Nga Shefqet Kërcelli/
Në zbatim të detyrës së Ministres së Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, për promovimin e aktivitetit të Forcës Detare dhe thithjen e kontigjentit të detarëve profesionistë, Komanda dhe Shtabi i Forcës Detare kanë hartuar një program të vecantë, ku përfshihen vizita në anije, takime e biseda me detarë të vjetër, etj. Konkretisht paraditen e datës 21 dhjetor 2015, pjesë e këtij promovimi ishin një grup maturantësh të shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Fillimisht nxënësit e kësaj shkolle u pritën në molin “0” të portit të Durrësit nga Zv/Komandanti i FD, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra dhe kuadro të anijeve “Iliria”, “Lissus” dhe Motovedetës heroinë të FD, R-118. Mbasi urimit të mirëseardhjes zoti Agastra i shpjegoi vizitorëve detyrat kryesore që kryejnë anijet tona në det, operacionet humanitare dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë, cfarë përfaqson profesioni i bukur i marinarit, anijet në përdorim të FD, që nga MV,R-118, anija “Iliria”, “Lissus” deri tek anijet më të shpejta për luftën kundër trafiqeve detare, “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Më pas maturantët e “Ismail Qemalit” zhvilluan një lundrim në gjirin e Durrësit me anijen “Lissus” ku u njohën jo vetëm me bukuritë e gjirit të Durrësit, por panë dhe punën direkte të detarëve tanë nëpër poste luftarake. Zonja Aida Nova, nëndrejtoreshë e Shkollës “Ismail Qemali” u shpreh e entusiazmuar për këtë eksperiencë të re bashkëpunimi mes shkollës dhe Forcës Detare. Ne kemi zhvilluar aktivitete me komunitetin dhe shoqata të ndryshme, por ky i sotmi është tepër mbresëlënës shpjegoi zonja Nova. Ndërsa zonja Desara Karaj, mësuese kujdestare, ndërkohë dhe studjuese e historisë, u interesua për traditën dhe Historinë e Detarisë së Popullit Shqiptar, të cilën e pa të zgjeruar tek libri “Antologji e Detarisë Shqiptare”. Në vijim të lundrimit djemtë dhe vajzat maturantë vec fotove të shumta në anije dhe detit të paanë, shprehën dëshirën që mbas studimeve të arësimohen në shkollat e detarisë brenda dhe jashtë vendit. Maturantët Ambra Shehu, Jurgen Lubonja, Amarildi Tomorri, etj, provuan uniformën dhe kapelen e marinarit në urën e komandimit të anijes. Duam të bëhemi kapitenë anijesh! thanë këta të rinj. Mirë, mirë, por më parë duhet të jesh marinar! tha dikush tjetër. Kështu për mëse tre orë, ky grup rinor provoi ndjesitë, ëndrrat dhe emocionet që të dhuron zanati i detarit. Ne jemi popull detar dhe më këto aktivitete ne i zgjojmë ëndrrën dhe dëshirën të rinjve tanë që të kualifikohen e trajnohen për tu bërë pjesë e Flotës sonë Tregëtare ose Luftarake. Kështu tradita e detarisë shqiptare do jetojë në shekuj. Ky ishte dhe mesazhi i këtij aktiviteti mbresëlënës
Archives for December 2015
Kosova, të gjitha rrugët drejt BE-së
-Mustafa: Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë obligime që të barazohet standardi me rrugët evropiane/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot angazhimet e qeverisë që ndërtimi i infrastrukturës të bëhet si pjesë e krijimit të kushteve për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe barazimit të standardeve të rrugëve dhe hekurudhave kosovare me ato që i kërkon Bashkimi Evropian.
“Ne po vazhdojmë procesin e integrimit dhe të hapjes së të gjitha rrugëve për integrim në në Bashkimin Evropian. Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë obligime që të barazohet standardi i rrugëve me rrugët evropiane”, u shpreh ai.
Në këtë drejtim, bëri të ditur kryeministri Mustafa, po punohet edhe në dy autostradave, në vazhdimin më tej të rrugës së kombit të ndërtuar nga Durrësi në Prishtinë, në pjesën e mbetur deri në Merdare, dhe të rrugës për në Shkup.
“Kemi përgatitur të gjitha dokumentacionet dhe po ashtu kemi siguruar fondin për rikonstruimin e hekurudhës, me përkrahjen e Bankës Investive Evropiane, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Komisionit Evropian. Është një shumë prej 160 milionë euro, që është destinuar për të”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa foli në një përurim sot në mesditë në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, të segmentit Milloshevë – Stanofc.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se përurimi i rrugës në këtë segment është vetëm njëra nga projektet e mëdha infrastrukturore që janë kryer gjatë këtij viti.
“Nga Buxheti i përgjithshëm, prej 175 milionë euro, 131 milionë i kemi pasur investime kapitale, ku një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për projektet e vitit të kaluar, natyrisht tani kemi filluar edhe me projektet e reja”, tha ai.
Gjatë vitit të ardhshëm, paralajmëroi ministri kosovar i Infrastrukturës, do të jenë afër 100 projekte të reja infrastrukturore në mbështetje të komunave, vlera e përgjithshme e të cilave është afër 80 milionë euro.
Dy fjalë për nënën time!
Miqtë e mi !
Dje u takova me dhimbjen e thellë që më shkaktoi ndarja me njeriun më të shtrenjtë të jetës time Nënën.
Fjalët nuk i gjej dot mes dhimbjes e dashurisë për Ty nënë.
Kujtimi për Ty do më shoqërojë çdo ditë të jetës time në përpjekje për t’iu afruar modelit te karakterit tuaj për të mbushur boshllëkun që më krijove me largimin tënd,duke u bërë më miqësor, më mirënjohës,më i matur, më bujar,më i arsyshëm dhe suksesin ta kërkoj mbi to.
Kjo ka qenë dëshira jote, edukimi yt.
Largou e qetë se do të jesh busulla Ime në jetën time dhe në trashegimninë time për fëmijët e mi.
Lamtumirë mamaja Ime.
U prehsh në paqe nëna ime e dashur.
Miqtë e mi !
Dua të shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë ata që respektuan dhimbjen time në këtë ditë të rëndë për familjen time.
Mirënjohje të thellë z.Lulzim Basha për nderimin që më bëri,
Mirënjohje të thellë për emocionin që morën nga kjo dhimbje z.Uran Butka, z.Simon Miraka,z.Klement Zguri, z.Eno Bozdo,z.Çelo Hoxha,z.Nebil Çika,
Mirënjohje të thellë për gjithë miqtë dhe bashkpunëtorët e mi të ngushtë z.Xhemal Shkiau,z.Aleko Gjergo,z.Tomorr Gostivari,z.Besnik Troplini,z.Gent Horieti,z.Gjyri Shehu,z.Nustret Nela,z.Korab Ndreu,z.Suri Damzi,z.Albert Baho,z.Edi Belishova,z.Kujtim Shpata,
Mirënjohje për mesazhet e ngushellimit të z.Fatmir Mediu,z.Arjan Madhi,z.Maks Begeja,
Mirënjohje të thellë nga miqtë që ndajmë të njëjtat bindje politike për mesazhet e tyre nga
Zvicra ,Kosova,Maqedonia,Amerika,Gjermania,z.Arber Gashi,z.Zydi Xhelili,z.Agim Curri,z.Mehmedali Jashari,z.Musi Jonizi,z.Xhemajl Tupalla,
Mirënjohje të thellë për ata që do mbeten gjithmonë në mëndjen time si pjesëmarrës në varrimin e saj.
Mirënjohje për çdo mesazh ngushëllimi që ka ardhur dhe do të vijë.
A. Roshi
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit
Portret për Nënë Terezen/
Nga Anton Çefa/
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave më të ndryshme filozofike për qëllimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nënë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bëri ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e këmbës së saj të zbathur.
Ajo krijoi një urdhër fetar, që u shtri mbi njëqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për më të varfërit e të varfërve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisurit. Kjo është vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo më rëndësorja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, është ngrehina madhështore e tempullit shpirtëror të dashurisë e të vëllazërimit në kraharorin e gjerë të njerëzimit. Kjo është vlera më universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e brendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Promete, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nënë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton një Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet më parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nënë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit kristian: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për të vlerësuar veprën e saj, mbretër e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj një mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë më mirë se kushdo – i dhanë titullin më të madhërishëm Nënë. Nga një “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u bë Nënë e të gjithëve, Nënë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e një Nëne të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza është një vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo është diç më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lëndë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nënë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.
Kur dibranët luftonin kundër serbëve
NGA QERIM LITA/
Kryengritja e Shtatorit të vitit 1913 (e cila fillimisht shpërtheu në Dibër, që më pas të shtrihet në mbarë brezin kufitar Ohër-Strugë-Dibër-Gostivar-Prizren), në kohë të fundit ka zgjuar një interesim më të madh tek studiuesit shqiptar e më gjerë, të cilët përmes disa Konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare të organizuara në Dibër, Strugë e Ohër, kanë arrit të hedhin dritë mbi atë ngjarje me peshë historike. Mirëpo, sado që në ato konferenca, studiuesit përmes punimeve të tyre studimore, ofruan shumë fakte dhe të dëshmi të panjohura për opinionin shqiptar e më gjerë, megjithatë nuk mund të thuhet se u arrit zbardhja e tërësishme e asaj Kryengritje. Nisur nga kjo, e pash të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare të Shkupit “KOHA”, të botoj një dokument shqiptar i pa botuar deri më sot, në të cilin ofrohen disa të dhëna të reja jo vetëm për Kryengritjen e Shtatorit të vitit 1913 por edhe për Kryengritjen anti-serbe të viteve 1920-22 në Krahinën e gjerë të Dibrës e të Lumës, që në historiografinë shqiptare njihet si Kryengritja e Drinit. Dokumenti është i shkruar me dorë, ku nuk figuron as data e hartimit dhe as autori, mirëpo shikuar sipas përmbajtjes i njëjti është hartuar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, nga Ismail Strazimiri, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në të dy kryengritjet. Dokumenti, gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, Fondi “Ministria e Tokave të Liruara – 1941-1944”, dosja 25. I njëjti botohet në formë origjinale.
. . .
“Si kuer se, do ta shifni në fotografi qytetin Historik Dibrën e Madhe e cila si në kohë të Skënder Beut ashtu dhe në kohën e fundit më 912(bëhet fjalë për vitin 1912 – Q.L.) si marshonin ushtriet Serbe mbi Shqipni ndeshen në luftime të rrepta ku ma pastaj lufta zuni vend në grykën e vogël ku vazhdojë 3 (tre) muej me radhë, natyrisht Dibranët u thyen se, ishte përpara nji ushtris qi then gardhat e frontevet të mbretnis Otomane e jo të qindronin ato n’at dimën me ka nji rup me municijon, por me gjithë të mehtat e ushqimit munocjonit e fuqis prap mujti me qendrue tre muej me radhë, e nuk i lanë kalorsit Serb m’u hedhë nëpër kualë e me zaptue tokën Shqiptare kot. Pra prap më (1)913 u fillue lufta në fushën e Alisë (qark i Dibrës Vogël) e mandej tue u ndie zani “a besa besë” bura e gjin u zgjanue revulucjoni nëpër tanë qarkun e Dibrës Vogël dhe në gjith t’asaj Dibrës Madhe ku me luftën e bamë më 48 orë pa pre ju arit qytetit Dibrës Madhe, ku paria dhe shumë burra të zgjedhun ishin marrun prej Serbëve nën vuajtje (zënë rob – Q.L.) në kohën kur lufta po zgjanoheshe, mbasi Serbët e panë se, luanët e Gjergjit të I-rë po i afroheshin qytetit, i muarën parinë dhe burrat trima të Dibrës për m’i gri në mitralioz tue gjumue topat dhe krismat e mitralizovet si dhe pushkët e Shqiptarvet u dha urdhën prej komandantit qi të ekzekutohet…. si qenë ata të rrethue dhe mitralozi filloj kundrejt tyne, u dha britma “a besa besë me dorë burra” u zgjidhën si luanat prej kufomavet dhe ju turrën ushtarve Serb kujt u muerrën pushkën e kujt revolen .. dhe filloj lufta dhe në qytet, tue mbet të grim nga patarja: Sheh Mumini, Sadulla Strazimiri, Ramiz Beu, Safet Beu… dhe shumë të tjerë, dhe të tjerët që murnë mjetet luftarake në dorë filluan luftën kundra Serbve, dhe britma e besës po tingëllonte në çdo shtëpi e lagje qi kështu zani i gjith popullsis që përbante prej 30,000 frymësh tue bërtitë burra me spata e me thika binuni Serbvet. Zani këmbonte si kambana e Katedralës Romës, mbas dy orë lufte u rethue tan qyteti prej luanash qi vishin prej s’jashtmi dhe të gjith topat, mitralozat e nji shumica 300 ushtarë Serb ngelën të robnuem, e mandej u muerr pjesa tjetër deri afër Resnjës (Manastir e deri nhymjet Tetovës). Dhe ushtarët e oficerët Serb qi u robnuan ndër të cilët shumica ishin të plagosun mbasi u banë kushtet ma të mira si spitalë u vendosën duke ju siguruar të gjitha mjetet si i meritojnë spitalet ndërkombëtare për shërimin e tyne.
E pra kundrejt barbarizmavet Serbe, Shqiptarët qi i akuzonte Serbi si të tillë ju afruan atyne shëndetsinë ma njerzore qi ata ndoshta nuk e kishin pamun në ata shtete moderne qi kishin luftue e ja Shqiptarët qi n’at kohë organizoheshin me anën e nji Komiteti. Bamirsinat qi panë të plagosunit dhe të robnuemit besojmë edhe sod nuk do t’i ken harue…, kur vetë ata e pohonin se, me të zanun rob kishin kujtue se Shqiptarët kan me i grië, por ma pastaj ju doli e kundërta sa habiten në bamirsin dhe besnikrin Shqiptar. Dhe më pastaj kur shpërthej lufta 14 dit me radhë, munycjonet munguhen, ushqimi mungonte mbasi luftat u larguen nga 100 km (gjatësia e frontit 100 km. -Q.L.). Dhe n’atë kohë nuk ekzistonte nji Qeveri Shqyptare ose nji organizatë qi të kujdesesh për të sigurue nji municjon dhe ushqimin, me gjith që, Serbët sollën nji ushtri prej 70.000 vetash mbas dy luftimevet të rrepta e mbas nji damit që mbetën të vramun, shumica e Shqiptarëvet të cillët kishin frontin prej Gostivarit e deri në Petrine të Manastirit pa pasun asnji top ose mitralioz si dhe mjaftë fishekë për pushkët e tyne u – thyen tue u tërhekë nëpër malet e Matit e të Lurës, masandej në Dibër kush u gjet Shqiptar mbeti i therrur dhe tanë ajo pasuni u grabit prej Serbvet, sa që dhe sod sexhadet e gjanat ma kalitativ gjinden nëpër shtëpijat e oficervet Serb qi u ndodhnë në garnizonet e athershme, dhe katundet e bukra e të begatshme si u dogjën krejtsisht fusha e Dibrës Madhe e asaj të Voglës si dhe katundet e fushës Kastriotit deri afër Lumës u banë hi dhe gërmadha. Popullsia e qarqeve të Dibrës gjetën streh e lëmosha vllaznore të Elbasanit e ma tepër tek Tiransit, ku edhe Dibra duhet t’jet mirënjoftës përpara edhe Tiransit. Pastaj mbas nji kohë të shkurtun u lirue kufini i 1913-tës ku popullsia ma e shumta u kthyhen nëpër gërmadhat e tyne duke mbulue ka nji kasolle sa me jetue e me shpëtue prej shiut e dëborës. Më (1)915 kur Esad Pasha dash të shtynte rebelët, dhe n’at kohë Serbët e lejum prej Esadit, ndodhën në luftë me Dibranët por mbasi çan këtu nji rrugë lufta nuk zgjati shumë. Kur më (1)918 Serbët e kthyem prej luftës madhe, t’armatosun e ma shovenë nuk dojshin kursesi me u tërheqë në kufinit e 913-tës, më 1919 Komiteti i Arrasit i dërgoj nji Memorandum Komandantit të ushtrivet Serbe në Peshkopi për lirimin e provincës Dibrës në bazë të kufinit (1)913-tës të njoftun prej Kësh. të Ambasadorvet, Komiteti kërkonte nji gjegje a lirimin ase luftë, Komandanti u tall dhe as gjegje nuk i dha. Komiteti mbasi priti të mbushet afati i caktuen në memorandum mandej filloj të realizojnë në të katër anët allo, allo, as nji telefon nuk gjegjesh mbasi ishin këput, asnjo fuqi me t’jetrën s’mereshte vesht, e kështu mbas planit të Komitetit ku ishin 600 ushtarë shkuenin 150 Shqiptarë e kështu në nji luftim 10 arësh fuqija e përbame prej 30.000 urtarësh Serb të forcuem nëpër këndet ma strategjike e me gjith at alamet topash e mitralozash mbasi shumica u vranë, pjesat tjera ranë rob në dorën e Shqiptarit, dhe luftat ma të rrepta njgjanë në katundet e Kr. Trojakut dhe në katundet Berzhdan, …., …. e Pollozhan sa memzi ka shpëtue Komandanti me disa autoritete civile tue lanë rrugën mbasi qe preme xhadeja e Dibrës Madhe kapërcehen prej malit Skërtacit për Gostivar. Dhe pjesa e robnueme bashkë me 10-12 oficera të mbëdhej u dërguen në Tiranë, mbasi shumica qe vra në luftë ku Drini n’at ditë mori ngjyrë të kuqe prej gjakut. Shqiptarët, si kurse, ja – u kishin njoftue dhe në Memorandumin që u përmend ma sipër s’kishin për qëllim me kapërcye kufinin e (1)913-tës me gjithë se n’ato ditë u çliruen Dibra Madhe, Gostivari dhe të t’jera qytete dhe tue ja u dorzue administrimin shqiptarvet atjeshëm dhe mandej mbasi e panë se, shqiptarët me të vërtetë respektonin traktatin ndërvendas – u qetsuhen duke u kthye prej Shkupit e Manastirit nëpër vendet e tyne. Por dhe kjo nuk u kërkohej ma se, 13-14 ditë kur qeverija Serbe e- cila ka zanun vendin e Austro-Hungaris vjetër solli 70.000 ushtarë nji ushtri me të gjitha mjetet qi i lypsin nji ushtris s’atillë dhe filloj lufta përsëri ku mbas tre ditë e tre netë Shqiptarët mbasi nuk patën ndihmë prej asnji vendi të Shqipnis (mbasi atherë nuk ekzistonte nji Qeveri kaq e fortë dhe me rregull si kjo e sotshmja) u shtrënguen m’u tërhekë po si n’at (1)913 -tës duke i dërgue gra e fmi e pleq në Tiranë, dhe pjesa e trimavet qi luftonin zunë malet e Bulqizës, Lurës e Martaneshit me mos e lejue ushtrinë Serbe me ja arrit Tiranës e cila kish lakmi të shtrihet deri në Durrës, kjo defanzivë vazhdoj duke luftue me Serbët deri me 11 Dhetuer të vitit (1)922, q’u prapsën Serbët prej fushavet të qarqevet Dibrës deri në kufinin e (1)913-tës. Luftat qi vazhduen mbrenda dy vjetvet qenë aq të rrepta sa fuqija e 70.000 vetvet nuk munte të shkatronte atë 10-12 mi vetësh të shqiptarvet të cilët ishin të bindur se, për atë se, m’byt në detin e Adriatikut s’kishin vend tjetër nga kjo ishte një ide e preme që a lirin e (1)913-tës ase vdekja e të gjithvet. Duhet t’a dinë plaçkitsit se, në këta dy vjet Shqiptarët si vullnetarë që ishin të zhveshur e të zbathur në borë e në shi a n’ata male të nalta si dema në dimnat e me bukë misri e dy kokra kryp u-bajshin ball artilerisë moderne të ushtrisë Serbe si mizëria e madhe e lanë m’u e duk prej artës Shqipnis kombin e tyne duke e lëshue përfund dëshirën e Serbve qi deshin m’u ulun deri në Durrës e në Shëngjin. Kjo qe nji shkurtim i vogël i ngjarjevet Kombëtare të popullsisë Dibrës, se ma vonë do të shtypet nji libër
- « Previous Page
- 1
- …
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- …
- 94
- Next Page »