• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

Edith Piaf – Himni i Dashurise

December 19, 2015 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit te lindjes se kengetares se madhe franceze, Edit Piaf/
Nga Sadik Elshani/
“Askush nuk mund ta injoroje ate/
Askush nuk mund ta imitoje ate/
Askush nuk mund ta harroje ate/
Ajo emrin e kishte Edit Piaf”/
(Raquel Bitton, interrpretuese e suksesshme e besnike e kengeve te Edit Piafit)/
Njeqind vite me pare, me 19 dhjetor, 1915 ne Belleville, Paris, ka lindur Edit Piaf, kengetare, aktore, autore e teksteve te kengeve, e cila njihet si kengetarja kombetare e Frances dhe njera nder yjet me te shkelqyer nderkombetare qe ka dhene Franca. Emri i saj i vertete eshte Edit Giovanna Gassion. Piaf (Harabeli) eshte nje nofke qe e mori 20 vite me vone. Babai i saj, Louis Alphonse Gassion (1881 – 1944) ka qene nje akrobat dhe artist i rruges (qe ka dhene shfaqje ne rruge), ndersa nena e saj, Annetta Giovanna Mallard (1895 – 1945) ka qene kengetare neper kafene. Edit pati nje femijeri te veshtire. Qysh ne lindje u braktis nga mamaja dhe ajo u rrite nen kujdesin e gjyshes (nga mamaja), e cila ishte pronare e nje shtepie publike ne Normandi. Nga mosha tre deri ne moshen shtatevjecare, ajo ishte pothuajse e verber.
Me 1929, ne moshen 14 vjecare i bashkohet babait ne shfaqjet e tij akrobatike ne rruge neper tere Francen, ku ajo kendoi per here te pare. Talenti i saj u zbulua me 1935 ne lagjen Pigall te Parisit, nga pronari i nje klubi te nates, Louis Leplee, i cili e nxiti ate, i dha guxim qe te kendoje. Figura e saj e brishte, gjatesia vetem 142 centimetra, e frymezuan ate qe t’ia vente nofken La Mome Piaf, qe ne zhargonin parisien do te thote, Harabeli i Vogel. Piaf, kjo nofke do te mbetej per tere jeten e saj dhe do te behej emri i saj i skenes, emri artistik. Prej te gjithe atyre qe e njohin Edit Piafin, te pakte jane ata qe e dine emrin e saj te lindjes, emrin e vertete.
Gjate Luftes se Dyte Boterore, ne Parisin e okupuar nga gjermanet, ajo kendoi neper klubet e nates. Kariera e saj mori hov pas luftes dhe ajo u be e njohur ne tere boten, duke dhene koncerte neper qendrat dhe sallat me te njohura te Frances dhe botes. Ne vitet e 50-ta shendeti i Edit Piafit vazhdimisht po perkeqesohej si rrjedhoje e goditjeve qe po i sillte jeta, si the nga abuzimi i alkoolit dhe drogave qe po ia shkrinin energjite. Por kur kendonte ne skene, ajo ishte ai ylli qe shkelqente. Te gjithe e pranojne se koncertet e saj me te mire, ishin ata te fundit. Harabeli i vogel i botes vdiq me 11 tetor te vitit 1963 ne villen e saj ne PLascassier (Grasse, Riviera Franceze), ndersa eshte varrosur ne Paris.
Kenget e saj ende kendohen dhe adhurohen nga miliona njerez anembane botes, perfshire edhe shkruesin e ketyre radheve. Per te jane shkruar disa libra jeteshkrimor (biografik), ndersa jeta e saj ka qene subjekt i disa filmave artistike e dokumentare. Repertoari i saj perfshin afer 400 kenge e balada, nder te cilat me te njohurat jane: ” La vie on rose”, “Non, je ne regrette rien”, “Hymne a l’amour”, “Milord”, “L’ Acordeoniste”, “Padam, padam”, e shume e shume te tjera. Nuk po i perkthej keta tituj, le t’i vijne lexuesit me zerin magjik te Edit Piafit. Kerkesat e saj artistike kane qene teper te larta. “Te jeshe e suksesshme ne France, ne vendin tim, ku populli e flet te njejten gjuhe dhe me kupton, nuk eshte asgje: qellimi im eshte nje karriere nderkombetare. Dua t’i bej njerezit te qajne edhe atehere kur ata nuk i kuptojne fjalet e mia” – eshte shprehur ajo. Muzika e saj shpesh ka qene autobiografike, kenget e saj pasqyronin jeten e saj te trazuar: dhimbja, pikellimi, dashuria, braktisja, deshprimi e kane pershkuar jeten e saj. Ajo ka kenduar per dhimbjen, varferine, vuajtjet, zemrat e thyera. Njerezit kur i degjonin kenget e saj i perjetonin ato pervoja te jetes se saj, treteshin ne valet e jetes dhe kenges se saj dhe qanin. Jeta e saj private ka qene e shoqerur me plot dallga e stuhi njerezore, ka qene e perfshire ne disa marredhenje te stuhishme epshore (pasionante), shpesh edhe abuzuese e shkaterruese. Vetem nje qenje njerezore qe ka patur pervoja te tilla ka mundur te krijoje nje art te madh kaq prekes. Me vone ajo vete e ka pranuar se, sikur te mos i kishte patur ato veshtiresi per te duruar, ajo kurre nuk do te kishte patur zemer per te kenduar.
Pervec tekstit te zgjedhur dhe melodise, muzikes se bukur, interpretimi i saj mjeshteror ia shton edhe me teper magjepsjen kenges se saj. Ajo ishte mjeshtre e vertete e skenes. “Kendimi per mua eshte nje menyre e shkeputjes, ikjes. Eshte nje bote tjeter, nuk jam me ne toke” – ka thene ajo. Per publikun ajo ishte ne skene, por vete nuk ishte ne skene. Ishte ne boten e Edit Piafit, atje ku te tjeret nuk mund te shkojne, ishte tretur ne krahet e kenges se saj. Kenget e saj, interpretimi i saj, ngjallnin dhe preknin ndjenjat me te holla te publikut. Ajo shkrihej e tera ne skene: “Sikur te mos digjesha e tera, a mendoni se do te mund te kendoja?” – keshtu eshte shprehur ajo per interpretimet e saj. Ndersa miku i saj, piktori, dramaturgu, artisti, regjisori i njohur francez, Jean Cocteau (1889 – 1963 – ne te njejten dite, vetem disa ore pas vdekjes se Edit Piafit), eshte shprehur per interpretimet e saj: “Cdo here qe ajo kendon, ju e keni pershtypjen se ajo eshte duke e nxjerre shpirtin prej trupit te saj per here te fundit.” Zeri i saj ishte nje ze mezo sopranoje, i forte, dramatik me nje timber te qarte e te paster dhe teper karakteristik, qe sapo e degjon, e dallon menjehere se ai eshte zeri magjik i Edit Piafit. Ajo ishte nje grua me nje trup te vogel, por ne skene rrezatonte nje energji shperthyese si nje vullkan. Paraqitja e saj ne skene, gjestet, levizjet, shprehjet, mimika e fytyres dhe syve te saj, nuk mund t’i arrije askush – ato jane te paemitueshme.
Artistet si Edit Piaf, edhe pas largimit fizik nga jeta e nga skena, jane te pranishem me artin e tyre, ata perfaqesojne epoken e tyre, i kane dhene vulen e tyre, i kane dhene identitetin perkates asaj epoke. Peizazhi francez, atmosfera franceze nuk mund te paramendohen pa kenget e Edit Piafit, ashtu si muzika e nje filmi, edhe ajo eshte bere muzika e skenes dhe jetes franceze. Kete e kam perjetuar vete. Duke ecur neper rruget e rrugicat, sheshet e parqet e fshatrave piktoreske e qyteteve te Frances, gjithmone ne koke, lehte me tingellonin kenget e Edit Piafit. E kur shihje kengetaret e rruges ne nje qoshe duke kenduar kenget e saj, atehere ai perjetim nuk mund te pershkruhej me fjale, sepse edhe ajo vete dikur kishte kenduar ne rruge. Ajo eshte bere si nje pike referimi, krahasimi per te gjitha kengetaret e medha te te gjitha vendeve te botes. Kur dikush do te tregoje se sa e madhe eshte nje kengetare e vendit te tyre, atehere ata shkurt thone se, ajo eshte Edit Piafi yne. Keshtu, rumunet per kengetaren e tyre te madhe, Maria Tanase (1913 – 1963), thone se eshte Edit Piafi i tyre, ndersa ne per kengetaren tone te madhe e te paharrueshme, Vace Zela (1939 – 2014), themi se eshte Edit Piafi yne, e keshtu me radhe.
Edhe sot pas 52 viteve nga ndarja e saj nga kjo bote, Edit Piaf eshte ne majat e muzikes boterore te llojit te vet. Bota me siguri ne te ardhmen do te kete kengetare edhe me te mira, por nuk mund te kete me nje Edit Piaf tjeter. Edit Piaf ishte dhe mbetet e vetme (unike), e paperseritshme, e pakrahasueshme, e paemitueshme, e paarritshme. Zeri i saj eshte magjik, interpretimet e saj jane magjike, kenget e saj jane magjike, Edit Piaf eshte magjike!
Ajo emrin e kishte Edit Piaf!
Philadelphia, 18 dhjetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe vprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
Kliko me poshte per te degjuar nje kenge nga Edit Piaf.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr. Sadik Elshani, Edit Piaf

Oda Ekonomike Amerikane, mirënjohje Presidentes së Kosovës

December 19, 2015 by dgreca

-Presidentja Atifete Jahjaga priti një delegacion nga Oda Ekonomike Amerikane/
Prishtinë, 18 dhjetor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion nga Oda Ekonomike Amerikane, i cili udhëhiqej nga presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë, Hakif Gashi.
Presidentja Jahjaga i përgëzoi udhëheqësit dhe anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane për angazhimin e tyre konkret në përmirësimin e kushteve të punës të bizneseve private në Kosovë, me theks tek bizneset amerikane.
Presidentja Jahjaga theksoi me këtë rast se prioritet i institucioneve të Kosovës është zhvillimi ekonomik përmes përmirësimit të kushteve të të bërit biznes si për bizneset vendore ashtu edhe për investitorët e huaj.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane në Kosovë, Hakif Gashi, e falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që i ka dhënë komuniteti të biznesit dhe i ndau mirënjohje për kontributin e saj të çmuar në tërheqjen e investimeve të huaja si dhe për mbështetjen që i ka ofruar Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Jahjaga, Mirenjohje presidentes, oda amerikane

NGA GJERMANIA NEKI LULAJ NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

December 19, 2015 by dgreca

Neki Lulaj/

TAKIMI NEN RRAP/

Nën hijen e Rrapit mjegulla shkupiane bëhet copë e grimë/
Engjëjt shkundin gjer në të gdhirë degët e kujtesës/
Ndienjat kullosin mendimet e zgjojmë imazhet e fëmijërisë/
Malli pranë Bardharit shkumbues kositen në lëndinat e Shpresës/

Sa shumë mysafirë vijnë e shkojnë me turravrapin e erës/
Tinguj magjepsës margaritarët në jetën që prekim lëshojnë/
Gurëzojnë nën Rrap mjergullat mesjetare, muzat e poetëve/
Stërnipërit e Kongresit të Manastirit Kalosh Çeliku i bashkon/

Të bekuarit sot vijnë si zogjtë shtegtarë herët e vonë
Zbresin fytyrëqeshurit tek Ura e Gurit te këmbët e Olimbisë
Me pakë plaçka ngarkuar valixhet e shpirtit mbushur shkarkojnë
Me një mall bujku shkronajsh ecim në gjurmë të lirisë

Ende nuk jemi në dimër është një vjeshtë e begatë në sofra
Nga gëzimi Nënë Tereza po e fsheh lotin e fundit në qerpikë
Me fjalë magjike të shpirtit të bukur plagë i shëroka
E bashkojnë dashurinë e Muzave poetike nostalgjisë

LOTËT E HËNËS

Shpirti im do që Hënës t`ia fshijë lotin nën qepalla
E të bejë gjumëmblin në prehër a në një shtrat të mrekulluar
Unë hileqari, mëkatari i vjetër, pres ditë e netë më të bardha
Po i shkund degët e ullirit e po e thërras kujtesën e bardhë.

Po më rëndohen supet nga barra e dëborës së bardhë
Eci pandalur mbi bjeshkët e bekuara të Sharrit shqiptar
Desha t`ja puth asaj syrin e përlotur dhe dorën e ballë
E faqeve engjëllore t’i plasë lunnueshëm buzagazi i artë

Pa u djersitur nën kroin e vajit po druaj, fort po druaj
Se do të marrin vallë vërshimi e më dërgojnë në hon
Nga lotët e Hënës së kristaltë dhe unë qaj si një i mërguar
E dua që degëve të kujetsës t’ia heq rrudhat që rrudhojnë

Dua të ngjitem tatëpjetë me ty majës së hijeve të bardha
Të ulem mbi shkëmbin ku rrinim dikurë e sot mrizojnë zanat
Të pimë ujë në kroin e akullit ku dikur pat pirë Teuta e Rozafa
E të vargëzoj ca vargje bohemi që më burojnë si shigjeta të arta.\

Ti ma kthen bardhësinë nga yllësitë e praruara
Me shkëlqimin e honeve të mendjes që kurrë terri s’u bie
Pa eja bashkë t’i mbjellim ullinjtë e jetës që na la të menduar
Ne s`jemi shenjtorë, por trashëgimtarët e Evës si rreze hyjnie

Po më gulçon zemra si një tel i këputur që ecën mes stinëve
E nën gjethet vesës prek flokun tënd të artë të bukur
Më vijnë para syve si bariut tuba e deleve imazhe fisnikërie
Që ta thyejë mjegullën në botën e hijeve mes trishtimit futur

Të ulemi nën Rapin e Gjergjit atje ku të gjithë dalim fitimtarë
Pse kaq shumë mornica në trup, në duar,në sy dhe në shpirt?
S’e mbaj mend pse kaq shumë po më pickojnë këta vdekatarë
Pse ky mot kaq i vrenjtur, ky lumë kaq i turbullt, kaq i trishtë…
P.s.e. p… s…e…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne Sofrene Diellit, neki Lulaj

HARTOGRAFI VENECIOAN CORONELLI PËR KËSHTJELLËN E KANINËS

December 19, 2015 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA/

1. Gravura përmban elementët të sulmit venedikas përmbi kalanë e Kaninës. Gravura është punuar(nga P.Coronelli. Datimi saj në krahun e djathtë regjistron vitin 1690. Ndërkaq që ka të shënuar :”Canina presa da Veneti a Turchi “.
Çfarë të reje sjell gravura e kohës ? Ajo paraqet në planin e përgjithshëm kalanë në qendër të saj si dhe kodrat që e rrethojnë atë. Punimi i gravurës është një tregues për vërtetësinë historike të përpjekjeve për të sunduar kalanë shekullore gjatë luftimeve turko-venedike ,që i përkasin afërsisht shek XVIII.
2.Ka të dhëna të cilat bëhen mjaftë të rëndësishme për një ndër objektet monumentale e cila është klasifikuar në grupin e kalave, që mbajnë përmbi shpinë, shekuj të tëra jete.
Kalaja e Kaninës është një pikë dominuese në gjirin e Vlorës. Dhe përndryshe është pagëzuar:”Ballkoni i Vlorës”. Akropoli i arrin në kuotën e 398 m. Panorama nga kjo hapësirë qiellore është mbresëlënëse deri mistike. Në jug të kalasë shtrihet katundi i cili është zhvillimi i varoshit të vjetër mesjetar thonë Gj,Karaiskaj dhe S.Dashi në një studim për rijetizimin e saj. Nga banesat e vjetra kanë mbetur vetëm rrënoja guri si dhe disa prej tyre, që kanë qenë qendra kulti.
3.Pasqyrim i plotë në përmbajtjen e gravurës është se:në luftën turke venedike te shek.XVII Kanina luan një rol te veçante por e paguan këtë rol me rrënimin e saj. Ne vitin 1691 venedikasit që e kishin marrë atë bashkë me Vlorën një vit më parë e hedhin ne erë me mina për të mos ua dorëzuar turqve. Që prej kësaj kohe, pavarësisht riparimeve që iu bënë në shek XVIII kështjella e humbi funksionimin e saj të mëparshëm dhe shërben kryesisht si rezidencë e e fortifikuar e sundimtarëve të qytetit të Vlorë,qendra e së cilës ishte spostuar më kohë në Berat. Kështjella fillon e shkretohet aty nga 1832 pas rënies së pashallëqeve aranute. Më 1919 mbi njërën nga kullat gjysmë të shkatërruara, u ngrit “sahati,por pjesa e mbetur e kështjellës kulla e sahatit dhe rrënojat e saj u shemben nga bombardimet që flota italiane i bëri Kaninës më 1920. Eqerem Bej Vlora sjell shumë të dhëna.
4.Ka një të dhënë, që vërteton thënien se gurët e kalasë kanë ndërtuar jo pak ndërtesa përreth saj në kohëra të ndryshme të historisë. Ndër elementët urbanë arkitekturorë përmenden dy hapësira të mëdha që janë fortesa kalaja dhe kështjella ose Citadela. Fortesa përmbante tre hyrje,jugu, lindja dhe veriu sipas këtyre studiuesve ata kanë pasur emetimin: porta ose dera e fshatit,Porta e beut, dhe Porta e Mbretit. Në shekullin e XX janë prishur të tre porta ndërsa kishin ekzistuar deri atëbotë.Pallati i bejlerëve ishte një shtëpi e madhe me 4 kulla të tipit shtëpi Labërie.Disa të dhëna:Godina ishte ngritur më 1701 nga Zejnel Pasha mbi banesën e të parëve ngritur nga Gjegju Sinan Pasha ,sanxhak bej i Vlorës më 1502,u dogj gjatë pushtimit venecian, E datuar në 26shtator 1690 të udhëhequr nga Daniel Delfino. Pukvil njofton: 1807 kalaja u meremetua. 1812 meret nga Ali Pash Tepelena.1848-1850 vendoset një garnizon turk. Banesa e ngritur nga Zenel Pashë Vlora shkatërrohet në 1832 dhe më 1919 dhe u shkatërrua nga bombardimet e vitit 1920 që bëri flota italiane në qershor të atij viti. 1916 italianët vendosin aty një garnizon.
5.Gravurë e kohës mbi sulmin venedikas në kështjellën e Kaninës më 1690(nga P.V.M.Coronelli) . Kush ishte P.V.M.Corornelli. Njihet si Padër Vicenzo Maria Coronelli . Jeta e tij filloi më 1650 dhe zgjati deri në 1718. Ishte gjeograf, hartograf, shpikës dhe printer, ,murg venecian Vicenza Coronelli mund të konsiderohet si një nga globemakers më të famshme të shekullit 17: globusetka krijuar në vitin 1683 për pallatin Louis XIV e në Versajë më shpejt tërhoqi vëmendjen si objektet e mëdha . Vincenzo Coronelli (16 gusht 1650 – 9 dhjetor 1718) ishte një murg françeskan, një Cosmographer venecian, hartograf, piktor,botues, dhe enciklopedisti i njohur veçanërisht për atlaset e tij dhe globet, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Venecia.Vincenzo Coronelli ka lindur, ndoshta në Venecia, 15 gusht, 1650, fëmija i pestë i një rrobaqepësi venecian i quajtur Maffio Coronelli. Në dhjetin vite te jetes së tij , Vincenzo i ri është dërguar në qytetin e Ravenna si praktikant për gravurat në dru. Në vitin 1663 ai u pranua në manastirin françeskanët, duke u bërë një rishtar në vitin 1665. Nga 1681-1683 ai punoi në Paris në një palë prej globeve me diametër prej 3.85 metër për Louis 14, të cilët tani janë në Bibliotekën Kombëtare në Paris. Në vitin 1671 ai hyri në manastirin e Shën Maria Gloriosa dei Frari në Venecia, dhe në vitin 1672 Coronelli u dërgua me urdhër në Kolegjin e Shën Bonaventura dhe Shën Apostoli në Romë, ku ai fitoi diplomën e mjekut të tij në teologji në vitin 1674. Ai shkëlqeu në studimin e astronomisë dhe Euklidit. Pak para se të vinte viti 1678, Coronelli filloi të punojë si një gjeograf dhe është autorizuar për të bërë një sërë globuse tokësore dhe qiellore për Ranuccio II Farnese, Duka i Parmës. Çdo globi i tijështë hartuar imëtësisht ishte me pesë këmbë në diametër (c.175cm) dhe aq i impresionuar sakaq Duka, e bëri Coronellin teolog të tij.
Coronelli me famë si një teolog u rrit, dhe në 1699 ai u emërua Ati i Përgjithshëm i rendit françeskan.Për shkak të famë e tij, ai ka punuar në vende të ndryshme evropiane në vitet në vijim, duke u kthyer përgjithmonë në Venecia në 1705. Në Venecia filloi projektin e tij cosmographical dhe botoi vëllimet e ‘Atlante Veneto’. Në qytetin e tij ai themeloi shoqërinë e parë gjeografike, Accademia Cosmografica degli Argonauti. Ai gjithashtu ka mbajtur pozitën e Cosmographer të Republikës së Venedikut. Më pas gjashtë vëllime të Biblioteca UNIVERSALE Sacro-Profana janë botuar nga Coronelli. Kjo ishte një lloj enciklopedie, shënimet e saj përpiluar ishin të urdhëruar sipas rendit alfabetik.Në moshën gjashtëmbëdhjetë ai botoi për herë të parë e njëqind e dyzet veprat e tij të veçanta.Coronelli vdiq në moshën 68-vjeçare në Venecia, duke pasur qindra harta të krijuara në jetën e tij. Coronelli vetë jetoi shumicën e jetës së tij në Venecia, në manastirin e Santa Maria dei Frari Gloriosa, ku ai themeloi Accademia degli Argonauti, konsiderohet të jetë një nga shoqëritë më të vjetra gjeografike në botë. Një shkrimtar palodhur dhe botues, në vitin 1690 botoi Coronelli Veneto Atlante tij (duke përfshirë “Libri i Globes ‘i famshëm), e cila konsiderohet atlasi parë që janë prodhuar në Itali. Cosmographer zyrtare në Republikën e Venedikut, Coronelli kombinoi edhe kartografi me punë në enciklopedinë e parë të “stilit modern ‘i gjeografisë, për fat të keq mbetur e papërfunduar. Doktor i Teologjisë në Shën Bonaventura në Kolegjiumin Romë në vitin 1673. Ai prodhoi një palë globuset për Louis XIV në 1683. Harta ka 27 harta (14 Gores Globe), dhe 2 globuset (një qiellore, tokësore e) nga Coronelli në koleksionin e saj.
Eqrem bej Vlora shkruan:”Të rrënuara nga koha edhe nga dora e njeriut,qindrojnë ende mbeturinat e gërmadhavet të Kalás Kaninës mbi një çukë që sundon anë-e-mbanë vendet rreth e rrotull.Pámja e kësaj Kalás të mbush zëmrën me brëngim. Mur’i rrethimit ësht shëmbur në shum vende, rrafsh me tokën; godinat që ngrëheshin dikur mbi tre sheshet e Kalás janë çdukur. Mirë po disa murishte e disa themele që kanë mbetur, dëshmojn ende madhështinë’ e kohnave të kaluara, e të harruara, që ka jetuar kjo kështjella.Sa e sa kujtime janë vall varrosur nën gurin e nën zhurin që i mbulojn sipërfaqen? Kush mund t’a dij!Në tansin’ e saj, Kalaja e Kaninës paraqitet si një katërçipëse e paregullt, e ndarë në tre sheshe që qindrojn shkallas njëri mbi tjatrin. Në muret e rrethimit hapen tri dyer; dera e Fshatit nga Jugu, dera e Mbretit nga Veriu dhe dera e Beut nga Lindja. Deri pak vjet më para këto tri hyrjet ishin të paprishura; sot mjerisht të dy të parat janë të rrënuar edhe vetëm ajo që quhesh “dera e Beut” qindron pak a shum ashtu, sikundërse ka qënë në kohat e vjetra.Tue ju avitur kësaj derës na del majtasi përpara një murë rrethimi madhshtor, që përmban kandin Jug-lindor të Kalás edhe mbi të “bahçen e zorkadhevet”, që ësht një “tabj’ e gjërë” në sheshin e parë.Në hyrjen e derës të lartpërmendur shohim më të dy anët, rrënimet e dhomavet kuse banonin rojet edhe pak hapa më tutje shtrihet majtasi një sheshore kuse qindronte gjatë kohës të sundimit Otoman “Saraj’ i Gjejgju Sinan Pash (VLORËS)”. Banesa në fjalë ish një shtëpi e madhe me 4 kula, të tiparit të shtëpijavet të forta të Labrisë. Muret e saja qindronin deri më 1900 të gjysmuar, por ende në këmbë, nuk tregonin asnjë zbukurim. Mënyra e gaditjes tyre ish e thjeshtë, e palyerë nga jasht; dritoret ishin të vogla, pa xhame, mbyllur me qëpëne; shkallët ishin prej guri të palimuar; në hyrjen, në sofallek, kuse dilnin shkallët, nuk kish tavan, dukeshin trenjt edhe qoromidhet e çatis; divanet e shtëpisë ishin jashtzakonisht të mbëdhenj, por ishin të errët, pa dritore; këtu dilnin dyert e dhomavet. Këto ishin madhshtore, me “oxhakë sa një kasolle”, me “mahfile e musandërara” shum të gjëra. Por në dimër nuk ngroheshin dot; njerzit vinin rrotull në shtëpijë veshur me gëzofë, ose me xhoka. Një tuf me zonja e me shërbtore ndërlikonin jetën e përditshme që zhvillohesh në këtë shtëpi. Haja e pija ishin të bollshme, se të ardhurat e pasunisë toksore edhe blegtore të pronarëvet shpenxoheshin këtu në natyrë, pa rregull e pa kursim. Por me gjithse pamja e përgjithshme e banesës paraqitesh pa shije artistike, mënyra e jetesës në këtë shtëpi ish bujare. Godinën që përshkrova (2) e kish ringrehur më 1701 Zejnel Pash VLORA; mbasi banesa e të parvet tij, (me 1502 Kapudan i derja edhe Sanxhakbeu i Vlorës Gjejgju Sinan Pasha e kish gaditur po më këtë vend) u dogj gjat pushtimit të Kalás nga ana e Austrijakve edhe Venedikasve më 1690.Nga banesa që kish ngrehur Zejnel Pasha kish mbetur në këmbë deri në vitin 1919, një kulë gjysëm e zhgatrruar, më 1891 u meremetua edhe u vendos në të sahati i katundit Kaninës. Ky sahati kish ardhur nga Jermanija edhe ish një aparat modern pa as një veçuni artistike. Por kumona e tij paraqiste një interes të veçanët. Kish qenë sikur Kumona e një qishës vjetër të Kaninës (më duket e Qishës të Shën Ounfrit) edhe në rrethin e saj mbante shënimin: “që asaj Qishës ja kish dhuruar Gjergj Aranitasi” (4). Themelet e godinës të lartpërmendur që u hapën e u stydjuan më 1918 nga Xhenjo Ushtarak Italian, me qëllim që të ringrihesh Kalaja sikundërse ka qënë, na lejuan të kemi një pamje pak a shum të sakët mbi përbërjen e saj. Mund pra të themi pa frikë që fjala “Saraj” ish pak e tepruar si për godinën që nrehu Sinan Pasha, ashtu edhe për atë të Zejnel Pashës. Në të vërtetën ishin shtëpija të mbëdhaja, me 25-30 dhoma, mjaft të shëmtuara, që përdoreshin si “Hareme”; ndërsa “Selamlleket” e Sanxhakbeut të kohës Otomane qindronin mbi sheshin e tretë, më të lartë, rreth Kulës së Agajt. Hoborrin e “Sarajevet” e rrethonte një mur. Jashta tij ndodheshin hauret, magazitë, banesat e shërbtorvet, të ushtarvet edhe- simbas gojëthanjës- një Xhami, e ngrehur në kohën e Sulltan Mehmetit II. Mjerisht kurr nuk e cakton dot sot më, se kur qindronte kjo. Disa kalldrema të shtremta e të gremta përshkonin këtë sheshin e parë. Këtu edhe emni “shesh” nuk është fort i përshtatshëm, se p’se nuk ish aspak i shtruarë, por plot brigje e gropa. A ka qënë ndryshe në kohën e parë; do me thënë deri në vitin 1693 kur u prish e u rrënua Kalaja? Unë, nuk e besoj. Midis derës Mbretit që ish hyrja kryesore dhe derës Fshatit shkonte një rrugë mjaft e gjerë edhe ndante praktikisht më dysh Kalanë. Në midis kësaj rrugës qindronte dera e katërt “e Pashajt” që hapte “Iç- kalán”, ndarë edhe ajo në dy sheshe, që shtrihen 10-15 metra më lart edhe ndahen nga shesh’i parë me anë të një murit me disa kule të vogla katërçipshe.Ky muri paraqitet sot shum i ndryshuar. Ushtrija Italjane e rrënoi mjerisht gjatë punimevet edhe stydimevet që bëri më 1918/19. Mbeturinat e derës të lartpërmendur, të shkallve edhe të kalldremit vjetër u çdukën edhe në vënd të tyre Italjanët ngrehën një murë të that. Në bishtin jugor të këtij murit kalon sot një monopat edhe na shpje në sheshin e dytë.Ky sheshi nuk ka as një mbeturinë të ndonjë godine. Ndofta ka qënë për herë i zbrazët, shërbente për ushtrime ose mbledhje edhe sot nuk u paraqit, përveç një kutimit të çuditshëm, asgjë nuk mund të tërheqi vërejtjen e vizituesit. Gojthana- që ka qenë në Kaninë edhe 60 vjet më para- e gjall, na tregon që nga një “tabje” e vogël që qindron mbi murin e rrethimit edhe mbi një shpellë të madhe që hapet 50 metra më posht, “ësht heshur e Shoqja e herojt kombtar edhe prrallor Serb, Marko Kraljviçit, kur i erdhi mandat e vdekjes së Burrit të saj”. Nga pikpamja historike kjo gojthanja nuk ka asnjë mbështetje (5); por tregon sa famë të madhe ka patur kjo Kalaja edhe në rrethin e fëqinjvet t’anë, kurse pasardhsit e sundimit të vënitur Serb në Shqipri (1360-1396) e kanë ndjerë nevojën të lidhin trashëgimin e kujtimevet heroike të tyre me muret e saja.Dy tre metra më lart nga ky sheshi ngrehesh “Iç- kalaja” e vërtetë, e vjetër, mbi një sheshore më të vogël, që ndahej me anë të një murit nga shesh’i dytë. “Iç- kalaja” nuk ka qenë një kështjellë në kuptimin evropjan. Ka qenë një oborr, i mbrojtur nga gjith anët që kish në kandin verior një kulë madhështore “Kulja e Agajt”. Në kohën e sundimit Otoman kjo ish selamlleku ose zyra e sundimtarit të vëndit, ndërsa në kohrat më të vjetra, ka qënë sigurisht edhe banesa e tij. Kulja ish një godinë katërçipshe, me 20 metra faqe edhe 3 ose 4 pate, me mure që kanë një gjërsi prej 3 metra. Ngjitur qemerin e një derës madhe, që disa vjet më para qindronte ngjitur me kulën, zbritej tre metra më posht me një tabje të vogël që shifte skelën, Vlorën, fushën e Nartës edhe Jallinë. Deri në vitin 1693 shtriheshin mbi këtë tabjen 4 topa viganë. Ishin të tiparit që turqisht quheshin “Balljemez”; italisht “Palla e mezza; jermanisht “Faule Mezze”. Me këta kish fituar namë në kohën e sundimit Otoman Kalaja e Kaninës; eni në se gjylen nuk e hidhnin dot as në buzën e detit, as edhe në Vlorë. Për të dhënë kuptimin e madhsisë tyre, mjafton të përmëndim këtu ato që tha më 1668 Evlija Xhelepiu në “Sejahatnamen’ e tij” kur vizitoi kalán: “Një dervish torollak e ka bërë njërin nga këta topat, banesë për vehte. Natën futet në grykën e topit me gjith dyshekun e me gjith orendit që i nevojiten, mbyll kapakun e topit dhe flë brenda”.Në midis sheshores të Iç- kalás gjindet një far soj bimci, veshur me tuvlla. Veçunit e gaditjes saja na lejojn të besojm që ësht bërë në kohën bizantine. Më vonë mund të jét përdorur si stern ose si baruthanë. Pak vjet më para (deri më 1919) qindronin në këtë sheshoren edhe rrënimet e 20 godinave të vogla për ushtarët; sot janë çdukur. Kalaja kish njëzet metra nën derën e Mbretit, një burim me uj pirës, që quhesh “çesma e Haremevet”. Edhe në rast rrethimi të Kalás ky burimi mund deri diku të përdoresh; njerzit e Kalás mund t’i aviteshin, se p’se vendi mbrohesh nga dera e përmëndur, nga kulja e Agajt edhe nga tabja “e djellit”.Muret e kësaj Kalás përfaqësojn sot historin mijvjeçare të saj. Në themelet e murit verior gjëjm gurë qikllopikë. Në mënyrën e gaditjes të murit që ndanë sheshin e parë nga shesh’ i dytë dhe i tretë, çquajn veçunit e mjeshtrisë bizantine. Në shumicën e mureve të tjerë çquan dora e pastërvitur e “ustallarve të kohës dekadente Tyrko- Shqiptare” .

Filed Under: Histori Tagged With: Hartografia, Keshtjella e Kanines, Venecioan Cornelli

Njihuni me Rusinë putiniane

December 19, 2015 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Presidenti rus Vladimir Putin, duke sfiduar mbarë botën demokratike, ka marrë në mbrojtje një diktator dhe një kriminel të nivelit botëror, siç është Bashar al-Asadi, vrasës gjakftohtë i popullit sirian. Analistë të ndryshëm pohojnë se për mbrojtjen e këtij krimineli me damkë, Putini niset nga disa motive. Disa mendojnë se ai, me fushatën siriane, kërkon të kompensojë disfatën që pësoi për gjunjëzimin e Ukrainës, në mënyrë që të dalë i larë para opinionit publik rus. Disa të tjerë janë të mendimit se Putini kërkon të rikthejë madhështinë e Bashkimit Sovjetik, si supefuqi botërore. Një palë e tretë arsyeton se Putini mundohet të sfidojë Perëndimin dhe në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas tij, kanë dështuar në luftën kundër shtetit islamik ISIS, i shpallur i jashtëligjshëm në Rusi. Prandaj, me këtë sfidë, justifikohet para popullit rus se është ai që po e lufton ISIS-n dhe jo Perëndimi. Por ndërhyrja e tij në Siri me bombardime nga ajri, me sigurimin edhe të lejes që i dha parlamenti rus për të futur edhe trupa tokësore për të mposhtur gjoja ISIS-in, në të vërtetë, ka për qëllim të neutralizojë dhe të mposhtë përfundimisht forcat e armatosura të opozitës siriane, të cilat kanë disa vjet që janë ngritur për përmbysjen e regjimit gjakatar të Bashar al-Asadit.
Po a ka vallë ndonjë arsye tjetër që Putini po e mbron me thonj e me dhëmbë nje kriminel dhe njëdiktator të regjur të Lindjes së Mesme? Mos vallë Putinin e joshin edhe më shumë miliardat e dollarëve që Bashar al-Asadi ka në zotërim, të cilat ika siguruar përmes grabitjeve skandaloze të pasurive të popullit sirian?
Bashar al-Asadi figuron në listën e diktatorëve më të pasur të botës. Pasuria e familjes së tij “ka arritur në 122 miliardë dollarë. Kjo sasi dollarësh përbën më shumë se gjysmën e buxhetit të përgjithshëm të shtetit sirian, duke filluar nga vitit 1970 e deri tani. Si burim i pasurisë së tij shërben shitja e rezervave energjetike, e tokës dhe e licensave”(Citohet sipas: “Presidenti i Sirisë, i dyti në listën e diktatorëve më të pasur të botës pas Kadafit”. Marrë nga faqja e internetit “islam-today.ru”. 23 tetor 2012).
Pas ndërhyrjes së Putinit në Siri, gazetari i mirënjohur Evgjeni Kiselov (1956) ka deklaruar:
“Mua kjo më kujton historinë e futjes së trupavenë Afganistan 36 vjet më parë. Në Afganistan regjimi sovjetik zuri qafën poshtë. Kam shumë shpresë se tani regjimi putinian ka për ta zënë qafën poshtë në Lindjen e Mesme” (Citohet sipas: “Kiselov: Putini është rrasur në një fole milingonash, Ukraina duhet ta presë rezultatin me durim” Marrë nga faqja e internetit “radio.vesti-ukr.com”. 30 shtator 2015).
Gazetari Evgjeni Kiselov ka shumë të drejtë. Edhe sikur Putini të kishte me të vërtetë si objektiv mposhtjen e ISIS-t, ai do të pësonte me siguri disfatë të padiskutueshme. Sepse ISIS-I nuk është ndonjë shtet i organizuar, me struktura dhe me objekte konkrete në terren, të cilat mund t’i sulmosh nga ajri apo t’i bombardosh nga toka. Ky i ashtuquajtur shtet, përfaqëson në vetvete një masë të madhe njerëzish kaçakë që sillen nëpër hapësira pa fund e pa anë, si puna e vrundujve të erës që s’dihet se nga fryjnë dhe ç’drejtime marrin. Sepse ata ku gdhihen nuk ngrysen. Pra, në këtë mes kemi të bëjmë me një masë gjigante njerëzish qës’janë gjë tjetër, veçse një vegulli që shfaqet dhe zhduket në horizonte të largëta.
Anton Gurakov, dikur gazetar i “Forbesit”në Ukrainë dhe tani i pasionuar pas udhëtimeve nëpër botë, thotë se “në luftë me një ushtri vegulluese, hesapet nuk pinë ujë, sepse vegullia nuk ka as aeroplanë, as topa, as tanke dhe as raketa. Por ama jeta e anëtarëve të saj nuk vlen asnjë kacidhe se ajo i përket ndonjë udhëheqësi, ndonjë binladeni…”(Citohet sipas: “Kompleksi i impotentit”. Marrë nga faqja e internetit “peaceinukraine.livejournal.com”. 07 tetor 2015).
Kur një shtet, për njërën apo tjetrën arsye, mendon të hyjë në një luftë me një objektiv të caktuar, pavarësisht se nga ç’motive niset, ai duhet të ketë parasysh dy gjëra;
Së pari, të shmangë në maksimumin e mundshëm humbjen e jetës së njerëzve.
Së dyti, të ketë të siguruar një prapavijë të fuqishme ekonomike. Sepse ekonomia e fuqishme është ajo që garanton arritjen e objektivave në frontin e luftimeve.
Në rastin luftës që Rusia po zhvillon në Siri, mund të thuhet me plot gojën se këto dy momente pasqyrojnë një gjendje me të vërtetë të vajtueshme. Sepse, në rastin e parë, autoriteteve shoviniste ruse, tradicionalisht, nuk u ka interesuar dhe nuk u intereson absolutisht jeta e njerëzve, të cilët për ta përfaqësojnë thjesht materiale inerte, që mund t’i konsumojnë kur t’u teket, sa herë t’u teket dhe si t’u teket.
Një nënë ruse revoltohet kundër autoriteteve ushtarake, të cilat të birin e saj duan ta dërgojnë në Siri si mish për top. Ajo proteston kundër ministrit të mbrojtes Sergej Shojgu:
“Cila është arsyeja që njerëzit po i degdisin atje, si bagëtinë në thertore?… Mos vallë njerëzit në vendin tonë nuk qenkan gjëja më e çmuar? Vetëm për t’i degdisur mendojnë. Mos vallë qënka e pamundur për të ndërmarrë ndonjë hap tjetër? Le të niset për atje vetë Shojgu”.(Citohet sipas: Mishel Prorok. “Nëna e një ushtari rus: le tëshkojë vetë Shojgu të luftojë në Siri”. Marrë nga faqja e internetit “economics-prorok.com”. 18 shtator 2015).
Para pak kohësh, gazetari Artjom Djehtjarenko i pati marrë një intervistë historianit dhe politogut rus Andrea Zubov. Mes pyetjeve të shumta qëi drejtoi gjatë intervistës, po ndalem vetëm në njërën prej tyre:
Pyetje: A mund të bëhen ndofarë parashikimesh për faktin se si mund të përfundojë operacioni i mundshëm tokësor rus në Siri?
Përgjigje: Këtë nuk mund ta parashikoj, por mendoj se ky është një gabim i madh. Ai do të sjellë si pasojë problemebrenda Rusisë, probleme të karakterit ndërkombëtar dhe vdekjen e njerëzve. Se jeta e njeriut është më kryesorja. Për fatkeqësinë tonë të madhe, autoritetet ruse nuk e vlerësojnë jetën e njeriut. Kjo traditë e ka zanafillën që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Se Stalini thoshte: “gratë do të pjellin të tjerë”. Dhe ja, tani, kjo traditë e neveritshme vazhdon ende” (Citohet sipas: Artjom Djehtjarenko. “Historiani rus përmendi gabimet e Kremlinit në Siri dhe bëri parashikime për Donbasin”. Marrë nga faqja e internetit “apostrophe.com.ua”. 22 nëntor 2015).
Për rastin e dytë, pra, për gjendjen ekonomike të Rusisë, dëshmojnë faktet pak më poshtë, që janë me të vërtetë tronditëse dhe të bëjnë të vish në përfundimin se fushata e Kremlinit në Siri ka për të dështuar me turp.
Autorja e romaneve të gjinisë së fantastikës politike dhe e dedektivit politiko-ekonomik, e njohur në gazetari si vëzhguese politike dhe analiste ekonomike, zonja Julia Llatëjnjina (1966), komentatore e famshme e radistacionit “Jehona e Moskës”, deklaron:
“Në fillim po them dy gjëra fare të thjeshta. E para lidhet me faktin se në kohën e sotme madhështia nuk lidhet me përmasat e ushtrisë. Madhështia përcaktohet nga përmasat e ekonomisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë superfuqi jo sepse dërgojnë trupa diku. Ato janë superfuqi, sepse prodhojnë 25% të produktit botëror bruto. Vetëm shteti i Kalifornisë prodhon dy herë më shumëprodukttë brendshëm bruto sesa Rusia tani. Kina, gjatë 20 viteve të fundit, fjala vjen, u bë superfuqi jo sepse ka pushtuar Korenë, Vjetnamin apo Kamboxhian. Ajo u bë superfuqi, sepse krijoi një ekonomi të lirë superbashkëkohore dhe shpëtoi nga varfëria 400 milionë njerëz”. Ja, për fat të keq, në botën e sotme, një vend që ndërmerr agresione, të pambështetura kurrsesi nga përmasat e ekonomisë së tij, nuk është superfuqi, ai është një vend-komit: një vend, në të cilin ekonomia është shkatërruar dhe që dobësinë e vetë ekonomike e kompenson me agresione. Unë kam përshtypjen se në Kremlin nuk e kuptojnë se çfarë bëjnë kur mburren se Rusia paska zënë vend përsëri nëpër faqet e para të gazetave. Sepse edhe Koreja e Veriut është e pranishme shpeshherë nëpër faqet e para të gazetave, por kjo nuk do të thotë se atë e respektojnë. Për më tepër, kjo nuk do të thotë se asaj ia kanë frikën. Atë, në të vërtetë, e përbuzin” (Citohet sipas: Julia Llatëjnjina. Komentatore e Radiostacionit “Jehona e Moskës”. Marrë nga faqja e internetit “echo.msk.ru”. 03 tetor 215).
I ftoj lexuesit e nderuar të njihen me të dhënat e mëposhtme, të nxjerra nga faqet e internetit. Të dhënat ishin shumë më të zgjeruara, por këtu po rendis vetëm ato që i vlerësova si më mbresëlënëse.

Sezoni bujqësor në pjesën më të madhe tëterritorit të Rusisë zgjat 2-3 muaj, ndërkohë që në Evropë dhe në SHBA vazhdon 8-9 muaj.
Rendimenti mesatar vjetor i prodhimit të drithrave në Rusi (në toka johumusore) është rreth 17 kv për hektar, kurse në Gjermani, në Francë dhe në Angli (në toka jo humusore) rendimenti është 70 kv për hektarë, në Suedi – 60, në Irlandë – 85 dhe në Ukrainë – 59.
Sasia e përgjithshme e qendrave të banimit është 157 189, nga të cilat 39 000 janë braktisur nga banorët e fshatrave dhe të qytezave, kryesisht nëqarkun qendror federal, në veriperëndim, në veriun skajor, në Siberi dhe në Lindjen e Largët.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, nga harta e Rusisë janë zhdukur 12 000 fshatra dhe 290 qytete, kurse në veriun e vendit numri i popullsisëështë shkurtuar më shumë se 40%.
Çdo ditë në Rusi vdesin rreth 100 njerëz nga mbipërdorimi i narkotikëve.
78,7% e rusëve e quajnë të papranueshëm bashkëpunimin me organet e ruajtjes së rendit.
Sipas statistikave, nje rus konsumon 18 litra pije alkoolike në vit. Sipas përfundimit që kanë nxjerrë ekspertët e OKB-së, konsumi vjetor prej 8 litra alkool për frymë të popullsisë, çon drejt degradimit serioz të popullsisë.
Vetëm 1% e ujit që konsumojnë rusët, përputhet me standardet botërore të cilësisë.
1,5% e popullsisë së Federatës Ruse zotëron 50% të pasurive kombëtare.
Për 30 000 banorë të pastrehë të qytetit të Peterburgut, ekzistojnë më pak se 300 vende nëpër strehimore.
Në Dumën e Shtetit dhe në Këshillin e Federatës numrohen 12 miliarderë, pasuria e përgjithshme e të cilëve arrin në 41 miliardë dollarë.
Në Rusi numërohen 62 miliarderë, me një kapital tërësor prej 297 miliardë dollarë. Miliarderët rusë paguajnë taksat më të ulëta në botë – gjithsej 13%, taksa këto që s’i kanë parë as nëëndërr kolegët e tyre në Francë dhe në Suedi (57%) dhe në Danimarkë (61%) apo në Itali (66%).
63% e rusëve me të ardhura mbi mesataren në shkallë vendi, do të dëshironin që fëmijët e tyre t’i vazhdojnë studimet dhe të punojnë jashtë vendit. 35% e tyre kanë qejf që fëmijët e tyre të jetojnë jashtë vendit përgjighmonë.
Jetëgjatësia mesatare e një mashkulli rus është 58,9 vjeç, e grave arrin deri në 72 vjeç, si në Guajanë dhe në Korenë e Veriut. Në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, derisa paga mesatare mujore në Rusi është 6593 rubla (rreth 94 dollarë) dhe minimum jetik zyrtar kap shiftën prej 5559 rublash (afërsisht 79,5 dollarë). Numri i frymëve me të ardhura poshtë këtij niveli, arrin në 43 100 000.
Kufiri i varfërisë në SHBA është 18 310 dollarë në vit për një familje me tre veta, që do të thotë 1525,83 dollarë në muaj.
Pensioni mesatar në Rusi është 6627,76 rubla (94,5 dollarë mesatarisht). Pensioni minimal i pleqërisëështë2734,41 rubla (39.063 dollarë). Me një pension të tillë minimalvetëm sa mund të mbahet fryma gjalë.
67,4|% e rusëve, daljen në pension e konsiderojnë katastrofë.
85% e rusëve nuk shikojnë kurrfarë mundësie për të ndikuar mbi marrjen e vendimeve shtetërore
77% e rusëve janë të mendimit se nuk janë gati të marrin pjesë në jetën politike të vendit. 62% e tyre kanë njoftuar se për gjithçka shpresat i kanë varur te vetvetja dhe mundohen t’i shmangin kontaktet me çdolloj strukturash të pushtetit. Vetëm 3% e tyre kanë deklaruar se qëllimet e veta i arrijnë gjithmonë, duke hyrë në kontakt me pushtetin.
66,6% e rusëve e ndiejnë veten me turp për vendin e tyre.
Numri i përgjithshëm i popullsisë në Rusi, sipas të dhënave të fundit, arrin afërsisht në 130 milionë frymë.
Në numrin e përgjithshëm të popullsisë, 56% e përbëjnëpensionistët dhe njerëzit në moshën para pensionit. Pra, 73 080 000 frymë.
99 086 000 njerëz mbahen me buxhetin e shtetit dhe me pjesën e popullsisë me aftësi paguese. Mbeten edhe 34 414 000 njerëz. Këta përfaqësojnë njerëzit e biznesit të vogël, të mesëm dhe fermerët. Një gjendje e tillë, pjesërisht, shpjegohet me faktin se prodhimi i brendshëm bruto i Rusisë, është shumëfish më i madh sesa prodhimi ekonomik i qarkut të Los Anxhelosit.
Vetëm 20% e popullsisë së vendit, situatën brenda vendit e konsideron të qetë dhe të mbarë. Më shumë se gjysma e qytetarëve (59%) janë të bindur se Rusia po ndjek një rrugë të gabuar dhe vetëm 18% të të anketuarve thonë se besojnë në drejtësinë e kursit të politikës. Gjendjen e vet ekonomike e vlerësuan të mirë18% e të anketuarve, 54% e quajtën të rëndë, por të durueshme, 17% deklaruan se durimi i mëtejshëm është i pamundur, 11% shpresojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike në të ardhmen, 29% janë të mendimit se ajo vetëm do të keqësohet, 19% e rusëve janë gati të marrin pjesë në protesta masive, 14% janë gati të hidhen në greva. Veprimtarinë e qeverisë nuk e përkrahin 68% e të anketuarve.
78% e rusëve mendojnë se Moska jeton në kurriz të zonave të tjera. 74% e tyre ushqejnë urrejtje për moskovitët. 44% e të pyeturve këtë urrejtje e vlerësojnë “të madhe” dhe “shumë të madhe”. Me fjalë të tjera, moskovitët në Rusi urrehen nga 2/3 e bashkëqytetarëve. Tani në Moskë i bie një hektar për 160 banorë, duke marrë parasysh nivelin maksimalisht të lejueshëm në vendet e qytetëruar që arrin në 140 banorë.
Rrjeti rrugor në qytete, të krahasuar me Moskën, zë 20-30% tëtë gjithë territorit. Në Moskë – vetëm 8,7%. Moska përfshihet në pesëshen e qyteteve të botës me bllokimin më të rëndë të trafikut, kurse moskovitët vlerësohen si shoferët më agresivë dhe më inatçorë të botës.
Sipas të dhënave të revistës RBK Nr. 11, 2007, në përbërjen etnikokombëtare të Moskës, rusët përbëjnë 31% të popullsisë.
Në Moskë, faktikisht, numrohen 14 milionë banorë, nga të cilët rusë janë vetëm 4 340 000. Pra, në kryeqytetin e shtetit rus, rusët janë pakicë kombëtare.
Në Rusi, më shumë se 23 milionë njerëz janë të fesë islame dhe zyrtarisht e quajnë veten myslimanë. Gjatë 15 viteve të fundit, numri i myslimanëve në Rusi është rritur 40%. Në Moskë banojnë më shumë myslimanë sesa në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, kurse tatarë ka më shumë se në Kazan, kryeqytetin e Tartarisë. Aty nga mesi i këtij shekulli, në çdo katër banorë të Rusisë, njëri do të jetë mysliman.
Udhëheqësit myslimanë kanë bërë thirrje për të hequr nga stema e Rusisë simbolikën ortodokse. Nëse numri i myslimanëve do të rritet me ritmet e sotme, atëherë komuniteti mysliman mund të shtrojë çështjen për legalizimin në vend të postit të zëvendëspresidentit qëështë i besimit islam.
Për zhvillimin e islamit, në Rusi, në vitin 2007, nga buxheti i shtetit ishin caktuar 800 milionë rubla (mbi 11 milionë dollarë).
Ortodoksët e vërtetë në Rusi nuk përbëjnë më shumë se 4,5% të popullsisë, domethënë jo më shumë se 6 milionë njerëz. Jo më rrallë se një herë në muaj kishën ortodokse e frekuentojnë 8% e famulltarëve, jo më rrallë se një herë në vit – 18%, më rrallë – 15%, kurse 59% nuk e frekuentojnë fare.
Në Rusi janë të regjistruara 2338 shtëpi fëmijësh. Në to trajtohen 55 126 fëmijë jetimë. Për profilaksinë e fëmijëve të braktisur ishin parashikuar 60 milionë rubla (857 142 dollarë). Për sterilizimin e qenve endacakë në Moskë, shpenzohen 87 milionë rubla (1 242 857 dollarë). Pra, harxhohen 13 000 rubla (185,7 dollarë) për një qen, që do të thotë 27 milionë rubla (385 714 dollarë) më shumë sesa për fëmijët emdacakë.
Më shumë se 40% e produkteve që tregtohen në Moskë janë të falsifikuara.
Në ditët e sotme, pothuajse 70% e produkteve ushqimore prodhohen të pakontrolluara nga askush. Pra, jo sipas standardeve shtetërore, çka lë shteg për të prodhuar ushqim jocilësor.
Në Rusi janë të regjistruar zyrtarisht më shumë se 12 milionë invalidë, më shumë se 4 580 000 alkoolistë, më shumë se 2 870 000 narkomanë, 978 000 të sëmurë psikikë, rreth 890 000 të sëmurë me tuberkuloz, jo më shumë se 22 400 000 të sëmurë me tension gjaku, jo më pak se 2 380 000 të sëmurë me virusin me deficit imun.
Në Rusi, në vitin 2007, pjesa e shpenzimeve shtetërore për nevoja sociale (arsim, shëndetësi, shërbimet komunale, sport etj.) zinte 15% të buxhetit, ndërkohë që në vendet e zhvilluara ishte70,3%, në vendet e Amerikës Latine – 64,1%, në vendet e Azisë – 54,9%, në vendet e Afrikës – 50,1%.
Në Rusi, në vitin 2007, pjesa e shpenzimeve shtetërore për mbajtjen e aparatit shtetëror, të organeve të sigurisë dhe të mbrojtjes, zinte 42,2 të buxhetit,
ndërkohë që në vendet e zhvilluara zinte 11%, në vendet e Amerikës Latine – 19,2%, në vendet e Azisë – 27,5%, në vendet e Afrikës – 25,7%.
Në Rusi çdo vit prodhohen 100 milionë medikamente të falsifikuara.
Vlera e ilaçeve në Rusi është 3-4 herë më e lartë sesa çmimet e kontrolluara ndërkombëtare për preparate analoge.
Më 1 janar të vitit 2008, borxhi i jashtëm i Rusisë u rrit në 38,7%, duke kapur shifrën prej 550,1 miliardë dollarë, çka është e barabartë me volumin e rezervave të arit të vendit.
16% e qytetarëve i mbajnë paratë poshtë dyshekut, kurse më shumë se 60% e popullsisë, përgjithësisht, nuk kanë kursime.
Çdo 24 orë, në Rusi, nga përdorimi i herioinës, vdesin 84 veta të moshës për t’u thirrur për kryerjen e shërbimit ushtarak, në një vit vdesin 30 000 veta.
Vetëm gjatë tre muajve të vitit 2013, nga Rusia u larguan për të jetuar jashtë përgjithmonë 565 369 veta.
Në Rusi, vëllimi i ryshfeteve që jepen çdi vit nëpër gjykata, kap shifrën prej 210 milionë dollarë. Rusia zë vendin e 43-të për shkallën e korrupsionit të sistemit gjyqësor. Tregues të tillë janë karakteristikë për Venezuelën, Kilin, Kongon, Marokun dhe Senegalin.
Rusët japin çdo vit 3 miliardë dollarë ryshfete në instanca të ndryshme të strukturave shtetërore.
25% e rusëve janë të interesuar për ruajtjen e frymës së korrupsionit të shoqërisë.
Në Rusi, çdo ditë, 300 njerëz zhduken pa lënë gjurmë. Në vitin 2008, 5000 njerëz humbën pa lënë gjurmë. Ministria e Punëve të Brendshme, vitet e fundit, është munduar që ta mbajë të fshehtë një informacion të tillë. Numri i krimeve të tilla është 18 herë më i lartë sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 19-20 herë më i lartë sesa në vendet e Bashkimit Evropian(Citohet sipas: “Ca të vërteta tronditëse për Rusinë”.Marrë nga faqja e internetit “oblicomorale.blogspot.com”. 03 mars 2014).

Por prit se ka dava Janina. Rusinë, si një fuqi në rënie, e presin të tjera surpriza, të cilat dikujt mund t’i duken të pabesueshme. Kina, si një superfuqi botërore, po ia merr truallin ca nga ca në Siberi dhe një ditë të bukur ka për të trokitur në shpatet e maleve të Uralit, çka do të shënojë edhe shkërmoqjen e saj si supershtet me shtrirje që nga Balltiku deri në Paqësor dhe krijimin e disa shteteve brenda saj. Por për këtë do të flasim një herë tjetër.
Santa Barbara, Kaliforni
18 dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. Dr. Eshref Ymeraj, Rusia Putiniane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT