• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

ÇIFTI REAGAN DHE NËNË TEREZA

March 10, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të premten varroset në një ceremoni private Nancy Reagan, e veja e ish-Presidentit amerikan Ronald Reagan dhe njëra prej femërave më të njohura dhe më me influencë në shekullin 20, e cila ndërroi jetë të djelën që kaloi në moshën 94-vjeçare.   Ajo do të varroset pranë bashkshortit të saj në mjedisin ku gjëndet Biblioteka Presidenciale e ish-presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Luginën e bukur Simi të shtetit Kalifornia.  Presidenti Obama urdhëroi që flamuri amerikan të valvitet gjysëm shtizë anë e mbanë vendit, për të kujtuar dhe për të nderuar ish-zonjën e parë të Amerikës, e cila deklaroi ai, do të mbahet mend si një zonjë e parë e këtij vendi plot mirësi dhe meshirë.  Presidenti Obama shtoi duke thënë se, “Dashuria e saj për Presidentin Reagan është e dokumentuar mirë siç është edhe fakti se ajo i është gjëndur pranë bashkshortit të vet në periudhat vërtetë më të vështira të jetës dhe karierës së tij politike”.

Ndonëse fillimisht ka pasur edhe karierën e saj si aktore në Hollywood, Nancy Reagan kishte deklaruar në një intervistë kohë më parë se, “Në të vërtetë jeta ime ka filluar kur jam martuar me bashkshortin tim”, duke vërtetuar atë, që tani gjithkush e di, se për 52 vjetë martesë, Nancy dhe “Ronnie”, siç e quante ajo, ishin plotësisht të përkushtuar ndaj njëri tjetri.  Ish-Presidenti George W Bush i dërgoi ngushëllimet e tija familjes duke theksuar se Nancy Reagan, me jetën dhe veprat e saj,“ishte krejtësisht e dedikuar ndaj bashkshortit të saj dhe ndaj Athdeut”.   Ndërsa kryetari i Komitetit Kombëtar të Partisë Republikane, Reince Priebus u shpreh se ish-Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, “ka frymëzuar mbarë Amerikën me sjelljet e saj dinjitoze dhe të ngrohta”.

 

Për ata që e kanë njohur atë për së afërmi, Nancy ishte një grua e jashtzakonshme dhe sipas disa ish-ndihmësve të Presidentit Reagan, ajo ishte njëkohsisht edhe këshilltarja e tij më e ngushtë dhe më e besueshmja.  Madje, njëri prej këshilltarëve të tij kryesor, Ed Rollins tha me rastin e vdekjes së Nancy Reagan, se “Ajo kishte instinkte politike të mirëfillta, ndoshta më të spikatura se vet Presidenti Reagan”, shkruan Rollins dhe shton se Z. Reagan i kishte thënë atij me një rast se, “Ai nuk do të ishte bërë kurrë president pa inkurajimin dhe këshillat e saja.”  Ish-këshilltari Rollins e cilësoi Nancy Reagan kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, si një “Zonjë shtëpie e mrekulluesheme dhe pritëse, e cila kishte rivendosur dinjitetin në Shtëpinë e Bardhë”, pasi siç shprehet ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, “Ajo e konsideronte Shtëpinë e Bardhë si ‘shtëpinë e popullit’ dhe si e tillë”, theksonte ajo shpesh, “meriton që ajo të trajtohet dhe të ruhet me respektin më të madh.”

Ndër qindra prononcime nga zyrtarë të lartë amerikanë të dy partive kryesore amerikane si dhe nga udhëheqës botërorë të cilët shprehën ngushëllimet e tyre me rastin e ndarjes nga kjo jetë e Nancy Reagan, ishte edhe Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili u shpreh se, “Dedikimi dhe dashuria e saj për familjen, ishin një frymëzim për të gjithë ne.”  Krye-diplomati amerikan e cilësoi me këtë rast Presidentin Reagan si, “Njërin prej optimistëve më të mëdhej të këtij kombi, i cili me guximin dhe me mençurinë e tij ndihmoi në fitoren e Luftës së Ftoftë, ndërkohë që Nancy ishte ortakja dhe këshilltarja më e besueshme e tij, që e këshilloi atë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe mëtej.”   Duke shprehur ngushëllimet e tija, John Kerry përfundoi duke pohuar se, “Nancy Reagan ka lënë përshtypje pozitive të pashlyeshme anë e mbanë Amerikës”.

Një prej këtyre mbresave të pashlyeshme, për të cilat flet Kerry, sidomos për ne shqiptaro-amerikanët, por edhe për të tjerë ishin takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe veçanërisht ftesa që çifti Reagan i kishte bërë Nënë Terezës për të vizituar Shtëpinë e Bardhë më 20 qershor,1985, me qëllim për ta dekoruar atë me medaljen më të lartë civile të Shteteve të Bashkuara, “Medalja Presidenciale e Lirisë”, për humanizmin dhe për veprimtarinë e saj në mbështetje ndaj më të varfërve të botës, sidomos më të varfërve të Indisë.  Me atë rast, Presidenti Reagan e përshëndeti Nënë Terezen duke thënë se, “Në këtë shtëpi të madhërishme kanë ardhur shumë vizitorë, por asnjë nga ata që kanë vizituar nuk është më i veçantë, në krahasim me mysafiren tonë të dashur që ka ardhur sot këtu, Nënë Terezën”.

“Disa persona, shumë pak në të vërtetë”, ka theksuar Presidenti Reagan, “Janë në kuptimin e vërtetë të fjalës, qytetarë të botës.  Nënë Tereza është një prej tyre. Ne e duam atë aq shumë, sa që i kërkuam asaj të pranonte dekoratën tonë, gjë që ajo e pranoi menjëherë me përvujtëninë që e dallon atë”, u shpreh Reagan.   Me bashkshorten Nancy pranë tij, Presidenti Reagan ka thënë se, “Dekoratave të shumëta që ka marrë Nënë Tereza gjatë viteve, përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqë, me dashuri të thellë dhe respekt të madh ia shtojmë edhe një tjetër duke i dorëzuar asaj edhe Medaljen Presidenciale të Lirisë”, që është çmimi më i lartë që Presdienti amerikan u dorëzon personave me merita dhe kontribute të jashtzakonshme ndaj sigurimit dhe interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndaj paqës në botë dhe për arritje të veçanta në fushën e veprimtarisë publike ose private.

Në fjalimin e rastit në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës së Medaljes Presidenciale të Lirisë Nënë Terezës, Presidenti Reagan e ka karakterizuar murgeshën me origjinë shqiptare si, “Heroinën e kohëve tona.”  Ai tha me atë rast se ndonëse kjo medalje tradicionalisht u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan shpjegoi se në shënjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, po i akordohet kjo dekoratë Nënë Terezës, pasi “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogëla nacionaliste”, u shpreh ish-presidenti amerikan Reagan duke folur për Nënë Terezen.

Me atë rast, Nënë Tereza falenderoi Presidentin Reagan dhe bashkshorten Nancy, për nderimin që i bënë duke u shprehur se, “Unë nuk jam aspak e denjë për këtë dhuratë bujare që më akordohet nga Presidenti ynë, nga bashkshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara. Por e pranoj për lumturinë e madhe ndaj të Madhit Zot, si dhe në emër të miliona njerëzve të varfër…ndonëse duke ma dhënë mua këtë dekoratë, ju në të vërtetë po ua jepni atyre, me dashuri dhe interesim të madh”, ndaj më të varfërve.

 

“Por, dashuria” i ka thënë Nënë Tereza çiftit Reagan, “fillon në shtëpi, në familjen tuaj dhe fillon duke u lutur së bashku. Lutjet pastrojnë zemërat dhe zemërat e pastëra shohin Perëndinë.  Dhe nëqoftse ju shikoni imazhin e Perendisë në njëri tjetrin, ju do të kini edhe dashuri për njëri tjetrin dhe paqë me njëri tjetrin. Veprat e dashurisë janë vepra paqeje dhe dashuria fillon në familje”, është shprehur Nënë Tereza para çiftit Reagan, qershorin e vitit 1985.

Janë absolutisht të pa zakonta marrëdhënjet që Presidenti Reagan dhe bashkshortja e tij Nancy – të cilët konsideroheshin si njëri ndër çiftet më aristokrate në Amerikë dhe ndoshta në botë — kishin vendosur me Nënë Terezen, përfaqsuesen e më të varfërve në botë.   Anë e mbanë botës, Nënë Tereza kishte takuar me shumë udhëheqës politikë e fetarë.  Por dalloheshin marrëdhënjet e saja me Presidentin Ronald Reagan dhe me Papa Gjon Palin e dytë, sidomos gjatë dekadës së luftës së ftoftë të 1980-ave.  Ishin këta të dy, protagonistët kryesorë të luftës kundër komunizmit, Presidenti Reagan dhe Papa Gjon Pali i dytë, me të cilët duket sikurë Nënë Tereza kishte lidhje të ngushta.

Për Papën Gjon Palin e dytë, ish-udheheqsi sovjetik Mikhail Gorbachov është shprehur se shëmbja e komunizmit do të kishte qenë e pamundur pa kontributin e Papa Gjon Palit të dytë.  Ndërsa për Presidentin Reagan, Nënë Tereza ka thënë kur presidenti amerikan që plagosë në një atentat kundër tij — se ajo ishte e bindur se shpëtimi i jetës së Presidentit Reagan nga plagët që kishte marrë nga atentati, në të vërtetë ishte “Një akt hyjnor”.  Lind pyetja se çka dinte kjo bijë shqiptare për këta dy burra të mëdhej të shekullit 20-të dhe çfarë frymëzimi prisnin këta të dy prej kësaj murgeshe të thjeshtë me origjinë shqiptare — kujdestarja e më të varfërve në botë — gjatë një periudhe historike dhe aq vendimtare për fatin, e jo vetëm Europës, por të mbarë njerëzimit?

Filed Under: Featured Tagged With: cifti Regan, Frank shkreli, Nene Tereza

Kosovë-Shqipëri, Basha: Përkushtim për fuqizimin e bashkëpunimit

March 10, 2016 by dgreca

-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, po ashtu shprehu përkrahjen dhe përkushtimin për proceset e mëtejshme në Kosovë si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Mars 2016/ Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, sot në Kosovë është pritur në takime të veçanta nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe nga liderë të partive politike.Kryetari i PD-së, Lulzim Basha vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, po ashtu shprehu përkrahjen dhe përkushtimin për proceset e mëtejshme në Kosovë si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidentja Jahjaga pret kryetarin e PD-së, Lulzim Basha

  Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Njoftimi dërguar nga Presidenca kosovare thekson se, Jahjaga dhe Basha biseduan  për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, me theks në zhvillimet më të fundit në Kuvendin e  Republikës së Kosovës si dhe proceset e  tjera që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

 Presidentja Jahjaga e njoftoi Bashën me nismat e saj për të gjetur zgjidhje për dy kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë më Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës dhe me procesin e shënjimit të kufirit shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Presidentja Jahjaga tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyes për qeverinë se si duhet të veprohet në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa sa i përket demarkacionit tha se shumë shpejt do të fillojë punën një komision i pavarur me ekspertët ndërkombëtarë i cili do ta analizojë gjithë procesin.

 Presidentja Jahjaga dhe kryetari i   Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Presidentja  nënvizoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dhe kërkoi që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e  integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

 Kryetari i   Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha shprehu mirënjohje dhe mbështetje për punën dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit në Kosovë. Ai theksoi se Presidentja Jahjaga ka dëshmuar se ka qenë zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe çmoi lart kontributin e saj për të ardhmen e Republikës së Kosovës.Mustafa-Basha: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim dhe partneritet me Shqipërinë

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.  Sipas njoftimit të dërguar nga Kryeministria kosovare, gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet e përgjithshme në dy vendet si dhe për bashkëpunimin dhe relacionet shumë të mira, në të gjitha nivelet, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

 Kryeministri Mustafa e njoftoi kryetarin Basha për progresin e gjithanshëm në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, avancimin e proceseve integruese evropiane si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.

 Kryeministri Mustafa e falënderoi Republikën e Shqipërisë dhe të gjithë faktorët institucional, politik dhe shoqëror të saj për përkrahjen dhe bashkëpunimin, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.

 Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur konsideratat e tij maksimale për lidershipin dhe konsistencën e Qeverisë së Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore.  Kryetari Basha, po ashtu, shprehu përkrahjen dhe përkushtimin për proceset e mëtejshme në Kosovë si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

 Basha-Veseli: Gazi nuk është model për Parlamentin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike  (PD) të Shqipërisë, Lulzim Basha.  Gjatë këtij takimi të ngrohtë, u bisedua për marrëdhëniet ndërparlamentare ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë, me theks të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit në ato fusha, në të cilat Shqipëria ka eksperiencë më të madhe, e që kanë të bëjnë me  integrimet euroatlantike.Njoftimi i dërguar nga Kuvendi thekon se, kryetari i PD-së, Basha, me këtë rast i bëri një vështrim edhe gjendjes politike në Kosovë, ndërsa vlerësoi se opozita duhet të jetë më e përgjegjshme kundruall situatës së krijuar.

“Gazi nuk është model për Parlamentin”, tha Basha, dhe shfaqi drojën se veprimet e opozitës do të krijojnë imazh të keq për vendin, duke  penguar në rrugën  e integrimeve.

Kryeparlamentari Veseli vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet të dyja vendeve dhe u shpreh i bindur se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

 Basha- Ahmeti: Janë shumë çështje të përbashkëta

 Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti në takim, kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Bashën.
Në një bisedë të përzemërt Ahmeti e njoftoi Bashën për situatën e përgjithshme politike në Kosovë, sfidat dhe kauzat e opozitës, qeverisjen dhe të arriturat në Komunën e Prishtinës, si dhe promovimin e demokracisë dhe interesin qytetar në përgjithësi.

Nga ana e tij kryetari i PD-së, Lulzim Basha shprehi kënaqësinë e tij për takimin dhe tha se duhet të vazhdohet me një dialog kuptimplotë dhe thelbësor në mes faktorëve politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

“Janë shumë çështje të përbashkëta për të cilat duhet të diskutojmë, si në aspektin e dy partive opozitare që kanë të bëjnë me interesin qytetar e poashtu edhe në aspektin kombëtar, siç janë integrimi i të dy vendeve në strukturat veriatlantike”, tha Basha.

 

———- Forwarded message ———-
From: ZPRK – Departamenti i Informimit <zprk@president-ksgov.net>
Date: 2016-03-10 13:01 GMT+01:00
Subject: Presidentja Atifete Jahjaga priti kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha / Predsednica Atifete Jahjaga dočekala je predsednika Demokratske partije Albanije, Lulzim-a Basha
To: ZPRK – Departamenti i Informimit <zprk@president-ksgov.net>

Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun

www.president-ksgov.net

Datë: 10 mars 2016

 

 

Presidentja Atifete Jahjaga priti kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha

 

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotëri Lulzim Basha.

 

Presidentja Jahjaga me z. Basha biseduan  për zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, me theks në zhvillimet më të fundit në Kuvendin e  Republikës së Kosovës si dhe proceset e  tjera që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

 

Presidentja Jahjaga e njoftoi z. Basha me nismat e saj për të gjetur zgjidhje për dy kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë më Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës dhe me procesin e shënjimit të kufirit shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Presidentja Jahjaga tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyes për qeverinë se si duhet të veprohet në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa sa i përket demarkacionit, Presidentja Jahjaga  tha se shumë shpejt do të fillojë punën një komision i pavarur me ekspertët ndërkombëtarë i cili do ta analizojë gjithë procesin.

 

Presidentja Jahjaga dhe kryetari i   Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotëri Lulzim Basha, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Presidentja  nënvizoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dhe kërkoi që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e  integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

 

Kryetari i   Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotëri Lulzim Basha shprehu mirënjohje dhe mbështetje për punën dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit në Kosovë. Ai theksoi se Presidentja Jahjaga ka dëshmuar se ka qenë zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe çmoi lart kontributin e saj për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Jahjaga, Lulzim Basha, Mustafa, ne Kosove, Veseli

Dule në Parlament: Rama e ka futur vendin në situatë mjerane,Braçe bën konen

March 10, 2016 by dgreca

Braçe i përgjigjet Dules me një selfie: Kone për Shqipërinë bëhem, qen për Greqinë tënde kurrë!/

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, shpërtheu në akuza kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Por në reagimin e tij ndaj fjalës së Ramës pati një moment tensioni mes tij dhe deputetit të lushnjes, Erion Braçe. Ky i fundit ndërhyri disa herë dhe Dule iu drejtua duke i thënë: “Zoti Braçe, nuk keni pse bëni konen”. Etiketimi si kone e tërboi Braçen, por Dule vijoi me kritika më të ashpra ndaj kryeministrit, duke mos i kursyer komentet edhe për çfarë po ndodh me qëndrimin e PS ndaj deputetit Ben Blushi. “Kjo ishte një opozitë që erdhi në pushtet duke folur për fjalën e lirë,  por linçon edhe deputetët e vet në takimet partiake. Është situatë mjerane. Jeni në një qorrsokak që çon në momente totalitare. Mos u verboni nga interesa të momentit. Vazhdoni të justifikoheni se fajin për dështimet tuaja e ka Saliu që ka qeverisur para 3 vjetësh. Largohuni nga monologjet se edhe para pasqyrës janë bërë të lodhshme”, i tha ai Ramës. Pas fjalës së Dules, Rama doli sërish në foltore, por pa u dhënë shpjegime konkrete akuzave të tij. Ai tha se ishte e turpshme ajo që Dule i tha atij për monologun para pasqyrës apo që i tha Braçes kone. “Është njësoj e turpshme sikur të them unë që ti je kone e Greqisë në parlament”, tha Rama. Debati ka vijuar edhe më tej.

Dule i kërkoi kryeministrit të mos e përmendë paktin detar me Greqinë për të bërë politikë. “Ti e di se strehë e kujt është nacionalizmi”, i tha ai kreut të qeverisë. I përmendi gjithashtu edhe një tjetër shprehje, e cila kryeministrit i dogji jo pak. “Miqtë janë të shtrenjtë, por e vërteta është edhe më e shtrenjtë. E ke lënë personalitetin me koncesion”, iu drejtua Dule. Kreu i PBDNJ iu përgjigj kryeministrit edhe për deklaratën e tij se Dule ishte zemëruar për shkak se nuk fitoi në zgjedhjet vendore. “Nuk mund të fitosh zgjedhjet kur ke përballë hajdutët qeveritarë”,  u shpreh ai. I ktheu përgjigje edhe për ftesën për t’u bërë pjesë e PS. “Unë kam bashkëpunuar me deputetët e PS, por ti nuk je PS”. Kryeministri u kundërpërgjigj duke i kërkuar edhe një herë që të bëhet pjesë e partisë që drejton pa mandat prej 3 vjetësh. “Nuk është kohë e humbur të merresh me ty dhe meqë krijove një dritare ku ka vend për të punuar, unë do t’i kërkoj Pandeliut të punojë me ty, që ti ta shohësh PS siç e the vetë, që PS nuk është Edi Rama, që ti të bëhesh pjesë për ta përmirësuar apo për ta larguar kryetari, apo edhe të marrësh pjesë në referendum. Unë jam i bindur që ty të foli tani pjesa më e mirë e jotja, pjesa socialiste. Konsideroje, mos të të errësohen sytë nga një mllef shumë i përkohshëm që ke me mua.  Ti nuk je njeri i inateve antike, por njeri i respektit të për antikitetin, dhe ajo që the si frymë dhe si gërmë platoniane, duhet të të udhëheqë. Miqtë janë të shtrenjtë, por e vërteta është edhe më e shtrenjtë. Ndaj bëhu anëtar i PS dhe i lëvizjes së madhë që po ndodh në minoritet drejt kthimit në shtëpi, në familjen socialiste”,tha Rama.

Braçe i përgjigjet Dules me një selfie: Kone për Shqipërinë bëhem, qen për Greqinë tënde kurrë!

/Lapsi.al

Filed Under: Komente Tagged With: Dule, Rama, sherr ne Parlament

Referendumi Në PS/ Blushi: Marrëzi e Ramës ….

March 10, 2016 by dgreca

..që do të konkurrojë me vetveten/

Deputeti Ben Blushi e ka cilësuar si marrëzi propozimin e Edi Ramës për referendum për mandatin e kryetarit të PS-së.

Sipas tij nuk mund të bëhet referendum për një emër, sepse referendumet bëhen për çështje.

“Deri sot kanë domiuar dy linja që janë përplsur brenda partisë. Njëra e arsyeshme që kërkonte zbatim të statutit, tjetra që ishte kundër. Sot u shtua linja e marrëzisë. Referendumet bëhen për çështjet, jo për njerëzit. Rama kërkon të bëjë një referendum për të marrë një mandat të përhershëm. Absurdi është që kërkon të shkohet në referendum pa zbatuar statutin. Kjo do kthehet në barsaletë. Nuk është se jam kundër referendumit. Nëse ky statut hidhet për referendum jam dakord, por kush është pyetja që hidhet në  referendum. Besoj se është marrëzia e një njeriu që do të shkojë në zgjedhje vetëm pa kandiat, që Edi Rama të kandidojë pa kandidat”, tha Blushi.

Më tej ai e quajti censurë faktin që fjala e tij nuk u transmetua live në media.

Blushi ripërsëriti akuzat ndaj Ramës për papunësinë, rritjen e borxhit dhe taksave, si dhe u shpreh i gatshëm për një ballafaqim publik për të gjitha këto çështje.

Blushi vlerësoi gjithashtu fjalimin e deputetes Arta Dade në Asamble, për të cilin tha se ishte një nga më të bukurit që ai kishte dëgjuar në këto 20 vjet në Partinë Socialiste.

“Për aq kohë sa nuk ka zgjedhje, për aq kohë sa të mendoj se Rilindja dhe PD-ja janë dy parti të djathta, për aq kohë sa partia ku jam futur nuk respekton statutin e vet, unë do të vazhdoj të flas”, u shpreh Blushi para gazetarëve.

Duke iu përgjigjur akuzave të Ramës dhe mbështetësve të tij që thonë se ai po flet me gjuhën e Berishës, Blushi tha se për asnjë ditë nuk ka menduar si Saliu.

“Kam mendimet e mia, mbroj pikëpamjet e mia, që thonë se duhet të qeverisim më mirë. Ka akoma mundësi që PS-ja të ndryshojë drejtim”, theksoi Blushi.

Filed Under: Komente Tagged With: Marrëzi e Ramës ...., Referendumi Në PS/ Blushi:

Koment: Zemra e ftohtë e Evropës

March 10, 2016 by dgreca

BE dëshiron ta zhvendosë në Turqi krizën e refugjatëve. Viktimat e para presin në Idomeni, mendon Bernd Riegert./

Në samitin e posaçëm të nivelit të lartë të BE të hënën, për shkak të vetos gjermane u debatua për orë të tëra për fjalinë në deklaratën përfundimtare, nëse është i mbyllur krejtësisht për refugjatët apo jo itinerari ballkanik. Kancelarja gjermane Merkel zbatoi vullnetin e saj dhe bëri që deklarata e skajshme të zbutet pak, sepse Merkel ëndërron ende për një zgjidhje evropiane. Vetëm 24 orë më vonë, anëtarët e BE, Slloveni dhe Kroaci krijuan sërish fakte dhe i mbyllën kufijtë e tyre zyrtarisht dhe krejtësisht. Nuk ka veprime të përbashkëta. Angela Merkel me sa duket e ka humbur edhe atë autoritet të fundit që i kishte mbetur në Evropë. A është kjo ende Evropa juaj, zonja Merkel?

Izolim dhe kthim pas është tani motoja, në bazë të tregtisë që po përvijohet me Turqinë. Kjo u bë e qartë edhe të hënën në Parlamentin Evropian. Këshilli i BE, si dhe Komisioni i BE dërguan vetëm zyrtarë të rangut të dytë. Zëvendësit përsëritën pa dëshirë fraza njëra pas tjetrës. Zhvendosja e problemit të refugjatëve në Turqi dhe përfundimi i ndërtimit të kështjellës Evropë u shit si “zgjidhje evropiane”. Kjo është e hidhur. Është madje çnjerëzore, sepse njerëzit që kanë ngecur sot në Greqi para dyerve të mbyllur të Evropës as u përmendën në deklaratat zyrtare.

Largimi i syve nga katastrofa

Emri i qytetit kufitar Idomeni, i cili simbolizon tani mjerimin e refugjatëve, u përmend vetëm nga kryetarja e Grupit Parlamentar të Majtë, Gabi Zimmer. Ajo kritikoi edhe tregtinë e pështirë të njerëzve dhe dëbimet masive, për të cilat do të bihet dakord midis BE dhe Turqisë. Greqia nuk është e aftë ose në gjendje që të kujdeset për tragjedinë akute njerëzore në kufirin e saj. Paratë që ka premtuar BE do të rrjedhin vetëm disa muaj më vonë, sepse më parë duhet të ndryshohen buxhetet. Një ndihmë e vërtetë emergjente nga BE nuk duket gjëkundi, megjithëse do të qe e mundur në bazë të marrëveshjeve të BE. Pse nuk e bën?

Komisari i Lartë i OKB-së për refugjatët, në fjalën e tij para Parlamentit të Stassburgut e akuzoi BE për shkelje të planifikuar të së drejtës dhe për sjellje jonjerëzore. Çfarë duhet të ndodhë që t’i vrasë ndërgjegjja kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE dhe të shteteve kandidate?

Çështje ndërgjegjeje?

Kushtet në Greqi janë shumë më të këqia se ishin kushtet në Hungari në shtator. Atëherë, kancalerja gjermane dhe kancelari austriak dëshmuan – duke vepruar të vetmuar – qëndrim human dhe i lejuan refugjatët që të hyjnë në vendet përkatëse. Prej kësaj tashmë nuk ka mbetur më asnjë gjurmë. Përkundrazi: pamjet e shëmtuara nga Idomeni të familjeve në baltë madje janë të dëshiruara, për të frikësuar migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët që mund të duan të vijnë. Tri javë pas mbylljes së kufirit, ushtria greke ende nuk është në gjendje të shpërndajë bukë dhe ujë?

Një zgjidhje e vërtetë nuk duket në horizont

Bernd RiegertBernd Riegert

Nëse do të arrihet dakordimi për planin e lëkundur, që së bashku me Turqinë të çohet në zero migrimi i pakontrolluar në BE, sot është e pasigurtë. Për disa shtete, kërkesat e Turqisë janë shumë të mëdha, të tjera janë parimisht kundër rishpërndarjes së refugjatëve në BE. Çfarëdo të jetë ajo për të cilën do të bihet dakord në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të BE javën e ardhshme: njerëzit në Idomeni, të cilët thërrasin “mama Merkel”-in me fjalët e shkruar në kartonë, vendimet nuk do t’i ndihmojnë.

Edhe nëse do të ketë sukses kjo strategji izolimi, të gjithë që kuptojnë pak nga situata e kanë të qartë se refugjatët do të kërkojnë rrugë të reja. Dhe jo më nëpërmjet Egjeut, por përmes Bullgarisë ose Shqipërisë, Lampedusas ose Maltës. Vlerat humanitare dhe kristjane, të cilat i theksojnë me dëshirë politikanët evropianë në fjalimet e tyre të të dielave, humbasin krejtësisht këto ditë në debatin për mbrojtje nga refugjatët. Evropa tregon zemrën e saj të ftohtë.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: e ftohtë e Evropës, Koment: Zemra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT