• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2016

KALI LEGJENDAR I SULOVËS

January 10, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Njeriu si pjesë e botës së gjallë ka zgjedhur me kujdes aleatët e vet në sigurimin dhe zhvillimin e jetës, duke zbutur e përshtatur kafshët për interesat ekonomike e të rëndësishme shoqërore. Por midis shumë kafshëve të zbutura si: qenin, macen, lopën, dhinë, delen, ai kalin e ka pas krah, dhe shok me të cilin qan hallet e jetës, duke e konsideruar atë si pjestar familje. Kali është kafshë e butë dhe e fuqishme, duke shërbyer më së miri edhe në situatat luftarake, të lidhura ngushtë me etapat e kaluara historike. Ishin të famshme kavaleritë e fuqishme të çdo ushtrie në shekuj. Ato përbënin pjesën më vitale, më të fortë dhe më shpresëdhënëse për fitore të sigurt se të gjitha pjesët e tjera të formacioneve luftarake.

Pegaso, kali fluturues, simbol i frymëzimit poetik

Në bashkëjetesën e kalit me njeriun, kali ka qënë simbol pune, ekzistence, jetese dhe mbijetese, por edhe një metaforë bukurie dhe ndjeshmërie artistike. Më shumë se çdo kafshë tjetër, ai ka qënë i pranishëm në përfytyrimet mitologjike dhe në gjurmët gjuhësore. Pegasi fluturues që nga mitologjia është personifikim i përfytyrimeve më të guximëshme të ndenjave njerzore. Pegasi përfytyrohet si një kalë me fletë që fluturonte, me të cilin thuren shumë legjenda. Lindi nga gjaku i Meduzës kur e vrau Perseu. E ka përdorur Seusi për të transportuar rrufetë. Seusi e vendosi atë në qiell, në formën e yjësisë së Pegasit. Në një tjetër legjendë thuhet se mbi të hipnin Muzat. Si rezultat i lidhjeve me Muzat u bë për poetët e vjetër, por edhe ata të rinj, simbol i frymëzimi poetik. Kjo të bën të besosh për një traditë të lashtë, e faktuar edhe në dokumenta historike, botime të ndryshme, gdhëndje artistike në dru, gur, nw thurjet e qendisjeve, nw toponimet e shumta dhe histori gojore. Kali përmendet edhe në legjendat e mëpasëshme. Mjafton të përmendim Gurakën kalin, që e çoi profetin Muhamet lart në qiell, ku takoi Zotin.

Traditë dhe histori

Edhe në krahinën e Sulovës ka kushte të favorshme për mbashtrimin e kuajve. Që nga kohët e vjetra sulovarët e kanë çmuar kalin, më shumë se nga të gjitha kafshët e tjera, të cilët e kanë ndihmuar. Studiuesi Petrit Basha thotë se “çdo sulovar ka në zemër një qoshe dashurie për kalin, ashtu siç çmon shumë gruan, dhe pendën e qeve, tri gjëra jetësore: Jeta (dashuria), Buka dhe kafshët, që e kanë shoqëruar në jetë.”
Në Enciklopedinë “Elbasani” është shkruar: “ Krahina e Sulovës është e njohur edhe për traditën e rritjes së kafshëve, e sidomos për kalin e bukur, të shpejtë dhe të fortë, që njihet si kali i Sulovës’’. Toponimet përbëjnë një argument më shumë për vendin që ze kjo kafshë fisnike, në Sulovë. Ato janë të shumta në vendbanimet e Sulovës si: Samari i Kalit, Qafa e Kalit në Kamuna; Sheshi i Pelave në Floq prej faktit që aty kullosnin gjithmon tufë pelash; Gropa e Kalit në Selitë; Gjurma e Mushkës në Qafë; Kalaj në Mollas, ku thuhet se dikur kalonte nje rrugë kuajsh; Guri i Kalit në Dasar, një gur me përmasa normale e me emër. Sipas një zakoni mbetur kushedi nga ç’kohë këtu burrat me nam hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë. Ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e fisnikërisë së tyre, si dhe përcaktonte edhe rëndësinë hierakike, sepse të mbaje kalë në Sulovë patjetër duhet të ishe i pasur apo i shtresës së mesme fshatare. Një dëshmi tjetër e qartë janë edhe gdhëndjet e lashta në vendbanimet e Sulovës: Qyrkan, Qafë, Topojan, Dragot, në toponimet: Shkëmb, Goricë e Çalës, Goricë e Çobanit, Kllapë e Kuqe, Klos, Shkëmbi i Bletës etj, ku tregohet simpatia e të parëve tanë për shpendët, kafshët, e sidomos për kuajt. Ata që i kanë parë me sytë e tyre këto gdhendje i tregonin me një ndenjë adhurimi dhe simpatie. Shumë nga ato janë shkatërruar pas viteve ‘90 nga babëzia e njerëzve, me mendimin se aty ku gjendeshin ato mos ndoshta fshihen thesare. Me interes ishte një gur i emërtuar “Gjurma e Mushkës”, diku në fund të Qafës së Madhe, afër një vendbanimi të lashtë për të cilën tregohet edhe një legjendë mistike, që ka ka ardhur e plotë deri në ditët tona, e lidhur me kalanë antike të Qafës në Sulovë. Ajo thotë: “Në kohën e pushtimit turk, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, për t’i shpëtuar turqve kur rrethuan muret, dhe kur e pa se nuk ishte në gjendje të mbrohej me luftëtarët e saj para asaj ushtrie të madhe në numër, kërcen së bashku me mushkën dhe fluturoi nga kalaja në një pllakë shkëmbore. Për të vërtetuar se ky kërcim, nuk ishte përrallë, dëshmon gjurma që ka lënë mushka gjatë kërcimit mbi këtë gur. Nga gjurma e dikurshme fatkeqësisht s’ka mbetur asgjë vetëm shenja të shkatërrimit.
Në krahinën e Sulovës, si gjithandej me kuaj zhvilloheshin gara, në gëzime familjare, në festa popullore, duke krijuar kështu një traditë vazhdimësie, edhe në kohë lufte ndër shekuj ato nuk ndërpriteshin. Këto lojëra të bukura luheshin në sheshe, kodra, pyje, e mjedise të tjera të vendbanimeve. Nga tematika kanë pasur karakter argëtues, edukues, shkathtësie dhe luftarake. Lojrat ia arrinin qëllimit në argëtime e pjesëmarrësve që sa më shumë të ishin, aq më të bukura zhvilloheshin . Ato kishin edhe si qëllim përgatitjen e të rinjve për të qenë të zotë në luftë. Të njohura ishin lojrat: Gjuajtja me pushkë majë kalit në vrapim, duke pasur si nishan vezë apo një gurë të vogël; kush arrin i pari largësinë e caktuar në vrapim; garë kush e merr kapelën në tokë nga kali, duke vrapuar etj. Këto lojëra në të vërtet se ç’kishin diçka të këndshme, ata lodheshin, e ndonjëherë dëmtoheshin, por ndjenin një lloj kënaqësie. Me kalimin e viteve këto lojra thuajse janë harruar.
Por kuajt përveç të tjerave janë përdorur në detyrimet shtëpiake, për punë të ndryshme në lëmenj, mulli, drutë e zjarrit, duke qënë se plotësonin edhe transportimin e materialeve luftarake, të sendeve të domosdoshme të tregëtimit në pazaret e kohës, në udhëtimet e gjata për të arritur kohën, si një mjet me leverdi të lëvizjeve nga njëri vendbanim në tjetrin, të lidhjeve me krahinat e largëta për halle, gëzime dhe miqësi. Në rrëfenjat e ndryshme tregohej për miqtë që në dasma udhëtonin kaluar kuajve të zgjedhur. Në traditën shqiptare është tepër i njohur edhe riti i marrjes së nuses me kalë. Në Sulovë zakonisht preferohej kal i bardhë i zbukuruar me lule, shami, rruaza. Kur merrej nusja, krushqit përmbi kuaj qëllonin me armë dhe krismat bashkë me dollinë, këngët dhe vallet gjallëronin atmosferën për një kohë të gjatë. Krahina e Sulovës nga pozicioni gjeografik që ka, kufizohet me shumë krahina të tjera fqinje si Dumrenë, Vërçën, Shpatin, Myzeqenë, por ndahet prej tyre nga lumi Devoll, ndaj për ta kaluar në kohë dimri, stërvisnin kuajt që e bënin kalimin e lumit të sigurt. Ka shumë episode të tilla. Sulovari, Fatmir Miraka tregon një histori për Lame Darzezën, që kaloi nusen në lumin Devoll, të rrëmbyeshëm nga shirat dhe e çoi atë në krahinën e Vërçës pa krushq, se ishte ditë nusje, dhe këtë e bënte vetëm ai me kalin e tij. Po ashtu kujtohet pela e Sulë Kryemadhit në fshatin Zgjupë, që ishte një notare e shkëlqyer, edhe kur Devolli rrithte sasi të madhe uji.
Në përvojën e gjatë popullore për kalin si kafshë shtëpiake, të moshuarit shprehen: Kali, kur rrëzohej i zoti, kishte hije të lehtë, dhe nuk vritesh shumë. Ai ndalon menjëherë sikur të jetë me frena hidrualike. Ndodhte shumë herë që rrëzoheshin nga gomari e mushka, se ecin më shpejt, duke e dëmtuar të zotin, që thyente krahët a këmbët. Kështu që kush bie nga kali nuk vritet, ndërsa kush bie nga gomari dhe vdes. Kali nuk bëhet shejtan, ndërsa gomari dhe mushka, po. Kali e do të zotin e tij. Ai sa arrin te lum, i ul kokën e pi ujë, që të pakësojë ujin e lumit për të ruajtur të zotin. Nërsa gomari e mushka thonë se sa arrijnë te lumi, futen në të e bëjnë ujët e hollë, që të shtojnë ujin, e ai të mbysi të zonë. Kalin përherë e përkëdhelnin me emra të bukur: Doriu; Cilo; Balash, Kuqo etj. Kali merrte shpejt reflekset e të zotit, kur i thërriste në emër, kur i tregonte rrugën, vaun e lumit, por më interesant është ai i të ecurit revan si mënyra më komode e vrapimit pa u tronditur fare kalorësi. Ajo mësohej, duke i lidhur këmbët në një mënyrë që ai të vrapoj jo ‘’zdronkthi’’, e tronditëse, por me hap të vogël e të shpejtë. Ja ç’tregojnë burrat e moçëm të Sulovës për një nga pinjollët e fisit Cerriku, Çeçin. “Ai dilte gjithmonë fitimtar në të gjitha garat me kuaj. I hipte kalit dhe e bënte të fluturonte, duke i lënë pa mend të gjithë me guximin, shkathtësinë e tij. Po si çdo pasion tjetër kërkonte sakrifica. Ndaj sado të egër të ishin kuajt, ai dinte t’i nënshtronte”. Është i njohur kontributi dhe gadishmëria e tij, kur në vitin 1914 së bashku me 150 luftëtarë sulovarë, të gjithë hipur në kuaj u gjenden brenda tre orëve nga Sulova në Berat përballë ushtarëve shovinist grekë. Tregonin se kali i X apo Y ecte aq mirë revan sa i zoti pinte kafen në filxhan kaluar në kal dhe filxhani nuk derdhej. Ky refleks nuk ishte i lehtë, por qefliu për kal këmbëngulte aq shumë, duke e mësuar deri sa e realizonte, dpër të fituar zilin e të tjerëve. Vdekja e burrit dhe ngordhja (vdekja) e kalit, nuk dihen. Kali është ëngjëll, që e do zoti. Prandaj kali ka marrë urimet ose si me thënë bekimin e perëndisë. Kali është korrjer shumë i mirë, ngado që të jetë, kur i ndodh një gjë të zotit dhe ai mbetet vetëm kthehet shpejt në shtëpi dhe është sinjal se diçka ka ndodhur. Kali është bari shumë i mirë dhe për kopenë e bagëtiv, ai drejton dhe i ruan ato nga egërsirat, si dhe bëhet ortak edhe me qentë e tufës. Kali gjithashtu është paralajmërues i fatkeqësive, të ndryshimeve klimaterike. Ai ka shpëtuar njerëz e kafshë të tjera nga nepërka, lumi i rrëmbyer, guri në lëmë, nga furtunat, etj.

Kur të ruan hyqymeti*

Në një botim të kohëve të fundit lexon një episod interesant që ka lidhje me kalin në Sulovë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1914, në ditët e Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme.
‘‘Një sulovari i kishte humbur kali dhe ia kërkonte atë hyqymetit (pushtetit). Sulovarin e thirrën para këshillit të shtetit dhe e pyeti vetë Haxhi Qamili:
– Qysh të humbi kali?
-Unë po flija – nis ta sqarojë sulovari dhe kur u zgjova, se pashë më kalin. Nuk e di në ka humbur, apo ma kanë vjedhur.
-Po nuk pe gjë ti, i zoti i mallit, nga ta dijë hyqymeti?- ia ktheu Haxhi Qamili.
-Unë jam popull,- tha njeriu nga Sulova,- dhe kur populli fle, është hyqymeti ai që na ruan.
-Ti qenke njeri i mirë e me mend, – i tha Haxhi Qamili, – prandaj edhe kali do të vijë në shtëpi.
Dhe vërtet, pas dy ditësh ia gjetën dhe ia çuan kalin në Sulovë’’.

*Shkëputur nga libri ‘‘ Princi i gjullurdive’’ të autorit Endri Vajella, faqe 45.

Sulovari dhe kali – Marrëveshje e heshtur

Duke qënë kafshë intelegjente dhe e fuqishme, sulovari është kujdesur në mënyrë të veçantë për të: Në këtë kuptim jo të gjithë e mbanin kalin. Që do të thotë se ai që e mbante, e trajtonte mirë me pajime, e mbathte me patkonj cilësorë, me shalë meshine ose me samar të veshur me qylim, me fre të meshintë e me zingjina prej metali të zbukurur. Ashtu si paja e nuses që ruhej në një arkëz, edhe pajimet e kalit ruheshin në faqen e murit të katoit. Pastaj të mbaje kalë kërkonte që i zoti duhet të shkëlqente në veshje, e cila në përgjithësi dhe në shumicën e rasteve ishte e leshtë, por e dërstilur, dhe e qepur në avëlmend, që i thoshin kostum prej shajaku. Kjo tregonte që sulovari dallohej nga veshja e tij dhe pajimet e kalit, të cilat i kishte të veçanta, dhe binin në sy në çdo pazar ku shkonin, e sidomos të Beratit, Elbasanit, Peqinit, Lushnjës e deri në Korçë. Ishte rregull se, ai që mbante kalin nuk e jepte ta përdorte kushdo, pasi e kishte të shenjtë. Kali nuk ndërronte lehtë padron, vetëm për arsye madhore mund të jepej ai, e kjo ndodhte rrallë, sepse sipas filozofisë popullore kalit të huaj i këputet nënbishtja në ngjitjen përpjetë.
Nga ana tjetër kalin në Sulovë e mbarështronin për racën rezistente. Ndaj, kali i Sulovës preferohej nga karvanxhinjtë, mbasi ishte rracë e fortë, mban ngarkesë të plotë, ecën shpejt dhe ka jetëgjatësi. Ai është trupgjatë, shpatullgjerë, vithegjerë, qimekuq, drejtimin e shpatullave në një nivel me vithet. Shalët e mbrapme të hapura, gjë që i qëndron shumë peshës së rëndë. Kuajt krijonin racën e mushkës, duke kryqëzuar atë me gomarin, për rrjedhojë ato ishin pasardhësit e kalit nga forca dhe puna, por dhe të gomarit si mistrec e hamëspak. Të dyja këto bënin kombinimin me të shkëlqyer të plotësimit të interesave të njeriut e të sulovarit në veçanti.
Disa të dhëna fizike:
– Pesha e gjallë- 300 – 350 kg.
– Gjatësia e trupit- 138 – 158 cm.
– Lartësia- 165 – 170 cm.
– Rrethi i kraharorit – 143 cm.
– Rrethi i kërcimit – 16 cm.
Në vitet moniste, të kolektivizimit bujqësisë, kuajt u shfrytëzuan nga kooperativat në punime toke, transport materialesh, dhe në nevojat e ushtrisë. Është fakt i trishtë se ato nuk mirmbaheshin. Kjo solli që shumë veti të tij të humbasin. Por, me zhvillimin ekonomik e social të vendit, futjen në përdorimin të mjeteve mekanike në bujqësi dhe transportit urban, vlera e kalit ka rënë shumë. Kjo ndodhi edhe në Sulovë, por në kujtesën tonë, ata përsëri kanë mbetur si sinonime besnikërie dhe miqësie të përjetshme me njeriun.

Filed Under: Reportazh Tagged With: KALI LEGJENDAR I SULOVËS, Pellumb Gorica

“Nacionalizmi” i Enver Hoxhes dhe “dashuria” e tij per Kosoven

January 10, 2016 by dgreca

Kunderpergjigje ndaj nje shkrimi te profesor Pellumb Xhufit./
Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia/
Eshte per t’u habitur sesi ende disa historiane bolshevike mundohen ta mbrojne, ta rehabilitojne figuren e diktatorit Enver Hoxha. Ata mundohen ta bejne kete ne menyra te kamufluara, djallezore, duke u munduar t’i vene ne pah ndonje veti “pozitive” dhe duke u munduar t’i arsyetojne krimet e regjimit te tij cnjerezor. Ideologjia bolshevike eshte bunkerizuar thelle ne mendesine, ne mendjen e tyre. Komunizmi shqiptar ishte me i egri ne tere Perandorine e Lindjes, por ja qe nje pjese e mire e shqiptareve ende e adhuron ate, madje me shume se ne cilindo shtet tjeter te ish-botes komuniste. Per fat te keq, kjo vlen edhe per nje pjese te mire te intelektualeve, akademikeve, artisteve, historianeve qe gjerat i shohin vetem ne anen, formen me siperfaqesore. Keta historiane, ne vend se te turprohen per ato cka kane shkruar me heret, perkundrazi, ata jane me te zhurmshmit ne ekranet televizive, mediat e shkruara dhe ato elektronike. Ata qe per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone, jane duke e bere te njejten gje edhe sot, pa i brejtur fare ndergjegja (nese e kane). Thua se Shqiperia nuk ka historiane te tjere.
Nje shkrim te tille me titull: “A ishte Enver Hoxha nje nacinalkomunist?”, keto dite e ricikloi historiani Pellumb Xhufi ne disa gazeta elektronike. Si zakonisht ne keto shkrime nuk paraqet, nuk mbeshtetet ne fakte, por vetem ben interpretime sipas deshires se tij. Dhe ai nacinalizmin e Enver Hoxhes mundohet ta lidhe me qendrimet e tij ndaj Kosoves, por fjalet nuk perputhen me veprat. Pastaj ai mundohet ta paraqese Enver Hoxhen si nacionalist te vertete. Ndersa per nacionalistet e vertete, si Abaz Kupi e te tjere, te cilet i rrembyen armet qe ne oret e para te pushtimit italian, ai flet me mosperfillje, me ate cinicizmin, sakazmen tipike komuniste. Kjo eshte nje teme e gjere ne vetevete dhe nuk po ndalemi ketu, por te vazhdojme me qendrimet, veprimet e Enver Hoxhes dhe PKSH-se per ceshtjen e Kosoves. “Ne marredheniet me jugosllavet e Titos, vuri qysh ne kohen e luftes ceshtjen e Kosoves dhe te bashkimit te saj me Shqiperine. Me 1943 Titua e pranoi se Kosova ishte shqiptare dhe pas luftes duhet t’i bashkohej Shqiperise” – keshtu shkruan profesor Xhufi ne shkrimin e tij. Por, e verteta eshte pak me ndryshe. Enver Hoxha dhe PKSh ishin nen kontrollin e plote te Partise Komuniste te Jugosllavise (PKJ) permes dy emisareve te saj, Milladin Popoviq e Dushan Mugosha. Pra, si mund ta ngrente ceshtjen e Kosoves partia qe udhehiqej nga armiqte tane shekullor, te cilet jane shkaktaret kryesor te tragjedise se Kosoves. Koj ka qene dashte te jete e qarte per ta (komunistet shqiptare), se po te mos ishin serbet, ceshtja e Kosoves nuk do te ekzistonte, do te ishte zgjidhur qe me shpalljen e pavaresise se Shqiperise. Ishin pikerisht nacionalistet ata qe gjate luftes e ngrene dhe ngulnin kembe per ceshtjen e Kosoves. Ndersa komunistet ngulnin kembe qe kjo ceshtje te lihet anash dhe per te te diskutohet vetem pas clirimit. Komunistet shqiptare te kontrolluar plotesisht nga dy agjentet jugosllave e prishen edhe marreveshjen e Mukjes, per te luftuar se bashku si shqiptare per lirine e Shqiperise. Jugosllaveve nuk u konvenonte nje faktor i forte e i bashkuar shqiptar. Te detyruar nga jugosllavet, ata ia kthyen pushken vellezerve te gjakut dhe dolen hapur ne anen e jugosllaveve.
Ne fazat e fundit te luftes, dy brigada shqiptare shkuan ne Kosove per t’i ndihmuar “vellezerit” jugosllav. Ato brigada nuk shkuan ne Kosove per te cliruar Kosoven e per te qendruar aty per te mbrojtur popullsine shqiptare, por ne nje fare menyre, per t’i ndihmuar jugosllavet per ta kontrolluar, pushtuar Kosoven. Kjo ishte nje loje djallezore e jugosllaveve, sepse shume te rinj shqiptare te Kosoves iu bashkuan ketyre brigadave si brigada shqiptare. Dy brigadat shqiptare luftuan krah per krah me forcat jugosllave per te luftuar forcat shqiptare te udhehequra nga Shaban Polluzha, te cilat luftonin per ta mbrojtur Kosoven, pragun e shtepise. Eshte ironi se, ne maj te vitit te kaluar ne nje shkrim te tij, gjeneral Rrahman Parllaku qe vete kishte marre pjese ne keto luftime perafersisht shkruan: “Forcat shqiptare te armatosura deri ne dhembe, luftonin per jete a vdekje nen udheheqjen e komandantit Shaban Polluzha. Por, gjeneral Parllaku nuk thote se ishte pikerisht ai dhe partizanet e tij qe po luftonin kunder Shaban Polluzhes dhe trimave te tij. Me vone keto brigada shkuan te luftonin ne Sanxhak e Bosnje, ndersa ne Kosove erdhen brigadat serbo-malazeze qe masakruan shqiptaret e pambrojtur. Keto brigada me vone u kthyen ne Shqiperi dhe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, sic i kishin “premtuar” Enver Hoxhes “vellezerit” jugosllave. Shqiptaret e Kosoves qe kishin nje histori te hidhur me serbet, ia kishin terhequr vemendjen udheheqjes shqiptare qe te kishin kujdes me jugosllavet, sepse “Shkau bese nuk ka”. Po kush degjonte, ata ishin te dehur nga ideologjia bolshewvike dhe jo nga ndjenjat kombetare. Pastaj vjen Masakra e Tivarit ku u masakruan mijera te rinj shqiptare te Kosoves, masaker per te cilen kishin dijeni edhe udheheqesit e Shqiperise. Ndersa ne Shqiperi gjer ne vitin 1990 nuk eshte folur fare per kete tragjedi kombetare, ne Kosove eshte folur mjaft.
Pas luftes, Fadil Hoxha shkon ne nje mision te fshehte (inkognito) per t’u takuar me Enver Hoxhen dhe i ankohet se, serbet jane duke u sjellur ndaj shqiptareve edhe me keq se ne kohen e Kralit. Kete vizite e permend Enver Hoxha ne librin e tij “Titistet”, por nuk tregon se si reagoi, si veproi ai vete. E c’beri Enver Hoxha dhe udheheqja shqiptare? Ata, para se te kthehej Fadil Hoxha ne Kosove, e kishin lajmeruar UDB-ne per kete vizite te fshehte dhe permbajtjen e bisedes. UDB-ja ia kishte treguar Fadil Hoxhes stenogramin qe u kishte ardhur nga Shqiperia. Ne vitet 1945 – 1948 Shqiperia ishte nen kontrollin e plote te Jugosllavise. Enver Hoxha nuk beri asgje per bashkimin e Kosoves me Shqiperine, madje ai ne Plenumin e Partise ne dhjetor te vitit 1946 e kishte bere kete pyetje: “A eshte ne interesin tone qe ne ta kerkojme Kosoven? Kjo nuk eshte nje gje progresive per te bere. Jo, ne kete situate, perkundrazi, ne duhet te bejme cdo gje te mundur qe te sigurojme qe kosovaret te behen vellezer me jugosllavet” (Noel Malcolm, “Kosovo, a short history”, Harper Perennial, 1999, faqe 319). Keshtu flet nje nacionalist, nje njeri qe e do Kosoven?!
Enver Hoxha si udheheqesi me i larte i shtetit shqiptare, disa here e ka vizituar Jugosllavine, por kemba e tij kurre nuk shkeli ne Kosove, madje nuk ishte takuar me asnje delegacion te shqiptareve te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish-Jugosllavi. Ai vetem kishte kerkuar te takohej me nenen e Milladin Popoviqit. Ai e lidhi ekonomine e Shqiperise me ate te Jugosllavise, njesoi lekun me dinarin jugosllav, e futi Shqiperine nen kontrollin total te Jugosllavise, gjuha serbokroate filloi te mesohej ne shkollat shqiptare. Te gjithe ata atdhetare qe paten guximin qe ta kundershtonin i futi ne burg, ose i pushkatoi. Te permendim ketu vetevrasjen e Naku Spiros, burgimin e Mitrush Kutelit, e shume e shume raste te tjera. Gjate luftes, jugosllavet ia kishin arritur qe t’i percanin komunistet me nacionalistet shqiptare, ndersa pas luftes ata arriten qe t’i percanin edhe vete komunistet. Lere qe Kosova nuk u bashkua me Shqiperine, por me veprimet e tij antikombetare, ai gati e beri Shqiperine republike te shtate te Jugosllavise. Vetem rastesia, prishja e marredhenieve mes Titos e Stalinit, e shpetuan Shqiperine nga kjo katastrofe kombetare. Gjate regjimit te tij gjysmeshekullor, fjala Kosove nuk permendej aq shpesh. Neper shkollat e Shqiperise nuk u mesua asgje per Kosoven, madje as qe permendej fare. Ne shkollat e Shqiperise nxenesit mesonin cdo gje per Bashkimin Sovjetik, Kinen, Vietnamin, Tanzanine e shume vende te tjera te botes, por asgje per Kosoven. Me tregonte para ca kohesh nje ish pjesetar i Ansamblit Shteteror te Kengeve dhe Valleve Popullore: Kur shkonim per te dhene shfaqje ne Zvicer e Gjermani, shoqeruesit (sigurimsat) na thonin: Kini kujdes, ketu ka mjaft kosovare, mos bisedoni, mos u shoqeroni me ta. Ka nevoje per koment?! Per demonstratat e studenteve te Universitetit te Prishtines te vitit 1981, Shqiperia zyrtare reagoi 28 dite pas shperthimit te tyre. Si deshmi te nacionalzmit te Enver Hoxhes dhe dashurise se tij per Kosoven, profesor Xhufi permend disa fjalime te diktatorit, qe ai i bente kryesisht per konsumin e brendshem. Neve atehere ne Kosove na jepnin shprese, por fjalet i merre era, veprat flasin, veprimet kryejne pune. Dhe nga gjithe ato fjale te medha e bombastike nuk lindi asgje.
Historianet bolshevike per gjysem shekulli e shtremberuan, e falsifikuan historine tone kombetare dhe jane duke u munduar qe ta bejne te njejten gje edhe sot. Prandaj eshte e domosdoshme qe historia jone, sidomos ajo e viteve 1920 – 1990, te rishkruhet, duke u bazuar ne fakte, dokumente dhe duke i analizuar ato dhe rrethanat historike te asaj periudhe me metodat me te rrepta shkencore, sepse historia e shtremberuar nuk mund te jete mesuese e mire e jetes. Sikur profesor Xhufi t’i kishte pasur parasysh faktet qe permenda me lart dhe shume fakte te tjera, ndoshta nuk do te kishte shkruar nje artikull te tille. Shkencetarit, historianit te vertete duhet t’i interesojne vetem faktet, e verteta, objektiviteti, paanshmeria.
Philadelphia, janar 2016
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nacionalizmi i Enver Hoxhes, pellumb xhufi, Sadik Elshani

SOFRA E DIELLIT- DY POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

January 10, 2016 by dgreca

Alfons Grishaj/

DARDANIA SOT/

Sikur rilindasit/
Të ishin gjallë sot,/
Këngën Dardanasit/
Do ua thurnin si mot:/

Dje, ishit për atdheun,…/
Derdhët gjak e lot,/
Plumba për armikun!/
Lavdi për tokë e Zot./

Sot gushfrymje vipash/
Nuk ka as lot, as gjak,/
Por pazare rrypash,/
Turp! karriget shkak!/

Ashtu dhe në Shqipni
I huaj patrioti,
Akull , e herë zjarmi
Zakoni i që moti .

E gëzohet shkjau
Tek ju sheh në mni,
Në luftë nuk ju vrau
Por , po ju vret tani !…

Dardani burracak
Nuk ka frikë prej shkjaut
Vrasësit ardhacak,
Por ka frikë prej vllaut!

Mjerë Dardania
Me këto mburravecë,
Nuk bashkohet Shqipnia
Me të tillë mistrecë!

Po ka burra trima
Që kanë me i dal zot,
Ramush Haradinaj…
E Nusreta* plot!

Atëherë lahuta
E ëmbla mandolinë
Ku jetoi Teuta,
Do këndojnë Shqipninë !
——————————————————————-
• Nusret Pllana

Alfons Grishaj

Nuk i vë dot një emër!

Mbrekullia e Krijuesit , qenia e brishtë femër,
Që në fëmijëri , s’ i vë dot një emër!…

Sa herë shoh femrën që ndrinë perri,
Përshendes Hyun i përulur në mirësi :

Të jam fal o Zot , për frytin e ndaluar!…
Po të mos ish ajo , do ishim harruar.

Në acar krahëhapur të rrethon si shall,
Një strehëze stolisur plot dashuri e mall .

Përzier natyra, përrallë qënia e saj…
Misterin e jetës sjell qëdis në pajë.

Si mjelmë valëzim i qiejve kushtrim,
Hirësisë së yjeve që nuk kanë përlim.

Mes valëve të detit natyra e pafaj…
Stërkalat në diamante, thesar e uzdajë .

Me rrezet e diellit loz trupi lastarë
Energji patterns mbi flokët ujëvarë .

Bie plagë hidhërimi mbi nurin e saj!
Burri është fajtorë për shkrehjen në vaj!…

Mbrekullia e Krijuesit , qënia e brishtë femër,
Që në fëmijëri , s’ i vë dot një emër!…

Por, jam i sigurtë , si jetën që vjen pas…
Pa misterin e saj, s’do kish jetë as gaz!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: NGA ALFONS GRISHAJ, SOFRA E DIELLIT- DY POEZI

IVA CIPURI SJELL NE SOFREN E DIELLIT 3 POEZI TE PERCY BYSSHE SHELLEY

January 10, 2016 by dgreca

Percy Bysshe Shelley ( 1792 – 1822 )/
P. B. Shelley ishte një nga poetët më të mëdhenj Romantikë anglezë dhe shpesh konsiderohet si një nga poetët më të mirë lirikë dhe epikë të gjuhës angleze.
Lindi më 4 gusht 1792 në Horsham të Mbretërisë së Bashkuar. Vdiq pa mbushur ende 30 vjeç, më 8 korrik 1822 në Lerici të Italisë.
Shelley ishte një nga anëtarët kryesorë të një rrethi të ngushtë poetësh dhe shkrimtarësh vizionarë si: Lord Byron, Leigh Hunt, Thomas Love Peacock dhe gruaja e vetë Shelley-it, Mary Shelley.

Serenatë Indiane

Zgjohem nga ëndrrat për ty
Në t’ëmblin gjumë të natës,
Kur erërat lehtë fryjnë
Nën yje dritëspërkatës.

Zgjohem nga ëndrrat për ty
Dhe një frymë – dritëz hëne
M’i përcjell zemër e sy
Në dritaren e dhomës tënde.

Puhitë endacake treten
Mbi rrjedhën e qetë, të ëndërrt;
Aromat më t’mira zbehen
Si n’ëndërr mendim i ëmbël.

Ankimi i bilbilit
Vdes mbi zemrën e tij,
Ashtu si unë mbi tënden
Do vdes, moj bukuri.

Ngrihu nga ajo fush’ fluturash!
Po vdes! U zbeha! U treta!
Derdhmë një shi të puthurash
Mbi buzët e mia të zbehta!

Kokën e ndiej kaq të rëndë!
Medet! Zemra po më çahet!
Shtrëngoma prapë në gjoksin tënd,
Aty më dysh të ndahet!

Liri

Dridhen malet gjer në flakërim,
Ajri kërruset nën peshë gjëmimesh,
Oqeanet zgjohen me tërsëllimë,
Kur Uragani përndez këngë kushtrimesh,
Nën Fron të Dimrit – gjurmë shkallmimesh.
Që nga humnerat, pllajat, lartësitë,
Drit’e diellit shpon shkulm e mjegull;
Në qytete e fshatra, shpirt më shpirt,
Komb më komb, agimi yt është derdhur.
Tiranë, skllevër – hije nate janë
Në dritën e mëngjesit të paanë.

S’do doja t’ isha Mbret

S’do doja t’isha mbret – dhembje
Ka dashuria mjaft;
Udh’ e pushtetit ka shembje,
Furtunat mbretërojnë lart.
S’do doja fronin mbretëror
Mbi akullin që diell’ i fatit
Në mesditë e rrëzon.
Pra, lamtumirë, o mbret,
Por, dhe si ti t’isha,
Telashet s’do më vinin aq shpejt.
Mua dhe mbretin, Zot, larg na mbaj,
Duke kullotur bagëtitë n’ Himalaj’.

( Përkthyer në shqip nga Iva Cipuri )

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 3 POEZI TE PERCY BYSSHE SHELLEY, IVA CIPURI

Kosovë-Shqipëri, nga viti në vit rritje fluksi në portat kufitare

January 10, 2016 by dgreca

-2015-ta në tre vendkalimet kufitare me rritje fluksi 26.75% për njerëzit e 14.1% për automjetet krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 të automjeteve/
-Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 10 Janar 2016/ Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithësej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve, bën të ditur Policia e Kosovës për korrespondentin në Prishtinë të Gazetës Dielli.
Në tre portat kufitare, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, në 2015-tën kishte 2955026 hyrje dhe 2457212 dalje të personave, si dhe 961827 hyrje e 888160 dalje të automjeteve.
Në 2015-tën, për personat, në Vërmicë-Morinë kishte 4680444 hyrje-dalje – 2540986 hyrje e 2139458 dalje; në Qafë Prush 262017 hyrje-dalje – 158759 hyrje e 103258 dalje; në Qafë Morinë 469777 hyrje-dalje – 255281 hyrje e 214496 dalje.
Për automjetet, në Vërmicë-Morinë kishte 1532933 hyrje-dalje -791049 hyrje e 741884 dalje; në Qafë Prush 119887 hyrje-dalje – 65166 hyrje e 54721 dalje; në Qafë Morinë 197167 hyrje-dalje – 105612 hyrje e 91555 dalje.
Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasuar me 2013-ën.
Statistikat janë njoftuar nga Major Baki Kelani, Shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, në këto momente sot në fluks fundjave në hyrje kalohet për 03-05 minuta e në dalje për 5-10 minuta. Në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, nuk ka pritje, kalohet për më së shumti tre minuta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, në portat kufitare, nga viti në vit, rritje fluksi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 87
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT