• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

TOPONIMIA ΝË RRËNJË TË GJERGJ KASTRIOTIT

January 17, 2016 by dgreca

Me rastin e 17 janarit, përvjetorit të vdekjes të Skënderbeut/
Nga Abdurahim Ashiku-Athine/
Gjergj Kastrioti lindi në Kullën e Gjon Kastriotit. Po ku ka qenë Kulla e Gjon Kastriotit ? Në cilën Odë shqiptare u vendos dhe u përkund djepi, i vetmi mjet që shtriu e lidhi me dizga të leshta Gjergj Kastriotin ?
Barleti, që konsiderohet më pranë tij në kohë e hapësirë, na flet për Emathian, që studjuesit e mëvonshëm (Biemi, Tivarasi, Noli) e lidhën me Matin, lidhje që Kristo Frashëri e kundërshton, kurse Edith Durham, në “Brenga Ballkanike”, duke cituar Strabonin thotë se “Ai vend që tani quhet Maqedoni, dikur quhej Emathia” (f.433), emër i cili, sipas saj, do të thotë “ E Madhja”.
Autorë të tjerë, korifenj në historiografinë shqiptare si Aleks Buda e të tjerë, bazuar në përshkrimet e Barletit dhe të disa autorëve të tjerë, i kërkuan rrënjët e Kastriotëve në Has të Kukësit. Të tjerë i kërkuan dhe i kërkojnë rrënjët e Kastriotëve, madje edhe të Vojsavës, në Mirditë kur të tjerë autorë, jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme, por brenda kufijve shekullorë shqipfolës, rrënjët e kësaj të fundit (Vojsavës ) i gjejnë në Pollog , fshatin Gradec në Gostivar.
Të tjerë autorë, hajdutë të historisë, Gjergj Kastriotin janë munduar e mundohen ta quajnë dikush Georgij e dikush Jorgji, dikush sllavoserb, sllavomaqedonas apo grek.
Gjergj Kastrioti lindi në Shqipëri, lindi shqiptar, u rrit si shqiptar, luftoi siç luftojnë shqiptarët, me shpatë në dorë, dhe vdiq shqiptar.
Për mendimin tim, nuk ka rëndësi në se Gjergj Kastrioti lindi në Mat, në Dibër, në Has, në Krujë a gjetkë. E rëndësishme është se ai qe, në radhë të parë, një shqiptar i madh, pastaj një dibran i madh, a matjan i madh, a hasjan i madh, a krutan i madh.
Në qoftë se unë në prezantimin tim do të përdor “prashajkën” duke tërheq pas vetes e paraqitur para jush tezën se Gjergj Kastrioti lindi në Kullën e Gjon Kastriotit në Dibër duke e lidhur me toponiminë që personalisht e njoh, lindi në Dibër, e cila gjeografikisht gjendet atje ku takohen vektorët e popullsisë shqipfolëse, qendra gjeografike shqiptare, nuk i mbyll rrugën kërkujt që të thotë fjalën e vet mbi fakte e dokumente. Rrugën ua mbyll vetëm atyre që emrin Gjergj e shkruajnë dhe e shqiptojnë Georgij apo Jorgji.
Barleti dhe të tjerë studiues, të afërt apo të largët në kohë me Skënderbeun, na ka lënë duzina emra vendesh që lidhen me lindjen dhe jetën e Skënderbeut. Këta emra, studiues dhe historianë të vonët i kanë lidhë me Matin dhe me Hasin. Çuditërisht ata, për një kohë të gjatë nuk i kërkuan në Dibër.
I pari, në shekullin e kaluar, në vitin 1940, në përmbledhjen historike, ende në dorëshkrim ( ! ), “ Dibra në prak të historisë”, Haki Stërmilli, autori i të parit roman historik kalorsiak shqiptar, “Kalorsi i Skënderbeut”, duke kundërshtuar Nolin paraqet si çelës për tezën e tij se Gjergj Kastrioti lindi në Dibër, toponiminë e cila përkon tërësisht me emrat dhe emërtimet e vendeve historike të cituara nga Barleti, Bjemi, Anonimi i Venedikut dhe të tjerë.
Skënderbegasi i madh Kristo Frashëri në artikullin e vet me titull “Nga ishin Kastriotët ? Ku lindi Skënderbeu? “( gazeta “Mësuesi” 4 dhe 11 shtator 1974 ) çështjeve në burimet historike, arkivore dhe letrare, u shtoi edhe të dhënat toponimike të mbledhura në teren.
Nga analiza e të dhënave, ai nxori konkluzionin se me emrin Has autorët e ndryshëm nuk kanë pasur parasysh Hasin e sotëm mbasi ai deri në shekullin XVI nuk quhej Has por Pashtrik, por një nga krahinat e Dibrës, qendra e së cilës ishte Qidhna e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466 ( ku u kaluan në tehun e thikës dhe të shpatës më se dhjetëmijë burra, gra, fëmijë e pleq të strehuar aty për t’i shpëtuar genocidit otoman) në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut. Nuk është e rastit, thotë autori, që bashkëkohësi i heroit R. Voltarrano e quan të atin e Skënderbeut Gjon Dibra apo Gjon Dibrani. Kristo Frashri thotë se nga defteri turk i përpiluar në vitin 1467 del se në fshatin Sinë, që një shekull më parë ishte zotërim feudal i Pal Kastriotit (gjyshi i Skënderbeut), banonte një familje me të njëjtin mbiemër – familja e Dhimitër Kastriotit. “ Fakti që në Sinë të Dibrës, shkruan K. Frashëri, dy orë larg fshatit Kastriot, i cili ndodhet po ashtu siç shënon kronika e Lukarit, pranë lumit Drin, tre ose katër breza pas Pal Kastriotit, ekzistonte një familje me të njëjtin mbiemër, siç është ajo e Dhimitër Kastriotit, kjo nuk është e rastit. Kjo tregon se Kastriotët ishin vendosur prej kohësh në fshatin Sinë”.
Por edhe pse ishin në fshatin Sinë Kastriotët pronat e tyre i kishin poshtë në fushë. Në mes të kësaj fushe ndodhet fshati Kastriot. Pikërisht në disa pika të caktuara të këtij fshati, një varg i tërë toponimesh janë të lidhura me emrin e babait të Skënderbeut, siç janë Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit. Të gjitha këto të dhëna, përfundon K. Frashëri, mbështetin traditën popullore dibrane, sipas së cilës Skënderbeu lindi në Shëgjerth ( lagje e Sinës ) dhe u rrit në Çelias ( lagje e Kastriotit ).
Po në këtë kohë, dy autorë dibranë, Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha, lindur e rritur në këtë zonë, në shkrimin “Toponimia në ndihmë të Kastriotëve” botuar në gazetën “Mësuesi” e përforcuan tezën dibrane të origjinës së Kastriotëve. Ali Hoxha në shkrimin “Mbi lokalizimin e fushës së Betejës së Torviollit” ( Fushë e Çidhnës ) botuar në “Studime historike” nr. 3 viti 1979, në vlerë të rrënjëve të Kastriotëve na jep në dorë toponime të tilla si Kastriot, Fusha e Kastriotit, Kalaja e Gjonit ose Kulla e Gjonit, Kroi i Kastriotit, Pusi i Gjonit, Zabeli i Gjonit, Kalueri (vend në të cilin thuhej se stërviteshin kalorësit), Çeliasi (thuhet se këtu ka qenë burgu), Gjuri i Luftës, Gjardhi i Poshtëm, dikur fshat më vete, sot lagje e fshatit Sinë e Poshtme, Gjardhi i Epër në Sinë të Epër. Brenda territorit “Gjardhi i Poshtëm, ose shkurt Shgjerth janë edhe toponimet Troja, ( ku thuhet se kanë pas trojet Kastriotët) e ku ka gjurmë themelesh prej guri, Kodra e Trojes, Hambaret. Po në Sinë të Poshtme kemi edhe toponimet Pajella e Skënderbeut dhe Hurdha e Kalit të Skënderbeut. Në Sinë të Epërme ruhet toponimi Thana e Skënderbeut. Në Çidhën: Kepi i Xhitetit, Kepi i Matjes ( i cili sipas gojëdhënës shërbente për të matur ushtarët e Skënderbeut). Pusi i Skënderbeut, Guri i Kalit të Skënderbeut (në të cilin thuhej se Skënderbeu ka pas lidhë kalin e tij), Kalaja e Skënderbeut etj.
Hazis Ndreu në shkrimin e 14 janarit 1976 në gazetën “Mësuesi” vë në dukje se materiali toponimik i trevës së Dibrës jo vetëm pajtohet me burimet dokumentare mbi Skënderbeun , por ka edhe veshjen folklorike Kastriotase, gjë që i mungon materialit toponimik të viseve të tjera.
Për rrënjët e Kastriotëve në trevën e Dibrës flet edhe historia e jetës dhe e veprës së Skënderbeut. Skënderbeu, në kthim nga beteja me Huniadin, në krye të treqind kalorësve shqiptarë erdhi në Dibër. Cili hero historik nuk është mbështet në marshin e tij legjendar nga vendlindja ? Pse nuk shkoi Skënderbeu në Has të Kuksit por erdhi në Dibër dhe prej andej nisi çlirimin e vendit ?
Beteja e parë e Skënderbeut, ajo e 29 qershorit 1444 është zhvilluar në Dibrën e Poshtme, në Fushën e Çidhnës, në ato vende që Gjergji i Kastriotëve i njihte symbyllas që në vogëli. Cili strateg ushtarak nuk do të zgjidhte për të tërhequr në betejë armikun në ato terrene ku ai njeh çdo pëllëmbë toke ?
Skënderbeu, nga 26 beteja të mëdha që ka zhvilluar kundër ushtrisë më të madhe e më të egër të kohës, turqve osmanlinj, 19 beteja i ka zhvilluar në Dibër. Cili kordhëtar i madh nuk do të tërhiqte e ngrinte pusi kundër armikut në ato vende ku edhe rrënjët, degët, gurët, drurët, malet, luginat, gratë dhe fëmijët, do t’i kishte shpatulla e krah të fortë, armë fitoreje ?

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurahim Ashiku, EDHE GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU, toponimia

KOSOVA DHE ASPIRATAT E SAJ TE INTEGRIMIT NE BASHKIMIN EVROPIAN

January 17, 2016 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/
Kosova si shtet i ri i cili pretendon te hyje ne Bashkimin Evropian,kryesisht perballet edhe me disa sfida te njejta si vendet e tjera fqinje te Ballkanit perendimor.
Perspektiva evropiane per vendet e Ballkanit perendimor ku bene pjese edhe Kosova dhe integrimi me i shpejte i saj ne Organizatat nderkombetare duhet te mbetet njera nga prioritet e politikes se jashtme te Republikes se Kosoves.Keshtu partneritieti i Kosoves me vendet e Bashkimit Evropian eshte me se i nevojshem dhe i domosdoshem per te ndikuar edhe ne lobizimin e metejme te njohjes se Kosoves edhe nga pese vendet e tjera te BE-se dhe forcimin e metejme te sovranitetit te saj shteteror.Bashkimi Evropian u themelua me Traktatin e Romes ne vitin 1957,pervec synimeve te tjera kishte si qellim edhe bashkepunimin ne mes shteteve anetare
pastaj zhvillimin e demokracise,mbrojtjen e lirive dhe te drejtave te njeriut ne mes te shteteve anetare,stabilizimin dhe transicionin e shpejte ne ekonomine e tregut,
promovimin e bashkepunimit rajonal dhe perspektiven e vendeve aspiruese per anetaresim ne Bashkimi Evropian.Kosova si vend aspirues per integrim ne Bashkimin Evropian ne njeren ane ballafaqohet me probleme te njejta si vendet fqinje te Ballkanit perendimor,si rritja e korrupsionit,shtimi i varferise,rritja e papunesise,pastaj funksionimi i brishte i sistemit te drejtesise,sundimit te rendit dhe ligjit etj.Ndonese ekziston nje perkushtim verbal nga autoritetet e Kosoves per forcimin e sundimit
te rendit dhe ligjit ,problemet dhe sfidat me te cilat perballet Kosova ne kete fushe jane komplekse dhe te shumta,ndersa duhet te investohet ne me shume burime per te arritur deri te permiresimet e nevojshme.Kosova ka nevoje edhe per me shume qartesi juridike,vecanerisht ne fusha te ndryshme si ne sektoret e ndryshem te ekonomise,ku do te krijonte kornizen e domosdoshme per investime ekonomike dhe ndermarresi,e cila Kosoves do ti sillte zhvillim ekonomik dhe stabilitet social.
Ne anen tjeter Kosove perballet edhe me probleme te natyres politike me fqinjet e saj,kryesisht me Serbine pushtuese,e cila deri me tani eshte paraqitur si pengese kryesore ne integrimet regjionale dhe nderkombetare te Kosoves.Poashtu Serbia per vite te tera ishte mbeshtetese dhe financuese e strukturave ilegale serbe ne pjesen veriore te Mitrovices dhe refuzuese e disa marreveshjeve te Brukselit te cilat i kishte nenshkruar me pare,pa implimentim marreveshjet e nenshkrara vetem ne leter nuk premtojne shume.Ndrkaq lajmi i fundit se Kosova i dorezon Bashkimit Evropian inputin e fundit per liberalizim te vizave eshte nje lajm i gezuar dhe per tu pershendetur,sepse Kosova de facto eshte pjese e Bashkimit Evropian dhe ajo nuk mund te mbetet vendi i vetem ne Ballkanin perendeimor si nje vend i vetem pa liberalizim te vizave dhe si nje geto e izoluar.Ky input sipas zyrtareve te larte te qeverise se Kosoves permban rezultate dhe te arritura konkrete gjate muajve te fundit dhe pritet te vleresohen pozitivisht nga institucionet e Bashkimit Evreopian.Ndaj le te shpresojme se pas liberalizimit te vizave integrimi i Kosoves ne strukturat e Bashkimit Evropian do te ndodhe ne nje te ardhme te afert.

Filed Under: Analiza Tagged With: BASHKIMIN EVROPIAN, DHE ASPIRATAT E SAJ TE INTEGRIMIT NE, kosova, Lulzim Mulliqi

Kosovë-Para 25 viteve nisi të dalë gazeta e rezistencës “Bujku”

January 17, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/
-Nga korrespondenti në Kosovës i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 17 Janar 2016/ Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, doli numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale. Kryeredaktori i parë-themelues i gazetës “Bujku” u bë edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin e para mëse 13 viteve, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
***
*Autori – korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte kryeredaktor i parë-themelues i Gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”, pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vite, Behlul Jashari, Gazeta Bujku

“BACË, NUK ËSHTË KRY!”

January 17, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi në Kosovë u shënua 17-vjetori i masakrës së Reçakut, aty ku me 15 Janar të vitit 1999 forcat kriminele ushtarake dhe policore të Serbisë masakruan lartë nga 45 shqiptarë civilë të pa-armatosur. Ishte kjo një masakër që lau me gjak Recakun. Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara, William Walker i cili në atë kohë kryesonte Misionin Verifikues të OSBE-së në Prishtinë, me të marrë vesh lajmin e hidhur të kësaj masakre, vajti në vendin e ngjarjes. Dëshmia e ambasadorit Walker për masakrën tragjike që kishte parë në Reçak, njëkohsisht tmerroi botën e qytetëruar dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj amerikane se diçka duhej bërë dhe shumë shpejt për të ndaluar masakrimin e një populli të tërë nga forcat kriminale të Millosheviqit në Kosovë.
Qeveria dhe populli i Kosovës me të drejtë nderuan Ambasadorin Walker me rastin e 17-vjetorit të masakrës në Reçak. Respekti dhe nderimi për William Walker javën që kaloi nga institucionet dhe nga populli i Kosovës nderon mbarë kombin shqiptar kudo. Duhet thekësuar nuk dihet se si do të kishin rrjedhë punët në Kosovë në vitin 1999 po të kishte qenë në Prishtinë një përfaqësues jo amerikan, si kryetar i Misionit të OSBE-së.
Kosova me të vërtetë nderoi këtë hero të drejtësisë, mbrojtjës i të drejtave të njeriut dhe mik i shqiptarëve, miqësi të cilën ai e dëshmon edhe tani pas 17 vjetësh, ndërkohë që nuk pushon së punuari për të mirën dhe mbarvajtjen e Republikës së Kosovës.
Ashtu si edhe në vitin 1999 kur ai alarmoi botën dhe diplomacinë perëndimore mbi masakrën e Reçakut dhe mbi politikën e Millosheviqit prej gjenocidi ndaj shqiptarëve në trojet e veta shekullore, William Walker, në vizitën e tij javën që kaloi në Kosovë për të shënuar 17-vjetorin e masakrës së Reçakut – nuk ngurroi të shprehte merakun e tij të madh ndaj gjëndjes aktuale politike atje duke bëri një thirrje prej miku dhe një paralajmërim ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij të thellë me gjëndjen politike të Kosovës.
Ishte ky një paralajmërim prej një miku të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Besoj se dëshmitari i masakrës së Reçakut as nuk mund të paramendonte në Janarin e vitit 1999 se sot, 17-vjetë më vonë do të detyrohej të deklaronte se Republika e Kosovës — shtet i lirë dhe i pavarur pas aq shumë vuajtjesh e sakrificash njerëzore dhe humbjesh materiale prej dekadash, e udhëhequr nga vet shqiptarët — “Është në rrugën e gabuar.”
Për gjëndjen politike të krijuar gjatë vitit të kaluar, William Walker ia tha troç klasës politike në Prishtinë duke e ngarkuar atë me fajin më të madh për aktualitetin dhe për grindjet dhe mosmarrveshjet politike në vend, duke thekësuar se, “Klasa politike është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova”, dhe si e tillë shtoi ai, “Kjo klasë politike nuk është e aftë të zgjidhë problemet me të cilat përballet Republika e Kosovës” dhe si përfundim sugjeroi ai, në atë vend duhet të ketë një ndryshim brezash politikë të cilët të jenë të aftë për tu përballur me sfidat e reja të Kosovës. Ndërkohë që ish-ambasadori Walker mbështeti protestat e fundit si një shprehje e lirisë dhe demokracisë në vend, duke iu referuar protestave të fundit dhe dhunës së përdorur, ai nënvijoi se nëqoftse ao “teprohen, atëherë diçka nuk është në rregull dhe është një problem që duhet të zgjidhet”. Por, ai deklaroi se problemet serioze me të cilat përballe sot Kosova, “nuk mund të “zgjidhen nga klasa e tanishme politike”, citohet nga media e Kosovës, të ketë thënë William Walker. Ai ka thënë se edhe qeveria i ka përgjegjësitë e veta në këtë mes, duke thënë se ajo mund të ishte sjellur më mirë gjatë protestave, citohet të ketë thënë Z. Walker.
Ambasadori Walker u shpreh se komentet e tija shqetësuese mbi gjëndjen në Kosovë dhe sidomos mbi klasën e tanishme politike atje, pasqyrojnë njëkohsisht edhe, “Mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë e me të cilët pajtohem”, ka pohuar ai, “se një prej problemeve më të theksuara në Kosovë është klasa politike, e cila mendoj unë, nuk po ndjekë një rrugë e cila do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur”, ka theksuar Walker. Ambasadori Walker dhe komuniteti shqiptaro-amerikan, që për dekada punuan dhe shpenzuan, madje dhe luftuan, për ta parë Kosovën të pavarur, të lirë dhe demokratike, janë të zhgënjyer nga ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, ngase duke marrë parasyshë historinë moderne të Kosovës, nuk prisnin kurrë krijimin e një situate si politika aktuale në Prishtinë. Shpresohej për një politikë dhe për politikanë ndryshe!
William Walker, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë javën që kaloi, hodhi poshtë sugjerimet se problemet dhe grindjet e tanishme politike midis përfaqsuesve të kësaj klase politike, duhet të zgjidhen nga ndërmjetës ndërkombëtarë. Ai ka thënë për median se ndërkombtarët mund të kenë ndonjë rol tjetër, por jo rolin e ndërmjetësit në politikën e mbrendëshme politike të Kosovës.
Fatkeqsisht, në trojet shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë ose në Maqedoni dhe në Mal të Zi, politikanët shqiptarë presin që — në grindjet dhe mosmarrveshjet e shumëta politike midis tyre, të cilat politikisht dhe ekonomikisht por edhe në fusha të tjera, kanë paralizuar botën shqiptare — ndërkombtarët të luajnë rolin e ndërmjetësit, me shpresë që të huajt të mbështesin qëndrimin e njërës ose tjetrës palë. E vërteta është se askush nuk mund dhe nuk duhet as të përpiqet të zgjidhë problemet politike të mbrendshme të shqiptarëve, as në Tiranë as në Prishtinë. Është kjo klasë politike në të gjitha trojet shqiptare që vet duhet të bëjë një gjë të tillë – me një dialog politik dhe tolerancë politike midis tyre — nëse me të vërtetë dëshirojnë të krijojnë shoqëri të lira e demokratike, pikëspari në frymën e vlerave dhe traditave jetike arbënore, për të cilat ndërkombëtarët nuk kanë asnjë ide, por edhe në përputhje me vlerat e botës moderne në të cilën jetojmë.
Ambasadori William Walker shprehi me këtë rast shqetësimet e tija për gjëndjen aktuale në Kosovë, por do të shtoja se edhe gjendja aktuale politike dhe grindjet e pafund midis partive në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare, pasqyrojnë gjithashtu edhe shqetësimet e komunitetit shqiptaro-amerikan, e si përfundim edhe shqetësimet e shprehura nga politika zyrtare amerikane, se punët e shqiptarëve — 25-vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit – nuk janë në rrugën e duhur.
Ne dëshirojmë që Atdheu i të parëve tanë — me këtë kam parasyshë mbarë trojet shqiptare në Ballkan — të realizojë një nivel të kulturës politike dhe një shkallë qytetërimi politik që do të siguronte një bashkjetesë kombëtare midis grupeve të ndryshme politike për të mirën, lavdinë dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve. Për ndryshe, stuata e tanishme dhe ngërçi politik dhe bojkotet politike në mbarë botën shqiptare, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri, fatkeqsisht thonë disa se gjëndja e krijuar, vërteton pretendimet shekullore të armiqëve të kombit shqiptar se shqiptarët nuk mund të vetqeverisen. Sa i tmershëm do të ishte vërtetimi i këtij konkluzioni!
Sot për sot, fatkeqsisht, kombi shqiptar gjëndet në një udhëkryq. Falë kësaj klase politike, duket se shqiptarët nuk po dinë të gjëjnë rrugën e tolerancës dhe bashkjetesës kombëtare dhe politike midis tyre që do t’a çonte atë në udhën që ia ka caktuar Perëndia dhe historia — drejtë realizimit të idealeve kombëtare. Është e vërtetë se gjatë shekullit të kaluar, Shqiptarët u gjëndën, ndoshta si asnjë popull tjetër në Europë, i hudhur, i përbuzur, i shkelur e i harruar dhe i përsekutuar nga një ideologji e huaj e imponuar sllavo-aziatike dhe nga fqinjtë që kurrë nuk ia deshtën të mirën këtij kombi. Mirëpo, anë e mbanë trojeve shqiptare, për këtë situatë aktuale absurde mosmarrveshjesh e grindjesh të pafund të klasës politike — sot për sot — nuk mund të fajësohet komunizmi, as sllavi, as greku, as turku dhe as ndonjë tjetër, por vetë shqiptarët. Pa një ndjenjë dhe realizim për nevojën e doemosdoshme të bashkjetesës politike dhe kombëtare – pa një diskurs politik i denjë për shekullin 21 në radhët e klasës politike të shqiptarëve kudo, që do t’i jepte një hov të ri jetës kombëtare, politike, dhe ekonomike të shqiptarëve, sot për sot nuk mund të thuhet se, “Bacë u kry”, jo vetëm në Kosovë por askund tjetër në trojet shqiptare. Zemreku i orës së historisë së kombit shqiptar po pret gjithnjë të këthehet në rrugën e duhur. Kjo mund të arrihet vetëm nga vetë Shqiptarët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bace, Frank shkreli, NUK ËSHTË KRY!"

Dashtë Zoti, shihemi në autonomi!

January 17, 2016 by dgreca

Novi Pazar – Partia e Aksionit Demokratik të Sanxhakut ka organizuar një miting proteste me rastin e shënimit të 7 vjetorit e ndërhyrjes së forcave të pushtetit serb në ambientet e PAD të Sanxhakut , dhe përpjekjes për linçimin e kryetarit dhe zyrtarët e saj , ku me këtë rast me armë zjarri është plagosur një person./
Nga Ismet Azizi/
Tubimi u emërua “Drejtësi për Sanxhak”. I pari në mesin e folësve doli Fuad Baçiqanin, i cili me këtë rast tha se siguria jonë është në nivelin më të ulët, për shkak se përfaqësuesit e shtetit dhe qytetit të Novi Pazarit nuk bëjnë punën e tyre si duhet.
Në mbështetje të luftës kundër dhunës, përfaqësues të BDZ të Sanxhakut ishin të pranishëm në tubimin e sotëm të protestës. Të pranishmëve iu drejtua prof. Dr. Admir Muratoviq, i cili vuri në dukje se këto gjëra janë politikën ditore, dhe se, kur është fjala për këtë, duhet të mbledhin të gjithë njerëzit që e duan qytetin e tyre dhe fëmijët e tyre. “Në këtë vend , nga fillimi vërtetojmë gatishmërinë tonë për unitet kombëtar në luftë për jetë të sigurt në shtëpinë e tonë dhe të pragut tonë, në luftën kundër korrupsionit, lidhjes mes krimit dhe politikës, të cilat në Novi Pazar, e Sanxhak dhe qytete të tjera ka arritur kulmin e saj”, shtoi Dr. Muratoviq.
Para të pranishmëve foli edhe kryetari i komunës së Tutinit, Shemsudin Kuçeviq,, i cili me këtë rast tha se kurrë nuk do të arrijnë të na largojnë nga Sanxhaku. “Një Kryeministri serb vizitoi komunën e Tutini. I kam thënë me këtë rast se të gjitha regjimet në Serbi janë duke u përpjekur në çdo mënyrë për ta dëbuar këtë grusht të vogël të boshnjakëve në Sanxhak, por i kam thënë se kurrë nuk do të ketë sukses “, përfundoi Kuçeviq.
Deputeti Enis Imamoviq, në fjalimin e tij, ka folur në lidhje me padrejtësitë e shumta dhe krimet e cila sot e kësaj dite nuk janë qartësuar, duke i kërkuar qeverisë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. “Ne kërkojmë një përgjigje nga qeveria, gjykata dhe prokuroria që banditë të cilët janë të armatosur deri në dhëmbë në orët e vona janë futur në lokalet e partisë sonë, qëlluan në presidentit dhe udhëheqjen tonë, dhe kush janë këta banditë që i urdhëroi ata, dhe kush janë këta banditë që tani në mënyrë të sigurt shëtisin nëpër qytet, pavarësisht nga krimi që bëjnë për çdo ditë? “pyeti Imamoviq.
Presidenti i PAD-it të Sanxhakut, Sulejman Uglanin foli në fund të takimit. Ai vuri në dukje se pothuajse të gjitha sferat po përjetojnë nivelin e korrupsionit. Ai shtoi se qeveria detyron biznesmenët të bashkohen me ta , ti fusin në radhët e tyre përmes njerëzve të saj përgjegjës për rrëmbimin e kapitalit “keni njerëz të karakterit të dobët policë, prokurorë dhe gjyqtarë që me procedura të shpejta shkelin dinjitetin e çdo njeriu, dhe pastaj u thonë:” të mbrojnë veten në gjykatë, kërko drejtësi “. Nëse vazhdojnë kështu ne do ti bartim bizneset në Bosnjë dhe Kosovë. Jemi të detyruar të i tërheqim për veshi, nuk mund të bëjnë më kështu! “, tha Uglanin.
“Ju uroj gjithë të mirat dhe ne do të shihemi në autonomi, dashtë Zoti,” u rekomandoi Uglanin të gjithë të pranishmëve të tubimit të sotshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: Dashtë Zoti, Ismet Azizi, shihemi në autonomi!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT