• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Arrestimet në Serbi dhe kalemxhinjtë në Kosovë

December 27, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Publiciteti që iu bë arrestimeve të ish zyrtarëve serbë për korrupsion gjeti një vend të rëndësishëm në mediet që problemet e Serbisë i paraqesin si të ishin probleme që në mënyrë të pashmangshme lidhen edhe me Kosovën. “Analistë” dhe “kolumnistë” të ndryshëm, të pjellës së proveniencës së ish nomenklaturës komuniste në Kosovës, nuk ngurruan të duartrokasin dhe të tërheqin paralele me Kosovën. Madje ta cilësojnë si fitore “indirekte” të Serbisë ndaj Kosovës!
Në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre më parë, të cilët përçonin propagandën e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë (politikën e zyrtarëve që ishin në pushtet e jo të atyre që largoheshin nga pushteti në qërimin e hesapeve ndërpartiake), sot “analistë”, “kolumnistë” dhe “drejtorë” të ndryshëm përçojnë në mediet shqipe të Kosovës propagandën e zyrtarëve të Beogradit. Jo të zyrtarëve të djeshëm por të Vuçiqit me kompani.
Në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre kur shanin Rankoviqin e larguar nga partia dhe lavdëronin komunistët tjerë të Serbisë sot pjella e tyre lavdëron Vuçiqin për arrestimin e ish ministrave dhe ish funksionarëve për “kriminalitet të organizuar”
Arrestimi i 76 ish zyrtarëve brenda një dite dhe akuza për krim të organizuar merret si fakt se gjoja “Serbia është duke ecur drejtë Evropës” e Kosova po mbetet mbrapa sepse për 16 vjet Kosova nuk ka bërë sa Serbia brenda një dite”!
Më hidhet t’u them këtyre “analistëve”, “kolumnistëve” dhe “drejtorëve” se janë faqja e zezë që përçojnë në mediet shqipe propagandën zyrtarëve të Beogradit. Rruga për integrimin në institucionet e Bashkimit Evropia është rrugë gjatë të cilës duhet të përmbushen normat dhe standardet mbi të cilat bazohet funksionimi i këtyre institucioneve.
Qërimi i hesapeve që grupi i interesave kriminale të Aleksandar Vuçiqit bën me grupet tjera kriminale në Serbi nuk janë kriter që mund ta përafronin Serbinë dhe Bashkimin Evropian. Për askënd në strukturat e Bashkimit Evropian nuk është e panjohur se grupi kriminal që kontrollon energjetikën, telekomunikacionin dhe infrastrukturën në Serbi është grupi që udhëhiqet nga Andrej Vuçiqi, vëllai i Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit. Arrestimet në Serbi janë për t’i hedhur hi syve të gjithë atyre që dëshirojnë të verbohen. Kriminaliteti i organizuar në Serbi dhe lufta kundër saj është problem i Serbisë dhe strukturave regjionale që janë të interesuara t’i përcjellin zhvillimet rreth kësaj çështje. Por, kjo luftë dhe plotësimi i kritereve që lidhen me vlerat dhe standardet euroatlantike janë dy gjëra që në rastin e Serbisë duhet të shihen të ndara.
Në krye të shtetit serb janë ish komunistë të edukuar dhe ngritur në funksione të larta pikërisht nga Sllobodan Millosheviqi. Mjafton të shihen shtyllat kryesore të shtetit dhe secili që njeh zhvillimet politike në Serbi e sheh qartë se kuadrot janë ricikluar: Si Kryetar shteti kemi Tomisllav Nikoliqin, krahu i djathtë i Vojisllav Sheshelit, i cili personalisht ka qenë i implikuar në krime monstruoze në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë; si Kryeministër të Qeverisë dhe ministër të Punëve të Jashtme kemi të përkëdhelurit e Millosheviqit: Aleksandar Vuçiqin dhe Ivica Tadiqi, nxitës të krimeve serbe në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë; Në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbë është Lubisha Dikoviqi, i cili u shpall hero nga ana e Millosheviqit për të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Në polici dhe në Shërbimet Sekretet njerëzit e Millosheviqit, që kanë kryer krime monstruoze… Në gjykata dhe në prokurori e njëjta gjë…
Rruga e Serbisë për integrimet në Bashkimin Evropian duhet të kalojë në mënyrë të pashmangshme me procesin e ndarjes së këtij shteti nga e kaluara e saj. Kjo mund të bëhet vetëm duke pranuar se në Kosovë është kryer gjenocid, të ndëshkohen të gjithë të implikuari në këtë krim të rëndë dhe të bartin përgjegjësinë për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa, fshehja e gjurmëve të gjenocidit, pritja e kriminelëve të liruar nga burgu për krimet e kryera gjatë luftës si të ishin heronj kombëtar dhe diskriminimi racial që aplikojnë kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës Serbinë e mbajnë në logjikën e funksionimit që është në kundërshtim të plotë me vlerat, normat dhe standardet që qëndrojnë në themelet e institucioneve evropiane. Gjenocidi është krim që nuk harrohet! Heshtja e këtij krimi i bën bashkëpërgjegjës të gjithë ata që për interesa që nuk lidhen me vlerat dhe standardet euroatlantike e imagjinojnë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë, si dukuri që rëndojnë jashtëzakonisht shumë jetën në vend tonë, janë probleme që u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe vetëm mobilizimi i gjithanshëm mund t’i ulë përmasat e çfarëdo forme të kriminalitetit. Por, lufta kundër këtyre fenomeneve nuk duhet të krahasohet me të njëjtat fenomene në vendet tjera e aq më pak me shtetin e kriminalizuar serb. Ata që me arrestimet e fundit në Serbi shohin fitore të Serbisë ndaj Kosovës dhe lavdërojnë zyrtarët e Beogradit në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane fryjnë rëndë ndjenjat e popullit shqiptar të Kosovës, që përjetoi gjenocidin serb dhe në këtë fundviti, 16 vjet pas përfundimit të luftës, mbi një mijë familje shqiptare ende nuk dinë për fatin e të afërmve të cilët u zhdukën në funksion të humbjes së gjurmëve të këtij gjenocidi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arrestimet në Serbi, BardhylMahmuti, dhe kalemxhinjtë, ne Kosove

Dy fjalë Kosovës

December 27, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Një marrëveshje e vjetër midis Haki Mustafës dhe Hashim Thaçit, e bën këtë të fundit President të Kosovës. Jo më larg se në shkurtin e vitit që vjen. Pra i bie rreth një muaj e ca. Ndaj në Kosovë kanë filluar thashjet. Megjithatë i duhen thënë dy fjalë, jo Hakisë dhe Hashimit, por shqiptarëve. Mos bëni gabimin trashanik të Shqipërisë amë. Duke zgjedhur President kukull. Të gjitha ngërçet politike Shqipëria i ka pasur nga këtu. Te gjoja Presidenti konsensual dhe me marrëveshje. Ashtu sikur vazhdon ta trajtojë pa respekt pikërisht garantuesin e Kushtetutës së vendit. Sado u përpoqën ata që ishin. Sado po përpiqet Presidenti aktual. Ashtu sikur edhe Presidentja aty. Prapë është një fallcitet që i ngjan mishit të huaj. Kjo, jo për çështje të personit. Asesi. Por thjesht konjukturës fallco të të zgjedhurit të Tij. Aq më tepër të pozicionit të Tij. Tjetër në letër dhe tjetër në aktivitet.
Një President përmes partive nuk është asnjëherë kësisoj garant i Kushtetutës së vendit. Qoftë në Shqipërinë amë, qoftë aty në Kosovë. Eshtë thjesht një figurë dekorative e flamurit kombëtar. Ose flamurit të shtetit aty. Ne kemi nevojë për një President ndryshe. Të gjallë dhe vërtet një garantues të Kushtetutës. Dhe një të tillë, e sjell vetëm vota përmes popullit. Vota e juaj. Ndaj zgjidhni një President që të mos e fyejnë palët politike. Një President nga populli. Dhe mos dëgjoni fjalët se duhen ndryshim i sistemit kushtetues etj. Gjithçka është e mundur kur ka vullnet. Dhe vullneti politik i vërtet, ose i drejtë, është kur shmangen marrëveshjet e individëve. Dhe i jepet prioritet verdiktit të popullit. Vetëm në Shqipërinë amë janë barriera tabu, marrëveshjet e individëve përballë vullnetit të popullit. Biles vullneti i popullit as që diskutohet. E keni vënë re, se si takohen në dhoma hotelesh, me disajne muresh o nga Bavaria, o nga Toskana. Ose ndonjë dekor nga orienti kinez. Të gjithë me strategji plot kulisa. Se si të ken nën hyqëm një titullar. Se si të ken nën vete, kontroll e çfarë të thuash. Burrin e dekorit të flamurit. Garantin e Kushtetutës. Një nga ata që ndofta është duke luajtuar domino, me moshën. Dhe gdhihet paparitmas President.
Çfarë nuk e kanë quajtur Presidentin e Shqipërisë. Deri ulok. Për shkak të një fatkeqësie njerëzore që askush nuk ia dëshiron vetvetes. Çfarë nuk kanë thënë për Presidentët me radhë. Kryetarët e partive. Individë të fort të politikës. Kam pare dhe më ka ardhur keq që
Presdientin shqiptar, këtë në atdheun amë edhe për një gabim të dizenjatorit ia mveshin atij mallkimin, talljen, fyerjen. Shkurt e duan të merret edhe me shkrimin e parullave. Edhe pse aty paguhen një shpurë shërbyesish, prapë ia ngjeshin atij mëkatet e shpurës. Mjafton që ai të mos ketë ardhur nga krahu ynë. Edhe pemët po të krasisin gabim, aty në kopshtin e Presidencës, e ka fajin Presidenti. Edhe barin po të korrin e ka fajin Presidenti. Edhe çatia po të pikoi Ai, e ka fajin. Edhe kur nuk ka drita, Ai e ka fajin. Edhe kur zëmerohet Rama me Metën Ai e ka fajin. Edhe kur nuk poston gjë Berisha në fb, Ai e ka fajin. Edhe pse po mbillet drogë në Shqipëri, edhe tani në dhjetorin e radhës në ngrohjen globale, ta dini, Ai e ka fajin. Edhe pse e prishin dy doganierë shqiptarë, aty në Morinë, për shkak të bakshishit, Ai e ka fajin.
U drejtohem ju, pasi jetuat për kaq e aq kohë nën diktatin e të huajit. Dhe ai i huaji juaj, shkjau…, duam apo nuk duam ne, është më i zoti se ne, në bërjen e shtetit. Ndërrohen për qejf, pa u vrarë e pa u sharë. Kanë kohë që, lëshimin e karrikes nuk e quajnë fundin e botës. E kur vjen puna tek korrupsioni, nuk të falin. Të hedhin hekurat në vend sado lavdi mbuluar qofsh. Kurse tek ne ndodh e kundërta. Të arrestojnë të korrupturit. Qofsh ti edhe pesë apo shtatë milion popull. Ndaj në këtë drejtim, ndiqni shembullin e shkjaut, jo të atdheut amë.
Shkurt, mos bëni gabimet e Shqipërisë. Një President marrëveshjesh nuk i është i vetes, e më jo i juaji.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy fjalë Kosovës, Ilir Levonja

“TË KËNDOFTË ZEMRA, DILA GECAJ!…”

December 27, 2015 by dgreca

Shkruan:Prof.Murat Gecaj/
Ne Foto:Dila, me motrat Bushi, këngëtare të mirënjohura kosovare…/
Kur po udhëtonim, nga Tirana për në qytetin e Shkodrës, plot tradita edhe në fushën e kulturës e arteve, me kryetarin e Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, Av.Gjin Niklekaj e bashkëshorten e tij, Bardhën, mendjen e kishim te shfaqja festive, që do të jepej në pragun e festive të fundvitit. E ftuar nderi aty do të ishte këngëtarja e mirënjohur e Bashkësisë Shqiptare në Nju Jork e më gjerë në Amerikë, Dila Gecaj. Për atë, nuk do të ishte i panjohur mjedisi, ku do të jepej shfaqja festive. Kështu, një vit më parë, pikërisht në fundin e dhjetorit 2014, Dila ishte e ftuar nga kjo Shoqatë, bashkë me miken e saj, Lindita Gjoka, gjithashtu këngëtare e njohur shqiptare, në Athinë.
Kur mbërritëm në mjediset e Kinoteatrit të bukur “Blu Sky”, ndër të parët, takuam Dilën. Ajo po përgatitej me kujdes për shfaqjen. Por, megjithëse gjatë jetës ka marrë pjesë në sa e sa koncerte, në pamjen e fytyrës së saj vërej njëfarë emocioni, i përzier me kënaqësinë, se do të këndonte në një mjedis me dhjetëra e qindra bashkatadhetarë të saj, disa të ardhur edhe nga Kosova. Ajo ishte e kënaqur që aty po i takonte prapë pjesëtarët e ansamblit artistik të “Nikaj-Mërturit”, ndër të cilët ishin: udhëheqësi artistik i shfaqjes Prekë Mrishaj, këngëtari i mirënjohur Zef Beka, tri motrat këngëtare Bushi, nga Kosova dhe artistë të tjerë.
Kur kishin dalë në skenë interpretuesit e parë, moderatorja Alma Mehmeti i njoftoi pjesëmarrësit e shumtë në shfaqje, se do të interpretonte këngëtarja Dila Gecaj, e cila një ditë më parë kishte mbërritur në Shqipëri, nga Amerika. Sakaq, salla shprtheu në duartrokitje, duke shprehur kështu kënaqësinë e secilit. Ashtu, si shpesh herë në shfaqjet e saj, ajo kishte veshur rroba të bukura popullore. Alma e përqafoi atë përzemërsisht dhe iu drejtua të pranishmëve: “Tani, këndon Dila Gecaj!…” Sakaq, pranë saj zunë vend vajza kërcimtare, të veshura me rroba të popullore të krahinës. Gjithashtu, përpara shihje disa vogëlushë, me rroba popullore, që e shoqëronin atë, me lëvizjet e tyre të shkathëta.
Kënga e parë, që interpretoi Dila, mbante titullin “Isha i ri, kur u mërgova”. Prandaj çdokush, që e dëgjoi atë, përjetoi emocione të veçanta, ndoshta edhe lotoi, pasi kjo këngë u kushtohet qindra e mijëra djelmoshave, të cilat ndër vite u detyruan t’ua kthejnë shpinën prindërve ose nuseve, Atdheut të tyre e të marrin udhët e botës, për një jetesë më të mirë. Me duartrokitje të forta u shoqarua kënga tjetër e saj dhe mjaft e njohur, “Bishtalecat palë-palë”. Me interpretimin e veçantë dhe timbin e bukur, Dila bëri që dikush të shprehej: “Me zërin e saj, po më kujton Luçije Milotin…”. Ndërsa të tjerë uruan, me dashamirësi e vlerësim për të: “Të këndoftë zemra, Dila Gecaj!” Sigurisht, ajo u shprehu atyre falënderime e mirënjohje.
Në fund, shtojmë se kjo këngëtare është edhe vjershëtare. Kështu, emrin e saj e kemi parë shpesh në faqet e shtypit shqiptar, në Nju Jork e Boston, por dhe në Shqipëri e Kosovë. Kohët e fundit, disa vjersha të saj i ka tubuar në librin me titullin “Nuset e gjarpërit”.
Në mbyllje, i urojmë këngëtares e poetes Dila Gecaj, sa më shumë suksese në udhën e saj të artit e krijimtarisë letrare!
Dhjetor, 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Dila, Dila Gecaj, këngëtare të, me motrat Bushi, mirënjohura kosovare…

Kristo Zhakarlliu dhe Çorba e përzier me gjysmë të vërtetë dhe gjysmë gënjeshtra

December 27, 2015 by dgreca

Replikë/
*Çorba e përzier me gjysmë të vërtetë dhe gjysmë gënjeshtre e Kristo Zhakarlliut/
*z.Kristo Zhakarlliu ju këshilloj se ka ardhur koha të thoni të vërtetën edhe të përzënies së familjes suaj nga Greqia në vitet 1940, me qëllimin e mirë që të ndihmoni për zbardhjen e disa ngjarjeve që lidhen me çamët dhe Çamërinë./
Nga Arben LLALLA/
Në gazetën “DITA” e datës 26 dhjetor ishte botuar një shkrim tendencioz i z.Kristo Zhakarlliut me titull: “ARVANITASIT ARISTIDH KOLA DHE JORGOS MARUNGAS”.
Autor i shkrimit na sjellë disa fragmente me gjysmë të vërtetë të përzier me gjysmë gënjeshtër, por gjysmë e vërtetë dhe gjysmë gënjeshtër nuk mund të quhet e vërtetë, por një çorbë e porositur për të keqinformuar lexuesit, për ti dhënë kah tjetër ngjarjeve.
Në shkrimin e tij emigranti i arratisur në vitet 1950, Kristo Zhakarlliu hedh baltë mbi ngjarjet e vërteta që lidhen me të madhin Aristidh Kola. Publicisti i vjetër z.Zhakarlliu mundohet të uli figurën e poetit dhe shkrimtarit Kolec Trabotinit, atij historianit që jeton në Tetovë dhe fjala është për Arben Llallën.
Edhe pse në moshë të thellë Kristo Zhakarlliu përdorë disa metoda të e vjetra duke krijuar përçarje midis miqve e shokëve, por le ti kthehemi ngjarjeve të vërteta.
Është e vërtetë që Kolec Traboini e njohu nga afër pak vite Aristidh Kolën dhe familjen e tij, diku rreth 5 vite, por miqësia e tyre vazhdoj edhe më tej me anë të telefonatave dhe letrave Ju z.Zhakarlliu shkruani se: “familja e Aristidh Kolës ka kërkuar me të drejtë të pushohet të shfrytëzohet vepra e Aristidh Kolës”. Ju po flisni në emër të familjes Kola z.Zhakarlliu? Unë po ju tregoj se këtë e kanë kërkuar institucionet e sigurimit grek dhe jo familja Kola sepse gruaja e Aristidh Kolës, Nansi Kola me dëshirë të madhe qëndroj në Kosovë nga 6-11 shtatori 2004, ku ju bënë të gjitha nderet ashtu siç i nderon shqiptari vëllezërit dhe miqtë. Ishte shtatori i vitit 2004, rreth 30 arvanitas qëndruan në Kosovë me ftesë të Ministrisë së Kulturës, ku midis këtyre arvanitasve ishte Jorgo Gjeru, Kosta Kazaqi, Nikos Panurgjia, Niko Stylos, at Antonio Bellushi, etj. Këta arvanitas të shoqëruar nga Lirio Nushi, Seferina Seriani, dhe familja ime, u pritën nga Presidenti Rugova, nga Kryeministri Bajram Rexhepi, nga Ministri i Kulturës, Behxhet Brajshori dhe shumë figura të larta të Republikës së Kosovës. Institucionet e Kosovës nderuar me Mirënjohje të larta veprën dhe familjen e Aristidh Kolës. Këto Mirënjohje u tërhoqën personalisht nga gruaja e Aristidhit, Nansi Kola. Komuna e Skënderaj e shpalli Aristidh Kolën “Qytetar Nderi”, dhe ky titull ju dorëzuar Nansi Kolës. Për më shumë z.Kristo Zhakarlliu lexo gazetat e kohës dhe librin: “Aristidh Kola dhe Shtypi Shqiptar”, ku me një kërkim të thjeshtë e gjeni në internet në formën PDF.
Arvanitasit dhe Nansi Kola me kënaqësi vizituan shtëpinë muze të Jasharjave ku u bënë homazhe edhe tek varri i komandanti legjendar Adem Jashari. Qëndroj dy ditë në Prizren, ku vizitojë edhe shtëpinë muze të Lidhjes së Prizrenit, të bashkimit kombëtar. Nansi Kola shprehu në media respektin që ju bë veprës së Aristidh Kolës dhe asaj gjatë qëndrimi në Kosovë.
Nansi Kola, fëmijët, Ksenia dhe Pano, vëllai dhe motra e Aristidh Kolës, me dëshirë të madhe ishin protagonistë të filmit dokumentar të realizuar në 2004 nga Lirio Nushi për jetën dhe veprën e të ndjerit Aristidh Kolës. Zonja Kola ka dhënë lejen e saj për botimin e disa librave të Aristidh Kolës në gjuhën shqipe. E pra, z.Kristo nëse vërtet familjarët e Aristidh Kolës do të dëshironin që vëllezërit e tij të gjakut dhe gjuhës së shpirtit shqiptarët mos të shfrytëzonin veprën e Aristidh Kolës nuk do merrnin pjesë në këto sa shkrova më lartë. Prandaj në moshë të thellë që jeni unë ju lutem mos u bënë vegël e keqdashësve të lidhjeve shpirtërore të shqiptarëve me arvanitasit, por shijojeni pleqësinë duke vizituar trojet e të parëve në Çamëri.
Në tetor 2010, publicisti dhe poeti Kolec Traboini organizojë një Akademi përkujtimore për Aristidh Kolën, dhe z.Traboini i ftoj të gjithë miqtë dhe dashamirësit e familjes Kola. Kush e pa të arsyeshme dhe ndau pak kohë erdhi në atë aktivitet i cili u mbajt në ambientet e Ministrisë së Kulturës në Tiranë.
Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Aristidh Kolës, në korrik 2014, Muzeu Kombëtar në Tiranë organizojë një konferencë përkujtimore ku ishin të pranishëm miq, shok e dashamirës të Aristidh Kolës. Një rrugë në Tiranë mban emrin e nderuar Aristidh Kola. Dhe mendoj z.Kristo se askush se ka të drejtën të ndali respektin që kanë shqiptarët për veprën e Aristidh Kolës. Përse ju pengon juve dhe atyre që fshihen pas penës suaj në këtë rast vlerësimet që i bëhen Aristidh Kolës dhe familjes së tij?
Ju z.Kristo Zhakarlliu shkruani për atë njeriun që jeton në Tetovë që shkruan për Greqinë se ju paska kërkuar materialet për Jorgo Marungën. Përse z.Zhakarlliu thoni gjysmë të vërtetë dhe gjysmë gënjeshtre edhe në këtë rast? Z.Kristo, bërtisni fortë pa frikë dhe thoni të vërtetën se ai njeri që jeton në Tetovë është Arben Llalla dhe njiheni shumë mirë. Ne, z.Kristo ke folur me dhjetëra herë në telefon, unë njihem me motrat dhe vëllezërit tuaj, sidomos më Leonidhën të cilin e kam patur fqinjë në Selanik 10 vite, njihem me nipin tuaj që është gazetar në Gjirokastër, etj, etj. Largësia ka bërë që mos të takoheshim sepse ju jetoni në Athinë dhe unë ato vite në Selanik. Unë ua kërkova materialet e Marungës me qëllimin e mirë që të dalin në dritë, mos të flenë në bodrumet për ti zënë pluhuri i harresës. Kam folur disa herë me gruan e të ndjerit Jorgo Marungës dhe ajo mu lut që ta lej anash këtë punë sepse sigurimi grek i kishte futur tmerrin në palcë. Z.Kristo Zhakarlliu përse nuk thoni të vërtetën se si vdiq arvanitasi Jorgo Marunga, ose më saktë se si e vranë në spital? Përse nuk keni shkruar asnjëherë se kush e porositi vrasjen e Jorgo Marungës? Ju keni qenë miq të ngushtë, e pra miku i vërtet e mbron mikun edhe pas vdekjes.
Në përfundim z.Kristo Zhakarlliu ju këshilloj se ka ardhur koha të thoni të vërtetën edhe të përzënies së familjes suaj nga Greqia në vitet 1940, me qëllimin e mirë që të ndihmoni për zbardhjen e disa ngjarjeve që lidhen me çamët dhe Çamërinë. Familja Zhakarlliu nuk janë vllah nga Voskopoja, ashtu siç i dimë dhe thonë vetë ata, por janë nga Çamëria. Familja e nderuar Zhakarlliu kishte vëllazëri me shumë familje shqiptare myslimane në Çamëri, midis tyre me patriotin e nderuar Daut Hoxha, babai i historianit Ibrahim D. Hoxha. Familja Zhakarlliu u përzu nga Greqia ashtu siç u përzunë mijëra familje shqiptare myslimane dhe ortodokse. E pra, z.Kristo Zhakalliu bëni mirë të thonë këtë të vërtetë edhe për familjen tuaj, pasurinë që ua sekuestrojë shteti grek, etj. Ju sugjeroj z.Kristo që të ndalni botimet tuaja të përziera në çorbën gjysmë të vërtetë me gjysmë gënjeshtre, të porositura nga dikush tjetër sepse unë e njoh shumë mirë penën tuaj origjinale.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, corba, Genjeshtra, KristiZharakliu

NJU XHERSI- TURNEU I FUTBOLLIT TE VOGEL

December 27, 2015 by dgreca

U zhvillua turneu i 7-të i Futbollit të Vogël në salla të mbyllura në Nju Xhersi/
FC Ulqini, nga Nju Jorku, fituesi i turneut skuadra më cilësore, e cila në përbërje të saj shquhet me futbollista të talentuar, Në vend të dytë, ekipi nga Struga Vllaznimi-1, e cila u dallua për shpirtin e fort të garës dhe ekipi më i disiplinuar/

Nga Beqir SINA – New Jersey/

WAYNE NEW JERSEY : Turneu gjithë-shqiptar në minifutboll për salla të mbyllura “Vllaznimi Soccer Tournament – 2015”, organizimi më i madh futbollistik sportiv i shqiptarëve të Amerikës, i cili kësaj rradhe shënojë edicionin e 7-të në radhë, ishte me të vërtet një sukses i madh i organizatorit të saj dhe ekipeve pjesëmarrese.
Ky eveniment sportiv, i cili organizohet për çdo fund-viti nga “Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane” me seli në shtetin e Nju Xhersit, e themeluar dhe e udhëhequr kryesisht nga komuniteti strugan, por edhe të tjerë, bëri edhe kësaj radhe së bashku 24 skuadra shqiptare, të cilat të ndara në 6 grupe me nga 4 skuadra, luajtën 51 ndeshje në dy fusha në kompleksin sportiv “TurffCity” në Wayne, Nju Xhersi, duke dhuruar një spektakël të bukur sportiv dhe me motive kombëtare.

Moderatori i këtij turneu Faton Arifi

Në këtë turne morën pjesë skuadra shqiptare, nga Tri-Shteshi të përbëra nga futbollistë nga të gjitha trojet etnike, si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Malësia, të cilat garuan me ekipe shumë cilësore dhe me futbollistë të talentuar, pjesëmarrës në disa nga kampionatet në SHBA dhe vendlindje.
K.F. Ana Malit nga Ulqini(Kabil Hoxha, Mirsad Salaj, Edmond Kurti, Arber Dibra, Herodit Sinani, Besart Gjoni, Egzon Kurti) mori pjesë si mysafir special në këtë turne, disa futbollist të saj luajtën në përbërjen e skuadrës FC Ulqini nga Nju Jorku, e cila doli edhe fituese e këtij turneu.
Mikëpritësi skuadra e “Vllaznimit” nga Struga, e cila është organizatore i këtij turneu – garojë kësaj rradhe me dy ekipe, atë Vllaznimi-1 dhe Vllaznimi-2, të cilat i përbëjnë futbollistët që realisht luajnë për skuadrën e Vllaznimit, e cila garon në ligat amatore të futbollit në shtetin e New Jerseyt.
Ceremonia e hapjes së këtij turneu nisi me intonimin e hymnve kombëtare të të dy vendeve, Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë – në prezencën e të gjithë pjesëmarrësve dhe futbollistëve dhe trainerve të tyre.
Udhëheqësit e këtij turneu, Qendra Kulturore dhe stafi organizator(Pajazit Mena – kryetar, Ajri Hoxha, Edip Ramadani, e të tjerët), njëkohësisht dhe promotori i veprimtarisë sportive të futbollit, Klubi Vllaznimi i struganëve, në fjalën e tyre përshëndetëse, thanë se të tilla aktivitete për zhvillimin e jetës sportive të komuniteti shqiptar, gjithmon do të mbeten mjaft të rëndëssishme në jetën komunitare.
Duke hapur zyrtarshit edicionin e 7të , kryetari i Fonditit të Përbashkët Shqiptar të Patersonit, zoti Zylfi Alla, u ka uruar të gjitha skuadrave pjesmarrëse suksesë.
Ndërsa, në emër të Fondit të Përbashkët Shqiptar të Patersonit, zoti Alla, faleminderojë të gjithë ekipet për pjesmarrjjen dhe urojë suksesë, secilit prej ekipeve në këtë turnir kaq të bukur që mbahet për të shtatin vit me rradhë, tha ai.
Në, cilësinë e mikëpritësit, zoti Alla, tha se ndjehem shumë krenar, kur shohë sot rezultatet e punës tonë të përbashkët, duke grumbulluar këtu në këtë manifestim sportiv qindra shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova dhe të gjitha viset shqiptare, të rinjë e të vjetër, sportistë e trainer, dhe artistë, për të garuar dhe për t’u argëtuar së bashku – mbasi ky është edhe qëllimi ynë – i organizatës dhe organizatorit të këtij turneu Bashkimi Kombëtar, bashkëpunimi dhe respekti i madh për njëri tjetrin.
“Të gjithë e ndjemë peshën e madhe, u shpreh ai në kraharor, që na shkakton largësia nga vendlindja, dhe këto organizime të përbashkëta dhe vëllazërore, na bëjnë të ndjehemi më afër atdheut dhe vendlindjes tonë”
Kurse, në rolin e kryetarit të komisionit organizativ të këtij turneu, ka folur Pajazit Mena
“Unë, këtë vitë – u shpreh ai kisha nderin dhe pervilegjin, që të jap kontributin tim për realizimin e këtij turneu, i cili tashmë po merr përmasa shumë të mëdha – Ju faleminderojë, tha Mena, përzemërsisht të gjithëve për pjesmarrjen tuaj, ndërsa një faleminderim i veçantë për bashkë-puntorët e mi, stafin organizativ dhe “Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane”, me gjithë anëtarësinë e saj, pa të cilët kjo festë sportive mbarshqiptare nuk do të ishte bërë e mundur”.
Në emër të organizatorit të këtij turneu, Pajazit Mena, iu lut pjesëmarrësve të jepnin kontributin e tyre në këtë turne, për mbarvajtjen e tij – duke respektuar rregullat, dhe njëri tjetrin – respektuar punën e bërë deri tani, që kjo festë e madhe sportive gjithëshqiptare, të jetë sa më e suksesshme, nënvizojë, ai.
Para fillimit të turneut ndërsa ekipet po përgatiteshin për garat, organizatorët vendosën disa pika muzikore me kenge shqiptare.
Midis një përzgjedhje me këngë me motive patriotike , ato kuq e zi, ishte edhe kënga e Rock-starit strugan në SHBA – Haxhi Dauti, këngëtar i komunitetit shqiptarë në SHBA , kënga e tij ” Një Flamur dhe Një Shqiponjë “, e cila u bë pjesë e turneut – të minifutbollit në salla të mbyllura “Vllaznimi Soccer Tournament – 2015”, dhe ka qenë e tillë edhe në Sheshin Nena Tereze në Tiranë , në kualifikimin Francë Euro 2016 të kombëtares shqiptare .
Më pasë nisën takimet në grupe: ku 24 skuadra të ndara në 6 grupe me nga 4 skuadra secila luajtën në mes tyre me sistem eleminimi me nga 15 minuta për çdo ndeshje. Gjithësej u zhvilluan 51 ndeshje, përfshirë ato në Gjysmë-finale dhe dy në Çerek-finale, dhe takimi Final.
Në grupin A : luajtën Vllaznimi 1 – Korabi NY, Struga, Flamurtari FC – Grupin B: NY Force, Vllazinimi 2, Butrinti dhe Besa- Grupi C: United Albania, Ana e Malit, Tuzi Kafe dhe Plisat.Në grupin D: Ulqini, Koha, Vllaznimi U17/18 dhe Koroshishta – Grupi E : Ballkan FC, Kraja 2, Atlas, dhe PR Pizza, dhe Grupin F: Kraja, Muriçi, Rumija dhe Mezzeluna.
Në mesëpushimin e turneut organizatorët zhvilluan një ndeshje simbolike mes fëmijëve shqiptarë nga shkollat e futbollit U/10, e cila ka entusiazmuar spektatorët e pranishëm, nga loja e tyre me një spektakël që u dhuruan fëmijët shqiptarë.
Më pas me disa pika artistike, nën kujdesin e Argëtim Feratit dhe Xhemal Bekteshit, doli në fushë grupi i këngëve dhe valleve, i cili interpretojë pika muzikore me motive kombëtare shqiptare: “Valle Tradicionale shqiptare”, nga vallëtarët e grupit të këngëve dhe valleve shqipe Nju Xhersi, “Këngë për flamurin” këndojë Erzana dhe Eranda, “Vallja e Drenicës” u egzekutua nga grupi i valleve Qendrës Shqiptaro Amerikane – Nju Xhersi.

Mbas takimeve në grupe, u kalua në ndeshejt 1/16, në Gjysmë-finale kaluan 8 ekipe, të cilat u ndeshën në mes tyre, me sistem eleminimi në bazë rendtijes,.

Në Çerekfinale, u ballafaquan ekipet e Tuzi-Kafe me Vllaznimin-1, të struganëve, kurse Ulqini luajti kundra skuadrës Butrinti, ku si Vllaznimi-1 dhe Ulqini – u kualifikuan me fitoret 2 me 1 dhe 3 me 1.

Në finale luajtën Ulqini i ulqinakve me Vllaznimin-, të struganëve, mbas 30 minutave lojë, rezultati ishte i barabartë me nga dy golat e shënuar për secilin palë, dhe u deshën penalltitë për përcaktimin e fituesit të kupës së këtij turneu.
Ulqini, përfundimisht është fituese e këtij turneri – mbasi ajo u dallua si skuadra më cilësore e cila në përbërje të saj luan me disa futbollista të talentuar. Ajo luajti të gjitha ndeshjet e saj me këtë formacion : Herodit Sinani, Suad Gjeka, Arber Dibra, Eldin Lekpervukaj, Dardan Salaj, Taulant Salaj, Arben Lekprelaj, Ronaldo Rudaj, Cufo Palaj, Edmon Kurti, Bledar Kovaçi, dhe trainer Albert Salaj.
Ndërsa, vendin e dytë e mori skuadra Vllaznimi-1, e përbër nga futbollistët: Adem Isa, Dashmir Shazimani, Veton Kaba, Erblin Rramani, Egzon Zhuta, Ibrahim Delaj, Sali Vlashi, Krenar Alimi dhe Kreshnik Alimi,
Mbas takimit final mes Ulqinit dhe Vllaznimit-, u shënua edhe mbyllja e këtij turneu me ndarjen edhe të trofeve, të cilat ju dhanë ekipeve përkatëse dhe lojtarëve respektivë. Ato ua dorozojë, Pajazit Mena, Ajri Hoxha dhe Edip Ramadani, në emër të organizatorit.
Futbollistët e skuadrës FC Ulqini, me trainer Albert Salaj u nderuan me kupën e turnirit, kurse golashënuesi më i mirë u shpallë sulmuesi i Korabit NY, ndërkohë, futbollisiti më i mirë Edmond Kurti, dhe portieri më i mirë i Turneut 2015, u shpall uqinaku Cufo Palaj.
Duhet cekur se ky eveniment sportiv, është në rritje dhe po zgjon interesin shumë të madh tek komuniteti shqiptar në SHBA, tek të rinjët, madje, ai ka mbështetjen edhe të qytetit, policisë lokale, kompleksit sportiv, organizatave dhe shoqatatve, veprimtarve dhe mediave shqiptare në Amerikë.
Skuadrat e 24 ekipeve të komunitetit shqiptarë, që përfaqësojnë vendlindjen e tyre – pra vendorigjinën e këtyre futbollistëve, prej nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, të nxitura edhe nga sportdashësit e shumtë shqiptarë, kanë shprehur vetëm fjalë miradie ndaj organizatorëve të veprimtarisë më të madhe sportive të vitit në komunitetin shqiptarë.
Moderatori i këtij turneu Faton Arifi (gazetar), tha se “duhen faleminderuar për këtë organizim mjaft cilësor sportiv, organizatorët, e këtij turneu, madje, ky turne, sipas tij, i tejkalon kufijtë e një gare sportive dhe ka kuptim dhe efekt shumë më të gjërë dhe më të rëndësishëm edhe në aspektin tonë kombëtar”.
Me këtë rast një faleminderim i veçantë, Arifi përcolli edhe për oficerin e policisë Lirim Kaba – i shquar për mbajtjen e rendit dhe qetësinë në mbarvajtjen e këtij turneu – që është i vetmi dhe më i madhi në komunitet.
“Ju jeni Shqipëria Etnike, ëndrra e çdo shqiptari! Vëllezër e motra – kjo është Shqipëria e së ardhmes tonë në diasporë, Shqipëria, Kosova, Malësia, Presheva, Illiriada dhe Çamëria,” tha moderatori i saj Faton Arifi, në mbyllje të këtij turneu, duke shtuar se “ Ky turne i organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptaro Amerikane dhe Vllaznimi i struganve, në Nju Xhersi, meriton respekt dhe mirënjohje të madhe , sepse është ky eveniment shumë më tepër se një organizim sportiv, madje është, tha ai, një mesazh i fuqishëm për vendet tona, për vet ne shqiptarët e Amerikës ; ne duam Bashkim – ne mundemi Bashkë dhe ne do të jemi gjithmonë Bashkë – kjo është edhe vlera e jonë “.

Filed Under: Sport Tagged With: Beqir Sina, Nju Xhersi, turneu i futbollit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT