata “faji i dhjetë është fajtor” lidhet me mënyrën e ndëshkimit me short në Rusi / 1693-1740). Vështirësia vjen edhe nga vetë natyra e frazeologjisë si njësi gjuhësore e figurshme, nga ndryshueshmëria e gjuhëve në strukturën fjalësore dhe kuptimore (krahaso, p.sh., utro vjeçera mudrenjeje në rusisht dhe ditë e re, nafakë e re në shqip), nga mënyra e motivimit të frazeologjive (shih, p.sh., në këtë Fjalor: villami na vadje pisano (shkruar me sfurk në ujë) dhe në shqip shkruar mbi rërë (akull); koshka, katoraja guljajet sama na sjebje (mace që shëtit në qejfin e vet) dhe në shqip njeri kokë më vete; koshkami pallaskat (e shpëlaj me kamxhik dikë) dhe në shqip ia bëj kurrizin (shpinën) më të butë se barkun etj.). Problemet përkthimore në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh janë të ndryshme e më të ndërlikuara sesa në fjalorët njëgjuhësh, sepse këta të dytët hartohen për përdorues që e njohin kulturën që përshkruhet, kurse të parët hartohen për përdorues që nuk e njohin kulturën që përshkruhet e që dallon në përmasa të ndryshme nga kultura e tyre. Kësisoj, te frazeologjitë, barasvlerësi i përputhshëm maksimal nuk është gjithmonë i mundshëm. Nuk është i mundshëm edhe për arsye se gjuha përkthimore ka mënyrën e vet origjinale të krijimit të mjeteve formale dhe përmbajtjesore, por është e ndërvarur nga gjuha burimore e prandaj, nuk është gjithmonë e lirë t’i zgjedhë këto mjete formale dhe përmbajtjesore. Por kjo nuk do të thotë që barasvlerësia frazeologjike është krejt e pjesshme dhe asnjëherë e plotë a e përsosur. Kjo mund të vërtetësohet me “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” të prof. Eshref Ymerit. Shih, p.sh. zhivmja zhit = ngrin e mbin te dikush a diku, ngulet e s’shkulet prej dikujt a prej diçkaje; kak v kotle kipjet (varitsja) = më zien koka, s’kam nge të marr frymë; gadat na kafjejnoj gushçe = i bën petullat me ujë, sheh ëndrra me sy hapur (me sy çelur, në diell, në mes të ditës, zgjuar).

Gjetja dhe zgjedhja e barasvlerësve në gjuhën shqipe ka qenë detyra kryesore e hartuesit të Fjalorit. Siç u tha, frazeologjitë bëjnë pjesë te njësitë kulturore. Në raste të tilla mund të pranohet njëfarë përshtatjeje. Autori nuk ka gjurmuar përshtatjen. Ka gjurmuar dhe ka gjetur barasvlerësin, që e mbulon plotësisht kuptimisht e stilistikisht njësinë e huaj në një fjali a kontekst të shqipes. Autori ka analizuar shterueshëm e me kujdes të madh përmbajtjen e frazeologjisë ruse, për të dhënë barasvlerësin e saktë e për t’i vënë në kontekste ligjërimore shqipe. Shih, p.sh, shkojnë (venë) si macja me miun – barasvlerësi në shqip ka përputhje të plotë kuptimore me njësinë frazeologjike ruse zhit kak koshka s sobakoj dhe e zëvendëson plotësisht atë në një kontekst përkthimor shqip; po kështu, edhe pikë e dobët e dikujt a e diçkaje me sllaboje mjesto kavo-çevo; rrjedhje e trurit me utjeçka mozgov (umov) etj.  Ky është treguesi i barasvlerësisë maksimale. Përmbajtja kuptimore kombëtare e rusishtes ka ardhur me përmbajtjen kuptimore kombëtare të shqipes. Kjo do të thotë që në Fjalor nuk ka përkthim të fjalëpërfjalshëm, përveçse, siç u tha, në rastin kur autori ka dashur të motivojë kuptimisht a historikisht njësinë. Nëse një  përkthyes nga gjuha ruse do të këshillohej me këtë Fjalor, nuk do të kishte probleme e pasaktësi përkthimi në punë frazeologjish.

Në një fjalor frazeologjik dygjuhësh nuk mund të mos ketë kalkime kuptimore e edhe strukturore (kalkimi është përkthim një për një i pjesëve përbërëse të një shprehjeje frazeologjike, sidomos kur njësia frazeologjike është ndërkombëtarizëm ose huazim / tipi shtet brenda shtetit për gosudarstvo v gosudarstve). Por, edhe në raste të tilla, autori i Fjalorit ka bërë të gjitha përpjekjet për ta dhënë kalkimin sa më shqip e më shumë se kaq, për të dhënë barasvlerësin maksimal shqip; shih, p.sh., “dasmë minjsh” te Dantov ad; “mish në mashë” te v kostjume Adama; “e filloj te lind e te perëndon, ia nis që nga lisi me dega” te naçinat (naçat) s Adama etj.

Në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” të Eshref Ymerit ka edhe një barasvlerësi zgjedhjesore krahas barasvlerësisë së njëmenjëtë. Është barasvlerësia me sinonime frazeologjike. Tri argumente vlerësuese në punë të sinonimeve: a) Sinonimet i japin përdoruesit shprehje të ndryshme për variacion stilistik. b) Meqë sinonimet kanë ngjyrime kuptimore ose stilistike, sa më shumë sinonime që të jepen, aq më i pasur është informacioni. c) Me sinonime i jepet përdoruesit të Fjalorit një mundësi e pakufishme për njohjen e pasurisë frazeologjike të shqipes e të sistemit të saj stilistik dhe sigurisht, për ballafaqimin me frazeologjinë e rusishtes e përkthimin e saj në tekste e kontekste ligjërimore të gjuhës shqipe. Mund të ketë edhe mendim tjetër: të shmanget grumbullimi i sinonimeve (për shkurtësi etj.). Autori e ka zgjidhur problemin (e grumbullimit) duke i dhënë përparësi sinonimit të parë. Në Fjalor ka vargje sinonimike frazeologjike me shumë njësi. Shih, p.sh., për zrja zhit, me kuptimin “jeton kot”: bën pallë, dredh (tund) tespihet (zinxhirin), e kalon gjumë e brumë, hap gojën e shikon qiellin, i bie jongarit, është ndiz e shuaj, kërcet gishtërinjtë, kruan thonjtë, luan (tund) derën, ngroh vezë, ngrohet në shullë, numëron (vret, zë) miza, numëron yjet, ruan erërat, rri me duar kryq, rrokullis gurë, tredh qentë, vret kohën, zë (shtyp) pleshta etj.; për rastjekatsja mëislju po drjevu: rrëfen për dasmën e mizave, bën si çakalle mulliri, bën si turtull etj.; për sorvat pup: lë kockat (leshtë, lëkurën, rruazën), më hollohen kikëzat, më bien (më këputen) gërbet; etj. Është e rëndësishme të theksohet se frazeologjitë sinonime renditen alfabetikisht sipas vatrës kuptimore (shih shembujt e mësipërm). Një punë, vërtet e mundimshme, por me shumë vlera shkencore. Një zgjidhje shumë ndihmëtare për përdoruesin e Fjalorit.

Një pasuri tjetër e Fjalorit te barasvlerësia shqipe është variantësia frazeologjike. Siç dihet, si edhe për fjalët, kufiri i variantësisë së njësive frazeologjike është njëjtësia (identiteti) e kuptimshmërisë dhe e figurshmërisë. Më tipike është variantësia fjalësore; p.sh: dredh tespihet / zinxhirin; shtroj rosën / vë rosën të ngrohë vezë; ia bëj jetën ferr / skëterrë; e bëri fërtele / lakër / lakror / pelte dikë etj.).

Siç dihet, pjesa më e madhe e frazeologjive, përveç kuptimit të tyre themelor objektiv, kanë edhe ngjyrim shprehës-emocional. Ngjyrimi shprehës-emocional e shoqëron gjithnjë kuptimin e frazeologjisë. Madje, është shprehësia e veçantë (e njëherësh, figurshmëria) që e fuqizon përdorimin e frazeologjive në gjuhë. Ky ngjyrim kuptimor është dhënë mjaft mirë në Fjalor për frazeologjitë e rusishtes me shënimet stilistikore (shak., iron., keq. etj.). Edhe shënimet ligjërimore (libr., vjet. etj.) janë vënë mjaft mirë. Për përdoruesin e Fjalorit ato janë shumë të dobishme sepse tregojnë përdorimin stilistik dhe ligjërimor të njësive. Te sinonimet frazeologjike në shqip, diferencimi stilistik i mbetet sigurisht, përdoruesit të Fjalorit sepse nuk ka qenë detyrë e hartuesit. Ky diferencim mund të bëhet, siç dihet, duke vëzhguar jo vetëm përmbajtjen kuptimore, por edhe ngjyrimet shprehëse-emocionale e stilistike, madje, mundësisht, edhe dendurinë e përdorimit në ligjërim.

Çdo fjalor parakupton një gramatikë (morfologji dhe sintaksë) të gjuhës dhe hartuesi i fjalorit duhet ta njohë mirë atë. Në fjalorët dygjuhësh ka dy gramatika. Autori i këtij Fjalori i njeh dhe i zbaton shumë mirë të dyja gramatikat. Kësisoj, ky Fjalor shërben edhe si një udhërrëfyes gramatikor për përdoruesin. Shih, p.sh., dallimet formale (strukturore-gramatikore) në shtyllën e rusishtes, kur jepet në frazeologji folja në aspektin e kryer dhe në kllapa, në aspektin e pakryer (tipi sovljekat / sovljeç, otdavat / otdat etj.).

Thonë që fjalorët janë librat më të mirë që mund të shkruhen për të tjerët. Nga këto pak përshkrime tonat, besojmë që del se ky Fjalor është libri më i mirë që është shkruar deri tani në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe me kolonë të dytë shqipen. Në Fjalor, shqipja ballafaqohet denjësisht me një gjuhë të madhe e të lëvruar si rusishtja. Fjalori mund të shërbejë si model për fjalorë të tjerë dygjuhësh (me shqipen si gjuhë përkthimore ose burimore) për mënyrën e hartimit, por edhe për lëndën që mund të vilet nga shtylla shqipe. Fjalori është për pedagogët dhe studentët e gjuhës ruse, për pedagogët dhe studentët e gjuhës shqipe në Shën Petërburg etj., për studentët shqiptarë që studiojnë në Rusi, për të gjithë ata e për të gjitha ato që kanë mbaruar studimet e larta në ish-Bashkimin Sovjetik, për përkthyesit nga gjuha ruse në gjuhën shqipe, për albanologët e ballkanologët, për hartuesit e fjalorëve dygjuhësh dhe për këdo që është i interesuar t’i njohë më mirë gjuhën ruse e frazeologjinë e saj dhe barasvlerësinë e saj në shqip.

Siç dihet, shprehjet frazeologjike, fjalët e urta dhe proverbat janë të rëndësishme jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si burim të dhënash shoqërore për kulturën materiale e shpirtërore të një populli. Për këtë arsye, “Fjalori frazeologjik rusisht-shqip” i prof. Eshref Ymerit është me interes jo vetëm për gjuhëtarët shqiptarë e rusë, por edhe për folkloristët, etnografët, historianët, sociologët etj.

Fjalori është botuar nga “Bota Shqiptare”, një shtëpi botuese me emër. Gjithçka që ka të bëjë me shtypshkrimin, është e përkryer. Kjo ia shton edhe më vlerat Fjalorit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: “FJALORi FRAZEOLOGJIK, Eshref Ymeri, Hajri Shehu, RUSISHT-SHQIP"

PEZË : 16 SHTATOR 2015…

September 20, 2015 by dgreca

Ne Foto: Rikthimi i Enver Hoxhes ne Peze me 16 Shtator 2015/

NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M./

 GJAKSORËVE/

Ndalnju! Ku véni burra?…/

Pash Zotin, lëshoni hutat!/

Pse teper gjak asht derdhë,/

Pse teper mbajtë kem’ futat:/

Prej vaj’t na asht marrë zani…/

Medet, o qiell, medet!…/

A thue nuk jemi vëllazen/

T’ nji atmëje t’ tanë rritë n’ prêhen,/

T tanë t’ quejtun me nji emen?/

A thue, kështu do t’ xêhen

Ata, qi ‘i gjuhë e ‘i doke

E ‘i gjak kanë bashkë e i mbret?

 

Ah váj! Rrjedh vala e Drinit

T’ tanë gjak – ah! Gjak Shqiptarit…

Kush kjé, kush kjé ai mizori,

Që pushken rroku s’ pari

E durët tash don me i zhye

Në gjak t’ vllazenvet kot?

 

Ah! Kjoftë mallkue prej Zotit!

E vejë atij i mbetët grueja

Djali i njatij t’ perbuzunit

Veshun me zhele t’ hueja,

Kerkoftë n’per dyer të shekllit

Pa u gjetë kush me i dalë zot.

 

Jo, jo, se ma prej sotit

Thêmra e gjaksorve e mnershme

Token nuk do t’a shklasë,

T’ cillen, n’ at kohë të ndershme,

T’ Parët t’onë, rrebtë tue luftue,

E shuguruen me gjak.

 

Atje nen vapë t’ Saharës,

Nder luaj e pardha jeten

Mizuer, kush don me e shkimë

Në gjak t’ vllazenve etjen,

Atjé, pa kenë vajtue,

Mbaroftë i namët per lak…

 

Djelmt tonë, – ah kob i zi!

Djelm tonë e Arbnisë uzdaja,

Të cillt dergue i pat qiella

Per me mbarue punë t’ mdhaja,

E vllazenve i muer pushka

E kalben sod në vorr…

 

E kanga nder né shuejti,

Porsi n’ nji shpi dalë fare:

Me thirr nder hatulla mblue

Lahuta hesht Shqiptare,

E por shêjzeza qyqe

Shqiptarve u kndon n’ oborr…

 

Dridhu, gjaksuer i mnershem,

Se t’ erdh i zi rreziku!

Se neper terr, Ai, t’ cillit

Kur i veton qerpiku,

Dridhet n’ themel t’ tanë shekulli,

Kundër teje po vjen.

I zi e i perfrigueshem

I prin Atij thellimi:

Ftyren ia zblon vetima,

T’ cillen ia ndezi idhnimi;

Tue bumbullue rrufeja

Raven Atij ia then.

 

Me shigjeta të frigueshme

Doren Ai e armatisi;

Qé, se edhe e rrebtë duhija

Hidhun mbi ty tash krisi,

E ‘i dét të zi ankimesh

Permbi kryet t’and dikon.

Qé, se edhe vala e mnershme

Perpin me gjire t’ veta

Shpin tande prej themeli:

E grueja e jote e shkreta,

Fmin tu tue mbajtë nen stjetull,

Nper valë kot pshtim kerkon.

 

U dhà mbi ty tash gjyqi,

E zhgjeta e frigshme e Zotit

Mbi ty vjen tue fishkllue…

Rrzou, o i pashpirt! Pse q’ motit

Pat thanë nji Zot: Do t’ bije

Kshtu, nierin m’ tokë kush vrau.

 

O Zot, pse kaq vonove

Gjaksorin pa ndeshkue?

E, dersa ky mizori

Gjak vllaznish pat dikue,

Kot landë rrufeja e Jote

Pse bjeshkëve por çau ?

1899.

Pergatiti: Fritz RADOVANI 2015.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 16 shtator 2015, Fritz radovani, NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M, Peze

Dita Evropiane e Gjuhëve

September 20, 2015 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë/ *Projekti i teksteve nga Prof.Dr.Dr.Basil Schader vlerësohet me certifikatë të veçantë/

*Ndarja solemne në Grac më 24 shtator në shënimin  e Ditës Evropiane të Gjuhëve. Në ekipin janë  Hazir Mehmeti (Vjenë) dhe Nuhi Gashi (MASH-Kos). Sukses i madh afirmativ i mësimit shqip në Evropë./

   26 Shtatori- Dita e Gjuhëve Evropiane këtë vit shënohet me suksesin e madh të projektit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe për diasporë i Dr.Dr.Basil Schader , nga UN- i Zürichut i cili u vlerësua në mesin e projekteve nga Austria dhe  vende tjera. Konkursi i shpallur ishte titulluar “Gjuhët përmes projekteve cilësore”.  Në vendet e zhvilluar vlerësohet dhe financohen projekte nga institucionet, entet, shkollat ku për temë kanë përmirësimin e rrugëve të mësimit të gjuhëve. Në këtë konglomerat temash pa dyshim projekti i udhëhequr nga Dr.Dr.Basil Schader nga i cili rrodhen 19 tekste për mësimin shqip në diasporë po vlerësohet si shembull i përkrahjes, kualitetit, formës e standardeve bosh-kohore në përmbajtje, elemente didaktike e metodike bash kohore.   Projekti është fryt i përkrahjes financiare nga “Qendra Ndërkombëtare e Fondit për  Projekte”  (IPE) në Zürich në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës.

     Në Grac

       Këtë vit  Gjuhët Evropiane  qendër e kishin qytetin e Gracit në Austri, qytet i cili para pak vitesh ishte kryeqytet i kulturës botërore. Ndarja solemne e certifikatave fituesve nga organizatori do shoqërohet me aktivitete kulturore nga lëmi i gjuhësisë.  Motivi  është shënuar “Sensibilizimi i veçantë i mësimit të gjuhëve“ në kuadrin e kremtimit të Ditës së Gjuhëve Evropiane. Organizatore është Qendra për Kompetencë Gjuhësore në Austri (ÖSZ), më kërkesë të Ministrisë Federale të Arsimit e të Gruas  në Austri, Agjencia Kombëtare -Mësojmë Tërë Jetën  e cila për të 15-tën herë e shënon –Ditën e Gjuhëve Evropiane.
 Agjencia e Austriake e Lajmeve APA,  mes tjerash shkruan: „ Në mesin e shtatë projekteve të shkëlqyera austriake të vitit 2015 do jetë edhe nominimi i linguistikut zviceran, Prof.Dr.Dr.Basil Schader (PH-Zürich) dhe ekipit të tij  Mag. Hazir Mehmeti, Vjenë dhe Nuhi Gashi, MASHT- Prishtinë, Kosova. Prof. Schader në mbyllje bashkë me ekipin e tij në ndarjen solemne të çmimit në njërën nga punëtoritë do prezantojnë materialet mësimore nga projekti i tyre për gjuhë amtare, ku të gjithë të interesuarit janë përzemërsisht të ftuar. Po ashtu certifikata do marrin edhe absolventët e parë të mësimit gjuhësor në mësimin specifik te sensibilizimit të gjuhëve, te cilën ÖSZ-ja e bëri në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Kishës në Vjenë/Krems.
       Bashkimi Evropian përmes “Eurpäisches Sprachensigel“  përkrah projektet gjuhësore me kualitete të larta, të cilat e përmirësojnë mësimin e  gjuhëve dhe krijimi e rrugëve të sigurta për të ardhmen. Ne vitin 2015 rreth 60 institucione i dorëzuan iniciativat e tyre rreth temës „Gjuhet si nyje shoqërore”  Do te vlerësohen shtate projekte austriake nga  katër Lande ( prej 9 Landeve-Njësi Federale ) që ka Austria ( Niderösterreich, Steirmark, Tirol, Voralberg, Vjenë) dhe  projekti i Basil Schader dhe ekipit te tij i cili u zhvillua në një  bashkëpunim ndërkombëtar..
Iniciativat prej kategorive duke filluar nga  çerdhet për fëmijë, Cikli i Ulët, Shkolla Sekondare I e II, Shkolla e Lartë Pedagogjike dhe Shoqatat shkollës së lartë pedagogjike, të shoqatave te ndryshme dhe organizatave joqeveritare,  tregojnë, se çfarë  ndikimi të madh  me vlerë ka në bashkëjetesën shoqërore qëndrimi i duhur pozitiv ndaj gjuhëve. Ndarja solemne e shpërblimit do të mbahet me 24 shtator në Grac në kuadrin e festës – Ditët Evropiane të Gjuhëve.  

Në festën e gjuhëve në Grac e cila do të mbahet në Murinsel, dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Landit të Staiermarkut, do të letë aktivitete të shumta kulturore dhe artistike për të vegjlit e të rriturit. Një ditë e plotë me program për secilin pjesëmarrës në rrethet e punëtorive, ekspozitave apo shfaqjet  teatrale kushtuar gjuhëve.  
Projekti,
Pas aprovimit të kurrikusës për diasporë (2007), me inicimin e Prof.Dr.Dr.Basil Schader u hartua projekti për tekstet mësimore në gjuhën shqipe i cili u financua nga “Fondi Ndërkombëtare për  Projekte”  (IPE) me qendër në  Zürich. Hartimi i teksteve u bë sipas standardeve të kohës. Autorë të këtyre teksteve janë: Besa Luzha, Hazir Mehmeti, Lush Culaj, Muhamet Ahmeti-Metis, Nexhat Maloku, Nexhmije Mehmetaj, Rifat Hamiti, Rizah Sheqiri, Shefkije Islamaj, dhe Xhevat Syla. Koordinator ishin: Arif Demolli, Basil Schader dhe Nuhi Gashi. Gjithsejtë janë 19 tekste të hartuara sipas niveleve mësimore, secili nga nivelet nga 6 tekste. Tri nga tekstet kanë tema direkt nga gjuha, kultura e historia shqiptare kurse tri tjera nga jeta e përbashkët në rrethi shoqëror specifik në diasporë.  Prezantimi i tyre në seminare me standardet bashkohore ka zgjuar interesim të madh nga ekspert e mësues të shumë gjuhëve amtare në Evropë.  

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dita Evropiane e Gjuhëve, Hazir Mehmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT