• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

NGJYRA BEFASUESE NGA ATJONI: FËMIJA I RRITUR, I RRITURI FËMIJË…

December 19, 2015 by dgreca

– Ekspozitë me piktura në Universitetin “Polis”/
Në Universitetin “Polis”, në sallën MAD Center, u hap një ekspozitë me piktura të Atjon V. Zhitit, punime spontane të fëminisë së tij dhe të adoleshencës, nën kujdesin e kritikut të artit, studiuesit të njohur Profesor Gëzim Qendro.
Ishin mbledhur njerëz të shumtë, studentë, miq të Atjonit nga Tirana dhe nga universitete të ndryshme të Europës, dashamirës të artit, shkrimtarë, botues, gazetarë, edhe nga Kosova, edhe nga SHBA-ja, ku nën meloditë e një kuarteti harqesh admironin dhe diskutonin për çudinë e ngjyrave të Atjonin, gjithë freski e befasira, ku fantazia përzihej me gjendje estetike, që përftohen nga një art i çiltër, të një si fillimi pa mbarim, edhe pse fati tragjik e ndërpreu jetën e autorit një vit më parë.
Mirseardhjen gjithë të pranishmëve ua dha njëri nga themeluesit e këtij universiteti, z. Besnik Aliaj, i cili ndër të tjera tha se ndjeheshin të gëzuar për një ekspozitë të tillë, së pari Atjon Zhiti e meritonte, ai na përcjell një botë të veten, sa rinore, po aq dhe të arrirë.
Kurse kuratori i ekspozitës, Prof. Gëzim Qendro, shtjelloi se për të ishte vërtet një zbulim kjo pjesë tjetër e talentete që shpalos Atjoni. Pas botimit të një libri me ese filozofike, “Per atë që dua(m)”, ky student,në çantën e të cilit si rrallëkush gjeje libra të shquar të emndimit, klasikë e modernë, na zbraz ngjyra, pas të cilave fshihen ndjesi dhe ide apo thjesht një emocion, që e tejkalojnë moshën, ose janë të pa moshë. Ekspozita nuk është thjeshtë një grumbull pikturash, por etapa të një ecjeje e preokupime të mënçura rinore, arritje plot domethënieje. Edhe studiuesi e shkrimtari Uran Butka, i cili merret dhe me ngjyrat, shtoi se e çmonte këtë ekspozitë, gjithë trille e ngrohtësi.
Në një stendë të veçantë ishin vendosur dhe disa libra, që në ballina kishin vizatime të Atjon Zhiti, kurse sipër tyre në një korrnizë të madhe ishte vendosur një ese, e gjitha si një poezi, që pikëzonte gjetjet dhe arritjet, vlerat artistike në pikturën e Atjon Zhiti, që kritiku e titullonte “Kutia me xixëllonja”.
Ndër të tjera aty lexojmë:
1- “Një kuti me xixëllonja. E lënë nxitimthi në ikje e sipër atë praggjëme që pikëlloi shumëkënd. E mbetur diku, gjysmë e përmbysur mbi barin e kopshtit të magjepsur të fantazisë së tij. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
2- Demiurg I plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar…
3- Është pa vend të rrëmosh në këtë rast për strategji të mirëfillta artistike pasi pikturat e një fëmije e kanë vlerën pikërisht në drejtpërdrejtshmërinë e pikturimit, freskinë e gjurmëve të imagjinatës së harlisur dhe në çlirimin e plotë nga pesha e traditës. Është çarja e guximshme e koracës së botës së dukjeve, përpjekje për të kaluar me natyrshmërinë e fëmijës në botën numenale përmes ndjenjës…
4- Si të gjithë pinjollët e racës së krijuesve Atjoni nuk doli kurrë nga kopshti i magjepsur i fantazisë së tij. Si fëmijë i çuditi të rriturit me sigurinë dhe fjalët e pjekura, si i rritur i habiti me spontaneitetin dhe pastërtinë e fëmijës. Ai kopsht ishte bota e tij të cilën s’mund t’ia merrte apo përdhoste askush, ishte profilaksi shpirtërore dhe strategji mbrojtjeje nga çmendina jashtë tij ku shkelet pa mëshirë çdo gjë me vlerë…
Këto janë vetëm xixëllonjat që arritëm të mbledhim. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
Ekspozita u mirëprit nga të gjithë dhe do të jetë e hapur edhe dy javë të tjera. Aty do të zbuloni më shumë nga Atjoni, por dhe nga vetja. E gjithë është ndjenjë, janë ngjyrat e saj, pa të cilën nuk jeton as mendimi, por as dhe bëmat. Ne jemi ajo që bëjmë.

Nga i Dërguari Ynë

Filed Under: Kulture Tagged With: - Ekspozitë me piktura në Universitetin “Polis”, Atjon Zhiti

METEORI I PUBLIÇISTIKËS SHQIPTARE

December 19, 2015 by dgreca

“Brezat e ardhshëm i japin secilit nderimin që meriton”-TACITI/
Shkruan Eugjen Merlika/
“Jeta e të vdekurvet qëndron në kujtesën e të gjallëve”, shkruante në “Filipiket” e tij oratori i shquar romak, Ciceroni, më shumë se dymijë vjet të shkuara. M’u kujtua kjo thënie kur mora në dorë, për të satën herë, librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)..”.
Kaloi një vit nga ai mëngjes i kobshëm i 20 dhjetorit të këtij viti, që ndërpreu papritmas jetën tokësore të një djaloshi të hijshëm në pamje, të ëmbël në bisedë, të urtë në gjykim, të zjarrtë në ëndërra e ideale…. Mbas një viti jemi përsëri në prag të festave, edhe se atë djalosh nuk e kemi më në mesin tonë, sepse e priste një tjetër mision diku, sipër nesh, në dritën e pasosur… Në vënd të Tij kemi këtë libër, që shoqëron dhimbjen tonë, duke e shumfishuar sa herë e lexojmë, jo vetëm për plagën që nuk ve kurrë kore, por edhe për mendimet që na ka lënë : një radiografi e Atdheut, me entuziazmin e djaloshit student dhe gjykimin e plakut të thinjur, me mallin e birit të larguar dhe rreptësinë e gjykatësit të paanshëm.
Atjon Zhiti hyri në shtypin shqiptar me një shkrim befasues : “A jemi gati për atë që duam?”. Nuk ishte shkrimi i parë i Tij, ishte botimi i parë, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Mes dy pyetjeve që nisin dhe përfundojnë përsiatjen e djaloshit, i cili prej pak muajsh kishte filluar të studjonte filozofinë në Universitetin Katolik të Milanos, shpaloset në një stil tepër të përkorë, analiza e një vëzhguesi të imtë, të saktë e shumë objektiv. Nuk është vëzhguesi i paanshëm që sodit me ftohtësinë e të painteresuarit, duke zbuluar plagë, dobësi, mangësi e shkruan një reportazh që ngjall diskutime. Është një kirurg që merr bisturinë dhe e përdor me dhimbjen e birit, i cili sheh lëngimin e nënës e përpiqet t’a shërojë. I jep asaj gjithë dashurinë e Tij, por e di që ajo vetëm nuk mjafton, ashtu siç nuk mjafton edhe të ndenjurit në hije, të jetuarit me t’ardhurat e së shkuarës, sado e pasur të ketë qënë në bëma të mëdha e fisnike. Thika hyn thellë në kurmin e popullit të Tij, duke zbuluar me dhimbje se ai, historikisht e deri në ditët e sotme, kur është kthyer në një “rrethinë” të qytetit të stërmadh të globalizuar vazhdon të mbetet “prè e nepotizmit, e korrupsionit …. , e një demokracie fiktive, shpesh të munguar”. Kjo gjëndje lëngate i ka vrarë kundër trupëzat që luftojnë sëmundjen dhe autori vë re se ballafaqimi me popujt e tjerë, në të njëjtat kushte, nuk qëndron. Por nuk jepet, sepse e don popullin e Tij e gjen zgjidhjen në “një kryengritje morale të vazhdimtë”. Është një recetë, më shumë e studentit të filozofisë se sa e atij të politikës, por mbetet gjithmonë një përpjekje për rrugëzgjidhje, mbasi për Të nuk ka kuptim paditja e së keqes pa gjetur mënyrën e luftimit të saj.
Rrugëzgjidhja, për Autorin, kalon nëpërmjet një proçesi ripërtëritjeje morale e qytetare, ku dogma kryesore e jetës sonë të përbashkët duhet të jetë respektimi i ligjit. Shteti i ynë, me përjashtim të viteve të Mbretëruisë, në të cilët u bë një përpjekje, disi e frutëshme, për të marrë trajtat e shtetit ligjor, brënda caqeve të një shoqërie të dalë prej pak kohe nga sundimi otoman, nuk arriti kurrë të afrohet në standartet e kërkuara. Është ky problemi kryesor i shoqërisë shqiptare, pa zgjidhjen e të cilit nuk ka shpresë përparimi. Është i vetëdijshëm Djaloshi Zhiti për këtë anomalì të jetës sonë dhe shkruan artikullin “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…. “
Po të mos mbante firmën e Tij, ai shkrim do t’i vishej ndonjë juristi, apo ndonjë studjuesi të moshuar, mbasi më duket e vështirë të besohet se është përfundimi logjik i analizës së një 18-vjeçari, kaq i saktë teorikisht e me përgjegjësi qytetare, guxim dhe çiltërsi mendimi është shkruajtur. “Duket sikur ai princip aq i lartë nuk thotë se të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit, por sikur të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona.” Sa të sakta tingëllojnë sot, në Shqipërinë “evropiane” të korrupsionit të zgjeruar, këto fjalë të Atjonit, të shkruara para dy vitesh, kur sapo ishte vendosur në pushtet Qeveria e “Rilindjes” shqiptare. Arsyeja kritike e Djaloshit të ri kapërcente demagogjinë e politikës së fitimit të votavet dhe vinte gishtin mbi plagë. Por plaga ishte aq e pëgërë, e mjekët që duhej t’a shëndoshin aq të pabesueshëm, saqë përfundimi i arsyetimit të Tij e çon në një zgjidhje radikale, e cila nuk ishte në natyrën dhe botkuptimin sokratian të Autorit të ri : “Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet.” Është një nga pikat kulmore të revoltës së brëndëshme të një eksponenti, ndoshta më i spikaturi i brezit të Tij, që e shpërthen nëpërmjet rrjeshtave të një artikulli që mbetet në kuadrin e tij, si pasuri e ndonjë lexuesi të vëmendshëm e vetëm kaq. Ndërsa duhej t’ishte një kushtrim brezi për të filluar punën për “ringjalljen” e Kombit, për të shpejtuar kohët se jemi tepër të vonuar.
Sa largpamës tingëllon mesazhi revolucionar i Tij sot, kur zonja Romana Vllahutin, një gazetare kroate, në rolin e përfaqësueses së BE në Tiranë, rendit në një takim zyrtar me gjyqtarë e politikanë, të gjitha mangësitë e shfaqjet e ndryshme të korrupsionit në organet tona gjyqësore dhe administrative, hapur, pa doreza, pa mbajtur parasysh “politically correct”, sepse kufoma kutërbon dhe infekton. Gjyqtarë, milionerë në euro, duke patur një rrogë mujore prej 1500€ nuk mund të ketë, veçse duke shitur fshehtas vendimet gjyqësore me zarfa kartmonedhash, duke penalizuar poshtërsisht ata që nuk kanë para kundër së drejtës….. Duket sikur jemi kthyer në shekullin XVIII të osmanëve në Shqipëri, kur bejtexhiu Hasan Zyko Kamberi shkruante : “Kadiut po t’i rrëfesh paranë Ters e vërtit sherianë Për para se ç’e shet t’anë Ja di kimenë parasë.” Shkrimi mbyllet me disa konsiderata të Konicës, “i vetmi politikan që ka pasur Shqipëria këta dy shekujt e fundit” mbi rininë shqiptare. Mjaft aktuale pyetjet e Konicës edhe për ditët tona, jo aq e saktë konsiderata e Autorit për të.
Në shkrimin “Kur u shpik 1+1 : mizoria që lulëzon nga dobësia” vazhdon argumenti i trajtuar më sipër. Autori pyet : pse korrupsioni është sistem ? Shpjegimi është një përpjekje për të diagnostikuar një shoqëri komplekse që, në mjedisin e ri të “ekonomisë së tregut”, pa rregulla e kontrolle dhe në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet financës, kapitalit të paligjshëm e politikës pjell përbindësha që respektohen e admirohen, madje merren si modele nga pjesa më e madhe e shoqërisë.
“Kush e bën sot politikën në atdhe?” pyet Autori në shkrimin “Kur politika nuk dallohet nga rruga”. Përgjigjen e jep vetë : “Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptar. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.”
Nga drejtësia e sëmurë kalohet tek politika pa themele morale e kthyer, nga një mision në shërbim të një populli të dalë nga ferri komunist, që e ktheu në një kavje të sprovës më të paskrupullt të historisë së tij, në një garë pasurimi të paligjshëm mbi kurrizin e tij. Politika bëhet zotëruese e së “vërtetës absolute”, nuk shfaq kurrë prirjen për t’u vetëqortuar, nuk pranon kurrë gabimet e saj edhe se rezultatet janë zhgënjyese. Autori e krahason me qëniet e gjalla jo kurrizore që nuk kanë intelektin për të përpunuar përceptimet e marra nga mjedisi, pra të paafta të ndryshojnë diçka nga vegjetacioni i tyre. Por e keqja nuk mbetet vetëm në kastën ajo shtrihet deri poshtë, nëpërmjet aksiomës “të gjithë bëjnë kështu”, që paralizon çdo përpjekje për të luftuar shthurjen, paaftësinë, imoralitetin e politikës që ka dalë në rrugë, në vend që të qëndrojë në majë, në krye, të drejtojë,të japë shpresa, të hapë horizonte. Por ajo që është edhe më shqetësuese për Autorin, është kjo formë e sëmurë “të mësuari”, mirëkuptimi, madje zilije për atë dukuri, atë punë që siguron para, pushtet. Nëse e keqja është tek pak njerëz mund të shpresohet të çrrënjoset, nëse është e përgjithëshme ajo kthehet në një epidemi që çon në një shoqëri të shënuar nga “pseudo të vërtetat” e “pseudo vlerat”. “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vjetësh” mbyll përsiatjen e Tij Djaloshi atdhetar, që ka mprehtësinë e pazakontë për moshën t’a shohë realitetin në dritën e tij të vërtetë.
“Kulla eme nuk asht e vetme” është, simbas mendimit tim, eseja më e veçantë e veprës së Atjon Zhitit. Është e shkruar në gegërishte dhe e firmosur me pseudonimin Dardan Shkreli. Duket një përpjekje për t’u kthyer n’origjinë, për të rrokur me mendim, kujtesë, përfytyrim, mall, Shqipërinë e vjetër, mijravjeçare, patriarkale, por dhe atë të burrave të fjalës e gravet fisnike, të besës, të traditavet, por edhe të njerëzve të ngujuar në kulla, të gjaqeve të marra, të jetës baritore. Autori nuk është një romantik sentimentalist që strehohet në të kaluarën, për t’i ikur së sotmes që nuk e kënaq e për të cilën është mjaft i zhgënjyer. Mbetet gjithmonë për moshë e formim, një “idealist por pa iluzione”, siç shprehet në gazetën e Tij elektronike “Mesi radikal”. Vështrimi i Autorit për atdheun e vërtetë mijravjeçar përkon me atë të intelektualëve atdhetarë si Fishta, Gurakuqi, Kruja, Koliqi, Camaj etj., që popullin e tyre e shohin në dritën e tij të vërtetë, duke vënë në teh të kritikës të metat, prapambetjen, përtacinë, individualizmin skajor, por vlerësojnë burrërinë, besën, trimërinë e të tjera virtute. Atjoni fshikullon mendësinë e trashëguar të respektimit të autoritetit të fituar me dhunë, pasojë e një historie të gjatë, në të cilën shqiptari nuk pati kurrë Shtetin e tij e vonë, shumë vonë, filloi të formojë vetëdijen kombëtare. “Krijimi i një vetëdije të tanve na mungon edhe sot e kësaj dite. Ky dhé mujt me ba shumë por kurrë nuk kena dijtë me e frymzue e me e shfrytzue.”
Ka një notë kritike të mprehtë, jo vetëm për popullin që respekton dajakun, por edhe për prijësit e tij që nuk kanë ditur t’a edukojnë në frymën e vlerave të vërteta qytetare, t’a frymëzojnë në rrugën e përparimit, të punëve të dobishme, të kushtimit interesave të përgjithëshme, të bashkësisë, të Kombit. Në rrjedhë të shekujve, ky popull, i sulmuar nga të gjitha anët, nga Lindja e nga Perëndimi, nga Veriu apo nga Jugu, nuk e humbi kurrë identitetin e tij, gjuhën e traditat. Ky fakt tregon forcën e brëndëshme por, në një farë mase, edhe konservatorizmin e tij, mos pranimin me lehtësi të ndryshimeve, respektin për kodin e tij gjenetik. “Shqiptari, kjoft i krishtenë a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombësia e vet” vë re Djaloshi filozof, që e shikon këtë fakt në vështrim pozitiv, sepse ndryshimet fetare nuk janë kthyer kurrë në luftëra vllavrasëse. Është një cilësi e veçantë e identitetit shqiptar, sot e vlerësuar më shumë se kurrë nga bota, një nga të paktat aspekte të jetës sonë si popull, për të cilën me të drejtë mund të merremi si shembull. Përsiatja e thellë e Autorit të ri na çon në një përfundim, sa origjinal aq dhe të dobishëm, që do t’i shkonte më shumë për shtat një malsori të thinjur në interpretimin e kanunit se sa një djali të ri që studjon filozofi në Milano.
Urtësia e studentit arrin të depërtojë në thelbin e problematikës shqiptare. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, si pasojë e strategjisë depersonalizuese të regjimit komunist, shqiptarët humbën gjithë arsenalin e vlerave morale, me të cilat kishin ruajtur identitetin e tyre në shekuj furtunash e dimrash të acartë. “Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale ka edhe një kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj i a vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje të virtutshme.
Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…. “
Fundi i esesë përmbledh, në pak fjalë, historinë dhe filozofinë, krenarinë dhe përvuajtjen, urtësinë dhe largpamësinë, simbiozën e përkryer të Autorit të ri me Atdheun e Tij të lashtë. “Jeta është një betejë e përherëshme dhe filozofia është bari i vetëm që mund të vihet mbi plagët që marrim nga çdo anë.” Kështu shkruante, më shumë se dy shekuj e gjysmë të shkuara filozofi i madh iluminist francez, Voltair-i. I gjithë raporti i Autorit student me jetën e Vendit të lindjes përshkohet nga nocionet filozofike. Në çdo proçes njohjeje apo analize paraprin koncepti filozofik që drejton vëzhgimin e realitetit, përceptimin e tij, dhe përfundimet logjike. Në “Konflikti i individit me botën sociale ku ai jeton” gjejmë një paraqitje të konceptit të individit në vizionin e filozofëve që nga Aristoteli deri tek Nietzche dhe Kierkegard. Individi është në ecje të vazhdueshme, në evolucion, i shoqëruar përditë nga lufta e brëndëshme, konflikti i përjetshëm mes tokësores, botës së shqisave, zotërimit të instikteve dhe hyjnores, intelektit, shpirtit që ngrihet mbi botën reale, që bashkon të shkuarën me t’ardhmen, në një grumbull vlerash edhe të panjohura. Kjo luftë mes reales dhe të përfytyruarës, mes pragmatizmit tokësor dhe “asaj diç pas vdekjes”, siç thonte Shakespeare-i, kjo betejë e pranishme në mëndjen e pjekur të Djaloshit filozof e çon atë në një pyetje të vështirë, së cilës ai përpiqet t’i japë një përgjigje, jo nëpërmjet shpjegimesh filozofike, por të një thjeshtëzimi moral të koncepteve, në dobi të njeriut dhe të botës që e rrethon. Për Autorin, ajo përplasje mendimesh që ka çuar përpara njerëzimin, deri në lartësitë e shkencës së ditëve tona, nuk duhet të kthehet në një luftë pa kufi ndërmjet pjesëmarrësve të një populli apo të një shoqërie, siç ka ndodhur në Vendin e Tij, me pasoja tragjike të njohura, tepër larg “vuajtjes intelektuale” që ëndërron Ai.
Sigurisht, shkrimi dëshmon një pjekuri të mirëfilltë, përmbi të gjithë treguesit e natyrshëm të moshës apo të nivelit të arsimimit.
“Eutrofizimi politik” trajton temën e ndryshimeve demokratike në Shqipërinë e çerek shekullit të fundit që doli nga letargjia e rëndë e diktaturës enveriste me një mal shpresash e dëshirash për t’u bërë “si gjithë Evropa”. Mbas gati një të katërt shekulli gjëndemi përsëri në tranzicion dhe Evropa mbetet ende një ëndërr. Shqipëria është kthyer në “një moçalishte të politikës”. Është një metaforë që ve në dukje mungesën e ideve ndërtuese, të projekteve, asfiksimin deri në zhdukje të idealeve, zhbërjen morale të klasës politike, në pjesën më të madhe të saj. Të gjitha këto çojnë në atrofizimin e plotë të vlerave e motiveve shtyrëse, me pasoja vdekjeprurëse për ecjen përpara të Vendit, madje në një vdekje klinike të vetë idesë së zhvillimit, që zëvendësohet nga imoraliteti i demagogjisë dhe i mashtrimit.
Në një shkrim që mban titullin “ Atdhetarizëm jo si ndeshje” apo “Arena moderne”, një nga të fundit, që mban datën 17 tetor 2014 e që frymëzohet në Tetovë, duke patur si sfond incidentin e ndeshjes së futbollit Serbi – Shqipëri në Beograd, shpalosen konceptet e Autorit për patriotizmin si ndjenjë e si ide në ditët tona. Përkufizimet e Tij mbi konceptin janë frut i një evolucioni mendor që nuk huazon asgjë nga mendësia 50-vjeçare e regjimit, në të cilin dashuria për atdheun ishte instrumentalizimi më i përçudshëm që i bëhej vetë kuptimit të termit, sepse njëjtësohej gjithmonë me “besnikërinë” ndaj partisë, pushtetit e botës komuniste. Për Atjonin, Djaloshin me mendësi evropiane, patriotizmi është “kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…”. Atdhedashuria është një ndjenjë e brëndëshme e njeriut, një tregues i afërsisë shpirtërore të individit me mjedisin njerëzor në të cilin lind e rritet. Në këtë kënd vështrim ajo mbetet një ndjenjë subjektive dhe e kushtëzuar nga rrethanat shoqërore në të cilat jeton njeriu, pra edhe të trajtimit që pëson nga shteti e shoqëria. Në rastin e Shqipërisë e të regjimit të saj diktatorial, veçanërisht mizor, ruajtja e ndjenjës atdhetare nga të gjithë ata që u luftuan me të gjitha mënyrat, duke u privuar nga të gjitha të drejtat, duke jetuar në burgje apo në kampe interrnimi, të dalluar me gisht si “armiq të klasës” është me të vërtetë një mrekulli. Ata e deshën Atdheun edhe në fytyrën e policit që i ndoqi gjithë jetën, por Atdheu për ta qe një njerkë si te përrallat e vazhdon të jetë edhe sot.
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standart, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetiake”. E solla të plotë këtë fragment të shkrimit, sepse e quaj të vlefshme për t’u vënë në kornizë me gërma të mëdha e për të stolisur shtëpitë e shqiptarëvë kudo në botë. Ideja e atdhedashurisë si “një vlerë morale” që “duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin” nuk është thjesht një pohim i asaj që secili duhet të ndjejë. Është një thirrje për të përvehtësuar vlerat morale, për të qënë njerëz, në kuptimin e vërtetë të fjalës e për t’a vënë personalitetin tonë në shërbim të përfytyresës së Atdheut, të imazhit të tij kudo, në Vendin tonë e në botën e madhe ku jemi shpërndarë e ku jetojmë. Atjoni na porosit që të mos e njollosim atë imazh, të mundohemi çdo ditë t’a ndriçojmë me sjelljen tonë, me punën e përditëshme, me respektimin e vlerave njerëzore kudo ku jemi, në Shqipëri apo jashtë saj, në detyra të larta shtetërore, apo në punë të thjeshta e të ndershme. Ndihmesa në atë imazh nuk ka monopol, është detyrë e të gjithëve. Se si e kemi kryer këtë detyrë në çerek shekullin e fundit, secili le t’a shqyrtojë në vetvete, duke filluar nga ata që kanë drejtuar Shtetin, institucionet, politikën, shoqërinë e deri tek ata që kanë përfunduar në burgjet e Evropës, apo nëpër rrugët e saj, madje dhe ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri. Djaloshi filozof, veç mësimit që na jep, na ve secilit një pasqyrë përpara të shohim veten.
Ai vetë, detyrën e Tij e kreu duke përfaqësuar Shqipërinë në forumet evropiane të bashkëmoshatarëve në një nivel t’admirueshëm. Por duke shëtitur nëpër rrugët e Tetovës shqiptare, mendimi i Tij kthehet në 70 vitet e shkuara, kur ideja e Kombit të bashkuar është braktisur paturpësisht nga klasa politike komuniste e pas komuniste. “Nuk ka pasur një politikë etnike reale” pohon me keqardhje Djaloshi mes bashkatdhetarëve që sot bota i quan maqedonë. Që këtej detyrimi atdhetar e qytetar që “ të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike” i pasuar nga një kërkesë e ligjëshme e brezit “dua forcë e vendosmëri për shtetin tim.” Ka më shumë atdhedashuri, qartësi e largpamësi politike në këto fjalë se sa në gjithë fjalimet e bisedat e politikanëve shqiptarë të marrë së bashku.
“Në kërkim të Agartit” është një esè e shkurtër, ndoshta e para e Autorit pesëmbëdhjetë vjeçar. Një ditë shtatori e vitit 2010, duke shëtitur nëpër rrugët e Durrësit, Atjoni kujtonte të shkuarën e këtij qyteti, fillimin e tij që humbiste në legjendat e thuhej se lidhej me emrin e fenikasve, një popull lundërtar që kishte themeluar shumë qytete në brigjet e Mesdheut. Nxënësi i liceut klasik “Giulio Cesare” të kryeqytetit italian, risillte në mëndjen e Tij historinë e këtij qyteti 2700-vjeçar. Mbi të kishin kaluar të gjitha qytetërimet e kontinentit, kishte pësuar më shumë se 50 ndërrime pushtuesish të shumë kombësive. Fillon të mendojë për jetën dhe kuptimin e saj, mbi qënien e formimin e saj të brëndshëm, mbi natyrën njerëzore e prirjet e saj të përjetëshme në kërkim të qëllimit të ekzistencës. Gjatë këtyre përsiatjeve i vjen në mëndje miti i Agartit në Hindinë e lashtë. Agarti është një vënd imagjinar i kërkuar, si një strehë e pafund që kthehet në një mit që përfaqëson dëshirën e përjetëshme të njeriut për të qënë i mbrojtur nga fatkeqësitë e natyrës, por edhe nga luftërat brënda gjinisë. Për nxënësin e ri Agarti është “kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie, që te njerëzit e sotëm na mungon.” Autori është idhtar i Sokratit dhe shprehjes së tij të famëshme : “Njih vetveten”. Eseja tregon pjekurinë e parakohëshme të Djaloshit, natyrën e tij përsiatëse, thellimin e pazakontë në dukuritë e jetës.
Ishin këto disa nga konsideratat që më erdhën në mëndje duke rilexuar librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)…” Me dhimbje të thellë kuptoj se ato shkrime nuk mund të kenë vazhdim, sepse Autori nuk mund të shkruajë më. “Jeta jonë tokësore është vetëm një pjesë e vogël në gjithë rrugën e qënies sonë” , shprehej Mathias Claudius (1740 – 1815), një poet gjerman. Nëse kjo është e vërtetë për të gjithë njerëzit që kryejnë ciklin normal të jetës, për Djaloshin tonë ajo qe si një shkrepëtimë rrufeje. Një vit mbas ikjes së Tij, duke lexuar këtë libër, mund të përfytyrojmë se ç’humbje madhore pësuam të gjithë në atë 20 dhjetor 2014….
Sa e dobishme do të ishte pena e Tij, sa e rëndësishme dhe mobilizuese do të ishte fjala e Tij, sa shpresëdhënëse do të ishte prania e Tij në përfaqësimet e ndryshme të rinisë shqiptare në ballafaqimet me kontinentin dhe botën, sa i frutshëm do të ishte ndikimi i personalitetit të Tij mbi bashkëmoshatarët në lindjen e një shprese, për të patur me të vërtetë një klasë politike të re, bashkëkohore, atdhetare e të kulturuar, aq të domosdoshme për fatet e Kombit tonë.
Atjoni kaloi në qiellin e publiçistikës shqiptare si një meteor i shkëlqyer. Koha e pranisë së Tij, fatkeqësisht, qe tepër e shkurtër, por ato shkrime, për të cilët fola më sipër, i japin jetëgjatësi Emrit të Tij, sepse vlerat e tyre nuk i nënshtrohen ligjit të parabolës. Ato mbeten të përherëshme sepse tashmë kanë hyrë në thesarin e pasurisë sonë kulturore. Ato vlera bëjnë që Atjoni të mbetet një meteor që do të ndriçojë gjithmonë qiellin tonë të hirtë, i ngulitur thellë në kujtesën tonë, i përkëdhelur gjatë në shpresat tona, për të patur një ditë një Atdhe të bashkuar, bashkëkohor, evropian, të qytetëruar, siç e përfytyronte, e konceptonte dhe e donte Ai.
Dhjetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon V. Zhiti, Eugjen Merlika, meteori i Publicistikes shqiptare

“Lojë martese” shfaqet në “Produces Club Theatre”, New York

December 19, 2015 by dgreca

Armend Baloku dhe Vlora Nikçi kan postuar në profilin e tyre në facebook, fotografitë me aktorin Uliks Fehmiu, djali i aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, dalur në Brooklyn Bridge – New York/
Nga Beqir SINA/
BROADWAY NYC : Shfaqja “Lojë martese”, e Teatrit Dodona me tekst të Edward Albee e me regji të Kaltërim Balaj me dy shfaqje njëra pas tjetrës, është prezantuar në qytetin e New Yorkut.
Armend Baloku në këtë shfaqje luan bashkë me Vlora Nikçin.
Shfaqja është prezantuar në “Producers Club Theaters” në Manhatan të New York-ut, ose siç njihet ndryshe edhe si Broadway i shqiptarëve në zemër të këtij metropoli, me dy prezantime, që u ndoqën me një shikim të veçantë nga dhjetra artëdashës shqiptaro amerikan, mes tyre veprimtar të njohur, nën kryetari i Vatrës zoti Agim Rexhaj me bashkëshorten e tij, artistë, studentë dhe biznesmen të sukseshsëm.
Shfaqja e teatrit “Dodona” ku luajnë aktorët Vlora Nikçi dhe Armend Baloku, është nën regjinë e Kaltërim Balajt dhe është përkthyer në shqip nga Doruntina Basha.
Në statusin e tij në rrjetin social facebook aktori i talentuar Armend Baloku, ka shkruar “ Albee, është një nga dramaturgët më të njohur amerikanë, fitues i çmimit Pulitzer. Njihet për dramat “Tregimi zoologjik”, “Mëngjesi tek Tiffany” dhe “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, por edhe për “Lojë martese” që është shkruar në vitet ’80 të shekullit të kaluar.” dhe shtonë se “Lojë martese” është një dramë, kushtimisht psikologjike, me dy personazhe, burrë e grua – Jack dhe Gillian – që përjetojnë një krizë familjare, pasi Jack dëshiron t’i jep fund martesës së tij”.
“Lojë Martese” shkrun Baloku, për herë të parë shfaqet në New York eksluzivisht për komunitetin Shqiptaro-Amerikan
“Nikçi e Baloku, me këtë shfaqje rikthehen bashkë në skenë pas dhjetë vitesh. Bashkë i bëri regjisori i ri Kaltrim Balaj në shfaqjen e tij profesionale me tekst të Edward Albees” shkruan shtypi shqiptar nga Prishtina –
“Teksti i kësaj drame sa është dramatik aq është edhe vulgar, duke sjellë në mënyrën e përpiktë jetën e një çifti të moshës së mesme” – shkruan Kultplus duke shtuar se “E shkruar nga Edward Albee, dhe e inskenuar aq mjeshtërishtë nga dy aktorët të cilët tashmë festojnë edhe dhjetëvjetorin e tyre në skenë” –
Vlora Nikçi, ka thënë për gazetën “Zëri” në Prishtinë, se padyshim është një ndër paraqitjet tona më të veçanta pasi në këtë rast shfaqim punën tonë të përbashkët që është bërë në teatrin ‘Dodona’.
“Me përkushtimin tonë, dhe ndihmën e miqve tanë, shfaqja vazhdoi jetën e saj, tani edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më konkretisht në ‘Producers Club Theaters’ në Manhatan të New York-ut”, është shprehur Nikçi, sipas së cilës projekti po mbështetet shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA.
“Po ashtu vlen të theksohet se organizimi fantastik që është bërë rreth shfaqjes tonë, siguron një nivel të lakmueshëm të kësaj ngjarjeje, pasi që projekti është mirëpritur dhe po mbështetet shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA”, ka thënë Nikçi, duke shtuar se njerëz me famë në shtetin e New York-ut i dolën në mbështetje ekipit teatror.
“Mbështetës kryesor të kësaj shfaqjeje, simabs saj janë asamblisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj, i cili konsiderohet unifikuesi kryesor i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe Albanian American Community Association”, ka treguar Vlora Nikçi, e cila është shprehur falënderuese për sponsorët e shfaqjes si: kompania “Link NY Realty” në krye me Valon Nikçi, si dhe Shoqatën “Rugova” me seli në New York, pa ndihmën e të cilëve nuk do ishte e mundur kjo shfaqje.
“Kjo konfirmon se shqiptarët në SHBA kanë dashuri të veçantë për teatrin shqiptar”, ka thënë Nikçi, e cila është shprehur e ngazëllyer që do të performojë para publikut shqiptar në New York. “Me padurim presim të performojmë para publikut shqiptar në New York. Është me të vërtetë e rëndësishme të luash në SHBA me një shfaqje shqiptare”, është shprehur aktorja.
Rreth shfaqjes ka folur edhe aktori Armend Baloku i cili thotë se “Padyshim është një ndër paraqitjet tona të veçanta, pasi në këtë rast shfaqim punën tonë të përbashkët që është bërë në teatrin Dodona”, ka thënë Baloku, i cili ka shpjeguar se ky prezantim po bëhet edhe me mbështetjen dhe e miqve.
Shfaqja po jepet në dy termine, më 18 dhe 19 dhjetor në “Produces Club Theatre”, New York, me pronarë dy vëllezërit dibran në Nju Jork, Fredi dhe Ernest Tollja.

Filed Under: Komunitet Tagged With: “Produces Club Theatre”, Beqir Sina, Loje Martese, shfaqet ne new York

NDEROHET NE NEW YORK KUJTIMI I IPESHKEVIT TE NDJERE TE SHQIPERISE RROK MIRDITA

December 19, 2015 by dgreca

NEW YORK : Të shtunën, më 19 dhjetor 2015, duke fulluar në ora 11 deri në 4, pasdite në Qendrën “Nëna Tereze” – Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës në Nju Jork, anëtarët e familjes së Rrok Miridtës, në SHBA, pritën ngushëllime nga komuniteti shqiptarë, për ish-famulliatrin e kësaj kishe, të ndjerin Imzot Rrok K. Mirdita Arqipeshkëv Metropolitan i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës, i cili vdiq më datën 7 dhjetor 2015, në moshën 76-vjeçare.
Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra, liderit e saj, veprimtarë të dalluar të komunitetit, besimtarë , familjarë, miq dhe njohës të Imzot Rrok Miriditës, përcollën me këtë rast kujtimet e tyre dhe lanë ngushëllimet më të thella për shkuarjen në amshim të Rrok Mirditës.
Gazeta Dielli shkruan në një reportazh të saj online se dje pasdite është nderuar në Nju Jork, kujtimi i Ipeshkevit të Kishës Katolike Shqiptare Rrok Mirdita. Dhjetra besimtar, dhe lider e vepritar të komunitetit, erdhën dje pasdite në Qendrën Kulturore” Nanë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare ”Zoja e Shkodrës”, shkruan Dielli, për të marrë pjesë në një të pame, e cila mbahej në nderim të Ipeshkevit të ndjerë të Shqiperisë Rrok Mirdita, ish meshtari i parë i kësaj kishe në Nju Jork, prej bashkimit të saj.
“Një përfaqësi e Vatrës e përbërë nga kryetari i saj, Dr. Gjon Bucaj me zonjën Nikoleta, zv. Kryetari Asllan Bushati, anëtari i kryesisë Marjan Cubi me zonjën Dila, Zef Pernocaj, Pashko Camaj, anëtar i kryesisë, editori i Diellit Dalip Greca, u kan shprehur familjarëve dhe besimtarëve të kësaj famullije ngushëllimet më të thella” shkruhet në reportazhin e Diellit-
Kurse, në faqen e internetit të kësaj kishe, në librin e shënimeve shkruan Dedë Bala ngushëllimin e tij duke thënë : “Jepja o zot jetën e pasosur, e ndrite drita pa mbarume. Në vitin,e tmershëm për shqiptarët,1999, ky njeri i Zotit, e ka thanë Meshën në shtepin time në Tiranë , thotë ai ndërsa shtonë se në prezencë të mbi 200 refugjatëve që i kisha strehuar në këtë shtëpi, ka thanë uratën dhe na ka dhanë bekimin, duke thane se zoti qoftë me ju – Pushoftë në paqe!”.
Një besimtare e devotshme dhe veprimtare e komunitetit Maria Dusi në postimin e saj thotë se “Imzot Rrok Mirdita ishte një shembull dhe një krenari për të gjith ne shqiptarët. I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij dhe I leht i qoftë dheu i tokës nanë.
Kurse, Drejtori i Qendrës “Nëna Terze” pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës,
Marjan Cubi në ngushëllimin e tij për këtë lajm të idhtë shkruan :” Zoti e bekoftë shpirtin e Arkipeshevit Rrok Mirdita . Aji pushoftë në paqe dhe kujtimet e mira mbetëshin përgjithmonë “
Raimonda Moisiu , kryetare e Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptaro Amerikan, shkruan në mesazhin e saj ngushëllues :”U prehtë në Paqe! I përjetshëm kujtimi dhe vepra e tij drita e saj që la pas për gjeneratat! Amen!
Shënime ngushëllimi ka lënë edhe gazetari Dritan Haxhia i cili ka shkruar :“Mos u harrofte kurre puna dhe emri i Arqipeshkvit Imzot Rrok Mirdita.
Lola Artiste Limo “Krishti e past ne Parriz” dhe Pashk Maksuti i cili ngushëllon duke thënë : “Pushoft ne paqe”
Kështu, pra shqiptarët, do ta kujtojnë ipeshkvin si bariun e parë pas komunizmit, që e drejtoi Kishën e rilindur në rrugën e përtëritjes e të zhvillimit; do ta kujtojnë për kontributin e dhënë në harmoninë fetare, ka thënë presidenti iShqipërisë, zoti Nishani.(Photo credite Dielli)

Filed Under: Komunitet Tagged With: NDEROHET KUJTIMI I IPESHKEVIT TE NDJERE TE SHQIPERISE, RROK MIRDITA, Vatra

Radio Vatikani- Papa Françesku njeh mrekullinë, Nënë Tereza do të jetë Shenjte

December 19, 2015 by dgreca

Papa Françesku miratoi Dekretin, që do të çojë në shenjtërimin e Nënë Terezës së Kalkutës. Në Dokumentin, paraqitur dje pasdite, gjatë audiencës me kardinalin Angelo Amato, u njoh ndërmjetësimi i së Lumes në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru. Në vitin 2008 burri u shërua në mënyrë të papritur, të jashtëzakonshme e të plotë.
Mbrëmjen e 10 shtatorit 1948, Maria Tereza – ky, emri që pati marrë në çastin e kushteve, murgesha e re e Motrave të Loretos – shtegtonte me tren nga Kalkuta, në Darjeling, në viset rrëzë Himalajës, tronditur rëndë prej çrregullimeve.Tregonte më vonë Rregulltarja imcake, 38 vjeçare, e paracaktuar të bëhej ikonë planetare e dashurisë së krishterë: “Atë natë m’u hapën sytë për të parë vuajtjen dhe e kuptova me fund thelbin e thirrjes sime. Ndjeva se Zoti po më kërkonte të hiqja dorë nga jeta e qetë në gjirin e Kongregatës rregulltare, për të dalë në rrugë të madhe e për t’u shërbyer të varfërve”. E shtonte: “Nuk ishte këshillë, ftesë e as propozim. Ishte urdhër!”.

Pikërisht 60 vjet më pas, më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysëm ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe, çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme. Është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja. Ndërsa shumica e mrekullive të miratuara nga dikasteri i Vatikanit, janë të gradës së tretë, domethënë shërime të menjëhershme nga sëmundje, për të cilat mjekësia do të mund të arrinte rezultate vetëm pas një kohe tepër të gjatë.
Është shenja e fundme, që ia hap portat e shenjtërisë Engjëllit shqiptar të të varfërve të periferive, siç do të thoshte Papa Françesku.

Filed Under: Komente Tagged With: Nene Tereza, Papa francesku, Shenjtereshe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT