• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

SHQIPNIA KISHTE“KULM DHE THEMEL”!

February 11, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Melbourne-Australi/
1946 SHKURT…/
■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
■Me siguri në kujtimet e veta ambasadori i Jugosllavisë në Shqipni Josip Gjergje, që nga viti 1945 organizonte veprimet e Titos në Shqipni, në bashkpunim me kolonelin sovjetik S. Sokolov, që pak ma vonë solli tek ne ambasadorin sovjetik D.S. Çuvahin. Edhe pse Shqipnia i kishte fillue lidhjet me Stalinin që në 1927 me Fan S. Nolin e Ali Kelmendin, ambasador në Moskë ishte emnue një nga organizatorët e Kominternit që në vitin 1937 në Shqipni, Koço Tashko, i cili edhe pse njihte Ameriken, tek ne “hodhi faren e keqe të komunizmit, që mblodhi nëper Greqi…” bashkë me Dr. Omer Nishanin, dhe të gjithë bashkë edhe pse ishin të shkolluem, po u themi, tue i krahasue me injorantët që i kishin grumbullue me 8 nandor 1941, e “pa u kujtue fare” kishin hy në vathen e zagarit Enver Hoxha “që kafshonte robtë e shtëpisë…”, tue i sherbye Titos dhe Stalinit si donin ata!
■Të gjithë këta Antishqiptarë ishin të ngarkuem nga sllavokomunistët e Veriut dhe të Jugut me detyrë të cilen, “vazhdoi ai, simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, …të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkoder, me në krye Françeskanët!”
■Po, ku, me fillue e dijmë me kohë… e “deri ku vazhdoi ai, nuk e thotë asnjeri”!..
Nuk i harronin as sllavokomunistët serb, as malazezët “telashet” që ua solli Bratila e Gerça e Dedë Gjo’ Lulit, Kelmendi, “Beslidhja e Veriut”, Doket e zakonet e “Kanunit Lekë Dukagjinit” të mbledhuna nga At Shtjefen Gjeçovi i vramë prej tyne, e “Kanuni i Skenderbeut”… nga Imz. Frano Illija. Sandalet e Françeskanëve të Troshanit, që prej Shek. XIII kishin mbjellë e rritë me lisat e Maleve Formulen “Atdhe e Fe”!

■Duheshin zhgulë Kryqat, “Shenjat e pushimit” nder Male, që kishin latue me kmesat e veta: Dedë Gjo’ Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin). Prekë Cali, Gjelosh Luli, Dod Nikolli, Gjergj Vata, Mark Mala, Gjon Destanishta e Zef Kol Prela me 118 Burrat e vramë në Janarin e 1946, në Selcë, pa gjyq…e, Trupat e Tyne të hudhun nder humnera… Edhe sot të panjohun!
■Ua kishte lanë Krajl Nikolla të shkrueme edhe listen e Klerit Katolik Shqiptar, tue fillue nga At Mati Prennushi, organizator e bashkpuntor i Dedë Gjo’ Lulit në Deçiq, bashkë me Ipeshkvijtë e njohun Imz. Luigj Bumçi e Imz. Lazer Mjedja, Imz. Jakë Serreqi, Argjipeshkëv i Shkodres. E lista plotsohej nga Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Pavarësi. Nuk mungonte as emni i Imz. Vinçenc Prennushit, që kishte mbajtë një fjalim në Kala të Shkodres, në vitin 1913…
***
■HAPNI DOSJET! Shihni me sytë tuej, se shka ngjau në Shkoder në vitin 1946!
Në kjoftë se turqit i vinin Klerikët Katolik Shqiptar nder hunjë, mbas vitit 1944 “hunjët” u ruejten nder hetuesitë e burgjet e Shkodres per me ua thye brinjët e kokën Atdhetarëve, mbasi ashtu ishte “porosia” e druzhe Titos per terroristin Enver Hoxha!
Vazhdon Pjesa e II…
Melbourne, Shkurt 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, kulm, Shqipnia e Veriut, themel

Tre udhëheqësit fetarë të qytetit bregdetar nderohen me titullin“Nderi i qytetit të Durrësit”

February 11, 2016 by dgreca

Durrësi i bashkëjetesës, fetare, ashtu si dhe e gjithë Shqipëria, me këtë akt ka nderuar me titujt “Nderi i qytetit të Durrësit” 3 klerikët prifti katolik famullisë, don Gjergj Meta, myftiu i xhamisë, Redin Quku, dhe famullitarit ortodoks, atit Gjerasin Çakalli./
DURRËS : Në faqen e saj të rrejtit social “Facebook” portali SIR – Servicio Internationale Religiosa njofton se në 25 vjetorin e themelimit të shoqatës qytetare “Durrësi” – me këtë rast, ajo ka nderuar 3 klerikët e tre besimeve kryesore fetare në qytetin e bregdetar të Durrësit
Durrësi i bashkëjetesës, fetare, ashtu si dhe e gjithë Shqipëria, me këtë akt ka nderuar me titujt “Nderi i qytetit të Durrësit” 3 klerikët prifti katolik famullisë, don Gjergj Meta, myftiu i xhamisë, Redin Quku, dhe famullitarit ortodoks, Atit Gjerasin Çakallli.-
Ngjarja është zhvilluar mbrëmjen e djeshme, teksa në qytetin bregdetar është festuar 25-vjetori i krijimit të shoqatës “Durrësi”, një ceremoni e zhvilluar në një mjedis festiv në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku pati pjesëmarrje të madhe me themelues të kësaj shoqate 25 vite me parë si dhe të familjarëve dhe anëtarëve më të rinj të saj.
Titujt “Nderi i qytetit të Durrësit” iu dhanë dje nga kryetari bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për këtë arsye: “Për kontributin e tyre në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë në mesin e qytetarëve. Për mbështetjen e tyre shpirtërore për qytetarët e Durrësit. Për kontributin e tyre bashkëjetesën dhe harmonisë ndërfetare “.
Duke marrë tituj e nderit të tre klerikët, e të tre besimeve fetare, katolik, musliman, dhe ortodoks, mbasi ata morën titujt e nderit, falënderuan organizatorët për një njohje të tillë.
“Durrësi – citohet të ketë thenë prifti katolik i këtij qyteti don Meta – në marrjen e këtij titulli, është vendlindja e tre martirëve të besimit katolik: peshkopi Vinçenc Prennushit dhe priftërinjve të famullisë don Anton Zogaj dhe Mgr. Jul Bonati. Të tre janë në listën e 40 martirëve, të cilat tani po kalojnë në Kongregatën për Shenjtorët. Ata kishin marrëdhënie të mira me udhëheqës të tjerë fetarë të kohës. Si shërbyes fetar të dioqezës aktuale Tiranë-Durrës, ata mund të jenë krenarë për bashkëjetesën paqësore, e cila e tillë ende vazhdon në Durrës dhe gjithë Shqipërinë “.
Famullitari Dom Gjergj Meta në Kishën Konkatedrale të Shën Luçisë në Durrës ka vlerësuar gjithashtu edhe atë se gjatë 25 viteve të fundit, ata kanë dhënë një kontribut të madh në rilindjen e Kishës dhe të shoqërisë “.
Bashkëjetesa në paqe e besimeve fetare në Durrës, dhe në të gjithë Shqipërinë, na bën gjithnjë një vend që merremi në konsideratë si shembull edhe për vendet e tjera. Harmonia fetare e trashëguar si një dhuratë e çmuar brez pas brezi, mbetet një nga vlerat historike, kulturore dhe civilizuese, me të cilën krenohemi dhe kemi ç’t’u ofrojmë popujve të tjerë, thuhet në njoftim.
Takimin e ka përshëndetur edhe kryetari i bashkisë Vangjush Dako, i cili ka vlerësuar kontributin e kësaj shoqate për mbështetjen dhe zhvillimin e qytetit të Durrësit.(Pergatiti:Beqir Sina)

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, nder i qytetit te Durresit, Tre udheheqsit fetar

E kaluara historike në shërbim të së tashmes dhe udhërrëfyese e së ardhmes

February 11, 2016 by dgreca

Nga Prof. dr. Asllan Hamiti/
Prof. dr. Nusret Pllana “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” (botimi i gjashtë i plotësuar), Arkivi Shtetëror i Kosovës, Sektori i Arkivit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prishtinë, 2015
Duke shikuar fotografitë e duke lexuar tekstin e librit e kishim shumë vështirë të shkruanim pak rreshta për promovimin e librit enciklopedik të krimeve monstruoze serbe ndaj shqiptarëve, hartuar nga luftëtari i lirisë, zëdhënësi i gjenocidit serb, prof. Nusret Pllana.
Libri enciklopedik “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” botimi i gjashtë i plotësuar (versioni në gjuhën angleze) ka gjithsej 770 faqe. Në 92 faqet e para intelektualë të shquar shqiptarë japin vlerësimin e tyre për veprën (të përkthyera në disa gjuhë). Ky libër me fjalë e me mbi 900 fotografi autentike dëshmon bindshëm dhunën, masakrat, terrorin, helmimet, gjenocidin e shfrenimet shtazarake individuale e institucionale të vazhdueshme të pushtuesve serbë e të kishës ortodokse serbe ndaj shqiptarëve për një shekull e gjysmë.
Kjo encilopedi faktografike ka vlera të shumëfishta:
a) Dëshmon kanibalizmin shekullor serb ndaj shqiptarëve dhe njofton gjithë botën për këto të këqija të papara që janë ushtruar ndaj shqiptarëve. Me këtë të vërtetë historike të dhimbshme, por krenare të popullit tonë, duhet të njihen jo vetëm shqiptarët, por gjithë njerëzit e rruzullit tokësor.
b) Ky libër hudh poshtë gënjeshtrat serbe dhe propagandën antishqiptare se gjoja shqiptarët nuk janë autoktonë, se Kosova ka qenë, është e duhet të mbetet në kufijtë e Serbisë së sotme.
c) Libri i përkthyer në tetë gjuhë e i përhapur në shumë shtete të botës arsyeton luftën për mbijetesë e për liri të shqiptarëve, arsyeton ndihmën e aleatëve për çlirimin e Kosovës, formimin e shtetit dhe njohjen ndërkombëtare të tij. Nga ana tjetër, ky libër ndikon për të formuar bindjen e botës së qytetëruar se shteti i ri i Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi duhet përkrahur vazhdimisht që të mëkëmben e të gëzojnë lirinë.
Viktimat e shfrenimeve serbe, njerëzit e masakruar, të djegur, të prerë, të përvëluar e të zhdukur nga terrori serb, të shënuar me emra e mbiemra, të dhënë edhe me fotografi e dëshmi të tjera janë bërë të pavdekshëm jo vetëm për familjarët e farefisin, por edhe për gjithë kombin si dhe në përmasa evropiane e botërore. Ky libër paraqet një përmendore kolektive me fjalë e fotografi, e sakrificës, e qëndresës, e vujatjeve dhe e luftës së shumë brezave shqiptare për liri e pavarësi.
Po të mos regjistrohen në letër ose në ndonjë material tjetër të qëndrueshëm, shumë ngjarje të rëndësishme të historisë me kalimin e kohës do të harrohen ose do të humbasin përgjithmonë. Në këtë kuptim, autori i librit prof. Nusret Pllana ka mbledhur e paraqitur në letër një nga krimet më të egra të njrëzimit, shfrenimet e hordhive serbe ndaj popullit shqiptar që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në mbarim të shekullit XX.
Pas përfundimit të luftës së nxehtë (me armë) nis lufta e ftohtë (me fjalë, lufta diplomatike). I vetëdijshëm për këtë, autori Nusret Pllana, me një punë mbi 20-vjeçare mblodhi fakte e të dhëna të tjera autentike, i sistemoi në një libër enciklopedik, i botoi e i ribotoi në disa gjuhë dhe po i përhap nëpër botë.
Kur mungon e vërteta, gënjeshtrat zënë vend, por kur del në shesh e vërteta, gënjeshtrat harrohen. Pushtuesit serbë, nga njëra anë janë përpjekur të shlyejnë nga faqja e dheut shqiptarët, por nga ana tjetër kanë përhapur informata të rrejshme për shqiptarët se nuk janë atuktonë, se janë të egër, të paqytetëruar e me tipare nga më të këqijat e njerëzimit. Me këtë libër, prof. Nusret Pllana dëshmon të kundërtën.
Shoqëria shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni është duke kaluar nëpër procesin e integrimeve lokale, makrorajonale e globale. Ripozicionimi në fushën politike, ekonomike e kulturore karakterizohet nga përpjekjet për promovimin e ekonomisë së tregut të lirë, për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për integrimet evropiane dhe në NATO.
Në procesin e globalizimit, çdo popull duhet të shfaqet e të garojë me të tjerët me vlerat që ka. Ne shqiptarët kemi vlera të mirëfillta morale, njerëzore, paqësore e intelektuale për t’u prezantuar para të tjerëve. I kemi dhënë njerëzimit mendje të ndritura, udhëheqës, artistë, luftëtarë të lirisë, humanistë dhe njerëz të tjerë të mëdhenj në përmasa evropiane e botërore.
Në këtë kontekst, e vërteta për terrorin shekullor serb ndaj shqiptarëve duhet dalë në shesh. Prof. Pllana në këtë libër na shfaqet si faktograf i gjenocidit serb mbi shqiptarët, ambasador i luftës sonë për liri dhe zëdhënës i përkrahjes së përgjithshme të shqiptarëve për pavarësi si dhe për përmirësimin e padrejtësive shekullore që i janë bërë kombit tonë.
Atë që Nëna Terezë e bëri për përhapjen e bamirësisë nëpër botë, atë po e bën prof. Nusret Pllana për përhapjen e të vërtetës për terrorin shekullor serb ndaj shqiptarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: Prof. Asllan Hamiti, Prof. Pllana, Terrori i Serbise pushtuse

DY GRA TË DASHURUARA ME ENVERIN, TREGOJNË

February 11, 2016 by dgreca

Nga Pellumb KULLA/
Edhe duke e qortuar ashpër veprimin e gazetares Xhunga, unë nuk kisha si t’i ktheja kurrizin ekranit. Desha të shihja me kënaqësi saktësinë e parashikimit tim.
Dua t’u drejtohem atyre njerëzve të mirë që m’u kundërvunë duke më tundur para syve epërsinë e demokracisë dhe lirinë e fjalës, atë liri që Nexhmija nuk e ka dhënë as më parë dhe as tani. Bile as Xhungës. Duke e pasur të lehtë, pasi Xhunga nuk e ka dashur kurrë. Dhe në fakt rezultoi një tregim dashurie dhe veneracjoni, treguar nga dy gra të dashuruara me Enverin, që plotësonin njëra tjetrën.
Të dashur miq! Edhe unë pranoj ta dëgjoj atë grua e cila, ndryshe nga gjithë ne të tjerët, është e dënuar të na flasë vetëm politikisht. Ose të kërkojë ndjesë pas pendesës, gjë që nuk i ka dhënë kurrë shënjat, ose të dalë të mbështesë tërë bëmat monstruoze të saj, të të shoqit dhe të atyre pak shokëve që u shpëtuan pa vrarë. Kjo ishte dhe gjëja që ka bërë në këto 70 vjet dhe unë uroja që të mos gjendej ndonjë kamikaxe me mikrofon në dorë. Pra ajo grua nuk mund t’i lajë duart nga politika dhe historia politike.
Dhe sidomos isha i revoltuar nga preanuncimi i zhurmshëm dhe apeli për t’i mbledhur gjithë shqiptarët para ekranit, mbledhje për të cilën ndihmova dhe unë me shkrimin tim. Por jam i sigurtë se edhe sikur të shtatë miljon shqiptarët ta kenë ndjekur – ata që e urrejnë atë figurë alucinante, nuk janë pakësuar por kanë mbetur aq sa ishin. Dhe ata që mbajnë medaljonet e Nexhmies dhe të shoqit në gjokse, nuk janë shtuar. Kanë mbetur po aq.
E çfarë u pa dhe u dëgjua? Një histori dashurie e shpifur, e lëmuar, me lakuna të shumta. Një histori banale që mallëngjente ato dy gra që e tregonin në një duet të përsosur, dhe mbase ka përlotur gjysmën e shqiptarëve që as duan t’i bashkohen kujës sonë për median e vendit dhe për enverizmin gjithnjë e më sypatrembur. Histori dashurie? Ishte kjo më e bukura? Ia vlen më mirë një poezi brilante e Petrit Rukës! A lipset një histori dashurie nga fillimi i viteve dyzet? Ka Mustafa Greblleshi të tilla dhjetë herë më të bukura se kjo! Ishte një love story në ilegalitet, siç në fakt bëjnë dhe shumica e dashnorëve që fshehin edhe sot dashuritë e tyre ilegale.
Në ato dy orë një kriminele zëëmbël solli paturpësisht kujtime për të tëra shoqet që ka vrarë. Kujtoi fjetjet dashurore nëpër shtëpitë e atyre që pas dy-tre vjetësh do t’i vinte përpara skuadrave të pushkatimit, Syrja Selfon, Bahri Omarin. Foli për popullin që dyzetepesë vjet në fuqi, vendoste për gjithëçka dhe Enveri me shokë u vinin pas. Gënjeu për nismat rinore për prishjen e kishave dhe ndëshkimin e shërbesave fetare; për jetën proletare të bllokut. E ndjeshme ishte kur foli për letrat që zonja Hoxha ruan të dërguara nga Mehmeti, Hysniu, Ramizi, një tregim paqësor, ku Mehmeti nuk ishte më poliagjent dhe Koçi Xoxja, teneqexhi i mirë që ndihmonte shokët. Një Shqipëri e paqtë, ku sa gjalloi Nexhmija nuk ndodhi asedhenjë histori makbethjane. Dhe pastaj vuajtjet shpirtërore të të shoqit “shumë të prekshmit Enver,” kur merrte vesh për pushkatimet dhe internimet që bëheshin për arsye shtetërore.
Është arritje e demokracisë shqiptare kjo! Ishte punuar shumë mbi këtë shou. Dhjetra vetë, gazetarë, kameramanë, ndriçues, operatorë të zërit, ditë dhe javë të tëra kishin bërë montazhe, muzikë, kishin riregjistruar frazat që zonja i kish thënë shtrembër. Ishte një vepër voluminoze që duket se është bërë e nevojës së pare në Shqipërinë e sotme. Dy portrete letrare, ëngjëllorë, me emra të njohur- për një palë të urryer e për një palë, të shtrenjtë, sidomos për ata që në ‘92 e fshihnin gazetën Zëri i Popullit thellë në xhep dhe dilnin rrallë nga shtëpia. E tani, për ditë e më shumë ngrenë lart portretin e diktatorit, mu në mes të Tiranës, gjë që nuk u pa asedhe një herë në vitet ‘92-93! Kam dëshirë t’i siguroj dhe ata pleq të mirë me shalla të kuq, se dita që ëndërron Nexhmija për të rivendosur monumentin e rrëzuar si pjesë e skenarit, po afron. Jo për mburje por e kam të shkruar në artikuj të mij të para dhjetë vjetëve. Edhe përmendorja e Zogut, për t’i hapur rrugën asaj të madhes, të Enverit, u bë. Ne i kemi qejf balancat.
Kështu pra, zonja Xhunga e bëri fora, si veteranët. Me shallin e saj të kuq në qafë, doli përpara nesh dhe për gati dy orë na tundi para syve portretin e saj të Enverit.

Filed Under: ESSE Tagged With: DY GRA TË DASHURUARA ME ENVERIN, pellumb Kulla, TREGOJNË

FEDERATA VATRA MBESHTET VIZITEN E SEKRETARIT TE SHTETIT JOHN KERRY NE TIRANE

February 11, 2016 by dgreca

Ne nje deklarate te leshuar nga Federatat Panshqiptare e Amerikes VATRA ne SHBA, mbeshtetet vizita e Sekretarit te Shtetit Kerry dhe kerkohet konsensus qeveri – opozite per reformen ne drejtesi.
Gjithashtu Federata Vatra vlereson lart punen e ambasadorit Donald Lu dhe e gjen vehten teresisht ne deklaratat dhe qendrimet e tij.
Lidhur me problemet e renda te konstatuara gjate zgjedhjeve te fundit ne Shqiperi, si kriminalizimi i listave te kandidateve, shitblerja e votes, etj, Vatra shpreh bindjen se kjo teme do te jete gjithashtu pjese e bisedimeve me Sekretarin Kerry. Vetem dekriminalizimi i politikes e institucioneve dhe garantimi i zgjedhjeve te lira e te ndershme do te ishin garancia e duhur per stabilitetin ne Shqiperi, e me gjere.
Ne vleresimin e Vatres, kjo vizite eshte nje mundesi e mire per politikanet shqiptare qe te permbushin detyrimet e tyre ndaj qytetareve dhe te vendosin ceshtjet e rendesishme politike mbi interesat partiake dhe personale.
Ja Dekalarata e plote e Vatrës.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA përshëndet me mirënjohje të përzemërt vendimin e Sekretarit të Shtetit të SHBA John Kerry për të vizituar Shqipërinë, si një akt që tregon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe synimin e SHBA për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur debati politik përmban një sërë çështjesh të rëndësishme ende të pazgjidhura dhe shqetësuese për partnerët dhe miqtë tanë, por edhe kur shoqëria shqiptare po përjeton një krizë të thellë besimi dhe ekonomike, e pasqyruar qartazi në rritjen e emigrimit të qytetarëvet drej vendeve të BE.
Kjo vizitë është një mundësi e shkëlqyer për politikanët shqiptarë për të rritur përgjegjshmërinë e tyre ndaj pubikut dhe përmbushjen e detyrave të marra përsipër.
VATRA pret që, në temat të cilat do të diskutohen me këtë rast, të zërë vend me rëndësi realizimi i një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, duke e pare atë si një rrugëdalje të mirë nga qerthulli i korrupsionit dhe padrejtësive, por edhe që do të ngrinte lart besimin e munguar të publikut tek institucionet e drejtësisë. Reforma në dretësi do të hapte rrugën për ecje të mëtejshme drejt shkëputjes nga trashëgimia e rëndë e diktaturës së kaluar. Kjo reformë do të ishte jetëgjatë dhe e frytshme vetëm nëse do të arrihej nëpërmjet një konsensusi mes Qeverisë dhe Opozitës, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Gjithashtu, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me problemet e rënda të konstatuara në zgjedhjet e fundit vendore 2015, vecanërisht shitblerja e votës dhe kandidimi i personave me rekorde kriminale, shqetësimë të konstatuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të një rëndësie jetësore për demokracinë dhe garantojnë stabilitetin e Shqipërisë.
Çështja e sigurisë në përgjithësi është një temë e rëndësishme me interes për të dy palët, por, për palën shqiptare, përqendrimi i vemendjes tek siguria në territoret shqiptare, ka një rëndësi të veçantë, duke patur parasyshë rritjen e influences së organizatave terroriste dhe manipulimet nga armiqtë tanë shekullorë.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e gjen tërësisht vehten në deklaratat e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu duke e falenderuar publikisht për punën e tij të shkëlqyer.
Duke përfituar nga ky moment diplomatik, VATRA shpreh publikisht respektin më të thellë për punën dhe personalitetin e Sekretarit të Shtetit John Kerry, e siguron për ndjenjat më të thella të mirënjohjes për mbështetjen e saj të pakushtëzuar për çdo nismë lidhur me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare.
Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në traditën e saj më se njëshekullore, rikonfirmon qëndrimin e saj për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve tanë.
New York, 02/11/2016

Filed Under: Vatra Tagged With: deklarate, federata Vatra, John Kerry, MBESHTET VIZITEN E SEKRETARIT SHTETIT, ne Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT