• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

LULZIM MULLIQI NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

February 27, 2016 by dgreca

HIMN PER PAVARESINE/
Mengjesi kur lind pa pranga/
Dielli do te shndrise me mire/
Oqeanet ishin me te qete ate dite/
Kur Kosova e shpalli Pavaresine/

Lindi edhe nje shtet i ri,me i riu ne Europe/
Sofrat jane shtruar e gotat jane cakerruar /
Pikojne lote gezimi e mallengjimi te mergimtareve/
Ne dhe te huaj kete dite per ta festuar/

Per ty Kosove ne e ngreme dolline
Ti,Kosove, e gezofsh Pavaresine
Shtegto krenare kudo ne histori
Me enderrimtaren tone-Lirine!

PSHERETIME
Nga larg psheretij
Dite e nate pareshtur
Ne ne dhe te huaj asgje
Vetem nje ze i mekur

Psheretima kudo nder ne
Sa e sa: ah,uh,ih,o bobo…
Zemrat digjen nga malli
Nje pike uji t’vendlindjes do

Malli djeg si prushi ne vater
Syte tane te perlotur prore
Jeta qenka e veshtire larg
Jeta ne largesi qenka mizore.

REFUGJATET
Dine nga vijne dhe nuk e dine ku shkojne
Me trasta te mallkimeve ata prore ngarkuar
Me ofshamen e shpirtit te tyre te dremitur
Udhetojne neper Kontinente shpirttrazuar

Refugjatet denesin pareshtur per dheun e tyre
Si dicka te mbetur peng prej prej kohesh ne largesi
Te vetmuar udhetojne me enderren e tyre te zhuritur
Rishtas per tu kthyer ne Kosoven e tyre ne liri.

TE VARRET E DESHMOREVE
Tashme erdhi Pranvera e Madhe
Me jehonen e Lirise
“Erdhi bijte e mi erdhi…”
Thirri toka e Kosovës
Tash ketu eshte Dielli
Qe ngroh Token e Atdheut
Ja ketu eshte Liria
Jemi te lire sot
Kjo Toke u la me gjak
Loti i Nenes mbi Varrin e te Birit
Aty mbiu Lulekuqja
Aty lindi Liria!

TAKIM I VONUAR
Vitet rrodhen edhe shkuan
Edhe lotet ererat m’i thane
Si shiu i prajshem I veres treti
Freskine e mendjes tek ne e lane.

Shpirti eshte perflakur pertej mallit
Zemra si dallge deti eshte trazuar
Syte e perlotur rrjedhin nga malli
Per te shijuar ate takimin e vonuar.

Autor:Lulzim Mulliqi(SHBA)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Himn per Pavaresine, Lulzim Mulliqi, ne sofren e Diellit

“MAKIJAZH” APO REFORMË TË SISTEMIT TË PENSIONEVE?

February 27, 2016 by dgreca

Vështrim Konceptit të MPMS për Rregullimin e Fushës së Pensioneve /

  • Nga Adil FETAHU/

Pensioni është kategori ekonomike, sociale dhe financiare dhe është pronë private-personale e pensionistit (shih:Vendimi i GjEDNj në Strasburg, nr.31925/08: rasti Grudiq kundër Serbisë). Është kategori ekonomike, ngase  është siguruar në bazë të kontributit në punë dhe kursimit të punëtorit gjatë kohës sa ka qenë aktiv.  Është kategori sociale, ngase siguron të ardhura për moshën kur nuk mund të punojë e të krijojë të ardhura. Është edhe kategori financiare, sepse është pjesë e konsumit dhe financave publike.  Në vendet ku ekzistojnë fondet private të pensioneve, mjetet e grumbulluara në ato fonde paraqesin një burim të rëndësishëm të financimit në tregun financiar. Prandaj, sistemi i pensioneve është segment i rëndësishëm i sistemit ekonomik, social dhe financiar të secilit shtet. Sistemet e pensioneve të shumicës së shteteve të botës mbështetën në financimin vijues, dmth. në solidaritetin midis gjeneratave. Gjenerata aktive që punon, paguan kontribute për sigurimet sociale dhe kështu financon pensionet për ata që kanë kryer shekullin e punës dhe kanë dalë në pension. Edhe ky sistem, ndonëse është më i miri, ka mangësitë e veta, veçmas në rastet kur është i pavolitshëm raporti midis numrit të punëtorëve aktivë dhe numrit të pensionistëve, gjë që ndikon në lartësinë e kontributeve që duhet të paguhen. Në të gjitha vendet, shekulli i jetës po zgjatet, prandaj nga aspekti demografik po rritet numri i pensionistëve dhe periudha e shfrytëzimit të pensioneve. Në Kosovë dhe në Shqipëri tendenca e plakjes së popullsisë është më e madhe se në të gjitha vendet, për shkak të rënies së natalitetit dhe emigrimit të të rinjëve. Ky fakt ka imponuar domosdonë e shtyrjes së moshës për pensionim. Në Kosovë, për fat të mirë, aktualisht mosha e popullsisë është e re, prandaj numri i pensionistëve është i vogël, edhe për faktin se mosha e pensionit (65 vjet, si për meshkuj ashtu edhe për femra) është ndër më të lartat në botë (vetëm katër shtete: ShBA =66, Norvegjia, Islanda dhe Izraeli =67) kanë moshën më të lartë të pensionimit. Mirëpo, problemi këtu qëndron në numrin e vogël të punëtorëve të angazhuar në punë, në pagat e vogla, dhe se një përqindje e madhe e atyre që punojnë në sektorin privat, nuk paguajnë kontribute për shkak të informalitetit në punë, por edhe ata që paguajnë këtë e bëjnë në bazën e pagës minimale. Për të qenë i qëndrueshëm sistemi i pensioneve, raporti i punëtorëve aktivë që paguajnë kontribute ndaj numrit të pensionistëve duhet të jetë 4:1. Në Kosovën e pasluftës, për shkak të mungesës së fondit pensional,  “pensionet” janë paguar kryesisht nga mjetet e buxhetit të varfër të Kosovës, sepse nuk ka funksionuar sistemi i kontributeve, përveç një pjese të vogël të Trustit, të themeluar në vitin 2002, në kuadër të cilit funksionon vetëm shtylla e parë: pagesa e obligueshme me ligj e kontributit (5+5% nga lartësia e të ardhurave të punëtorit), që nuk siguron kurrëfar baze të mjaftueshme për pension.  Sistemi aktual, që as nuk mund të quhet sistem i pensioneve, por i pagesave sociale, është edhe i paqëndrueshëm, edhe i padrejtë, por edhe po keqpërdoret. Është i paqëndrueshëm, sepse pagesa bëhet kryekëput nga mjetet e buxhetit. Është i padrejtë, sepse nuk merr parasysh kontributet individuale të atyre që nga pagat e veta kanë ndarë një përqindje të madhe për sigurimin pensional. Në bazë Ligjit (aktual. 04/1-131) mbi Skemat Pensionale të Fianncuara nga Shteti, dhe Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional, të gjithë pensionistët që kanë mbi 15 vjet stazh pune të kryer para vitit 1999, kanë “pensionin” e njëjtë (78 euro) për stazhin, pa marrë parasysh a kanë 15, apo 40 vjet stazh! Veç kësaj, nuk merret parasysh se kush sa ka paguar kontribute nga të ardhurat, sepse nuk është njësoj sikur ai që ka pasur pagën (në kundërvlerë) 2000 marka gjermane, si ai që ka pasur 200 marka! Prandaj, kjo nuk është pagesë në bazë të kontributit, dhe këtu qëndron padrejtësia e instaluar me Udhëzimin Administrativ mbi kategorizimin. Kjo padrejtësi kurrsesi nuk mund të ndreqet me shumat që do paguhen pas kategorizimit sipas kualifikimit shkollor, kur mund të bëhet edhe një padrejtësi tjetër.

Është çështje më vete, që Ligji mbi Skemat Pensionale të Fianncuara nga Shteti, as që ka filluar të zbatohet për pensionet e invalidëve të punës dhe për pensionet familjare, dhe nuk dihet kur do të fillojë të zbatohet!

Kur është fjala për të ashtuquajturin “Pensioni bazik” (thuhet 80 euro, por shfrytëzuesve iu paguhen vetëm 75 euro?!) për të gjithë qytetarët që janë banorë të përhershëm në Kosovë, është vërejtur dhe vërtetuar se ka keqpërdorime nga një numër i konsiderueshëm ( rreth 12000-15000 veta), të cilët marrin këtë “pension” edhepse vendbanimin e përhershëm e kanë në shtetet tjera. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale po bënë përpjekje që këto keqpërdorime të ndërpriten, dhe  mjetet e kursyera prej keqpërdorimeve, të shfrytëzohen për rritjen e “pensionit bazë” atyre që kanë të drejtë.

Në sistemet e pensioneve po ndikon edhe procesi i globalizimit dhe integrimit. Vendet të cilat aspirojnë të integrohen në BE, po detyrohen të zvogëlojnë shpenzimet për sigurim pensional, që kështu të zvogëlojnë ngarkesat e ekonomisë me taksa, tatime e kontribute, gjë që drejtpërsëdrejti ndikon në zvogëlimin e masës  për financimin e pensioneve. Diktati i Bankës Botërore dhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar në lëmin e financave publike, dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së, imponojnë nevojën e reformës së sistemit të sigurimeve sociale dhe të pensioneve edhe në Kosovë.

Inicim i reformës apo vetëm “makijazh” i ligjit ekzistues?

Nisur nga situata aktuale e gjendjes sociale në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka iniciuar një Koncept-dokument për reformën e sigurimeve sociale, duke përqendruar kryesisht në reformën e sistemit të pensioneve. Pas një analize solide të gjendjes dhe problemeve, Ministria ka ofruar tri opsione për reformën e sistemit të pensioneve:

Opsioni 1: Status-quo (asnjë ndryshim) – Në analizën e Ministrisë është konstatuar se korniza ligjore aktuale është e mangët, ka lënë pa sqaruar disa aspekte dhe ka lënë  hapësirë për interpretime të ndryshme, keqpërdorime dhe padrejtësi ndaj kategorisë së caktuar të pensionistëve kontributpagues të cilët nuk kanë vendbanimin e përhershëm në Kosovë. Gjendja aktuale nuk është e përshtatshme, prandaj duhet ndryshuar diçka.

 Opsioni 2: Ndryshimi i politikës aktuale.-  Sipas këtij opsioni, do duhej ndryshuar korniza ligjore ekzistuese dhe të bëhet një reformë në skemat e pensioneve dhe benefiteve tjera të cilat paguhen nga buxheti i shtetit. Për këtë nevojitet hartimi i një ligji (të vetëm) bazik për sistemin e pensioneve, me të cilin do rregulloeshin të gjitha skemat pensionale dhe invalidore, kontributive dhe jokontributive.  Ai ligj do duhej të përfshinte edhe përkrahjen financiare, shërbimet dhe përkujdesjen për personat me aftësi të kufizuara, varësisht nga kategoria, sipas standardeve ndërkombëtare. Po të bëhej reforma sipas këtij opsioni, Ministria konsideron se duhet formuar një organ i pavarur (agjension) në kuadër të Qeverisë së Kosovës, i cili do të menaxhonte dhe administronte dhe do t’iu ofronte shërbime shfrytëzuesve të të gjitha skemave pensionale dhe invalidore të përcaktuara me ligjet aktuale, respektivisht me ligjin e ri bazik. Ligji do të përcaktonte elemente të reja, të moniturueshme, sa i përket “pensionit bazik” (social), ashtu që këtë lloj “pensioni” nuk mund ta marrin personat të cilët kanë të hyra (mujore) nga ndonjë burim tjetër,e që janë më të mëdha se sa “pensioni social”. Për pensionet kontributpaguese do qartësoheshin kriteret ekzistuese dhe do caktoheshin edhe kritere të reja.

Edhepse e ka shtruar në Koncept-dokumentin e saj këtë opsion, Ministria shprehimisht ka qëndrim të kundër, refuzues të këtij opsioni, duke arsyetuar se do ishte i pazbatueshëm, për shkak të kostos së lartë financiare, duke marrë si shembull, se në Kosovë ka diku rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara (!), dhe se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë një kosto të tillë.

Opsioni i tretë: Ndryshimi  dhe plotësimi i Ligjit (ekzistues).-  Duket se synimi kryesor i propozimit të Ministrisë është që të bëhen ndryshime (“kozmetike”) në Ligjin  (aktual, nr.03/L-131) mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili në disa segmente as që ka filluar të zbatohet, ndonëse ka hyrë në fuqi qëmoti. Në Koncept-dokumentin e Ministrisë, ky opsion konsiderohet më i zbatueshmi për kushtet aktuale, dhe se do të ndërpret keqpërdorimet e pensioneve bazike të moshës. Me ndryshimet që do bëhen, do iu mundësohet që shtetasit e huaj që janë banorë të përhershëm të Kosovës, të mund të shfrytëzojnë pensionet kontributpaguese dhe/ose ato bazike.  Duke ndalë keqpërdorimet, do kursehen mjete të konsiderueshme financiare, dhe do të përcaktohej koha e fillimit të zbatimit të dy skemave tjera: pensionet familjare dhe të invalidëve të punës (që sipas tekstit  të Ligjit aktual, është dashur të fillojë zbatimi prej 01.01.2015; neni 30, në lidhje me nenet 11 e 12 të Ligjit!).

Duhet  bërë reformë rrënjësore (jo “kozmetikë”) të sistemit të pensioneve

Kosova është bërë një mikrokosmos social, me  forma shumëdimensionale të varfërisë së kategorive të ndryshme të shoqërisë: të rinjë të papunë, punëtorë pa paga e pa sigurime shoqërore, pensionistë pa pensione, fëmijë pa shtesa fëminore, invalidët e punës dhe familjet e pensionistëve dhe invalidëve – pa pensione. Të gjitha këto dhe kategori tjera të popullsisë janë pa mbrojtje shëndetësore, pa mbrojtje, kujdes e shërbime shoqërore të mjaftueshme për jetë të dinjitetshme, për zgjidhjen e të cilave kërkohet një strategji e të drejtave sociale gjithëpërfshirëse, në kuadër të së cilës duhet të zhvillohet edhe reforma e sistemit të pensioneve.Politika sociale është një nga fushat sovrane të  secilit shteti. prandaj ekzistojnë dallime midis sistemeve dhe mirëqenies sociale edhe brenda shteteve të BE-së, me gjithë përpjekjet për unifikimin e vlerave dhe standardeve.

Në Kosovë, prej pas luftës, sistemi i pensioneve po shtërzen midis diskriminim të pensionistëve (kontribupagues) dhe reformimit të sistemit. Deri më tash nuk u bë ndonjë reformë, përveçse u ndërpre dhe u degradua sistemi  i qëndrueshëm dhe shumë human që ka funksionuar  para lufte.  Formimi i Trustit të pensioneve, me përqindje aq të vogël të kontributeve për pension, në pagat aq të vogla, nuk është kurrëfar garance për ata që do varen prej atij pensioni, edhe sikur të mos ketë kurrëfar humbje të mjeteve të tyre në ndërkohë.  Pagesa e pensioneve nga buxheti i varfër i Kosovës ish-punëtorëve, të cilët me decenie kanë ndarë nga të ardhurat e tyre shuma të konsiderueshme për pension, nuk është zgjidhje e qëndrueshme, e aq më pak është e mjaftueshme  (78 euro, linearisht; 158-80=78), dhe është një padrejtësi ndaj kësaj kategorie.

Prandaj, reforma duhet të bëhet ashtu që të mbulojë të moshuarit e tashëm dhe ata të ardhshëm, jo vetëm  nga radhët e punëtorëve, por edhe bujqit e të vetëpunësuarit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet demografike që do të ndodhin me plakjen e popullsisë; të sigurohet sistem i përshtatshëm, i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm. Reforma e sistemit të pensioneve duhet të

shqyrtohet, debatohet e përkrahet nga grupet e interesit: sindikata e punëtorëve, organizata e pensionistëve, shoqëria civile, dhe për miratimin e zbatimin e saj të arrihet konsensusi në Kuvendin e Kosovës. Edhe për shumë kohë duhet të zbatohet sistemi i solidaritetit midis gjeneratave, të cilin po e zbatojnë edhe shumë vende tjera jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë, dhe është një sistem i provuar që ka funksionuar dhe funksionon. Për reformë të mirëfilltë, duhet të shfrytëzohet eksperienca e sistemeve më të mira, që mund t’i përshtatet kushteve, nevojave dhe mundësive të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adil Fetahu, Makjazh apo Reforme, ne sistemin e pensioneve

Thaci president, cfare vjen me pas?!

February 26, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyci/

RTK lajmeroi se Hashim Thaci u zgjodh president i ri i Republikes se Kosoves. Ai fitoi ne raundin e trete me votat e gjysmes plus nje deputeti. Serbet bene lojen e tyre, duke u larguar kur pane se zoti Thaci e kishte te sigurt rezultatin. Me ikjen ne fund prej salles ata do t’i thone zgjedhesve te tyre, se “nuk ishin per zgjedhjen e tij ne krye te shtetit te Kosoves”. Nderkohe qe dhane kontributin e tyre te vyer per kete. Opozita dha gjithashtu kontribut te jashtezakonshem, sepse hyri ne parlament dhe e coi numrin e deputeteve nga 81 ne raundin e pare ne 104 ne ate te fundit. Zotiti Thaci nuk i duhej vota e opozites, i duhej prania e saj ne seancen plenare te zgjedhjes, ashtu sic i duhej prania e deputeteve te LDK-se. Nderkaq Albin Kurti e ndihmoi dje zotin Thaci kur leshoi deklaraten per antiamerikanizmin e shqiptareve, sepse i dha nje argument me shume per t’i bindur deputetet e mazhorances qe ta votojne “proamerikanin” Thaci, si ndeshkim per “antiamerikanin” Kurti. Lidhja Demokratike e Kosoves e votoi Hashim Thacin ne emer “te respektimit te marreveshjes”. Burrat e mbajne fjalen e grate ma shume se burrat. Por i gjithe procesi ishte nje farse. Nga 50 vota ne raundin e pare zoti Thaci mori mbi 60 ne te tretin, cka do te thote se vota eshte imponuar, nese pranojme se opozita nuk ka votuar pro. Por ne fakt te gjithe deputetet e pranishem ne salle, pavaresisht votes pro ose kunder, kane ndihmuar zgjedhjen e zotit Thaci president. E gjitha kjo do te kete dy pasoja per Kosoven: Njeren do ta quaj nje shans te ri per qytetaret e Kosoves, sepse opozita do te adresohet te kerkesa per zgjedhje te reja. Interesii saj eshte te jete neser pjese e pushtetit ekzekutiv, me siguri ne aleance me Partine Demokratike te Kosoves. Eshte pare qe ne fillim se lufta opozitare ne Kosove nuk eshte e drejtuar kunder zotit Thaci, por kunder kryeministrit Mustafa. Humbesi me i madh do te jete pikerisht zoti Isa Mustafa, sepse pas zgjedhjeve parlamentare ai do ta coje LDK-ne ne opozite, me te dobet sesa ajo eshte sot. Me pas nuk ka rendesi nese kreu i LDK-se iken apo qendron perseri si kryetar partie. LDK-ja do ta marre goditjen e dyte te rende pas asaj qe mori me humbjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Zoti Thaci, i cili u zgjodh president me votat e LDK-se do te nenshkruaje shperndarjen e parlamentit dhe do ta nxjerre LDK-ne nga qeverisja. “Burreria” apo paburreria e deputeteve te partise se Rugoves do ta cojne LDK-ne ne opozite dhe ne Kosove do te riinstalohet pushteti i korruptuar dhe kriminalizuar. Madje opozita do te jete ne mandatin e pare te qeverisjes e dobet, e paperfillshme, sepse ajo do te merret me veten e saj. Se dyti, bashkesia nderkombetare do te hase ne veshtiresi te shumta per ta bere funksionale gjykaten speciale. Edhe nese ajo do te institucionalizohet, nuk do te munde te mbledhe provat e nevojshme per te vene drejtesi ne Kosove. E gjithe ajo cfare eshte bere ne 5-6 muaj e deri me sot ne Kosove ishte farse per te kamufluar dy qellimet qe permenda me siper: Te shkaterroje LDK-ne dhe te pengoje hetimin e krimeve te luftes e te pasluftes nga ana e Gjykates Speciale me qender ne Hage te Hollandes. Nderkaq nuk eshte e sigurt nese Kosova do te mbaje nje ekuiliber proamerikan, po te kemi parasysh xhelozine e udheheqesve te UCK-se kur thone se “Kosoven nuk e cliroi Amerika, por e cliruam ne”. Por edhe po te kemi parasysh deklaratat antiamerikane te Albin Kurtit e disa eksponenteve te tjere te Vetevendosjes. Edhe nese keto qe shkrova jane aresyetime te nxituara, kjo do te ishte shume here me mire, sesa keto zhvillime te provoheshin ne praktike. Sinqerisht uroj qe te ndodh ndryshe dhe Kosova te hyje ne nje epoke te re ndryshimesh, por ajo qe po ndodh nuk me ben optimist per kete.

Filed Under: Analiza Tagged With: cfare vjen me pas?!, Enver Bytyci, Thaci president

MASAKRA NDAJ 22 INTELEKTUALEVE DHE QYTETAREVE TE PAFAJSHEM

February 26, 2016 by dgreca

( Me rastin e 65 vjetorit të masakrës me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike)/

Nga Uran Butka/

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit, një plojë e pashembullt i terrorizmit shtetëror dhe njëherësh akti më antiligjor dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.

Pse?

Së pari, koha kur u realizua masakra ishte momenti i kalimit nga dominanca e plotë politike jugosllave, në vartësinë e plotë sovjetike të Shqipërisë. Më datën 19 shkrurt, ora 9.00 ishte mbledhur plenimi i KQ të PPSH që sanksiononte dhe rrënjoste kursin Stalinist të Partisë e të shtetit shqiptar. Enver Hoxha, sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe kryeministër, në raportin e tij theksoi:“Politika staliniste e Bashkimit Sovjetik të jëtë fari që do të na ndriçojë në rrugën tonë.Kjo do të jetë epiqendra  e gjithë politikës dhe aktivitetit të Partisë dhe qeverisë”.

Pikërisht atë ditë, pra më 19 shkurt, ora 19 e 47 minuta  u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike një  një sasi e vogël dinamiti, që shkaktoi një krisje të fortë, theu disa xhama, asgjë tjetër. Në fakt ky ishte një akt terrorist i një grupimi ilegal me emrin “Bashkimi Kombëtar”, që nuk kishte synim të vriste njerës, por të rrëfente botërisht qëndrimin kundër  politikës staliniste të Partisë dhe qeverisë shqiptare. Pra, një akt antisovjetik. Ata që e hodhën dinamitin, Qazim Laçi dhe Hysen Llulla,  si dhe anëtarët e tjerë të asaj organizate u arrestuan menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, u mbajtën në hetuesi në fshehtësi të plotë dhe u dënuan pas tetë muajsh. Pra diheshin personat që kishin shkaktuar atë incident.

Së dyti, personat që u pushkatuan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, ishin krejt të pafajshëm, nuk kishin njohje me njëri tjetrin dhe nuk kishin asnjë lidhje me incidentin në Ambasadën Sovjetike as me ata që e kishin hedhur dinamitin. U zgjodhën intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare , dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli (kurbanë) në themelet e politikës staliniste, personalitete me peshë si Sabiha Kasimati, nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare; Tefik Shehu, nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali, Niko Lezo, nga Delvina,i diplomuar për kimi në unuversitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar(1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët; Jonuz Kaceli, tregtar i njohur, nga familja e shquar tiranase Kaceli; Manush Peshkëpia, nga Gjirokastra, intelektual shumëplanësh, poete publicist; Anton Delhysa  nga Prizreni, ndertues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullsit etj; Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit; Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, , të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë  antifashistë,; Zyhdi Herri, nga Tirana, gazetar;  Qemal Kasoruho, nëpunës; Ali Qorraliu, pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik; Petro Konomi, nga Përmeti, i lauruar në Robetr Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali; Reiz Selfo, nga Gjirokastra, tregtar; Gjon Temali, intelektual nga Shkodra,studiuar në Austri; Pjetër Guraziu, nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali; Pandeli Nova, intelektual, shtreës e pasur; Thoma Katundi,nga Korça, veprimtar i shqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA; Mehmet Ali Shkupi, shqiptar nga Shkupi, nëpunës; Fadil Dizdari, librar; Hekuran Troka, nga Kuçova, tregtar; Lluka Rashkoviç, bisnezmen nga Mali i Zi.

Së treti, vendimi për të realizuar këtë masakër kolektive, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Seline e KQ të PPSH, në mbledhjen e datës 20 të Byrosë Politike të Partisë-shtet, Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet me në krye E.Hoxhën dhe me propozim té ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi, të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. « Jemi dakord me këto masa» thanë gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

Së katërti, arrestimet,  që u kryen  më datën 20-23 shkurt 1951, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjé urdhër-arresti të prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate, vetëm mbi listat e të dyshimtëve apo mbi dëshirën perverse e krerëvë të Partisë.

Bie fjala E.Hoxha shënoi emrat e Sabiha Kasimatit, Manush Peshkëpisë, Reiz Selfos, Qemal Kasaruhos për motive thjesht personale, me të cilët kishte pasur lidhje  të hershme.

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kyetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….( pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq  përbri çdo personi që do të ekzekutohej.

Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje. 

Sigurimi i shtetit ishte vendosur  mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhërat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.

Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshképisé u shenjuan nga veté Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht dhe lante njëherësh hesapet me ta.

Së pesti, akuza e Prokurorit  ushtarak Siri çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”.

Është  një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Më pas, Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë process verbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk  e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve.”

Së gjashti, nuk u bë ndaj të arrestuarve as hetuesi, as gjyq, as apelim, pra u shkelën dhe u anashkaluan të gjithë etapat e kodit civil e penal dhe viktimat u pushkatuan fshehtas në mesnatë në breg të lumit të Erzenit, që të zhdukej çdo gjurmë, siç ishte në kodin e sektit partiak dhe të shtetit komunist. Drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, déshmonte: “Pér pushkatimin e kétyre personave, nuk éshté béré gjyq dhe kété e them, sepse nga zyrat e Ministrisé sé brendshme ata jané çuar  direkt né vendin e pushkatimit”

Së shtati, ndaj të arrestuarve, le t’i quajmë « të pandehur », u ushtrua një dhunë dhe terror i paligjshëm, që binte ndesh me dispozitar e kushtetuese të ligjit 372 datë12.12.1956  si edhe me konvetat ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria shqiptare. Le të përmendim vetëm një rast : Jonuz Kacelin e torturuan për vdeje në qelitë e Sigurimit të Shtetit. E vranë gjatë torturave dhe e kufomën e tij e hodhën nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetvrasje!

Së teti, meqenëse pushkatimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë vendit, nga që lidhej me incidentin në Ambasadën Sovjetike, Gjykata e Lartë, hartoi pas pushkatimit disa procesverbale fiktive, sikur ishte zhvilluar gjyqi, mirëpo këto procesverbale të falsifikuara kishin pasaktësi të dukshme dhe nuk u firmosën nga dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Hydai Beja dhe Nonda Papuli, të cilët refuzuan të nënshkruanin pasi gjyqi nuk ishte zhvilluar. Pra, kemi të bëjmë edhe me një falsifikim të dokumenteve gjyqësore, për një gjyq inekzistent.

Procesverbalet e falsifikuara u firmosën nga  kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti dhe  anëtari i gjykatës së Lartë Ushtarake Vangjel Kocani, i cili dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje  në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit , 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë  dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj  kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme..Shuaipi  më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar  dhe unë e kam firmosur. Kur ma  dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.

Së nënti, meqenëse kjo ngjarje kriminale dhe absurd bëri  doli zbuluar para opinionit publik të brendshëm e sidomos të jashtëm,, shteti shqiptar, duke nisur nga Ministria e Brendshme dhe deri te presidenti i Republikës, Omer Nishani, hartuan dhe firmosën një dektet, dekreti i zi, të huazuar nga përvoja sovjetike

Ky dekret i datës 26.shkurt 1951, i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj – që siguronte e përligjte  arrestimet dhe vrasjet e paligjshme, shmangte etapat e proçedurës penale, pérbénte njé mohim té ploté té principeve té drejtésisé, njé shkelje té pérbindshme té té drejtave dhe lirive té njeriut, njé pérdhosje té ligjeve té asaj kohe si edhe kartén e OKB té firmosur nga qeveria shqiptare.

Mbi bazën e këtij dekreti, u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban  datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të proçesverbalit.

Së dhjeti, u bë  një operacion masiv dhe represiv i Sigurimit të Shtetit për dëbimin dhe internimin e dhunshëm e të paligjshëm të familjeve të tyre në kampe pune dhe përqëndrimi, si në kampin famëkeq tq Tepelenës, etj ku provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, siç shkruhet në vendimin e internimit, banimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, izolimin e plotë, moslejimin e shkollimit, të lëvizjes së lirë dhe dënimet e rënda. Përveç këtyre , viktimave dhe familjeve të tyre, iu sekestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat. Zonja e Tofik Shehut, nga Gjakova,që kishte kryer studimet për skulpturë, dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës, Hysenin, që e kemi sot këtu, një viktimë e gjallë e  atij sistemi kriminal. Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim « Peshqit në Shqipëri » dhe e botuan me emrin e një një rusi Anatoli Koljakov dhe të një shqiptari të paemër Ndoc Rakaj… Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyrëintelektualëve i morën pushtetmbajtësit, duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkëpisë.

Të gjitha këto shkelje juridike dhe ekzekutive, ndonëse konspirative, nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe nuk e mbuluan dot fytyrën kriminale të shtetit komunist

Viktimat e pafajshme, u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe  në fshejhtësi u hodhën  né njé gropë të madhe té pérbashkét 4.30x3x1.50 m, té lidhur me njëri tjetrin me tela me gjemba. Bashkë me 22 të gjallët, ndodhej edhe një i vdekur, Jonuz kaceli, i vrarë në hetuesi. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gëdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur.

Një fshatar nga Mëniku,xha Kadriu, rrëfen : « Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte atje, i ra të fikët, tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish. Ishte trupi i patretur i Sabiha Kasimatit.

*Mbajtur sot, 26 Shkurt 2016 ne veprimtarine perkujtimore te organizuar nga Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani

Filed Under: Editorial Tagged With: masakra e 22 intelektualeve, qytetareve te pafajshem, Uran Butka

65 vjet me parë- Incidenti i Bombës në ambasadën Sovjetike; episod kriminal në katakombat e diktaturës

February 26, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar në 65-vjetorin e masakrës së të ashtuquajturës “bombë” në Ambasadën Sovjetike, duke vlerësuar familjarët e viktimave të pafajshme: Sot Institucioni i Presidentit të Republikës është i juaji për të dhënë mesazhin se ne nuk harrojmë!/

Tirane 26 shkurt 2016/

Me rastin e 65-vjetorit të masakrës pa gjyq të 22 intelektualëve të pafajshëm, me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike më 22 shkurt 1951, sot paradite në Institucionin e Presidentit të Republikës, u zhvillua në kujdesin e Kreut të Shtetit, Konferenca Ndërkombëtare me pjesëmarrjen dhe praninë e familjarëve të

viktimave të pafajshme të terrorit komunist për të cilët foli Gëzim Peshkëpia; të Ambasadorit të OSBE-së Florian Raunig; Ambasadorit gjerman Hellmut Hoffman; Drejtoreshës Ekzekutive të Fondacionit Shtetëror Gjerman mbi Trajtimin e Periudhës së ish-diktaturës Komuniste Dr. Anna Kaminsky, e cila ishte e Ftuar Nderi; të Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit Agron Tufa; të studiuesit dhe anëtarit të Bordit të ISKK-së Uran Butka, të përfaqësueses së Departamentit të Historisë së Fakultetit Histori-Filologjisë Enriketa Papa, të studentëve në emër të të cilëve foli Rigels Lenja; të Krytarit të KLSH-së Bujar Leskaj; drejtues dhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë në Shqipëri; të akademikëve, profesorëve dhe studentëve.

Në fjalën e Tij Presidenti Nishani u shpreh: “Së pari, dëshiroj të shpreh falënderimet më të sinqerta për organizatorët e këtij aktiviteti: Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë! Dëshiroj njëkohësisht të falënderoj në mënyrë të veçantë familjarët, trashëgimtarët e atyre personaliteteve që zgjodhën së bashku me organizatorët, Institucionin e Presidentit të Republikës për të zhvilluar këtë Konferencë dhe ceremoni në kujtim të atyre personaliteteve, dhe mbi të gjitha të bazuara në themelin e një mesazhi që sot të gjithë transmetoni në këtë sallë të mos harresës.

Ka një realitet diametralisht të kundërt të asaj kohe të dhimbshme, të tmerrshme dhe barbare në krahasim me ditët e sotme. Nëse Presidenti i asaj kohe, Omer Nishani, dekretonte ekzekutimet e atyre njerëzve, – natyrisht përveç koincidencës së mbiemrit, nuk ka asnjë lidhje mes nesh – sot Institucioni i Presidentit të Republikës është i juaji. Është i juaji për të dhënë mesazhin se ne nuk harrojmë. Mbi të gjitha, në këtë fjalë dhe mesazhin tim do të doja të inkurajoj përpjekjet, që të gjithë këta organizatorë të kësaj veprimtarie kanë bërë me atë ndjenjë fisnike që ata kanë të luftës kundër harresës.

Harrimi, që sugjerojnë moralistët e vonuar apologjetë të maskuar të diktaturës, të cilët nga njëra anë predikojnë harrimin e krimeve, dhe nga ana tjetër paraqesin me një mijë mënyra një të kaluar si u intereson atyre, nëpër ekrane të caktuara, kujtime kriminelësh nëpër gazeta, harrim që kurrsesi nuk duhet injoruar dhe toleruar. JO, ne themi nuk harrojmë! Nuk mund të harrojmë.
Nuk duhet të harrojmë! Nuk kemi arsye të harrojmë. Viktimat e drejtpërdrejta të krimit barbar, të pushkatuarit, të varurit në litar, të vdekurit nën tortura, s’janë më. Por të afërmit e tyre, disa prej të cilëve ndodhen sot në këtë sallë, dëshmitarët e mbetur gjallë të tmerreve të pafundme të dergjjes me dhjetëra vite nëpër internime e burgje, janë prova e gjallë që thërret për mos-harrim.
Na ka mbledhur këtu më e pakta që mund të bëjmë për viktimat. Na ka mbledhur sot këtu, një shkak madhor, një detyrim i paevitueshëm, një borxh i pashmangshëm, një arsye shumë e lartë: kushti universal për ekzistencë dhe zhvillim, ajo pa të cilën e tashmja është tepër e vështirë dhe e ardhmja e pamundur – Kjo është kujtesa!

E ashtuquajtura hedhje e bombës në ambasadën sovjetike, ky episod kriminal i stisur në katakombat e fshehtësisë kriminale diktatoriale, me një bombë inekzistente që shkaktoi shumë më tepër viktima se do shkaktonte një bombë e vërtetë, ndryn brenda vetes aq lëndë diktatoriale, sa pa drojë mund të thuhet se brenda makabritetit të kësaj ngjarjeje është e shkruar pothuaj e gjithë historia e krimit diktatorial, karakteristikat më kriminale, tiparet më absurde, deliret më të çmendura, deformimet më të përçudnuara, që e karakterizuan diktaturën. Dyshimi, frika, pabesia, dredhia, dinakëria, intriga, manipulimi, mashtrimi: që të gjitha janë atje, tek ajo ngjarje, në qëllimin, shkakun, pasojën, dinamikën, autorët, e atij krimi diabolik. Gjithçka është inkapsuluar në atë ngjarje si simbol i egërsisë dhe i barbarisë së atij sistemi.

Ngjarja në fjalë ka një tipar specifik domethënës. Siç dihet çdo dukuri, e mirë apo e keqe, e tillë apo e atillë, ka dinamikën e vet, fazat e veta të konsumimit, fillimin, kthesat, vazhdimin, mbarimin. Ngjarja kriminale me të ashtuquajturën ‘bombë në Ambasadën Sovjetike’ përbën një moment deçiziv, një kthesë, një kulminacion të një lloji të veçantë në dinamikën e historisë së diktaturës shqiptare: Burra dhe gra totalisht të pafajshëm të cilëve sistemi u grabiti jetën. Dhe nuk u mjaftua vetëm me aq dhe me ta. Familjet e tyre u persekutuan e u degdisën në skutat e Shqipërisë ku të braktisur mbijetonin thjesht për bukën e gojës pa i mëshiruar asnjëherë deri në ndërrimin e sistemit. I gjithë ky kalvar i pamerituar ishte një krim i mirëfilltë, që kurrë nuk duhet harrur dhe ai nuk ishte një gabim i rëndomtë njerëzor.

Para asaj ndodhie, diktatori dhe ndjekësit e tij kishin bërë goxha rrugë drejt krimit, i kishin lyer tashmë duart me gjak, por gjithsesi deri para asaj ngjarjeje, qëllimin e vërtetë nuk e kishin shpallur, duart e përgjakura i fshihnin, ende nuk e kishin shfaqur të tërë tragjizmin demoniak që bartnin në ndërgjegjet e sterrosura të tyre, ende se kishin treguar plotësisht fytyrën shtazarake, ende kishin një farë ndrojtje se çfarë qëllimesh kishin në të vërtetë, se ku donin të arrinin. Ajo çetë vrastare me në krye diktatorin gjakatar që pas lufte morën peng Shqipërinë dhe shqiptarët, këtë rast e shfrytëzuan si pikë kthese, si moment të volitshëm për të larguar çdo dyshim, për të zhdukur çdo lëkundje, për ta ndarë mendjen një herë e mirë dhe për vazhduar të shkonin atje ku ishin nisur: në stalinizimin e thellë, në krimin pa kthim, në kasaphanën pa dallim, ku djalli pasi shqyen bijtë e vet, nuk e ka problem të thotë me mburrje: jam djall, jam i zi, e kam për nder!

Pas kësaj ngjarjeje ata i flakën të gjitha maskat. U zbuluan tërësisht. I dhanë fund selektivitetit. Vranë viktimat e bombës së sajuar. Mbyllën sytë dhe nisën të masakronin cilindo që u dilte përpara ose u dukej se u kishte zënë rrugën. Internuan e burgosën gjithkënd që u fanepsej nëpër ëndrra. Nuk bënë më asnjë dallim as për shokë lufte, as familjarë, bij, bija, nipër, mbesa, farefis e kështu me radhë. Pra nisën rrugën e pandalur drejt humnerës së pashmangshme ku përfundojnë të gjithë diktatorët për t’u mbytur në pellgun e gjakut që derdhin vetë.

Makabriteti që përkujtojmë sot vetvetiu të sjell ndërmend një çështje madhore: qasjen ndaj krimeve të së kaluarës diktatoriale. Qasjet janë nga më të ndryshmet. Ne e dimë se çfarë do bëjmë dhe e dimë se si do ta bëjmë. Natyrisht që nuk do merremi gjithë kohën me të kaluarën, se do ishte e tepërt dhe kontraproduktive. Nuk do merremi as gjithë kohën me të tashmen e të ardhmen, se nuk bën sens dhe do të ishte pa logjikë. Ajo që do bëjmë, mendoj unë dhe sa mundemi po e bëjmë, është së pari, të mos harrojmë. Të mos harrojmë se ciflat e asaj bombe inekzistente ende vrasin, ende gjakosin, ende ndotin. Të mos harrojmë ato bij e bija, sidomos gratë, nënat, vajzat e atyre familjeve që u iku jeta burgjeve dhe baltërave të internimeve. Të mos harrojmë se në një vend ku plagët ende rrjedhin, ku rënkimet ende dëgjohen, ku kudo që të gërmosh, më tepër se gurë dhe rrënjë gjen gëzhoja pushkatimesh dhe kocka viktimash. Kujtesa nuk është kurrë e tepërt. Të mos harrojmë por edhe të kuptojmë, se nuk ka të ardhme paqësore pa qartësuar dhe dënuar ligjërisht aktet kriminale të së kaluarës. Dhe kjo ngjarje, ky rast do të ishte në nderin e një shteti demokratik të përbënte aktin e parë dhe themeltar të një hetimi dhe dënimi dinjitoz!

Të nderuar të pranishëm!

Padyshim që ata që janë në këtë sallë mund të adresojnë mesazhe të ndryshme që vijnë si memorie, si kujtime, si reflektime, si dhimbje, si dëshirë, si studim dhe unë dëshiroj të falënderoj në mënyrë të posaçme profesorët dhe studentët e Fakultetit të Historisë, të cilët japin shpresë. Japin shpresë se kujtimet jo vetëm që nuk do të harrohen, por do të përkthehen në frymëzim jo vetëm të historisë, por në frymëzim të reflektimit dhe reagimit tonë si shoqëri në të ardhmen.

Dëshiroj njëkohësisht sot t’u bëj një homazh dhe përulej të thellë të gjithë familjarëve dhe familjeve të atyre viktimave, të cilët krahas dhimbjes njerëzore të parikuperueshme që patën në ato çaste të krimit barbar, iu desh të duronin dhunën, dënimet, poshtërimet, varfërinë e tejskajshme për dekada me radhë. Ju jeni pjesë e simbolit të qëndresës së shqiptarëve. Pjesë e simbolit të shqiptarëve për dinjitet, për liri dhe për të drejtën – parime të cilat historia njerëzore i ka ruajtur dhe i ka promovuar gjithmonë sa herë i është dashur të ecë në rrugën e zhvillimit, të prosperitetit dhe të demokracisë. Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë rezistencë, e cila na sjell sot një dimension tjetër të familjeve shqiptare, të traditës shqiptare, që falë këtij nervi të rezistencës e të mos-harresës, ka mundur të mbijetojë ndër shekuj dhe të ruajë ekzistencën dhe identitetin e saj kombëtar.

Besoj se sot kemi shumë gjëra çka mund t’u lëmë trashëgim djemve dhe vajzave, të cilët plot pasion, kapacitet intelektual, dëshirë, i kanë të gjitha mundësitë për ta ruajtur të fortë këtë trashëgimi, për të qenë krenarë për të si dhe për të punuar mbi për të ardhmen e brezave të tjerë, të cilëve do t’u jeni ju mirënjohës për atë çka ju do t’u lini kur të vijë çasti i ndërrimit të stafetës suaj. Ju faleminderit dhe dëshiroj që duke përfituar nga privilegji që kam, si Presidenti Republikës, si Kryetar i Shtetit shqiptar, të gjithë së bashku sot t’u bëjmë një homazh dhe nderim atyre familjarëve, të afërmve, të cilët e mbajtën gjallë kujtimin e tyre dhe e promovuan më tej mesazhin e qëndresës!”

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” familjet e 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist në mesnatën e 26 shkurtit 1951, respektivisht familjarët e: Sabiha Kasimatit; Tefik Shehut; Jonuz Kacelit; Lluka Rashkoviçit; Thoma Katundit; Manush Peshkëpias; Hekuran Trokës; Myftar Jegenit; Anton Delhysës; Pandeli Novës; Pjerin Guraziut; Haki Kodrës; Gjon Temalit; Gafurr Jegenit; Zyhdi Herrit; Mehmet Ali Shkupit; Fadil Dizdarit; Ali Qorralliut; Niko Lezë; Petro Konomit; Qemal Kasoruhos dhe Reiz Selfos me motivacionin: “Në vlerësim të vuajtjeve dhe qëndresës ndaj diktaturës, si dhe moralit të lartë të treguar në dekada përballë përndjekjes dhe represionit komunist. Në kujtesë të shembullit të këtyre familjeve, si një model i vlerave kombëtare, që duhet mbajtur gjallë për brezin e ri”.

Filed Under: Histori Tagged With: 65 vjetori i masakres, presidenti Nishani, se bombes ne ambasaden sovjetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT