• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

Hashim Thaçi – president, si bumerang për Isa Mustafën – kryeministër

February 7, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Kosova tashmë ka hyrë në muajin e votimit për kreun e shtetit, presidentin e Republikës. Marrëveshja PDK-LDK, e cila i mundësoi zotit Mustafa të bëhet kryeministër, i jep kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, të drejtën dhe mundësinë për t’u zgjedhur si president i Kosovës. Ajo që kishte ndodhur në vitin 2001, kur Ibrahim Rugova i dha PDK-së postin e kryeministrit dhe për vete mbajti atë të presidentit, po ndodh këtë vit, kur Hashim Thaçi i dha LDK-së kryeministrin në këmbim të postit presidencial. Deri këtu duket se kemi të bëjmë me përsëritjen e një skeme të pranuar para 15 vitesh në Prishtinë, por në të vërtetë gjërat nuk janë të njëjta, situata është krejt ndryshe, aktorët janë gjithashtu të ndryshëm dhe rezultatet e votimit të partive politike nuk janë gjithashtu ato që ishin më 2001 ose më 2004-ën.
Kriteri themelor për t’u zgjedhur kryetar shteti është shkalla sa më e ulët e kontestimit. Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet politikani më i kontestuar nga pikëpamja e intensitetit dhe rreptësisë, por më pak i kontestuar nga ana ekstensive. Kjo sepse përkrahja e qytetarëve për Ibrahim Rugovën ishte së paku dy herë më e madhe sesa për Hashim Thaçin, ndërsa goditja që i jepnin grupet maksiste e majtise me frymëzim enverist ishte e tipit stalinist e leninist, në thelb intensive, permanente, e papërmbajtur, e pamëshirshme, me shpifje, trillime dhe sajesa të shumta. Nga ana tjetër Ibrahim Rugova kishte krijuar një traditë presidenciale në qeverisjen e tij paralele me pushtetin e dhunshëm serb në Kosovë e për këtë arësye këmbngulja e tij për ta mbajtur atë post pas çlirimit të Kosovës ishte e motivuar, pasi ai kishte gjithashtu përvojë në drejtimin e shtetit si president i Kosovës. Kurse Hashim Thaçi ka lakmuar gjithnjë postin e kreut të ekzekutivit dhe si natyrë nuk përshtatet në asnjë pikëpamje me kolltukun e presidentit.
Aso kohe Kosova ishte protektorat ndërkombëtar dhe presidenti kishte rol vendimtar në politikën e jashtme e diplomacinë e vendit, gjë për të cilën Ibrahim Rugova ishte i shartuar dhe unik në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan. Në vitin 2016 presidenti edhe në këtë fushë është violinë e dytë pas violinës së qeverisë. Ibrahim Rugova kishte integritet moral dhe politik të pakrahasueshëm me asnjë politikan tjetër shqiptar për të qenë presidenti i Kosovës, ndërkohë që zoti Thaçi është më integritet të cënuar, edhe nëse akuzat kundër tij të fiksuara në rezoluta të institucioneve ndërkombëtare të jenë të pavërteta. Nuk besoj në akuzat e ngritura kundër ish-lederit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse kam bindjen se këto akuza janë pjesë e politikës dhe diplomacisë propagandistike të Serbisë. Megjithatë do të ishte në integritetin e zotit Thaçi që derisa të marrë pafajësinë juridike të mos lakmojë postin e presidentit të vendit. Në fund të fundit ai ka kohë për ta mbërritur këtë post.
Ndërkaq brenda vendit integriteti i zotit Thaçi është i cënuar dhe për shkak të mbështetjes që ai u ka dhënë politikanëve të inkriminuar, siç është rasti i fundit o kryetarit të Komunës së Klinës ose të disa kryetarëve të tjerë komunash. Pra, zoti Thaçi është shumë më tepër partiak e klanor sesa ishte Ibrahim Rugova e për pasojë shumë më tepër përjashtues, sesa ai. Kjo e bën të pamundur nga pikëpamja morale zgjedhjen e tij si kryetar i shtetit. Të jesh kryetar shteti do të thotë të jesh simbol i unitetit kombëtar, aspak klanor, aspak oligark, aspak partiak. Fatkeqësisht në trojet shqiptare gjen shumë pak liderë të formatit përbashkues.
Nisur nga të gjitha këto sa thamë më lart, duhet shkuar drejt përfundimit se Kosovës i duhet një president mbipartiak, konsensual dhe përfaqësues i interesave të të shumicës dërmuese të popullsisë në Kosovë. Një figurë përbashkuese është e do të ishte edhe një figurë me integritet. Presidentja aktuale, zonja Atifete Jahjaga, ka shfaqur ndonjë dobësi formale në postin që mban për shkak të mungesës së eksperiencës në politikë e në detyra shtetërore, por ajo në të shumtën e rasteve është pranuar si unifikuese e unitetit kombëtar në Kosovë dhe mu për këtë arësye asaj mund e ndoshta duhet t’i jepet një mundësi e një mandati të dytë, gjë që ia lejon gjithashtu kushtetuta e vendit. Ndoshta mund të gjendet dhe ndonjë figurë tjetër që mund të luajë një rol të caktuar në unifikimin e faktorit politik dhe përfaqësimin e unitetit kombëtar si kryetar shteti. Por ky nuk mund të jetë zoti Thaçi, së paku për begraundin e derisotëm, aq më pak intelektualë të tipit Rexhep Qosja, të cilët kur u mbarojnë kundërshtarët fillojnë e grinden me veten e tyre.
Por megjithatë marrëveshja midis zotit Mustafa dhe zotit Thaçi është nënshkruar dhe në të qëndron e zezë në të bardhë se Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës në postin e Presidentit të republikës. De facto Isa Mustafa është zgjedhur të nënshkruajë marrëveshjen me zotin Thaçi për shkak të mungesës së integritetit moral e politik të tij në politikën kosovare. Nënshkrimi i asaj marrëveshjeje duket se ka për qëllim thjesht arritjen e qëllimit për t’u bërë kryeministër i Kosovës nga ana e zotit Mustafa, gjë të cilën e vërejnë me kthjelltësi një numër i madh deputetësh e funksionarësh të partisë së tij. Nga pikëpamja doktrinare zoti Mustafa me këtë marrëveshje ka dëshmuar se filozofinë e Rugovës, në emër të të cilit ai thirret, e ka kthyer me kokë poshtë. Kjo sepse asgjë parimore nuk gjen në ujdinë e sotme, sipas së cilës ”Unë të jap kryeministrin, ti më jep presidentin”!!!
Por marrëveshja është legale pavarësisht motivit të nënshkrimit të saj, pasiqë të dy grupet parlamentare në koalicionin qeverisës deri tani e kanë mbështetur atë marrëveshje në tërësinë e saj. Marrëvëshja legjitimon zgjedhjen e zotit Thaçi nga pikëpamja formale në postin e kreut të shtetit të Kosovës. Megjithatë deputetët dhe anëtarësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë të obliguar ta mbështesin këtë proces. Shenjat janë dhënë gjithandej në degët e nëndegët e LDK-së, se ato nuk duan që kreu i PDK-së të jetë presidenti i Republikës. Ato i kanë bërë thirrje zotit Mustafa që të heqë dorë nga përpjekja e tij për plotësimin e marrëveshjes në fjalë. Megjithatë nuk duket se kreu i LDK-së do t’i bindet zërit të anëtarëve të partisë së tij. Por këto qëndrime të bazës së LDK-së do të shtojnë numrin e deputetëve të kësaj partie, të cilët do të kundërshtojnë vullnetin e kryetarit të tyre. Kjo do të thotë një çarje e re në LDK, sepse pas kësaj do të kemi një lëvizje për largimin e zotit Mustafa. Lëvizja në fjalë nuk do ta kursejë kreun aktual të LDK-së, sepse shihet qartë se politikat e tij kanë më shumë axhendë personale, sesa axhendë në dobi të Lidhjes Demokratike e të vetë Kosovës. Ajo do të jetë e pakompromis deri në largimin e kreut të partisë.
Unë mendoj se zoti Thaçi, pavarësisht këmbnguljes së tij dhe të partnerit në qeverisje, nuk do të mundë të bëht president i Republikës së Kosovës, nëse opozita nuk do të bëjë ndonjë kompromis për t’ia dhënë atij votën. Ai nuk do ta marrë këtë post për shumë arësye:
E para, se nëse zpti Thaçi bëhet president, kjo do të shfrytëzohet nga forcat kundërqeveriatare dhe kundër zotit Mustafa të opozitës për t’u hedh në veprime reaguese më të ashpra sesa ato që kemi parë muajt e shkuar. Shkurt kjo zgjedhje do krijojë mundësinë e destabilizimit të Kosovës dhe për këtë as vetë zoti Thaçi nuk është e nuk duhet të jetë i interesuar.
Së dyti, zoti Isa Mustafa në rastin e zgjedhjes së zotit Thaçi nuk do të mbijetonte si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Anëtarët e kësaj partie do të rebelohen dhe në këtë mënyrë atij do t’i hiqet dhe posti i kryeministrit. Nëse pranojmë se zoti Mustafa ia dha zotit Thaçi fjalën për t’u zgjedhur president për shkak të ambicjes së tij për të qenë kryeministër, atëherë shkojmë te formula se kjo nuk e ndihëmon zotin Mustafa, përkundrazi e nxjerr atë jashtë institucioneve të shtetit e radhëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtë dilemë e sheh dhe e vuan kryeministri aktual i Kosovës. Tashmë ai përpjekjen e tij për ta zgjedhur Thaçin president të vendit e sheh si kurth e bumerang kundër vetes.
Së treti, komuniteti ndërkombëtar, miqtë e Kosovës, sidomos në kushtet aktuale të konfliktit politik, kanë interes të veçantë në gjetjen e një figure konsensuale dhe me integritet moral e politik të pakontestuar për ta vënë në krye të shtetit. Nëse nuk gjendet dikush tjetër i konfirmuar në këto cilësi, atëherë komuniteti ndërkombëtar ka interes të theksuar që zonja Atifete Jahjaga të mbetet edhe në mëndatin e dytë në detyrën e lartë të kryetares së Shtetit të Kosovës. E vërteta është së prezenca e saj si presidente e ka ndihëmuar Kosovën në përmirësimin e imazhit të vendit, edhe pse makinacionet politike të Thaçit, Mustafës, Kurtit e të tjerëve e kanë sjellë Kosovën në ditën më të keqe të saj pas pavarësisë sa i përket performancës së saj para partnerëve ndërkombëtarë.

Filed Under: Analiza Tagged With: bumerang kryeminster Mustafa, Hashim Thaci-president

Jeta anekdotike e Faïk beg Konicës

February 6, 2016 by dgreca

Nga Guillaume Apollinaire/
Përkthyer nga Rafael Floqi/
Botohet me rastin e Vitit te Faik KONICES, Shpallur nga VATRA/
Guillaume Apollinaire u lind më 26 August 1880, në Romë dhe vdiq më 9 Nëntor në 1918, ishte një poet dramaturg tregimtar, romancier e kritik arti francez me origjine polake. Apollinaire konsiderohet ndër të parët poetë të fillim-shekullit të 20-të, si një nga mbrojtësit më në zë të kubizmit, dhe babai i surrealizmit. Atij i jepet krediti për krijimin e termit kubizëm (1911) që përshkruan një lëvizje të re artistike, me termin “Orphizëm” (1912), dhe termi “Surrealizëm” (1917) qe e përdori për të përshkruar punët e Erik Satie. Ai shkroi një nga veprat e para të quajtura si surrealiste, dramën Gjinjtë e Thiresias (1917), e cila u bë baza e operës me të njëjtin emër në 1947. Dy vjet pasi qe plagosur në Luftën e Parë Botërore, ai vdiq nga epidemia e gripit Spanjoll të 1918-ës në moshën 38- vjeçare.
Apollinaire u zhvendos nga Roma në Paris ku dhe u bë një nga anëtarët më popullorë të komunitetit artistik të Parisit (si të Montmartre dhe Montparnasse). Ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të kësaj periudhe është dhe Faik Konica, që siç duket, edhe nga shkrimi zë një vend të nderuar krahas figurave të tilla legjendare të artit si Pablo Picasso, Henri Rousseau, Gertrude Stein, Max Jacob, André Salmon, André Breton, André Derain, , Blaise Cendrars, Pierre Reverdy, Alexandra Exter, Jean Cocteau, Erik Satie, Ossip Zadkine, Marc Chagall,Marcel Duchamp and Jean Metzinger. Ai u dashurua me Marie Laurencin, të cilën e identifikonte shpesh si muzën e tij.
Ky shkrim me kujtimet e Apolinerit për miqësinë dhe figurën e Faik Konicës është përkthyer nga origjinali frëngjisht prej meje, sipas botimit në revistën prestigjioze letrare franceze Mercure de France maj- qershor1912 — Tome XCVII “ në rubrikën LA VIE ANECDOTIQUE, me titull Faik beg Konitza”. Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë se si e sa e vlerësonte poeti i madh shqiptarin e madh, gjë që nuk ka nevojë për komente.

********
Ndër burrat që kam njohur, të cilët i kujtoj me kënaqësi, njëri nga më të veçantët është, Faik Bej Konica. Ai u lind në Shqipëri, pak a shumë 40 vjet më parë, në një familje që i mbeti besnike ritit katolik. Kjo “shqipe” u rrit në Francë, gjer në moshën 20-vjeçare, ku madje ai ishte gati të hynte si rishtar në manastirin e Grande Chartreuse. Këtu nuk qulli gjë, dhe pak nga pak, zelli fetar iu tha, duke kaluar nga indiferentizmi fetar tek një lloj antiklerikalizmi të ngjashëm me atë, që e gjemë tek Merimeja. (Prosper Merime romancier i njohur francez, R.F)
Ai donte të vazhdonte studimet e veta, por meqë kishte një dashuri të zjarrtë për Atdheun e vet, Shqipërinë, ai kthehet në Turqi dhe konspiron kundra shtetit turk, ku sipas të thënave të atij vetë, qe dënuar dy herë me kusht .
Ai kthehet më pas në Francë, gjuhën dhe letërsinë e së cilës e njihte në mënyrë të admirueshme dhe lidhet me të gjithë ata që merreshin me punët e Shqipërinë.
Meqenëse liria që ai gëzonte këtu, nuk i dukej e mjaftueshme, ai iku dhe u vendos në Bruksel, në rrugën Shqipëria, (Rue d’Albanie) për të themeluar një revistë erudite: Albania, që merrej me politikë, dhe më shumë me letërsi, histori, filologji. Ai do t’i jepte më shumë jetë lëvizjes kombëtare shqiptare; duke e pastruar gjuhën shqipe nga termat e pasakta dhe parazite, me të cilat ishte mbushur, dhe e shndërroi atë në pak vite, nga një dialekt i pagdhendur fshatarësh, në një gjuhë të bukur, të pasur dhe të zhdërvjellët.
Por atij edhe liria, ashtu siç kuptohej në Bruksel, nuk i pëlqente më, qe njësoj si ajo që kishte pat hasur në Paris. Madje një herë, ai vetë u ndesh në rrugë me një agjent të policisë, që e pyeti . Cila është kombësia jote? – Unë jam nga Shqipëria ( Je suis d’Albanie.) – Ku banoni ? – Në rrugën Shqipëria. (Rue d’Albanie) – Çfarë profesioni keni ? – Unë drejtoj revistën Albania. . Më pas pasi kaloi një natë në postën e policisë, tw nesërmen agjenti i policisë i tha patriotit shqiptar “ Për një kohë, unë kujtoja se t’i po talleshe me mua”..

I zhgënjyer nga Brukseli, Faik beg Konica u nis për në Londër. Ai braktisi shtypshkronjën e tij të vogël, të përbërë veç me fonte platini, ku kishte krijuar dhe shtypur veprat e tij të vogla, që sot janë mjaft të rralla. Shtypshkronja nuk e zgjati punën shume, pasi punëtori i vetëm që ai e kishte zgjedhur për të radhitur germat në stampë, ia bëri ato të papërdorshme.

Qe viti 1903, në Londër kur e njoha Faik beg Konicën, Ai banonte në Oakley Crescent, City Road, E.C. Unë nuk e kisha parë kurrë më parë atë. Ai më kishte ftuar të kaloja ndonjë ditë tek ai dhe më pat ftuar, duke thënë se do të më priste tek stacioni i trenit. E lamë që ai të kishte një shenjë që unë ta njihja. Ishim marrë vesh që të mbante një orkide në thilenë e xhaketës. Treni im mbërriti, në peronin e Victoria-Station me shumë vonesë, dhe unë vura re se të gjithë zotërinjtë e pranishëm aty mbanin një orkide në thile. Si do ta njihja shqiptarin tim? Mora një taksi dhe mbërrita në shtëpinë e tij, në momentin kur ai po dilte prej saj për të blerë një orkide.
Qëndrimi im në Londër ishte tërheqës. Faik bég Konica kishte një pasion për klarinetën, oboen dhe kornon angleze. Ai kishte në sallonin e tij, një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve prej druri. Ndërsa prisnim për të ngrënë, në mëngjes dhe vakti mbërrinte gjithnjë me vonesë, mikpritësi im luante arie te vjetra , duke qëndruar ulur, me sytë poshtë, me pamje serioze para pupitrës. Pastaj vinte një vakt ala shqiptarçe, do me thënë, pa fund. Në çdo dy ditë ai kishte dëshirë për të ngrënë për ëmbëlsirë kremkaramel, të cilin unë nuk e shijoja. Ndërsa ai binte vdekur për të. Dhe të nesërmen kishte puding me qumësht kokosi, të cilin unë e pëlqeja shumë, por ai nuk e hante. Dreka zgjaste kaq shumë aq sa nuk arrita të vizitoja ndonjë muze në Londër, sepse gjithmonë ne mbërrinim aty, kur ishin duke u mbyllur dyert.

Prandaj ne bënim shëtitje të gjata, gjatë së cilave unë arrita të njoh se çfarë shpirti fin dhe i kultivuar kishte Faik beg Konica. Ashtu si pothuajse të gjithë shqiptarët prej dere të mirë, ai ishte pak hypocondriak dhe u preka veçanërisht nga miqësia që ai më tregoi sa më dukej në disa pika se mos ishte plëngprishës.
Kjo lloj paranoje shfaqej herë-herë në mënyrë shumë të çuditshme. Nëse ai hynte në një dyqan për të blerë diçka, dilte andej me frikën se dyqanxhiu do ta ndiqte pas, duke pretenduar se ai i kishte vjedhur: « Si rrjedhojë, theksonte ai, si do të mundem unë t’ia provoj atij që nuk kam vjedhur?»

Kur jetonte në Londër, Faik Konica po riorganizonte bibliotekën e vet. Ai i pat shitur të gjithë librat, për të zgjedhur botime angleze ku teksti ishte i shtypur me karaktere kaq të vegjël, sa që nevojitej një lupë, për t’i lexuar. Ai kishte formuar kështu një bibliotekë të plotë,të konsiderueshme të cilën e mbante të gjithën në një raft të vogël. Dhe prej librave të vjetër ia pat ruajtur veç Fjalorin e de Bayle, (Dictionnaire Historique et Critique një fjalor biografik i shkruar nga Pierre Bayle (1647–1706) R.F), që ai e mbante për mjeshtrin e vet, dhe fjalorin e Darmesteter-it. Admirimin më të madh në letërsi ai kishte për Remy de Gourmont, për të cilin ai kishte njohuri të thella, saqë më vonë, kur gjeta një portret të tij ia dërgova.
Faik beg Konica, si një Beyle tjetër, kishte gjithnjë, maninë e pseudonimeve. I ndërronte ato shpesh. Në kohën kur e njoha unë, ai e quante veten Thrank-Spirobeg, sipas emrit të një heroi të një romani historik të Léon Cahun, që ishte në një farë mënyre një kryevepër dhe vepra më e mirë e frymëzuar nga historia e brendshme e shqiptarëve. Por duke parë se tipografët e ngatërronin shpesh drejtshkrimin e pseudonimit të tij në Thrank-Spiroberg, Faik bej Konica vendosi ta mbante ashtu. Po kjo nuk zgjati veç dy apo tre vjet; më pas ai mori një pseudonim të ri me të cilin do të nënshkruante një vepër shumë të pasur e të mirëshkruar, që titullohej : “Ese mbi gjuhët artificiale”, nga Pyrrhys Bardyli.

Unë kalova edhe një herë tjetër ca kohë në Londër tek Faik beg Konica, që ndërkohë ishte martuar dhe banonte në Chingford. Ishte pranverë, barisnim nëpër fusha dhe kënaqeshim duke kaluar kohën duke luajtur golf… Pak para mbërritjes sime, Faik beg Konica pat blerë pula, për të pasur vezë të freskëta; por kur ato bënë vezë ishte e pamundur t’i haje. Në fakt, si mund të hash vezë pulash kur ushqimi i tyre është vetëm vetvetja ? Këto pula rriteshin aty dhe hanin vezët e tyre, kjo e bënte Faik bég Konica të arrinte ne atë pikë sa ti shihte ata shpendë të mjerë me tmerr, duke mos i lënë të dilnin nga koteci i tyre i vogël, ku ato ngordhën duke ngrënë njëra- tjetrën, me përjashtim të njërës, që qëndronte fitimtare, e cila jetoi për ca kohë në vetmi. Kjo ishte ajo që arrita ta shoh unë. Ajo ishte shndërruar në një pulë të egër dhe të marrë; meqë ishte e zezë dhe qe dobësuar aq shumë, sa ishte shndërruar si një korb, dhe madje para se të nisesha i kishin rënë edhe puplat, dhe ishte shndërruar në një farë miu arash.

Faik beg Konica e botoi revistën “Albania”me kujdes të madh. Në kopertinë ai kishte, si logo armët e mbretërisë së ardhshme të Shqipërisë të dizajnuar nga një skulptor francez me talent, të cilit ia kam harruar emrin. Ai vdiq në rrethinat e New York-ut, gjatë rrëzimit gjatë një udhëtimi me ballonë. Puna që Faik beg Konica bënte për të redaktuar artikujt e tij dhe avashtësia , ishin shkaku që revista botohej gjithnjë me vonesë. Në 1904, kishin dalë numrat e 1902-shit, dhe në 1907, kishin dalë rregullisht numrat e 1904–ës. Revista franceze” L’Occident “ ishte e vetmja që mund të rivalizonte me Albania-n në këtë pikë.

Pa filluar revolucioni xhonturk, Faik Konica mendonte të kthehej në vendin e vet. Por ngjarjet nuk e lejuan. Ai u nis në mënyrë të papritur për në Amerikë në momentin kur po ziente revolta shqiptare. Ai më shkroi një herë para se të nisej dhe më vonë nuk pata lajme nga ai. Unë e dija se në SHBA kishte një koloni të madhe dhe të pasur shqiptare. Unë mendoja se ai kishte marrë përsipër restauruesin e gjuhës shqipe. Mua më vinte keq që ai nuk më mbante më në korrent për aventurat e tij, gjersa vitin e kaluar gjeta rastësisht në një librari, numrin e parë të një botimi të titulluar Trumbéta e Krujës, do me thënë Trompeta e Krujës, që ishte kryeqyteti i Skënderbeut. Aty pashë që Faik beg Konica banonte në Saint Louis, në Missouri, dhe që kishte hequr dorë nga të shkruarit në frëngjisht, gjuhë të cilën e njihte shumë mirë, por kishte përdorur anglishten që e fliste shumë keq.

I shkrova në Saint Louis, por nuk mora përgjigje. Gjer kur ditët e fundit, një letër e ardhur nga Chicago-ja do t’ma kujtonte shqiptarin tim. Ishte dërguar nga një farë Benjamin DeCasseres (në një fjalë të vetme me dy shkronja të mëdha). Por shkrimi i zarfit nuk linte asnjë dyshim, qe ishte shkrimi i Faik beg Konicëa, i vogël i plotë, i ngjashëm me atë të shtypshkronjës ku qenë shtypur veprat me shkrimin e Petrarkës. E hapa letrën. Ajo përmbante një farë prospekti për t’u shtypur në dy faqe, në anglisht të titulluar “Prelude”, dhe me dedikimin « të gjithë atyre që më nxitën në egoizmin tim militant». Ishte një farë proze poetike, plot me fraza filozofësh dhe imazhesh biblike ku do të përmendja Beethovenin, Goethen, etj. Ishte kjo një lamtumirë e veçantë e bërë nga Faik beg Konica të cilin e kisha njohur e me të cilin kisha ndërprerë çdo marrëdhënie miqësore dhe nuk kam më ndonjë shpresë që ta rishoh .
Ai kishte hequr dorë nga Evropa, nuk e botoi më Trompetën e Krujës, madje vetë Shqipëria nuk ishte më pjesë e preokupime të tij. Atë ia kishte lenë në dorë biznesmenëve të Michiganit e pasardhësve dhe shokëve të Gjergj Kastriotit,( bëhet fjalë për Alehandro Castriotin R.F) pasi ai kishte braktisur tashmë nostalgjinë e një Evrope shumë të kultivuar, dhe qe shndërruar në një poet të zhgënjyer, me drojet e mërgimit, dhe, padyshim, pa katër vëllimet e mëdha të Fjalorit të Bayle-s.

Filed Under: ESSE Tagged With: Guillaume Apollinare, Jeta anekdotike e Faïk beg Konicës, perktheu, Rafael Floqi

SI MUND TË VESHË NIMFA – POEZI, KËMISHËN E PARASË!?

February 6, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Zhvillimet e vrullshme të kohës drejt teknologjise dhe informacionit e kanë bërë Njerëzimin të rendë përpara për ta sfiduar. Kompjuterizimi dhe interneti, dominuese në këtë kohë si ekperiencë e re e me vlerë klasike, kanë krijuar dembelosje në përgjithësi. Kjo ka bërë të mundur që kontakti me librin të jetë i paktë, ose krejtësisht i mënjanuar. Edhe pse duhet pranuar se sot shumë pak lexohet libri artistik, vitrinat e librave mbushen plot përditë me tituj të rinj. Në fakt, katrahura e kohës po tregon një realitet tjetër. Një realitet të prekshëm që çdokush i dashuruar pas fjalës së shkruar ndjen keqardhje dhe dhimbje tek sheh se, ashtu si mielli i përzier me krundet, ka rendje drejt sasisë në dëm të cilësisë. Sepse interesi e kamercializmi,në një shoqëri të sëmurë janë bërë dhe po bëhen dominues. Pra, duke parë këmishën e parasë kësisoj shmangin krijuesin e vërtetë, atë që prodhon vlera.
Kështu, sot është bërë tregimtar, poet, romancier, apo monograf, ai që hedh para, duke u futur gjer në antologji, në varësi kjo edhe prej lulëzimit të biznesit mediatik e në dëm të artit, por edhe prej plagjiaturave të krijimeve. Sidoqoftë, të shkruarit masiv ka një të mirë të madhe se shtohet numri i njerëzve që komunikojnë artistikisht dhe poetikisht, por është bërë tepër shqetësuese, për ngritjen e ativlerave, si një nga plagët e “tregut të lirë”. Më shqetësuese është fabrikimi i librave e tregëtia fame që tregojnë me se miri fytyrën realitetit botues. Ky fenomen do vazhdojë përderisa merr penën në dorë kushdo që mundohet të lërë diçka pas në emër të krijimit artistik, e me një etje për lavdi, por që ka errësuar vlerat, ndaj është e vështirë të përcaktosh talentin e vërtetë. Po shkruajte libra, pretendimi i cilido është se ndjehet tregimtar, romancier poetë me delir madhështie. Ndodh që, redaktorët i pasurojnë krijimet e këtyre mediokërve me figuracione të errta, të cilët edhe ai që ka emrin në kapakët e librit nuk i kupton. Por, edhe e një morie artikullshkruesish, që bubërrijnë kafeneve, të shfaqen për të thurur kaq shumë lavde ndaj tyre, duke i bërë të njohur npërmjet reklamimeve publike në gazeta, portale, dhe ato vizive. Shkrimet kritike që gatuajnë këta redaktorë janë me superlativa për këta krijues mediokër dhe aq formale sa që rrallë, në vend të zhbirohen në to vlera me prirje analitike të mirfilltë, modifikojnë më shumë fjali të ngjeshura strukturale e estetikisht të dobëta. Jo rrallë këto shkrime nga mënyra e të kompozuarit, thellësia e konceptimit të mendimeve dhe këndvështrimit, janë kopje e njëra-tjetrës.
Gjithçka mund të ndodh në këtë botë rrëfenjash që, organizime krijuese dhe individë drejtues, redaktorë, të cilët në fakt nuk janë të tillë, pa asnjë nivel artistik e sekserë, kanë vënë në evidencë fitimin me marifete, që bien ndesh me moralin shoqëror. Kush mundet të shfrytëzojë me shumë rastin për “promovim vlerash”, ndërkohë që bëhet spekulative ajo e disa klubeve letrare, të cilat grumbullojnë rreth vetes fillestarë entuziastë për suksese krijuese. Ky është produkti i sotëm i “zhvillimit” të demokracisë dhe globalizmit. Para pak kohësh në Tiranë u botua nga një organizëm krijues, pompoz në dukje e gjoja të përhapur në botë, një antologji poetike (që e tillë nuk ishte) si shumë nga antologjitë private dhe miqësore, të cilat janë shfaqur si këpurdhat pas shiut. Shumica e emrave të antologjive janë të panjohur për lexuesit. Natyrisht nuk guxoj t’i quaj poetë, por thjesht bejtexhinj, mbasi ata, edhe pse kanë botuar, nuk kanë arritur të shpalosin para nesh profile vlerash poetike. Duhet pranuar se i njohur mund të bëhesh edhe thjesht me një poezi ose libër. Ndonëse këtë e kanë vërtetuar më së miri shekujt, dhe jehona e një poezie, apo një libri, vjen vetëm ndërmjet magjisë artistike. Poet, apo shkrimtar nuk të bën botimi në antologji e as elozhet e format e propogandë mashtruese të X organizëm krijues, apo X autori në rrjetet sociale internetike e mediat e shkruara. Nuk mund t’i ndalësh njerëzit të shkruajnë apo botojnë, por mund të kontrollohen dhe vlersohen konkurset me çmimet që u jepen gjithkujt dhe nga gjithkush. Koha po tregon se po mbushemi me “poetë, shkrimtar, historian”, që seicili lexon ato që ai vet ka shkruar. Natyrisht më vonë këto “talente” humbasin pa nam e nishan. Koha do t’i seleksionojë. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Ç’mund të presësh kur në një gazetë botohen në çdo numër mbi njëqind autor (ejani se u bë deti kos), dhe thuajse të gjithë marrin çmime! Autorët e tillë mediokër botojnë me shumicë e u shitet pak libri, thuajse në kufijtë e asgjës, dhe përfundojnë si stoqe, e i gjejmë rrugëve në tortuare si mall i skaduar, madje, edhe aty ku dhurohen midis miqve e të njohurve, të cilët zverdhen kur marin në dorë një libër të dobët ato mbesin të palexuara. Ndërsa, të talentuarit e vërtetë, në përgjithësi, nuk kanë mbështetje financiare dhe përkrahje shoqërore për të botuar në gazeta, revista dhe librat e tyre. Në mëndje më vijnë fjalët e një poeti të njohur që kujton Migjenin, kur në fundvitet ’30 të shekullit të kaluar, i botonin në pak vend andej nga fundi i faqeve të gazetës vargjet e lira, sepse mbusheshin me paçavure poetësh, që sot koha i ka harruar. Ndërsa, vërejmë se poetë dhe shkrimtarë, që kanë një traditë të konsoliduar në art janë diferencuar e nuk po nxjerrin vëllime të shpeshta për të bërë bujë. Shtrydhin pjekurinë dhe librat e tyre lenë gjurëm tek lexuesi.
Ndaj, drejt vijueshmërisë së letërsisë së sotme, kjo prirje që, jo vetëm po thellohet e po shkon kah denigrimit, por, edhe po humb gjithnjë e më shumë e me tej besueshmërinë si te krijuesit e mirfilltë edhe te lexuesit që janë barometri i cili mat klimën artistike, ndaj duhet të minizohet si dukuri. Shpresojmë që koha të korrigjojë shumë gjëra, duke bërë një seleksionim më të mire të vlerave letrare, sepse gjithë kjo prurje shkrimesh pa fund shërben si dheu ku fshihen grimcat e arta. Duhet të ndëgjegjësohemi, që krijimtaria me vlera të mos shitet aq lirë tek matrapazët, që si qëllim kanë fitimin dhe jo vlerat e atyre që botojnë. Nuk ka rrugë tjetër në këtë kohë lirie pa limit, përveçse të kalohet indiferent para mediokritetit. Me anomalitë e theksuara, vlerat letrare, herët apo vonë, dalin në sipërfaqe, duke e gdhendur emrin në mermerin klasik të memorialit të letersisë sonë, në të gjitha gjinitë në përgjithësi. Një shoqëri e shëndoshë matet edhe nga fakti sesa ndihmohen e përparojnë të talentuarit. Për rolin paraprijës që ka arti kërkohet inkurajim, evidentim, por edhe origjinalitet. Kërkohet jo vetëm të zbulohen, afirmohen me realizëm të talentuarit, por edhe t’u krijohen hapësirat, klima e nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e tyre, inkurajimin dhe konsolidimin e vet si një pikënisje përkrahëse të të aftëve, duke çelur udhë të reja në ecjen e bukur drejt majave që, në të ardhmen, të jenë vërtet një vlerë e krijimtarisë sonë letrare.

Filed Under: ESSE Tagged With: KËMISHËN E PARASË!?, Pellumb Gorica, poezi, Si mund, TË VESHË NIMFA

Mërgata shqiptare në Zelandë të Re, darkë me ambasadorin dr. Kiçmarin

February 6, 2016 by dgreca

Auckland, 6 shkurt 2016/
Darkë e përbashkët me ambasadorin dr. Kiçmarin
Mërgata shqiptare në Zelandë të Re organizoi darkë të përbashkët me ambasadorin fuqiplotë të R. së Kosovës në Zelandë të Re. Ishte takim i përzemërt me ambasadorin, i cili pas vizitës në Wellington me Guvernatorin e Përgjithshëm të Zelandës së Re ztr. Jerry Mateprae me rastin e Festës Nacionale Waitangi Day të shtetit.
Për t’i dëshirua mirëseardhje ambasadorit u mblodhën shqiptarët me vendbanim në qytetin metropol të Auckladit, Në qytetin e përmendur janë të vendosur kryesisht shqiptarët. Me ketë rast Dr. Kiçmari njoftoi të tubuarit për mbështetjen që gëzon R. e Kosovës nga Shteti i Zelandës së Re. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i ndërsjellë duke u ndal te roli i mërgimtarëve shqiptar për çuarjen e thellimin e lidhjeve mes dy vendeve. Komuniteti shqiptar këtu ka arrit të inkuadrohet në jetën e këtij vendi dhe rinia po shkollohet, tha mes tjerash ambasadori. Pastaj të pranishmit pyeten për angazhimin e diplomacisë së punëve të jashtme në në integrimin e R. së Kosovës në organizatat botërore, njohjet, përgatitjet për festën e 17 Shkurtit etj. Qetë dhe në mënyrë profesionale u përgjigj ambasadori në pyetjet e parashtruara. Bashkëbisedimi vazhdoi edhe gjatë darkës deri në orët e vona të mbrëmjes.
* E dergoi per DIELLIN, Sabit ABDYLI, Zelande e Re

Filed Under: Mergata Tagged With: darke me ambasadorin Kicmari, Mergata Shqiptare, NE ZELANDEN E RE

Prof. Sami Repishti i shkruan Letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

February 6, 2016 by dgreca

Zonja dhe Zotënij, Quhem Sami Repishti, qytetar i lirë i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, me origjinë shqiptare, për të cilën jam kryenalt. Jam arratisë nga Shqipëria në gusht 1959 (mbas nji burgimi dhjetëvjeçar) për papajtushmeni me parimet dhe praktikën e qeverisë së ish-Partisë së Punës së Shqipërisë.
U detyrova të largohem nga atdheu, por ruejta dhe ushqeva dashuninë për “Nanën Shqipëri”, të dhanun nga dy prindët e mi që paguen çmimin ma të naltë: baba im ra viktimë e terrorit fashist italian, dhe nana e ime u dërmue në kampin famëkeq komunist të Tepelenës, së bashku me motrën e vëllaun akoma të parritun. Por Shqipëria, viktimë e tri diktaturave të shekullit 20, mbetet gjithëherë “vendi i shenjtë” për mue.
Ashtë me këtë frymë që mora inisiativën me ju drejtue sot anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e me shfaqë shqetësimin tim të pakufishëm për nji zhvillim sa të papritun, aq edhe të pafalshëm. Në emisionin shqip të Zërit të Amerikës (VoA) të datës 25 janar 2016, ndigjova shprehjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në lidhje me shqetësimin e tij rreth nji orientimi të mundshëm, dhe thellësisht të gabuem të mbylljes me kyç nga organet e “drejtësisë” shqiptare të dosjeve dhe çështjeve të ndryshme… “Dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vjet që mbeten pa u hapur dhe pa gjykuar.
Ligji për hapjen e dosjeve, ndonëse dhe i paplotë, ende nuk ka filluar të zbatohet. Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund të jetë, dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit”. Ai shtoi se “… hetimi dhe dënimi i krimeve të komunizmit janë të lidhura me sigurinë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik”.
Presidenti Nishani foli edhe “për provokacione të papranueshme”: “E quaj të papranueshme, -deklaroi ai, … tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë në Drejtësi për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit.
Nga kjo trevë dhe tokë martirësh, u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë të refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë”. E pabesueshme! Sinqerisht e pabesueshme! Kush ka frikë nga hetimi, zbulimi dhe dënimi i krimeve komuniste në Shqipëri? Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të vitit 1992, kur kryetari i Kuvendit kërkoi nga deputetët të ngrihen për nji minutë heshtje në shenj respekti për viktimat e shumta të komunizmit në Shqipëri, asnji deputet socialist nuk u ngrit në kambë.
Imazhi i kësaj skene sa primitive, aq edhe ofenduese, nuk më hiqet asnjiherë nga mendja. Në vitin 1996, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi Rezolutën Nr.1096: “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare-komuniste”. Kjo “Rezolutë” në Shqipëri as që u publikue fare, dhe mediat tona të asaj kohe nuk e panë të arsyeshme me e botue.
Në vitin 2006, përsëri, u aprovue nga Këshilli i Europës Rezoluta Nr.1481: “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare-komuniste”. Në lidhje me këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi: “Rezolutën për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Deputetët socialistë dolën nga salla pa votue(!) Në vitin 2010, nji delegacion i OKB-së kërkoi nga Shqipëria të dënonte krimet e komunizmit në Shqipëri.
Lajmin nuk e dha asnji burim informimi shqiptar. Më 14 dhetor 2010, u paraqit nji kërkesë për nji Gjykatë Ndërkombëtare për dënimin e krimeve komuniste nga ish-vendet komuniste. Vetëm Shqipëria nuk firmoi “kërkesën”. Shqipëria ashtë me të vërtetë “vendi i çudirave!” Edhe data “23 gusht” e caktueme me Rezolutë të Parlamentit Europian si Dita e Përkujtimit të Viktimave të Deportimeve, Masakrave -akte të cilësueme si “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”- shkon e vjen çdo vit pa asnji ceremoni përkujtimore me karakter zyrtar.
Viktimat e vdekuna mbajnë heshtjen e përjetshme, ndërsa viktimat që akoma gjallojnë nga vuejtjet e mëdha kanë humbë aftësinë e tyne të shprehjes, të denoncimit, e dënimit të krimit e të kriminelit….!
Kumbona e alarmit në Koplik të Malësisë së Madhe, që u dha nga Presidenti i Republikës –simbolikisht në përkujtimin e 71-vjetorit të “kryengritjes së Malësisë së Madhe”- ashtë jashtëzakonisht shqetësuese! Njohja dhe demaskimi i krimeve të kryeme, dhe paralelisht me ata edhe respekti për viktimat e pafajshme të këtyne krimeve, janë dy aspekte të së njëjtës monedhë: natyra dhe pesha e përgjegjësisë sonë, si dëshmitarë të kësaj tragjedie thellësisht njerëzore dhe rranjësisht kombëtare, ashte nji problem ekzistencial për të gjithë njerëzimin e ndershëm, problem që ka karakter politik e personaldhe fetar për ata që besojnë! Këtu kemi të bajmë me “…një terrorizëm shtetror të markës shqiptare”(B. Shehu) Pavarësisht nga përpjekjet e “propagandistëve” të pakurueshëm, që nuk pranojnë këtë fakt të qartë si drita e diellit, e që nuk tregojnë asnji interesim me dëshmue rrjedhimet shkatërruese të atij regjimi gjakatar që përjetojmë edhe sot, duhet pranue se shkalla e krimeve komuniste ka arrijtë në pikën ku mund të cilësohen si “krime kundër njerë- zimit” të dënueshme nga legjislacioni ndërkombëtar.
Këto përpjekje të “propagandistëve” nuk kanë qëllim tjetër veçse me largue vëmendjen e popullsisë shqiptare nga e kaluemja, sa ma gjatë që të jetë e mundun… deri sa t’i mbulojë harresa. Me nji zhvillim të këtill ndërgjegjet tona do të mbeten të njollosuna; si rrjedhim, pamundësohet integrimi i jonë në Botën e Lirë, si qytetarë të lirë, që na synojmë. Ky zhvillim duhet të shërbejë dhe për zbulimin e nji aspekti të vendit tonë, në nji kohë të caktueme…!
Si ashtë e mundun që i kemi lejue vetes, si shoqëni shqiptare, me zbritë kaq poshtë? Si ashtë e mundun që politika e vendit tonë ashtë degjenerue deri në nji shkallë, sa të pranojë “propozime” të këtilla? Si ashtë e mundun që rinia shqiptare, sidomos ajo e shkollueme mbrenda dhe jashtë vendit, nuk ka gjetë akoma forcën e nevojshme me veprue kundër nji atmosfere ku e keqja nuk dënohet, ashtu si e meriton?
Shkalla e pafytyrësisë që karakterizon “tendencën” me përfshi në Kushtetutën e Shqipërisë nji “nen”… “që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit” kalon çdo kufi moral dhe ligjor. E para, kush ashtë ai ose ajo që ka të drejtën me “falë fajin” e kryem nga kushdo qoftë, kur ai ose ajo nuk ka qenë viktimë e krimit komunist?
Kush ashtë ai ose ajo që ka autoritetin moral me falë e me vendosë në emën të mijëra të pushkatuemve në gjyqe false ose pa gjyq fare, në emën të ma shumë se 26.000 të burgosunve politikë; në emën të ma shumë se 50.000 pleqve, grave e fëmijëve të dëbuem e të internuem për 45 vjet me rradhë në zonat ma të vështira të vendit, ku u mbyllën fëmijtë e fëmijëve të qoftë ish-personaliteteve politike kundërshtare të regjimit komunist, qoftë ata të arratisunve të thjeshtë, e qytetarë të pafajshëm?
Me “falë fajin” pa marrë parasysh qindëra-mijëra qytetarë të “Republikës” të shpronsuem, të rij e të reja me arsim të mohuem, ish-pronarë me banesa të sekuestrueme arbitrarisht… dhe nji popullsi e tanë që jetoi dekada të gjata me bukë të racionueme e mungesa ushqimore të përditshme, kufoma lëvizëse në sheshet e qytetit dhe rrugët e fshatit, të frikësuem deri në palc nga kërcënimet e pandërpreme të “Nanës Parti” dhe të legjoneve famëkeqe të Sigurimit të Shtetit?
E dyta, si ashtë e mundun që nji “nen i Kushtetutës” të aprovohet në nji sistem ku Kushtetuta ashtë ligji themeltar i vendit, dhe esenca e këtij ligji ashtë mbrojtja e jetës dhe lirisë së qytetarëve? Me nji fjalë, të mohohet e drejta e qytetarit të lirë me hetue, me u ankue, me denoncue krimin, e me kërkue drejtësi nga organet shtetnore për krimin e kryem? Nji tendencë e këtill ashtë absurde në formën e saj dhe perverse në substancë!
***
Zhvillimi i ngjarjeve në “kampin socialist” mbas L2B ka vërtetue se me qenë nji ish-i persekutuem nuk do të thotë garanci se nuk do të persekutosh të tjerët. Shumë nga udhëheqsit komunistë ndërkombëtarë kanë kalue nëpër persekutime, dhe me “fitoren” e tyne kanë persekutue të tjerët me dhunë, kanë mbushë burgjet, e kanë vendosë regjimin e terrorit.
Nji klasë e re e privilegjueme ka ardhë në fuqi dhe ashtë mbajtë me dhunë …por ka dështue në krijimin e nji shoqënie të re që trajton të gjithë qytetarët me dinjitet, tue mbjellë kështu farën e vetëshkatërrimit! Koncepti “diktaturë ma parë, nevojat jetësore ma vonë” ashtë nji koncept që korrupton natyrën e njeriut. “Nostalgjikët” në çdo vend ish-komunist, sot të pasunuem arbitrarisht, do të vazhdojnë me mbajte nji gjendje të tensionueme me konflikte, padrejtësi, korrupsion e mjerim… dhe mundësisht me diktatorë të rij!
Dhe kjo mjafton që vendi i jonë të mos ngrihet kurrë në kambë me nji shoqëni civile të ndërgjegjshme për rolin e saj: nji shoqëni e njerëzishme, tolerante, e përmbi të gjitha, jo e dhunshme: “qytetarin” pjesëmarrës e “qytetarinë”! Koncepti i qytetarit përmban pjesëmarrjen koshiente në jetën shoqënore e politike të vendit; pjesëmarrja ashtë pengesa kryesore në luftën kundër diktaturës dhe ideologjive totalitare.
Pjesëmarrja koshiente lufton sundimtarët e këqij dhe shërbëtorët e tyne me pagesë, lufton atmosferën ku ata mashtrojnë veten, dhe nuk lejon përsëritjen e së kaluemes. Nëse e kaluemja kishte në esencë nji element tragjik, përsëritja e saj tek ne do të ishte vetëm nji komedi fatale! Mbetet vetëm shpresa! A mund të na vjedhin “shpresën” e na të rrijmë indiferentë? – shkruente nji mendje e ndritun këto kohët e fundit.
E vazhdon: “A mundet të na mashtrojnë dhe të mos shqetësohemi? Si do të dalim nga kjo gjendje? …Si do të zhdukim anormalitetin e politikës? Si t’u kthejmë njerëzve shpresën për të ardhmen? Unë mendoj se tani ka ardhë koha që të bëhet një përpjekje e re me sjellë ndryshimin…”(A. Starova) Ky ashtë ndërgjegjësimi, hapi i parë i zgjidhjes.
Njeriu duhet të jetë koshient dhe i bindun për drejtësinë e kauzës që mbron, para se të aktivizohet… që ashtë hapi i dytë. Paralajmërimi i Presidentit të Republikës ashtë shumë shqetësues! Po të vërtetohej, kjo “andërr e keqe” do të përbante nji nga turpet ma të mëdha në historinë tonë kombëtare. Do të ishte nji njollë e pashlyeshme për të gjithë neve të rezistencës antikomuniste.
Edhe të vdekunit, nga varri do të protestojshin këtë padrejtësi monumentale. Tashti, ajo që mbetet nga sulmi pro-komunist ashtë kërkesa për riarrestimin tonë, të gjithë neve, “për fajet e së kaluemes”.…e të mbushen burgjet përsëri….me viktimat e së djeshmes tragjike! Jetojmë në botën e absurdit? Me të vërtetë jemi jashtë aftësisë sonë me perceptue nji monstruozitet të këtill!
Sinqerisht i juaji,
Sami Repishti, Ph.D.
Pedagog në pension Ish-i burgosun politik (1946-56)
Aktivist për të drejtat e njeriut

Filed Under: Opinion Tagged With: deputetëve, Letër të hapur, Prof. Sami Repishti i shkruan, TE KUVENDIT, te Shqiperise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT