• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

STROFKULLA E DJALLIT

March 9, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/*

Nata kishte kohë që kishte mbuluar gjithçka me vellon e saj të errët. Dritat e qytetit po shuheshin njëra pas tjetrës. Vetëm një dritë vazhdonte të qëndronte e ndezur. Nënë Sadien nuk e zinte gjumi. Jetonte e vetmuar në një shtëpi në periferi në majë të një kodre. Shtëpi i thënçin se në të vërtetë kishte qënë një hangar me mure qerpiçi që ishte adoptuar në shtëpi. Shtëpitë e tjera ishin pak larg saj. Përpara kishte një obor të vogël të rrethuar nga një gardh me tela me gjëmba ku kishin mbirë drethkëla që e kishin mbuluar gardhin. Nga prapa ishte një kopësht ku përveç disa pemëve mbilleshin edhe perime nga tregëtimi i të cilave si dhe nga një dhi race sigurohej jetesa.Lufta kishte gati një vit që kishte mbaruar, por për nënë Sadien ajo vazhdonte akoma. Burri i saj, një ish udhëheqës nacionalist, ishte arratisur jashtë shtetit dhe nuk kishte asnjë haber për të. Dy djemtë Luani njëzetepesë vjeç dhe Petriti tetëmbëdhjetë ndodheshin të arrestuar. Ishin dënuar me vdekje dhe natë për natë prisnin ekzekutimin e vendimit. Luani ishte i martuar, por mbas arrestimit të tij , e shoqja kishte ikur te prindërit e saj së bashku me djalin pesëvjeçar Skënderin. Petriti sapo kishte mbaruar shkollën tregëtare kur e kishin arrestuar.

Nënë Sadia qëndronte e ulur në një fron  në obor e mbështjell me një shall të madh të leshtë. Ishte dhjetor por qielli ishte i kthjellët. Disa re tek tuk kishin filluar të dukeshin në horizont. Ishte vetëm dyzetepesëvjeçe, por hallet e këtij vitit të fundit e kishin plakur aq shumë sa pa frikë i jepje gjashtëdhjetë. Ndaj të gjithë e thërrisnin nënë Sadia. Ajo qëndronte ulur dhe vështronte qytetin e përgjumur. Nga prapa kodrës filloi të ngrihej lart hëna. Ishte hënë e plotë. Qyteti u ndriçua nga drita e saj. Nëna vazhdonte të vështronte. Ja silueta e sahatit nga kulla e të cilit u dëgjuan dy të goditura. Ja dhe godina e ish-konsullatës italiane. Aty pranë saj ishte godina e burgut ku ishin mbyllur bijtë e saj.

Atë ditë kishte qënë atje për t’u çuar disa ushqime, por nuk ja kishin pranuar.

– Nuk është nevoja. Tani mendojmë ne për ta, – i kishin thënë kur ajo kishte kërkuar shpjegim.

Edhe tani atë po mendonte. Iu kujtua se para pak kohe kështu i kishin thënë një mikes së saj një ditë para se t’i pushkatonin të shoqin. Një drithtërimë i përshkoi trupin.

– Jo, jo nuk është e mundur. Po përse nuk m’i pranuan vallë? Mendojmë ne për ta tani më thanë. Çfarë do të mendojnë ata? Korba unë si nuk më hiqen këto mendime nga koka. Djemtë e mi nuk kanë bërë asgjë. Luani sapo u kthye nga studimet në Itali dhe filloi punë si ekonomist. Ndërsa Titin e nënës e arrestuan në shkollë në kohën e ndarjes së dëftesave.

Nëna nuk kishte shkuar në atë ceremoni. Pas arrestimit të Luanit ajo nuk guxonte të shkonte në raste të tilla. Por disa shokë të djalit i treguan se në kohën kur drejtori po i dorëzonte një fletë nderi si nxënës i shkëlqyer, një zë thirri:

– Ndal! – dhe duke iu afruar pranë i tha:

– Në emër të popullit jeni i arrestuar.

Në emër të kujt populli e kishin arrestuar? Se nëna nuk kishte dëgjuar kurrë ndonjë gjë për djalin e saj. Të gjithë që e takonin i flisnin me admirim për të.

– Ai po, – mendonte nëna. E kishte fjalën për të shoqin, — Ai kishte marrë pjesë  në luftën kundër komunistëve, ndaj edhe ishte arratisur. Mos duhej të paguanin për të fëmijët?

E hoqi vështrimin nga godina e burgut dhe filloi të vështrojë me rradhë godinat e tjera. Së fundi e ndali atë në një pikë që ishte ndonjë kilometër larg përballë shtëpisë dhe që nuk e di pse quhej Strofkulla e Djallit. Ndoshta në atë vend mblidheshin dikur djajtë dhe bënin kuvendin e tyre.

Papritmas iu duk sikur pa një grup njerëzish që ecnin në drejtim të atij vendi. Ishte një grup i veshur me uniforma ushtrie dhe të policisë. Në mes të tyre ishin edhe disa civilë. Ndërkaq hëna u zhduk prapa një reje që kishte filluar të pushtonte qiellin dhe pamja humbi nga syt e nënës. Ajo u trondit. Ç’kërkonin këta njerëz në këtë orë të natës në atë vend të shkretë? Zemra i ndolli një tragjedi. U ngrit dhe filloi të vrapojë drejt Strofkullës së Djallit. Kur mbërriti atje grupi i ushtarëve dhe policëve sapo kishte arritur. Civilët i kishin rreshtuar para një grope të hapur më parë. Ishin gjashtë vetë. Nëna qëndroi dhe u fsheh prapa një ulliri të madh.

Midis civilëve dalloi dy bijtë e saj. U drodh. Donte të thërriste, të ulërinte me zë të lartë që ta dëgjonte i gjithë qyteti. Donte t’u dilte përpara dhe t’i ndalonte të kryenin vepren e tmerrshme që kishin ndër mend. Por s’kishte fuqi. Zëri i kishte ikur, këmbët i ishin prerë. Ndjeu t’i priteshin fuqitë dhe u rrëzua pa ndjenja aty në rrënjët e ullirit pa nxjerrë asnjë zë

Ndërkaq të dënuarit qëndronin në pritje me kokat lart. Luani shikonte me përbuzje kundërshtarët e tij, ndërsa petriti qëndronte si i hutuar në heshtje.

– Fjala e juaj e fundit, — foli prokurori.

– Jemi të pafajshëm! – thirri Luani – Rroftë Shqipëria!

– I thoni nënës se e dua shumë – tha Petriti.

Folën edhe të tjerët. Një ushtar deshte t’u lidhte syt dhe i urdhëroi të kthenin shpinën. Ata nuk pranuan.

– Tradhëtarët qëllohen nga prapa dhe ne nuk jemi të tille – tha Luani

Prokurori bëri një shenjë dhe ushtari u tërhoq. Të gjashtë u kapën dorë për dore dhe qëndruan.

– Zjarr!.

Një batare u dëgjua. Ata ranë njëri pas tjetrit. Prokurori u afrua, nxorri revolverin dhe e qëlloi secilin edhe një herë në kokë. Pastaj u afrua një civil i vjetër që kontrolloi kufomat.  Ishte mjeku. Pas konfirmimit të tij u dha urdhëri i varrimit. I kapnin nga krahët dhe këmbët dhe i hidhnin në gropë njëri pas tjetrit. I pari, i dyti, i treti, i katërti, i pesti ishte Luani, ndërsa i gjashti më i vogli Petriti. Pasi e mbuluan gropën dheun e tepërt e sheshuan rreth e qark që të mos mbetej asnjë shenjë varri.

 

*

*     *

 

Nëna vazhdonte të qëndronte pa ndjenja  prapa ullirit. Ishte gdhirë. Moti po rëndohej gjithmonë e më shumë. Një qen po kuiste duke lëpirë fytyrën e nënës. Ishte Popi, qeni i shtëpise. Nëna filloi të përmendej dalëngadalë. U ngrit  dhe filloi të fërkonte sytë. Ku ishte kështu?  Dalëngadalë filloi të kthjellohej. Para syve i dolën fytyrat e të bijve   dhe   shokëve   të   tyre   para   gropës   së   ekzekutimit.   U   afrua   në   vendin   e ngjarjes. Dheu i shkrifët tregonte se aty ishte mbuluar diçka. U gjunjëzua, mbushi duart me dhe, e shkrifëroi dhe belbëzoi me zë të ulët:

– Lulet e nënës1 Zoçkat e nënës!

Lotët mbuluan fytyrën e saj. Ishin lot pa zë, lot dhimbje. Dikur pushoi. U ngrit dhe ashtu si somnambul u nis për në shtëpinë e saj. Atje nuk qau më. Kishte për të bërë punë. Pastroi dhe lau çdo cep të shtëpisë. Nxorri kostumet, këmishat dhe rrobat e tjera të djemve të cilat i hekurosi dhe i vendosi  përsëri në dollap. Si i mbaroi të gjitha këto u ul përsëri në fronin e saj në oborr.

Nuk fliste asnjë fjalë. Vetëm mendonte dhe mendonte. Priste të vinte ora e caktuar. Po ajo po vononte. Asaj i dukej sikur nuk do të vinte kurrë. Qielli ishte i nxirrë krejtësisht dhe kishin filluar të binin flokët e parë të dëborës. Kishte vite që në atë qytet nuk binte dëborë. Më së fundi ora e qytetit tingëlloi dymbëdhjetë herë.

– Erdhi koha. – tha nëna.

Mori një lopatë dhe u nis drejt Strofkullës së Djallit. Si mbërriti në vend filloi menjëhere nga puna. Nuk kishte kohë për të humbur. Së shpejti dëbora do të mbulonte gjithçka.  Dheu ishte i shkrifët dhe gërmohej lehtë. Punonte me kujdes mos dëmtonte kufomat. Dikur e la lopatën dhe filloi të gërmonte me dorë. Nuk vonoi shumë dhe dalloi fytyrën e Petritit.

— I  vogli  i  nënës! –  tha  dhe u  përkul  për  ta  puthur në  ballë.  Vazhdoi   punën deri sa

e zbuloi të gjithë. E ngriti në krah dhe e vendosi jashtë. Poshtë tij qëndronte trupi i Luanit.

– Trimi i nënës! – i tha dhe e puthi. Pasi e pastroi nga dherat e ngriti edhe atë dhe e vendosi pranë të vëllajt. Dy fytyra të tjera u dukën në thellësi të varrit.

– Prehuni në paqe! Po ju puth ashtu si do ju puthnin nënat tuaja.

Lopatën e vendosi në një anë të varrit dhe filloi ta mbulojë atë me duar. Dëbora vazhdonte të binte. Gjithçka e kishte mbuluar bardhësia e saj.

– Keni ftohtë bijte e mi? Do t.ju çojë nëna në shtëpi dhe do t’ju ngrohë.

Ngriti në krah trupin e Petritit dhe u nis drejt shtëpisë. Ecte me ngadalë. Ndonjëherë edhe pengohej dhe rrëshqiste, por ngrihej përsëri dhe vazhdonte të ecte. Si bëri rreth dyqind metra ndaloi për të marrë frymë. Trupin e djalit e uli mbi dëborë.

– Tani do të shkoj të marrë vëllanë.

U ngrit dhe shkoi në vendin ku kishte lënë Luanin. E ngriti në krah, por ai ishte më i rëndë. Me mundim e pruri pranë të vëllajt. Këtë cikël e përsëriti disa herë. Një herë trasportonte të voglin dhe pastaj kthehej dhe merrte të madhin. Ulesh pak minuta sa për të marrë frymë dhe pastaj vazhdonte përsëri. Kur nuk kishin mbetur veçse ndonja njëqind metra nga shtëpia ndjeu se po e linin fuqitë.  Atëhere u gjunjëzua dhe iu drejtua Zotit duke iu lutur me duart përpjetë:

– O Zot ndihmomë! Mos më braktis në momentin e fundit. Lermë të mbarojë këtë detyrë, pastaj merrmë kur të duash.

Fliste dhe vështronte lart në qiell. Dëbora i binte mbi fytyrë por ajo vazhdonte të qëndronte ashtu me duart lart si e ngrirë. Papritmas e ndjeu veten të fortë. Mori në krah trupin e Petritit dhe e shpuri në shtëpi. Pastaj u kthye dhe mori edhe atë të Luanit.

– Mirseardhët në shtëpi djemt e mi! —  u tha nëna duke u ulur në një kolltuk që i kishte mbetur nga e kaluara. Djemtë qëndronin të shtrirë mbi dy minderë.

Ndezi zjarrin dhe vuri një tenxhere të madhe me ujë për t’u ngrohur. Përkëdhelte bijtë e saj dhe bisedonte me ta. U fliste për fëmijërinë e tyre, për ëndërrat e tyre. Ndërkaq uji ishte ngrohur. Filloi të lante trupat e tyre. plagët e tyre. Luani kishte tre plumba në gjoks dhe dy në kokë, ndërsa Petriti dy në gjoks dhe një në kokë. Si mbaroi së lari i veshi të dy me rrobat që kishte hekurosur më parë. I vendosi në dy dyshekë në mes të dhomes dhe i mbuloi me një jorgan të madh atllasi të nusërisë së saj. I puthi përsëri në ballë dhe filloi t’i qajë sipas zakonit të vendit. I qau për dhimbjen e saj, për të shoqin e larguar kushedi se ku, Por i qau edhe për Skënderin e vogël që tani ndodhej shumë larg. Askush nuk e dëgjoi të qarën e  saj.  Shtëpitë  e

tjera ishin shumë larg dhe me atë kohë që kishte filluar nuk guxonte njeri të dilte nga shtëpia.

U ngrit dhe doli përjashta. Kishte filluar të agonte. Dëbora vazhdonte të binte. Vështroi një herë rreth e rrotull se mos e shifte njeri dhe kur u sigurua u drejtua në një anë të oborrit ku filloi të gërmojë. Mori njërin pas tjetrit kufomat e të bijve dhe i vendosi në varrin e përbashkët njërin bri tjetrit. Në mes të tyre vuri një shishe të vulosur mirë ku kishte futur diçka. Pastaj e mbuloi varrin. Pas pak Dëbora  mbuloi gjithçka.

 

*

*     *

 

Kaluan tre vjet Nënë Sadia vazhdonte të jetonte e vetmuar. Mbi varrin e bijve të saj kishte mbirë një trëndafil i madh, i bardhë, të cilin ajo e vadiste vazhdimisht dhe i bënte të gjitha shërbimet e duhura. Kujdesej për të se i dukej sikur kujdesej për djemtë e saj. Askush nuk e dinte se çfarë fshihej nën rrënjët e atij trëndafili. Nëna donta t’ia tregonte dikuj, por nuk guxonte. Nuk kishte njeri që t’i besonte. Ishin kohë të vështira.  Frika se mos e merrnin vesh e tmerronte. Vetëm Skënderit mund t’ia tregonte. Por ai ishte larg dhe për më tepër ishte akoma  fëmijë. Kur të rritej me siguri që do t’ia tregonte. Prandaj vazhdonte ta mbante  të fshehtë brenda vetes së saj.

Atë ditë si mbaroi punët e zakonshme të shtëpisë, u shtri në shtrat. E ndjente veten të lodhur. Një dremitje e lehtë i mbylli sytë. Filloi të ëndërroje. I dukej sikur ishte në një pyll duke kërkuar të nipin i cili herë çfaqej dhe herë zhdukej. Ajo i thërriste vazhdimisht por nuk e gjente dot. Papritmas hapi sytë. Iu duk sikur dëgjoi një trokitje në portë. Priti pak. E trokitura u përsërit. U ngrit dhe hapi portën. Para saj u çfaq një djalë i vogel mjaft i bukur. Për një çast iu duk se kishte para sysh Luanin e vogël.

– Nënë! – tha djali duke hapur krahet.

– Bir i dashur! – iu pergjigj nëna duke e rrokur në krahët e saj.

Ai ishte nipi i saj që ajo kishte kohë që e ëndërronte. Vetë Zoti po ia sillte si dhuratë. U përqafuan me mall. Ajo e pyeste dhe ai pergjigjej

– Kam vendosur të jetojë me ty. – i tha djali

– Po me mamin a ke biseduar? – e pyeti nëna.

Djali e vështroi me kujdes dhe mbasi heshti për pak kohë u pergjigj:

– Ajo ka gati një vit që është martuar. Kanë lindur dhe një fëmijë. Njerku nuk më donte. Ai kish djalin e tij. E bisedova me mamin. Ajo u detyrua të pranonte mendimin tim. Pastaj a nuk jam këtu në shtëpinë e babajt tim, në shtëpinë time?

– Po mor bir, kjo është shtëpia e jote. Ne do jetojmë së bashku.

Që atë ditë nëna u ringjall. Një pamje tjetër mbuloi fytyrën e saj. Jeta e saj kishte marrë një kuptim të ri. Ditët  kalonin, djali  rritej  dhe  nënës i dukej sikur  në të përsëritej fëmijëria e Luanit. Një Luan e ri po fillonte jetën. Ky ishte Skënderi. Dhe zemra e nënës gufonte nga gëzimi.

Ditët rridhnin njëra mbas tjetrës. Djali rritej dhe mësonte, ndërsa nëna punonte. Në mbrëmje si mbaronte mësimet rrinin e bisedonin së bashku. Ajo i tregonte historira të mbushura me heroizma. Njëra nga këto i kishte mbetur në kujtesë djaloshit dhe donte ta dëgjonte vazhdimisht. Ishte historia e dy trimave, dy vëllezërve që luftonin kundër përbindëshit me tre koka. Kur i prisje ndonjërën prej tyre ajo ripërtërihej përsëri dhe përbindëshi bëhej prapë i fuqishëm. Lufta vazhdonte. Ata pri kokat e kuçedrës një nga një dhe ato rritu përsëri. Në këtë luftë pa fund, një ditë të dy trimat ranë në  fushën  e  betejës. Trupat e tyre mbetën ashtu përjashta nën hijen e përbindëshit. Ai nuk i lejonte njerëzit që të varrosnin kufomat e tyre. Një trëndafil i bukur dhe i bardhë  mbuloi trupat e tyre. Kaluan shumë vite. Një vigan tjetër i madh u çfaq që luftoi me përbindëshin e zi. Ai i preu atij të trija kokat njëherësh dhe ai ra për të mos u ngritur më. Atëhere njerëzit filluan të mbledhin eshtrat e të rënëve. Zbuluan edhe trëndafilin e bardhë dhe morën eshtrat e dy vëllezërve që i vendosën me madhështi në një varrezë të posaçme.

Një ditë , duke u kthyer nga qyteti ku kishte shkuar për të shitur perimet e mbledhura, nënë Sadia u përplas me një makinë. Goditja ishte e rëndë. Mbas dy ditësh mbylli sytë. Skënderi nuk kishte mbushur as trembëdhjetë vjeç. U detyrua të linte shkollën dhe të fillonte punë. Mësimet i vazhdoi në një shkollë të mbrëmjes. E ëma kërkoi ta merrte në shtëpine e saj, por ai  refuzoi. Nuk donte të ndahej nga kasollja ku kishte lindur dhe ku kishte aq kujtime.

Ditët kalonin dhe djali rritej. U martua, lindi dhe fëmijë. Rregulloi shtëpinë ashtu pak e nga pak me fukarallëkun e tij. Mbi të gjitha fytyra e gjyshes nuk i hiqej nga sytë. Ajo i dilte vazhdimisht përpara dhe atij i dukej sikur ajo vazhdonte t’i tregonte historinë e dy vëllezërve dhe përbindëshit me tri koka.

 

*

*     *

 

Kohët ndryshuan. Përbindeshi ishte rrëzuar. Atij i ishin prerë të trija kokat. Një jetë e re kishte filluar të lulëzonte. Njerëzit kishin filluar të mblidhnin ato që gjenin nga trupat e të rënëve. Në atdhe kishin filluar të ktheheshin ata që kishin ikur gati pesëdhjetë vjet më parë dhe kishin patur fatin të mbeteshin të gjalle. Midis tyre edhe një plak shumë i moshuar gati njëqindvjeçar. Fati ia kishte zgjatur jetën  për të parë përsëri atdheun të lirë. Ishte gjyshi i Skënderit. Kthehej në atdhe mbas një kohe të gjatë, por në shpirt ndjente një dhimbje të thellë. Dikur kishte lënë këtu gruan dhe dy djem si diva që i donte aq shumë, kurse sot gjente vetëm të nipin që tani ishte mbi  pesëdhjetë vjeç. Megjithatë ai i dha ngrohtësine që ai kërkonte.

Plaku kishte një peng. Nuk kishte një varr ku të derdhte dy pika lot për djemtë e tij. U interesua, pyeti gjithandej, por pergjigja ishte negative. Gërmoi në disa vende që i thanë se ndodheshin eshtrat, por asgjë. Asnjë shenjë nga trupat e djemve. Së fundi një plak rreth të shtatëdhjetave, një ish anëtar i togës së ekzekutimit, për të qetësuar ndërgjegjen e tij, i tregoi historinë dhe vendin ku ishin varrosur gjashtë viktimat në Strofkullen e Djallit.

Gërmuan në vendin e caktuar. Por aty gjetën vetëm katër skelete dhe një lopatë. Po dy të tjerët ku ishin? Dëshmitari u kishte thënë që kishin qënë gjashtë. Për t’u siguruar u morën analizat e ADN-së të katër kufomave dhe u dërguan në Itali. Përgjigja ishte se asnjëri prej skeleteve nuk i përkiste dy vëllezërve. Dëshpërimi mbuloi plakun e gjorë. E ndjente se po i vinte fundi dhe i vinte keq që do ikte pa plotësuar dëshirën e tij.

U kthyen në shtëpi dhe rrinin të heshtur. Vrisnin mendjen se ku mund të kërkonin përsëri.  Skënderi vështroi rreth e rrotull dhe sytë i vajtën te trendafili i bardhë në oborr. Një mendim rrufe përshkoi trurin e tij. Iu kujtua legjenda që i tregonte e gjyshja dhe menjëherë i tha  gjyshit:

– Duhet të gërmojmë nën rrënjët e trëndafilit në oborr. Gjyshja, ndjesë pastë shpesh më tregonte një legjendë. Atëhere unë isha i vogël dhe ajo nuk guxonte të më tregonte. Por tani jam i bindur se legjenda kishte lidhje me eshtrat e tyre

Plaku u mendua për disa çaste  dhe  më  në  fund  vendosi  ta  provonte  dhe  këtë  rast.

Filluan të gërmojnë menjëherë. Në fund të gropës dalluan dy skelete njëri pranë tjetrit. Në mes të tyre gjetën  një shishe të vulosur. E hapën  dhe brenda gjetën një fotografi të dy vëllezërve. Nga prapa saj nëna kishte shkruar:

‘’ Luani dhe Petriti, bijtë e bukur të nënës! Prehuni në paqe! ‘’

Rivarrimi u krye në mënyrë madhështore. Mori pjesë i gjithë qyteti. I vendosën pranë varrit të nënës së tyre. Mbas një muaji plaku mbylli sytë. E vendosën  në varrin e së shoqes. Skënderi ngriti aty dy varroshe të bukur, një për prindërit dhe tjetrin për fëmijtë e tyre.

*Nxjerrë nga libri me tregime “Një tregim për mikun tim”. Mbështetur në motivet e ketij tregimi në vitin 2010 botova romanin “Sekreti i varrit të vetmuar”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: reshat kripa, Strofkulla e Djallit, Tregim

Vota online për Egzon Gjonbala ndihmoni karrierën e një shqiptari në Basketboll në SHBA

March 9, 2016 by dgreca

(Të votojmë të gjithë dhe t’ua sugjerojmë edhe miqve tanë – vota e juaj është me shumë rëndësi në përzgjedhjen e Yjeve të Basketbollit – All-Star të Divisioni D-3. në SHBA)
BROOKLYN NYC :
CUBut_zWsAA5oNB.jpg

Egzon Gjonbalaj është, biri i prindërve shqiptarë, nga zemra e shqiptarizmes në Vuthaj, dhe është rritur e edukuar këtu në SHBA.

Duke parë talentin e tij, ekspertët e basketbollit këtu në Amerikë i kanë hedhur “grepat” duke u nominuar atë për të luajtur në lojërat All Star- në Divisionin D-3. ne SHBA
Nga çdo njeri nga ne gjëja më e vogël që mund të bejmë është të votoni për Egzon Gjonbalaj, vota e juaj ndihmon karrierën e të riut tonë, i cili e ka të hapur rrugën e ngjitjes më lartë në majat e Basketbollit në SHBA.
Këtu më poshtë keni edhe një shfletues, i cili shpjegon vetëm me pak fjalë përse “vetëm një votë” – për basketobollistin shqiptarë Egzon Gjonbalaj.
Egzoni është duke garuar për të marrë pjesë në lojërat e xhiros së Basketbollit NCA të Fakulteteve në SHBA (College Basketball)
All-Star D-3. mesatarja e shënimeve të koshave të Egzonit për një lojë është 22.7, pikë ndërkaq mesatarja e kërcimeve te Egzonit është 11.3, kurse asistime bën 4.0 .
Ai vjen nga grup moshat e basketobollistëve të Brooklyn College, në lagjen më të madhe të shqiptarëve të Amerikës.
Ai është i gjatë 6’5 (1.99cm) dhe luan për ekipin e mirënjohur te Basketbollit te Brooklyn College, luan si “mbrojtës “. /B.Sina/
Kliko ne link dhe VOTO
http://www.d3hoops.com/notables/2016/03/nabc-all-star-voting —
martin-hermannsson-fdu (1).jpg

Screen Shot 2014-02-19 at 12.06.44 PM.png

12799383_10153914405547381_3004221842864639420_n.jpg

Filed Under: Sport Tagged With: Egzon Vuthaj, Gjonbala, votojeni

“VALLËZIMI I FRYMËS” PROMOVOHET NË DITËN E GRAVE

March 8, 2016 by dgreca

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të grave, PEN Qendra e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë, promovoi librin me poezi “VALLËZIMI I FRYMËS, të poetes Violeta Allmuça, botuar nga shtëpia botuese Fishta. Ky libër është i botuar edhe në gjuhën angleze, në Sh. B. A. Fjalën e hapjes e mbajti Entela Kasi, presidente e PEN në Shqipëri. Për poezitë e poetes Allmuça, folën Natasha Lako, studiuesi Behar Gjoka, Miradije Maliqi, Fatime Kuslli dhe botuesi Frano Kulli. Në një atmosferë me tingujt e muzikës të studentes së Akademisë së Arteve, Ina Aliaj, gazetarja Kozeta Kurti, njëkohësisht autore e disa librave, por edhe autoret femra pjesëmarrëse në këtë takim poetik, lexuan poezi nga libri i poetes Allmuça. Sopranoja e TOB, Sofia Kola, në përmbyllje të këtij aktiviteti, ishte edhe surpriza e kësaj ore poetike dedikuar Violeta Allmuçës. Poetja Allmuça e botuar në disa antologji brenda dhe jashtë vendit, e po ashtu autore e disa librave në prozë dhe poezi, ndau emocionet dhe nënshkroi librin për të pranishmit.(Ahmet ZANI)

Filed Under: Kronike Tagged With: "VALLËZIMI I FRYMËS" PROMOVOHET, Ahmet Zani, NË DITËN E GRAVE, Violeta Allmuca

8 MARSI – FESTË APO PROTESTË?

March 8, 2016 by dgreca

Shkruan: Saranda R.Shala /
8 Marsi njihet si “Dita e Gruas” në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por dhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim.
Kjo ditë u dedikohet mbi të gjitha grave të thjeshta, të cilat në saj të vlerave të tyre ndryshuan historinë botërore; kjo ditë u kushtohet grave të cilat për shekuj luftuan për barazinë e gruas në shoqëri. Në Greqinë antike, Lysistrata ishte nismëtarja e grevës së seksit ndaj burrave me kusht që ata të ndalonin luftën; gjatë Revolucionit Francez, gratë parisiene kërkuan të drejtat e grave nën thirrjen për “liri, barazi dhe bashkim”.
Pra, e parë në këtë këndvështrim, 8 Marsi është një festë, ku përkujtohet data e grave, të cilat kërkonin të drejtat e tyre, sepse më 8 mars 1911 Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet për herë të parë në Kopenhagë, Danimarkë, me nismën e Klara Zetkin, udhëheqëse e Organizatës së Grave të Partisë Socialdemokrate gjermane.E parë në këndvështrimin tjetër, kur grave u mohohen të drejtat, në këtë rast e humbet nocionin e festës dhe kalon në anën tjetër, në kërkim të mosnëpërkëmbjes së këtyre të drejtave, pra kalohet në protesta.
Është e vërtetë që 8 Marsi është një ditë që mbart në vetvete respekt, dashuri të pafund, për ato gra qe na dhanë jetë nga jeta e tyre. Për ato që natën e bënë ditë dhe na mëkuan me qumesht nga gjiri i tyre edhe të drejtën për të mos humbur të drejtat që na takojnë. Për ato që gjenden pranë, sado larg që të jemi, sa herë zemrat tona dëshpërohen, sa herë shpirtrat tanë rënkojnë nga pesha e çdo lloj dhembjeje apo padrejtësie që u bëhet. Për atë krijesë të mbushur me kaq dashuri, me kaq mirësi.
Kur kjo ditë shërben për çka u tha më sipër, lind natyrshëm pyetja:. Por sa respektohen këto përpjekje për bashkim paqe e barazi?
Sinqerisht është për të ardhur keq që kjo ditë ka humbur origjinalitetin e saj dhe është transformuar në një ditë feste, ku shtrohen me tavolina mbushur sikur të jetë një dasmë. A ja vlen të festohet kjo ditë dhe cili është perceptimi për një ditë feste? A thua se gratë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre dhe patjetër duhet kthyer në një ditë feste?
Nëse do ta shohim në aspektin social, dita e 8 Marsit duhet të kthehej në një ditë të kërkimit të të drejtave të tyre, sepse këto të drejta, jo vetëm që nuk ekzistojnë, por edhe ato pak të drejta nëpërkëmben, ose shkelen. Nuk mund të flasësh për liri të gruas, kur në fakt, ajo pas martesës trajtohet si pronë e burrit dhe që në këtë moment humbet edhe elementin më themelor, atë të lirisë. Problemet në drejtim të femrës janë aq të shumta, sa do të duheshin faqe të tëra për t’i përshkruar. Ajo që vihet re sot në shoqërinë mbarëshqiptare, qëndron në faktin se femra sot është e dhunuar në të gjitha aspektet e jetës dhe aq më tepër që vazhdon akoma, sot, në shekullin e 21, femra dhunohet fizikisht, trafikohet, pra në tërësi përdoret si një plaçkë tregu.
Është me të vërtetë për të ardhur keq për ato gra e vajza që janë futur dhe merren me politikë dhe janë bërë preh e politikanëve që i drejtojnë këto parti duke zbatuar symbyllur porositë dhe direktivat e tyre, duke mos ngritur krye për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre? Dhe vetiu lind pyetja: Cili është vizioni i tyre në fushën që merren, apo duhet thënë se janë pa vizion fare? Edhe në këtë rast gruaja është e nënshtruar nga tutorët politikanë që i përdorin thjesht për fasadë dhe për vota.
Tradita e trashëguar nga regjimi monist, 8 Marsin e ktheu në festë dhe kjo traditë vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite. Dihej qëllimi i atij regjimi, por ka ardhur koha sot, jo të festohet, por të kërkohen të drejtat e tyre, pavarësisht se mund të jenë të shkruara diku, por që kanë mbetur në sirtaret e harresës.
Meqënëse sot është 8 Marsi, dita ndërkombëtare e gruas, nga tërë ajo mori lajmesh që kam ndjekur për gjithë ditën, perveç kremtimeve dhe reklamimit tyre se si po “kënaqen”,duke festuar, nuk pashë ndonjerën prej tyre, duke protestuar e vizituar Nenat të cilat vuajnë për kafshatë goje.
Sot më shumë se festë, do te duhej të protestohet kudo nga gratë. Në jetën e tyre ka kaq shumë pabarazi, dhunë, beteja, probleme për të drejtat e tyre. Do të duhej të protestohej për të gjitha ato nëna që ende vuajnë zhdujen e fëmijëve e familjarëve të tyre. Do të duhej të protestohej për të gjitha ato femra të dhunuara nga çetnikët serbë, ku ende nuk është ndërrmarrë asnjë hap për dënimin e merituar të tyre, do të duhej të protestohej për të gjitha ato nëna që enden kufijve me fëmijë në dorë duke kërkuar strehim nga luftëra. Më shumë se festë, sot do të duhej të protestohej për liritë dhe të drejtat e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: 8 MARSI - FESTË, APO PROTESTË?, Saranda R. Shala

Shqiptarja Erisa Terolli, që fitoi bursë nga “Google”

March 8, 2016 by dgreca

Nga Juli Loloçi/
Lajmi sensacional i këtij fillimviti sigurisht do mendohet ai që Kim Kardashian foli shqip në rrjetin social ‘Instagram’, falë grimierit të saj shqiptar Mario Dedivanoviç, por unë do të fokusohesha në një ngjarje tjetër që ka të bëjë me vlerat e vërteta të shqiptarëve në botë. …
Sigurisht që talentet shqiptare në art marrin një vëmendje më të madhe në media për shkak të interesit publik, po pse jo mos të ketë edhe kjo vajzë shqiptare që ka shënuar një arritje shumë të madhe, edhe pse në një fushë jo me shumë interes për masën e gjerë të popullsisë?!
Quhet Erisa Terolli dhe ka fituar një bursë nga superkompania e njohur në të gjithë botën, “Google”. Historia e Erisës në fushën e Informatikës ka pasur luhatjet e saj dhe ajo vazhdimisht gjendej në dilemën nëse do të vazhdonte studimet universitare në fakultetin ekonomik apo në informatikë.
Pavarësisht se kishte pasur rezultate shumë të larta në Matematikë e Fizikë dhe rrjedhimisht mendohet që Ekonomiku do të ishte zgjedhja e duhur, ajo i vendosi një sfidë vetes duke zgjedhur Informatikën. Në fillimet e programimit pati disa vështirësi duke qenë se nuk kishte aspak njohuri në këtë fushë dhe kështu vendosi t’i futej me përkushtim gjithçka nga librat dhe botimet e tjera.
Dhe kështu ishte ecuria e Erisës në vazhdimësi të universitetit, me shumë vullnet dhe shumë punë. Shumë shpejt ajo ra në sy të profesorëve, falë talentit dhe vullnetit të madh që kishte dhe, mbasi mbaroi studimet universitare me nota maksimale, ajo dëshironte t’i thellonte edhe më shumë njohuritë duke aplikuar për doktoraturë.
Si fillim zgjedhja e parë e saj (e sugjeruar nga profesori shumë i talentuar Ilir Çapuni), ishte Universiteti i Helsinkit, i cili e refuzoi aplikimin e saj. Erisa nuk u demoralizua dhe aplikoi gjithashtu në Universitetin e Turqisë e më pas në “La Sapienza” të Romës, Itali.
Aplikimi iu pranuar nga ky i fundit dhe këtu nisi edhe suksesi i Erisës që të shkëlqente dhe të arrinte deri në “Google”. Nuk është një mit, është një realitet i prekshëm që kërkonte shumë punë, por mbi të gjitha kërkonte vullnet dhe dëshirën e madhe për të arritur diçka në jetë.
Erisa së fundmi organizoi një seminar për ecuritë e saj dhe ta përcillte me studentët e tjera femra të degës së Informatikës dhe të ndante të gjithë informacionin që kishte marr këto kohë, në mënyrë që të nxiste pjesëmarrjen e tyre në kompanit e mëdha si “Google”, “Facebook”, “Amazon”, etj.
Mesazhi që ajo përcolli në këtë event ishte se mundësitë janë të mëdha në jetë për të zgjeruar dituritë dhe për t’i konkretizuar më pas ato në punë, mjafton që gjatë rrugëtimit femrat të mos demoralizohen dhe të mos mendojnë se ato dinë më pak se meshkujt dhe se mundësitë janë më të pakta për to.
Ky event i organizuar nga “Google” dhe i sponsorizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Universiteti “Epoka”, provoi të kundërtën.
Në event ishin të ftuar Ministria e Inovacionit Milena Harito, e cila mbajti gjithashtu një fjalim për të inkurajuar studentët shiptare që të ardhmen e kanë në dorë e vet dhe të ndjekin shembuj si Erisa që nuk u dorëzua asnjëherë.
U zhvillua gjithashtu një video-konferencë me një përfaqësuese të “Google”, e cila tregoi rrugëtimin e saj në superkompanine botërore; ajo gjithashtu inkurajoi me fjalimin e saj që të gjitha vajzat janë të ftuara të aplikojnë dhe të mos kenë frikë, pasi gjithçka është e mundur.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: burse nga Google, Juli Loloci, Shqiptarja Erisa Terolli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT