• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim bankash

February 25, 2016 by dgreca

Banka Qendrore  e  Kosovës shton bashkëpunimin  me Bankën e Shqipërisë/

PRISHTINË, 24 Shkurt  2015/ Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka pritur sot në një  takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Njoftimi i dërguar bën të ditur se, të dy guvernatorët kanë shkëmbyer informacione lidhur me zhvillimet në përgjithësi, si dhe për sfidat në të cilat po kalojnë sektorët financiarë të të dyja vendeve.
Guvernatori Hamza ka falënderuar Guvernatorin Sejko për kontributin e deritashëm të Bankës së Shqipërisë dhënë  Bankës Qendrore të Kosovës dhe theksoi vullnetin për të avancuar më tutje frymën e bashkëpunimit konform marrëveshjeve të mëhershme të arritura mes dy institucioneve.Guvernatori Sejko ka  theksuar se  takimet dhe  bashkëpunimi profesional do të vazhdojnë  edhe në të ardhmen dhe  do të jetë  efikas duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton për mbështetje të mëtejmë dhe për  bashkëpunim  të  ngushtë me Bankën Qendrore të Kosovës, në adresimin e çështjeve të  cilat konsiderohen me interes  të përbashkët.Guvernatori Sejko i shoqëruar nga Guvernatori Hamza bëri një vizitë homazh në Memorialin e familjes Jashari në Prekaz. Dy guvernatorët vizituan edhe qytetin e Prizrenit. Kjo ishte vizita e parë në Kosovë e Guvernatorit Sejko që nga marrja e postit./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: bashkëpunim bankash, Kosovë-Shqipëri

VJENE- 80 vjet, Adem Demaci – Simboli i Lirisë

February 25, 2016 by dgreca

Gjatë historisë njëri nga kryeqendra më të njohura evropiane ishte Vjena. Nga aty dhanë porosi me vlera historike figura madhore kombëtare. Ndrrimkoha na solli në binarët progresiv por jo dhe aty ku synojmë. Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe personalisht të Ambasadorit të parë në Austri, Dr.Sabri Kiqmari, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë u promovua kompleti i veprave të tij.  Ishte rasti të flisnin veprat e tij letrare, puna e tij madhore.  Nga Vjena foli dhe personalisht me zërin e tij frymëzues  kohëve.

Çka tha në Vjenë
“Në krijimtarinë time, as edhe një sekondë nuk rreshti të mendoj ndryshe, por vetëm si shqiptar”…. “Pasi dola nga burgu i parë, nevoja ishte edhe më e madhe për të ra në burg.  Nëna më tha: “Unë jam nëna e jote e cila do vdes një ditë, por ne kemi nënën më të madhe, Shqipëria e cila nuk vdes kurrë. Unë jam produkti që krijuan, nëna ime, mësuesja Vezire, Bedri Regja, Esat Mekuli, atyre u takojnë meritat.

Në Gänsendorf
          “Ishte Hasan Prishtina bashkë me Ismail Qemalin dhe patriotët tjerë, të cilët e kuptuan momentin që shqiptarët duheshin të ngiteshin në kryengritje në mënyrë që shqiptarët të mos fundoseshin në rrënojat e perandorisë së kalbur otomane”
“Heronjtë tanë me armë u treguan serbëve se ne jemi të gatshëm të vdesim për liri siç ishin heronjtë Regjep Mala me shokun e tij Nuhi Berisha,  Afrim Zhitia, Bahri Faziu e shumë të tjerë. Ushtria Çlirimtare po farkëtohej nëpër burgje për aksione të vogla e cila dalë ngadalë erdhi dhe filloi ta ngre me vete edhe popullin tonë liridashës shqiptar”
       “Kombin tonë e ndanë në gjashtë copë ata që dikur nuk i kishim miq, e sot kemi, por shpirtin tonë liridashës, shpirtin tonë të bashkimit nuk e ndanë asnjëherë. Ky shpirt qëndroj gjithmonë i bashkuar dhe asnjëherë nuk i ndali aksionet dhe përpjekjet që dal nga dalë, pjesë-pjesë të çliroheshin. Sot e festojmë edhe 100 vjetorin e rilindjes së Shqipërisë e cila lindi me gjak e me shpatën e Skënderbeut dhe luftëtarët e Shqipërisë”

… me krijuesit shqiptarë
Ne veprimtarinë tuaj, nëse nuk është në interes të kombit, këqyr zgjidh diçka tjetër, sepse  kombi jeton dhe është sikur një lumë që rrjedh, parandej t’i shërbeni kombit tuaj, nëse doni të jeni edhe evropian të mirë.

 Kryesia e LKSh “Aleksandër Moisiu”. Pritje në Hotel “Mozart”, Vjenë

“ Evropa ka nevojë për shqiptarë autentik, për shqiptarë të vetvetes”.

“ Kombi i cili i ka treguar aftësitë e tij duke iu shërbyer të tjerëve, herë si perandor, herë si vezir, zabitllarë, herës si papë, si inxhinier etj.”
“ Marrja me letërsi e art, tregon se ju i keni shumë gjëra të qarta, por në rrugën e juaj do keni detyra gjithnjë e më të mëdha dhe të mos ndaleni para sfidave në rrugën për të krijuar diçka më të mirë”.
“Edhe shteti ku ju jeni, Austria, kur e sheh që ju po punoni për të mirën tuaj, për atdheun tuaj, do jeni në sytë e tyre njerëz të nderuar”.

Thanë për Adem Demaqin:

Dr.Sabri Kiqmai: “Është nder i madh për mua që para jush ta prezantoj z. Adem Demaçin, shkrimtar dhe më shumë se shkrimtar, veprimtar dhe më shumë se veprimtar, por dihet se Adem Demaçi është simboli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Krahas gjendjes së rëndë në burg ai kurrë nuk e ndërpreu krijimtarinë letrare. Jam i lumtur që sot para nesh gjendet vepra e përbërë nga dhjetë libra të botuar me përkrahjen e qeverisë së Kosovës”.

        Sidonia Kall:  “Më vjen mirë që jam këtu me fituesin e çmimit Saharov dhe njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj të Kosovës.

Prof. Dr. Shyqyri Galica,. Adem Dema, prirjen e tij krijuese e nis me tregime, madje ende si gjimnazist, për të dal me 1958, me romanin e tij të njohur “Gjarpinjtë e Gjakut”, i cili për dekada me radhë do bëhet një bestseller shumë i kërkuar, veçan nga të rinjtë atdhetarë, vepra më e kërkuar dhe e lexuar nga shqiptarët në ish Jugosllavi.
“Si atdhetar Adem Demaqi e nis veprimtarinë atdhetare për liri dhe bashkim kombëtar, e kjo  do t’i kushtoj duke i vuajtur njëzet e tetë vjet në burg të rëndë nëpër kazamatet jugosllave”.

Filed Under: Mergata

Kosovë-Përkrahje e SHBA-ve

February 24, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: Partneriteti me MCC-në është rikonfirmim i përkrahjes së SHBA-ve për përparimin afatgjatë të Kosovës/

PRISHTINË, 24 Shkurt 2015-B.Jashari/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të lartë nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), të kryesuar nga zëvendëspresident i MCC-së, Kamran Khan. Kreu i qeverisë kosovare tha se partneriteti me MCC-në është rikonfirmim i përkrahjes së SHBA-ve për përparimin afatgjatë të Kosovës.Kryeministri Mustafa tha se një prej arritjeve më të rëndësishme të Kosovës gjatë vitit të kaluar, ka qenë edhe vendimi i Bordit të MCC-së për të përzgjedhur Kosovën për të përfituar një grant të gjerë investimesh nga kjo agjenci.“Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova është kualifikuar të zhvillojë programin ‘Kompakt’ të ndihmës, program i gjerë investimi, që do t’i mundësojë Kosovës transformimin ekonomik me fokus krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhdukjen e varfërisë”, tha kryeministri Mustafa.Zëvendëspresidenti i MCC-së, Kamran Khan, tha se me përzgjedhjen e Kosovës nga Bordi i MCC-së për programin “Kompakt” është dëshmuar progresi i madh që është bërë në këtë vend të ri, në vendosjen e parimeve demokratike, vënien e vëmendjes tek sundimi i ligjit dhe progresi i bërë në shumë indikator, shumica prej të cilëve janë reflektuar në fletënotimin e MCC-së. “Këta janë indikatorë që MCC i shikon, në kuptimin e përzgjedhjes së vendeve për programin ‘Kompakt’. Dhe për Kosovën, që të jetë e përzgjedhur në këtë moshë të re dhe në një periudhë mjaft të shkurtër kohore, është një arritje e madhe”, tha zëvendëspresidenti Khan.Delegacioni i lartë nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), udhëhequr nga Kamran Khan, zëvendëspresident, në vizitën në Kosovë u prit mbrëmë në takim edhe te Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.Në një deklaratë pas takimit me delegacionin e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, Presidentja Jahjaga tha se, sot hapim një kapitull të ri ndërmjet Kosovës dhe agjencisë amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit si shembull të radhës të miqësisë së thellë të dy shteteve tona dhe përkrahjes për zhvillim dhe avancim që Kosova gëzon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 “Vizita e sotme e delegacionit të MCC-së vjen pas vendimit të Bordit të kësaj agjencie në dhjetor të vitit të kaluar për ta përzgjedhur Kosovën të zhvillojë programin Kompakt të ndihmës, program i gjerë investimi që do të përqendrohet në reformën e sektorëve të caktuar në dobi të krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të kualitetit të jetës dhe uljes së varfërisë në vendin tonë”, tha ajo.

Filed Under: Komente Tagged With: e SHBA-ve, Kosovë-Përkrahje, Mustafa

Një misionar i dritës, qe duhët kujtue me nderim: DOM MATISH LISNA!

February 24, 2016 by dgreca

Nga Nexhmi Bushati/

*Mbi Jeten, Vepren dhe Martirizimin e Oratorit Dom Matish Lisnes (1924-1958)/

*“Vdiq apo e helmatisën oratorin e saposhuguruar, Dom Matish Lisna.”/

-Dosja e Diktaturës nga Pjetër Pepa, ish-Ambasador i Shqipërise ne Vatikan/

“Shteti komunist helmatisë dhe zhdukë klerikun e nderuem Dom Matish Lisna, të cilin e mbyti në moshën 34 vjeçare, vetëm se fjala e Tij nga predikatoria arriti me joshë dhe me afrue pranë Kishës së Madhe, qindra e mijra të rijë t’etshem me mësue të vërteten e Ungjillit.”

-Gjurmët të Çojnë në Sigurim nga Fritz Radovani/

Ne vitin 1992, me rastin e 80–vjetorit te shkolles se Barbullushit, ne plejaden e ish-mesuesve te saj qe u nderuan nga Presidenti Sali Berisha me titullin dinjitoz “Mesues i Merituar,” figuronte (pas vdekjes) edhe Dom Matish Lisna. Nje borxh i madh patriotik e human shlyhet kur trajtohen e ndricohen ato figura te nderuara qe pa asnje rezerve, tere bagazhin e tyre moral e intelektual e vune ne sherbim te idealeve fisnike duke i bere sfide survejimit dhe perndjekjeve te diktatures se eger komuniste.

Ne, qe Dom Tishit (sic e quanim zakonisht) i a njohem per se afermi aftesite dhe perkushtimin, thellesine e tij te shpirtit dhe te mendjes, seriozitetin ne pune e humanizmin ne jete, me bindje te plota e pa subjektivizem do ta karakterizonim edhe me nje emertim tjeter, jozyrtar tashma, por shume fisnik e te meritueshem, “Misionar i Drites,” sepse kurdohere ai u perpoq me guxim e me pasion te ndriconte shpirtent e vrare te njerezve me dashurine hyjnore ndaj Zotit e me dashurine toksore ndaj njeri-tjetrit, pa asnje dallim.

Duke trajtuar figuren e Dom Tish Lisnes, pervec konsideratave te lartpermendura, une po shlyej pjeserisht edhe nje detyrim te forte timin moral: Qe nga vera e vitit 1952, kur u njohem ne kursin e kualifikimit Tirane, e deri ne vitin 1958, vitin e vdekjes, midis nesh qe krijuar nje lidhje vellazerore tejet e ngushte, nje miqesi teper e sinqerte e transparente, qe nuk njohu asnjehere rezerve, pavaresisht se kishim ndryshime moshe, besimi e prejardhjeje shoqerore. Ndonese kane kaluar afro kater dekada dhe aktiviteti i tij, ashtu si dhe jeta, qe mjerisht e shkurter, personaliteti i tij, mua dhe shokeve te tij, na la aq mbresa, sa permes kujtimeve e vetem kujtimeve, mund te hidhet mjaft drite mbi figuren e tij imponuese si njeri, si mesues, si meshtar e si intelektual. Puna e tij si mesues nuk mund te shkeputet nga shkollimi i tij ne seminar dhe nga puna e tij si meshtar, qellimi i misionit te jetes se tij.

 Seminaristi dhe meshtar: I lindur ne nje familje jo mire ekonomikisht, ne fshatin Barbullush, pasi kreu shkollen fillore ne vendlindje, rreth viteve 1938-1939, duhet te kete hyre ne seminarin jezuit te Shkodres, me interesimin e ipeshkeve te Sapes (Zadrime), sigurisht me rekomandimin e famulltarit te fshatit qe do t’i kete rene ne sy mprehtesia dhe zelli i ketij cunaku. Ja ketu fillon edhe kthesa e madhe vendimtare ne jeten e tij. Seminari Papnuer, themeluar qe ne shekullin e kaluar, kishte krijuar fizionomine e vet, jo vetem si institucion i fuqishem fetar e arsimor, por edhe si nje qender shume e rendesishme e mendimit kulturor e shkencor te qytetit dhe mbar vendit. Ne kete ambient disiplina e rigoroziteti gershetohej liturgjia kishtare, pervetesimi i doktrines dhe i teologjise me studimin e thelluem e sistematik te gjuhes shqipe e te gjuheve klasike e moderne, te letersise shqipe, te letersise greko-latine, te asaj humaniste, te retorikes e te filozofise, mendja dhe shpirti i ketij fusharaku te zgjuar e me shpirt te ndjeshem thithnin me etje leksionet e keshillat e profesoreve te nderuar P. Gardini, P. Mark Harapi, P. Gjon Fausti etj. Per kete faze te jetes se tij Dom Tishi me ka folur shume pak, jan konsiderata direkte e indirekte te miqve te tij ish seminariste, sot figura te nderuara ne jete e ne shoqeri, si Dom Zef Simoni, Dom Simon Jubani, Dom Injac Dema, Tonin Harapi, Simon Gazulli e Agostin Rrotani, qe te japin nje imazh mjaft te sakte te ketij ish-seminaristi, te rruges se formimit te tij shpirteror e intelektual, nje grafik gjithnje ne rritje, shume i ngjashem me kurben e plazmimit moral e mendor te bashkemoshatarit e bashkeseminaristit tjeter, birit te maleve te Shllakut, Martin Camajt qe u mbulue me vone me kuroren e lavdise. Tekstualisht po ju lexoj fjalet e z. Gjon Shllaku, helenistit te mirenjohur, perkthyesit te talentuar te “Hiliades,” kur kujton Dom Tishin:

“Une kam pase fatin e madh ta njoh nga afer, madje shume afer, qe ne rinine e tij te pare. Fizionomia, shpirti dhe virtytet e tij, inteligjenca dhe modestia e tij engjellore, bene qe ai te shquhej dhe te spikaste mbi te gjithe moshataret e tij, djelmosha te zgjuar, me rastin e festes se dijetarit te madh Shen Toma Akvinit, ne mars 1945, nuk me shlyhet kurre nga kujtesa diskutacioni i tij filozofik, pa leter, ne gjuhe te paster e te zgjedhun latine, ne pranine e studenteve teolog e filozof te seminarit, te profesoreve Eten Jezuite, te klerikeve te ftuar dhe te Delegatit Apostolik. Pervec temes filozofike, studenti Tish te gjitha objeksioneve qe iu drejtuan si bresheri, iu dha pergjigje dhe zgjidhje te sakta. Pati nje triumf.

“Ishte absolut ne te gjitha lendet, si filozofike, spekulative dhe shkencore. Cdo vit korrte te gjitha cmimet e para te mundshme. Temat e tij shkollore ne gjuhen shqipe, italiane dhe latine ishin modele stili dhe elegance. Shkruante poezi dhe proze me vlera artistike.”

Ky vlersim brilant nuk ka nevoje per koment. Neqofte se viti 1928 qe fillimi i nje endrre te bukur e fisnike, fundi i vitit 1944 dhe krejt viti 1945 qene paralajmerime te nje rrebeshi kobezi. Pas gjyqeve te njepasnjeshme e denimeve kapitale te klerikeve, grushti i diktatutres nuk kurseu as seminarin, i cili u mbyll ne marsin e 1946. E vetmja rruge per ish-seminaristet ishte kalimi ne leceun e shtetit. Dom Tishi ishte ne vitin e fundit, viti i trete i filozofise, prandaj ne gushtin e 1946 dha provimet e matures. Merret me mend se si i perjetoi vitet e pastajme ky i ri endrrimtar e me shpirt poetik, qe i ra shorti te punonte ne bujqesi e te kryente sherbimin ushtarak ne vitet 1946 – 1950. Ne vitet 1950 – 1951 u emerua mesues detyre qe e vazhdoi deri me 1955, viti kur u largua per t’u shugurua prift. Ne tetor 1955 dha meshen e pare. Meshoi per tre vjet ne Shkoder e ne zonen e Rencit ku qe famullitar deri diten e vdekjes, 3.2.1958. U varros ne Shkoder dhe sot pas 35 vjetesh besimtaret e kujtojne me mallengjim ate varrim te permallshem e te dhimbshem ku mori pjese nje mori e madhe njerezish nga qyteti e fshati, sadoqe nen veshtrimet e shtrembera e kercenuese te veglave te rregjimit.

Ndersa Dom Mark Hasi pat thane, “Tri vjet meshe te Dom Tishit qene baraz me 30 vjet meshe,” perseri u referohemi kujtimeve te z. Gjon Shllaku.

“Ne fazen e dyte, pas daljes time nga burgu, jam takue vazhdimisht me Dom Tishin, prift i ri, ne Arqipeshkvine e Shkodres, pas 12 vjeteve ai ishte i burrenuar. Rroba fetare e paraqiste prift shembullor, misionar te flake plot energji e kulture. Shperthim i papritur per popullin e Shkodres qe oratoria e Dom Tishit. Muaji i majit 1957 ka per te mbete i paharruar ne mendjet e zemrat e Shkodraneve. Zinte oborri i katedrales se Shkodres si te ishte festival. Per 31 masdite Kisha e Madhe, ndoshta me e madhja ne Ballkan, mbushej skaj me skaj per degjue priftin, predikatarin, poetin, profetin e ri qe i ngjitun ne predikatore te larte, me nji za apokaliptik, nxirrte nga goja fjale te fuqishme e te ambla, plot dije e kulture, te qarta e te kuptueshme dhe populli i shtangun e pafryme, me goje hapte, rrembehej per te thithe e per t’u ngope me ate ushqim shpirteror. Temat e larmishme fetare, shoqerore, filozofike, te konkretizueme letrarisht me shembuj historike te nxjerre nga jeta e kalueme dhe bashkekohore, me shembuj martiresh, filozofesh, heronjsh, duke u gershetuar me kontrastet e jetes se virtytit dhe te mekatit, kishin per qellim fisnikerimin e ndergjegjes dhe te jetes se njeriut.”

Ky kengetar i madh i fjales e pati jeten te shkurter. Nje semundje e rende ia keputi jeten pas disa muajsh. Ende sot mbahet mend nje salikim aq i madh, aq i permallshem, aq i dhimbshem diten e varrimit.

Mesuesi intelektual. 

Veprimtarine e tij te mesuesise Dom Tishi e zhvilloi brenda nje zone te ngushte, brenda trekendeshit Rranza – Barbullush – Bushat. Periudha e Barbullushit (1952-1953) ku sherbeu si drejtor qe apogjeu i veprimtarise se tij pedagogjike, sepse me vone ne Bushat e ndjente vehten si nen survejim. Do te ishte nje perdhunim i se vertetes si kur periudha e shkurter e sherbimit te Dom Tishit ne arsim, te hidhte ndonje hije mbi aftesite pedagogjike dhe perkushtimin e tij si mesues e si edukator. Ne plan te pare punen e mesuesit e konsideronte si vazhdimi i natyrshem e me i pershtatshem (ne kushtet kur diktatura nuk kishte filluar sulmin frontal ideologjik kunder fese), i misionit te tij unik si “bari i shpirterave njerezore.” Profesioni i ri e shkepuste nga izolimi qe i sillte puna e rende ne bujqesi, dhe i jepte mundesi te binte ne kontakt me ate pjese arsimtaresh shkodrane qe po afermoheshin, jo vetem ne profesionin e tyre, por edhe ne nje rrafsh tjeter, ne ate te perpjekjeve te tyre serioze per nje formim intelektual sa me integral. Besimin mbi kete elite ai e lidhte me shpresat ne te ardhmen e atdheut. Keto shpresa ate e benin optimist. Antikomunizmi i tij i rranjosun nuk i atrobohej vetem papajtueshmerise absolute ne planin etiko-filozofik, por edhe ne asaj ne planin politik e kombetar. Ceshtja e demokracise dhe bashkimi kombetar ishin temat e preferuara te bisedave te tij. Ne keto diskutime e debate ai rrembehej nga argumentet dhe, me natyren e tij impulsive, ai i krijonte vehtes premise te rrezikshme politike. Qe nje fat per te qe ne rrethin e miqve te tij te ngushte ai kishte djem te zgjedhur, nga tere besimet pa dallue ku nuk ekzistonin komplekse diferencimi fetar. Ai karakterizohej nga nje tolerance e pashoqe, duke e perteritur traditen e mrekullueshme te miqesise e te mirkuptimit te ndersjellte. Ai vete nuk e ndante vepren nga fjala. Udhehiqej nga fjala e shenjte: “Te gjithe jemi bij te Zotit.” Si nje amanet i madh na vjen mesazhi i tij elekuent: “Mos u shofte e bukura flake e vllaznimit.”

Impenjimi i tij i plote per t’u pergatitur sa me mire, per te arritur rezultate sa me te larta ne perparimin e nxenesve si dhe per te ngritur sa me shume nga ana profesionale, e radhiten shpejt ne pararojen e mesuesve te rrethit. Ai arriti rezultate te shkelqyeshme ne kursin e kualifikimit ne Tirane ne 1952 si dhe ne perfundimin e studimeve te larta ne ISP te Tiranes. Drejtimi i shkolles se Barbullushit zbuloi aftesite e tij organizuese e administrative. Mjafton te permendim se 2/3 e personelit ishin vetem me shkolle 7-vjecare, ndonese i papervoje ne drejtim, ai dinte te kombinonte mjeshterisht autoritetin e kerkesen e llogarise me keshillat aterore ndaj atyre djemve e vajzave nga qyteti qe akoma adoleshente, jeta po i vinte ne prove. I udhezonte si duhet te pergatiteshin, si te punonin me nxenesit, i kontrollonte, i qortonte, por pas mesimit i mbante afer, lunate me ta volejboll, merrte pjese ne argetime te tjera qe mbushnin jeten e mesuesit, te detyruar te qendronte ne fshat i ngujuar me jave te tera. Puna mesimore dhe telashet e jetes nuk ia zbehen kerkesat intelektuale ndaj vehtes: Krahas pergatitjes per provime, ai gjente kohe te studionte edhe anglishten, krahas shtypit te kohes, te lexonte cka perkthehej ne shqip nga letersia boterore, por edhe te lexonte ne origjinal Horacin, Danten, de Kartin, Shatobrianin, Rolandin, Foskolon, Esat Bojn etj. Pasioni i tij i vertete ishin gjuhet e huaja dhe poezia. Tregojne se kur ishte famulltar, bleu nje gramafon dhe me ane te incizimeve ne disqe perfeksiononte frengjishten, te mesuar ne seminar. Poeti me i preferuar i tij qe Mjeda, te cilin ai e adhuronte. Jo vetem qe ai e njihte me rrenje poezine e tij dhe ishte ne gjendje te recitonte aty per aty “Juveniljen” e “Tingellimet,” por ndikimi mjedjan ishte evident ne krejt krijimtarine e tij, sepse Dom Tishi pat edhe krijimtari te njimendte poetike. (Mbaj mend dy-tri fletore te trasha doreshkrimesh, por qe mjerisht nuk gjinden sot); Krahas poezive shqip kishte edhe poezi latinishte si dhe ndonje perkthim, kishte edhe ndonje ese filozofik ne latinisht. Tematika e poezive ishte edhe fetare, edhe patriotike qytetare, e filozofike, me ndonje kushtim miqve e shokeve. Tingellimi ishte hartimi poetik me i preferuar. Nder vargje zoteronte 11 rrokeshi e 10 rrokeshi. Nje fryme klasiciste zoteronte ne konceptimin e poezise, ne sintaksen poetike e ne mjetet artistike. Pasuria e figurave dhe e tropeve, gjuha e zgjedhur, vargu shume i lemuar, deshmonin per erudicionin e tij. Poezia e tij mbetej ne hulline e krijimtarise poetike te Mjedes, Prendushit, etj. I vetmi relik nga krijimtaria letrare e Dom Tishit eshte nje faqe e zhburosur e periodikut “Aurora Consurgens” e ruajtur nen dhe nga nje dashamires i kultures shpirterore. Revista fetare kulturore “Aurora Consurgens” (Agimi qe lind) filloi te botohej me 1934-1935 dhe vazhdoi deri ne nentorin e 1944. Permbante rreth 30 fq. Te shaptilografuara, shtypej ne 50 kopje, vetem per qarkullim te brendshem. Ne faqet e saj seminaristet provonin pendat e tyre, tematika nuk ishte vetem fetare, kishte trajtesa te karakterit filozofik, historik ose te te divulgimit shkencor.

Nje nder keto flete mban edhe firmen “Tish Lisna.” Per fat te keq ajo permban vetem pjesen e fundit te shkrimit. Ndonese pjesa kryesore mungon, problematika kuptohet: Meditime te karakterit filozofik mbi vlerat morale e estetike te poezise kristiane duke iu kundervene zbrastesires etike te poezise materialiste e pragmatiste. Te terheq vemendjen pasuria e argumentit, larmia e referencave te autoreve te mirenjohur boterore si dhe stili i zhdervjellte elegant. Befasohesh kur mendon se ishte ende nxenes.

Per te ndihmuar lexuesit, pasi qe revista e sipermendur sot eshte teper e ralle, po riprodhojme fragmentin e fundit te shkrimit ne fjale:

“Ne kristjanizem poezija asht nji hapsine oqeanike lirizimi e ndjesije, qi pershin vende e kohe, natyre e Hart. Keta mvaret ma fort, psa poezija zakonisht siedhet rreth Basit te natyres e te Hartit, per te cilat poeti hyjnor thot se jan te bijat e Zotit, e i sendeve te tija. Ajo asht si thot Duhamel per Paul Klaudel, ‘un acheminement vers Dieu.’

Coptoni poezine kristjane e gjithmone ka me qite shkendija te reja jete e bukurije prei mbeturive te saja, pse ne te cdo kange e rresht ka historin e vet, shpirtin e natyres, frymen e Zotit.”

Dom Matishi ishte ne moshen e formimit te tij te plote intelektual, me nje eksperience jete plot vazhdimesi, ne nisjen shume te mbare te veprimtarise se tij si meshtar, kur u shkeput papritmas nga rrethi i familjes e i besimtareve, nga ai i miqve dhe shokeve. Kan kaluar plot 35 vjet qe ai nderroi jete, por Fjala e Vepra e tij do te tingelloje si nje peisazh i forte e i perhershem qe, ne dobit te Kombit e te Fese, te mbahet i pashuar nder ne si perkushtim ndaj se Vertetes se Amshuar dhe Drites se Vellazerimit.

NEXHMI BUSHATI

Viti 1993

*Kopjimi dhe perdorimi i ketij shkrimi eshte autorizuar nga nipi i Dom Matish Lisnes, Ardinez Domgjoni.

Filed Under: Histori Tagged With: DOM MATISH LISNA!, Misionari i drites, Nexhmi Bushati

Erisa Zykaj, Gazetarja shqiptare në Bruksel

February 24, 2016 by dgreca

Nga Liliana Pere/

Profili i Erisa Zykaj

Erisa ligjerëron duke përcjellë  denjësisht te rejat me zërin e shqiptares nga  salla e shtypit të Komisionit Europian, nga qëndëra  e Bashkimit European.Ajo është tepër profesionale,kurajoze, mbrojtëse rigoroze e interesave te Shqipërisë, dhe Shqiptarëve.Kumbon zëri i bilbilit te gazetarisë shqiptare nga qëndra e Bashkimit European, sjell erën Europiane në Shqipëri nëpërmjet medias vizive.Brukseli për Erisën ishte një dashuri me shikim të parë!  Në Bruksel  Erisa nuk e ndien veten të huaj, por si në shtëpinëe saj. Kjo nxiti edhe dëshirën për të qëndruar dhe punuar në atë që është kryeqyteti i Europës, selia e Bashkimit Europian, NATO-s dhe shumë organizatave të tjera. Aty ajo rigjeti  veten dhe mori  notat më të mira të mundshme gjatë masterit të dytë për politika Europiane, e aftësoi per tu integruar si gazetare per te percjelljen zerit te vertete dhe te rejave shqip nga Brukseli.

Erisa do te mbetet Lajmësja e dashur e një lajmi të bukur që pritej me padurim pas një izolimi të gjatë dhe të padrejtë që iu bë popullit shqiptar nga pjesa tjetër e Europës.Ne datën  8 nëntori 2010, kur  ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian morën vendimin për liberalizimin e vizave

Jam ndier e privilegjuar që kam qenë e pjesë e ekipit të programit « Parlamento », program që kombinonte vendimarrjen e institucioneve europiane me rezultatet konkrete në terren në shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

Kam udhëtuar shumë në Europë në kuadër të këtij programi. Reportazhet e mia më të arrira kanë qenë « Kosova, një vit pas pavarësisë »,« Ngitja e esktremit të djathtë në Hungari », Roli i parlamenteve kombëtare sipas Traktatit të Lisbonës » në Suedi, « Tërmeti në Aquila të Italisë » dhe «  Historia e Parlamentit Europian » në Bruksel.Aktualisht punon korrespondente në Bruksel për televizionin ABC News dhe TV KLAN (2010-2016). Më parë ka punuar për programin « Parlamento » të televizionit europian «  Euronews ».

(2008-2010) si edhe për servisin audiovizual të Komisionit Europian, Europe By Satellite

(2009-2010) Nga viti 2006 deri në 2008 ka punuar për Top Channel,

Ndërkohë që për një periudhë paraprake gjashtë vjeçare ka punuar për disa organe të shtypit të përditshëm si « Tema », « Bota Sot » « Lajmi », si dhe Radio France International, seksioni shqip.

Ka lindur në Tiranë në një vit që përmban një çift numrash biblik : 29 mars 1977. Numri 7 e ka ndjekur pas gjithë jetën, në shtëpinë e prindërve në Tiranë dhe çdo apartament ku ka jetuar në Bruksel.. Për të numri 7 ka një domethenie të veçantë, duke qenë se Zoti e krijoi botën në 7 ditë.

Eshtë rritur e rrethuar nga një dashuri pa kufi dhe drita e inteligjencësë të dy prindërve të rrallë. Nëna, pedagoge e gjuhës ruse, që ka kultivuar me shumë finesë te ajo dashurinë për të bukurën, letërsinë dhe epërsinë e thelbit mbi formën. Babai, regjizor, i cili i ka mbjellë te ajo farën e dashurisë për jetën, pasionin për artin, krenarinë e të arriturit çdo gjëje në jetë me forcat e veta.

Ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë-Historisë Tiranë, dega gazetari.

Më pas është specializuar me master për gazetari europiane në Universitetin « Robert Schuman »  në Strasbourg, Francë.

Ka kryer një master të dytë për politika europiane në Institutin e Studimeve Europiane, ULB në Bruksel.

Diplomuar për të drejtën Europiane në të njëjtin institut. në Institutin e Studimeve Europiane, ULB në Bruksel,

Brussels correspondent for ABCnews tv and KLAN tv

Vice-president of Brussels Press Club Europe

Member of API/IPA Council.

Zëvendëpresidente e Klubit të shtypit europian të Brukselit,post, të cilin vazhdon  ta mbaj edhe sot.

Anëtare e këshillit drejtues të kësaj shoqate dhe mbrojtese e  interesave te gazetarëve të Ballkanit

***

Ju lutem ndiqni bashkebisedimin

***

E dashur Erisa. U bënë plot 15 vjet që ju jetoni larg Shqipërisë, në Bruksel, ku punoni si korrespondente për mediat shqiptare. Sa i vështirë ka qenë rrugëtimi’’maratone’’ e  juaj që prej largimit nga Shqipëria ?

Rrugëtimi deri në Bruksel nuk ka qenë aspak i lehtë. Ai i ngjan një maratone, ku fituesi është ai që reziston me të gjitha forcat deri në fund. Gjatë specializimit tim për gazetari europiane në Francë, unë isha ajo që flisja frëngjisht më mirë se të gjithë europianët e tjerë jofrancezë në klasë. Prisja që kjo të shërbente si motivim për të absorbuar lëndët e vështira mbi politikat e Bashkimit Europian, për të cilat asokohe njohuritë në Shqipëri ishin krejtësisht sipërfaqësore. Por në fakt, profesori më bëri të kuptoja që duhej të punoja edhe më fort se të tjerët, pasi vija nga një vend i prapambetur si Shqipëria e ku në mendësinë e popullatës, Bashkimi Europian i ngjante një makinerie shumë të komplikuar për t’u kuptuar. Krenaria ime për aftësitë e shqiptarëve për të zotëruar gjuhët e huaja dhe për t’u adaptuar shpejt me sfiduesen dhe të renë u shtyp para trajtimit të privilegjuar që u bëhej studentëve francezë dhe spanjollë në klasë, e sidomos atyre që ishin bijtë e gazetarëve të mediave prestigjoze. Nuk e harroj kurrë momentin kur profesori më thirri në zyrë për të më komunikuar notat e provimit të fundit. Ai ishte i habitur, që unë e kisha marrë provimin. I dukej arritje. Unë shpërtheva në të qarë dhe ai s’dinte si të më qetësonte. Ishte e kotë t’i shpjegoja atij, se sa e ulët ishte për një student që njihte vetëm notën 10 në Shqipëri, të përgëzohej se kishte marrë provimin e masterit në Francë.  Aty e kuptova sa e vështirë ishte të shkëlqeje në Perëndim. Sistemi universitar dhe pasuniversitar francez ishte i konceptuar në mënyrë të tillë, që synonte të rrëzonte masën, duke filtruar më të mirët. Një sistem shumë i fortë, por që në praktikë dekurajon. Dhe dekurajimi bëhet i rrezikshëm kur prek besimin në vetvete.  Mbaj mend, që më vonë pasi përgatisja temën e diplomës, e kisha të vështirë të gjeja motivimin. Më dukej se do më trajtonin sërish si shqiptarja që duhej të kënaqej nëse e kalonte klasën. Mora mamin në telefon. Ajo nuk i duroi dot lotët e mia dhe më tha të kthehesha në Shqipëri. Por është pikërisht forca me të cilën më ka rritur ajo dhe krenaria shqiptare për të kaluar çdo vështirësi në jetë me kokën lart, që nuk më lanë të zbrapsesha.«  O ia arrij, o vdes! » i thosha vetes. Tentova të gjeja një punë në Radio France International, pasi kisha krijuar një reputacion shumë të mirë, si një përkthyese që përçoi me shumë emocion dramën e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së Kosovës. Por u përballa sërish me arrogancën franceze. Mund të isha e shkëlqyer, por kurrë nuk do isha një prej tyre. Mendova se, nuk ia vlente aspak të shpenzoja dhjetë vjet të jetës time për t’u mbushur mendjen francezëve që unë isha shumë e zonja. Unë e dija që isha e tillë. Belgjika ishte krejtësisht ndryshe. Brukseli për mua ishte një dashuri me shikim të parë!  Aty e rigjeta veten dhe mora notat më të mira të mundshme gjatë masterit të dytë për politika europiane. Qëndrimi im në Bruksel do të kishte qenë i pamundur  pa ndihmën e një gruaje, kushurirës time, që tashmë është kthyer për mua në një nënë të dytë. Ajo më strehoi, më dhuroi dashuri dhe mbështetje ,kur unë nuk kisha më asnjë burim financiar për të përballuar jetën në Perëndim; Ajo jeton në Londër dhe mundohem ta vizitoj sa herë  mundem. Do t’i jem gjithë jetën mirënjohëse!

***

Znj.Erisa. Cilat janë momentet më kulmore të karrierrës suaj duke ditur se keni qënë shqiptarja e parë qe keni punuar ne një televizion te huaj prestigjoz « Euronews »si ka vazhduar karriera juaj …?

***

Katër janë momentet kulmore në karrierën time.

Momenti i parë kulmor ka qenë ai i bashkëpunimit me televizionin « Euronews ». Jam ndier e privilegjuar që kam qenë e pjesë e ekipit të programit « Parlamento », program që kombinonte vendimarrjen e institucioneve europiane me rezultatet konkrete në terren në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Kam udhëtuar shumë në Europë në kuadër të këtij programi. Reportazhet e mia më të arrira kanë qenë « Kosova, një vit pas pavarësisë »,« Ngitja e esktremit të djathtë në Hungari », Roli i parlamenteve kombëtare sipas Traktatit të Lisbonës » në Suedi, « Tërmeti në Aquila të Italisë » dhe «  Historia e Parlamentit Europian » në Bruksel.

Unë kam qenë shqiptarja e parë që punonte për një televizion të huaj presigjioz si « Euronews » në gjuhën frënge dhe kjo mbetet për mua një krenari e madhe.

Moment tjetër kulmor i karrierës time ka qenë programi javor « Euroklan » fillimisht prej 15 minutash në 2010 dhe më pas prej 45 minutash prej mesit të 2010 deri në mesin 2011, që unë bashkë me regjizorin Zakaria Bakkali dhe një ekip belg kemi realizuar për televizionin KLAN. Ishte fryti i një pasioni dhe pune të palodhur dhe njohu një sukses të madh në Shqipëri. Teleshikuesit konsideruan, që ky program solli erën europiane në Shqipëri dhe ne ishim tejet të gëzuar për këtë.

Më pas, kam realizuar për ABCnews dokumentarin «  Shqipëria, rruga drejt BE-së » në 2012, një cikël reportazhesh të të rinjve shqiptarë që bëjnë stazhin në institucionet europiane në 2013, dy vepra audiovizuale midis dokumentarit dhe reportazhit të titulluara «  Disidenca shqiptare » dhe « Ermonela e vërtetë » në 2014 dhe vazhdoj të përcjell  informacione të përditshme dhe intervista të vazhdueshme nga Brukseli.

Momenti i tretë kulmor në karrierën time është ai i zgjedhjes si zëvendëpresidente e Klubit të shtypit europian të Brukselit. Ndihem e nderuar që kolegët e huaj vlerësuan dinamizmin, pasionin dhe këmbënguljen time për të më propozuar në këtë post, të cilin vazhdoj ta mbaj edhe sot.

Po ashtu, inkurajuese ka qenë edhe votimi që u krye në gjirin e shoqatës së shtypit ndërkombëtar, ku për një diferencë gjashtë votash mund të isha zgjedhur presidente e kësaj shoqate.

Sot jam anëtare e këshillit drejtues të kësaj shoqate dhe mbroj interesat e gazetarëve të Ballkanit.

***

E dashur Erisa. Për shumë shqiptarë jeni një nga gazetaret më të mira shqiptare, disa ju konsiderojnë ikonë të gazetarisë, të tjerë ambasadore të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.Si e shihni veten ju ne raport me profesionin dhe bashkekombasit ?

***

Janë dy momentet, ku shqiptarët më kanë bërë të ndiem bijë e denjë e tyre. Së pari, gjatë proçesit të vendimarrjes për heqjen e regjimit të vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë dhe lëvizjen e tyre të lirë në zonën Shengen.Nuk kam si të harroj kur me qindra qytetarë më ndalnin në rrugë, më pyesnin nëse do realizohej vërtet liberalizimi i vizave, më dhuronin buzëqeshje, më merrnin në krahë dhe më shtrëngonin me dashuri.

Unë për ta isha lajmësja.

***

Znj. Erisa. Si i keni përjetuar ju personalisht keto lajme, kur ju e dini mirë se sa te mëdha ishin per Shqiperinë , pritshmeritë per bashkëatdhetarët tua,.  c’farë sadisfraksion kanë sjellë tek Erisa ne rrafshin professional  dhe atdhetar?

***

Lajmësja e një lajmi të bukur që ata e prisnin me padurim pas një izolimi të gjatë dhe të padrejtë që iu bë popullit shqiptar nga pjesa tjetër e Europës. 8 nëntori 2010, kur  ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian morën vendimin për liberalizimin e vizave afatshkurtra për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës, ka qenë një nga ditët më të bukura të jetës time. Cfarë emocioni madhështor është që të njoftosh një lajm kaq të bukur dhe kaq të shumëpritur për një popull të tërë !

Momenti tjetër i madh për mua është ai i një konference shtypi, që mori përmasa të paparashikuara. Ishte momenti kur unë i drejtova pyetje Maja Koçijançiç, zëdhënëses së përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini mbi atë që Bashkimi Europian quajti «menaxhim profesional » të ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd. U jam kaq mirënjohëse të gjithë atyre shqiptarëve, që nxorrën sllogane kaq të bukur, të ëmbël e të paharrueshëm në rrjetet sociale siç ishte «  Hallal qumështi i nënës Erisa », si dhe të gjithë atyre që komentuan pa pushim e më shprehën mirënjohje me superlativa dhe shumë emocion në faqe të ndryshme. Nuk bëra gjë tjetër përveçse përcolla zërin e shqiptarëve në sallën e shtypit të Komisionit Europian për një gabim jo të vogël të Bashkimit Europian. Eshtë e vërtetë që ua përplasa të vërtetën në sy dhe populli im më bëri të ndihem shumë e lumtur dhe krenare për këtë !

***

E dashur Erisa. Si është bashkëpunimi juaj me koleget e ABCnews dhe KLAN tv? Sa frutdhenes eshte ai?

***

Eshtë absolutisht i shkëlqyer dhe më i miri që kam patur ndonjë herë me mediat shqiptare. Armand Shkullaku, drejtori i informacionit në bashkëpunim me Artur Zonjën, kryeredaktorin, e kanë shndërruar brenda një kohe të shkurtër ABCnews.al në një media shumë interesante, ku i jepet prioritet reportazhit dhe dokumentarit, që janë edhe ushtrimet më të vështira dhe të vërteta në gazetari, por edhe ku trajtimi i lajmit bëhet ndryshe. ABCnews i jep hapësirë ideve dhe krijimtarisë së individit dhe kjo është absolutisht e lavdërueshme! Kam një dobësi për personazhet që bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe preferojnë të qëndrojnë në hije, si redaktorja Anila Prifti. Nga ana tjetër, bashkëpunimi me KLAN mbetet i pandryshueshëm. Zëvendëskryredaktori Fatos Hakorja ka punuar fort dhe me pasion për t’a bërë edicionin informativ të KLAN gjithnjë e më konkurrues.

* Si i shikoni zhvillimet shqiptare,në lidhe me statusin e anëtrësimit te Shqiperisë në BE, kësaj here ju pyes si intelektuale qe jeni shumë pranë diskutimeve  te personaliteteve Europeane…?

***

Në politikë ndodh shpesh, që një hap para të vijohet nga një ose dy hapa mbrapa. Për hir të së vërtetës, që prej akordimit të statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian në qershor të 2013, ( fazë kjo që u zvarrit tre vjet), Shqipëria nuk ka bërë hapa të vërtetë përpara këto kohë, Kam bërë intervista të shumta me personalitete europiane dhe hapat që përshëndeten  që pas marrjes së statusit të vendit kandidat janë tre.  Së pari, përshëndetet roli konstruktiv që Shqipëria vazhdon të luajë në rajon, i cili për fat të mirë ka qenë vazhdimisht i tillë, por për ne shqiptarët nuk përbën asgjë të re. Së dyti, përshëndetet aprovimi i ligjit për dekriminalizimin e jetës politike në Shqipëri. Për mua, një ligj për evitimin e mbajtjes së posteve publike nga persona me të shkuar kriminale, mund të ishte konsideruar hap përpara pas vitit 1997! Por është e vështirë të quhet hap përpara, kur ky ligj u aprovua në dhjetor të 2015 pas denoncimit të rasteve flagrante të deputetëve me të shkuar kriminale në Parlamentin shqiptar dhe në kushtet kur edhe vetë ambasada e SHBA-së dhe e BE-së në Tiranë bënë të ditur, se zotëronin një listë të gjatë deputetësh me të shkuar kriminale, si asnjë herë më parë. Në vend që Shqipërisë t’i jepet mundësia të hapë negociatat e anëtarësimit në BE, në mënyrë që të ndryshojnê standartet për bujqit shqiptarë, studentët shqiptarë, pacientët shqiptarë, sipërmarrêsit shqiptarë, e më gjerë të konsolidohet shteti ligjor dhe sistemi i drejtësisë, ne merremi ende me faktin ka apo s’ka kriminelë në Parlamentin shqiptar!!!! Ambicia e politikës shqiptare duhet të ishte në një nivel të tillë, që t’i përqëndronte energjitë e saj për t’ju përgjigjur problemeve ekonomike dhe sociale që ka vendi në një kontekst ku efektet e krizës ekonomike dhe financiare në Europë janë ende të forta, aq më tepër që Shqipëria është fqinje me Greqinë, “të sëmurën” e Europës dhe aq më tepër, që një fluks i konsiderueshëm shqiptarësh trokitën në Gjermani e shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian për të kërkuar azil, se nuk shihnin perspektivë në Shqipëri! Së treti, ajo që konsiderohet si një gjysëm hap përpara është reforma e administratës publike, pasi ligji është shumë i mirë, por së fundmi raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein tregoi qartë, se zbatimi i tij nuk është në nivelin e dëshiruar nga BE-ja dhe qytetarët shqiptarë. Dobësia e madhe e reformave në Shqipëri është zbatimi i reformave. Në këto kushte, kur sfida kryesore e vendit  mbetet reforma në drejtësi,është e vështirë për të bindur së pari Komisionin Europian dhe më pas edhe më e vështirë shtetet anëtare të BE-së, që Shqipëria është gati dhe meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Imazhi i vendit është shumë lehtë për t’uerresuar, por shumë i vështirë për t’u ndryshuar pozitivisht,

***

A mund të tregoni per lexuesit ju lutem nje emocion te ndonjë ndjesie të thjeshtë që e  e perjetoni ju me shumë dashuri, dhe sensibilititet  …qe ju ju ka ngelur ne mendje ?

***

Shqipëria më ka dhuruar një margaritar : Një fëmijëri të mrekullueshme  të lidhur pandashmërisht me muzikën   Bukuria e kësaj fëmijërie jeton fuqishëm brenda meje. Ajo më flet, më buzëqesh, më rrezaton, më mbush! Unë kam fatin e rrallë të kem ruajtur  një nga shoqëritë më të bukura në botë, që e pati zanafillën në moshën 6 vjeçare në Tiranë në bankat e shkollës tetëvjeçare « Kongresi i Përmetit ». Një shkollë e thjeshtë, por për ne, shkolla më e bukur. Koridoret e mbushur me tinguj muzike që prodhonin duart që ushtroheshin mbi instrumentat e ndryshëm. Një ekzigjencë dhe disiplinë e rrallë. Askush në klasë nuk mjaftohej me faktin, që mund të ishte një violinist, pianist apo violonçeliste e talentuar. Duhej të ishte i kompletuar dhe mundsisht  i shkëlqyer në programin e përgjithshëm mësimor. Mësuesit punonin me përkushtim të veçantë, na ushqenin ambicien e shëndoshë, por mbi të gjitha formonin njeriun me shumë dashuri. Kaq pasion kishte brenda tyre, sa nuk mund të harroj përshkrimin që u bënte mësuesi im i violinës, Bato Gashi koncerteve të Pjetër Gacit! Ai mund të kalonte minuta të tëra duke ushqyer imagjinatën time, që të më bënte të fluturoja larg në fushat betejave, në mënyrë që gishtat e mi të sillnin në violinë me po aq intensitet ato që shihja në imagjinatë.  Dhe këtë e bënte, edhe pse e dinte që unë nuk do të bëhesha violiniste, por do merrja tjetër rrugë. «  T’i tregojmë jurisë, që përveçse e shkëlqyer në mësime, ti mund të jesh edhe violiniste e mirë » më thoshte. E sa e sa mësues të tjerë të mrekullueshëm, që ne i mbajmë në zemër!

-Për mua dhe shokët e mi, koha është ndalur. Këtë verë u takuam pas 25 vjetësh. Me muaj të tërë i gëzoheshim këtij kthimi të ëmbël në fëmijëri, atëherë kur ishim naivë, atëherë kur ishim të mbushur  vetëm me dashuri, atëherë kur mund të ndryshonim botën! Ishim të mbërthyer krejtësisht pas mesazheve që ekzaltonin idenë e takimit, sikur donim të përjetonim dlirësinë e humbur, të kapnim lumturinë e rrëshqitshme e të shpëtonim qoftë për një ditë të vetme nga« lumi i interesit » që rrjedh në rrugët e Tiranës! Njerëzit habiteshin kur u thoja se do të festonim për herë të parë 25 vjetorin e shokëve të tetëvjeçares. Shumëkush e ka të pamundur të sjellë ndër mend fytyrat dhe emrat e shokëve të universitetit apo gjimnazit e jo më të shkollës tetëvjeçare! Emocioni i takimit ishte vibrues! Asgjë nuk kishte ndryshuar! Sy që shkëlqenin, përqafime të zjarrta, fjalë të ngrohta. Edhe pse pothuajse të gjithë artistë, ne nuk folëm për art atë natë, por veshëm çdo bisedë me art. Shpirtra që shpërthyen në humor, zëra që u akorduan bukur, trupa që përkthyen pasionin për muzikën! Dhe më e bukura është, që pothuajse të gjithë shokët e mi janë muzikantë me reputacion të shkëlqyer dhe me emër në Europë dhe në Shqipëri!

***

-Cili do te ishte mesazhi juaj  për gratë shqiptare  në  realizimin  e  plotë  të tyre  perballe sfidave te jetës dhe mentalitetit maskilist?

***

Sado i vêshtirë tê jetë rrugëtimi juaj, mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja dhe përpjekjet për tê realizuar projektet tuaja! Të gjithë meshkujt përreth jush rrezatohen me dashurinë, bukurinë dhe forcën tuaj. Kur ju pushoni së ëndërruari dhe së luftuari për atë që doni , çdo gjë përreth thahet!

***

Erisa Zyka: Njê falenderim të veçantë për Liliana Pere, që mbron fort çështjen e gruas shqiptare dhe që më ngacmoi me pyetjet e saj, duke më bërë të prekja  tema që nuk i kisha prekur më parê, si shoqëria.Faleminderit Liliana

***

Ju falemdeminderit e dashur Erisa..

Formimi profesionl i shkelqyer puna e palodhur, ju ka rritur nga koha ne kohë,  ju ka çuar në zemër te Europës, aq shume te mirepritur dhe te dëshiruar nga të gjithë. Jeni një inspirim dhe mesazhi madh . Nje gazetare e aftë , e fortë , kurjoze me zërin e se vërtetës , perballuese e sfidave edhe përpara personaliteteve te mëdha të Europës. Ju depërtuat me formimin tuaj intelektual në një  destinacion,  ku çdo kolegja juaj do ta ëndëronte.

Bota sot me teknollogjinë  është lehtesisht e komunikushme, mediat vizve dhe ato të shkruara

Ne kemi forcën, mencurinë, dhe vullnetin e mirë ta integrojmë  pa e zvarritur në kohë, dhe në standartet qe kërkohen ,’’Shqiperinë ne BE’’.

Dr.Liliana Pere

Ing  Informatic

President: International Organization.

” Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

Tirane . Albania

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Erisa Zykaj, Gazetarja shqiptare, Liliana Pere, ne Bruksel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT