• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

“Tulipani i Koresë”, misteret e Kristaq Turtullit

March 10, 2016 by dgreca

NGA FATMIR TERZIU/

Shenime mbi romanin: TULIPANI I KORESE Pjesa e dyte e trilogjisë ‘HIDHESIA E PUTHJES’ te shkrimtarit Kristaq Turtulli/

Trilogjia “Hidhësia e Puthjes”, të cilën shkrimtari Kristaq Turtulli e vendos në pjesën e dytë të prozës së tij nën këtë tematikë, romani “Tulipani i Koresë” është vazhda e gjatë kërkimore që ka bërë shkrimtari për të prurë për herë të parë në vëmendjen tonë ngjarje, të cilat janë dhe mbeten ende mister dhe utopi. E largëta e trajtuar në spektrin e utopisë fiktive në roman, mbetet një distancë, sa për vetë të largtën, aq edhe për vetë distancën që krijon në të hapësira, vendi dhe koha. Është një ‘largësi’ që më së shumti pikëtakon memorje të fragmentuara, por edhe detaje të superizoluara, për fakte, fate, frymëmarrje, apo edhe dihatje frymëmarësish nën diktaturë, se sa aspekte që lidhin e stërlidhin këto fate dhe fakte të pasqyrta në një kënd me të cilin Lakani do të na shpinte ndoshta më afër tek kumti i ‘pasqyrave’, pak më larg ndoshta ‘pasqyrave të Afërditës’, jo për të lexuar vetëm të pathënën, por për të lakonizuar të shkuarën për të sotmen, e për të kanonizuar atë për të ardhmen. Ky kanonizim ‘pasqyrues’ vjen mes një gjuhe tipike, mes asaj në fakt që vetë kjo gjuhë tipike prodhohet si metaforë në të gjitha gjuhët, si një kod me të cilin nuk komunikojnë vetëm fjalët por edhe tërë mimikëria e fytyrës dhe e trupit. Kështu ngjan në fakt në mjaft raste, por më e ndihshme është në këtë rast kjo gjuhë në komunikimin në vend tjetër. Shkrimtari këtë ‘pasqyrëzim’ e shfaq në gojën e heshtur të protagonistëve dhe dikton për lexuesin mirëkuptimin e thellë e të qetë të saj edhe kur ajo vjen nga e shara: “e shara ka një kod të vetëm, të njëjtë, paçka se thuhet në të gjitha gjuhët e botës.” Kjo ndodh edhe për vetë faktin që shkrimtari dikton në morinë e germave të gjuhës së tjetrit si një përmbushje të ardhur nga ‘zvaranikët e germave’. Mes kësaj asfiksie fiktive, pasqyrimi vjen mes të turbulltës si një kthjelltësi për të parashtruar vetë ‘pasqyrimin’ e gjërave që lidhen me fatin e njeriut në roman.

E turbullta si kthjelltësi në pasqyrim

Romani më i ri i shkrimtarit Kristaq Turtulli, “Tulipani i Koresë” na shpie në atë ‘pjesë të largët të botës’ për të cilën përfytyrimi ‘është i turbullt’. Në këtë udhëtim mes turbullsisë së kësaj bote që në fillim dialogu perceptues i emrave të tillë si Vironi Delishurdhi e Mirili, që gatuajnë herë monologun dhe herë dialogun për lexuesin, mbesin analogjia e një pranie jetike, ku zjarri është mjeti që intrigon tërë prezencën dhe gjendjen e njeriut për të cilin kjo ‘turbullsi’ është një grimë. Kjo ‘turbullsi’ është pikërisht ajo grimë mes së cilës kalon fati i studentit Vironi, përpos një arsyeje e përpos ‘drithmave’ që fitohen nga shfaqja e emrit në listën e studentëve që do të studionin jashtë shtetit, pikërisht aty ku zakonisht liheshin gjurmë në qelq. Dhe jo shumëkush e kishte në atë kohë fatin e këtij ‘qelqi’. Sidoqoftë, teksa ‘emrat në qelq’ ishin edhe përzgjedhje, edhe emocion, Turtulli ndjehet në kapjen e të ftohtës së këtij emocioni, që pikërisht e qelqta të difuzojë më tej turbullinë e shfaqur që në hyrje në bisedën prindërore me të birin. E qelqta e emrit të tij si fabulë shënohet pikërisht në atë listë, por edhe në fatin e tij për të studiuar në Korenë e Veriut. Por, kjo e qelqtë shfaqet akoma më e ndjeshme teksa prekja në shpatull e shokut të klasës së Vironit, Bardhi Spahiut, sqaron të ftohtën e saj. Ishte e ftohta që vinte nga skutëria e zyrave që varnin jo vetëm thjesht emra listash, por rivarnin fate njerëzish. E qelqta e ftohtësisë për Bardhi Spahiun ishte diku larg, por e ftohta dhe e acarta e saj vinte mes pëshpërtitjeve të pashuara për xhaxhain e tij të arratisur.

Sakaq romani na ka udhëtuar ndjeshëm në mizinskenën e tij. Na lidh më tej me emra të tjerë si Marina, që percepton për ‘shkollarët e shkollës së lartë’, na lidh dhe na zgjidh edhe ‘fatin’ e vetëvarjes së Bardhit, që mbeti një acar mbi acarët e një jete nën zaptimë. Por na çorodit edhe atë mori përhamendjesh rreth ikjes së Vironit në vendin e largët. Në këtë mes është nënë Vera ajo që perceptohet më dinamike. Kështu i biri i një këngëtari të një grupi që kishte emër dhe me këngë të pëlqyera nga mjaft të tjerë, ishte në një rrugë tashmë të hapur. Mes kësaj rruge të largët për Vironin, nis edhe alarmimi për dhimbjet e nënës, koncertin e Mirilit dhe më tej me tërë ato pritje për shëndetin e saj. Sakaq pas mjaft ditësh Vironi nuk ishte më ai punonjës i ofiçinës…, ai ishte në rrugën e tij me të cilën Turtulli e bën më të prekshme në thënien e Konfucit: “Nuk ka rëndësi se sa ngadalë shkoni, rëndësi ka të mos ndaloni...”. Dhe në këtë udhëtim drejt Koresë së Veriut është avioni një arsye në perceptimin e studentit, por është edhe ajo mori njerëzish që nga lartësia në zbritje e sipër i ngjajnë si kukulla. Ajo pamje pas udhëtimit dhe shfaqja e punonjëses së Ambasadës, me përshkrimin tipik dhe emri i saj Dorina Sulçe, kuadratohen në atë pakprekje të gishtave në takimin e parë. Ndoshta është edhe jolinearja e gjërave që ndërrojnë gjeografi, ajo pasqyrë e autorit për të rikthyer fate njerëzish si Nasi Xela që janë produkt i faktorëve ‘agjitacion e propagandë’ dhe i prangave të katilit Bëzi Kule. Më tej pjesa e romanit është vetë elementi prozaik që udhëton mes elementëve të shumtë për të dhënë fabulën e tij.

Dhuna, elementi mes ‘turbulltisë’ dhe ‘dëshpërimit’

Shfaqja e premisave tipike në roman, emërzimi i njerëzve protagonsitë në kulturën dhe identitetin e tjetrit, natyrshëm janë vetë kurreshtja që prodhojnë dhunë në memorjen e lexuesit. Emra të tillë si Xin Hua, që lidhen me fate të trysnuar nën lidhje anatemike të ‘përbindëshit’ Lymn Walsh dhe gruas ‘së marë në mbrojtje’ natyrshëm janë vetë agonia e citimit të Budës se “dhuna është fryt i dëshirës…”. Xin Hua, ajo femër e bukur, e përshkruar nga autori si një model në vëzhgimin e lexuesit, është vetë perceptimi i dhunës që krijohet si element mes ‘turbulltisë’ dhe ‘dëshpërimit’. Këto faktorë shfaqen në kornizën e leximit të mëtejshëm të Haeji Koo, por edhe në dialogun e krijuar mes studentëve për të saktësuar atë lidhje mes thënieve të Çurçillit për Leninin se “lindja e rusit Lenin ishte kobsjellëse, por vdekja e bolshevikut Lenin ishte shumë më tronditëse’. Këto lidhje që duken disi e turbullta e romanit, janë kapërcime mes dëshpërimit për të lexuar historinë në fragmentizëm mes vetë ‘dëshpërimit’.

Dëshpërimi në faqe të tëra të romanit pikëtakohet më pas nën kulme e kulminacione të rrënqethura fatesh, që përmblidhen mes dhjetra e dhjetra emrave të lëvizshëm. Kulmi është vetë thënia e Konfucit të cilën Turtulli e citon “përpara se të marrësh rrugën e hakmarrjes gërmo dy varre…”.

Dhe aty nga fundi është ‘përsëri pa titull’ ku Konfuci na vjen në ndihmë: “të shikosh çfarë është e drejtë dhe të mos e bësh atë, është mungesë guximi dhe parimesh…”. por ndërsa avioni hyn mes reve pulpëlore të bardha është rishfaqja e vegimit të Vironit dhe fluturës May Lee që vallëzonte në një fushë të bukur me tulipanë… Romani ka nisur një udhë të guximshme, të cilën shkrimtari, do ta riemocionojë për lexuesit në pjesën e tij të tretë. Le të presim katin e tretë të kësaj ‘ndërtese letraro-artistike’ tipike.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: e Kristaq Turtullit, Fatmir Terziu, MISTERET, Tulipani i Korese

“Ana, vajza e sekretarit”- Një libër me vlera

March 10, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/Një tjetër lajm i gëzuar: Petraq J. Pali, emër shumë i dëgjuar në qarqet letrare të emigracionit në Amerikë si poet, shkrimtar dhe publicist, i sjell këto ditë lexuesit, librin e ri me novela e tregime: “Ana, vajza e sekretarit”, një libër ky,  botim i Shtëpisë Botuese “Edlora” Tiranë dhe sponsorizuar nga djaloshi shqiptaro-amerikan Indrit J. Bregasi.Juristin Petraq J. Pali, që 30 vjet më parë punonte si gjeometër në Drejtorine e Ujrave të qytetit  dhe shëtiste gjatë gjithë ditës në të katër anët e rrethit të Vlorës me motoçikletën e tij JAWA, askush nuk do ta përfytyronte se do bëhej një poet e prozator me emër. Po ai, krahas zgjerimit të njohurive dhe shkollimit universitar dhe udhëtimeve e lëvizjeve nëpër botë, rezultoi një vëzhgues i vëmendshëm dhe hodhi në letër kujtime mbresëlënëse, dhe krijime të bukura letrare, të paraqitura me art dhe atdhetari.

I lindur në fshatin e bukur bregdetar Qeparo të Krahinës Himarë, në vitin 1944, Petraq Pali, pati fatin të kishte babë Janko Palin, Mësues  i Merituar, Nderi i Qarkut të Vlorës dhe Mirënjohje e Qytetit te Vlorës, studiues, poliglot, poet e shkrimtar dhe përkthyes i palodhur dhe atdhetar i spikatur.

Petraq Pali e ka nisur krijimtarinë letrare qysh para ndryshimeve demokratike të vendit, me melodramën “Selim Lala”, por e ka bërë veten shkrimtar me punë intensive e vullnet të çeliktë, gjatë njëzet viteve të fundit, duke botuar çdo vit poezi, përshkrime udhëtimi, tregime e novela e deri romane. Ndër veprat e tij, deri tani 21, mund të përmendim 5 libra me poezi, 1 me publicistikë, 2 novela, 5 romane dhe 8 libra me rrëfenja e tregime.

Mërgimi në Korfuz të Greqisë dhe në Virxhinia të Amerikës, malli, patriotizmi në gjenezën Jankopaliane dhe dashuria për vendin e vet: Qeparoin, që e lindi dhe e mëkoi me dashuri dhe atdhetari, Vlorën e veprimtarisë djaloshare, që e zbuloi si ajkën e të rinjve të gëzueshëm, të zotë e të dashur dhe që e vuri në ballin e tyre, si nismëtar e organizator, me epiqendër djemtë e bregdetit, po dhe me shokë e miq nga të gjitha trevat shqiptare. Të gjitha këto të bashkuara në një mendje të ndritur, origjinale dhe më tej të përpunuara në art, shpërthyen atje larg në dhe të huaj, dhe u kthyen në mbresa të pashlyeshme në prozë e në poezi të kërkuara. Këto gjurmë Petraqi i mban të freskëta dhe i përtërin me ardhjen e përvitshme në Qeparo, ku fle e ndrojtur muza frymëzuese dhe ku po përpiqet, mesa duket, të kthehet në folenë e tij të re, ndërtuar sipas kërkesave të kohës, për të gjetur qetësinë e dëshiruar dhe vrull të ri inspirimi.

Faqja e posaçme në internet dhe shoqata “Qeparoi” është një tjetër veprimtari që paraqet vullnetin e pamposhtur dhe sakrificën pa interes të këtij Shqiptari të vërtetë, ndërsa Shkolla “Janko Pali”, një mundim familjar krejt patriotik, vazhdim i traditës së babit të tij të ndritur, një model i rrallë i përpjekjeve të Shqiptarëve të Amerikës, sipas shembullit të hershëm të vatranëve të paharruar, kontribues të rëndësishëm për vetëgzistencën e Shqipërisë tërësore, me Vlorën dhe Prishtinën.

Një tjetër mësim që na jep Petraq Pali, si rrallë djem të tjerë të kësaj kohe, është kujdesi, respekti dhe shpenzimet financiare që i kushton babit të vet, të cilit ia ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk i rresht përpjekjet për ta vendosur atë në piedestalin që meriton. Po kështu veprim human i kohës, është xhesti prej kalorësi i Petraq Palit, që deri tani, veprat e tij në shumë kopje, i ka dhuruar pa shpërblim, duke sakrifikuar të ardhurat e tij personale.

Petraq Janko Pali, veprimtar shoqëror në gjirin e Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, ku për 8 vjet ka qenë nënkryetar e sekretar, gjendet hera herës kudo: Në Tiranë, në Korçë, në Vlorë e në Berat, në Çikago, Boston, Miçigan, Washington, Njujork e Toronto, kudo ku mblidhen Shqiptarët dhe jep ndihmën e tij modeste për njohjen dhe ruajtjen e traditave më të mira dhe për përparimin e pandalshëm të Kombit Shqiptar.

Edhe tani, 72 vjeçar, mrekullohem nga veprimtaria e dobishme e Petraq Palit  dhe i uroj nga zemra atij: shëndet të mirë e prodhimtari të pashtershme.

Libri i fundit me novela e tregime “Ana, vajza e sekretarit” është një tjetër arritje me vlerë. Novelat dhe tregimet e këtij vëllimi të ri, me një prozë të bukur dhe tërheqëse dhe përshkrime narrative e intriguese, me densitet ngjarjesh e karakteresh, na çojnë në gramat e fundit të sistemit totalitar dhe në ditët e para të epokës së demokracisë: Kohë dhe Njerëz. Pleksje ngjarjesh dhe ndodhish interesante e intriguese, me vërtetësi e besnikëri. Pasqyrim real dhe fantazi figurash e bëmash, në fotografim të figurave aktive dhe të denigruara të regjimit në dekompozim e rënie dhe figura e fate njerëzish të thjeshtë e të vuajtur në skamje e mjerim, por me besim e aspirata pozitive per një jetë më të mirë, për liri e demokraci dhe për ta bërë Shqipërinë si Evropa dhe Amerika.

Nuk dua të shtjelloj, apo të komentoj ngjarjet, që aq bukur dhe si një letrar i pjekur tashmë, trajton Petraq Pali, se kam frikë mos ju shuaj kërshërinë, por ju rekomandoj ta lexoni “Ana, vajza e sekretarit”, për t’u njohur me personazhe interesantë, që hasen shpesh në jetë, por që të fiksohen në mendje.

Le t’i urojmë prozatorit dhe poetit prodhimtar, Petraq Pali, në 72 vjetorin e lindjes së tij, jetë të gjatë dhe shumë libra të tjerë, po kaq të bukur!

Tiranë, më 09.03.2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Ana, nga Luan Cipi, Petraq Pali, vajza e sekretarit”

DIASPORA- Mësimi i shqipes në Greqi

March 9, 2016 by dgreca

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi hapi një tjetër shkollë të gjuhës shqipe në qytetin e Artemisës, në zonën e Atikës në Greqi.
Në Ditën e 7 Marsit, Federata tha se, shkolla ishte kontribut i mësuesve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këtë zonë. “Është detyrim i të gjithëve ,u shpreh Kryetari i Federatës Edmond Guri, të përpiqemi për hapjen e sa më shumë kurseve të mësimit të gjuhës shqipe dhe të ruajmë identitetin kombëtar shqiptar “. Disa kurse të mësimit të shqipes funksionojnë prej 15 vitesh në disa qytete të Greqisë, ndërkohë që nevojat e fëmijëve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë për të ruajtur gjuhën amtare janë të mëdha. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe organizata të tjera kanë shprehur nevojën e mbështetjes me tekste mësimore dhe bazë materiale nga Ministria shqiptare e Arsimit. Në qytetin e Selanikut, Shoqata Nënë Tereza organizoi një ceremoni festive me prindër dhe fëmijë për 7 Marsin. Mësuesit e gjuhës shqipe u kërkojnë autoriteteve shqiptare që të kthejnë vëmendjen nga mbështetja e këtij komuniteti. Kriza ekonomike në Greqi e ka vënë në vështirësi komunitetin e emigrantëve shqiptarë që emigroi në këtë vend pas viteve nëntëdhjetë. Brezi i parë i fëmijëve të emigrantëve shqiptare është përballur me sfidën e ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, vlerësohet se në dhjetëra kurse të mësimit të shqipes të hapura ne Greqi nga vetë komunitetet e shqiptarëve mësojnë çdo vit rreth 1500 fëmijë shqiptarë. Gjithsesi duhet të na shqetësojë numuri i pakët i fëmijëve shqiptarë që mësojnë shqip në Greqi, pasi këtu ndodhet shumica e emigrantëve shqiptarë mbas viteve ’90, ndërkohë që afërsia me fqinjin jugor, favorizon transportin e teksteve me cdo mjet e rrugë, s’është njëlloj si të cosh një abetare në SHBA dhe në Greqi.

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, Mësimi i shqipes, ne Greqi

Fitore si ajo e Bernie-t

March 9, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi-Michigan/

Michigan, Hillary Cinton kishte besuar se do të fitonte në Michigan. Por ç ‘ndodhi?Edhe pse ajo ka marrë vota mes votuesve me ngjyrë, ajo nuk arriti një diferencë të madhe si në shtetet e tjera, një dukuri që i bëri të gjitha sondazhet e paravotimit në Michigan të duken gënjeshtare. Është fakt, që Sanders siguroi gati 6 nga 10 votues në zgjedhjet primare të Partisë Demokratike në Michigan, dhe besohet se kjo kryesisht, nga fakti që ai kundërshtonte efektet e traktatit të tregtisë ndërkombëtare, që perceptohet në Michigan-in industrial si burimi i largimit të vendeve të punës nga SHBA dhe i eksportimit të tyre në vende të tjera si në Meksikë apo Kinë.

Pikërisht Sanders fitoi Michigan më 8 Mars me afërsisht më shumë se 20 për qind të votave, vetëm në sajë të këtyre votuesve të zhgënjyer të jakave blu të Michigan-it, por edhe duke marrë vota prej disa grupeve kryesore, ndër ta edhe nga komuniteti afrikano-amerikan në Detroit dhe Flint. Gabimi kryesor i kompanive të sondazheve ndodhi pasi ato e vlerësuan këtë komunitet, si tërësi, si një mbështetës klasik të Clinton-ëve qysh nga vite 90-të. Por zgjedhjet treguan, se Sanders fitoi më shumë vota në mes të rinjve edhe të këtij komuniteti. Një element tjetër që influencoi në fitoren e tij ishte dalja masive e paparë në votime e mbi 2 milionë votuesve, gjë që tregon se mesazhet për ndryshim rezononin.

Por, edhe pse Hillary Clinton, mori më shumë delegatë prej zgjedhjeve paraprake në Michigan dhe në Misisipi të martën në mbrëmje, Bernie Sanders, duke fituar Michigan-in, ka arritur një fitore të rëndësishme sa masive aq edhe simbolike, gjë që ka të ngjarë ta rigjallërojë fushatën e tij, duke e shtyrë garën presidenciale mes demokratëve edhe për disa javë, nëse jo edhe për disa muaj të tjerë, duke i siguruar kështu Sanders edhe mbështetjen e duhur financiare.

“Ajo që ndodhi sonte,… tregon se fushata ime është e fortë në çdo pjesë të vendit”, tha Sanders në fjalën e shkurtër pas fitores të martën në mbrëmje në Florida. “Ne besojmë se kemi ende zona të forta.”

Ndoshta debati mes dy fushatave në Michigan u mbështet në politikat e “bail-out” të industrisë së automobilave që mbrohej si histori suksesi nga Clinton, por që nuk i prekte aktualisht drejtpërdrejt zgjedhësit, dhe mesazhit të bail-out të bankave dhe të kompensimit, që u duhet marrë atyre, për të zgjidhur problemet e sigurimeve shoqërore, të medicare apo të pagesave për arsim të lartë falas. Nga ana tjetër, Clinton, por edhe Sanders, i mëshuan skandalit të gjendjes së ujësjellësit të Flintit, duke sulmuar kryesisht guvernatorin republikan Rick Snider. Debat që ka vlerë në përballjen me republikanët, por jo midis dy kandidatëve. Në anën tjetër, theksimi tej mase i krizës së Flintit në media, synonte të bënte për vete elektoratin me ngjyrë, duke lënë të nën kuptohet si një nënvlerësim për të varfrit dhe njerëzit me ngjyrë, por në fakt, vetëm fajësonte dhe nuk jepte zgjidhje për problemin.

Duke pasur parasysh këtë kthim shquar të Sanders në Michigan – ku shumica e sondazheve e quante atë të humbur me 20 % dhe tani sheh se ka mundësi fitoreje edhe në një pjesë shtetesh të mëdha, industriale, shumica të grumbulluar në Midwest, ku pozicioni Sanders tani duhet të konsiderohet i qëndrueshëm, duke supozuar se ai do të vazhdojë të ngacmojë sërish me mesazhin kundër tregtisë të lirë që e katapultoi atë në krye të shtetit Wolverinave, më shumë se sa vetë idetë utopike e një revolucioni socialist ala danez. Kur dihet se në Danimarkë dhe vendet skandinave niveli i taksimit është 40%, i pa imagjinueshëm për Amerikën.

Por, duke pasur parasysh rritjen e fundit që Sanders siguroi në ditët e fundit në Michigan – për të mos përmendur opinionet pozitive, që ai mund të marrë në Ohio dhe kudo tjetër, nga fitorja e Michigan-it, një sondazhi i CNN tregon një prirjen e tij për të fituar me 30 pikë, ç’ka e bën të vështirë për të shuar krejtësisht shanset e tij, siç do ta dëshironte znj. Clinton. E njëjta gjë vlen edhe për Illinois, i cili, ashtu si Ohio, voton më 15 mars, si dhe për Wisconsin që voton më më 5 prill dhe Pensilvani-në më 26 prill.

Duke lënë mënjanë aspektet më teknike të asaj ç’ka do të thotë “fitore e Sanders”, fitorja e Michigan-it e bën shumë më të vështirë për njerëzit e Clintonit që ta zhvlerësojnë atë, si një kandidat rajonal, apo si dikush, i cili mund të fitojë vetëm, shtetet e vogla e jo shumë demokratike që kryesisht mbajnë caucas (koukaz).

Fitorja e shquar në New Hampshire më shkurt 9 e Sanders, para së martës mbrëma, ishte në fitore që u zhvlerësua në mënyrë efektive nga njerëzit e Clinton-it, si thjesht një fitore në shtetin e tij të lindjes (e ngushtë dhe mjaftueshme). Ndërsa fitorja në Kansas dhe Nebraska duket si shumë e pakuptimtë, për shkak të dominimin të vazhdueshëm Clinton në sigurimin e numrit të delegatëve. Fitoret e Sanders në Kolorado dhe Minesota – dy shtete të mëdha – u nënvlerësuan për shkak se ato ishin me kaukaze, çka cilësohen si më liberale dhe pro- Sanders, sesa zgjedhjet e drejtpërdrejta paraprake.

Por Michigan-i është një shtet, ku askush – as edhe Clinton – me gjithë mbështetjen në elektoratin afroamerikan, që ka mbështetur gjithnjë Klintonët, nuk besohej se do të fitohej nga Sanders. Michigani është një shtet i madh, shumë më i larmishëm se sa Iowa apo New Hampshire. Clinton u përpoq me shumë vështirësi për të fituar por s’mundi. Dhe kaq….

Edhe pse fitorja Sanders praktikisht i siguron atij fonde, që kjo garë të vijojë deri në prill në primari deri në Pennsylvania-së në fund të këtij muaji – dhe, ndoshta, mund të zgjasë deri në zgjedhjet në California më 7 qershor, ajo ende nuk e ndryshon matematikën themelore të numrit të delegatëve. Dhe, aty, Clinton ruan një avantazh të konsiderueshëm.

Fitorja e ngushtë e Sanders në Michigan i dha atij vetëm shtatë delegatë më shumë sesa Clintonit, ndërkohë që fitorja e saj masive në Misisipi i dha asaj një avantazh prej 25 delegatësh. Nata e kaluar shënoi një numër më shumë se 18 delegatësh për Clintonin.

Kryesimi i saj me numrin e delegatëve duke marrë parasysh edhe kur superdelegatët pazgjedhur dhe të pashprehur, do t’i shtohen kësaj përzierjeje – arrin në 650, gjë që tregon, se ajo tani, është në gjysmën e rrugës për sigurimin e gjysmës së 2,383 delegatëve të nevojshëm për të siguruar zyrtarisht emërimin e partisë.

Dhe kështu, prapë Clinton mbetet e favorizuar për të marrë nominimin. Por, të martën, në një natë, kur fushata e Clinton shpresonte të bënte një hap të madh përpara në shtypjen e “kryengritjes Sanders”, ajo bëri një zbythje pas.

E megjithatë, tani për tani, gara vazhdon – dhe do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Dhe ky është një lajm shumë i mirë për Sanders, dhe një lajm i keq për Clinton, edhe pse nuk mund të quhet një fitore si e Pirros, (çdo krahasim çalon) padyshim…është një sukses i pabesueshëm i tij.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fitore si ajo e Sanders, Michigan, Rafael Floqi

Trump fiton edhe tre shtete, Klinton fiton Misisipin, ndalet ne Michigan

March 9, 2016 by dgreca

E Marta nuk e ndali Trumpin, edhe pse jane te shumte ata qe i hedhin gur. Ai ne perballjen e mbremshme ka fituar tre shtete më shumë, Michigan, Misisipi dhe Hawaii, në përpjekjen e tij për të qenë republikani Shtëpia e Bardhë. Në garën Demokratike, Bernie Sanders kishte një fitore surprizë në Michigan, por Hillary Clinton shtoi epërsinë e saj të përgjithshme me një fitore të madhe në Misisipi. Ted Cruz fitoi një garë në Idaho.

Trump, një biznesmen pa përvojën në poste të zgjedhura, kryeson sondazhet në Florida, nga ku ai mbajti fjalimin e tij të fitores të martën në mbrëmje.”Një nga gjërat që unë jam shumë i lumtur për është pjesëmarrja që ka qenë e madhe. Mendoj se është historia e vetme më e madhe në politikë sot,” tha ai në një konferencë shtypi në Jupiterit.

Analiza-Me fitoret e tij, Donald Trump ka forcuar pozitën e tij si republikan, dhe t’i qëndrojë në breshëri reklamave negative për çdo gjë që nga përdorimi i gjuhës vulgare dhe profane. Në vend se të mbajë një fjalim konvencional për fitore, miliarderi ka mbajtur një konferencë për shtyp dhe të realizuar atë që dukej në pjesë si një infomerciale, duke argumentuar se produktet që mbajnë emrin e tij, si uji në shishe dhe vera, janë suksese komerciale.

Hillari Klinton ka fituar thelle ne Missisipi, po sa vlen? Atje ishin vetem 36 delegate. Ajo u ndal habitshem ne Michigan. Analistet po vazhdojne te pyesin: Ku gaboi Hillary? Ndoshat ne vizionin ne ekonomi, ndoshta po i rritet pabesueshmeria?!Kundershtari i saj ka amrre zemer nga kjo fitore, edhe pse e ngushte en kufijte e 1 perqindshit. Le te presim sonte debatin dhe perballjen e radhes.

Filed Under: Komente Tagged With: Hillari ndalet ne Michigan, Trump fiton 3 shtete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT