• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2015

Imzot Frano Gjini u pushkatua se nuk pranoi ndarjen e Kishës Katolike Shqiptare nga Selia e Shenjtë

September 29, 2015 by dgreca

Imzot Frano Gjini torturohet dhe pushkatohet vetëm sepse s’pranojë ndarjen e Kishës Katolike Shqiptare nga Selia e Shenjtë./

Shkroi: Leonora Laçi –Shkodër 2015./

Imzot Frano Gjini ishte në radhën e atyre priftërinjve “rebelë” që nuk ju nënshtrua regjimit komunist, por qëndroi stoik dhe para togave të pushkatimit, përpos mos nënshtrimit përpara Enver Hoxhës duke mos pranuar ta bënte kishën vegël në dorë të pushtetit.

Momentet kur Imzot Frano Gjini ra në sy të pushtetit dhe kishte dy zgjidhje ose duhej nënshtruar ose eliminuar me çdo kusht.

       Këtu fillon drama e Imzot Gjinit.

Imzot Gjini do jetë në qendër të vëmendjes së regjimit të sapo  instaluar në Shqipëri. Kjo vëmendje do të fillojë që në fund të 1945, ku:“ në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Frano Gjni , Abati, mori guximin dhe i tha prerë komisionit të votimit në Orosh se unë nuk votoj për një pushtet që në strategjinë e tij, në plan të parë, ka zhdukjen e çdo feje… Jam klerik në shërbim të popullit dhe të fesë së krishterë, për të cilën nuk më dhimbset jeta, ashtu si dhe për Atdheun”- shkruan në gazetën  “Koha Jonë” historiani Ndue Dedaj me 15 shtator 1994.

Qëndrimi kundërshtues i Mons. Frano Gjinit u vu re dhe në rastin kur   Delegati Apostolik Leone Nigris që  ishte i detyruar të largohej nga Shqipëria (1945), i transferon funksionin e tij Imzot Gjinit si Zëvendës i Delegatit Apostolik.  Gjini do thirret në Tiranë nga Enver Hoxha dhe i kërkohet të ndërpresë kontaktet me Vatikanin dhe ndikimin e tij ta verë në shërbim të E.Hoxhës. Çfarë Gjini, e refuzon. Për këtë është shkruar në veprën e Markus Piters “Përballja e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, dhe veprat e Pjetër Pepës kushtuar Klerit Katolik në dy vëllime  dhe “Dosjet e Diktaturës”.

Dëshmi e Padër Konrad Gjolaj për Frano Gjini:

“Kur Nigras u largue prej këndej, ai u takue me Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin dhe sekretarin e tij, Dom Mark Hasin. Nigris, para se të shkonte, la porosi qe në kjoftë se nuk kthehet ma, kompetencat  t’i jepen Imzot Frano Gjinit, abatit të Mirditës, me cilësinë e zv\ Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni. Njeri i heshtun dhe modest. Nuk rrinte në krye të vendit, as kur i takonte. Ishte burr’i qetë, natyrë të cilën e pëlqejshin edhe mirditsit, mbasi kombinohej edhe me nji squetësi që kuptohej vetëm mbas njoftjes afër me të. I premë në fjalë dhe i ngadaltë, gja që e bante të domosdoshëm në kuvendin e krahinës.  Ishte i provuem si antikomunist me prova trimnije. Kur mirditasit i kishin propozue me e përcjellë jashtë Atdheut, për mos me ra në dorë të komunisave, Imzot Gjini ishte përgjegjë: “Jo, se nuk kam si me e lanë popullin e Sh’Lleshdrit në dorë të komunistave”. Ai qëndroi këtu dhe kreu detyrën e ngarkueme deri ditën e fundit, ashtu si punoi me korrektësi gjithë jetën.  Ma vonë u provue edhe në trimni”. Kjo dëshmi është shkëputur tekstualisht nga vepra Pjetër Pepës “Tragjedia dhe lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri”-Vol. II, 55, Tiranë, 2007.

Gazeta “Koha e Re” – Organ i Frontit Demokratik të Prefekturës së Shkodrës,  me 19 nentor 1946, me kryetitull: “Zbulime sensacionale në Kuvendin Françeskan”, ndër të tjera shkruan;” Pak ditë më parë në Kuvendin Françeskan dhe në Kishën e Fretërve u zbuluan disa sende me shumë randësi për skjarimin e popullit dhe për demaskimin e atyre që punojnë kundër popullit. Mu në mes të Kishës nën rasar dhe nën altarin, të fshehura me mjeshtëri reaksionari, gjetën dokumenta të Gjonmarkajve(….) Në dhomën e Kuvendit u gjetën dokumenta të kuislingëve me damkë si Pader Anton Harapi(…) Në dhomë të poshtme të Kuvendit në depon e ushqimeve dhe në stallën e derrave, të futura në mur, në dhe ase në tavan, u gjetën mitraloz, municion, bombe dore, pushkë e të tjera.  

11 dhjetor 1946: Goditja e dytë e madhe

“Zbulohen” armë në kishë-Sekuestrohet kuvendi Françeskan

Arrestohen e torturohen:

  1. Imzot Frano Gjini
  2. Imzot Nikollë Deda
  3. Padër Mati Prennushi
  4. Padër Ciprian Nikaj
  5. Padër Pal Dodaj
  6. Dom Tomë Laca
  7. Dom Ndoc Sahatçija
  8. Padër Gjon Karma
  9. Dom Nikollë Shelqeti
  10. Padër Mëhill Miraj
  11. Fra Zef Pllumi, etj(…)

E njëjta ftesë për shpëtim iu bë Imzot Frano Gjinit nga mirditorët e arratisur që e donin dhe e nderonin aq shumë, e mundësitë ishin fare të lehta. Por jo! “S’kam kujt t’ia la besimtarët e kishën e Shën Lleshdrit”, ishte përgjigja e vetme- shkruhet në vepren e Pjetër Pepës kushtuar Klerit.

Si u arrestua Frano Gjini?! Që nga ajo që quhet si Lëvizja e Postrribës, me 9 shtator 1946, u  arrestuan dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë fare në këtë lëvizje, asnjëri  prej tyre. U arrestuan Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Lacaj. Letrat e arrestimit nuk kanë cilësime konkrete veç gjera të përgjithshme dhe të papërcaktuara saktë.

Prokurorija Publike e Prefekturës ( Seksioni i Sigurimit).

Letër Ndalimi përmban: Neve Hys Zaja Prokuror Publik i Pref. të Shkodrës. Tue qënë se Monsinjor Frano Gjinaj biri i … dhe i …, vjeç 1886 nga… me mjeshtëri… me shenjat trupore të veçanta që pasojnë…. pandehet për deliktin e dobësimit të Mbrojtjes së kryer më … dhe të parashikuar prej nën ….

Urdhëron ndalimin e tij për  nji kohë të pa caktueme dhe mbylljen e tij në burgun e Shkodrës. Cdo fuqi e armatosun ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhëni.

Shkodër më 18, të muajit XI të vjetit 1946.

Prokurori Publik

Hys Zaja.

 

Ajo çfarë bie në sy në këtë fletë arresti e shkruar keqas, thuhet se motivi i arrestimit është për krimin “dobësimi i  Mbrojtjes”, çfarë nënkuptohet më këtë?!

Ndërsa mesa duket nga dita e arrestimit deri ditën e akt –akuzës në fillim të vitit  1948, duket qartë se për dy vjet “është punuar” nga sigurimi për të përpiluar një dosje sa më bindëse për “krimet” e Mons. Gjinit dhe të tjerëve që u arrestuan më të. Me mjaft zell u përpiluan proces-verbale nga “prokuror”, “sigurims”, e njerëz të që s’hezituan të gënjejnë gjoja si dëshmitarë. Pse të gënjejnë? Kjo vihet re në deklaratën e Pjerin Kçirës pak muaj pas pushkatimit të Mons.Frano Gjinit, P.Mati Prenushit, e D.Nikollë Dedës. Ku punonjësi i Sigurimit Pjerin Kçira ndërron pllakë dhe nga anëtar partie bëhet armik i partisë dhe armik i popullit, duke treguar të vërtetën për armët në Kishën Françeskane, ku gjatë seancave gjyqësore do të pohoj i penduar për atë që e rendonte mbi supe, duke u shprehur para gjykatësit  me këto fjalë: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E.Hoxhës ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!” Kjo deklaratë e tij nxori në pah të vërtetën e armëve në kishë. Por ishte vonë sepse tashmë martirët e fesë s’gjendeshin më në dhomat e ftohta të burgut, por në parriz.

“Gjygji në Redaksinë e ”Hyllit të Dritës”. Në Dhetor e mueren edhe atë e un mbeta përseri vetëm. Burgu tash dukej se kishte pak të burgosun. Aty më zuni fillimi i 1948 me nji të ftohtë aq të madh sa edhe mijtë vijshin e më hyjshin nën batanije e, disa herë, më ka ndodhë me i gjetë në nadje të ngordhun në dyshek; përse un i kishem shtypë pa dashje, ndërsa ishem në gjumë.

Me dt.13 Janar me prunë akt-akuzën. Kjo ishte e formulueme e njajta për 10 persona.

 

  • Imzot Frano Gjini
  • At Mari Prendushi-Provincial i françeskanëve
  • Imzot Nikollë Deda
  • Dom Tom Laca-sekretar i Arqipeshkvit
  • Dom Ndoc Sahatçija
  • At Mëhill Miraj
  • D.Nikollë Shelqeti
  • Dom. Mark Hasi
  • Fr. Zef Pllumi
  • Zef Haxhia

 

Akt-akuza përbahej prej 14 pikash, të cilat pak a shumë kishin këtë përmbajtje:

Të gjithë këta janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor gjatë gjithë historisë. Se i kanë shërbye skllavopronarve e të gjithë monarkve gjatë shekujve. Se kanë shkaktue shumë luftra fetare, Kryqëzatat anti islamike, por kanë përgatitë edhe Natën e Shen Bartolomeut në Francë.  Se kanë pengue shkencën e përsekutue shkenctarët tue djegë për së gjalli Galileo Galilein e Xhordano Brunon.  Se kanë bashkpunue aktivisht me të gjithë perandoritë për shtypjen e popujve. Se kanë bashkpunue me Perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar. Se kanë bashkëpunue me Perandorinë Austro –Hungareze dhe kanë përgatitë ardhjen e sajë. Se kanë përgatitë ardhjen e fashizmit. Se kanë bashkëpunue me mbretin Zog për shtypjen e popullit shqiptar. Se kanë përgatit okupacjonin Italian me 7 prill 1939 dhe atë të fashzimit gjerman. Se kanë luftue Lëvizje N.C. Se kanë dashtë me përmbysë Pushtetin Popullor, etj, etj.

(…) Mbas tri ditësh erdhën e më mueren. Në odën e Redaksisë të “Hyllit të Dritës” u zhvillua séance e parë gjygjsore. Erdh Trupi Gjykues Ushtarak, në mos u gabofsha, me këta persona: Mustafa Iljazi-kryetar, Anastasi dhe nji tjetër oficer dorëcung si antarë, Namik Xhemali- prokuror( …)”- kujton At Zef Pllumi.

Një letër prej dy faqesh e shkruar me shkrim dore nga Frano Gjini dhe e nënshkruar nga ai, ku ja drejton Gjykatës së Naltë Ushtarake për ti ndryshuar vendimin duke pretenduar me argumente se është i pafajshëm, por e cila nuk u mor parasysh dhe pushkatohet disa muaj më vonë.

Drejtuar Gjygjit të Nalt Ushtarak

Tiranë

Un i nenshkruemi Mons. Frano Gjini Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni. Kam nderën të njoftoj atë P. T. Gjykatë të Naltë e ndiej për detyrë të shejtë të kundërshtoj vendimin e Gjygjit Ushtarak të Shkodrës dhanë me 8.I. 1948 me kenë se ky venim asht dhanë në fazë fakt-akuzes lshue prej Prokurorit Ushtarak të Zyres Ushtarake Shkodrës me 2.I. 1948, e cila si asht formolue nuk asht konform me të vërteten për sa i përket personit t’im:

 

  • Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni;
  • Se nuk kam kenë spiunë i imperializmit nazi –fashist;
  • As kam punue për fashizimin e vendit;

 

4) Se nuk ia kam pranue kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të një telegrami dërgue mbas 22 ditesh nga okupacioni italian, bashkë me kolegët të tjerë te Episkopatit e cila telegram nuk ka tjetër kuptim veç të një formalitetit konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të përgatituna prej tjerëve,. Pra kanë veprue të gjith përfaqsueesit e riteve e civile, ushtarake e fetare të vendit t’onë;

5)Se nuk kam shue ndjesit patriotike nacionale të popullit;

6)Se nuk kam vue kurrënji penges serioze për eliminimin e Levizjes së N.CL, ,

7)Se nuk kam ndihmue në asnjë menyrë Qeverit Kuislinge;

8)Se nuk kam ndimue kurrkenë për të pengue rezistencen e popullit kundra okupatorit … as formacionin e bashibuzukve kundra N.Cl;

9)Se mbas çlirimit nuk kam organizue, marr pjesë a kryesue ndonji grup politik antipopullorë me qëllim për të përmys Pushtetitn me vjolencë as nuk kam ngarkue ndonjë personë klerik a civil për të më përfaqsue nën grupe të tilla nëse kanë ekzistue;

10) Se nuk kam drejtue kurr memorandume te karakterit imperialiste te huaj;

11)Se nuk kam pasë kurrnjë përpjekje as ilegal as me reakcionin e mrenshem e të jashtëm.

Prandaj në lidhje me sa ju thoni e ndiej për detyrë e ndërgjegje kombëtare, shoqërore, profesionale të kërkoj në bazë të drejtesis .. asaj të …Gjykatë rishikimin e gjyqit prishjen e vendimit të tij e njofjen e pafajsis sime.

Në saj të kërkeses sime ….nenshkruhem me nderime

Shkoder . 10. I.1948

Frano M. Gjini    Regjent i Delegacjonit Apostolik në Shqipni

Torturat dhe ekzekutimi !

U lexue prej Kryetarit vendimi i formuluem gjatë e stërgjatë me ato provat bindse, që zakonisht bien të gjith xhelatët e botës:

  1. Imzot Frano Gjini    me vdekje pushkatim
  2. At Mati Prendushi me vdekje pushkatim
  3. Imzot Nikollë Deda me vdekje pushkatim
  4. Dom Tom Laca me burgim të përjetshëm
  5. At Donat Kurti me burgim të përjetshëm
  6. D.Ndoc Sahatçija me 15 vjet burg
  7. At Mëhill Miraj me 10 vjet burg
  8. Dom Mark Hasi me 7 vjet burg
  9. Zef Haxhia me 5 vjet burg
  10. Dom Nikoll Shelqeti me 3 vjet burg
  11. Fr. Zef Pllumi me 3 vjet burg
  12. D. Anton Muzaj me lirim kondicional.

Ndërkohë që priste ekzekutimin, sipas dëshmive thuhet që:  (…)Koha e martirizimit të tij (Imzot Frano Gjinit) arriti shumë shpejt. Regjimi i ri e arrestoi Gjinin pas publikimit të letrës së tij, në të cilën denonconte fushatën shpifëse dhe persekutimin e Kishës Katolike. Policët që e merrnin në pyetje, ia lidhnin gojën dhe kokën me tela elektriku. Ato e torturonin me goditje elektrike, pastaj ia çanin e ia kriposnin trupin, madje i hidhnin edhe ashkla druri në thonjë duarve dhe të këmbëve. Më në fund, skuadra e ekzekutimit i dha fund jetës së ipeshkvit, në një pellg me baltë në parcelat e vreshtave të Bardhajt (afër Shkodrës). Ai u ekzekutua me 18 klerikë dhe laikë, mëngjesin e 8 marsit 1948.

Por kush ishte Frano Gjini?

I lindur me 20 shkurt 1886 në qytetin e Shkodrës, që heret shfaqi dëshirën  për ti hyrë rrugës për tu bërë prift. Në 1903 përfundon maturën në Kolegjin Saverian, ndërsa studimet e larta  për teologji i kryen në seminarin e Kongregacionit për përhapjen e fesë në Romë. Më 28 qershor 1908 shugurohet meshtar duke shërbyer si famullitar në Krujë, Vlorë e Durrës. Më 29 qershor 1930 zgjidhet Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës në Orosh, ku Abati kishte një rendësi të madhe për mërditorët, më 3 korrik 1930 emërohet ipeshkëv titullar i Semta. Me 28 tetor 1930 shugërohet ipeshkëv.  

Për merita të veçanta në favor të Shqipërisë me 11 qershor 1942, Guvernatori Mbretëror në Tiranë i akordon Urdhërin “Skanderbeg”.

Kështu në mars 1948 pushkatohet së bashku me klerikë të tjerë, të cilët ishin dënuar me akuzën e rreme për fshehjen e armëve në Kishën Françeskane. Më 14 nëntor 1993 atij iu akordua titulli (postmortum) “Martir i demokracisë” nga Presidentit i Shqipërisë i asaj kohe. Madje themeluesi i Kishës së Parë Katolike në SHBA, Mons. Zef Oroshi, dikur sekretar i Mons. Gjinit, në shenjë nderimi dhe respekti në hollin e kishës dhe në bibliotekën e tij mbante fotot e ipeshkvit Gjini- shkruhet në vepren e publicistit e studiuesit Tomë Mrijaj, “Një jetë e shkrirë për fe e atdhe –Mons. Zef Oroshi”

Gjini i cili ishte vet Doktor i Teologjisë i dha një rendësi të veçantë nxitjes dhe mbështejtes së shkencës si dhe dhënies së bursave kishtare për teologët e rinj shqiptar të talentuar.

Filed Under: Histori Tagged With: Imzot Frano Gjini, Leonora Laci, u pushkatua

Berisha: e kam paralajmëruar Metën se Rama e do në burg

September 29, 2015 by dgreca

Në bisedimin e tij me gazetarët Berisha ka këmbëngulur se Rama e do në burg Metën. “Që kur u hap ky parlament ju e dini se unë i kam thënë Metës se Rama e do në burg. Vinin lajmet nga Berlini dhe Brukseli se Rama conte aty dosjen e Metës për ta denoncuar atë. Ndaj unë i thashë Metës që atëhere si ti në këtë koalicion je skllav. Ruga e tij ishte që të thoshte që atëherë ejani më hetoni” ka thënë ish kryeministri. Ai ka lënë të kuptohet se metas nuk veproi kështu dhe prandaj ai gjendet në situatën ku ndodhet. berisha u tregua më i butë ndaj Metës se kryetari i PD Basha. Ai e përsëriti disa herë se Meta i është bashkëngjitur nismës së PD-së për hetim ndërkombëtar ndaj CEZ.

Filed Under: Komente Tagged With: Berisha, e do Meten ne burg, Rama

Kriza e mazhorancës/ Ilir Meta fillon të lëvizë

September 29, 2015 by dgreca

Pas mesazheve në distancë si ai i Skraparit, pas përdorimit të Ylli Manjanit dhe letrës për një skenar destabilizues të Spartak Brahos, Ilir Meta ka vendosur të zbresi vetë në terren. Kryetari i Kuvendit ka dhënë sot shenja të qarta se nuk ka ndërmend të presë duarkryq atë që ai e konsideron si një plan Rama- Basha për ta larguar atë nga politika.
Kështu sot, Ilir Meta është takuar fillimisht me presidentin Bujar Nishani, me të cilin besohet se është biseduar për letrën e Spartak Brahos dhe angazhimin e drejtësisë në zbardhjen e disa akuzave që ngrihen aty. Ky takim është një shenjë e qartë që kërkon t’i tregojë opinionit se kryetari i Kuvendit nuk ka më besim tek kryeministri Rama apo ministri i Brendshëm, Tahiri, të cilët normalisht do të duhej të ishin kontaktuar të parët lidhur me çështjen e sigurisë së të akuzuarit për aferën e CEZ, Kastriot Ismailaj.
E ndërsa takimi me Nishanin është një lëvizje e interpretueshme, ai që Ilir Meta zhvilloi fill më pas me kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi ishte një paralajmërim i qartë për kryeministrin Rama. Një lëvizje për të thënë se Ilir Meta mund të kërcënojë jo vetëm me numrat e tij, por edhe me ato të partisë së çamëve, kryetari i të cilëve ka treguar se nuk e ka për gjë të lëvizë në bazë të pazarit të ditës.
Por ajo që mund të quhet si kulm i lëvizjeve të sotme të Metës, ishte deklarata e tij duke dalë nga hotel Rogner. I pyetur nëse do të kalonte në Kuvend projektligjin për hetim ndërkombëtar të aferës së CEZ, të propozuar nga Basha, Ilir Meta tha se ai ishte i gatshëm të votonte propozimin e Berishës që kërkon hetim që nga privatizimi i CEZ e deri më sot dhe jo atë të Bashës, që kërkon të hetohet vetëm një segment i caktuar. Duke dashur të lërë të kuptohet se preferenca e tij për Berishën ishte më shumë se sa votimi i një propozimi, Meta tha se “Doktori e di mirë se kur them unë po, është po”, një aludim i qartë ky që shpreh gatishmërinë e tij për ndonjë marrëveshje të re me Berishën.
Madje, edhe shprehja që Meta u tha gazetarëve duke u larguar se: “unë kam origjinë malore ndaj nuk më prekin intrigat moçalore”, mund të interpretohet si një tjetër sinjal për “besë” nga Sali Berisha.
Tashmë loja ka zbritur në terren dhe ngjarje të reja priten, ndërsa kryeministri Rama vazhdon qëndrimin e tij 12 ditor në Nju Jork. /lapsi.al/

Filed Under: Komente Tagged With: fillon të lëvizë, Ilir Meta, Kriza

Përplasje e pikëpamjeve amerikane dhe ruse në OKB

September 29, 2015 by dgreca

Presidenti amerikan Barak Obama dhe Presidentin rus Vladimir Putin prezantuan pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me mënyrat për të zgjidhur konfliktin katër vjeçar në Siri.Zoti Obama tha në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se pas gjakderdhjes dhe kasaphanës që ka përjetuar Siria, ky vend nuk mund të rikthehet në status-kuonë e para luftës. Ai bëri thirrje për një “tranzicion të menaxhuar” për të larguar nga pushteti Bashar al-Assadin.

Por udhëheqës rus Vladimir Putin, i cili foli para Asamblesë së Përgjithshme për herë të parë në një dekadë, paralajmëroi se do të ishte gabim i madh të anashkalohej qeveria e Assadit në luftën kundër ISIS.

Zoti Obama tha se nuk ka “zgjidhje të lehta” për konfliktin në Siri, por theksoi se duhet të përdoret diplomacia “për të arritur një marrëveshje që populli sirian të mund të jetojë në paqe”. Ai e sulmoi Assadin si një udhëheqës “që hedh bomba mbi popullin e tij”.

“Katastrofa si Siria nuk ndodhin në vende ku ka një demokraci të vërtetë,”tha zoti Obama. Ai bëri thirrje për bashkëpunim global për të zgjidhur konfliktet në botë.

Por zoti Obama u doli gjithashtu në mbrojtje forcës ushtarake amerikane dhe fushatës së Shteteve të Bashkuara kundër ISIS në Irak dhe Siri.

Zoti Obama kritikoi Rusinë për aneksimin e Krimesë dhe rolin e saj në mbështetje të separatistëve që veprojnë në Ukrainën lindore. Udhëheqësi amerikan u doli në mbrojtje sanksioneve kundër Moskës, si një reagim i dokosdoshëm ndaj situatës në Ukrainë.

Presidenti Obama, fjalim në OKB

Presidenti Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë dhe me Iranin për një “periudhë kalimtare” që do të çonte në largimin e udhëheqësit sirian Bashar Assad nga pushteti.

Presidenti Obama i bëri komentet në fjalimin që mbajti sot përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Presidenti tha gjithashtu se përdorimi i sanksioneve kundër Rusisë nuk pasqyron një dëshirë për t’u rikthyer te lufta e ftohtë.

Duke iu drejtuar sesionit të 70 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Presidenti Obama vlerësoi rendin ndërkombëtar “që, siç tha ai, ka bërë të mundur arritjen e përparimeve të pashembullta në lirinë dhe dinjitetin njerëzor.”

“Ky përparim është i vërtetë”, tha presidenti, por ai paralajmëroi se ekzistojnë rryma të rrezikshme që mund ta shtyjnë njerëzimin drejt një bote më të errët dhe më të çrregullt.”

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me Rusinë si dhe me Iranin për një “periudhë kalimtare të menaxhuar” që do të çonte në largimin e udhëheqësit sirian Bashar Assad nga pushteti.

Siria nuk mund të “kthehet në status quo-në e paraluftës,” tha Presidenti Obama.

Komentet e tij nxorën në pah tensionet mes SHBA dhe Rusisë, aleatit më të fortë Asadit. E ardhmja e Presidentit Assad pritej të jetë një ndër temat kryesore gjatë një takimi të pazakontë që do të ketë sonte Presidenti Obama dhe Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti Obama vuri në shënjestër drejtpërdrejt Rusinë në fjalimin e tij. Ai tha se vendet e botës nuk mund të kthehen tek mënyrat e vjetra të konfliktit dhe nuk duhet të shikojnë prapa.

Në qoftë se nuk punojmë së bashku në mënyrë efektive, ne të gjithë do të vuajmë pasojat,” tha Presidenti Obama.

Ai tha se përdorimi i sanksioneve kundër Rusisë nuk pasqyron një dëshirë për t’u rikthyer te lufta e ftohtë.

“Por ne, tha Presidenti Obama, nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur shkelet në mënyrë flagrante sovraniteti dhe integriteti territorial i një vendi.”

Ai iu referua vendimit të Presidentit Putin për të dërguar trupa në Ukrainë në mbështetje të separatistëve.

Nëse kjo ndodh pa pasoja në Ukrainë, tha Presidenti Obama, ajo mund t’i ndodhë çdo vendi që përfaqësohet këtu sot.”

“Përfytyroni në qoftë se Rusia do të ishte angazhuar në diplomacinë e vërtetë. Kjo do të ishte më mirë për Ukrainën, por edhe më mirë për Rusinë. Dhe më mirë për botën,” tha Presidenti Obama.

Presidenti kritikoi gjithashtu mbrojtësit e Presidentit sirian Assad, duke thënë se alternativa në këtë rast është më e keqe. Ai la të kuptohet se ata që e miratojnë logjikën e Presidentit Putin po mbështesin “tiranët si Assadi që përdor bomba për të vrarë fëmijët”.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë të ineteresuara për të izoluar Rusinë. Përkundrazi, tha ai, SHBA kërkojnë një “Rusi të fortë, të interesuar për të punuar me ne.”

Putin, thirrje për koalicion të gjerë kundër ISIS/

Presidenti rus Vladimir Putin e mori te Henen me 28 Shtator fjalën para udhëheqësve botërore të mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Zoti Putin u ndal tek situata në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore duke thënë se lëvizjet për ndryshim që filluan disa vjet më parë kanë sjellë kaos që po shfrytëzohet nga elementi ekstremist në zonë:

“Mjafton të shohësh situalën në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Pa diskutim që problemet politike dhe sociale në rajon ziejnë prej kohësh, dhe pa diskutim që popullata e atjeshme kërkonte ndryshim. Por çfarë kanë arritur si përfundim? Ndërhyrje agresive të brendshme në këto vende kanë krijuar një situatë që në vend që të sjellë reforma, thjesht ka shkatërruar institucione dhe mënyrat bazë të jetesës. Në vend të suksesit, demokracisë dhe përparimit, sundon agresioni, varfëria dhe katastrofa sociale, port ë drejtat e njeriut, përfshirë të drejtën bazë për jetën nuk përfillen. Pyetja që kam për ata që krijuan këtë situatë është nëse e kuptojnë se çfarë kanë shkaktuar? Por kam frikë se kjo pyetje nuk do të marrë përgjigje, sepse situata u krijua nga politikanët që besojnë tek vetja dhe janë të bindur se janë plotësisht të pafajshëm dhe plotësisht në të drejtë. Është e qartë se në Lindjen e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore, vakumi i krijuar në qeverisje ka çuar në krijimin e zonave të përfshira nga anarkia, që menjëherë u vunë në shenjestër nga ekstremistët dhe terroristët”.

Zoti Putin kritikoi qëndrimin perëndimor kundër regjimit aktual sirian të Bashar al-Asadit, duke i cilësuar gabim përpjekjet për zëvendësimin e regjimit të Asadit.

Udhëheqësi rus u ndal edhe tek kërcënimi që paraqet për botën ideologjia ekstremiste dhe fushata e përgjakshme e ndërmarrë nga Shteti Islamik.

Presidenti rus Vladimir Putin i mëshoi nevojës për formimin e një koalicioni të gjerë ndërkombëtar për të luftuar ISIS.

“Situata në botë nuk mund të tolerohet më. Në fakt, propozimi ynë është që të udhëhiqemi jo nga ambicja, por nga vlerat dhe interesat e përbashkëta, bazuar në ligjin ndërkombëtar, të bashkojmë forcat për të zgjidhur problemet e reja me të cilat përballemi dhe të formojmë një koalicion të vërtetë ndërkombëtar, anti-terrorist me pjesëmarrje të gjerë”.

“Vendet myslimane duhet të jenë anëtare kyçe të këtij koalicioni. Në fund të fundit, ISIS nuk është thjesht një kërcënim i drejtpërdrejtë për këto vende, por me krimet e tij po përdhos një ndër besimet e mëdha të botës, Islamin”.

Rusia do të propozojë në Këshillin e Sigurimit një rezolutë për bashkërendimin e përpjekjeve ndërkombëtare kundër ISIS.

Filed Under: Komente Tagged With: dhe ruse në OKB, Përplasje e pikëpamjeve amerikane

Jahjaga met with the representatives of the Global Community Engagement and Resilience Fund

September 29, 2015 by dgreca

*President Atifete Jahjaga met with the representatives of the Global Community Engagement and Resilience Fund/

 *Kosova përfshihet në Fondin Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje/

The President of the Republic of Kosovo, Madam Atifete Jahjaga, met in New York the representatives of the Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF), Madam Carol Bellamy, Head of the Board and Mr. Khalid Koser, Executive Director of the fund, with whom she discussed about the inclusion of Kosovo in the initiatives of this organization to eradicate extremism and to prevent radicalism.President Jahjaga expressed her satisfaction on the decision of the Global Fund that in December of this year to formalize Kosovo’s inclusion as one of the five states that will benefit from the fund of 25 million euros for initiatives and projects which for aim have the prevention of radicalism and violent extremism.

The President stressed that it is good news that Kosovo has met the required criteria to become one of the five countries in the world to benefit from the initiatives of the fund at this stage and welcomes the visit of the representatives of this organization very soon in Kosovo.

This meeting is a continuation of the meetings that President Jahjaga has had with the representatives of this organization this year in Geneva. The Office of the President has communicated constantly with GCERF to include Kosovo in its background.

The Global Community Engagement and Resilience Fund has its headquarters in Geneva and was established as a global effort through the public-private partnership, in collaboration with the governments, the civil society and the private sector, to support the efforts of countries to address violent extremism and radicalism.

Kosova përfshihet në Fondin Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje/

-Presidentja Jahjaga u shpreh e kënaqur me vendimin e Fondit Global që në dhjetor të këtij viti të formalizojë përfshirjen e Kosovës si njërin nga pesë shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë eurove për nisma dhe projekte që për qëllim kanë parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm/

NJU JORK, 29 Shtator 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi në Nju Jork përfaqësuesit e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje (GCERF), Carol Bellamy, udhëheqëse e Bordit dhe Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i fondit, me të cilët diskutoi përfshirjen e Kosovës në nismat e kësaj organizate për të çrrënjosur ekstremizmin dhe parandaluar radikalizimin.

 Presidentja Jahjaga u shpreh e kënaqur me vendimin e Fondit Global që në dhjetor të këtij viti të formalizojë përfshirjen e Kosovës si njërin nga pesë shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë eurove për nisma dhe projekte që për qëllim kanë parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 Presidentja theksoi se është lajm i mirë që Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për t’u bërë një nga pesë shtetet në botë që përfitojnë nga nismat e fondit në këtë fazë dhe mirëpret vizitën e përfaqësuesve të kësaj organizate shumë shpejt në Kosovë.

 Ky takim është në vazhdën e takimeve që Presidentja Jahjaga ka pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate këtë vit në Gjenevë. Zyra e Presidentes ka komunikuar vazhdimisht me GCERF për përfshirjen e Kosovës në sfondin e saj.

 Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dhe Rimëkëmbje/, global, Kosova përfshihet në Fondin, për Angazhim të Komunitetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT