• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Kaloi në amshim Victor Ruffy homos politicus i Zvicrës dhe mik i Shqiptarëve

March 22, 2016 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Një miku ynë i përbashkët na kumtoi lajmin se ndërroi jetë në Lozanë Victor Ruffy, Doktor i letrave, homos politicus, ish-deputet i Parlamentit të Zvicrës dhe Mik i shtrenjtë i Shqiptarëve.

Ishte një lajm shumë i hidhur për ne. Nga ato lajme që njeriu nuk dëshiron kurrë t’i dëgjojë. Aq më tepër për Victor Ruffy-n i cili gjithmonë ka qenë i uruar, i bekuar dhe me plot mirënjohje prej shqiptarëve.

Zoti Victor Ruffy ka qenë një politikan zviceran me emër. Deputet i Parlamentit të Zvicrës prej 1982 deri në 1999 dhe një përkrahës i zjarrtë i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, diasporë e kudo.

Victor Ruffy vinte prej një familje shumë të njohur që ka dhënë burra shteti dhe që kanë kontribuar me breza në krye të Konfederatës Helvetike.

Ai kishte ndjekur gjurmët e të parëve.

Stërgjyshi i tij, Victor Ruffy, nga ai e trashëgoi emrin, kishte qenë Këshilltar Federal dhe zvpresident i Zvicrës, ndërsa gjyshi i tij Eugène Ruffy edhe ai po ashtu Këshilltar Federal dhe President i Konfederatës.

Kur e pyetëm një herë nëse dy djemtë e tij a e kishin vokacion politikën, ai na tha duke vënë buzën në gaz jo, por nga kjo familje padyshim gjithmonë dalin koka të mëdha për këtë vend.

Victor Ruffy ka lindur në 1937 në Bernë. U angazhua në politikë pranë Partisë Socialiste Zvicerane duke u bërë anëtar i Parlamentit prej 1982 deri më 1999. Në 1992 zoti Ruffy u zgjodh kryetar i Parlamentit të Konfederatës, ndërkohë që për një kohë ka drejtuar Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë  dhe për dhjetë vite rresht ka kryesuar delegacionin zviceran pranë  Këshillit të Evropës.

Prej kësaj kohe ka nisur lidhja e tij me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët.

Njohja dhe miqësia jonë me të daton me përmbysjen e diktaturës, kur zoti Ruffy do të kryesonte delegacionin nga Këshilli i Europës që mbuloi zgjedhjet e para pluraliste. Në Këshillin e Europës, ai do të vihej në krah të Shqipërisë e shqiptarëve.

Në memorian tonë ka mbetur i pashlyer roli i tij në Strasburg në vitin 1995, kur opozita shqiptare, pjesë e delegacionit shqiptar, kundërshtonte hyrjen e Shqipërisë në KE. Merreni me mend, deputetë të parlamentit të Shqipërisë mbanin në Strasburg fjalime që villlnin vrer për mos-hyrjen e vendit të tyre në Këshillin e Europës; merreni me mend se çfarë i bëjnë shqiptarët vetes së tyre, ndërsa zoti Ruffy luftonte për pranimin e Shqipërisë në këtë institucion. Me fjalimin e tij, që ishte një perlë e oratorisë politike, nga pozitat e një Avokati Mbrojtës, Victor Ruffy argumentonte se përse Shqipëria meritonte të ishte pjesë e KE.

Kush shkon në Këshillin e Europës në Strasburg, mrekullohet kur midis flamujve të shteteve anëtare, dallon që në krye të rradhës flamurin kuq e zi, por që për valvitjen e tij aty, prej qershorit të vitit 1995, ka patur rolin e tij shumë thelbësor Victor Ruffy.

Një mbështetje kolosale zoti Ruffy ka dhënë për Kosovën dhe diasporën e  Kosovës në Zvicër. Është njëri nga përkrahësit e parë të Pavarësisë së Kosovës. Jo më kot Zvicra ka qenë shteti i parë që ka kërkuar në OKB njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Victor Ruffy po ashtu krenohej me Eurobibus. Prej 1992 ai ishte  themeluesi i Fondacionit Eurobibus, që gëzonte mbështetjen e Këshillit të Europës, Konfederatës Helvetike, si dhe Bibliotekës dhe Universitetit të Lozanës, që nuk ka pushuar kurrë së dërguari ndihma e mbështetje në Shqipëri. Ai ishte jo vetëm përfaqësues i politikës, por edhe njeri i kulturës, i dijeve, i elitës zvicerane. Victor Ruffy ka mbështetur projekte botimesh, shkëmbime eksperiencash nga bota universitare, mbështetje me bursa.

Kur jemi takuar së fundi në një darkë midis miqsh në Lozanë ne bëmë plot plane për të ardhmen, që nuk arritëm dot t’i realizonim. Njëri prej tyre ishte projekti i një takim midis kryeministrit të Shqipërisë dhe liderit të opozitës Lulzim Basha. Jo takim hipokrit si ai që u realizua në restaurantin Krokodil, midis Ramës dhe Berishës në Strasburg.  Sepse Zvicra është shtet-modeli i dialogut, marrëveshjeve, kompromiseve dhe konsensusit për të mirën e përbashkët.

Ikja e tij e shpejtë në Amshim, krijon një boshllëk të madh jo vetëm për familjen dhe  shtetin helvetik, por sidomos për ne shqiptarët që humbëm një Mik të shtrenjtë dhe Miq si Victor Ruffy janë shumë të rrallë për kombin shqiptar!

Pengu që kemi është se këtij njeriu që meritonte ndere dhe vlerësime sa qe gjallë, nuk i dhuruam asgjë, veç miqësisë dhe mirënjohjes që ne shqiptarët e Zvicrës ia shprehnim pa fund, por mjerisht asgjë zyrtare dhe në nivel shtetëror veç një titulli si Qytetar Nderi i Fushë-Krujës.

Sa pak kemi bërë ne shqiptarët në raport me kontributin çerekshekullor të këtij Burri Shteti në të mirë të shqiptarëve!

Dhe ky është borxhi ynë ndaj këtij njeriu të madh, ndaj të cilit ne përkulemi me nderim, duke i premtuar se nuk do ta harrojmë kurrë veprën e tij për t’i treguar brezave se Victor Ruffy iu gjet afër shqiptarëve kur ata ishin në nevojë.

U prehsh në Paqe Mik i nderuar dhe i shtrenjtë!

Do t’u mungosh shumë shqiptarëve!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, mik i shqiptareve, Victor Ruffy

Precedenti Abazi- Në Kosovë shqiptarët e Shqipërisë janë të huaj. Dhe ndërsjelltas?

March 22, 2016 by dgreca

Nga Skënder Buçpapaj/

Më 16 mars, për herë të parë rikthehej në Kosovë, motivacioni (arsyetimi) “rrezikim i rendit dhe sigurisë së shtetit”, aq shumë i dëgjuar në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar. Mungonte pjesa e dytë: “bashkëjetesës në bashkim dhe vëllazërim të kombeve dhe kombësive tona”.

Lajmin e jepte KosovaPressi. Nga ora 13:30 Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes Boiken Abazi, shtetas i Republikës së Shqipërisë, arrestohej në një lokal afër selisë së saj. Ai rrëmbehej nga policë civilë, pa paraqitur fletarrest, pa iu komunikuar me gojë ndonjë arsyetim dhe dëbohej nga Kosova për në Shqipëri.

Me gjuhën e çdo kodi penal të çdo vendi, i bie që ai të ketë kryer krim kundër shtetit. Me këtë akuzë, askush nuk mund t’i shmanget një hetimi të mëtejshëm serioz gjyqësor dhe një procesi po kaq serioz dhe gjyqësor, deri në një vendim përfundimtar nga shkallët më të ulëta deri në më të lartin e sistemit të drejtësisë së një vendi.

Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Vetëvendosjes u dëbua vetëm me urdhër nga lart. Deri sot nuk është publikuar urdhëri të cilin e ka marrë dhe e ka zbatuar Policia e Kosovës. I bie që ajo të jetë urdhëruar nga Skënder Hyseni, ky të jetë urdhëruar nga Isa Mustafa.

Kryerësja e dëbimit, Policia e Kosovës, u detyrua të hiqte dorë nga akuza për “rrezikim të rendit dhe sigurisë së shtetit” dhe të pohonte se Boiken Abazi nuk kishte bërë asnjë vepër penale, ai kishte bërë vetëm kundërvajtje, duke hyrë dhe dalë nga Kosova në mënyrë jo të ligjshme. Akuzën e “rrezikimit të rendit dhe të sigurisë së shtetit” Policia e Kosovës e quajti një përvjedhje të natyrës teknike në komunikatën e saj për dëbimin e shtetasit të Republikës së Shqipërisë nga Kosova.

Me të drejtë, komentuesit në rrjetet sociale arsyetuan se Boiken Abazi është larguar me ato procedura që përdoren për largimin e spiunëve. Nëse vërtet kështu, atëherë do të ishte hera e parë në historinë e Republikës së Kosovës (RK) që ajo dëbonte një shtetas të huaj me këtë arsyetim.

Kjo praktikë do të kërkonte që i akuzuari si i dyshuar t’i dorëzohej vendit të prejardhjes. Ligjet ndërkombëtare e pranojnë këtë veprim vetëm kur i akuzuari është kapur në flagrancë duke kryer veprimtari. Përndryshe kjo do t’i krijonte, veç të tjerash, ndërlikime ndërkombëtare vendit dëbues.

Policia e Kosovës u arsyetua se Boiken Abazi kishte shkelur Ligjin e RK për të Huajt, çka përbën kundërvajtje. Në këtë rast, kundërvajtësit do t’i jepej mundësia ta kundërshtonte vendimin për dëbim, duke e paraqitur kundërshtimin e tij në sistemin e drejtësisë të RK. Vetëm pas një vendimi përfundimtar, ndaj tij do të merrej masa e largimit dhe do të përcaktohej afati i ndalimit të rikthimit të tij në RK.

Shpjegimin për dëbimin e Boiken Abazit, në të vërtetë, e jep analisti kosovar Halil Matoshi. Një ndër këshilltarët më të afërt të Thaçit, ai vleresonte të ligjshëm deportimin e aktivistit të Vetëvendosjes, Boiken Abazi, duke akuzuar se ai nuk e njohu kurrë shtetin e Kosovës. Sipas tij, secili shtet e ka të drejtën e mbrojtjes nga njerëzit që nuk i janë besnikë.

Matoshi shkruan në Facebook:

“Deportimi i Boiken Abazit asht i ligjshem dhe krejtesisht i justifikueshem per shkak se ai nuk njohu kurre shtetin e ri, as Kushtetuten dhe as ligjet e tij, as rendin simbolik te tij, por foli e punoi per shperberjen e entitetit juridik-politik te quejtun Republika e Kosoves. Pra secili shtet pra edhe Republika e Kosoves, kurdo dhe ne cdo rrethane e ka te drejten me e mbrojte veten nga njerezit qe nuk i jane besnik si atdheut te vetem te tyne. Abazi e ka nji atdhe rezerve – qe na nuk e kemi!?.”

Si provë materiale, Matoshi sjell këtë thënie të Boiken Abazit:

“Flamuri i Kosoves, si cdo flamur shteteror, nuk eshte thjesht nje dizajn apo nje cope lecke. Ai eshte shume me shume se kaq. Eshte simboli i triumfit te imponimit nderkombetar kunder vullnetit te shumices ne Kosove, simbol i politikaneve te kamur dhe te kalbur te Kosoves, simbol i nenshtrimit te tyre, simbol dhunues per lirine, simbol shenjues i rruges qe po e con Kosoven tatepjete. Me ndryshimin e kesaj rruge, me heqjen e matrapazeve nga pushteti, do t’i hiqet Kosoves shpejt edhe ky shenjues nenshtrimi …”

Në këtë tekst nuk ekziston askund mosnjohja e shtetit të Kosovës. Ai si shumëkush ka vërejtje për flamurin e Kosovës. Shumëkush ka vërejtje edhe për himnin, ende pa tekst, të Kosovës. Në një prononcim të ditëve të fundit, vetë Albin Kurti, pohon se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje e njohin flamurin e RK. Asnjë fjalë e Matoshit kundër Abazit nuk qëndron.

Por, të gjithë ata që e njohin shtetin e Kosovës, e njohin atë në të 10 877 kilometrat e saj katrorë. Vetëm Thaçi dhe Mustafa e njohin Kosovën pa mijëra hektarët që marrëveshja e tyre ia jep Malit të Zi. Të gjithë ata që e njohin Kosovën, e njohin atë si një shtet unitar, jo si një shtet më se federal, siç e njohin Thaçi dhe Mustafa në marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës. Gjykata Kushtetuese i ka kapur në flagrancë Thaçin dhe Mustafën.

Matoshi nuk është i sinqertë në komentin e tij në fb “VV-ja spiunon e kërcënon opinionistat!”, ku shkruan “Me dije per Albin Kurtin dhe Visar Ymerin: Ndaloni spunet tuaj ne FB, qe hallakatin shkrime e profile dhe qe kercenojne qytetaret; Tregojuni aktivistave tuej qe aq dendun po e perdorin cilesoron ‘fashist’ dhe ‘fasizem’ qe ata vet po perdorin metoda dhe gjuhe fashiste; Kjo asht thirrje per “goditje” dhe linc publik, zoterinj! Tregojuni atyne fanatikeve te verbuem nga ideologjia se Halil Matoshi nuk punon ne organet e zbatimit te ligjit, per me e ba bashkefajtor me policine kosovare per deportimin e Boiken Abazit!

Vetë Abazi në “Facebook”, shkruan se shqiptarët e Kosovës po jetojnë nën regjimin autoritar Mustafa-Thaçi, i cili, thotë ai, po tenton të shtypë çdokënd që e kundërshton rikthimin e Serbisë në Kosovë. Ai sqaron se në VV ka edhe shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.

Boiken Abazi u dëbua nga RK në bazë të Ligjit të saj për të Huajt. Policia e Kosovës njoftoi se ai është i teti shtetas i Republikës së Shqipërisë (RSH) që dëbohet në bazë të këtij ligji. Ky precedent dëshmon realitetin se shqiptarët e RSH janë të huaj në RK, shqiptarët e RSH nuk janë të privilegjuar në RK, fundja nuk janë aq të dëshiruar në RK, madje janë të diskriminuar e më se të diskriminuar në RK.

Kjo risjell atmosferën e viteve ’70 dhe 80, kur sistematikisht shqiptarët nga Shqipëria me banim në Kosovë konsideroheshin si një nga faktorët kryesorë për indoktrimin nacionalist, separatist dhe irrendentist të masës dhe veçanërisht të rinisë në Kosovë. Në Shqipëri, nga ana tjetër, shqiptarët nga Kosova paragjykoheshin si të dërguar të shërbimeve inteligjente jugosllave.

Me precedente si ai i Abazit, regjimi Mustafa-Thaçi mund të jetë i interesuar të provokojë ndërsjelltësi në RSH. Dhe kështu RSH do të binte ndesh me detyrimet e saj kushtetuese, të cilat nuk përputhen me interesat e Thaçit dhe të Mustafës, por përputhen me interesat e të gjithë shqiptarëve, faktor të cilin nuk e përfillin Thaçi dhe Mustafa.

Në një intervistë sot tek Shekulli, Abazi, i pyetur se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar në përgjigje të dëbimit të tij, thotë:

“Shteti shqiptar ka për detyrë që të interesohet për çdo qytetar të vetin, kudo në botë. Në botën demokratike është e papranueshme që një qytetar i një vendi të depërtohet nga një vend tjetër, vetëm për shkak të bindjeve dhe angazhimeve të veta politike që janë në përputhje me parimet e shprehura edhe në Kartën e OKB-së. Besoj se Shqipëria do të kishte reaguar nëse kjo do të ndodhte në ndonjë vend tjetër. Por afërsia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të jetë arsye për të mbyllur sytë ndaj abuzimeve, ndaj autoritarizmit, apo ndaj deportimeve arbitrare, siç më ndodhi mua. Para disa vitesh, rasti i fundit i një qytetari të Shqipërisë të dëbuar për arsye politike, ka qenë ai i një gazetari të dëbuar nga Greqia. Ai rast ishte skandaloz, dhe u reagua deri në Parlamentin Evropian. Është normale të besoj se edhe për rastin tim, do të reagohet e do të kërkohet drejtësi. Mes Kosovës e Shqipërisë nuk duhet të kishte as kufij, e lëre më deportime.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Boiken Abazi, kundërvajtje, rrezikim i rendit, Shqiperi Kosove, sigurisë së shtetit, Skender Bucpapaj

FJALIMI QË PO TRONDITË BALLKANIN: NA MBYTI KORRUPSIONI!

March 22, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto:Seherzada Deliq, arsimtarja boshnjake që ua tha “të gjitha” në sesionin e hapur palamentar./

Korrupsioni dhe Ballkani janë dy fjalë sinonime. Korrupsioni në të gjitha nivelet e jetës shoqërore anë e mbanë Ballkanit ka krijuar një atmosferë ku interesat e qytetarëve po injorohen e shpesh shtypen nga interesat e atyre që, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ka cilësuar si, “oligarkë të korrutuar”. Është kjo një tendencë shqetësuese që, pas shëmbjes së komunizmit dhe pas luftërave në ish-Jugosllavi, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë të thella në shumë shoqëri të vendeve ballkanike. Zyrtarët e korruptuar përdorin pasurinë dhe influencëne tyre politike për tu mbyllur gojën dhe për të frikësuar kundërshtarët dhe këdo tjetër që merr guximin të kritikojë korrupcionin që ka kaplluar vendet e Ballkanit. Arsimtarja boshnjake Seherzade Deliqe cila punon në sektorin shtetëror, pikërisht si arsimtare në një shkollë boshnjake, gjatë një seance të Kuvendit, ka mbajtë një fjalim kritik kundër qeveritarëve dhe veprave korruptive të tyre duke thënë se “unë nuk kam frikë, pasi ka shumë që mendojnë si unë” – fjalim i cili është përhapur në internet, përfshirë edhe disa portale në shqip.Për nga përmbajtja, ky është një fjalim që mund të ishte mbajtur në cilindo sesion parlamentar të Ballkanit.Ja fjalimi i plotë – me plotë zemërim e sinqeritet – marrë nga youtube i arsimtares boshnjake Seherzada Deliq, përkthyer nga autori.

***

Arsimtarja Seherzada Deliq:“Mirëmbrëma! Unë jam Seherzada Deliq, jam para “pranverës Boshnjake” për ndryshe përpiqem të ndihmoj dhe të edukoj të rinjtë e të rejat, të mençurit, ata me perspektivë dhe inteligjentë të këtij vendi.

Nuk jam këtu të flas në emër të gjeneratës time, sepse ju jeni ata që e keni shkatërruar gjeneratën time, gjë për të cilën turpërohem kudo që shkoj.

Ju duhet të më falni që unë po flas me kaq emocione. Unë jam kështu plot emocione sepse ky është vokacioni im. Këjo është puna ime. Ndonëse mu dha rasti t’u drejtohem ju, jo për veprat dhe veprimet e juaja. Jo të flaspër veprat e mira, por veprat dhe veprimet e juaja të këqia.Kur mjeku shkon të operojë një të sëmur ai mund edhe të gabojë gjatë operimit dhe si rrjedhim, mjeku mund të shkaktoj vdekjen e një njeriu. Ndërsa ju me deklaratat tuaja, me veprimet që bëni gjatë zgjedhjeve dhe votimeve, duke blerë e shitë votat, me lobimin tuaj, vetëm për një herë në një moment me një vendim, ju vrisni 1000 njerëz, pasi ju nuk i përfaqësoni interesat e tyre, ose i shisni e bleni interesat e tyre, pasi edhe turpi ijuaj ka një qëllim. Dihet mirë se cili është çmimi i turpit tuaj. Kur tradhëtoni edhe vet popullin tuaj, para të cilit jeni betuar ta mbroni, ta mbështesni dhe ta drejtoni në rrugën e duhur. Herë në njerën parti e herë në tjetrën parti, tani në njërën parti, tani në partinë tjetër. Shitblerje votash! Dihet shumë mirë për këtë fenomen. Dihet sakt shuma e të hollave që i është paguar një personi nga një parti me qëllim që të votojë për një parti tjetër.

Këtë gjë populli e di mirë! Mos mendoni se ne jemi si ulurima e çakallit në hënë — siç thotë fjala popullore –dhe mos mendoni se ju jeni të paprekshëm për veprimet tuaja dhe të pa-arritshëm si hëna, sepse as ne nuk jemi dele dhe çakaj që uluritin në hënë.

Siç deklaroheni ju shpesh, lere popullin, populli s’di gjë, vetëm flet, thoni ju. Ne, populli, në këtë rast jemi tampon zonë, gjegjësisht një tamponë, si tampona që përdorë mjeku për të ndaluar gjakderdhjen e mëtejshme të një plage – një zonë midis ju politikanëve dhe masës së popullit që don t’ju gëlltitë. Dhe ju, urdhëroni, nëse nuk keni frikë. Nuk është vetëm partia SDP që është fajtore. Çfarë ka bërë partia SDA për 15 vjetë në pushtet. Partia SDP po zhdukë, po e shterrë edhe atë pak durim që na kishte mbetur. Siç kam thënë më parë, po na pini gjakun për 20 vite.

Populli thotë mjaft! Ju duhet të jeni të vetdijshëm të kësaj situate të krijuar, por për fat të keq ju nuk jeni të aftë të vlerësoni se sa e rëndë është situata. (Ndërhynë një deputet duke kërkuar fjalën dhe ajo i përgjigjet). Më fal, më vjen keqë që nuk më ndëgjove. Përsëris, Partia SDA na ka pirë gjakun për 15 vite dhe partia SDP gjatë këtyre katër viteve të fundit.

Presidentin e kam dëgjuar të ketë thënë me një rast (si përçmim) se ai është president i atyre që kanë tetë vjetë shkollë fillore dhe atyre me tre vjetë shkollë të mesme. Nuk e di se për çfarë arsyeje intelektualët e këtij qyteti nuk kanë dalur nepër rrugët e këtij qyteti për të protestuar. Ose nuk duan ose mendojnë se as me protesta nuk arrihet gjë dhe se nuk mund të ndryshohet asgjë as tani,ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve.

Në këtë vend ka shumë njerëz të mençur dhe ju mund të thoni tani, ku ka më të mençur se ne? Ka shumë!Ka të mençur, por të papunësuar, të cilët ju nuk i leni të vijnë në ndonjë pozitë. Ata janë të aftëtë bëjnë punën dhjetë mijë herë më mirë se ju. Ka zotërinjë, ka njerëz të mençur dhe intelektualë ky vend. Më pyesni mua. Si arsimtare, unë të tillë njerëzish përgatis çdo ditë. Shkoni ju në shkollë dhe shihni se cfarë edukimi kanë të rinjtë, cfarë të rinjshë briliantë që kemi. Ka një mori të rinjshë, të mençur, të talentuar, intelektualë, shkencëtarë, për të cilët dihet se nuk kanë mundur të punësohen nëqeveri, nuk kanë mundur të shprehin idetë e tyre, pasi ju keni zhvilluar falangat dhe spiunët tuaj nga të cilët vareni. Ju nuk i keni mundësuar intelektualët që të marrin detyra në qeverisje, pikërisht nuk i keni mundësuar as qëtë shprehin mendimet e tyre mbi çështjet e ditës.

Seria televizive, “Do të bëhet, do të bëhet”, nuk është një program komik vetëm për tu qeshur, por është një parodi drejtuar juve, politikanëve.Pse, ju nuk dëgjoni dot, nuk kuptoni?! Kjo seri televizive është një kritikë ndaj qeverisjes tonë. Si mund të ndodhë që nuk e shihni dhe nuk e njihni vetëveten në atë emision. Ju duhet të qani me lotë kur shikoni atë program. Turp të kini! Ka një numër të madh intelektualësh të rinjë dhe akademikë të zotët, për të cilët dihet mirë se nuk janë përfshirë në qeveri sepse në vend të tyre ju kini punësuar njerëzit tuaj dhe përkrahsit politikë. Diku është humbur njeriu, nuk ekzistojnë më vlerat njerëzore.Haxhi Pashiqi fletë për interesin kombëtar, duke thënë se kjo është një çështje jetike e sigurimit kombëtar. O njerëz!Ai thotë se e ka një detyrë të rëndë e të vështirë pasi tani ai thotë se përfaqëson serbët, kroatët e myslimanët, jevrejtë dhe komunitetin roma si dhe të gjithë tëtjerët që jetojnë këtu.

Dua tu them se unë për veten, përfaqësoj xhepat e mi bosh megjithëse punoj për 20 vite tani. Unë jam larguar nga lufta me dy fëmijë dhe tani jam duke u kujdesur për tre fëmijt e mi dhe edukoj çdo vit mbi 200 studentë të tjerë. Ju mund ta shihni zotërinjë se jam tepër e emocionuar. Më thotë hoxha që të mos jem aq e emocionuar duke folur për këto çështje, pasi popullit nuk i pëlqejnë shprehje të tilla emocionuese dhe mund të reagojë. Populli duhet të hapë sytë e të shikojë se midis nesh ka njerëz të ndershëm dhe të sinqertë, të cilët ia duan të mirën Bosnjës. Njerëz të cilët dinë ta udhëheqin Bosnjën. Bosnjën ne nuk e kemi shitur. (Pas një zhurme në audiencë ajo shprehet) Tregohuni të respektueshëm, pasi unë u kam dëgjuar ju. Ky është komision parlamentar, a po jo?

Nuk është e vështirë për të gjetur individë të kualifikuar. Ka njerëz, por atyre u duhet dhënë mundësia. Dhe ata duhet të dinë se si të përfshihen në qeverisje. Unë u them studentëve çdo ditë: luftoni kundër njerëzve të këqi. Çdo ditë, fëmijve u flas keq për ju, sepse nuk më kini dhënë mundësinë të flasë para jushë siç duhet. Po si të luftohen njerëzit e ligshtë e të korruptuar? Me dituri! Le t’u skuqen ju veshët tani. Por siç kam thënë me heret, ju e kini çmimin edhe për turpin.

Populli me të vërtetë është lodhur. Mjaft më! Ne i kemi shterrur të gjitha energjitë dhe mënyrat demokratike të protestave, duke filluar nga uria, peticionet, deklaratat televizive, shkrimet, filmat që përhapen nepër botë, ndërkohë që nepërmjet të gjitha këtyre botimeve, bota po informohet se çfarë qeverie kemi ne sot. Por ju nuk u djeg fare, nuk çani kokën hiç. Sepse diplomat tuaja ju i kini blerë masovisht andaj nuk dini as të lexoni dhe as për çfarë shkruhet. Ju nuk jeni në dijeni të vuajtjeve të popullit. Populli po qanë e vajton dhe dëshiron që të mos qajë më, ti ndalojë lotët.

Të rinjtë për të cilët po flas unë nuk janë kurrfarë huliganësh. Këta janë të zemëruar dhe janë të frikësuar dhe të shqetësuar se sot ka një markë dhe nesër ose pasnesër nuk do të kenë as një gjysëm markë. Ata janë të shqetësuar dhe të hidhëruar se prindërit e tyre nuk mund të gjejnë punë, megjithse si të gjithë ju këtu kanë deri në 30-vjetër stazh, por nuk kanë rrogë mujore prej 15.000 markash, sikurë ju. Ishim marrë vesh më parë që gjatë këtij sesjoni, secili prej nesh do të zbulonte se cilat janë të ardhurat tona. Ja, rroga ime është 899 marka me 20-vjetë punë. Sa janë të ardhurat tuaja mujore? (Heshtje në sallë). Më thoni kur të dalim jashtë nëqoftse ju vjen turp të thoni tani publikisht.

Mjaftë më! Unë nuk jam e vetmja që shprehem kështu. Unë kam dalë para jush si përfaqsuese e atyre që mendojnë si unë, pasi nuk kam frikë, ndonëse punoj në sektorin qeveritar. Unë punoj në shkollë. Le të më ndëshkojnë. Ju kini hequr nga detyra personin që ka ngritur me një përqindje të lartë nivelin e shkollës ku jepte mësim. Juve nuk u pëlqejnë ata që punojnë. Ju doni nga ata që nuk punojnë. Nëqoftse mendoni se partia SDA do të shkatërrojë partinë SDP ose cilëndo parti tjetër, jeni të gabuar pasi ne nuk do të lejojmë që mbi shpinën tonë ju të siguroni karrigët tuaja. Kët nuk do të mund ta bëni. Asnjë prej jush nuk meriton më të flasë nga ky podium. Dhe presidenti i kantonit, i cili thotë se nuk dëshiron të japë dorëheqjen, ne nuk i kërkojmë atij të japë dorëheqjen. Ne ia marrim atij mandatin, pasi ishim ne ata që ia dhamë atij mandatin. Ne nuk e duam atë, populli nuk e do.

I thashë të gjitha. U falemnderit!

Seherzada Deliq në fjalimin e saj, shprehu zemërimin e bashkqytetarëve të saj por edhe më gjërë se korrupsioni ka uzurpuar jetën politike dhe ekonomike të vendit. Se kjo atmosferë e padurueshme korrupsioni, sipas arsimtares boshnjake, i ka zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik, një atmosferë kjo që falë oligrakëve të korruptuar politikë, kanë helmuar jo vetëm politikën por edhe median e kontrolluar prej tyre. Kjo gjëndje korruptive, për të cilën flet Zonja Deliq, përkeqsohet edhe më shumë kur të merret parasyshë se sipas ekspertëve ballkanikë dhe medias së huaj, oligarkët e korruptuar vendas, kanë marrëdhënje të ngushta bashkpunimi me oligarkët e korruptuar të ardhur aty nga shtete të tjera, veçanërisht ata nga Rusia, Turqia dhe nga Lindja e Mesme.  Shtypi i huaj shkruan shpesh për këta oligarkë të korruptuar të Ballkanit dhe për influencën e tyre negative në zhvillimet demokratike të vendeve ballkanike.Por jo vetëm shtypi perëndimor, por edhe udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë janë shprehur se për derisa nuk përmirësohet kjo situatë korruptive që i ka zënë frymën politikës, zhvillimeve ekonomike dhe demokratike anë e mbanë Ballkanit – nuk do të ketë një partneritet serioz politik, ekonomik dhe ushtarak, por as zhvillim të mirëfilltë në vendet e Ballkanit të vlerave përendimore dhe universaletë dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë dhe shtetit të ligjit.

Por në fund të fundit, deklaratat e perëndimorve dhe shqetësimi i tyre mbi korrupsionin në Ballkan mund të kenë ndonjë influencë pozitive të përkohshme në ato shoqëri por ato nuk do sjellin ndryshimet e nevojshme rrënjësore politike dhe ekonomike në ato vende. Është zemërimi i qytetarve të thjeshtë ndaj korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e shoqërive ballkanike, siç është reagimi i arsimtares boshnjake Deliq ai i cili shpresojmë se do të sjellë eventualisht ndryshime themelore dhe afatgjatë — reagimi dhe angazhimi serioz i qytetarëve si Zonja Deliq të cilët më në fund duket se kanë humbur durimin dhe të cilët kanë filluar t’i thonë mjaft këtij fenomeni korruptiv shkatërrues në të cilin është zhytur kjo klasë politike anë e mbanë Ballkanit Perendimor.

Filed Under: Analiza Tagged With: ballkanin, Fjalimi, NA MBYTI KORRUPSIONI!, QË PO TRONDITË, Seherzada Deliq

Kryeministri belg: Shumë viktima nga sulmet në Bruksel

March 22, 2016 by dgreca

Nga Belgjika raportohet se të paktën 26 njerëz janë vrarë si pasojë e dy sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Brukselit, si dhe në një stacion të metrosë.

Zyrtarët thonë se të paktën 11 njerëz kanë vdekur në stacionin e metrosë, ndërsa mediet njoftojnë për 13 të tjerë të vrarë nga shpërthimet në aeroport.

Dy shpërthime kanë goditur zonat e nisjes në aeroportin Zaventem në Bruksel.Një prokuror belg e ka konfirmuar se njëri nga shpërthimet në aeroportin e Bruksel ishte sulm vetëvrasës.

Shpërthimet vijnë katër ditë pasi autoritetet belge kanë kapur në Bruksel Salah Abdeslamin, të dyshuarin kryesor për sulmet terroriste në Paris, më 13 nëntor të vitit të kaluar.

Aeroporti është evakuuar dhe është mbyllur për fluturime.Agjencia e lajmeve Belga raporton se përpara shpërthimeve janë dëgjuar brohoritje në gjuhën arabe.

Ka po ashtu raporte për një shpërthim në një stacion të metrosë në lagjen Maelbek, pranë institucioneve të Bashkimit Evropian.

Transmetuesi publik në Belgjikë, VRT thotë se asnjë person nuk është vrarë nga shpërthimi në stacionin e metrosë, përderisa raporte të tjera raportojnë për të paktën 10 të vdekur.

Operatori i sistemit të metrosë ka thënë se të gjitha stacionet në qytet janë mbyllur.

Rrjeti hekurudhor drejt aeroportit është ndërprerë dhe njerëzit janë udhëzuar të mos shkojnë në aeroport.

Sipas disa raporteve, së paku njëri nga shpërthimet ka qenë pranë hapësirës së kompanisë ajrore American Airlines, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel tha se “asaj që i jemi frikësuar ka ndodhur”, duke shtuar se autoritetet janë të shqetësuara për sulme të tjera të mundshme.

Duke folur gjatë një konference për media në Bruksel, Michel tha se “ka shumë të vrarë, shumë të lënduar” nga sulmet e sotme në aeroport dhe në stacion të metrosë.

Ai shtoi se kontrollet kufitare janë riforcuar.

Michel tha se “e kuptojmë se po përballemi me një moment tragjik. Duhet të jemi të qetë e të tregojmë solidaritet”.

Prokurori Federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw i ka quajtur të tri shpërthimet në Bruksel si “sulme terroriste”.

Ai tha se “njëri prej sulmeve më siguri që është bërë nga një sulmues vetëvrasës”.

Ndërkohë, shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur gjatë një konference për media në Jordani, ka thënë se “sot është një ditë e rëndë”, duke iu referuar sulmeve të sotme të Brukselit.

Mogherini e ka ndërprerë konferencën e planifikuar me ministrin e Jashtëm të Jordanit, Nasser Judeh, pasi ishte shumë e emocionuar për t’u prononcuar.

Liderët evropianë i kanë dënuar shpërthimet që goditën aeroportin e Brukselit dhe sistemin e metrosë në këtë qytet.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven e ka përshkruar shpërthimin si “sulm kundër Evropës Demokratike”.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, përmes një deklarate. “Ne kurrë nuk do të pranojmë që terroristët t’i sulmojnë shoqëritë tona të hapura”.

Edhe kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen i ka dënuar shpërthimet në rrjetin social “Twitter”, si “akte të neveritshme”.

Ndërsa, kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se Belgjika është “goditur nga sulme qyqare dhe vrasëse”.

Reagime ka pasur edhe nga Kremlini, prej nga zëdhënësi Dmitry Peskov e ka cituar presidentin rus, Vladimir Putin, të ketë thënë se “i dënon fort këto krime barbare”.

Belgjika tani ka rritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.

Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, kishte paralajmëruar të hënën sulme të mundshme hakmarrëse pas kapjes së Abdeslamit.

“E dimë se bllokimi i një qelize mund të nxisë një tjetër veprim. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, i ka thënë ai radios belge.

Aeroporti Zaventem ndodhet 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar në këtë aeroport.

Filed Under: Komente Tagged With: Kryeministri belg: Shumë viktima, ne Bruksel, nga sulmet

34 të vrarë nga sulmet terroriste në Bruksel

March 22, 2016 by dgreca

Katër shpërthime kanë tronditur Brukselin në orët e para të mëngjesit të së martës, dy prej të cilëve të verifikuar në aeroportin Zaventem, ndërsa dy të tjerët në dy stacione metroje të kryeqytetit belg. Televizioni shtetëror belg VRT raporton se ka shkuar në 34 numri i të vdekurve nga sulmet terroriste në Bruksel.

Në 20 shkon numri i të vrarëve në metro, kurse në 14 numri i të vrarëve nga shpërthimet në aeroport.

Përveç tyre ka edhe qindra të tjerë të lënduar. Policia belge deri më tani ka arrestuar dy të dyshuar në lidhje me sulmet e sotme.

***

Motivet e shpërthimeve nuk dihen ende, ndërkohë që burime zyrtare flasin për të paktën 28 viktima, 13 prej të cilëve kanë humbur jetën në aeroport dhe 15 në stacionet e metrove. Gjithashtu, flitet për disa dhjetëra të plagosur. Shpërthimet vijnë katër ditë nga kapja në Bruksel të Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor i sulmeve të nëntorit në Paris.

Nga raportimet e mediave lokale mësohet se, aeroporti është evakuuar, ndërsa fluturimet janë anuluar. Gjithashtu, janë pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore që të çojnë tek kompleksi. Të dhëna të tjera flasin se një nga shpërthimet ka ndodhur pranë check-in-it të American Airlines, por sërish ato janë të pakonfirmuara.

Ndërkohë, një shpërthim tjetër është verifikuar rreth një orë më vonë në stacionin e metrosë Maalbeek, fare pranë selisë së Komisionit Europian. Re të zeza tymi janë ngritur në rrugë dhe paniku ka përfshirë kalimtarët. Ai është pasuar nga një tjetër shpërthim në stacionin Schumann.

Transmetuesi belg RTBF citoi një dëshmitar të thoshte se, në ambientet e aeroportit kishte njerëz të shtrirë në tokë, të plagosur ose pa ndjenja, shumica e të cilëve në zonën e nisjeve, përballë hotel “Sheraton”.

Ndërsa një punonjës i aeroportit tha për televizionin holandez VRT: “Po bëja një moment pushim kur papritur dëgjova dhe ndjeva një shpërthim të madh. këtej nga jam shoh shtëllunga tymi të zi të ngrihen nga zona e nisjeve”. “Dritaret janë të thyera, njerëzit kanë dalë jashtë nga frika. Gjërat nuk duken mirë”, tregoi dëshmitari.

Ndërsa dëshmitarë të tjerë thanë se para shpërthimeve kishin dëgjuar të shtëna dhe thirrje në gjuhën arabe, duke ngritur dyshimet për sulme kamikaze. Të dhëna të mëtejshme sugjerojnë se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer.

Situata ka futur në kaos kryeqytetin belg, atje ku nodhen institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Autoritetet kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve publike si trenët, metrotë dhe tramvajet, pa harruar këtu pezullimin e të gjitha fluturimeve nga aeroporti.

Filed Under: Kronike Tagged With: 34 te vrare, ne Bruksel, sulmet terroriste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT