• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Qeveria, përkrahje të fuqishme sportit

February 11, 2016 by dgreca

-Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA/
PRISHTINË, 11 Shkurt 2016 -B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të enjten në takim të gjithë drejtuesit e federatave sportive të Kosovës, ku theksoi përkrahjen e fuqishme të qeverisë për zhvillimin e gjithanshëm të sportit.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur kërkesat, nevojat dhe për të adresuar sfidat e sportit kosovar.
“Ne mendojmë se përmes konsolidimit të sportit dhe zhvillimit të tij, ne drejtpërsëdrejti ndikojmë në konsolidimin e shtetit të Kosovës, njohjen e Kosovës dhe vlerave të saj në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar sukseset e jashtëzakonshme të sportistëve kosovarë gjatë këtyre viteve, në veçanti sukseset e Majlinda Kelmendit dhe sportistëve të tjerë që kanë arritur suksese kulmore.
Duke veçuar anëtarësimin e 15 federatave të Kosovës në federatat ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportiv, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se edhe futbolli kosovar shumë shpejt do të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA.
“Si qeveri ne po bëjmë përpjekje që të punojmë në afirmimin e sportit”, tha kryeministri, duke premtuar investime të mëtejshme në sport.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, bëri të ditur se tani është në procedurë edhe Ligji për Sponsorizimin e Kulturës dhe Sportit, i cili ofron mbështetje dhe krijon kushte të reja për sportin.
Në fund, kryeministri Mustafa ka thënë se me qëllim që të arrihen të gjitha synimet e përbashkëta duhet që të gjitha proceset në Kosovë të zhvillohen në tryeza, me argumente dhe përmes këmbimit të mendimeve.
“Mundësitë për këto ekzistojnë, disponimi ekziston, dhe edhe kjo e sotmja është një shprehje e këtij vullneti dhe disponimi tonë që së bashku me ju të bisedojmë për këto çështje”, tha kryeministri Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, përgëzoi federatat sportive për sukseset e arritura deri më tani.
“Ne jemi tani para një rrethane të re apo para një vendimi të ri që do të mund të merret edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ne jemi në një bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Futbollit, ndërsa mendoj se kjo do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme, disponimi është i mirë, opinioni është shumë i mirë, është një mbështetje e gjerë për anëtarësimin tonë, që do të hapet një perspektivë jashtëzakonisht e madhe edhe sa i përket futbollit”, tha zëvendëskryeministri.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu tha se shumë shpejt do të përmbyllet edhe procesi për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar dhe se do të vazhdohet me punë më të madhe për Ligjin për Sponsorizime, që të filloj edhe implementimi.
Duke përmendur sukseset e jashtëzakonshme që janë arritur dhe pritet të arrihen, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, zëvendëskryeministri Thaçi, tha se për të arritur suksese të mëtejshme duhet një imazh i mirë.
“Këtë imazh të Kosovës do të mund ta forconi ju edhe më tepër, ta afirmoni edhe më tepër. Por e theksoj përsëri çdo imazh i keq për çfarëdo çështje që paraqitet në Kosovë do të jetë edhe një lëndim edhe për sportin kosovar kudo që jeni. Qoftë imazh i keq në politikë ndikon edhe në mosafirmimin tuaj”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Kujtim Shala, zëvendëskryeministër, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vlerësuar punën e bërë deri më tani nga punëtorët sportivë në Kosovë.
“Unë besoj që hapi më i madh në raportet e Qeverisë me Komitetin Olimpik dhe me Federatat është bashkëpunimi që kemi vendosur. Ne bashkë me ju dhe me Departamentin e Sportit kemi insistuar që së pari të bëjmë pavarësimin financiar të Komitetit Olimpik dhe të Federatave, dhe këtë e kemi arrit vitin që shkoi. Tani jemi në fazën e vlerësimit dhe po ashtu në fazën e licencimit të federatave, i cili është një proces tepër i rëndësishëm sepse përcakton raportin tonë për tri vitet e ardhshme”, tha ministri Shala, duke folur edhe për punën e madhe që po bëhet në fushën e legjislacionit.
Zëvendëskryeministri Shala ka theksuar edhe investimet e bëra në sport, në veçanti dinamikën e madhe në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar.
“Po ndërtojmë palestra, janë në proces 7 palestra, pjesa më e madhe e të cilave do të kryhet sivjet, ndërsa pjesa tjetër do të përfundoj vitin e ardhshëm. Po ashtu gjatë këtij viti do të fillojmë edhe katër palestra tjera”, tha Shala, duke folur edhe për përpjekjet që po bëhen për krijimin e një zone, një kampusi për objekte nacionale të sportit, i cili do të jetë në Prishtinë, në zonën e Bernicës.
Më tutje, zëvendëskryeministri Shala ka përmendur rezultatet e vitit të kaluar, medaljen e Nora Gjakovës, kthimin e Majlindës pas lëndimit fuqishëm me rezultate të jashtëzakonshme, titullin e klubit të basketbollit Prishtina, organizimin e Kampionatit Botëror të vendeve në zhvillim në hendboll, etj.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se ky takim dëshmon një kontinuitet të bashkëpunimit jashtëzakonisht të lartë dhe të mirë ndërmjet Qeverisë, Ministrisë, Komitetit Olimpik dhe federatave sportive.
“Padyshim se ky bashkëpunim ka dhënë edhe frytet e veta dhe sot pothuajse të gjitha federatat që nga viti 2003 kur për herë të parë është pranuar Federata e Pingpongut, janë 29 federata të pranuara, mbetet edhe Federata e Futbollit, dhe do të kurorëzohet ndërkombëtarizimi i sportit, e që padyshim një meritë e jashtëzakonshme u takon drejtuesve të sportit”, tha Hasani, duke shtuar se këto rezultate janë fryt i bashkëpunimit qeveritar dhe joqeveritar, por edhe i rezultateve mahnitëse dhe spektakulare që kanë arritur sportistët e Kosovës së bashku me trajnerët e tyre.

Filed Under: Sport Tagged With: Behlul Jashari, Kryeminsitri Mustafa, përkrahje të fuqishme sportit, qeveria

Dyzet e pesë mijë librat e Enverit

February 11, 2016 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/ New York/
Tashmë po bëhet si rrugë që persona me rëndësi të bëjnë autobiografinë përmes intervistash në televizor, në të cilat gazetarët bëjnë pyetje komode, që në shumicë i kanë përgatitur plotësisht apo pjesërisht vetë të intervistuarit në atë mënyrë që ta nxjerrin sa më të pastër dhe sa më të vlefshme veten e tyre. Kjo ndodhi këtë herë edhe me intervistën që Nexhmie Hoxha i dha Rudina Xhungës. Duke lënë mënjanë llojet e pyetjeve shumë të rehatshme për Nexhmien si dhe formulimin e tyre gjuhësor të Rudina Xhunglës, të cilat, në përgjithësi, lënë shumë për të dëshiruar, po merremi vetëm me një pyetje, ndonëse pa rëndësi, por precize të gazetares dhe me përgjigjen koncize, por shumë të diskutueshme të të intervistuarës.
Pyet Rudina: Sa libra kishte biblioteka e Enver Hoxhës?
Përgjigjet Nexhmia: Kishte nja 45 mijë libra.
Një që ka blerë një bibliotekë dhe ka vendosur aty më shumë xhingla sesa libra, që e ka blerë bibliotekën më shumë për të treguar se edhe ai është njeri i librit, me siguri mbetet ngushtë kur dëgjon se Enveri kishte aq shumë libra. Një tjetër që librin nuk e ka ndarë nga dora gjatë gjithë jetës, qoftë për profesion e qoftë për kulturë, i cili ka në bibliotekën e tij libra qoftë të vetat e qoftë të trashëguara nga prindërit, dhe kur sheh se, megjithatë, në bibliotekën e tij nuk ka më shumë se 400-500 libra, e sheh me dyshim përgjigjen e Nexhmies. Dhe vërtet ai numër i madh librash që Nexhmia pretendon se ka pasur biblioteka e Enver Hoxhës të habit dhe të bën të dyshosh.
1. Çdo të thotë për një person që të ketë në bibliotekën e tij 45 mijë libra, nisur nga mundësia e leximit të tyre?
Kuptohet, në bibliotekë Enveri nuk kishte libra përrallash a vjershash të tipit “Vrima”, por libra të një cilësie të lartë nga autorë seriozë. Të kesh 45 mijë libra dhe t’i lexosh ato, sepse Enveri besoj se nuk i mbante ato për zbukurim, do të duhet një kohë më e gjatë se vetë jeta. Në një libër me përmasa mesatare dhe me vështirësi mesatare përmbajtjeje, njeriu lexon jo më shumë se 15 faqe në orë dhe për të lexuar një libër mesatar prej 300 faqesh, i duhen rreth 20 orë. Që të lexojë 45 mijë libra me nga 300 faqe secili, njeriut i duhen rreth 900 mijë orë. Duke marrë parasysh se një vit ka 8760 orë, për të lexuar librat e bibliotekës, Enverit do t’i duheshin 102 vjet, me kusht që as të mos hante, as të mos pinte, as të mos flinte, as të mos drejtonte punët e partisë, as të mos i shkruante letra shokëve për trajtimin e armiqve të popullit, as të mos i shkruante letra dashurie Nexhmies (pa le më të zhytej në veprime erotike), as të mos dilte për gjah, as të mos lexonte letrat e popullit, pra të mos bënte gjë, veç të lexonte. Është e pamundur, ndonëse, duhet pranuar se midis librave ka edhe nga ata që nuk lexohen nga fillimi në fund si, për shembull, fjalorë, albume, fjalorë enciklopedikë, apo enciklopedi.
2. Çdo të thotë për një person që të ketë në bibliotekën e tij 45 mijë libra, nisur nga mundësia për t’i vendosur ato?
Dyzet e pesë mijë librat, duke marrë parasysh se një libër mesatar ka një trashësi prej 2.5cm, për t’i vendosur në radhë njëri pas tjetrit, kërkojnë një vend me gjatësi prej 1125 metrash, pra mbi një kilometër. Për të shfrytëzuar lartësinë dhe pakësuar gjatësinë e vendit, kur librat janë mesatarisht të larta rreth 25cm dhe vendosen njëri mbi tjetrin 10 libra, ashtu siç vendosen zakonisht librat në bibliotekë, do të zinin një vend me një gjatësi prej 112.5 metrash, domethënë më shumë se gjatësinë e një piste atletike vrapimi 100m. Nuk besoj se vila e Enver Hoxhës me 2-3 kate të kishte vend për të vendosur kaq shumë libra, edhe sikur të mos kishte, as dhoma gjumi, as dhoma ngrënieje, as sallë të pritjes të popullit, të klasës punëtore, të veteranëve, të ushtarakëve etj, përveç dhomave të librave.
3. Çdo të thotë për një person që të ketë në bibliotekën e tij 45 mijë libra, nisur nga mundësia financiare për t’i blerë ato?
Besoj se në bibliotekën e Enverit, me përjashtime të rralla, kishte libra të huaj. Një libër mesatar jashtë kushton, po themi, rreth 10 dollarë. Dyzetepesë mijë librat e Enverit duhet të kenë kushtuar rreth 450 mijë dollarë. Nexhmia tha se Enveri e kishte rrogën 16000 lekë, që bëjnë, me kursin e atëhershëm të dollarit (që ishte 70 lekë për një dollar) rreth 250 dollarë në muaj, apo 3000 dollarë në vit. Sikur Enveri ta kishte marrë atë pagë qëkurse kishte lindur e deri kur vdiq, pra për 77 vjet resht, do të bënte gjithsej 230 mijë dollarë dhe nuk do t’i dilnin kurrë ato pare për të blerë as gjysmën e librave edhe sikur të mos kishte shpenzuar asnjë kacidhe për gjë tjetër. Sigurisht në bibliotekën e Enverit kishte edhe shumë libra të falur, edhe libra të konfiskuara nga bibliotekat e intelektualëve të paraluftës të eliminuar prej tij, që Nexhmia nuk i përmendi, por ata nuk krijojnë ndonjë ndryshim të madh në fondet që duheshin për të blerë mijëra libra të tjerë.
Se përse dha Nexhmia atë shifër të stërmadhuar për librat e bibliotekës së Enverit, është e qartë: jo se Enveri ishte bibliofil, porse ishte njeriu më i kulturuar që ka njohur ky vend!

Nju Jork, Shkurt, 2016 Ilir Hashorva

Filed Under: Analiza Tagged With: Dyzet e pesë mijë, Ilir Hashorva, librat e Enverit

SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË, ANTOLOGJI POETIKE NE GJUHEN ANGLEZE

February 11, 2016 by dgreca

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka arritur një akord me Shtëpinë Botuese të Universitetit të Teksasit “Mundus Artium Press” për botimin e një Antologjie Poetike në gjuhën Angleze. Në këtë antologji, e cila do të shohë dritën e botimit në nëntor të këtij viti, do të botohen poezi nga anëtarë aktivë të Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë.
Të gjithë anëtarët e Shoqatës janë të mirëpritur të nisin në adresën elektronike të Presidentit të Shoqatës, Andan Mehmeti: adnanmehmeti2001@yahoo.com, jo më pak se pesë dhe jo më shumë se 8 poezi të përkthyera në anglisht. Poezitë duhet të shoqërohen me një biografi të shkurtër (jo më shumë se 200 fjalë) dhe me një foto-portret. Sipas marrëveshjes me “Mundus Artium Press”, poetët do të prezantohen me rreth 5 poezi. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë do të bëjë një para-seleksionim për shtëpinë botuese, por është Shtëpia Botuese “Mundus Artium Press” ajo që do të vendosë për përfshirjen finale të poetëve dhe poezive në antologji. Data e fundit për pranimin e poezive është 30 prill, 2016.  
Për çdo pyetje, ju ftojmë të komunikoni direkt me Presidentin e Shoqatës Adnan Mehmeti në adresën:adnanmehmeti2001@yahoo.com
www.mundusartiumpress.org

Nga Kryesia e Shoqatës
10 shkurt 2016
 

Filed Under: Komunitet Tagged With: anglisht, antologji poetike, Shoqata e Shkrimatreve ne SHBA

David Phillips: Nutri i të radikalizuarve në Kosovë po rritet

February 11, 2016 by dgreca

“Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë, por numri i atyre që po radikalizohen është në rritje”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, nag Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Phillips, keni shkruar së fundmi se historia e gjatë e Kosovës e “të pasurit karakter sekular, është duke ndryshuar”. Pse mendoni se po ndryshon?
David Phillips: Fillimisht dua të nënvizoj se shqiptarët etnikë kanë qenë gjithmonë fuqishëm pro-amerikanë. Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bashkëpunuar ngushtë për ta ndalur agresionin e Serbisë, dhe rrjedhimisht për të ecur drejt pavarësisë. Pra, është një lidhje shumë e thellë ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve.
Megjithatë, lënia pas dore e Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara ka pasur ndikimin e vet në psikologjinë e kosovarëve.
Shkalla e papunësisë është shumë e lartë, Shtetet e Bashkuara kanë përqëndruar vëmendjen gjetkë; qeveria në Kosovë është dëshmuar të jetë e paaftë në zgjidhjen e problemeve në vend dhe në shumë rrafshe madje i ka përkeqësuar problemet…
Prandaj, për fat të keq ajo lidhja e ngushtë ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve është zbehur. Mendoj se mund të rivendoset, por duhet të bashkëpunojmë më nga afër, ndërkohë që edhe perspektiva evropiane e Kosovës duhet të fuqizohet.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Phillips, autoritetet vlerësojnë se rreth 300 qytetarë i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak, një numër që Kosovën e bën kontribuesin më të madh në Evropë, për kokë banori. Autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë masa parandaluese, por të shumtë janë ata që thonë se ato nuk ishin dhe nuk janë të mjaftueshme. Ju si mendoni?
David Phillips: Autoritetet na kanë dhënë një numër prej 300 kosovarësh, të cilët janë rreshtuar përkrah Shtetit Islamik. Kjo është e dhëna zyrtare. Në fakt, unë mendoj se numri është thelbësisht më i lartë, mbase 1,000.
Megjithatë, numrat nuk janë të rëndësishëm, e rëndësishme është të theksohet mungesa e gatishmërisë nga ana e qeverisë në Kosovë për të krijuar mundësi punësimi, arsimimi, për t’u dhënë të rinjve në Kosovë shpresë dhe mundësi.
Qeveria është përgjegjëse për politikat e brendshme të vendit, por edhe komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar shoqërinë civile apo për të mbështetur punën e qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe njerëzor.
Pra, faji qarkullon përreth, e ndërkohë bota paguan çmimin, kur kushdo që shkon në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, ai person paraqet rrezik me t’u kthyer – edhe në Kosovë – se mund të jetësojnë aftësitë që kanë marrë atje për të organizuar sulme, për të shënjestëruar të tjerët.
Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë “mozaik të radikalizimit” në Kosovë, është një pjesëz që për shumëkë nuk ka kuptim; fakti që në njërën anë, siç e thatë edhe ju në fillim të kësaj interviste, popullata shqiptare shumicë në Kosovë është fuqishëm pro-amerikane, pro-perëndimore, kurse në anën tjetër kjo popullatë ka edhe këto elemente të rrezikshme përbrenda. Si do ta shpjegonit këtë?
David Phillips: Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë, por numri i atyre që po radikalizohen është në rritje. Ata janë radikalizuar për të njejtat arsye nga të cilat janë radikalizuar myslimanët tjerë anembanë: ata nuk mendojnë se kanë mundësi të barabarta ekonomike dhe arsimimi, njohja e pavarësisë së Kosovës tani është ngrirë dhe mendoj se numri ende qëndron në 110 shtete që kanë njohur shtetin e Kosovës… njerëzit kanë ndjesinë e mundësive të kufizuara.
Nëse Shtetet e Bashkuara e mendojnë seriozisht luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, atëherë duhet ta mirënjohin rolin thelbësor që kanë, ta afrojnë Kosovën, ta trimërojnë Bashkimin Evropian të integrojë edhe më Kosovën, për shembull përmes liberalizimit të vizave dhe përmes një rruge më të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE.
Me të ndodhur këto, do të shohim ndryshime në cilësinë e shoqërisë në Kosovë; përgjegjësia për këto ndryshime mbetet barrë e kosovarëve, por Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar mund të kenë rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.
Radio Evropa e Lirë: Ku mendoni se është burimi i radikalizimit në Kosovë, por edhe në rajon – me të njejtin problem përballet Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja? Kushtet e rënda ekonomike dhe sociale në Kosovë nuk janë nga sot, apo jo?
David Phillips: Përgjegjësia mbi këtë fenomen bjen mbi kosovarët dhe popullatat vendore. Por, nuk duhet ta neglizhojmë mundësinë për të kuptuar rolin shumë rolin tinëzar që Turqia po luan në radikalizimin e vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Turqia po eksporton agjendën islamiste të Partisë për Drejtim dhe Zhvillim [AKP], po shfrytëzon Agjencinë Turke për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Bashkëpunim si mekanizëm për të promovuar agjendën e saj ideologjike, për të mbështetur atë që ajo e cilëson si kapituj të vëllazrëisë myslimane në botë, duke rindërtuar xhami dhe institucione të tjera islame.

Procesin e deradikalizimit e kanë udhëheqësit vendorë, dhe ata duhet të pavarësohen nga agjenda e Turqisë dhe kësisoji, Kosova të marrë vendin e duhur si vend mik dhe aleat i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore.

Radio Evropa e Lirë: Për fund, në rrafshin global, shumë vende i janë bashkuar koalicionit kundër grupit militant Shteti Islamik; ky grup ka humbur territor gjatë 2015-s në Siri dhe Irak, por megjithatë është ende në këmbë…Si mund të mposhtet, si dhe nga kush saktësisht?

David Phillips: E vetmja mënyrë për ta mposhtur është kur popullatat e prekura direkt nga ky grup ngriten kundër kontrollit që Shteti Islamik ka. Të vetmit që kanë treguar kapacitet dhe përkushtim në Siri dhe Irak, për t’iu kundërvënë Shtetit Islamik janë kurdët. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar armatim dhe mbështetje të afërt nga ajri partisë më të madhe kurde në Siri, PYD, dhe peshmergave në Kurdistan të Irakut.
Armatosja e tyre duhet të zgjerohet, duhet të shtohet bashkëpunimi taktik në fushëbetejë dhe duhet bashkëpunuar më ngushtë me këto grupe, mbi nisma diplomatike.
Nëse administrata e zotit Obama e mendon seriozisht mposhtjen e Shtetit Islamik dhe jo vetëm kufizimin e tij, duke ia lënë në agjendë administratës tjetër, ajo duhet të bashkëpunojë me luftëtarët lokalë.
Kurdët janë të vetmit luftëtarë lokalë që kanë dëshmuar se janë të denjë për partneritet, njësoj siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitet e 90-ta.
Shtetet e Bashkuara duhet ta dijnë se kurdërt janë miqtë e vetëm dhe më të mirë në rajon dhe duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin në rrafshin e sigurisë, dhe atë politik me kurdët, për t’u dhënë mbështetje ta kundërshtojnë Shtetin Islamik dhe të vazhdojnë të rikthejnë territore në Siri dhe Irak.(Bisedoi per Radion Evropa e Lirë, Arbana Vidishiqi)
*Arbana Vidishiqi është shefe e programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

Filed Under: Interviste Tagged With: David Phillips: Nutri i të radikalizuarve, në Kosovë po rritet

KOÇO ILIA DILO, KOHA PËR T’I DHËNË NDERIN E DUHUR

February 10, 2016 by dgreca

Nga Eduard M.Dilo/
Vëllezërit Dilo Sheperi, secili reflektim i mirësisë, zgjuarsisë, diturisë, patriotizmit. Kostandini, ose Koçua si thirrej, sikur parandjeu jetën e terratisur që e priste më vonë. Atë fund nëntori 1944, vëllai i tij Jani, i detyruar të largohej nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë në atë diktaturë të egër, nuk pranoi ta merrte me vete në barkën që largohej dhe mbarte me vete dhe “babanë e shqiptarizmës”, Mit’hat Frashërin e madh.
Jani, me buzën që i dridhej, ju lut Koços që të mos largohet: ”Largimi im është vdekje për Prindërit” i tha. Dy vëllezërit e tjerë po emigrantë, nuk dihej fati i tyre ku ndodheshin… “Ne do luftojmë për atdhenë dhe do ta çlirojmë nga komunistët…”, por kjo nuk u arrit. Komunistët me dhunë, me vrasje e terror hodhën rrënjët dhe pasojat dihen nga të gjithë, madje edhe sot e kësaj dite.
Koçua, ky djalë i shkathët e i fuqishëm, me një trup prej atleti, para pushtimit nga komunistët punonte në Dhomën e Trëgëtisë në Durrës. Ishte shok i ngushtë me Themo Vasin. I mbrujtur dhe i edukuar në një familje ku përkundej vetëm shqiptarizmi, ishte nga të parët që iu kundërvu pushtuesvë të huaj. Pjesmarrës në luftë, me rininë e Ballit, mori pjesë gjithashtu në luftimet e famshme të Barmashit që drejtoheshin nga vëllai i tij, Kapiten Jani Dilo, i cilësuar në Kongresin e Ballit si “Një strateg i madh”).
Që në fillimet e para të marrjes së pushtetit nga komunistët, familja Dilo Sheperi ishte në listat e para të dëbimit nga Tirana dhe Durrësi, duke i internuar e izoluar në Zagori, shoqëruar kjo me një persekutim barbar, në fillim duke i pushuar nga puna. Kishin mbaruar disa prej tyre Shkollën e Fullçit dhe ishin të shkolluar në Universitetet perëndimore. Ishin çvarrosur e thyer varret e të vdekurve, sekuestruar çdo gjë deri në përgjakjen e truallit, në një masakër të paparë e dëgjuar ndonjëherë. I shpallën “armiq të popullit”, të atij populli për të cilin ata punuan dhe e deshën si fort pak të tjerë. Kundërshtarë të përbetuar të të kuqëve, Koçua si dhe familjet e vëllezërve të tjërë (Margarit dhe Qirjako), nuk u bënë kurrë anëtarë të kooperativave bujqësore.
Iu sekuestruan çdo gjë, çdo pasuri të luajtshme e të paluajtshme. I lanë fare pa bukë në fshat. Njeri nuk u fliste me gojë në Sheperin që e donin aq shumë. Por edhe pse vuajtën aq shumë, kurrë nuk u trembën as u mposhtën, por jetuan dhe vdiqën krenarë dhe shqiptarë të ndershëm. Më 9/3/1970, Koçon e arrestojnë në Fier me akuzën sa absurde dhe qesharake të “mendimit për t’u arratisur”. Në valixhë iu gjetën e sekuestruan një pako ilaçe për ulçerën nga e cila vuante i vëllai Margariti, si dhe një garuzhdë për të ndarë gjellën, që siç duket e kishte marrë për t’ua çuar vëllezërve që i kishte doktorë e profesorë në Amerikë, gjoja se ata s’kishin ilaçe! Do arratisej nga Fieri, kur dihet që Sheperi s’është larg nga kufiri. Do arratisej nga Fieri, kur vite më parë e kishte kryer ushtrinë pranë kufirit! Ai nuk e kaloi kurrë ndërmend një gjë të tillë, për vetë faktin se mendontë për pasojat që do të kishte familja e tij.
Pas afro katër muaj tortura çnjerëzore në Kalanë e tmerrshme të Gjinokastrës, më 2 Korrik e nxjerrin në gjyq, në sallën e mbushur plot gjimnazistë ku filloi të luhej një komedi vdekjeprurëse që dinë ta luajnë aq mirë “terroristët e kuq”. Aty në sallë oshëtinte zëri ogurzi i Koço Novës, si dhë beniaminëve të tjërë të diktaturës, të cilët në ëmër të mjeranit popull akuzonin një burrë trim sheperjot, një prej bijve të Ilia Dilo Sheperit, në shtëpinë e të cilit është përkundur vetëm patriotizmi.
Gjyqi që s’ishtë gjë tjetër veçse dicka e sajuar e farsë që u hap e u mbyll vetëm me lakimin e emrit të Jani Dilo-s, aq sa shpesh Koçua trim i pyet nëse ky ishte gjyqi i Jani Dilo-s që zhvillohej? Dëshmitarët e pafytyrë, Naqë Nita dhe Leonidha Kuro, vegla qorre, dëshmonin e binin në kundërshtim me njëri-tjetrin e duke mos u dhënë dot përgjigje të të pafajshmit Koço, filluan të qanin në sallë. Koçua me qetësi e butësi që ja jeptë pafajësia e tij, i drejtohet trupit xhelat gjykues: “Zotërinj, nxënësit nuk i keni mësuar mirë, sepse ata po thonë gjëra kontradiktore, kështu që nuk e marrin provimin!”. Ndërkohë salla e mbushur me gjimnazistë u çua në këmbë dukë thënë: “Lirojeni, është i pafajshëm! Dëshmitarët gënjejnë…!” Koços kurajo i jepte dhe prania në sallën e gjyqit e vëllait Qirjako dhe nipit Anastas.
Pas dy ditë zhvillimesh, gjyqi farsë e dënuan Koçon me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskimin e pasurisë së tundur e të patundur, me argumentin gjoja se “mendon të arratiset për t’u bashkuar me vëllezërit e tij (Janin dhe Orestin) në Amerikë, mbështetur kjo dhe në deklaratën e lëshuar nga Organizatat e Masave të Krahinës”. Krahas spiunëve të njohur në sallën e gjyqit, u mësuan dhe emrat e shumë njerëzvë të tjërë që kishin dhënë dëshmi të rreme për të. Qirjakua (i vëllai), i thotë në fund të gjyqit: “Të lumtë vëlla! Ki besim e shpresë vetëm tek i madhi Zot!”. Kjo shprehje u lakua e interpretua aq gjatë në atë vend ateist. Margariti, i cili kishte më së 7 vjet që vuante në shtrat nga një sëmundje e pashërueshme (e cila ishte pasojë e vuajtjeve në burgun e Maliqit), s’mundi të duronte kur mendonte torturat për vëllanë. Kështuqë në moshë të re largohet nga kjo jetë dukë lënë pësë jetimë ende të parritur.
Bastardët grabitën çdo gjë në familje me preteks gjoja se po sekuestronin gjërat ë Koços! Një qëndrim shumë të ulët e primitive, mbajti në atë kohë dhe kryetari i këshillit të fshatit, Andon Golemi. Muarrën gjithë librat, korrëspodencën dhe fotografitë familjare, relikte e kujtime nga prindërit e vdekur, pajën e vajzës së pamartuar, Viktori, rrobat e fëmijëve të Margaritit, unazat e nuseve të familjes… Me një fjalë, muarrën gjithçka.
Koçua 10-të vjetët e burgut i kaloi në burgun ferr të Spaçit, ku pasi doli prej andej, në një kohë shumë të shkurtër ndërroi jetë, duke shpresuar se një ditë Shqipëria do çlirohet nga zgjedha komuniste, e do gëzojë ditë të bardha…Vdiq në spitalin e Tiranës, dy ditë para se të operohej nga stomaku e me insistimin e nipërve e mbesave u varros plot dhëmbshuri në Sheperin e vuajtjeve, që edhe pse qe i tillë e deshi shum. E varrosën të prehet pranë nënës, babait, vëllezërvë e motrës Viktori, që nuk iu nda kurrë burgjeve.
Ndoshta në përjetësi aty ku prehet ky burrë i fjalës dhe i besës, aty pranë atyre që i deshi dhe e deshën, aty ndoshta shpirti i tij i plagosur aq rëndë ka gjetur pak prehje e qëtësi që në këtë jetë aq i munguan. Ndoshta ata që dëshmuan në mënyrë krejt të rreme për të ndihen fajtorë e të penduar, duke u skuqur nga vetja, ndoshta…! Ndoshta s’ka ardhur akoma koha që historia, e cila është borxhli karshi njerëzvë të tillë, t’u japë vendin dhe pjesën që u takon dhe që e meritojnë. Shpresojmë dhe bësojmë! Ndoshta një ditë…

Filed Under: Histori Tagged With: Eduard M. Dilo, KOÇO ILIA DILO, KOHA PËR T’I DHËNË, NDERIN E DUHUR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT