• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2016

PAR-TITO-KRACIZMI POLITIK ME PARAVEPRIME DHE NGJYRA PLURI-PAR-TITISTE

February 5, 2016 by dgreca

Shkruan: Isuf B.Bajrami/
Në Kosovë mund të flitet për pluripartitizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur pluripartitizmi politik të mos prezantohej alla-kosovarçe.
Pluripartitizmi merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i par-tito-kracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës.
Një nga tiparet universale të pluri-par-titistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive pluri-par-titiste.
Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e jetës sociale. Par-tito-kracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të par-tito-kracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.
Më duhet të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në par-tito-kraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Reagensi i par-tito-kracisë identifikohet fillimisht tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në e së kaluarës.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!!
Këtu batuta për shkërdhato-kracinë e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinisto-hrushqoviano-titiste .
Për të përqafuar me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse pluri-par-tito-kracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit stalinisto-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste në mënyrë shabllone.
Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i pluri-par-tito-kracisë post totalitare komuniste.
Kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore. Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.
Thelbi i sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.
Dialogu është kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.
Demokracia do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizimi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra,në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ, organ apo parti, askush s’mund të jetë bashkësubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor.
Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit-populli. Sikurse ekonomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje për të fituar , ashtu edhe politikanët konkurrojnë për pushtet në “tregjet politike”apo të quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli si në komunizëm.
Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të akt-veprimeve politike. Arsyetimi i akt-veprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (tele-politikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.
Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku do të debatohej mbi legjitimen dhe jolegjitimen.
Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.
Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike,etj.) dhe tele-publikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit.
Qytetari, posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe tele-politikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo politik-bërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një tele-publik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi, këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektual-izma, simbole, fraza jo-substanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.
Megjithëkëtë, mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës tele-politikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje.
Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku.
Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.
Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike para-demokratike.
Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Isuf Bajrami, PAR-TITO-KRACIZMI, PLURI-PAR-TITISTE, POLITIK ME PARAVEPRIME DHE NGJYRA

Lotët dhe ngujimi në telenovela

February 5, 2016 by dgreca

Shkruan:Saranda R.Shala/
Serialet turke,italiane,spanjolle, arabe,indiane, viteve të fundit kanë arritur të pushtojnë grupmosha të ndryshme.Nuk shikohen vetëm nga shtëpiaket por edhe fëmijët janë të prekuar nga këto telenovela.Ato tashmë janë bërë pjesë e jetës së çdo familje shqiptare.
Në çdo serial nuk sheh tjetër përveç transmetime të emocioneve e ndjenjave të ndryshme,nga ato të xhelozisë,tradhëtisë,urrejtjes,ngrohtësisë,dashurisë e çfare nuk do të gjeni tek to.
Përvec ndikimit negativ duke transmetuar kultura orienti,turke,arabe,etj. Këto seriale përvec argëtimit, janë shqetësuese për vet faktin që tregojnë vlera të ulta edukative, pseudoartistike,të stërngarkuara emocionalishtë.
Ngjarjet të cilat plasohen nëpërmjet protagonistëve dhe personaheve që luajnë,kanë bërë që pjesa më e madhe të mos dinë të dallojnë atë se cfare është imagjinative dhe reale.Kjo ndikon po ashtu dhe në jëtën e përditshmë,sa njërëzit fillojnë të imitojnë sjelljen e tyre duke dalur plotësishtë nga vetja.
Fillojnë të bëjnë tamam jetë seriali,të vishën,të kërkojnë jetë luksoze,të ndahen të bashkohen,të gjejnë dashuri pasionantë sic ndodh aty,e nganjherë tek disa çifte mund të vij dhe tek ndarja,pasi këto seriale mund t’ju sjellin dhe nostalgji per dashuritë e humbura.
Telenovelat e tilla bejnë personin me pak aktiv në jetën shoqerore.Shfrenimi pas tyre është vrastar i kohës,ngujohen brenda mureve duke u shmangur me jetën reale.
Nëse ju rastis të jeni të pranishëm aty ku shikohën telenovela,në komentimin dhe komunikimin i cili bëhet nga shtëpiaket, mund të plasin dhe të qeshura. Nganjëherë përvec lotëve,fillojnë të mallkojnë personazhet.
Ne si popull jemi munduar gjithmonë t’i ikim kulturës turke,pasi që me shekuj kemi vuajtur imponimin e tyre.Më e mira do të ishtë që mediet tona të sjellin seriale vendore dhe të promovojnë vlera kulturore shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lotët dhe ngujimi, në telenovela, Saranda R. Shala

Pritje dhe takime të ngrohta për delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Washington

February 5, 2016 by dgreca

nga Washington D.C Beqir SINA/
Kosova me fat, që kishte ka shumë miq në Amerikë ! – Shqiptarët e Amerikës me kontribut historik në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!/
WASHINGTON D.C: Në kuadër të vizitës, këto ditë në Washington D.C: delegacioni nga Kosova është pritur me nderime të larta dhe i është rezervuar një pritje mjaft ngrohtë nga ata që njihen mitë e mëdhenjë të shqiptarëve në Amerikë, në takime pune me personalitete të ndryshme si Kongresmen, Senator, Ushtarak dhe diplomat të ndryshem.
Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës në këtë event të udhëhequr nga Presidenti Obama, ku morën pjesë rreth 3200 mysafirë, nga mbarë nga 130 vende, deputetët e pozitës Adem Grabovci, Armend Zemaj, Besim Beqaj, Flora Brovina, Enver Hoxhaj dhe Teuta Rugova, u kan shprehur faleminderimet dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës miqve amerikanë në SHBA.
“Nëse ka pasur një Mëngjez Lutjeje, që ia ka vlejtur në veçanti, ka qenë pikërisht ky i sotmi”, ka thënë për gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria”, Lazim Destani, president i komapnisë së njohur ndërkombëtare, ECOLOG, i cili ishte pjesëmarrës në këtë ngjarje të madhe.
“Presidenti Obama, praktikisht ka shqiptuar sot mesazhin që tradita shqiptare e harmonisë ndërfetare ka shqiptuar prej shekujsh”, shkruan Illyria sot, duke cituar biznesmenin Destani duke shtuar “Si shqiptar u ndjeva krenar që udhëheqësi i aleatit tonë më të madh promovon të njëjtat vlera që ne i mbajmë të shenjta”.
Në këtë Mëngjez Kombëtar të Lutjes, ashtu si edhe në vite të tjera, kanë qenë të pranishëm edhe disa politikanë shqiptarë nga rajoni.
Ndertimi i marrëdhënjeve të mira mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës , rritja dhe bashkpunimi i ndersjelltë tema të diskutimit në të gjitha takimet, duke treguar edhe një herë se Kosova ka një mike të fortë SHBA dhe popullin amerikan, ku një rolë dhe kontribut të jashtëzakonshëm – pa tjetër që kan shqiptarët e Amerikës.
Meqënse jemi në prag të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sjell me këtë, rast një dokument të publikuar në rrjete sociale nga Ilir Zenku, ku tregohet se çfarë kontributi të madh kan dhënë shqiptarët e Amerikës për pavarësinë e Kosovës
Këto dokumenta që janë publikuar këto ditë nga bisedat telefonike mes President Bill Clinton dhe Tony Blair dëshmojne sa fat kemi pas që këta dy ishin në pushtet në kohën e luftës në Kosovë, shkruan në statussin e tij në rrjetin social “Facebook” Zenku.
Ai thotë :” Mund të shikoni si bashkëpunojne të bindin udhëheqësit e tjerë botëror, si bashkëpunojnë të menaxhojnë Rusinë, sa kohë i dedikohet çështjes të Kosovës në këto biseda në krahasim me çështjet e tjera… Presidenti Klinton në një moment i përmend Kryeministrit Toni Bler si në Detroit i ishin mbledhur 40,000 Shqiptarë në protestë për presion me kërkesa për intervenim në Kosove. Biseda shumë interesante dhe leksion për të gjithë ne që duhet t’a meritojmë e ndertojmë lirinë. Ky angazhim nga SHBA dhe Britania e Madhe nuk besoj që mund të përseritet” shkruan Zenku.

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Delegacioni i Kosoves, pritje ne Washington

Mendime të shkruara në skaj të vetvetes

February 5, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
Zakonisht të papriturat e vitit, kur nuk ndodhin vijnë vetvetiu në dhjetor. Dhe mua kështu më ngjau me këtë student të filmit dhe të sociologjisë, që i kryen studimet në Stamboll. Botoi librin e parë (2013), romanin me një përkushtim të madh ndiesor «Fluturat». Dhe tani nga mesi i dhjetorit erdhi me «Aforizmat» e tij. Mund të mos ndodhte kështu, por Roland Spahiu, ky shkrimtar në moshë mjaft të re ka hedhur vërtet një hap të madh, duke u paraqitur tashmë me «Aforizmat», gjini e vështirë dhe me një theks autoritar mendimesh e filozofie.
Teksa lexon aforizmat e tij, nën sfondin e muzikës klasike dhe tingujve të pianos, gjen veten dhe thellohesh në botën e mendimeve, aty ku mund të ngresh zërin e protestës dhe të ndjesh afshin e tokës, të barit, trokitjet te porta e shtëpisë, të marrësh pjesë në debat dhe të hedhësh dritë mbi gjithçka që të rrethon. Mendimi i tij është vërtet i pjekur dhe e tërë bota sillet rreth e qark egos dhe superegos, një filozofi e pastër, që mbart shqetësimin dhe nervin e përjetimeve të thella.
A mbarojnë ndonjëherë problemet e mëdha të kësaj bote? A sjellin dritë të plotë ato mendime për shpirtrat njerëzorë? A i prekin hallet e njeriut të thjeshtë? A i këndojnë ato dashurisë? Apo mendimet e Rolandit mbyten brenda gotës me ujë dhe kthehen sërish andej nga janë nisur? Ndoshta dikush mediton nën dritën e qiririt nën reflekse të forta. Mbase gjejnë pak qetësi nga tronditja e madhe që pëson në udhë e sipër prej fatit të keq, apo rastësisë së bukur. Mbresat e këtyre mendimeve janë të forta, herë akullohen si bryma mbi gjethen e pemëve, apo mbi bar, herë braktisen e lëndohen krejt papritur. Siç mund të ndodhë realisht në jetë, ky mendim i koncentruar ngre probleme të mëdha ose
drejton vëmendjen njerëzore pikërisht ndaj këtyre problemeve.
Në sitën meditative të shkrimtarit janë familja, shkolla, edukimi, morali, shkenca, besimi, ndjenja, arsyeja, ligji, të papërmbajturit, situatat e larmishme, shpirti, halli, ndrojtja, gëzimi i pakufishëm, urrejtja, nacionalizmi, dashuria për atdheun. E plot të tjera pa fund. Ti i dashur lexues ke dëshirën t’u kthehesh sërish po atyre mendimeve, për t’i parë ndoshta në një dritë të re, për të ecur një copë udhë së bashku me meditimin e tjetrit, me fabulën që ai ka zgjedhur dhe… gdhend në shpirt dëshirën për t’i pasur pronë të tuat ato mendime e sjellje. Sepse nuk janë thjesht mendime dhe aq, por janë edhe dëshirë gati e papërmbajtur që të jenë edhe veprim, sjellje në gjithë përditshmërinë e njohur e të
panjohur.
Në aforizmat e tij Roland Spahiu ka përqendrime mendimesh e refleksionesh të zgjuara dhe befasuese, herë veshur me velin e ftohtë të mjegullnajës që mbulon të vërteta e pamohueshme, herë bëhet cerebral dhe i bie drurit për ta prerë me një të rënë të sëpatës. E kam zili, vërtet. Sepse në çdo hap e shoqëron panda një hije serioziteti dhe vështrim prej burri të pjekur. Ky ndoshta është dhe sekreti i madh i aforizmave. E lakmojnë forcën e fjalës, hijeshinë e frazës dhe pse jo edhe nëntekstin figurativ. Se, në vetvete ato kanë një tis poetik të këndshëm, befasi të fuqishme dhe shumë dritë. As që mund të kuptohen ndryshe. Pra, s’mund të shkruhen pa frymëzim dhe fuqinë e një burri. Aforizmat o janë shkruar nga penat më të fuqishme në botë, ose janë zgjedhur mendimet pikante nga veprat më të mira të këtyre autorëve të mëdhenj. Në të gjitha rastet janë kujdesur të tjerët për të hulumtuar veprën e shkrimtarëve, filozofëve, poetëve,
psikologëve, njerëzve të shquar në fushat e ndryshme të sportit, artit, kulturës, politikës etj. Lexon mendimet e fuqishme të Roshëfokosë, gjeniut të madh frëng, që me veprën e tij «Mendimet» mbeti i përjetshëm në historinë e mendimit njerëzor. Por lexon aforizmat e Niçes, të Uajlldit, Shopenhauerit, Kafkës e të shumë të tjerëve dhe gjen brumin e jetës. E krahasuar me këto pena të fuqishme e aq të njohura ti mendon e thua që ku e gjen guximin ky djalosh që përvesh mëngët, hedh mendimet e tij pa u shqetësuar fare dhe u thotë njerëzve të vërtetat që i ndien dhe
i sheh, i ngacmon dhe u bën karshillëk, sepse bota tashmë e ka ndryshuar fizionominë e saj, nuk është më ajo e para… Mos vallë i vijnë sinjale të çuditshëm që e bëjnë të hedhë në letër refleksione interesante, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, të përmbyllë ide me bazament të fortë, madje të ngrihet edhe mbi të tjerët dhe ta përplasë grushtin fort, kuptohet nëpërmjet mendimit që shkruan.
Nuk janë mendime të shkruara natën vonë, as të mbështjella me tisin e zi të saj, por mendime plot dritë e përkujdesje. Kanë rrezatim të butë? Kanë ildisje? Apo janë lënë ashtu të çaprashitura, të mbështjella me lëvozhgën e zakonshme që të mos dëmtohen gjatë rrugës. Asgjë e shfryrë dhunshëm veçse ngrihen në këmbë pa asnjë mundim dhe, madje, me elegancë. Nuk ka asgjë të shprehur përbuzshëm, as mendime që të tingëllojnë si njëfarë urdhri i fshehtë. Rolandi shkel me kujdes kudo që shkon. Shikon tej një dritë dhe atje i mban sytë. Ai ndriçim i largët i pëlqen, pa harruar se shkel kudo mbi gjemba, mbi shkorreta, mbi lagështinë e pellgjet e plakura, por që i kapërcen me vetëdije të kulluar.
Jo, nuk merret fare me hollësitë e subjektit që i përkushtohet, ai merret me farën, të mos jetë hibride, por autoktone e mbi të gjitha e tij, burimore, të mos e ketë thënë dikush tjetër, tek e fundit të mos tingëllojë keq, të ruajë në peshore qetësinë, pa e lënë mënjanë paqen e brendshme, dashurinë, shpirtëroren, frymën, ngrohtësinë, që fjalët të mos mërdhijnë. E vërteta është se autori vuan, pëshpërit sa andej këtej, mbledh forcat dhe ia hyn punës me njëfarë force që të duket se po të ngre peshë: jeton me çastin, krahason, ngre lart përshtypjen, zgjedh fjalën e duhur, e prish,
hulumton më tej, i vjen ndërmend një mendim tjetër dhe e lë pak mënjanë këtë që s’po fiton dot autoritetin e duhur…
Është i besës Rolandi. Së brendshmi i ngrihet një zë a një jehonë e largët i tingëllon dhe ai e ndien dhe pret. Çfarë pret? Mos vallë pret që ideja t’i hapet krejt, t’i flasë çiltër, të dashurohet marrëzisht pas vetvetes, të dëshpërohet apo t’i përgjigjet prerë? Bëhet papritur lojcak, ashtu siç e ka natyrë njeriu kur hyn në botën qiellore të mendimeve dhe del e thërret te pragu i derës të tjerët, t’i vijnë afër dhe të mbajnë vesh. Me zërin që i dridhet paksa ai të ngjan se i drejtohet gjithë botës pa kufi, nuk e ka thjesht me shqiptarët, ndonëse shpesh gjuha vete ku dhemb dhëmbi dhe merret disa herë me nacionalizmin e fqinjëve, me përmasat ireale të tij, me ngasjet luftënxitëse. Mendimet e Rolandit nuk mbeten kurrë një vegim.
Gjithashtu, një e vërtetë tjetër është se Roland Spahiu, ky djalosh, por me mendime plaku nuk shëtit në humbëtirat rreth e qark, nuk rraset diku në një qosh dhe aty mbledh mendimet pikante të të tjerëve, jo. Ai hap rrugën, e pastron o nga dëbora, o largon ngricën prej saj, heq edhe shkëmbinj që kanë rënë papritur e pakujtuar, pastaj mbështetet diku i lodhur, mund të jetë kjo edhe një kafene fshati ndanë kësaj rruge dhe ashtu, gjysmë dremitur, ndez flakën në shpirt, përtyp mendime, sheh fillin e një mendimi të ri, sapodalë nga «furra» e nxehtë dhe vështron tej në largësi të paarritshme. Nuk degdiset nga rruga e tij, ndjen se mendimi i tij është shprehur dhe atij procesi të bukur i vë një
emër, ashtu si i vjen dhe ashtu si e gjykon atë çast. Prandaj dhe krijimtaria është e bukur, pse është kaq e mundimshme. Ndryshe nuk do të kishte art dhe pëlqyeshmëri të tij. Kushdo prej nesh që lexojmë mendimet e këtij djaloshi tashmë të pjekur mund t’i themi fjalë të ngrohta, madje mund ta mbulojmë pak se e ka zënë gjumi në karrige dhe aty ndoshta duke ëndërruar. Pa ëndërrim s’ka mendime. Falënderimi ynë ngrihet mbi thjeshtësinë e shkrimtarit, mbi lodhjen e tij, mbi ëndërrimin dhe lakmojmë të kuturisemi në ndjenjat dhe refleksionet që na sjell, mbuluar me heshtjen dhe mbështjellë me tharmin elegant të gjetjes.
Ne e shohim entuziazmin e fshehur të Roland Spahiut dhe sikur na ngre pak nervat, na shtyn të mendojmë se përse na hidhet kështu degë më degë dhe befas futet në shtrofkën e tij. Aty, si në jetën e një eremiti, nuk vijnë gra të veshura me shije të hollë, aty nuk hyn jeta e velur dhe e ngopur, aty s’ka sensacione, aty fshihen ca feksje të mahnitshme, ca gurë të ndritshëm rubini, çajnë hyrjen ca rreze misterioze drite dhe rrethuar nga ajri i vetmisë (vetmi tronditëse) që mbruhen si ide dhe hidhen pastaj në letër me nuhatje të hollë, me ndjesinë e fortë në luftën gjallë a vdekje.
Tronditja bëhet e afërt, e ndritshme, sikur vezullon, nganjëherë edhe e përftuar si plagë e freskët, paksa e mahisur dhe me buzët flakërimë, si të thuash djegur e përvëluar nga hija e brendshme e seriozitetit. S’ka gallatë aty. As mendime të stisura, por ujë i kulluar burimi për ta ruajtur pastaj në shishka të vogla e për t’ua dhënë njerëzve në nevojë, si shishka me ujë të bekuar. Le t’i pinë njerëzit, se ulin temperaturën, atë, temperaturën e rrezikshme, të brendshme e të fshehtë. Mendimet e Roland Spahiut, përmbledhur në aforizmat e titulluara «Gjenocid i hirtë» ngrenë shqetësime dhe kësisoj duken si re të shqetësuara bojëhiri që enden sa andej-këtej, pa mundur të gjejnë dot një skutë të qetë në hapësirën e bukur e të madhe. Shqetësimi bojëhiri duhet i mahisur vende-vende, pak si plagë të kuqërremta, për syrin që i sheh duken si ato lungat që dalin aty-këtu në një fytyrë të trazuar nga lodhja e brishtë. Ato duhen hequr patjetër se të shëmtojnë.
Po më e mira do të qe që ato të liheshin pak ashtu, në pritje që të zinin qelb dhe pastaj të shtrydheshin fort derisa të largohej duke u shtrydhur gjithçka, madje duke zhdukur edhe shtratin e tyre. Lungat e mendimit. Lëngata e shpirtit. Drita vjen pas mundimit… Këtë ka bërë edhe Rolandi. Faqja e shqetësimit është e pastër. Ne na vijnë mendime të shqetësuara vërtet, por ama të pastra, të kulluara. Aforizmat e Roland Spahiut kanë nerv, jo nervozizëm. Ato kanë tension dhe madje shprehen me tension, jo rrëmujshëm. Thjesht përshkruhen me qetësi, bile mund ta quash edhe qetësi magjike. Ato shprehin keqardhje për të vërtetat e tronditura keq, pikojnë lot ngadhënjimi, lëshojnë pe ndaj trishtimit, marrin në mbrojtje vuajtjen njerëzore, shprehin admirim për të bukurën dhe artin, shkencën, dritën, guximin, fatkeqësinë… I lexon ato mendime të kulluara dhe kurrë nuk të shkon mendja se i ka thurur një djalosh i brishtë, i cili gati thyhet para botës rrethuar nga uria, egërsia dhe madhështia e shtirur, nga potenca e mbivlerë,
mashkulloriteti harbut dhe herë-herë edhe nga feminiteti i tepruar. Kjo botë që po shemb vetveten ka përkujdesjen e kësaj dore të hollë, drithmëtare, lënguese dhe me fijet e holla të kujdesit ildis mendime të tejdukshme se si ta ndreqë, si t’ia mbyllë plagët dhe të bëhet gjethe tatulle përmbi to. Ne do t’i kemi pranë vetes këto mendime dhe do të ecim gjer në fund të rrugës sonë të përbashkët njerëzore…
Tiranë, më 09. 01. 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: mendime, në skaj të vetvetes, të shkruara, Xhevair Lleshi

Kosovë, ish-punëtorët në ditën 620 të grevës

February 5, 2016 by dgreca

-Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi takon përfaqësuesit e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt/
PRISHTINË, 5 Shkurt 2016-B.Jashari/ Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave në Ferizaj sot janë në ditën e 620-të të grevës në një tendë në Sheshin Skenderbeu në Prishtinë, pranë ndërtesës së qeverisë së Kosovë
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi dhe anëtari i Bordit, Ismail Januzaj, u takuan me përfaqësues të ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave IMK në Ferizaj.
Njoftimi i dërguar nga AKP bën të ditur se, në këtë takim përfaqësuesit e ish-punëtorëve të IMK-së e njoftuan Kryesuesin e Bordit me kërkesat e tyre.
“Kryesuesi i njoftoi përfaqësuesit e ish-punëtorëve që Bordi i Drejtorëve për shkak të kohës mjaft të shkurtër dhe axhendës së ngjeshur nuk ka arritë ende të trajtojë këtë çështje, mirëpo është në proces të njoftimit me rastin dhe se do ta trajtojë me prioritet”, thekson komunikata e AKP.
Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave në një njoftim për media kanë theksuar se kërkojnë zbatimin e vendimit të gjykatave, sipas të cilëve u njihet e drejta e kompensimit për vitet sa kanë qenë të dëbuar nga puna gjatë masave të dhunëshme në vitet e 90-ta të okupimit.
“Kërkesë e jona e vetme është që Bordi i AKP-së të marr vendimin për lejimin e mjeteve të nevojshme për pagesën e borxhit, sipas Udhëzimit të Dhomës së Posaçme të datës 30 maj 2014 dhe datës 13 qershor 2014”, thuhet në njoftimin e ish-punëtorëve .
Sipas ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave, pagat që duhet t’u kompensohen arrijnë vlerën më shumë se 25 milionë euro. 900 punëtorët e fabrikes janë dëbuar nga puna në vitin 1990 ashtu si janë dëbuar shqiptarët nga regjimi okupues serb edhe nga të gjitha ndërmarrjet e institucionet e Kosovës. Gjykata Komunale e Ferizajt në vitin 2002 vendosi që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen, ndërsa në vitin 2010 Gjykata Kushtetuese e Kosovës obligoi qeverinë e AKP-në që për largim të padrejtë nga puna t’i dëmshpërblehen punëtorët.
Në procesin e privaizimit të ndërmarrjeve shoqërore, Fabrika e Gypave në Ferizaj është shitur për 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007.
*Foto Gazeta Dielli: Tenda e greves

Filed Under: Kronike Tagged With: 620 të grevës, Behlul Jashari, ish-punëtorët në ditën, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 91
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT